Muzeu i polifonisë në Gjirokastër, tërheqës për turistët vendas e të huaj

Muzeu i Polifonisë i çelur në Gjirokastër po tërheq interesimin e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët në këto ditë pranvere vizitojnë qytetin e gurtë.

I nxitur si një inisiativë private tashmë ky muze ka zënë vend në guidat turistike duke u kthyer në një pikë të preferuar për vizitorët e apasionuar të këngës isopolifonike shqiptare, vlerë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

“Ndjej shumë emocion teksa shikoj turistët që vijnë, interesin që kanë, kërshërinë për të ditur për isopolifoninë, për këtë vlerë të Shqipërisë dhe jo vetëm të qytetit të Gjirokastrës  apo të Jugut të Shqipërisë, shikoj interesin e tyre për të lexuar çdo informacion, detaj për të ditur çdo gjë si këndohet, si ka lindur, si trashgëgohet nëpër breza”, ka thwnw kuratorja Olsa Miloti.

Në mjediset e muzeut të vendosura në një galeri të gurtë përcillet një informacion i pasur për historikun, vlerat e këngës ispolifonike, korifejtë e saj në vite, transmetimin tek brezat e rinj etj.

”Përveç informacioneve që janë sigurisht me profesionistë të kësaj fushe ne kemi menduar edhe një ekran në të cilin ka dokumentarë për isopolifoninë, ka një rubrikë për instrumentat e muzikës popullore, ka një librari të pasur me grupet e isopolifonisë  të gjithë Shqipërisë sidomos pjesës së jugut dhe një rubrike në të cilën mund të fillosh të mësosh pak vetë isopolifoni”, ka thwnw kuratorja Olsa Miloti.

Tërheqëse për vizitorët e Muzeut të Polifonisë është se krahas informacionit që marrin, praktikojnë dhe hedhin hapat e parë për mënyrën e interpretimit të këngës polifonike.

“Është diçka shumë e veçantë se mendoj që është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, është diçka që na përket neve si komb dhe mua gjithmonë më ka pëlqyer dhe sesi zhvillohet si muzikë, instrumentat e veçantë, njerëzit që e këndojnë”, ka thwnw njw djalw i pyetur.

“Nuk kemi mjaftueshëm informacion kështu që duke njohur më shumë traditën , duke njohur më shumë  veglat popullore isopolifoninë normalisht na fut edhe ne në disa ndoshta dimensione pak më ndryshe të cilat janë edhe më  tërheqëse”, ka thwnw njw i ri i intervistuar.

Tashmë folklori, etnografia vlerat e traditës në përgjithësi janë kthyer në pika të forta për zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër./euronews/KultPlus.com

Dhurohet fondi i Pierre Cabanes, mbi 15 mijë libra e dorëshkrime i kalojnë Bibliotekës Kombëtare

Rreth 15000 libra, botime dhe dorëshkrime të bibliotekës personale të historianit dhe arkeologut francez Pierre Cabanes, i përkasin tanimë fondit të bibliotekës kombëtare. Kontributi i tij shkencor në fushën e arkeologjisë dhe epigrafisë do të jetë në shërbim të çdo lexuesi, apo historiani e studiuesi.

“Janë rreth 1500 libra përveç atyre është një numër i madh koleksionesh të revistave të specializuara. Një përmbledhje shumë e madhe shkrimesh të bëra prej tij për personalitete të tjerë. Qëllimi është të krijonim nj ambient të veçantë, që ishte dhe amaneti i tij, për t’i ardhur në shërbim lexuesve”, tha Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri.

Hapësira e re u hap në ambientet e bibliotekës në prani të ambasadores franceze në tiranë, e cila shprehu mbështetjen e vendit të saj për trashëgiminë kulturore.

“Duke i kushtuar një hapësirë veprave të shumta që Pierre Cabanes lexonte për të hedhur dritë mbi kërkimet albanologjike në Shqipëri dhe botën helenike, Shqipëria  shënon një trashëgimi shkencore duke strukturuar një frankofoni shkencore të vazhdueshme. Franca është e lumtur që financon për gërmimet arkeologjike në vendin tuaj duke nxjerr në pah vlerat e trashëgimisë kulturore”, tha Catherine Suard.

Kontaktet të para të Pierre Cabanes  me vendin tonë nisën në vitin 1965 në doktoraturën e tij, “Epiri që nga vdekja e Pirros deri në pushtimin romak”. Botim ky që ndalet në problemet e historisë së Epirit dhe Ilirisë së Jugu,  ndërsa aktiviteti i tij shkencor ka qenë i lidhur ngushtësisht me territorin e Ballkanit./vizionplus/KultPlus.com

‘Quein’ ekspozita që do të shpërfaqë tregimet personale të personave të LGBTI në Kosovë

Në Prishtinë, Prizren e Pejë vijnë tregimet e personave LGBTI në Kosovë nëpërmjet tri ekspozitave që do të hapen të njëjtën ditë e orë, për ta kuptuar nga afër realitetin e personave LGBTI, shkruan KultPlus.

CEL Kosova, në bashkëpunim me Dokufest dhe Anibar, këtë vit sjellin ekspozitën ‘Quein’ të fotografes Majlinda Hoxha.

Ekspozita shpalosë tregimet personale të personave LGBTI të cilët jetojnë në Kosovë. Majlinda Hoxha ka fotografuar individë të cilët përmes prizmit të aparatit tregojnë historinë e tyre dhe jetën e ditëpërditshme në Kosovë, në një vend ku nuk është e lehtë të jesh pjesë e këtij grupi shoqëror.

‘Quien’ është një bashkim i imazheve që përmbajnë fragmente nga jeta e individëve LGBTI në Kosovë. Mes një jete shpesh në fshehtësi dhe një dëshire për të dalë në pah, individët LGBTI vijnë përmes artit të Majlinda Hoxhës në një nismë e cila edhe njëherë e potencon rëndësinë e luftimit të homofobisë, transfobisë dhe bifobisë.

Ekspozita do të hapet më 17 maj prej orës 18:00 në të tria qytetet: në Prishtinë në Grand Hotel Prishtina – Kati 5, në Prizren në Destill, si dhe në Kinema ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë.

17 maji njëkohësisht shënon edhe Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë – IDAHoBiT. Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Kosovë, L’Agence française de développement (AFD) dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë./ KultPlus.com

Manastiri i Mesopotamit, një nga perlat e arkitekturës bizantine

Në jug të fshatit Mesopotam në bashkinë e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit, mund të vizitoni një nga perlat e arkitekturës bizantine në Shqipëri.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau në rrjetet sociale pamje të mrekullueshme nga Kisha e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, e ndërtuar pranë rrënojave të qytetit antik të Finiqit, në një kodër piktoreske, mes dy lumenjve, lumit Bistricë dhe lumit Kalasë.

Kisha e Manastirit të Shën Kollit (Mesopotam) është një monument i trashëgimisë kulturore në qarkun e Vlorës. Ky monument është i llojit “Arkitekturë”, i miratuar me numër “Nr. 586. Datë 17.03.1948 & Nr. 4874, datë 23.09.1971”. Manastiri duhet të jetë ndërtuar në vitin 1224. Absida e dyfishtë e bën unike në zhanrin e saj, dhe disa kërkues kanë ngritur hipotezën që ky manastir mund të ketë qenë përdorur për mesha si katolike, ashtu dhe ortodokse.

Thuhet se në fillim ka ekzistuar një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ndërtuar kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku. Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues që kapin një sipërfaqe rreth 100 m dhe kontrollohen nga 7 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershëm sesa kisha që ekziston akoma. Dhomat e manastirit janë të ndërtuara më vonë.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera të mëdha. Muret e jashtme janë të ndërtuar nga gurë gëlqerorë të mëdhenj. Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive shtazore, gjithashtu dhe për zbukurimet me tulla të mureve të jashtëm. Zbukurimet murale janë në forma të ndryshme përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ndodhet një kafshë mitologjike. Kisha ka një sallë të madhe brenda dhe dy të vogla. Mozaiku i sallës, i ruajtur akoma, paraqet një dragua krahëhapur.

Kisha ka pasur dy rindërtime, në vitet 1793 dhe 1845. Këto rindërtime e kanë ndryshuar shumë pamjen e kishës dhe mendohet që të ketë humbur shumë vlera./atsh/KultPlus.com

Montohet “Çelësi Shqiptar”, vepra më e madhe të artit në Shqipëri

Ka filluar montimi i veprës më të madhe të artit në Shqipëri, bën me dije sot bashkia e Shkodrës.

Skulptura monumentale, e quajtur “Çelësi Shqiptar”, krijuar nga fituesi i Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, shpallur nga ish-Ministria e Kulturës, po vendoset në hyrjen e qytetit të Shkodrës.

Një vepër arti me një mesazh të fuqishëm dhe të qartë: mos të kemi më dyert e mbyllura, por të hapim shanset dhe të krijojmë mundësi për të gjithë në një mënyrë të barabartë.

“The Albanian Key”, inspirohet nga Shqiponja, simboli i hyjnisë së krijimit, të natyrës dhe lirisë. Në të gjitha rrafshet e kuptimit dhe të shpjegimit, prirem të besoj dhe të dëshmoj se asnjë zotërues i qiellit dhe lartësisë nuk e rrok lirinë në përmasat e saj më të hyjshme se sa shqiponja, asnjë forcë shprehëse nuk mund të ngjitet aq lart ku ky shpend mitik ndan qiellin dhe lirinë me malet dhe njerëzit. Rrjedhimisht kjo vepër ka këtë shprehi, këtë shpjegim, këtë zbërthim, edhe pse arti në vetvete është ajo çfarë më arsye dhe perceptim artistik arrin të konceptojë dhe të kuptojë gjithkush./atsh/KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës drejt përgatitjes së shfaqjes “Peter Pan”

Baleti Kombëtar i Kosovës është duke i zhvilluar provat intensive për realizimin e shfaqjes “Peter Pan”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje që ka përfshirë shumë fëmijë në ansambël pritet të jetë premierë më 1 qershor, pikërisht në ditën e fëmijëve. KultPlus ju sjell pamje nga përgatitjet e kësaj shfaqje që janë publikuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës.   

Shfaqja e baletit “Peter Pan” po bëhet gati nga Baleti Kombëtar i Kosovës, për t’u shfaqur premierë me dt 1 qershor, në Ditën Botërore të Fëmijëve.

Foto nga provat e balerinëve të vegjël, të cilë me pasion e dashuri ndjekin direktivat e koreografes dhe asistentes. / KultPlus.com

Arrin GPT-4o: Ç’mund të bëjë modeli i ri i inteligjencës artificiale?

OpenAI ka prezantuar një version të ri – me kapacitet më të lartë dhe me më shumë aftësi si të njeriut – të teknologjisë së inteligjencës artificiale (IA) që e fuqizon mjetin e tij të popullarizuar gjenerativ, ChatGPT, i cili do të mund të përdoret pa pagesë. Përditësimi i produktit kryesor të OpenAI-së u paralajmërua një ditë para prezantimit që Google pritet të bëjë rreth të rejave për Gemini-n, mjetin e IA-së të gjigantit prapa motorit të kërkimit më të popullarizuar në botë, i cili rivalizon drejtpërdrejt me ChatGPT-në.

“Jemi shumë, shumë të lumtur që po sjellim GPT-4o për të gjithë përdoruesit tanë pa pagesë”, tha më 13 maj shefja për teknologji e kompanisë nga Kalifornia, Mira Murati, në një prezantim të organizuar në San Francisko.

Modeli i ri, GPT-4o (shkronja o është shkurtesë për “omni”), do të inkuadrohet në produktet e OpenAI-së gjatë javëve të ardhshme, bëri të ditur kompania, teksa konsumatorët që paguajnë do të kenë qasje të pakufizuar në mjetin gjenerativ.

OpenAI ka thënë se modeli i ri mund të gjenerojë përmbajtje apo të kuptojë komanda me zë, me tekst apo me imazhe. “Opsioni i ri me zë (dhe me video) është ndërfaqja më e mirë kompjuterike me të cilën kam punuar. Ngjason me IA-në nga filmat”, tha kryeshefi i OpenAI-së, Sam Altman, nëpërmjet një shkrimi.

Altman më herët i është referuar personazhit që luan aktorja amerikane, Scarlett Johansson, në filmin “Her”, si frymëzim për nivelin e ndërveprimit që ai do të donte ta arrinte IA-ja. “Të flasësh me një kompjuter kurrë s’më është dukur aq e natyrshme; tani po”, shtoi ai. Murati dhe inxhinierët e OpenAI-së demonstruan kapacitetet e reja të GPT-4o gjatë prezantimit të modelit të ri, duke e sfiduar versionin e avancuar të robotit bisedues, ChatGPT.

Demonstrimi përfshiu kryesisht pjesëtarë të stafit të OpenAI-së duke i bërë pyetje versionit më zë të ChatGPT-së, i cili u përgjigj me sarkazëm dhe tregoi barcoleta. Roboti shërbeu edhe si përkthyes nga anglishtja në italishte dhe anasjelltas, interpretoi mimika dhe e ndihmoi një përdorues të zgjidhte një problemë të vështirë matematikore.

Kompania tha se GPT-4o ka të njëjtat aftësi si versioni i mëparshëm kur bëhet fjalë për tekstin, arsyetimin dhe kodimin, ndërsa vë standarde të reja industriale për biseda shumëgjuhëshe, dëgjim dhe shikim. Në një demonstrim, ChatGPT me sukses interpretoi ambientin e një punonjësi përmes kamerës së telefonit të mençur, duke folur me një zë miqësor e femëror, sikur roboti me IA në filmin “Her”. “Hëm, nga ajo që mund të shoh, duket se je në një studio incizimi apo produksioni, me drita, trekëmbësh… mos je duke u bërë gati të xhirosh një video apo të bësh një njoftim?”, tha roboti ChatGPT.

Javëve të fundit është pritur që OpenAI do ta prezantonte një version të avancuar me IA të një mjeti kërkimi online, që do të konkurronte me motorin e kërkimit të Google-it, por ditë më parë Altman paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhte. Është pritur edhe prezantimi i GPT-5, por Altman tha javën e kaluar se kompania “nuk do të ngutej” me prezantimin e modeleve të reja të mëdha.

Reflektimi i kujtesës dhe poetizimi i figurshëm i ndjenjave njerëzore

Linda Fetaj

(Majlindë Sinani Lulaj:  “Muranë fjalësh”, Armagedoni, Prishtinë, 2021.)

Hyrje

Të gjithë njerëzit pa dyshim janë bërë qoftë edhe vetëm njëherë në jetë dëshmitarë të përvojave të ndryshme jetësore që nisin qysh nga fëmijëria e deri në momentin kur nuk kujtojmë më asgjë. Kështu nis takimi ynë me poezinë e Majlindë Sinani Lulaj e cila vargjet e këtij libri i fsheh pas titullit “Muranë fjalësh”, një titull kaq përmbajtësor e kaq shpalosës në të njëjtën kohë, titull ky i cili i tregon lexuesit se fjalët që ndonjëherë mundohemi t’i mbyllim e t’i burgosim, flasin edhe më shumë e më fuqishëm. Është pikërisht fuqia e shprehjes poetike ajo e cila shpaloset në vargjet e kësaj poeteje, që rrëfimin e saj jetësor do ta nis me një dedikim gjyshes. Nga ku do kuptojmë se kemi të bëjmë me vargje të ndjera të cilat për poeten, vërtet, do të ndërtojnë një muranë.

Poezia e Majlindës ngërthen në vete lojëra të mëdha semantike, ndërtuar mbi një përmbysje sintaksore e cila vërehet qysh nga leximi i poezisë së parë. Është sa poezi e ngjashmërive po aq edhe poezi e ndryshimeve e distancave të mëdha poetike. Ligjshmëritë e jetës, natyrës, të thënat e të pathënat e njeriut, çështje të kohës, të vetmisë, të dashurisë, çështja e të qenurit e të tjera, janë motive që do të bashkëdegëzohen në poezinë e Majlindës.

Vëllimi poetik që sistemon mendimin dhe ndjenjën

Pjesa e parë e veprës quhet “Jeta gjithmonë një trajtë që ka me ardhë”, janë poezi të reflektimeve mbi të vërtetën, mbi fuqinë e fjalës dhe mbi ekzistencën, gjë të cilën poetja e shpalosë qysh në poezitë e para. Te poezia e quajtur “Udhëtare”, poetja tregon se si ajo, po bashkë me të secili nga ne jemi udhëtarë e ndoshta shprehimisht edhe kalimtarë:

“ përjetë udhëtare/ unë me veten/ e kurrkush ma”.

Poezitë e saj të gjitha me ndërlidhje të dialektit gegë, sikur e afrojnë më shumë lexuesin, dhe sikur fjalët dalin nga vetë goja e lexuesit. Kujtimet për fëmijërinë poetja i ndërlidh sikur kur kujton gjyshen: “veku i gjyshes m’diftohet andrrave ani pse kurrë nuk e kam pa” , kështu lind pyetja çfarë kujton njeriu, ato që i ka parë apo ato që i ka ndjerë? Ndoshta nganjëherë nuk jemi të detyruar të kemi pasqyrën e diçkaje, as fotografinë, sepse fotografia dhe imazhi i vërtetë i diçkaje ndërtohet nga dashuria. Këtë poezi poetja e titullon “Fati i nyjtë” sepse për të fati i saj dhe i gjyshes, siç duket kanë diku një nyje ende të pazgjidhur.

Përveç se muranë fjalësh apo edhe lojë fjalësh, poetja artistikisht ndërton një poezi me përmbysje të rendit sintaksor, me prirje për të shkruar poezinë e meditimit mbi të vërtetën e mbi të pathënën. Kjo poezi ndërtohet shumë më ndryshe çka dëshmon për një liri të të shkruarit, për një poete që guxon të luajë me fjalën, me gjuhën dhe me emocionin.

Çështja e ekzsitencës, të qenurit, e famshmja të jesh a të mos jesh e Shekspirtit, filozofia ekzistenciale e njeriut, esenca e jetës janë motive të bashkëdyzuara te poezia e quajtur “Lidhun qiejsh” , ku poetja mes vargjesh kërkon hyrje-daljet e kësaj jete, kërkon të mbyllë sytë e në kokën e saj dëftohen pyetje e përgjigje të ndryshme:

“ mbyll sytë me pa/Kah/N’cilën anë asht me mbrri/ Prej cilës me ikë/Ku asht dheu me u tretë”.

Kjo poezi dëshmon se më shumë se me poezi të ndjenjës, kemi të bëjmë me poezi të mendimit, e cila asesi nuk i ngjan poezisë së çastit, por dëshmon se është poezi e mirëmenduar.

Motivin e dashurisë rrallë herë mund ta kemi parë, siç vjen në poezinë “ Zani i syve” .

Këtu poetja tregon për forcën e dashurisë përmes zërit të syve. Sipas saj sytë tregojnë atë çka mbanë zemra, prandaj në sytë e tjetrit duhet parë me kujdes, edhe kur duam të marrim dashuri, por edhe kur duam të japim:

“Zani i syve asht krejt i imtë/E nuk di me heshtë/Edhe kur s’duem me dashtë”.

Tutje vijon ajo gjendja kur njeriu ka shumë për të thënë e s’thotë dot asgjë, duke kumbuar kështu mes vargjesh:

“N’mue rri strukun/ Nji unë që hesht”.

Pjesa e dytë titulluar “Fijëzue barishtesh syve t’ujtë njomet pranvera”, kemi një cikël poezish ku dëftohen disa motive si mohimi, braktisja, zhgënjimi, dashuria, dhe frika, ku vërehet një gërshetim i ndjenjave të pakontrolluara të njeriut. Për më tepër poetja mohon mohimin përmes vargjesh:“mohimit kanga ka me e harrue zanin/ E tanë fjalët kanë me i ik vargnimit”. Mirëpo, tutje do të vijojë braktisja “ tani që fjalët kanë mësu udhën e braktisjes”.

Poezia e quajtur “ Kanga e asaj që s’jam” mund të jetë më e bukura e më e fuqishmja e gjithë vëllimit. Poetja tash vihet në kërkim. Poezia arrin vlerën e universales, duke i arritur mundësitë e interpretimit në kënde të ndryshme. Për dikë poetja po kërkon vetveten, e për dikë ajo po kërkon dikë të zemrës. Të dyja mund të argumentohen e të shihen në vargjet:

“e kujtoj nji kohë / kur andrrat e jetën / lidhun i kam për ty/ kur kam pas mendue/ se ntana dhomat/ zemrës tande kam hy”, shprehur kështu një nevojë për të gjetur dashurinë, por vargjet tutje shpalosin humbjen e saj“e nji ditë ndër ditësh / pa e ditur pse-në/ nuk t’kam gjetë aty”.

Dashuria për poeten është një trajtë, siç thotë ajo që e jetojmë, siç e dëshirojmë e jo siç është, dashuria i ngjan një arratisjeje, ngushëllimi, një përngjasimi me dikë që trazon shpirtin:

“dashunia shpesh asht arratisje prej vetvetes/Drejt dikujt që asht nji tjetër ti n’përsosmëni/Që t’ban me harrue kufinin e vdekjes e jetës/Që s’mundet me u ba e nuk ka si me u mbërri”.

 Poezia në të cilën bashkëjetonë të kundërtat e të përafërtat

Pjesa e tretë “N’qelqe t’ftohta sysh avujve t’krypun ishuj dëshirash vdesin” me nëntitull kaq interesant vë në pah dritën e kujtimeve që i ngjallen njeriut në ditët më të errësuara:

“kujtimet e pëlhurta zhveshin ditë të zverdhuna/ kah tingujt e vjeshtës ndjekin dallgë të mendimeve”.

Poetja vë në pah çështjen e tjetrit, nevojën që ka njeriu për praninë e një tjetri, dikujt, kujtdo që të flasë e shprehet, nevojën e një njeriu të dashur apo jo, por që mjafton të jetë aty kur njeriu siç shprehet ajo ndjehet i rrëzuar:

“Nji buzë e thame/ E nji sy i harruem prej lotit…/Asht mendja e atij që i hanë duert / E lyp me i thanë një gja t’bukur/ Sa me nis fillin e mendimit/ Që cakun e ka te mungesa”. (“Përtej tjetrit”).

Është kjo një mungesë ndaj të cilës çdo njeri ndjehet i dorëzuar. Pjesët tjera të vëllimit ndajnë pak a shumë motive të njëjta. Poetja i sjellë të gjitha në mënyra të ndryshme, duke i shoqëruar me nëntituj karakteristikë.

Poezia “Dimni i Marsit” trajton motivet e ngjarjeve të Marsit në vitet 1998, ngjashëm shkruhet edhe poezia e titulluar “ Elegji”, ku plot dhembje shkruhet elegjia e një zemre:

“ pak hapa më tej/ Asht toka prej kah jam/ Nji copë e vogël dheu/ Që herë-herë/

Kur dimnat hajnë me dhambë/ E vnoj n’vend t’zemrës”.

Çështja e vdekjes shihet ndryshe nga poetja, për të njeriu nuk vdes kur e mbulon dheu a kur bëhet dhe, vdekja e vërtetë është harrimi:

“Harrimi/ Veç harrimi asht vdekja e vërtetë”.

Kjo liri dhe pikëpamje ndryshe shtrihet kudo në gjithë poezitë e poetes, një admirim për botën, për jetën, për gjithçka që e rrethon, vargjet e lira, të cilat i shoqëron me një liri shprehëse dëshmojnë për indivualitetin e poetes dhe për vlerat e vërteta artistike e estetike.

Motivin e perëndisë e shoqëron me vargjet “ na lypësit e pangimë përjetshëm/ a i bajmë vend Zotit n’zemra”,duke treguar se Zoti dhe besimi i vërtetë është në zemrat e njerëzve.

Një bashkëbisedim me hënën vihet pas poezisë së quajtur “Hanë” vargjet e poezisë në fjalë, janë ato që secili nga ne ia themi hënës kur çojmë kryet kah qielli:

“ Hanë/ si buzëqeshje e menjanueme sonte/ a mi falë sytë/ ta shoh botën siç nuk asht/ e mandej t’i fal të mitë”.

Poetja dëfton se një moshë, një kohë vjen dhe njeriu arrin një maturi emocionale me anë të së cilës i percepton ikjet dhe ardhjet e njerëzve në jetën e tij, ku e rëndësishme është lumturia e vërtetë:

“Ka nji çast/ që përplas gjithçka/E si pluhun a shkëlqim/ I ban baras me kurgja”.

Nuk është e padukshme në poezinë e Majlindës ikja nga përpikmëria e shenjave gjuhësore. Asnjëherë nuk fillohet me shkronjë të madhe, duke hapur rrugë për interpretim, duke i dhënë lexuesit çelësin e poezisë së saj, duke i dhënë të drejtën atij të bashkëndjejë me poeten, t’i kthehet vetvetes, të ik nga e kaluara e t’i kthehet prapë asaj. Është një poezi e reflektimeve të kujtesës, dhimbjes, meditimeve, filozofisë personale ku mund ta gjejë vetveten secili njeri. Poetja nuk flet për veten, por flet me veten, me një alter-ego, duke dëshmuar se kjo muranë fjalësh e ndërtuar nga ajo, është një fije e hollë e dritës që e ka shkëlqimin dhe bukurinë e vet.

Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Maj, 2024./ KultPlus.com

Kori Siparantum do të përfaqësojë Kosovën në festivalin prestigjioz ‘UNIVERSITAS CANTAT’ në Poloni

Kori Siparantum do të përfaqësojë kulturën shqiptare në festivalin e njohur “UNIVERSITAS CANTAT”, i cili do të mbahet në qytetin e Poznań, Poloni, nga 15 deri më 18 Maj 2024. 

“Kjo është një mundësi e rëndësishme për ne për të shpalosur trashëgiminë tonë kulturore në një ngjarje kaq prestigjioze. Poznań është një qendër e rëndësishme për artin koral në Poloni, dhe auditori kryesor i festivalit, Salla e Universitetit Adam Mickiewicz, ofron një ambient të veçantë për performancat korale, me një akustikë të jashtëzakonshme”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum. 

Programi ynë fillon me një koncert në Cultural Centre në Pobiedziska më 15 Maj, në orën 19:00, ku do të prezantojmë kompozitorë shqiptarë dhe trashëgiminë tonë muzikore.  Në program do të interpretohen vepra të kompozitorëve tonë të shquar; Llapacaj, Antoni, Mulliqi, Dhomi, Menxhiqi, Jashari, Kelmendi etj.

Në ditën e dytë, më 16 Maj, koncerti do të mbahet në AMU Concert Hall. Kori Siparantum do të ngjitet në skenë me kore të tjera pjesëmarrëse që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë program kori do të paraqitet me vepra të muzikës kontemporane. Në koncertin final të gala-s, Kori Siparantum dhe koret e tjera pjesëmarrëse do të shfaqen në AMU Concert Hall për të interpretuar veprën “INCANTATIO”, nën drejtimin e Anna Duczmal-Mróz, bashkë me Amadeus Chamber Orchestra of Polish Radio./KultPlus.com

Ministria e Kulturës hap përsëri konkurs për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka shpallur përsëri konkursin për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

I njëjti konkurs ishte hapur edhe një muaj më parë mirëpo kishte dështuar pasi asnjëri nga shtatë kandidatët e testuar, nuk kishin arritur të merrin 50 pikë, në mesin e tyre as ish-drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, as ushtruesja e detyrës së drejtorit, Bukurije Haliti.

Në konkursin e mëparshëm 13 kandidatë kishin aplikuar për këtë pozitë, ku 10 prej tyre ishin kualifikuar për fazën e radhës, shtatë kishin hyrë në testin me shkrim, por asnjëri nuk e kishte kaluar testin.

Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj, Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, i kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”.

Akif Shkreta, Flamur Maloku dhe Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ka qenë i hapur një muaj, nga 9 shkurti deri më 9 mars. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj dhe Samir Sallahu nuk kanë marrë pjesë në test.

“Konkursi është anuluar sepse asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur pikët”, kishte thënë kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë së paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes, shkruhet në nenin 11 të Ligjit./KultPlus.com

Marramendëse, kjo është pasuria e Dua Lipës

Tashmë dihet se Dua Lipa është këngëtare dhe kompozitore me origjinë shqiptare, e cila ka pushtuar botën me muzikën e saj. Ajo u bë e njohur në vitin 2017 me albumin e saj dhe me hitet si “New Rules” dhe “IDGAF”. Që atëherë, ajo ka fituar çmime si Grammy dhe Brits, dhe madje ka zënë një vend në listën e 100 njerëzve më me ndikim të revistës Time, përcjell albinfo.ch.

Lipa filloi të postonte këngë në YouTube si adoleshente. Ajo nënshkroi me Warner Music Group në 2015 dhe publikoi këngën e saj debutuese “New Love”. Më pas publikoi albumin e saj debutues me titull “Dua Lipa” në vitin 2017. Albumi krijoi këngë hit si “Be the One”, “IDGAF” dhe “New Rules”.

“New Rules” u bë një nga këngët më të transmetuara nga një artiste femër në Spotify. Ajo fitoi dy çmime Brit për Artiste Solo Britanike dhe British Breakthrough Act.

Sipas ‘networth‘, pasuria e Duas vlerësohet me rreth 35 milionë dollarë!/albinfo.ch/ KultPlus.com

Themeluesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, feston sot 40-vjetorin e lindjes

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, sot feston ditëlindjen e 40-të, shkruan KultPlus.

Mark Elliot Zuckerberg ka lindur më 14 maj,1984. Ai është një sipërmarrës amerikan i teknologjisë dhe filantropist.

Lindur në White Plains (New York), Zuckerberg ndoqi studimet në Harvard. Ai nisi të themelojë Facebook-un nga dhoma e tij e konviktit më 4 shkurt të vitit 2004 me shokët e dhomes Eduardo Saverin, Andrew McCollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes.

Fillimisht i nisur për të zgjedhur kampuset universitare, websajti u përhap shpejt duke arritur një miliard përdorues në 2012-ën. Zuckerberg e çoi kompaninë në bursë në maj të 2012 me shumicën e aksioneve.

Të ardhurat e tij neto vlerësohen të kenë qenë 55 miliardë dollarë, deri në 30 nëntor 2018, duke rënë gjatë vitit të fundit bashkë me aksionet e Facebook-ut në tërësi. Në 2007-ën, në moshën 23 vjeçare ai u bë miliarderi më i ri i vetërealizuar.

Në dhjetor 2016, Zuckerberg ishte në vendin e 10-të të listës së personave më të fuqishëm në botë nga revista Forbes.

Zuckerberg e braktisi shkollën në vitin e dytë në mënyrë që të mbaronte projektin e tij. Në janar të 2014, ai do kujtonte:

“Më kujtohet atëherë një ose dy ditë pasi fillova Facebook, po haja pica me shokët dhe po mendoja Dikush duhet të krijoj një shërbim të tillë për botën. Por kurrë nuk mendoja se do ishim ne ata që do e bënim një gjë të tillë.Ne ishim më të predispozuar për ta realizuar.”

Në 28 Maj 2017, Zuckerberg mori një diplomë honorare nga Harvard.

Historiku i krijimit të facebook:

Në 4 Shkurt 2004, Zuckerberg hodhi në Internet Facebook, foto nga dhoma e tij e konvinktit në Harvard. Një inspirim për krijimin e Facebook mund të ketë ardhur që nga Philips Exeter Academy,shkolla para-universitare ku Zuckerberg kishte diplomuar në vitin 2002. Aty shkolla kishte publikime  “Libri me Foto”,të cilin studentët e quanin si “The Facebook”. Foto të tilla ishin një pjesë e rëndësishme e eksperiencave sociale në shumë shkolla private. Me anë të tyre,studentët mund të shënonin detaje si viti i mbarimit, shokët dhe numrat e telefonit.

Kur nisi Facebook, Zuckerberg mendoi se do ishte thjeshtë ” një gjë Harvardi”, derisa vendosi që ta përhapte edhe nëpër shkolla të tjera, duke u ndihmuar nga shoku i dhomës Dustin Moskovitz. Ata filluan me universitet Columbia University,New York, University, Standford, Dartmouth, Cornell.

Më pas Zuckerberg, Moskovitz dhe disa shok u transferuan në Palo Alto, Kaliforni, në Silicon Valley ku morën me qera një shtëpi të vogël që shërbente si zyrë. Gjatë verës, Zuckerberg u takua me Peter Thiel, i cili investoi në kompani. Ata morën zyrën e tyre të parë diku nga mesi i 2004-ës. Sipas Zuckerberg-ut, grupi planifikonte të kthehej në Harvard, por përfundimisht vendosën të qëndronin në Kaliforni. Ata kishin refuzuar oferta nga korporatat kryesore për të blerë kompaninë. Në një intervistë të 2007-ës, Zuckerberg shpjegoj arsyen: “Nuk ishte për sasinë e parave. Për mua dhe kolegët e mi, gjeja më e rëndësishme ishte të krijonim fluks informacioni të hapur për njerëzit. Të pasurit e korporatave të mediave që zotëroheshin nga konglomeratët nuk ishte një ide tërheqse për mua.”

Ai i ritheksoi këto qëllime edhe në 2010-ën në gazetën Wired: “Gjëja që me të vërtet më intersonte ishte misioni,të bërit një botë të hapur. Në 21 Korrik 2010, Zuckerberg deklaroi se kompania kishte arritur kuotën e 500 milion përdoruesve.I pyetur nëse kompania mund të gjeneronte më shumë të ardhura nga reklamat si pasojë e rritjes galopante,ai shpjegoj:

“Them se po…nese shikon se sa faqet tona klikohen krahasuar me faqet e zakonshme.Kjo është gjeja më e thjeshtë që mund të bënim.Por nuk jemi për të tilla gjëra.Ne bëjmë para mjaftueshëm.Dua të them se po e menaxhojmë mirë dhe se po rritemi aq sa duam.”

Revista Vanity Fair e emëroi Zuckerberg si numrin 1 në listën e 2010-ës të 100 njerëzve më me influencë të epokës së informacionit. Zuckerberg ishte në vendin 23-të në po të njëjtën listë të një viti më parë (2009). Në 2010-ën, Zuckerberg u zgjodh në vendin e 16-të në sondazhin vjetor të ew Statesman si një ndër 50 personat më me infuencë në botë./KultPlus.com

Më 14 maj 1450 ka filluar Rrethimi i Parë i Krujës nga ushtria osmane

Rrethimi i parë i Krujës ka ndodhur në vitin 1450, kur një ushtri Osmane prej rreth 100.000 trupash janë caktuar që të rrethojnë Krujën në Shqipëri.

 Lidhja e Lezhës, e udhëhequr nga Skënderbeu, pësoi moral të ulët pas humbjes të Svetigradit dhe të Beratit në vitet 1448-1450. Megjithatë, thirrjet e Skënderbeut dhe mbështetja e klerit, të cilët pohuan se kishin vizione të engjëjve dhe fitores, i motivoi shqiptarët për të mbrojtur kryeqytetin e Lidhjes, Krujën, me çdo kusht.

Pasi la një garnizon mbrojtës prej 4,000 burrash nën togerin e tij të besueshëm Vrana Konti (i njohur edhe si Kont Urani), Skënderbeu i bastisi kampet osmane rreth Krujës dhe sulmoi karvanët e furnizimit të ushtrisë së Sulltan Muradit II. Deri në shtator, kampi otoman u shndërrua në një rrëmujë ndërsa morali u fundos dhe sëmundja u përhap.

Ushtria osmane pranoi që kalaja e Krujës nuk do të binte me forcë të armëve, hoqi rrethimin dhe morri rrugën e saj drejt Edirnes. Shumë shpejt pas kësaj, në dimrin e vitit 1450-51, Muradi vdiq dhe u pasua nga djali i tij, Mehmed II. / KultPlus.com

25 vite nga masakra në Qyshk

Sot mbushen 25 vite nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 burra.

Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.

Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Danimarkës ku do të marrë pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci.

Në Samit, Presidentja Osmani do të ketë fjalim kryesor dhe diskutim mbi përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë, si dhe për rëndësinë e integrimit të vendit tonë dhe të vendeve tjera aspiruese në institucionet euroatlantike në dritë të zhvillimeve gjeopolitike.

Përgjatë vizitës në Mbretërinë e Danimarkës, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë shtetëror.

Po ashtu, Presidentja Osmani do ta takojë edhe mërgatën shqiptare në këtë shtet./KultPlus.com

84 vite nga vdekja e Emma Goldman, aktivistes së njohur të feminizmit

Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.

E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma. /KultPlus.com

“Euronews”: Lugina e Thethit, vendi i përsosur për t’u çlodhur

Destinacionet në të gjithë Evropën po luftojnë kundër turizmit masiv. Nuk është për t’u habitur që shumë vizitorë po kërkojnë alternativa më pak të njohura larg turmave, shkruan Rebecca Ann Hughes në një artikull të botuar në “Euronews Travel”.

Ndoshta nuk do të mund të shihni monumentet ikonike apo të hani në restorante madhështore, por do të gjeni hapësirë, paqe, çmime më të ulëta dhe shumë surpriza.

Më poshtë vijojnë vendet më të mira për t’u shpëtuar turmave të turistëve.

Përdoruesit e “Reddit” kanë sugjeruar katër destinacionet e përballueshme në Evropë për të vizituar në 2024 që përfshijnë:

Shqipëri – Lugina e Thethit

Ishujt grekë – Ikaria

Angli – North Devon

Republika Çeke – Brno

Shqipëri: Bëni një shëtitje në Luginën e Thethit

Vija bregdetare e Shqipërisë ka fituar popullaritet si një nga destinacionet më të lira krahasuar me Kroacinë. Vargmalet e saj në veri mbeten relativisht nën radar.

Në të ashtuquajturat “Bjeshkët e Nemuna” ndodhen shtigje të shumta që të çojnë nëpër formacione shkëmbore të larta, pyje të mbushura me bimësi dhe fshatra të largëta.

Lugina e Thethit ofron peizazhe mahnitëse, lumenj blu kristal dhe male të mahnitshme.

Ushqimi është i mrekullueshëm, vendasit janë mikpritës dhe ka pak turistë.

Ju rekomandojmë ta vizitoni destinacionin e veçantë përpara se ai të bëhet super popullor./atsh/KultPlus.com

‘Një lulishte me trëndafila’, nga zëri i veçantë i Ismet Bogujevcit (VIDEO)

Sot janë bërë 3 vite pa ikonën e e folklorit shqiptar, Ismet Bogujevcin.

Ismet Bogujevci (9 prill 1952 – 13 maj 2021) konsideohet një ndër figurat më të shquara të muzikës dhe folklorit kombëtar. Në nderim të jetës dhe veprës së tij, KultPlus ju sjell këngën “Një lulishte me trëndafila”:

Nji lulishte me trandafila
Asht parajsa e vërtetë,
ky asht ven, qi knojn’ bilbilat
flak q’mu dogj ashiku i shkretë.

Vetë më the mëre xhanan
n’at lulishte jetën ta çojm
Mos më le në kët zindan
Të gjithë jetën nuk do t’rrojmë.

Maraku asht nji shkendi
Djeg si dielli në qeshor
Kët’ sevda, kush ma din’
Shpirtin tem’ ja jap në dorë.

Të gjitha lulet jane lavdëru
Trandafili asht me famë
Ashiku ç’u përvëlu
ç’u dogj flakë si përvan.

N’Elbasan asht një gur varri
Të zest ashket si se panë
Flakë u dogj Isuf Myzyri
Si Mexhnuni për Lajlanë./KultPlus.com

3 vite pa ikonën e folklorit shqiptar, Ismet Bogujevcin

Ismet Bogujevci është një ndër figurat më të shquara të muzikës dhe folklorit kombëtar, shkruan KultPlus.

Ai ka lindur më 9 prill 1952 në Podujevë. Fillet e karrierës së tij mjaftë të bujshme, ishin në shoqërinë kulturo-artistike ‘Josip Rela’ në Podujevë në vitin 1972 në muzikë dhe aktrim pasi në atë kohë kjo shoqëri kulturo-artistike kishte shtrirje paralele në muzikë dhe në aktivitete teatrore.

Drama ‘Halili dhe Hajria’ ishte ngjarja e parë që i mundësoi Bogujevcit të ngjitet në skenë në rolin e Qatipit. Më vonë ai ka vazhduar aktivitetin e tij artistik edhe në shoqërinë ‘Ramiz Sadiku’ duke pasur paraqitje në Prishtinë dhe në gjithë rajonin ballkanik.

Nga viti 2000, ai ka punuarsi solist në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Kurse nga viti 2012 – 2013 ishte në pozitën e UD Drejtor i Ansamblit.

Disa prej këngëve të tij janë: “Kur ta fala një tufë gërshetë”, “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga”, “Bajram Curr o Bajram Curr” etj.

Ai vdiq më 13 maj të vitit 2021./ KultPlus.com

Servete Maçi, mësuesja e shkollës së parë femërore në Tiranë

Servete Maçi (1901-1995) mësuese e shkollës së parë femërore në Tiranë dhe e bija e patriotit të palodhur, tiranasit Musa Maçi, një aktivist që kishte pësuar disa here burgime nga xhonturqit.

Servete Maçi e filloi mësimdhënien e gjuhës shqipe qysh në moshën 15 vjeçare. Shtyrë nga i ati, por edhe nga miqtë e të atit, Ibrahim Dalliu dhe Jusuf Elezi, ajo e filloi punën e saj me 35 nxënëse. Sipas kujtimeve të mësueses së parë veterane Servete Maçi (Petrela) të kësaj shkolle dalin këto të dhëna për hapjen e shkollës.

“Një grup patriotesh si Riza Jasa, mësuesi Mahmud Fortuzi erdhën në shtëpinë time (Servetes) dhe biseduan me babain tim. Ata i thane atij se kishin vendosur të hapnin një shkollë femërore shqipe dhe kërkuan që unë të isha mësuesja e pare atje. Unë dija vetëm të shkruaja dhe të lexoja. Babai im pranoi… Isha tepër e re, – shkruan ajo, – vetëm 15 vjeçe dhe kisha frike se a do të isha në gjendje ta përmbushja këtë detyrë për t’i mësuar vajzave gjuhën amtare siç duhej. Por, shokët e babait tim, në mënyrë të veçantë Ibrahim Dalliu, me binden duke me premtuar se do të më ndihmonin sa herë të kisha nevojë”.

Shkolla shqipe që sot quhet shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Përmetit” është hapur më 1916 në kohën e pushtimit Austro-Hungarez. Godina ishte prona e Dulle Kanes. Ishte një ndërtese e vjetër e përbërë prej tri dhomash, dy nga të cilat ishin pa tavan. Kushtet e mësimit ishin fare të papërshtatshme, por megjithatë për mësimin e gjuhës shqipe në të shkruar e në të lexuar u përdor libri i abetares i Naim Frashërit.

Shkolla 7-vjeçare “Kongresi i Pёrmetit” (Tiranё). Viti 1955

Mësimi zhvillohej dy herë në ditë me përjashtim të ditës së enjte që zhvillohej vetëm para dite (ditë pazari). Pushimi bëhej ditën e premte. Armiqtë e tërbuar të shkollës shqipe ishin anëtarë të klubit Turk të Tiranës. Ata, duke e fyer, përpiqeshin që ta bënin Serveten të linte detyrën e mësueses, por nuk ia arritën qëllimit. Ajo u quajt “kaurreshe”, pra si një grua që kishte braktisur fenë islame. Të nxitur nga dallkauket xhonturq disa fëmije rrugaçë e qëllonin me gurë, kur ajo vinte në shkollë ose kur kthehej në shtëpi, derisa një ditë arritën ta qëllojnë me gur në shpatullën e majte që i shkaktoi asaj lëngimin në shtrat për pese muaj, por shkolla nuk u mbyll. Shpesh atë e shoqëronte e ëma ose nxënësja e saj Hatixhe Jasa. Vendin e mësueses e zunë ish-nxënëset e saj Hafsa Hasan Haxhimehmeti dhe me pas Alie Myrtezim Kelliçi të cilat bënin mësim sipas udhëzimeve të mësueses Servete Maçi. Me gjithë kushtet e vështira (nxënëset ishin herë të zbathura e herë të pa ngrëna) ato mësonin me shumë dëshire gjuhën shqipe në të shkruar e të lexuar. Ato gjithashtu mësonin edhe shumë këngë patriotike shqiptare. Një rol të madh në hapjen dhe organizimin e arsimit në zonat e pushtuara nga Austro-Hungaria (edhe në Tiranë) ka luajtur Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër dhe Drejtori i Përgjithshëm në atë kohë ishte Luigj Gurakuqi.

Në 1917 në Tirane u hap një kurs pedagogjik. Në shkollën femërore erdhi mësuesja e kualifikuar Zenepe Reçi. Gjatë vitit 1920, nën qeverinë e Sulejman Delvines u bënë disa reforma. Sipas dokumentacioneve arkivale të Ministrisë së Arsimit të shtetit të ri shqiptar, data 29 gusht 1920 thuhet se, në Tiranë krahas shkollave të tjera, shkolla femërore në rrugën e Dibrës do të kishte tre klasa me mësuese: Zenepe Reçi, Sailia (mbiemri nuk mund të lexohet), Alie Kelliçi dhe Hafsa Hasani.”

Marrë prej librit “Kujtime për shkollën e parë (laike) shqipe për vajza në Tiranë” (Dorëshkrim) nga Servete Maçi, faqe 33 si dhe nga libri “Historia e Tiranës” i Kristo Frashërit./ KultPlus.com

Java Franceze e Kulturës, veprat e skulptorit të njohur francez Richard Orlinski ekspozohen te Piramida

Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare vjen sot në kryeqytet me hapjen e Javës së Kulturës Franceze. Në mjediset e Piramidës në kryeqytet u çel ekspozita me veprat e skulptorit të mirënjohur francez, Richard Orlinski.

Të pranishëm në hapjen e saj ishin edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja franceze, Catherine Suard.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se këto nisma janë një urë e rëndësishme në bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Francën. Përveç javës simbolike të Kulturës, i gjithë viti ka qenë një vit francez. Edhe kryeministri dje, u kthye nga Athina pas një vizite të jashtëzakonshme dhe shumë entuziaste dhe ndoshta që do të mbahet mend në histori shumë gjatë me diasporën atje, ne gjithashtu sapo u kthyem nga Venecia, ku patëm binjakëzimin e Tiranës me Venecian, kryeqytetin e artit, bienales, dhe shumë aktiviteteve të tjera. Java e Kulturës Franceze do të ketë përqendrimin më të madh të aktiviteteve, por ne do të kemi edhe mbjelljen e disa nismave të reja, që do të jenë urë mes Shqipërisë dhe Francës në afatgjatë”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, në mbrëmje te Piramida do të përurohet edhe Kubi Francez.

“Sot pasdite hapim Kubin Francez dhe mezi pres vijimin e Javëve të tjera të Kulturës. Këtë javë hapim kinemanë “Maks Velo”, për t’i dhënë vëmendje jo vetëm qendrës së Tiranës, por edhe periferisë, ashtu siç ndodh me Marubin në Kinostudio, ashtu siç po ndodh tani me qendrën tonë dixhitale, te kinema Agimi. Jam gjithmonë besimtar i faktit se fjalët e sherret i merr era, kurse në finale njerëzit do të thonë: puna, puna, puna”, theksoi Veliaj.

Ambasadorja Catherine Suard i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës për gatishëmrinë e treguar për të çuar përpara këto projekte.

“Është artisti bashkëkohor më i shitur në botë dhe është hera e parë që veprat e tij ekspozohen në Tiranë. Mendimi im personal është se këto vepra nuk mund të kishin gjetur një “kuti” më të mirë stolish, kaq me ngjyra, kaq bashkëkohore popullore e të hapur, sa Piramida e Tiranës. Dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe Bashkinë e Tiranës, që e mbështet kaq shumë këtë projekt, që besoi tek ne dhe kontribuoi kaq shumë në realizimin e kësaj ekspozite”, tha Suard.

Aktivitetet e Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të vijojë nga data 13-19 maj me Francën. Koncerte, ekspozitat, shfaqje, kulinari, lojëra, shfaqje cirku dhe argëtimi pa fund, do të na shoqëroje përgjatë gjithë këtyre ditëve./atsh/KultPlus.com

40 thënie nga Platoni për të qenë të lumtur

I lindur në një familje të shquar dhe të pasur në Athinë, Platoni ia ka kushtuar jetën e tij një qëllimi: të ndihmojë njerëzit të arrijnë atë gjendje që ai e quajti: Eudaimonia. Kjo fjalë greke, pothuajse do të thotë ‘lumturi’, por është me të vërtetë më pranë ‘përmbushjes’.

Idetë e Platonit mbeten thellësisht provokative dhe tërheqëse. Ajo që i bashkon është ambicia dhe idealizmi i tyre. Ai donte që filozofia të ishte një mjet për të na ndihmuar të ndryshojmë botën. Një shembull që mund të vazhdojë të frymëzojë.

Çfarë propozon Platoni për t’i bërë njerëzit më të përmbushur?

Mendoni më shumë

Platoni propozoi që jetët tona shkojnë shpesh herë keq, sepse ne pothuajse kurrë nuk i japim vetes kohë për të menduar me kujdes dhe të logjikojmë mjaftueshëm për planet tona. Kështu përfundojmë duke përqafuar vlerat e gabuara, karrierën e gabuar dhe marrëdhëniet e gabuara. Platoni donte të sillte rregull dhe qartësi në mendjet tona.

Frojdi kishte qejf ta pohonte, në fakt ishte Platoni ishte shpikësi i terapisë, duke këmbëngulur se ne mësojmë t’ia nënshtrojmë të gjitha mendimet dhe ndjenjat arsyes tonë. Ai është përpjekur të shkruajë në mënyrë edhe të përsëritur, por thelbi i filozofisë përmblidhet në komandën: “Njih vetveten”.

Dashuro me më shumë mençuri

Platoni është një nga teoricienët e mëdhenj të marrëdhënieve. Libri i tij, Simpoziumi, është një përpjekje për të shpjeguar se çfarë është dashuria në të vërtetë dashuria.

Rëndësia e bukurisë

Askush para Platonit se kishte bërë pyetjen kyçe: Pse i pëlqejmë ne gjërat e bukura? Ai gjeti një arsye interesante: ne shohim tek ato një pjesë të “mirësisë”.

40 thënie nga Platoni për të qenë të lumtur.

1- Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

2 – Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

3- Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.

4 – Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.

5 – Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.

6 – Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

7- Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita

8- Studimi më fisnik ndër të gjitha është studimi i njeriut dhe jetës që duhet të jetojë.

9- Tregohu i mirë, sepse kushdo që takon, po përballet me një betejë të vështirë.

10- Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

11- Nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve.

12- Kurrë mos e dekurajo dikë që bën përparime të vazhdueshme,sado të ngadalshme qofshin.

13- Fillimi është pjesa më e rëndësishme e çdo pune.

14- I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

15- Ekzistojnë 3 kategori njerëzish: Ata që janë të dashuruar me Dijen; të dashuruarit me nderin dhe të dashuruarit me përfitimin.

16- Sjellja njerëzore rrjedh si pasojë e 3 shkaqeve: Dëshira, Emocionet ose Dija.

17- Që një njeri të arrijë të zotërojë vetveten është nga fitoret më fisnike dhe më parësore.

18- Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

19- Opinioni është shkalla mes injorancës dhe dijes.

20- Një hero lind mes qindrave; një i mençur mund të gjendet mes mijrave, por një njeri i vetërealizuar mund të mos gjendet as mes qindra mijëra njerëzve.

21- Ata që janë të aftë të shohin përtej hijeve dhe gënjeshtrave të kulturave të tyre, nuk do kuptohen kurrë nga masat e jo më të besohen nga to.

22- Ajo që quajmë mësim është thjesht një proces rikujtimi.

23- Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

24- Një vendim i mirë është bazuar në njohuritë dhe jo në numrat.

25- Të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor; dhe megjithatë ne mashtrojmë veten, ndaj Perëndisë janë të shtrenjtë si fshatari i varfër, si princi.

26- Gjithë ari i cili është nën apo mbi tokë nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të Virtytit.

27- Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit? Vërtet, thashë unë, dituria është ushqim i shpirtit.

28- Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit.

29- Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit.

30- Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

31- Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

32- Dinaku nuk është tjetër veçse imitatori më i ulët i zgjuarsisë.

33- Vdekja nuk është më e keqja që mund t’iu ndodhë burrave.

34- Teprimi në përgjithësi shkakton reaksion, dhe prodhon një ndryshim në drejtim të kundërt, qoftë ai në stinët, në individët apo në qeveritë.

35- Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që vuan atë.

36- Ai që vjedh pak, vjedh me të njëjtën dëshirë si që vjedh shumë, por me më pak fuqi.

37- Ndershmëria është për pjesën më të madhe më pak fitimprurëse se sa pandershmëria.

38- Do marr heshtjen tuaj si dhënie pëlqimi.

39- Nëse një njeri e neglizhon edukimin, ai ecën çalë në fund të jetës së tij.

40- Prindërit duhet t’u lënë trashëgim fëmijëve të tyre jo pasurinë, por frymën e nderimit./abcnews.al/KultPlus.com