Policia belge gjen piktura të vjedhura të Picassos dhe Chagallit në vlerë rreth 830 mijë euro

Policia belge ka gjetur piktura të vjedhura të Picassos dhe Chagallit në një bodrum në qytetin Antwerp, kanë thënë të martën autoritetet lokale, duke shtuar se veprat e artit janë në gjendje të mirë.

Pikturat, “Tête” e Picassos dhe “L’homme en prière” e Chagallit, ishin vjedhur nga një koleksionues arti në Tel Aviv, Izrael, më 2010 dhe vlejnë rreth 830 mijë dollarë, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Në kohën e vjedhjes, edhe 625 mijë euro stoli tjera ishin vjedhur, por vetëm pikturat janë gjetur.

Policia lokale ka nisur një hetim kur një burim i ka informuar ata se një shtetas belg do t’i ofronte për shitje dy veprat e artit.

Prokurori lokal tha se i dyshuari kryesor është arrestuar./KultPlus.com

Edi Shukriu dhe Ukshin Hoti në një fotografi të rrallë

Sot është shënuar një vit nga vdekja e Edi Shukriut, shkrimtares, arkeologes dhe historianes së shquar kosovare.

Humbja e saj është jashtëzakonisht e madhe për vendin tonë dhe një dhimbje e pashërueshme për të gjithë ata që e njohën.

Në kujtim të saj, ne po ju sjellim një fotografi të rrallë të Edi Shukriut pranë Ukshin Hotit, ish-bashkëshortit.

Ukshin Hoti, ishte profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, gjatë viteve 80’ dhe 90’. Ndërsa Edi Shukriu, është arkeologia e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston” 1972. / KultPlus.com

Vdes aktorja e ‘Footloose’, Lynn Marta

Aktorja Lynn Marta, e cila u bë e famshme nga filmat ‘Joe Kidd’ dhe ‘Footloose’ dhe seriali ‘Love, American Style’, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e saj u bë i ditur nga miku i aktores, Chris Saint-Hilaire, i cili tha për The Hollywood Reporter se Marta vdiq të enjten në shtëpinë e saj në Los Angeles pas një beteje me kancerin.

E lindur në Somerville, New Jersey, debuti i saj i parë në aktrim ishte në një episod të sitcom ‘Gidget’ në vitin 1966. Më pas ajo u shfaq në 18 episode të sitcom ‘Love, American Style’.

Ajo luajti përballë Robert Duvall dhe Clint Eastwood në ‘Joe Kidd’ të vitit 1972 dhe përballë Kevin Bacon në ‘Footloose’ të vitit 1984. Paraqitja e saj e fundit televizive ishte në një episod të American Dreams në 2004.

Ajo ishte e martuar me Brick Houston nga viti 1968 deri në 1975.

Aktorja pati dhjetëra role në filma:

  • “Skuadra e Mod-it”,
  • “The Rookies”,
  • “Starsky & Hutch”,
  • “Engjëjt e Charlie”,
  • “Vegas”,
  • “Matt Houston”,
  • “FBI”,
  • “Dan gusht”,
  • “Top”,
  • “Rrugët e San Franciskos”,
  • “Barnaby Jones”,
  • “Gjuetari i Njeriut”
  • “Karaibe”./KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Sikur të isha djalë’ i Haki Stërmillit

Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?

Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.

Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.

Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?

Oh, sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?

Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. / KultPlus.com

QKLL, ekspozitë me botime të rralla kushtuar Skënderbeut

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi përmes aktiviteteve  556-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skëndërbeut.

Ne mjediset e QKLL u çel një ekspozitë me botime të rralla mbi Skëndërbeun, një prej të cilave, “Historia e Skënderbeut” nga Fan Noli, botimi i parë, i vitit 1921.

Historianët Ferit Duka dhe Nevila Nika sollën në fjalën e tyre përmasat botërore të kësaj figure të rëndësishme, jo vetëm për Europën, si një simbol i përjetshëm i lirisë njerëzore.
Gjatë këtij takimi u promovua dhe Bibliografia “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë”, me autor Hysen Dizdari si dhe u hap një ekspozitë me botime në kohë mbi këtë figurë. Bibliografia fillon në vitin 1480 dhe përfundon në muajin shtator të vitit 2023. Objektivi themelor i kësaj bibliografie është përshkrimi i librave historikë, librave letrarë e artistikë, biografive, albumeve, katalogëve të ndryshëm kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, të shkruara në gjuhën shqipe dhe të huaj nga autorë me etni dhe origjinë shqiptare. Kjo bibliografi i bashkohet veprave të tjera në këtë gjini mbi figurën e Skënderbeut të shkruara nga bibliografë të shquar si :prof. Gjergj Prekazi, Dhimitër Shuteriqi, Palok Daka, Jup Kastrati, Isak Shema, Ibrahim Rugova, Maksim Gjinaj, Etleva Domi, Willy Kasmi, etj.

Përvjetori i Skënderbeut. Fotot nga Agim Dobi/KultPlus.com

Kur Jusuf Gërvalla i shkruante nënës: Të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg

Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet, tragjeditë e të mirat e jetës së tij.

“ Nanë e dashtun!
Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!

Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.

Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.
Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?

Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” . / KultPlus.com

Poeti bullgar që shkroi në greqisht poemën ‘Skënderbeu’

Grigor Përliçev (1830/31-1893) ishte një poet bullgar i lindur në Ohër. Mësimet e para i mori në shkollën greke të lindjes.

Iu kushtua gjuhës shqipe dhe luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e heroit Skënderbe. Punoi si mësues i greqishtes në qytete të ndryshme të Maqedonisë e më pas në Tiranë, ku u njoh me historinë e popullit shqiptar dhe mësoi gjuhën shqipe.

Kjo e frymëzoi të shkruajë greqisht poemën “Skënderbeu” (1861), që mbeti dorëshkrim. Aty i këndon heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe prijësit të tyre, Skënderbeu, i cili jepet edhe si mbrojtësi i popujve të tjerë të Europës.

Poema Përliçevit është e frymëzuar nga vepra e Barletit. Aty tregon të mëdhenj edhe strategun dhe ushtarin. Këta të fundit ai i quan bij gjigantësh. Vepra përshkohet nga ide të fuqishme çlirimtare e demokratike.

Valle hyjnore ngritur kanë burra
heronj, në mendjen time
Skënderbeut,
stuhi e gjëmë, dua t’i këndoj,

në krye luftëtarësh kryetrima,
që osmanllinj dërmoi miriada.
Ashtu si një tufan që vjen nga jugu,
përkul pemët e vogla të një kopshti

edhe si kallamishte i shkul nga rrënja
pemët e moçme-edhe Skënderbeu
vërsulej duke korrur majtas djathtas

ara që ngelin prapa, o nga pesha
e mishit që pengon këmbët e,
shkathta,
o ng’ ajo frik’ e madhe që ngrin

gjakun,
o nga një jet’ e butë reehatie.
Siç digjet një qytet i madh nga
zjarri,

që flakëron veriu i furishëm
dhe burrat qajn’ e pleqtë ulërijnë,
ndihet vajtimi içjerrë i fëmijëve
dhe gratë leshlëshuar bredhin

udhëve
duke përplasur duart-ulërinin
dhe turqit, duke ikur djersëmbytur;
dhe mjaft prej tyre, duke dhënë,

shpirt,
i përqafonin shokët që largoheshin
e qanin për fëmijët e për gratë,

duke kërkuar vdekjen sa më parë.

Në çast iu kënaq zemra
Skënderbeut,
ashtu siç e kënaq shiu që bie
arën që përcëllon flaka e diellit. / KultPlus.com

Skiatorja e Shqipërisë, Lara Colturi e 9-ta në botë

Skiatorja e Shqipërisë, Lara Colturi arriti rezultatin më të mirë në karrierën e saj në Kupën e Botës.

17-vjeçarja vendosi kohën më të mirë në zbritjen e dytë, 23 të qindtat më e shpejtë se Mikaela Shiffrin që fitoi garën.

Në këtë mënyrë Lara Colturi u ngjit me 17 pozicione nga zbritja e parë, raporton Tvklan.al.

“Jam shumë e lumtur për këtë garë. Më në fund arritja të bëj atë që kam dhënë në stërvitje. Në zbritjen e parë u nisa e 60 në radhë pista ishte jo në gjendje të mirë, por u kualifikova në të dytën ku dhamë maksimumin dhe realizova atë kohë”.

Ndalesa e radhës për 17-vjeçaren do të jetë fundjavën e ardhshme në Jasna të Sllovakisë.

Colturi merr pjesë në garat e Kupës së Botës nga Nëntori i 2022-tës. /KultPlus.com

Osmani takohet me Maqedoncin dhe Jasharin: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot gjatë ditës është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO.

“Sot përgëzova Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari për angazhimin e institucioneve tona të mbrojtjes në misionin e shenjtë që kanë”, ka thënë Osmani. /KultPlus.com

Shtatorja e Skënderbeut do të vendoset në Sicili

Në Sicili të Italisë do të vendoset shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Kështu ka njoftuar shoqata shqiptare “Hora e Skënderbeut”, raporton Klan Kosova.

Në Zvicër, kohë më parë u themelua Shoqata Shqiptare “Hora e Skënderbeut”, në përputhje me të gjitha normativat ligjore të shtetit helvetik.

Ideja për themelimin e  shoqatës ishte projekti për dërgimin e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në komunitetin arbëresh në Itali, ku në mbi 50 ngulime ka rreth 30 buste të Gjergjit, por asnjë shtatore.

Ndërsa që heroi kombëtar në mesin e arbëreshëve prej shekujsh trajtohet si “Mbret i Arbërisë”.

“I prirë nga dashuria për Kryetrimin tonë, aktori me banim në Zvicër, Veli Berisha, ishte i pari shfaqi dëshirën duke kontribuar edhe materialisht për këtë monument, vepër e skulptorit të mirënjohur prishtinas, Gëzim Muriqi. Kryesia e shoqatës vendosi që kjo vepër ti dhurohet vëllezërve të një gjaku në Hora të Arbëreshëve në Sicili, që njihet si kryeqendra e identitet arbëror, e ku me dashuri e fanatizëm ruhet gjuha, traditat dhe simbolet kombëtare. Kryesia e Shoqatës sonë vuri që në fillim kontakt me kryetarin e Bashkisë së Horës z. Rosario Petta dhe personalitetet e fushave të artit e kulturës në Hora të Arbëreshëve të cilët këtë lajm e mirëpritën dhe u zotuan edhe për sigurimin e lokacionit”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Shtatorja, me një pamje madhështore prej 3 metrash është relativisht e kushtueshme, ndaj edhe shoqata ka hapur një llogari bankare për mjete financiare.

Pritet që për këtë të kontribuojnë sa më shumë mërgimtarë, pavarësisht ku jetojnë e ç`shumë paguajnë, që kjo të jetë një vepër e përbashkët për mërgatën më të hershme shqiptare, siç është kjo e arbëreshëve në Itali.

“Tash kur po e promovojmë faqen e shoqatës sonë me rastin e përvjetorit të kalimit në pavdekësi të Heroit tonë Kombëtar, Kryesia e Shoqatës ‘Hora e Skënderbeut’, nga nesër deri më 21 janar do ti bëjë një vizitë Horës së Arbëreshëve për të biseduar për veprimet e konkrete rreth dërgimit të shtatores, me që rast pritet të caktohet edhe termini i inaugurimit. Kësaj vizite do ti bashkohet edhe studiuesja e botës arbëreshe, Dr. Ornela Radovicka”, thuhet tutje në komunikatë.

BKK fillon provat e shfaqjes ‘Rebounds. A Basketballet’

Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar provat e shfaqjes së parë për këtë vit ‘Rebounds. A Basketballet’, me dy koreografët gjermanë Friederike Lampert dhe Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Në një njoftim për media thuhet se me dy koreografët në fjalë BKK-ja ka bashkëpunuar edhe para 7 vitesh për shfaqjen ‘New Born’, shfaqje kjo e cila është dhënë në Prishtinë, Berlin dhe në Hamburg.

Ndërsa shfaqja ‘Rebounds. A Basketballet’ do ta ketë premierën me 15 shkurt. Përveç në Prishtinë, kjo shfaqje planifikohet të shfaqet edhe jashtë vendit tonë./KultPlus.com

MKRS ndan 185 euro për Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit në Boletin të Komunës së Zveçanit

185 mijë euro parashihet të investohen në dy programe në Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit në Boletin të Komunës së Zveçanit, shkruan  KultPlus.

MKRS përmes këtyre programeve do të bëjë kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e saj përmes menaxhimit dhe aktiviteteve të rregullta.

“Në kuadër të programit të parë planifikohet vendosja e ekspozitës së përhershme në Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit. Konkretisht do të bëhet realizimi i shërbimeve për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për rivitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, ‘kurimin’ e ekspozitës dhe rifunksionalizimin e muzeut ekzistues. Këtë pjesë të programit do ta implementojnë grupi i operatorëve ekonomikë, “ALB-Architect” dhe “ACTI”.

Ndërkaq, programi i dytë është projekti trevjeçar të cilin e do ta implementojë organizata “Mundësia”. Programi ka vlerë financiare prej 135 mijë euro, ku parashihet realizimi i aktiviteteve që do të funksionalizojnë këtë objekt të trashëgimisë, si: ueb faqen e Kompleksit të Kullave, audio guidat, realizimin e programeve artistike, shënimin e datave të rëndësishme me aktivitete të veçanta, vendosjen e një këndi të artizanëve për shitje me qëllim të gjenerimit të të hyrave për kompleksin, organizimin e festivalit “Kulla e Isa Boletinit”, promovimi i kompleksit me turne virtual 360 e të tjera”, thuhet në postimin e MKRS në facebook./KultPlus.com

Spanja zgjedh deputeten e parë me sindromën Down, Mar Galceran bën histori

Mar Galceran është bërë parlamentarja e parë e Spanjës me sindromën Down. 45-vjeçarja u përfshi në politikë që në moshën 18-vjeçare, kur iu bashkua Partisë Popullore konservatore (PP), ndërsa dalëngadalë u ngjit edhe më lart në strukturën e partisë. Angazhimi i saj u shpërblye majin e kaluar, kur emri i saj u vendos i 20-të në listën e kandidatëve që PP kishte paraqitur në zgjedhjet rajonale të Valencias.

Arritja e katapulton Galceranin në krye të radhëve të një grushti njerëzish me sindromën Down, të cilët kanë kapërcyer barrierat për të hyrë në botën e politikës.

Në vitin 2020, Eleonore Laloux u bë personi i parë me çrregullim gjenetik në Francë që u zgjodh në poste publike, si anëtare e këshillit bashkiak në qytetin verior të Arras, ndërsa Fintan Bray në Irlandë bëri histori pasi u zgjodh në një pozicion në politikë në vitin 2022.

Është e paprecedentë. Shoqëria ka filluar të shohë se njerëzit me sindromën Down kanë shumë për të kontribuar. Por është një rrugë shumë e gjatë”, tha 45-vjeçarja për “The Guardian”./ KultPlus.com

Pse nuk e shkruaj një libër?

Nga Ermal Mulosmani

Kjo është një pyetje që e ndesh shpesh ndër miqtë e mi më të mirë. Nuk e fsheh që edhe brenda meje fle tundimi për një libër dhe, sa herë dikush ma zgjon këtë tundim, i jam mirënjohës.

Mes meje dhe letërsisë ka ekzistuar një flirt i pashprehur qysh në vogëli. Ishte si dashuria e parë e një fëmije për një princeshë: e fortë, e papërballueshme e njëkohësisht mosbesuese dhe e pathënë.

Droja se do të ishin të refuzuar në dashuri të tilla, të pamundura, ka lënë shumë njerëz me zjarr në gji gjithë jetën. Ata janë endur mes mundësisë dhe pasigurisë për të zgjedhur forma të mjegullta shpërfaqjeje. Është sikur ata çunakët që thonë “e dua si motër” apo “e kam shoqe” kur e gjithë qenia e tyre buis dëshirë. E për të mos u zgjatur në të tilla persiatje, po dal në një terren më konkret.

Unë druaj të nis një libër në respekt të shkrimtarëve të vërtetë!

Po. Bash kjo është arsyeja më e thellë! Unë mendoj se vrasja e letërsisë është masiviteti i saj. Ky është shumë herë më i dëmshëm se censura totale! Censura zgjon adrenalinën e konspiracionit, një joshje e papërballueshme e racës sonë. Në censurë shkëlqejnë edhe gjenitë e rezistencës por edhe ata të artit të madh! Në kohëra të errëta dalin të mëdhenjtë, nevoja për dritë na bën të kërkojmë për ta. Ndërsa liria absolute është vdekja e çdo letërsie të madhe.

Në lirinë absolute shpërthejnë memuaret-përralla (respekt për përrallat e vërteta) historitë e fisit, lavditë e paqëna, deliret, paranojat, erotikat banale; vrasësit e kriminelët injorantë janë yjet e publikut. Ndërsa shkrimtarët e vërtetë, ata që shtrydhin trurin me orë të tëra duke ndërruar fjalët në funksion të fuqizimit artistik të mendimit, ata që përhumben me vite të tëra në endjen e romanit “që do të trondisë mbarë lexuesit” përfundojnë në tronditjen e thellë shpirtëtore të tyre!

Nëse unë do të tentoja të shkruaja një libër druaj se do të shtoj edhe një pikë ujë në oqeanin ku janë fshehur perlat e vërteta. Dhe nuk dua të ndjehem në faj për këtë.

Unë jam -besoj- lexues i mirë. Qysh i vogël lexova letërsi që ishte mbi mundësitë e mia për ta përtypur. Lexova dramat e Shekspirit kur nuk duhej. Por ky ishte i vetmi defekt mendoj. Më vonë krijova një standart që e kam të vështirë ti shmangem edhe sot. Babai im sigurisht ndikoi në këtë gjë: “Nëse lexon letërsi shqipe është humbje kohe” – më tha kur isha 10 vjeç. “Është sikur të vish në jetë tani dhe të zgjedhësh të lexosh letërsinë e Guatemalës”- më tha. (Respekt për Guatemalën. Mjafton Asturias për të pohuar madhështinë e letërsisë së saj). “Ti duhet të përpiqesh të lexosh si njeri pa kombësi. Nuk duhet kombësia të të diktojë formimin tënd”.

Nuk ma tha tekstualisht kështu sigurisht por thelbi ky ishte. Dhe në njëfarë mënyre më ndikoi.

Nuk është vendi këtu për të përmendur shkrimtarët e mi të preferuar. Por është me vend të them se pikërisht cilësia e shkrimit të tyre më ndikoi për të qëndruar në anën tjetër të barrikadës: atë të lexuesit.

Kadare në parathënien e “Shpirtra të vdekur” shkruan (pak a shumë) :

“Nëse do të përfytyronim për një çast se letërsinë e madhe dhe letërsinë mesatare apo komerciale i ndan një vargmal i madh e i pakapërcyeshëm, një nga majat më të larta është ky libër”! Sapo mbarova librin rashë dakort me të. Çiçikovi është personazh i papërsëritshëm në letërsi. E përfytyrova veten një milingonë duke u ngjitur majës së lartë të Çiçikovit. Një nga 1 miliard milingonat që nisen për ditë nëpër kodrat përballë asaj Himalaje dhe dorëzohen.

E dyta herë që më erdhi të qesh me veten ishte kur po lexoja një libër-biografik të gruas tahitiane të Marlon Brandos, aktorit të madh hollivudian. Brando ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes, në grahmat e fundit. Gruaja që kishte kaluar gjithë jetën larg tij (dhe grave të tjera të tij), në atë moment fundor e pak solemn, i drejtohet:

“Marlon, do të shkruaj një libër për raportin tonë”.

Ishte një çast qesharak në atë moment le të themi tragjik të aktorit. Ky i hapi sytë dhe i tha:

“Po Tarita, shkruaje edhe ti librin tënd”.

Mua mu lexua si përqeshje a përbuzje, sikur po i thoshte:

“Të erdhi dita edhe ty tashmë, bëj ça të duash”.

Mu duk sikur më tha edhe mua. Qesha.

****

Shqipëria ka mijëra shkrues të paskrupuj librash, këngëtarë, influencerë, bigbrotheristë, blogerë. Në gjithë këtë oqean plot dallgë e cuname abdurditeti noton me siguri edhe ndonjë perlë e bukur e fshehur në kushedi se çguaskë të vogël. Por që dallgët e oqeanit të tmerrshëm të mediokritetit e largojnë çdo ditë nga kërkuesit e perlave.

Dhe dëmin më të madh në këtë drejtim e bën një shkrimtar mesatar. Një shkrimtar i dobët a folklorik e dëmton letërsinë shumë më pak sesa një mesatar. Sepse folkloriku është i pari që largohet nga një lexues le të themi mesatar. Se edhe lexuesit kanë rangun e vet. Nuk bien të gjithë në rrjetën e Albatrosit fjala vjen. Atë e largojnë me nënqeshje sipërane, sqimatare, a thua vetë janë më shumë se ai.

Dëmin më të madh e bëjnë kategoria e mesatarëve, atyre që nuk janë krejt pa gjë, që kanë njëfarë stili a mendimi. Ti heziton para emrit të tyre, nuk është se nuk joshesh ta lexosh. Dhe shpesh e merr atë mut libri për tu penduar më vonë dhe për të ndëshkuar herën tjetër, bashkë me mediokrin, nga paragjykimi për të, edhe një të talentuar që shfaqet pranë tij.

Por akoma më i dëmshëm se shkrimtari mesatar është lexuesi mesatar. Ky menjëherë shpall gjenialitetin e shkrimtarit blushian, i bën jehonë, më shumë për të shpallur gjasme nivelin e tij si lexues. Dhe kështu përhapen dallgët bashkëqendrore të mediokritetit si cunam që shet nga libraritë lajlelulet afrodiziake apo klonimet perëndimore të nostradamëve lokalë.

Kombinimi i lexuesit mediokër me shkrimtarin mediokër përbën biznesin e librarive. E këtu, bash këtu e gjej hezitimin tim. Druaj se do jem një më shumë në këtë batërdi me manipulues letrarë. Ose edhe më keq se aq. Druaj se do jem një nga ata që do të vuaj mungesën totale të lexuesit. Shoh shumë ustallarë fjalësh që brengosen përditë nga epërsia e hamenjve të saj. Po sikur të kem ndonjë çikë talent e të mos më lexojë askush?

Do ishte më e tmerrshme, më e papërballueshme.

Më mirë rri diku në mes, me dashurinë e pashprehur e me shpresën se dikur do të ndodhë. Të paktën do e kem zjarrin në gji. Nuk i dihet. / KultPlus.com

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”, thënie të të huajve për Skënderbeun

Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari më i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sot, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun. Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.

Papa Kalikst i III

“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!

Papa Piu I II

“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”

Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559

“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.

Sulltan Mehmeti II

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”

Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez

“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.

Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut

“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!” 

Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”

“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”

Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën

“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”

Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia

“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”

“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.” / KultPus.com

Kryeministri Kurti në Davos: Kosova dhe Zvicra të thellojnë bashkëpunimin

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans. Kurti shprehu fillimisht mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, si dhe diskutuan për rolin e fuqishëm që ka diaspora kosovare në shtetin helvetik.

Më tej, në takim  Kurti i njoftoi diplomatin zviceran për të arriturat e qeverisë përgjatë këtyre tre viteve të fundit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen ekonomike të vendit, si aspekte që ndërlidhen me drejtësinë dhe zhvillimin e prosperitetin.

Po ashtu Kurti ka thënë se lufta kundër ilegalitetit në veri por edhe bashkëpunimi me institucione të sigurisë të vendeve mike e partnere, ka sjellë rezultate të prekshme në parandalimin e krimit të organizuar dhe aktiviteteve ilegale.

Sipas njoftimit për media lëshuar nga Qeveria, kryeministri Kurti e ka informuar këshilltarin federal Jans mbi procesin e Vetingut dhe mbi Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“U bisedua dhe për situatën e sigurisë në rajon, për sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë, për përpjekjet e Kosovës për integrimin e komunitetit serb dhe të drejtat e tyre politike pluraliste, demokratike dhe sociale”.

Gjithashtu, potenciali i jashtëzakonshëm i diasporës sonë në Zvicër dhe kontributi i tyre në shoqëri u vlerësua nga Jans.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti theksoi dhe ndikimin pozitiv të diasporës për Kosovën dhe suksesin e tyre në fushat në të cilat operojnë. Kurti potencoi dhe iniciativat e përbashkëta me Zvicrën si dy marrëveshjet për ndihmën e ndërsjellë juridike: për Transferimin e Personave të Dënuar dhe për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për forcim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin Federal Jans për bisedën produktive dhe idetë e shkëmbyera, njofton Qeveria e Kosovës.

Euronews Travel: Shqipëria vendi me peizazhe të virgjëra dhe mikpritje plot shpirt

Qafa e Valbonës është një rrugë e aksesueshme, megjithëse jo e lehtë që kompanitë vendase turistike e kanë përfshirë në aventurën e turneut treditorë, shkruan Rebecca Ann Hughes në një artikull të publikuar në “Euronews Travel”.

Pas një ngjitjeje prej katër orësh, ne mbërritëm në majën marramendëse të një rrëpire shkëmbore në Qafën e Valbonës.

Ne rrethoheshim nga “Bjeshkët e Nemuna”, në veri të Shqipërisë. Re ogurzezë stuhie nisën të mblidheshin midis majave dhe kreshtave të thepisura në drejtim të zbritjes sonë në anën tjetër të rrugës.

Për gati gjysmën e shekullit të XX, ky peizazh i mrekullueshëm ishte i mbyllur për botën nën sundimin komunist.

Që nga hapja e vendit, rajoni ka magjepsur alpinistët dhe aventurierët me bukurinë dhe qetësinë e tij.

Por përtej kësaj, zona mbeti një destinacion i jashtëzakonshëm në një vend shumë shpesh të njollosur nga stereotipet, deri pak vite më parë.

Vargu malor verior i Shqipërisë është tashmë një destinacion nën radarët e udhëtarëve.

Vendi u përfshi në listën e “52 Destinacioneve për 2024”, sipas “The New York Times”.

Për momentin, është ende një vend i qetë. Por, është në një pikë kyçe ku fluksi i turistëve që kërkojnë natyrën e thyer dhe mikpritjen jokomerciale mund të jetë shkaku i zhdukjes së tyre.

Për një udhëtim të qëndrueshëm dhe të ngadaltë në këto zona, provoni itinerarin treditor në Qafën e Valbonës për të shijuar natyrën në Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë prej 800,000 km katrorë.

Çfarë duhet të bëni në Shqipëri: Si të ecni në Qafën e Valbonës

Qafa e Valbonës është një rrugë e aksesueshme megjithëse jo e lehtë për të ecur që kompanitë vendase turistike e kanë përfshirë në një aventurë të përshtatshme treditore.

Turistët fillimisht duhet të marrin rrugën për në qytetin më të afërt, Shkodër, dhe të rezervojnë akomodimin për një natë.

Në liqenin e Komanit, trageti lundroni përmes një gryke të gjatë me ujë smerald të rrethuar nga faqe shkëmbi të egër

Pjesa e parë e udhëtimit është me një furgon për rreth një orë e gjysmë deri në Liqenin e Komanit. Aty do të hipni në një traget të mbushur me njerëz, dhe lundroni për rreth dy orë e gjysmë përmes një gryke të gjatë me ujë smerald të rrethuar nga faqe shkëmbi të egër.

Pas zbarkimit në stacionin e tragetit të Fierzës, do t’ju presë një furgon tjetër që ju çon në pjesën e mbetur të rrugës për në fshatin e Valbonës.

Gjithashtu, do të gjeni bujtina të shpërndara përgjatë rrugës gjarpëruese të fshatit, por përpiquni të rezervoni më afër shtegut. Synoni të qëndroni në një nga ndërtimet e vjetra prej guri me çati të pjerrëta me rrasa dhe ambiente të brendshme të thjeshta prej druri si shtëpi.

Do të zgjoheni me një në mëngjes me djathë të bërë vetë, domate dhe tranguj të freskët dhe bukë të ngrohtë që mund t’i shijoni jashtë me një pamje të majave të mprehta malore me borë.

Si të ecni nga Valbona në Theth

Kohëzgjatja e ditës së ecjes ndryshon në varësi të vendndodhjes së akomodimit tuaj në Valbonë dhe Theth, por shtegu është 12 kilometra i gjatë dhe zgjat nga shtatë deri në 10 orë.

Ngjitja e pjerrët të çon në një luginë të gjelbëruar me pisha dhe midis faqeve shkëmbore monolitike dhe kullave gëlqerore. Gjatë rrugës ka stacione të papritura në gropa në strehëza prej druri të prishur, ku të gjitha furnizimet mbërrijnë me mushkë ose me pronarin e guximshëm.

Nga maja spektakolare, ju mund të shikoni disa nga peizazhet më të pacënuara të mbetura në Evropë.

Zbritja në fshatin e thellë të Thethit kalon nëpër livadhe me lule të egra dhe shpate me bar.

Jeta në Theth sillet rreth traditave baritore dhe mikpritjes shpirtërore

Komuniteti malor është një shpërndarje ndërtesash dhe hambarësh prej guri në një pllajë të gjerë të gjelbër të rrethuar nga malet. Aty kalojnë fusha dhe kullota të kufizuara me gardhe druri me pirgje konike bari për bagëtitë.

Jeta sillet rreth traditave baritore dhe mikpritjes shpirtërore, të cilat të dyja i gjejnë rrënjët në kodin e lashtë të Kanunit të vendosur nga këto komunitete malësore.

Ligjet që lidhen me gjakmarrjen dhe vrasjet për hakmarrje janë braktisur kryesisht, (megjithëse në Theth mund të vizitoni ende një kullë të lashtë guri me dritare të dëmtuara ku fshiheshin objektivat e synuara), por theksi për të pritur udhëtarët dhe mysafirët vazhdon.

Në Theth, gjeni bujtina dhe akomodime në ferma ku pronarët përgatisin ushqime të bollshme nga prodhimet e arave, bagëtive dhe koshereve të tyre.

Nëse turizmi i udhëtimit ditor fillon të lulëzojë, a do të mbijetojë peizazhi i paprekur dhe mikpritja e ngrohtë e pa nxitim?

Ju mund të shëtisni në një lokal ngjitur pas një faqeje shkëmbi mbi një grykë ku ofrohet raki shtëpie bashkë me kafenë e mëngjesit.

Deri pak vite më parë, alpinistët bënin udhëtimin e kthimit poshtë malit përgjatë një shtegu me gropa me një Jeep, sot sipërfaqja e kësaj rruge është e asfaltuar duke shfaqur një shenjë të një ndryshimi më të gjerë në vend. /atsh/ KultPlus.com

Presidenti Begaj: Gjithmonë krenarë e të përunjur para veprës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka kujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastriotin- Skënderbeun në 556 vjetorin e vdekjes, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Presidenti Begaj, Skënderbeun e ka quajtur ideator të bashkimit kombëtar dhe mbrojtës të qytetërimit perëndimor.

“Gjithmonë krenarë e të përunjur para veprës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ideator i bashkimit kombëtar, udhëheqës i Aleancës Evropiane, mbrojtës i qytetërimit perëndimor”, ka shkruar Presidenti Begaj në facebook./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës ngushëllon për vdekjen e Adem Gashit: Ka lënë gjurmë në poezinë dhe në publicistikën tonë

Me rastin e vdekjes së poetit e krijuesit Adem Gashi PEN Qendra e Kosovës ngushëllon komunitetin letrar të Kosovës dhe familjen Gashi.

Nga PEN Qendra e Kosovës janë shprehur se Adem Gashi ka lënë gjurmë në poezinë dhe në publicistikën tonë.

Adem Gashi, i cili në vitin 2022 fitoi Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, është pa dyshim njëri nga poetët më të shquar të Kosovës, mjeshtër i rrallë i vargut, njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës, me një opus të gjerë krijues si poet, por edhe prozator, publicist dhe veprimtar kulturor. / KultPlus.com

Adem Gashi

Benjamin Franklin, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Benjamin Franklin lindi më 17 janar 1706 në Boston dhe ishte një botues amerikan, burrë shteti, shkrimtar, shkencëtar, sajues dhe filozof politik, shkruan KultPlus.com.

Konsiderohet gjithashtu si një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte biri i dhjetë dhe fëmija i pesëmbëdhjetë i një përpunuesi sapuni dhe qiriri. Qysh në vitet e hershme të jetës së tij ai ka marrë një zhvillim të gjerë të njohurive përmes leximit intensiv të letërsisë së përgjithshme dhe shpirtërore në mënyrë autodidakte.

Ai për një kohë ka punuar në një dyqan arti te James-gjysmë vëllai i tij. Ndërsa përgjatë viteve 1729-1766, ai ishte redaktor i Gazetës së Pensilvanisë. Në vitin 1750 Franklin u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nga Pennsylvania.

Ndër studimet e shumta që pati përgjatë viteve ai studioi ujin e kuq, Rryma e Gjirit, përmbajtjen e kripës. Në kohën e krizës së Aktit Stamp , u bë një avokat i njohur i të drejtave amerikane në Londër. Në maj 1775 ai shkoi përsëri në Pensilvani dhe u bë anëtar në Kongres. Ai përndryshe kishte projektuar, komitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. 

Në 1769 themeloi Shoqërinë filozofike Amerikane. Ndërsa në vitin 1776 Benjamin Franklin ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 korrik.

Ai gjatë karrierës së tij u përfshi në disa qështje me interes publik përmes disa shkrimeve të tij, ku disa nga temat kishin të bëjnë me pastrimin e rrugëve, ndriçimin, futja e zjarrfikësit vullnetar ,

Gjatë gjithë jetës së tij, ai ka botuar traktate dhe ese për të gjitha llojet e temave, të tilla si për politikën, dhe çështjet ligjore të arsimit dhe të kontrollit të popullsisë.

Dalja e tij e fundit publike para vdekjes së tij ishte në mbështetjen e një programi të Kongresit, për heqjen e skllavërisë në nivelin federal duke dhënë këshilla ndaj masave. Më 17 prill 1790 Benjamin Franklin vdiq në moshën 84 në Filadelfia./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gjergj Kastrioti, njeriu që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta mbrojtur atdheun e vet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti.

Përkujtimi i plotë:

Sot kujtojmë përvjetorin e vdekjes së heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, njeriut që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta ruajtur e mbrojtur atdheun e vet e për të krijuar aleanca të fuqishme me perëndimin. I përjetësuar në qindra vepra arti, ai e njohu për të gjallë madhështinë e të bëmave të veta, jehona e së cilave u rrit me kalimin e kohës, duke u shndërruar në busullë orientuese për ne.

Lavdi, Gjergj Kastrioti!/KultPlus.com

Kompleti i veprave të Basri Çapriqit, të shtunën promovohet në Ulqin

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe PEN Qendra e Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës do të organizojnë përurimin e kompletit të veprave të poetit, studiuesit të letërsisë dhe profesorit universitar Basri Çapriqi (1960-2018).

Përurimi do të mbahet në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të shtunën, më 20 janar 2024, ora 18:00. / KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë të shkëlqejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim për gazetarëve, ajo ka thënë se duhet të sigurohemi që nipat dhe mbesat e atyre që kanë rënë për Kosovën, të prosperojnë në liri, raporton Klan Kosova.

“Jemi këtu me familjen Konjufca dhe me familjen Gërvalla, me miq e dashamirë nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës që u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri”, ka thënë Osmani.

“E kujtojmë me pietet të gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djem e vajzave të Kosovës që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për një Kosovë të pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj dhe të sigurohemi që nipat e mbesat e Jusuf Gëvallës e Kadri Zekës, por edhe të gjithë nipat dhe mbesat e atyre që ranë për Kosovën dhe për lirinë e saj, të prosperojnë në liri dhe njëkohësisht të bëjmë çmos që liria jonë, jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Dua Lipa flet për memet virale të kërcimit të saj

Dua Lipa u lodh me njerëzit që mendonin se ajo nuk na jep asgjë. Në kopertinën e saj për Rolling Stone, këngëtarja foli për memet virale të kërcimeve në 2018-n.

Meme origjinale nisi kur Dua performoi “New Rules” në BRIT Awards 2018. Në YouTube, dikush shkroi: “E dua mungesën e energjisë së saj; jepi vajzë, mos na jep asgjë!”

Fjalia e fundit – në anglisht “go girl, give us nothing” – u postua shumë në Twitter dhe menjehërë njerëzit nisën të postonin video të kërcimeve të Duas dhe talleshin me lëvizjet e saj.

“Ishte vërtet e dhimbshme, sepse më në fund mund të bëja diçka që më pëlqen ta bëj dhe thjesht nuk mund ta bëja siç duhet,” tha ajo.

Dua vuri në dukje se asokohe ishte e ngarkuar dhe nuk kishte kohë që të sigurohej që lëvizjet e kërcimit ishin të duhurat. “Lëvizja nëpër botë. Shumë promo, shumë prova, shumë gjithçka dhe pa pasur kohë për të përsosur asgjë,” theksoi ajo.

Sidoqoftë, Dua hyri në epokën e albumit “Future Nostalgia” në 2019-n dhe i dha vëmendje koreorgrafive të veçanta ku shfaqi gjithë talentin e saj.

“Ajo shkoi nga ‘go girl, give us nothing’ te një nga perfomancat më të mira në Grammy. Kjo është rritje artistike,” është tashmë komenti më i pëlqyer në videon ku dikur njerëzit talleshin me Duan.

Ja dhe performanca fantastike në Grammy. / KultPlus.com