Kosovës

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës muajin Prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, muajin prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës, nën dirigjimin e Pëllumb Vulës, përderisa soliste e mbrëmjes është  Zanë Abazi- flaut.

Ky koncert mundësohet në kuadër të programit “Filharmonia në Lëvizje”.

Koncerti do të hapet me uverturën e operës “Cosi fan tutte” nga Mozarti. Në këtë program do të interpretohet edhe vepra “Odelette” nga Saint-Saëns.

Përmbyllja e koncertit shënohet  me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Schumanni. Mos e humbni këtë koncert, i cili do të dirigjohet nga Pëllumb Vula.

Koncerti mbahet më 6 prill, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, prej orës 20:00./KultPlus.com

‘Kamarja e Turpit’ premiera e radhës e TKK

Teatri Kombëtar i Kosovës sjellë shfaqjen premierë “Kamarja e Turpit” të autorit Ismail Kadare, me regji të Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.

Në këtë premierë, trajtohet tema ku perandoria osmane duke bërë çmos që ta zë kokën e kryerebelit, Ali Pashë Tepelenës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët do t’i shkojnë pas siç i shkuan Skenderbeut dikur.

Perandoria Osmane ka filluar të dobësohet ngaqë shtetet nën pushtimin e saj kanë nisur përpjekjet për pavarësi. Për ta ruajtur pushtetin dhe imazhin në sytë e qytetarëve të vet, perandoria ka vendosur në sheshin kryesor të kryeqytetit kamaren e turpit: vendin ku do të ekspozohen kokat e tradhëtarëve që e gjithë bota t’i shohë. Por një kokë paraqitet sfiduese për t’u kapur: ajo e kryerebelit shqiptar, 80-vjeçarit Ali Pashë Tepelenës.

Por Sulltani është në gjendje të bëjë çmos për ta kapur kokën e Ali Pashës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët e të gjitha anëve do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së tij për t’iu bashkuar në luftë kundër perandorisë, ashtu siç bënë me Skenderbeun disa shekuj më parë.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi

Ekipi tjetër që kontribuan në këtë shfaqje:

Dramatizimi:
Doruntina Basha
Ass. Regjie: Qendresa Spahiu, Ardijana Mehmeti, Djellëza Dedushi
Kompozitor: Adhurim Grezda
Koreografe: Erna Salihu
Skenograf: Bekim Korça
Kostumografe: Yllka Brada
Dizejni i dritave: Yann Perregaux
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Video Artist: Miran Bratus
Dizajni: Nita Qahili
Fotograf: Elton Aliçkaj
Inspicient: Mursel Haziri
Ndriçues: Mursel Bekteshi
Tonist: Avdi Gërvalla
Shtëpia Botuese Onufri

Premiera jepet më 19 Mars, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës/KultPlus.com

Në Bibliotekën e kryeqytetit PEN Qendra e Kosovës trajtoi dy tema letrare 

Sot, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, në Bibliotekën Komunale të Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, mbajti takimin e radhës me ç’rast u debatua për dy tema.

Tema e parë ishte “ Vlerësimi kritik i veprës letrare” dhe rreth saj foli profesori universitar, Anton Berishaj, ndërsa në temën e dytë ”Si shkruhet romani”, mendimet e veta i paraqiti shkrimtari, Gëzim Aliu.

Takimin, në të cilin morën pjesë studentë të Degës së Letërsisë Shqipe dhe dashamirë të fjalës së shkruar, e moderoi profesor Milazim Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë që ka kritika në promovimin dhe në jetëgjatësinë e romanit e përgjithësisht të librit dhe për romanin si ushqyes të kritikës. Lidhur me këtë ai mori disa shembuj nga letërsia botërore dhe nga letërsia shqipe. 

Duke folur rreth vlerësimit kritik të letërsisë, profesori Anton Berishaj, ndër të tjera, tha:  

“Që nga fillet e mendimit sistematik për letërsinë është shtruar çështja e vlerës dhe e vlerësimit të saj (Platoni, Aristoteli…). Në shekullin XX, me konstituimin e dijes letrare sistematike dhe “autonome” – formalizmi, strukturalizmi, semiotika… – vlera estetike/letrare është parë si e domosdoshme dhe dominante, pra si vlerë intrinsike që e definon letërsinë si të tillë (forma, struktura, stili, narracioni, letrarësia…), edhe pse (posaçërisht te strukturalizmi kjo është vënë shpesh nën thjerëzat e dyshimit teorik). Në anë tjetër, ndërkaq, posaçërisht te qasjet semiotike (Jan Mukarzhovski, Lotmani etj.) janë evidentuar edhe të ashtuquajturat vlera jashtestetike: vlerat e ekzistencës, vlerat intelektuale/kognitive, etike, sociale, religjioze, politike, ideologjike…, të cilat shpesh si elemente strukturale të vetë veprave letrare janë parë të pashkëputshme nga vlera e tyre estetike/letrare, duke e theksuar vazhdimisht se në dimensionin e funksionit të tyre ato shpesh kanë qenë kusht i domosdoshëm që veprat e artit dhe të letërsisë të konsiderohen si të tilla”. 

Më tutje, Berishaj theksoi se “ ky dualizëm i vazhdueshëm epistemologjik, i cili projektohet edhe te dimensioni ontologjik i artit/letërsisë, është aktualizuar edhe në estetikën normativiste. P.sh. Gordon Graham konstaton se shpjegimi i vlerës së artit në këtë kontekst do duhej të kishte përparësi në relacion me përkufizimin se çfarë është arti (relacioni i artit me kënaqësinë, emocionet, njohjen…)”, duke marrë disa shembuj karakterizues nga vepra të ndryshme letrare”.

Ndërsa rreth temës “Si e shkruaj romanin”, shkrimtari Gëzim Aliu ndër të tjera theksoi: 

“Të shkruarit letrar, artistik, nuk është sikur të prodhuarit e një makine shërbyese, këtë besoj e di çdokush. Çfarë i shtynte njerëzit parahistorikë të vizatonin në shpella, të vendosnin shuplakat e tyre në shkëmb e të hidhnin ngjyrë?! Është dëshira, therja e brendshme për ta treguar praninë në jetë, therja e dëshira për të komunikuar me të tjerët edhe kur nuk i njeh. Por, nuk është vetëm kjo therje, kjo dëshirë, është edhe përpjekja për ta ndërtuar veten, për ta zgjatur veten, për të qenë emri dhe mbiemri që mbase do të lexohet edhe në të ardhmen. Pyetja ‘Pse shkruaj’ nuk ka përgjigje të saktë, po ashtu siç nuk ka përgjigje të saktë pyetja ‘Pse është jeta’. Do të mund të mos ishte e kurrë nuk do ta kishim marrë vesh.

Si shkruaj? Për këtë mund të flas shumë më saktë”.

Në vazhdim të diskutimit të tij, Aliu përmendi edhe shumë aspekte me interes që ndërlidhen me procesin e të shkruarit të romanit, duke shtuar se: “Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit. Gjithçka mund të ndezë një shkëndijë dhe kjo shkëndijë mund të ndriçojë një ide, dhe këtë ide e shkruaj, gjithsesi duhet ta shkruaj, sepse mund të zhduket në errësirën e asgjësë shumë shpejt. Pas një kohë e shoh idenë e shkruar, që nganjëherë bëhet edhe skicë, shoqëruar ndonjëherë edhe me ndonjë vizatim. Idenë e mbjell në imagjinatë dhe nëse e shoh që ka kapacitet për t’u shndërruar në diçka më të madhe, tregim ose roman, vazhdoj të punoj”.

Gjithashtu, i dalloi edhe rëndësinë e imagjinatës dhe të ideve, për të arritur te konstatimet se: “Potenca e idesë për t’u shndërruar në krijim letrar, pasi të mbillet në imagjinatë, është shenjë se duhet punuar intensivisht. Ideja rritet, e ushqen njeriun kryesor të krijimit letrar, personazhin, i cili apo e cila, posa të ndihet gjallë, fillon të veprojë, veprimi dhe ndërveprimi i tij me personazhe të tjerë shkakton ngjarje e ngjarjet shkaktojnë storie e storiet bëhen roman”.

Studenti i Degës së Letërësisë Shqipe, Albin Shala, u interesua për fokusin e kritikës letrare dhe për fenomenin si zhvillohet imagjinata, për të cilat mori përgjigje nga panelistët. 

Në fund të aktivitetit u dhuruan libra për të gjithë pjesëmarrësit.

Projekti kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

‘Bilbili i Kosovës’ rikthehet e bronztë në Pagarushë

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha “ringjallet” sot në fshatin e saj të origjinës në Pagarushë të Malishevës, me shtatore bronzi.

Aktivitetet do të fillojnë që nga ora 10:00 me nderime te varri i saj në Pagarushë, me pas do të zbulohet bustit dhe në fund të Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë do të jepet një shfaqje kulturore e artistike.

Ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë.

“Jetësimi i kësaj vepre të madhe po bëhet edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit Pagarushë, miqve e dashamirëve të familjes së madhe Pagarusha, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe për këtë, qeverisja jonë komunale u është mirënjohës thellësisht”, ka shkruar kryetari i komunës, Ekrem Kastrati.

E cilësuar si “Bilbili i Kosovës” Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 ndërsa u shua me 7 shkurt 2020. Ajo ishte një këngëtare dhe aktore shqiptare, ndërsa konsiderohet edhe si “mbretëresha e muzikës shqiptare”, e cila këndoi me përkushtim rreth 40 vjet.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Disa nga veprat e saj që kanë mbetur në antologjinë e këngës e interpretimit janë: “Baresha”; ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”,”Zambaku i Prizrenit” e shumë të tjera.

Kujtojmë, se shtatoren e Pagarushës e ka realizuar skulptori Agon Qosja./rtk/KultPlus.com

Fillon tërheqja e forcave serbe nga kufiri i Kosovës

Të shtunën është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës, pas shqetësimeve që Uashingtoni dhe Brukseli shprehën për zhvendosjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Qyteti i Predejanit ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe rreth 100 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Merdarë.

Kolona me automjete të ushtrisë serbe, siç thekson reporteri i Radios Evropa e Lirë, rreth mesditës po lëvizte nga jugu në veri të vendit.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare. /REL/KultPlus.com

Kultura mijëvjeçare e Kosovës me çmim ndërkombëtarë në Iralndë

Gjatë konferencës vjetore të Asociacionit Evropian të Arkeologëve të mbajtur në Irlandën Veriore, ekipi profesional dhe organizativ i ekspozitës ndërkombëtare “Mbretërit e Parë të Evropës” – “First Kings of Europe”, i Muzeut të Kosovës është nderuar me Çmimin për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Ekspozita, sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, paraqet historinë dhe kulturën 7 mijë vjet të vjetër të Kosovës përmes tri artefakteve të ekspozuara në SHBA.

“Reliefi i Kamenicës dhe dy figurinat terrakote të Bardhoshit janë të shfaqura së bashku me artefaktet e 11 vendeve të Evropës Juglindore”, thuhet në njoftim.

“MKRS e ka mbështetur këtë prezantim të trashëgimisë sonë kulturore si dhe tërë procesin e pjesëmarrjes së Muzeut Kombëtar të Kosovës në këtë ekspozitë e cila do të zgjas deri më 28 janar 2024 teksa në konferencë, MKRS u përfaqësua nga Zana Rama nga Instituti Arkeologjik”, thuhet në njoftimin e këtij dikasteri./rtk/KultPlus.com