“Misteret e dashurisë rriten në shpirt, por libri i tyre është trupi”

Më 22 janar të vitit 1572 ka lindur poeti dhe kleriku anglez John Donne, shkruan KultPlus.

Donne konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit më të shquar të poetëve metafizikë, mdërsa poezitë e tij njihen për stilin e tyre sensual. Ato përfshijnë sonete, poezi dashurie, poema fetare, përkthime nga latinishtja, epigrame, këngë e predikime.

Poezinë e Donnes e karakterizon gjallëria e gjuhës dhe metaforat që ai di t’i përdorë mjeshtërisht.

Poashtu ai di ta përdorë mjaft mirë edhe ironinë, gjithashtu ndërthur edhe elemente dramatike nëpër poezitë e tij, gjithmonë të shqoëruara nga elokuenca e tij.

Megjithëse Donne ishte poet i talentuar, atij iu desh të jetonte mes varfërisë për vite të tëra, ishin cdoherë miqtë, ata që e ndihmuan.

Në vitin 1615 Donne u shugurua dhjak e më pas prift, ndërsa nuk i pranonte Urdhërat e Shenjta. Më vonë në vitin 1621, atë e emëruan Dekan të Katedrales së Shën Palit në Londër. Donne shërbeu edhe si anëtar i Parlamentit në vitet 1601 dhe 1614.

Në ditën e lindjes së tij, po i sjellim për ju tri thëniet e tij të njohura:

“Kur një njeri vdes, kapitulli i jetës së tij nuk griset nga libri, por thjesht përkthehet në një gjuhë më të mirë”

“Misteret e dashurisë rriten në shpirt, por libri i tyre është trupi”

“Dashuria e ndërtuar mbi bukurinë vdes njëherësh me bukurinë” /KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme për pavarësinë e plotë të Shqipërisë

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920.

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.

Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike.

Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

Gjatë punimeve të tij, u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina. /atsh /KultPlus.com

Edhe dashuria mund të vdes

Poezi nga Federico García Lorca 

Sa të rënda janë ditët.
Në asnjë zjarr nuk mund të ngrohem,
nuk më qesh asnjë diell
çdo gjë është bosh

çdo gjë është e akullt e pa mëshirë 
madje edhe të shtrenjtt yje të qarta
më shikojnë pa ngushëllim,
qysh kur kam kuptuar në zemrën time,
që edhe dashuria mund të vdesë. / KultPlus.com

‘Zare moj dil ke fiku po të pret ashiku moj Zare, sa e bukur je’ (VIDEO)

Sopranoja me zërin e bukur, Tefta Tashko-Koço vite më parë i kishte dhënë zë këngës “Zare trëndafile”, e cila mbetet një vlerë në muzikën shqiptare, shkruan KultPlus.

Teksti me përplotë elegancë gërshetuar me fuqinë e Tashko-Koços në interpretim, bën që edhe shumë kohë më pas, kjo këngë të dëgjohet.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Zare trëndafile”:

Zare trëndafile

Zare moj trëndafile

ç’naj bane me hile moj Zare

sa e bukur je

Zare moj dil ke shpia, 2x

po të prêt shoqënia moj Zare

sa e bukur je

Zare moj dil ke fiku 2x

po të prêt ashiku moj Zare

sa e bukur je

Zare dil ke mali 2x

po te prêt jarani, moj Zare

sa e bukur je / KultPlus.com

Shfaqja “Profesionisti” nga dramaturgu serb Dushan Kovaçeviç shfaqet në Vlorë

“Profesionisti”, komedia e trishtë e dramaturgut serb Dushan Kovaçeviç është ngjitur suksesshëm në skenën e “Petro Markos”, në Vlorë.

Shfaqja premierë me regji të Leka Bungos, me vetëm 4 aktorë, mbajti mbërthyer për rreth 60 minuta spektatorët që kishin mbushur sallën e teatrit.

Në interpretimin e shkëlqyer të mjeshtrit të teatrit dhe kinematografisë Viktor Zhusti, aktorit Astrit Hasani, Matilda Avdulit dhe Artan Islamit, skenografi të Drini Shehut dhe formulim muzike të Artur Dhamos, shfaqja arriti të fitojë suksesin dhe rrëmbejë duartrokitjet e nxehta të spektatorëve.

Komedia e zezë e Kovaçeviçit trajton një nga temat më të nxehta të shoqërisë në ditët e sotme, hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit gjatë regjimit komunist.

Ndërkohë spektatorë në sallën e “Petro Markos” ishin edhe shumë personalitete në fushën e artit dhe kulturës, por edhe autoritete të pushtetit lokal, ndërsa ndoqi shfaqjen dhe kreu i shtetit, presidenti Bajram Begaj.

Shfaqja “Profesioniti” do të shfaqet për publikun edhe gjatë fundjavës. Top Channel /KultPlus.com

Në moshën 93-vjeçare, Buzz Aldrin martohet për herë të katërt

Ish-astronauti amerikan Buzz Aldrin është martuar për herë të katërt në ditëlindjen e tij të 93-të, transmeton KultPlus.

Aldrin ishte një nga pilotët në fluturimin legjendar të hapësirës Apollo 11 në vitin 1969, duke u bërë një nga dy njerëzit e parë që eci në Hënë pas komandantit të misionit, Neil Armstrong.

Ai është një nga vetëm katër personat e gjallë që kanë ecur në Hënë.

Fotografitë nga ceremonia e tyre në Los Anxhelos u shpërndanë nga Aldrin në Twitter.

“Në ditëlindjen time të 93-të dhe ditën që do të nderohem nga Living Legends of Aviation, kam kënaqësinë të njoftoj se dashuria ime prej kohësh, Dr Anca Faur dhe unë kemi lidhur martesën”, shkroi ai në Twitter. /KultPlus.com

Edhe një medalje tjetër për Laura Colturi, e treta me radhë

Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Skive për të Rinj në St.Anton të Austrisë, Lara Colturi ka arritur të marrë medaljen e artë të radhës.

Pasi u shpall kampione Bote në garën e Skive Alpine, kategoria Super G për grupmoshat U-21 dhe mori medaljen e artë në disiplinën Downhill U-18 të premten, Lara la gjurmë përsëri.

Në garën e fundit të zhvilluar këtë të shtunë, skiatorja me orgjinë italiane, por e natyralizuar në shqiptare arriti triumfin në Gian Slalom U-18.

Kujtojmë që Lara është vetëm 16-vjeçe dhe e mbyll aventurën në Kampionatin Botëror të Austrisë me tre medalje të arta. Ajo u rendit e treta në renditjen e përgjithshme.

Gara e kësaj të shtune ishte gara e fundit në Kampionatin botëror të të Rinjve pasi do të zhvendoset në Kronplatz për etapën e rradhës së Kupës së Botës dhe në datën 26 janar, Colturi do të marr pjesë në Festivalin Olimpik Evropian Rinor. /albanianpost /KultPlus.com

“Elementi më i dhunshëm në një shoqëri është injoranca”

Thënie nga Emma Goldman

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.

Më poshtë po i sjellim disa thënie të kësaj aktivisteje të njohur:

“Njerëzit kanë aq liri sa guxojnë për ta kërkuar dhe për ta marrë”

“Më shumë do të doja të kisha trëndafila në tryezën time sesa diamante në qafë”

“Para se ta falim njëri-tjetrin, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin”

“Elementi më i dhunshëm në një shoqëri është injoranca” /KultPlus.com

“Java e artit” bën bashkë profesorët nga trevat shqiptare – të rinjtë e shohin iniciativë me vend

Të premten, në Prizren u mbajt panel diskutimi, me temen “Edukimi përmes artit”.

Si foles ishin të ftuar profesor nga fusha e artit dhe edukimit nga Shqiperia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Ftesën për ligjerim këtu me qejf e pranoi, profesoresha nga Shqipëria e cila tha se organizme të tilla duhet të mbahen edhe në kryqytetin e Shqipërisë.

Në Tiranë ende jo, por në disa qytete të vendit aktivitete për të rinjë do të organizohen edhe për dy ditët e ardhshme në kuadër të “Javës së artit”.

Kjo po shihet si inicativë me vend nga të rinjtë. “Java e Artit” u organizua për herë të parë e pritet të bëhet tradicionale. /Klan Kosova /KultPlus.com

Dua Lipa fiton çmim të ekselencës nga ESNS

Dua Lipa është një nga superyjet më të mëdha në botë, shkruan KultPlus.

ESNS (Eurosonic Noorderslag) është Festivali Evropian i Konferencës së Muzikës dhe Showcase, Groningen, Holandë.

Së fundmi, Lipa ka marrë çmim të ekselencës nga ESNS.

Çmimi feston aktet që përfaqësojnë pozitivisht kulturën evropiane përmes muzikës së tyre në mbarë botën dhe njeh Dua si aktin më të suksesshëm për të përfituar nga skema e ESNS Exchange. /KultPlus.com

Ditë me shi

Poezi nga Henry Longfellou

Dita është e ftohtë, e errët, e trishtuar,
Bie shi dhe era nuk është kurrë e qetë,
Hardhia kapet pas murit të shkretuar,
Në çdo shkulm ere, gjethet bien lehtë.

Mos u qaj më, zemër e trishtuar, e mjerë,
Pas reve dielli vazhdon të shkëlqejë.
Fati yt është fati i të gjithëve,
Në çdo jetë pak shi do të bjerë. /KultPlus.com

Fotografitë e Komanit nga shkatërrimet dhe përmbytjet në Skenderaj (FOTO)

Një nga komunat që është prekur më rëndë nga vërshimet është Skenderaj, shkruan KultPlus.

Si pasojë e depërtimit të ujit në disa banesa, hambare bagëtish, objekte tregtare dhe vetë qendrën e qytetit, dëmet vlerësohen të jenë të rënda.

Fotot e Marjan Komanit tregojnë se si uji ka rrëmbyer gjithçka që ka hasur, duke përfshirë shtëpitë, makinat, lokalet, madje edhe shkollat.

Më poshtë keni disa pamje që paraqesin pasojat e vërshimeve në Skenderaj:

Zef Pllumi për Rugovën: Nji ndër burrat e rallë të kombit shqiptar, ma i dijtuni e ma i urti i të gjithëve

Për ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën, janë thënë fjalë nga më të mëdhat nga figura të ndryshme kombëtare e ndër kombëtare, shkruan KultPlus.

Sot KultPlus ju sjell disa nga fjalët që shkrimtari i shquar shqiptar, At Zef Pllumi kishte thënë për Rugovën.

”Nji ndër burrat e rrallë të kômbit shqiptár. Ndoshta mâ i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilësohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatërrimtar.

Ai u përpoq m’e spjegue shkrimtarin e madh kosovár Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpírtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i përbashktë: Liria e popullit kosovár. Caktoi m’e ndjekë rrugën e tij si mâ të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamvarun prej gjithkujt.
Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së Bashkueme. Atjé mendonte me e shtî edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkathë vuajtje as gjak kurrkujt, prandej edhe kjè thirrë “Gandi kosovár”.

U shá e u luftue nga serbët, u shá e u luftue nga shqiptarët, u shá e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kjè trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të sháme, sepse ai ishte mâ i dijtuni, e mâ i urti i të gjithve.

Vazhdimisht pat kritika në shtypin kosovár për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nânë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të Dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet, sepse Gjon Pali i Dytë kjè luftari mâ paqsór mbi tokë, i cili ia duel me i shkatrrue dy ideologjitë mâ kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nâna Terezë, shqiptarja që mori çmimin “Nobel për Paqe”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhânë njerëzimit, në nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa m’e nderue vorrin e nânës së vet.

Mjerisht Ibrahim Rugova nuk arriti me i pá të realizueme idealet e veta për Kosovën.
Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë n’at kohë qi ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnór, tue drejtue me shêmullin e vet personal.

Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm”, shprehet At Zef Pllumi. / KultPlus.com

Ndriçim Xhepa feston 66-vjetorin e lindjes, aktori i mbi 40 roleve

Aktori shqiptar Ndriçim Xhepa feston sot 66-vjetorin e lindjes së tij.

Ai ka ka dhënë një kontribut mjaft të vyer në kinematografinë shqiptare me interpretimet e tij në filma të ndryshëm.

Ndriçim Xhepa, i lindur në 21 janar 1957, është i biri i aktores Margarita Xhepa. Ai mbaroi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve dhe filloi punë në Teatrin Kombëtar, ku ka realizuar mbi 40 role.

Ndërsa në kinematografi, ku dhe njohja nga publiku i thjeshtë është edhe më e madhe, Xhepa ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilët kujtojmë “Shokët”, “Kohë e largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Duaje emrin tënd”, “Hijet që mbetën pas”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën”, “I dashur Armik”, e shumë të tjerë.

Ai është shpallur tri herë fitues i Kupës për “Aktorin më të mirë” në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000 dhe dy herë fitues i çmimit “Aleksandër Moisiu” për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Kombëtar të Teatrit me 1986 dhe 1995. Xhepa mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’./atsh/ KultPlus.com

Kur Ibrahim Rugova u shpall ‘Doktor Nderi’ në Francë (FOTO)

Në dhjetor të vitit 1996, ish-Presidenti Ibrahim Rugova ishte shpallur ”Doktor Nderi” (Honoris Causa) në Universitetin e Parisit VIII në Sorbonë të Francës.

Sekretari i Zyrës së Presidentit Rugova, Adnan Merovci, ka publikuar këto fotografi dhe ka treguar se prezent në këtë ngjarje ishin edhe Fadil Vokrri, Avni Spahiu, Daut Berisha dhe Alush Gashi, përcjell KultPlus.

“Më 1996, Presidenti RUGOVA u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë. Në këtë ngjarje me rëndësi prezent ishin edhe 4 njerëz të veçantë: Fadil VOKRRI, Avni SPAHIU, Daut BERISHA dhe Dr. Alush Gashi!”, ka shkruar Mervoci në Facebook. / KultPlus.com

George Orwell dhe alegoria politike te vepra monumentale, ‘Ferma e Kafshëve’

Nga: Albert Vataj

Letërsia botërore ka tituj dhe autorë, të cilët kanë vënë gurthemele të mëdhenj të mendimit dhe shprehjes, të idesë dhe filozofisë, të mesazhit dhe figurshmërisë, alegorisë dhe groteskut… të gjithë atij ansambli vlerash dhe qëllimsishë., Në këtë univers të parrokshëm, “Ferma e Kafshëve” e George Orwell ka ardhur për të mbetur një shënjim të atij misioni të lartë që pena mëton, urtësisht, artistikisht dhe kurajshëm.

“Ferma e Kafshëve” është një novelë alegorike nga George Orwell. Ajo u botua s’pariherë në Angli më 17 gusht 1945. Sipas shkrimtarit, libri reflekton ngjarjet që çuan në Revolucionin Rus të vitit 1917 dhe më pas në epokën staliniste të Bashkimi Sovjetik. Orwell si një socialdemokrat, ishte një kritik i ashpër i Josif Stalin, gjithashtu dhe armiqësor ndaj Moskës, drejtuar stalinizmit. Qëndrim, i cili ishte formuar në mënyrë kritike nga përvoja e tij personale gjatë Luftës Civile Spanjolle. Ai besonte se në Bashkimi Sovjetik ishte instaluar një diktaturë brutale, e ndërtuar mbi një kult të personalitetit dhe i zbatuar nga një sundim terrori. Në një letër drejtuar Yvonne Davet, Orwell e përshkroi librin “Ferma e Kafshëve” si një përrallë satirike kundër Stalinit. Në esse-në e tij “Pse unë shkruaj ” (1946), George Orwell shkroi se “Ferma e Kafshëve” ishte i pari libër, në të cilin ai u përpoq, me vetëdijen e plotë të asaj që po bënte, “për të bashkuar qëllimin politik dhe qëllimin artistik në një tërësi”.
“Ferma e Kafshëve” ka fituar statusin si një prej 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze, sipas “Time Magazine.
Idenë e këtij libri ai e kristalizoi në kohën kur ai detyrohej që të ikte nga spastrimet e komunistëve në Spanjë, e kishte inspiruar atë që të kuptojë se “sa lehtë propaganda totalitare mund ta kontrollojë mendimin e njërzve të ditur në vendet demokratike”.
Për këtë ‘përrallë satirike në fermë’ Orwell u inspirua pasi që e pa një djalë të vogël që e rrahte kalin çdo herë kur ai nuk e merrte drejtimin që i thoshte djaloshi. “E kuptova se nëse edhe kafshët e kuptojnë fuqinë e tyre ne njerëzit nuk do kishin fuqi mbi ta, dhe se njerëzit i shfrytëzojnë kafshët njëjtë si të pasurit që e shfrytëzojnë proletariatin”. Orwell fillimisht kishte shumë vështirësi në marrjen e dorëshkrimit për këtë libër, e kryesisht kjo frikë ishte për shkak të ndjenjave të tij anti-ruse.
Libri më në fund u pranua për t’u botuar nga botuesi britanik, Jonathan Cape. Mirëpo edhe kësaj kompanie nuk i’u deshtë shumë për të ndryshuar mendje. Kjo sepse botuesi u kërcënua nga Peter Smollet, një zyrtar i qeverisë ruse.
Bota përball këtij libri u nda më dysh. Kritika nuk u kursye ta fshikullojë. E megjithatë ai pati një sukses të padikutueshëm. Ai vërtetë nuk arriti të rrëzonte stalinizmin nga sundimi gjakatar dhe mizoritë që ushtroi ndaj popullit rus, por ama e denoncoi atë botërisht. Si pakkush, ai guxoi të sulmonte me penë një armik dhe një barbar. Gjithashtu ai i dha botës një mësim të vyer. “Ferma e Kafshëve” është alegoria politike më e famshme e shekullit të XX. /KultPlus.com

Ish-diplomati norvegjez kujton Rugovën: Mbresëlënës e frymëzues për qetësinë e tij

Ish i dërguari i Sekretarit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Kai Eide, ka kujtuar ish-presidentin, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.

Ish-diplomati norvegjez thotë se ka kujtime shumë të bukura që nga takimi i parë me Rugovën më 1995 e deri në ditën e trishtë të përcjelljes së kortezhit në atë ditë të ftohtë, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se Rugova ishte mbresëlënës dhe frymëzues në mënyrën e tij të qetë, dinjitoze.

“Kaq shumë kujtime të bukura – nga takimi im i parë me të në vitin 1995 deri në ditën e fundit të trishtuar, duke ecur në atë të ftohtë të hidhur në kortezhin e tij me funeral! Një njeri kaq mbresëlënës dhe frymëzues në mënyrën e tij të qetë, dinjitoze. Kosova e meriton vendin e saj të merituar në komunitet…”, ka shkruan Eide në Twitter./ KultPlus.com

Muzikali ‘Callas and Onassis’ në Teatrin e Operës dhe Baletit

Muzikali i filmit “Callas and Onassis” do të vijë në Shqipëri në 100-vjetorin e lindjes së sopranos greke, Maria Callas.

Lajmi bëhet i ditur nga drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB), Abigeila Voshtina duke e cilësuar si “një surprizë të bukur për miqtë e artit”.

Në një postim në rrjetet sociale, Voshtina bën të ditur nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me drejtoreshën e Teatrit të Varnes, Daniela Dimova për muzikalin ‘Callas and Onassis’.

“Shënjuam fillimin e një rruge të gjatë ndërveprimi me Teatrin e Operës së Varnës”, shprehet Voshtina.

Nëpërmjet këtij memorandumi, teatrot e dy vendeve do të kenë mundësinë të shkëmbejnë mes tyre artistë e regjisorë të ndryshëm, si dhe dirigjentë të korit, të përfshirë në aktivitetet e Kalendarit Artistik 2023.

Një ndër objektivat e TKOB-së, sipas Voshtinës, është edhe “vënia në skenën shqiptare të produksionit të përmasave të mëdha “AIDA” me regji të Franko Zeffirelli”, për të cilën e ka vlerësuar mbështetjen e drejtoreshës Dimova, si “të paçmueshme”./atsh/ KultPlus.com

‘Lady Death’, seriali që po shënon sukses të madh në Netflix

Nëse i keni premtuar vetes se nuk do të dilni nga divani këtë fundjavë që vjen, ne kemi gjetur se çfarë të shikojmë në Netflix. Nëse në të njëjtën kohë ju pëlqejnë edhe serialet e misterit policor, me siguri do t’ju pëlqejë seriali i mëposhtëm.

Arsyeja e serialit të ri misterioz austriak “Lady Death”, i cili bazohet në librin me të njëjtin emër të Bernhard Aichner, që është pjesa e parë e trilogjisë.

Historia e filmit

“Ne zhvendosemi në një fshat malor në Austri në vitin 2018, ku Brunhilde Blum jeton me bashkëshortin e saj, Markun, i cili është polic, vjehrrin e saj, Karl, dhe dy fëmijët e tyre, Nela dhe Tim. Protagonistja drejton sallonin e funeralit të fshatit dhe e kalon ditën mes… jetës dhe vdekjes, gëzimit dhe pikëllimit.

Papritur, burri i saj i dashur vdes para syve të saj në një aksident të tmerrshëm automobilistik dhe e gjithë jeta e saj kthehet përmbys. Nuk është vetëm vdekja dhe humbja me të cilat ajo duhet të përballet, por edhe fakti që në fund të fundit nuk dinte asgjë për burrin e saj, të cilin disa e donin të vdiste”./abcnews.al/ KultPlus.com

‘Metropolitan Opera’ koncert për përvjetorin e luftës në Ukrainë

 ”Metropolitan Opera” e Nju Jorkut planifikon të përkujtojë përvjetorin e parë të sulmit rus në Ukrainë me një koncert më 24 shkurt.

”Orkestra, e drejtuar nga Yannick Nézet-Séguin, do të luajë ‘Requiem’ të Wolfgang Amadeus Mozart dhe Simfoninë e Pestë të Ludwig van Beethoven, dhe disa këngëtarë solo ukrainas do të performojnë gjithashtu”, tha opera me famë botërore.

“Requiem’ i Mozartit është për të kujtuar viktimat e pafajshme të luftës Beethoveni është në pritje të fitores që do të vijë”, citohet të ketë thënë drejtori i Met Peter Gelb.

”Himni kombëtar ukrainas do të interpretohet gjithashtu”, tha ai.

Vitin e kaluar, teatri i operës në Manhattan mblodhi fonde për viktimat e luftës me një koncert dhe njoftoi se, si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës, për momentin nuk do të punonte më me artistë apo institucione që mbështesnin presidentin e Rusisë, Vladimir Putin./ KultPlus.com

Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ju sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Bëhen publike detajet e para të Met Gala, Dua Lipa do të jetë bashkë-prezantuese me emra të tjerë të njohur

Të mërkurën, Vogue bëri zyrtare listën e të famshmëve që do të presë në tapetin e kuq, si dhe kodin zyrtar të veshjes për eventin e 1 majit, i cili do të jetë në nderim të ndjerit Karl Lagerfeld.

Anna Wintour ka zgjedhur Dua Lipën, Penélope Cruz, Roger Federer dhe Michaela Coel për t’i bashkuar asaj si bashkë-prezantuese të mbrëmjes, e cila do të nderoj punën e Lagerfeld për Chanel, Fendi, Chloé, Balmain dhe markat e tij me emër.

Ekspozita është titulluar “Karl Lagerfeld: A Line of Beauty”, do të shfaqë 150 pamje të dizajnuara nga Lagerfeld gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, drejtuar nga Andrew Bolton, drejtor përgjegjës i Institutit të Kostumeve, dhe bashkëpunëtorja e vjetër e Lagerfeld Amanda Harlech, e cila po shërben si konsulenti krijues e ekspozitës.

Në mënyrë të përshtatshme, kodi i veshjes është i thjeshtë: “Për Nder të Karlit”.

Ndërsa shumë yje e kanë veshur më parë Chanel-in në tapetin e kuq të Met Gala, duke përfshirë Anna Wintour, Penelope Cruz e cila ishte një mike e dashur e Lagerfeld, ajo pa dyshim do të përzgjedh Chanel për veshjen e saj si muzë prej shumë kohësh dhe fytyra e markës.

Mbetet për t’u parë nëse të ftuarit do të veshin origjinalet e Lagerfeld nga gjatë gjithë karrierës së tij gati shtatë dekadash, apo edhe veshje thjesht frymëzuar nga legjenda e modës, i cili ishte i famshëm për veshjen e tij bardh e zi, dorashkat dhe pëlhurën e bardhë.

Ndoshta macja e dashur e Lagerfeld, Choupette, mund të shfaqet në Met Gala. /abcnews.al/ KultPlus.com

Kurti: E kujtojmë ish-presidentin Rugova për qëndrimin intelektual dhe sjelljen paqësore

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sapo kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 17-vjetorin e vdekjes së tij.

Kurti tha se bashkë me Osmanin vendosën lule të freskëta tek varri i ish-presidentit Rugova, për të cilin tha se kujtohet për shumë gjëra.

“21 janari është ditë e ftohtë dhe një ditë në të cilën teksa e kujtojmë ish-presidentin Ibrahim Rugova, kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, sjelljen paqësore, çështjen humaniste dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovë”, tha Kurti, njofton Klankosova./ KultPlus.com

Tri fragmente nga kryeveprat e George Orwell

Sot shënohet 73-vjetori i vdekjes së shkrimtarit anglez, George Orwell.

Orëell, pa dyshim se do të mbahet në mend për  kryeveprat e tij si “1984” dhe “Ferma e kafshëve”, pa lënë anash autobiografinë “Rruga për në skelën Uigan”.

Dhe këto janë tri thënie nga librat më të njohur të tij, të përzgjedhur nga Libraria Buzuku.

“Jetojmë në një botë ku kurrkush nuk është i lirë, ku vështirë të ketë ndokënd që të jetë i sigurt, ku nuk është aspak e mundur të jesh i ndershëm dhe të mbetesh gjallë.” (Rruga për në skelën Uigan)

“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen: kush kontrollon të tashmen, kontrollon edhe të shkuarën.” (1984)

“Të gjitha kafshët janë të barabarta por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.” (Ferma e kafshëve)./ KultPlus.com