Erich Maria Remarque: Kam nevojë për një njeri që të çmendet pas meje, të lajthitë bashkë me mua

Fragment nga Harku i Triumfit

Ti… Ti ishte gjithmonë aq i sigurt! Ishe aq i sigurt, sa më vinte të shkalloja! Asgjë s’mund të të shkundte nga ajo siguri!…E urrej atë epërsinë tënde! Sa herë jam pushtuar nga ajo urretje për të!… Unë kam nevojë për entuziazëm! Kam nevojë për një njeri që të çmendet pas meje, të lajthitë bashkë me mua!

Më duhet një njeri që s’bën dot pa mua! Kurse ti mund të jetosh edhe pa mua! Gjithmonë ke mundur! S’ma ke nevojën! Je i ftohtë! Je i zbrazët! Ku di ti ç’është dashuria! Kurrë s’ke qenë për mua ai që duhej të ishe!… Të pata gënjyer atëherë kur të thashë që kjo punë ndodhi kështu sepse mungove dy muaj. Kështu do të ndodhte edhe sikur të kishe mbetur këtu. 

Mos m’i zbardh dhëmbët! Unë jam e zonja t’i dallojë ndryshimet, i di të gjitha; e di që ai tjetri nuk është i zgjuar dhe nuk është kështu si ti, por ai bënë çmos për mua, ngordh për mua, për të s’ekziston asgjë përveç meje; ai e ka mendjen vetëm tek unë, nuk do njeri tjetër përveç meje, nuk njeh tjetër përveç pushtetit tim… Ja, për këtë kam nevojë unë! /KultPlus.com

“Financial Time” zbulon majat e maleve ku vendasit i kthyen stanet në vatra mikpritjeje

Kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale ka ndarë me ndjekësit e tij shkrimin e publikuar nga “Financial Time”, ku në fokus është Shqipëria turistike.

Rama thekson se këtë herë gjigandi mediatik ka zbuluar për lexuesit e saj, majat më të larta të maleve, aty ku vendasit i kanë kthyer stanet e tyre, në oaze të mikpritjes.

“Gjiganti mediatik “Financial Times” rikthehet sërish në Shqipërinë Turistike, këtë herë për ta zbuluar në majat më të larta të maleve aty ku vendasit i kanë kthyer shtëpitë e stanet në vatra mikpritjeje, për t’u ofruar atyre që vijnë jo thjesht një shërbim, por shpirtin e këtyre tokave e sofrave”, shkruan Rama.

Peizazhet e egra e të rrëmujshme të Shqipërisë u izoluan nga bota gjatë një epoke 46-vjeçare komuniste, kur ata që udhëtonin drejt Korfuzit mund të shihnin vetëm brigjet e saj të errëta dhe të habiteshin, shkruan Camilla Bell-Davies në një artikull për “The Financial Times”./ KultPlus.com

Gjon Shllaku: Me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë, ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët

Bisedë me helenistin dhe latinistin Gjon Shllaku (1923-2003)
Bisedoi: Shpëtim Kelmendi
Realizuar më 2000, botuar te “Fjala” më 2003

Shpëtim Kelmendi: Dimë që jeni lindë në vitin 1923. Po data e saktë, cila asht?
Gjon Shllaku:
 Jam lindë më 24 mars të vitit 1923, në kohën e Pashkëve. Ka qenë e enjtja e madhe, paçka se në letërnjoftim daton dhjetor, 1922.

Shpëtim Kelmendi: Cilat janë rrethanat që kanë mundësue lindjen e pasionit për përkthimin?
Gjon Shllaku:
 Fillimisht më duhet t’ju them se kam pasë fatin e madh me studiue për prift. Unë kam qenë jetim, e rrjedhimisht e kam pasë të pamundun me ndjekë shkollën. Kulturën dhe edukatën që kam marrë, ia kushtoj Seminarit Papnor, që e drejtonin Jezuitët. Për herë të parë, aty kam pa dhe kam mbetë i mahnitun nga “Poetët e mëdhej t’Italisë”, përkthye nga Ernest Koliqi; jam njoftë me dy kangë të “Iliadës”, të përkthyeme nga Frano Alkaj, me përkthimet e Henrik Lacajt e të tjerë. Të tana këto tekste të prume në shqip, unë i vija përballë origjinalit. Pikërisht fakti se këto përkthime më rezultonin të denja, bani të mundun që, dora-dorës, të lindej në mua dëshira me përkthye.

Shpëtim Kelmendi: Cili asht teksti i parë mbi të cilin keni punue, pavarësisht nëse mund të jetë fjala për tekst të përfunduem ose jo?
Gjon Shllaku:
 Teksti i parë mbi të cilin kam punue, ka qenë “Ben Hur” i Wallace, kur ende nuk i kisha mbushë të shtatëmbëdhjetë vjetët. Ishte një tekst prej 150 faqesh, i cili më pat dhanë kënaqësi të jashtëzakonshme. Por, nuk u mjaftova me aq. Atë tekst e përpunova tri herë, tue ngulmue me zbulue sekretet e përkthimit, natyrisht tue u bazue edhe në përkthimet që i ishin ba këtij libri në gjuhë të tjera.

Shpëtim Kelmendi: Çfarë ndodhi me këtë tekst?
Gjon Shllaku:
 E randësishme asht se ai libër i dha formë pasionit tim mbi përkthimin. Në gjimnaz na jepnin si detyrë me zgjedhë e me përkthye vepra të autorëve latinë. Me këtë rast pata përkthye shtatëqind vargje nga “De rerum natura” të Lukrecit. Ky tekst, edhe pse ishte tekst i detyruem shkollor, më pëlqente së tepërmi. Pra, edhe kësaj radhe punova me kënaqësi. Lukreci asht një ndër poetët ma të fuqishëm të gjuhës latine, pararendës i Virgjilit dhe i Ovidit. Veç kësaj, Lukreci ka edhe profil shkencëtari, sepse ka shkrue mbi natyrën dhe kozmosin. Mund të thuhet se asht poet vizionar …

Mandej përktheva pjesë nga “Eneida” e Virgjilit, ndërsa ma vonë, kur mësova greqishten e vjetër, fillova të merresha me Homerin, Sofokliun, Euripidin, me pjesët korale. Këto punë i baja me shumë kënaqësi, kuptohet, gjithë tue u përpjekë me mësue sa ma shumë në lidhje me artin e përkthimit.

Shpëtim Kelmendi: Domethanë, ma së shumti keni përkthye për kënaqësinë tuej, e jo për t’u vu në radhën e përkthyesve të madhej?
Gjon Shllaku:
 E thashë edhe ma sipër: kënaqësia ime ka qenë gjithmonë në plan të parë.

Shpëtim Kelmendi: A keni provue me u marrë me krijimtari?
Gjon Shllaku:
 I frymëzuem prej autorëve të madhej grekë, unë jam përpjekë me shkrue edhe vepra të mia origjinale. Tue fillue që prej kohës së seminarit e deri kur jam arrestue, në moshën 22 vjeç, pata shkrue tri tragjedi. Njena ka në qendër princeshën Irenë, gruen që shkroi konfliktin mes Lek Zaharisë e Lek Dukagjinit, në dasmën e Mamicës. Një tjetër tragjedi asht me temë biblike dhe titullohet “Judita e Holofardi”. Holofardi ka qenë gjeneral i asirëve, kur këta pushtuen Palestinën. Judita ishte një vajzë çifute, e cila, e frymëzueme nga nji fuqi e mbinatyrshme, hyn në çadrën e Holofardit, të cilin arrin ta dehë e më pas ta therë me thikë, tue shpëtue kësisoj tanë Palestinën. Tragjedia tjetër titullohet “Skënderi dhe Zulejka”, dhe trajton kohën kur Skënderbeu ndodhej në Turqi. Skënderbeu dashunohet me Zulejkën, por kuptohet, asht fjala për nji dashuni të pamundun.

Shpëtim Kelmendi: Gjatë përvojës tuaj të gjatë si përkthyes, a ju ka qëllue të dështoni përballë ndonjë teksti, tue e lanë atë përgjysmë?
Gjon Shllaku:
 Jo, sepse jam marrë gjithmonë me tekste që ngërtheheshin në aftësitë e mia. Nuk kam pranue asnjiherë punë të porosituna. Kam punue gjithmonë me pasion, me shpirt, dhe nuk jam tërheqë mbrapsht nga puna me ndonji tekst. Por më kanë humbë shumë tekste.

Shpëtim Kelmendi: Si jeni trajtue në kohën e diktaturës? A jeni vlerësue në masën e duhun për punën që keni ba?
Gjon Shllaku:
 Me thanë të drejtën, deri dy vjet para se me dalë në pension, rrogën e kam pasë 4500 lekë të vjetra. Kam punue si kryenormist në “Xunktha”, ku për të njëjtën punë më kanë diferencue ndjeshëm prej kolegëve të mi. Nuk ndjehesha i sigurtë sa herë që në ndërmarrje vinin instruktorët e partisë. Merrnin vesh se kush isha, e fill mandej më pyesnin se si ishte e mundun që më kishin lejue të punoja aty. Kërkonin të më largonin nga ajo punë e të më çonin në ndërmarrjen e ndërtimit, për të ba beton, pavarësisht faktit se në vitin 1965, “Iliada” ime e parë, e botueme me nji tirazh prej 5000 kopjesh, të cilat ishin shitë menjiherë, nji tekst i përkryem, i cili duhej të më jepte autoritetin që meritoja. Më pas, “Iliada” u ribotue me nji tirazh prej 15 mijë kopjesh, të cilat u përpinë gjithashtu nga lexuesi.

Shpëtim Kelmendi: A keni përfitue gja prej këtyne botimeve në kuptimin financiar?
Gjon Shllaku:
 Në botimin e parë, po, ndërsa në botimin e dytë, kur qeshë i detyruem me e kthye tekstin në normën letrare zyrtare, s’më dhanë kurrgja.

Shpëtim Kelmendi: Cilat nga veprat që keni përkthye i konsideroni ma të randësishmet?
Gjon Shllaku: Veprat e Homerit, natyrisht. Por, nëse Homeri asht ai që asht, Homeri i tragjedisë quhet Sofokli. E kam plagë në zemër veprën e Sofokliut, të cilën e pata dorëzue në ambasadën greke, të përkthyeme në gegnisht. E pata dorëzue në bashkëpunim me fondacionin “Soros”, i cili kishte ba edhe sponsorizimin. Fatkeqësisht, nëpunësit e fondacionit “Soros” ma përçudnuen veprën. Si ma përçudnuen? Unë e kisha përkthye tekstin në dy versione: gegnisht e tosknisht. Vepra iu dha Vera Isakut, të shoqes së Agim Isakut. Ajo gjoja e redaktoi veprën, tue i ba dhjetë vargje gegnisht, dhjetë tosknisht, e dhjetë të tjera ku di unë se si. Fundja, le ta kishte lanë krejtësisht në tosknisht, sepse kësisoj vepra do të ruante një karakter të caktuam. Këtë fakt nuk e kam përfolë kurrë, dhe asht hera e parë që po e them në nji intervistë.

Shpëtim Kelmendi: A keni kopje të tjera nga ky tekst?
Gjon Shllaku:
 Posi jo. I kam të dy versionet: në gegnisht e në tosknisht.

Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni diçka rreth fjalorit Latinisht-Shqip, që po përgatisni? Ku e keni fillue këtë punë?
Gjon Shllaku:
 Tashma janë mbushë trembëdhjetë vjet qëkur e kam fillue këtë punë. Fjalori ka përmasa të mëdha, sepse përfshin jo vetëm periudhën klasike, periudhë e mirëfilltë letrare, por edhe periudhën paraklasike; përfshin dekadencën e kulturës latine, përfshin latinishten e mesjetës, latinishten kishtare, e cila asht përdorë nga etërit e kishës, si Shën Jeronimi, Shën Thoma Akuini etj. Kësisoj, kushdo që dëshiron me përkthye nga latinishtja ndonji tekst që gjendet mes latinishtes antike dhe asaj shkencore moderne, fjalët do të mundet me i gjetë në fjalorin tim. Mungojnë vetëm termat joautentikë dhe fjalët e latinizueme.

Shpëtim Kelmendi: Jeni në përfundim të kësaj pune?
Gjon Shllaku:
 Si urdhnon!

Shpëtim Kelmendi: Me sa fjalë parashikohet të jetë ky fjalor?
Gjon Shllaku:
 Me 65 mijë fjalë. Deri tashti kam 4500 faqe të daktilografueme. Çdo faqe ka 42 rreshta, e këtë e kam ba për të kursye letrën, e cila pothuajse gjithmonë më mungon.

Shpëtim Kelmendi: Shumica e lexuesve ju njohin si përkthyes i “Iliadës”. Për mendimin tim, por edhe të shumëkujt, kjo vepër do të mjaftonte për t’ju konsiderue përkthyes të madh. A do të ishit dakord me këtë vlerësim?
Gjon Shllaku:
 Si t’ju them… Kur njeriu ka vetëm një fëmijë, e shndërron atë në nji idhull të vetin, po kur ka ma shumë, duhet t’i trajtojë të gjithë me të njëjtën masë dashnie. S’di ç’mund të them ma tepër.

Shpëtim Kelmendi: “Iliada” asht zanafilla e letërsisë botnore, e praktikisht ka mbetë si model i parë për artistin e fjalës. Prej këtu, mendoj se përkthyesi i një teksti të tillë fillimor meriton respekt të veçantë. Ju, a ndiheni i respektuem në masën e duhun?
Gjon Shllaku:
 Unë njoh versionet origjinale të përkthimeve në gjermanisht e italisht. Në gjermanisht asht Johann Heinrich Voss ai që e ka përkthye “Iliadën” qysh para dyqind vjetësh, e pak a shumë në të njëjtën kohë, “Iliada” asht përkthye edhe në italisht nga Vincenzo Monti. “Iliada” asht përkthye edhe disa herë të tjera në këto gjuhë, por versionet e para të përkthimit mbeten të paarritshme. Natyrisht, këta përkthyes kanë qenë figura shumë të nderueme në vendet e tyne. Sa për mua, të vetmet vlerësime në kohën e diktaturës, i kam pas marrë nga një shkrim i Henrik Lacajt, ndërsa Engjëll Sedaj ka shkrue: “… Aq sa janë enigmatikë personazhet e ‘Iliadës’, po aq enigmatik asht edhe emri i përkthyesit të saj.”

Shpëtim Kelmendi: Me përkthimin e “Iliadës”, veç të tjerash, ju keni dhanë prova se gjuha shqipe asht gjuhë e fortë, e aftë me u përballë edhe me nji gjuhë tjetër të madhe, si greqishtja e vjetër. Ju jeni i pari që e pohoni këtë fakt nëpërmjet punës.
Gjon Shllaku:
 Gjuha shqipe asht aq e fortë me përkthye letërsinë antike e moderne, sa mund të çuditeshit. Duhet ta dini dhe të jeni të bindun, se fjalët e para me të cilat fillon “Iliada”, janë shqip (reciton në greqishten e vjetër vargjet e para: “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…”). Në origjinal asht: “menos” = mëni, mëri. Gjithashtu, kemi fjalët “thymos” = thumbos, nguc, zemëroj. Tashti, le të marrim fillimin e veprës “Odiseu” (reciton sërish në greqishten e vjetër: “Më dëfto muzë, njeriun me jetë të rrahun…”). “Andra” asht kallëzorja e “anir” = anir, njeri.

Vetëm te “Iliada” kam gjetë 170 fjalë shqipe. Kemi, për shembull, fjalën “Kronos” = krua, kroi, kroni. Kemi fjalën “daju” = daj, ndaj, me nda.

Shpëtim Kelmendi: Ju përktheni nga të gjitha gjuhët që njihni, apo nga disa?
Gjon Shllaku:
 Ma tepër kam përkthye nga frëngjishtja. Më pëlqen shumë kjo gjuhë. Qysh në moshën 19 vjeç kam përkthye nga vepra e Victor Hugo, ndërsa në moshën 21 vjeç kam përkthye “Martirët” e François-René de Chateaubriand, shtatëqind faqe roman. Ma vonë kam përkthye: “Berberi i Seviljes” dhe “Martesa e Figarosë” të Beaumarchais, poezi lirike të Victor Hugo, poezi të Alphonse de Lamartine, poezi të Alfred de Vigny etj. Me nji fjalë kam përkthye nji dynja libra nga letërsia franceze. Kam përkthye “Sidi” të Pierre Corneille, “Ester” dhe “Atali” të Jean Racine, që të dyja drama me temë biblike.

Shpëtim Kelmendi: Te mjaft artistë të sotëm ekziston mendimi se familja është pengesë serioze për ndërmarrje të mëdha si kjo juaja. Ju si mendoni? Çfarë ka qenë familja për ju?
Gjon Shllaku:
 Për mua familja ka qenë përkrahje, gruaja veçanërisht. Ajo e çmon punën time dhe i don librat e mi si fëmijë: i prek, i ledhaton, u fshin pluhurin. Ka adhurim për ta.

Shpëtim Kelmendi: A keni miq? Çfarë vendi zënë ata në jetën tuaj?
Gjon Shllaku:
 Kam dashamirë. Unë i due njerëzit dhe gjithmonë mendoj mirë për ta. Për me pasë miq duhet me qenë i përkushtuem, me pasë edhe kohë. Por, siç e dini, unë rri tanë ditën i mbyllun mbrendë. Mandej, për t’i ruejtë marrdhaniet me miqtë, duhet me marrë pjesë edhe në raste gëzimi, idhnimi, a ku di unë. Unë nuk kam kohë për gja tjetër, përveçse për punë.

Shpëtim Kelmendi: A keni besim te Zoti? Nëse po, si e shprehni këtë besim?
Gjon Shllaku:
 Shumë. I respektoj nji për nji Dhjetë Urdhnesat, që Zoti ua ka zbritë njerëzve. Për gjithçka të mirë që kam, i falem nderës Zotit! Mbi të gjitha për faktin se, pavarësisht moshës që kam, nuk e ndij të nevojshme me mbajtë syze. Shikoj shumë mirë. Të pamët më ka ndihmue shumë. Arrij ta kap edhe shkrimin ma të imët në shqip, latinisht, greqishte e vjetër e çka të jetë.

Shpëtim Kelmendi: A jeni i kënaqun me punën tuej të derisotme?
Gjon Shllaku:
 Jam shumë i kënaqun, sepse atë që kam andërrue pothuajse tanë jetën, e kam ba realitet. Qysh në vitin 1940, kur isha 17 vjeç, pata ble veprat e tre autorëve të famshëm të Greqisë së Lashtë: Sofokliut, Euripidit, Eskilit. Lexoja tragjeditë e tyne të përkthyeme në italisht, dhe andërroja që nji ditë t’i sillja këta autorë në gjuhën shqipe. Sofokliun e kam përkthye krejt; nga Euripidi kam përkthye veprat ma të mira, ndërsa nga Eskili kam përkthye “Prometeu i lidhun”.

Shpëtim Kelmendi: Me sa di, ju nuk jeni prej atyne njerëzve që ankohen herë mbas here e për çdo gja…
Gjon Shllaku:
 As mos e mendo! Unë jam shumë optimist. Kënaqem gjithmonë me pak.

Shpëtim Kelmendi: A ndiheni ndonjiherë i lodhun, i dëshpëruem e në mungesë dëshire për punë?
Gjon Shllaku:
 Kurrë! I lodhun fizikisht, po. Në kësi rastesh vetëm flej. Ju nuk e dini: unë kam pasë nji sëmundje të keqe. Më kanë operue disa herë dhe kam vuejtë përnjimend shumë. Por, edhe pse në gjendje të tillë, ashtu i mbështjellë me batanije dhe i rrethuem me borsa uji të nxehtë, nuk kam reshtë asnjiherë së punuemi. Ishin kushte të randa, por që prapëseprapë nuk arritën me m’shkëputë nga puna. Megjithatë, tash që mendohem, kujtoj se e kam pasë edhe unë nji gjendje të vështirë në jetën time. Ndodhi kur ma vonuan pesë vjet botimin e nji teksti, e që për ma tepër nuk e pashë kurrë ma me sy. Me atë rast i thashë vetes, por edhe grues sime: “Po e la krejt këtë punë! Nuk po e çmon kush përkthimin.”

Shpëtim Kelmendi: A i keni pasë bezdi kontaktet me drejtuesit e këtyne institucioneve?
Gjon Shllaku:
 Ou! Mos pyet! Shumë! Vetëm te Ndërmarrja e Botimit që drejtonte Drago Siliqi kam shkue gjithmonë me kënaqësi, sepse ai më donte shumë. S’e harroj kurrë qëndrimin pozitiv që ka mbajtë ndaj punës sime. Dragoja ka qenë promotori i botimit të “Iliadës”. Simbas meje ka qenë njeri ideal, nji mecenat i palodhun.

Shpëtim Kelmendi: Ç’mendim keni në lidhje me përkthimin në shqip? A mendoni se po punohet me seriozitet në këto kohë?
Gjon Shllaku:
 Nuk jam i njoftun me materialet që përkthehen sot. Më duhet të baj punën time, kështu që nuk kam kohë me lexue përkthimet e të tjerëve. As durim. Nuk jam në gjendje me lexue as librat që më sjellin të njoftunit e mi. Tashma kam nji defekt të madh: sa herë nisi me lexue më zen gjumi. Sidoqoftë, nivelin e përkthimit arrij ta dalloj edhe në hapsinën e dy faqeve tekst. Nëse përkthimi në shqip ka ecë përpara, nuk duhet të harrojmë se përtej këtyne arritjeve qëndron puna vetëmohuese e sa e sa përkthyesve dhe letrarëve të mirëfilltë, që ishin ma para. Në qoftë se për të qenë shkrimtar i mirë s’asht e nevojshme të jesh magazinë kulturore, me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë. Ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët. Engjëll Sedaj mendon se niveli i përkthimit në Shqipni asht ma i naltë se sa tekstet e mirëfillta letrare që botohen. Unë për vete, deri kohë ma parë, i studioja me kujdes poetët shqiptarë, për të marrë prej tyne fjalë e shprehje të bukura. “Qerbelanë” e Naimit, për shembull, e kam lexue me shumë pasion.

Shpëtim Kelmendi: Me tanë atë përvojë që keni grumbullue në fushën e përkthimit, besoj se ju do të kishit shumë porosi për përkthyesit që po vijnë. Cilat mund të ishin këto porosi?
Gjon Shllaku:
 Kisha me u thanë se, pikë së pari, duhet ta studiojnë mirë gjuhën shqipe. Duhet me i njofte mirë autorët klasikë shqiptar, rapsoditë, kangët tona popullore, për me zbulue mendësinë, shpirtin, frymën e dashunisë që populli shqiptar ka arritë me e shndërrue në fjalë. Vetëm për me përkthye “Iliadën”, unë kam pas hartue nji fjalor prej 4000-5000 fjalësh. Gjendesha përballë nji ndërmarrjeje të madhe, ndaj më duhej të isha i sigurt.

Shpëtim Kelmendi: Nji fjalor i tanë në funksion të vetëm nji teksti?
Gjon Shllaku:
 Oh, sigurisht.

Shpëtim Kelmendi: Cilat janë veprat, që ndjeni nevojën t’i përktheni sa më parë?
Gjon Shllaku:
 “Iliada” më asht botue tri herë: dy herë në Shqipni e nji herë në Kosovë. Sofokliu nji herë. Do të doja të më botohej Euripidi me “Ifigjenia në Aulidë”, “Medea”, “Hipoliti” dhe “Alçesti”. Të tana këto vepra mund të përmblidhen në jo ma shumë se 250 faqe libër.

Shpëtim Kelmendi: Botimin e parë të “Iliadës” e keni ba në gegnisht. Për mendimin e një mase të konsiderueshme lexuesish, versioni gegnisht tingëllon ma bukur se ai në tosknisht, domethënë në standardin letrar. A bini dakord me këtë?
Gjon Shllaku:
 Sa herë kam shkrue në gegnisht, kam pasë shumë probleme në lidhje me botimin. E botimi më ka interesue shumë. Vetëm se duhet të keni të qartë diçka: edhe kur përdor variantin e gjuhës letrare, unë pothuajse prapë shkruej në gegnisht. Kjo ndodh për arsye se sintaksa, e cila përban bazën e nji gjuhe, asht gege. Nji “ë” apo nji “r” s’më prish fort punë. Unë mendoj se në tanë Shqipninë shkruhet gegnisht.

Shpëtim Kelmendi: Cilat janë përparësitë e gegnishtes në përkthim, gjithnji nëse, simbas jush, mund të flitet për përparësi?
Gjon Shllaku:
 Në gegnisht asht përkthye Dante Alighieri. Në gegnisht janë përkthye Homeri e Virgjili. Këta janë majat e letërsisë botore. E vërtetë se Shekspiri, nji tjetër gjigant, asht përkthye në tosknisht, nga Fan Noli, por në këtë rast bahet fjalë për nji shqipe artificiale. Fan Noli nuk ka jetue fare në Shqipni; kësisoj, ai nuk njeh shqipen e shqiptarëve që banojnë këtu, por shqipen e shqiptarëve që banojnë në Amerikë apo ndokund tjetër. Ai sjell nji tosknishte të vjetër, të papërpunueme, e jo tosknishten moderne.

Shpëtim Kelmendi: Pra, përparësitë e gegnishtes janë në poezi, në prozë, apo në të dyja njëherësh?
Gjon Shllaku:
 Gegnishtja i ka kultivue të gjitha gjinitë letrare. Gegnishtja ka romanin e parë, ka epikën ma të hershme e të tjera. Si kohë, Naimi vjen para Fishtës, por tetërrokëshi i tij nuk ka të krahasuem me atë të Fishtës. “Luftëtarëtë lëftuan” – thotë Naimi. Pse, tetërrokësh asht ky? Kurse Fishta të batërdis me tetërrokësh. Thotë ma shumë e ma fort.

Marrim edhe lirikën. A ka ndonji lirik të tosknishtes që mund të krahasohet me Mjedën? Poezia don përgatitje klasike, sidomos latine. Edhe greke, kuptohet, por këta shquheshin ma tepër si mendimtarë, ndërkohë që latinët i dhanë hov stilit poetik.

Shpëtim Kelmendi: Cilët janë përkthyesit e shquem shqiptarë, që ju i respektoni?
Gjon Shllaku:
 Ma së pari asht Ethem Haxhiademi. Çmoj Fan Nolin në përkthimin e “Don Kishotit”. Ka përdorë plot fjalë turke, por megjithatë ka punue mirë.

Shpëtim Kelmendi: Çfarë kishit me thanë në lidhje me ata që përkthejnë nga nji gjuhë e dytë, pra jo nga origjinali?
Gjon Shllaku:
 Kisha me thanë se ata lajnë tesha në nji ujë, ku dikush tjetër ka la përpara tyne. Duhet me përkthye vetëm prej origjinalit. Madje duhet me gjetë autorë, të cilët ndërkohë janë përkthye edhe në shumë gjuhë të tjera. Pse sheh edhe ndonji model tjetër përkthimor nuk asht keq. Thjesht kjo të ndihmon me u ndi ma i sigurt në punën tande.

Gjuha jonë shqipe asht e vjetër dhe e fuqishme. Unë nuk kam lanë fjalë pa përkthye te Homeri; madje në shumë raste kam përdorë nga tre a katër sinonime, vetëm me i dhanë sa ma shumë larmi përkthimit. Për shembull, kam përdor emrat: shtizë, ushtë, patërshanë, mëzdrak etj.

Shpëtim Kelmendi: Çfarë mendoni për “Odiseun” e Spiro Çomorës?
Gjon Shllaku:
 Mirë! Bukur! Spiro Çomorën e lexoj me qejf, sepse ai e njeh hekzametrin. Ata që nuk e njohin hekzametrin dhe nuk dinë me e skandue mirë, rrezikojnë me ra në kurthin e nji proze të pasistemueme. Hekzametri njihet pak, e kjo për arsye se nuk përfshihet në traditën e gjuhës shqipe. Mendoj se pa hekzametrin gjuha shqipe ka humbë shumë.

Shpëtim Kelmendi: Po ju, a e keni përkthye “Odiseun”?
Gjon Shllaku:
 Posi jo. Prej vitesh. Por ende nuk kam mundë me e botue.

Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni pse?
Gjon Shllaku:
 Në lidhje me këtë, besoj se kam diçka interesante me kallzue. Pothuajse në të njëjtën kohë kur unë çova “Iliadën” për shtyp, në Ndërmarrjen e Botimit, Spiro Çomora, dritë pastë, sepse s’asht ma mes nesh, e kishte përfundue së përkthyemi edhe ai “Iliadën”. Drago Siliqi, dritë pastë po ashtu, se as ai s’asht ma mes nesh, i tha Spiros që i kishte ra në dorë një përkthim shumë i mirë i “Iliadës”, prej Gjon Shllakut nga Shkodra. Në këtë rast, Spiroja tërhiqet tanë dinjitet, e kësisoj “Iliada” ime botohet.

Ma vonë na ndodhi e njëjta gja edhe me “Odiseun”. Prapë kishim punue njikohësisht e për të njëjtin libër. Kësaj radhe e ndjeva si detyrim moral që të tërhiqesha unë. E kështu, që prej shumë vitesh, “Odiseu” im vijon të mbetet në fletë të daktilografueme, në pritje të kohës së tij.

Shpëtim Kelmendi: E keni përkthye në gegnisht apo në tosknisht?
Gjon Shllaku:
 Në gegnisht. / KultPlus.com

Nëse do të isha burri i një të dhunuare

Një nga dëshmitë më tronditëse që letërsia botërore ka nxjerrë për Holokaustin, padyshim, është romani “Nata” i shkrimtarit hebre, të mbijetuarit të kampit nazist të Bukenvaldit, Eli Visel (Elie Wiesel).

Nga ai roman, skena e vdekjes së babait, e rrëfyer me një vërtetësi vrastare nga i biri, ka qenë gjëja më e tmerrshme që kam lexuar.

Babai i shkrimtarit, i kapluar nga ethet e vdekjes, i shtrirë në barakat e tmerrit, vetëm dy tre metra larg të birit 16 vjeçar, mbledh fuqitë e fundit që i kanë mbetë dhe nxjerr fjalët:

“Eliezer, djali im, eja këtu … dua të të them diçka … Vetëm ty … Eja, mos më lër vetëm … Eliezer …”

Nga ky moment, rrëfimin po e sjell në vetë të parë, siç e tregon autori, pasi vetëm kështu mund të kuptohet vërtetësia tronditëse.

Dëgjova zërin e tij, kuptova dimensionin tragjik të momentit, por nuk shkova!

Ishte dëshira e fundit që të më kishte pranë, në agoninë e tij, në momentin kur shpirti i tij po udhëtonte drejt qiellit.

Por unë nuk u lëkunda për asnjë cast nga klithmat e shpirtit të tij.

Në vend që të sakrifikoja jetën time të mjerueshme dhe të nxitoja për tek ai, t’i merrja dorën, ta siguroja që nuk ishte i braktisur, se unë isha pranë tij, unë heshta duke iu lutur Zotit t’ia merrte shpirtin sa më parë dhe ta ndalte së thirruri emrin tim!

Kisha frikë se mos unë pësoja zemërimin e SS-ëve.

Babai im nuk ishte më i vetëdijshëm. Megjithatë, zëri i tij ishte i pikëlluar dhe i tmerrshëm.

Oficeri SS dëgjoi diçka dhe filloi ta godiste. Babai nuk i ndjente më goditjet, unë po. E megjithatë nuk reagoja, e lashë oficerin SS të godiste babain e mbërthyer në kthetrat e vdekjes.

Më keq akoma, isha i zemëruar me të pse në sekondat kur shpirti po i dilte prej trupi bëri zhurmë duke thirrur emrin tim: “Elieser, djali im, eja këtu, dua t’ju them diçka të fundit, mos më lër vetëm”…

Kur e kam mbaruar së lexuari kam menduar se ky rrëfim ka prekur limitet e dhunës, diskriminimit racial dhe skutat më të errëta të ndërgjegjes njerëzore. Viesel thotë që fjalët janë tmerrësisht të paafta të përshkruajnë me vërtetësi ndodhitë e Bukenvaldit. Diku ai shkruan :”Vetëm hiri i Birkenau-t (Auschwitz) flet më shumë se 100 libra të shkruara për të”.

Sot nuk mendoj që “Nata” është gjëja më e tmerrshme që kam lexuar.

Jo, dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë e kalojnë disa herë ferrin e viktimave të Luftës së Dytë Botërore.

Perversiteti i dhunës seksuale serbe kalon çdo lloj limiti të imagjinatës njerëzore.

Dëshmitë e shumë të dhunuarave seksuale nga Lufta e Kosovës janë dëshmi e një bombe të madhe që Serbia la në Kosovë, ditët e fundit të tyre aty. Unë kam dëgjuar këto kohë disa dëshmi, kam lexuar disa të tjera nga libri “Unë dua të dëgjohem”.

Tashmë jam i bindur, dhunimi seksual ka qenë një strategji perverse e hartuar në kancelaritë e Beogradit dhe jo një shfrim i epsheve të ushtarëve të papërgjegjshëm. Qëllimi ka qenë kthimi i “Viktimave kundër Viktimave”, vuajtja jetëgjatë e pasojave të kësaj dhune.

Duke lexuar dëshmitë e të dhunuarave, gjithnjë e më shumë bindesh që qëllimi i tyre është arritur. Jeta e të dhunuarave është shkatërruar, fëmijëve të tyre gjithashtu, vëllezërve, motrave. Dhunimi seksual në prezencë të burrit, të vëllait, të fëmijës apo të prindërve nuk është më dhunim seksual. Ajo është vula e turpit me të cilën Serbia vulosi trupin e brishtë të Viktimës në ditët kur kjo po merrte lirinë. Ajo “farë lirie”, për këto Viktima, erdhi me koston më të tmerrshme të mundshme. Burrat u ndanë nga gratë, nënat nga fëmijët, vëllezërit nga motrat, viktimat nga shoqëria.

Bomba jeton akoma mes shoqërisë kosovare. Por si reagon shoqwria?

Një nga zërat më të njohur në Kosovë, Kimete Berisha, në një status të saj në FB akuzon një nga të dhunuarat për dashurinë që ajo ka për fëmijën e dhunimit. Sipas Kimetes, fjalia “për atë fëmijë e jap edhe shpirtin”!, është absurde dhe e pakuptueshme nga psikologët botërorë e lëre më nga shqiptarët e zakonshëm. Gjithashtu, Kimetja shton “edhe më absurde është habia e saj pse e ka lënë burri kur ajo ka vendosë të mbajë fëmijën e dhunës”

Sipas asaj që kuptova kur lexova këto fjalë, gazetarja mendonte që fëmijët e dhunimit nuk mund të duhen me loçkë të shpirtit. Ka një diçka që pengon për t’i dashur ata. Gjithashtu, Kimetja shfaq mirëkuptim të plotë ndaj bashkëshortit që e ndau gruan.

Këto fjalë të thëna nga një zë i spikatur i shoqërisë, së cilës unë i kam lexuar mjaft gjëra interesante, ishin po aq tronditëse sa edhe rrëfimet e së dhunuarës.

Nuk do të kisha mirëkuptim edhe sikur këto fjalë t’i thoshte një plak i një fshati të humbur e lëre më Kimetja. Unë mendoj që dashuria e një nëne për fëmijën nuk ka lidhje asfare me babain e tij. Ajo është gjëja më e pakushtëzuar në botë. Dhe të duash një fëmijë dhunimi është akt hyjnor! Ai fëmijë nuk ka faj së pari. Pikën e fajit! Së dyti nuk ka asnjë përkrahës, ai është foshnjë e urrejtjes, atë nuk e duan as motrat e veta nga nëna, as gjyshja, as të afërmit.

Pashë edhe komentet e atij statusi. Asnjë prej tyre, asnjë për be, nuk kishte për tekstin e Kimetes për të dhunuarën. Kishte komplimente për pjesë të tjera të statusit por asgjë për “plagën tabu”. Kishte një mirëkuptim të heshtur.

Po burrat pse nuk i gjykon opinioni?! Këta që pranuan t’ua rrëmbenin gratë, motrat, bijat e t’ua përdhunonin në sy të tyre?! A nuk duhet të ishin këta, të parët që do të duhet të përqafonin gratë, nënat, motrat dhe bijat e tyre?!

Nuk e di se çfarë bisedoi burri me kunatin dhe me vjehrrin kur tre gratë e tyre dhunoheshin e pastaj merreshin për t’u ridhunuar në një skenë më makabre. Çfarë flisnin?

Një skenë ku Eli Visel do të thoshte “Nuk paskam parë gjë”.

Zoti u dha kurajë dhe jetuan!

Kur po dëgjoja dëshminë e tmerrshme të të dhunuarës seksuale në Frontal, e pyeta veten “Çfarë do të bëja nëse do të isha burri i asaj gruaje”?!

Pikërisht i asaj gruaje që shkruan Kimetja.

Pra, nëse do ma dhunonin gruan, motrën nënën dhe vajzën – para syve të mi, a do të gjeja arsye për të jetuar?

A thua do të gjeja kurajë për të vdekur e mos e parë një skenë të tillë? Nuk kam nga ta di, vullneti për të vdekur është jashtë mundësive për t’u diskutuar.

Por për një gjë jam i sigurtë. Nëse do të jetoja do të kërkoja shpagim. Bombën që ata ma lanë, vulën e turpit në derën e shtëpisë sime do ua hidhja atyre akoma pa plasur! Do dilja me gruan, nënën dhe me motrën e do të deklaroja që po, më kanë dhunuar!

Mua të parin.

Ata u sollën me mua në të atillë mënyrë që të heshtja, të jetoja me vulën e turpit, të më ndanin nga gruaja, motra, nëna ime. Por jo, nuk ia arritën qëllimit. Unë i dua ato më shumë se kurrë pas asaj prove të tmerrshme që kaluam!

Nëse nazistët lanë hirin e Birkenau-t si dëshmi e genocidit njerëzor, serbët lanë dëshmi të padukshme, ata shkatërruan të ardhmen e viktimave të tyre.

Sa më shumë raste të dhunuarish të dalin me fytyrën e tyre dhe të tregojnë dhunën e përjetuar aq më shumë u kthehet xhelatëve bomba e lënë.

Heronjtë e luftës duhet të hapin pak krahun, të heshtin pak. Sa nga gratë, motrat, nënat e tyre u dhunuan? A është koha të flitet për trimëri kur dhuna seksuale ndaj më të pambrojturve ka bërë kërdinë?

Më mirë vonë se kurrë. Përndryshe do të binim në grackën e dhunuesve./ KultPlus.com

Manastiri i Ravenës, ndër bukuritë mistike të Gjirokastrës

Një nga bukuritë mistike të Gjirokastrës është Manastiri i Ravenës, i cili ndodhet 300 metra mbi fshatin Goranxi në zonën e Dropullit. Manastiri i kushtohet Fjetjes së Hyjlindëses Mari dhe është një nga monumentet e rralla me vlera arkitekturore e kulturore në Shqipëri.

Një mbishkrim i gdhendur në gurin mbi portën perëndimore të manastirit vërteton se ai u ndërtua në vitin 1600 prej hieromonakut Kristofor.

Çdo 15 gusht në manastirin e Ravenës, besimtarët dhe vizitorët e shumtë kremtojnë ditën kushtuar Shenjtores Mari.

Apsida e kishës është pesëfaqëshe. Mbi apsidën e murit jugor brenda kishës gjendet mbishkrimi: “Lutje e shërbëtorit të perëndisë Hjokë Quriakut, nga katundi Mashkullorë”. Mbi një vulë prej druri është shkruar: “Vula e së mbishenjtës Hyjlindëse, e mbiquajtur e ravenias, mbi katundin Goranxi 1622”./atsh/ KultPlus.com

Rreziqet e indiferencës – një fjalim i papërsëritshëm nga Elie Wiessel

Fjalimi i Elie Wiessel i mbajtur në vitin 1999 në Washington DC.

Pesëdhjetë e katër vjet më parë, një djalë i ri hebre nga një qytet i vogël diku në Karpate, u zgjua jo shumë larg vendlindjes së dashur të Gëtes, Wiemar, në një vend të mbuluar tashmë nga turpi i përjetshëm, famëkeqi Buchenwald. Më në fund ishte i lirë, por zemra nuk i gëzonte dhe mendonte se nuk do ta njihte dot më kurrë gëzimin.

I liruar një ditë më parë nga ushtarët amerikanë, ai kujtonte zemërimin e tyre për shkak të asaj që panë në atë vend. Edhe pse nuk e kuptonte gjuhën e tyre, sytë e atyre ushtarëve i thanë atë çfarë donte të dinte: që edhe ata do të kujtonin.

Tani që qëndroj para jush jam plot mirënjohje ndaj popullit amerikan. Jemi në prag të një mijëvjeçari të ri. Çfarë trashëgimie do të na lërë ky shekull që po lëmë pas? Si do të kujtohet në mijëvjeçarin e ri? Sigurisht që do të gjykohet, madje ashpër.

Dështimet e mëdha kanë hedhur një hije të madhe mbi njerëzimin: dy luftëra botërore, dhjetëra luftëra civile, atentatet ndaj udhëheqësve të botës, gjakderdhjet në Kamboxhia, Nigeri, Indi, Pakistan, Ruanda, Kosovë e Sarajevë; Hiroshima dhe sigurisht Holokausti. Kaq shumë dhunë! Kaq shumë indiferencë!

Është vallë e mundur ta shohësh indiferencën si një virtyt? Mos vallë është e domosdoshme ta praktikosh thjesht për të jetuar normalisht, ndërsa bota përreth përjeton trazira? Sigurisht, indiferenca mund të jetë tunduese. Është shumë më e lehtë të shmangësh ashpërsi të tilla. Mbi të gjitha është e lodhshme të përfshihesh në dhimbjen dhe dëshpërimin e dikujt tjetër….

Indiferenca e zvogëlon kaq shumë personin tjetër. Pas portave të errëta të Auschwitz-it, më i tmerrshmi dhe tragjiku ndër kampet naziste, ishin ata që i quanin “muselmanner”; të mbështjellë me ca batanije të grisura, shtriheshin në tokë me sytë drejtuar nga qielli, duke mos e ditur më se kush dhe ku ishin. Nuk ndjenin më dhimbje, uri apo etje; nuk kishin më frikë nga asgjë; ishin të vdekur dhe nuk e dinin akoma.

Të shtyrë nga tradita, disa prej nesh ndjenë se të braktisesh nga njerëzimi nuk është fundi i botës; mendonim se të braktisesh nga Zoti është më keq sesa të ndëshkohesh prej tij. Më mirë një Zot i padrejtë sesa një Zot indiferent. Për ne, të injoroheshim nga Zoti ishte ndëshkim më i ashpër sesa të ishim viktima të zemërimit të tij.

Mund të jetojmë larg Zotit, por jo jashtë tij. Zoti është kudo. Edhe në vuajtje? Po, edhe në vuajtje. Në një farë mënyre, të jesh indiferent ndaj asaj vuajtje është çfarë e bën njeriun jonjerëzor.
Indiferenca është më e rrezikshme se zemërimi dhe urrejtja.

Zemërimi, me raste, mund të jetë kreativ. Dikush shkruan një poemë të mrekullueshme, një simfoni, ose bën diçka speciale për njerëzimin sepse është i zemëruar nga padrejtësitë. Indiferenca nuk është kurrë e tillë. Edhe urrejtja, ndonjëherë, mund të shtyjë në përgjigje. Indiferenca nuk është përgjigje. Indiferenca nuk është fillimi, është fundi. Dhe si e tillë është gjithmonë mike e armikut, sepse i sjell përfitime agresorit, kurrë viktimës, dhimbja e së cilës shumëfishohet kur ndihet e harruar…

Indiferenca nuk është thjeshtë një mëkat, është ndëshkim. Dhe ky është një nga mësimet më të rëndësishme të nxjerra nga shekulli që po lëmë pas. Në vendin nga vij, shoqëria përbëhej nga tri kategori njerëzish: vrasësit, viktimat dhe indiferentët. Gjatë kohërave më të zymta, në kampet e vdekjes, ne ndiheshim të harruar, të braktisur.

Ngushëllimi ynë i vetëm ishte se ato kampe ruheshin mirë, se ishin sekret, se udhëheqësit e botës së lirë nuk e dinin çfarë ndodhte pas atyre gardheve. Nëse do ta dinin, – mendonim, – patjetër që do të lëviznin qiell e tokë për të ndërhyrë. Por më vonë mësuam se bota e dinte…

60 vjet më parë, njëmijë hebrenj që ishin në anije në St. Louis u kthyen mbrapsht. Ajo anije, që ishte në brigjet amerikane, u kthye. Nuk e kuptoj. Presidenti Ruzvelt ishte një njeri i mirë, me zemër të madhe. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë për ndihmë. Çarë ndodhi? Pse kjo indiferencë?…

Ndërkohë, në këtë shekull traumatik ka pasur edhe ngjarje të mira: disfata e nazizmit, shembja e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokën e paraardhësve…

Shpesh kujtoj atë djalin e vogël nga Karpatet, i cili e ka shoqëruar burrin që jam sot gjatë këtyre viteve të trazuara. Bashkë ne ecim drejt mijëvjeçarit të ri, të mbushur me frikë të thellë dhe shpresa të mëdha./ KultPlus.com

Aktorja Monica Bellucci, sot feston ditëlindjen (FOTO)

Aktorja italiane Monica Bellucci sot feston ditëlindjen e saj, shkruan KultPlus.

Ndërsa filloi karrierën e saj si modele për markat si Dolce & Gabbana dhe Dior, ajo ngadalë e vazhdoi karrierën e saj drejt aktrimit dhe përfundimisht shënoi debutimin e saj në Hollywood. Dhe siç thonë ata, nuk ka pasur asnjë kërkim prapa për të që atëherë.

Monica është bërë e famshme që nga koha e saj e aktrimit, por përveç kësaj, ajo gjithashtu ka spikatur vendin e saj si një forcë e modës.

Daljet në tapetin e kuq të Monikës janë një dëshmi e dashurisë së saj për modën. Ajo zgjedh me kujdes atë që dëshiron të veshë dhe sigurohet që ajo ta gozhdojë atë në krah. Menjëherë nga një fustan i kuq klasik në qilimin e kuq në një të zi të ndezur, ajo ka arritur të gozhdojë veshjet më klasike dhe të krijojë një vend për veten në industri.

Një ikonë e kohës së saj, Bellucci ka arritur të evoluojë me kalimin e kohës dhe veshjet e saj kanë parë disa ndryshime të mëdha gjatë viteve. Dhe ndërsa kohët kanë ndryshuar, aura rreth saj vazhdon të shkëlqejë më e ndritshme.

Sot në ditëlindjen e 59 vjeçares, KultPlus ju sjell disa pamje të paharrueshme të bukurisë së saj. /KultPlus.com

“Nuk e di ku merr guximin që sërish të kthethesh tek unë” (VIDEO)

Elita 5 është pa asnjë dyshim grupi më emblematik i muzikës në Kosovë, veçmas rreth viteve 90-ta, shkruan KultPlus.

Elita 5 ka realizuar një mori këngësh, të cilat edhe sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin shumë të kërkuara.

“Ti e vrave dashurinë”, është një nga hitet e vitit 2000 qe ky grup kishte lansuar në treg. KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Me kot ti kerkon meshiren
Dhe pse vishesh me te bardha
Shpirti yt noton n’shkretire
Nuk je prape ajo e para.
Shpirti yt noton n’shkretire
Nuk je prape ajo e para

Tash vjen edhe ti me lutesh
Kerkon falje hic pa turp
Nuk e di ku merr guximin
Qe serisht te kthehesh tek une

(refren)
Se ti e vrave dashurine
Edhe shkove pas nje horrit
Paqe mes nesh s’mund te shtijne
As ushtaret e UNPROFOR-it
(x 2)

Se ti ndenjat tua i nxorre
mall pa vlere ne treg te zi
dashuria humb kuptimin
kur hyjne zemrat ne llogari

Jo, jo nuk po t’i dua,
lot’ e rende t’i shoh ne sy,
se ka vajza plot Tetova
e nuk mbahet veç me ty“ / KultPlus.com

68 vjet nga vdekja e James Dean, aktori i parë i kinemasë i nominuar për çmim pas vdekjes

James Dean, aktori amerikan i viteve ’50, tragjedia dhe vdekja e të cilit tronditi gjithë kinematografinë amerikane, sot shënon 68 vjetorin e vdekjes, shkruan KultPlus.

James Dean u bë aktori i parë në historinë e kinëmase që nominohet për një çmim pas vdekjes. Fillimisht do të nomionhej për East of Eden (1955) dhe më pas, pas vdekjes për filmin Giant (1956).

Studioi dramë në universitetin e Kalifornisë në Los Angeles dhe u muarr me teatër, kinema dhe televizion. Shfaqja e tij e parë në televizion ishte për një reklamë për Pepsin në 3 dhjetor të 1950. Më vonë do ta ndiqnin seri dhe vepra në teatër.

Me një karakter introvert, i ashpër, melankolik, moskokëçarës dhe i apasionuar në raporte të njëjta, James Dean kishte veti të mira interpretative dhe që i sollën sukses te publiku më i ri në moshë. Duke e shndërruar në ikonë të rinisë amerikane të viteve ’50. Në vitin 1955 do të mbërrinte një nga filmat e tij më të mëdhenj; “Rebel ëithout a Cause” që do ta afirmonte atë përfundimisht si një nga idhujt kryesorë të rinisë amerikane. Tek “Gjigandi” do të interpretonte së bashku me Elizabeth Taylor dhe Rock Hudson e që do të ishte një tjetër vepër e madhe e tij.

Dean përveç pjesës së kinematografisë , kishte pasion edhe garat me makina, ku ishte hobi i tij, një pasion që do e ndiqte krejt jetën e tij, dhe e veçanta e kësaj Dean përveç pasionit për makina, ishte ikonë e stilit për veshjet e tij, ku si ndikim do e përcjellë botën e modës edhe sot, si një inspirm.

Një aktor, ku jashtë skenës së filmit ishte njeri me pak fjalë, një simbol seksi dhe një ikonë stilesh, ku e rrëthonte një misticizëm në lidhje me atë që e gjejmë të dashur kaq shumë vite më vonë. Megjithëse më i njohur për stilin e tij Causal, ai kishte disa pjesë më formale në repertorin e stilit të tij, si xhaketë të errët me jakë, bluzë e këpucë cowboy.

Stili i tij ishte paaftësi. Ai nuk u shqetësua me copa të tepërta. Pamjet e tij ishin kryesisht minimaliste. Për shembull, ai nuk kishte qasje me një kravatë. Ai nuk ishte një ndjekës i përkushtuar i modës. Ai ka shkuar shpesh me tendencën e 50-tave të Jeans-av të kthyer apo atë që ne e quajmë dukje me pantallona të gjata. / KultPlus.com

Gjermania thirrje Serbisë: Reduktoje ushtrinë në kufi me Kosovën pa vonesa

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka reaguar për situatën mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm mes dy shteteve.

Gjermania ka thënë se është e rëndësishme që Serbia t’i reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën pa vonesë.

MPJ gjermane tutje ka shtuar se bashkë me partnerët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me palët e përfshira.

Berlini zyrtar kërkon që procesi politik të vazhdojë urgjentisht.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që Serbia të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën pa vonesë. Së bashku me partnerët tanë, ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me palët e përfshira. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht”, thuhet në reagim./ KultPlus.com

Organizata ‘Omculti’ do të sjellë 100 libra audio për të verbrit në Kosovë

Organizata Joqeveritare ‘Omculti’ ka filluar realizimin e projektit “100 libra audio për të verbrit në Kosovë”.

Projekti “100 libra audio për të verbrit në Kosovë”, do të ofrojë 100 libra audio për personat e verbër dhe me shikim të dobësuar në Kosovë, nëpërmjet partnerëve të Projektit: “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Biblioteka e të Verbërve të Kosovës”, dhe “Komiteti i Grave të Verbra të Kosovës”.

Omculti ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me partnerët e sipërpërmendur, në mënyrë që të gjitha librat e incizuara të dorëzohen për t’iu krijuar qasje të lehtë dhe të lirë të gjithë anëtarëve të këtyre organizatave. Qëllimi është të ofrojmë akses të barabartë në literaturë dhe burime arsimore për komunitetin e verbër dhe personat me shikim të dëmtuar, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe fuqizimin.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare ‘Omculti’, Qëndresa Loki, tha për KultPlus se qëllimi i organizatës është përfundimi i 100 librave deri në fund të muajit nëntor.

“Projekti ka filluar dhe po realizohet me sukses dhe aktivitetet po kryhet sipas planit të paraparë. Synim i yni është që numrin prej 100 librave të incizuara ta arrijmë deri në fillim të nëntorit. Pastaj do ta hapim dhe një thirrje për disa narratorë vullnetarë në mënyrë që t’i arrijmë të paktën 110 libra të incizuara. Projekti do të realizojë edhe disa libra në gjuhët e komuniteteve në Kosovë, si serbisht, boshnjakisht, turqisht dhe në gjuhën rome”, u shpreh Loki.

Komuniteti i të verbërve dhe i personave me shikim të dobësuar fuqizohet përmes qasjes së barabartë në edukim dhe dije përmes qasjes në audiolibra. OJQ Omculti përveç ekipit të vet, ka kontraktuar studio profesionale për realizimin e këtij projekti, ekspertë të audios si dhe rreth dymbëdhjetë narratorë (aktorë profesionistë).

Për realizimin e këtij projekti, Omculti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës, (MKRS), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile në Kosovë (KCSF), si dhe nga Komuna e Prishtinës.

Si përfundim, projekti për regjistrimin e 100 librave audio për komunitetin e të verbërve në Kosovë është një iniciativë vendimtare që do të ndihmojë në adresimin e nevojave të individëve të verbër dhe atyre me shikim të dëmtuar në vend. Omculti do të sigurojë që librat audio me cilësi të lartë të prodhohen sipas standardeve të kërkuara. Librat audio do të jenë një burim i vlefshëm për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Bibliotekën e të Verbërve të Kosovës dhe Komitetin e Grave të Verbra të Kosovës./KultPlus.com

Presidenti më i vjetër amerikan në histori, sa vjeç mbush Jimmy Carter?

Jimmy Carter, presidenti më i vjetër amerikan i gjallë, nesër mbush 99 vjeç dhe vendlindja e tij Plains, Georgia, po përgatitet ta festojë atë.

Mbi 14 000 njerëz nga e gjithë bota i kanë shkruar presidentit të 39-të dhe urimet e tyre do të publikohen në një ekran të madh dixhital nga ”The Carter Center”, fondacioni që mban emrin e tij.

Edhe pse presidenti filloi të kurohej në shtëpi shtatë muaj më parë pas një sërë shtrimesh në spital, sot ai do të marrë pjesë në një festë për nder të tij së bashku me gruan e tij Rosalynn, e cila vuante prej kohësh nga demenca.

Programi i festimeve, përfshin edhe shfaqjen e filmit “All the President’s Men” i cili tregon historinë e skandalit Watergate dhe rënies së presidentit Richard Nixon.

Ajo ngjarje historike, së bashku me pasojat nga Lufta e Vietnamit, hodhën themelet për ngritjen e Carter, atëherë një senator nga Gjeorgjia drejt Shtëpisë së Bardhë./ KultPlus.com

Robert Shvarc, përkthyesi që e dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe

30 shtatori, është ditë në të cilën bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit. Me këtë rast po e sjellim në vëmendje përkthyesin e njohur, Robert Shvarc, i cili e dashuronte plotësisht gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com

Pas vërshimeve në Nju-Jork, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në qytetin e Nju-Jorkut pasi stuhitë e forta sollën përmbytje të shpejta.

“Po shpall një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë qytetin e Nju-Jorkut, Long Island dhe Luginën Hudson për shkak të reshjeve ekstreme që po shohim në të gjithë rajonin”, tha Guvernatorja Kathy Hochul në platformën X, raporton BBC.

Shumë prej sistemeve të metrosë, rrugëve dhe autostradave të qytetit janë përmbytur, ndërsa të paktën një terminal në aeroportin LaGuardia u mbyll të premten përpara se të rihapet më vonë.

Deri në 20 cm shi ra në disa pjesë të qytetit, por qiejt ishin qetësuar pak nga mbrëmja.

“Kjo është një stuhi e rrezikshme, kërcënuese për jetën”, tha guvernatorja.

Ndërsa nuk është raportuar për vdekje apo lëndime kritike.

Një gjendje e jashtëzakonshme u shpall gjithashtu në qytetin Hoboken të New Xhersit, pikërisht përtej lumit Hudson nga qyteti i Nju-Jorkut.

Kryebashkiaku Eric Adams, paralajmëroi njerëzit se ishte koha për vigjilencë të shtuar dhe kujdes ekstrem pasi u vendos gjendja e jashtëzakonshme.

“Disa nga metrotë tona janë të përmbytura dhe është jashtëzakonisht e vështirë të lëvizësh nëpër qytet”, tha ai në një konferencë për shtyp. / KultPlus.com

‘The Financial Times’: Shqipëria, eksploroni atraksionet e xhevahirit ballkanik

Peizazhet e egra e të rrëmujshme të Shqipërisë u izoluan nga bota gjatë një epoke 46-vjeçare komuniste, kur ata që udhëtonin drejt Korfuzit mund të shihnin vetëm brigjet e saj të errëta dhe të habiteshin, shkruan Camilla Bell-Davies në një artikull për “The Financial Times”.

Kohët kanë ndryshuar, aktori amerikan Leonardo DiCaprio tani është një avokat për ruajtjen e natyrës së Shqipërisë dhe një investim thelbësor nga kompania amerikane “Patagonia” ka nisur për mbrojtjen e Vjosës, lumi i fundit i egër i Evropës.

Ryan Gellert, CEO i “Patagonias” e përqafoi kauzën pasi vizitoi bregun e lumit Vjosa shtatë vjet më parë.

Përpjekjet për mbrojtjen e Vjosës vijnë në një moment kyç.

Vija bregdetare e Adriatikut të Shqipërisë ishte një vendpushim kryesor këtë verë, pasi udhëtarët erdhën në kërkim të pikave të pazbuluara dhe çmimeve të përballueshme.

Përballë këtij bumi të pashmangshëm të vizitorëve, shumë pyesin se si ruhet nje destinacion i egër që tërhoqi një numër në rritje turistësh.

Për ta gjetur atë, drejtohuni thellë në brendësi të Shqipërisë, ku fermerët e kthyer në pronarë bujtinash po praktikojnë një formë turizmi të ngadaltë rural që ruan traditat agrare dhe mikpritjen shpirtërore të Shqipërisë, të ngjashme me fermat e agroturizmit në Itali.

Mes tyre është ”Albaniku”, një butik agroturizëm i zhytur mes pyjeve dhe maleve të luginës së Deshnicës të Vjosës.

Elona Bejo, e cila drejton ecjet përgjatë shtigjeve të Vjosës, mbledh barëra medicinale dhe eksploron faltoret e bektashinjve.

Ndërsa përvoja e Albanikut, ajo është përqendruar në traditë dhe trajtimet moderne si yoga dhe kuzhina vegjetariane.

Vazhdimësia e praktikës së qëndrueshme ka qenë relativisht e pandërprerë këtu në Shqipëri, e lënë mënjanë vetëm për pak kohë, në mesin e viteve 1990 gjatë tranzicionit kaotik.

Bejo shpjegon se shumë vendas përdorin njohuritë e prindërve të tyre pa pasur nevojë të gërmojnë shumë prapa në histori.

Ajo shpreson që vizitorët të mund të nxjerrin njohuri nga kjo ekzistencë e vetë-mjaftueshme.

“Elektriciste, infermiere, agronome, veterinere, kuzhiniere, shpikëse, marangoze… Unë jam pak nga të gjitha këto profesione dhe shumë të tjera”, tha ajo.

Në veri dallohen Bjeshkët e Nemuna, një emër i parezistueshëm për aventurierët.

Kullat e tyre të errëta shkëmbore dhe luginat e thella të lumenjve u sigurojnë mbrojtje klaneve vendase të Malësisë që u organizuan në bazë të një kodi të lashtë, Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Ndërkohë që ligjet e Kanunit për gjakmarrjen janë ulur kryesisht, theksi i tij në nderimin e vizitorëve vazhdon.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” kumbon gjithandej në agroturizmin e drejtuar nga familjet në luginën e Valbonës.

Të aksesueshme përgjatë shtegut të Majave të Ballkanit, një udhëtim epik i një alpinisti bazuar në shtigjet e vjetra të barinjve, këto bujtina mbeten kryesisht të palidhura me rrugë.

Stani i Arif Kadris, në malin e Gjarpërit, bujtina ”Bashkimi” në luginën e thellë të Dobërdolit dhe banesa e Bashkim Trezhnjeva në fshatin Sylbicë, janë të thjeshta, por të rrethuara nga bukuria.

Udhëtimet mes tyre, pesë deri në tetë orë në ditë, ofrojnë pamje të pafundme malore dhe lumin e bruztë të Valbonës poshtë.

Arinjtë, ujqërit dhe rrëqebulli enden nëpër pyje.

Një fermer vendas i bujtinës nuk e priti mirë rrugën e asfaltuar që u ndërtua pothuajse në të gjithë luginën e Valbonës, duke arritur deri te dera e tij.

Më parë, të ftuarit qëndronin me të për një javë në natyrë.

“Tani ata ndalojnë vetëm për një kafe të shpejtë në rrugën e tyre”, tha ai.

Neomalsore është e arritshme nëpërmjet një shëtitjeje me varkë 70-minutëshe përmes kanionit marramendës të Liqenit të Komanit.

Fisi Molla është veçanërisht legjendar për pritjen këtu, për breza me radhë ata u kanë shërbyer udhëtarëve kalimtarë ushqim dhe verë të mirë, dhe i kanë përcjellë me traget përtej liqenit, duke nderuar gjithmonë Kanunin.

Neomalsore, që do të thotë “malësor i ri”, tregon se gjithçka prodhohet në vend me zero mbetje.

Marjana Koçeku, vajza më e vogël, e cila studioi jashtë vendit përpara se të kthehej për të drejtuar bujtinën me familjen e saj, e konsideron durimin “një fjalë të re”.

“Është një koncept i rrënjosur tashmë në gjakun tonë, nga të jetuarit në vende të izoluara, nga skamja dhe durimi”, tha ajo.

Këtu, ushqimi sezonal shijohet nën dritën e qirinjve në sofra, peshk i pjekur në flakë, supë me hithra, bukë misri me arra dhe djathë deleje të kripur, të shërbyer me perime turshi, kos, fruta dhe mjaltë.

“Njerëzit vijnë këtu për t’u shkëputur nga përditshmëria”, tha Koçeku.

Por, në stinët më të ftohta, në pranverë dhe shtator,  familjet të ngrohin me raki dhe çaj mali pranë një vatre të ndezur.

Mysafirët mund të futen në skaf dhe të peshkojnë, ose të notojnë në liqenin e kaltër,, i ndjekur nga një banjë në malësi, ujë i ngrohur në flakë, flokë të larë me hi për shkëlqim natyral.

Natën, yjet ”këndojnë” në errësirë, të patrazuar nga drita artificiale.

Këto vendstrehime janë ambiente të të jetuarit sezonal.

Por Koçeku, Bejo dhe të afërmit e tyre kujtojnë stigmën me të cilën u përballën malësorët gjatë viteve 2000, kur të rinjtë shqiptarë lakmonin prosperitetin urban.

“Njerëzit në qytete na quanin injorantë dhe thoshin se jetonim në shpella. Të rinjtë nuk mund të shihnin të ardhme këtu, kështu që u nisën për në Londër”, tha ajo.

“Tani dua t’u tregoj atyre se ju mund të studioni në universitet, të udhëtoni nëpër botë dhe të ktheheni përsëri në rrënjët tuaja”, tha Koçeku.

Një nënprodukt i izolimit të këtyre agroturizmit është se pronarët janë aktivë në media sociale.

Përdorimi i platformës për të përkrahur një mënyrë jetese më të thjeshtë është diçka që asaj i duket argëtuese.

“Kush do ta kishte menduar se në më pak se 100 vjet ne do të kalonim nga transportimi i klaneve nëpër liqen në pritjen e udhëtarëve nga e gjithë bota dhe postimin e zonës online”, tha ajo.

“Kanë kaluar shekuj të tërë para syve tanë, ndryshimi ka qenë kaq e shpejtë”, shtoi ajo.

Tre aventura të tjera shqiptare

”Mrizi i Zanave”, Lezhë

Kur shefi i kuzhinës Altin Prenga u kthye në Shqipëri nga Italia, ai riimagjinoi një shtëpi ferme të rrënuar në majë të kodrës në një restorant dhe fermë me dhoma prej guri dhe xhami.

Ushqimet janë të kushtueshme dhe stafi është jashtëzakonisht i gëzuar.

Ambientet e brendshme të kujtojnë shtëpizat malore zvicerane, me qilima lëkure deleje dhe aromat e lisit dhe sherebelës.

”Les Villas”, Qeparo

Midis hoteleve të larta komuniste në jug të Durrësit dhe Sarandës gjenden xhevahire të paprekura bregdetare, të arritshme nëpërmjet rrugëve të pjerrëta malore që përqafojnë Adriatikun.

Pas komunizmit, shumica e fshatarëve të Qeparoit u larguan në Itali, por njerëzit po kthehen për t’i kthyer shtëpitë e tyre në hotele dhe vila.

E dallueshme është ”Les Villas” de Qeparo për pishinën e saj të vogël dhe pamjet e saj nga deti.

Hotel ”Tradita”, Shkodër

Prekja e turizmit mezi ndihet në liqenin e Shkodrës në veri të Shqipërisë, me përjashtim të restorantit të çuditshëm të vendosur përgjatë bregut të mbushur varka peshkimi.

Në Balani ose Syri i Sheganit, peshkatarët e shndërrojnë krapin e thjeshtë të liqenit në një kënaqësi kulinarie, duke e zier atë me një salcë kumbulle të thatë dhe domate.

Qëndroni në qytetin e vjetër të Shkodrës, ku ndërthuret arkitektura veneciane dhe osmane.

Hoteli elegant ”Tradita” organizon festa në restorant gjatë fundjavave.

Pak raki do t’ju ndihmonte të ndiqnit ritmin ballkanik, ndërsa kamarierët thurin me mjeshtëri pjatat e shkëlqyera me djath dhe perime. /atsh/KultPlus.com

Bordi i RTK-së suspendon drejtorin e RTK2 Zhelko Tvërdishiq

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar me datën 30 Shtator 2023, pas një vlerësimi të raportimit që është bërë në RTK lidhur me ngjarjen tragjike të sulmit terrorist nga formacione paraushtarake serbe, në të cilin u vra një polic i Kosovës, ka marrë disa masa të rëndësishme për të korrigjuar shkeljet e standardeve profesionale të raportimit.

“Pas një diskutimi të detajuar dhe një analize të situatës rreth kronikës së transmetuar në lajmet e RTK2 (kanali në gjuhën serbe) me date 28 shtator 2023, pas propozimit nga drejtori i përgjithshëm, Bordi i RTK-së në mënyrë unanime ka vendosur për suspendimin nga detyra për një afat 30 ditor të drejtorit të RTK2, Zhelko Tvërdishiq”, thuhet në komunikatën e RTK-së.

Sipas RTK-së, kjo masë është marrë në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.

“Gjatë kësaj periudhe, menaxhmenti i RTK-së do të kryejë një analizë të hollësishme të situatës dhe të raportimit në përgjithësi, me qëllim që të identifikohen të gjitha shkeljet e mundshme të standardeve profesionale dhe të merren masat e duhura për t’i korrigjuar. Po ashtu, masa të tjera disiplinore do të ndërmerren ndaj të gjithë individëve përfshirë në shkeljet e raportimit profesional dhe që janë të përcaktuara në ligjet dhe rregulloret me të cilat operon RTK”, thuhet tutje.

Kryetari i Bordit të RTK-së me datën 24 shtator përmes një e-maili ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm dhe rrjedhimisht nga të gjitha njësitë që të kenë kujdes të shtuar dhe vigjilencë në raport me situatën si dhe të raportojnë me profesionalizëm.

“Bordi i RTK-së vazhdon të mbështesë lirinë e mediave, profesionalizmin dhe integritetin e raportimit të pavarur, dhe është i vendosur të sigurojë që të gjitha veprimet të përputhen me këto parime dhe me Ligjin për RTK dhe frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thotë në fund Bordi i Radio Televizionit të Kosovës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Vuçiq po përpiqet ta zhbëj paqen, por këtë nuk do ta lejojmë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet ta zhbëjë paqen dhe lirinë që është arritur në rajon së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por sipas saj, një gjë e tillë nuk do të lejohet.

Presidentja Osmani përmes një postimi në X, ka thënë se liria do të jetë ajo që do të mbizotërojë.

“Mbi 2 dekada pasi Millosheviqi shkatërroi Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, togeri i tij Vuçiq tani po përpiqet të zhbëjë gjithçka që kemi arritur së bashku me SHBA-në dhe BE-në: paqen, lirinë dhe bashkëjetesën mes bashkësive të ndryshme. Ne do të punojmë me aleatët tanë dhe nuk do të lejojmë që këto arritje të zhbëhen. Liria do të mbizotërojë”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Fillon tërheqja e forcave serbe nga kufiri i Kosovës

Të shtunën është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës, pas shqetësimeve që Uashingtoni dhe Brukseli shprehën për zhvendosjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Qyteti i Predejanit ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe rreth 100 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Merdarë.

Kolona me automjete të ushtrisë serbe, siç thekson reporteri i Radios Evropa e Lirë, rreth mesditës po lëvizte nga jugu në veri të vendit.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare. /REL/KultPlus.com

Fisi i Hotit, pozita dhe popullsia e tij

Robert ELSIE, Fiset shqiptare

Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Hotit ndodhet në qarkun e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë. Ai shtrihet në verilindje përpjetë luginës që fillon në fund të pjesës lindore të liqenit të Shkodrës, afër kalimit të kufirit shqiptaro-malazez të Hanit të Hotit dhe vazhdon të shtrihet përpjetë maleve që kalojnë pranë Brigjës deri te maja e fshatit Rapshë-Starje. Rruga nga bregu kah territori i Kelmendit dhe i Vermoshit ,në fillim shpie në këtë luginë, që shkon paralel me kufirin shqiptaro-malazez. Territori i Hotit shtrihet edhe përgjatë liqenit, në Malin e Zi, dhe vazhdon nëpër gjirin e Humit, duke u ngjitur deri në luginën e parë të Helmes dhe Traboinit, në anën veriore të Malit Bukoviq. Hoti kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Grudës në veri të Malit të Zi, në verilindje me Kelmendin dhe me Kastratin në jug.
Ngulimet kryesore të Hotit janë: Rapsha e Hotit në Shqipëri dhe Arza, Helmesi dhe Traboini në Mai të Zi.

Popullsia

Termi Hoti është shënuar si një emër personal më 1330. Më 1474, rajoni quhej montanee octorum, montanea attanorum (Malet e Hotit). Trajta e termit hoti përmendet në raportin dërguar Romës, në shtatorin e vitit 1621, nga peshkopi shqiptar i Sap-ës dhe i Sardë-s, Pjetër Budi dhe në raportin kishtar të Pietro Stefano Gasparit, më 1671. Hoti gjithashtu shfaqet në raportin e Gjorgjo Stampaneos, aty kah viti 1685 dhe në hartën e vitit 1689, të hartografit italian Gjakomo Kantelli da Vinjola.

Më 1614, shkrimtari venedikas, Mariano Bolizza nga Kotori i përmend 212 shtëpi të Hotit nën zotërimin e një farë Marash Papës, me 600 burra të armatosur.66 Më 1838, doktori austro-hungarez , Jozef Myller, ishte informuar nga At Deda i Vuklit se në Hot kishte 1500 banorë.67 Pothuajse në të njëjtën kohë (1841), në “Një informatë e shkurtër mbi fiset e Malësisë së Shqipërisë së veriut, në veçanti mbi malet e pavarura”, Nikolla, Princi i Vasojeviqve, pohon se popullata e Hotit përbëhej prej 2400 banorëve, prej të cilëve 600 ishin të armatosur. Në saje të regjistrimit të vitit 1854, diplomati francez, Hajsinth Hekardë, ka cekur se Hoti ka 450 familje.

Një diplomat tjetër francez, Emil Vjetë, konsulli francez në Shkodër, ka cekur se Hoti kishte 400 shtëpi që përfshinin 2442 katolikë, plus pesë shtëpi të tjera myslimane në trevën e quajtur Sunci.70 Autorë të tjerë të fimdit të shekullit nëntëmbëdhjetë përmendin gjithashtu 400 dhe 500 familje. Nga këto të dhëna, mund ta kemi të qartë se popullata e Hotit ka pasur rreth 400 banorë në atë kohë. Edith Durhami i referohet Hotit në dekadën e parë të shekullit njëzet si një bajrak i përbërë prej 500 shtëpive.

Hoti, tradicionalisht, ka qenë fis katolik. Mbrojtësi i shenjtë i fisit është Gjoni i Pagëzuar, dita e të cilit (Shënjoni i Hotit) kremtohet për çdo vit, më 29 gusht. Kisha e famullisë së Brigjës, e ndërtuar më 1699, i është kushtuar Shën Gjonit Pagëzues. Vetëm disa gurë dhe një varrezë e vjetër kanë mbetur nga kisha. Ky fis e ka edhe festën dimërore të Shën Nikollës, e cila kremtohet tërë javën. Kisha në Hot i është dedikuar Shën Venerandës. Kisha në Rapshë të Hotit është ndërtuar në vitin 1699 nga françeskanët, të cilët pas një kohe të shkurtër qenë të detyruar të largoheshin prej saj. Një shtëpi e famullitarit u ngrit aty më 1907, e financuar nga Austro-Hungaria. Në Traboin ka qenë një famulli katolike që nga viti 1648, megjithëse shpesh braktisej.

Disa familje në Hot, gjatë periudhës së sundimit Osman u konvertuan dhe kaluan në fenë islame. Megjithatë, ndasitë fetare nuk duket të kenë shkaktuar probleme të mëdha brenda fisit. Dhjetë familje në Rapshë, bie ijala, kaluan në fenë islame më 1800 dhe nga Pasha fituan të drejtën që të kenë Bylykbashin ose (Vojvodën e vet); këtë post e pati vazhdimisht familja e Hasan Agës./ KultPlus.com

‘Wine and Stories’, Kumbaro: Një udhëtim shijeje dhe historie në Berat

Berati do të mirëpresë në 13-15 tetor festën e verës, një aktivitet që promovon kulinarinë dhe traditat e qytetit të “një mbi një dritareve”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot vizitorët të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, të cilin e cilësoi “një udhëtim shijeje dhe historie”.

“Në ‘Wine and Stories of Berat’, qytetit që siç i shijon vera, i ka lezet edhe dora e amvisave që ruajnë e përcjellin vit pas viti traditat më të bukura të tij”, shkruan Kumbaro.

Në datat 13-15 tetor, Berati do të jetë më shumë se një destinacion duke u kthyer në një përvojë, ku kultura, vera, kulinaria dhe muzika janë të gjitha në ‘menu’ për t’u shijuar.

Festat lokale konsiderohen si mënyrë për të promovuar traditën dhe natyrën shqiptare dhe po organizohen në qytete të ndryshme të vendit./atsh/KultPlus.com

Kapela ikonë e Michael Jackson shitet për bamirësi

Kapela e mbajtur nga Michael Jackson në performancën e parë historike të hapit të tij ikonik të kërcimit “Moonwalk” u bë një pjesë e vlefshme muzikore.

Ajo kapele ikonë, e mbajtur nga “mbreti i popit” në një nga momentet e paharrueshme të karrierës së tij, u hodh në ankand nga kompania Lemon Auction, duke arritur një çmim mbresëlënës shitjeje prej rreth 77 mijë eurove.

Performanca në të cilën Michael Jackson prezantoi botën e ecjes në hënë u zhvillua ndërsa ai këndoi këngën e tij “Billie Jean” në specialen televizive “Motown 25: Yesterday, Today, Forever” në 1983.

Në atë moment, këngëtari la të shtangur publikun dhe mbarë botën duke kryer lëvizjen e qetë dhe elegante që do të bëhej markë e tij.

Kapela në fjalë është një element emblematik i veshjes së Michael Jackson dhe shitja e saj përfaqëson një moment të mrekullueshëm për koleksionistët dhe fansat e artistit legjendar.

Përveç të qenit një simbol i karrierës së Jacksonit, kjo kapelë është një kujtesë e ndikimit të qëndrueshëm që ai pati në muzikën dhe kulturën pop në mbarë botën, tani në duart e dikujt që duhej të shpenzonte një pasuri të madhe.

Në këtë rast, kapela që dëshmoi një nga momentet më ikonike në historinë e argëtimit ka gjetur një shtëpi të re dhe pronari i saj i ri me siguri do ta vlerësojë atë si një pjesë të vlefshme të historisë muzikore.

Ndikimi i Michael Jackson në muzikë dhe vallëzim mbetet i pamohueshëm, dhe trashëgimia e tij jeton përmes brezave të mëvonshëm të artistëve dhe fansave.

Ankandi i kësaj kapele ikonike është një kujtesë e rëndësisë dhe ndikimit kulturor që kishte dhe vazhdon të ketë “mbreti i popit”, muzika dhe stili i të cilit vazhdojnë të festohen dhe admirohen në mbarë botën./rtv21/KultPlus.com

‘Brez pas brezi Myzeqar’ festa lokale në Zharrëz

Sot, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u zhvillua festa lokale “Brez pas brezi Myzeqar”, në Zharrëz, shkruan KultPlus.

Në këtë festë sipas Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë është vënë theksi te ruajtja e trashëgimisë, zakoneve dhe traditave shqiptare.

“Festë kjo e cila bëri bashkë të gjithë banorët e njësisë Zharrëz duke vënë theksin te ruajtja dhe trashëgimia e zakoneve, traditave, vlerave, historisë dhe kulturës që kjo zonë ka”, thuhet në postimin e Ministrisë së Kulturës në facebook./KultPlus.com

Shtatori më i ngrohtë në Francë që nga viti 1900

Franca ka regjistruar shtatorin më të ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve të motit në vitin 1900.

”Sipas vlerave paraprake, shtatori i këtij viti ishte 3,6 gradë Celsius më i ngrohtë se mesatarja e viteve 1991 deri në 2020, me një temperaturë mesatare prej 21,5 gradë Celsius”, tha shërbimi i motit ”Météo France”.

Në disa vende, ishte edhe më shumë se 4,0 gradë Celsius më ngrohtë se mesatarja afatgjatë.

Shtatori ishte pothuajse po aq i ngrohtë në Francë këtë vit sa ishte në qershor.

Në fillim të muajit ka pasur valë të nxehti me temperatura mbi 30 gradë Celsius në pjesë të mëdha të vendit.

Dhe në fund të muajit temperaturat në Francë do të rriten sërish, sipas parashikimeve.

Në gjysmën jugore të vendit temperaturat do të ngjiten mbi 30 gradë Celsius./ atsh/KultPlus.com

Komedia “Masë për masë” e William Shakespeare vjen premierë në qytetin e Gjakovës

Teatri i qytetit Hadi-Shehu Gjakovë dhe Teatri i qytetit Bekim Fehmiu-Prizren, të hënën mbrëma do të sjellin shfaqjen Premierë “Masë për masë” nga William Shakespeare në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Komedia vjen me regji Altin Bashës, përderisa në të luajnë aktorët: Xhevdet Doda, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Edona Sopaj, Edonis Kastrati, Valmir Krasniqi, Alban Çela, Alban Krasniqi, Vlora Dervishi, Butrint Lumi, Valmira Hoti, Altina Kusari dhe Edi Gjakova.

Stafi që punoi poashtu në realizimin e kësaj shfaqje janë:

Producent: Albulena Bokshi, Burim Mustafa

Udhëheqës Artistik: Fatos berisha

Skenografia: Petrit Bakalli

Kostumografe: Ilirjanë Loxha Basha

Muzika: Memli Kelmendi

Koreograf: Robert Nuha

Dramaturgjia e përshtatur: Altin Basha

Përktheu: Vedat Kokona

Inspicient: Arben Lleshi

Grimi: Canan Cibo

Mjeshtër ndriçimi: Qëndrim Ruka

Premiera e shfaqjes jepet me 2 Tetor 2023 në ora 20:00 në Gjakovë.  Ndërsa reprizat do të jepen me 3 dhe 4 Tetor 2023/KultPlus.com