“La Repubblica”: Oferta turistike e Shqipërisë çelësi i zhvillimit për të ardhmen

Shqipëria nuk është një alternativë parajsore me kosto të ulët kundrejt Italisë, por një destinacion turistik që duhet zgjedhur me vetëdije për ofertën e saj të jashtëzakonshme natyraliste, që e bën atë unike në panoramën evropiane, tha ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro në një intervistë për “La Repubblica”.

Objektivi i selisë së Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë është të rakordojë zhvillimin ekonomik me qëndrueshmërinë mjedisore, një pikë ende kritike në negociatat e anëtarësimit të vendit me BE-në.

Gjatë 10 viteve të fundit, sektori i turizmit ka qenë një prioritet në strategjinë e bashkëpunimit zhvillimor të Italisë.

Mjedisi dhe turizmi i qëndrueshëm janë tema të rëndësishme për qeverinë shqiptare.

“Vizioni i ministrisë është të zhvillojë turizmin, që nuk është i përqendruar vetëm në bregdet, por në të gjithë territorin e vendit dhe për një kohëzgjatje gjatë gjithë vitit”, tha Kumbaro.

Shqipëria është e pasur me zona natyrore të pandotura dhe për këtë arsye potencialisht ka tërhequr interesin e udhëtarëve.

Shpirti i saj natyraliste, së bashku me qasjen e qëndrueshme, duhet të ruhet në përputhje me punët e realizuara nga Bashkëpunimi Italian.

Projektet e nisura me Italinë synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e mbi 15 parqeve natyrore dhe pothuajse 800 zonave të mbrojtura që sot përfaqësojnë 21,5% të territorit.

Nga viti 2000 e deri më sot, së bashku me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor, janë realizuar projekte të rëndësishme të qëndrueshmërisë mjedisore dhe turistike të cilat kanë përfshirë qytete si Vlora, me parkun natyror të Nartës dhe Llogarasë dhe zonën e Përmetit.

Prandaj, puna e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor shkon paralelisht me investimet mjedisore të qeverisë shqiptare, të cilat janë prioritet për Shqipërinë dhe tregojnë një vizion afatgjatë që synon mbrojtjen e territorit.

“Ne po investojmë që njerëzit të qëndrojnë në qytetet e tyre, të punojnë dhe ndërtojnë të ardhmen atje, qofshin ato urbane apo rurale”, tha Kumbaro.

“Mendojmë se vlera është pikërisht diversiteti nga një fshat në tjetrin, nga një qytet në tjetrin dhe duam ta ruajmë këtë pasuri të çmuar”, shtoi ajo.

“Ideja është të eksportohet modeli italian i fshatrave dhe konsorciumeve”, tha shefja e “AICS Tirana”, Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor, Stefania Vizzaccaro.

Objektivi është rritja dhe fuqizimi i aktivitetit agroturistik, në mënyrë që fermerët jo vetëm të prodhojnë, por ta shndërrojnë tiparitetin e tyre unik në artin e mikpritjes, ashtu siç ndodh në fshatrat e vegjël italianë.

“Me AICS kemi punuar edhe për cilësinë e produkteve bujqësore, për t’i përafruar ato me standardet evropiane për të garantuar cilësi të lartë të prodhimit”, tha Vizzaccaro.

“Kështu lindi “Made with Italy”, një markë etike për të promovuar produktet e shkëlqyera shqiptare dhe territoret e tyre”, tha ajo. /atsh / KultPlus.com

https://www.repubblica.it/solidarieta/cooperazione/2024/01/15/news/albania_turismo_sostenibilita-421899161/

Një kompani ka vendosur të ju paguaj me para nëse hiqni dorë një muaj nga celulari juaj

“Qumështorja Siggi’s” ofron një çmim të madh në para me vlerë 10,000 dollarë nëse jeni të gatshëm të hiqni dorë nga smartfoni juaj për një muaj. Kompania me bazë në Nju Jork, e cila njihet për shitjen e një kosi islandez të quajtur ‘skyr’, shpalli konkursin të mërkurën.

“Në vend që të përmbaheni nga alkooli për një muaj, ne ju sfidojmë të ulni telefonin inteligjent! Ne besojmë në fuqinë e të jetuarit të një jete më të thjeshtë me më pak varësi. Një nga varësitë më të mëdha në jetën tonë sot është telefoni ynë”, shkroi uebfaqja e kompanisë

Dhjetë pjesëmarrës do të përzgjidhen në bazë të kushteve të vendosura nga kompania. Për t’u siguruar që garuesit të mos përdorin telefonat e tyre inteligjentë, Siggi’s do t’u dërgojë atyre një kuti kyçe dhe një telefon rrotullues me një kartë SIM me parapagesë njëmujore, raporton NewYorkPost.

Në fund, 10 pjesëmarrësit që e bëjnë atë mund të largohen me 10,000 dollarë dhe 60 kuti me kos Siggi. Kristina Drociak, drejtore e marrëdhënieve me publikun dhe strategjisë dixhitale në Siggi, tha për FOX Business se konkursi ishte frymëzuar nga ideja e një detoksikimi dixhital.

Qëllimi i programit është t’u tregojë njerëzve përfitimet e kalimit në dixhital, me shpresën se kjo mund të fillojë zakone të reja, të shëndetshme në vitin 2024 dhe më tej. Periudha e regjistrimit për konkursin fillon të mërkurën dhe përfundon më 31 janar. Konsumatorët e interesuar mund të vizitojnë faqen e internetit të Siggi për të aplikuar. / KultPlus.com

Refuzohet kërkesa për të përjashtuar Izraelin nga Eurovision 2024

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) thotë se nuk do ta përjashtojë Izraelin nga pjesëmarrja në Eurovision Song Contest 2024.

Siç raportuan mediat suedeze, EBU beson se transmetuesi izraelit KAN i plotëson të gjitha kërkesat për të konkurruar.

“Song Contest është një garë ndërmjet organizatave të shërbimit publik nga e gjithë Evropa dhe Lindja e Mesme që janë anëtare të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU). Është një konkurs për transmetuesit – jo qeveritë – dhe transmetuesi izraelit ka marrë pjesë për 50 vjet”, tha EBU, transmeton rtv21.tv.

EBU tha gjithashtu se dëshiron të ruajë statusin e konkursit si “një ngjarje apolitike që bashkon audiencën në mbarë botën përmes muzikës, duke shtuar se vendimi i tyre është bazuar edhe nga federatat ndërkombëtare të sportit, të cilat ende mirëpresin atletët izraelitë në garat e mëdha të sporti”t.

Në fillim të këtij muaji, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull e ndaloi skuadrën e Izraelit të marrë pjesë në kampionatin botëror nën 20 vjeç. Megjithatë, të mërkurën ata e kthyen vendimin e tyre mrapsht, pasi u vendosën masa sigurie për të adresuar rreziqet e pjesëmarrjes së Izraelit në kampionat.

Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision 2024 është shumë e diskutueshme mes luftës së vazhdueshme në Gaza. T

ifozët kanë theksuar se përzgjedhja kombëtare e Izraelit ka përfshirë segmente të ngarkuara politikisht që e politizojnë garën. Kantautorët në Islandë, dy konkurrentë të UMK-së dhe këngëtarja franceze La Zarra janë ndër ata që kanë shprehur publikisht shqetësime për pjesëmarrjen e Izraelit në këtë garë./ KultPlus.com

Romani në gjermanisht i Zamfinës, një histori prekëse nga lufta në Kosovë

Autorja e re Zamfina Rexhaj bën realitet ëndrrën me botimin e librit të saj të parë “Gefangen zwischen Zukunft und Vergangenheit”.

Me vetëm 25 vjet, shkrimtarja në ngritje Zamfina Rexhaj ka arritur një hap të rëndësishëm: botimin e librit të saj të parë, me titullin “Gefangen zwischen Zukunft und Vergangenheit” (“E kapur në mes të ardhmes dhe të shkuarës). Vepra sjell para lexuesit një histori emocionuese të një vajze të re, prindërit e së cilës kanë humbur atdheun e tyre, si pasojë e luftës, thuhet në një prezantim të librit, të cilin autorja e ka dërguar në redaksinë e albinfo.ch.

“Emocionuese dhe mbresëlënëse,” thonë komentet e deritanishme për librin.

Libri ofron jo vetëm njohuri emocionale të thella, por prezanton gjithashtu paraqitje konkrete dhe histori emocionuese nga periudha e Luftës në Kosovë nga viti 1998 deri në vitin 1999. Gjithashtu, ai përfshin biografitë mbresëlënëse të pionierëve në historinë kosovare, që tërheqin lexuesit.

“Zvicra është shtëpia ime – por zemra ime rreh për Kosovën”

Edhe pse autorja është lindur dhe rritur në Zvicër, lidhja e saj me atdheun nuk është harruar kurrë.

“Jam e mahnitur dhe e mbushur me kënaqësi që po bëj ëndrrën time realitet. “Gefangen zwischen Zukunft und Vergangenheit” nuk është vetëm një histori, por një pasqyrë e ngjarjeve dhe njerëzve që kanë shenjuar Luftën në Kosovë”, thotë autorja e re. Me një perspektivë unike dhe pasion të thellë për historinë e Kosovës, ajo u sjell lexuesve një rrëfim emocionues mbi mbijetesën, humbjen dhe shpresën.

Libri është botuar nga shtëpia botuese BoD – Books on Demand dhe mund të blihet në internet në të gjitha libraritë si libër elektronik dhe si libër i shtypur në letër.

Autorja, Zamfina Rexhaj lindi më 10.09.1998 dhe jeton në Windisch AG. Sot punon si mësuese e shkollës profesionale në Dietikon ZH dhe modele për agjencinë Prime Models AG. Prindërit e saj janë të dy nga Kosova dhe u detyruan të iknin në Zvicër para Luftës, shkruan albinfo.ch. Edhe pse ka një jetë të mrekullueshme në Zvicër dhe ka kryer studimet, ajo kurrë nuk harron atdheun e prindërve, kulturën shqiptare dhe gjuhën shqipe. / KultPlus.com

“Kthimi i Lasgush Poradecit në Graz”, një projekt austriak mbi poetin e madh shqiptar

Ekspozita „Ich höre einen Vogel klagen“ (Nga poezia e Lasgush Poradecit “Ndjej vajtimthin e një shpesi” e artistes Lori Lako do të hapet të premten, më 19 janar 2024, në orën 18:00, në Bibliotekën Shtetërore të Republikës Steiermark. Kështu informon gazeta austriake Meinbezirk duke i bërë jehonë një projekti interesant shqiptaro-austriak kushtuar Lasgush Poradecit dhe “kthimit” të tij në Graz, shkruan albinfo.ch.

Instalacioni i artistes shqiptare Lori Lako trajton një nga temat qendrore të poezisë së Poradecit: natyrën dhe gjallesat e saj. Ekspozita përpiqet të udhëheqë një reflektim të hapur mbi gjendjen e natyrës aktuale përmes bashkimit të elementeve natyrore dhe artificiale, reale dhe false, analoge dhe dixhitale, të përkohshme dhe të përhershme.

Botimi dygjuhësh i revistës letrare “Lichtungen #1”, i cili i kushtohet Lasgush Poradecit në aspektin letrar, artistik dhe eseistik, botohet me rastin e ekspozitës së përmendur.

Bëhet fjalë për një projekt të Landesbibliothek Steiermärkische Landesbibliothek në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave Austriake, Revistën letrare Lichtungen LICHTUNGEN dhe < rotor > Qendër për Artin Bashkëkohor.

Në këtë kuadër, të shtunën, më 20 janar, mbahet simpoziumi  “LASGUSH PORADECIS RÜCKKEHR NACH GRAZ” (Kthimi i Lasgush Poradecit në Graz), ku do të bëhet fjalë për poezinë e Lasgushit, jetën dhe sfidën e përkthimit të poezisë së tij, përcjell albinfo.ch.

Nga ora 9:30-10:30 bëhet prezantimi i filmit dokumentar “Prof. Dr. “Lasgush Poradeci dhe Austria” (26:00 min). Bisedë për trashëgiminë krijuese të poetit me vajzën e tij Marie Poradeci dhe me Lindita Komanin.

10:30-12:00 – Referime nga Kristaq Jorgo, Eldon Gjikaj dhe Sokol Çunga. Takimin e moderon albanologu i njohur austriak: Robert Pichler.

Pasdite do të ketë një Panel diskutimi për vështirësinë e përkthimit të Lasgush Poradecit dhe për poezinë shqipe. Pjesëmarrës: Lindita Komani, Andrea Grill, Zuzana Finger; Moderator: Robert Pichler

Orari i hapjes së ekspozitës: Hënë-premte: 9:00-17:00, e enjte deri në orën 20:00.
Mbyllur të dielave dhe festave publike.
Hyrja është falas.
Ekspozita mund të shihet në bibliotekën shtetërore deri më 5 prill 2024. / KultPlus.com

Albert Popaj, i nominuar për “Histori Suksesi” në Nju-Jork

Njihuni me të nominuarin Alberti Popaj, një personalitet televiziv dhe mikpritës në QVC, transmeton albinfo.ch.

Ai është më i njohur për ekspertizën e tij në kozmetikën prestigjoze dhe lansoi kanalin e parë në botë dedikuar bukurisë BeautyIQ.

Alberti është një entuziast i bukurisë, dekorit të shtëpisë dhe kuzhinës që ndjek trendet dhe markat kryesore. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/AlbertiPopajQVC

Enigma e Edgar Allan Poe, shqyrtimi i jetës dhe veprave të një gjeniu letrar

Edgar Allan Poe, një nga figurat letrare më të famshme dhe misterioze të Amerikës, vazhdon të magjepsë lexuesit dhe të frymëzojë shkrimtarët më shumë se një shekull pas vdekjes së tij, shkruan KultPlus.

I lindur në 1809 në Boston, Poe pati një fëmijëri të trazuar të shënuar nga vdekjet e hershme të prindërve të tij dhe duke kaluar nëpër një sërë shtëpish kujdestare.

Me gjithë këto vështirësi, pasioni për letërsinë i zhvilloi në moshë të re dhe filloi të shkruante poezi dhe prozë që në adoleshencë.

Karriera e shkrimit Poe filloi në vitet 1820 me botimin e një libri me poezi, por vetëm në vitet 1830 ai filloi të fitonte njohje për tregimet dhe poezitë e tij të shkurtra. Veprat e tij, si “The Raven”, “The Tell-Tale Heart” dhe “The Fall of the House of Usher”, u karakterizuan nga temat e tyre të errëta, thellësia psikologjike dhe përdorimi i shkathët i gjuhës.

Shkrimi i Poe ishte gjithashtu i ndikuar shumë nga magjepsja e tij me makabren dhe të mbinatyrshmen, të cilat ai i përdorte shpesh për të eksploruar psikikën njerëzore dhe natyrën e realitetit.

Pavarësisht famës së tij në rritje si shkrimtar, Poe luftoi financiarisht gjatë gjithë jetës së tij. Ai punoi si redaktor reviste, kritik letrar dhe pedagog, por kurrë nuk fitoi të ardhura të qëndrueshme.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ai vazhdoi të shkruante dhe të botonte, dhe veprat e tij u lexuan dhe u admiruan gjerësisht nga shkrimtarë dhe kritikë të tjerë letrarë.

Jeta dhe vepra e Poe ishin të mbuluara me mister dhe shumë teori janë paraqitur për të shpjeguar sjelljen e tij të çuditshme dhe temat e çuditshme të shkrimit të tij.

Disa kanë sugjeruar se ai vuante nga sëmundje mendore, ndërsa të tjerë kanë sugjeruar se puna e tij ishte ndikuar shumë nga përvojat e tij personale dhe ndjenja e tij e izolimit dhe tjetërsimit.

Poe vdiq në rrethana misterioze në vitin 1849, në moshën 40-vjeçare. Shkaku i vdekjes së tij mbetet një mister dhe teoritë variojnë nga alkoolizmi, tuberkulozi dhe vetëvrasja. /KultPlus.com

124 vjet nga lindja e patriotit, dramaturgut e studiuesit shqiptar, Skënder Luarasi

facebook sharing button

Skënder Luarasi, ishte arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studiues, vullnetar në Luftën e Spanjës, komunist idealist e hartues fjalorësh.

Ishte i pari shqiptar që u nis në dhjetor të 1936 nëpërmjet kufirit grek nga Follorina për të shkuar në Athinë, më pas në Francë e në fund në Spanjë. Në dhjetor të 1936 Luarasi takoi në Parsi Llazar Fundon dhe Ali Kelmendin.

Në vitet 1939-44 vuajti në kampet e pëqendrimit në Francë, pastaj në vitin 1945 u kthye përsëri në atdhe.

Mbas çlirimit të vendit, ishte nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet.

Ishte deputet në vitet 1946-50. Më 1950 nis punë në ndërmarrjen e botimeve të Institutit të Shkencave.

Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).

Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.

Ka qenë editor-përgjegjës në revistat: “Studenti” ShBA më 1920, “Djalëria” Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë” Spanjë më 1937. Ky i fundit organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.

Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore. / KultPlus.com

Madonna paditet për fillimin e koncerteve me dy orë vonesë

Madonna është paditur nga një çift që kishte blerë bileta, për përballje me vështirësi të mëdha, në fillimin e koncerteve të saj të fundit të Brooklyn, në kuadër të “Celebration Tour”, tregojnë të dhënat një gjykate amerikane, sipas CNN.

Një padi e re kundër artistes, e ngritur të mërkurën në Nju Jork, e akuzon atë për reklama të rreme dhe keqinterpretim nga pakujdesia pasi këngëtarja filloi koncertet e saj në Brooklyn’s Barclays Center muajin e kaluar pas orës 22:30 në të tre netët, kur në biletë thuhej se koncertet do të fillonin në orën 20:30.

Padia pretendon se shumica e pjesëmarrësve të koncerteve largoheshin pas orës 01:00 çdo natë, duke u shkaktuar atyre shqetësime të konsiderueshme, përfshirë përballjen me transport të kufizuar publik, ndarje të kufizuar të udhëtimit dhe/ose rritje të kostove të transportit publik dhe privat në atë orë të vonë”.

”Përveç kësaj, shumë nga ata që kishin blerë bileta, duhej të zgjoheshin herët për të shkuar në punë dhe/ose të kujdeseshin për përgjegjësitë e tyre familjare të nesërmen”, thuhej në ankesë.

Padia citon Madonën si të paditur, së bashku me operatorin turistik dhe promovuesin Live Nation Worldwide, Inc, Live Nation M Tours dhe Brooklyn Events Center, LLC.

Padia përfshin mbajtësit e biletave për turneun e saj në të gjithë SHBA-në dhe paditësit po kërkojnë një shumë të pazbuluar në dëmshpërblim për t’u përcaktuar në gjyq.

Paditësit e përfshirë në padinë e propozuar të grupit “kërkojnë gjykim kundër të pandehurve për dëmet aktuale dhe pasojat”.

CNN ka kontaktuar me përfaqësuesit e Madonna për koment, si dhe ata për Live Nation dhe Barclays Center.

Koncertet në Brooklyn në fjalë u zhvilluan më 13, 14 dhe 16 dhjetor të vitit të kaluar dhe përbënin fillimin e pjesës së Amerikës së Veriut të “Celebration Tour” të Madonës.

Shfaqjet fillimisht ishin planifikuar për në korrik të vitit 2023, por duhej të riplanifikoheshin pasi Madonna u shtrua në spital qershorin e kaluar pasi zhvilloi një infeksion të rëndë bakterial.

Kjo nuk është hera e parë që Madonna përballet me probleme ligjore për fillimin e shfaqjeve të saj më shumë se me vonesë.

Në vitin 2019, gjatë turneut të saj teatror “Madame X”, ikona e popit u padit në mënyrë të ngjashme për fillimin e shfaqjes së saj në orën 22:30.

Ajo padi pretendonte se ndryshimi në orarin e fillimit të ”Madame X Tour” të Madonna ishte një shkelje e kontratës midis këngëtares dhe blerësit të biletës./ atsh / KultPlus.com

Kumbaro: Valbona, mrekulli e natyrës alpine

Valbona, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve, e ndodhur në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit tërheq çdo vit vizitorë të shumtë në të gjitha stinët.

Reshjet e dëborës të rëna në këto ditë janari e shndërrojnë parkun në një vend magjik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga Valbona, duke ftuar turistët vendas e të huaj për ta vizituar atë nën petkun e dëborës.

“Valbona është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine dhe ndër zonat më të vizituara të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë”, tha Kumbaro.

Lugina e Valbonës, e shpallur Park Kombëtar në janar të 1996-ës, ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit të Bajram Currit në Tropojë.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte. / atsh / KultPlus.com

Sot nuk punohet në objektin e Komunës së re në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të premten të mos punohet në objektin e saj që gjendet në lagjen “Arbëria”.

Ky vendim thuhet se është marrë për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe me qëllim të sanimit të infrastrukturës së kulmit të objektit.

“Me konstatim të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, ju njoftojmë se të premten nuk do të punohet në objektin e komunës e cila gjendet në lagjen “Arbëria”. Ky vendim është marr për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe me qëllim të sanimit të infrastrukturës së kulmit të objektit”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Të rinjtë mbajnë gjallë traditën e tapeteve artizanale në Kukës

Mikaela Lala, është një e re nga Kukësi, e cila falë përkushtimit të saj po mban gjallë traditën artizanale të tapeteve tipike shqiptare.

Me mbështetjen e një projekti që financohet nga BE-ja, Mikaela ka arritur të rinovojë laboratorin ose punishten e saj, ku end tapetet me motive karakteristike të zonë së veriut të Shqipërisë, dhe sipas mënyrës dhe modeleve që i ka trashëguar nga nëna e saj.

“Qëllimi im është  të mbaj gjallë traditën e qytetit, nëpërmjet këtij biznesi familjar të trashëguar. Kjo traditë është e lidhur ngushtë me identitetin e Kukësit. Falë projektit të financuar nga BE mora pajisjet e nevojshme për prodhimin e sixhadeve”, thotë Lala.

Sipas saj, iniciativa të tilla ngjallin traditën kombëtare dhe janë shembull i inicimit të nismave të tjera që i shërbejnë ekonomisë familjare lokale dhe turizmit.

Mikaela, nën moton “dhuro profesionin, gjallëro traditën” ka arritur të bëj bashkë gra dhe vajza të Kukësit, që me pasionin për punimin artizanal, krijojnë punime tradicionale, duke  kthyer punishten e saj në një pikë turistike në zonën e saj./ atsh / KultPlus.com

Gazeta e rezistencës ‘Bujku’ nisi të dalë në shtyp para 33 viteve, sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë ‘Rilindja’

Shkruan: Behlul Jashari, kryeredaktori i parë-themeluesi i gazetës që nisi të  dalë në 18 Janar 1991 

Para 33 viteve, me datë 18 Janar 1991,  në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore.

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 Korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam  edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj edhe sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 79 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive.

Në intervistë, i pyetur se si e shihte të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, Presidenti Rugova mes tjerash theksonte: Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht.

Gazeta Rilindja – botim special në ditën e 31 Dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003 intervistën ekskluzive me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,  e botoi në pesë faqe – 1,2,3,4 dhe 5, duke nisur me kryetitullin në ballinë “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”.

Derisa zhvillonim intervistën Presidenti Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”.

Ishte ajo gazeta Rilindja që në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi./KultPlus.com

200 veshje historike të Coco Chanel në një ekspozitë

Një ekspozitë në nder të Coco Chanel do të hapet në 25 shkurt ne Londër. 200 veshje ikonike, që kanë bërë historinë e modës, do të jenë për të parën herë në kryeqytetin mbretëror për të treguar elegancën femërore.

Do të jenë fustane, kostume, aksesore, xhevahire e parfume, madje dhe një ndër veshjet e para të krijuara nga Zonjusha Coco në vitin 1916.

“Gabrielle Chanel, Fashion Manifesto” do të rrëfejë historinë e kompanisë pariziene të modës që nga themelimi dhe inovacionin që solli Coco, e cila dizenjonte për vete në radhë të parë, por pati një influencë të madhe në krijimin e një identiteti modern femëror, ku figura e stiluar prej saj ishte një grua aktive, e pavarur, me një siluetë klasike e plot sharm.

Ideja e saj, ka ndikuar dhe vijon të ndikojë ende sot mënyrën sesi gratë vishen, duke patur gjithnjë të paprekur dhe kryesore idenë e femrës së sofistikuar./KultPlus.com

Rama: Muzeu Historik i Shkodrës ‘Oso Kuka’, destinacion për të mos u humbur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Muzeu Historik i Shkodrës ”Oso Kuka”.

Rama theksoi se, ky muze është një destinacion për të mos u humbur, me një numër gjithnjë në rritje të interesit të turistëve.

Muzeu Historik i Shkodrës është një muze lokal dhe bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë së qytetit. Ai përbëhet nga Muzeu qëndror (i vendosur në shtëpinë e Oso Kukës) dhe ai i Kalasë “Rozafa”.

Funksioni i tij është promovimi i historisë dhe i traditave kulturore lokale e kombë­tare tek qytetarët e komunitetit brenda e jashtë vendit. Megjithatë gjatë gjithë jetës së tij ka kryer edhe veprimtari kërkimore në nivel lokal, duke aktivizuar bashkëpunëtorë të shumtë, specialistë e dashamirës të kulturës. Brenda qytetit ai bashkëpu­non me sukses me Universitetin L. Gurakuqi, bibliotekën “Marin Bar­leti”, Galerinë e Arteve dhe Teatrin “Migjeni”,  dhe me institucione të tjera simotra në Shqipëri e në rajon.

Muzeu organizon periodikisht aktivitete komemorative, konferenca e seminare me tematika të ndryshme. Aktualisht boton revistën “Kumtari” dhe ka ndërmarrë botimin e 10 vëllimeve me materialet e seminarit “Shkodra në shekuj”, ku përfshihen studime në fushat e historisë, arkeologjisë, etnologjisë, folklorit, gjuhësisë, letërsisë e arteve.

Muzeu përbëhet nga seksionet e mëposhtme: në atë të etnografisë, arkeologjisë, të artit pamor dhe bibliotekën, kjo e fundit shërben si fond i studimeve shkencore qe kryen stafi punonjës në veprimtarinë e tij./KultPlus.com

Inteligjenca artificiale do të prekë rreth 40% të vendeve të punës

Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva parashikon se inteligjenca artificiale do të prekë rreth 40% të vendeve të punës në mbarë botën.

“Ekonomitë e përparuara përballen me rreziqe më të mëdha nga AI, por edhe më shumë mundësi për të shfrytëzuar përfitimet e saj, krahasuar me tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim”,vëren Georgieva në tekstin e saj, duke cituar analizën e fundit të FMN-së për këtë temë.

Kjo është për shkak të aftësisë së inteligjencës artificiale për të ndikuar në punët me aftësi të larta, nënvizon ajo. Dhe kjo do të thotë se në rastin e ekonomive të përparuara, rreth 60% e vendeve të punës mund të preken nga inteligjenca artificiale, sipas saj.

“Pothuajse gjysma e vendeve të punës mund të përfitojnë nga integrimi i inteligjencës artificiale, duke rritur produktivitetin. Për gjysmën tjetër, aplikacionet e AI mund të kryejnë detyra thelbësore të kryera aktualisht nga njerëzit, që do të nënkuptojë një reduktim të kërkesës për punë, duke çuar në paga më të ulëta dhe reduktim të punësimit. Në rastet më ekstreme, disa nga këto punë mund të zhduken”, shtoi ajo.

Për krahasim, Georgieva pret që tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim të përballen me më pak ndikim të menjëhershëm nga AI.

Megjithatë, në çdo rast, ajo u bën thirrje politikëbërësve të ndërmarrin veprime për pabarazinë e mundshme dhe tensionet sociale që mund të sjellë teknologjia e re. Ajo u bëri thirrje gjithashtu vendeve të krijojnë rrjeta gjithëpërfshirëse të sigurisë sociale dhe të ofrojnë programe rikualifikimi për punëtorët e cenueshëm.

FMN nuk është e vetmja në paralajmërimin për inteligjencën artificiale. Në mars, Goldman Sachs tha në një raport se inteligjenca artificiale mund të ndikojë në më shumë se 300 milionë vende pune./KultPlus.com

“Don Kishoti dhe mullinjtë e erës”, fragment nga romani i Miguel de Cervantes

Fragment nga romani “Don Kishoti dhe mullinjtë e erës” nga Miguel de Cervantes:

Atje sipër, në një pllajë, ishin të shpërndarë tridhjet apo dyzet mullij me erë. Sapo i vuri re, Don Kishoti u kthye nga shërbëtori i tij dhe i tha:

– Fati po na ndihmon që të kryejmë punët tona më mirë se çdo ta dëshironim, sepse, ja miku im Sanço Pança, ku po na shfaqen përpara nja tridhjet apo pak më shumë gjigantë të shpërmasuar, me të cilët do të ndeshemi në një luftë të vërtetë, për t’i shërbyer perëndisë, duke shfarosur nga faqja e tokës këtë farë të keqe.

– Ç’gjigantë, mor zotëri? – pyet Sanço.
– Ata që shihen atje, larg, me gjymtyrë mjaft të gjata – e sqaron i zoti.
– Mor zotëri, ato që duken atje larg, nuk janë gjigantë, por mullij ere dhe ato që duken si duar, janë në fakt, krahët që duke u rrotulluar nga era, vënë në lëvizje gurët e mullirit.
– Siç po duket – përgjigjet Don Kishoti – ti nuk je shumë i dhënë pas aventurës: ata janë gjigantë, dhe nëse ti ke frikë mund dhe të tërhiqesh mënjanë e të fshihesh, ndërkohë që unë do të përfshihem në një betejë të furishme dhe të pabarabartë me ta.
Dhe, sapo tha këto fjalë, ai goditi me mamuze kalin e tij, Rosinantin, pa dëgjuar fare thirrjet e dëshpëruara të shërbëtorit të tij, Sanços, që përsëriste pa pushim se ato gjëra që ai po sulmonte, pa më të voglin dyshim ishin thjesht mullij me erë dhe jo gjigantë. Por ai ishte aq i thithur nga ideja se ata ishin gjigantë, saqë jo vetëm nuk dëgjonte më thirrjet e Sanços, por as nuk e pastroi më shikimin dhe kur ishte fare pranë tyre, por përkundrazi po ulëriste:
– Mos ja mbathni o frikacakë, o krijesa të poshtra, sepse ai që po ju sulmon është thjesht një kalorës i vetmuar.

Në këtë kohë filloi të fryjë pak erë dhe krahët e mëdhenj të mullijve filluan të rrotulloheshin ngadalë. Duke parë një gjë të tillë Don Kishoti thirri:
– Ju mund të lëvizni edhe më shumë krahë se ai gjiganti njëqindkrahësh (Briarée), por ju do të paguani për këtë.
Dhe duke thënë këto fjalë, e gjithë qenia e tij u pushtua nga kujtimi për damën e tij, Dulqinën, me dëshirën-kërkesë për t’i qenë pranë si shpëtimtare ndaj këtij rreziku të madh. Dhe, duke u mbuluar me mburojë dhe me ushtën gati për luftim, ai u turr përpara me një galop të Rosinantit, për të arritur tek mulliri i parë, në njërin krah të të cilit nguli shtizën e tij. Por në këtë kohë era filloi të fryjë me aq forcë, sa që e bëri ushtën copë-copë, duke përplasur përtokë dhe kalorësin e kalin e tij.
Sanço Pança, i shushatur mbi gomar, shpejtoi për të ndihmuar të zotin dhe kur ishte pranë tij, konstatoi se goditja kishte qenë aq e fortë sa zotëria akoma nuk po arrinte të lëvizte.

– Më ndihmoftë perëndia – tha Sanço – a nuk ju thashë që të kishit mendjen në atë që po bënit, sepse që ata nuk ishin veçse mullij me erë, asnjeri nuk mund ta mohojë, me përjashtim të atij që në kokë i fryn erë tjetër.
– Hesht, miku im Sanço – u përgjigj Don Kishoti – objektet e luftës janë shpesh sende në një shndërrim të vazhdueshëm. Prandaj, unë mendoj, madje kjo është vetë e vërteta, që ai dijetari Freston, që më vodhi kabinetin dhe librat e mi, i transformoi ato gjigantë në mullij, për të më hequr nga dora lavdinë, pas një fitoreje të sigurtë. E tillë është dhe armiqësia e tij e madhe ndaj meje. Por, në fund të fundit, këto marifete të ndyra nuk mund të triumfojnë kundër mirësisë së shpatës sime.
– Perëndia bëftë për ne sa mundet – u përgjigj Sanço Pança dhe e ndihmoi atë t’i hypte Rosinantit që ishte dhe ai i përplasur përdhe… /KultPlus.com

Asaj që iku

Poezi nga Mikhail Yuryevich Lermontov

Nuk të përulem, ka mbaruar,
Asnjë premtim i yti s’hyn dot
Në shpirtin tim për ta sunduar,
Jemi të huaj, sot dhe mot. 

Ti ke harruar që lirinë
S’ia fal mashtrimit kurresesi,
Por dhe kështu, vite që s’vijnë
Për sytë e tu u bëra fli.

Edhe kështu tek ti pandehja
të gjeja shpirt e shok e short;
Dhe tërë botën e urreja,
Që të të doja ty me fort.

Gjithë ato çaste të qëndrimit
Tek këmbët tuaja, e beson?
Ia kam rrëmbyer frymëzimit
Më se po mi zëvendëson?

Nga ndonjë çast mendimbegatë
Dhe forc’e shpirtit s’ish çudi,
T’i jepje botës një dhuratë
Dhe të më jepte pavdekësi.

Pse doje pra të më ndërroje
atë kurorë lavdiplot?
Pse s’qe atëherë kur premtoje
E tillë siç je bërë sot?

Krenar jam, falmë është e kotë,
kërko një tjetër dashuri;
Për asnjë gjë në këtë botë,
Nuk mund të rri në skllavëri.

Nën qiell të jugut, në vend tjetër
Do të largohem, ndoshta shpejt.
Po jemi njohur pak si tepër,
Për t’u harruar ashtu krejt.

Që sot do të zë të argëtohem
Dhe të betohem paskëtaj,
Vetëm do qesh e do gëzohem
Dhe për asgjë nuk do të qaj.

Do rrej si djalli sa të dua,
Si desha, më s’do dashuroj,
A mund të dua më një grua,
Kur sot një engjull më tradhëtoi?

Të vdisja desha dhe të vuaj,
me botën desha të luftoj;
Që fort të voglën dorën tuaj,
I çmendur, të mundja ta shtrëngoj.

Pa të kuptuar dot mashtrimin,
Ta fala shpirtin mbushur plot;
Ia njohe këtij shpirti çmimin?
Ia njohe, une s’të njoha dot./KultPlus.com

Për 15 vjet është përcjellë jeta e shitësve të kikirikëve në Kosovë, sot ky projekt filmik pranohet në Berlinale


“Afterwar” nga Birgitte Stærmose dhe i bashkëprodhuar nga
Kabineti është përzgjedhur për Berlinalen e këtij viti. Ky film është një testament kinematografik mbi pasojat afatgjata të luftës, i bashkëkrijuar për një periudhë 15-vjeçare. 

Kur vëmendja e mediave ndërkombëtare kalon nga një luftë në tjetrën, çfarë u ndodh njerëzve që mbijetuan dhe fëmijëve që u rritën gjatë luftës? Cilësdo luftë, kudo. 

Regjisorja daneze e filmit, Birgitte Stærmose, e nisi incizimin e një filmi të shkurtër me një grup fëmijësh në Kosovë para 15 vjetëve. Fëmijët po shisnin kikirikë e cigare në rrugët e Prishtinës për të mbijetuar pas luftës. Të njëjtët fëmijë bëhen burra para syve tanë, përderisa përpjekja për mbijetesë bëhet përpjekje për një të ardhme. Në një bashkëkrijim me kastën, Stærmose e ka bërë filmin “AFTERWAR” film mahnitës në rrafshin kinematografik e mbërthyes në rrafshin emocional, dhe një portret kolektiv të një gjenerate të tërë të të mbijetuarve, i cili menjëherë tërheq paralele me të gjithë fëmijët e kapur nga luftërat sot. 

Birgitte Stærmose thotë: “Gjatë 15 vjetëve që i kam njohur dhe kam punuar me Xhevahiren, Gëzimin, Shpresimin dhe Besnikun, kam qenë dëshmitare e efekteve afatgjata të luftës në jetën e tyre. Kur takojmë njerëz që vuajnë më shumë se ne, shpesh e përdorim keqardhjen për ta tejkaluar parehatinë tonë. Nëse na vjen keq për një person tjetër, na duket se e kemi kryer tonën. Doja të bëja një film që nuk e lejon këtë reagim dhe, në vend të tij, që krijon një hapësirë të parehatshme për shikuesin. Një hapësirë ku ju jeni të pasigurt dhe të ballafaquar me pasivitetin tuaj. Unë jam ndryshuar thellësisht nga puna me kastën, dhe në mënyrë të ngjashme, do të doja që audienca të dilte nga kinemaja pa mundur që t’i harrojë fatet e tyre.” 

Filmi është prodhuar nga “Magic Hour Films”, në bashkëprodhim me “Kabineti” nga Kosova, “Vilda Bomben Film” nga Suedia dhe “Bufo” nga Finlanda, me përkrahjen e Institutit Danez të Filmit, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Institutit Suedez të Filmit, Fondacionit Finlandez të Filmit, AVEK, Yle dhe Fondacionit “Fritt Ord”. 

AFTERWAR do ta ketë premierën botërore në programin Panorama të Berlinales së këtij vit./KultPlus.com

Taylor Swift kryeson me 9 nominime në iHeartRadio Music Awards 2024

Nominimet për çmimet iHeartRadio Music Awards 2024 u publikuan!

Këtë vit, këngëtarja Taylor Swift kryeson nominimet me 9 të tilla të jashtëzakonshme në emrin e saj! Jelly Roll, 21 Savage dhe SZA vijnë në vendin e dytë me 8 nominime secila. Olivia Rodrigo u nominua 7 herë.

Shfaqja do të transmetohet drejtpërdrejt nga Los Angeles më 1 prill në kanalin Fox./KultPlus.com

Gjimnazi publik i Shkodrës, monument kulture me vlera historike

Kazerma ushtarake qendrore e qytetit të Shkodrës, të cilën DRTK Shkodër e sjell në foto, u ndërtua në vitin 1902 me iniciativën e valiut të qytetit dhe funksionoi si e tillë deri në kthimin e saj në gjimnazin publik të Shkodrës, që u hap me vendim të Këshillit të Ministrave më 11 gusht 1922. Siç duket qartë në foton e publikuar nga DRTK Shkodër, sheshi i kësaj ndërtese historike ishte i mbushur me bateri topash, përpara se të shndërrohej në institucion arsimor.

Drejtori i parë i gjimnazit ishte Dr. Xhevat Korça, një figurë e njohur e arsimit në atë

periudhë.
Ndërtesa mbart vlerat historike, si vatër kulture dhe arsimimi, me të cilën lidhen si arsimtarë ashtu dhe nxënes e shumë personalitete dhe figura të shquara të qytetit e jo vetëm.

Godina e Gjimnazit, mban statusin Monument Kulture, Kategoria ll, që nga viti 2006./KultPlus.com

Më 18 janar 1919, Konferenca e Paqes në Paris hapi zyrtarisht punimet

Konferenca e Paqes në Paris hapi zyrtarisht punimet më 18 janar 1919. Ajo u organizua nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore.

Për të përfaqësuar kombin shqiptar, krahas delegacionit zyrtar të Qeverisë së Durrësit morën pjesë edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” në Boston të SHBA, Partia Politike Shqiptare në SHBA, kolonitë shqiptare në Turqi, Rumani, Zvicër e vende të tjera.

Megjithëse, Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës gjatë Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes nuk mori në konsideratë kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar për të ruajtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar si dhe për të rikthyer në favor të tij territoret shqiptare që ishin shkëputur më 1878 dhe në vitin 1913. Shtetet fqinje kërkuan që të merreshin parasysh pretendimet e tyre territoriale mbështetur në Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit të vitit 1915.

Në këtë konferencë nuk u mor parasysh parimi i kombësisë dhe as ai i vetëvendosjes. Për të ardhmen e Shqipërisë u paraqitën disa projekte që fillonin që nga ngushtimi territorial e deri në zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta politike e Ballkanit.

Në janar të vitit 1920 u hartua një një projekt për zgjidhjen e Çështjes së Adriatikut, i cili parashikonte aneksimin nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene e disa viseve veriore të Shqipërisë, por ky projekt ndeshi në kundërshtimin e presidentit amerikan U. Uillson./ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar promovon botimin e revistës shkencore ‘Studime Muzeologjike’ Nr.14

Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi sot promovimin e revistës shkencore “Studime Muzeologjike” Nr. 14.

Kjo revistë është organ i Muzeut Historik Kombëtar dhe si e tillë është e hapur dhe gjithpërfshirëse në rrethin e bashkëpunëtorëve të saj.

Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, antropologjisë, konservimit dhe restaurimit të objekteve muzeore.

Kjo revistë shkencore botohet një herë në vit. Ideatori i botimit të revistës “Studime Muzeologjike” ka qenë ish-drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, studiuesi i pasionuar Moikom Zeqo. Gjatë viteve 2002, 2003, 2004 kanë dalë rregullisht numrat e revistës.

Pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh, në vitin 2014 u realizua botimi i numrit të katërt të revistës “Studime Muzeologjike”. Botimi i revistës ka vijuar edhe në vitet 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021, 2022 dhe 2023.

Redaksia e revistës Studime Muzeologjike përbëhet nga emra të spikatur të shkencës dhe kulturës shqiptare.

Në këtë numër të revistës “Studime Muzeologjike” kanë shkruar:

-Dr. Adriana Qafa, vjen me artikullin “Orientalisti i shquar Vexhi Buharaja”.

-Dr. Nikollë Loka, vjen me artikullin “Politika arsimore italiane ndaj Shqipërisë deri në vitin 1912”.

-Prof. ass. dr. Berbard Zotaj, vjen me artikullin “Agresioni fashist dhe pjesëmarrja e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Spanjës (1936 -1939)”.

-Dr. Asllan Zemani, vjen me artikullin “Përpjekjet e para për formimin e Aviacionit Ushtarak Shqiptar”.

-Redis Marku, vjen me artikullin “Konservimi i objekteve muzeale. Mjedisi, metodat dhe rëndësia e ruajtjes së Trashëgimisë Kulturore”.

-Andrea Llukani, vjen me artikullin “Ikona e Shpatarakut në Galerinë e Ohrit”.

-Ilirjan Gjika, vjen me artikullin “Bazilika paleokristiane e Margëlliçit”.

-Ledio Xhoxhi, vjen me artikullin “Refleksione mbi parteritetin muze-turizëm kulturor”.

Revista mbyllet me mbresa nga ekspozita “Kinematografi’’ nga piktori Orges Merdani./KultPlus.com

Letër nga burgu e Pjetër Arbnori për mbesën

Pjetër Arbnori lindi më datë 18 janar të vitit 1935. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babanë e tij.

Në këtë ditë kujtojmë një letër të rrallë të cilën Arbnori e kishte shkruar nga burgu për mbesën e tij.

Mbesë e dashur!

Sot bëhen 25 vjet që jam ndarë nga familja. Ti atëherë nuk kishte lindur, as nëna jote nuk ishte fejuar e martuar, kurse tani je rritur e vazhdon shkollën e mesme. Është kohë provimesh e do të jesh e mbytur në mësime. Unë s’mund të të ndihmoj, por do të tregoj diçka që do ta shtojë vullnetin për të mësuar.

Kur më futën në burg, së pari e kisha me tepri atë që më kishte munguar gjithmonë: kohën. Isha bërë 26 vjeç pa u ngopur një herë me gjumë, pa u kënaqur me asgjë, se gjithnjë sikur dëgjoja dikë që më thoshte: “U bëre vonë! S’ke kohë! Të pret provimi, takimi, puna!” Të gjitha i kisha nxjerrë me mundim në jetë. Tani, përveç andrrallës së madhe, s’kisha halle të tjera. As bukën për të fituar, as probleme të familjes për të zgjidhur. Do të gdhija e të ngrysja mijëra, në mos dhjetëra mijëra ditë me durimin e pikës së ujit që shpon gurin. Duhet të gjeja nj mënyrë për t’i kaluar dobishëm gjithë këto qindra mijëra orë, që të mos lija të më shtypnin me peshën e vet. Ëndërrimi i tepruar të bën melankolik. Po edhe ata që provojnë ta kalojnë burgun me gjumë, nuk bëjnë tjetër veçse ndryshojnë orën e tyre biologjike, flenë ditën dhe vuajnë natën. Po nata ka mendime të këqija, rraskapitëse dhe, përgjithësisht, ata që çrregullojnë gjumin, kanë prirje të parët për t’u çmendur. Punët e tjera, sidomos të larat e të qepurat, s’ta hanë gjithë ditën, sado të bubërrosh. S’mbetet vetëm një rrugë: studimi. Për fat të keq nuk kisha libra dhe nga shtëpia këtu nuk lejoheshin. Veç kësaj, në burg librat artistikë përpihen shpejt dhe s’ka bibliotekë që ta ngopë të burgosurin. Mbasi pata përpirë gazetat e palexuara gjatë dy vjetëve të fundit, kur isha shkëputur nga jeta, solla sytë se mos gjeja diçka tjetër për të studiuar. Të burgosurit që kisha në dhomë s’më vinin dot në ndihmë. Kisha një kamerier, një bujk, një murator, një oficer, një brigadier, një çoban, një llogaritar dhe një ambasador, të gjithë me nga një “ish” përpara. Vetëm oficeri më dha 4 vëllimet e romanit “Lufta dhe Paqja” të L. Tolstoit, libër i mrekullueshëm, që e kisha lexuar në rusisht, e vetmja gjuhë që dija kur isha i lirë. Që në faqet e para ndesha në bisedat që shkëmbenin frëngjisht konteshat e princeshat, siç ishte zakon i aristokracisë ruse të shek XIX.

Ndala leximin e po mendoja: Po sikur t’i mësoj disa fjalë frënge! Gjuha e huaj është puna më e dobishme dhe të cilën kalon kohën pa u ndier. Po me se të studioja kur nuk kisha një metodë, asnjë gramatikë, asnjë fjalor? Çobani dinte vetëm vllahçe, bujku e llogaritari dinin një greqishte të përdhosur. Kisha ngrirë me “Luftën e Paqen” në dorë. Mora një fletore dhe nisa të kopjoj rresht për rresht dialogët e shtypur në frëngjisht bashkë me përkthimin e dhënë në shqip. Më dolën, në mos gabohem, rreth 16 faqe të mira, duke përfshirë aty edhe letrat e Julisë, të Napoleonit apo Carit. Kur e kisha lexuar para disa vjetësh në origjinal, qeshë bezdisur nga gjithë ato shprehje frëngjisht, të dhëna edhe rusisht, me shkronja të vogla. Ç’nevojë ka pasur për këtë formalitet,- ankohesha atëherë me vete kundër Tolstoit. Tani po i shikoja me sy tjetër. E qortoja Tolstoin përse nuk kish futur edhe disa faqe më tepër frëngjisht. Sepse kjo ishte pasuria e vetme e frëngjishtes. Caktova tri fletore për fonetikën, për gramatikën dhe për fjalorin. Si do të mësoja pa ndihmën e asnjeriut?! Vërtetë shkollën e lartë e kisha kryer pa ndihmën e askujt, pa dëgjuar asnjë leksion, mirëpo, kisha librat. Këtu ishte ndryshe. Në bisedë, ambasadori më kishte thënë se kishte bërë metodat e frëngjishtes, por kur ia hodha fjalën largas, për ndonjë ndihmë, e bëri veshin shurdhër. E dija që frëngjishtja nuk lexohej ashtu siç shkruhej dhe ky ishte një telash i madh për mua.

Kur isha 11 vjeç, më 1946, na patën vënë në programin shkollor gjuhën frënge. Mësues kishim Hydajet Cenkën. E patëm marrë me qejf si unë, si Margarita[2]. Gjithë ditën cicëronim fjalët e para në frëngjisht. Patëm bërë 7 a 8 mësime, por pas pak javësh na e hoqën. Ishte një kohë kur programet e gjuhëve të huaja ndryshonin me muaj, derisa përfundimisht u vu rusishtja, pak gjë mbaja mend nga ajo kohë. Diçka tjetër më erdhi ndër mend jrejt papritur. Kisha në kujtesë me qindra emra gjeografikë apo emra shkrimtarësh francezë. I mbaja mend se si shkruheshin, por edhe se si lexoheshin. Nisa pra, e i shënova si më vinin ndër mend: Bordeaux = Bordo, Voltaire = Volter etj. Filluan analizat e mundimshme fonetike së bashku me pikëpyetjet e para. Kështu, duke studiuar për shumë ditë e net qindra emra të përveçëm unë i nxora qindra ‘rregulla’ të fonetikës së frëngjishtes, deri në shterim. Kur e mbusha fletoren me gjithë ato ligje, nisa ballafaqimin e tyre. Kuptohet se frëngjishtja duhet të ishte shumë më e thjeshtë nga ç’më dilte mua dhe për këtë po përpiqesha edhe unë. Dhe inatosesha me vete për tri a katër tabela që më mungonin, më duhej të rropatesha ditë e net të tëra për t’i kodifikuar vetë dhe me gjithë mundin e djersën e derdhur, isha i ndërgjegjshëm për zbrazëtitë e krijuara.

Në çdo tre-katër shënime ngrihej kërcënuese një pikëpyetje e madhe e shënuar me të kuqe. Dhe kur arrija ta zhdukja njërën, më dilnin sërish dy të tjera. Kur m’u duk se mbarova punë me fonetikën, mora frymë i lehtësuar. Rrëmbeva atëherë fletoren me tekste frëngjisht dhe në orën e ajrimit nisa të lexoj në oborr me zë, në bazë të rregullave që kisha nxjerrë. Më vinte mirë që nuk dëgjonte ndonjë që e dinte frëngjishten se me siguri do të më shikonte i habitur për të më kuptuar se në cilën “gjuhë afrikane” po bëja ushtrimin. Ish-ambasadori më pati thënë në fillim se kishte bërë frëngjisht e rusisht. Po ai më tha se dinte fare pak, madje edhe atë që e kishte mësuar, tani e kishte harruar. Ndërsa në frëngjisht më tha se mbante mend më mirë. Që kur kisha nisur të mësoja, ambasadori më shikonte si me çudi, madje vinte buzën në gaz me dhembje.

Të them të drejtën, unë në fillim pata menduar ta pyesja për ndonjë paqartësi, duke menduar se frëngjishten do ta dinte më mirë se rusishten. Por më mundonte një sedër e theksuar, e cila sa të jep krahë, edhe të pengon në mësimin e gjuhëve të huaja. Sedra të shton vullnetin për të mësuar, por frika se mos po gabon, ët bën të skuqesh para se të gabosh dhe s’të lë të shprehesh lirshëm. I mësova përmendsh ato 16 faqe tekst në frëngjisht e në shqip, pastaj nisa të bëj analizën e përkthimit. Në të vërtetë përkthimi ishte shumë i mirë, por mua s’ma bënte qejfin se e doja fjalë për fjalë si fillestarët. Po më dilnin halle të reja me fjalorin dhe pikëpyetjet me laps të kuq po shtoheshin. Fjalori arriti në disa qindra fjalë, por gati gjysma kishte kuptime të dyshimta, madje edhe të kundërta, kurse disa të tjera gjysma kuptimesh. Iu ktheva me ngulm gramatikës, duke menduar se ajo e kishte fajin. Kur m’u mbush mendja se i kisha bërë “ujë” ato faje, e bëra zemrën “gur” dhe iu luta ambasadorit që të më dëgjonte një herë. Ai më dëgjoi me habi dhe më pyeti nëse kisha mësuar më parë ndonjëherë. Kur i tregova mënyrën se si kisha mësuar, ai shtrembëroi buzët dhe më dëgjoi pa dëshirë.

Teksa lexoja, duket se bëra një gabim trashanik (vetëm një?!) dhe ai qeshi me një zë të keq që më theri në zemër. Ndërsa përktheja, më shikonte me sy të çakërryer. E pyeta për disa çështje të thjeshta gramatikore, por nga shpjegimet e tij m’u mblodh një lëmsh në kokë. Te numërorët prapë bëra një gabim të pafalshëm. Duke u nisur nga analogjia, i thashë dy fjalë që nuk ekzistonin fare. Kjo e bëri të shkulej në gaz ambasadorin. Aso kohe unë s’e dija se frëngjishtja kishte mbeturina nga sistemi i numërimit vigesimal (një njëzetëshe, si shqipja e dikurshme: dyzet, trezet etj.). Që nga ajo ditë nuk e pyeta më për asgjë. Në atë kohë më erdhën dy buletine të shkencave shoqërore e natyrore, ku isha abonuar. Gëzimi im ishte i pafund kur pashë se pas çdo artikulli kishte një rezymè në fund. Tani materiali im u shtua së tepërmi. Të isha jashtë, vështirë se do të kisha lexuar, p.sh. për skifterin kthetraverdhë, shpend shtegtar që ushqehet me insekte, por halli të bën të shkosh edhe në derë të hasmit. E keqja ishte se shkurtimet e përmbledhjes nuk përkonin me tekstin e shkrimit. Kështu që detyrohesha të bëja përkthimin “me tahmin”. Fjalori trashej, por unë nuk kënaqesha me kuptimet e nxjerra dhe mundohesha të shkrija dhjamë nga pleshti. Më kujtohet një artikull mbi përkrenaren ilire. Eh, sa djersë kam derdhur mbi të! Po artikuj të tjerë të arkeologjisë, që më kishin ardhur te hunda! Sidomos dy fjalë aty, që s’dija kurrsesi t’i përktheja, ma prunë ngushtë. Por, me gjithë mungesat, tani isha më i sigurt në vetvete. Materiali tani ishte shtuar mjaft dhe unë kisha “zgjidhur” tani shumë probleme, që bota i dinte me kohë. Mirëpo, unë isha brenda e “bota” jashtë. Megjithatë, fati s’do të ishte gjithnjë kundër meje.

Në ditë përgjegjësi i të burgosurve, i cili ndihmonte në hapjen e dyerve dhe ruajtjen e depos, po ziente qiriç me letra. Në mes të flakës, syri më kapi menjëherë disa fletë frëngjisht. Dogja duart duke u shuar nën britmat kërcënuese të përgjegjësit, që ankohej që ia lashë qiriçin pa rënë në valë. I mbajta dorën që të mos i hidhte letra të tjera zjarrit nga një turrë aty pranë. Ky s’ishte fort i dhënë pas leximit. I shpjegova se ndërsa unë po vuaja për një fletë në gjuhën frënge, ai po ia falte flakëve pa pikë mëshire. Vura re i ngazëllyer se ato ishin revista “Temps Nouveaux” dhe i tërhoqa nga vetja. Por përgjegjësi, që dikur kishte qenë tregtar, ma mbajti dorën. “Është e ndaluar,- më tha. – Pa leje nuk mundem”. Mora vesh se ishin të një të dënuari të kulturuar të shëtitur, që rrinte në dhomën tjetër, i veçuar nga unë. E lusja çdo ditë të merrte leje sa më parë, se kisha nevojë për to. Sa më shumë padurim tregoja, aq më tepër e zvarriste punën vegtari. Kur i thosha që të kërkoj leje unë vetë, më përgjigjej që të mos e prishja punën që ai e kishte vënë në vijë.

Tani përgjegjësi më lypte pa teklif çdo gjë, sidomos caraga të thata, të cilat i pëlqente shumë. Në të vërtetë, caragat i hante shumë edhe “macja” e burgut, se para zbulimit të revistave, dy-tri herë më kishte qëlluar ta gjeja torbën kur i mbaja përtokë, thuajse bosh dhe përgjegjësi më porosiste që t’i ruaja mirë se macja ishte kobashe e madhe. E keqja ishte se ajo, me sa dukej, ua shpërndante caragat edhe maceve të tjera, meqë llogaria tregonte se pesha edemit dilte më e madhe se e barkut të saj. Një ditë, mbasi më kishte premtuar kush e di për të satën herë se do të ma jepte revistën e parë, përgjegjësi i tha ndihmësit të tij: “Kam bërë një spinaq për të lënë thonjtë në të. Tani për vezë nuk di si t’ia bëj! Ka njëri, por s’kam qejf t’ia marr”. Kam unë, – ndërhyra, – dhe i dhashë katër vezë. Vezë të mëdha, të freskëta, që m’i sillte nëna e dashur çdo muaj. E dija se një ditë para se të nisej në takim, ajo dilte ndër të gjitha shoqet e mëhallës për t’i ndërruar me vezë të freskëta, të porsadala nga furriku. Revista që mora kishte 48 faqe të ngjeshura me artikuj, përshtypje udhëtimi, kronika etj. Kur qeshë “i lirë”, e kisha lexuar atë revistë në rusisht e, falë kujtesës, shumë gjëra i rikujtoja. Po ec e zgjidh frazat në frëngjisht me atë fjalor të çalë që kisha hartuar vetë! Çdo fjalë për mua përbënte janë problemë matematike me shumë të panjohura që më kushtonte shumë mund për ta zgjidhur, por edhe kënaqësi të veçantë kur i bija në të. Fletoret mbusheshin gjithnjë dhe frëngjishtja tani më ngjante si një egërsirë që kisha zbutur me durim dhe forcë vullneti, pa asnjë mjet tjetër, po mos llogarisja 30-40 kokrra vezë e ndonjë copë proshutë që kisha shpenzuar për të “zbutur” përgjegjësin – ruajtësin e thesarit – që mezi e bëri zemrën “gur” dhe më dha brenda disa muajve 3 revista.

Koha kalonte dhe ambasadorit i lejuan dy metoda frëngjisht dhe dy rusisht. Ai më kishte parë shumë ditë e net duke thyer kokën mbi rebuset e frëngjishtes dhe e qeshura përçmuese kishte ardhur duke iu ngrirë në buzë. Por edhe unë ama s’e hapja një herë gojën për t’i kërkuar ndihmë në hapat e parë, por edhe nuk ndjehesha shumë krenar kur m’u duk se kisha arritur diçka. Sepse gjuhët nuk janë luks, por shërbëtorë të njeriut. Më dëgjoi zemra t’i shikoja ato metoda në mënyrë që të kontrolloja dijen time e të zhdukja te qeshurën tallëse të ambasadorit dhe nuk ia shtriva asnjëherë dorën, sado që i linte në një vend të dukshëm. Ai përgatiti fletoret, mprehu lapsat me kujdes te perberi, shkroi bukur blloqet me të kuqe e blu, caktoi orarin e punës krejt të detajuar, të gjitha shenja të sigurta se s’do të bënte asgjë. Në atë kohë mora edhe unë leje nga komanda e burgut të blija metodat e anglishtes dhe gjermanishtes dhe ndjehesha tepër i gëzuar. Ndërsa unë filloja studimin në pesë të mëngjesit dhe ndahesha nga librat kur bëhej pushimi, ai nuk e gjente lehtë pozicionin e përshtatshëm, nga ndenjur mbështetej në jastëk, pastaj pa e kuptuar, duke u shtrirë pak e nga pak në dyshek, niste e kotej dhe brenda dhjetë minutash ndizte “motorët” dhe gërhiste ndërmjet librit të rrëzuar dhe lapsit të varur.

Kjo skenë përsëritej çdo ditë, deri sa e la metodën e frëngjishtes, duke e cilësuar si gjuhën gjysmë të vdekur dhe kapi metodën e rusishtes, që qenkësh gjuha e së ardhmes. Unë, në muajin e tretë po mbaroja metodën e dytë të anglishtes, kurse ai s’po qulloste gjë as në “gjuhën e së ardhmes” dhe e la te mësimi i pesëmbëdhjetë, deri sa të kalonte të nxehtit. Isha i bindur se shumë stinë të nxehta dhe të ftohta do të kalonin për të deri në fund të këtij burgu dhe ai vështirë të mësonte gjë. Ndërsa unë po sulmoja gjermanishten në atë pisk vape, shpesh më shkonin sytë te blloqet e shkruara me qa kujdes të ambasadorit, por që kishin mbetur të panisur. E dëgjoja tek jepte mendime e konkluzione. Gjuha, po s’e fole nuk është gjuhë! Ama, për gjuhë burgu mësoj katër në vit! Janë disa që thonë se e dimë, por kur takohen me ndonjë të huaj, bëjnë mëk-mëk!

Një ngjarje na ndau me ambasadorin. Dhoma jonë u shkri, ai shkoi në kamp, ndërsa mua më transferuan te qelia e pronarit të revistave. E njihnim njëri-tjetrin me të dëgjuar. Më priti mirë. Me turp i thashë se kisha mësuar gjuhë të huaja, por ashtu si mund të mësosh në burg. E falënderova për revistat dhe i thashë se ia kisha ruajtur që të mos i prishej koleksioni. “E ç’koleksion,- tha ai, – revista po u lexua, iku. Koha i kapërcen ngjarjet që përshkruajnë ato. S’kuptoj përse nuk i ke marrë të gjitha. T’i kisha lënë turrë në depo”. I tregova historinë e vezëve. Hë, batakçiu, – tha ai, – sa këso lodrash më ka bërë edhe mua! Më foli aq fjalë të mira për studimin, thjeshtë e pa mendjemadhësi, sa m’u rrit guximi, nxora fletoret e mia të çuditshme dhe i tregova kaluarin tim të frëngjishtes. Pa metoda e fjalor, u habit ai. Të lumtë! Unë mora zemër. A mund të më dëgjoni paksa? Veç mos u trembni nga shqiptimi im. Unë nuk kam dëgjuar njeri të flasë frëngjisht.

Fillova të lexoja dhe prisja kur do shpërthente e qeshura e tij. Se ky kishte parë botë më tepër se ambasadori dhe diç kishte qenë më tepër se ai, e kishte hak të qeshte. Kisha vendosur të bëhesha më i durueshëm, dëshiroja ta shkelja sedrën time me këmbë. Ndryshe si do të mësoja? Po leximi vazhdonte e ai po buzëqeshte me dashamirësi. Oh, sa mirë! Oh, sa mirë! – Foli ai sinqerisht dhe pastaj vazhdoi të më fliste frëngjisht. Nga emocioni nuk mora vesh asnjë fjalë. U përflaka, por ai e kuptoi menjëherë dhe më tha: Mos u tremb! Kështu e kam pasur të vështirë edhe unë në fillim. Edhe unë me të vjedhur e kam shkollën. Më bëri vetëm nj vërejtje: Mbaresa “ent” e vetës së tretë shumës të foljeve në të pakryerën, nuk lexohet fare. Po edhe këtë ma tha në mënyrë kaq të njerëzishme, sa më erdhi turp për atë hundore që unë e lexoja me një zë gomari për t’u dukur gjoja si francez. Më ndreqi edhe disa gabime të vogla. Në atë dhomë të errët të burgut lexova nja 6000 faqe reviste dhe rrallë kisha nevojë të pyesja…

Këtë histori ta shkrova për të treguar se kushtet e mira nuk janë gjithçka për të mësuar. Kryesorja mbetet sedra, ambicia pozitive. Madje, shpesh njeriu me sedër, mungesa e kushteve nuk e pengon, por e shtyn të përpiqet të kalisë një vullnet të hekurt për të mësuar. Tani mund të them i sigurt se frëngjishten ma ka mësuar “e qeshura” e atij ambasadori, sado që ai vetë mbeti tek mësimi i pesëmbëdhjetë.

Të përqafoj, daja yt që të do fort, PJETRI. /KultPlus.com