‘Tashmë që larg, aq larg ke ikur’

Poezi e shkruar nga Mikhail Lermontov

Tashmë që larg, aq larg ke ikur,
Dhe u bënë vite që s’të shoh më.
Dhe shpresa ime ashtu është fikur,
Qëndroj i heshtur dhe nuk bëj zë.

Prita shumë vite duke u venitur,
Pres ende sot që s’jam më djalë.
Prita të zgjohem nga një ëndërr e fikur,
Por për mua dielli jo më s’do dalë.

Ti kurrë s’u ktheve o ëndrra ime,
Unë thjesht imazhe kam parë, e parë.
E nëse vjen ashtu papritur,
As s’kam për të qeshur,
As kam për të qarë.

Më 16-19 tetor 1448 u zhvillua Beteja e Kosovës

Nga Jahja Drançolli

Si sot, më 16/19 tetor 1448, u zhvillua Beteja e Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Europën mesjetare. Vëmendje e veçantë tërheqin burimet që dolën pas betejës të cilat së bashku me epikën popullore ngatërruan personazhet tregimtarë të Betejës së Kosovës të vitit 1389 me ato historike të Betejës së Kosovës të vitit 1448!

Ndërsa, për Betejën e Kosovës në vitin 1389, historiografia e sotme ende nuk ka qenë në gjendje të dallojë Kosovën historike nga Kosova mitike, nga ana tjetër Beteja e Kosovës e vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet si një nga më të famshmet betejat që ndodhën në Europën Mesjetare. Prandaj, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e frymëzuesve të luftërave anti-osmane të udhëhequr nga Janosh Hunyadi dhe Gjergj Kastriot-Skënderbeu.

Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë arena midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Hunyadi dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati II. Në krah të aleancës europiane ishin arbërorët e drejtuar nga Skenderbeu.

Në verën e vitit 1448, pasi mblodhi njësitë hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Hunyadi kishte kaluar Danubin dhe shkoi në Krushevac. Nga atje, ai mbërriti në Kosovë. Nga ana tjetër, Murati II, pasi u informua nga despoti Brankoviq, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje, kishte mbledhur rreth tij të gjitha njësitë, të cilat numëronin 50,000-60,000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri i tyre trefishohet. Njësitë e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore numëronin 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta tre-ditore përfundoi me humbjen e ushtrisë së aleancës.

Premtimet e bëra nga Skënderbeu për t’u angazhuar në anën e aleancës së krishterë e kishin inkurajuar Hunyadin të nxitonte për t’u përballur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për këtë përplasje dëshmohet sipas burimeve zyrtare dhe narrative. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhës dhe pasojave të betejës, burimet kohore japin detaje për vonesën e shqiptarëve në bashkimin me trupat hungareze. Arsyeja kryesore për vonesën e Skënderbeut ishin pengesat e despotit Gjuragj Brankoviq, aleat i dhëndrit Murat II, i cili mbylli të gjitha rrugët dhe shtigjet në të cilat ai mund të kalonte. Shumica e burimeve, duke justifikuar vonesën e Skënderbeut, nxorrën në pah dhe pa aftësinë e Hunyadit, i cili nuk duhet ta kishte pranuar betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave të epilogut, janë ruajtur detaje për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi kishin marrë rrugën drejt jugut jo larg Fushë-Kosovës, takuan Skënderbeun, i cili kishte filluar të bëhej bashkëluftëtar i Hunyadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, afër Vushtrrisë, u përpoqën të gjejnë Bogdanin, një paraardhës të Pjetër Bogdanit. Burimet që dolën pas betejës tërheqin vëmendje të veçantë, të cilat së bashku me eposin popullor kanë ngatërruar personazhet e Betejës së Kosovës në vitin 1389 me ato të Betejës së Kosovës në vitin 1448. Si shembull, mes tjerash këtu, duhet parë librin e përmasave europiane të humanistit nga Raguza, Mauro Orbini (1601), dhe ndonjë tjetër pas tij.!

14 vite nga vdekja e shkrimtarit Dhimitër Xhuvanit

Dhimitër Xhuvani lindi më 23 maj 1934 në Pogradec. Studioi letërsi në Tiranë dhe në Institutin e Letërsisë “Gorki” të Moskës. Vdiq në Tiranë më 19 tetor 2009. Ishte djali i mësuesit të nderuar elbasanas Kostaq Xhuvanit.

Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga qyteti, kur ushtria gjermane vjen në Pogradec dhe ikën muhaxhir në Mokër, ku qëndron deri në çlirimin e vendit, dhe kthehet në Elbasan.

Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Shkëputet nga mjekësia dhe vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe më pas studion në Institutin “Gorki” të Moskës. Krahas punës së shkrimtarit, ushtroi edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit, saldatorit.

Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laureat i “Çmimit të Republikës”, proza e tij është përkthyer në disa gjuhë si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, në gjuhën kineze dhe japoneze. / KultPlus.com

Mark Krasniqi: Në pllakën e varrit le të jenë vetëm emri e mbiemri, edhe shqipja dykrenore

Sot kujtojmë 103-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Mark Krasniqi.

Mark Krasniqi lindi më 19 tetor të vitit 1920. Ai ishte profesor, shkrimtar e akademik, shkruan KultPlus.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-1949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor.

Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993).

Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.

Mark Krasniqi ndër të tjera ishte edhe autor i përmbledhjes së poezive për fëmijë “Posta e porositur”.

Akademik Mark Krasniqi ndërroi jetë më 28.08.2015 në Prishtinë.

Sot në përvjetorin e lindjes së tij, KultPlus ju sjell dy thëniet e tij më të njohura, të cilat për së gjalli i tha për vdekjen e tij.

-Ata të cilët i kisha armiq për së gjalli i kam edhe për së vdekuri, shpresoj që mos t’më vijnë tek varri.

-Kryqit as Hënës nuk ju kam bërë hyzmetin, po as nuk kam qenë kundër tyre. Në pllakën e varrit le të jenë vetëm emri e mbiemri, edhe shqipja dykrenore mbi atë emër. / KultPlus.com

Slash, Myles Kennedy dhe The Co-Conspirators në turne botëror

Slash, Myles Kennedy dhe The Co-Conspirators kanë njoftuar për turneun e ri botëror 2024 që nis në janar.

Ky turne, i quajtur “The River Is Rising – Rest of the World Tour ‘24’, sheh Slashin tek udhëton në 21 shtete.

Ata do të nisin turneun më 23 janar në Mexico City, e pastaj do kalojnë nëpër Kolumbi, Brazil Uruguai, ARgjentinë dhe Kili.

Yjet amerikane po ashtu do të shkojnë edhe në shtete si Holanda, Danimarka, Gjermania, Polonia, Republika Ceke, Hungaria, Italia, Zvicra dhe Luksemburgu.

Ejup Statovci në vitin 1997: Vetë e dëgjova një polic i cili i tha kolegut të tij ‘Shih sa krenar që janë këta shqiptarë’

Më 1 tetor të vitit 1997 studentët në krye me rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci ishin përballur me policinë serbe, me ç`rast edhe ky i fundit ishte arrestuar.

Për këtë protestë, në detaje kishe folur rektori i atëhershëm Statovci.

“Ne qëndronim para policisë, tytave dhe tankeve të tyre plotësisht të lirë, pa frikë e shqetësim, se ishim vigjilentë për misionin tonë dhe krenaria jonë nuk durohej nga policia”, kishte rrëfyer Statovci për gazetën “Zëri” një orë pas lirimit nga arresti i policisë serbe.

Ai kishte treguar se nuk kishte pranuar të dilte nga policia, pa e garantuar se do t’i lironin edhe studentët e tjerë të cilët ishin arrestuar nga demonstrata.

“Vetë e dëgjova një polic i cili i tha kolegut të tij ‘Shih sa krenar që janë këta shqiptarë’ Kjo porosi e jonë përgjithësisht duket se i çmendi fare”, kishte thënë ai. / KultPlus.com

Artan Imami dhe Luli Bitri në komedinë franceze “Nuk duhet ta thoshe”

Sonte në ArTurbina vjen premierë absolute, komedia “Nuk duhet ta thoshe” e francezes Salomè Lelouch.

Vepra është vënë në skenë nga Artan Imami i cili kësaj here flet edhe nga pozicioni i regjisorit ashtu edhe nga ai i aktorit protagonist.

Vepra, një komedi kontemporane, sjell një dialog therës, akuza dhe autoironi, në një konflikt permanent të një çifti në jetën e zakonshme. Temat për të cilat diskutojnë, nisin që nga talenti i munguar i vjehrrës në gatim, te seksi dhe porno, që nga lëvizja “Me too” te aborti apo ferexheja, nga ndryshimet klimatike te pedofilia.

Në krah të Artan Imamit do të interpretojë Luli Bitri dhe Enerest Dalipaj.

Komedia do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar tek “ArTurbina”  4 mbrëmje me radhë për publikun. “Nuk duhet ta thoshe” do të jetë në skenën teatrore në mbrëmjet e datave 19, 20, 21 dhe 22 tetor.

Kjo vepër e autores Salomè Lelouch është e përkthyer nga Genci Çobani, as.regjisore Florenca Bellova, skenografia dhe kostumet janë nga Aldi Rusi. Salomé Lelouch ka lindur më 25 qershor të vitit 1983 në Paris, Francë. Ajo është një dramaturge, aktore, regjisore dhe producente teatri francez./KultPlus.com

Shën Nënë Tereza: Ma dërgo dikë ta dua

Poezi nga Nënë Tereza

O Zot, 
Kur kam uri, më jep dikë që ka nevojë për bukë.
Kur kam etje, më dërgo dikë që ka nevojë për ujë.
Kur kam të ftoftë, më dërgo dikë ta ngroh.
Kur ndjehem e pakënaqur, më dërgo dikë ta ngushëlloj.

Kur kryqi im peshon rëndë, më bëjë ta bashkëndajë kryqin e tjetrit.
Kur jam e varfër, më dërgo te ata që kanë nevojë.
Kur nuk kam kohë, ma jep dikë që ta ndihmoj për një çast.
Kur jam e nënçmuar, bëjë të kam dikë që ta lavdëroj.

Kur jam e ligështuar, më dërgo dikë ta forcoj.
Kur kam nevojë të më kuptojnë, më dërgo dikë që ta dëgjoj e ta kuptoj.
Kur kam nevojë të kujdesen për mua, më dërgo dikë të kujdesem për të.
Kur mendoj vetëm për vetveten, tërhiqe vëmendjen time tek të tjerët. / KultPlus.com

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” vjen në gjuhën gjermane,  promovohet në Zvicër

Libri i njohur “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i shkrimtarit të njohur Ag Apolloni do të promovohet në Zvicër, ku për audiencën zvicerane do të prezantohet në gjuhën gjermane, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje letrare ku i pranishëm do të jetë edhe Ag Apolloni do të mbahet më 25 tetor, në ora 18:00 në Xanthippe Verlag, Zähringerstrasse 26, 8001 në Zurich.

Libri është përkthyer nga Zuzana Finger, dhe të pranishmit do të kenë rastin që të marrin librat me autografet e shkrimtarit./ KultPlus.com

Monumentet në rrezik, 110 objekte duke u degraduar në Sarandë e Gjirokastër

Më shumë se 110 monumente kulture që gjenden në territorin e bashkive Sarandë, Finiq dhe Konispol të shtrira në një territor prej 1097 km² dhe më shumë se 200 të tilla në territorin e qarkut të Gjirokastrës, prej gjendjes faktike në terren, rezultojnë të kenë një shkallë degradimi dhe denatyrimi të shpejtë.

Një pjesë e përgjegjësive të lidhura me gjendjen kritike të 1/3 së monumenteve që janë kryesisht kisha, ura, rrënoja manastiresh apo mbetje të qytetërimeve antike dhe mesjetare  lidhen me njësitë vendore. Ligji 9048 i vitit 2003 i detyron këto njësi të mbrojnë trashëgiminë por nuk përcakton format.

Një tjetër arsye e denatyrimit të shumë monumenteve në Konispol, Sopik, Delvinë, Kostar, Jergucat, Zagori janë vetë banorët e këtyre komuniteteve të cilët kanë marrë përsipër transformimin e monumenteve për ti bërë ata funksionalë. Kostandtinos Giakumis, studiues bizantolog, vëren se situata mund të agravojë nëse nuk do të mbrohet identiteti i këtyre monumenteve.

Në këtë hapësirë asete të rralla të trashëgimisë të tilla si tempulli antik në Metoq, manastiri i 40 Shenjtorëve, kisha e shek. XII në Ciflig, kalaja e Kalivoit e shek. IV para krishtit në Xarrë, puset e Dhrovjanit, rrënojat mesjetare të Kamenicës, kishat e Zagorisë, kisha e Vraho Goranxisë, Jergucatit, Pepelit, Dhuvjanit në Dropull dhe shumë monumente të tjera janë nën kërcënim degradimi.

Shqetësues është gjithashtu rrënimi i banesave tipike të mbrojtura, një pjesë e të cilave i përkasin personaliteteve të kulturës, historisë, artit dhe muzikës si dhe mungesa e studimeve dhe interesit shkencor për të gjithë gamën e monumenteve.

Njësitë vendore megjithëse janë të interesuara për shfrytëzimin turistik të këtyre aseteve janë skeptike mbi kontributin që mund të japin për shkak të mungesës së fondeve dhe mungesës së sanksionimit të qartë të përfitimeve për këto njësi. / Top Channel / KultPlus.com

AMAN dënon fuqishëm sulmet kundër gazetarëve në Izrael, Gaza dhe Libanin e Jugut

Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, ka bërë thirrje për sigurinë e gazetarëve në Lindjen e Mesme.

”AMAN-i shpreh dhimbjen dhe shqetësimin e saj për raportimet e medieve për incidente tragjike kundër gazetarëve dhe njerëzve të medias në zonën e shkatërruar nga lufta në Lindjen e Mesme”, thuhet në një deklaratë të kësaj aleance.

”Ka pasur raportime se një gazetar i Reuters dhe gazetarë palestinezë janë vrarë, gazetarë nga AFP dhe Al Jazeera janë plagosur, ndërsa shtëpia e një fotoreporteri të Anadolu Agency është bombarduar dhe anëtarët e familjes së tij janë vrarë”, shtohet në të.

”AMAN-i dënon fuqishëm sulmet ndaj njerëzve të medias gjatë kryerjes së punës së tyre në Izrael, Gaza dhe Libanin e Jugut dhe u bën thirrje urgjentisht të gjitha palëve të përfshira në këtë konflikt të mbrojnë gazetarët, fotoreporterët dhe ekipet televizive dhe t’i lehtësojnë ata në raportimin nga zonat e konfliktit”, thekson deklarata.

”AMAN bashkon forcat me aleancat e tjera të agjencive të lajmeve dhe grupet mediatike për të mbrojtur mbulimin e lirë të shtypit dhe sigurinë e gazetarëve në zonat e shkatërruara nga lufta”, përfundon ajo./ atsh / KultPlus.com

Kroacia reagon ashpër ndaj zbulimit të monumentit të Drazha Mihailoviqit në Beograd: Turp se si relativizohet dhe glorifikohet krimi nga Serbia

Ministria kroate e Punëve të Jashtme dhe Evropiane dënoi hapjen e dhomës përkujtimore në Beograd, e cila përfshin një monument të liderit të lëvizjes çetnike, Dragoljub Drazha Mihailoviq.

Ministria kroate njoftoi se veprime të tilla janë absolutisht të papranueshme, shqetësuese dhe në kundërshtim të plotë me atë që Serbia deklaron si synim strategjik i saj, që është anëtarësimi në BE, transmeton N1 Zagreb.

“Për fat të keq, kjo ngjarje është vetëm e fundit në një seri të gjërave që kanë ndodhur në Serbi me vite – procesi i rehabilitimit të lëvizjes çetnike, përfshirë liderin e saj Drazha Mihajloviq. Kroacia e dënon këtë akt dhe shpreh pritjen e saj nga Republika e Serbisë dhe institucionet e saj që të refuzojnë politikën e relativizimit dhe glorifikimit të krimeve”, thuhet në deklaratën e Ministrisë kroate, përcjell Express.

Shtohet se rishkrimi i së kaluarës, si dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës, është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe paraqet një fyerje për viktimat, si dhe për të gjithë anëtarët e njerëzve që ishin viktima të atyre që janë tani. duke u rehabilituar.

Ministria kroate thekson se marrëdhëniet mund të ndërtohen vetëm mbi një qëndrim të ndershëm ndaj të kaluarës, pajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Kroacia pret lëvizje konkrete nga Serbia në zgjidhjen e fatit të të zhdukurve, çështjen e juridiksionit për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe të gjitha çështjet e tjera të hapura, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane. / KultPlus.com

Kjo është gjendja e shkollës “Dr Shaban Hashani” në Ferizaj, profesoresha Konjufca: Më ftohtë është brenda se sa jashtë

Gjendja e tmerrshme e objektit të gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” tashmë është pjesë e kronikave të medieve të ndryshme, por vështirësitë e profesorëve dhe nxënësve të kësaj shkolle po vazhdojnë edhe më tej, pasi që objekti i ri që është duke u ndërtuar ka stagnuar tash e gjashtë vjet.

1300 nxënës mësojnë në këtë shkollë me kushte minimale për mësim, objekt pa ngrohje, me toalete jashtë funksionit, me mure dhe tavane të shkatërruar dhe me shumë probleme tjera përcjellëse.

Për këtë neglizhencë të organeve kompetente ka reaguar edhe mësimdhënësja e kësaj shkolle, Zoja Lohaj Konjufca, ku KultPlus ju sjell reagimin e saj të plotë.

Shoqni a me ndihmoni ne kete kauze?.

#Ndertomashkollentimetani

Koha e chatgpt-se

Gjimnazi “Dr shaban Hashani” mban mesim ne objektin e stervjeteruar. Ne qender te qytetit te Ferizajt. Shkolla me shume nuk ka ngrohje se sa qe ka. Shpesh dimrit i mbajme vetem nga dy ore mesim per shkak te ftohtit ne klase. Me ftohte eshte mbrenda se sa jashte. Shpesh nuk ka uje per te pastruar shpuzen e lere me diqka tjeter. Era e toaleteve po nenkuptohet.

Per ti hapur dritaret per te marre ajer te paster tash po eshte e pamundur per shkak te ftohtit qe ka nisur.

Punimet ne objektin e ri jane stopuar qe gati 6 vite. Po po gati qe 6 vite. Arsyen nuk e morrem vesh kurre. Qeverisja lokale ia len fajin qeverisjes qendrore dhe anasjelltas.

Sot meqe filloi shiu pameshire, pameshireshem filloi te pikonte uji nga tavani ne klase. Mua pameshirshem me sperkateshin floket e mia te pasterta, me ujin e ndotur te tavanit. Dhe klasa filloi te mbushej me puse. Ra zilja. U kry ora e 6-te. U kry per sot. Po neser ndoshta na bie gjithe tavani e na nxe 1300 nxenes.

E di qe atehere do te reagoni por ju lutem reagoni pak me heret. Reagoni sot.

A eshte kjo liria per te cilen luftuan heronjet tane?/ KultPlus.com

BallkanFest, edicioni i 8-të i festivalit folklorik ndërkombëtar, në Prizren

Festivali multietnik i këngëve tradicionale dhe folklorit “BallkanFest”, përmbylli edicionin e tij të 8-të, në Prizren.

Festivali bëri bashkë pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, mbi 250 interpretues nga shoqëritë kulturore dhe artistike nga vendet fqinje: Shqipëria, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, si dhe të ftuarit special që vinin nga nga Lugina e Preshevës.

Qëllimi i festivalit “BallkanFest” është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, valleve, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore.

Festivali u organizua nga Shoqata për Kulturë “PLEJADA – Prizren” dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishte një nga mbështetetësit kryesorë të tij. / KultPlus.com

Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset

Një nga artistët më me zë në Itali, Christian Balzano sot mban bashkëbisedim në Prishtinë

Një bashkëbisedim me një nga artistët italianë më me zë, që shquhet për temat e rëndësishme dhe talentin e jashtëzakonshëm, Christian Balzano, do të mbahet sot në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Bashkë me të do diskutojë artistja jonë e shquar Zake Prelvukaj dhe zv. Ambasadori i Italisë, Ugo Ferrero.

A tronditet, a infektohet identiteti historik e kulturor i një vendi, i një komuniteti, nga bashkëjetesa me njerëz me identitete të ndryshme? Është pyetja që shtrohet në këtë diskutim.

“Askund më shumë se te ne nuk ka ndoshta nevojë të trajtohen tema të tilla fundamentale për mirëqenien sociale e individuale. Ju presim të shumtë dhe aktivë”, thuhet në njoftim.

Ngjarja do të mbahet sot, datë 19 tetor, ora 17:30 tek Salla Idriz Ajeti. Fakulteti i Filologjisë. / KultPlus.com

Mahsa Amini dhe gratë iraniane marrin çmimin ”Saharov”

Çmimin ”Saharov 2023” për lirinë e mendimit e mori sot Mahsa Amini dhe lëvizja iraniane e protestës ”Grua, jetë dhe liri”.

Njoftimin e vendimit për nderin më të lartë të Parlamentit Evropian për të Drejtat e Njeriut e bëri sot kryetarja e tij, Roberta Metsola, në një seancë plenare në Strasburg.

Mahsa Amini ishte një grua 22-vjeçare kurdo-iraniane, e cila u arrestua nga policia e moralit në Teheran, më 13 shtator për injorimin e ligjeve strikte për gratë iraniane për përdorimin e hixhabit.

Mahsa Amini vdiq në një spital të Teheranit, tre ditë më vonë pas abuzimit fizik që pësoi gjatë paraburgimit.

Vdekja e tij shkaktoi protesta masive, që u udhëhoqën nga gratë në Iran.

Me sloganin ”Grua, jetë dhe liri”, ato protestuan kundër ligjit të hixhabit dhe ligjeve të tjera diskriminuese.

Çmimi ”Saharov” për Lirinë e Mendimit është themeluar në 1988 për të nderuar individë dhe organizata të cilët mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe përfshin një çmim në të holla prej 50 000 eurosh.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 13 dhjetor 2023 në Parlamentin Evropian në Strasburg./ atsh / KultPlus.com

A protester holds a portrait of Mahsa Amini during a demonstration in support of Amini, a young Iranian woman who died after being arrested in Tehran by the Islamic Republic’s morality police, on Istiklal avenue in Istanbul on September 20, 2022. – Amini, 22, was on a visit with her family to the Iranian capital when she was detained on September 13 by the police unit responsible for enforcing Iran’s strict dress code for women, including the wearing of the headscarf in public. She was declared dead on September 16 by state television after having spent three days in a coma. (Photo by Ozan KOSE / AFP) (Photo by OZAN KOSE/AFP via Getty Images)

Një copë dhimbje nga shfaqja “Babai dhe Babai”

Ardianë Pajaziti

Shfaqja “Babai dhe babai” më la një gjurmë të thellë estetike, shfaqje e cila erdhi në mua aq natyrshëm, sa me raste nuk e kuptoja nëse jam brenda një familje reale, apo jam në një shfaqje teatrale.

Një ndjesi të tillë fillimisht e merrja nga ambienti ku ishte vendosë shfaqja, në njërën nga dhomat e Muzeut Etnologjik, e pas kësaj gjetjeje të vendosjes së shfaqjes, pa dyshim, pjesa tjetër ishte meritë e tekstit, regjisë, lojës së aktorëve, ndriçimit, muzikës dhe çdo detaji tjetër që përcillte kjo shfaqje.

Në fund të shfaqjes, nuk dija nëse duhet ti uroja aktorët për ndjesinë që ma dhanë, apo të bashkëndjeja dhimbjen me ta. Këtë të fundit e kisha më të fuqishme. Sepse,  edhe më i shihja këta tre aktorë brenda petkut të roleve, dhe vazhdonin të ishin para syve të mi si: Sara, Dini dhe Lola.

Tash e shumë vjet bashkëjetoj me artin dhe kulturën, por kjo shfaqje më shkundi.

Vendosja e Sarës (Ilire Vinca) përballë audiencës së vogël, shikimi shpues dhe plot dhimbje, sikurse na paralajmëronte: Nuk do të dilni njësoj nga kjo dhomë e vogël, jo aq njësoj sikurse hytë!

Me një ansambël të vogël, me një skenë minimaliste, me një kohëzgjatje perfekte, jo më shumë se një orë e dhjetë minuta, kjo shfaqje shpërfaqi një lojë brilante të aktorëve: Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.

Jo se dy të fundit erdhën më ftohtë te unë, por Ilire Vinca me rolin e Sarës kapërceu vetveten. Për një kohë aq të shkurtë, ajo u tjetërsua në shumë dimensione. Sara na vinte herë si një grua e zonja, herë një grua me shumë dhimbje, grua që barte burrin e saj të zhdukur në çdo cep të dhomës, grua që qeshte, qeshje që pastaj të vinte në siklet, sepse ishte qeshja që shpërfaqte çmendinë që përballej kjo grua brenda një familje të vogël e me shumë dramë brenda saj.

Të zhdukurit e luftës së Kosovës në shfaqjen “Babai dhe babai” erdhën nëpërmjet Dinit (Bujar Ahmeti). Dhe, sikurse në jetën reale, brenda kësaj familje të vogël, i zhdukuri ishte i pranishëm, të gjallët shndërroheshin në të zhdukur.

E Lola (Kosovare Krasniqi), ishte pika kyçe e kësaj familje, që krijonte urën mes botës reale dhe joreale në këtë familje të vogël, e cila me tkurrjen e saj përçonte pasigurinë e këtyre fëmijëve, që provojnë të jetojnë normal, por që kanë peng rrënjët e familjes.  

Dënesat e audiencës së vogël tashmë i dëgjoja në krahun tim te majtë, në të djathtin, para dhe prapa, përderisa Lola (Kosovare Krasniqi) na shpërndante shamitë me mbishkrimin e “Mbi 1600. Ende mungojnë”, shami që ishte kurora e dhimbjes së kësaj shfaqjeje.

Për një moment mendova që këto shami janë rekuizita të shfaqjes, dhe duhet ti kthejmë në fund, dhe në heshtje mendova që do të refuzoj kthimin e asaj shamie.

Vetëm për një fakt, se ajo shami do të më kujtojë mjeshtërinë e dramaturgut Jeton Neziraj, të regjisorit Kushtrim Koliqi, ‘çmendinë’ e Ilire Vincës, hijen dhe praninë e Bujar Ahmetit dhe tkurrjen e Kosovare Krasniqit.


Mos të flasim pastaj për muzikën e kësaj shfaqje, muzikë që na ka përcjellë përgjatë gjithë jetës, po në këtë shfaqje nuk erdhën si tinguj, në këtë shfaqje erdhën si gjëmë.

Dhe “Babai dhe babai” nuk është shfaqje që në fund mund të thuash e shijova. Është shfaqje që me vete merr një copë dhimbje, por një shfaqje që të kërkon të rikthehesh, që të shohësh sytë e Ilires, hutinë e Bujarit, dhe buzën e dridhur të Kosovares./ KultPlus.com

Opiumi i popullit

Nurie Emrullai

(ja ku jam)
dhe do të qëndrojmë këtu
të rrënuar sepse mendojmë,
patetikë sepse ndjejmë shumë,
dyshues sepse heshtim.

I

Shpesh mendoj sikur të isha në turmën
që del shesheve të mbështesi idenë e një politike që nuk e beson.
Që di se “Zoti i tyre” i gënjen para syve dhe mrekullohen.
Tani dëgjoj si dikush më thotë:
“Ti s’di asgjë vogëlushe, pse më mirë nuk hesht?”
Po, sikur të kisha zërin e politikanit që jep premtime
që vetë nuk i kupton
se janë skenare të shkruar nga njerëz të stërvitur për të bindur…
E mbani mend -“Opiumin e popullit”?
Ftohtësia e xhamtë po mbështjellë zemrën tuaj.
Shpirtit i përgatitët kafaz mbushur me para.
Ngrohni zemrat me idealet e djegura.
Qysh e tek u robëruat në shfrenimet tuaja?

Po do të qëndroja para atij që pranon se jemi katandisur keq,
por përpiqet të shpëtojë anijen nga përmbytjet.
Që nuk na shtyp zërin,
që nuk na dallon nga ngjyra,
nga gjinia,
nga orientimi seksual.
Nuk duam mëshirë,
ia dalim edhe vetë,
fundja një jetë është,
do ia bëjmë disi për t’i shkuar në fund,
por do të ishte pak më e lehtë sikur…

II

Të isha para atij që del të flasi për poezinë
dhe kërkon të kuptojë saktësisht çka thënë autori pas fjalës “sëmundje”
dhe pas fjalës “ngjyrë” dhe pastaj kruan kokën, fytyrën, hundën…
pasiguria fshihet në gjeste…
Dhe gënjehet sikur kupton diçka…
Do të doja të kisha vullnetin e atij poeti
që del para publikut dhe flet për poezinë
sikur të ishte çështje marketingu.
Dhe t’i thoja se s’ka të bëjë as me marketingun
as me shërimin,
ka të bëjë me arratisjen.
Por unë jam me njerëzit e dobët. Ngase më rritën të atillë.

III

Do të doja të isha gruaja e cila kthen kokën aty ku i hidhen vështrimet.
Dhe të kundërshtoja…
Dhe të thoja fjalët që ndalon gjuha ime femërore.
Gjuha ime femërore!- uh, ç’peshë.
Por unë jam me njerëzit e dobët. Ngase më rritën të atillë.

IV

Do të doja të dija të ruaja pak gjëra të mira që i ka bota:
Të dija përmendësh vargjet që më shëruan
atë ditë vjeshte kur në vend të kafes mendova Sylvia Plathin, Ana Kareninën që veç fundin lexova…
Të mbaja mend fjalët e Budës kur
pashë me sytë e mi se prindi urren fëmijën, dhe kjo besoj është në rregull?
Jo, jo, Buda duhet hap sytë veç për dashuri?!
Do të doja të isha aq e fortë sa këtë ta pranoj. Por unë jam me të dobëtit…
Ndaluni, është lojë e mendjes,
sepse të fortët jemi ne
që jetojmë sipas bindjeve tona.
Babai im qe i pashkolluar por njerëzor që më mësoi veç tri rregulla:
“Mos gënje, mos bëj kurthe, mos vidh!”
Dhe mendoja se veç këto fjalë ekzistojnë,
sikur të më kishte paralajmëruar për të kundërtën e tyre, sikur…
Por ai ishte me njerëzit e dobët. Ngase e rritën të atillë.

V

Tani,
gjithsesi jemi ne të fortët ngase
dashuruam,
jetuam,
përjetuam…
Shpirt fëmije në fytyrë të plakur,
i buzëqeshëm çiltërsisht diellit
dhe u folëm luleve,
përkëdhelëm zogjtë,
ndjemë rrënjët e drunjve nëpër trupin tonë.
Dhe kur thamë të dua
zemra u mbush plot gjak qershie.

Ju mund të thoni se jeta është dikund tjetër,
Jepini, thuajeni…
Por s’do ta humb rehatinë e shpirtit për asgjë në botë
edhe sikur…
edhe sikur….

Jam me të dobëtit,
por këtu dielli ngroh… / KultPlus.com

Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për sulmin në Banjskë

Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutën për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Rezoluta e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mes të operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë. / KultPlus.com

Mësuesi nga Dragashi abuzon dhe keqtrajton nxënësen e shkollës fillore (VIDEO)

Mësimdhënësi nga Dragashi, Dalip Meleqi i cili ishte i njohur për publikun si mësuesi që rrahu me rrip nxënësit, tani është kapur në një video tjetër duke ushtruar dhunë fizike e sjellje jo etike ndaj një nxënëse të shkollës fillore “Ilmi Bahtijari” në Bllaç të Dragashit.

Dalip Meleqi është mësimdhënës i matematikës në këtë shkollë. Insajderi ka siguruar një video ekskluzive të sjelljes jo etike të tij.

Në pamjet e siguruara, mësuesi shihet shumë i afërt me nxënësen duke e përkëdhelur pas shpinës. Në disa momente shihet edhe duke i rënë me shuplaka në fytyrë.

Nga ana tjetër, nxënësja shihet se është duke i rezistuar afërsisë së tepërt të mësuesit.

Mësuesi tenton të bllokoj nxënësen tek një cep i bankës dhe e mbështet për muri duke mos e lejuar të kalojë.

Këtu dëgjohet një zë i një nxënësi tjetër duke i kërkuar mësuesit që ta le rehat nxënësen.

“O prof, le rehat se gjynah”, thotë nxënësi.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, Zeni Krasniqi është shprehur i shqetësuar pasi ka marr informacionet nga Gazeta. Ai tha se nuk është në dijeni për një rast të tillë dhe se po e dëgjon për herë të parë nga Insajderi.

“Po më vjen keq që po e dëgjoj këtë nga ju. Nuk kemi pranuar asnjë ankese për një rast të till në këtë shkollë. Rasti i më hershëm ndaj tij ka kalu në procedurat e komisionit disiplinorë. Por në atë periudhë unë nuk kam qenë drejtor i Arsimint në Dragash”, tha Krasniqi.

Gazeta Insajderi është duke provuar të kontaktoj dhe mësimdhënësin në fjalë dhe drejtorin e shkollës dhe do t’ju informoj në orët në vazhdim.

Kujtojmë se ndaj mësuesit të njëjtë ekziston një Kallëzim Penal. Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj mësimdhënësit, me dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “hakmarrje”.

Prindërit kishin ngritur zërin për të treguar se ky nuk është rasti i parë që arsimtari në fjalë ka kryer këtë vepër. / KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e Ejup Statovcit, ‘arkitekti historik’ i Universitetit të Prishtinës

Tetori brenda kujtesës sonë na rikthen në qëndresën studentore, atëherë kur individi përfaqësonte vullnetin e grupeve, e grupet brohoritnin interesat e Kosovës të viteve të 90-ta. Mirëpo, një rol kyç për protestat studentore të asaj kohe padyshim që kanë pasur edhe profesorët, të cilët në vijën e parë të frontit i qëndronin besnik kërkesave për Universitetin, shkruan KultPlus.

Një ndër emrat kryesorë që i dhuronin shtysë studentëve, ishte edhe akademiku Ejup Statovci. I shkolluar në Zagreb, Lubjanë, Kembrixh e Harvard, gjithë jetën ia dedikoj akademizmit dhe jetës universitare. Ai kishte marrë pjesë edhe në hartimin dhe komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Ndërkaq, rezistenca e tij e shkëlqyeshme shfaqet më së miri në vitet përgjatë të cilave Universiteti i Prishtinës kishte kohën e saj më të rëndë.

Periudha 1991-1997 do ta gjente profesorin universitar në Fakultetin Juridik në pozitën e rektorit, duke i kthyer këto vite në përpjekje krahë më krahë me studentët, për të vetmin qëllim, arsimimin dhe Kosovën e lirë.

Arsimimi shqip dhe liria universitare kanë burim te figura të mëdha përgjatë historisë, të cilët përmes aksioneve të veta kishin bërë një kthesë të madhe të gjendjes. Ejup Statovci e bëri këtë përmes punës së tij për institucionalizimin juridik të Universitetit, duke nxjerrë Dekretligjin mbi shkollimin e lartë dhe Statutin e Universitetit; duke e transformuar atë në një Universitet të kohës sipas përvojës evropiane dhe botërore, duke e afirmuar dhe pranuar atë brenda dhe jashtë si Institucion shtetëror.

Sot, qëndrueshmëria e themelit universitar iu atribuohet këtyre figurave, e një ndër ta padyshim edhe Statovci. Kontributi i tij i madh si rektor, u kurorëzua me një mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës, më 15 shkurt 1999, atëherë sa akademiku ishte ende gjallë.

Ndërkaq, “mirënjohje post mortum për kontributin e veçantë për rifillimin e punës së Universitetit të Prishtinës dhe për udhëheqjen e tij në kushte të jashtëzakonshme në periudhën 1991-1997”, iu nda edhe me rastin e 30-Vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, më 16 maj 2000.

Ejup Statovci i mbylli sytë më 19 tetor të vitit 1999, për të mbetur një ndër arkitektët e Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com

Fjalimi i presidentes Osmani para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara  lidhur me dhunimet seksuale gjatë luftës (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbajti fjalim para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shteteve të shumta anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesve të shoqërisë civile e mediave lidhur me dhunimet seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Falënderoj Shqipërinë për nismën, si dhe për ftesën që të flas në emër të Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu zë mijëra të mbijetuarëve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Mirënjohëse edhe ndaj Shteteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si bashkërorganizatorë të kësaj seance”, është shprehur presidentja. / KultPlus.com

Khloe Kardashian shkëlqen e veshur nga disenjatorja Lena Berisha (FOTO)

Sukseset dhe arritjet po vazhdojnë të rriten për artistët tanë. Një sukses kësaj radhe vjen nga bota e modës, ku dizenjatorja kosovare Lena Berisha ka arritur të veshë një prej figurave më të njohura nga bota e showbizit, Khloe Kardashian, shkruan KultPlus.

Në një event të rëndësishme për të, Khloe u paraqit me një fustan të veçantë ku shpalosi një kreacion nga duart magjike të Lena Berishës. Lena ka arritur të krijojë një vepër arti të modës që kombinon elegancën dhe komfortin në mënyrë të përkryer.

Me një pamje tërheqëse dhe një stil të përkryer, fustani me ngjyrë hiri, e bëri Khloe Kardashian të shkëlqejë në këtë paraqitje të sajën.

Khloe Kardashian nuk ngurroi të ndante këtë përvojë të mrekullueshme me fansat e saj. Ajo postoi disa fotografi në Instagram, ku para 311 milion fansave të saj ajo prezantoi edhe disenjatoren kosovare Lena Berisha.

Lena tashmë ka dëshmuar se me talent e punë të palodhur mund të arrish të krijosh veshje edhe për emra kaq të njohur nga bota e showbizit. / KultPlus.com

20 vjet nga lumturimi i Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra ime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj, ia përkushtoi të varfërve.

Si sot 20 vjet më parë, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani, në 4 shtator 2016.

“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.

Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, të quajtur “Misionarët e Bamirësisë”.

Nga ky moment, Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia kushtonte të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4,000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nënë Tereza, nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë, se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit që bëri me të dha këtë koment: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetëmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo. / KultPlus.com