Oliver Anthony: Të majtët keqkuptuan fjalët e mia

Ylli i hitit viral, “Rich Men North of Richmond” që katapultoi në vendin e parë në toplistën kryesore amerikane, Oliver Anthony, ka thënë që e majta amerikane ia ka keqkuptuar fjalët.

Ai tash e ka kritikuar edhe të djathtën, edhe të majtën, duke thënë që po e “armëzojnë” këngën e tij, teksa e ka qartësuar që bindjet e tij janë ato të qendrës.

“E urrej kur e shoh atë këngë teksa armëzohet, e shoh të djathtën duke provuar që të më karakterizojë sikur jam njëri prej tyre. Dhe e shoh të majtën që provon të më diskreditojë, po ma merr mendja si hakmarrje. Një gjë e tillë duhet të ndalet”, ka thënë Anthony./KlanKosova/KultPlus.com

65 vjet nga lindja e ‘Mbretit të popit’, Michael Jackson

Sot janë bërë 65 vite nga lindja e legjendës së muzikës pop, Michael Jackson, shkruan KultPlus.

Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan.

I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com

TË FUNDIT

Dita Botërore kundër testeve bërthamore

29 gushti do të shënojë Ditën Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore – një ditë që bën thirrje për një ndërprerje globale të testimeve bërthamore.

Kjo datë është zgjedhur pasi është 50-vjetori i testit të parë bërthamor të kryer nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit, më shumë se 1000 teste bërthamore janë kryer në mbarë botën.

Këto teste kanë pasur pasoja shkatërruese jo vetëm për ata që jetojnë pranë vendeve të testimit bërthamor, por edhe për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Testimi bërthamor është një aktivitet i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm që duhet të ndërpritet sa më shpejt të jetë e mundur.

Dita Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore është një kujtesë e rëndësishme e rreziqeve që sjell testimi bërthamor dhe pse duhet të ndalet.

Në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2 dhjetor 2009, miratimi unanim i rezolutës 64/35 e shpalli 29 gushtin si Ditën Ndërkombëtare Kundër Testeve Bërthamore.

Thelbi i rezolutës ishte se “duhet bërë çdo përpjekje për t’i dhënë fund testeve bërthamore në mënyrë që të shmangen efektet shkatërruese dhe të dëmshme në jetën dhe shëndetin e njerëzve” dhe se “fundi i testeve bërthamore është një nga mjetet kryesore për arritjen e synimit të një bote pa armë bërthamore”.

Nisja për këtë ditë u bë nga Republika e Kazakistanit, duke zgjedhur 29 gushtin si datën e respektimit për t’u lidhur me mbylljen e zonës së testit bërthamor të Semipalatinsk në të njëjtën datë në 1991.

Historia e një filmi të pavdekshëm dhe e dy të dashuruarve

Një thënie fanceze thotë se gjithçka kalon, gjithçka ndryshon, gjithçka harrohet, gjithçka zëvendësohet… Por nuk është e sigurt

Nëse ju keni nevojë për një aktore suedeze që flet shumë mirë anglisht, që nuk e ka harruar gjermanishten e saj, që nuk kuptohet shumë mirë në frëngjisht dhe që në italisht di vetëm të dua, jam gati të bëj një film me ju”. Nënshkruar nga Ingrid Bergman.

Roberto Rossellini përfundoi së lexuari letrën e datës 1950 dhe mbeti i mahnitur. Ishte 44 vjeç, i martuar me italianen Marcella de Marchis me të cilën kishte 2 fëmijë, ishte dashnor i asaj force natyrore të quajtur Ana Magnani dhe që nuk ishte e vetmja e koleksionit të tij. Por bukuria e Bergmanit dhe përkufizimi i Federiko Felinit (është sikur Shën Mëria të ketë zbritur në Disneyland) ishin tundime të mëdha.

Nga ana tjetër Rossellini ishte një nga etërit e mrekullisë që u quajt neorealizmi italian; kinemaja pas lufte, kundërpeshë e fashizmit mbytës, art i varfër në një vend të shkatërruar dhe regjisori… kronologjikisht i konsideruar një film i jashtëzakonshëm i asaj rryme: “Roma, qyteti i hapur” i vitit 1945.

Një histori sa e vërtetë aq edhe e trishtë. Ngjarjet vendosen në Romë nga viti 1943 dhe 1944, ende nën regjimin fashist dhe është ngjarja reale e një prifti, Luigi Morosini-it i torturuar dhe vdekur gjatë pushtimit nazist për të mbrojtur partizanët dhe inxhinierit komunist, Giorgio Manfredi. Pika kulmore dhe skena e përjetshme e ngulitur në kujtesë si shkalla e Odesës tek filmi “Potemkini i blinduar”: Pina, një fshatare dhe e dashura e një tipografi, i cili lufton me Rezistencën dhe që burgoset, vrapon e dëshpëruar pas kamionit, por një plumb mitralozi e godet dhe ajo vdes para djalit të saj. Ato çaste kinemaje, ajo grua e papërsëritshme (Ana Magnani), ajo rrugë me të vetmin fat – vdekjen, dhe vetmia e atij fëmije, janë momente të paharrueshme dhe që përbëjnë gjenialitetin e kinemasë italiane, e cila u shtri që nga këta filma origjinalë, kurajozë, ideologjikë plot me mesazhe dhe me fitime të pakta deri në vdekjen e Federiko Felinit, Ettore Scola-s, Mario Monicelli-it. Kinema që nuk u harrua dhe një jehonë e denjë e filmit “Cinema Paradiso” e Giuseppe Tornatore-s. “Roma, citta aperta” lindi pa para, vetëm me dy aktorë profesionistë (Aldo Fabrizi dhe Magnani) dhe mes katër skenaristëve, ku u skicua një e ardhme e përgjakur, ishte ai, Federiko Felini që i përket mbinjeriut.

Kthehemi tek dashnorët tanë…

Borgjezi, jo shumë i pashëm dhe heroina e Kazablankës ranë në rrjetën e dashurisë ose më mirë e thurën atë. Piknik për paparacët, shtypi, anatemimi i hipokrizisë amerikane. Besojeni ose jo, në 14 mars të 1950 Dhoma e Lartë e Kongresit Amerikan nga goja e senatorit demokrat, Edwin Johnson kërkoi masa ligjore që të ndalonin daljen e filmit “Stromboli”, sepse në jetën reale protagonistja ndërmori një sulm kundër institucionit të martesës. Zonja Bergman është një ndikim i keq për virtytet morale amerikane. Nëse kishte një botë ku tradhtia, orgjitë, dashuritë klandestine, divorcet, alkooli dhe drogat përcaktonin fabrikën kolosale ai ishte Hollywood-i.

Rossellini dhe Ingrid edhe pse shkelëskurore; ajo ishte e martuar me dentistin suedez Petter Lindström me të cilin kishte një vajzë, Pia, por ishin …europianë. Ata u martuan, patën tre fëmijë: Robertinon dhe binjaket Issota dhe Isabella dhe gjithçka përfundoi alla italiane. Gjatë një fundjave romantike në Amalfi ajo i përgatiti spageti me salcë domatesh dhe djathë parmixhan të grirë dhe ia hodhi mbi kokën e këtij burri, këtij borgjezi roman, gjeniut që realizoi 40 filma dhe 20 seri në televizion, derisa kanceri e mori nga kjo botë në moshën 71 vjeçare. Fundi i romancës…

Ingrid Bergman vdiq shumë e re, në moshën 67 vjeçare.

Një dekadë më vonë Kongresi Amerikan nga goja e senatorit Charles Percy lexoi një fjalim shfajësimi: “Sot dua të bëj një homazh që prej kohësh ia kemi borxh Ingrid Bergmanit, një ylli të vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Zonja Bergman jo vetëm që është e mirëpritur në Amerikë, por jemi thellësisht të nderuar nga vizita e saj!” Ajo u përgjigj: “I dashur Senator Percy, lufta ime me Amerikën ka mbaruar prej kohësh. Megjithatë plagët mbeten. Sot falë gjestit shumë të sjellshëm dhe bujar të fjalimit tuaj në Senat janë shëruar përgjithmonë”. Gjithçka mbeti mbrapa. Dashnorët e ndaluar kishin vdekur…

Skandalet seksuale të Hollywood-it janë shtuar dhe vazhdojnë të shtohen pa frena dhe pa dënime, por në errësirën e një salle kinemaje, ose në shtëpi, ose në internet ose në CD, “Roma qyteti i hapur” vazhdon e mbetet e gjallë, e përvuajtur me Magnanin e vdekur nga një plumb mitralozi dhe me fëmijën duke e parë me sy të tmerruar… Një thënie fanceze thotë se gjithçka kalon, gjithçka ndryshon, gjithçka harrohet, gjithçka zëvendësohet… Por nuk është e sigurt. / scoopnest.com – bota.al/ KultPlus.com

Le Figaro: Një vend, dy mundësi, Shqipëria kundër rrymës

Media prestigjoze franceze “Le Figaro” publikoi sot një shkrim në të cilin e cilëson Shqipërinë si një destinacion i kësaj vere.

Një vend, dy mundësi: Shqipëria kundër rrymës

I çliruar nga këmisha e tij staliniste, vendi i shqiponjave rishfaqet pa e humbur shpirtin. Nga mbetjet e lashta të qyteteve mijëravjeçare e deri te hapësirat e ruajtura natyrore, është një parantezë ideale për një pushim ku nuk ka shumë njerëz. Rekomandimet tona.

Qytetet osmane dhe bregdeti i Jonit

Të përshkosh Shqipërinë nga veriu në jug është premtimi për të jetuar një mësim historie të gjallë. Tirana, kryeqyteti i saj, rezervon shumë. Konstatojme se stalinizmi nuk është gjithmonë një arkitekt aq i keq sa e mendojmë. Sheshi  Skënderbej, frymëzimi është më tepër musolinian, por xhamia e Namazgjahut dhe Kulla e Sahatit aty pranë janë pjesë e mrekullive osmane të trashëguara nga fillimi i shekullit të 19-të. Ky udhëtim prej 400 kilometrash do t’i çojë më tej  udhëtarët në Berat, “qyteti i një mbi një dritareve”, i përfshirë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Në kështjellën mesjetare ose në kthesën e një rrugice, ofrojini vetes këtu një zhytje në epokën e artë të Ballkanit piktoresk. Më pas vjen zbulimi i Gjirokastrës, e cila, pavarësisht peripecive të historisë, e ka ruajtur thuajse të paprekur hijeshinë e saj osmane. Një muze i jashtëzakonshëm Etnografik dhe tarraca të këndshme me hije gjenden në qytetin e lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadare dhe Enver Hoxhës. Për të vënë veten në vendin e një tregtari të begatë, ju i ulni valixhet në një rezidencë të shekullit të 17-të ku përzihen trashëgimia turke dhe ajo shqiptare. Me një udhëtim me gomone nga Saranda, një vendpushim bregdetar në Rivierën Shqiptare, udhëtimi përfundon me këmbët në ujë në ishujt më të bukur të Jonit: Korfuz.

 Udhëtim me makinë në brendësi të vendit

Kjo tokë e panjohur ka ruajtur ngjyra që nuk gjenden më askund. Pasi të merrni një makinë në dalje të aeroportit të Tiranës, drejtohuni në lindje drejt Liqenit të Ohrit, në kufi me Maqedoninë. Menjëherë do te mbeteni te mahnitur perpara këtyre ujërave te bruzta, në të cilat njeriu përmbahet të mos zhysë kokën së pari. I klasifikuar pasuri e botes nga Unesco për thellësinë e tij (deri në 288 metra) dhe për pasurinë e florës dhe faunës së tij në brigje, prej ketij liqeni jetojnë shumë fshatra peshkataresh si Lini piktoresk, pa dalje në det në gadishullin e tij. Në Rehovë, një qytezë me shtëpi prej guri, njëqind kilometra më në jug, udhëtarët mund të zhyten në jetën e vendasve me mikpritjen e tyre jo të shtirur duke mësuar se si të përgatisin byrekun tradicional.

Pas një ndalese të shkurtër në ujërat termale të Bënjës, përfitimet e të cilave nuk ka më nevojë të vërtetohen, shtrirja e gjelbërimit të Parkut Kombëtar të Llogarasë ju lë pa frymë. Një shëtitje 45 minutëshe në kreshtën e Gadishullit të Karaburunit ofron një pamje që zhytet në blunë qiellore të detit Jon. Të rrallë janë ata që do të arrijnë të shohin një çakall apo një rrëqebull, roje të natyrës së egër të këtyre maleve, por të gjithë do të kthehen me bebëzat e mbushur me panorama me nuanca të habitshme.

Viti 1916, fotografia e fundit e Isa Boletinit para se të vritej (FOTO)

Kjo është një fotografi e rrallë dhe mbase e fundit e heroit të kombit, Isa Boletini e bërë në shkurtë të vitit 1916.

Ai është fotografuar së bashku me publicistin austriak, i cili kishte qenë edhe një mik i shqiptarëve, Leo Freundlich, pak ditë para se të vritej nga malazezët.

Kjo foto është publikuar në gazetën nga Viena, “IW”. / KultPlus.com

Eh, nuk është lehtë t’i thuhet Kosovës “jam biri yt”

Nga Atdhe Hykolli

Ali Podrimja “Unë biri yt Kosovë”:

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.

A thua çka e shtyu Ali Podrimjen të shkruaj poezinë “Unë biri yt Kosovë”?

A thua për të shprehë ndjenjën e thellë të lidhjes dhe përkushtimit ndaj Kosovës?

Apo për të përshkruar një lidhje të ngushtë në mes vetvetes dhe vendit të tij, duke theksuar se ai është “biri yt, Kosovë.” ?

A thua që të shprehë përmes fjalëve të poezisë, se e ka njohur historinë dhe trashëgiminë e Kosovës, duke përfshirë vuajtjet dhe gëzimet e saj?

A thua për të treguar se ai njeh thellësisht Kosovën, duke e parë edhe në ëndrrat dhe erërat e heshtura?

A thua për të treguar se ai ka njohur vuajtjet dhe vdekjet që Kosova ka përjetuar, por që gjithashtu ka parë edhe lindjet dhe çaqet e saj të kulluara?

A thua për të na treguar se ai ndihet si një pjesë e gjakut dhe dallgës së Kosovës, dhe është gati të shpërthejë si një vullkan për këtë vend të tij të dashur?

A thua për të na falë poezinë “Unë biri yt Kosovë” e cila shpreh një ndjenjë të fortë identiteti kombëtar dhe përkushtimi ndaj Kosovës, dhe është një kujtim i bukur për poetin Ali Podrimja dhe ndjenjat e tij për vendin e tij të lindjes?

Po të ishte sot gjallë poeti a thua si do t’i fliste Kosovës së tij dhe Kosovës sonë, dhe a do të ishte poeti i saj dhe poeti ynë?

Eh, nuk është lehtë t’i thuhet Kosovës “jam biri yt”!?!?! / KultPlus.com

Shtëpia botuese “Dukagjini” anëtarësohet në rrjetin EEPG

Shtëpia botuese “Dukagjini” bëhet anëtare e plotë e rrjetit EEPG – (European Educational Publishers Group), Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim.

“Dukagjini” jo vetëm që është shtëpia botuese e vetme nga Kosova që ka arritur të anëtarësohet, por, njëherësh, është edhe botuesja e vetme e teksteve në gjuhën shqipe në këtë rrjet.

 Qëllimi i EEPG-ut, anëtare të të cilit janë shtëpitë botuese kryesore në arsim nga shumica e vendeve evropiane, është që ta vazhdojë më tej zhvillimin e teksteve dhe materialeve cilësore  për mësimdhënie në shkolla gjithandej Evropës. Përmes hulumtimeve, monitorimit dhe shkëmbimit të informatave ndërmjet shtëpive botuese, “Dukagjini” do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në përvojat më të mira evropiane. Kjo përvojë do të transmetohet edhe te nxënësit dhe arsimtarët që i përdorin tekstet e “Dukagjinit”.

Shtëpia botuese “Dukagjini” mbetet e përkushtuar që ta avancojë arsimin në Kosovë dhe të ndërtojë bashkëpunime të suksesshme vendore e ndërkombëtare që ta bëjë lehtësisht të mundshëm këtë avancim. / KultPlus.com

Ishulli i qetësisë, aty ku makinat janë të ndaluara dhe koha ndalon

Ishulli grek Hidra në shikim të parë nuk duket ndryshe nga fqinjët e saj. Ashtu sikurse ishujt e tjerë në detin Egje, ka rrugë të bardha, aromë jasemini dhe pamje mahnitëse të ujërave blu përreth zonës.

Por, ajo që e veçon Hidrën nga ishujt e tjerë është mënyra e transportit tek banorët. Vendasit i kanë rezistuar zhurmës së borive, duke përqafuar tingullin e thundrave të kuajve, shkruan CNN.

Këtu, mungesa e makinave nuk është një dukuri e rastësishme, pasi automjetet mbahen qëllimisht larg. Kjo për shkak se ekziston një ligj vendas që ndalon operimin e mjeteve të motorizuara brenda ishullit, përveç automjeteve të zjarrfikësve si dhe ambulancave.

Kështu, 2,500 banorët e këtij ishulli grek shëtisin me mushka, gomarë dhe me kuaj të vegjël.

Derisa endesh nëpër shtigjet e çuditshme të Hidrës, është e zakonshme të shohësh vendasit që kryejnë punë e tyre të përditshme, duke lëvizur me kuaj.

Nga Kaminia, një fshat i qetë në vijën bregdetare jugore i stolisur me shtëpi tradicionale prej guri, në Mandraki i shtrirë në brigjet perëndimore të ishullit, i njohur për ujërat e pastra dhe atmosferën e qetë, ishulli është i ndërthurur me praninë e tyre.

“Hydra është një ishull që të kthen vërtet pas në kohë”, thotë Harriet Jarman, pronare e kompanisë së transportit me kuaj, “Harriet’s Hydra Horses”.

“I gjithë transporti në këtë ishull bëhet me kuaj ose mushka. Për shkak se nuk ka makina, jeta e të gjithëve është pak më e qetë”.

Pa makina

Lidhja e Jarman me ishullin Hidra filloi 24 vjet më parë kur nëna e saj e solli në ishull me pushime, duke çuar në një vendim për t’i ndryshuar jetën duke e bërë Hidrën shtëpinë e tyre të përhershme.

Një dekadë më vonë, gjatë krizës ekonomike të Greqisë, Jarman u përball me presionin për ta shitur kalin e saj të dashur, Chloe.

E vendosur për ta mbajtur me doemos, ajo vendosi të krijojë biznesin e saj të ecjes me kuaj, një sipërmarrje që jo vetëm arriti ta mbante kalin e saj, por ia bëri të mundur asaj të ndante dashurinë e saj për peizazhet e ishullit.

“U lodha me të gjithë ata që më thoshin ta shes kalin, pasi ishte shtrenjtë për ta mbajtur”, kujton ajo. “Mendova, në rregull, do t’u tregoj njerëzve arsyet pse dua të qëndroj në ishull”.

Ajo ka përsipër një grup prej 12 kuajsh, me turne udhërrëfyes nëpër shtigjet e ishullit të udhëhequr nga kalorës me përvojë.

Me këto shëtitje njerëzit mund të vizitojnë manastiret e shumta të çuditshme dhe plazhet piktoreske të Hidrës. Kalorësit mund të bëjnë edhe not freskues së bashku me kuajt.

Një trashëgimi e gdhendur në gjurmë thundrash

Vendimi për të përqafuar transportin tradicional me kuaj, përkon me trashëgiminë e pasur të ishullit dhe angazhimit për jetesë të qëndrueshme.

Gjatë shekujve 18 dhe 19, Hidra lulëzoi si një qendër detare me plot lëvizje. Por me ardhjen e shekullit të 20-të, duke sjellë transportin me motor në pjesën tjetër të Greqisë, rrugët e ngushta dhe të pjerrëta të ishullit, së bashku me terrenin shkëmbor, i bënë makinat jopraktike për t’u qarkulluar.

Dhe kështu banorët u kapën pas transportit të kuajve.

Me kalimin e kohës, kjo mënyrë transporti u rrënjos në kulturën dhe mënyrën e jetesës së Hidrës.

Gomarët dhe mushkat u bënë pjesë integrale e identitetit të ishullit dhe u përdorën për të transportuar mallra dhe materiale ndërtimi, përveç kësaj shërbyen edhe si mjet transporti nga njerëzit – një traditë që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Një parajsë artistike

Mungesa e makinave ka kontribuar në qetësinë e pamohueshme të ishullit, duke tërhequr krijues nga të gjitha anët, duke përfshirë aktoren e njohur italiane Sophia Loren, e cila ra në dashuri me Hidrën gjatë xhirimit të filmit “Boy on a Dolphin” në vitin 1957.

“Hidra ofron ngjyra të mrekullueshme, dritë të bukur dhe një atmosferë unike që ka frymëzuar shumë njerëz”, thotë stilistja e bizhuterive dhe vendasja, Elena Votsi.

E njohur për punën e saj që ndërthur mjeshtërinë tradicionale me estetikën moderne, Votsi merr frymëzim nga prejardhja e saj greke, si dhe nga natyra dhe gjeometria.

Edhe pse e lindur në Athinë, Votsi thotë se kalonte verën dhe pushimet në Hidra, kur vizitonte të atin.

Ajo thotë se mungesa e makinave e bën atë një vend magjik për të punuar dhe ka frymëzuar dizajnet e saj që në fillimet e karrierës së saj.

“Dielli, shkëmbinjtë dhe dallgët më kanë frymëzuar mua. Bukuria natyrore dhe veçantia e ishullit kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në procesin tim krijues”, tha Votsi.

Në vitin 2003, ajo u ftua të merrte pjesë në një konkurs për të ridizajnuar medaljen e Lojërave Olimpike Verore për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Me të marrë ftesën për të konkurruar, Votsi u drejtua për në shtëpinë e saj në Hidër. Ishulli, me sharmin e tij të pashprehur, shërbeu për të si një muzë, duke nxitur një udhëtim krijues që do të bënte për ta fituar këtë konkurs dhe bëri që emri i saj të futet në rekordet e ngjarjeve sportive më të njohura në botë.

Shumë artistë të famshëm kanë vizituar ose kanë jetuar në këtë ishull. Sharmi i ishullit ka tërhequr piktorët Brice Marden, Alexis Veroucas, Panagiotis Tetsis, Nikos Hadjikyriakos-Ghikas dhe John Craxton, si dhe autorin Henry Miller, secili duke gjetur frymëzim mes peizazheve të tij të qeta.

Kantautori kanadez Leonard Cohen e zbuloi Hidrën në vitet 1960 dhe e bëri shtëpi për disa vite. Koha e tij në Hidra është përjetësuar në këngën e tij “Bird on the Wire”, të cilën ai e shkroi pjesërisht kur jetonte atje.

“Hidra është një parajsë. Është një vend magjik për të punuar dhe një bekim që mund të vij këtu si artiste, siç kanë bërë shumë të tjerë para meje dhe do të vazhdojnë të bëjnë”, potencoi Votsi. / Syri.net / KultPlus.com

60 vjet pas fjalimit historik të Martin Luther King Jr

60 vjet pas fjalimit historik që Martin Luther King Jr mbajti në Marshimin në Uashington për Punë dhe Liri, ëndrra e tij vazhdon të jetë një punë në zhvillim e sipër.

Marshimi i vitit 1963 mblodhi bashkë më shumë se 250,000 vetë në kryeqytetin e vendit, të etur për t’i dhënë fund diskriminimit bazuar tek raca, feja, seksi apo origjina kombëtare. Shumë e vlerësojnë atë si një shfaqje të forcës që çoi me miratimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964.

Vizitorët në Uashington janë dakord se një pjesë e fjalimit të reverendit King, është bërë realitet, megjithatë shtojnë se disa prej aspiratave të tij mbeten të parealizuara.

72 vjeçarja Diane Miller ishte 12 vjeç kur nëna e saj e solli për të marrë pjesë në marshim me gjithë vëllezërit e motrat e saj. Ajo kujton se i kishte bërë përshtypje larmia e turmës.

“Të them të drejtën, ishte hera e parë që shihja një grup anglo-saksonësh dhe të bardhësh. Ishte hera e parë që kuptoja se nuk ishin të gjithë të bardhët kundër afrikano-amerikanëve. Kështuqë isha e gëzuar që merrja pjesë”, thotë ajo.

Zonja Miller e mban mend fjalimin përmendësh.

Zonja Miller thotë se kur reflekton për atë ditë, beson se shumë nga ato për të cilat foli referendi King janë realizuar, megjithatë …

“Sigurisht kemi ende vështirësi, përballemi me beteja. Ne vazhdojmë të përpiqemi që të integrohemi në një shoqëri që nuk na pranoi në fillim”, thotë ajo.

72 vjeçari Tommie Babbs, një këshilltar akademik në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Buffalo ka shërbyer më shumë se tre dekada në ushtri.

“Kishte shumë të bardhë në atë lëvizje, që ecën përkrah Dr. Kingut në marshim. Shumë të bardhë u vunë në shënjestër si ne, sakrifikuan. Pra, kjo ishte një lëvizje amerikane”, thotë ai.

Zoti Babbs mendon se një hap i madh përpara ishte ai i zgjedhjes për dy mandate të ish-presidentit Barack Obama.

“Kjo më bëri t’i besoja Amerikës, të besoja te Amerika, në idealin e saj”.

Cynthia Robbins, banore e Uashingtonit dhe avokate e të drejtave civile, thotë se e zgjodhi këtë profesion, sepse beson se “ëndrra e Martin Luther Kingut mund të bëhet realitet”.

“Gjëja më e rëndësishme e punës së Martin Luther Kingut sipas mendimit tim qëndron tek fakti që është një përpjekje e vazhdueshme, që duhet të ecim përpara, se nuk mund ta marrim drejtësinë si të mirëqenë, duhet ta shohim me seriozitet luftën për drejtësi. Është diçka për të cilën ne duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, duke parë rritjen e prirjeve të bardha supremaciste dhe atyre të urrejtjes. Ndonjëherë është e trishtueshme.”

Gjatë fundjavës, mijëra amerikanë marshuan për të përkujtuar 60-vjetorin e Marshimit në Uashington, në të cilën Martin Luther King Jr mbajti fjalimin e tij historik “Unë kam një ëndërr”.

Dhe sot në mbrëmje Presidenti Joe Biden mban një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë për të përkujtuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në historinë amerikane.

Ata që e kanë jetuar atë kohë dhe që reflektojnë mbi vlerën e mesazhit të atij fjalimi, që e vuri theksin tek bashkimi dhe jo tek ndasitë, shpresojnë sot që të rinjtë ta çojnë edhe më përpara ëndrrën e Martin Luther Kingut. /VOA / KultPlus.com

KultPlus shënon një dekadë, sjell ekspozitën kult me figurat ikonike të RTP-së

Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus do të shënojë përvjetorin e dhjetë të themelimit, ceremoni e cila do të shënohet me një ekspozitë kult me figurat ikonike të Radio Televizionit të Prishtinës, i cili vazhdon të mbetet pishtar i medieve në Kosovë.

Ekspozita, e titulluar “Shuni se lajmet”, është një rrëfenjë nostalgjie për kohën e lajmeve të RTP-së, një periudhë që i ka shoqëruar shumë prej nesh për vite të tëra. Me kujtimet që kthehen mbrapa në kohë, ekspozita do të sjellë përpara syve tuaj fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Këto figura të shquara kanë pasur ndikim të thellë në të folurën dhe informimin e komunitetit tonë.

Kuruar me kujdes nga Ardianë Pajaziti, drejtore e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, ekspozita “Shuni se lajmet” pothuajse është si një kuti e kujtimeve që na çon mbrapa në rrugëtimin e dhjetë vjetëve të KultPlus. Ky është një rrugëtim që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ky 10 vjetor është tejet i veçantë për ne andaj edhe kemi organizuar një event po aq të veçantë. Përmes ekspozitës “Shuni se lajmet” jemi duke sjellë përpara syve të publikut një kapitull të rrugëtimit të mediave kosovare. Ky kapitull ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si komuniteti ynë është informuar dhe ka ndjekur ngjarjet aktuale. Dhjetë vjet e kaluara janë një periudhë e madhe për KultPlus-in, me sfida dhe suksese të shumta në rrugëtimin për të promovuar artin dhe kulturën. Kjo ekspozitë shënon një fitore të re dhe një arritje të veçantë për mua dhe ekipin tim të përkushtuar”, shprehet Pajaziti.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk do të mungojë as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ne sjellim përpara jush një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.

KultPlus vazhdon me të njëjtën pasion dhe përkushtim për të promovuar artin dhe kulturën, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Ndaj, ju miqtë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, jeni të ftuar të na bashkoheni në këtë mbrëmje të veçantë, ku do të rikthejmë kujtime, festojmë arritjet dhe bashkëndajmë emocionet.

Le të jemi së bashku më darë 2 shtator, nga ora 19:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar një dekadë të dedikuar artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë. / KultPlus.com

Rita Ora për “Glamour Germany”: Pa gabime, ne nuk do të ishim njerëzit që jemi

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, së fundmi ka pozuar për kopertinën e revistës “Glamour Germany”.

Ajo ka folur për revistën gjermane mbi karrierën dhe jetën e saj, e cila tashmë është një libër më vete.

“Relativisht në fillim të karrierës së saj, Rita Ora planifikoi karrierën e saj profesionale së bashku me menaxherin e saj për 20 vitet e ardhshme. Ajo u tall nga shumë njerëz, ndoshta sepse nuk donte vetëm të qëndronte në korsinë e yjeve të pop-it si artiste. Sepse ajo refuzoi të futej vetëm në një kuti”, shkroi revista referuar artistes shqiptare dhe keqkuptimit të saj me shtëpinë diskografike Roc Nation.

Rita Ora (Foto: Germany Glamour)

“Për herë të parë në një kohë shumë të gjatë, jam vërtet e kënaqur që jetoj në të tashmen, në të tashmen”, tha Rita Ora.

“Kur mendoj për pesë vitet e ardhshme, shpresoj që ende të mund të punoj, të bëj muzikë, të aktroj dhe të moderoj”, tha tutje artistja shqiptare për ‘Glamour Germany’.

Interpretuesja e hitit “You Only Love Me” foli edhe për gabimet e bëra gjatë jetës, duke thënë se ato janë të pashmangshme gjatë mësimeve të jetës.

Rita Ora (Foto: Germany Glamour)

“Nuk ka rëndësi se kush jeni apo çfarë bëni – ne të gjithë e gjykojmë veten shumë ashpër kur bëjmë gabime”.

“Është e rëndësishme të kujtojmë se në fund të fundit ne të gjithë jemi thjesht qenie njerëzore që kemi fatin të mësojmë nga e kaluara dhe gabimet dhe të jemi në gjendje të bëjmë më mirë në të ardhmen. Pa gabime nuk do të ishim njerëzit që jemi sot”.

Sigurisht, tani është e qartë se gabimet janë pjesë e saj. Përshtypja me të cilën Rita Ora e formulon këtë, megjithatë, e bën të qartë fuqinë e vërtetë të gabimeve – nëse i pranoni ato dhe nxirrni përfundime. / KultPlus.com

Rita Ora (Foto: Germany Glamour)

Katër astronautët e Space X zbarkojnë në ISS

Katër astronautët e dërguar në hapësirë ​​më 26 gusht nga Space X, kompania e transportit hapësinor në pronësi të Elon Musk, raportohet se arritën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Sipas lajmit të CNN, kapsula “Crew Dragon”, e cila përfshin 4 astronautë për të kryer misionin “Crew-7” të Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës së SHBA-së (NASA), mbërriti në destinacionin e saj pas udhëtimit një ditor.

I udhëhequr nga Jasmin Moghbeli i NASA-s, ekipi i ri përfshinte danezin, Andreas Mogensen nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), Satoshi Furukawa nga Agjencia Japoneze e Kërkimit të Hapësirës Ajrore (JAXA) dhe kozmonauti Konstantin Borisov nga Agjencia Federale Ruse e Hapësirës (Roskosmos).

Do të duhen 5 ditë që skuadra shumëkombëshe të marrë përsipër detyrën nga astronautët “Crew-6”, të cilët kanë qenë në stacion për rreth 190 ditë që nga muaji mars.

Gjatë kohës që astronautët kalojnë në stacion, është planifikuar të hetohet rreziku i përhapjes së baktereve në misionet me njerëz, evakuimi me vakum i mikroorganizmave nga stacioni në hapësirë, metodat për të përmirësuar riciklimin e ujit të përdorur në stacion, dhe ndryshimi i valëve të trurit të astronautëve në një mjedis me gravitet të ulët teksa janë në gjumë.

Kapsula “Crew Dragon” u lëshua nga raketa Falcon 9 e Space X më 26 gusht nga Stacioni Hapësinor Kennedy në Florida, SHBA, në orën 03:27 të mëngjesit me orën lokale. / atsh / KultPlus.com

Dashuria e përhershme e Rita Orës për Kosovën, kur kërcente mrekullueshëm ‘Shotën’ (VIDEO)

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora ka pasur përherë një lidhje të veçantë me Kosovën, shkruan KultPlus.

Ora qyshmoti e kishte bërë me dije dashurinë për vendin prej ku kishte prejardhjen. Këtë ajo e dëshmoi që nga publikimi i këngës ‘Shine Ya Light’ me videoklip nëpër rrugët e Kosovës.

Ndërkaq një moment tejet i veçantë që ka ngelur në memorien e çdo shqiptari mbetet kërcimi fantastik i valles së Shotës nga Rita në koncertin e saj për Pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësimi me dinjitet i kulturës dhe traditave shqiptare nga artistët tonë në mërgim na bën të besojmë se ata janë ambasadorët më të mirë. / KultPlus.com

Ambasada Amerikane donacion për Gjimnazin “Ahmet Gashi”, Musmurati: Shtëpia mbahet më mirë me miq

Ambasada Amerikanë i ka dhuruar donacion Gjimnazit të shkencave shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë, donacion ky i cili do të shërbejë për të furnizuar shkollën me inventar.

Lajmin e mirë e ka bërë të ditur drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati e cila është shprehur se shtëpia mbahet më mirë me miq, duke ju referuar kështu amerikanëve.

Musmurati gjithashtu ka bërë me dije se vitin e ardhshëm, Gjimnazi do të ketë renovim të tërsishëm me financim nga Ambasada Amerikane.

“Sot e pranuam donacionin nga Ambasada Amerikane për të furnizuar me inventar shkollor Gjimnazi i shkencave shoqërore “Ahmet Gashi” – Prishtinë. Gjithashtu pranuam edhe lajmin e mirë që edhe renovimi i tërësishëm i objektit të shkollës do të fillojë vitin e ardhshëm, me financim të Ambasadës Amerikane. Mezi po e presim shtatorin”, shkruan Musmurati. / KultPlus.com

Talebanët izolojnë vajzat, nuk i lejojnë të shkollohen as jashtë

Vajzat vijojnë të jenë pre e ligjeve të forta nga ana e talebanëve që kur ata morën pushtetin pas largimit të amerikanëve. Tashmë, një vendim i ri synon t’i izolojë totalisht ato nga shkolla, edhe kur nuk ndodhen në vend.

Sipas mediave të huaja, femrat e talebanëve tashmë nuk do të lejohen as të udhëtojnë jashtë vendit dhe të shkollohen në vende të tjera.

Një vendim i ngjashëm ishte marrë dhe më herët në vend, ku shkollat u mbyllën për femrat në mbarë vendin.

Gjithashtu, vajzat nuk lejohen të dalin në publik vetëm, në parqe apo aktivitete të tjera që në vende të tjera publike do të ishin mjaft normale. / KultPlus.com

Festivali i Teatrove në Ferizaj, pikëtakimi mbarëkombëtar

Edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove të Ferizajt, kësaj here vjen në 150-vjetorin e themelimit të qytetit.

Shfaqjet që do të marrin pjesë në festivalin e Ferizajt janë kryesisht të teatrove mbarëshqiptare. Festivali u hap në teatrin “Adriana” Ferizaj me shfaqjen “Gënjeshtari” me autor Carlo Goldon dhe regji nga Ilir Bokshi.

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” përfaqësohet në këtë festival me  dramën shqiptare “Gadjo”, një dramë mbi racizmin e shkruar nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj me regji nga Blerta Neziraj dhe në role janë aktorë nga Shqipëria dhe Kosova.

Festivali që nisi më datë 27 gusht do të vijojë deri më 4 shtator./ KultPlus.com

Beci: Shërbime eko-turistike në Qendrën e Sporteve Ujore në Shirokë

Qendra e Sporteve Ujore dhe Kundrimit të Shpendëve e bën edhe më tërheqëse pikën turistike të Shirokës, në Shkodër.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo qendër, ndërsa theksoi se “këtë sezon veror është zgjeruar gama e shërbimeve eko-turistike që ofron kjo qendër, e ngritur 3 vite më parë pranë plazhit publik në Shirokë, falë bashkëpunimit mes bashkisë Shkodër, Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, shoqatës Well-Point dhe Drini Times me mbështetjen e fondeve të BE-së”.

“Ture me varka, kanoe dhe paddle boards në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna, për shëtitje, peshkim sportiv, kundrimin e shpendëve si dhe aktivitete edukuese dhe sportive për fëmijë dhe të rinj, përmes kampeve verore dhe ekskursioneve të ndryshme, pika e informacionit për turistët janë disa nga mundësitë, që u ofrohen nga kjo qendër pushuesve  dhe vizitorëve të Shirokës”, tha Beci.

Vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodrës, pasi lë Urën e Bunës dhe merr rrugën në të djathtë, të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta të Shkodrës, e vlerësuar si një prej bukurive mahnitëse të veriut buzë liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të Taraboshit.

Investimet e viteve të fundit i kanë ndryshuar faqen Shiroksës, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe moli për varkat lundruese.

Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku  jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët./ atsh / KultPlus.com

Një mbledhje komemorative për një yll si Xhevat Qorraj, për 76 vjet jetë realizoi 70-të role

Vjollca Duraku

Artist i madh, i rrallë, i jashtëzakonshëm, yll e personalitet i rrallë i skenës teatrore të Kosovës, si dhe intelektual janë disa nga epitetet me të cilat u cilësua aktori Xhevat Qorraj në mbledhjen komemorative, e cila u mbajt në kujtim të jetës dhe veprës të aktorit tashmë të ndjerë, shkruan KultPlus.

Në këtë mbledhje komemorative, e cila u mbajt në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në të cilën pati figura të shquara të teatrit, artit dhe kulturës në përgjithësi, ndër të tjera u tha se artisti Xhevat Qorraj ishte artist i rrallë, që përveç roleve, ka sjell një përvojë të thellë të shpirtit njerëzor.

Ceremonia komemorative filloi me një minutë heshtje, për të nderuar veprën e tij madhore në teatër dhe kinematografi,  ku në 76 vite jetë, arriti të realizojë  70 role, me një mjeshtëri të rrallë e të cilat patën ndikim të thellë në skenën teatrore. Disa prej të cilëve janë: Sokoli, Hani, Prifti, Habili, Lumi, Ali Pashë Gusia, Horaci, Xhemajl Kada, Gjergj Bardhi, e Rrahmani.

Aktorja Shëngyl Ismaili, e cila ishte edhe udhëheqëse e kësaj ceremonie tha se vepra dhe kontributi i madh i Xhevat Qorrajt, do të mbetet përherë pranë nesh.

“Me një pasion të jashtëzakonshëm, dhe një ndikim të thellë në skenën teatrore mbi 70 role të ndryshme në teatër dhe kinematografi. Ai na la në moshën 76 vjeçare, por vepra dhe kontributi i tij i madh do të jetë përherë pranë nesh”, ka thënë Ismaili.

Ai kishte lindur në vitin 1947 në Carrabreg të Deçanit, ku pas angazhimeve të shumta në fushën e teatrit, kinematografisë dhe televizionit ka vendosur rrënjët e talentit të tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që nga viti 1972 që në atë kohë quhej Teatri Popullor Krahinor.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, aktorin Xhevat Qorraj e quajti yll të skenës teatrore, emri i së cilit do të mbetet burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme që do të ndjekin rrugën e artit dhe të pasionit të vërtetë.

“Me një figurë të veçantë, talent e përkushtim të jashtëzakonshëm, Xhevat Qorraj la një ndikim të thellë në skenën teatrore dhe ka fituar respektin e kolegëve dhe gjithë publikut. Përmes angazhimit të tij për të promovuar vlerat e artit dhe edukatës ai ka ndikuar në ndërgjegjen kulturore e të gjithë shoqërisë sonë. Emri i tij do të mbetet burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme që ndjekin rrugën e artit dhe të pasionit të vërtetë”, ka thënë Ministri Çeku.

Ministri Çeku po ashtu tha se Qorraj ishte anëtar i gjeneratës së parë të aktorëve të Kosovë, dhe njëkohësisht emër i njohur dhe i respektuar nga të gjithë.

“Xhevat Qorraj, shkëlqeu si një yll i skenës teatrore. Kontributi i tij i veçantë për artin dhe kulturën e Kosovës ka bërë që emri i tij të mbetet një shembull frymëzues për të ardhmen tonë. Xhevat Qorraj, anëtar i gjeneratës së parë të aktorëve të Kosovës është një emër i njohur dhe i respektuar nga të gjithë ata që që e kanë pasur kënaqësinë të përjetojnë veprat e tij. Ndërsa karriera e tij e gjatë dhe e pasur, ka përfshirë dhjetëra role në shfaqjet teatrore të shumta, po aq sa edhe rolet që i kemi përcjell përmes ekranit”, ka thënë Ministri Çeku.

Me një fjalë rasti, edhe djali i aktorit  Xhevat Qorraj, Luan Qorraj i falënderoi të gjithë të pranishmit që me prezencë kishin nderuar aktorin dhe familjen e tij, i cili duke e theksuar figurën e madhe të tij tha se kush nuk ka arritur ta njohë personalisht, besoj që e ka parasysh se çfarë ka humbur.

“Së pari i falënderoj Ministrinë, Teatrin, që kanë arritur për një kohë kaq të shkurtër të organizojnë këtë akademi dhe ta nderojnë Xhevatin. Gjithashtu falënderoj edhe familjarët dhe njerëzit që kanë gjetur kohë për të ardhur. Për të edhe mundet me u fol shumë,  dhe përsëri mos me u thënë asgjë. Kush e ka njohur, ose përmes punës ose personalisht e di për çfarë e kam fjalën. Kush nuk e ka njoftë, besoj e ka kuptuar se çfarë ka humbur. Ju faleminderit”, ka thënë Luan Qorraj.

Ndërsa regjisori Fdil Hysaj, i cili kishte qenë edhe student i aktorit Qorraj, ka thënë se Xhevat Qorraj ka qenë njeri i lirë i gjithë përmasave të tij, i cili ka dhënë kontributin e tij edhe në kohën e regjimit serb.

“Pavarësia e një intelektuali është ajo që regjimin e sfidon dhe e bën mos me u ndi rehat, sepse më vonë ato bëhen modele që mbijetojnë, do të thotë bërthama rebelimi filmash, bërthama e mendimit të lirë. Jeta e tij është skena, dhe vërtetë për të gjithë ata që e njohin, ka qenë një personalitet, një njeri i lirë i gjithë përmasave të tij. Asgjë patetitke nuk ka pasur në jetën e tij, e as në sjelljen e tij. Ka pasur një qasje ironike të madhe deri në ekstrem. Ka pasur një humor inteligjent deri në finesë që ka ditur si t’i qaset gjithësecilit. Nuk ka ditur t’i hidhërohet askujt dhe askush s’ju ka hidhëru atij. Ka ditur të bëj humor për të gjitha gjërat e mëdha, duke i zvogëluar deri në atë masë, që me na u duk vërtetë që paskemi qenë në një nivel patetik të trajtimit”, ka thënë profesori Hysaj.

Më tutje ai ka thënë se Xhevat Qorraj dhe kolegët e tij artistë të mëdhenj të asaj kohe, me punën dhe pasionin e tyre kanë bërë që Kosova të jetë e barabartë  me shtetet tjera në ish federatën Jugosllave.

“Sa vështirë është me qenë personalitet, një figurë e madhe kulturore, sikur ka qenë artisti Xhevat Qorraj, sikur kanë qenë plotë e gjithë artistësh të mëdhenj, që Kosovën e kanë bërë për tu ndier e barabartë në ish-federatën e fuqishme në atë kohë të Ish-Jugosllavisë”, ka thënë Hysaj.

Fjala më pasi i takoi udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, i cili tha se tha se krijimtaria e tij artistike që ka lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve, me fuqinë e tij të fjalës dhe prezencën e tij ikonike në skenë.

“Xhevat Qorraj është figurë që e njohim dhe e admirojmë të gjithë, e të gjithë këta janë dashamirë të artit teatror. Figurë shumë karizmatike, fjalëpak dhe siç e kam dëgjuar shumë prej kolegëve të tij që heshtja e tij në skenë fliste më shumë se 1000 fjalë. Fuqia e fjalës, prezenca ikonike e tij në skenë ka lënë gjurmë të veçantë në artin teatror dhe kulturën kombëtare. Xhevat Qorraj ka shënuar një udhë të mrekullueshme artistike që ka lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve”, ka thënë Mehmeti.

Ndërsa kolegu dhe shoku i të ndjerit, Xhevat Qorraj, Selman Lokaj ka recituar një poezi në nderim të mikut të tij, duke ndarë edhe kujtime nga karriera e tyre e përbashkët.

“Xhevati ka arrit të jetë artist i madh për arsye se që nga fëmijëria e ka pasur bazën e zhvillimit të të artit në shoqëri jo vetëm të skenës dhe kulturës para se me ardhë në teatër, e ka njohur mirë historinë e artit që nga antika e deri sot.

Meqë kemi qenë shumë të afërt, të afërt si shokë e kemi dëgjuar njëri-tjetrin për çdo gjë që na është dashur me luajtur në skenë. Me të kam luajtur pothuajse 80% të programit të teatrit dhe filmit kosovar.  Çdo gjë që është dashur ia kemi thënë njëri tjetrit, e kemi korrigjuar njëri-tjetrin, kritiku njëri tjetrin dhe dua të them se në periudhën më të vështirë”, ka thënë Lokaj.

Aktori i gjeneratës së parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Xhevat Qorraj vdiq më 23 gusht./KultPlus.com

‘Unë, biri yt, Kosovë’ nga Ali Podrimja

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.KultPlus.com

Meyer, gjuhëtari që provoi se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot gjuhëtarin gjerman, studiuesi i gjuhëve indoevropiane Gustav Meyer, një nga albanologët më të rëndësishëm të kohës së tij, i cili provoi se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane.

Në nder të kontributit të tij për albanologjinë, një shkollë në Tiranë mban emrin e tij. Meyer çmohet si gjuhëtari që provoi se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane dhe njihet për korrespondencën e gjatë me Jeronim de Radën.

Lindi në Groß Strehlitz në provincën prusiane të Silezisë (sot Strzelce Opolskie në Poloni). Më 1867 u regjistrua në Universitetin e Breslau (sot Universiteti i Wrocław) për të studiuar filologji klasike, gjuhët indoevropiane, greqishten moderne dhe sanskritishten. Aty u ndikua nga filologët Martin Hertz dhe Adolf Friedrich Stenzler. Më 1871 u emërua ndihmësprofesor në Universitetin e Göttingen, dhe një vit më vonë profesor i gjuhëve të lashta po aty.

Më 1877 u emërua profesor i sanskritishtes dhe gjuhësisë së krahasuar tek Universiteti i Gracit, ku vijoi studimet në greqishten e lashtë, turqishten dhe shqipen dhe botoi studimin e tij “Kontribute mbi teorinë e fjalëformimit në greqisht dhe latinisht” (1872). Atje u përqendrua rreth albanologjisë dhe botoi një sërë veprash, si: “Albanesische Studien, I” (1882); “Etymologisches Ëörterbuch der albanesischen Sprache”, (1891); “Kurzgefasste albanesische Grammatik”, (1888) etj.

Albanologu gjerman u nda nga jeta më 28 gusht 1900./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani në Austri, diskuton me të rinjtë për rrugën e Kosovës drejt pavarësisë

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një diskutim me të rinjtë nga e mbarë bota.

Ky diskutim u bë në margjinat e edicionit të sivjetëm të Forumit Evropian “Alpbach 2023” që po mbahet në Austri, transmeton Klankosova.tv.

“Një diskutim i gjallë dhe tërheqës këtë mëngjes me të rinj nga e gjithë bota në #EFA2023!. Biseduam për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë dhe përpjekjet tona sot si një demokraci e lulëzuar e përkushtuar ndaj integrimeve euroatlantike”, shkruan ajo në rrjetet sociale./KlanKosova/KultPlus.com

‘Shkodra Jazz Festival 2023’ ul siparin me koncertin e muzikantëve të rinj nga vende te ndryshme të botës

“Shkodra Jazz Festival 2023” ka përfunduar me koncertin e “Scanderbeg Chamber Orchestra”, formacion muzikor i themeluar që në vitin 1996, nga violinisti, i ndjeri Rrok Jakaj, në nderim të të cilit zhvillohet prej 14 vitesh Shkodra Jazz Festival.

Koncerti përmbyllës, në sheshin para Bashkisë, ishte rezultat i bashkëpunimit të muzikantëve të rinj shqiptarë, italianë, rumunë dhe kolumbianë, pjesëmarrës në, Scanderbeg Chamber Orchestra, nën drejtimin e maestro Paçalin Pavaci, artistit shkodran me një karrierë të sukseshme kryesisht në Itali dhe Spanjë.

“Shkodra Jazz Festival 2023”, organizuar nga Shoqata Kulturore “Rrok Jakaj”, me mbështetjen e Bashkisë dhe partnerëve të tjerë, për tri javë me radhë e bëri Shkodrën edhe më tërheqëse në këtë periudhë të sezonit turistik./atsh/KultPlus.com

Sezoni artistik në TKOB çel siparin me ‘Zemërimi i Zotave’

Koncerti simfonik “Zemërimi i Zotave” do të çelë sezonin artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti  i Orkestrës Simfonike të TKOB, ku janë të ftuar dhe artistë të huaj do të zhvillohet mbrëmjen e datës 2 shtator me dirigjent maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Koncerti i parë që çel këtë sezon artistik shtator-dhjetor 2023, siç shprehet drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Abigeila Voshtina është një premierë për të gjithë adhuruesit e muzikës simfonike.

”Zotat” e muzikës simfonike do të shfaqin zemërimin e tyre në TKOB! Sezoni artistik shtator-dhjetor 2023 do të çelë siparin me koncertin simfonik “Zemërimi i Zotave”, i sjellë si një premierë e padiskutueshme për të gjithë adhuruesit e muzikës simfonike”, shprehet drejtoresha Voshtina në rrjete sociale për këtë koncert që do të zhvillohet pas disa ditësh. Përballja e “Rapsodisë mbi një temë të Paganini-t”, nga kompozitori S. Rachmaninoff, dhe e Simfonisë nr. 1 “Titan” të G. Mahler-it, sjellë mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, do të përfshijë publikun në një udhëtim emocional nën interpretimin që padiskutim është shfaqje më vete- e maestros, Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Po në këtë koncert drejtoresha Voshtina shprehet në rrjete sociale se merr pjesë dhe pianisti Giuseppe Albanese. “Dhe për kënaqësinë e miqve tanë të TKOB-së, virtuozi italian në piano, Giuseppe Albanese, do të dhurojë një performancë të paharrueshme, përmes tasteve bardhezi, me meloditë mahnitëse të “Zotave””, shprehet Voshtina, që sipas saj do të jetë një mbrëmje, që nuk duhet humbur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

 Sezoni janar-qershor

Përgjatë sezonit artistik janar-qershor këtë vit, 83 vepra janë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për artdashës shqiptarë e të huaj, ndër to 36 premiera, të sjellë për herë të parë në Shqipëri dhe 47 vepra të rivëna.

Në dhjetor të vitit 2022, drejtoresha e përgjithshme Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kalendarit artistik për këtë vit u shpreh se përmban një program me synim rritjen e cilësisë artistike. Drejtoresha Voshtina tha gjithashtu se TKOB i bashkohet dhe institucioneve të tjerë në botë në shpalljen e vitit 2023 si “viti Verdian”, ku nuk do të mungonin dhe kryeveprat e këtij autori.

Sezoni artistik shtator-dhjetor 2023 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të çelë siparin me koncertin simfonik “Zemërimi i Zotave”, por në vijim priten të jenë në skenë dhe shfaqje dhe koncerte të tjera për publikun. Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë vijuar dhe gjatë sezonit të verës me koncerte të ndryshme për publikun, si pjesë e kalendarit turistik./Konica.al/KultPlus.com