Ministri Çeku: Vazhdon të thellohet bashkëpunimi me Shqipërinë në projekte të kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Ministri Çeku ka thënë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë është i pashmangshëm. Përplot aktivitete të përbashkëta janë realizuar vitin që lam pas, dhe të tilla priten edhe në vazhdim.

Për këtë dhe tema të tjera diskutuan sot në takim, Ministri Çeku dhe Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ministri Çeku i uroj suksese në detyrën e re, ndërsa i shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë.

Bashkë u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin duke u koordinuar për projekte të përbashkëta në kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com

Diplomon studentja e parë nga Kosova me BURSË të plotë në Kajaani University në Finlandë

Ndërkombëtarizimi i UNI – Universum International College powered by Arizona State University u mundeson studentëve kosovarë të studiojnë me bursë të plotë në universitetet më prestigjioze të botës. Eranda Morina, studente në departamentin Biznes dhe Menaxhment në UNI – Universum, si qindra studentë të tjerë të UNI – Universum International College, ka përfituar bursën ndërkombëtare për studime ne universitetin finlandez, Kajaani University of Applied Sciences, kështu duke u paisë me Diplomë Finlandeze. Pas diplomimit, ajo u pajis me dy diploma, një nga UNI – Universum International College dhe tjetra nga  Kajaani University of Applied Science në biznes ndërkombëtar.

Ndër tjerash, Eranda u shpreh: “Koha ime në Finlandë si studente e Double Degree në KAMK ka qenë një periudhë transformuese, duke më ofruar zhvillim akademik dhe personal të rëndësishëm. Studimi në një sistem arsimor të klasës së parë jo vetëm më ka sfiduar intelektualisht, por gjithashtu më ka ofruar eksperienca kulturore shumë të pasura. Mbështetja nga UNI dhe Universiteti i Shkencave të aplikuara të Kajaanit kanë qenë vendimtare për suksesin tim. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të pafund për mbështetjen e UNI-t, përfshirë inkurajimin, mundësitë dhe ndihmën e bursës, dhe me padurim pres të kontribuoj në suksesin e komunitetit tonë universitar.”

UNI – Universum International College powered by Arizona State University vazhdon të mbetet institucioni no.#1 në Ballkanin Perendimor për ndërkombëtarizim dhe lider për mundësitë e ofruara për studentë.  Zyra Ndërkombëtare në UNI- Universum International College është përzgjedhur si model për universitetet publike dhe private të Kosovës.  UNI tashmë është bërë partner global i universiteteve më prestigjioze jo vetëm në Evropë por në mbarë botën. Kjo zyre, përmes ndërkombëtarzimit, ka ndihmuar në ndërtimin e gjeneratës së re të Kosovës duke transformuar jetën e 1305 studentëve dhe stafit pjesë e shkëmbimeve në 221 universitete partnere në shtetet e Bashkimit Evropian.  UNI si rezultat i partneritetit strategjik me Arizona State University, nga ky vit, u ofron mundesinë për vazhdim të studimeve, diplomë të dyfishtë me Arizona State University, shkembime semestrale dhe shkolla verore jo vetëm në Arizona State University por edhe në rrjetin global të Arizona State University. 

Fillo studimet në UNI – Universum International College dhe studio me burse ne Finlandeze dhe diplomohu nga Kajaani University of Applied Sciences.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion. Për më shumë informata rreth aktiviteteve të tilla,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram/KultPlus.com

‘Beqare moj’ nga zëri unik i Eli Farës (VIDEO)

Eli Fara është një artiste e njohur shqiptare, të cilën e karakterizon zëri i saj unik. Fara cilësohet si një nga këngëtaret më të njohura të ‘serenatës’, përcjellë KultPlus.

Ajo është shpallur “Artiste e Merituar” nga qeveria shqiptare para vitit 2000. Ndërsa në vitin 2012, ajo u shpall finaliste në festivalin, Kënga Magjike, me këngën “Romale”, një këngë e përzier me zhanre të ndryshme.

Eli Fara ka lindur më 21 maj 1968  në Korçë. Fillimisht ajo ka qenë mësuese e gjuhës shqipe në një shkollë fillore në Drenovë. Rrugëtimi i saj shënoi një pikë kthese kur ajo filloi të interpretonte  këngë popullore urbane të rajonit të saj.

Më poshtë gjeni interpretimin e Eli Farës “Beqare moj”:

Presidentja Osmani: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.

Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike.

Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve.

Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi.

Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa Presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon./KultPlus.com

Kaosi dhe lirizmi në ekspozitën ‘Hapat’

 “Hapat”, ekspozita vetjake e piktores së talentuar Dea Tili, njëkohësisht pedagoges së Universitetit të Arteve, vazhdon të presë publikun artdashës në Galerinë FAB. Dea Tili ka sjellë lirizmin e atelieve të artistëve, interiere të ndryshme studiosh apo intimitete familjare.

“Mes atelieve të shkollës, vendit të punës, studiove të artistëve, shfaqen të rrëmujshëm sa edhe të pistë cepat e kavaletave, kompensatat e tavalocave, podiumet, shishet dhe skulpturat e natyrave të qeta. I gjithë ky kaos, i rregullt vetëm në optikën e atyre që e jetojnë përditë atë, për Dean, duket më shumë se një subjekt. Ai është një destinacion i panegociueshëm. Është vendi ku ajo u gatua dhe ku gjeti vetveten”, shkruan kuratori i ekspozitës, Ermir Hoxha, në “Habitat”-in e tij, njëherësh edhe teksti kurativ që shoqëron ekspozitën e Tilit.

Dea Tili ishte më herët pjesëmarrëse në ekspozitën “Udhët V”, ku 22 pedagogë të Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve, sollën një ndër ekspozitat më të veçanta në Galerinë FAB(11-20 dhjetor 2023)./atsh/KultPlus.com

Anton Çehov: Tetë cilësitë e një njeriu të kulturuar

Çfarë do të thotë të jesh ”i kulturuar”?

Çekov shkruan nga Moska më 1886:

Sipas mendimit tim, njerëzit me kulturë duhet të përmbushin kushtet që vijojnë:

– Ata respektojnë personalitetet njerëzore, dhe aty për aty, janë gjithmonë të dashur, të sjellshëm dhe të gatshëm për të bërë për të tjerët. Ata nuk bëjnë sherr për një çekiç apo sepse humbin një copë kauçuku, nëse jetojnë me të tjerët nuk e marrin këtë gjë si nder, dhe kur largohen, nuk thonë “asnjeri nuk do të mund të jetonte me ty.” Ata ia dalin me zhurmën, të ftohtët, vërejtjet e mprehta dhe me praninë e të huajve në shtëpi.

– Ata nuk kanë dhembshuri vetëm për lypsarët apo macet pa shtëpi. Zemra e tyre dhemb për atë që syri nuk shikon… ata ngrihen natën për të ndihmuar… për të paguar për vëllezërit që janë në universitet, dhe për të blerë rroba për nënën e tyre.

– Ata respektojnë hapësirën e të tjerëve dhe i shlyejnë detyrimet.

– Ata janë të sinqertë, dhe i frikësohen gënjeshtrës sikurse zjarrit. Nuk gënjejnë as për gjërat më të vogla. Një gënjeshtër është fyese për dëgjuesin dhe e ul atë në sy të folësit. Ata nuk shtiren, ata sillen në rrugë ashtu si në shtëpi, dhe nuk mburren para miqve modestë. Nuk janë të dhënë pas dërdëllitjeve dhe të detyrojnë të tjerët mbi besimet e tyre. Pas shpinës së tjetrit parapëlqejnë të heshtin më shumë sesa të flasin.

– Ato nuk i ulin vlerat e tyre për të zgjuar dhembshuri. Nuk luajnë me telat e zemrës së njerëzve që më vonë të psherëtijnë dhe të ndiejnë këqardhje. Ata nuk thonë “ jam keqkuptuar,” ose “jam lënë pas dore,” sepse gjithë kjo përpjekje, është vulgare boshe, false…

– Ata nuk kanë krenari të cekët. Ata nuk duan t’ia dinë për diamantet fallso si të njohurit e të famshmëve, për t’i dhënë dorën “P”-së [me gjasë Palmin, poet i padëgjuar] së dehur, të dëgjojnë entuziazmin e një spektatori të humbur në një shou pikturash, të qenët të njohurit e tavernave…. Nëse bëjnë diçka të vogël, ata nuk krekosen për të sikur të kishin dhuruar diçka me vlerën e 100 rublave, dhe nuk mburren që kanë arritur aty ku të tjerët nuk janë pranuar…. Ata që janë vërtet të talentuar, gjithmonë anojnë nga ana e turmës, sa më larg reklamimit…Edhe Krivol ka thënë se një fuçi boshe bën më shumë jehonë sesa një e plotë.

– Nëse kanë një talent, e respektojnë atë. E sakrifikojnë atë për të tjerët, gruan, verën, krenarinë… Ata janë krenarë për talentin e tyre.

– Ata zhvillojnë ndjenjen estetike tek vetja e tyre. Nuk bien dot të flenë me rrobat e tyre, të shohin të çarat e mureve plot me insekte, të thithin ajër të keq, të ecin në një rrugë të pështyrë, të gatuajnë vaktet në vaj të ndenjur. Ata kërkojnë sa më shumë të mposhtin dhe të fisnikërojnë instiktet seksuale… nuk e duan për shoqe shtrati një femër… nuk kërkojnë inteligjencën që shfaq veten në një gënjeshtër të vazhdueshme. Nëse janë artistë, ata duan në veçanti, freski, elegancë, njerëzi dhe kapacitet për amësinë…Ata nuk rrokullisin vodka në çdo orë të ditës dhe natës, nuk kërkojnë në rafte, nuk janë derra dhe e dinë që nuk janë. Ata pinë vetëm kur janë të lirë, me raste… Ajo çfarë duan është një mendje e shëndetshme në një trup të shëndetshëm (mens sana in corpe sano).
E kështu me radhë. Kështu janë njerëzit e kulturuar. Që të jesh i kulturuar dhe të mos jesh nën nivelin e atyre çfarë të rrethojnë nuk mjafton të kesh lexuar “The pickwick Papers” dhe të kesh mësuar një monolog nga “Fausti”…

Ajo çfarë duhet është një punë konstante, natë dhe ditë, lexim i vazhdueshëm, studim, vullnet…
 / KultPlus.com

Galeria Kombëtare e Kosovës prezanton programin për vitin 2024

Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar programin për vitin 2024 i cili sjellë një numër ekspozitash që inkuadrojnë disiplina të ndryshme artistike, në bashkëbisedim mes artistëve vendor dhe ndërkombëtar. Programit do të pasurohet me projekte hulumtuese dhe edukative për të përfshirë publik më të gjerë.

Viti do të fillojë me ekspozitën kolektive “Ngjarja e një Fijeje” e cila është bashkëpunim mes GKK dhe “Institutit Për Marrëdhëniet e Jashtme — IFA” nga Berlini, e bashkëkuruar nga Susanne Weiß, Inka Gressel, IFA, dhe Hana Halilaj, GKK. Ekspozita sjellë artistë ndërkombëtarë dhe vendorë për të paraqitur narrativat globale të tekstilit. Ekspozita nxjerr në pah mënyrat e shumta dhe komplekse më të cilat artistët pjesëmarrës punojnë me tekstile. Veprat e përzgjedhura theksojnë si dimensionet ndërkulturore të materialeve edhe ndërthurjen e tyre me çështjet bashkëkohore. Duke prezantuar objekte, video, tapiseri, e instalacione nga artistët Noa Eshkol, Uli Fischer, Zille Homma Hamid, Heide Hinrichs, Olaf Holzapfel, Elisa van Joolen & Vincent Vulsma, Eva Meyer & Eran Schaerf, Judith Raum, Franz Erhard Walther, David Horvitz, Valbona Zherka, Barbara Prenka, Driton Selmani, Blerim Luzha, dhe Matej Rodiqi, ndër të tjerë, ekspozita shqyrton modelet dhe format e tekstilit të zhvilluar në kushte të veçanta ekonomike dhe strukturave sociale.

Një moment i rëndësishëm i këtij programi është ekspozita retrospektive e artistit Gjelosh Gjokaj, krijimtaria e të cilit prezantohet në GKK pas dy dekadash. Kjo ekspozitë do të sjellë opusin e gjerë të artistit duke filluar nga vitet 1960. I njohur si piktor dhe grafist, punët e artistit Gjokaj përshkohen nga ndikime të realizmit, lirizmit, figuracionit dhe abstraksionit. Kjo retrospektivë do të përfshijë një numër të madh veprash duke i sistemuar nëpër cikle e tematika të veçanta duke përfshirë simbolizmin sintetik, metafizika (robotët, kokat, torzotë), e deri te cikle të ndryshme të pikturave abstrakte. Duke zbuluar ndjeshmërinë bashkëkohore e univerzale të artisti, ekspozita do t’ia mundësojë publikut të rizbulojë rrugëtimin e tij artistik nga prespektiva të reja. Gjelosh Gjokaj, Kokat që gufojnë, 1983.

Gjithashtu, këtë vit do të rikthehet bienalja tradicionale e fotografisë Gjon Mili, e cila ka kontribuar në prezentimin dhe pasurimin e mediumit të fotografisë duke prezentuar artistë ndërkombëtar dhe vendor qysh nga viti 2002. Në edicionin e XVII, Ekspozita Ndërkombëtare e Fotografisë Gjon Mili do të kurohet nga Leonardo Bigazzi, Kurator në Fondazione In Between Art Film dhe Lo Schermo dell’Arte. Bazuar në konceptit kuratorial, me rastin e ekspozitës, galeria do të menaxhojë konkursin e hapur për çmimin e fotografisë për artistët lokal. Si pjesë të programit këtë vit do të shfaqet jeta dhe puna shumëvjeçare e artistit dhe arkitektit Agush Beqiri duke prezentuar objekte të riprodhuara e materiale arkivore. Duke e shtrirë veprimtarinë e vet pothuajse në të gjitha fushat e arteve të aplikuara, Agush Beqiri, arkitekt i objektit të sotshëm të Galerisë Kombëtare të Kosovës, është i njohur për partikën e tij me tapiseri, dizajn industrial. Beqiri ka realizuar një pjesë të sintezës së preferuar në jetën tonë bashkëkohore mes artit dhe industrisë, ndërhyrjeve të artistit dhe objekteve që janë në funksion te jetës së përditshme.

Po ashtu këtë vit, do të realizohen edhe ekspozitat personale të Jetmir Idrizi, Rron Qena dhe Dren Maliqi. Jetmir Idrizi me kuratore Camille Cousin, eksploron tematikat e gjinisë dhe identitetit duke u fokusuar në momente nga jeta, sfidat, përditshmëria, festat, intimiteti, nga komuniteti LGBTQIA+ në Brazil. Rron Qena përmes pikturave të tija do të vë në kontrapunkt qytetin me njerëzit që jetojnë në të. Dren Maliqi me kuratore Cathrine Nichols, do të luajë me idenë e kohës duke rishfaqur veprat e tij të mëhershme që qëllim kanë që të vënë në pyetje rikontekstualizmin e tyre në të tashmen. Krahas këtyre ekspozitave, rol të theksuar do të kenë projektet që kontribuojnë në fushën e edukimit përmes hulumtimeve, botimeve, diskutimeve dhe ligjëratave publike.

Hulumtimi “Arkiva e Trupit. Trupi si Arkivë” nga historianja e artit Anyla Kabashi synon të krijoj një arkivë dixhitale të performancave dhe krijimeve artistike vizuale të cilat e kanë trupin si subjekt dhe medium në kontaktin lokal. Hulumtuesja dhe kuratorja Donjetë Murati do të hulumtojë për publikimin e projektit “Vitet 2000: Një Studim Mbi Pasojat e Kamerës së Telefonit në Botën e Artit në Prishtinë”.

Fondacioni Shtatëmbëdhjetënëkuadër tëEducation+ do të organizojë hapësira sociale reflektuese, të cilat zhvillohen krahas nevojave të skenës sëpavarur dhe audiencës sëgjerë. Ky projekt është dëshmuar i suksesshëm vitin e kaluar, andaj edhe kësaj rradhe është mbështetur pjesërisht programi i tyre “Klasat e Majit”.

Programi i ekspozitave dhe hulumtimeve do të pasurohet me udhërrëfime, punëtori tematike, biseda me artistë dhe kuratorë si dhe bashkëpunime me grupin “Ndërmjetësimin Kulturor”, duke i plotësuar edhe më tej nevojat specifike të GKK.

Programi është përzgjedhur nga Këshilli Drejtues i GKK-së i kryesuar nga Renea Behluli, dhe i përbërë nga anëtarët Linda Gusia, Agron Blakçori, Artrit Bytyçi, Somer Spat, Guri Çavdarbasha dhe Arlinda Hajrullahu / KultPlus.com

Edward Lear, britaniku që pikturoi mrekullinë magjepsëse të natyrës dhe veshjeve shqiptare

Më 29 janar 1888, vdiq piktori britanik Edward Lear

Edward Lear ishte artist, ilustrues, autor, poet, piktor i punësuar për të udhëtuar e vizatuar zogj e kafshë, peisazhe, njerëz e veshje, shtëpi, kështjella në rajonin e Mesdheut; si fushë veprimi Lear zgjodhi Shqipërinë e Greqinë, dhe të gjitha i përfshiu në librat e tij. Lear ishte i njohur si autor me pseudonimin më të gjatë; Prizzikalo Kattefello Ablegorabalus Ableborinto (askush nuk mund të thotë se nga u nis Edward për krijimin e shprehjeve të tilla që tingëllojnë paksa ballkanikë. Edward Lear lindi në një fshat afër Londrës më 12 maj 1812, i 20-i mes 21 vëllezërve e motrave. Endërra e ti ishte ilustrumi i një libri me poezi nga “poeti laureat i Anglisë dhe Irlandës”, Alfred Tennyson.

Gjatë viteve të fundit të jetës, Lear u vendos në një fshat afër Sanremos, Itali, ku edhe vdiq më 1888. Në pllakën e varrit të tij janë gdhendur disa vargje rreth malit Tomor, që Alfred Tennyson i shkroi kur lexoi librin e Learit Mbi udhëtimet në Greqi e Shqipëri.

Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte koha kur Europa zbuloi Shqipërinë. Ishte pikërisht atëherë që udhëtarët e huaj filluan të depërtojnë në këndin më të largët e më të panjohur të Europës, që historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon) e përshkruante si “një vend në fushëpamje të Italisë por më pak i njohur se thellësitë e Amerikës.” Udhëtarët e parë europianë udhëtuan në drejtim të veriut, nga Greqia për në vendin ku sundonte Ali Pashë Tepelena.

Ndër ta ishin diplomati Fransua Pukëvil (François Pouqueville) në vitin 1806, arkeologu Uilliam Martin Lik (William Martin Leake), poeti i famshëm anglez, Lord Bajron dhe bashkudhëtari i tij Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse) në vitin 1809, dhe mjeku Henri Holland (Sir Henry Holland) më 1812-1813. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre shkuan përtej tokave të Ali Pashës, që sot shtrihen në pjesën veriperëndimore të Greqisë dhe në Shqipërinë jugore.

Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ndoshta ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri, ndonëse kjo ndodhi në mënyrë disi të rastësishme. Në shtator të vitit 1848, kur po shkonte në Greqi dhe mbërriti në Selanik, ku e kishte lënë të takohej me shokun e tij të udhëtimeve Çarlz Çërç (Charles Church), atje shpërtheu një epidemi kolere. E vetmja mënyrë për të dalë nga Selaniku dhe për të shmangur një karantinë të gjatë, ishte që të shkonte drejt veriut, drejt një territori të panjohur, përmes viseve të pashkelura shqiptare. Dhe Liri guximtar pikërisht këtë bëri. Ditari i udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, nga Manastiri për në Ohër, Tiranë dhe Shkodër, dhe pastaj prej atje në drejtim të jugut në Himarë, Çamëri dhe Greqi, është një prej librave më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë për këtë vend në gjuhën angleze. R.E.

Durazzo 1848 (Edward Lear 1812 – 1888)

Edward Lear nuk është se ka ndonjë emër legjendë në historinë e pikturës, në botën e artit britanik dhe atë botëror. Por është një artist i mirë i peizazhit dhe i përshkrimeve të udhëtimit. Ai shquhet për delikatesën shprehëse dhe saktësinë e komunikimit përmes pikturave, të cilat na përcjellin me një vërtetësi dhe ngrohtësi jetën dhe peisazhin e Shqipërisë së shekullit XIX. Edward Lear në rrugën e tij për në Lindje qëndroi shumë në Ballkan dhe jo vetëm kaq, por na ka lënë mrekulli përshkrimi dhe një pasqyrë të episodeve nga veprimtarua jetësore e shqiptarëve nga të gjithë trevat.

Kujtojmë se në atë shekull referencat e studiuesve tanë shkruajnë për një lulëzim të Shqipërisë dhe sesi shumë nga qytetet po bënin tregti fitimprurëse në të katër anëtar e Evropës dhe pak më gjerë. Megjithatë niveli në masë social-ekonomik i popullsisë është katastrofal. Sëmundjet, mungesa e kulturës, padija, mungesa e higjienës janë gati proverbiale. Tregon sesi trajtohen gratë si kafshë barre në Himarë, padijen e thellë ngado ku shkon, pisllëkun dhe mënyrën gati primitive të jetesës.

Scutari 1848 (Edward Lear 1812 – 1888)

100 piktura për Shqipërinë

Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851) Lear-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Edwardi krijoi vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100 peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Edward Lear in Greece (Edward Lear në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Edwardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin Edward Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria (Edward Lear në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri dhe Iliria). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe.

Berat 1848 (Edward Lear 1812 – 1888)

Shqipëria, sa e ngatërruar për të huajin”!…

Fragment nga “Ditarët e një peizazhisti në Greqi dhe Shqipëri” të Edward Lear, 1848

Për turistin e pamësuar Shqipëria është një rebus nga më të ngatërruarit. Çfarëdo që ai ka mësuar për emërtimet e vjetra Epir, Molosët, Tesprotët etj. kalaqafet dhe ngatërrohet nga emrat e njësive administrative turke dhe pashallëqet; për më tepër, si kërcu përmbi samar, turistin e shkretë e hutojnë edhe më keq një takëm emrash autoktonë si Çamëria, Dibra etj. Dhe sapo ai nis të kuptojë potpurinë laramane që banon këto provinca – grekë, sllavë, shqiptarë, bullgarë ose vllahë, përsëri pëson një trullosje nga një listë tjetër nënndarjesh, lebër, mirditorë, himarjotë dhe toskë. Raca, fe dhe emërtime kombëtare duken të përcaktuara kaq keq ose kaq të korkolepsura, sa në fund turisti do të dorëzohej i dëshpëruar nga ky studim shashtisës, nëse nuk do i vinin në ndihmë shumë libra të shkëlqyer që janë botuar lidhur me këtë temë.

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Udhëtimi nëpër Çamëri vazhdon….!

Zbritja e një qafe mali në Sul, mendimet e mia pushtoheshin nga peizazhi mahnitës, këto mendime lidhnin luftërat e njerëzve të cilët në mënyrë heroike luftuan për pavarsinë e tyre.

Grykat e frikëshme të Sulit nuk mund të përshkruhen më mirë se në fjalët e Kolonel Martin Leake: “Një përroskë e thellë, formuar nga bashkimi i dy maleve të mëdha të Sulit dhe Zikuratit, një nga grykat më të errta e më të thella në mbarë rajonin,dy anët e maleve të mbuluara me lisa e me pisha, rruga mund të kalohej vetëm në këmbë…!

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Mbaja veten me shpresë, derisa unë ia dola dhe shpëtova nga lugina e lumit Akeron, normal që do ja dal të paktën ti kaloje edhe keto shpate të thepisura Suliote. Këtu afër, në një majë, Ali Pasha ndërtoi një kështjellë,shpresoj që të kalojë natën aty brenda mureve të saj. Pak kështjella mund të konkurojnë në kujtesën time,për nga egërsia e kësaj kështjelle të Suli-Kastros,vetëm shkretëtirat e Sinait, mund të krahasohen me këtë pamje piktoreske e të çuditshme. Do më  pëlqente të qëndroja më gjatë e ti studioja më nga afër këto shtëpi hijerënda të Çamërisë (Tzamouria).

Më pas shoqëruesi im mori drejt Pargës, ku gjetëm një shtëpi shumë të mirë,e mund të rehatoheshim disi nga vapa përvëluese e mesit të zhegut. Pasdite,afër  mbrëmjes kam bërë vizatime të shumta nga të dyja anët e kepit të Pargës, edhe pse çdo pikë këndvështrimi ishte e bukur. Binte në sy një peizazh shqiptarë,kishte më shumë një karakter kalabrez të bregdetit. Por, në dritën e mbrëmjes ku dukeshin lezetshëm ndërtesat e vjetra,ku nën  këmbët e shkëmbinjve valët murmurisnin,dukej sikur degët e ullinjve pëshpërisnin mbi kokën time. Në dritën e gjithë kësaj, unë ndjeva në ankth, si do mund të largohem nga Parga. Pamja qe më shfaqej para syve, me turbullonte,në isha duke parë ëndër, apo në realitet, dhe unë uroja me gjithë zemër,për të pasur një shans të dytë për ta parë sërisht Pargën e bukur. Kështjella e Pargës ka pasur një rëndësi tepër të rëndësishme për Korfuzin,dhe krahasohej nga venecianet si “Syte dhe veshet e Korfuzit”

Edward L​ear, britaniku qe skicoi mrekullite e natyres dhe jetes shqiptare te shekulllit XIX

Paramythia, së shpejti filluam të zbresim në fushat e gjelbërta e të gjera të këtij qyteti të lashtë, vihej re në veri të qytetit kështjella e gurte e mbështetur pas maleve dhe shpateve me forma të magjishme,poshtë kësaj kështjelle janë të shpërndara vendbanimet e grupuara piktoreske të përzier a me selvi dhe të gjitha llojet e pemëve, viheshin re ndërtimet e  kishave dhe xhamive me gurë të punuar bukur. Para se të largohej nga qyteti, Edward Lear pikturoi një vajzë shqiptare nga Paramithia të cilën e portretizoi bukur me penelin e tij, po ashtu në kujtimet e tij ai nuk harroi të përshkruante bukurinë dhe hijeshinë e vajzës nga Çamëria….! /albertvataj/ KultPlus.com

Historia e Emiljana Ulajt, shqiptaro-amerikanes së dytë në Këshillin e Bashkisë së Uestçesterit

Ditë më parë politikania shqiptaro-amerikane nga radhët e Partisë Demokrate, Emiljana Ulaj, bëri betimin për postin e anëtares së Këshillit të Bashkisë së Uestçesterit në Nju-Jork.

Ulaj është emigrantja e katërt dhe e dyta me origjinë shqiptare, pas Vedat Gashit, që siguron një vend në Këshillin me 17 anëtarë të kësaj bashkie. Ajo është gruaja e parë shqiptaro-amerikane që merr këtë rol në Uestçester.

“Ishte një ditë e madhe dhe emocionuese, shumë domethënëse për mua si një emigrante, refugjate që erdhi në këtë vend në moshën 10 vjeçare, pa njohuri të gjuhës angleze, të cilës më vonë iu kërkua që të futet në garë për anëtare bashkie dhe që u zgjodh në atë rol. Kjo do të thotë shumë dhe flet mbi atë se sa i mrekullueshëm është ky vend, që u jep këto mundësi emigrantëve. Të gjithë të shtypurit kudo në botë mund ta dëshmojnë këtë. Unë mendoj se Amerika është një fener ndriçues, që nëse jeni i përndjekur kudo në botë, ëndrra juaj është që të vini këtu. Sepse ky është vendi ku nuk ka rëndësi emri i familjes suaj dhe e kaluara juaj. Nëse punoni, mund të arrini”, thotë Ulaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Familja e Ulaj u largua nga Shqipëria më 1997, kur vendi ishte zhytur në një krizë të thellë, disa vite pas rënies së diktaturës komuniste. Ajo dhe familjarët e saj qëndruan si refugjatë në Itali për gati një vit, para se të fitonin azilin në Shtetet e Bashkuara.

“Një mëngjes, një familjar i nënës sime trokiti në derën tonë në ora 5 dhe na tha se një anije po largohet drejt Italisë. Na tha se nëse duam të largohemi, duhet të ikim tani. Familja vendosi që të largohej atë mëngjes. U larguam papritur. Ishte një kohë kur gjithçka ishte e frikshme. Shkollat ishin mbyllur. Kishte tanke nëpër rrugë. Njerëzit blinin armë, që të tjerët të qëndronin larg shtëpive të tyre. Ishte një kohë e pasigurt dhe e frikshme”, thotë Ulaj.

Megjithëse kanë kaluar vite, Ulaj, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara në moshë të re, vazhdon të kujtojë vuajtjet e të parëve të saj gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Ajo thotë se historitë me të cilat është rritur, kanë ndikuar në ambiciet dhe formësimin e saj si politikane.

“Familja e nënës time ka qenë e persekutuar ashpër gjatë komunizmit në Shqipëri. Ata vranë shtatë burra të familjes së saj. Gjyshi im ishte burgosur për dhjetë vite dhe më pas jetoi në një kamp internimi pothuajse gjithë jetën e tij, deri kur demokracia erdhi në Shqipëri. Në kampin e internimit ai takoi gruan e tij, gjyshen time, familja e së cilës ishte e persekutuar po ashtu. Gjithmonë kam dëgjuar këto histori nga nëna ime, vuajtjet e tyre gjatë atij regjimi politik. Të gjitha këto përvoja, histori të nënës sime, janë në mendjen time. Shpresoj se ka jetë pas vdekjes, që gjyshi im, i cili vuajti aq shumë, të shoh mbesën e tij në Amerikë, që është bërë pjesë e politikës dhe po ndihmon të tjerët”, thotë ajo.

Mandatin e saj në Këshillin Bashkiak, zonja Ulaj e sheh si një mundësi për të përmirësuar jetët e njerëzve. Disa nga përparësitë kryesore të saj janë strehimi i përballueshëm dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme.

“Shumica e njerëzve që jetojnë me qira janë të rënduar nga çmimet e larta. Të moshuarit dhe ata me atë ardhura fikse kanë jetë të vështirë. Të rinjtë, pasi mbarojnë studimet nuk mund të përballojnë një apartament. Dikur qiraja ishte një sakrificë që dikush e bënte për të kursyer para për të blerë një shtëpi. Njerëzit nuk po mund të kursejnë dhe kjo sjell probleme tjera. Shtëpia është investim për të ardhmen, pensionin tuaj. Përveç kësaj, ne kemi një planet që duhet ta mbrojmë për gjeneratat e ardhshme, duke ndërtuar burime të energjisë së ripërtëritshme. Zgjerimi i transportit publik është një çështje tjetër. Po ashtu dua të shoh mundësitë e angazhimit të të rinjve në procese, të dëgjojmë zërat e tyre, sepse ata do të trashëgojnë vendimet tona, prandaj duhet të kenë zë në vendimet që marrim”, thotë ajo.

Ulaj thotë se në qendër të mandatit të saj të parë janë edhe të rinjtë e komunitetit shqiptaro-amerikan, në veçanti ata që duan të angazhohen në politikë.

“Një nga sfidat më të mëdha kur rritesh si gjeneratë e parë emigrantësh është që, kur ke interesim për diçka nuk di çfarë të bësh, nuk i ke lidhjet e duhura. Prindërit e mi nuk i kishin lidhjet që unë të gjeja një punë si praktikante, ose nëse doja të merresha me politikë, nuk dija kujt t’i drejtohesha. Nuk dija me kë të flisja, që të më orientonte në atë fushë. Prandaj, dua të jem një burim për ta, përmes grupeve të shoqërisë civile, që ata të kenë ku të drejtohen, që të lidhen me njerëzit e duhur nëse duan të angazhohen në politikë, t’u tregojë hapat konkret se çfarë duhet të bëjnë”.

Megjithëse nuk dihen të dhënat e sakta, sipas zonjës Ulaj, rreth 15 mijë nga gati 1 milion banorët e Bashkisë së Uestçesterit janë shqiptaro-amerikanë.

Bashkia e Uestçesterit është e shtata në Nju-Jork për nga numri i popullsisë, me një buxhet prej 2.8 miliardë dollarësh./VOA / KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton 25 vjetorin e Masakrës në Rogovë të Hasit: Kërkesa për drejtësi është e domosdoshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 25 vjetorin e Masakrës në Rogovë të Hasit.

Presidentja është shprehur se kjo masakër është një nga krimet më makabre në historinë e Kosovës ku forcat e regjimit gjenocidal të Milloshëviqit sulmuan brutalisht fshatrat Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës dhe masakruan 9 civilë, teksa në altarin e lirisë ranë edhe 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përkujtimi i plotë i Presidentes Osmani:

Më 27, 28 dhe 29 janar 1999, ndodhi një nga krimet më makabre në historinë e Kosovës – Masakra e Rogovës së Hasit. Forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, sulmuan brutalisht fshatrat Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës dhe masakruan 9 civilë, teksa në altarin e lirisë ranë edhe 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk do t’i harrojmë asnjëherë jetët e pafajshme të marra në mënyrë brutale, sikurse edhe ata që ranë për lirinë tonë!

Në përvjetorin e kësaj masakre, kërkesa për drejtësi është e domosdoshme në mënyrë që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më!

Qoftë i përhershëm kujtimi për dëshmorët dhe martirët e Rogovës së Hasit! / KultPlus.com

Dy romane të Ahmet Prençit do të promovohen në KultPlus Caffe Gallery

“Anja” dhe “Brenga e Prokurorit” janë dy romane të autorit Ahmet Prençi që kanë shënjuar një udhë të qartë për te lexuesi. Në Tiranë dhe në Shqipëri romanet, si rrallë kohëve të fundit, kanë tejkaluar autorin, aq sa shpesh ai thërritet në emrat e dy personazheve kryesor që mbajnë gjallë linjat e subjekteve, Anton Hilës dhe Martin Gurit. Pas pritjes jo me pak interes në qarqet letrare dhe më tej të veprave të tij, Ahmet Prençi vjen edhe në Prishtinë.

Më 3 shkurt, në KultPlus Caffe Gallery dashamirësit e letërsisë në përgjithësi dhe të romanit në veçanti do të njihen me një shkrimtar të rrallë.

Të rrallë për vetë faktin që ai vjen nga radhët e sistemit të drejtësisë dhe në fakt në të dy romanet që do të paraqiten për lexuesin fin të Kosovës, kanë në qendër të drejtën, betejën për të dhe fitoren nëpërmjet saj.

Nëse Anja është romani i dashurisë, Brenga është romani i dilemës së madhe ekzistenciale, është një manual të të bërit drejtësi, aq sa çdo punonjës i këtij sistemi, ndër ne, duhet ta ketë udhërrëfyes në çdo çastshmërinë e punës së tij. Ju ftojmë të ndajmë bashkë mendime mbi këto dy romane, që na diktojnë një autor të veçantë që duhet patur në vëmendje, jo vetëm nga lexuesi…

Promovimi i dy romaneve të Ahmet Prençit do të bëhet më 3 shkurt, në ora 11:00./ KultPlus.com

Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Sistemi #1 i edukimit në botë, i ofruar nga Shkolla Finlandeze tani do të ofrohet edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm për çdo familje në Kosovë, duke filluar nga 195 EUR në muaj. Mëso më shumë: https://bit.ly/4bfVpm1

Sistemi finlandez i edukimit, vlerësohet si ndër më të mirët në botë dhe zakonisht rankohet si më i miri çdo vit edhe në rankimet e PISA. Këtë model të edukimit në Kosovë e ofron Shkolla Finlandeze. Deri më sot, programet e shkollës janë ofruar vetëm në gjuhën angleze, mirëpo prej këtij viti, fëmijët do të mund të regjistrohen në Shkollën Finlandeze në Kosovë edhe në programin në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm, që në baza mujore fillon prej 195 eurove.

Çka është programi IMPACT?Shkolla Finlandeze synon që përmes Programit IMPACT të sjellë praktikat më të mira të sistemit finlandez në gjuhën shqipe dhe me kosto të përballueshme shkollimi. Programi IMPACT, kombinon kurrikulën e Kosovës dhe praktikat më të mira të sistemit finlandez, për të gjithë nxënësit nga parashkollori deri në klasën e 12. Me programin IMPACT, të gjitha familjet kosovare do të kenë mundësi të pafunda të zhvillimit të tërësishëm të fëmijëve me qasje inovative të të mësuarit, praktika këto që e kanë bërë Shkollën Finlandeze, shkollën #1 në rajon.

Sistemi #1 në botën i edukimit, tani edhe në gjuhën shqipe – Në kohë kur sistemi arsimor në vend është i pazhvilluar, Shkolla Finlandeze ofron sistemin e shkollimit që vlerësohet si ndër më të mirët në botë dhe zakonisht rankohet si më i miri çdo vit edhe në rankimet e PISA.

“Përmes programit IMPACT synojmë edukimin e fëmijëve përmes praktikave më të mira finlandeze të të mësuarit. Duke gërshetuar kurrikulën e Kosovës me sistemin Nr. 1 të edukimit në botë, Shkolla Finlandeze sjell inovacion në edukim duke përgatitur nxënësit përmes teknologjisë, lojërave, arteve, dhe shkencave,” ka thënë themeluesi i Shkollës Finlandeze në Kosovë, Alejtin Berisha.

Meprogramin e ri Shkolla Finlandeze po iu jep qasje fëmijëve në sistemin finlandez të edukimit. Kjo mundësi siguron që çdo fëmijë të zhvillohet në një ambient ndryshe të të mësuarit. Të gjithë prindërit e interesuar për regjistrimin e fëmijëve të tyre duhet të plotësojnë formën në këtë link: https://bit.ly/4bfVpm1

E bardha s’është veç një ngjyrë


Visar Emerllahu

“Bardhesitë” nuk janë më hiret e askujt
“Bardhësitë” parajsën zaptuan
Hapën pellgje ku fshihnin mortajën
Aty ku lahesha me ëndrra
Paqen kishin lyer me të bardhë
Mbi të shkrepnin rrufe gënjeshtrash
Derisa mashtrimi pikëlonte si rigë shiu.
Ngjyra që qenia prehet duke nusëruar ndjenjat
Uratat u bënë çamçakeza, përtypeshin lehtë
Fryheshin e plasnin si tullumbace.
Vdekja pikturon çdo moment
Nxin shpirtin për t’i dhënë jetë vuajtjes!
Gruri nuk e bën bukën, gatuajmë me pluhur
Jo të tokës, por të perjetësisë!
Une e ti, që vdesim e dhimbjen lëm jashtë
Ajo vazhdon të jetoj në vaje zemrash
Trëndafilat e bardhë mbështjellin varrin
Që hapën “bardhësitë”!

E bardha s’është veç një ngjyrë,,, / KultPlus.com

Pesë fakte për njeriun gjaknxehtë të dueleve dhe përballja fatale e lirikut rus, Alexandër Pushkin

Vdekja e poetit të madh ka marrë një status thuajse mitik në kulturën ruse. Këtu janë pesë fakte interesante për këtë ngjarje të rëndësishme në histori, të cilat rreken të hedhin dritë mbi të vërtetat, shpesh të devijuara rreth asaj që çoi në fundin fatal të poetit dhe njeriut të dueleve.

Shumica e rusëve do t’ju thonë se fryti i preferuar është një mollë dhe poeti i tyre i preferuar është Pushkin. Për një burrë apo një grua, ata e dinë se poeti më i dashur i vendit dhe babai i gjuhës letrare moderne ruse, vdiq nga një vdekje e dhimbshme pas një dueli, duke i falur të gjithë ata që i kishin bërë keq. Si në shumë duele, shkaku i mosmarrëveshjes ishte një grua.

1. Sfida e dytë

Pushkin ishte një njeri impulsiv dhe mori pjesë në shumë duele. Në të vërtetë, dueli i tij fatal ishte hera e dytë që ai sfidoi Georges d’Anthès, një oficer francez në Gardën Ruse, për shkeljen e nderit të tij.

Rasti i parë ishte në nëntor të vitit 1836, kur ai mori një letër anonime të quajtur “Certificate of a Cuckold”, e cila përmbante një aludim të qartë për pabesinë e gruas së tij, Natalya Goncharova. Kishte thashetheme në Shën Petersburg, se Car Nikolla I mbante një qiri ndezur për Goncharova, por ishte e qartë se Pushkini nuk mund të sfidonte sundimtarin suprem rus, kështu që ai zgjodhi opsionin e dytë të mundshëm, atë të d’Anthès, i cili gjithashtu përflitej si dashnori i bashkëshortes së poetit. Sidoqoftë, francezi d’Anthès për të zhmanguar përshkallëzimin e situatës që mund t’i çonte ata në duel, u tregua finok dhe i zgjuar duke i propozuar, motrës së gruas së Pushkinit, Ekaterina Goncharova, veprim i cili do të nxiste poetin të anulonte sfidën.

Thashethemet filluan të qarkullojnë përsëri pas dasmës dhe poeti, duke menduar, siç bëri me letrën e parë, se burimi i tyre ishte Baron van Heeckeren, ambasadori holandez në Rusi dhe babai i birësues i d’Anthès, i cili i shkroi një letër më përmbajtje dyshuese. Komentet e pakënaqshme që Pushkin bëri ndaj ambasadorit dhe djalit të tij të adoptuar, bënë që Heeckeren të shpallte se sfida fillestare ishte ende e vlefshme.

2. Gama e ngushtë

Dueli u zhvillua në Chernaya Rechka në periferi të Shën Petersburgut dhe pati kushte jashtëzakonisht të ashpra. Në vendet e tjera evropiane, duelistët zakonisht gjuanin kundër njëri-tjetrit në një distancë prej 25-30 hapash, por në këtë rast distanca ishte vendosur në vetëm 10 hapa.

D’Anthès qëlloi i pari dhe plagosi rëndë Pushkinin në stomak. Pushkin u rrëzua në tokë, por ishte në gjendje të qëllonte kundër kundërshtarit të tij, duke e goditur atë dorën e djathtë. Dy ditë më vonë, më 29 janar të vitit 1873 poeti vdiq.

3. Reagimi i perandorit

Duelet në Rusi ishin ndaluar nga Pjetri i Madh dhe kështu zhvilloheshin në fshehtësi. Dënimi për pjesëmarrje në to është i rëndë, ndonjëherë edhe me vdekje. Teksa ishte duke vdekur, Pushkin arriti të merrte faljen e Nikollës I.

Nikolla siguroi familjen e poetit të vdekur: ai pagoi borxhet e Pushkinit, urdhëroi që familjes t’i paguhej një grant i njëpasnjëshëm prej 10,000 rubla, duke i dhënë gjithashtu një pension të vesë dhe vajzave të saj.

Cari i hoqi d’Anthès titullin ushtarak dhe e internoi nga Rusia. Ai shoqërohej nga gruaja e tij, kunata e Pushkinit. Çifti vazhdoi jetën normale dhe të kishte katër fëmijë. Sipas një bashkëkohësi, ai thoshte se mërgimi nga Rusia i mundësoi të kishte një “karrierë të shkëlqyer politike” në Francë.

4. Helena ruse e Trojës

Disa njerëz mendojnë se Natalya Goncharova ishte përgjegjëse kryesore për vdekjen e burrit të saj, pasi ajo ose nuk ishte në gjendje ose nuk dëshironte t’i jepte fund thashethemeve që e lidhnin atë me d’Anthès. Poetja Anna Akhmatova e quajti atë një “bashkëpunëtor të Baron van Heeckeren, ambasadori holandez në Rusi dhe babai i birësues i d’Anthès, në ndërtimin e duelit”, ndërsa Marina Tsvetaeva shkroi për gruan e Pushkinit, Natalya Goncharo: “Një bukuri dhe asgjë tjetër, vetëm një bukuri, pa tru, një shpirt, një zemër, pa asnjë talent. Bukuri nudo, që godet si shpatë. Dhe ajo goditi shumë rëndë.”

Pas Luftës së Dytë Botërore, dy nga letrat e D’Anthès, nga viti 1836 u botuan në Paris. Në to ai përshkruan apasionimin e tij me “krijimin më të mrekullueshëm në Shën Petersburg”, duke shkruar se ajo, Natalya Goncharova, ndiente shumë për të dhe i shoqi ishte “shumë xheloz”. Megjithatë, letrat thonë gjithashtu se ajo nuk është e gatshme “të thyejë angazhimin e saj” ndaj burrit, Alexander Pushkin.

Nuk ka konsensus për këto letra. Disa studiues besojnë se d’Anthès nuk po shkruan për Goncharova, ndërsa të tjerë mendojnë se ai thjesht po përpiqej të largonte thashethemet për marrëdhënien e tij të supozuar seksuale me Baron van Heeckeren.

5. Pushkin duelist

Poeti i madh rus, Alexander Pushkin mendohet se ka “hedhur dorashkën” në më shumë se 20 sfida dueli, duke marrë pjesë vetëm në shtatë përballjes. Katër prej tyre rezultuan me duele, ndërsa të tjerat u shmangën kryesisht falë miqve të poetit. Pushkin ishte vetëm 17 vjeç kur bëri sfidën e tij të parë. Ai u ofendua që xhaxhai i tij, Pavel Gannibal, i cili i mori pa leje vajzën, me të cilën ai po kërcente në një ballo. Mirëpo, meshkujt u kompletuan shpejt dhe dueli nuk u zhvillua.

Pushkin ishte i njohur si gjuajtës ekspert, por ai kurrë nuk gjuajti i pari në duele dhe derdhi gjakun e kundërshtarit vetëm një herë: në përballjen e fundit me d’Anthès, e cila rezultoi të ishte fatale.

Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com

Fustani i Princeshës Diana shitet për më shumë se një milion euro

Një fustan i veshur nga Princesha Diana në 1985 u shit për 11 herë çmimin e tij origjinal. Fustani i zi i mbrëmjes u shit në një ankand në Hollywood për 1.150.000 euro. Ky është rekordi për shitjen e pjesëve të modës të veshura nga princesha.

Fustanin e vlerësuar rreth 100 mijë euro, Princesha Diana e veshi në Firence në vitin 1985 në një darkë. Ajo ishte në shoqërinë e burrit të saj të atëhershëm, Princit Charles, i cili tani është mbreti britanik.

Më pas ajo e veshi përsëri në një koncert të orkestrës simfonike në Vankuver, Kanada një vit më vonë. Ai është bërë nga një pëlhurë e përzgjedhur nga tregtari i famshëm i tekstilit Jakob Schlefr, mbi të cilin janë qëndisur me kujdes yjet. Fustani është punuar me dorë nga ekipi i dizajnit të krijuesit Jacques Azaguri./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton masakrën në Rogovë të Hasit: Përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës, plagët e krimeve që nuk vjetrohen

Sot u bënë 25 vjet nga masakra që është kryer nga forcat serbe në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe shumë civilë të fshatit, përcjell KultPlus.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Këtë ngjarje të rëndë për popullin e Kosovës, sot e ka kujtuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale është shprehur se përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës. Plagët e krimeve që nuk vjetrohen.

Kryeministri tutje është shprehur se Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i fal krimet e kryera nga Serbia.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës. Plagët e krimeve që nuk vjetrohen.

Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia.

Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe i vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te ҫlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore.

Atëbotë ranë duke luftuar 21 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëntë civilë shqiptarë.

Të monumentalizuar në historinë e re të Kosovës, një çerek shekulli më pas i kujtojmë me emrat e tyre të rënët në ato ditë janari: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Xhevdet Berisha, Ibrahim Kryeziu, Adem Shala, Zyber Shala dhe Rifat Shala.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta! / KultPlus.com

Diva italiane, Sandra Milo vdes në moshën 90-vjeçare

Sandra Milo vdiq sot në moshën 90-vjeçare.

Aktorja, këngëtarja, prezantuesja dhe diva e ekranit të vogël dhe të madh thuhet se ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj e rrethuar nga të dashurit e saj.

“Sandrocchia”, siç e quante Federico Fellini, për të cilën ishte një muzë, ishte një nga aktoret më të njohura të kinemasë italiane.

Sandra Milo, emri i vërtetë i së cilës ishte Salvatrice Elena Greco, lindi në Tunis më 11 mars 1933. Ajo ka luajtur në rreth 70 filma.

Një socialiste në kohën e Bettino Craxi (kryeministër i Italisë nga viti 1983 deri në vitin 1987), me të cilin ka qënë në një lidhje për dy vjet, dhe e dashura e regjisorit Federico Fellini prej 17 vitesh (gjë që e ka rrëfyer për herë të parë në emisionin “Porta a Porta” në vitin 2009), mund të thuhet se ka bërë një film të vërtetë të jetës së saj emocionale.

Në vitin 2021 ajo mori çmimin “David di Donatello” për arritjet në karrierë, i konsideruar si Oscar- e Italisë./atsh / KultPlus.com

Xhaferi e pranon detyrën e kryeministrit në RMV: Kjo do të jetë puna primare e qeverisë

Për herë të parë në histori, sot në zyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do ta drejtojë shqiptari Talat Xhaferi.

Pas ceremonisë së pranimit të detyrës, kryeministri i ri dhe paraardhësi i tij mbajtën një konferencë për mediat.

Xhaferi u shpreh se kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilës ai do ta mbështesë çdo veprim dhe vendim në qeveri.

Ai u shpreh se detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër duke e përsëritur atë që kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri”.

“Detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike të rregullta presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024 dhe për këtë qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore dhe në bashkëpunim me kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, BE dhe ShBA, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vet zgjedhjeve, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë”, është shprehur ai.

Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 8 maj./ KultPlus.com

Përkujtohet Myfit bej Libohova, diplomat e “pagëzuesi” i Lekut shqiptar

Më 29 janar 1846, lindi Myfit bej Libohova.

Libohova, delegati i Kuvendit të Vlorës, shërbeu si ekonomist, diplomat dhe politikan. Gjatë Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, pati detyrën e Ministrit të Brendshëm. Në vitet 1913-1927, mbajti poste të ndryshme qeveritare. Qe titullar i Ministrisë së Drejtësisë, i Ministrisë së Brendshme, i Ministrisë së Financave dhe i Ministrisë së Kulturës.

Ishte mbështetës i fortë i Zogut dhe ndihmoi në rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit, disa muaj pas Revolucionit të Qershorit.

Libohova konsiderohet si “pagëzuesi” i Lekut shqiptar, pasi propozoi emrin e valutës dhe ushtronte asokohe detyrën e ministrit të Financave. Libohova ka qenë gjithashtu anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), një institucion i përkohshëm që prej dorëheqjes së Ismail Qemalit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi në rrjetet sociale, njoftimin e caktimit të Libohovës si anëtar i KNK-së, si edhe urimet për këtë zhvillim./ atsh / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot me aktivitet në Ferizaj

Në Bibliotekën Komunale “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, sot, ditë e hënë, në orën 13: 00, PEN Qendra e Kosovës, organizon takim letrar me lexues dhe krijues të rinj.

Dy tema do të jenë në program. “Si shkruhet drama”, që do të paraqitet nga studiuesi dhe shkrimtari, Milazim Krasniqi dhe “Përse shkruajmë” që do paraqitet nga poetja Dije Demiri-Frangu. / KultPlus.com

25 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit e kryer nga forcat serbe (FOTO)

Sot u bënë 25 vjet nga masakra që është kryer nga forcat serbe në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe shumë civilë të fshatit.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli. / KultPlus.com

164 vite nga lindja e Anton Çehovit, një prej shkrimtarëve më të mirë që ka njohur bota

Sot, shënohen 164 vite nga lindja e Anton Çehovit, shkrimtar dhe dramaturg i njohur rus i cili konsiderohet edhe si njëri prej shkrimtarëve më të mirë që ka njohur bota.

Anton Pavlloviç Çehovi lindi më 29 janar 1860 e vdiq me 15 korrik 1904.

Ishte fizikan, dramaturg dhe autor rus i cili konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj i tregimeve të shkurtra. Karriera e tij si dramaturg përfshin katër klasike dhe tregimet e tij të shkurtra më të mirat janë mbajtur në vlerësim të lartë nga shkrimtarët dhe kritikët. Çehovi kreu praktikën për doktor medicinal jashtë karrierës së tijː “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, ka thënë ai, “dhe letërsia është e dashura ime”.Bashkë me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër.

Çehovi hoqi dorë nga teatri pas çastit të marrjes së shkatërrimit të veprës “The Seagull” në vitin 1896, por vepra u gjallërua për të bërë bujë në vitin 1898 nga Teatri i Moskës “Constantin Stanislavski,” e cila më pas prodhoi edhe veprën tjetër të Çehovit “Uncle Vanya” dhe dha premierë dy dramat e tij të fundit “Three Sisters” dhe “The Cherry Orchard”. Këto katër vepra paraqesin një sfidë për aktorët ashtu edhe për audiencën, sepse në vend të veprimeve konvencionale Çehovi ofron një “teatër të humorit” dhe “një përmbytje të jetës në tekst”.

Çehovi e pati tregimin e tij të parë vetëm për përfitime financiare, por me rritjen e ambicies artistike, ai bëri inovacione formale të cilat kanë ndikuar në evolucionin e tregimeve të shkurtra moderne. Ai nuk kërkoi falje për vështirësitë që paraqiste për lexuesit, duke insistuar se roli i një artisti ishte të bënte pyetje, jo të jepte përgjigje! / KultPlus.com

Sot Maqedonia e Veriut bëhet me kryeministër shqiptar, Xhaferi e merr funksionin

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta kuvendare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, ndërsa zgjedhjet e shtata presidenciale më 24 prill. Deri në formimin e qeverisë së re në fund të qershorit, vendi do të udhëhiqet nga qeveria teknike e kryesuar nga kryeministri Talat Xhaferi.

Kjo qeveri kalimtare u zgjodh dje me 65 vota “për” dhe tre “kundër”. Opozita maqedonase ishte në sallë, por abstenoi nga votimi, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk morën pjesë fare në seancë.Në Qeveri sot është planifikuar të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës në mes të kryeministrit aktual Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Qeverisë kalimtare Talat Xhaferi. Pas mbërritjes në objektin e Qeverisë, është planifikuar që kryeministrat Kovacevski dhe Xhaferi të kenë një takim të shkurtër. Pritet që të ketë pranim-dorëzim funksionesh në të gjitha ministritë.

Xhaferi, dje në fjalimin e tij para deputetëve në seancën plenare të 141-të, tha se për të si mandatar i kësaj Qeverie, “nuk ka dallim nëse është një apo 100 ditë, Qeveri teknike apo kalimtare”.

“Dua t’ju siguroj se në asnjë moment nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë të jesh një institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe një institucion me kompetenca të qarta të përcaktuara me Kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të qeverisjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Xhaferi.

Xhaferi përsëriti se e pranon mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë dhe me shpresë se ministrat e propozuar do t’i përmbushin pritjet.

Në përbërjen e qeverisë kalimtare, Bojan Mariçiq është zëvendëskryeministër i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për çështje evropiane, ndërsa Artan Grubi është ministër i sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve. Me propozim të OBRM-PDUKM-së, ministër i Punëve të Brendshme është Pançe Toshkovski, ndërsa për Punë dhe Politikë Sociale Gjoko Velkovski.

Krenar Loga – ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kresnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, Ljupço Nikolovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti – Mministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit, Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës, Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Blagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova – ministre e Mjedisit, Fatmir Bytyqi – ministër pa portofol përgjegjës për çështjet ekonomike dhe Slavica Grkovska – ministre pa portofol përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë.

Ndryshe, Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për 8 maj. Mandati i Qeverisë kalimtare zgjat nga zgjedhjet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për deputetë dhe zgjedhjen e qeverisë së re politike. / KultPlus.com

Pylli i Fazanëve në Maliq, ‘pushtohet’ nga sorkadhet

Pylli i Fazanëve në Maliq, një atraksion turistik vetëm 10 km larg qytetit të Korçës, në këto ditë dimri është pushtuar jo vetëm nga fazanët nga i cili ka marrë emrin dhe pylli por dhe nga sorkadhet.

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të rubrikës “Beautiful Albania” ndau foto të këtij pylli, teksa shfaqen pamje përrallore, ku trashësia e dëborës në këtë pyll ka shkuar mbi 20 centimetër.

Me një peizazh fantastik në një sipërfaqe prej 50 hektarësh, ky pyll gëzon statusin e monumentit natyror, ndërsa fazanët janë simboli i monumentit të natyrës./ atsh / KultPlus.com