Stefano Bollani mbajti koncert në Shqipëri

Mbrëmjen e djeshme në TKOB performoi pianisti Stefano Bollani, një nga pianistët më të njohur në skenën evropiane. Ky ishte koncerti i tij i parë, në Shqipëri.

Bollani, një personazh eklektik, me një formim solid klasik dhe veprimtari të gjatë në jazz, u duartrokit gjatë nga publiku i Teatrit të Operas e Baletit. Përveç repertorit të tij, Bollani interpretoi edhe pjesën shqiptare “Kallma cigaren”.

Gjithashtu Stefano Bollani është kompozitor, krijues si dhe pjesëmarrës në shfaqje televizive. Ai ka interpretuar me Orkestrën Filarmonike “Filarmonica della Scala”, Gewandhaus të Leipzig-ut, Concertgebouw të Amsterdamit, Orchester de Paris dhe në disa raste me Orkestrën e Santa Cecilia, të drejtuar ndër të tjerë, nga James Conlon, Daniel Harding dhe Antonio Pappano.

Interpretimi i tij edhe në skenën e Tiranës ishte një vlerë e shtuar për TKOB. Eventi u mbështet nga  Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

Akile Tasi, intelektuali dhe ministri i persekutuar nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi(1891-30 janar 1961).

Tasi, lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Arsimin e mori në vendlindje dhe e përfundoi në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pranë diasporës shqiptare, ai bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën në federatën “Vatra”. Emri i tij lidhet dhe me gazetën “Dielli”.

Kthehet në Shqipëri më 1929. Për disa vite organizon bibliotekën e Oborrit Mbretëror. Më 1932 caktohet drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe do t’a drejtonte këtë institucion deri në vitin 1941. Për një kohë të shkurtër do të kthehej në Përmet.

Zgjidhet deputet në Kuvendin Kombëtar në vitin 1943 dhe caktohet drejtues i gazetës “Bashkimit i Kombit”. Më 1944 caktohet Ministër i Kulturës Popullore.

Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Në dhjetor 1944 arrestohet nga partizanët. Do të dënohej me 20 vjet heqje lirie nga i famëkeqi Gjyqi Special. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit, Vloçishtit, Bedenit, si dhe në burgun e Burrelit.

Teksa vuante nga një gjendje e rëndë shëndetesore, atij iu refuzua çdo lutje me shkrim drejtuar autoriteteve. Ndërron jetë më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës./ atsh / KultPlus.com

“Poetika e dramës moderne” bën bashkë në një diskutim Muhamedin Kullashin dhe Fadil Hysaj

“Poetika e dramës moderne” vjen si një ngjarje tërheqëse në Qendrën Libart, duke i bërë bashkë në një diskutim akademik Muhamedin Kullashin si dhe dramaturgun e regjisorin Fadil Hysaj, në mënyrë që të eksplorojnë dhe të thellohen në dimensionet artistike dhe letrare të dramaturgjisë bashkëkohore, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje na fton të mendojmë dhe të njihemi me botën dinamike të teatrit modern, duke hedhur dritë mbi aspektet e risive poetike që formësojnë rrëfimet e shfaqjeve të sotme.

Profesor Hysaj, i njohur për kontributet e tij në botën e dramës dhe teatrit, dhe profesor Kullashi, me këndvështrimin e tij unik, do të angazhohen në një bisedë që premton të zbulojë ndërlikimet e rrëfimit në kontekstin e shoqërisë bashkëkohore.

Ngjarja do të mbahet në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” më datë 2 shkurt në ora 18:00. / KultPlus.com

Adelina Paloja dhe Ismet Vejseli, dy rolet kryesore në shfaqjen operistike “Goca e Kaçanikut”

Një ngjarje e jashtëzakonshme po përgatitet në skenën kulturore të Kosovës. Pas 53 vitesh ekzistence si vepër kombëtare, opera “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi do të shfaqet për herë të parë e inskenuar në tërësi në Kosovë, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, provat e para regjisoriale kanë filluar sot, duke përfshirë solistët dhe korin në përgatitjet e shfaqjes. Puna ka filluar me shumë profesionalizëm dhe vullnet, ndërsa regjisori po drejton me pasion këtë projekt.

Dy artistët kryesorë në këtë shfaqje janë sopranoja Adelina Paloja në rolin e Pafikës dhe tenori Ismet Vejseli në rolin e Trimorit.

Adelina Paloja ka ndarë një pamje nga provat duke shkruar: “Për këtë muaj do të jem Goca e Kaçanikut – Pafika. Sot, në provat e regjisë së operës. Premierë absolute pas 53 vitesh”.

Ndërsa tenori Ismet Vejseli shprehet shumë i lumtur që po debuton në Operën e Kosovës me rolin e Trimorit.

“Te dashur miq,
Jam shumë i lumtur që në fund të shkurtit do të debutoj në Operën e Kosovës me rolin e Trimorit të operës “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi.
Kjo operë është premierë absolute në Kosove pas 53 viteve, të cilën do e vendosi në skenë regjisori Nikolin Gurakuqi, i cili ka punuar më shumë se 80 opera në jetën e tij…
Falënderoj drejtorin Meriton Ferizi dhe dirigjentin Edon Ramadani për mundësinë!
Të gjithë kolegëve për këtë muaj toi toi toi!”, shkruan tenori Vejseli.

“Goca e Kaçanikut”, opera e parë kosovare, bënë fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë.

Premiera e kësaj shfaqje ishte planifikuar të jepej më 28 nëntor të vitit që e lamë pas, por për shkaqe teknike ajo u shty për muajin shkurt dhe me këtë rast po vjen si aktivitet kryesor për nderë të pavarësisë së Kosovës.

Premiera pritet të vijë më 23 shkurt, ndërkaq repriza do të jepet me 25 shkurt, në Sallën e Sportit  “1 Tetori” në Prishtinë. / KultPlus.com

Librat e babës

Ardianë Pajaziti

Librat e babës në familjen tonë ishin një ceremoni në vete. Gjithçka sillej rreth librave të babës. Nuk mbaj mend të ketë qenë ndonjë temë më e shpeshtë se sa ajo për librat, rreth librave dhe me librat.

Edhe kërkimet brenda shtëpisë kanë pas pikë reference librat e babës. Ku janë syzet? – te librat e babës; Ku janë dokumentet? te librat e babës; ku, ku, ku-  ka pas gjithmonë një përgjigje të njëjtë në shtëpinë tonë, te librat e babës.

Ky ishte komunikimi më i zakonshëm për familjen tonë. Librat e babës ishin bërë pjesë e jona, si të ishin qenie të gjalla.

Dhe ne asnjë nuk i referoheshim si bibliotekë, po krejt ato libra tashmë kishin marr epitetin “Librat e babës” se me të vërtetë ishin të babës.

Panairi i librit dhe blerja e një libri të ri ishte solemnitet për të. Kurrë se kam pa babën që një libër të ri ta merr me nguti. Vështrimi i tij mbi kopertinën zgjaste më shumë se sa duhej. E shikonte sikurse ta kishte dizajnuar vet, dhe se nëse Shtëpia Botuese ta ketë lëshuar ndonjë gabim. E krejt vonë, vonë pas një soditje të gjatë, ai fillonte ta shfletonte me një kujdes, që nuk e kam pa te një tjetër.

Baba lexoi shumë, deri në fund të jetës së tij. Disa prej librave i kanë mbete pa lexuar fare, ato nuk e patën fatin që të përzienin aromën e letrës me aromën e babës. Nuk do të mbeteshin në gjendje të tillë, sikur mos të kishte problemin me sy. Me një palë syze goxha të rënda, me ndihmën edhe të një llupe dhe me përshtatjen e rrezeve të diellit në rreshtat e librit, bukur sfidues, baba vazhdoi leximin e librave të tij deri në fund te jetës së tij.

Dhe tashti, sa herë që shoh një bibliotekë, e kam fjalën për bibliotekat personale, në shikim të parë më duket një bibliotekë e zakonshme, një bibliotekë e pluhurosur ose e pastër, por në fakt, këto biblioteka janë thesar të paçmuar, sepse, nëpërmjet kësaj biblioteke njoh shijen e personit që ka blerë përgjatë gjithë jetës së tij/saj, ndjej aromën e librit, diku-diku edhe aromën e personit koleksionues, shoh ndonjë shënim aty këtu: datë, vend, diku-diku ndonjë dedikim, dhe fletët e zverdhura të kohës, që dëshmojnë vjetërsinë.

Pata fatin të rritem në mes të librave, duke qenë vajza e një adhuruesi të madh të librit. Ku shumicën e shkrimtarëve, sidomos emrat, i mësova përtej moshës së vogël që kisha. E më pas të thellohesha edhe në krijimtarinë e tyre.

Të kesh fatin të rritesh mes librave është edhe një përparësi tjetër, se qysh herët e sofistikon shijen, jo se ti ke shije të hollë, por ke një gjeneratë para teje që të mëson të jesh një seleksionuese e thellë.

Sepse, në këtë kohë dinamike, ti falësh kohën një ‘libri’ apo ‘autori’ nuk është vetëm humbje kohe, është shtrembërim i shijes, e sidomos për ata që janë në ndërtim e sipër të përzgjedhjes së autorëve, zhanreve…

Po sikurse që ka përparësinë të rritesh mes një biblioteke, ka edhe defektin tjetër. Në raport me librat e babës kam një obsesion ta pashpjeguar. Librat e tij nuk dëshiroj që ti prek dikush tjetër. Mes tyre, përpos aromës së vjetërsisë së librit, më ngjason që nuhas edhe aromën e tij. Deri sa shpalosë fletët e librave, kam ndjesinë se më puqen prekjet me prekjen e tij. Dhe jo një gjësend tjetër ta jep këtë ndjesi, ku përpos tregimit që të sjell po ai libër, të sjell kujtimet e shtëpisë së vegjëlisë, hijen e rënd të babës dhe diskutimin për librin.

Më mësoi se si duhet të jemi të rreptë me përzgjedhjen e librit, përzgjedhjen e autorëve. Fatkeqësisht, jo të gjitha librat janë libra që vlen të shpenzohet për to, sikurse që ka libra që do të dëshiroje me çdo kusht ti kesh pjesë të bibliotekës.

Unë i përulem babës, se ai më ndërtoi një shije të mirë për librin, më ndërtoi një lidhje të mirë me librin, dhe ajo më e rëndësishmja, edhe përkundër faktit që nuk është më në mesin tonë, unë ende kam kontakt me të, po nëpërmjet librit. Dhe, sa herë që diskutohet për librin, unë humbem në mendime. Copëza të diskutimeve me të, gjithnjë dhe gjithmonë janë më dominuese se çdo diskutim në tavolinat e ditëve të sotme./ KultPlus.com

“Foleja e shqiponjave”, kënga e Serbisë për Eurovision bën thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë

Serbia po tenton të dërgojë në Eurovision një këngë me mesazh politik dhe që përkrah gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Kënga “Gnezdo orlovo” (Foleja e Shqiponjës) e interpretuar nga Breskvica është duke garuar për të përfaqësuar Serbinë në Eurovision 2024.

Në tekstin e kësaj këngë bëhet thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ndonëse jo drejtpërdrejtë por në tekst fshihet ky mesazh.

“Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj (Kuptimi: shqiptarët).

“Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës” (Kuptimi: Kosova)

“Babi i thotë shqiponjës së vogël “do të kalojë birë”. Do të ikin zogjtë e zinj, qenia e ndritur vjen përsëri (Kuptimi: Kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë).

Nga faqja e Eurovison Kosova bëhet thirrje që të angazhohemi të gjithë për të mos lejuar që kjo këngë të shkoj në Eurovision.

Më poshtë teksti i këngës në gjuhën shqipe:

Foleja e shqiponjës

Pranvera solli diellin
Mbi kodër, gjithçka lulëzoi
Një mollë mbin në fushë
E papjekura ra nga dega me një rënkim të fortë

Refreni
Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj
Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës

Mëngjes zgjuar, nata është e lodhur
Mollë në bar e trishtuar e zymtë
Lulëzon përsëri, zë rrënjë
Dhe sapo hodhi një sy diellit, u shfaq një hije e madhe

Refreni
Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj
Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës
Babi i thotë shqiponjës së vogël “do të kalojë birë”
Do të ikin zogjtë e zinj, qenia e ndritur vjen përsëri

Dashuria ime, dashuria ime, do të jetë përsëri e ndritshme
Dashuria ime, dashuria ime, gjithçka do të përfundojë. / KultPlus.com

Opera e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut” po vjen premierë pas 53 vitesh, nisin provat regjisoriale (VIDEO)

Përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, sot kanë filluar provat e para regjisoriale për të sjellë premierën e planifikuar më 22 dhe 24 shkurt të 2024-ës, në Sallën e Sportit “1 Tetori” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Premiera e kësaj shfaqje ishte planifikuar të jepej më 28 nëntor të vitit që e lamë pas, por për shkaqe teknike ajo u shty për muajin shkurt dhe me këtë rast po vjen si aktivitet kryesor për nderë të pavarësisë së Kosovës.

Meriton Ferizi, zëvendësdrejtor i Operës së Kosovës ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se puna për përgatitjet e shfaqjes ka filluar me shumë energji, vullnet, profesionalizëm dhe pozitivitet.

“Prova e parë regjisoriale filloi me shumë energji, vullnet, profesionalizëm dhe pozitivitet, e udhëhequr nga regjisori i mirënjohur shqiptar Nikolin Gurakuqi me solistët dhe korin, për realizimin dhe inskenimin e Operës së parë Kosovare “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi, e cila do shfaqet për herë të parë e inskenuar në tërësi apo e kompletuar si (premierë botërore) në Kosovë, pas plot 53 vitesh së ekzistuari si vepër kombëtare. E gjithë kjo në kuadër të Pavarësisë dhe 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Urime dhe suksese të gjithë pjesëmarrësve”, ka shkruar Ferizi.

Kujtojmë që në këtë shfaqje operistike, në dy rolet kryesore janë sopranoja Adelina Paloja (Pafika) dhe tenori Ismet Vejseli (Trimori).

“Goca e Kaçanikut”, opera e parë kosovare, bënë fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë. / KultPlus.com

“Your Digital Wall”: Shqipëria mes nëntë vendeve më të lira evropiane

Çdo hodofil ka dëshirë të shkojë në një udhëtim në Evropë. Një kontinent i mbushur me vende magjepsëse me peizazhe të gjelbra, pamje të ndryshme dhe për më tepër një ëndërr e shumë njerëzve.

Por, udhëtimi në Evropë është një nga më të shtrenjtët, prandaj shumica e njerëzve nuk mund të përmbushin ëndrrat e tyre.

Disa nga vendet në Evropë kanë pamje ekzotike dhe janë gjithashtu mjaft të lira për t’u vizituar.

Nëse po planifikoni udhëtimin tuaj në Evropë, ne ju rekomandojmë disa nga vendet që duhet të vizitoni.

Revista “Your Digital Wall” e ka renditur Shqipërinë mes nëntë vendeve evropiane më të lira për të kaluar pushimet.

Shqipëria

Më parë Shqipëria nuk ishte e hapur për turistët, por kohët e fundit ky vend është kthyer në një atraksion për të gjithë udhëtarët.

Është një vend ku mund të vizitoni plazhe të bukura dhe peizazhe të shkëlqyera.

Pamja e jashtëzakonshme e saj do të magjeps zemrat e udhëtarëve në çast.

Çdo cep i vendit ka një bukuri unike. Ajo është e mbushur me pamje tërheqëse që çdo turist dëshiron të dëshmojë gjatë jetës së tij. Është një vend që nuk kushton shumë.

Akomodimet në Shqipëri janë në dispozicion nga 28 euro deri në 45 euro. Pra, ju mund të gjeni lehtësisht vende për të qëndruar një natë në këtë vend.

Gjatë udhëtimit në Shqipëri, mund të vizitoni vende si Himara, Shkodra, Saranda, Dhërmiu dhe Durrësi./atsh / KultPlus.com

Fortifikimi i Marshejt, pasuri arkeologjike e Shkodrës

Një pasuri arkeologjike e zonës së Shkodrës është dhe Fortifikimi i Marshejt.

Fortifikimi prehistorik gjendet në fshatin me të njëjtin emër e ngrihet në një kodër shkëmbore, ku rrëzë së cilës gjarpëron dhe kanioni i Përroit të Thatë, i cili me shtratin e tij të thellë dhe brinjët vertikale, përbën një mbrojtje natyrore për vendbanimin.

Në majën e kodrës ruhen gjurmët e një muri prehistorik, që e rrethonte atë nga të gjitha anët, duke krijuar një planimetri eliptike. Pikërisht këtu ruhet ende një segment muri prej rreth 150 metrash, me trashësi prej 2,70 metrash dhe në një lartësi prej rreth 1 metri. Përbëhet nga dy faqe të ndërtuara me gurë të papunuar, të vendosur pa rregull. Brendësia është mbushur me gurë më të vegjël dhe çakull të trashë. DRTK Shkodër shprehet se për nga teknika e ndërtimit, Fortifikimi i Marshejt duket më primitive se muret e vendbanimit të Gajtanit./ atsh / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës mbajti aktivitet në Ferizaj, Demiri-Frangu: Letërsia nuk është më elitare, është bërë si një hamburger për një konsum të shpejtë

Dje në Ferizaj, në Bibliotekën komunale “Sadik Tafarshiku”, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit të saj “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”,  zhvilloi një takim me krijues dhe me dashamirë të fjalës së shkruar të këtij qyteti, përcjell KultPlus.

Në debatin e zhvilluar me këtë rast, të cilin e moderoi shkrimtari, studiuesi e profesori Ibrahim Berisha, u trajtuan dy tema:

“Përse shkruaj” nga poetja dhe profesoresha Dije Demiri-Frangu dhe “Si shkruhet drama”, të paraqitur nga studiuesi dhe shkrimtari Milazim Krasniqi.

Në fillim të debatit, moderuesi Berisha foli rreth gjenezës së shkrimit në botë duke theksuar se shkrimi është një zbulim i hershëm që gjithmonë ka qenë në funksion të zhvillimit njerëzor dhe të kulturës shpirtërore të tij.

“Edhe pse shpesh thuhet se shkruhet shumë letërsi, krijimet artistike me të gjitha zhanret letrare e edhe ato shkencore, zënë vetëm 10 për qind të letrave të shkruara. Pjesa tjetër është shkrim administrativo – burokratik dhe gjëra të tjera si këto”, tha Berisha duke shtuar se PEN Qendra e Kosovës do të përpiqet ta shtojë rrjetëzimin letrar e krijues kudo nëpër Kosovë me aktivitetet e veta.

Duke folur për temën ”Përse shkruaj”,  poetja Dije Demiri-Frangu ndër të tjera tha:

“Edhe pse mund të mos e di pse shkruaj, çdo poezi e ka motivin e vet. Gjithsesi shkruaj se di të gëzohem e të pikëllohem, dhe i shoh me sy të padukshëm gëzimin e pikëllimin. Shkruaj se jam njeri, mendoj, reflektoj, kujtoj, ndiej. Njeriu ka ngacmime nga jashtë dhe nga brendësia e tij dhe këto provokojnë intelektualizmin e krijuesit sepse jo më kot poezia-letërsia konsiderohet si përgjegjësi intelektuale dhe se ajo paraqet identitet kulturor”, tha Demiri-Frangu teksa theksoi se shkrimi e ndihmon të jetoj, të jetoj në mënyrën që ajo do.

“Dikur jam udhëhequr nga dëshira ta rrënoj mitin e paaftësisë femërore që të jetë poete. Qëllimet e shkrimit gjatë kohës ndërrojnë, tash kam edhe tjera arsye. Po gjithsesi shkruaj se poezia ka rol iluminist, estetik, informativ e argëtues. Shtëpia më e bukur, më e qetë është brenda krijimit, ndaj shkruaj që të ndihem aty komod. E keqja është se letërsia nuk është më elitare, është bërë si një hamburger për një konsum të shpejtë, dhe kjo letërsi po e rrezikon letërsinë e mirëfilltë, edhe postmodernizmi e teknologjia e kanë dëmtuar karakterin elitar të letërsisë, nuk është pronë e elitës, shkruhet shumë – dhe pa kritere”, përfundoi profesoresha Dije.

Ndërsa Milazim Krasniqi, profesor Universitar, poet, shkrimtar dhe dramaturg, foli për përvojën e tij rreth shkrimit të dramave, duke evokuar edhe kujtime nga fëmijëria, ku për herë të parë e kishte kuptuar rolin e aktorit dhe të dramaturgut. Ai tha se kureshtja për dramën i ishte ngulitur nga ajo kohë e fëmijërisë. Ndërsa në shkollën e mesme, në vitet 1970-1974, pasioni i tij kishte qenë kinemaja, që prapë është interesim i lidhur me dramaturgjinë. Si burim tjetër për të shkruar dramë përmendi dramaticitetin e këngës shqiptare. Kënga shqiptare ka shumë dramë brenda vetes, tha Krasniqi. Njërën prej tyre, këngën e Salih Sylës tha se e ka përdor si ide iniciale për dramën “Besëpremja.” Natyrisht, me modifikime të mëdha.

Lidhur me kornizën teorike ai solli në vëmendje idetë teorike të Platonit, mbi mimesisin,  pastaj teoricienë si Nikola Boalo, Jorge Livraga, Bertold Brehti.

Krasniqi u rekomandoi pjesëmarrësve të rinj në këtë tribunë që të lexojnë autorë të njohur si Halid Hysejn, Palo Koelo , Orhan Pamuk etj., që nxisin pasionin për lexim.

Pjesëmarrës në aktivitetin e të hënës të PEN Qendrës së Kosovës ishin nxënës të gjimnazit “Shaban Hashani” të Ferizajt të cilët me pyetje dhe me shpjegimet e veta për letërsinë dhe për kulturën e artin në përgjithësi, dëshmuan njohuritë e tyre në këto fusha. Ata kështu e pasuruan debatin letrar, ndërsa interesimet e tyre kishin të bënin edhe me trendet krijuese në viset shqiptare por edhe përgjithësisht në botë që nga zanafilla e shkrimit për çfarë shpjegimet i morën nga ligjëruesit e temave.

Projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Aktiviteti i radhës i PEN Qendrës së Kosovës do të zhvillohet në Gjakovë, më 31 janar në orën 12:00. / KultPlus.com

Refet Abazi dekorohet nga presidenti i Maqedonisë së Veriut me “Urdhrin për Merita Shtetërore”

Refet Abazi mbrëmë u dekorua nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me “Urdhrin për Merita Shtetërore”, për sukseset e tij si aktor në teatër dhe film, profesor në Akademinë e Arteve, shkrimtar dhe dramaturg, përcjell KultPlus.

Ky është çmimi më i lartë që i jepet një artisti në Maqedoninë e Veriut.

Refet Abazi u lind më 17 janar 1964 në Tetovë të Maqedonisë. Ai është një aktor dhe shkrimtar. Njihet sidomos për rolet e tij në filmat si: Kanunin (2018), Dëshmitarin (2018) dhe Natën e Mjaltit (2015)./ KultPlus.com

Filmi “Krahët e punëtorëve” nga Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam

Filmi “Krahët e punëtorëve” nga regjisori Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili është shprehur kjo arritje shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

“E nisëm mbarë vitin në kinematografi. Filmi “Krahët e punëtorëve” i regjisorit tonë Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A. Edhe një arritje tjetër që shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare, potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

Urime Ilirit dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, shkruan ministri Çeku.  

Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, të cilët janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit.

Xhiruar nga Vigan Nimani, me montazhë të Enis Saraçit, filmi është prodhuar nga shtëpia filmike Unseen Films dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

📸 IFFR

Ermonela Jaho me një tjetër çmim prestigjioz në Gjermani: Shpallet këngëtarja më e mirë në OPER! AWARDS 2024

Ermonela Jaho është artistja e parë shqiptare që po nderohet me çmimet më prestigjioze në botën e muzikës klasike, shkruan KultPlus.

OPER! AWARDS 2024 mbrëmë mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Operën Kombëtare Holandeze të Amsterdamit dhe u transmetua drejtpërdrejt.

Në këtë garë tejet prestigjioze, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho mori çmimin kryesorë si këngëtarja më e mirë femër për vitin 2024.

Në ndarjen e këtij çmimi për sopranon shqiptare, juria është shprehur se rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës, dhe Ermonela Jaho e arrin mrekullisht këtë gjë.

“Këngëtarja më e mirë: Ermonela Jaho. Është e njohur që të kënduarit operistik kërkon më shumë se një zë të bukur, por rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës. Në Operën e Cyrihut në vitin 2023, Ermonela Jaho bëri një mbrëmje operistike emocionuese dhe me thellësi të jashtëzakonshme si Magda brilante nga “La rondine” e Puçinit: një dallëndyshe dhe një mjellmë që po vdes në një”, vlerëson juria Ermonelën.

Ky çmim, sopranos Jaho i erdhi menjëherë pas atij në Spanjë ku nga një juri prestigjioze ajo u vlerësua me çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit 2022/23, çmim që për herë të parë ndanë Opera e Spanjës për një artist të huaj dhe padyshim që këto arritje e kanë bërë tejet të lumtur sopranon Jaho.

“Së pari Spanja, dhe tani Gjermania me këtë çmim të papritur!

Do të përpiqem të shpreh me fjalë mirënjohjen time dhe çfarë do të thotë kjo arritje për mua, por do të ishte e pamundur. Ndihem krenare që jam edhe unë në mesin e të nominuarve, e lëre më çmimin Fitues për këngëtaren femër 2024. Faleminderit OPER! AWARDS për këtë nder të madh. Një falënderim i madh për kolegët e mi të mrekullueshëm, për publikun e mrekullueshëm që më dha dashurinë dhe vlerësimin e tyre dhe për çdo person të dashur që ka mbështetur rrugëtimin tim. Muzika duhet të tregojë një histori duke frymëzuar audiencën dhe nuk ka arritje më të madhe sesa të lidhesh me çdo zemër që dëgjon!”, shkruan Ermonela. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta gazetari dhe diplomati, Fatmir Kumbaro

Në moshën 76-vjeçare është ndarë nga jeta Fatmir Kumbaro.

Ndërsa po trajtohej në spital për shkak të një problemi me frymëmarrjen, ka pësuar një arrest kardiak, ç’ka ka qenë fatale për jetën e gazetarit dhe diplomatit të njohur.

Fatmir Kumbaro u lindi në Tiranë me 5 dhjetor të vitit 1947.

I diplomuar në fakultetin drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ai ka kryer detyra të rëndësishme; gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, pedagog në fakultetin juridik në Universitetin e Tiranës dhe Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar në vitin 1991.

Fatmir Kumbaro ka qenë ndër themeluesit e Partisë Socialiste dhe për disa vite anëtar i kryesisë së saj. Ka qenë në vitet e para të pluralizmit edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kontribut të çmuar ka dhënë Fatmir Kumbaro edhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.

I veçantë ka qenë kontributi i zotit Fatmir Kumbaro në momentet delikate para e gjatë luftës në Kosovë, kur në përgjegjësinë e Ambasadorit në Maqedoninë e Veriut iu desh të koordinonte veprimet e shtetit shqiptar me faktorin ndërkombëtar, ashtu sikundër me të njëjtën përgjegjësi dhe angazhim luajti u angazhuar pas zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut në kohën e luftës së UÇK-së deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe më pas në implementimin e saj.

Autoriteti intelektual dhe angazhimet qytetare, të qenit i drejtë dhe kurajoz, kultura e veçantë dhe zotërimi i tetë gjuhëve të huaja e bënin Fatmir Kumbaron një figurë të veçantë, imponuese dhe të admirueshëm njëherësh./ atsh / KultPlus.com

Dy vite nga shpallja “Park Natyror”, Bredhi i Sotirës me sipërfaqe të rritur ku mbrohen habitatet dhe speciet e veçanta

“Bredhi i Sotirës” u shpall dy vjet më parë si Park Natyror (kategoria IV e zonave të mbrojtura). Në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2022, u miratua përveç ndryshimit të statusit edhe sipërfaqja e ekosistemit natyror, nga 1 740 ha në 4 927.67 ha.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamjet Bredhi i Sotirës në Dropull.

“Bredhi i Sotirës feston përvjetorin e shpalljes “Park Natyror” me një sipërfaqe të rritur ku mbrohen habitatet dhe speciet e veçanta, duke dhuruar edhe peizazhe të shumëllojshme në çdo stinë”, shprehet Rama.

Zona e Mbrojtur “Bredhi i Sotirës” është mahnitëse në çdo stinë të vitit. I ndodhur në njësinë Administrative “Dropull i Sipërm”, kjo zonë konsiderohet si një perlë të natyrës shqiptare, qoftë nga pikëpamja ekoturistike si dhe nga ajo shkencore.

“Bredhi i Sotirës” shtrihet në shpatet verilindore, të Malit të Stugarës, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Sotirës, degë e majtë e lumit të Drinos; nga rreth 550-1,806 m mbi nivelin e detit si dhe në veriperëndim, të Malit të Murganës. I gjithë relievi ka formën e një hinke me fund në fshatin e Sotirës.

Pozicioni në jug të vendit, në reliev mjaft të thyer, në të cilin gërshetohet ndikimi i klimës mesdhetare me atë malore, dhe larg rrugës kombëtare e bën vend mjaft të qetë, me biodiversitet të lartë të habitateve dhe të llojeve.

Bredhi i Sotirës është shpallur ZM për shkak të bimësisë së veçantë që mbulon shpatet e maleve të Stugarës dhe Murganës. Mbulesa kryesore e zonës së mbrojtur janë pylli i Bredhit të Maqedonisë (Abies borisii-regis) dhe Gështenjës së butë (Castanea sativa). Pavarësisht këtyre, sipërfaqe të konsiderueshme në zonë mbulojnë pyjet shkurrore gjithmonë të gjelbër, të dominuar nga Prralli, Ilqja si dhe pyjet e përziera me Cërmëdell, Shkozë, Blin, Panjë etj.

Në zonën e bredhit gjenden edhe drurë të Pishës së zezë, duke përfunduar në vijën ndarëse me kullotat, ku gjenden edhe drurë të rrallë të Ahut, të cilët përbëjnë edhe skajin më jugor të përhapjes së tij në Shqipëri.

Ndër llojet e tjera me interes ruajtje në zonë përmenden Manushaqia e Epirit (Viola epirota), Kokoçeli i Epirit (Centaurea epirota) dhe rreth 10 lloje saleporesh./ atsh / KultPlus.com

Mbi artin

Nga Elizabeth Bishop

Përkthyer nga Rrona Jaka

Arti i humbjes s‘është vështirë për t’u zotëruar
Kaq shumë gjëra janë të mbushura me qëllimin për t’u humbur
Sa që humbja e tyre s’është fatkeqësi.

Humbni diçka çdo ditë. Pranoni acarimin
e çelësave të humbur, ose të orës së shkuar kot
arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar

pastaj praktikoni humbjen e largët, humbjen e shpejt
shtigjet dhe emrat, edhe vendet që donit t’i vizitonit
asnjë nga këto s’do të sjellë fatkeqësi.

Kam humbur orën e mamasë, dhe shih,
E fundit apo thuajse e fundit tri shtëpi më shkuan
Arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar.

Kam humbur dy qytete, të bukura, të mëdha
Ca toka që zotëroja, dy lumenj, një kontinent
Më mungojnë, por nuk ishte ndonjë fatkeqësi.

–Edhe humbja jote (zëri, gjestet që i dashuroja)
Nuk do gënjej. Është e qartë!
Arti i humbjes s’është aq i vështirë për t’u zotëruar
Ndonëse duket i tillë (shkruaje) sikur të ishte ashtu./KultPlus.com

SpaceX lanson dy grupe tjera satelitësh Starlink nga brigjet amerikane

Së fundmi, SpaceX ka lëshuar dy grupe tjera të satelitëve Starlink nga brigjet e SHBA-së.

Raketa e parë Falcon 9 me 23 anije kozmike u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida, ndërsa raketa tjetër me 22 satelitë u nis nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni.

Siç pritej, të dy fazat e para të Falcon 9 u rikthyen në Tokë rreth 8.5 minuta pas ngritjes.

Ndërkohë, pjesët e sipërme të raketës vazhduan të ngjiteshin në orbitën e ulët të Tokës, për të vendosur dy grupet e satelitëve në hapësirë.

Këto ishin lëshimet e teta dhe të nënta të vitit për SpaceX, e cila synon të kryejë 144 misione orbitale në vitin 2024.

Në përputhje me planin ambicioz të kompanisë, një tjetër mision është planifikuar të nisë më 30 janar për të dërguar anijen robotike të ngarkesave Cygnus të Northrop Grumman drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Ndryshe, ky mision thuhet se filloi në një përvjetor të zymtë, pasi në të njëjtën datë 38 vite më parë anija kozmike e NASA-s Challenger u shpërbë dy minuta pas ngritjes, duke vrarë shtatë astronautët në bord./GazetaEpress/ KultPlus.com

“Nëse e urreni një person, ju urreni diçka tek ai që është pjesë edhe e juaja”

“Mësoje atë që duhet të merret seriozisht dhe qesh me pjesën tjetër”.

“Nëse e urreni një person, ju urreni diçka tek ai që është pjesë edhe e juaja. Ajo që nuk është pjesë e jonë nuk na shqetëson”.

“Ne jemi Hënë dhe Diell, të dashur miq; ne jem Tokë dhe Det. Nuk është qëllimi ynë të bëhemi tjetër kush; qëllimi ynë është ta njohim njëri – tjetrin. Të mësojm ta shohim “tjetrën” dhe ta nderojmë për atë që është”.

“Dashuria nuk është për të na bërë të lumtur. Unë besoj se ajo ekziston për ta treguar se sa shumë mund të durojmë”.

– Herman Hesse

Rikonstruktohet biblioteka në qytetin e Peshkopisë, 74 mijë libra për lexuesit

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njëhersh drejtuese politike e qarkut të Dibrës, e shoqëruar nga ministrja për Rininë, Bora Muzhaqi dhe kryetari i bashkisë së Bulqizës, Rahmi Spahija vizituan sot bibliotekën në qytetin e Peshkopisë.

Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se biblioteka është rikonstruktuar dhe se fondi i librave është i mirëmbajtur.

Tashmë, informoi ajo, kësaj biblioteka i është shtuar edhe salla e leximit, e cila mungonte deri sot.

Biblioteka e parë në qytetin e Peshkopisë daton në vitin 1945. Ajo u hap në një ambient privat të një mësuesi, i cili e kaloi pronën e tij në dispozicion të lexuesve.

Nga 1700 libra në vitet 1950, sot kjo bibliotekë ka arritur të ketë 74 mijë libra të të gjitha zhanreve dhe fushave në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja. Po ashtu në këtë bibliotekë janë të ruajtura edhe  gazetat që prej vitit 1904.

Ky fond ju shërben 5300 anëtarëve të resgjistruar./atsh/KultPlus.com

Shqipëria i jep Nobelin Kadaresë/ Akademia e Shkencave: Këtë vit është propozim i vetëm

Mjeshtri i letërsise shqipe, Ismail Kadare është kandidatura e Shqipërisë për çmimin Nobel 2024.

Asambleja e Akademisë së Shkencave i propozon Akademise suedeze të Nobelit për herë të 24 shkrimtarin shqiptar i përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.

Sekretari shkencor në Akademinë e Shkencave Shaban Sinani e ka konfirmuar lajmin ne nje interviste per emisionin “ Pas mesnate”.

Per 123 vjet me radhe, çmimi Nobel në letërsi është përpjekur të nderojë shkrimtarin më të mirë të botës.

Shkrimtari i parë shqiptar që është propozuar për këtë çmim ishte poeti kombetar Gjergj Fishta.

Që prej vitit 90-te Akademia e Shkencave ka propozuar gjithnjë Kadaren, krahas tij për këtë cmim është propozuar Luan Starova dhe në vitin 2022 Fatos Kongoli./abcnews.al/KultPlus.com

‘Kam një mall e kam një zjarr’ (VIDEO)

Liliana Çavolli ishte artiste e cila për 5 dekada kultivoi këngën e lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

Sonte, KultPlus ju sjell ‘Kam një mall e kam një zjarr’, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite.

Oprah Winfrey: Aventura më e madhe që mund të ndërmarrësh, është të jetosh jetën e ëndrrave të tua

Disa thënie të veçanta nga Oprah Winfrey.

“Çdo gjë që mund ta imagjinosh, mund ta realizosh”.

“Ti mban përgjegjësi për jetën tënde. Nuk ke pse fajëson dikë tjetër për vendimet e tua. Jeta ka të bëjë me të ecurin përpara”.

“Ktheji plagët e tua në urtësi”.

“Zbulimi më i madh i të gjitha kohërave është se njeriu mund ta ndryshojë të ardhmen e tij, duke ndryshuar sjelljen e tij”.

“Arsyeja se pse kam qenë përherë e suksesshme nga ana financiare, është se asnjëherë fokusi im nuk kanë qenë paratë, për asnjë moment”.

“Çelësi i realizimit të një ëndrre nuk është të përqendrohesh tek suksesi, por tek domethënia. Vetëm atëherë edhe hapat e vegjël dhe fitoret e vogla përgjatë rrugës do të kenë kuptim tepër të madh për ty”.

“Është besimi në trupat, mendjet dhe shpirtërat tanë që na lejon ne të kërkojmë për aventura të reja”.

“Ajo që unë e di me siguri, është se nëse bën një punë që të pëlqen dhe ajo punë të plotëson, atëherë çdo gjë tjetër do të vijë vetë”.

“Ti bëhesh ai që beson se mund të bëhesh. Ti je ai që je sot, bazuar në atë çfarë ke besuar në të shkuarën”.

“Ji falenderues për ato që ke: do të përfundosh duke pasur akoma më tepër. Nëse përqendrohesh tek ato që nuk ke, nuk ke për të pasur asnjëherë mjaftueshëm”.

“Aventura më e madhe që mund të ndërmarrësh, është të jetosh jetën e ëndrrave të tua”.

“Nëse dikush të zhgënjen vazhdimisht e vazhdimisht, është pjesërisht edhe faji yt. Sapo dikush tregon një tendencë egoizmi, atëherë duhet ta kuptosh këtë gjë dhe të kujdesesh për veten tënde. Njerëzit nuk do të ndryshojnë thjesht, sepse ti do që ata të ndryshojnë”.

“Ti mund t’i arrish që të gjitha. E vetmja gjë që duhet të kuptosh, është se nuk mund t’i arrish dot të gjitha njëherësh”.

“Nëse ti e nënvlerëson atë që bën, atëherë edhe bota do ta nënvlerësojë atë që ti përfaqëson”.

“Mendo si një mbretëreshë. Një mbretëreshë nuk frikësohet nga dështimet. Për to, dështimet janë thjesht një pengesë më tepër drejt madhështisë”./bota.al/ KultPlus.com

‘Elektra’ e Kiço Londos, nis rrugëtimin nga Teatri i Durrësit

Regjisori Kiço Londo do të sjellë në Teatrin e Durrësit, “Aleksandër Moisiu” shfaqjen “Elektra”, e cila është një produksion i Teatrit Shëtitës Çajupi. Trupa e aktorëve premton të sjelle një magji të konsiderushme dhe elektrizuese, siç thuhet në  një postim të Teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Shfaqja do të lëvizë nëpër rrugën Egnatia që lidhte Romën me Lindjen. Do të fillojë me Durrësin si porta hyrëse e rrugës Egnatia dhe do të mbarojë me Kostandinopojën në Selanik e Athinë.

Në rolet kryesore interpretojnë: Laura Nezha, Alert Çeloaliaj, Gladiola Harizaj, Denisa Demaj, Engjëll Hoxha etj. Shfaqja do të shënojë premierën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në datat 2, 3, 4 shkurt.

“Elektra” e teatrit Shëtitës “Çajupi” është një shfaqje sipas tekstit të Sofokliut. Ajo na tregon historinë e Elektrës, fëmijë i etur dhe paduruar, e cila kërkon hakmarrje për vrasjen e babait të saj. Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja eksploron pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e faljes. Shfaqja është një tërbim emocional dhe fizik. Moderniteti vjen jo nga teknologjia e lartë, por nga primitiviteti ekstrem dhe ambicioz./atsh/KultPlus.com

Joni Mitchell do të debutoj në performancën e çmimeve Grammy

Joni Mitchell do të bëjë debutimin e saj në performancën e çmimeve Grammy në shfaqjen e këtij viti më 4 shkurt.

Kantautorja, e njohur për hitet “Both Sides Now” dhe “Big Yellow Taxi”, është nominuar për albumin më të mirë folklorik, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ajo ka fituar më parë nëntë Grammy dhe ka marrë një çmim për arritje të jetës në 2002.

80-vjeçarja vetëm së fundmi iu rikthye performancës pasi pësoi një aneurizëm thuajse fatal të trurit në vitin 2015.

Në qershor, kantautorja luajti në shfaqjen e saj të parë kryesore në më shumë se 20 vjet pasi ajo ri-mësoi se si të ecë, të flasë dhe të luajë kitarë./KlanKosova/ KultPlus.com