Rama: Guri i Kamjes, një prej destinacioneve turistike malore më të veçanta të Pogradecit

Guri i Kamjes, monument natyre, tërheq nga viti në vit gjithnjë e më shumë turistë, gjatë verës dhe sezonit të dimrit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga Guri i Kamjes, ku natyra ka skalitur gjithë talentin e saj.

“Guri i Kamjes, një monument ku natyra ka skalitur gjithë talentin e saj për të qenë edhe një prej destinacioneve turistike malore më të veçanta të Pogradecit”, shprehet Rama.

Guri i Kamjes, me lartësi 1461 metra mbi nivelin e detit ndodhet në kufirin midis Malësisë së Mokrës në Pogradec dhe asaj të Gorës të rrethit të Korçës.

Shkëmbinjtë ranorë, më të qëndrueshëm ndaj gërryerjes, i kanë shpëtuar sheshimit duke u ngritur mbi zonën përreth si një ishull, në të cilin agjentët e ndryshëm atmosferikë (shiu, bora, era etj.), kanë gdhendur forma të shumëllojshme mikrorelievi.

Distanca nga Pogradeci deri në Gurin e Kamjes është 12,7 km me automjet dhe 2,7 km të tjera janë shtigje shëtitjeje.

Ky shteg fillon nga qendra e qytetit të Pogradecit ku përshkohet me makinë për 30 minuta deri në kodrën afër Gurit të Kamjes, dhe pas kësaj shkojmë në shteg alpinizmi, i cili është një shteg i lehtë dhe ne rekomandojmë ta bëni këtë shteg me familjen tuaj./atsh/KultPlus.com

Dy duar, tre fëmijë

Poezi e shkruar nga Agim Deva.

Nënëz, ma jep dorën!
Ma jep edhe mua!
Nënëz, ma jep dorën,
Se edhe unë të dua!

Tre fëmijë ka nëna
Të gjithë njësoj i do,
Secili prej tyre
Dorën i kërkon.

Tre fëmijë ka nëna,
Por ka veç dy duar
Kujt t`ia japë më parë
Dorën e praruar?

Njërën ia dha Buqes
Tjetrën të voglit Xim,
E Luani ç’bëri?
Iu hodh në përqafim!

Tre fëmijë ka nëna
Del me ta të shëtisë
E prej parkut t`vogël
Kthehet drejt shtëpisë.

Kryeministri Kurti takohet me zyrtaren e lartë gjermane Siemtje Möller

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka pritur në takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller.

Kurti i tregoi zyrtares së lartë gjermane se buxheti i sivjetmë për Ministrinë e Mbrojtjes është 200 milionë euro.

“Ai e njoftoi për vëmendjen që i është dhënë mbrojtjes gjatë qeverisjes së deritanishme, buxhetin që i është ndarë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili këtë vit ishte mbi 200 milionë euro apo më shumë se 2% e Bruto Produktit Vendor, dhe rritjen e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë dhe mbështetjes së vazhdueshme të KFOR-it me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Shefi i qeverisë kosovare, shprehu mirënjohjen e tij dhe shtetit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.

“Veçanërisht në sektorin e mbrojtjes duke theksuar rolin dhe rëndësinë që Bundeswehr ka luajtur për sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-i në Kosovë dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kontingjenti i KFOR-it gjerman vazhdon të jetë më i madhi në Kosovë”.

Gjatë takimit u diskutua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Biblioteka Kombëtare Shqiptare, Memorandum Bashkëpunimi me ‘St. Clement of Ohrid’

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, nënshkroi sot, Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare “St. Clement of Ohrid” të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rahmetula Kuqi.

Ky memorandum synon bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët në aspektin e kërkimit akademik dhe të përhapjes kulturore, bashkëpunimit shkencor në fushën e bibliotekonomisë, kërkimit shkencor dhe fushave të lidhura me to, si: bibliografisë, informacionit shkencor, koleksioneve të rralla etj.

Në kuadër të këtij memorandum, do të organizohen veprimtari të përbashkëta kulturore e shkencore, si: konferenca, ekspozita, botime të përbashkëta, shkëmbime e dhurime botimesh etj. Të dy drejtuesit e Bibliotekave Kombëtare e cilësuan si “shumë të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi, që hap udhën e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh”./atsh/KultPlus.com

“Gjerdani i artë”, Teatri i Operas me një mundësi më shumë për kompozitorët shqiptarë!

Teatri i Operas ka hapur garën për konkursin “Gjerdani i artë”, e cila qëndron e hapur deri në 18 janar për kompozitorët shqiptarë.

Për promovimin e krijimtarisë muzikore vendase, nëpërmjet materialeve të reja muzikore, që bazohen te tradita, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit mban të hapur deri në 18 janar konkursin “Gjerdani i Artë”. Tre veprat më të mira do të vlerësohen me 3 çmime, ndërsa 10 krijimet më të vlerësuara nga juria, pjesëmarrëse në konkurs do të interpretohen në një koncert premierë nga Ansambli i Këngeve dhe Valleve Popullore.

“Ruajtja e muzikës sonë tradicionale dhe tejçimi i saj brez pas brezi është një detyrat e rëndësishme kombëtare që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka. Një ndërthurje brezash, motivesh, traditash dhe risish, të harmonizuara të gjitha së bashku, e bëjnë Ansamblin unik në llojin e vet”, shkruhet në njoftimin e TKOB.

1. Konkursi është i hapur për kompozitorët profesionistë shqiptarë në gjithë hapësirën mbarëkombëtare që kanë përfunduar studimet për kompozicon, pa kufizim moshe.
2. Çdo kompozitor lejohet të paraqesë 2 krijime për kor “a capella”
3. Partiturat duhet të jenë të notizuara me kompjuter dhe të paraqiten në format elektronik.
4. Në dosjen e aplikimit, përveç partiturave të krijimeve paraqitet edhe një CV e kompozitorit si dhe diploma e studimeve për kompozicion.
5. Krijimet muzikore duhet të jenë të mbështetura mbi motive popullore këngësh nga gjithë hapësira mbarëkombëtare.
6. Kohëzgjatja e krijimit të jetë nga 3-5 minuta/shqiptarja.com/KultPlus.com

Enxhi Mehmeti vjen në Prishtinë me ekspozitën ‘Dream Baby Dream’

Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë prezanton këtë të mërkurë, ekspozitën e parë personale të Enxhi Mehmetit “Dream Baby Dream”, e cila format njerëzore në raste të caktuara i shkrin edhe në identitete të reja fantastike.

‘Dream Baby Dream’ është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2023 dhe modulit final të çmimit ‘Artists of Tomorrow’ i projektuar për të ofruar një ekspozitë solo për fituesit e Çmimit.

Enxhi Mehmeti është fituesja e çmimit Artists of Tomorrow 2021, e përzgjedhur nga juria e përbërë nga Anne Barlow, Qëndresë Deda, Minna Henriksson, Adam Kleinman  dhe Nebojša Milikić, të cilët gjetën në veprën e Enxhis një prani të fuqishme në shprehjet e tyre njerëzore dhe jo.

Në veprën e saj, Enxhi Mehmeti ngjall ngjarjet fantastike rreth saj, të cilat ajo i pëlqen t’i bëjë të dukshme për të tjerët përmes teknikave të  ndryshme artistike, duke kërkuar me fjalët e saj “durim dhe dashuri”.  

Veprat e saj zotërojnë njëfarë intimitet dhe brishtësi që përcjellin një prani të fuqishme në shprehjet e tyre të formave njerëzore dhe jo  njerëzore, të cilat në raste të caktuara shkrihen në identitete të reja, fantastike që veprojnë si tregimtarë. 

Enxhi Mehmet e lindur në vitin 1999 në Kassel të Gjermanisë është studente në Hochschule für Gestaltung Offenbach am Main. Punimet e saj janë prezantuar në ekspozita të ndryshme, duke  përfshirë shfaqjet në grup si “PRESENCE” në Cuchifritos Gallery + Project Space në Nju Jork dhe “The Patriot” në O’Flaherty’ në Nju Jork.

‘Dream Baby Dream’ me Enxhi Mehmetin mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe  Komuna e Prishtinës./RTK/KultPlus.com

Abigeila Voshtina, kryetare jurie në një konkurs për këngëtarë lirikë, në Itali

Drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, realizoi një vizitë në Lecce të Italisë, si presidente e jurisë në konkursin për këngëtarë lirikë, që mban emrin e arbëreshit të madh, “Tito Schipa”.

Voshtina, në emër të TKOB-së, ishte krahas emrave të rëndësishëm të muzikës dhe artit italian të tillë si, sopranoja Amarilli Nizza, tenori i mirënjohur Salvatore Cordella, si dhe drejtori artistik i Teatrit të Lecce-s, Maurillo Manca dhe drejtori i përgjithshëm, Giandomenico Vaccari.

Përgjatë tri ditëve, në këtë konkurs të ndarë në tri faza, morën pjesë 22 këngëtarë nga anë e mbanë botës.

“Qëllimi ynë, është që edicioni i radhës i këtij konkursi të mbahet në Shqipëri, për të ndërkombëtarizuar TKOB-në, duke sjellë një mal me mundësi për artistët e rinj, dhe jo vetëm, si dhe për të sjellë një traditë të konsoliduar të një konkursi me standarde të larta evropiane, për këngëtarët lirikë”, shkruhet në faqen online të Teatrit të Operas e Baletit./atsh/KultPlus.com

Drake vendos Shqipërinë në ‘radarin’ e pushimeve të ardhshme

Mbrëmjen e kaluar, Drake ishte në një transmetim të drejtpërdrejtë në Kick.com dhe në një moment gjatë transmetimit, bashkë-prezantuesi i Drake e pyeti se ku ka menduar të udhëtojë për vitin e ardhshëm.

Dhe Drake tha: “Udhëtoni më shumë për kënaqësinë tuaj”.

Bashkë prezantuesi iu lut Drake që të vizitonte Evropën dhe ai u përgjigj duke dhënë një lajm surprizë për fansat e tij kudo në botë:
“Unë do të udhëtoj në disa vende evropiane. Mendoj se do të shkoj në turne në Evropë, por përsëri, kjo është për punë.”

Ai gjithashtu tregoi disa destinacione pushimesh në radarin e tij për vitin e ardhshëm: “Nuk kam qenë kurrë në shumë vende. Nuk kam qenë kurrë në Itali, kurrë në Tokio, kurrë në Shqipëri”, tha Drake i cili me sa duket ka dëgjuar dhe ai për Maldivet e Evropës.

Drake ka qenë shumë i suksesshëm për një kohë të gjatë dhe pasuria e tij neto është vlerësuar në rreth 250 milionë dollarë. Çështja është se Drake ndoshta nuk ka nevojë që dikush t’i dhurojë më shumë para, por një fans bëri pikërisht këtë…i dhuroi 20 cent.

Kjo ndodhi teksa Drake po fliste për diçka që nuk kishte lidhje, më pas ai i hodhi një sy në ekranit të tij dhe tha: “Faleminderit për bakshishin 20 cent, (duke përmendur emrin e donatorit), e vlerësoj atë. Kjo do të shkojë për një kauzë të mirë.” Spotify thuhet se paguan rreth 0.3 cent për transmetim, kështu që në thelb, shikuesi dhuroi atë që Drake do të fitonte nga 67 transmetime.

Reperi me famë botërore, Drake publikoi pak kohë më parë videoklipin e këngës më të re, të shkëputur nga albumi me titull “For All The Dogs”, në të cilën shfaqej i veshur me simbolet kuqezi dhe përmendte Prishtinën.

Ajo që ra në sy ishin motivet e përdorura nga reperi kanadez në klipin e këngës; pikërisht xhaketa e kuqe me shqiponjën e zezë në shpinë. Ndërsa klipi u publikua në një moment tepër të veçantë për shqiptarët, për festat e nëntorit, me datën 29 që shënon Ditën e Çlirimit të Shqipërisë./topchanel/KultPlus.com

‘Guximi nuk mund të falsifikohet, është një virtyt që i shpëton hipokrizisë’

Dhjetë thënie nga romancieri dhe dramaturgu francez Honore de Balzak.

“Tronditjet e mëdha të jetës na shërojnë nga frikërat e vogla.”

“Është më e lehtë të jesh dashnor se bashkëshort, pasi është më e vështirë të jesh në humor çdo ditë, sesa të flasësh ëmbël tek-tuk.”

“Aq e dëshiruara famë është pothuajse përherë një prostitutë e kurorëzuar.”

“Artisti jeton siç do, ose siç mundet.”

“Asnjë femër nuk lihet pa arsye. Kjo aksiomë është e shkruar në zemrën e çdo femre. Ja, nga buron gjithë ai tërbim i femrave të lëna.”

“Ata që dashurojnë ose nuk dyshojnë asgjë, ose dyshojnë gjithçka.”

“Barazia mund të jetë një e drejtë, por asnjë forcë njerëzore nuk mund ta bëjë realitet.”

“Dashuria e vërtetë është e përjetshme dhe gjithmonë e njëjtë; që edhe kur flokët janë të thinjur, zemra mbetet gjithnjë e re.”

“Guximi nuk mund të falsifikohet, është një virtyt që i shpëton hipokrizisë.”

“Një prej mangësive të njerëzve inteligjentë është se ata nuk mund të rrinë pa kuptuar çdo gjë.” / KultPlus.com

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë, Elita Kuzma

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë në Republikën e Kosovës, Elita Kuzma, të cilën e ka uruar për detyrën.

Në takim me ambasadoren Kuzma, Presidentja Osmani shfaqi besimin për thellimin e mëtejmë  të raporteve ndërmjet të dy shteteve gjatë mandatit të ambasadores.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se shtetet baltike i konsiderojmë partnerë strategjik, sidomos në fusha si mbrojtja e siguria, poashtu edhe teknologji informative e digjitalizim. Ajo falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Letonia i ka ofruar Kosovës në BE dhe në NATO./KultPlus.com

Vatikani lejon bekimet katolike për çiftet e të njëjtit seks

Autoriteti fetar i Vatikanit lëshoi ​​një deklaratë politike të hënën duke lejuar klerin katolik të bekojë çiftet e pamartuara dhe homoseksuale.

Koncesioni është një ndryshim i dukshëm i qëndrimit për kishën – por ai vjen me vargje të bashkangjitura, raporton DeutcheWelle në gjuhën angleze.

“Këto bekime nuk duhet të kryhen me asnjë rit kishtar që ofron përshtypjen e një martese”.

Veç kësaj, thuhej se “doktrina në lidhje me martesën nuk ndryshon dhe bekimi nuk nënkupton miratimin e bashkimit”.

Deklarata u lëshua nga Dikasteri për Doktrinën e Besimit dhe u miratua nga Papa Françesku.

“Kur dy persona kërkojnë bekim, edhe nëse gjendja e tyre në çift është ‘e parregullt’, do të jetë e mundur që ministri i emëruar të japë pëlqimin”, thuhet në njoftim. “Sidoqoftë, ky gjest i afërsisë baritore duhet të shmangë çdo element që i ngjan nga distanca një riti martesor”.

Deklarata thoshte se koncesioni ishte “për ata që nuk jetojnë sipas normave të doktrinës morale të krishterë, por me përulësi kërkojnë të bekohen”./KlanKosova/KultPlus.com

Stafi Akademik i UNI certifikohet nga Universiteti Shtetëror i Arizonës për kursin e avancuar të mësimdhënies në gjuhën angleze (TESOL)

UNI – Universum International College ka dëshmuar edhe një herë përkushtimin ndaj cilësisë akademike duke bërë që profesorët e universitetit të përfundojnë programin e certifikimit Teaching English to Speakers of Other Languages (TESOL) nga Arizona State University. Ligjëruesit e UNI-t mësuan njohuri dhe aftësi thelbësore në tre module ndërsa përparuan përmes këtij programi sfidues, secili duke kontribuar në aftësitë e tyre akademike.

TESOL i ofruar nga ASU është një ndër kualifikimet kryesore botërore është i dizajnuar që t’i pajis ligjëruesit me strategjitë dhe metodologjitë më të fundit të mësimit të gjuhës angleze. Me TESOL, ligjëruesit e UNI-t u certifikuan për të ligjëruar anglisht për çdo kategori studentësh. Per më tepër, ata  do t’i bashkohen komunitetit Cintana të profesionistëve anglezë.

Investimi i UNI – Universum International College në zhvillimin profesional të ligjeruesve përmes programit të certifikimit TESOL të ASU-së nënvizon përkushtimin e universitetit për të ofruar një arsim të klasit botëror. Ndërsa këta ligjërues sjellin njohuritë dhe aftësitë e tyre në klasë, studentët e UNI mund të presin një përvojë edhe më të pasur dhe efektive të të mësuarit të gjuhës.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA.

Për më shumë informata rreth mundësive të studimit kontakto +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram.

Kori dhe Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ po sjellin Gala Koncertin e Vitit të Ri

I themeluar në shtatorin e vitit të kaluar, Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” suksesshëm po vazhdojnë punën e tyre. Kësaj radhe po sjellin Koncertin Gala të Vitit të Ri të mbushur me një atmosferë festive, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje e veçantë që kryefjalë i ka zërat plot magji të fëmijëve, do të zhvillohet më datën 25 Dhjetor 2023, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar në orën 19:30.

Programi i këtij koncerti gala do të jetë një përzierje e veprave të përzgjedhura, duke përfshirë kompozime të dedikuara festave të fundvitit, një repertor të pasur të muzikës klasike, si dhe melodi të njohura nga filmat magjikë të Disney Land. Ky koncert pritet të shpërthejë me një gamë të gjerë emocionesh dhe të transmetojë një energji pozitive për të festuar fundin e vitit në mënyrë të paharrueshme.

Koncerti, i cili do të ketë një kohëzgjatje prej rreth 40 minutave, do të ofrojë një përvojë të mrekullueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Salla e kuqe e Pallatit të Rinisë pritët të frymojë ndryshe nga talenti dhe pasioni i këtyre të rinjve, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme për të shpërndarë magjinë e muzikës me të pranishmit. / KultPlus.com

Fustani ikonë i mbrëmjes i Princesh Dianës ka arritur shifrën rrekord në ankand

Fustani i Princeshës Diana, i shoqëruar me një ilustrim të ngjashëm, u rendit me një vlerësim prej 100,000 – 200,000 dollarë.

Veshjet që i përkisnin Princeshës Diana dhe një portret studimor skicash janë ekspozuar përpara ankandit Legends: Hollywood & Royalty në Juliens Auctions në Beverly Hills, Kaliforni, SHBA, 28 gusht 2023.

Një fustan mbrëmjeje i veshur nga princesha e ndjerë Diana ka shkatërruar pritshmëritë, duke u shitur për 1.1 milionë dollarë, duke shënuar një rritje 11-fish nga vlerësimi fillestar.

Julien’s Auctions me bazë në Los Anxhelos raportoi shitjen rekord, duke zbuluar se fustani i gjatë i balerinës, zi dhe blu, i punuar nga stilisti Jacques Azagury, bëri debutimin e tij në Firence në 1985. Një vit më vonë, Diana u fotografua e veshur me fustanin ikonik gjatë një vizitë në Vankuver.

Ankandi, i zhvilluar nga Julien’s Auctions dhe Turner Classic Movies (TCM) si pjesë e shitjes “Hollywood Legends”, shfaqi një sërë kujtimesh.

Fustani, i shoqëruar nga një ilustrim që përputhej, u rendit me një vlerësim prej 100,000 – 200,000 dollarë, por në fund arriti një vlerë marramendëse prej 1,148,080 dollarë.

Julien’s Auctions deklaroi me krenari: “Julien’s tani mban rekordin e ri botëror për veshjen më të shtrenjtë të veshur nga Princesha Diana e shitur në ankand”, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 604,800 dollarë, shkruan webdesk.

E punuar me një bust të gjatë prej kadifeje të zezë, të zbukuruar me yje blu dhe një fund organza me dy nivele blu me brez dhe hark, fustani mahniti ofertuesit, duke u bërë një simbol i stilit të qëndrueshëm të Princeshës Diana.

Krahas kësaj shitjeje të jashtëzakonshme, një bluzë rozë byrynxhyk e veshur nga Diana për portretin e saj të fejesës në 1981 me Princin Charles, krijuar nga David dhe Elizabeth Emanuel (dizajnerët e fustanit të nusërisë së Dianës), arriti në 381,000 dollarë, duke e tejkaluar vlerësimin e saj prej 80,000 – 10 dollarë. / KultPlus.com

Dresses that belonged to Princess Diana and a sketch study portrait are on display ahead of the auction Legends: Hollywood & Royalty at Julien’s Auctions in Beverly Hills, California, US, August 28, 2023.—Reuters 

Ministri Çeku dorëzon çmimet për fituesit e Konkursit të Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

Sot në Ministrinë e Kulturës u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” përmes të cilave vlerësohen artistët për krijimtarinë e tyre dramaturgjike të vitit 2023, kur edhe shënohet 100 vjetori i lindjes së aktores, Katarina Josipi.

Autori Astrit Kabashi u shpërblye me çmimin e parë për dramën e tij “Gërrdia”. Çmimin e dytë e pranoi Jeton Nerziraj për dramën “Uellsi ka një Mbret” teksa çmimi i tretë iu nda autorit Florent Kurtalani për dramën me titull “Marshi i hijeve të diellit”. Ministri Çeku përgëzoi fituesit për çmimet e fituara, të cilët përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe dramat do të botohen në një edicion special në gjuhën shqipe.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe këshilltarja politike, Rozafa Imami, drejtoresha për kulturë në MKRS, Jehona Shyti, si dhe disa nga anëtarët e jurisë profesionale për vlerësimin e dramave, e cila ishte në përbërje të dramaturgut Agron Shala, regjisorit Florent Mehmeti, drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, dhe Naser Shatrollit, përfaqësues i MKRS-së si dhe aktorja Ilire Vinca e cila prezantoi procesin vlerësues të 18 dramave të pranuara. / KultPlus.com

Galeria Qahili kaltërohet për ekspozitën kolektive “Hijet e Bardha”

Galeria Qahili po sjell ekspozitën e përvjetshme kolektive “Hijet e Bardha” që ka për tematikë ngjyrën e kaltër dhe titullohet “Blu”.

Hapja e ekspozitës do të bëhet të mërkurën e 20 dhjetorit, nga ora 19:00, në ambientet e Galerisë Qahili. Kjo hapje do të shënojë herën e shtatë që mbahet formati i tillë i ekspozitës dhe njëherazi është ekspozita e fundit për këtë vit si pjesë e programit të Galerisë.

Hijet e Bardha ndër vite ka mirëpritur artistë e ka shtjelluar tema nga më të ndryshmet. Ndërkaq, edicioni i ekspozitës për këtë vit, vjen me titullin “BLU”. Blu, një akronim për “Blue”, ngjyrën e kaltërt në anglisht, i dedikohet vetë ngjyrës duke synuar të marshojë dhe të përshkruajë një nga tre ngjyrat kryesore, që ndryshojnë të gjithë procesin e jetës, përvojën dhe vëzhgimin.

55 artistë u janë përgjigjur thirrjes së hapur për aplikim me punime të cilat domosdosshmërisht duhet të përmbanin ngjyrën e kaltërt. Secili nga këta artistë ka pasur mundësi të dërgonin deri në dy punime të reja apo ekzistuese. Këto punime të vendosura afër njëra-tjetrës do të krijojnë një mozaik të përbërë nga nuanca e paraqitje të ndryshme të së kaltërtës.

Ekspozita “Blu” do të qëndrojë e hapur deri me 20 janar 2024. Gjatë këtij muaji do të keni mundësi të shihni punimet nga artistët:

2cm humans, Abdyl Avdyli, Adriana Nimani Kutllovci, Alban Fejza, Albulen Neziri, Aleks Ucaj, Altin Ibrahimi, Arlinda Hajrullahu, Aron Dobroshi, Arsim Kajtazi, Arton Behrami, Avni Demiri, Axherka Mezelxhiu, Bardha Buza, Besa Mati, Blerta Syla Surroi, Burhan Ahmeti, Burim Myfitu, Dardan ibrahimi DAKI, Drenusha Dalipi, Elsa Paja, Emina Ganić, Emine Gërguri, Eni Derhemi, Enver Hoxhaj, Enxhi Mehmeti, Erdita Oshafi, Ermira Rexhepi, Eshref Qahili, Fitim Haziri, Kaina Mehmeti, Krenare Shala, Lebibe Topalli, Merita Myderrizi Maloku, Meryem Cavga, Mimoza Zajmi, Mjellma Goranci Firzi, Musa Prelvukaj, Nora Halimi, Osman Demiri, Panot Mahmutaj, Remzije Lloga, Teuta Ibriqaj, Tina Sulejmani, Tringa Veseli, Vahida Hasanaga Nimanbegu, Veli Blakcori, Vesa Govori, Violeta Hoxha, Visar Grajçevci, Visar Piranaj, Vjosa Bujari, Vlora Ismaili-Kosumi, Zake Prelvukaj, Zana Ramadani.

Poashtu gjatë hapjes së ekspozitës do të jipet çmimi Hijet e Bardha.

Ekspozita mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Në foton ikonike të Gerald Waller, publikuar në LIFE është 6-vjeçari austriak, Hans Werfel, “Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”

Nga Albert Vataj

“Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, është një foto legjendare, e cila ka udhëtuar në kohë për të na gërvishtur cipën e hollë të kujtimeve, të asaj të shkuare, që i gëzoheshim diçkaje më një forcë shpërthyese përjetimi, e tillë sa mbetet ende sot gjurmë drite në kujtesën e viteve.

Fotoja e titulluar “Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, evokon periudhën pasluftës së Dytë Botërore, kohë kur austriaku 6-vjeçar, Hans Werfel jetonte në një jetimore  Am Himmel. Kjo shkrepje është realizuar nga fotografi dhe repotrteri Gerald Waller, dhe publikuar në revistën LIFE më 30 dhjetor 1946 (faqe 22), ku shkruhej “Për shumë nga fëmijët e Evropës kishte një Santa Claus këtë Krishtlindje. Kur një kuti e madhe nga Kryqi i Kuq Amerikan mbërriti në jetimoren Am Himmel të Vjenës”. Ata festuan duke e ngritur lumturinë e tyre në qiell, siç e përcjell edhe foto. Por kishte të tjerë fëmijë për të cilët nuk kishte mbërritur ende Krishtlindja.

Pothuajse pesë vjet më vonë, më 24 shtator 1951 (faqe 180), e njëjta fotografi u rishfaq në LIFE falë një lexuesi, i cili i shkruan revistës se ky është Werfel, një jetim austriak 6-vjeçar, duke përqafuar një palë këpucë të reja dhuruar nga misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan, veprimtaria e së cilës shtrihej në një pjesë të konsiderueshme të vendeve të goditura nga Lufta e Dytë Botërore. Këtë foto ikonike, grupi punk, “Bad Religion”, e përdori për kopertinën e albumit të tyre Këngët e Krishtlindjeve.

Sa herë që e shikon këtë foto, është një emocion i veçantë që të pushton, një përzierje e përmallimit, dhimbjes së kujtimeve dhe një lumturimi sipëror, tejet i dritshëm, sepse askush nuk do të lumturohet çiltërsisht dhe me një forcë qiellore sa një fëmijë. Sot kemi pak, fare pak momente të tilla fatlume, kur ky diell lumturimi të na mbështjellë me rrezatimin e vet, si një brerore shenjtërimi. Kjo jo sepse ka vdekur fëmija brenda nesh, por sepse kemi mësuar të harrojmë kohën kur i gëzoheshim këtyre çasteve. Sa e trishtueshme ishte varfëria, por sa të bukur ishin ato momente, kur jeta jonë mëkohej nga një dritë e tillë lumturimi. Edhe pse dua ende ti gëzohem këtij çasti, shpirti im e ka të pamundur ta ndez atë kandil flakëpakët, drita e të cilit të na i bashkojë skajet e kohës në një përplasje përjetimi.

© Gerald Waller, 1946, New Shoes, Austria
“Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, evokon periudhën pasluftës së Dytë Botërore, kur austriaku 6-vjeçar, Hans Werfel jetonte në një jetimore. Foto është realizuar nga Gerald Waller, dhe publikuar në revistën LIFE më 30 dhjetor 1946 (faqe 22)

Ambasada Gjermane e lëshon vizën e fundit turistike, Rohde: Moment historik

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, sot dorëzoi vizën e fundit të rregullt Shengen një shtetasi kosovar.

Ai këtë e ka cilësuar si moment historik. “Duke festuar një moment historik! Sapo i dorëzova vizën e fundit të rregullt Shengen një shtetasi kosovar. Të emocionuar që kjo epokë po mbyllet më në fund, duke i dhënë rrugë liberalizimit të merituar të vizave në më pak se dy javë! Duke sjellë shtëpinë dhe diasporën shumë më afër së bashku”, ka shkruar diplomati gjerman.

Ndryshe duke filluar nga 1 janari 2024, me pasaportë të Kosovës, mund të udhëtohet pa viza për qëndrime afatshkurtra nëpër zonën Shengen. Kjo përfshin vizita turistike dhe vizita te miqtë apo familjarët./ KultPlus.com

‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe’ nga Blerina Rogova-Gaxha, promovohet më 20 dhjetor

Projekti ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ nga Blerina Rogova-Gaxha, do të promovohet më date 20 dhjetor, në ora 11:00 në Bibliotekën Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, përcjell KultPlus.

Në këtë ngjarje krejtësisht të veçantë, do të promovohet libri, do të hapet ekspozita ‘Rojtarë të Memories’ dhe do të prezantohet ese filmike ‘Bijë lufte’. 

Libri ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ – është studim letrar-interdisiplinar që e trajton reprezentimin e luftës në letërsinë aktuale në Kosovë. Është vepra e parë e kësaj natyre, e cila dokumenton ruajtjen e memories kolektive të luftës nëpërmjet letërsisë.

Ekspozita ‘Rojtarë të Memories’ – shfaq Poezi dhe Prozë nga shkrimtarë që zgjodhën artin e fjalës për t’u bërë rojtarë të memories së luftës.

Eseja filmike ‘Bijë lufte’ – trajton qenien e traumatizuar në shoqërinë e pasluftës.

Projekti ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, në thirrjen për projektet në Art dhe Trashëgimi Kulturore 2023. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave nesër koncert festiv me sopranon Besa Llugiqi

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, organizon koncert festiv me sopranon e njohur, Besa Llugiqi.

Ky koncert do të vijë nën shoqërimin e tingujve të pianos të sjell nga: Misbah Kacamaku, Syzana Jakupi dhe Alba Mucolli – Dehiri.

Në koncert gjithashtu do të interpretojë edhe Kori i burrave nën dirigjimin e kompozitorit të njohur, Rauf Dhomi.

Koncerti do të shpalos një program të pasur me vepra nga kompozitorë të njohur botërorë, përfshirë këtu edhe R. Strauss, G. Puccini, G. Verd e të tjerë.

Koncerti vjen nesër, më datë 19 dhjetor, ora 19:00 në Sallën e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

 “Noricum Culture” përmbyll vitin me “Koncert Instrumental Kamertal”, udhëton në disa qytete të Kosovës

OJQ “Noricum Culture” po sjell aktivitetin e fundit për muajin dhjetor, “Koncert Instrumental Kamertal”, edicioni i dytë.

Kjo ngjarje sjell me vete një bukuri të rrallë muzikore që do të shfaqet në këto qytete:

-Pejë
Shkolla e Muzikës “Halit Kasapolli”
19.012.2023, 12:00h;

-Prizren
Shkolla e Muzikë “Lorenc Antoni”
19.12.2023, 17:00h;

-Prishtinë
Shkolla fillore e mesme e ulët “Faik Konica”
20.12.2023, 13:00h

Shoqata e njohur Noricum Culture ka përzgjedhur një program të pasur e emocionues që përfshin vepra nga kompozitorë të njohur si Bach, Bozza, Lichner, Haydn, Hisaishi, Piazzolla, Ravel, Shubert, Zadeja, si dhe interpretim të veprave të njohura si “Silent Night” dhe “What Child is This”.

Artistët e ftuar, instrumentistë profesionistë nga Kosova, do t’i japin një dimension të veçantë këtij koncerti, duke sjellë performanca të mrekullueshme dhe interpretime të ngjashme me artin e tyre të shquar. Me një pasion dhe aftësi të jashtëzakonshme, ata do të bëjnë të mundur që muzika të jetë një udhëtim emocional dhe të prekë zemrat e të pranishmëve.

Për të pasuruar edhe më tej këtë ngjarje të jashtëzakonshme, koncerti do të përmbajë një mysafir të veçantë nga Shqipëria, një instrumentiste e njohur që do të ndajë talentin dhe aftësitë e saj me audienca të reja. Ky bashkim i artistëve nga i gjithë rajoni sjell një shans unik për të shijuar një kombinim të pasur të muzikës klasike dhe moderne.

Me një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocion, “Koncert Instrumental Kamertal”, edicioni i dytë, sigurisht do të jetë një ngjarje e paharruar për të gjithë të pranishmit.

Shoqata Noricum Culture ju fton të bashkoheni në këtë festë të muzikës dhe artit, për të krijuar kujtime të paharrueshme dhe për të shijuar bukurinë e muzikës së shquar në këtë periudhë festive. / KultPlus.com

MKRS: “Arrëthyesi” lartëson artin e baletit kosovar

Mbrëmë është dhënë premierë shfaqja Arrëthyesi”, interpretuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Orkestra e Filhamonisë së Kosovës.  

Shfaqja “Arrëthyesi” shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për këtë vit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në rrjetet sociale ka vlerësuar lartë këtë performancë, duke vlerësuar se “Arrëthyesi” mbrëmë ka lartësuar artin e baletit kosovar.

Nën koreografinë e Ilir Kernit dhe në bashkëpunim me artistë ndërkombëtarë, dy akte në tri skena të kompozitorit Çajkovski, u portretizuan me profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga balerinët. Kjo është premiera e katërt e këtij viti nga BKK, e cila i shtoi një dimension të ri skenës artistike.

Të pranishëm në shfaqje ishin zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, drejtorë e përfaqësues të institucioneve kulturore, deputetë të Kuvendit të Kosovës, figura të tjera të njohura nga politika dhe arti, si dhe artdashës të shumtë. / KultPlus.com

Promovohet libri “1001 Anekdota dhe humor t’Gjakovës”, shpërfaq shpirtin humoristik të gjakovarëve

Shkruan Blerim Valla

Në Bibliotekën e Qytetit “Ibrahim Rugova” të Gjakovës u promovua libri i autorit Gëzim Gjini me titull “1001 Anekdota dhe humor t’Gjakovës”, i shkruar në të folmen e Gjakovës, libër i cili ka 500 faqe dhe si tematikë ka popullin dhe qytetin e Gjakovës.

Përndryshe ky libër është botuar nga QKPSHA “GJAKOVA”. Për librin para të pranishmëve, kanë folur recensenti dhe redaktorja e librit.

Kështu recensenti i librit, Besim Muhadri, ndër të tjera tha: “Përmes 1001 anekdotave (apo barsoletave) të prezantuara, autori para lexuesit shpërfaq karakterin shpotitës dhe shpirtin humoristik të gjakovarëve të shprehur përmes të folmes karakteristike “alagjakovarçe” dhe të humorit të tyre të mirënjohur. Personazhet e librit janë persona të njohur të Gjakovës, moshave e profesioneve të ndryshme. Përmes këtyre anekdotave autori sjell edhe shpirtin gjakovar në gjitha dimensionet”, u shpreh Muhadri.

Kurse, Mevlyde Mezini Saraçi, redaktore e librit, vlerësoi se autori i librit, Gëzim Gjini është përkujdesur të mbledh anekdota nga shtresa të ndryshme të qytetarëve, duke i radhitur me kujdes në librin e tij, të shkruar dhe të përshtatur me dialektin lokal si vlerë e shtuar në letërsisë shqipe.

“Janë anekdota dhe humor që në thelb përmbajnë mesazh sa therrës aq edhe edukativ, nga të cilat nxjerrim mësim për të metat e dobësitë e njerëzve por edhe humorin e hollë të tyre”.

Ndërsa autori librit, Gëzim Gjini, në fjalën e tij mes tjerash tha se këtë libër nuk e ka shkruar vetëm, por edhe 188 qytetarë të Gjakovës.

“Libri ka për qëllim që të vendos në letër aftësinë, gjeturinë, pleqërinë, filozofinë, vlerat, trashëgiminë, dhe dellin e humorit të një qyteti me traditë kulturore siç është Gjakova”.

Moderatori i njohur gjakovar, Skender Gola, gjatë promovimit lexoi disa anekdota të zgjedhura nga ky libër gjë që bëri të qeshin të gjithë të pranishmit, kurse si veçanti ishte që ky promovim përkoi me ditëlindjen e autorit të librit. / KultPlus.com

Pamje mahnitëse nga bjeshkët e bukura të Deçanit (VIDEO)

Bjeshkët e Deçanit tashmë njihen për shtigje atraktive të skijimit, sidomos për skijim që të jap  adrenalinë të jashtëzakonshme.

Që këto shtigje të shijohen maksimalisht është kujdesur shoqata e sapo krijuar Kosovo Wild Freeride, duke ofruar mundësi për të gjithë të interesuarit që të arrijnë lehtë dhe shpejt në shtigjet e skijimit që ofrojnë bjeshkët e Deçanit.

Kosovo Wild Freeride është gati t’ju sjellë një përvojë të jashtëzakonshme skijimi jashtë shtigjeve

Në një video të publikuar sot nga kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, shihen edhe nga lartë bukuritë e këtyre bjeshkëve, të cilat tashmë janë gati për t’i pritur turistët e parë jo vetëm nga hapësirat shqiptare, por edhe me gjerë.

Kënaquni me këtë bukuri që natyra ia ka falur Deçanit dhe Kosovës. /KultPlus.com