Regjisorit serb nuk i lejohet hyrja në Kosovë

Boris Malagurski, një regjisor serbo-kanadez, është kthyer mbrapsht nga autoritetet e Kosovës.

Kësisoj shkruan Blici serb kur tregon se regjisori nuk ka mundur të vijë në Kosovë për të qenë pjesë e premierës së filmit dokumentar ‘Kosovo: Momenat u civilizaciji’.

Premiera e filmit ndodhi në Mitrovicë dhe poashtu edhe në Graçanicë, ndërsa regjisori u ka thënë mediave serbe se ndalesa e tij dhe moslejimi i hyrjes në Kosovë është pjesë e agjendës kosovare që të fshihet historia dhe identiteti serb, shkruan KultPlus.

Gjatë premierës në Mitrovicë u fol se si kosovarët duhet ta kuptojnë se ka një trashëgimi serbe në Kosovë dhe ajo duhet mbrojtur. Në hapje folën Igor Simic – deputet i Listës Serbe dhe Zoran Garic – Drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve.

Malagurski ka organizuar edhe protesta më parë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dokumentari në fjalë zgjatë 54 minuta dhe është realizuar në shtator të vitit të kaluar. Për filmin dokumentar patën reaguar edhe Ramush Haradinaj – që e dënoi një dokumentar ku Kosova paraqitet me imazh të keq, dhe më pas erdhi edhe reagimi i Marko Gjuriq – Drejtorit të Zyres për Kosovë dhe Metohi – që mbështeti filmin dhe realizimin e tij. / KultPlus.com

Shtatë cilësitë e një karakteri origjinal

Pavarësisht nga ajo që mendojmë, ka njerëz të ndershëm në botë. Mund të duket e vështirë, duke pasur parasysh lajmet që mësojmë çdo ditë, por ato ekzistojnë.

Nëse keni këto cilësi, jeni me siguri një person autentik dhe interesant.

1. I sjellshëm dhe i respektueshëm me të gjithë

Ju jeni të sjellshëm dhe të vëmendshëm dhe kjo ju bën të imunizuar nga problemet. Është një cilësi e rrallë, të cilën është e vështirë ta gjesh tek shumëkush.

2. Durimi

Durimi është një dhuratë e natyrshme që keni. Mund të jetë një aftësi e vështirë për të zotëruar, por nëse është brenda jush, nuk do të keni probleme.

3. Të besueshëm

Njerëzit kanë besim tek ju dhe tek këshillat tuaja. Ju jeni shumë të besueshëm. Besnikëria për ju është thelbësore dhe nëse dikush dyshon në vërtetësinë tuaj, vazhdoni në rrugën tuaj dhe mos u shqetësoni për ta.

4. Ndiqni një rregull të artë

Mënyra se i trajtoni njerëzit është trajtimi që dëshironi të merrni. “Bëni të tjerëve atë që doni t’ju bëjnë ju”. është motoja e jetës suaj.

5. Drejtësia ka një vlerë të lartë për ju

Besoni në drejtësi dhe që të gjithë duhet të trajtohen si e meritojnë. Sepse drejtësia gjithmonë mbizotëron, sidomos në gjëra të vogla.

6. Mos prisni asgjë nga mirësia juaj

Ju jeni të sjellshëm me të gjithë dhe nuk prisni asgjë në këmbim. E mira që u bëni të tjerëve është thelbësore dhe nuk mund të shlyhet kurrë, sepse e bëni me gjithë zemër.

7. Vetëbesimi

Vetëbesimi është një vlerë shumë e rëndësishme për ju. Vetëbesimi ju lejon të keni maksimumin e përmbushjes. Kur dikush ka një problem, ju jeni gjithmonë shumë të gatshëm për të dhënë këshilla.

Askush nuk është perfekt, por kjo nuk do të thotë se mund të përmirësohemi. Pavarësisht nëse keni të gjitha këto cilësi apo vetëm disa, përdorni këto këshilla për t’u përmirësuar. Jini të mirë, e mira kthehet gjithmonë tek ata që e japin.

Panairi i Librit në Prishtinë, nga 5-10 qershor

Panairi jubilar, i 20-të, do të mbahet nga 5-10 qershor 2018 në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor, në orën 18:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës – RTK-së.
Panairi do të mbyllet më 10 qershor, në orën 18:00.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga 9.00-20.00.
Hyrja për vizitorë: Gratis!
Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj, rreth 1400-1500. Numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5000.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar, dhe në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare:
– 550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – VITIT TË SKËNDERBEUT
– 300-vjetori i lindjes së Teodor Kavaliotit
– 200-vjetori i lindjes së Zef Jubanit
– 100-vjetori i lindjes së Tajar Hatipit
– 100-vjetori i lindjes së Vorea Ujkos
– 100-vjetori i lindjes së Spiro Çomorës
– 100-vjetori i lindjes së Pashko Gjeçit
dhe botërore:
– 200-vjetori i lindjes së Turgenjevit
– 100-vjetori i lindjes së Moris Dryonit
– 100-vjetori i lindjes së Solzhenicinit

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.

SHBK-ja po ashtu ka paraparë darkën solemne më 7 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në:
– Prozë
– Poezi
– Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë
– Përkthim letrar
– Projektin kapital
si dhe shpallet:
– Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe)
– Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj)
– Stenda më e vizituar
Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj.
Panairi do të organizojë përurime, debate, paraqitje, dedikime shkrimtarësh:
– Më se 50 aktivitete.

Gjarpri rreth 80 cm tmerron nxënësit brenda shkollës ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë

Një gjarpër ka tmerruar nxënësit e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Të mërkurën, rreth orës 15:00, ata kanë parë në korridorin e shkollës gjarprin dhe menjëherë e kanë njoftuar personelin e shkollës, raporton KTV.

Burim Ferati, i cili arriti ta izolojë gjarprin, thotë se ai ishte i gjatë rreth 80 cm.

Drejtoresha e shkollës nuk ka dashur të flasë por ka thënë se është tejet e shqetësuar dhe se po bisedon me komunën lidhur me dezinsektimin e shkollës gjatë vikendit.

Ndërkohë, kohëve të fundit, është raportuar për shtim të numrit të gjarpërinjve në Parkun e Gërmisë.

Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, ka bërë të ditur se nesër fillon fazën e parë të dezinsektimit hapësinor për vitin 2018.

Sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe prej mbi 6500 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të insekteve.

Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë, duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 24:00.

Arbër Selmani, një prej fituesve të Bursës Sakharov për këtë vit

Arbër Selmani, redaktor në KultPlus, është një prej 12 fituesve të Bursës Sakharov për vitin 2018-të.

Bursa Sakharov është pjesë e Çmimit të madh Sakharov dhe ndahet nga Parlamenti Evropian.
Edhe këtë vit sikur vitin e kaluar, 12 avokues të të drejtave të njeriut e marrin këtë bursë dhe shpallen fitues të saj.

Selmani është njëri prej këtyre fituesve, bashkë me emra të aktivistëve nga Jordania, Bolivia, Kirgistani, Armenia, Libani, Meksiko, Maqedonia, Sudani, Tajlanda, Turqia dhe Venezuela.

Bursa Sakharov është bursë që jepet për individët që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe ndihmojnë në kauzat e ndryshme që lidhen me të drejtat elementare njerëzore.

Arbër Selmani është gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Momentalisht punon si redaktor në KultPlus dhe është pjesë e Qendrës Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian. Ai ka bashkëpunuar me disa organizata që merren me komunitetin LGBT në Kosovë ndërsa ka shkruar vazhdimisht mbi problematikat sociale në Kosovë. Për disa kohë ai ka moderuar një emision mbi të drejtat e njeriut në Radion Vala Rinore në Prishtinë. Bashkëpunon me ILGA-Europe, organizatë e njohur në Evropë e cila punon në fushën e të drejtave të njeriut.

Në vitin 2013-të ai morri çmim nga UNDP dhe UNWOMEN në Kosovë, për shkrimet e tij gazetareske në fushën e të drejtave të njeriut.

Bursa Sakharov është bursë prestigjioze e cila bursistët e saj i angazhon në trajnime të ndryshme në Parlamentin Evropian, ndërsa bursistët më pas do të jenë pjesë aktive e Parlamentit dhe do të angazhohen në organizime të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe paqen në vendet prej nga vijnë.

Kujtojmë se Çmimin e madh Sakharov për Paqe e kanë fituar Adem Demaçi në vitin 1991 dhe Ibrahim Rugova në vitin 1998. / KultPlus.com

Anri Sala: Jam një qenie politike

Anri Sala një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor sot erdhi në një rrëfim mbi dy veprat e tij “Take over” (2017) dhe Mixed Behaviour Reloaded (2018) në natën e fundit të Festivalit të Resë. I ftuar nga platforma e artit kontemporan Harabel, veprat e Salës ishin një ngjarje për qytetin. Qindra shikues kishin mbushur hapësirën e Resë për të ndjekur videot dhe performancën e Salës. Take Over(2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma. Trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste.

Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit. Për Take Over ka luajtur në piano Clemens Hund-Göschel. Ndërsa performaca Mixed Behaviour Reloaded, 2018, e cila zgjati rreth 30 minuta ishte një vepër arti, e cila u paraqit për herë të parë për publikun, vazhdim i veprës së famshme të artistit Mixed Behavior (2003). Kjo punë mishëron tematikat dhe strategjitë më të rëndësishme të veprës së artistit,duke vendosur në të njëjtin koncept vizual planin e parë dhe prapaskenën, dritën dhe errësirën, tingullin dhe figurën.

Përmes Mixed Behaviour, performanca do të sjellë jehonën e tingujve të Tiranës së vitit 2003, tani nën një konstelacion krejtësisht të ri, ashtu siç do të jehoi natën e 30 majit 2018 te Reja, pranë Bulevardit të Tiranës, duke krijuar një lojë mes tingullit dhe zhurmave të gjalla të qytetit në sfond. Pas prezantimit të dy videove të para, Sala erdhi në një bashkëbisedim me shikuesit nën moderimin e Ajola Xoxes. Pyetjes se sa politike janë veprat e tij, ai iu përgjigj se “ishte një qenie politike”. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

Iku Siria, iku

Jazra Khaleed

Iku Siria, iku;
mori shamitë e saj, rrugët, rrënojat
hodhi në krahë të vdekurit e saj dhe iku.
Mori gjuhën e saj dhe çështjet personale,
hapësirën ajrore dhe forcat tokësore,
mori pozicionin e saj gjeopolitik dhe iku.

Iku Siria, iku;
e panë një mëngjes tek linte çelësin
nën rrogozin e derës së jashtme,
tek thoshte një lutje të shpejtë,
tek lidhte këpucët dhe ikte.
E panë të përshëndeste Haxhikun, që kishte dyqanin e perimeve tek qoshja,
Kurnat as Saudën, Detin e Vdekur dhe të ikte.
E panë të përshëndeste pemët e mollëve në oborrin e saj,
qenin që flinte në rrugë,
korrespondentët e Agjencisë Reuters.

Iku Siria, iku;
nuk mbante dot më vdekje të tjera në trup,
nuk mbante dot më vdekje të tjera nën lëkurë.
I kujtohen një nga një të vdekurit e saj
edhe pse janë me mijëra e mijëra,
edhe pse s’di më aritmetikë, mbledhje e zbritje.
I kujtohet Nabili që thërriti “Liri për Sirinë”
dhe i prenë të dy gishtat,
i kujtohen fëmijët që i varën në shesh,
se shkruajtën në mur “Doktor, tani është radha jote”;
i kujtohet Lukmani, poeti, të cilin e pushkatuan
bashkë me librat e tij e foljet ndihmëse,
Faiza që e zuri muri bashkë me dy vajzat e saj.
I kujtohet rrethimi i Homsit dhe Baba Amri,
plaku me pendë që u thërriste me zë të lartë mushkave të tij,
mësuesja Latakia, ajo me syzet me tel,
që u lexonte fëmijëve poezi të Sanijes Salih,
infermierja që qante në spitalin Jisr al-Shughur,
macja që ndehej nën hijen e një Toyota Highlux.
I kujtohet Abuja, berberi, krehërat dhe erzinat e tij,
kur njëherë i preu gabimisht veshin bashkëfshatarit të tij;
i kujtohet gjyshja Meisam, që gatuante çdo të diel
pulë më koriandër për gjithë familjen,
derisa një ditë ia behën ushtarët në prag;
i kujtohen fëmijët qe loznin me top në rrugë,
kur një fuçi plot me TNT shpërtheu ngjitur në Khalil,
ndërsa ishte radha e tij të luante portierin.
I kujtohen gjithë emrat e të torturuarve,
organet e prera gjenitale,
zgavrat e zeza në bulbat e syve.
I kujtohen gjithë emrat e të vdekurve të saj,
edhe pse janë me mijëra e mijëra,
edhe pse s’di më aritmetikë, mbledhje e zbritje.

Iku Siria, iku;
la pas një hartë të Europës në arabisht
bashkë me ca letra të Ibn Al Arabit.
La pas kapelen dhe syzet e leximit,
flamurin me yje dhe simbolin e saj kombëtar.
Mori me vete Orontin, por la pas Eufratin,
mori me vete Damaskun, por las pas të shtatë portat,
mori me vete malet dhe fushat e iku.
Thonë që thërriti: “Mjaft më me vdekjen!”
rregulloi fustanin e saj e iku.
Ishin duart e saj plot me njerëz,
Thonë, se çdo hap i saj ishte baraz me katër pash detarë,
dhe okatë e dhimbjeve, ah të papërballueshme,
ashtu si i hiqte zvarrë.

Iku Siria, iku;
ushtarëve të Hezbollahut u rrëshkiti toka nën këmbë
edhe ushtarëve amerikanë u rrëshqiti toka nën këmbë.
Ushtarëve iranianë, sidomos atyre, u rrëshqiti toka nën këmbë!
Mbeti këshilli i ministrave pa vend që të qeverisi,
bombarduesit rusë pa qiell që të fluturojnë.
Dhe ngelën të gjithë të shikojnë të habitur vrimën e zezë në hartë.
Sepse iku Siria, iku
dhe askush s’e di drejt çfarë udhe shkoi.

Në Festivalin ‘Mirëdita, Dobar Dan’ shpalosen eksperiencat e luftës dhe raportet sot mes Kosovës e Serbisë

Gili Hoxhaj

Edicioni i pestë i Festivalit “Mirëdita, dobar dan” tashmë po vazhdon ditën e dytë të aktiviteteve.

Sot në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, u hap diskutimi i cili në fokus kishte pyetjen “Kosova-Serbia: Kush jemi ne për njëri tjetrin?”. Pyetja është relevante sidomos me vështirësitë në të cilat kaloi dita e parë e festivalit, ku radikalët e Serbisë bënë zhurmën e tyre dhe gati e ndaluan mbarëvajtjen e festivalit.
Në diskutimin e moderuar nga Idro Seferi, panelistët e diskutimi ishin aktivistja nga Serbia- Jovana Prusina, Emel Ajdini nga Integra, Bojan Elek nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë dhe Eraldin Fazliu nga Kosovo 2.0. Në këtë diskutim u fol mbi të kaluarën dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetizimit mes dy shoqërive. Si i tillë festivali përshkohet nga një proces dinamik i afrimit të dy shteteve me njëra-tjetrën.

Folësit e këtij paneli treguan kujtimet e tyre në luftën e vitit 1999 dhe shumica prej tyre e kanë përjetuar fëmijërinë e tyre gjatë kësaj kohe. Emel Ajdini kujtoi se kishte qenë vetëm 9 vjeç kur së bashku me familjen e saj prej 5 anëtarëve ishin larguar për Maqedoni, aty ku në kufi i kanë ndarë gratë dhe burrat, e ndërkohë kishin përjetuar frikën më të madhe pa ditur se cfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.

“Në kufi na kanë thënë policët se burrat nuk kanë të drejtë të kalojnë kufirin, ne nuk e kemi ditur se cfarë po ndodhë me babain dhe dajtë tonë dhe pas dy muajve kemi rënë në kontakt me ta dhe e kemi marrë vesh se janë gjallë”, u shpreh Emel Ajdini sot gjatë diskutimit.

Në pyetjen se si e sheh raportin mes Kosovës dhe Serbisë ajo tha se duke qenë pjesë e organizatës Integra, Festivali “Mirëdita, dobar dan” është platforma që i ndesh dy realitete duke e bërë të vërtetën me sy qelq.

“Në anën tjetër i dijmë propagandat që na shpërlajnë trurin në të dy anët e kufinjve. Shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Serbisë mund të vijnë dhe t’i shkëmbejnë idetë e tyre”, tregoi Ajdini.

Në pyetjen se si i shohin njerëzit e Prishtinës ata të Beogradit, ajo tha se asnjëherë nuk ka arritur ta sjellë shoqërinë e saj në Beograd ndërsa për herë të parë para tri viteve një shoqe nga Beogradi ka ardhur në Kosovë.
“Kjo është histori suksesei. Të rinjtë e kanë një frikë për shkak të asaj që shohin në televizion dhe për shkak të së kaluarës së dhunshme që e kemi pasur, pra nuk është e lehtë për asnjërën anë por përmes disa platformave të rinjtë kanë mundësi që të njihen dhe të komunikojnë”, tha tutje Ajdini.

Ndërsa aktivistja nga Serbia, Jovana Prusina, u shpreh se nuk është problem të vish në Prishtinë, problem më i madh është kur kthehesh.
“Ti mund të shkosh në Prishtinë dhe të kthehesh, dallimi qëndron në atë se kur ti shkon në Barcelonë të pyesin se si kalove dhe ti u thua mirë kurse kur shkon në Prishtinë dhe kthehesh dhe duhet të ndash ndjenjat tua me mjedisin tënd, nuk flasin më me ty ose të thonë se çfarë kërkove në mesin e tyre”, u shpreh Prusina.

Edhe Jovana Prusina kishte qenë fëmijë në kohën kur ndodhën bombardimet e NATO-s ndërsa gjatë diskutimit tha se iu desh shumë kohë që të rritet dhe ta kuptojë se pse ndodhën bombardimet.

Tutje Prusina tha se është tejet e rëndësishme që të rinjtë të njihen me kontekstin e asaj çfarë ka ndodhur.
“Gjithmonë përpiqemi të flasim për çështjen tradicionale dhe luftën, është e rëndësishme që të rinjtë ti dijnë pasojat e luftës. Kur flasim për ballafaqimin me të kaluarën, çfarë kanë kaluar njerëzit, duhet të flitet me të rinjtë pasi që kjo është e vetmja mënyrë qe të dihet e vërteta”, tha tutje Prusina.

Eraldin Fazliu nga Kosovo 2.0 kishte qenë vetëm 10 vjeç kur ka ndodhur lufta në Kosovë. Ai tha se vjen nga Ferizaj, nga një vend që nuk është edhe shumë larg Reçakut. Gjatë pranverës së vitit 1999, ai shprehet se përveç frikës kanë ndjerë dhe mungesën e ushqimit, derisa kishin kaluar në Maqedoni, atje ku si fëmijë ishin ndjerë më të lehtësuar.
“Kur kemi arritur në Maqedoni e kemi parë një shi që s’pushonte dhe ishte e vështirë ta dinim nëse njerzit qanin apo shiu binte mbi trupat e tyre. Pastaj fillon një jetë më e lehtë për neve si fëmijë pasi nuk ndjenim frikë dhe kishim ushqim. Si dhjetë vjeçar e takoje shokun e klasës në kampin ku ishin mijëra të shpërngulur dhe problemi i vetëm ishte vështirësia ti gjenim tendat tona pasi ktheheshim prej lojës. Në fillim të qershorit jemi shpërngulur në Danimarkë në vitin 2000 dhe jemi kthyer në Kosovë dhe nga viti 2015 jam bërë pjesë e Kosovo 2.0”, tregoi Fazliu.

Ai tha se është i tmerrshëm fakti se si askush nuk merret me 1600 persona që ende figurojnë të zhdukur.
“Këtë javë kam takuar familjet e të pagjeturve dhe ata janë të mllefosur si se institucionet e Kosovës dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare nuk angazhohen më shumë për këta persona. Ka shumë hipokrizi në atë se çfarë ka ndodhur në raportet tona dhe mendoj se edhe ne si qytetarë jemi përgjegjës dhe nganjëherë e kemi shumë lehtë ta drejtojmë gishtin kah politika por pyetja kryesore është kush i voton këta njerëz që na përfaqësojnë”, u shpreh Fazliu.

Bojan Elek nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë është lindur në Mitrovicën e Veriut, atje ku edhe ka përjetuar kohën e bombardimeve. Ai tha se ka lindur në vitin 1987 kurse datëlindjen e 12-të e kishte pritur pikërisht mes bombarimesh, e nënës i kishte kërkuar tortën me mbishkrimin target.

“Unë kam lindur në vitin 87 dhe jam më i vjetri në këtë panel dhe ditëlindjen e 12-të e kam fesuar gjatë bombardimeve. Duke qenë se nënën e kam mjeke , babai ishte mobilizuar dhe dhjetë ditë i kemi kaluar në Kosovës e pastaj jemi zhvendosur për në në Rudnicë. Unë nuk e kam ditur çfarë po ndodhë për ditëlindjen time, i kam kërkuar nënës të ma bënte një tortë me emrin target. E mbaj mend që shokët gëzoheshin kur nuk shkonin në shkollë. Kur jam zhvendosur këtu e kam kuptuar se çfarë ka ndodhur pas atëherë kemi pasur shumë pak informacione, kemi pasur vetëm një kanal që bënte propagandë”, tregoi ai.

82 % e serbëve nuk kanë qenë në Kosovë edhe pse Kosova mbetet tema kyçe e Serbisë, sipas një raporti nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.
“Këto hulumtime nuk kanë qenë shumë surprizuese. Shumica janë për vazhdimin e dialogut ndërsa 84% nuk janë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës edhe nëse vendoset si kusht futja në Bashkimin Evropian”, tregoi Elek.
Festivali “Mirëdita, Dobar Dan” do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com

MKRS investon në Skenderaj 280 mijë euro në tri projekte

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot ka vizituar Komunën e Skenderajt, ku është takuar me kryetarin Bekim Jashari, me të cilin kanë diskutuar për çështjet e përbashkëta të cilat janë në interes të MKRS-së dhe Komunës së Skenderajt.

Në komunikatë thuhet se Gashi i ofroi gatishmërinë kryetarit Jashari, që në bazë të kapaciteteve buxhetore ta ndihmojë Komunën e Skenderajt, duke investuar në projekte të cilat i mbulon si fusha MKRS-ja.

Në kuadër të vizitës, ministri Gashi dhe kryetari Jashari nënshkruan tri memorandume bashkëpunimi.

Dy memorandumet u nënshkruan në fushën e trashëgimisë kulturore, konkretisht memorandumi për “Rekonstruktimin e Kullës së Shaban Manxhollit” në fshatin Mikushnicë, në vlerë prej 40 mijë euro, projekt ky i cili do të zbatohet në këtë vit. Ndërsa, memorandumi tjetër është nënshkruar për “Restaurimin e Akademisë së Parë Ushtarake të UÇK-së” në fshatin Aqarevë, projekt edhe ky me vlerë prej 40 mijë euro dhe që do të zbatohet këtë vit.

Kurse memorandumi i tretë u nënshkrua në fushën e sportit. 200 mijë euro ndahen për “Ndërtimin e tribunave rrethuese dhe shtrimin e zhavorrit në Stadiumin e futbollit” në fshatin Runik. Edhe ky investim i MKRS-së do të implementohet gjatë vitit 2018.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur që ka nënshkruar këto tri dokumente që hapin rrugën për të investuar në tri projekte kapitale.

“Rreth investimeve të përbashkëta që do t’i kemi në vitin 2018 në komunën e Skenderajt, është fjala për stadiumin e Runikut. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për këtë fazë ka ndarë 200 mijë euro të investoj në këtë stadium. Gjithashtu, janë edhe dy projekte të tjera të cilat janë në kuadër të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktimin e kullës së Shaban Manxhollit në fshatin Mikushnicë që do të jetë njëra prej projekteve shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në këtë trevë. Gjithashtu, do të kemi edhe restaurimin e akademisë së parë ushtarake të UÇK-së në Açarevë, që për mua është një kënaqësi e veçantë se si Ministri ta financojmë këtë projekt edhe për shkak të kujtesës tonë kolektive që përmban ky objekt”, është shprehur mes tjerash ministri Gashi.

Dy projektet kapitale në kuadër të trashëgimisë kulturore, ka vlerësuar ministri, do t’u shërbejnë komunitetit që të rikujtojnë në vazhdimësi të kaluarën nëpër të cilën ka kaluar populli i Drenicës. Kurse për projektin në Runik, ministri ka thënë se do të krijohet një hapësirë për futbollistët e asaj zone që ata të realizojnë aktivitet e tyre sportive.

Ministri Gashi tha se MKRS-ja do të investojë edhe në shtëpinë e kulturës në këtë Komunë.

“MKRS është duke investuar edhe në shtëpinë e kulturës në Skenderaj dhe jemi në fazën finale të përfundimit të këtij projekti, besoj që shumë shpejt do ta ndajmë edhe fazën finale të mjeteve financiare në mënyrë që edhe këtë projekt ta përfundojmë gjatë këtij viti. Po ashtu, ishte edhe një kërkesë e kryetarit për të investuar në muzeun e qytetit dhe besoj që bashkërisht me stafin do të shohim mundësitë dhe rrugët se si do ta financojmë edhe këtë objekt që është i rëndësisë së veçantë për qytetarët e Skenderajt”, tha Gashi.

Ndërkaq, kryetari Jashari, tha se diskutuan me ministrin Gashi për projektet që janë në zhvillim në Komunën e Skenderajt, si palestra sportive, shtëpia e kulturës dhe fushat sportive. Jashari foli edhe për memorandumet që u nënshkruan sot, sidomos për projektet restauruese. “Kjo vërteton edhe një herë përkushtimin e institucioneve të shtetit tonë që historia mos të harrohet, edhe ajo e mëhershmja para 100 viteve po edhe kjo e jona që e kemi përjetuar të gjithë së bashku para 20 viteve, do të thotë luftën e UÇK-së”, ka thënë Jashari.

Filmi ‘Bogota Change’ vjen të premtën në Kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë

Me 01, 8, 15 Qershor prej ora 16:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë vjen filmi Bogota Change me regji të Andreas Mol Dalsgaard.

Një portret emocionues dhe redaktues i një qyteti që është ngritur si një feniks nga hiri. Bogota, kryeqyteti i Kolumbisë, njihej prej kohësh si një nga qytetet më kriminale, të rrezikshme dhe të papërshtatshme në botë. Ndryshimi erdhi në 1995, kur Antalas Mockus u zgjodh kryetar i bashkisë së qytetit me një fitore të madhe.

Ai u mësoi qytetarëve të jetojnë së bashku dhe të marrin përgjegjësi. Pastaj Mockus hapi rrugën për pasardhësin e tij, kryebashkiaku tjetër vizionar, Enrique Peñalosa, i cili do të transformonte infrastrukturën e qytetit që nga viti 1998 e tutje. Peñalosa mbikëqyri krijimin e shtigjeve të biçikletave, parqeve me gjethe, fushave sportive, terreneve sportive, bibliotekave dhe projektin ambicioz të transportit publik Transmillennium.

https://www.youtube.com/watch?v=MhlRgVNFjmE

Regjisori Andreas Mol Dalsgaard kombinon rrugët, intervistat, pamjet arkivore dhe animacionet në një rindërtim dinamik të kësaj historie suksesi. Është tregimi i dy burrave, të cilët, pa u ngarkuar nga politika partiake, arritën të transformonin privimin e pashpresë në një fillim të ri. Sot, metamorfoza e Bogotas shihet si një shembull i shkëlqyeshëm i rinovimit njerëzor urban.

Ky film shfaqet në kuader të iniciatives Hacking “Urban Space” iniciativë kjo e marrur nga DokuFest në bashkpunim me Anibar dhe Termokiss për shfaqjen e filmave me tema të ndryshme të fokusuara në sfidat e startegjisë urbane, rritje të popullësisë, bllokime te transportit, ambiente dhe probleme te tjera me të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetet më të mëdha të Kosovës. / KultPlus.com

Vjosa Berisha dhe Fatos Berisha ftohen në Transilvania International Film Festival

Udhëheqësit e Festivalit PriFest – Vjosa Berisha dhe Fatos Berisha, kanë udhëtuar për në Rumani ku janë të ftuar në Transilvania International Film Festival.

Ata kësisoj do të jenë pjesë aktive e festivalit duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi mes PriFest – si organizimi kryesor kinematografik në Prishtinë dhe Transilvania International Film Festival – festivali i cili në këtë edicion të 17-të sivjet sjellë disa programe të veçanta filmike, përfshirë këtu fokusin në kinematografinë hungareze e bullgare, filmat nga Rumania dhe programet tjera speciale.

Festivali prestigjioz ka nisur me 25 maj në Cluj-Napoca ndërsa do të zgjasë deri me 3 qershor.

“Ky është viti i tretë me radhë që jemi pjesë e këtij festivali. Është festival i rëndësishëm për regjionin tonë dhe na gëzon fakti që si PriFest kemi ndërtuar marrëdhënie kaq të mira me Transilvania International Film Festival. Këtu do të zhvillojmë takime, do të marrim pjesë nëpër prezantime të ndryshme duke u fokusuar në gjetjen e projekteve dhe personaliteteve për ti ftuar më pas të jenë pjesë e festivalit tonë në korrik” tregon Vjosa Berisha – drejtoreshë e PriFest.

PriFilmFest këtë vit edicionin e dhjetë jubilar do të mbajë në datat 17-22 korrik 2018, me një program të pasur të filmave dhe me programe të reja të filmave që më herët nuk kanë qenë pjesë e festivalit.

PriFest ka në fokus sivjet një numër të madh aktivitetevesh dhe pritjen e mysafirëve e ekspertëve të huaj të cilët do të kenë mundësi të japin kontribuut për zhvillimin e industrisë së filmit në Kosovë e regjion. / KultPlus.com

Čedomir Jovanović në hapjen e festivalit ‘Mirëdita Dobar Dan’

Čedomir Jovanović – politikan serb, është nga të rrallët e ndoshta i vetmi politikan serb që sot ka marrë pjesë në hapjen e festivalit ‘Mirëdita Dobar Dan’ në Beograd.

Jovanović është fotografuar bashkë me aktivisten Anita Mitic nga Nisma për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe ka përcjellë sonte hapjen e festivalit në fjalë.

Paraprakisht pati protesta afër Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd, që festivali të mos mbahej.

Ky politikan ishte prej kohësh në favor të pavarësisë së Kosovës dhe kësisoj edhe sot simpatizohet nga shumë shqiptarë. / KultPlus.com

Eleni Foureira këndon ‘Fuego’ në Spanjë (VIDEO)

Eleni Foureira, shqiptarja që u radhit e dyta në Eurovizionin e këtij viti, ka performuar këtë javë në emisionin Fama a Bailar në Spanjë.

Foureira ka performuar këngën “Fuego” me të cilën i solli Qipros pozitën më të mirë në Eurovizion.

Eleni prej kohës kur u paraqit në Eurovizion ka nënshkruar disa kontrata të rëndësishme muzikore dhe ka arritur të ketë sukses në disa shtete evropiane. / KultPlus.com

Shesheli i flet popullit serb dhe kundërshton Kosovën e pavarur në Serbi

Politikani dhe krimineli Vojislav Šešelj po i flet sot masës në Serbi duke kundërshtuar ardhjen e shqiptarëve në Beograd për festivalin ‘Mirëdita Dobar Dan’.

Šešelj, pjesë e Partisë Radikale Serbe, thotë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe ajo çka po ndodhë sot e shkelë Kushtetutën e Serbisë.

Sheshel ka thënë se “tradhtia në Serbi nuk ka zgjatur kurrë dhe se do të vijë koha kur të gjithë do të përgjigjen për këtë”.

Pas fjalimit, Shesheli dhe protestuesit kanë vazhduar me këngë nacionaliste.

Protestë kundër mbajtjes së festivalit ‘Mirëdita Dobar Dan’ në Beograd

Siç raportojnë mediat serbe, disa qindra serbë janë mbledhur para tempullit të Shën Savës për të kundërshtuar mbajtjen e festivalit ‘Mirëdita Dobar Dan’ në Beograd.

Artistë nga Kosova po udhëtojnë për në Beograd për të qenë pjesë e edicionit të radhës të festivalit.

Afër këtij tempulli gjendet Qendra për Dekontaminim Kulturor, aty ku edhe do të ndodhë një pjesë e këtij festivali.

Mbi turpin

Shpëtim Selmani

Kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh,
do ta kesh me vete edhe atë,
të ngujuar thellë në zemër, turpin madhështor,
turpin e pashlyeshëm, turpin e parrëzueshëm,
turpin e të qenit njeri.

Sa të duash, pi nga uji i kulluar i dashurive
për atdhetë, për gratë, për burrat,
për kombet, fetë e shpirtërat,
përsëri do të biesh në çastet kur bashkë
me ty do të bie nata dhe një tjetër
njeri brenda teje, do ta ujisë me gjak,
kopshtin e madh të turpit.

Sa të duash, përbuzi kafshët jopaqësore
dhe sa të duash, qëllo mbi to, po pate mundësi,
qiju me të gjitha llojet e luleve dhe sa të duash,
lëshoja zërin asaj kënge mbi zemra të lumtura,
konstruktet e liruara nga kafazi i një mendjeje të
dobët, do të përdhosin çfarëdo lirie që
ti, e ke krijuar shtyrë nga nevoja morale, për
ta mbuluar atë turp që të rrjedh nga goja.

Sa të duash, shkruaj poema mbi çlirimin e
popujve, futja vetes flakën në bulevardin
e Zotërave të Luftës, po munde,
çoje deri tek retë gishtin e mesëm dhe me të
turbulloje heshtjen jokorrekte të engjëjve,
mundohu sa të duash, duart
do t’i kesh të mbushura me turp.

Kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh,
do ta kesh me vete dhe atë,
si një thikë e lashtë në ballë,
turpin e mjerë, turpin mizor,
turpin e asaj se çfarë je.

Beograd, 15. 07. 2014.

Poezi në kohën e gjakut dhe zhgënjimit
(2010 – 2017)

sh.s.

Bardi letrar kosovar në kontekstin politik

Kosovar BASHA

Esat Myftari, Profili politik i Esat Mekulit, Saga, Prishtinë, 2018, fq.230

Autori i librit tanimë është i njohur para opinionit shkencor dhe më gjerë për trajtimin e ngjarjeve dhe personaliteteve historike. Esat Myftari gjindej në Kampin e Ballshit i rrethuar nga ndjenjat e larta për vendin e tij kurr një ditë morri një nxitje prej shokëve që t’i dërgonte letër një personaliteti si Esat Mekuli. Për mbarështrimin e monografisë në fjalë autori u ndihmua fuqishëm nga literatura relevante historike si dhe nga biblioteka e pasur personale e Esad Mekulit. Meritë e autorit si në librat pararendës të tij është mënyra e veçantë e interpretimit të ngjarjeve historike në kontekst të rrjedhave historike. Është një formë që gërshetohet me një njohje edhe nga e kaluara e tij si diplomat pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë si njëri nga titullarët e këtij institucioni gjatë viteve 1992-1997. Esad Mekuli sipas autorit është njëri nga ato personalitete shkencore që në ditët e para të gjysmës së parë të shek.XX.

Në fillim të studimit bëhet fjalë për vendlindjen e Mekulit-Plavën. Familja e Mekulit, u vendos këtu edhe pse ishte me prejardhje nga Kelmendi. Popullaritet të madh familjes i dha Smajl Mekuli që në popull u njoh si Hoxha i Nokshiqit. Intelegjencia e babait të Esadit edhe pse klerik fetar, ndikoj fuqishëm në formimin e tij kulturor dhe intelektual. Ndikimi aq i fort bëri që ai të fillon shkollën fillore në gjuhën serbe dhe të përfundon me sukses në Berane. Në vorbullën e periudhës së viteve 30 të shek.XX tek sa Europa vlonte nga një ekstazë e vështirë e antagonizmave të fuqive të mëdha, djaloshi i ri u vendos në qytetin e Pejës të vijoj gjimnazin klasik në gjuhën serbo-kroate. Gjimnazi i Pejës ishte 8 klasësh dhe një të tillë aso kohë e kishte vetëm Cetinja. Në këtë mjedis të ri Esat Mekuli u përshtat shumë mirë, për shkak se ishte nxënës i zellshëm. Autori i monografisë më elokuencë na njofton për ndikimin që patën shkrimtarët e huaj të Esat Mekuli si gjimnazist. Në këtë kohë mbase fillojnë edhe sprovat e para të djaloshit të ri. Poezitë e para i paraqet si kushtim ndaj motrës së tij 3 vjeçare e cila ju nda nga jeta. “Aventurat“ e tij letrare të tjera në këtë periudhë janë edhe romani i tij i parë “Vendeta” (1928), ku për lexues të parë do t’i kishte shokët e tij Xhemal Kada dhe Ramiz Sadiku. Miqësia e familjes së tij me familjen Kada nëpërmjet martesës së motrës së tij me Rexhë Kadën do t’sillte afërsi të madhe me shokun e tij të ngushtë të shkollës Xhemal Kadën. Arratisja e Xhemalit në vitet 36-37, do ta pikëllonin Esatin. Korrespodenca e tij me Xhemalin për një periudhë u bë me letra.

Vdekja e këtij të fundit në luftën e Spanjës do ta shndërronte pikëllimin e Esatit në një dhimbje të madhe. Madje në fund të viteve 50 do t’ia kushtoj edhe disa vargje këtij leshkuqi simpatik e trim. Me përfundimin e gjimnazit Esati ishte i vetmi gjimnazist nga shkolla që filloj studimet universitare për veterinari në Beograd. Autori Esat Myftari na njofton se gjatë viteve të studimeve Esat Mekuli u fut në lëvizjen e majtë. Në vitet e para të pushtimit nazi-fashist Esati u burgos për disa ditë në Kullën e Sheremetit. Por nuk kaloj shumë kohë edhe ai u lirua nga burgu i italianëve. Këtej nuk kaloj shumë kohë dhe ai vazhdoj kontaktet me shokët e tij të vjetër nga Peja. Strehimi i tij në shtëpinë e Rexhë Kadës një tregtari të njohur pejanë dhe babait të Xhemalit do t’i ndihmonte si referencë për shkëmbim mendimeve dhe bisedave me shok të idealit si Nexhdet Basha ( inxhinier i pylltarisë ) dhe patriotit luftëtarit të Spanjës Emrush Myftarit. Pikërisht në këtë kohë ai fillon të shkruaj në gjuhën shqipe pasi deri në atë periudhë kryesisht shkruante serbo-kroatisht për shkak ndikimit të shkollës në gjuhë të huaj. Në vorbullën e luftës nacionalçlirimtare ai u bë redaktor i gazetës “Liria-Sloboda”. Padyshim se me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, meritë e Esat Mekulit është edhe kontributi i tij në revistën letrare “Jeta e Re” ku drejtoj këtë revistë me mjaftë sukses. Një pjesë tejet interesante autori i librit i kushton Sehadete Doko-Mekulit gruas së Esadit. Mjeke me profesion dhe familje e njohur nga Ohri ajo u njoh me Esatin në vitin 1954. Dr. Sehadete Doko-Mekuli do të filloj të punoj në Spitalin e Prishtinës si njëra nga mjeket e para.

Çifti Esat dhe Sehadete u kthye në emblemë të Kosovës. Sulmet kundër doktoreshës së njohur do të vinin pas demonstratave studentore të vitit 1981 kurr ajo do të atakohej nga serbët si nacionaliste. Gjatë kësaj periudhe kemi një fushatë të papërmbajtur në Spitalin e Prishtinës në shtypin jugosllav kundër kësaj heroine. Kryeakuza kryesore ishte se Sehadetja “i sterilizonte gratë serbe dhe foshnjat e porsalindura serbe”. Më 06 korrik 1981 Sehadete Doko-Mekuli dha dorëheqje nga udhëheqja e Klinikës gjinekologjike. Kjo dorëheqje vinte si pasojë e një trysnie psikike 3 mujore nga serbët. Analizat e thella të autorit të librit na japin një pasqyrë mbi qëndrimet e Esat Mekulit ndaj demonstratave të 1981 si kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Përball furisë së propagandës së egër Esat Mekuli do të mbrohej shumë mirë me argumente e analiza të qarta. Madje ai ishte tepër i matur në gjykimin e demonstratave në Kosovë gjatë kësaj periudhe. I vetëdijshëm për të gjitha pasojat do të theksonte “kam qenë shumë i zënë si kryeredaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë”për pjesën e Kosovës”. Pas vitit 1981 Esat Mekuli dhe Ali Hadri të dy pjesë e Enciklopedisë u ndodhën në trysni të hapur. Sigurisht që barra kryesore shkencore binte mbi prof. Ali Hadrin. Sulmet serbe ndaj ngjarjeve dhe personaliteteve historike shqiptare do t’a bënin Esat Mekulin aktiv në mbrojtjen e vlera më të lartë kombëtare shqiptare. Ndër të tjera ai do të shprehej “sa i përket rolit të individëve në historinë e një populli dhe vlerësimit të tyre në Enciklopedi, duhet marrë parasysh rezultatet më të mira të historiografisë marksiste. Teksti i Enciklopedisë duhet të shpreh zhvillimin e vërtet të çdo personaliteti të veçantë, roli i të cilit është qenësor për një popull”. Por pas një periudhe të shkurtër shëndeti i Esatit, u rëndua nga probleme të vazhdueshme me “glakumën e syrit” dhe ai dha dorëheqja nga ky post. Ndër të tjera me një letër të gjatë prof. Jakov Sirotkoviq kryetar i Encklipedisë pas vdekjes së Kërlezhës do t’a falënderonte Mekulin për kontributin e tij dhënë Enciklopedisë. Një kapitull mjaftë tërheqës për lexuesin është Esat Mekuli dhe Ivo Andriqi. Autori Esat Myftari na shpalos pjesë ku shihet se Esat Mekuli me Andriqin u takuan menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në mjedise të Beograd ku po formohej tradita e shkrimtarëve për rrahje mendimesh. Mekuli do ta veçon Andriqin si njëri ndër bashkëbiseduesit më të afërt nga brezi i vjetër i shkrimtarëve ku bënin pjesë edhe Kërlezha, Zogoviqi, e Kërkleci. I nxitur nga miqësia përkthen njërën prej veprave të njohura të Andriqit “Oborri i mallkuar”. Pjesë të cilat tërheqin vëmendjen në libër janë edhe copëzat e kujtimeve të Esat Mekulit të cilat autori i trajton me kujdes në studimin e tij.

Në vitet 80 Esati boton në gazetën “Rilindja” kujtimet e tij si një nevojë që t’i ndriçonte momentet kyqe të jetës së tij. Autori i vepës me një sy kritik analizon kujtimet e tij duke vënë nën llupë figurën e tij pra në shkrimin e këtyre kujtimeve. Me plotë të drejtë shtron pyetjen “a kishte qenë Esati i shtrënguar të bëjë kompromise dhe cili ishte çmimi që kishte paguar për këtë?”. Duke bërë fjalë mbi rolin e intelektualit si Esat Mekuli autori shtron disa dilema nëse Esat Mekuli ishte oportunist ? Esat Myftari merr shembuj se si ka njerëz që e quajnë Mekulin “opurtinist”. Mbështetja te ky pietet qëndron te krijimtaria poetike e tij.

Shembull tipik është poezia e tij “Ramiz o vëlla”. Në kujtimet e viteve 80 Mekuli na dëfton se kjo poezi u shkrua në kohën kurr ai qëndronte në Plavë në vitet 42-43. Pastaj shembuj të tjerë janë edhe poezitë kushtuar “Njegoshit” me rastin e 100 vjetorit të tij. Të gjitha këto përshkruhen dhe arsyetohen me ndershëmeri nga Mekuli me rastin e shënimeve të tij në Rilindje. Esat Mekuli ndërroj jetë më 1993 në moshën 77 vjeçare. Për të do të flisnin figurat më të shquara të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Kosovë si Idriz Ajeti, Enver Gjergjeku, Vehap Shita etj.

Autori i monografisë Esat Myftari ka arritur që të jap një kontribut me vlerë për historiografinë shqiptare në ndriçimin e këtij personaliteti poliedrik. Letrar, veterinar dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mekuli do të mbetet në letërsi dhe shkencë si njeri i veçantë. Shtigjet e reja të studimeve për Mekulin në prizmin e profilit politik, na bëjnë krenar për arsye se tani hapën edhe horizonte të tjera ku Mekuli mund të analizohet më thellësisht pasi të vjelen edhe materiale arkivore ku do të pasqyrojnë figurën e këtij bardi letrar dhe shkencor në kontekstin historik. Në fund mund të themi me plotë gojë se Esat Myftari me këtë monografi na la një thesar të pasur dhe besoj që studimi në fjalë do të mbetet një gurrë e pashterur në studimet tona historike, politike dhe letrare.
( Autori është Hulumtues i pavarur për shek.XX në Institutin e Historisë – Prishtinë )

Kushtrim Koliqi: Realiteti Kosovë – Serbi kuptohet nga ngjarjet kulturore

Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra”, që organizon festivalin “Mirëdita, Dobardan”, ka thënë se ngjarjet kulturore tregojnë më së miri realitetin në raportin Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se ndalimi i artistëve kosovarë nga forcat policore në kufirin me Serbinë, ka treguar sërish që dialogu mes dy shteteve po del të jetë i kotë.

“Është hera e parë që na keqtrajtojnë në kufi. Ka pasur protesta, reagime, ndërprerje, por kurrë s’kemi pas maltretime në kufi. Policët thanë se urdhrin e kanë nga Beogradi. Më është dukur si në luftë. I kontrolluan të gjitha valixhet. Fatkeqësisht disa punime u ndaluan sepse shkruante UÇK apo kishte shqiponjë e diçka të tillë. Zgjati dy orë. Ishte i tensionuar. Ishte një betejë e vogël. Gjithçka që ndodhi ishte absurde. Por ky është realiteti. Realiteti kuptohet vetëm në këso evente dhe organizime të tilla”, ka thënë ai për “Express Intervistën” në KTV.

Eliza Hoxha rrëfen në hollësi për trajtimin nga kufitarët serbë

Koliqi ka njoftuar se artistët shqiptarë tashmë janë akomoduar dhe po presin hapjen e festivalit, që do të bëhet sonte.

Ai ka thënë se nuk kanë pritur një ndalesë të tillë nga autoritetet serbe. “Nuk e di ku po jetojmë, nëse i pengon veç një mesazh që jepet nga një fotografi artistike. Kjo nuk guxon as me ndodhë. Nuk munden ata me na tregu çfarë prodhime artistike do të prezantojmë. Po flasim për prezantim artistik. Kemi pas indikacione se do të ketë reagime, edhe nga deputetët radikalë që kanë kërcënuar se do t’i bllokojnë ngjarjet tona, por kam menduar se ka qenë show i zakonshëm”, ka deklaruar ai.

Sa i përket dialogut mes dy shteteve, Koliqi ka thënë se ngjarja e sotme duhet të jetë brengosëse për të gjithë, sidomos sponsorizuesit e këtij dialogu.

“Klasa politike në Kosovë kanë reaguar dhe mirë kanë bërë. Por ky është mesazh i qartë për të gjithë sponsorizuesit e dialogut se të gjitha letrat që i kanë nënshkruar dhe ‘arritjet e mëdha’ një festival i tillë, që përmban mesazhe të forta politike, i hedh poshtë të gjitha këto. Kjo është shumë brengosëse. Duhet të ishte shumë brengosëse për sponsorizuesit e dialogut. Për mua është brengosëse se po flasim për shumë kohë dialog, investime politike e financiare dhe me ndodhë prapë një gjë e tillë, është shumë brengosëse”, ka thënë Koliqi.

MASHT përjashton pesë administrues të testit të Maturës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për ndalimin e përhershëm të angazhimit të pesë administruesve në testin e Maturës Shtetërore.

Në vendim shkruan se këtyre administruesve iu është ndaluar angazhimi për shkak se “kanë qenë të papërgjegjshëm në kryerjen e punës së tyre”.

MASHT-i dështon edhe këtë vit me provimin e maturës

Administruesit e përjashtuar janë:

Selami Sherifi, Kamenicë

Agim Saqipi, Kamenicë

Albulena Raci, Prishtinë

Bajram Hashani, Prishtinë

Kimete Maxhuni, Prishtinë

‘Mirdita, laku noć’, serbët nisin kundërshtimin e festivalit nga Kosova

Festivali ‘Mirëdita Dobar Dan’ këtë vit duket se do të jetë më i përfolur se zakonisht.

Deri vitin e kaluar, festivali ishte i qetë ndërsa viti i kaluar dhe ky vit ka zgjuar nga gjumi serbët.

SRS – Partia Radikale Serbe thotë se sonte nuk do ta lejojë hapjen e festivalit.

Mbrëmë një protestë dhe një performancë me titullin “Mirdita, Laku Noc” u mbajt në Beograd për të kundërshtuar mbajtjen e festivalit atje, festival ky që prezanton kulturën e Kosovës para publikut serb.

Performanca është organizuar nga Lëvizja Serbe DVERI dhe Youth DSS, të cilët kanë thënë se Nisma për të Drejtat e Njeriut – organizata që po e ndihmon këtë festival, po vepron në kundërshtim me kushtetutën e Serbisë.
“Kosova po prezantohet sikur shtet në vete, dhe këtë ne nuk e besojmë. Në Serbi nuk pranohet që Kosova është shtet, prandaj gjithçka po ndodhë kundër kushtetutës së vendit” ka thënë Zdravko Veselinov. / KultPlus.com

Shkronja M: Matura, Makeupi dhe Mëkati

Rrezearta Reka

Datën nuk e mbaj në mend, por maj ose qershor duhet të ketë qenë edhe atëherë: muajtë e zakonshëm kur rëndom, organizohen mbrëmjet e maturës. Mirëpo, më kujtohet mirë atmosfera, dhe se si isha ndjerë unë në mbrëmjen e maturës dhe gjatë gjithë kohës së pregaditjeve. Me buzë në vaj, “fajtore” që ne ishim në Prishtinë, derisa fshatrat e Kosovës tashmë ishin shëndrruar në vatër lufte, me një re gjigande të pasigurisë mbi kokë, se çka athua do të ndodhte më tutje. Po na prisnin fakultetet-shtëpi, ndërkohë që ishte viti 1998, dhe ne po përshendësnimpër të fundit herë, gjimnazin në shkollën- shtëpi, në lagjën e Kodrës së Trimave. Derisa po punoja në temën e diplomës për “Lidhjen e Prizrenit në Dokumente Angleze”, në kompjuterin tashmë antik të shtëpisë, përpiqesha të shtiresha sikur e shqetësuar ëmbëlsisht edhe për mbrëmjen e maturës. Kjo festë, në kohë pafestash, ku do të mblidheshim bashkë me shoqet dhe shokët e klasës, në zyret e kompanisë së babait të një shoqeje të klasës, dhe do të shënonim maturimin formal tonin, ishte një dromcë normaliteti në Kosovën e anarhisë kulmore të të 90-tave. Ne kishim kohë që kishim maturuar, shumë vite para qershorit të vitit 1998, atëherë kur na kishin segreguar në shkollë fillore, kur prindërit më nuk shkonin në punë, kur vështronim të helmuarit nga dritaret e makinave, kur shkruanim poezi patriotike në Pioner, kur nga ngrinin flokët nga udha disaorëshe për të vijuar mësimin te Herticët. Në shkollën-shtëpi, nga ballkoni i së cilës shikonim fshatra tek bombardoheshin.

Për të vazhduar me dromcat e normalitetit, sado të rrejshëm, mami kishte ftuar mysafirë në shtëpi me rastin e mbrëmjes së maturës, në gosti me gjithçka, që mund të bëhej me pakçka: menyja tipike e kohës. Ndërkaq unë, në dhomën ngjitur, ulur në dysheme, pranë një pasqyerje të madhe, po krihja flokët me kujdes, për ti fryrë lartë e më lartë, në përpjekje për të përmbushur maturimin dhe për t’u dukur më e madhe se që isha. Fustanin ma kishte sjellë daja nga Amerika, dhe ishte tipik për fustanet e maturave Amerikane: ngjyrë të kaltër mbretërore, në formë sireneje, dhe me gurë vezullues rreth qafes, ani që mbrëmja ime e maturës ishte krejtësisht jo tipike. Me sa më kujtohet, babi më kishte çuar me makinë deri në vendin e mbrëmjes, me Yugon e vjetër, tabelat e të cilit akoma sot i kujtoj, për kushedi se çfarë arsye. Në atë dhomë të vogël, kishim ftuar edhe arsimtarët, heronjtë tonë të kohës, duke i ulur në karriget e bardha të plastikës dhe duke i shërbyer me lëngjet që do të na mbanin të hidratuar nga një natë e gjatë vallëzimi. Nuk mbaj në mend shume detaje të asaj mbrëmje. E di që jemi pas dendur me lëng dredhëzash, aq sa të nesërmen kisha shpërthyer në puçërrza alergjike të denja për inekcion, kishim vallëzuar me hitet e kohës, ose të paktën ata që qëndronin në këmbë, deri në orët e para të mengjesit, dhe kishim tymosur pa kontroll kushedi sa cigare. Ky kishte qenë harbimi jonë, në mbrëmjen e fundit të azdisjes, ku sadopak dhe me shumë ngulm, ishim ndjerë normal. Pas 98-tës, normalja e mori teposhtëzën dhe ishte historia që u harbua. Por ky nuk është shkrim për luftën por për të tashmen. Në më pak se dy javë, unë bashkë me shoqet dhe shokët e gjeneratës, do të festojmë 20 vjetorin e kësaj mbrëmjeje të maturës, një takim shumë domethënës për ne. Tashmë, si një e maturuar qe 20 vjet, do të pispillosem , për të shkuar në një hotel të pispillosur, dhe për t”=u takuar me shokët dhe shoqet, të pispillosur, dhe mbi të gjitha, normal.

E tashmja është përplot festa, mbrëmje, manifestime, se e tashmja është e lirë. Një ditë, derisa po ecja rrugës për në shtëpi, më zuri syri një vajzë. Në fakt, më zuri syri makeup-in e vajzës dhe pastaj vajzën. Në fakt, mirë bëra që kisha syzet e diellit, se rrezet që reflektoheshin nga highlighteri në majë të mollëzave edhe ashtu të shëndosha mollë, ishin verbuese. E tek në fund, më zuri syri vajzën, prindërit, kushërinjtë dhe telefonat e mençur. Ma morri mendja se ishte duke u nisur për në mbrëmje të maturës. Por ky nuk është shkrim për makeupin e tepruar kundër thjeshtësinë bajate, se fundja, këto janë punë shijesh. Krehja ime për mbrëmje të maturës para 20 vjetësh, mund të ketë qenë ekstravaganca e kohës ngjashëm mbase me highlighterin sot. E që deri në fund të mbrëmjes do të rrëshqasë poshtë faqesh, në mesin e lotëve që shpërlajnë të kuptuarit se kjo do të jetë hera e fundit kur do të jeni bashkë me shoqet dhe shokët e klasës: e që të nesërmen, dhimbjen e këmbëve do t’a zëvendësojë stresi i afateve të regjistrimit në fakultet.

Funksioni i mbrëmjes së maturës është pikërisht ky: festimi i arritjes së një hapi të rëndësishëm në jetë, për ti lëshuar udhë hapave të tjera që tek do të vijnë. Dhe çdo përpjekje t’i bërë me faj maturantët, përmes afisheve që thërrasin në bojkot të “mbrëmjes mëkatare”, është e padrejtë dhe madje deri diku mizore. Si prind, si maturante e dikurshme dhe si njeri normal, edhe unë kundërshtoj pirjen e alkoolit në mbrëmjen e maturës. Aq më tepër, kur pas mbrëmjes, maturantët vazhdojnë ndejën ne ndonjë lokacion tjetër, te i cili shkojnë me makina. Por të thuash se mbrëmja e maturës (po parafrazoj) është vatër shfrenimi e harbimi, pikë thyese e të rinjëve, e sidomos të rejave, është privim i maturantëve nga normaliteti, e sidomos vajzave maturante, te të cilat edhe në këtë rast, ngarkohet përgjegjësia për “ruajtje të moralit”, pika e dobët e shoqërisë sonë patriarkale.

Mëkatarët po i kërkojmë në vendet e gabuara, matura një nga to, sepse mëkati “vjen prej syve të tillë”. Prandaj, a s’do të ishte më e udhës që “mëkatarët potencial”, të mbulonin kokat për të mos rënë pre e tradhëtisë së syve? Po më tregonte një mikeshë imja se si gjatë një udhëtimi, në aeroport kishte parë ca burra Hebrenj, që kishin mbuluar fytyrat, derisa po prisnin fluturimin e rradhës, për të “mbrojtur” kështu veten nga mëkatimi. Kjo është përnjëmend revolucionare dhe janë këto praktika që duhet të kundrohen seriozisht.

E sa shpenzojmë energji për të shtypur afishe në kundërshtim të mbrëmjes së maturës, do të duhej të përpiqeshim ti bëjmë fëmijët tonë të lumtur. E këtë, do ta dëshironte çdo Zot, në cilindo religjion. T’ju qëndrojmë bashkë në arritjen e hapave të rëndësishme në jetë, dhe t’ju gjindemi pranë kur të gabojnë diku gjatë udhës. Të jemi aty kur të hedhin kapelat lartë, po edhe të nesërmen aty, për t’ju ruajtur gjumin pas mbrëmjes së maturës. Për t’i mbrojtur nga “afishet” në jetë, dhe për t’i parë tek maturojnë në njerëz të mirë. Më normal se kaq s’bëhet!

Ramush Haradinaj reagon pasi autoritetet serbe pengojnë artistët nga Kosova

Ramush Haradinaj ka reaguar sot në rrjetin social Facebook pasi ka marrë lajmin se autoritetet kufitare serbe sot kanë penguar artistët nga Kosova të cilët po udhëtojnë për në Beograd për pjesëmarrje në festivalin ‘Mirëdita Dobar Dan’.

“Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale.
Artistët dhe të rinjtë nga Kosova po i nënshtrohen bastisjes së rreptë në kufi me Serbinë, ku policia serbe ua ka ndalë tri fotografi, për shkak të përmbajtjeve të tyre artistike.
Me pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe ideve, Serbia po e minon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është në kundërshtim me frymën dhe vlerat europiane” është i plotë reagimi i Haradinajt, shkruan KultPlus.

Sot, në anën tjetër, ekipi nga Kosova është penguar nga autoritetet serbe pasi janë gjetur fotografitë e artistes Eliza Hoxha, të cilat dokumentojnë luftën e fundit në Kosovë. Festivali ‘Mirëdita Dobar Dan’ organizohet në kujtim të figurës së aktorit Bekim Fehmiu.

Ti qan

Poezi nga Lord Byron.

Ti qan e loti vetëtin
Qerpikëve të tu;
Elmazi i vesës në agim
Prej vjollcës shket ashtu.
Ti buzëqesh,ç’i ëmbël gaz
shkëndrit në sytë e tu;
Sarifi zbehet n’atë çast
nga flakë e tyre blu.

Purpurn e reve ruan ti,
kur Dielli perëndon
dhe errësira pa kufi
Nis botën e mbulon
Kështu dhe vështrimi yt
Djeg retë e shpirtin tim;
Le t’erret!Brenda meje ndrit
I zjarrti perëndim!

Kur Grupi Minatori i këndonte legjendarit Fadil Vokrri (VIDEO)

Fadil Vokrri është shndërruar në personalitetin kryesor të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Por, fama e tij ka qenë po kaq e madhe edhe në dekadat e kaluara, transmeton Klan Kosova.

Rock grupi Minatori ia kishte kushtuar një këngë Prishtinës dhe Vokrrit në vitet e 1980-a, të cilën mund ta dëgjoni më poshtë.