Më 17 gusht 1603 – ata e zgjodhën ditën për lidhjet e shkëlqyera astrologjike të Jupiterit, Saturnit dhe Merkurit – një grup miqsh shkuan bashkë në Romë për të themeluar një shoqëri për studimin dhe regjistrimin e botës natyrore.
Ata donin të yshtnin rrëqebullin, që besohej të ishte më symprehti prej kafshëve, kështu që e quajtën veten Akademia e Rrëqebujve. Misioni i tyre ishte të zhbironin natyrën me syrin e mprehtë të maces gjahtare të natës.
Ekspozimi nga Instituti Barber i këtyre kryeveprave të historisë natyrore është një udhëtim drejt agimeve të shkencës bashkëkohore. Sytë e mprehtë të shohin kudo që je. Një pelikan këqyr me një kokërdhok të ashpër, i rrethuar nga qerthuj të lëkurës vjollcë që i ngjajnë orbitës së planetëve. Një mace afrikane shikon një tjetër prej tyre, që gjithashtu i kthen të pasmet e veta për të parë sehirxhiun – rrëqebujt ishin të interesuar në gjëndrën e anusit si burim i parfumit të vlefshëm.
Këto vizatime të ngjyrosura janë paraardhëset e çdo filmi apo fotografie moderne mbi natyrën. Kur një dokumentar televiziv vëren sesi një sloth mundimshëm drejtohet nga pema, stafi i kameramanëve vijojnë hapat e artistit të panjohur që prodhoi pikturën e një slothi të Amerikës Jugore.
Në të vërtetë, ai është një nga studimet më pak të sakta, pasi që Akademia e Rrëqebujve nuk kishte një sloth të gjallë për ta vëzhguar, përveç copëzave të eshtrave dhe lëkurës, si dhe tregimeve të udhëtarëve nga Bota e Re. Një vizatim, që në pamje të parë duket sikur tregon korale dhe shkëmbinj, si një klasifikim shkencor bashkëkohor i natyrës, por këto thesare janë të renditura pjesërisht sipas fuqisë magjike: korali ishte një afrodiziak; kuarci i shkëlqyer këshillohej për shëndetin.
Megjithatë, mes perlave okulte në këto piktura uji janë mbetjet që përfshijnë një guaskë molusqesh spirale, dhëmbë të vjetër peshkaqeni, dhe një tub të trashë të fildishit të fosilizuar që akademia e mori për një asht gjigant para se të vendoste se duhej të ishte i ndonjë lloj elefanti – më saktë, një fosil mamuthi. Është e pamundshme të stërtheksohet rëndësia e këtyre kryeveprave të artit shkencor, derisa historiani i artit David Freedberg rastisi në to në një dollap në Windsor Castle më 1986, ku ndodheshin prej shekujsh, lidhja e tyre e harruar me një nga akademitë e para shkencore të Evropës.
Ky lloj i ri i artit i nisur nga rrëqebujt u bë pjesë e “Muzeut të letrës” të Cassiano dal Pozzo, një avokat, diplomat dhe shkencëtar amator i shekullit të 17-të.
Këto albume të mësimeve të hollësishme me gjasë morën rrugën drejt Koleksionit Mbretëror të Britanisë. Ato janë përzgjedhur nga studentët e historisë së artit në Universitetin e Birminghamit nga një grumbullim i madh në Bibliotekën Mbretërore – dhe ata kanë bërë një punë të paqme. Ka madje edhe një çantë plot me fosile dhe minerale të vërteta nga muzeu universitar i gjeologjisë për t’u krahasuar me kabinetin virtual të kurioziteteve të Cassianos. Këto imazhe janë dëshmi të shkëlqyeshme të një çasti revolucionar në art dhe shkencë.
Në vitet 1600, shkenca ishte një ndërmarrje pamore. Më i njohuri anëtar i Akademisë së Rrëqebujve ishte astronomi pionier dhe fizikani Galileo Galilei. Në vitin 1610, Galileo nxori një libër të vogël të quajtur “Lajmëtari xixëllues”, në të cilin jo vetëm përshkruan, por edhe ilustron me vijëzimet e tij atë çka pa kur iu drejtua me teleskop qiellit të natës. Vizatimet e tij të vrazhda të kores me kratere të hënës e kthyen kosmologjinë në rrugë të mbarë, për shkak se deri atëherë mendohej se ajo ishte veçse dritë parajsore në qiell.
Duke treguar që sateliti ynë është një shkëmb solid në hapësirë, Galileoi dha prova të forta për besimin kopernikian që edhe toka ishte një rruzull shkëmbor në orbitën përreth diellit. I njëjti lloj i syrit zhbirues, me të cilin Galileo themeloi shkencën e sotme empirike, shfaqet kudo në ekspozitë. Është veçanërisht i fuqishëm në vizatimet e Vincenzo Leonardit.
Akuareli i tij, ku shihet një limon i zakonshëm që duket sikur ka gishtërinj apo zgjatime është po aq i mahnitshëm dhe i huaj sa dromca e sipërfaqes së një planeti të tejlargët. Kjo është një vepër e madhe arti. Nuk merr asgjë të mirëqenë sa i përket limonit, por analizon konturat e panjohura të këtij limoni unik, të shpërfytyruar e sui generis. Kjo është një mënyrë e re e të parit, që refuzon të kufizohet nga konvenca, pritja apo mirësjellja. Në një pikturë tjetër tronditëse, Leonardi këqyr copëza të një lloj iriqi të analizuar. Ai tërheq flegrat e feçkës dhe dy putrat e thyera, duke i shkoqitur secilën në një jastëk, secilin thua, secilën qime, me një hollësi të jashtëzakonshme.
Habitesh nëse ka përdorur lente sikur Galileo. Ky është një studim shekuj përtej kohës së tij – Charles Darwini sigurisht se do ta konsideronte si të vlefshëm. Sa e sigurt ishte të shihje botën përmes thjerrëzave shkencore në Italinë e shekullit të 17-të, ku Kisha Katolike po e ripohonte veten triumfalisht kundër Reformës Protestante? Jo aq e sigurt. Shkencëtari Giordano Bruno u dogj për së gjalli në Campo de’ Fiori të Romës. Galileo u spraps pasi u kërcënua me tortura nga Inkuzicioni. Revolucioni shkencor u shty drejt nëntokës. Nuk duket e çuditshme pse Cassiano dal Pozzo, që iu desh t’i luftonte dyshimet se ai ishte ateist, lejoi që vizatimet e tij shkencore të përhumbnin në grumbullin e madh të studimeve antikuariane.
Edhe devocioni i dukshëm mund të bëhet subversiv nëse bën shumë përpjekje. Në një pikturë që Cassiano mbikëqyri në zinxhirët e një martiri të hershëm krishterë, artisti i kushton vëmendje secilës hollësi të ndryshkut në metalin e vjetruar. Devocioni bëhet arkeologji. Është vetëm disa hapa larg datimit me karbon. Analizimi është një sjellje e rrezikshme për t’u kredhur brenda tij. /KultPlus.com
Me vdekjen e Charles Dickensit në vitin 1870, një epitaf qarkulloi në Londër duke e shpallur shkrimtarin e ndjerë si “një simpatizues me të varfërit, të vuajturit dhe të shtypurit”. Nuk ishte pa arsye. Veprat e tij mbeten sinonim i pjesës së poshtme të shoqërisë viktoriane, një peizazh i banuar nga jetimët, punëtorët e fabrikave, prostitutat dhe ata që ishin zhytur në kohë të vështira. Dickensi u dha atyre një zë, u dha dinjitet. Dhe kjo trashëgimi mbizotëroi. Disa dekada më vonë, kritiku GK Chesterton e etiketoi Dickensin “zëdhënësin e të varfërve”. Shumë besonin se romanet e tij kishin ribërë pjesërisht axhendën politike dhe sociale.
KRITIKA
Por, jo të gjithë e mendonin kështu. George Orwell ishte ndër kritikët më të mprehtë kur ishte fjala për përkushtimin real të Dickensit ndaj reformës sociale. Orwelli thoshte se pjesa më e madhe e aksionit në romane zhvillohet në mjedise të klasës së mesme, që paraqesin “borgjezinë tregtare londineze dhe vendet ku ata rrinin”. Të varfërit e vërtetë, pretendonte Orwell, ishin lënë pas dore nga shkrimtari. “Ai nuk ka portret të një punëtori në bujqësi dhe vetëm një (Stephen Blackpool tek “Kohë të Vështira”) të një punëtori industrial.” Duke shkruar në vitet 1930, Orwelli pohoi se “nëse pyet një lexues të zakonshëm se cilin nga personazhet proletarë të Dickensit mund të kujtojë, tre nga ata që është pothuajse e sigurt se do të përmendë janë Bill Sikes, Sam Weller dhe Zonja Gamp. Një hajdut, një shërbëtor dhe një mami e dehur – jo tamam një grup përfaqësues i klasës punëtore angleze.”
Orwelli shkoi më tej, duke e dënuar Dickensin se nuk ishte një shkrimtar mjaftueshëm revolucionar. Pavarësisht imazhit të tij popullor si një kampion i të varfërve, ai nuk bëri thirrje për ristrukturimin e shoqërisë, për të krijuar një klimë më të barabartë. “Në realitet, objektivi i tij nuk ishte dhe aq shoqëria, se sa “natyra njerëzore”, argumentonte Orwelli. “I gjithë ‘mesazhi’ i tij është klishe: nëse njerëzit do të silleshin mirë, bota do të ishte e denjë.
Pavarësisht mungesës së atributeve dhe përcaktimeve të renditura nga Orwelli, Dickens ishte jashtëzakonisht popullor tek të varfërit, madje edhe anëtarët analfabetë të shoqërisë që paguanin për t’ua lexuar dikush tjetër, pjesën e re të veprës së tij të fundit. Duke vendosur një pjesë të mirë të skenave të librave të tij në mjedise të njohura për ta, Dickensi nxiti një etje për letërsi serioze që dikur e kishin humbur.
Dhe Dickensi i njihte vendet për të cilat shkruante. Ndryshe nga Orwelli, Etoniani i Vjetër, ai kishte përvojë më të drejtpërdrejtë me jetën në kohë të vështira. Në vitin 1824, i dërrmuar nga borxhet në rritje, babai i tij Xhon, u dërgua në një burg debitorësh, ku iu bashkua gruaja dhe fëmijët e tyre më të vegjël. 12-vjeçari Charles jetonte në një sërë banesash nëpër qytet; ai më vonë do të mbështetej tek pronarët dhe pronaret e tij, kur i popullonte romanet me londinezët e pasur.
Ai detyrohej gjithashtu të punonte 10 orë në ditë në një magazinë – “një shtëpi e vjetër e çmendur, e rrënuar… e tejmbushur me minj” – duke u ngjitur etiketat vazove me lustër çizmesh. Kjo përvojë, e zhvendosur në një fabrikë shishesh, do të rivizitohej tek David Copperfield. Atje ai punoi së bashku me fëmijë të varfër të klasës punëtore, duke përfshirë një farë “Bob Fagin” – një emër që do ta huazonte tek Oliver Twist – duke i dhënë atij një pasqyrë rinore në një anë krejtësisht të ndryshme të shoqërisë.
Dickensi tregoi padiskutim empati të pamatë ndaj të varfërve që punojnë dhe atyre në shtresat më të ulëta të shoqërisë, që luftojnë për të përmirësuar veten në një sistem të manipuluar, qofshin këta fëmijë jetimë apo gra, siç është prostituta Nancy tek Oliver Twist. Ky vështrim dhe shqetësim nuk u shtri tek ata që nuk bëjnë mirë që përdorin krimin për të mbijetuar, apo për të përparuar në kurriz të të tjerëve. Ai nuk ishte admirues i turmës, e parë në portretizimin e rebelëve – pjesëmarrës tek trazirat antikatolike të Gordonit të vitit 1780 – tek Barnaby Rudge.
PISLLËK DHE SHKATËRRIM
Pavarësisht nga dështimet e tij të perceptuara, kur i popullonte romanet me njerëz nga shtresat më të varfra të shoqërisë dhe cialtdo qofshin dështimet e tij të perceptuara, për të ofruar zgjidhje për zhdukjen e varfërisë, vepra e Dickensit megjithatë hodhi një dritë të fortë në qoshet më të errëta të shoqërisë angleze – dhe, më së shpeshti, të Londrës.
Këto ishin qoshe të injoruara shumë kollaj nga bashkëkohësit e Dickensit. Letërsia e tij shkon në lagje të pa vizituara kurrë nga penat e të tjerëve. Shihni jetën reale të ishullit Jacob në bregun jugor të Tamizit, të përshkruar në faqet e Oliver Twist, se si përmban shtëpi “aq të ndyra, aq të mbyllura, sa ajri do të dukej se ishte shumë i ndotur edhe për papastërtitë dhe mjerimin”.
Në minimumin e tyre absolut, veprat e Charles Dickensit u ofruan shumë prej lexuesve të tij bashkëkohorë një dritare në një shtresë të shoqërisë përndryshe të padukshme për ta, një botë të fshehur. Romanet e tij mund të mos kenë çuar në reforma sociale në nivelin që është perceptuar zakonisht, por prodhimi i tij artistik me siguri e drejtoi vështrimin kolektiv drejt sëmundjeve shoqërore të Anglisë Viktoriane. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga liqenet akullnajore në Mokër të Pogradecit.
Këto liqene, të cilat ndodhen në 1700 metër lartësi, janë shndërruar në një destinacion të turizmit dimëror që frekuentohet përherë e më shumë.
Liqenet akullnajore në Mokër të Pogradecit, të vendosura në një lartësi prej 1700 metrash mbi nivelin e detit, janë një destinacion i mahnitshëm i turizmit dimëror në Shqipëri. Kjo zonë e bukur natyrore po bëhet gjithnjë e më e preferuara nga turistët për aventurat dimërore dhe për eksperiencat e pambarimta që ofron.
Kur i afrohemi këtyre liqeneve të ftohta, një pamje e mrekullueshme na hapet para syve. Në mes të maleve, e dëborës së pasur, shkëlqejnë liqenet akullnajore si thesare të ftohta, duke reflektuar ndriçimin e diellit mbi sipërfaqen e tyre të akullt. Era e freskët dhe ajri i pastër e bëjnë këtë destinacion të jetë një vend ideal për ata që dëshirojnë të largohen nga qyteti dhe të gëzojnë natyrën e maleve shqiptare.
Në këtë zonë, janë të pranishme edhe disa qendra akullnajore dhe hotele që ofrojnë akomodim të këndshëm për vizitorët. Aty mund të shijoni kuzhinën tradicionale shqiptare dhe një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse, duke u relaksuar pas një dite të mbushur me aventura dhe argëtim në natyrë.
Mokra e Pogradecit në 1700 metra lartësi është një oaz dimëror, një destinacion i cili ofron një kombinim të harmonishëm të bukurisë natyrore, aventurave sportive dhe qetësisë së maleve. Përherë e më shumë, ky vend po bëhet një destinacion i dëshiruar për ata që duan të shijojnë magjinë e dimrit në një ambient të pazëvendësueshëm./ KultPlus.com
Pak kush e di kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin, fytyrën e Eugjenisë së Andon Zako Çajupit apo trishtimin e Brojkës së Migjenit. Cilat ishin muzat e shkrimtarëve tanë dhe pse mungojnë biografitë ndryshe të autorëve…
Haki Stërmilli, burri me vështrimin e thellë, veshur me kostumin e zi, shfaqet elegant në fotot e mbetura në kohë. Në historinë e letrave shqipe ai është një ndër personazhet më interesante për vetë profilin që ka, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të viteve 1923-1924, partizan në Luftën e Dytë Botërore, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, mbrojtës i të drejtave të grave në shtyp dhe autor i një prej veprave më të rëndësishme të fillesave të historisë sonë letrare “Sikur t’isha djalë” (1936).
Historia e Dijes, vajzës jetime të mbuluar me ferexhe që zbulon papritur dashurinë, e cila hap tek ajo dëshirën për ta parë botën ndryshe nuk mund të ishte thjesht një përfytyrim i aktit të krijimit. Stërmilli analizon me këtë personazh botën femërore, duke treguar kushtet e vështira në të cilat jetonte femra shqiptare para Luftës së Dytë Botërore. Ai e bën Dijen të shkruajë ditar, duke treguar aty jo vetëm dëshirat e fshehta për Shpendin, por dhe dëshirën e saj për të mësuar për të jetuar në një botë më të lirë.
Kritika shqiptare ende nuk i ka dhënë Dijes vendin e duhur në galerinë e pafund të personazheve të kësaj letërsie, ku ajo vijon të shfaqet e ndrojtur. Por teksa flasim për Dijen ne shohim se sa pak dimë për jetën e burrit që i pëlqente të vishej bukur, Haki Stërmillin. Në një histori letërsie, e cila deri atëherë ishte më shumë një sprovë, ai shfaqet si autor i disa romaneve. Ajo çfarë dimë për Stërmillin janë titujt e veprave që ka shkruar. Ne nuk dimë se kush ishte “Dija” e tij, në ishte i martuar apo ndonjë vajzë me të njëjtin emër e torturonte nga pamundësia për t’u takuar lehtë.
Historia e letërsisë shqipe është një nga më të varfrat sa u përket historive të dashurive, letrave apo qoftë dhe ndarjeve. Në asnjë letërsi shkrimtarët nuk shfaqen kaq seriozë, si qenie perfekte të zhveshur nga veset. Pas viteve ’50, vetë sociorealizmi i përjashtonte histori të tilla në jetë e jo më në letërsi. Por nëse hidhemi sërish para në kohë e kemi të vështirë të përfytyrojmë se cila mund të ketë qenë gruaja e Naim Frashërit, një prej intelektualëve më tërheqës të Perandorisë Osmane. Apo çfarë e trazonte kur shkruante vargjet “Në fytyrët tënde gjeta Bukurinë / Si ajy që gjeti në malt Perëndinë / Lulezët e Majit sa janë të mira! / Po përpara teje m’erdhë të pështira / Kur shoh faqezët’ e tua / Ç’vjeft’ i mbetet trëndafilit, / Zëri yt shpirt më jep mua …” (Poezia Bukurija). Është e vështirë të besosh udhëtimet e tij nga Janina në Stamboll pa pasur në mendje imazhin e një femre. Asnjë biograf nuk është marrë deri tani me jetën private të Naim Frashërit, duke e bërë profilin e këtij intelektuali të rëndësishëm të kohës të mos jetë i plotë.
E ç’mund të themi për të ditur më shumë mbi Marin Barletin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin apo Pjetër Bogdanin. Edhe botimet e sotme të Jeronim de Radës, djaloshit që bëri një jetë të lirë përtej brigjeve, denjojnë të rrëfejnë mbi pasionet apo femrat që takoi në jetë. Do të ishte e pamundur ta mendojmë De Radën një asket teksa Arshi Pipa, pas hulumtimeve në Kozencë mes dorëshkrimeve, zbuloi letra që ai ia drejtonte tek Josephine de Knorr, Dora D’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky etj. A thua mes këtyre letërkëmbimeve nuk kishte asnjë për grua?
Në një nga letrat drejtuar të atit më 1845-n ai shprehet për martesën: “Dhe a mos duhet ta shes talentin, që Zoti më ka falur për t’u shërbyer shumë njerëzve, për çmimin e një gruaje, në një kohë kur ai don që martesa të jetë një betim i shenjtë hyjnor?” Kjo letër të lë të kuptosh që poeti do të jetojë i lirë, duke mos ia lënë zemrën peng vetëm një dashurie.
Interesante do të ishte të kishim sot ditarin e Ndre Mjedës, priftit, gjuhëtarit e poetit lirik, i cili përpara se të përqafonte besimin mbrëmjeve në Venecia ëndërronte të jetonte si shkrimtar i lirë. Më pas u nis në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi letërsi. Sa keq që copëza historish që mund të kenë shoqëruar jetën e Mjedës janë shuar sapo kanë mbaruar duke mos mbetur në asnjë rresht. Po kështu histori të Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit, Sami Frashërit, Naum Veqilharxhit, Risto Siliqit, Mihal Gramenos …
Ne dimë shumë pak për Eugjeninë, gruan, ikja e së cilës nga kjo jetë do të sillte një nga elegjitë më të bukura për ndarjen shkruar nga Andon Zako Çajupi. Ajo dhe Çajupi janë takuar në Aleksandri, ku Andoni u vendos për të studiuar frëngjisht për pesë vite te Sainte Catherine des Lazaristes. Pas studimeve ata u martuan dhe patën bashkë një djalë me emrin Stefan. Të gjithë ata që janë marrë me jetën e Andon Zako Çajupit nuk kanë shkruar asnjë rresht për Eugjeninë, gruan që do të frymëzonte një nga vajet më të bukura të shkruara në historinë tonë letrare. Ndarja e saj e parakohshme nga jeta do ta zhyste në trishtim shkrimtarin, i cili nuk ngurron të hedhë në letër fjalët e zemrës, duke shkruar: “Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë / Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë / Shumë vjetë u bënë sot u mbushën dhjetë / Që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!” (Vajë).
Brojka, vajza e ndrojtur shkodrane, është një ndër të parat që tregon se në letërsinë shqipe ka pasur jetë. E fshehur për vite me radhë në sirtarët e familjarëve të poetit, lidhja e saj me Migjenin është bërë publike vetëm pak kohë më parë, në një biografi të hartuar nga Skënder Luarasi. Dashuria mes tyre ka qenë e fortë. Kjo ndihet edhe në letrat që Brojka ia dërgon së motrës së tij Ollgës, teksa i rri pranë të vëllait në spital. Ja çfarë i shkruan ajo: “Ndoshta edhe ti vetë e ke vërejtur se ai më ka dashur, edhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje, sipas dëshirës së tij. Kur e kam pyetur se ç’duhet të them ty, sepse unë gjithmonë kam thënë diçka, ai m’u përgjigj: ‘Më mirë mos, motrat ndoshta e shohin edhe vetë, por unë nuk dëshiroj që ato qoftë edhe për një çast të mendojnë se unë dashurinë time ia fal dikujt tjetër përveç tyre’. Pas kësaj unë i thashë se dashuria e tij ndaj jush do të mbetet kurdoherë e paprekur dhe dashuria ndërmjet nesh është e një lloji tjetër dashurie, entuziazëm që nuk e gjen shpesh në jetë e se ju motrat e tija do të gëzoheshit për këtë. Dhe mbeti ashtu siç deshi ai. E unë përkundrejt tij kam qenë mund të them lirshëm, shumë e kujdesshme. Kur ma shfaqi dashurinë për herë të parë përmes një letre, unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur e njëjta ndjenjë, se edhe unë e dashuroj dhe e respektoj”.
Ja çfarë i shkruante Migjeni asaj në një letër: “Ti je kundër meje aq e ëmbël, më e ëmbël sesa engjëlli që nuk ekziston. Kam dashuruar e kam puthur, por vetëm te ty kam gjetur qenien e vërtetë shoqërore”.
Djaloshi që nisi studimet për letërsi në Athinë ka pasur një nga jetët më interesante deri në hyrjen e komunizmit në vend. Përpara se të merrte anijen për në Marsejë më 1937-n, ai ndalon në Itali të takohet me Migjenin… Më pas, përmes Mesdheut mbërrin në Marsejë e ndalon në Paris për të takuar Llazar Fundon e Ali Kelmendin dhe u bashkohet Brigadave Internacionale me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, merr pjesë në mbledhjen e shkrimtarëve antifashistë në Valencia, ku ishte dhe Hemingueji, Pablo Neruda etj. Dy nga romanet më të bukura të letërsisë sonë e kanë zanafillën nga kjo periudhë e shpenguar në jetën e shkrimtarit. Aty ka lindur dhe Ana dhe Anita, dy femrat personazhe te Nata e Ustikës dhe Hasta la vista. Por, për fat të keq në ditarin e shkrimtarit nuk shohim asnjë takim dashurie të kësaj kohe. Ajo çfarë dihet zyrtarisht është martesa e tij me piktoren Safo Marko, me të cilën pati dy fëmijë dhe një jetë aspak të lehtë nën komunizëm.
Historitë e fshehura të dashurisë apo tradhtia, flirtet e vogla që mund të ndodhnin në jetën e secilit as që mund të mendoheshin të hidheshin në letër gjatë komunizmit, ku vetë erosi mungonte në letërsi. Pas viteve ‘50 e deri në fillim të viteve ‘90 e gjithë letërsia është pothuajse e zbrazur nga histori të tilla. Ato mund të ndodhnin në jetë, por jo në letra. Në biografitë zyrtare të shkrimtarëve shqiptarë të asaj periudhe qoftë edhe në Wikipedia, ndryshe nga shkrimtarët e huaj nuk jepet me kë kanë qenë të martuar. Megjithatë, bashkëshortet e shkrimtarëve të kësaj periudhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në letërsinë që ata shkruan.
Le ta nisim me Lasgushin. Nafija, vajza brune nga Durrësi, do ta dashuronte menjëherë poetin. Ajo ishte njohur më parë me vargjet e tij aq sa padurimi i zemrës për takimin e radhës. Nafije Mema, e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Letrat e tyre të dashurisë janë botuar së fundmi nga të bijat. Por, ana tjetër intime e Lasgushit, ajo e studentit në Grac apo të riut të gjatë veshur me kostum në Tiranën e atyre viteve apo poetit më vonë, pothuajse nuk ekziston.
Dhimitër Shuteriqi, një ndër shkrimtarët më prodhimtarë pas viteve ’60, njihet dhe për lidhjen e fortë që pati me bashkëshorten Mynever. Vajza me flokët e drejtë nga Elbasani nuk do të ndahej asnjëherë prej tij që kur u njohën në kohë lufte. “Kemi punuar në një nga fshatrat më të thellë, sepse ne ishim te shtypi ilegal. Që nga kjo kohë kemi punuar bashkë, ku unë isha redaktore, ai ishte kryeredaktor. Kur unë isha punonjëse e propagandës në Elbasan, ai ishte shef. Edhe këtu në Tiranë ai u interesua që unë të isha brenda këtij kuadri, që të merresha me shtypin e me botimet dhe kam punuar me shtypin e botimet gjithë jetën time. Kam qenë në Komitetin Qendror të Partisë në sektorin e shtypit, pastaj kam qenë zv/drejtore e shtëpisë botuese ‘8 Nëntori’. Kam qenë gjithnjë afër veprimtarisë shkencore të Dhimitrit”, kujton ajo në një intervistë pas ndarjes së tij nga jeta.
Mynever ka kontribut në historinë e librave biografikë, duke sjellë për herë të parë në historinë e botimeve tona një libër mbi jetën e saj me Shuteriqin, Një jetë me dashuri, duke ndjekur shembullin e bashkëshorteve të shkrimtarëve të njohur në botë, si Ana Dostojevska apo të tjera. “Në katedër zuri vend një djalë i ri, me një paraqitje që më tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe që e regjistrova në kujtesë në mënyrë krejt të pavetëdijshme, por tepër besnike: flokë të zinj pak të valëzuar, fytyrë e bardhë e fisme, buzë mishtore me pjesën e poshtme disi të varur. Ndërsa nën syzet e vogla me një rreth ari të hollë, që nuk më lejonin t’i shquaja ngjyrën e syve, arrita të dalloj gjithsesi vështrimin e tij të vëmendshëm, që m’u duk se më drejtohej mua”, shkruan ajo.
Dritëro Agolli hyn te shkrimtarët ku tragjedia njerëzore, siç ishte prishja e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, do të bënte të ndahej përgjithmonë nga gruaja e tij Nina ruse, me të cilën kishte edhe një djalë. Martesa e mëvonshme me Sadijen dhe lindja e dy fëmijëve, një djali e një vajze, do ta mbulonte me heshtje këtë histori, për të cilën dhe vetë shkrimtari preferoi të mos fliste. Do të ishte bukur të kishim nga ai ditarë apo letra nga kjo periudhë e ndarjes apo njohjes me Ninën, apo histori të tjera kur si gazetar i ri udhëtonte në krahina të ndryshme të vendit. Agolli është një ndër shkrimtarët që ka folur më shumë mbi tradhtinë në tregimet e tij. Te Zhurma e erërave të dikurshme ne takojmë femra jo të lumtura në jetën bashkëshortore, të cilat udhëtojnë deri në Tiranë për të takuar gazetarin e ri, që një ditë kishte bujtur në shtëpinë e tyre. Tregimet e Agollit tregojnë se asnjëherë nuk e dimë kur mund ta takojmë lumturinë.
Njohja me Sadijen duket se do të sjellë gëzim në jetën e shkrimtarit. Vetëm pak kohë më parë është botuar libri Dashuri në kohën e Krishtit me letrat e dashurisë që ata ia dërgonin njëri-tjetrit nga njohja gjatë jetës martesore. Ky libër e pasuron kolanën e rrëfimeve të munguara në këtë gjini në letërsinë tonë dhe, nga ana tjetër, na sjell jetën tjetër të Agollit, atë të pasionantit dhe të dashuruarit me gruan që ndan jetën.
Çifti Helena dhe Ismail Kadare janë një ndër çiftet më interesantë në letrat shqipe. Biondja me sytë e bukur nga Elbasani do të dashurohej me studentin shqiptar në Rusi që kur i lexoi vargjet e para. Më pas ajo i shkroi një letër, pa e menduar se kjo do të ishte letra e parë e një morie letrash që do t’i shkruante më pas gjatë bashkëjetesës së tyre. Fjalia e Dhimitër Xhuvanit, që në atë kohë ishte student në Rusi bashkë me Kadarenë, se vajza që ka shkruar letrën është më e bukur se në fotografi, duket se do të ndizte shkëndijën e parë të një raporti dashurie që vazhdon ende edhe sot. Çifti Kadare, ashtu si me letërsinë që shkruan, por edhe me jetën e tyre, do të ndikonin në emancipimin e shoqërisë.
Fakti që Helena ishte shkrimtare e një nga autoret femra më të talentuara pas viteve ‘70, e bënte ta kuptonte më lehtë jetën plot trazime të shkrimtarit. Ajo diti t’i jepte atij dimensionin e lirisë, kaq i nevojshëm për shkrimin, duke ia bërë më të lehtë jetën në diktaturë. Disa vite më parë ajo botoi librin autobiografik Kohë e pamjaftueshme, ku tregon jetën e saj përkrah Kadaresë. Një libër, i cili e çon lart nivelin e botimeve të kësaj natyre në historinë letrare, pasi Helena nuk ngurron të tregojë çdo gjë interesante rreth gjeniut, pa fshehur dhe rastet ku femra të tjera kanë hyrë mes tyre duke e bërë të ndihet “xheloze”. Po vetë Kadare është ndër shkrimtarët më të hapur për sa i përket jetës private. Në librin Ftesë në studio ai nuk ngurron të tregojë pasazhe, copëza dashurish të jetuara në kohën e studimeve në Rusi, letra që ua dërgonte vajzave ruse apo ato çfarë i shkruanin ato duke bërë që për herë të parë një shkrimtar shqiptar të flasë hapur për intimitete të tilla, për të cilat lexuesi është kaq kurioz. Ja çfarë i shkruan Ljuba C., një vajzë me të cilën kishte dalë disa herë:
Që kishe në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli, këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime kur erdhe për të pirë çaj te ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty ishte njëlloj si të pije çaj me djallin. Këto, këto fjalë të nënës sime, e cila njëlloj si unë, e ndien veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj, dhe tani më dukesh edhe mua si mishërimi i së keqes. Nuk mjaftonte sjellja mospërfillëse ndaj prindërve të mi, kur ti mezi iu përgjigje pyetjeve të tyre me nga një “po” ose një “jo” të thatë, sikur të ishe një zotëri i madh, por duhej të dërgoje edhe atë shëmti. Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës, termat e së cilës pa kurrfarë turpi i krahasoje me sëmundjet veneriane, për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjej në fund, duke e parë se me prindërit e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha: “Zoti e ndjeftë!”. Më vjen turp, shumë turp, që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba (Ftesë në studio).
Një tjetër bashkëshorte e bukur e letrave shqipe është Eftipia, gruaja e Mitrush Kutelit. Vajza elegante nga qyteti i Korçës pëlqente të vishej bukur e me stil. Njohja me Kutelin ishte gjëja më e bukur në jetën e saj. Ajo ra në dashuri pa e ditur se jeta përkrah këtij burri nuk do të ishte e lehtë. Janë të njohura letrat që ai i dërgonte asaj, sidomos gjatë kohës kur ishte në burg. Kaq afër jemi, por kaq larg, / Të lutem mos më prit / Na ndajnë terre rreth e qark / Dhe yll për mua s’ndrit. /MAPO / KultPlus.com
Ndonjëherë s’ke kohë as ta vësh re. Në pak sekonda ndodh gjithçka. Gjërat ndryshojnë. Mbetesh gjallë. Vdes. Bota vazhdon, ecën. Të brishtë jemi, si fije letër. Jetojme në zgrip të përqindjeve, me kohë të kufizuar. Dhe kjo është e mira dhe e keqja e kësaj, i thonë “faktori kohë”. Dhe nuk ke ç’bën. Mund të shkosh e të rrish në majë të malit, të rrish atje duke përsiatur dhjetëra vjet dhe të mos ndryshosh gjë. Mund të ndryshosh vetveten në një farë mënyre, por dhe kjo mund të të dalë për keq. Ndoshta shumë e vrasim mendjen. Ndje më shumë, mendo më pak./KultPlus.com
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, teksa shkroi në rrjete sociale, se “për tingullin e magjishëm, për mjeshtërinë e realizimit dhe traditën që trashëgohet brez pas brezi, fyejt e Gramshit shpallen pasuri kombëtare”.
Margariti tha se, “Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale shqyrtoi kërkesën e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, dhe vendosi shpalljen e “Fyejve të Gramshit” “Kryevlerë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Kavalli ose fyelli i Gramshit është një ndër instrumentet më tërheqës e më të lashtë në fondin e artë të trashëgimisë muzikorë shqiptare, si dhe një ndër dokumentet më të rëndësishëm të muzikës instrumentale polifonike shqiptare.
Ky instrument konsiderohet si pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore tradicionale shqiptare dhe paraqet një ndër format më të hershme të polifonisë instrumentale/atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shfaqja e Artit Mesjetar përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë.
Kreu i qeverisë theksoi se, kjo ishte një eksperiencë e pazakontë në këto festa.
Këtë fundjavë Korça ishte sërish në qendër të vëmendjes. Më datë 23 dhjetor në qytetin e serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, u çel një nga ekspozitat më të veçanta në vend.
Galeria e Arteve Digjitale (GAD) ofroi përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash.
Vetë GAD ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë tonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë.”
Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia Shqiptare; Mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit është e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00.
Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar./atsh/KultPlus.com
Leximi nuk duhet reshtur kurrë, sepse ai ka rëndësi të dorës së parë, për ta mbajtur sadopak gjallë aftësinë e formimit të gjykimit dhe mendimeve vetjake. Mënyra se si lexohet, mirë a keq, nuk mund varet vetëm prej nesh, porse arsyeja përse lexohet duhet me qenë vetëm e vetëm në shërbim të interesit tonë. Mund të lexohet thjesht për të vrarë kohën, sikurse mund te lexohet i yshtur prej një nevoje të thellë të brendshme, në një rast të këtillë, ka për të mbërritë më së mbrami ai çasti i pangishëm kur leximi do të ta bëj natën ditë. Lexonjësit e Biblës, ata që përpiqen me gjetë biblën e vetvetes, ndoshta e trupëzojnë këtë nevojë të brendshme shumë më mirë se lexuesit e Shekspirit, porse në të dyja rastet, prapëseprap, grishja është po ajo. Një nga shërbimet e të lexuarit, është të na përgatisë për ndryshimin tonë, dhe ndryshimi më i fundmë, ajme, është universal.
Mua leximi më shëmbëllen me një ritual vetmitar, më shumë se me një mision edukues. Mënyra se si lexojmë sot, kur jemi vetëm me veten tonë, përbën deri diku një vazhdimësi të leximit në të shkuarën, sidoqë sot leximi interpretohet nëpër akademi. Lexuesi im ideal (sikurse heroi im i përjetshëm) është Dr. Samuel Johnson-i, i cili ishte i vetëdijshëm për të dyja, fuqinë dhe pamundësinë e të lexuarit pareshtur. Sikurse çdo aktivitet tjetër i mendjes, ai duhet të përmbush parimin e parë të Johnson-it, leximin e asaj “çka na përshtatet më së miri, çka na sjell dobi.” Sër Francis Bacon, përhapësi i disa prej ideve që Johnson-i vuri në jetë, pat dhënë një këshillë shumë të vyer “Lexo duke ruajtur gjykimin, pa t’u bërë trutë dhallë, duke mos besuar gjithçka mendjen pa e vrarë, jo për të rrahur ujë në havan me fjalë që s’kanë mbarim, por duke i dhënë peshë mendimit, duke u thelluar në gjykim.” Unë do të vija përkrah Bacon-it dhe Johnsonit, një tjetër mendimtar të urtë, Emersonin, të ashprin armik të historisë dhe historicizmave të çdo lloji, i cili pat theksuar se librat më të mirë “na trondisin me bindjen e thellë, se ajo nevojë e brendshme që shkruan, po ajo lexon.”
Lejomëni atëherë të bëj njësh thëniet e Bacon-it, Johnson-it, edhe Emerson-it, për të përftuar një formulë të vetme se si të lexojmë: lexo çka më së miri të përshtatet, çka të sjell dobi, libra që i japin peshë mendimit duke të thelluar në gjykim, libra që të trondisin ngase keni të njëjtën natyrë, të pacënuar nga e tirani e kohës. Pikë për pikë, kjo do të thotë, në fillim gjejeni ju Shekspirin, mandej lëreni t’ju gjej. Nëse leximi i Mbreti Lir,ju rrëmben të tërin, atëherë mendoni e gjykoni për natyrën e njëjtë që personazhi ndan me ju; afrinë me veten tënde. Vetëmse këtë s’e shoh asfare si idealizëm por si pragmatizëm. Ta gjykosh këtë tragjedi si akuzë kundër sistemit patriarkal do të thotë të heqësh dorë nga interesat e tua më vetjake, sidomos kur kemi të bëjmë me lexuese, çka është më ironike se sa duket. Shakespeare, më shumë se sa Sophocles, përbën një autoritet të padiskutueshëm dhe të pashmangshëm për sa i përket konfliktit ndërmjet brezave, dhe më shumë se kushdo tjetër, në lidhje me ndryshimet ndërmjet grave dhe burrave. Jini të hapur kundrejt një leximi të shumëanshëm të Mbreti Lir, dhe kësisoj do të kuptoni shumë më mirë origjinën e asaj çka ju e quani patriarkat.
Në fund të fundit – ne lexojmë – sikurse Bacon-i, Johnson-i, dhe Emerson-i do të ishin të një mendjeje – për të forcuar unin tonë, për të mësuar interesat e tij të qenësishme. Leximi na trand së brendshmi duke na dhënë ndiesi të atilla kënaqësie të cilat shpjegojnë deri diku se përse vlerat estetike janë nënvlerësuar nga moralistët socialë, qysh prej Platonit deri tek kampi i sotshëm i puritanëve. Kënaqësitë leximore janë në të vërtetë egoiste më shumë se sociale. Nuk është se përmirësohet drejtpërdrejt jeta e ndokujt nëse leximi është më i mirë e më i thellë. Mbetem mosbesues ndaj shpresës tradicionale sociale se kujdesi ndaj të tjerëve mund të nxitet prej gjallërimit të imagjinatës vetjake, sikurse jam i tejnginjur me argumentat e gjertanishme që përqasin ëndjet e leximit vetmitar me të mirën publike.
Ajo çka është e trishtueshme sa i përket leximit në mënyrë profesionale është fakti se rrallë ndodh të ndiesh sërish atë mrekullim të dikurshëm që të ngjallte leximi në rini, atëkohë kur librat mbartnin “mrekullimin hazlitian”. Mënyra se si lexojmë sot, varet deri diku apo plotësisht nga largësia, qoftë kjo e brendshme apo e jashtme, që ne vendosim në lidhje me universitetet, vendet ku leximi rrallë mësohet si kënaqësi, në kuptimin më të thellë të estetikës së kënaqësisë. Hapja e vetvetes kundrejt një përballjeje të drejtpërdrejtë me Shekspirin në kulmin e fuqisë së tij krijuese, sikurse është Mbreti Lir, asnjëherë nuk është e lehtë, në të ri sikurse në pleqëri, dhe prapëseprapë të mos e lexosh në plotninë e vet Mbretit Lir (çka do të thotë pa kurrfarë manteli ideologjik) do të thotë të mashtrosh botërisht vetveten edhe në gjykim edhe estetikisht.
Një fëmijëri ku pjesën më të madhe të kohës e zë televizori domosdo shpie tek një adoleshencë ku kohën e gllabëron kompjuteri, dhe kësisoj në dyert e univesitetit kemi një student që s’ka gjasa ta mirëpresë idenë se nevojitet durim në këtë rrugëtim që s’njeh fund deri në cakun e mbramë: urtinë që është gjithçka. Shmangia e këtij rrugëtimi e bjerr aftësinë e leximit, sikurse vetë unin bashkë me të. Keqardhja në këso rastesh s’ka kurrfarë vlere ashtu si zotimet e programet e paskëtajshme të leximit. Gjithçka ende mund të ndryshohet, mund të bëhet prej një lloj elite, gjë në në fakt është e papranueshme, për shumë arsye, të mira e të këqija bashkë. Kjo ngase edhe sot ka akoma lexues vetmitarë, të rinj e të vjetër, kudo, madje edhe në universitete. Nëse kritika shërben për ndofarë gjëje ende në kohën tonë, shërben sepse i drejtohet këtij lexuesi, lexuesi që lexon për vetveten, dhe jo për interesa që me gjasë e tejkalojnë vetveten.
Vlera në letërsi sikurse në jetë, më së shumti ka të bëjë me të veçantën fshehatare, atë që kalon cakun e të zakonshmes, të tepërtën prej së cilës merr jetë kuptimi. Nuk është rastësi që historiografët – kritikët që besojnë se njerëzit janë produkt i historisë shoqërore – i shohin personazhet letrarë thjesht si gjurmë të lëna në letër, dhe kaq. Hamleti as që përbën një të vërtetë historike nëse mendimet që kemi nuk na përkasin ne. Kjo na sjell tek parimi i parë, që mund të përmirësojë mënyrën se si lexojmë sot, parim që ja detyroj Dr. Johnson-it: “Çliroje mendjen prej klisheve” Fjalori të dëften që klisheja është ligjërim i stërfyrë me banalitete të rëndomta, fjalor i stërçuditshëm si ai i një sekti a kulti shtriganësh.
Meqënese universitetet kanë fuqizuar kulte të tilla si “gjinia dhe seksualiteti” dhe “multikulutarizmi,” qortimi i Johnson-it kësisoj shndërrohet në “çliroje mendjen nga kilshetë akademike.” Një kulturë universitare që vlerëson më shumë të brendshmet e femrave të periudhës viktoriane se sa vlerëson Çarls Dikensin dhe Robert Browning-un i ngjan një dalldie si ato që përshkruan Nathaniel West-i, gjë që tashmë është kthyer në as më shumë dhe as më pak se në standart. Produkt anësor i një “kulture poetike” të këtillë është fakti se nuk arrin të nxjerrë as edhe një Nathaniel West, dhe as nuk e degdis qoftë edhe ky fakt një kulturë akdemikë të allasojtë në zgripin e parodisë? Poemat e një mjedisi të kësoshëm akademik janë zëvendësuar nga të brendshmet e kulturës sonë. Materialistët tanë riosh na dëftejnë se i kanë kthyer trupin historiografisë, dhe shpallin se punojnë në emër të Parimit të Realitetit. Jeta e mendjes duhet të mposhtë vdekjen e trupit, por prapësperapë kjo as që ka nevojë për bujën zulmëmadhe të një sekti akademik.
Parimi i çlirimit të mendjes prej klisheve na shpie tek parimi i dytë i ringjalljes së leximit: Mos u orvat të bësh më të mirë fqinjin apo lagjen me atë që lexon apo si e lexon. Vetëpërmirësimi është një projekt aq madhor sa të mjafton vetja, mendja dhe shpirti yt: për to s’ka kurrfarë etike leximi. Mendja duhet mbajtur e përqendruar në shtëpinë tënde derisa padituria e saj e mirëfilltë të jetë zbuar me gjithsej; angazhimi i parakohshëm është magjepsës në vetvete, por merr shumë kohë, kohë e cila për leximin nuk do të jetë e mjaftueshme kurrë. Shkrimi për historinë, qoftë ajo e tashme apo e shkuar, është një lloj idhujtarie, adhurim i vazhdueshëm për çka ndodh në kohë. Lexo atëherë i udhëhequr prej dritës së brendshme që kremtonte Xhon Miltoni dhe që Emersoni e kishte parim të leximit, parim që fare mire mund të jeti parimi ynë i tretë: Studiuesi është një qiri që ndizet gjithmonë prej dashurisë dhe gjakimeve të njerëzimit. Wallace Stevens-i, ndoshta duke e harruar autorin e tij, krijoi variante të mahnitshme të kësaj metafore, por fjalët burimore Emersoniane përbën një shprehje më të qartë të parimit të tretë të leximit. Nuk ka vend për drojen se liria e përmirësimit tënd si lexues përbën egoizëm, sepse nëse arrin të bëhesh lexues i mirëfilltë, atëherë fryti i mundimeve të tua do të shndërroj në një mendjendriçues për të tjerët.
U jam rikthyer shumë herë letrave që kam marrë prej njerëzish të panjohur tetë a nëntë vitet e fundit, dhe më ka ndodhur shpesh të prekem aq shumë prej tyre sa të mos mundem t’u kthej përgjigje. Pathosi që i përshkon, për mendimin tim, përbën më së shumti një nevojë të thellë për studimin letrar profesionist, detyrim që universitet nuk begenisin ta përmbushin. Emersoni ka shkruar se shoqëria nuk bën dot pa njerëz të kultivuar dhe shtoi në mënyrë profetike se: “vatra e shkrimtarit nuk është shkolla, por njerëzimi.” Ai e kishte fjalën për shkrimtarë të fuqishëm, burra dhe gra që merrnin përsipër të ishin përfaqësues, përfaqësues të vetvetes, dhe jo kushtetutave, me të vetmen politikë atë që buron prej shpirtit njerëzor.
Funksioni më i lënë pas dore i edukimit universitar është nyjëtuar përjetësisht në thirrjen e Emersonit drejtuar “Studiuesit amerikan”, ku ai shpall se detyrat e studiuesit: “Mund të përmblidhen të gjitha tek vetëbesimi.” Unë marr nga Emersoni edhe parimin e katërt të leximit: Që te lexosh mirë duhet të kesh shpirt krijues. “Leximin krijues” në kuptimin Emersonian e kam quajtur një herë “keqlexim,” fjalë që i bindi kundërshtarët e mi se vuaja nga disleksia kronike. Humbëtira apo zbrazëti që ata shohin pas leximit të një poeme është pasojë e mospasjes së një shpirti të tillë krijues. Vetëbesimi nuk është dhunti, por Rilindja e Dytë e mendjes, e cila nuk mund të ndodhë pa vite të tëra leximi të pareshtur. Estetika nuk ka standarte absolute. Nëse ndokush mëton se fuqia shekspiriane është produkt i kolonializmit ateherë kush po e vriska mendjen të argumentoj të kundërtën? Pas katër shekujsh Shekspiri është më i fuqishëm se kurrë; dramat e tij do të luhen në hapësira jashtëtokësore, në të tjera botë, nëse këto botë do të arrihen. Ai nuk përbën përbetim për kulturën Perëndimore; por mishëron të gjitha parimet e leximit dhe është pika ime e referimit në këtë libër.
Borgesi ia mvishte këtë universalizëm mungesës së mirëfilltë të egoizmit të tij, cilësi që përbën një metaforë të shumëfishtë për dallimin mes Shakespear-it dhe të tjerëve, metaforë e fuqisë së tij njohëse si e tillë. Ne lexojmë, më shpesh e më shumë se sa ne mendojmë se lexojmë, në kërkim të një mendjeje më origjinale se e jona.
Ideologjia, sidomos në variantet me të cekëta të saj, është rrënuese sa i përket aftësisë së të kuptuarit dhe vlerësimit të ironisë, ngase unë sugjeroj që ringjallja e ironisë të jetë parimi ynë i pestë i ripërtëritjes së leximit.
Mendoni ironinë e pafundme të Hamlet-it, i cili kur thotë diçka nënkupton kryekrejet diç tjetër, më së shumti krejt të kundërt me atë që thotë. Por, ky parim, sikur ma vret shpirtin, prejse s’ka gjasa t’i mësosh dikujt të jetë ironik sikurse të bëhet lexues vetmitar. Prapëseprapë, humbja e ironisë shënon vdekjen e leximit, të asaj çka përbën qytetërim në mendjet tona.
U qasa çap pas çapi fare lehtë Ngadalë e mata udhën ca nga ca Yjet mbi Krye flakëruan hatâ Nën këmbë kisha Detin vetë S’dija se ç’ndillte tjetri hap Mos vallë i fundmi asisoj – Cakun e preka prapëseprap Disa e quajnë “Përvojë”
Të ecurit e burrave është e ndryshme nga e grave, me përjashtim të rastit kur janë në kuadrate të disiplinuara marshimi, pasi ne të gjithë përpiqemi të ecim ndryshe nga të tjerët. Dickinson-i, mjeshtrja e Sublimes në zgrip, zor se mund të kuptohet nëse nuk ndiejmë shqisën e ironisë së saj. Ajo ecën përgjatë të vetmes udhë të mundshme, “çap pas çapi” por çapitja e saj e dalëngadaltë pranëvihet në mënyre ironike me nje titanizëm ku ajo ndien “Yjet mbi Krye,” ndërkohë që ka detin nën këmbë. Duke mos e ditur nëse hapi tjetër i saj do të jetë “i fundmi asisoj” kjo i jep asaj atë mbërritje në atë cak të mbramë që ajo nuk do t’i vër emër, porse vetëm thotë që “disa” e quajnë Përvojë.
Ajo e kishte lexuar esenë e Emersonit “Përvoja”, një punë e shkëlqyer në gjurmët e esesë “Mbi përvojën” shkruar prej mjeshtrit të saj Montaigne, dhe ironia e saj është një përgjigje e përkorë ndaj fjalëve hyrëse të Emersonit “Ku ta gjejmë vetveten? Një përgjigje kundrejt një numri pyetjesh që nuk njohin cak, sepse besohet se ato nuk ekzistojnë.” Caku për Dickinson-in është të mosditurit nëse tjetri hap është i fundmi asisoj. “Nëse ndokush prej nesh do ta dinte se si do ta kishim të shkuarën dhe cili është fati ynë i ardhshëm, atëherë kjo do të ishte kulmi i dijes!” Rugëtimi i mëpasshëm i Emersonit ndryshon nga ritmi i shtruar i Dkinsonit, sikurse e thotë ajo, “çap pas çapi”. “Gjithçka rrjedh dhe shndrit,”në mbretërinë e përvojës së Emersonit, dhe ironija e tij gjeniale është krejt ndryshe nga ironia e saj e nëndheshme. E megjithatë, asnjëri sosh nuk është ideolog dhe të dy mbijetojnë në kohë sajë fuqisë që mbartin ironitë e tyre të kundërta.
Në fund të shtegut të ironisë së humbur është caku i mbramë, përtej të cilit vlera e letërsisë do të jetë e paripërtërishme. Ironia është thjesht një metaforë, dhe rrallë ndodh që ironia e një epoke letrare të jetë si ajo e një epoke tjetër, sidoqoftë, pa rilindjen e kuptimit të ironisë humbet shumë më shumë se ajo që ne e quajmë shkrim letrar. Tomas Mani, ndër më ironikët e shkrimtarëve të këtij shekulli, duket se është bër fir tashmë. Botohen biografi të reja të tij, dhe shkrimet për to mbështeten pothuajse gjithmonë vetëm në homoseksualitetin e tij, a thua se kësisoj do mbahet gjallë interesi ynë si lexues për to, vetëm nëse vërtetohet së ishte homoseksual, dhe kjo t’i sigurojë një vend në bibliotekat tona. Nuk ndodh ndryshe as kur bëhet fjalë për Shekspirin, më së shumti përmendet biseksualiteti i tij i dallueshëm, dhe kësisoj huqet e puritanëve të kohës sonë nuk kanë të sosur. Ironitë shekspiriane, sikurse dihet, jamë më të shumëkuptimshmet dhe dialektiket në tërë letërsinë perëndimore, dhe prapëseprap ato nuk ndërmjetësojnë gjithmonë pasionet e personazheve të tij për ne, kaq e gjerë dhe e fuqishme është furtuna e tyre emocionale. Kjo është arsyeja pse Shakespeare e tejkalon epokën tonë, edhe pse ironitë e tij shpërfillen për t’u marrë me vogëlsira.
Nga ana tjetër, në çdo emocion që ngjall Tomas Mani, rrëfimor apo dramatik, ai ndërmjetësohet prej një estetike të ironisë; dhe ajo nuk mund t’u mësohet si e tillë e shembullzuar tek librat Vdekje në Venecie ose Pështjellim dhe pikëllim i kahershëm pasi për shumë prej studentëve, qoftë edhe për më të talentuarit, është pothuajse e pamundur. Kur autorët rrënohen prej historisë, ne me të drejtë i shohim veprat e tyre si trakate periudhash historike, por kur ato nuk mbijetojnë për shkak të idelogjisë historike që i përshkon, mendoj se kemi të bëjmë me një dukuri tjetër.
Ironia kërkon një vëmendje të caktuar, sikurse aftësinë për të ngjallur ide kundërthënëse, edhe kur ato ndeshen me njëra-tjetrën. Po ti heqim ironinë leximit, i kemi hequr të befasishmen, gjithë të papriturën që na grish. Rrokni çfarëdo lloj libri që t’u zërë dora, një nga ata me vlera që gjykohen e peshohen, dhe keni për të parë se ka shumë gjasa që ironia do të jetë ajo që i jep vlerë e peshë, paçka se shumë prej mësuesve tuaj nuk e dinë se çfarë është apo se ku duhet kërkuar ajo. Ironia ta qëron mendjen prej klisheve ideologjike dhe të ndih të bësh dritë si qiriri i studiuesit.
Tani po kaptoj të shtatëdhjetat, dhe në këtë moshë njeriu nuk para ka qejf të lexojë letërsi të dobët sikurse të shohë ditë të zeza, përderisa ditët i kemi të numëruara. Nuk e di nëse vdekjen ia kemi borxh Zotit a natyrës, por natyra do të bëjë të vetën, dhe ne pa më të voglin dyshim mediokritetit nuk i kemi kurrfarë borxhi, pavarësisht se çfarë turme nënkupton apo përfaqëson ai. Ngase lexuesi im ideal, për një gjysmë shekullia, ka qenë Dr. Samuel Johnson-i, po sjell fragmentin tim të parapëlqyer shkëputur nga parathënia e tij për Shakespeare-in:
Kjo pra është fuqia e Shakespeare-it, drama e tij është pasqyrë e jetës; kushdo që kuturis në mbretërinë e imagjinatës për të rendur pas shajnive që të tjerë shkrimtarë para tij krijuan, mund të gjej tek ai ilaçin shërues për dallditë e tij delirante ngase lexon aty ndenjat njerëzore në gjuhë njerëzore, prej skenash me anë të cilave një eremit mund të shkoqisë punët e botës dhe një pendestar shtigjet e pasioneve të saj.”
Që të lexosh ndjenjat njerëzore në gjuhën me të cilën shprehen, duhet të dish të kuptosh gjuhën njerëzore, në plotninë e saj. Kështu ti i tejkalon ideologjitë, pavarësisht nga bindjet vetjake që mund të kesh, dhe Shakespeare shfaqet para teje, sipas aftësisë që zotëron për ta zbuluar atë. Kjo do të thotë se Shakespeare të lexon më katërcipërisht se sa mund ta lexosh ti atë, edhe kur ta kesh qëruar mendjen nga klishetë. Asnjë shkrimtar para tij apo prej Shakespeare-it e më pas ka arritur të zotëroj si ai aftësinë e krijimit të thellësisë dhe larmisë së dritëhijeve të personazheve, pikëvështrime që tejkalojnë çdo lloj kontekstualizmi që u paracaktohet dramave. Johnson-i, duke e pikasur fort mirë këtë, na nxit ta lexojmë Shakespear-in që të na çlirojë nga “dalldisjet delirante. “Lejomëni ta shtjelloj më tej këshillën e Johnson-it i cili na nxit gjithashtu që të pranojmë djajtë që dëbon leximi i thellë i Shekspirit. Njëri sosh është Vdekja e Autorit; një tjetër është pohimi që vetvetja është trillim; dhe tjetri në radhë është ai sipas të cilit personazhet letrarë e dramatikë janë thjesht shenja të shumta të lëna në letër. Djalli i katërt dhe më I kobshmi është mendimi se gjuha është ajo që përcakton mendimin tonë.
Sërish, dashuria ime për Johnson-in, dhe për leximin, më shtyn të shmang polemikat, e në vend të tyre të lartësoj shumë prej lexuesve vetmitarë që takoj vazhdimisht, qoftë në auditore apo në letrat që më dërgojnë. Ne lexojmë Shekspirin, Danten, Chaucer-in, Servantesin, Dikensin, Prustin, dhe të gjithë të ngjashmit e tyre sepse ata i zgjerojnë përmasat e kuptimit të jetës. Praktikisht, ata përbëjnë Bekim, në kuptimin e vet më hyjnor me “më shumë jetë në një kohë që s’ka kufij.” Ne lexojmë pafundësisht për shumë arsye, disa prej tyre të ditura: ngase s’mund ti njohim plotësisht njerëzit, t’i njohim aq sa të mos ketë më nevojë: ngase kemi nevojë të njohim më mirë veten; ngase kemi nevojë për dijen jo vetëm në lidhje me veten dhe të tjerët, por edhe se si janë punët e kësaj bote.
Prapseprapë, motivi më i fuqishëm dhe themelor për një lexim të thellë të veprave tradicionale klasike jo pak të nëpërkëmbura, është gjurmimi i ëndjes së mundimshme. Afërmendsh që nuk jam nxitës i leximeve erotike, por ëndja e mundishme mua më duket përkufizimi më i mirë i Madhështores në letërsi, edhe pse kjo ëndje e epërme mbetet kërkimi i pareshtur i lexuesit. Eziston pra, Madhështimi i lexuesit, dhe duket të jetë i vetmi tejkalim i kufijve normal të ekzistencës që mund të arrijmë ndonjëherë, me përjashtim të rastit më skajshëm që ne e quajmë “të rënit në dashuri.” Ju bëj thirrje të lexoni çka i përshtatet shpirtit tuaj, çka i jep peshë mendimit dhe gjykimit. Lexoni thellësisht, jo për të besuar, as për të pranuar, as për të kundërshtuar, porse për të mësuar të njësoheni me atë natyrë si e juaja që edhe shkruan edhe lexon. /Gazeta “ExLibris” /KultPlus.com
Mimika Luca (24 dhjetor 1937 – 21 shkurt 2023) lindi në Gjirokastër.
Ishte aktore e mirënjohur shqiptare. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si: Suzana, Luçia, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama Cuca e maleve, Sonja, Nica te filmi Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Laja te Kur hidheshin themelet, etj.
Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U martua me aktorin e shquar Ndrekë Luca. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.
Renovimi dhe ndërrimi i barit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk do të nisë deri në pranverën e viti 2024.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.
Në fund të muajit nëntor, Federata e Futbollit të Kosovës doli me njoftim që ky stadium do të mbyllet për të gjitha aktivitete sportive pasi është dëmtuar në masë të madhe bari i saj për shkak të numrit të madh të ndeshjeve ndërkombëtare të zhvilluara në të.
FFK gjithashtu bëri të ditur se është arritur një marrëveshje me MKRS-në për ndërrimin e barit në këtë stadium, marrëveshje të cilën e ka konfirmuar tashmë edhe Osmani.
Sipas saj, komunikimi ndërmjet MKRS-së dhe FFK-së për këtë çështje ka qenë që nga muajt e verës, por kalendari i ngjeshur i ndeshjeve nuk lejonte hapësirë për ndërhyrje të tilla.
“Ne kemi qenë në komunikim me Federatën e Futbollit për sa i përket stadiumit ‘Fadil Vokrri’ që nga muajt maj dhe qershor kur ishin ndeshjet e më hershme që kishin probleme pikërisht për shkak të shiut të madh. Mirëpo, duke marrë parasysh agjendën shumë të ngarkuar të garave dhe ndeshjeve ndërkombëtare që janë zhvilluar në Kosovë, ishte e pamundur të bëhej intervenimi i ndërrimit të barit të fushës për shkak se si procedurë në bazë të ekspertëve të UEFA-së më të cilët konsultohet FFK-ja, minimumi do të duhen 60 ditë që të bëhet ndërrimi barit aktual në barë të ri. Periudha kur filluan ndeshjet, përsëri ishte koha shumë e ftohët, nuk është një intervenim që kryhet brenda javës sepse po të ishte, padyshim se do ta ndërmerrnim. Andaj, jemi dakorduar që në përfundim të vitit të agjendës së garave sportive, të kalendarit sportiv të Federatës së Futbollit, të nis vlerësimi i gjendjes ekzistuese si dhe hartimi i projektit për ndryshim të barit, gjë të cilën kjo është marrëveshja që e kemi arritur. Tani duhet ta ndjekim pak a shumë edhe motin edhe kohën, e dimë që bari nuk mund të rritet në stinën e dimrit, mirëpo po synojmë që në periudhën e marsit, në një afat 60 ditor të përmirësohet dhe të rregullohet edhe stadiumit “Fadil Vokrri”, tha Osmani për Kosovapress.
Ajo shtoi se një grup ekspertësh po vazhdon të bëjë një analizë të thellë për të kuptuar nëse stadiumi “Fadil Vokrri” mund të rinovohet e zgjerohet, por që rezultate e para nga kjo analizë bëjnë të ditur se ky intervenim nuk do të mund të bëhet për shkak të vjetërsisë së strukturës së stadiumit.
Ndryshe, stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë që posedon licencë të UEFA-së për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe kjo ka bërë që ai të stërngarkohet dhe të mos e përballojë një kalendar të tillë./KlanKosova/KultPlus.com
Ura e Kurçajt në Nikël, ka dalë në dritë pas restaurimit si pjesë e programit Eu4Culture.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau pamje nga ky thesar i trashëgimisë kulturore mes një peizazhi të mrekullueshëm.
E ndërtuar në shek. XVIII si pjesë e rrugës së karvaneve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë ajo është një pikë lidhjeje me të shkuarën, theksoi Margariti.
Kthimi në jetë i urës së Kurçajt është një nga punët e mira të Ministrisë së Kulturës për vitin 2023, u shpreh ministrja Margariti./atsh/KultPlus.com
Laura Lunch – një nga themelueset e grupit muzikor “Dixie Chicks”, grup i muzikës “country” në SHBA – ka humbur jetën në aksident trafiku.
Ajo ishte 65-vjeçare.
Departamenti i Sigurisë Publike në Teksas ka thënë se Laura humbi jetën si pasojë e aksidentit mes dy veturave në afërsi të qytetit El Paso të premten.
Anëtarët aktualë të grupit në një postim në “Instagram” kanë thënë se “janë të shokuar dhe trishtuar”.
“Ne mbajmë një vend të veçantë në zemrën tonë për kohën që kemi kaluar së bashku duke luajtur muzikë, duke qeshur e duke udhëtuar”, thuhet në postimin.
Grupi “Dixie Chiks” u krijua në Dallas në vitin 1989.
Bashkëthemelues ishin Laura Lynch, një basiste e më vonë vokaliste, Robin Lyn Macy (vokalist e kitarist) dhe motrat Martie dhe Emily Erwin.
Bendi kishte performuar në festivale të ndryshme dhe bëri bujë.
Para se Lynch të merrte vendimin për largim në vitin 1995, “Dixie Chicks” publikoi tri albume: “Thank Heavens for Dale Evans”, “Little Ol’ Cowgirl” dhe “Shouldn’t a Told You That”.
Mirëpo, suksesin komercial grupi e arriti në vitin 1998 me albumin “Wide Open Spaces”.
Bendi e ndërroi emrin tri vjet më parë duke e bërë vetëm “The Chiks”.
Vendimi për të larguar pjesën “Dixie” erdhi pas kritikave se ajo fjalë kishte konotacion me skllavërinë amerikane./rtv21/KultPlus.com
Krishtlindja është një nga festat më të njohura dhe madhështore që festohet në të gjithë botën.
Pavarësisht vendndodhjes gjeografike, çdo kulturë ka mënyrën e saj të veçantë për të festuar këtë festë të fundvitit dhe për ta bërë festën unike.
Por, ja si festohet Krishlindja në të gjithë botën:
Itali
Në Itali, në kisha, sheshet e qytetit apo në çdo shtëpi, ekziston ky zakon i shfaqjes së skenës së lindjes së Krishtit, një “presepe” gjatë Krishtlindjeve.
Babbo Natale apo ai i cili atje njihet si Babai i Krishtlindjes u shpërndan dhurata fëmijëve dhe të gjithë njerëzit urojnë njëri-tjetrin.
Poloni
Në Poloni, festimi fillon me darkën e Krishtlindjes. Është një gjë para darkës e cila ka formë të hollë letre dhe është katrore. Ajo është e bërë me miell dhe uji si dhe ka një imazh të Lindjes së Krishtit.
Njerëzit thyejnë një copë dhe e hanë atë.
Gjermani
Në Gjermani, tregjet festive të Krishtlindjes mund të shihen në sheshet kryesore në shumë qytete dhe pemët e Krishtlindjes ngrihen qysh më 24 dhjetor.
Angli
Anglia fillon përgatitjet për Krishtlindje që nga mesi i nëntorit. Njerëzit dekorojnë dhe mbledhin donacione nga vizitorët për bamirësi.
Islandë
Në Islandë, fëmijët mbajnë këpucë në dritare për ta mbushur me dhurata.
Indi, Britani dhe SHBA
India, Britania dhe SHBA ndjekin traditën e ngjashme të mbajtjes së çorape pranë shtratit në natën e 24 dhjetorit për Babadimrin.
Australi
Në Australi, njerëzit shkojnë në plazh për të bërë grill, gjithashtu bëjnë një lojë emocionuese të kriketit në oborrin e shtëpisë dhe këndojnë këngën “White Christmas”.
Greqi
Në Greqi, njerëzit dekorojnë edhe varkat, përveç pemëve të Krishtlindjeve, si një festë e praktikës detare.
Ajo që mbetet e zakonshme, pavarësisht nga vendet e ndryshme në të gjithë globin, është se njerëzit presin me padurim eksitimin e shpirtit të gëzueshëm./Klankosova.tv.
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një urimi për festën e Krishtlindjes, ka thënë se kjo kohë është një periudhë reflektimi e solidariteti.
Presidentja Osmani përmes një komunikate ka thënë se në këtë ditë kremte, duhet kujtuar ata që mund të përballen me sfida.
“Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, teksa zemrat dhe shtëpitë janë të mbushura me shpresë e optimizëm. Në këtë ditë kremte, le t`i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida dhe t’ua shtrijmë dorën e mirësisë e dhembshurisë. Qoftë kjo festë e mbushur me dashuri, paqe dhe gëzim për secilën familje”, thuhet në komunikatën e presidencës./KultPlus.com
Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit tha se brenda vitit mbi 300 mijë kilogramë të produkteve të mishit dhe 1 milionë kilogramë të produkteve të tjera jo shtazore janë asgjësuar. Agjencia foli për RTV21 në prag të festave të fundvitit, kur thotë se ka shtuar numrin e kontrolleve të operatorëve ekonomikë. Qytetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre me cilësinë e ushqimeve që konsumojnë ndërkohë që Shoqata “Konsumatori”, thotë se institucionet nuk kanë krijuar partneritet konsumator-inspeksion.
AVUK iu ka bërë thirrje qytetarëve të kenë më shumë kujdes nga dhuratat e fëmijëve, për shkak të mundësisë së skadimit të afatit të produkteve. Drejtori i shëndetit publik, Flamur Kadriu, tha se inspektorët e Agjencisë kanë ndaluar një numër të operatorëve ekononik për shkak të dyshimeve për cilësinë e dobët të ushqimit që shitet.
“Gjatë një viti janë kryer mbi 70 mijë kontrolle, dhe diku 1 milionë kilogram produtke jo shtazore janë asgjësuar, ndërsa mbi 300 mijë kilogram janë shtazore…festat e fundvitit gjithmonë kanë tendeca për shitje më të madhe paraqet gjithmonë një rrezik dhe prej përvojave të kaluara, është bërë një praktikë për shkëmbim të dhuratave dhe në këtë mënyrë i kemi intensifikuar edhe inspektimet tona dhe i kemi nnën vëzhgim dhuratat që janë për fëmijët, dhe në këtë mënyrë të tregohet një kujdes më i madh se si janë mbajtë produktet nëpër tregje, afati i skadimit etj”, tha Kadriu.
AVUK tha se ka trajtuar 460 ankesa të konsumatorëve brenda një viti. Por pavarësisht paralajmërimeve të Agjencisë së veterinarisë dhe ushqimit për kontrollet shtesë qytetarët janë skeptik në atë se çka konsumojnë.
“Ne si konsumatorë nëse nuk e kemi kujdesin vet me i kqyrë, sa për kontrolle është katastrofë, me marr suxhuk në shitore ku ke pas, pa kurfar kontrolle masnej uji, rrin gjithë ditën ndiell e nshi pra nuk ka kontrollë t’mjaftueshme veç neve ishalla na runë Zoti”, tha një qytetar.
“Nuk jemi të sigurt, tu e ditë prejardhjen e tyre, nëse kurgjo ne e kqyrim t’pakten afatin”, tha një qytetare për RTV21.
Mungesën e kontrollit në treg e ka konfirmuar edhe kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, sipas të cilit ato kryhen në bazë të mundësivë dhe të kapaciteteve që kanë institucionet. Ai tha se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur kontrolle të mjaftueshëm të ushqimeve.
“Shiqoni kontrolle të mjaftueshme siç pret konsumatori nuk ka pasë anjëherë dhe nuk do të bëhen kurr, kontrollet bëhen me disa mostra matje simbolike dhe nuk bëhet sa duhet…shifni pas gjithë këtyre viteve jemi në vitin 2023, dhe akoma qytetari konsumator nuk është partner i shtetit në mënyrë që të bashkëpunoj me inspekcionin, shtetin”, tha Kaçaniku për RTV21.
Sipas agjencisë së veterinarisë në periudhën janar-nëntor, u shqiptuan 135 gjoba për kundërvajtje për ruajtje të produkteve në kushte joadekuate./21Media/KultPlus.com
Diellin ta shikosh nga hija e plepit Dhe ta matësh Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake Besnik i madh i Njeriut Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë të dëgjohesh në shkretëtirë Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush nuk të beson: Sa më pak shikoje veten në pasqyrë Dhe kurrë mos mendo: I pari Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë të natës në pikë të vapës Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë Rast i humbur nuk je edhe pse pylli dendësohet Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar në botë Dhe si të duash Ti Lumi Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë e saj e zezë Bashkudhëtari im Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./ KultPlus.com
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë sot është promovuar libri ‘Kriminalistikë dhe siguri’ i autorit Arben Dashevci.
Ky libër trajton të përmbledhura tema të cilat trajtojnë aspektin kriminalistik dhe çështjet e sigurisë.
Tema të cilat trajtojnë aspektin kriminalistik dhe çështjet e sigurisë janë përmbledhur në librin ‘Kriminalistikë dhe siguri’ të autorit Arben Dashevci, libër ky që u promovua sot në universitetyin Isa Boletini në Mitrovicë.
Me këtë rast u tha se ky libër është një bazë e mirë për t’u përdorur edhe nëpër shkolla duke qenë se në vend në përgjithësi mungojnë librat që trajtojnë këto aspekte./rtk/KultPlus.com
Rritja e numrit të turistëve nga viti në vit ka krijuar horizonte të reja punësimi për të rinjtë dhe jo vetëm. Profesioni i guidës (udhërrëfyesit), apo agjentit turistik është nga më të kërkuarit nga agjencitë turistike në vend.
Për të plotësuar e ndihmuar në plotësimin e nevojave të tregut me guida turistike, por edhe për të rritur cilësinë e shërbimit të guidave në vendin tonë, një prej qendra multikulturore në kryeqytet në bashkëpunim dhe me një agjenci turistike në vendin tonë, kanë ndërmarrë një nisëm për të trajnuar guida apo aspirantë për guida, duke i përgatitur për tregun e punës.
Elkierd Deliu, drejtues i një agjencie turistike në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se të rinjtë dhe jo vetëm duhet të shohin profesionin e udhërrëfyesit, si një rrugë drejt punësimit dhe madje me të ardhme, pasi turizmi po shndërrohet në një industri të mirëfilltë.
“Bashkë me një kolegun tim ndërmorëm një hap më tej për realizimin e një start up, duke ngritur një agjenci turistike, që merret kryesisht me tregun e huaj dhe në veçanti me atë francez. Dhe duke qenë se vijmë nga fusha e guidave, fusha e turizmit, na lindi ideja, duke parë dhe mungesën e guidave në treg, por edhe trajnimeve në vazhdimësi, jo ato për çështjet e licencimit. Atëherë ne ndërmorëm një nisëm për të zhvilluar disa seanca trajnimi falas për të gjithë. Të interesuarit mund të marrin pjesë lirisht”, tha Deliu.
“Temat që kemi zgjedhur janë shumë të rëndësishme për punën e një guide. Trajnimi është edhe për guidat që punojnë aktualisht, por fokusi është për personat që nuk punojnë guida, duke i dhënë mundësinë për të nisur këtë rrugëtim. Ne në auditor kemi dhe studentë që janë nga Fakulteti i Historisë, apo në fusha të tjera për të zgjeruar njohuritë e tyre dhe për të ndërmarrë këtë udhëtim, duke punuar si guidë, si një sektorë ku tregu ka mungesë dhe kjo kthehet në vetvete në një urë, që pas studimeve të tyre ta gjejnë veten në fushën e guidave”, tha ai.
Sipas tij, lektorët e përzgjedhur për këto trajnime janë nga më të mirët e të gjitha fushave që lidhen me historinë, artin, kulturën dhe turizmin në vend. “Sot kemi në fokus artin bizantin, javën e kaluar patëm antikitetin, ndërsa në vijim duam të fokusojmë diskutimin edhe tek turizmi i qëndrueshëm, si e ardhmja e turizmit”, tha më tej Deliu.
“Rritja e numrit të turistëve është shtysa kryesore që na bëri të marrim këtë vendim dhe dëshira për të mundësuar një rritje të cilësisë për këtë shërbim. Rritja e numrit të turistëve ka vënë në vështirësi një pjesë të tur operatorëve, të cilët shpesh edhe gjenden pa guida, duke u kanalizuar te persona që thjesht dinë gjuhë të huaj, pro nuk janë guida dhe në këtë pikë po mundohemi që përmes kësaj nisme t’i japim mundësi të rinjve dhe jo vetëm të ndërmarrin këtë nisëm në vazhdimësi për të krijuar formuar guida, për të qenë gati edhe për një fluks më të madh turistësh, që Shqipëria të jetë nga ato destinacione ku çmimi dhe cilësia e shërbimit turistik të jenë paralel me njëra tjetrën”, tha Deliu.
Ai tha se licencimi është një procedurë e mirëpërcaktuar nga shteti, ndërsa nënvizoi se një kurrikul serioze është ajo që është ndërmarrë nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja.
“Unë i ftoj me këtë rast të gjithë të rinjtë të rejat, por jo vetëm këtë grup njerëzish, por ata që kanë pasion gjuhën e huaj, të zgjedhin profesionin e guidës. Gama e ofertës po zgjerohet. Është një zinxhir i madh që përfshin shumë aktor në fushën e turizmit. Të gjithë këta aktorë janë ndërgjegjësuar për atë që duhet të bëhet në kuptimin që kur turistët të vijnë të flasin mirë për atë që ka gjetur në vendin tonë dhe secili të influencojë dhe rrethin e tij. Ka turistë që kthehen për të parë zona që nuk i ka parë në udhëtimin e parë, ose që kthehen vetë në një guidë për një rast të dytë. Dhe kjo është një sukses goxha i madh”, tha ai.
Ëngjëllushe Haxhi tha për ATSH se kjo është një nga shumë nismat që ka ndërmarrë kjo qendër, e cila është ngritur dhe funksionon në bazë vullnetare.
“Duam të ndihmojmë sektorin e turizmit, për të patur profesionistë në këtë fushë”, tha Haxhi.
Një prej guidave që po trajnohej Gjergj Nikaj, tha se ishte kthyer nga jashtë vendit për të punuar si guidë, pasi turizmi ka potenciale për t’u rritur gjithnjë e më shumë.
“Kam dy vite që punoj si guidë. Kam jetuar në Kinë, Australi, por u ktheva në vendin tim pasi doja të kontribuoja në vendin tim për ta prezantuar në mënyrë sa më dinjitoze. Është një fushë që ka të ardhme, prodhon. Është dhe pasion, për të shpjeguar historinë e vendit tonë të huajve, që ata të njihen me një pamje tjetër të vendit tonë. I kam të ndarë, italianë, amerikanë, izraelitë, që duan kulturën, holandezë e gjermanë, që janë tek birra dhe vera”, tha Nikaj/atsh/KultPlus.com
KultPlus jua sjellë këngën “Pa ty”, që është njëra nga më të famshmet e Qenës, këngë e cila u rikëndua edhe nga artistët e rinj, dhe mbetet gjithmonë këngë e dashur për publikun.
Pa ty une i vetmum jam ne jete pa ty shtepija asht e shkrete pos teje askuj nuk mund ti shfaqi as gezimin as brengen e shpirtit tim
dhe une tash ty dot kushtoj kangen se dielli ne qiell kot shkelqen per mue o zemra asht pa drite pa ty nuk mund te jetoj ma / KultPlus.com
Atëherë provova t’ia dal mbanë me “të”, më saktë, me “ta” – desha të them, t’ua bëj atyre pyetjen e mësipërme. Le të shohim pikësëpari, a mund të preken sytë e ta shtyjnë njeri-tjetrin duke u përkëdhelur si të ishin buzë? ç’pjesë e syve mund të krahasohet me buzët? Nëse dy vështrime shohin sytë e njeri-tjetrit, a mund të themi se sytë po preken? Ku degdiset vështrimi ndërkohë që sytë janë duke u prekur? Ndërprerja që e kthen vështrimin në sy është një ndërprerje e fshehur, e vulosur, e perceptuar, e shenjuar, e kompresuar dhe e shtypur, apo thjesht mohim intervalesh mes dy skajeve nga ku dalin shikimet? Nëse dy vështrime kanë kontakt me njeri-tjetrin, pyetja përherë mbetet nëse ata po e ledhatojnë apo po e godasin njeri-tjetrin dhe cili do ishte dallimi mes të dyjave?
Tani, së pari duhet të pranojmë se këto sy e shohin njeri-tjetrin.
Këta sy apo këto vështrime?
Përherë shkohet nga i pari për tek i dyti. Për dy vështrime lipsen më shumë se dy sy. Mandej ka edhe sy që nuk shihen më, apo sy që nuk janë parë kurrë. Kini parasysh se ka edhe nga ato gjallesa që jetojnë pa sy, e megjithatë kjo nuk do të thotë se këto gjallesa jetojnë gjithnjë pa dritë.
Mirëpo atje ku ne ndodhemi – si kjo mbrëmje – po bëhet gjithnjë e më errësirë. Na duhet të zgjedhim midis shkëmbimit të shikimeve me njeri-tjetrin dhe të parit njeri-tjetrin. Pra na duhet te vendosim: të shohim shikimin e tjetrit apo të shohim të parit tek ai?
Mirëpo nëse sytë tanë shohin shikimin dhe jo atë çka të parit e bën të dukshme, nëse ata besojnë se po shohin shikimin e jo sytë, nëse është kështu, nëse vërtet është kështu, atëhere ata po shohin asgjënë, në rast të tillë nuk mund të shihet gjë sepse asgjë nuk bëhet e dukshme. Me ikjen nga e dukshmja, sytë tanë fshihen pas natës. Ata janë gati të verbohen veç për të parë një shikim; ata i shmangen shikimit të asaj çka përfaqësojnë sytë e tjetrit duke iu drejtuar vetëm shikimit të tij/saj, pra shikimit tënd mbi tjetrin dhe jo shikimit që përfaqëson tjetri. Po gjatë këtij fragmenti, a është ditë? Dhe a i përket kohës ky fragment? Kohës në tokë? A është ditë në tokë apo është natë? A duhet kthyer në natë ky fragment, ta bëjë natën “të shfaqet” në mënyrë që ta shohë veten duke parë tjetrin apo që ta shohë veten teksa vërehet nga tjetri? Në mënyrë që të shohim atë që na sheh, ne nuk shohim atë çka për tjetrin është e dukshme por vetëm mprehtësinë e tij për të na vërejtur?
Nëse përgjigja do ishte “është natë” a nuk do dukej sikur sytë preken verbërisht dhe nuk shquajnë asgjë?
Por – ajo që vendosa ta quaj me pseudonimin “Pikëpyetja” – më kundërshtoi, ose ndoshta unë kundërshtova veten time: “ka raste kur vetëm në këtë mënyrë njerëzit munden ta dëgjojnë e ta kuptojnë njeri-tjetrin.”
Pikërisht kur shikimi im takohet me tëndin, unë i shoh të dyja, shikimin tënd dhe sytë e tu, dhe sytë e tu jo vetëm që më shohin por ato përfaqësojnë diçka timen. Duke t’u afruar unë mundem t’i prek, me lëkurë, buzë, apo edhe sy, qerpikë, vetulla; nëse vetëm do guxoja të të afrohesha në këtë mënyrë. Nëse një ditë do të guxoja…Të insistosh papushim përfundon duke përsëritur vazhdimisht: “në fragmentin kur sytë tanë preken – si të ishin buzë – a është ditë apo jemi duke banuar në terrin tonë të përbashkët?
Për aq kohë sa nuk më ke prekur me sy, për aq kohë sa nuk më ke prekur sytë – si të ishin buzë – nuk do jesh në gjendje të më thuash “një ditë…”, madje nuk do mund të më thuash as “Përshëndetje!”, “Lamtumirë!”, “Shihemi”, “Kujdesu për veten!”, ndërsa unë lutem që ti të jetosh më shumë e më gjatë se unë. Por kjo lutje tanimë më turpëron, sikur të pranoja që kam frikë – frikë se mos jem mbijetues dhe arrij ta duroj edhe vdekjen. Në pritshmërinë time e vetmja mundësi pajtimi me vdekjen, pra vdekjen time, varet nga pasuria e madhe shpirtërore që më është premtuar kur të mos i shoh më ata që kam dashur. Hezitoj veç ta paramendoj një ngjarje të tillë, madje për një çast mendova të shpik një histori, më saktë, meqenëse ne i dhamë lamtumirën historisë, nisa të përpiqem të shpik një histori të vërtetë. Një histori që zhvillohet natën, kur sytë tanë preken. Këtë histori: sado e pamundur të duket, mendoj se e kam deshifruar atë frazën anonime që ishte shkruar në një mur në Paris, a thua se kish udhëtuar deri atje përmes brigjeve të një tjetër gjuhe: “Quand nos yeux se touchent, fait-il jour ou fait-il nuit?” (“Kur preken sytë tanë, a është ditë apo është natë?”).
Por le ta shohim çështjen nga një tjetër perspektivë, e ta shmangim kështu patetizmin apo teprinë kur themi një të vërtetë. Domethënia e prekjes, është trajtuar në argumentat e Aristotelit. Por deri në njëfarë pike, pasi ajo çka vijon të shfaqet nëpër argumenta, rrezikon të marrë formën e një teze “të kthjellët”. Ndonëse nuk është ky rasti, shpeshherë ndodh që “kthjellësia” e pohimeve të përmbajë një enigmë krejt më vete. Për shembull, së pari, megjithëse është e qartë, e dukshme apo “e kthjellët” se “organi” i prekjes është i brendshëm (interior); së dyti, se mishi nuk është veçse “mediumi” i prekjes; së treti, se “prekja ka për objekt jo vetëm atë çka është e prekshme, por edhe të paprekshmet”, gjithsesi na vijnë pyetjet se ç’do të thotë “interior”, “medium” apo “ndërmjetës” dhe mbi të gjitha se ç’kuptim ka te prekja një akses pa prekje. Si mund ta prekësh të paprekshmen? E shpërndarë në një numër të pafundëm formash e figurash, kjo pyetje është pikërisht obsesioni që e përndjek të menduarit për prekjen – që mund ta konceptojmë edhe si përndjekje të prekjes.
Ne mund të prekim vetëm një sipërfaqe, pra mund të prekim lëkurën ose cipën e hollë të lëkurës që mbulon mishin, prekje të limitit të lëkurës – nga ku vjen shprehja “me prek cakun” (“touch the limit”) – por për nga përkufizimi, limiti, vetë limiti, është i privuar nga një trup. Caku nuk preket e as ai nuk e prek veten, caku nuk e lë veten që të preket, madje ky cak ka fuqinë që me vetëm një prekje, jo vetëm ta zhdukë atë që nuk i afrohet dot këtij caku por edhe atë që e ka tejkaluar këtë cak një herë e mirë. Tanimë, me këtë histori të prekjes, bëhet edhe më e vështirë të vendosim se çfarë të përfshijmë e çfarë të lëmë jashtë. Por risqe të tilla janë të prekshme, kur historia nuk është më e qartë, e dukshme, apo “e kthjellët” dhe nata është “shfaqur” mes nesh. /KultPlus.com
Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite.
Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptan. Princi Vid ishte princ i Shqipërisë për 6 muaj, që nga viti 1914 deri më 3 shtator të vitit 1914
KultPlus, sot ju sjell një fotografi pikërisht nga viti i ardhjes së Princit Vid në Durrës, ndërsa Isa Boletini me plisin në kokë e me hijen e një patrioti ndan një përshëndetje me princin./ KultPlus.com
Festivali i Këngës u mbajt në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor. Sikurse dihet, ai pati prezantuese aktoren e njohur Adriana Matoshi, e cila së fundmi ka thënë se Festivali i Këngës është po ashtu një burim që mban në këmbë shkollën e këngës së lehtë shqipe.
“Ishte e vështirë. Ishte hera e parë. Unë kam studiu artin skenik prej vitit 2000. Kam luajtur në teatër, me profesorët e mi si regjisorë e aktorë. Kam kaluar në sfida të mëdha me punën, me prof. Bekim Lumi për ta përsosur artin e fjalës dhe interpretimit në skenë. Prej më shumë se 13 vitesh pa u ndalur dhe në sheshxhirimet e filmave me bashkëpunëtorë të vendit tonë dhe të huaj.”
Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:
Dy fjalë pas një mësimi të madh
Kanga e lehtë shqipe është një zhanër i kultivuar në mënyrë origjinale me shumë pasion dhe dashni për artin e kompozimit, këndimit dhe poezisë.
Edhe institucioni që strehon atë është Festivali i Këngës është po ashtu një burim që mban në këmbë shkollën e këngës së lehtë shqipe.
Me të e kemi mbajt afër artin e këngës në shqip për kaq shumë dekada me publikun e gjerë.
Këtë vit, të 62-tin me radhë, mua m’u besua roli i prezantueses në këtë institucion të Këngës.
Ishte e vështirë. Ishte hera e parë. Unë kam studiu artin skenik prej vitit 2000. Kam luajtur në teatër, me profesorët e mi si regjisorë e aktorë. Kam kaluar në sfida të mëdha me punën, me prof. Bekim Lumi për ta përsosur artin e fjalës dhe interpretimit në skenë. Prej më shumë se 13 vitesh pa u ndalur dhe në sheshxhirimet e filmave me bashkëpunëtorë të vendit tonë dhe të huaj.
Kam kaluar tashmë më shumë se njëzet vite në këto përpjekje. Por më duhet ta them hapur që këto 4 netë të Festivalit dhe ditët e provave, përgatitjet paraprake, kanë qenë një shkollë e përshpejtuar, e ngjeshur, e sublimuar e të gjitha arteve që kam besu se i zotëroj.
Me të gjithë fuqitë dhe përgatitjen artistike që kam, dhashë me shpirt gjithë çka mund të jipet për publikun e këngës dhe veçanërisht për respektin dhe admirimin e madh për artistët që takova në atë skenë.
Për suksesin duhet punë, punë, punë, për cilësinë duhet lexim, lexim, lexim. Këto nuk ndërrojnë. Dritat, teknologjia, instrumentet, pajisjet, mikrofonat, përsosen. Ne kemi veç punën tonë dhe ushtrimin e mendjes tonë për të qenë të dobishëm në skenë. Ndaj puna është e pazëvendësueshme nga asnjë gjë tjetër.
Duhet ta dimë se përvoja e Festivalit është plotësisht diçka tjetër që nuk është e krahasueshme me asnjë nga punët e tjera të një artisti.
Ndaj gjej rastin të falenderoj për këtë ftesë të veçantë në këtë shkollë të artit skenik dhe televizionit Drejtorin Artistik Bojken Lako, Drejtorin e Festivalit Alfred Peza për besimin.
Regjisorin e madh të televizionit Pali Kuke, e skenaristin, shkrimtarin e veçantë Enkel Demi, organizatoren e Festivalit Izzy dhe të gjithë stafin realizues të Festivalit.
Kur e mora këtë propozim, u ula ta shoh si është dukur Festivali. Unë jam e lindur në 80’at. Mbaj mend festivalet e viteve 85 e deri sot. Më shumë pas 90’tës. Por kangët i di, si gjithë Kosova, se prindërit i kanë kënduar e pëlqyer ato.
Mësova pak mbi prezantuesit e prezantueset e Festivalit. Për Edi Luarasin e Bujar Kapexhiun, Zerina Kuke e Silvana Braçen, për Dhimitër Gjokën, për Adi Krastën e plot bashkëmoshatarë të mitë artistë, gazetarë, personalitete të televizionit.
Lexova që kishin qenë gati të gjithë aktorët më të mirë shqiptar të kohës. Në festivalin e parë Margarita Xhepa, vite më pas Yllka Mujo, Anisa Markajan, Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Ndriçim Xhepa.
Çka mund të them më shumë se sa t’ju ftoj që të bëjmë një dokumentar mbi këtë shkollë të fjalës artistike në shqip.
Orkestra
Është një eksperiencë e rrallë, rrënqethëse shpesh, të jesh në skenën ku luajnë muzikë Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar drejtuar nga një grup i dirigjentëve virtuozë shqiptarë. Është e paharrueshme po ashtu të shohësh dhe dëgjosh Elton Dedën teksa luan në piano dhe drejton bendin e Festivalit.
Kangët
Po, janë kompozime të përkushtuara. Me mund të madh. Me kurajo artistike. Me tekste të punuara me seriozitet dhe me pasion. Me orkestrime jo rrallë unike. Përgatitja e një kënge pra 2-4 minuta sublimim i instrumenteve, zanit njerëzor dhe tekstit pra fjalës është një punë shumë e madhe e artit të krijimit. Nuk është hiç e lehtë.
Dhe ne të gjithë që e shohim këtë art para nesh na duhet të na lindë pyetja – pse vallë lodhen kaq shumë, shpesh edhe rrezikojnë kaq shumë, këngëtarë e kompozitorë për të na dhuruar këngë në shqip, kur bota ka plot muzikë të madhe?
Nuk mund të them që nuk më jep ndjenjën e respektit puna e tyre, e secilit, çdo vit, çdo ditë, pa u dekurajuar asnjëherë nga çfarëdo rrethane.
Kritika
Artistët e vërtetë i rrit vetëm kritika. Nuk ndodh asgjë në art pa kritikën e rreptë, të ashpër dhe vërtetë. Ndaj mos u ndalni askush së kritikuari deri në hollësitë më të skajshme, prej prezantimit e deri tek secila kangë.
E shamja nuk është kritikë. Nuk ndihmon. Artistët e vërtetë dinë të mësojnë nga kritika. Dinë po ashtu të dallojnë kritikën nga e shamja. Dinë të dallojnë edhe çka ju duhet për punën e tyre nga kritika e publikut.
Ndaj nëse e duam këngën shqipe, Festivalin e saj mos u ndalni së kritikuari, mos e ndalni dorën hiç. Veçsa i rrisni artistikisht dhe i jipni motiv për ta përsosur punën e tyre djemtë dhe vajzat e skenave.
Kamera
Çdo imazh që shihni në ekran e mban syrin e kameramanit pas atij aparati magjik që ka shpikë njeriu para një shekulli.
Nuk ka asgjë që shihni që nuk ka kaluar nga syni i tyre. Ata në fakt janë thelbi i këtij zhanri kaq të bukur që duket në ekran, në salla kinemaje apo në ekranin e TV a pajisjeve të tjera me ekran. Çdo fjalë dhe interpretim që kam pasur këto katër netë janë sa të mijat aq dhe të kameranëve në sallë. Arti i përsosur që e kryejnë profesionistë krej të veçantë.
Kameramanët e RTSH-së ishin ashtu siç kam dëgjuar. Shkollë e veçantë. Nderime e respekte për punën e tyre.
Publiku
Nuk e përfytyroni dot çfarë energjie madhështore ka fuqinë ta jap publiku shqiptar kudo ku ndodhet. Në sallë, në TV, në rrjete sociale, në telefon, në rrugë, në paskenë, kudo.
Së pari, nuk ia bën do me hile. E dallon kur nuk je ka i jep shpirt punës në skenë. Nuk ta fal kur nuk je i sinqertë në skenë. Të mbështetë edhe kur gabon por të ka pa që ke punu e je mundu shumë.
E njeh të bukurën.
E duartroket atë.
Di të dëgjojë poezinë,
Di ta shijojë muzikën,
Di të vlerësojë njeriun që duhet ta ketë brenda vetes artisti patjetër.
Unë besoj që artisti i madh mund të jetë vetëm një njeri i mirë. Nuk rri dot arti bashkë me jo të mirën.
Publiku shqiptar është padyshim një arsye e madhe pse zgjohem shumë shpesh edhe në mëngjeset kur nuk kam më as fuqi as ndonjë vullnet të veçantë.
Kolegët e mi,
Kledi dhe Krisa,
Jam e nderuar që ju njoha dhe punova me ju.
Sa herë të kisha mundësi të zgjidhja nuk do ta ndërroja këtë zgjedhje që kanë bërë drejtuesit e Festivalit.
Këtë rol duhet ta kenë çdo herë ata që e duan skenën dhe artin. Dhe që shërbimin ndaj publikut artdashës e kanë pasion edhe vetjak.
Nuk ka fituar Elsa ? Më mirë që s’ka fituar! Sepse në këtë mënyrë Elsa ka shpëtuar nderin e Festivalit! Po po! Nderin e Festivalit që u paragjykua para pak kohësh si një event i kompromentuar! Pikërisht atëhere kur u përfol për këngën që do të shkonte në Eurovision! “Edhe nëse ka patur krisma, ato kanë qënë diku larg”! Kjo batutë filmi më erdhi tek u njoha me fituesit e Festivalit! Sa për Elsën, që mendoj se e njoh sadopak, jam i sigurt se pas zhgënjimit të dytë, ka thënë. “Punë e madhe! Unë po rilind!”. Elsa nuk është 15-vjeçarja që qëndron “Larg urrejtjes” dhe e “Lotit që pikon”. Elsa nuk është fëmija i brishtë, që ka njohur dikur publiku. Elsa ka ndyshuar si artiste, ka ndryshuar në vokal, në interpretim, stil, preferenca. E në fund të fundit ky është dhe misioni i artistit. Ndryshimi, risia, transformimi, sepse përndryshe bëhet i mërzitshëm.
Elsa ka kaluar shumë furtuna në jetën e saj. Madje jeta e saj është e denjë për një skenar filmi, pse jo si e Nina Simone e Billie Holyday, plot peripeci e tronditje që gjithësësi lenë gjurmë kur gdhendet personaliteti artistik e po ashtu dhe ai human. E si një artiste me një talent të jashtëzakonshëm, por edhe me një karakter ku gërshetohet krenaria vlonjate, çiltërsia e vajzës së “Tironës”, (por edhe cilësi të tjera për të cilat mund të ketë interes skenaristi i jetës së saj), ajo edhe këtë herë do t’ia dalë më së miri. Elsa ka forcën e një nëne. Në Itali, nëna të tilla quhen “ragazza madre”! Dhe si një zonjushë e sprovuar, finalja e Festivalit, nuk e ka dekurajuar aspak, sepse sytë e saj, kanë përjetuar drama të tejskajshme.
Por ajo çka është më e rëndësishmja, e ritheksoj! Elsa në një lloj mënyre i shpëtoi nderin Festivalit të paragjykuar.
Natyrisht Festivali nuk është më i dikurshmi! Dhe le të mos kemi iluzione. Nuk ka kthim mbas! Veçse diçka! Dikur,kur Festivalin e ndiqnin prindërit tanë, Festivali ka qenë edhe më i kompromentuar me këngët për Partinë e ndërtimin e socializmit. Ashtu siç ka patur edhe vlera të jashtëzakonshme artistike të cilat sot thuajse kanë humbur. Në fund të fundit ky është një proces që po e përjeton bota në planin social, njerëzor, artistik, etj etj..
Po për t’ju kthyer përfundimisht argumentit të sipërpërmendur!…Festivali duhet ti thotë “faleminderit” Elsës, jo vetëm që e pati, por edhe që i shpëtoi nderin! / KultPlus.com