E humbëm edhe këtë mbrëmje. Askush nuk na pa të zënë për dore kur muzgu i kaltër binte mbi botë.
Nga dritarja unë pash’ lodrimin e perëndimit mbi kodrat e largëta.
E pastaj, si një monedhë, një copëz dielli u përndez në duart e mia.
Të kujtova ty me shpirtin e ndrydhur, me atë trishtimin që ti ke njohur tek unë.
Ku ishe ti në atë kohë? Me ç’njerëz? Çfarë fjalësh u thoshe? Oh, pse më ndodh kështu: dashuria shpërthen përnjëherësh, kur jam i trishtuar dhe kur ti je larg?
Libri që marr të lexoj mbrëmjeve më ra nga duart dhe te këmbët e mia, si një qen i plagosur, u rrotullua perëndia.
Gjithnjë, gjithnjë sapo vjen mbrëmja ti ikën, deri ku muzgu bredh duke tretur statujat. /KultPlus.com
Të hënën do të jepet premierë shfaqja “Planeti i Gjelbër”, në Teatrin e Gjilanit, shkruan KultPlus.
Shfaqja nga Arife Haliti, me regjore Natyrë Kallabës do të fillojë nga ora 12:00.
Aktorët që do të luajnë janë: Gëzim Bucolli, Qëndrim Kqiku, Kreshnik Berisha, Kenan Gurgurovci.
“Një shkenctar bashkë me dy fëmijë kurreshtar vihen para një detyre të madhe. Ta shpëtojnë planetin nga ndotja e ajrit. E gjitha vjen përmes tregimit fantastik të narratorit të shfaqjes”, përshkruhet shfaqja. /KultPlus.com
Të veshur të dy me pallto, kapele në kokë, dhe një bastun në dorë Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci duken kaq elegantë ndërsa shëtisin në një park në Graz. Fotografia është publikuar më herët, nga e bija Lasgushit, Maria.
Është e njohur miqësia që dy njerëzit e njohur të letrave kanë pasur me njëri-tjetrin. Ata kanë qenë të dy studentë në Graz. Janë dhjetëra letërkëmbime që kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin mbi magjinë e poezisë, apo Shqipërinë. Herë pas here, Maria rrëmon detaje interesante nga jeta e poetit. Ne kemi parë dhe një portret të gjuhëtarit të madh, vizatuar nga Lasgushi.
Kështu, ajo tregoi dhe një episod teksa dy personazhet e njohur të letrave shqipe ndodheshin në një lokal.
“Ishim me Eqrem Çabeun në Graz (Austri), ishim të dy studentë (vitet 1925-1926). Kishim gjetur për të ngrënë darkë një restorant të vogël, por shumë të mirë familjar. Në kuzhinë ishte gruaja, në banak ishte burri dhe vajza e tyre ishte kamarjere. Na pëlqente shumë ushqimi aty.
Një natë, po hanim si zakonisht dhe po bisedonim. Lokali ishte plot dhe të gjithë hanin dhe flisnin me njeri tjetrin dhe nuk ndiheshin. Ne, na kishte tërhequr aq shumë biseda sa nuk e kishim vënë re që po flisnim me zë të lartë. Po flisnim shqip. Dhe herë pas here aprovonim njeri-tjetrin duke thënë po po (ata që dinë gjermanisht do ta kuptojnë). E vumë re që klientët na shikonin si të habitur. Po ne, vazhdonim të flisnim me zë të lartë.
I zoti i lokalit (burri, që rrinte në banak), na u afrua dhe me zë të ulët dhe me shumë sjellje na tha që duhet ta ulnim zërin sepse po shqetësonim të tjerët që ishin duke ngrënë. Ne, nuk e konsideruam vërejtjen e tij dhe vazhduam duke folur me zë të lartë. Ata, klientët, dalëngadalë filluan të paguajë dhe e boshatisën lokalin duke na lënë vetëm. U turpëruam shumë dhe nuk shkelëm më kurrë në atë lokal”, tregonte Lasgushi./ KultPlus.com
Nata magjike” është shfaqja e parë për fëmijë ndër vite që ngjitet në skenën e teatrit të Gjirokastrës. Për Ledia Çelin, kjo është eksperienca e saj e parë regjisoriale.
Fabula që merr jetë në një dhomë gjumi fëmijësh mbushi me fantazi fëmijërore skenën ku përbindëshat dhe zanat, frika dhe ëndrra takohen kur bie muzgu.
Për herë të parë aktorët u përzgjodhën nga shkollat 9-vjeçare të qytetit duke hedhur edhe një hap në drejtim të evidentimit të talenteve në fushën e aktrimit.
Fëmijët aktorë që punuan rreth dy muaj për shfaqjen flasin për magjinë e roleve dhe pasionin e tyre për teatrin.
“Nata magjike” është një shfaqje shfrymëzuese dhe e gëzuar, një mesazh mirësie, besimi tek ëndrrat, dashurie për njëri-tjetrin dhe një ngjarje që po ndiqet nga qindra fëmijë e të rritur në prag të festave. Top Channel /KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë mbrëmë Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, duke finalizuar kështu punën seleksionuese të nisur që në fillim të këtij viti.
Në ceremoninë e organizuar ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Çmimet kombëtare për letërsinë na mblodhën sërish në këtë prag festash. Mes miqsh shpallëm fituesit në 6 kategori, me urimin për më shumë krijimtari dhe nisma të bukura në mbështetje të njerëzve të letrave”, tha Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Romani më i mirë i vitit” u vlerësua Agron Tufa me librin “Ngjizja e papërlyeme”, për një rrëfim mjeshtëror dhe një galeri të pasur personazhesh, ku gërshetohen së bashku historia, fantastikja dhe grotesku.
Me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Libri më i mirë për fëmijë i vitit” u vlerësua Anila Kadija me librin “Ninulla e zemrës”, për një vepër me figuracion e ligjërim të pasur, që përcjell dashurinë për gjuhën dhe botën shqiptare.
Me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” u vlerësua Visar Zhiti me librin “Dorëshkrimet e burgut”, për një vepër të shkruar në rrethana dramatike, që rrezaton humanizëm dhe vlera të larta artistike.
Me çmimin kombëtar të letërsisë për kategorinë “Përkthimi më i mirë i vitit” u vlerësua Saverina Pasho, me librin “Njeriu i parë”, për përkthimin mjeshtëror të një vepre me ligjërim të ndërlikuar dhe përcjelljen e përmasës universale të artit të Kamysë.
Me çmimin kombëtar të letërsisë për kategorinë “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit” u vlerësua Persida Asllani dhe Dhurata Shehri me librin “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”, për një qasje ndryshe ndaj zhvillimit letrar përmes zbatimit të metodës krahasimtare në rikonceptimin e historisë së letërsisë shqiptare.
Ndërsa me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit”: Durim Taçi me librin “Nga një derë tjetër”, për teknikat e tregimtarisë moderne dhe përvijimin e kronikës letrare të kohës sonë, duke u përqendruar në filozofinë e ballafaqimit me tjetrin. /atsh /KultPlus.com
Vajza e Peles, Kely Nascimento, publikoi një foto tronditëse nga spitali ku babai i saj dhe një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave po lufton për jetën.
Pele prej kohësh po luftonte me tumorin e zorrës së trashë dhe u shtrua në spital më 29 nëntor.
Së fundmi u raportua se Pele po ndihet më mirë, por informacionet e fundit që vijnë nga Brazili thonë se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.
Spitali njoftoi se sëmundja e 82-vjeçarit po përparon dhe se ai ka nevojë për kujdes të mëtejshëm për të shmangur problemet e veshkave dhe zemrës.
Vajza e Pele, Kely postoi një foto prekëse në Instagram ku tregon legjendën e shtrirë në një vizitë në spital.
“Gjithmonë bashkë, duke luftuar dhe duke shpresuar. Ka kaluar një natë tjetër”, ka shkruar Kely në rrjetet sociale teksa përqafon babanë e saj.
Pele ishte lider i një prej skuadrave më të mira braziliane në histori, me të cilin fitoi Kupën e Botës tri herë – në 1958, 1962 dhe 1970. /KultPlus.com
Disa nga afresket më të mrekullueshme mund të gjenden në Voskopojë, që ”National Geographic” e konsideron edhe si “Parisin e Ballkanit”.
Ekspertët e ruajtjes së veprave të artit në Voskopojë po garojnë për të shpëtuar qindra kryevepra ortodokse të shekullit XVIII në kishat e degraduara nga koha.
Në thellësi të Shqipërisë Juglindore, në një fshat të vogël ndodhen pesë kisha, që kanë një nga elementet më madhështore të artit të afreskut të krishterë ortodoks në botë, thotë “National Geographic”.
Nga jashtë, kishat në Voskopojë ngjajnë me hambarë prej guri, një pasqyrim i trashëgimisë së shekullit XVIII si vende grumbullimi të krishterë, në Perandorinë Osmane. Brenda, ato zbulojnë kryevepra të pikturuara në ngjyrën blu, të kuqe dhe të verdhë brilante që shfaqin tematika të mrekullueshme, (Krishti i Plotfuqishëm ose Pantokrator) dhe të çuditshme (Shën Nikolla tejkalon perëndeshën Artemis).
“Për ne është si Luvri”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Nuk ka objekte të tjera në Shqipëri apo në botë si kishat e Voskopojës dhe afresket e tyre 43 000 metra katrore. Qeveria i ka cilësuar ato si Monumente Kulture, dhe në vitin 2020 njohu qendrën e fshatit ku ndodhen shumica e tyre si Ansambël Historik. Afresket janë një artefakt mbresëlënës ku Lindja takon Perëndimin, dhe shfaqin një identitet multikulturor dhe multifetar shqiptar. Shumë prej ekspertëve kishin frikë se ekzistenca e tyre do të shuhej nën regjimin e mëparshëm komunist.
Është një mrekulli që disa afreske kanë mbijetuar.
Duke filluar nga fundi i shekullit XVIII, Voskopoja u plaçkit dhe u shkatërrua tre herë në 20 vjet. Ajo u dogj gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u bombardua në Luftën e Dytë Botërore. Nga më shumë se 20 kisha që ishin dikur në fshat, vetëm gjashtë kanë mbetur, duke përfshirë pesë kishat me afreske.
Në dekadat e fundit, këto thesare arkitekturore dhe artistike janë shkatërruar. Një kishë, pësoi atë që një autoritet rajonal e quajti, dëmtim të nivelit SOS, pas reshjeve të mëdha të shiut në vitin 2021, kur çatia e saj u shemb pjesërisht. Një tjetër u deklarua në gjendje kritike, një vit më vonë.
Aktualisht, ndërsa turizmi në zonë po rritet, një grup studiuesish dhe restauruesish të përkushtuar po garojnë për të shpëtuar kishat. Në nëntor, Ministria e Kulturës zbuloi një propozim ambicioz, që do t’i sillte ekspertët e ruajtjes së veprave të artit nga e gjithë Evropa, dhe arkitektët e konservimit, për t’i restauruar ato përpara se të ishte tepër vonë.
“Parisi i Ballkanit”
Shqipëria ka një histori të trazuar. Gjatë mijëra viteve, vendi u pushtua nga disa perandori, nga ato romake deri te ato bizantine dhe otomane.
“Në vitin 1760, Voskopoja lulëzoi, duke u bërë Parisi i Ballkanit në vitin 1760”, shkruajnë vëzhguesit.
Voskopoja kontrollonte rrugët tregtare tokësore midis Adriatikut dhe Stambollit, duke lidhur osmanët me doxhët në Venecia, Habsburgët në Vjenë dhe më gjerë. Në kulmin e saj, funksiononin rreth 50 esnafe artizanale, duke tërhequr dhe trajnuar artizanë si rrobaqepës, argjendarë dhe armëpunues. Për njëfarë kohe, qyteti kishte të vetmen shtypshkronjë në Perandorinë Osmane, e themeluar në 1744, që drejtohej nga ”Akademia e Re” dhe që ushqente ide iluministe .
Aftësia ekonomike e qytetit, i mundësoi atij të lulëzonte si një qendër e besimit dhe artit të krishterë ortodoks, në perandorinë e dominuar nga Islami, duke çuar në një lulëzim në ndërtimin e kishave. Por duke filluar nga fundi i shekullit XVIII, qyteti filloi të bjerë. Në vitin 1769 grabitësit, me gjasë nga rajoni përreth, plaçkitën Voskopojën. Banorët ikën dhe qyteti dikur madhështor u reduktua në një fshat të vogël.
Pas Luftës së Dytë Botërore, diktatori Enver Hoxha konsolidoi sundimin e tij mbi Shqipërinë, duke zbatuar ateizmin nën regjimin e tij komunist. Kishat e mbijetuara të Voskopojës, u lanë pas dore, u përdorën si magazina dhe depo. Kishat e tjera u shkatërruan. Besimtarët, fshehën fshehurazi, ikona fetare nën dërrasat e dyshemesë në banesat e tyre. Priftërinjtë, si dhe imamët dhe klerikë të tjerë, u ekzekutuan ose u dërguan në kampet e punës.
“Mendoj se është e rëndësishme që fëmijët e sotëm, të dinë se çfarë besonin paraardhësit e tyre, çfarë sakrifikuan për të shpëtuar”, tha Fjoralba Prifti, drejtoreshë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, në Korçë, i cili ruan 6 400 ikona, përfshirë edhe shumë të tjera të shpëtuara nga kishat e Voskopojës.
“Kur regjimi ra në vitin 1991, fshatarët u mblodhën në Shën Nikollë. “Edhe pse kishin frikë, kishin njëri-tjetrin. Perëndia gjithmonë na ka thënë: Unë jam brenda jush”, kujton at Thoma Samaraj, kryeprift i kishave të Voskopojës.
Koha ka vazhduar të degradojë kishat. Në vitin 2002 dhe 2004, ata fituan njohje të dyshimtë në listën e “vëzhgimit” të Fondit Botëror të Monumenteve të vendeve të trashëgimisë në rrezik.
Në vitin 2018, ata hynë në listën e “7 më të rrezikuarve” të Europa Nostra.
“Është një vend ku kryhen ndërhyrje të vazhdueshme, i gjithë fshati. Kjo është fryma e shqiptarëve, duke rezistuar dhe duke treguar gjithmonë se mund të vazhdojnë te ruajnë artin, trashëgiminë e tyre kulturore, ndër vite”, tha Margariti.
Bukuri e brendshme
Plagët nga historia janë ende të dukshme në një inspektim të fundit, në Kishën e Shën Mërisë, së bashku me Anxhela Zguri, docente në Institutin e Monumenteve të Kulturës të qeverisë dhe pronare e bujtinës “Bujtina Liana”. Narteksi u shkatërrua dhe naosi u rrënua pjesërisht nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
“Të degraduara nga kalimi i viteve, shumica e afreskeve nuk janë në gjendje të mirë”, tha ajo.
E ndërtuar në vitin 1699, kjo është kisha më e madhe dhe më e vjetër nga katër kishat me afreske që ndodhen ende në fshat. Tre të tjerat u ngritën brenda disa dekadave dhe të gjitha janë të ndërtuara afërsisht në të njëjtin stil bazilik. I pesti është në një manastir në një kodër, me pamje nga fshati.
Ajo që e dallon secilën prej tyre është arti në mure. Arti ortodoks duhej t’u përmbahej disa parimeve të ikonografisë fetare, dhe afresket duhej t’i përcillnin historitë e Biblës dhe të krishterimit të hershëm në një kongregacion analfabet. Pjesa tjetër varej nga imagjinata e piktorëve.
Në Kishën e Shën Marisë, skenat e kryeengjëjve Mikael dhe Gabriel janë pika kryesore;
Një pikturë në Kishën e Shën Athanasiut përshkruan kullat e Babilonisë që bien mbi banorët e saj fatkeq, midis veprave të tjera të nënshkruara nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi, artistë të frytshëm që i shtuan stilin ortodoks në shekullin e 18-të.
Pjesa qendrore e fshatit, Kisha e Shën Nikollës është domeni i David Selenicës, një mjeshtër portreti aktiv këtu në vitet 1720, i cili pikturoi në mënyrë anekdotike fytyrat e fshatarëve mbi trupat e shenjtorëve. Në një panel, Shën Nikolla lutet mbi trupin e një marinari, ndërsa dallgët e një stuhie të frikshme trondisin anijen e tij. Muralisti zgjodhi ta vendoste shenjtorin në mënyrë anakronike mbi një galion me katër direkë, të zbukuruar me top.
Lëvizja e ringjalljes
Ka shpresë për kishat e mbetura të Voskopojës. Të inkurajuar nga rritja e turizmit, vendasit po hedhin dritë mbi strukturat, fshatin dhe historinë e tyre. Në nëntor, Ministria e Kulturës shpalli një plan ambicioz për restaurimin dhe zhvillimin e qytetit.
Plani përfshin fortifikimin e muraturës dhe çatitë e varura të tre kishave. Afresket do të restaurohen jo vetëm nga mjeshtërit e vjetër të teknikës, por edhe nga profesorë ndërkombëtarë dhe studentë të ruajtjes së artit, në terren. Gjithashtu në listën e dëshirave përfshihen, ndriçim i ri për një eksperiencë muzeale, guida audio, dhe turne virtuale.
Ministria ka dorëzuar propozimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e tij, i cili sipas Margariti mund të arrijë rreth dy milionë euro (2,1 milionë dollarë). Projektet e rehabilitimit do të zgjasin të paktën dy vjet.
Ndërkohë, mjeshtërit kanë nisur tashmë punën për restaurimin e afreskeve të Shën Nikollës. Pas gjashtë muajsh janë përfunduar dy panele. Diku tjetër në qytet, udhëtarët mund të qëndrojnë në pallate historike të rinovuara dhe të mësojnë për lavdinë e dikurshme të Voskopojës. Në një fushë, përtej fshatit ekzistues, disa shenja zbulojnë vendin ku dikur qëndronin, akademia e madhe, biblioteka dhe shtypshkronja.
Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, i cili u vizitua nga një numër rekord turistësh, këtë vit (27 000), ofron dhjetëra ikona të Zografit dhe një Selenicë të rrallë, së bashku me pikturat e bashkëkohësve të tyre, gdhendje në dru dhe punime metalike. /atsh /KultPlus.com
Këto ditë Shtëpia Botuese Kosova PEN Center e botoi veprën “Shtatë legjenda”, të shkrimtarit zviceran Gottfrid Keler, përkthyer nga Naim Kryeziu dhe përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Shkrimtari zviceran Gotfrid Keleri (1819 – 1890) ka shkruar një numër të madh poezish, dramash, tregimesh dhe romanesh. Gotfrid Keleri si përfaqësues i epokës së realizmit u bë i njohur në letërsinë gjermane dhe botërore, sidomos me tri novelat e tij tani të përthyera edhe në gjuhën shqipe ”Veshja të bën njeri” ,”Mashtrim me letra dashurie”, ”Romeo dhe Zhuljeta në fshat” dhe me prozën e tij të famshme ”Shtatë legjenda”.
Gotfrid Keleri u frymëzua për të shkruar këto novela nga koleksioni me dy vëllime i legjendave nga Ludvig Gothard Kosegarten. Në veprën e Kelerit ”Shtatë legjenda” bota fetare bëhet më e qartë, më e rreptë, por edhe më e ndezur, si edhe më sensuale. Në veprën e tij Keleri u përpoq ta hiqte poezinë nga tutela e fesë. Prandaj, nuk është pa arsye që “Shtatë legjendat” përmendet si një vepër kryesore e artit të tregimtarisë së Kelerit. Interpretuesit me përvojë psikoanalitike i kuptojnë ato legjenda si shembuj të një poezie në përmbushjen e dëshirave, duke vënë në dukje faktin se poeti që ndiqej gjithmonë nga fatkeqësitë në dashuri dhe çështjet e martesës, krijon martesë pas martese në legjendat e tij.
Lexuesit shqiptarë sigurisht që e njohin Gotfrid Kelerin prej kohësh, por ka ende shumë për të zbuluar nga ky shkrimtar realist zviceran. Novela ”Shtatë legjenda” që nga kritika letrare vlerësohet si novelë e shekullit, ngërthen në strukturën e saj poetike kritikë të mprehtë shoqërore dhe fetare, plot satirë dhe ironi. Keleri në thelbin e këtyre legjendave përshkruan të vërteta që mbulohen dhe pastaj dalëngadalë dalin në dritë përmes rrugëve të tërthorta.
Në këtë kuptim, legjendat janë përmbledhje e hijshme dhe ekstreme e psikologjisë keleriane. Legjendat e Kelerit plotësojnë dëshirat, pikturojnë personazhet që lëjnë të kuptohen vetëm në trillime dhe me pak naivitet, sepse kërcënohen me zbulim.
Përkthimi i veprës “Shatë legjenda” nga Naim Kryeziu është pasurim për letërsinë shqiptare, ku lexuesi do të ketë mundësinë të njihet me kulturën, me traditën dhe me krijimtarinë poetike zvicerane.
Disa të dhëna për përkthyesin:
Naim Kryeziu ka botuar artikuj kritikë në gazeta e në revista të Kosovës, të Shqipërisë e të Gjermanisë për Shilerin, Hajnen, Cvajgun, Kanetin, etj. Është fitues i bursës së “Kolegjit Letrar të Berlinit”, si edhe i bursës së “Kolegjit të përkthyesve Loren” në Zvicër. I është dhënë gjithashtu Çmimi i dytë (ndër pesë çmime) nga Kancelaria Federale e Austrisë për përkthimin e
veprës “Vetëdija e fjalëve”, përmbledhje esesh sociologjiko-letrare të nobelistit Elias Kaneti, nga i cili ka përkthyer edhe esenë e gjatë të tij për Franc Kafkën me titull “Histori e një dashurie”. Nga gjermanishtja në shqip ka përkthyer gjithashtu librin e autores zvicerane Ivon Deniz Këhli me titull “Gra, edhe sa vjet doni të prisni?”, më pas romanin “Dyshimi” të shkrimtarit dhe dramaturgut të shquar zviceran Fridrih Dyrrenmat, një vëllim me aforizma e citate gjermanisht-shqip nga autorë të njohur gjermanë, austriakë e zviceranë.
Nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane ka përkthyer vëllimet me poezi “Ndiz dritën magjike” të poetit Sali Bashota dhe “Zogj të plagosur” të poetit Agim Vinca, si edhe antologjinë me titullin “Atëherë poeti tha”, ku përfshihen pjesë nga krijimtaria poetike e Ali Podrimjes, Basri Çapriqit, Sali Bashotës dhe Ibrahim Berishës. /KultPlus.com
Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur botërisht. Ai ka arritur të fitoi shumë nderime anekënd botës, madje u kandidua disa herë edhe për “Nobel”. Romancier, poet, eseist, përkthyes. Letërsia e Kadaresë vazhdon të lexohet me ëndje nga shumë lexues gjihtkund në botë.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij të vlefshme.
Më poshtë mund t’i lexoni dhjetë thënie të Kadaresë që kanë mbetur gjatë në mendjen e shumë lexuesve dhe adhuruesve të tij.
– Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!
– Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.
– Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.
– Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.
– Të falësh nuk do të thotë të harrosh.
– Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.
– Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.
– Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave. /KultPlus.com
Trembëdhjetë njerëz kanë vdekur në SHBA ndërsa vendi po përballet me një stuhi dimërore ekstreme me temperatura deri në minus 45 gradë Celsius.
Më shumë se 200 milionë njerëz apo rreth 60 për qind e popullsisë së Amerikës janë nën një formë paralajmërimi ose këshillimi për motin, me të ftohtin brutal që pritet të vazhdojë gjatë fundjavës së Krishtlindjes, shkruan Skynews.
13 vdekjet e lidhura me motin deri më tani:
• Dy vdekje si pasojë e përplasjeve të makinave në Kentaki • Një i pastrehë vdiq në qytetin e Louisville • Tre aksidente në Oklahoma vranë tre persona – dy nga aksidentet ndodhën pasi erërat shpërthyen borën që po binte, ndërsa detajet e përplasjes së tretë nuk ishin ende të disponueshme • Shoferi i një makine në Missouri vdiq pasi humbi kontrollin në një rrugë të akullt, duke zbritur një argjinaturë, mbi një mur çimentoje dhe duke u ulur me kokë poshtë në një përrua • Një person vdiq në Wisconsin pasi një kamionçinë u fut në pjesën e pasme të një automjeti tjetër përpara se të dilte nga rruga dhe të godiste një njësi traktor-rimorkio të parkuar • Një burrë u gjet i vdekur të premten në mëngjes në Memphis dhe, megjithëse nuk ka detaje, autoritetet kanë thënë se duket se vdekja është e lidhur me motin • Katër vdekje në aksidente automobilistike në Ohio – këto u konfirmuan nga guvernatori i shtetit, por nuk u dha më shumë informacion
Kanadaja po përjeton gjithashtu një stuhi të keqe, e cila ka parë qindra fluturime të vonuara ose anuluara dhe qindra mijëra prona pa energji.
Rreshteri i policisë provinciale të Ontarios Kerry Schmidt tha se policia kishte marrë raporte për deri në 100 automjete të përfshira në përplasje të shumta që kanë mbyllur një autostradë të madhe pranë Londrës, Ontario.
Kryeministri Edi Rama bën të ditur se për herë të parë në Ballkan, çelet salla multimediale me projeksion 360° në Korçë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se salla e parë multimediale hapet me koleksionin e pikturave të Vangjush Mios, e para e llojit të saj në Shqipëri.
E para e llojit të saj në Shqipëri, kjo sallë është bërë e mundur me mbështetjen e Ministrisë së Inovacionit dhe Sipërmarrjes si një nga përfituesit në kategorinë lehtësues startup-esh.
Të rinjtë dhe jo vetëm, do të nxiten për të zhvilluar ide inovative të shkrira në Projeksionin 360°, si dhe do të krijojnë mundësi të panumërta për të ardhmen e tyre.
Korça i fton të gjithë që të përjetojnë një eksperiencë unike me inaugurimin ditën e sotme të sallës multimediale tek Qendrën e re të Artit, Kulturës dhe Inovacionit pranë Katedrales në Korçë.
Për herë të parë, qytetarët do të mund të shohin pikturat e koleksionit personal të piktorit Vangjush Mio në projeksionin 360 gradë.
Gjatë karrierës 40-vjeçare, Vangjush Mio realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura.
Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij. /atsh /KultPlus.com
Mbrëmja e Krishtlindjes më 24 dhjetor nis një sërë traditash festash. Disa janë praktika të lashta me një rrotullim modern, ndërsa të tjera datojnë qindra vjet më parë.
Nata e Krishtlindjeve është e mbushur me tradita fetare dhe jofetare. Traditat fetare përqendrohen rreth lindjes së Jezusit.
Emërtime të ndryshme kanë traditat e tyre. Në prag të Krishtlindjes, katolikët romakë dhe anglikanët mbajnë meshën e mesnatës. Luteranët festojnë me shërbimet e qirinjve dhe këngët e Krishtlindjeve. Shumë kisha ungjillore mbajnë shërbesat e mbrëmjes ku familjet kremtojnë Kungimin e Shenjtë.
Në mbarë botën natën e Krishtlindjeve festojnë me ushqime të ndryshme. Në Itali festojnë festën e shtatë peshqve. Rusët tradicionalisht shërbejnë një darkë me 12 pjata të Krishtlindjeve përpara se të hapin dhuratat. Ndërkohë, në Bullgari, vakti i Krishtlindjes përbëhet nga një numër tek i pjatat pa mish.
Përveç ushqimit dhe shërbimeve fetare, festa është kur Santa Clause ngrihet në qiell me sajën e tij për të shpërndarë dhuratat e Krishtlindjeve në mbarë botën. Emra të tjerë për burrin me mjekërbardhë me një kostum të kuq përfshijnë Father Christmas, Kris Kringle dhe Saint Nicholas.
Pavarësisht se si quhet ai, legjenda e Santa bazohet në një njeri të vërtetë të quajtur Shën Nikolla i Myra.
Peshkopi i hershëm i krishterë ishte i njohur për dhënien e dhuratave të fshehta, si dhe për shumë mrekulli. Me kalimin e viteve, legjenda e Santa u rrit duke përfshirë Polin e Veriut, një sajë të drejtuar nga renë, një listë të keqe ose të këndshme dhe të qeshurën e tij gazmore, “ho, ho, ho”. /KultPlus.com
Kur kthehen pas në kohë dhe mendojnë se si kanë qenë në adoleshencë, apo si kanë qenë më parë në përgjithësi, shumë njerëz kanë përshtypjen se kanë ndryshuar shumë në shumë drejtime, përveç pamjes fizike. Ata analizojnë gjurmët e shijeve, zakoneve dhe vlerave të së kaluarës së tyre – nga muzika tek veshja, nga prirjet politike te marrëdhëniet njerëzore – dhe e kanë të vështirë të njohin veten e tyre.
Të tjerët mendojnë se nuk janë dhe aq ndryshe nga dikur, të paktën në disa aspekte, ndërsa të tjerë akoma mendojnë se s’kanë ndryshuar fare. Në njëpërpjekje për t’u bërë i dashur për elektoratin e tij gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, asokohe 70 vjeç, pretendoi në një rast se ishte i njëjti person si dikur kur ishte si fëmijë.
Një pretendim që nuk është i vështirë të mos besohej, duke pasur parasysh sjelljen e tij zakonisht impulsive, shkruan një grup psikologësh nga Zelanda e Re dhe SHBA-ja në vitin 2020 në librin “Origjina e vetes:Si fëmijëria e formëson jetën tonë më vonë”.
Ata ngritën pyetjen se nëse bazohemi tek temperamenti, përvojat dhe shëndeti gjatë fëmijërisë, mund të parashikojmë personalitetin që do të kenë individë të ndryshëm në moshë madhore. Në këtë aspekt janë bërë disa përpjekje për të analizuar këtë çështje nga një këndvështrim empirik dhe “i jashtëm”,pra duke u përpjekur të identifikohen elementë të vazhdimësisë apo ndërprerjes së dukshme në zhvillimin e njerëzve për periudha shumë të gjata kohore.
Për shembull fëmijët që kanë të përbashkët diagnozën e çrregullimit të hiperaktivitetit dhe defiçitit të vëmendjes, mund të paraqesin disa sjellje ose tipare të karakterit në moshë madhore, dhe ndoshta edhe prirje të veçanta dhe jo ndaj të tjerëve,por ndaj vetes apo dhe të kaluarës së tyre.
Këtë vit u mbushën plot 50 vite nga studim shumë i dobishëm në këtë aspekt. Në vitin 1972, në qytetin e vogël Dandin të Zelandës së Re, psikologu dhe studiuesi i Universitetit të Otagos, Fil Silva, u bë pjesë e një studimi të ndërmarrë nga mjekja pediatre, Patrisha Bakfilld mbi 225 djem dhe vajza.
Objektivi fillestar ishte studimi i ndikimit të përdorimit të disa teknologjive të reja gjatë lindjeve në spitalin obstetrik “Queen Mary”. Por studimi u zgjerua duke përfshirë gjithsej 1037 djem dhe vajza. Ai duhej të zgjaste vetëm 3vjet. Por as Silva dhe as Bakfilld, nuk e imagjinonin se ai do të bëhej një nga studimet e gjata më të cituara dhe më me ndikim në histori.
Ai studim ofroi të dhëna që më vonë u përdorën në më shumë se 1300 kërkime, libra dhe studime të rishikuara nga kolegët mbi tema të llojeve të ndryshme, nga rreziku i ardhshëm i hipertensionit të zbulueshëm në fëmijëri, tek efektet afatgjata të kanabisit dhe ndjenjat e kundërshtimit ndaj vaksinave të koronavirusit.
Një nga kufizimet e njohura dhe më të dukshme të studimit, kishte të bënte me përbërjen e kampionit:vetëm njerëzit e lindur në Dandin dhe rrethinat e tij në vitet 1970 (fillimisht 535 djem dhe 502 vajza, nga të cilat 24 binjake). Gjithsesi, studiuesit vlerësojnë se ata njerëz u rritën në shumë lloje familjesh, madje shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, dhe më pas kryesisht (2/3) u larguan nga Dandin kur u rritën.
Pra janë faktorë që e bëjnë relativisht më heterogjene mostrën. Njerëzit në studim u përfshinë fillimisht kur ishin 3 vjeç, dhe më pas përsëri në 5, 7, 9, 11, 13, 15, 18, 21, 26, 32, 38 dhe 45 vjeç. Dy studiuesit intervistuan shpesh jo vetëm subjektet e studimit, por edhe familjen dhe miqtë e tyre.
Pasi Silva doli në pension në fundin e viteve 1990, studimi vazhdoi nga studiues të tjerë dhe tani drejtohet nga psikologu nga Zelanda e Re, Riçi Pullton, bashkautor i librit “Origjina e vetes”,që përmbledh rezultatet e “Studimit Dandin” përveç studimeve të tjera të ngjashme të të kryera në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, me një total prej rreth 4.000 njerëz të ndjekur gjatë dekadave.
Gjetjet e tyre në lidhje me marrëdhëniet midis së kaluarës dhe të tashmes sonë, konfirmojnë në shumë raste disa ide të përbashkëta rreth zhvillimit njerëzor. Në fund të intervistave prej 1 orë e gjysmë, studiuesit vlerësuan aspekte të ndryshme të personalitetit:shqetësimin, impulsivitetin, kokëfortësinë, nivelin e vëmendjes, miqësisë, aftësive komunikative etj. Bazuar në këto rezultate, ata i ndanë subjektet ne 5 makro-grupe të ndryshme. Grupi më i madh – rreth 40 për qind e kampionit – ishin fëmijë “të ekuilibruar” që kishin një kombinim të përsëritur të disa tipareve të personalitetit.
25 për qind ishin fëmijë më miqësorë dhe me vetëbesim, të cilët ndiheshin më rehat me të huajt,dhe që përballeshin më shumë me situata të reja sesa të tjerët. 15 për qind të tjerë ishin më të rezervuar, dhe fillimisht shumë të kujdesshëm ndaj të panjohurve.
Së fundmi, 10 për qind e kampionit u klasifikuan si “të tërhequr”, të përbërë nga fëmijë të turpshëm dhe të mbyllur, dhe 10 për qind me një prevalencë të lehtë të meshkuj si të “hipo–kontrolluar” nga pikëpamja e impulseve, të përbërë nga fëmijë impulsivë, inatçorë dhe në ankth.
Pas intervistave gjatë disa dekadave të ardhshme, studiuesit ishin në gjendje të identifikonin modele kur subjektet mbushën 18 vjeç. Dallimet midis subjekteve të 3 grupeve të para ishin bërë të paqarta:edhe pse shfaqeshin lidhje të paqarta midis tipareve të caktuara të personalitetit dhe secilit prej grupeve individuale, studiuesit vendosën t’i bashkonin ato në një grup të vetëm.
Vëmendja e tyre u përqendrua tek djemtë dhe vajzat e grupit të tretë dhe të katërt, të cilët treguan shenja më të dukshme koherence sesa tiparet që kishin shfaqur që në moshën 3 vjeçare. Adoleshentët në grupin e fëmijëve “të tërhequr”,ishin “dukshëm më pak energjikë dhe të vendosur” se gjithë të tjerët.
Ndërkohë ata me një nivel kontrolli të ulët, e përshkruanin veten si “në kërkim të rrezikut”,dhe në krahasim me adoleshentët e tjerë, kishin “më pak të ngjarë të shmangnin situatat e dëmshme, emocionuese dhe të rrezikshme” apo që “silleshin në mënyrë reflektuese, me shumë kujdes apo të planifikuar”.
Po ashtu ata prireshin më shpesh se të tjerët të zemëroheshin dhe ta konsideronin veten “të keqtrajtuar dhe viktima të së kaluarës së tyre dhe botës”. Intervistat e mëvonshme treguan një “tërheqje progresive nga bota” nga ana e të rriturve në grupin e më introvertëve.
Në përgjithësi çdo person mund ta konsiderojë veten shumë të ndryshëm nga mënyra se si ishte në të kaluarën në disa aspekte, dhe ta konsiderojë veten të njëjtë si gjithmonë, në disa aspekte të tjera.
Por përshtypja e të qenit njerëz të ndryshëm ose të ngjashëm me atë që ishit dikur, kushtëzohet në mënyrë të pashmangshme edhe nga përshtypjet e njerëzve të tjerë.
Historitë që njerëzit i tregojnë vetes nëse kanë ndryshuar apo jo, janë shpesh edhe thjeshtëzime të dobishme për të vendosur një lloj rendi nga kaosi që dominon, për t’i rezistuar çdo fatkeqësie, dhe për të promovuar zhvillimin personal. / Marrë me shkurtime nga Il Post/ KultPlus.com
Në kufirin mes viteve, për ato që ikën, për ato që vijnë mendimi pezull rri.
Ty që m’u shfaqe në dhjetorin e bardhë, nuk di ku të të fus, nuk di! Ish pasditja e fundit e një viti në ikje. Ora e Vlorës përudhte shkëmbime vështrimesh të dridhshme.
Sido që të jenë ngashnjimet e ardhshme, këto do të mbeten të papërsëritshme.
E unë në kufirin mes viteve, prerë nga një pyetje si ky qiell me vetëtimë: Ku të të fus, në ato që ikën, a në ato që vijnë? / KultPlus.com
Gjëja e parë që mund të na vijë në mend kur mendojmë për një panoramë festive të fundvitit mund të jenë rrugët e ngrira, çatitë e shtëpive të rënduara nga dëbora dhe pema e Krishtlindjeve e vendosur në mes të një sheshi të madh.
Pikërisht kështu duket qyteti gjerman Rothenburg ob der Tauber në këtë kohë të vitit.
Qyteza në Bavari është qyteti mesjetar më i ruajtur me mure të vendit. Rreshtat e shtëpive gjysmë-druri me çati të kuqe me zall rreshtojnë rrugët e lashta, të mbyllura në mënyrë të sigurt pas një muri të trashë guri dhe të ruajtura nga gjashtë porta dhe 42 kulla.
Mund të ecni përgjatë pothuajse të gjitha mureve të sipërme të qytetit, një shteg prej dy miljesh që u siguron vizitorëve një pamje të pandërprerë mbi lagjen e vjetër dhe luginën Tauber përtej.
Emri i qytetit përkthehet “kështjellë e kuqe mbi Tauber”.
Rothenburgu është aq magjepsës sa ka jo rrallë herë është bërë skenë për filma (midis tyre muzikali Chitty Chitty Bang Bang i vitit 1968) dhe ka frymëzuar shumë klasikë të Disney-t.
Për shembull modeli i shtëpive të qytezës ka shërbyer shembull për krijimin e shtëpisë së Geppetto-s në Pinocchio./A2CNN/ KultPlus.com
1. Në Tokë ekzistojnë më shumë se 60.000 lloje të njohura
Për të qenë të saktë, sipas një përllogaritje të “GlobalTreeSearch” në vitin 2017, janë 60.065 lloje pemësh që njihen deri tani, ndërsa vlerësohet se janë ende rreth 9.200 për t’u zbuluar. 58 për qind e këtyre llojeve pemësh rriten ekskluzivisht brenda kufijve të një vendi të vetëm. Brazili, Kolumbia dhe Indonezia kanë numrin më të madh të specieve endemike në pyjet e tyre.
2. Sot ka 46 për qind pemë më pak sesa 12.000 vite më parë
Planeti ynë ka rreth 3 trilionë pemë, një numër vërtet i madh por jo aq mbresëlënës sa ndikimi i njeriut mbi të. Afro 15 miliardë pemë nga pyjet e ekuatorit priten çdo vit nga njeriu. Sot numri i pemëve është më pak se gjysma e atyre që ishin 12.000 vjet më parë kur lindi bujqësia.
3. Toka ka qenë pa pemë për 90 për qind të historisë së saj
Planeti ynë është 4.5 miliardë vjet i vjetër. Por nisi të gjelbërohej vetëm 470 milionë vjet më parë, fillimisht falë myshqeve dhe likeneve. Bimët vaskulare, pra ato të pajisura me një sistem enësh për të transportuar ujë dhe lëndë ushqyese, u shfaqën 420 milionë vjet më parë, dhe për dhjetëra miliona vjet ato u rritën jo më shumë sesa1 metër lartësi.
4. Pylli më i vjetër fosil ndodhet në Nju Jork
Pylli i parë i shfaqur në botë, mendohet se jetë zhvilluar në periudhën Devoniane, 385 milionë vjet më parë. Fosilet e një sistemi rrënjor të ndërlikuar janë gjetur në shtetin e Nju Jorkut, vetëm 40 km nga pylli tjetër fosil i Gilboas. Ajo hapësirë përmban prej të paktën 3 llojesh të ndryshme pemësh.
5. Pemët më të vjetra u ngjanin palmave gjigante
Uatieza, një bimë e zhdukur, ishte e zakonshme në pyjet e epokës Devoniane të zbuluara në Amerikën e Veriut. Ai ishte 8-10 metra i gjatë, dhe kishte gjethe të ngjashme me fierin dhe të ngjitura drejtpërdrejt në trung. Ashtu si fieret, riprodhohej jo me fara, por nëpërmjet sporeve.
Kjo pemë ndryshoi tërësisht jo vetëm peizazhet, por edhe ekosistemet tokësore, duke thithur CO2, dhe duke favorizuar përhapjen e llojeve të ndryshme të kafshëve në këmbët e saj. Në fakt, për shkak të vetë konformimit, prodhoi mbeturina të shumta që grumbulloheshin në tokë, duke nxitur përhapjen e artropodëve.
6. Shumica e rrënjëve të pemëve gjenden në 45 centrimetrat e sipërme të tokës
Në fakt, në këtë pjesë të nëntokës përqendrohen kushtet ideale për rritje. Kjo mungesë thellësie – shpesh përballë lartësive të konsiderueshme të trungut – kompensohet nga kërkimi i hapësirës horizontale:rrënjët e një lisi të pjekur, mund të shtrihen deri qindra kilometra në gjerësi.
Por nga ky rregull ka shumë përjashtime. Disa bimë tipike për tokat kënetore, të varfëra me oksigjen, si për shembull selvia moçalore (Taxodium distichum) kanë rrënjë respiratore të quajtura pneumatofore, të cilat ngrihen vertikalisht nga toka me baltë, dhe e futin ajrin përmes vrimave të vogla si gryka.
7. Tërheqin armiqtë e armiqve të tyre
Kur rrethohen nga parazitët, disa lloje pemësh lëshojnë në ajër substanca të paqëndrueshme, që joshin grabitqarët e parazitëve të tyre të padëshiruar. Prandaj ato janë në gjendje të dërgojnë sinjale që përcjellin informacion edhe jashtë mbretërisë bimore. Në përgjithësi këto mesazhe u drejtohen insekteve të tjera, por jo gjithmonë. Pemët e mollëve të infektuara nga vemjet duket se tërheqin edhe zogjtë që hanë vemjet.
8. Luftojnë kundër vapës së madhe
Pemët i ulin temperaturat, dhe jo vetëm drejtpërdrejt duke siguruar hijen, apo indirekt duke thithur emetimet tona të CO2. Ato e bëjnë këtë edhe përmes një fenomeni më pak të njohur, evapotranspirimit. E kapin rrezatimin diellor që normalisht humbet nga asfalti i qytetit përpara se të arrijë në tokë, e thithin atë dhe e përdorin për të avulluar ujin nga gjethet.
Pra në praktikë për të luftuar nxehtësinë, pemët “djersitin” si ne njerëzit. Ky efekt është gjithashtu i dobishëm për njerëzit, pasi e zvogëlon sasinë e energjisë së mbetur për të ngrohur ajrin. Vlerësohet se nëse një qytet mbulohet nga pemët mbi në 40 sipërfaqes së tij, mund të ulë me 5 gradë Celcius temperaturat gjatë verës.
9. Veprojnë si filtra kundër ndotjes
Ne e dimë se pemët thithin dyoksidin karbonit, CO2, por roli i tyre si një sfungjer kundër ndotjes nuk ndalet këtu. Gjethet e pemëve pastrojnë ajrin duke kapur dhe gazra të tjerë të dëmshëm që barten nga era, si oksidet e azotit dhe dioksidi i squfurit.
Ky kapacitet ndryshon shumë nga një specie në tjetrën, por edhe në bazë të pozicionit të pemëve në qytet dhe dendësisë së gjetheve. Megjithatë, grimcat nuk qëndrojnë në gjethe për një kohë të gjatë, por shpërndahen më pas në mjedis nga agjentët atmosferikë.
10. Rritin vlerën e pasurive të paluajtshme dhe reduktojnë kriminalitetin
Afërsia me pemët shoqërohet me një sërë efektesh psikologjike dhe fiziologjike të këndshme si ulja e presionit të gjakut, rritja e tolerancës ndaj dhimbjes dhe nivelet e reduktuara të stresit. Është kjo arsyeja pse prania e tyre rreth një shtëpie e rrit me 10-20 për qind vlerën e perceptuar të pronës (sipas disa përllogaritjeve nga Shërbimi Pyjor i SHBA-së). Prania e gjelbërimit aty pranë lidhet gjithashtu me një shkallë më të ulët të hedhjes së mbeturinave,sjelljeve vandale, dhe më pak dhunë në familje. /Focus/ KultPlus.com
Më 23 dhjetor të vitit 1966, u përcoll urimi i fundit i Krishtlindjes në Shqipërinë diktatoriale.
Përmes një telegrami, kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale, kryepeshkopi Damian i komunikoi urimin e rastit kryetarit të Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot Ernest Çobës, duke bashkuar lutjet “për një paqe në mbarë botën dhe begatinë e atdheut tonë të shtrenjtë”. Koha tregoi se ky urim nuk ishte aspak profetik, pasi një vit më pas nisi periudha ateiste në Shqipëri.
“Shteti nuk njeh asnjë fe dhe mbështet dhe zhvillon propagandë ateiste për të përfshirë njerëzit në botëkuptimin shkencor materialist”, deklarohej në nenin 37 të Kushtetutës së Republikës Popullore.
Megjithatë, figura e klerit ishte vënë nën shenjestër kohë më parë, që prej instalimit të regjimit totalitar.
Në dhjetor 1945 u vunë në pranga dhjetëra klerikë dhe besimtarë katolikë. Një pjesë e tyre u dënuan në gjyqe të udhëhequra nga ushtria. Në mars 1946, u ekzekutuan shtatë besimtarë. Kjo fushatë kanosëse kundër fesë u përshkallëzua deri në përligjjen e cenimit të objekteve të kultit, pas fjalimit të mbajtur nga Enver Hoxha më 6 shkurt 1967. / KultPlus.com
Regjisori James Cameron mbështetet në një teknikë të re të kuadrove të larta me 48 korniza për sekondë. Kjo ngatërron disa projektorë.
Për disa ishte një film argëtues, për të tjerët thjesht një demo teknologjike paksa shumë e gjatë. Ajo që është e padiskutueshme, megjithatë, është se regjisori James Cameron krijoi botë vizualisht mbresëlënëse me pjesën e parë të “Avatar” në 2009 – dhe gjithashtu se ajo u prit shumë mirë nga shikuesit e kinemasë. “Avatar” është filmi me fitimin më të madh deri më sot.
Në këtë drejtim, në fakt është thuajse e habitshme që u desh kaq shumë kohë për të publikuar një pjesë të dytë. Tashmë ka ardhur koha, “Avatar 2” ka nisur pak ditë më parë. Pothuajse tërësisht i krijuar nga kompjuteri, Cameron mbështetet përsëri në risitë teknike. Por njëra prej tyre ka efekte anësore të pakëndshme.
Përplasje
Pjesa e dytë “Avatar” rrëzon disa projektorë kinemaje, raporton Bloomberg. Në veçanti, kinematë në Japoni duket se janë të prekura nga kjo për momentin. Në fundjavën e rëndësishme të hapjes së të gjitha ditëve, shfaqjet duhej të ndërpriteshin ose madje të anuloheshin fare, dhe shikuesit e filmit merrnin paratë e tyre.
Arsyeja për këtë qëndron në një vendim teknik nga Cameron: “Avatar 2” përdor teknologjinë me shpejtësi të lartë të kuadrove, funksionon me 48 në vend të 24 kornizave të zakonshme në sekondë. Një vlerë e pazakontë që disa projektorë me sa duket nuk mund ta përballojnë.
Shumëllojshmëri
Për t’i komplikuar gjërat më tej, ka disa variante të filmit. Në versionin 3D, 48 korniza për sekondë zakonisht përdoren për të parandaluar shikuesit që të lodhen. Në versionin 2D, nga ana tjetër, shkalla e lartë e kuadrove përdoret me sa duket vetëm për skenat e veprimit të shpejtë, në mënyrë që të shmanget “efekti i telenovelës” më pak popullor në sekuenca më të ngadalta.
Në këtë rast, disa nga kinematë e prekura duket se janë mjaftuar thjesht me luajtjen e versionit 48 FPS në një projektor që në fakt ishte krijuar për 24 FPS. Kjo duket se ka funksionuar në këtë rast, por nuk është e këshillueshme sepse mund të çojë në mbinxehje të pajisjeve./21Media/ KultPlus.com
Muzeu arkivor, projekti me inovator i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave do të hapë dyert në vitin 2023. I ideuar si një qendër shumë funksionale edukimi, ai ndërthur novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Në këtë mënyrë, arkiva nuk do të jetë më një mjedis i dedikuar studiuesve, por gjithkujt që ka dëshirë të mësojë mbi Shqipërinë.
“Ky projekt i ri i cili do t’ju krijojë aksese, të vini këtu të kaloni kohë të kulturuar interaktive. Me këtë projekt hapen dyert dhe qytetarët tashmë janë pjesë e arkivës, ata mund të aksesojnë gjithçka dhe kjo është një arritje shumë e madhe”.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave dha disa detaje të këtij projekti, që nuk mbetet thjesht në ofrimin e muzeut arkivor.
“Në këtë muze arkivor do ketë hapësirën e dytë që është hapësirë e ekspozitave të përkohshme për evente të vazhdueshme, për të sjellë rininë në arkiv, sikurse sallën e leksioneve, sallën edukative për të rinjtë. Këtë projekt të parë madhor ne do ta shoqërojmë me ridemensionimin e arkivit. Në pjesën e jashtme të tij do të jetë një teatër i vogël dhe një kinema e hapur verore”.
Në ambientet e muzeut të ri në Shqipëri, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të./Tv Klan/ KultPlus.com
Taylor Swift, e cila vazhdon të thyejë një rekord pas tjetrit, i bën të dobëtit më të fortë. Këtë herë ajo arriti gjashtë milionë shitje albumesh në mbarë botën në tetë javë. Tre milionë prej tyre u shitën në SHBA. Albumi i dhjetë i yllit të pop-it, “Midnights” u publikua në tetor dhe shpejt arriti në numrin 1 në listat e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.
Swift bëhet e vetmja artiste që ka pesë albume për të shitur më shumë se një milion gjatë javës së publikimit, me “Midnights” që arrin në rreth 1.6 milionë.
Lucian Grainge, Kryetar dhe CEO i Universal Music Group, tha: “Taylor është një forcë krijuese shumëdimensionale, arritjet e së cilës e vendosin atë në mesin e artistëve më të arrirë në historinë e muzikës dhe ne jemi të emocionuar dhe të nderuar që punojmë me të në kaq shumë aspekte. të karrierës së saj”.
Themeluesi dhe CEO i Republic Records, Monte Lipman shtoi: “Arritjet e Swift gjatë vitit të kaluar kanë qenë absolutisht spektakolare. Këto arritje tregojnë më tej aftësinë e Taylor si artisti dhe tregimtari i përsosur që përcakton një brez.”
Ajo i përshkroi “Midnights” si “historitë e 13 netëve pa gjumë të shpërndara gjatë gjithë jetës”.
Në nëntor, këngëtarja njoftoi “The Eras Tour”, 52 koncerte në stadiume anembanë SHBA-së me të ftuar duke përfshirë Paramore, Phoebe Bridgers, MUNA, Haim, Gayle, Gracie Abrams dhe Owen. Megjithatë, turneu pati polemika pas problemeve me shitjen e biletave./abcnews.al/ KultPlus.com