Tiranë, e Djelë 2 Korrik 1939: Ora 8.5’, mëngjes u nisa për Durrës, ora 9.30’ vajta ne Nafija. Pas drekës ora 2 u shtriva në shtrat (larg dritares), Nafija më ndjenji mbanë shtratit, pastaj ra në shtrat me mua (më të djathtën t’ime) dhe u pushtuam ashtu një hof: unë ia hodha krahun nënë qafë, ajo e futi kokën në gjirin t’im; kur u sgjuam e mora nër kraha, ia skuqa faqkat së puthuri dhe lëpiri gushën, sytë me 100 përkëdhelje. Më 6-8 baritmë anës detit përkrah.
Në shtrat më lëçiti 3 vjersha të saj, pas darkës fjeti në shtratin t’im, u sgjuam më 11 para mesnatës, biseduam pak, pastaj fjetmë. Më 6 korrik, E Enten, më 7.30’ të mëngjesit ardhi Nafija në dhomën t’ime. Më shkrojti: “shpirtin t’ënd” = “Nafijen”, “shpirti im” = “Lasgushi”. Më 3 u nismë, më 4.10’ harimë në Durrës. Më 5,40’ filluam, më 6.10’ mbaruam celebrimin e martesës në Bashki. Kur u kthyem në shtëpi të Nafijes i vura në gisht unaskën me brilant prej floriri të bardhë. Natën 6 dyke u gëdhirë më 7 Nafija m’a futi dorën në gji. I vura byzylykun prej ari. Desha t’i-a fut edhe unë dorën, nuk më la, u zemërova. passi shkoj të flerë, ardhi 5 herë në dhomën t’ime që të më pajtojë, më në fund ardhi fjetmë bashkë, më 3 pas mesnate më tha se kish turp prandaj s’ma la dorën. Fjetmë pa bashkim trupor.
Më 7 Korrik, të Premten, ora 1.30’-4.30’, u shtrimë në shtrat bashkë, pa bashkim trupor. E zhveshi gjirin me turp të math. Gjiri i saj një parajsë vajzërore, mezi ka zënë të fryhet, cickat s’kanë maja. U përkëdhelëm me 1000 mënyra: “Puthmë dhe këtu” theshte, “edhe këtu”; “bëmë një vurratë këtu (në llërën lart) dhe këtu, edhe një, edhe një. Ora 5.30. qau, qava. Më 7 Korrik, ora 8.30’ baritmë, ndenjmë në lulishte. Më 6 Korrik ora 6.30-9.30 ndenjmë në lulishte.
Më 7 Korrik natën dyke u gdhirë më 8 fjetmë bashkë, me bashkim trupor, pa bashkim virgjëror. Nafija përkëdheleshe shumë, çuditesha për të gjitha, s’dinte, e mora prej shtratit në divan, vura llambën, në këtë natë sbathi me turp të math dhe breçkat: trupi i saj një bukuri për t’u çmëndur, i bie erë shumë të mirë, u puthmë, gojë e trup me 1000 mënyra. Më tre pas mesnate, u sgjuam dhe u përkëdhelëm (të zhveshur) me 1000 mënyra. Më ora 6 fjetmë pak të lodhur. / KultPlus.com
Ylli i njohur i hollywoodit, Jared Leto, vendosi që me postimin e një fotografie ta festojë ditëlindjen e tij të 50-të të dielën më 26 dhjetor.
Duke shënuar ditën e tij të veçantë, aktori ndau një foto pa këmishë të tij, ku shfaqej barku i tij i gdhendur. Në foto, ai po pozon me një copë tortë ylberi dhe po jep gishtin e madh që tregon një trup të tonifikuar mirë.
Fotoja mund të jetë bërë në xhirimet e filmit të tij të ardhshëm nga Sony dhe Marvel, ‘Morbius’, pasi ai ka gjak që i rrjedh nga cepi i gojës dhe një gërvishtje në gjoks.
Aktori dhe vokalisti i grupit “Thirty Seconds to Mars”, si dhe fituesi i çmimit Oscar e ndau fotografinë me ndjekësit e tij në Instagram ku edhe mori shumë pëlqime dhe komente, disa prej së cilëve e pyesnin atë se si është e mundur që nuk po di të plaket.
“Ju falënderojë për të gjitha urimet e ditëlindjes”, me këto fjalë Leto e kishte shoqëruar postimin e tij.
Aktori u pa për herë të fundit në dramën e krimit të Ridley Scott ‘House of Gucci’, në të cilën ai luajti rolin e Paolo Gucci së bashku me Lady Gaga, Adam Driver dhe Al Pacino.
Sa i përket kinematografisë, Leto së shpejti vjen me performancë të shkëlqyer në filmin e ri “Morbius”.
Projekti bazuar në librat komikë dhe i realizuar nga studio “Sony”, fokusohet në personazhin e keq të inspiruar nga filmat “Spider-Man”. Ylli i shpërblyer me “Oscar” e portretizon një biokimist, i cili provon ta shërojë veten nga një sëmundje e rrallë e gjakut, por shndërrohet në diçka të errët dhe të frikshme.
Matt Smith, Adria Arjona, Jared Harris, Al Madrigal, dhe Tyrese Gibson, gjithashtu luajnë në këtë film regjinë e së cilit e ka bërë, Daniel Espinosa.
“Morbius” lansohet për publikun e gjerë në janar të vitit të ardhshëm.
Ndërkaq në një intervistë të fundit, aktori dhe këngëtari i dashur për publikun e bëri të ditur lajmin se, gjatë pandemisë i ka shkruar më shumë se 264 këngë të reja. Albumi i fundit i incizuar në studio i grupit të shumëshpërblyer “Thirty Seconds to Mars”, e mban titullin “America” dhe u lansua në vitin 2018. Ai u mirëprit nga fansat anembanë botës dhe shënoi suksese të mëdha në toplistat muzikore, duke u pozicionuar në vendin e dytë të toplistës së 200 albumeve më të mira “”Billboard”. / KultPlus.com
(Marrë nga libri, “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët)
Gjenerali u ngrit dhe bëri një shenjë gjithë nervozizëm. Dikush më mbërtheu nga qafa. Fola: “Es que vous parles français?”
Ai më pa dhe m’u përgjigj: “Ju polakët jeni të ndyrë!” I thashë frëngjisht se nuk isha polak, por shqiptar! Atëherë vetëtimthi më doli para syve figura e priftit që m’u ngjit e më pyeti se ku ishin shokët e tjerë.
Prandaj, u gëzova shumë dhe mora guximin dhe i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë unë njoh, madje dhe me emra.” Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë?” Unë iu përgjigja: “Njoh Gëtën dhe Shilerin!”
Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je?” “Jam një poet shqiptar. Po që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutemi i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni.”
Gjenerali depërtonte në mendimet e mia duke më vështruar drejt e në sy. Unë rrija i qetë dhe i lumtur se nuk i paskëshin zënë të tjerët. Ishte prifti që më kishte spiunuar si polak… Togeri që përkthente quhej Tenente Kok. Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit.
Unë e dija përmendësh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, qëkur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia dhashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.
Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:
– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh. – …(Fliste Koliqi.) – Quhet Petro Marko… – … (Fliste Koliqi.) M’u drejtua mua: – Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e Maleve”, “Gjurmët e stinëve”…
Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”… – …
(Fliste Koliqi.) – Ju faleminderit shumë dhe na falni për shqetësimin në këtë orë! – tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.
Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt: – Falëndero Gëten dhe Shilerin. Më morën dhe që andej më shpunë në burgun “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek. Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit.
Më tha të rrija i qetë se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.
Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.
Pas pak ditësh erdhi për t’u takuar me mua peshkopi i Leros (unit). Më takoi dhe me një zë prej kallogjeri më thoshte: “Të na falësh, o bir, se ai nuk ishte prift, po djalli vetë, ai ishte djalli vetë”.
Më tha se e kishte dërguar vetë peshkopi i Via Po-së të më pyeste se ç’dëshiroja, ç’ndihma donim dhe ta dinim se ai i mallkuar nuk ishte prift, po djall i veshur tani vonë prift nga gjermanët. Siç mora vesh më vonë, atë dhe togerin Kok i vranë partizanët italianë.” / KultPlus.com
Grua, nëpër lumenjët e bardhë të jetës Zgjedhe dëshiren dhe festo rrugëve të gëzimit; Harroje mundin në kallinjët e grurit të bardhë dhe Buzëqeshi klithjes në lindjen e të bukurës;
Grua, në bulevardet e dhimbjes mos i harro sytë e kaltërt, Në hije qershije do t’gjejnë dhe do t’përcjellin E kujtimet e tyre do të udhëtojnë me ty deri në dehje. Në njërën nga ato ditët që duhet festuar Në njërën nga ato ditët që duhet vallëzuar;
Grua, mos u ndal as në pikat e para të shiut, Thaset e dhunës lagen, Kutitë e forcës zbehen, Përderisa zoti buzëqesh thjeshtësine e urrejtjes Duke falur, e duke kërkuar ndjesë;
Grua, në atë dhomën e vogël, Mos dëgjo gjëmen, as britmen vrasëse Mos lexo zërat hyjnor, Mbylle veten në botën e kukullave dhe ëndërro, ëndërro hijeshëm, ëmbël dhe shkrij fjalë ari mbi trupin tënd lakuriq.
Grua, frymën e fundit leja vetes Ledhatoje si fëmijën e palindur Përkëdhele me duart e ngrohta Shpërndaje me dashuri Dhe grua, guximin mbylle në Ty, deri në grahmën e fundit.
–Poezi e shkruar nga Valentina Broja, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus. /KultPlus.com
-Teksa idetë e para mbi konditat rreth të cilave duhet të ndërtohet një shtet në një rrafsh universal janë plasuar qysh në antikitet me veprën e Platonit, në historinë e publicistikës shqiptare interferohet me një vlerë kolosale vepra e Branko Merxhanit, e cila gjithashtu angazhohet në dhënien e tabllos së një shteti, por i cili për dallim nga ai i Platonit ekziston si tanësi e veçantë sado që jashtëzakonisht kompleks në qenësinë e tij.
Formula e Neoshqiptarizmës sublimon idealet e një intelektuali, Branko Merxhanit për rikuperimin e atdheut të tij, Shqipërisë. Vepra, e cila mund të cilësohet fare mirë si një traktat i natyrës socio-politike përbërë nga shkrime të botuara në revistën e autorit me po titullin Neoshqiptarizma, plason një tanësi idealesh, të ashtuquajtura reforma, që kanë për qëllim të orientojnë Shqipërinë drejt përparimit, më saktësisht drejt shkrirjes së saj me kulturën e Evropës të cilën autori insiston ta quajë Qytetërim.
Ngjashëm si Kadare edhe Merxhani trajton gjerësisht problemin e kthimit të Shqipërisë në kontinentin mëmë, por për dallim prej të parit i cili e shkruan si një fakt historik, pra si diçka tashmë të kaluar, Merxhani angazhohet me tërë qenien e tij që ta zgjidh këtë problem që është aktualitet i tij. Neoshqiptarizma mund të definohet si një pararojë e një kombi që do të rimëkëmbet, do të shkruajë një histori të re duke marrë çka ka shpëtuar nga gërmadhat. Me reformën ajo nënkupton kryerjen e një varg detyrash për të plotësuar nevojat kombëtare e përparimtare të kohës.
Vendi i së kaluarës në rrugën e Qytetërimit
Lexuesi shqiptar është mësuar që në veprat me karakter të tillë ideologjik rëndom të ndeshë në një glorifikim të së kaluarës e madje insistim që të shfrytëzohet si model për të hedhur pluhur mbi mjerimin socio-politik aktual. Merxhani, përkundër ideologëve romantikë të cilët gjejnë prehje në evokimin e së kaluarës dhe theksimin e kontrastit të mësipërm, sugjeron që ndërtimi i Shqipërisë së re të mendohet pa vështruar të kaluarën e cila në thelb për të derivon vetëm një epokë vuajtjesh, e mbi të gjitha një epokë të errët sa i përket kultivimit të dijeve dhe veçorive progresive shoqërore.
Neoshqiptarizma e vetëdijshme për zakonin e popullit shqiptar që ta fajësojë robërinë shekullore për mbetjen aq mbrapa shteteve të tjera të qytetëruara evropiane, tregohet një kritikuese e ashpër, por në thelb realiste, kur etiketon këtë përligjie si vetëgënjeshtrim të shqiptarëve që mbulon faktorin kryesor të këtij konservatorizmi: pezmin, pasivitetin e popullit për të punuar për vendin e tyre. Merxhani citon Trubeckoin si mbështetje të mendimit të tij ku thotë: sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë, e madje e plotëson me një ton ironik, kur thotë po ne u treguam nxënës të këqij; nuk këmi mësuar as letrën A, duke aluduar kështu në mungesën e emancipimit, shkollave të mirëfillta për zhvillimin e mendimit intelektual si dhe vetë hartimin e vonshëm të alfabetit.
Fanatizmi me të cilin shkolla jezuite angazhohet e mbron çështjen pellazgjike shqiptare, thumbohet indirekt duke u parë si ngecje në kohë evokimi i idesë mbi vjetërsinë e shqiptarëve si popull. Theksohet ideja që shqiptarët ashtu si Neo-Grekët e Neo-Turqit ta afirmojnë veten si Neo-Shqiptarë.
Kritika vjen duke u zgjeruar e bërë madje substanciale për t’i hapur rrugë përparimit përmes vështrimit të të metave të shoqërisë shqiptare në një dritë të pastër. Merxhani është idealist në esencë, por ai insiston që të rendet pas idealeve vetëm pasi njeriu shqiptar të ketë pranuar qenësinë e tij lakuriq ashtu siç është. Ai vë theksin në nevojën e rehabilitimit të anomalive psikologjike, siç quan jetën e zbrazët intelektuale pa ideale, pa shkolla, konservatorizmin e theksuar dhe njeriun e vrazhdë shqiptar që ka krijuar jeta në male. Sugjeron që të punohet me rrënjët; të ndërtohet diçka e re duke shartuar atë çka sado që origjinare zhvesh vlerat e shoqërisë dhe i bëhet gur në rrugën e përparimit. Në këtë kontekst Neoshqiptarizma krijon analogji me Koliqin, i cili gjithashtu në tekstet e tij kritike sugjeron vazhdimisht që e reja të ndërtohet duke kultivuar nga e vjetra gjjithçka cka është dobiprurëse për Qytetërimin të konceptuar si të ardhme.
Mirëpo teksa njeriu shqiptar këshillohet vazhdimisht që të vështrojë nga e ardhmja, progresiviteti i tij në asnjë rast nuk shihet i shkëputur nga jeta kombëtare, qenësia ekzistuese e saj. Një shtet i cili kultivon përparimin, idetë që çojnë drejt Qytetërimit, duke shpërfillur shpirtin e kombit sipas Merxhanit zvetënon portretin harmonik të tij para botës. Pra, a prior është realiteti i jetës kombëtare, ndërsa përparimi del si a posterior, ose kushtimisht ai nuk del mirëfilli i realizuar nëse nuk pranohet e punohet me të parën, pra realitetin e jetës kombëtare.
Religjioni në hendekun e Orientit dhe Oksidentit
-Merxhani e interferon religjionin si pjesë të pashkëputshme të palcës shoqërore që ka luajtur përherë një rol aktiv në arkitektonikën e botës. Shtrimi i pikëpamjeve personale mbi religjionin e filozofinë shpërfillet për shkak të interesit që konceptimi i religjionit t’i përshtatet nevojave të shqiptarëve të kohes. Siologjizmi i tij mbi religjonin nis nga vështrimi i tij në rrafshin universal, si ushqim shpirtëror që ka plotësuar kaherë nevojat e shoqërisë ndër shekuj, për të vazhduar me labilitetin e shqiptarëve në raport me të. Për ta plotësuar e precizuar qëndrimin e shqiptarëve në raport me religjionin shtrohen dy terma kryesorë: materialja dhe shpirtërorja.
Njeriu shqiptar e ka vështruar religjionin veçmas gjatë sundimit osman, si rrugë për sigurimin e përfitimeve materiale, çka ka penguar edhe pranimin e lidhjes shpirtërore me të. Kështu edhe dalëngadalë ka marrë fytyrë figura e shqiptarit i cili është labil në aspektin religjioz e duke qenë i paaftë të lidhet me ideale shpirtërore, ai domosdo do të tregohet i varfër në përfytyrimet dhe angazhimin për Qytetërimin.
Heterogjeniteti religjioz del si tregues i këtij joserioziteti, por edhe si faktor krucial që pengon konvergjencën kombëtare. Uniteti religjioz shtrohet si kusht për unitetin nacional. Shqipëria quhet figurativisht një Saharë e Evropës, pa asnjë hije, pa asnjë pemë, pa asnjë pikë ujë, duke bërë aluzion kështu për shterpësinë e shqiptarëve si nacion në fushën e ideve religjioze, idealeve kombëtare e shkencore.
Për Neoshqiptarizmën asnjë religjion nuk është superior në raport me tjetrin, por për sa kohë nuk shkrihen në një ose të angazhohen në unanimitet intelektual e kombëtar larushia e tyre është shpërfytyrim i një kombi të bashkuar, çka edhe e largon edhe më tepër Shqipërinë nga ëndrra e Qytetërimit. Prandaj edhe lexuesit nuk i vjen çudi entuziazmi me të cilin Branko Merxhani shkruan për martesën e Jan Bashos, një mjeku të krishterë të pallatit mbretëror dhe Zejnep Maliq Bej Frashërit, një muslimaneje të shkolluar. Për Merxhanin kjo martesë realizon idealet e Neoshqiptarizmës në një zinxhir si: tejkalimi i ndasive fetare, konvergjenca kombëtare dhe hedhja e filizave të familjes së qytetëruar.
Në tekstin e tij vërehet një antipati ndaj Orientit osman, thënë më drejt ndaj kulturës së tij, e cila qëndron larg lavdisë së popujve të vjetër oriental sumerë e egjiptianë, prandaj edhe si e tillë nuk u pranua gjerësisht në Evropë, dhe nuk arriti të mbijetojë karshi kulturës kolosale që pohon ai të derivojë Oksidenti. Ani pse përdor me ironi epinomin dualizëm sentimental për kulturën religjioze të Orientit dhe Oksidentit, Merxhani nuk kursen në asnjë rast parabolat e Frojdit, Augustit o filozofëve të tjerë për të potencuar edhe njëherë rëndësinë e religjionit në qarqet shoqërore, si reflektues i shpirtërores, devocionit, humanes dhe dashurisë.
Roli i intelektualit në prurjen e Qytetërimit
-Neoshqiptarizma pranon se sado që ajo angazhohet në mirëqenien e popullit në esencë kërkesat e saj nuk i drejtohen atij, por njeriut të mendimit, siç e quan ajo intelektualin. Për të bazë e ndërtimit të një kombi është shoqëria e cila niset nga parime kolektive efektive, për dallim prej individit i cili niset nga parime asociale, rrjedhimisht vetjake. Mirëpo individi i determinuar shpesh si qenie egocentrike kur shikohet i shkëputur nga shoqëria, është i prirë ta tregojë superioritetin edhe rëndësinë e tij në mirëqenien e shoqërisë në kohë kataklizmash socio-politikë. Kjo është dëshmuar veçmas në periudhën e romantizmit, kur çdo intelektual e artist ka shembëllyer më parë sesa pikëpamjet e veta mbi botën materiale o shpirtërore, ato që u janë përgjigjur nevojave të kohës, duke barazuar funksionin e tyre me atë të apostujve Nisur nga kjo sakrificë e artit mund të thuhet se figura e intelektualit e lidhur me palcën e shoqërisë, me realitetin shtrëngohet të braktisë botën kaotike të fantazisë së tij.
Gjithë filozofia e Neoshqiptarizmës bazohet në ideale shoqërore, të konceptuara si faktorë të parë të jetës. Ideali shoqëror realizon divergjencën e njeriut shqiptar duke e transformuar atë nga të qenurit një qenie egoiste në një qenie me primesa utilitare. Merxhani spikat se ideali nuk është diçka ireal që ushqehet nga fantazimet e njeriut mbi mirëeqenien vetjake, por një realitet që i përket shoqërisë.
Djalërinë ose fazën infantile të njeriut shqiptar, ai e determinon si hapësirë produktive për t’u rrënjosur e kultivuar idealet shoqërore të Neoshqiptarizmës. Shfaqet kundër mësimit konvencional dhe thekson nevojën që të ndryshohen kriteret pedagogjike të mësimdhënies, të observohet më tepër me botën e ideve dhe shpirtërore të Djalit shqiptar. Jo rastësisht përdoret kjo sintagmë, që s’ka qëllim tjetër përveçse ta vë spikamën edhe njëherë në diferencën midis Djalit Shqiptar dhe atij Evropian, si përplasje midis konvencionales dhe modernes.
Hovi i intelektualëve për të instaluar filozofitë e huaja aq të përparuara, për të përkthyer në një vend ku mungon një abetare adekuate thumbohet si një mendjelehtësi që del veçmas me krahasimin që u bën Merxhani vetë atyre me virgjëreshat e çmendura të dashurisë e të dehjes. Intelektuali shqiptar, rëndom i formuar jashtë atdheut në rrugën e kthimit të tij në popull gjithmonë duhet të mbajë gjallë dëshirimin për të depërtuar në shpirtin e popullit, për të kuptuar kështu botën e ideve dhe ndjenjave të tij, besimet e traditat dhe të gjitha këto t’i marrë si një shkollë në vete që do t’i shërbejë për të njohur kushtet e terrenit ku synon të plasojë idetë e Qytetërimit. Por, jo çdo dukuri që ka zhvilluar Oksidenti është shembull i Qytetërimit. Kështu Merxhani thekson se liria dashurore që ka zhvilluar Evropa, duke insistuar në të drejtat e femijëve të jashtëligjshëm, në konsumimin e dashurisë pa pasur ndonjë kondiktë morale, nuk është veçse një degradim shoqëror që rrezikon madje vetë qenësinë e Familjes, konceptuar qëkur si bërthamë e shoqërisë.
Kudo nëpër tekst ndjehet simpatia e Merxhanit ndaj Gëtes, e madje ai duket sikur është i vetëdijshëm për këtë rënie në sy prandaj edhe i kushton një kapitull të tërë, ku tregon njohjen e parë të tij me Gëten dhe arsyet pse ai e admiron aq shumë. Njohja e tij me Gëten vjen si reminishencë nga fëmijëria, gjatë rrëfimit të së cilës autori nuk mund t’i përmbahet shpërthimit euforik, duke dhënë gjithë madhështinë e botës së pafundme të ndjenjave që ka zbuluar në Verterin si fëmijë, përmes simbolikës së pemës dhe dehjen me të cilën ai admironte lulet shumëngjyrëshe të prera nga ajo: të puthura qiellore ranë mbi mua.
Vizatimi i tillë i portretit të Gëtes i shërben edhe përpjekjes së autorit për të demonstruar figurën e një intelektuali që rend pas ideleve qoftë shoqërore qoftë letrare, duke përjetësuar kështu jo vetëm emrin e tij, por edhe bërë të njohur botërisht e vlerë sublime qytetin e vendlindjes së tij, Ëeimarin. Merxhani përmes tij dëshiron të tregojë edhe njëherë impaktin e një jete idealiste dhe rolin e rëndësishëm që luan intelektuali në njohjen e kombit të tij para botës, ne vetë pasqyrimin e vlerave të tij.
Në kujtimin tjetër, fokalizimi i intelektualit në veprim bartet nga Gëte tek vetvetja. Merxhani interferon skena nga një udhëtim në Stamboll, për të treguar lidhjen e tij intime me profesionin e gazetarisë dhe se si mund të punohet me të në dobi të jetës kombëtare. Krahas ambientit sentimental me të cilin autori jep portretin e Stambollit, theksi vihet veçmas në dhënien e pamjes së një realiteti kaherë ekzistues: shqiptarët e mërguar në Turqi dhe rreziku i asimilimit të tyre. Ajo për çka mund të kritikohet këtu Neoshqiptarizma është vështrimi i të mërguarëve më tepër në një kontekst material se sa shpirtëror, më tepër se sa si pjesë e pashkëputshme e palcës etnike, si resurs ekonomik për vendlindjen, për mbajtjen e të cilit duhet të mos kursehet asnjë rrugë.
Branko Merxhani në veprën Formula e Neoshqiptarizmës arrin të derivojë fytyrën e intelektualit nga të vështruarit të tij në një kontekst më të largët thjesht konceptual, për të elaboruar më tutje duke e vështruar nga afër, prekur figurën altruiste të intelektualit përmes shkrimit të kujtimeve. Ai bëhet ideolog që afirmon atë çka duhet të përbëjë figurën e intelektualit në shumë plane: atë moral, religjioz, shoqëror e atdhetar.
Stili i Neoshqiptarizmës
-Duke zgjedhur si formë reflektimi të tij prozën mendimtare me karakater socio-politik, jo rrallë edhe me premisa filozofike, Branko Merxhani bëhet ndërtues i një platforme ideologjike që vështron Qytetërimin si utopi. Pavarësisht vështrimit të tillë të saj si përmbajtje, ajo çka bie në sy në vepër është edhe forma, sistemimi i pikëpamjeve mbi fenomenet shoqëore nëpër kapituj të veçantë, çka edhe krijon një lidhje kauzale midis tyre dhe shtron në një rrjedhë logjike problemin. Jo rrallë bie në sy përsëritja e ideve, e cila vërehet veçmas në shtrimin e problemeve të njëjta nëpër kapituj të veçantë, mirëpo kjo nuk bën që stili i tij të kalojë në monotoni, por i shërben plotësimit dhe theksimit të ideve.
Stili i tij më tepër se praktik, konkret është abstrakt, teorik dhe kjo vie si rrjedhojë se Merxhani nuk rrëfen, me përjashtim të ca pjesëve që lidhen me kujtimet ku ai tregon ca prirje prozaike, në përgjithësi stili i tij anon nga proza shkencore, mendimtare. Mirëpo teksa kësaj proze shkencore i mungon gjerësisht rrëfimi prozaik, nuk i mungon gjuha figurative. Errësira dhe drita përbëjnë dy simbolet dominuese, që në thelb shënojnë kontraste kohësh, kulturash o idealesh. Këto Merxhani i përdor pa kursim për të treguar pikërisht përmes këtij kontrasti vështirësitë dhe nevojën e menjëhershme të të punuarit me realitetin kombëtar.
Toni sarkastik e ironizues është veçmas karakterisitk kur u drejtohet bashkëkohësve të tij dhe moskuptimit që tregojnë ata ndaj Qytetërimit, si dhe ndaj të kaluarës dhe qëndrimit glorifikues të shqiptarëve ndaj saj. Ky ton ndryshon kur kalohet direkt në lidhjen e tij intime me atdheun, nga ai revoltues në atë melankolik i cili realizon plot emocionalitet një përshkrim romantik të tij, dukë gërshetuar glorifikimin e natyrës me lidhjen e pashkëputshme biologjike që gëzon njeriu me vendin e tij:
ku janë të varrosura kockat e stërgjyshërve t’anë, atje në hirin e gjakut të hidhërimit, ku ka rënë loti i parë i mëmave tona në pyllin e dashurisë që na çeli misterin e jetës në kohën e djalërisë-atje është atdheu ynë. Siç shihet ritmi, melodia e fjalëve që hyjnë në marrëdhënie i japin shprehjes së tij ngjyrime patetike.
Reagimet prozaike letrare përveçse lidhen me reminishencat e lartpërmendura, nuk mungojnë edhe përbrenda shkrimeve sado që në një masë rudimentale nëse krahasohet me Mosmarrëveshjen e Kadaresë. Për shembull ja si përshkruan Merxhani gjendjen e tij emocionale pas kritikës që i bën njeriut shqiptar:
Ndjej se maja e gishtit më djeg. Dhe ç’të djegur! Dridhem i tëri. Vura gishtin tim mbi një plagë, e cila ka lodhur dhe egërsuar pa rreshtur shpirtin e kombit.
Vepra fund e krye shquhet për diskursin erudit, që shpaloset qysh me paratekstet që përmban çdo kapitull. Ato realisht bëhen sugjeruese të përmbajtjes së pjesës para së cilës vendosen. Kështu nuk mungojnë paratekstektet nga Gëte, Niçe, Svela, Ruso e Kanti, por edhe intertekstet e Frojdit, Dukheimit, Artur Messerit, Emil Ludvigut, Marksit e sa e sa përfaqësuesve të tjerë qoftë të pikëpamjeve psikanalitike, sociologjike, materialiste e idealiste, të cilat provojnë për një intelektual të shquar, që nuk kufizohet në dijet e fushës së tij, por vazhdimisht anagazhohet që të vjelë më tepër nga gjeneralët e Qytetërimit, për t’i kontribuar kështu jetës shoqërore të vendit dhe ndërtimit të platformës së përparimit për kombin, çka del fund e krye e realizuar në këtë vepër.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Shtëpia e këngëtares së mirënjohur shqiptare, Vaçe Zela është vjedhur. Persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur shtëpinë e këngëtares në Tiranë, e cila është ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2014.
Siç raporton gazetarja Xhensila Kodra autorët kanë marrë një medalje të Vaçe Zelës, një laptop, dhe një orë të bashkëshortit.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa banesa ndodhet tek “Pazari i Ri” në kryeqytet. Vjedhja u konstatua nga motra e këngëtares ikonë të muzikës shqiptare që kujdeset për banesën.
Sakaq, familjarët dyshojnë se dera është hapur me kartë. I vëllai artisti Hysni Zela thotë se janë marrë gjithashtu bizhuteri dhe sende me vlerë.
Këngëtarja e madhe shqiptare u nda nga jeta në vitin 2014 në Bazel të Zvicrës. /abcnews.al / KultPlus.com
“Ti nuk mund t’i kontrollosh gjithë ngjarjet që të ndodhin, por mund të vendosësh të mos prekesh prej tyre”.
Prindërit e autores së njohur u divorcuan kur ajo ishte vetëm 3 vjeçe. Për 4 vitet në vazhdim, Maya dhe fëmijët e tjerë u rritën nga gjyshja dhe prindërit nuk i vizituan asnjëherë. Më pas një ditë, e ëma i detyroi fëmijët të zhvendoseshin në qytet për të jetuar me të.
Disa muaj pas zhvendosjes, kur Maya ishte vetëm 7 vjeçe, abuzohej fizikisht dhe përdhunohej nga i dashuri i nënës së saj. Pas këtyre ngjarjeve, ajo informoi fillimisht vëllanë dhe ai më pas i tregoi gjithëfamiljes. I dashuri i nënës së tyre u shpall fajtor, por u dënua vetëm me një ditë burg. Katër ditë pas lirimit, ai u gjend i vdekur dhe shumë veta dyshuan se xhaxhai i Mayas mund ta kishte vrarë.
E shokuar nga çfarë ndodhi, Maya nuk foli për 5 vite me radhë dhe u kthye të jetonte sërish me gjyshen e saj. Gjatë kësaj periudhe heshtjeje, ajo zbuloi botën e mrekullueshme të letërsisë dhe për vite të tëra u përfshi në librat magjikë të Shakespeare dhe Dickens.
Maya ndoqi shkollën në heshtje të plotë, por me mbështetjen e mësuesve dhe vëllait të saj, i dha fund heshtjes. Më vonë ajo u zhvendos në New York, ku studioi kërcimet afrikane. Shumë shpejt e gjeti veten duke kërcyer dhe duke kënduar në klubet e natës. Realizoi edhe një tur në Europë, si dhe nxori albumin e saj të parë muzikor “Miss Calypso”.
Kur dëgjoi Martin Luther King Jr. të fliste, Maya u frymëzua të bëhej një aktiviste. U angazhua nëmbledhjen e fondeve për të siguruar të drejtat e njerëzve dhe udhëtoi nëpër botë si shkrimtare dhe prezantuese në radio. Organizoi gjithashtu marshime dhe protestoi për të garantuar të drejtat e njerëzve. Pas atentatit të Martin Luther King Jr. Maya ra në depresion të thellë.
Sërish ajo u përfshi në botën e librave, por këtë herë, në vend të rolit si lexuese, filloi të shkruante për dhimbjen dhe fëmijërinë e saj. Maya realizoi një sërë skenash, kompozoi muzikë dhe shkruajti mjaft vepra që u bënë edhe filma, duke u bërë kështu femra e parë me ngjyrë që realizonte filma me veprat e saj.
Edhe pse nuk ndoqi një shkollë të lartë, ajo sërish fitoi çmime të shumta nderimi, nga të cilat edhe tre çmime Granny për albumin e saj muzikor. Me veprat e saj, Maya frymëzoi miliona njerëz në botë, duke përfshirë Bill Clinton, Oprah Winfrey, J. K. Rowling, Kanya West dhe plot të tjerë.
Maya Angelou ndërroi jetë në 28 maj 2014. Në funeralin e saj, ajo u nderua si “mësuese e jashtëzakonshme”./KultPlus.com
…marrezi, turp turp dhe mëkate per jeten e tërbuar se kur me ndal, o gjenerate, qe vuan rruges ndonje nate, me merr per te dënuar dhe, me nje ze qe vret, ngahera me pyet: -ku linde, o i ri? -o jete, linda ne shkreti! -ku rron dhe ku vete, ne c’dhera e ne c’dete?! -cudi! c’kerkon prej meje ti dhe si, o jete, pyet, kurse ne varfëri me hodhe kur me gjete te lindur nga skelete pa drite, pa liri? -njeri! nga vete, as me thua? -s’e di! jo, nuk e di! po lerme, o jete, c’ke me mua? -dua ta di, po dua! -atehere, jete e krisur, per mua mos pyet se qysh ne n’agim kam nisur te shkel si skllav i shkrete mbi gjurma shprese drite… . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . -o mekatar, as faliu ligjes sime, bindu i cmendur enderrtar, s’jeton me shqetesime!… -mu thell’ ne brendesire ku ndjenja rron e lire, ku dhembja dhemb e prekur nga ligja jote e fuqiplote, ne gjirin tim si hekur si hekur e celik, qello,qello, o me kamxhik; pa frik’ e pa meshire e pa pendim, se mu ne thellesire te shpirtit, ne nje kend, lindi nje shqetësim qe celi varrin tend…/KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta vizitoi kishën e Leusës, e cila ndodhet në jug të Përmetit, nga ku lugina e Vjosës duket si në pëllëmbë të dorës.
Meta ndau pamje nga vizita në këtë kishë, ndërsa u uroi të gjithë shqiptarëve festa të gëzuara.
“Sipas traditës, ndeza një qiri, për t’ju bashkuar lutjeve tuaja në këtë sezon festash për më shumë shëndet, mbarësi e gëzime në çdo familje shqiptare! Të keni bekimet e Zotit!”, shprehet Meta.
E ndërtuar në shekullin XVII, me afreske dhe gdhendje unike druri të punuara mjeshtërisht, kisha mban emrin e së Tërëshenjtës Mari dhe i kushtohet Fjetjes së saj.
Kjo kishë është një atraksion i jashtëzakonshëm për turistët vendas dhe të huaj, një monument i rrallë i trashëgimisë tonë kulturore, që nuk duhet lënë pa u vizituar./atsh/KultPlus.com
Faleminderit, o njeri i mirë, o At! N’perëndim jete, po ma mëson gjanë ma t’dhimbshme t’jetës: Gja muti paska qenë me ndie fort përgjatë jete, e me mendue, e me logjikue, e me derdhë djersë, e me veprue, si rrallë njeri!
Paska pas qenë e nevojshme, me jetue pa mendue, e me u knaqë, e me qenë për veten, tamam shok, tamam dashni!
Paska pas qenë e nevojshme, me jetue tuj mos ta ndie, për askend e për asgja!
Paska pas qenë e nevojshme, me qenë paksa prind, paksa njeri, por edhe derr ngapak, ngapak thi i egër, ngapak ujk, e nuk di ç’tjetër!
Paska pas qenë e nevojshme, me qenë i mençun qysh n’mote t’reja, e me e ba zap, disi, ndjenjën e mendjen, e mos me jetue tuj mendue, e tuj u frikue, e tuj u mundue, madje, as për Zogjt e Zemrës tande!…
Hahhhh! Plakun e shpisë duheshka ushqye, veç me shikim t’ambël e me Fjalë Zemre!
Kur t’ndodhka ramja, kur bie e plakesh, e rrudhesh e ligesh, askush, ma, s’ta futka për asgja!
Askush, ma, as pesë para nuk jepka, për mundin tand, për djersën tande, për lodhjen tande, për pleqninë tande, për sëmundjen tande, për gjendjen tande!
E ku mbet ma, e ku mbet ma, me t’u gjetë dikush, me t’ndejtë ngat, e me t’ushqye, e me t’gëzue me nji shikim t’ambël, a me nji fjalë zemre, a me t’dhanë, s’paku, nji gotë ujë, a nji krah mbështetjeje, n’Perëndimin e Vonë t’Ditës e t’Jetës!!!…
–Poezi e shkruar nga Shazim Mehmeti, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com
Shtëpia botuese ‘St Honorè’ në Paris, më 15 tetor nxori në gjuhën frënge romanin “Vdekja e Anilës” të shkrimtarit të mirënjohur Ibrahim Kadriut, ndërkaq më 9 nëntor 2021, shtëpia botuese, ‘Edition Baudelaire’ në Lyon botoi në gjuhën frënge romanin “Misioni rus”, përcjell KultPlus.
Me rastin e botimit edhe në gjuhen frënge, më poshtë gjeni rezymenë e këtyre dy veprave të cilat në gjuhen shqipe janë pritur jashtëzakonisht mirë.
“ VDEKJA E ANILES” (LA MORT D’ANILA), është një roman përtej çdo pritjeje, e sidomos për gjeneratat që nuk e kanë përjetuar sistemin monist.
Ky roman paraqet kontradiktat sociale në mjedisin e një qyteti në epokën moniste ku secila lëvizja përqendrohej, studiohej dhe ndiqej nga organet e shtetit (policor), ku atmosfera e hidhur politike krijonte marrëdhënie njerëzore, kur në sistemin e përgjimit vëllai akuzon vllanë… Anila, një gjimnaziste, e bukur, e qete, është viktimë e një atmosfere policore nën pretendimet sipas të cilave ajo lexon libra të ndaluar nga sistemi. Anila, e gjetur e vdekur afër një lumi, përkatësisht e mbërthyer në degët e shelgut të zbritur gjer në sipërfaqen e ujit, ndikon në personazhet të karaktereve të ndryshme… Në vendngjarje shfaqet Gani Shyti, një gjimnazist, i cili kishte detyrë të veçantë nga ana e Sigurimit, për të ofruar libra të ndaluar për studentët dhe denoncimin e tyre.
Ngjarja zhvillohet me një dinamikë plot kthesa, kur dyshimi bie mbi Gani Shytin, por, pasi u gjetë një kufomë e një emigranti afgan, Gani Shyti u shpallë i vdekur duke e identifikuar me kufomën e gjetur. Varrimi i “tij” u zhvillua, për ta fshehur pastaj në Beograd ku do të trajnohej si oficer policor profesionist e vrasës.
Romani MISIONI RUS (MISSION RUSSE), është frymëzuar nga ngjarjet reale të luftërave ballkanike dhe pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe. Romani dëshmon përfshirjen e misionarëve rusë në ushtrinë serbe. Ky roman mbështetet në ngjarje të vërteta të kohës, përkatësisht të pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe në krye me gjeneralin Bozhidar Jankoviq, më 1912 dhe për depërtimin e ushtrisë serbe në Shqipëri drejt bregdetit Adriatik.
Rusia, në qendrat e saja të veçanta, formonte kuadro të profesioneve të ndryshme dhe më pas i dërgonte në shtetet që ajo ëndërronte të dominonte. Të përgatitur mirë, ushtarët rusë flisnin gjuhë të rajoneve ku ishin dërguar, kishin njohuri të mira të traditave dhe vishnin gjithashtu kostume tradicionale, në varësi të rolit që u ishte caktuar.
Në roman dëshmohet angazhimi i misionarëve rus në ushtrinë serbe, por edhe në forma të tjera të ndikimit në masë, siç janë qendrat fetare myslimane, xhamitë, për çka janë përgatitë rusët, siç është rasti i hoxhës në xhaminë më të madhe të Prizrenit i cili për njëzet vjet kishte kryer misionin fetar pa e ditë xhemati se ishte rus.
Në këtë libër, pos vuajtjeve e tragjedive që tejkalojnë imagjinatën e njeriut, e gjen vendin e saj edhe një humaniste e madhe angleze, Miss Durham, si edhe shumë të tjerë./KultPlus.com
Për herë të parë në Korçë janë ekspozuar pikturat nudo të realizuara nga piktori i popullit Vangjush Mio.
Shtëpia muze e artistit të madh iu nënshtrua një rikonstruksioni dhe hapi dyert për vizitorët këtë fundjavë. Mes punimeve mjeshtërore të Mios nuk munguan as ato që ekspozohen për herë të parë e që janë pjesë e thesarit që ai la pas.
Peizazhi i hedhur në telajo nga Mio është i papërsëritshëm dhe pikturat e tij zënë një vend të rëndësishëm në banesën – muze ndërsa punimet nudo përveç atyre që ai i pati realizuar për punën e diplomës dalin në drite për herë të parë
Hapja e muzeut të Vangjush Mios ka qene një kërkese e hershme e familjes dhe qytetit për ti dhënë vendin qe meriton në qytetin e tij të lindjes dhe që ai e deshi aq shumë./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, shkruan KultPlus.
Kurti thotë se po bëjnë krejt çka munden duke u bërë thirrje edhe qytetarëve për shpenzim racional të energjisë.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.
Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MËh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GË, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MË) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË!
Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.
Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.
Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.
Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.
Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.
Ngrin buzëqeshja, Ngrin koha, Ngrin kujtimi, Kur njeriu vdes, Ngrijnë vitet, Ngrijnë imazhet, Ngrijnë edhe këmbët, Në kortezhin e gjatë mortor.
Hapat e rëndë prej statuje, Gërryejnë deri në themel udhën, Lëvrojnë asfaltin e ftohtë, Një dorë e vockël fëmije, Brenda rrudhave të tokës, Hedhë sërish farën e jetës. Këmbët memece e dijnë përmendësh, Se ku ndodhen varrezat, Vazhdojnë ecjen si në ngerç.
Kur njeriu vdes, Me një palë gërshërë, Që presin gjithçka, Që nga kërthiza e deri tek fija e jetës, Pritet gëzimi si një pëlhurë e hollë basme, Vërshojnë lotët sikur shëmben diga, Përmbytet botë trishtë e njeriut, E të gjitha që lihen pas.
Shuhet çdo gjë atë ditë, Kur njeriu vdes. Si qelq i brishtë thyhet krenaria, Si vullkan shpërthejnë dhimbjet, Përtokë na rrëzojnë tonelata të rënda qielli. Shkërmoqet i gjithë universi në pëllëmbë të dorës, Si një grusht i fundit me dhe, Që hidhet përmbi arkivol.
Më pas, Kur marrim rrugën e kthimit, Me një gjilpërë, Që nuk qep dot gjithçka, Përpiqemi të qepim copëzat e mbetura të jetës, E kujtimet e pluhurosura nga koha. Përpiqemi të qepim gjithçka, Aromën, zërin, bekimet dhe lutjet, E mijëra fjalë që mbase edhe nuk u thanë.
Kur marrim rrugën e kthimit, Mendja e njeriut e ka të vështirë të kuptojë, Se kur gërshërët presin në mes fijen e jetës, Nuk ka njeri mbi këtë tokë, Që mund të tregojë se si qepet; Dhimbja e shpirtit që lëngon, Plaga që nuk nxë kurrë kore, E ndarja e zemrës në dysh, Që lë njeriu pas, kur vdes.
–Poezi e shkruar nga Redon Elshani, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka dalë me një apel për qytetarët pas identifikimit të rasteve të para me variantin Omicron të koronavirusit në Kosovë, përcjell KultPlus.
MSh u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe t’i zbatojnë masat në fuqi.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të MSh-së:
Imuniteti i krijuar nga infektimi me COVID-19 mund të mos jetë i mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga ri-infektimi, prandaj vaksinimi mbetet mënyra më efektive për t’u mbrojtur nga COVID-19.
MSh u bënë thirrje që t’i zbatoni masat në fuqi dhe të të vaksinoheni. Inkurajoni edhe të tjerët për vaksinim të plotë.
Kosova disponon me vaksina të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë.
Cirku Kombëtar si çdo prag festash është gjithmonë pranë fëmijëve.
Artistët e Cirkut Kombëtar ishin pranë të fëmijëve të shtëpisë “Zyber Hallulli” në Tiranë, për të dhuruar gëzim dhe atmosferë në prag të festave të Fundvitit.
Në Qendrën Multifunksionale TEN artistët e cirkut performuan numra të ndryshëm shpejtësie dhe akrobatike duke krijuar një atmosferë festive dhe argëtimi për fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”.
Ata ndanë dhe plot dhurata nga Babagjyshi për festat e Fundvitit./atsh/KultPlus.com
Regjisori kanadez, Jean-Marc Vallee, i vlerësuar me çmime të projekteve të mirënjohura si Dallas Buyers Club, Big Little Lies dhe Sharp Objects, ka vdekur në moshën 58-vjeçare.
Regjisori i nominuar për Oscar ndërroi jetë të dielën (26 dhjetor) në kabinën e tij jashtë Quebec City, të Kanadasë. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur akoma, shkruan People.
“Jean-Marc ishte kreativ, dhe duke i provuar gjërat ndryshe. Ai ishte një artist i vërtetë dhe një djalë bujar, i dashur. Të gjithë ata që punuan me të nuk mund të mos e shihnin këtë. Ai zotëronte talentin dhe vizionin. Ai ishte një mik, partner krijues dhe një vëlla më i madh për mua. Maestros do t’i mungosh shumë, por ngushëllohet duke ditur se stili i tij i bukur dhe puna me ndikim që ndau me botën do të vazhdojë të jetojë”, tha në një deklaratë bashkëpunëtori i tij, Nathan Ross.
Lindur dhe rritur në Montreal, Vallee studioi filma në Kolegjin Ahuntsic dhe Universitetin e Quebec në Montreal. Filmi i tij artistik që i dha famë ishte “Crazy”, të cilin ai e shkroi dhe e drejtoi.
Në vitin 2014, ai fitoi një nominim për Oscar për Dallas Buyers Club. Filmi gjithashtu fitoi tre çmime Oscar, duke përfshirë një për aktorin kryesor, që iu dha Matthew McConaughey dhe një tjetër për aktorin dytësor për, Jared Leto.
Foto: Shutterstock
Ai vazhdoi suksesin e tij me dy çmime Emmy për regjinë dhe producentin e serialit të kufizuar të HBO-së “Big Little Lies”, ku luante Reese Witherspoon dhe Laura Dern. Në total, seriali fitoi tetë “Emmy” dhe katër “Golden Globes”.
Më vonë ai drejtoi dhe ishte producent ekzekutiv i serialit të HBO “Sharp Objects”, i cili u nominua për tetë çmime “Emmy”.
Vallee ka lënë pas vetës dy djemtë e tij, Alex dhe Emile.
Mbase ikim ikim ikim Nga dhomat e mbushura ofshamë Dhe dalim shesheve Po sheshet janë të lara në gjak Ndodh largohemi nga rrugët Që klithin në fytyra fëmijësh
Dhe i mbyllim sytë Kur Mezia i ngul ushtën Demit tonë të Zi Në Mozomazinë e përhumbur Dheu na rrëshqet nën këmbë./KultPlus.com
“Spider-Man: No Way Home” është bërë filmi me fitimet më të mëdha në histori të “Sony”, pasi fitoi 19.7 milionë dollarë në prag të Krishtlindjeve.
Filmi përfundoi të premten me 405.5 milionë dollarë në shitje të brendshme dhe është në rrugë për të kapërcyer pragun e 1 miliard dollarëve në arkat globale, sipas një artikulli të së shtunës nga The Hollywood Reporter.
“No Way Home” gjithashtu përfundoi me më shumë se 900 milionë dollarë në arkat botërore këtë vikend.
Vazhdimi me Tom Holland, 25 vjeç, në rolin kryesor pritet të arrijë shifrën e 1 miliard dollarëve të dielën (26 dhjetor) duke e bërë të parin që e bën këtë gjatë pandemisë, shkruan DailyMail.
Në “No Way Home” gjithashtu shfaqet Zendaya, 25 vjeç, si e dashura e superheroit, Michelle ‘MJ’ Jones-Watson, si dhe yjet e mëparshëm të Spider-Man, Tobey Maguire, 46 vjeç dhe Andrew Garfield, 38.
Filmi i ri i Spider-Man është bërë një nga filmat më të shpejtë për të arritur në 1 miliard dollarë në arkat filmike.
“Avengers: Endgame” mban rekordin pasi arriti 1 miliard dollarë në vetëm pesë ditë, i ndjekur nga “Avengers: Infinity War”, për 11 ditë.
Spider-Man: No Way Home në ditën e Krishtlindjes ishte në ditën e 11-të të publikimit.
Vazhdimi i shumëpritur u bashkëprodhua nga Columbia Pictures dhe Marvel Studios dhe u shpërnda nga Sony Pictures Releasing.
“No Way Home” u bë filmi me fitimet më të mëdha i Sony në krahasim me filmin e 2017 “Jumanji: Welcome To The Jungle”, i cili fitoi 404.5 milionë dollarë brenda vendit.
“Sing 2” nga Universal and Illumination filloi të shfaqet gjatë fundjavës së festave dhe pritet të ketë një grumbullim pesëditor prej 40 milionë dollarësh./KultPlus.com
Sot është datëlindja e poetit dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Lasgush Poradeci.
Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e përmend si poet, shkrimtar dhe përkthyes.
Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.
Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.
Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.
Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet./ KultPlus.com
Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Ai ka lindur në Dhërmi më 25 nëntor 1913 dhe ka vdekur në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur sipas amanetit pa ceremoni.
Marko ka lindur në fshatin Dhërmi të Bregut nga prindërit Marko e Zoica, u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.
Me të kryer filloren në fshatin e lindje më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit.
Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hilë Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me s htypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jipte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë).
U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n’Athinë, ku kishte të vëllan Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njehte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu “turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin, transmeton kp. Nëpërmjet punëdhënësit të të vëllas krijohet mundësia të hyjë në një shkollë joshtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik. Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë i shte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.
Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Planifikohet Kryengritja e Fieri, e cila dështon që në zanafillë e Riza Cerova vritet nga trupat e Hamit Matjanit, dhe ata që ngelën ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”) si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm e pau si reaksionar e komunist. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të; e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro proletariatit, i hyn si halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime, duke tejparë pas këtij propozimi.
Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe me të mbërrirë në Athinë merr anijen për në Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin. Merr direktivat nga një “shok” serb që mbante si nofkë “Robert”. Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 vetësh që u nis për në Albacete ku ishte qendra e Brigada ve Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingëay, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.
Hyn në Itali nga fundi i ’39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. Në Vlorë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit te jugut t’Italisë nga fo rcat aleate anglo-amerikane çan burgun së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.
Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Tek “Retë dhe gurët” citon N.Spirun që i thoshte se Shqipëria kishte material të mjaftueshëm jo vetëm për të dhe për kushedi sa vjet,- bollëk ky që bënë të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për material. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Vepra
Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”… gjatë kohës kur ishte në Itali. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rrug a e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.
Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepr a qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte. / KultPlus.com
Nuk e kisha menduar asnjëherë se një ditë do të shkruaja dhe do të tregoja atë që përjetova dhe që është historia e dashurisë sime, të paktën për kuptimin tim, jo se unë pata dyshime tek ti, porse tashmë mund të flas vetëm për veten, edhe pse e di që edhe ti mendoje për mua. Ti jeton larg dhe nuk e di po të ishe këtu në Tiranë a do të guxoja të thosha ato pak gjëra që ti nuk i di, porse, edhe po t’i marrësh me mend, të paktën për diçka të jesh i sigurt lidhur me mua.
Ne u njohëm në zbor, ose stërvitje ushtarake që quhej atëherë e që zgjati disa ditë. Ti sapo ishe emëruar në Institut, ndërsa unë në vitin e parë të universitetit. As që mund ta dija se aty në atë ambient, që asnjë prej nesh nuk e donte, porse qemë të detyruar, do të më ndodhte të zgjohesha një mëngjes nga një dritë thellë shpirtit tim e që dritësoi përjetësisht jetën time.
Një djalë i zgjuar dhe me tis të lehtë humori, më re në sy menjëherë. Thjeshtësia dhe sportiviteti yt më tërhoqën drejt teje, mua, vajzën që nuk di as sot të dojë me mendje një shok, por as edhe një shoqe. Lexoja e studioja gjithë kohën dhe pasioni për librat më ka larguar gjithmonë nga njerëzit, por për këtë nuk kam ndonjë keqardhje. Pikërisht një vajze si unë do t’i dukej mrekulli një njeri si ti aq i lirshëm dhe do t’i dukej vetë perëndia e zbritur në tokë zgjuarsia jote. Ishe njeriu i dytë më i zgjuar pas babait tim.
Çfarë rastësie, të dy ishit nga e njëjta krahinë.
Çadrat tona i ndante një tavolinë e gjatë druri, ku drekonim apo mblidheshim mbrëmjeve edhe për të parë televizorin bardhezi. Po kush e kishte mendjen tek ai ekran!
Unë isha pranë teje dhe një botë gjithë mister më ishte përqasur.
Prisja me ngut të zbardhte, të të shihja dhe ti më çudisje me humorin tënd, thjeshtësinë e të qenit ndryshe, i vëmendshëm, i sjellshëm, shumë i zgjuar.
Një ditë nuk ishe në zgjimin e mëngjesit. Një natë më parë rreth zjarrit, duke parë televizor, të vështrova, m’u duke i lodhur. Më pas më tregove se ishe fshehur nën batanije; vije i dobët dhe bëre sikur në krevat nuk kishte njeri. Sa kam qeshur me këtë, vërtet qe tmerr të ishe gatitu, sapo binte alarmi. Në gjashtë të mëngjesit! Kush ngrihej me dëshirë? As edhe një!
Por ja që edhe ajo stërvitje ushtarake e atëhershme bëri një mrekulli. Të njoha ty!
Të vështroja dhe isha në ëndërr, krejt i lirshëm na shpjegoje teorinë, më shihje kinse në të rrallë, zemra ime rrihte fort, dita vinte e gëzuar, mbrëmja me ëndrra. Ishte freskët dhe natën binte vesë. Qe prag vjeshte.
Kur mbaruam stërvitjen, pak ditë më pas tek ecnim së bashku nëpër Tiranë, papritur më the:
– Je më e mirë kështu!
Ndala hapin dhe të vështrova, ishte komplimenti yt i parë. Ti më kishe njohur veshur me uniformë ushtari dhe unë ndjeva miklimin e jetës sime, u lulëkuqa.
Shtëpitë tona nuk janë larg njëra-tjetrës as sot dhe Bibliotekën Kombëtare e kishim afër.
Nuk lamë takim asnjëherë. Të dy e dinim ku ndodheshim, në çdo orë të ditës.
Ti sapo ishe emëruar në Institut, ndërsa unë fill nga leksionet në universitet, studioja në bibliotekë. Aty shiheshim, vije nga puna, tërhiqje materialet e tua për disertacionin dhe unë vështroja se si gjithçka tek ti ishte njëherësh aq fantastike: mënyra si vije me librat dhe kërkoje vend në sallë, si më shikoje dhe buzëqeshje po aq çlirshëm. Të gjitha këto më robëronin, ndihesha jotja me gjithsej dhe si të doja të ruaja me fanatizëm zjarrin që digjej, sillesha jo dhe aq ngrohtë, krenare.
Edhe sot habitem. Përse shfaqesha ndryshe ashtu sikur nuk isha, ashtu sikur nuk ndieja, unë që flatroja qiellit? Përse fshihja ëndrrën për t’u dukur ndryshe? Po unë ku isha? Pse nuk e pyeta një herë të vetme veten se çfarë kërkonte? Çfarë doja të fshihja, që më vriste po aq sa më lumturonte, pse krenaria më kishte robëruar mua, vetë mua, të blatuarën e qiellit? Kujt do t’ia besoja unë këtë kumt të shenjtë njeriu, e ngjizur nga ëndrra, se unë vetëm kështu mund të dashuroja, nën flatrat e saj?
Po ti, nga do t’i dije të gjitha këto?
Ti zije vend dhe shfletoje me interes dispensat, enciklopeditë. Unë nuk mund të studioja më, të vështroja tinës, doja vetëm të ulesha pranë teje, të isha me ty e të të ndieja kur lexoje e kur mbaje shënime në një fletore të trashë. Doja vetë qiellin tim të më përkunde brenda kupolës së tij. Por nuk bëja asgjë nga këto dhe rrija e të vështroja, si të ishte hera e parë.
E shtangur nga drita.
Ti sigurisht nuk i di të gjitha këto, sepse e kam menduar gjatë, ethshëm, aq sa kam çmendur netët: “Çfarë më ndalonte mua, që më shumë ëndërroja se jetoja, t’i thosha ndjenjat e mia, t’i tregoja ato, se nuk kisha asnjë të drejtë të të privoja edhe ty nga ndjenja jonë dhe pastaj të të thosha, duke m’u dridhur zëri dhe shpirti, se nuk të ndaja nga Edmonti i Luçisë, te Bijë e mallkuar, se kësaj bote ti ishe njeriu i vetëm që doja?”
Do të blija një stilograf dhe bash ashtu si e doja, vishnje me rreth të artë. U shkëputëm të dy nga studimi, lamë librat, unë çantën e shkollës dhe me paratë të mbledhura shuk në dorën time, dolëm. Pamë në disa vitrina, por unë nuk vendosja dhe duke ecur e nervozuar ashtu kot, më ranë disa monedha nga dora e u rrokullisën trotuarit. U ule t’i mblidhje dhe më vështrove.
U bëra keq.
Çfarë vajze isha unë që nuk mbaja kuletë për paratë?
Më erdhi turp prej teje, u ndjeva jo e denjë dhe ky lloj ngurrimi po më ndodhte shpesh tani mua që kundërshtoja veten në gjithçka, binte ndesh me kokën time të fortë.
Nuk isha e lirë, gjeni im kishte zgjedhur tokën në vend të qiellit dhe ky gabim i përjetshëm më kishte robëruar, isha e tendosur, krenaria nuk më linte të thosha çfarë doja, të bëja çfarë doja, isha një njeri që del në skenë dhe ka harruar tekstin.
Paratë i mbaja në xhepin e çantës së shkollës. Po çfarë vajze isha unë që nuk kisha as edhe një pasqyrë, nuk vija kurrë laps të zi rreth syrit, asnjëherë të kuq buzësh, edhe pse zgjidhja me kujdes sapunin “Pranvera”, kremin “Nivea” dhe kërkoja si të mundesha pak miligram nga parfumi im i preferuar, një nga gjërat më të vështira të asaj kohe.
Ti kishe marrë rrogën dhe më ftove të merrnim bashkë diçka.
Ishte hera e parë në jetën time që do të ulesha në një lokal me një djalë.
Po studioja në bibliotekë dhe e ndjeva pa e ngritur kryet se ti po rrije në këmbë dhe po më vështroje. Ti nuk e di sa e lumtur u ndjeva në ato çaste, zemra përjetonte qiellin e ndjenjës, se askush deri atëherë nuk më kishte vështruar ashtu, nuk më kishte bërë që të dridhem me gjithsej, mua që as dorën nuk të kisha prekur, as dhe fjalën të dua nuk ia thamë njëri-tjetrit. Puthja jonë – foshnja që nuk lindi kurrë. Edhe sot vuaj.
Por ndoshta kështu e mendoja dashurinë atëherë, kështu doja apo dija të ndodhte, të flasin sytë, se ata thonë më shumë se fjalët, të robërohej shpirti prej ndjenjës më të çmuar të dheut që mbante vetes. E kujt mund t’ia besoja këtë shenjtësi? Të verbonte ajo dritë për ta besuar, ishte vetë hyjnia për ta jetuar, ndaj nuk bëja asgjë.
Ja tani kjo dëshirë jotja u bë keqkuptimi im, gabimi im që më dënoi, na dënoi të dyve.
A mund të më kuptosh nga këta rreshta, nga fjalët e zemrës sime në këto çaste, se gjithçka po të them është e gjallë ende tek unë, se nuk i dola dot përballë asaj deri më sot, se ndoshta kjo letër që po të shkruaj është çlirimi im?
A do të më falësh ndonjëherë?
Nuk di si të them… ecëm pak hapa dhe dolëm nga sallat e bibliotekës. Ti e di, e mban mend atë kohë kur nga salla e madhe e leximit dhe holli ku skedoheshin e kërkoheshin librat ngjitej direkt lart nëpërmjet shkallëve, në katin e katërt, ku ndodheshin kafja dhe pastiçeria.
Pa u ngjitur ende nëpër ato shkallë, unë u ndala.
Se ç’më tha mendja prej vajze që i paramendon si të shkruara që në placentë të gjitha gjërat e kësaj bote, se unë, vajza që nuk kisha bërë as një hap me një djalë në jetën time, po bëja tani diçka të gabuar dhe ajo që më trandi shpirtin në çast nuk ishte dëshira, do të vija me ty deri në fund të botës, por ideja se çfarë do të mendoje ti për mua, çfarë do të thoshe ti kur unë të ulesha në pastiçeri me ty?
Tani që e mendoj! Po ku ishte mendja ime për të kuptuar se ajo farë pyetjeje as që kishte vend në ato momente? A kishte vend mendimi kur ti më zgjate dorën, kur më vështrove aq sa unë e humba edhe më?
Atëherë mendja jo, shpirti jo e jo, çfarë më shtyu të prish pa ditur se çfarë po bëja, me duart e mia, atë magji perëndie? Atë ndjenjë që si foshnjë gulçonte të jetonte?
Edhe sot e ndiej të këlthasë e të kërkojë përgjigje prej meje. Po çfarë t’i them? Kam një jetë të tërë që nuk i them dot asgjë!
Po ti çfarë mendove pas kësaj?
Ti e di, atëkohë vajzat vdisnin të lidheshin me djem të punësuar e të stabilizuar në Tiranë, për shkak të emërimeve katrahurë në çdo cep të vendit. Po unë ç’hyja këtu, përse mendja ime po stërhollte tani atë që nuk e kishte menduar kurrë më parë?
Unë as që kam dashur të di se ç’ndodhte përqark, më ka mjaftuar vetja, odëzat aty, ndjenja që përjetoja e që nuk më linte të flija, se emrin tënd e thosha me zë të lartë në mendjen time, aq sa më buçiste koka. Të doja dhe qeshë marrosur pas teje.
Pak kohë më parë, një i këtillë, pra një i punësuar në Tiranë, kishte sjellë shkuese xhaxheshën time që të fejohej me mua.
– Është nga familje e mirë, soj, – shprehej ajo, – punon në ministri. – Ka rrogë të mirë, – plotësonte mikesha e shtëpisë sonë.
Mamanë time nuk e zinte vendi. Unë nuk e di a kisha mendje se çfarë flitej.
Të nesërmen djali erdhi në shtëpi. Më dha dorën si të lutej dhe unë të isha perëndia, si të qe ngritur i ngrati lëngatës së gjatë.
As sot nuk e harroj dot atë takim dore. “Ky do të ishte burri im?”
Rashë për të fjetur, isha shumë e lodhur. Nga kuzhina vinin zëra të gëzuar. Zero koncept. Më zuri gjumi në çast.
Rreth orës shtatë të mëngjesit, si të kishte rënë kambana e orës së qytetit, brita me zë, sa ma dha koka, duke ndalur në çdo rrokje:
– Nuk do të fe-jo-hem!
Këtë ta tregova për të thënë se e kam ndier herët se nuk mund të lidhesha me dikë pa e dashur dhe ky ishte një pakt i bërë me shpirtin, ku unë nuk hyja asgjëkund.
Atëherë ç’hynte këtu Tirana apo që do të ulesha për herë të parë në kafe me një djalë dhe pse në sekondë ndryshova mendje, pastaj kuptim. Të doja ty dhe pikë! Përse i dhashë rol pavlerës? Përse vrava përfundimisht atë ndjesi perëndie?
– Nuk jam për ty!
Ku e gjeta këtë fjalë, nga ç’shtresë e trurit apo subko-shiencës zbriti? Gjeni im të mbartte një marrëzi të tillë?
Nuk mund ta besoj as sot. E si mund ta besoje ti?
Por druaj se nuk e mësove kurrë këtë gjyq të ashpër që ndodh edhe sot brenda meje dhe që ngre kokë sa herë do. Ti ndoshta ngrite një pikëpyetje të madhe, e kjo për fajin tim.
Gabova, krenaria më robëroi, vetja, desha më shumë atë se dashurinë time, dashurinë tonë, burgosa shpirtin tim, i cili nuk mund të harrojë kurrë.
“Më fal, i dashur, nëse mund të më falësh për atë, ne, që jetoi aq pak, por aq mrekullisht”.
Ti u largove i çmeritur. Më e pakta që ke menduar atë çast: “Kjo vajzë është e marrë!”
Nuk e dija që kjo do të ishte dita e fundit që fola me ty.
Tani kthehesha nga leksionet në shtëpi. Në bibliotekë shkoja çdo mbasdite në orën katër. Ishte bash koha kur ti ktheheshe nga Instituti në shtëpi, me biçikletë. Të të shikoja ty përballë, në ato pak çaste, çdo ditë, në të njëjtën orë, u bë rituali im, i pas-atyre ditëve me ty, dallgë që nuk bën dot pa bregun, u bë frymëmarrja ime, jeta.
A të kujtohen ato ditë kur ti ktheheshe për në shtëpi e unë isha aty buzë trotuarit kinse rastësisht duke ecur, vetëm për të parë aq pak sekonda sa e lejonte përballjen shpejtësia e biçikletës sate? Ti e kujton siluetën time, ku lexohej nga koka te këmbët krenaria, por tani e pleksur me pendimin. Por ti mbete i njëjti, vështrimi dhe buzëqeshja jote më flisnin ende, çfarë doja më shumë prej teje?
Të faleminderit, i dashur!
Më lejo ta them këtë, e bindur se aq sa zgjati e gjitha vazhdon të jetojë tek unë si të qe dje, pavarësisht kohës, moshës, botëkuptimit, rrethanave, që më treguan se nuk vlejnë asgjë përpara dashurisë. / exlibris.al / KultPlus.com