Petrit Halilaj: Kafshët sjellin diçka të vërtetë, krijojnë momente të thjeshta

Arbër Selmani

KultPlus: Për fillim, ndoshta mundesh me na tregu rreth këtij viti, sa ishte i rëndësishëm ky vit për Petritin dhe artin e tij?
Petrit Halilaj:
Këtë vit e fillova me udhëtime në mes të Prishtinës dhe Los Angelosit të Kalifornisë. Në Prishtinë për disa muaj po bisedonim e formësonim “fluturat e natës” me nanën, Shkurte Halilajn, ndoshta puna me më shumë ngjyra që kam bërë ndonjëherë, paralelisht në Los Angelos po bëja kërkime në rezidencën artistike në Mak Center, Schindler House së bashku me artistin Alvaro Urbano, që është edhe i dashuri im.
Mak është rezidencë fantastike dhe përveç rrugëtimeve nëpër peizazhet e pabesueshme e shkretëtirave përreth, si Joshua Tree, ne i njoftuam e rikrijuam në mënyrën tonë krijesat urbane Raccoons dhe u njoftuam mjaft mirë me qytetin e Los Angeles.
Nga atje u ktheva ne Berlin me entuziazëm e ide të qartë rreth zgjerimit të strukturës e studios që e kemi hapur së bashku me Alvaron. Ky strukturim e funksionalizim i studios time në Berlin ishte hap të cilit iu frikësova në fillim, por tani mendoj se ka qenë një vendim mjaft i duhur pasi më mundësoi të punoj me më shumë njerëz, të sjell aty kërkime të reja e bashkëpunime e poashtu të njoftohem me materiale të reja e të krijoj punë të reja që rezultuan në përgatitjen e projektit RU, projekti më i madh që kam realizuar ketë viti i cili u prezantua më vonë në New Museum, NewYork.
Përveç RU, gjatë këtij viti poashtu prezantova projektin “A e kupton se ylberi ekziston edhe nëse është natë?” në Bienalen e Venecias dhe punën me Fondacionin Merz me Torino të Italisë, duke shtuar këtu edhe dy ekspozitat në këto dy muajt e fundit në Galerinë Kamel Mennour, ajo në Londër dhe në Paris me “Abetaren”. Kështu, edhe pse me shumë punë e angazhime, 2017 për mua ka qenë vit me të vërtetë magjik.

KultPlus: Qysh në fillim të vitit more mirënjohje në Bienalen e Venecias, më pas edhe çmimin Mario Merz? Sa ishin të rëndësishme këto çmime?
Petrit Halilaj:
Jam jashtëzakonisht i lumtur për mirënjohjen e ndarë nga juria e Bienales së Venedikut. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme dhe e rëndësisë së veçantë. Dua edhe njëherë përmes kësaj interviste atë çmim të ia dedikoj Shkurte Halilajt, nanës time, e cila ka bërë një punë të mrekullueshme e më të cilën është kënaqësi të bashkëpunoj. Ndërsa, çmimin Mario Merz ia dedikoj fëmijëve të shkollës “Shotë Galica” nga Runiku e të gjithë fëmijëve të botës. Unë besoj se edukimi është i shenjtë, kështu që këtë çmim ia dedikoj edhe të drejtës për të zgjedhë që të kemi edukim sa më të mirë e po ashtu që të jemi të vetëdijshëm e mos të harrojmë asnjëherë ëndërrat e dëshirat për liri personale e kolektive.

KultPlus: Petriti dhe kafshët… pse ky inspirim kaq i madh prej kafshëve?
Petrit Halilaj:
Jam i interesuar në diçka që nuk është teatrale dhe e përgatitur paraprakisht. Jam i interesuar të sjellë në muze apo kontekst të artit bashkëkohor diçka që është vetja dhe që jeton në atë moment, diçka që nuk është ë përgatitur apo e kontrollueshme. Për këtë, preferoj pulat që pata sjellë në Bienalen e Berlinit në KW, më shumë sesa performancën apo diçka tjetër. Ato ishin aty dhe po mundoheshin të jetonin jetën e tyre rreth të tjerëve. Më duket sikur pa vetëdije, kafshët sjellin diçka të vërtetë, situata që nuk i pret, krijojnë momente të thjeshta, po që kjo thjeshtësi është çka më bën mua të lumtur.

KultPlus: Pak jashtë artit… ishe i pranishëm në Paradën e parë të Krenarisë në Prishtinë. A e ndien se shoqëria kosovare ka ndryshuar sadopak, me mbajtjen e kësaj Parade të komunitetit LGBT?
Petrit Halilaj:
Më kujtohet që sapo kam dëgjuar për këtë paradë unë erdha nga Berlini. Në paradën e ardhshme shpresoj të vij edhe me më shumë shokë ë familjarë, pasi që për mua ajo ngjarje është një tregues që në Kosovë kemi filluar të ndihemi të lirshëm në hapësirat publike sikurse në shtëpitë tona, sikur në ato private dhe ato të natës. Fakti se hapësira duhet t`ju përkasë të gjithëve, në Kosovë nuk është bërë ende realitet. Hapësirat dhe diskutimet publike janë diçka që na takojnë të gjithëve, le të vazhdojmë t’i ndjejmë si të tilla. Për mua prapë hapësira ma intime është ajo që unë ë preferoj. Prapë jam në kërkim të vazhdueshëm të hapësirave ku jo gjithçka shihet, e ku imagjinata fluturon. Hapësira ku dëshira shfaqet në formën më të lirë e fantazia fluturon edhe ndriçon çka ajo don!
Askush nuk duhet ta ndjejë që sheshi apo rruga janë personale e nuk ju takojnë të gjithëve. Për të arritur në këtë pikë është punë e gjatë dhe kërkon shumë guxim nga të gjithë ne në Kosovë. Edhe unë ndihem dhe jam pjesë e asaj ecje e rrugëtimi, të gjatë e të bukur. S’ka ecje që më pëlqen më shumë e që më bënë më të lumtur sesa kjo e sidomos kur çdo hap bëhet në drejtimin e duhur. Unë ndjej pas çdo here që vij se në Kosovë, ani pse ngadalë, gjërat po shkojnë në drejtim të mirë.

KultPlus: I kthehemi artit. Në Kosovë mungon një Muze i Natyrës dhe ti ke qenë ndër zërat më të fuqishëm për krijimin e një Muzeu të tillë.. Na trego më shumë, sa është e rëndësishme të krijohet një Muze i tillë dhe a do të bësh ti diçka në këtë drejtim?
Petrit Halilaj:
Për mua, gjetja e mbetjeve të ish muzeut, që ndodhi krejt rastësisht në vitin 2009, është bërë pjesë ë hapave të mi për gjetjen e vetës time si dhe fillimin e të kuptuarit të shoqërisë sonë. Besoj së krijimi i vendeve dhe konteksteve ku përmbajtja e tyre i ndihmon njerëzit të gjejnë natyrën e vet e poashtu i ndihmon njerëzit të gjejnë elemente që na bashkojnë e jo vetëm atyre që na tregojnë dallimet është urgjente dhe e rëndësishme. Mendoj së është ë nevojshme që paralel Muzeut Etnologjik ku ne shfaqim atë që na bënë etnikisht të veçantë, Muzeu i Natyrës na bashkon në këtë aspekt me natyrën me veten tonë si njerëz e me të tjerët. Jam në dijeni për punën dhe procesin për rindërtimin e Muzeut, por kam marr pak kohë të mendoj se çka mund të jetë kontributi im pasi që puna ime deri më tani rreth ish muzeut të natyrës, dhe puna ime nga këtu e andej për përfshirjen në krijimin e muzeut të ri janë dy gjëra që lidhen por janë edhe shumë të ndryshme.

KultPlus: Po i afrohemi fundit të intervistës. Qove Runikun në Nju Jork. Si e priti Nju Jorku historinë tënde personale dhe prejardhjen tënde, me anë të artit?
Petrit Halilaj:
Pikënisja e këtij projekti ishte disa vite më parë kur u ndesha me një arkeologji që ishte në lëvizje dhe shumë e ndryshme nga mënyra se si ndeshem me tjera civilizime, nëpër muze të botës, që zakonisht është më statike dhe e definuar.
Në Runik, jeta e përditshme e qytetareve aty është e lidhur ngushtë me atë qytetërim
neolitik që e kemi nën shtëpitë e oborret tona, dhe mënyra se si ky qytetërim na e ka zgjeruar e
pasuruar imagjinatën edhe idenë rreth krijimit të botës dhe fillimin e njerëzimit është e mahnitshme! Megjithatë krejt kjo ekziston në një dimension shumë intim dhe nuk shihet, këto rrëfime vijnë pas shumë kohe që kam kaluar aty dhe pasi që jemi njohur mirë me njëri tjetrin.

Prandaj kjo situatë që mua më duket utopike dhe unike, besoj se duhet të ruhet e të trajtohet me kujdes. Do të doja që Runiku të ketë një hapësirë ku këto dy realitete prezantohen së bashku, kombinimi i të super-sotshmes dhe super arkaikes, ku ne jemi në kontakt vetëm përmes mbetjeve dhe objekteve apo varrezave të atij civilizimi e ku në mungesë të informatave nga institucionet, imagjinata jona ka hapësirë të zhvillohet! Imagjinoj që një ditë Runiku të ketë një hapësire që prezanton diçka bashkëkohore dhe arkeologjike në të njëjtën kohë si një realitet i ri. Këto mendime e dëshira janë motivi i ekspozitës në New York.
Në njërën pjesë kam prezantuar një film me intervista e bashkëbisedime të miat me qytetarët e Runikut, kurse në pjesën tjetër të hapësirës, në formë të zogjve migrues, rikrijova 505 objekte të gjetura në Runik, në pozita të ndryshme, me pamje, gjysmë zogj, gjysmë objekte që po qëndronin në hapësirë. Ato objekte arkeologjike me pamje të zogjve i kam krijuar në bazë të të gjeturave nga arkivat, librat, fotografitë e videot e ndryshme e në bazë të objekteve të Runikut që qytetarët i kanë gjetur në oborret e tyre e i mbajnë aty. Ato objekte tani vazhdojnë të qëndrojnë pezull në New Museum, ku të japin ndjenjën se janë ndalë për një moment para se të fluturojnë përsëri diku tjetër.

KultPlus: Sipas teje, ku është sot arti i Kosovës? Disa emra, përfshirë ty, kanë bërë bujë, por a është sot i rëndësishëm për Evropën, dhe a është i fuqishëm arti që del nga Kosova?
Petrit Halilaj:
Unë e shoh kontekstin e artit si një rast për ne artistet me punu me realitetin dhe imagjinatën, e në të njëjtën kohë ku edhe provokojmë kufijtë që kemi rreth nesh. Me iu ik e me ju afru pyetjeve e preokupimeve që i kemi bashkë me dëshirat dhe ëndrrat. Jemi të lirë me qenë pjesë e realitetit nga afër apo larg me pikëpamje personale e më e gjerë. Për mua arti është mënyrë për me gjetë një vizion ma të gjerë se si ne si vend mundemi me qenë pjesë e botës dhe si bota mundet me qenë pjesë e një konteksti të vogël si Kosova apo rajoni ynë.

KultPlus: Për fund, Petriti dhe viti 2018-të, çka ke në plan?
Petrit Halilaj:
Mezi pres që vitin ta filloj me një vizite të shkurtër në Kosovë para se të shkoj në Smithsonian Institute, Washington ku do të bëj hulumtime për dy muaj dhe ku mundem të vazhdoj kërkimet për Runikun si civilizim e ta krahasoj atë me rastet tjera në botë. Dua të shoh se si arkivohen dhe transmetohen këto gjetje në vende të tjera dhe po ashtu do të vazhdoj hulumtimet në repartin e zogjve migrues. Pastaj gjatë këtij viti do të realizoj tri ekspozita të mëdha personale në Pauls Klee Center, Bern, në Torino ku kthehem me një projekt të ri, dhe në Hammer Museum, Los Angeles. Një ngjarje shume speciale për mua është edhe ekspozita personale me rastin e 10 vjetorit të galerisë time të parë Chertlüdde, në Berlin, në muajin nëntor.
Gjatë këtij viti po ëndërroj ta vazhdoj bisedën me bashkëqytetarët e Runikut që bashkë të krijojmë një aktivitet të veçantë, një ditë që iu dedikohet zërit e ku instrumentet muzikore takohen me performancën dhe muzikën, po shpresojmë me e shndërruar Runikun në një vend ku për një ditë e një natë ne nga rajoni do t’i takojmë të ftuarit nga gjithë bota që sjellin muzikën e tyre, kompozimet e tyre dhe instrumentet e tyre.
Ka shumë punë e po dua ta mendoj krejt këtë ëndërr gjatë qëndrimit tim në Washington.D.C së bashku me departamentet edhe profesorët e mi atje.
Ju uroj të gjithëve mbarësi e vazhdimësi të punës dhe ëndrrave tona.

“Desha t`ju uroja sonte gjithë të mirat…”

“Desha t`ju uroja sonte gjithë të mirat
Juve të dashurve ,
Juve të mirëve .
T`u uroja maleve pleqëri të mbarë
Fushave dhe deleve – pjellori;
Oxhakeve -tym tëzi ,
Nënave – qumsht të bardhë ,
Rrugëve -zhurma kalamajsh .
Të rënëve – qetësi.”

E shkruar me 31 Dhjetor – Ismail Kadare
Gëzuar 2018-ta!

Erenestina Gjergji: Më lejoni ta mbaj për vete dhimbjen e nanës

Erenestina është një prej atyre grave që tronditë fort me poezinë e saj. Poezia është e brishtë, por mes rreshtash dalin lotët e lexuesit, dhe kjo mjafton. Viti 2017 ishte viti i frytshëm i Erenestinës, një studiuese e thuktë e cila në këtë intervistë për KultPlus na shpjegon shumë, kësaj radhe me fjalët e jo me poezinë si të tillë. “Shkrimi, krijimi është mbrojtja e vetmisë në të cilën ndodhet njeriu sipas meje” thotë mes tjerash Erenestina.

Arbër Selmani

KultPlus: Do ta nisnim këtë intervistë ndoshta me inspirimin tënd. Ku inspirohet një shkrimtare, një shpirt si Erenestina? Janë vuajtjet, humbjet, fitoret, lulet, apo gjithçka?
Erenestina Gjergji Halili:
Jam çdo ditë në kërkim të maksimës së filozofisë së Sokratit “Njih vetveten”.
Dua të them se në konceptin tim, gjithçka e bën njeriun, gjithë rruga e tij në fazat e rritjes së jashtmi e së brendshmi. Njeriu mbetet sot e gjithë ditën objekt universal studimi, një qenie komplekse, në fakt objekt e subjekt, në totalitetin e përgjithshëm të qenies, të botës dhe të Zotit, atë që filozofia e quan “ekscentricitet”. Kjo mesa duket është shkakësia e parë pse shkruaj. Shkrimi, krijimi është mbrojtja e vetmisë në të cilën ndodhet njeriu sipas meje. Është një veprim që vetëm vjen nga një izolim efektiv, por komunikueshëm, në të cilin, pikërisht për largësinë nga të gjitha gjërat konkrete, bën të mundur një zbulim të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Është një vetmi, që nuk ka nevojë të mbrohet, por as të justifikohet, është një reagim i diktuar nga urgjenca dhe kërkesa. Ruajtja e fjalëve nga kotësia e tyre, zbrazëtia e tyre, duke u dhënë atyre qëndrueshmëri, duke i krijuar dhe latuar stilistikisht e forcuar samantikisht, është qëllimi që ndjek, madje herë-herë pa e ditur, që në të vërtetë shkruan. Zbulimi i “sekretit” dhe komunikimi, këto mund të jenë shkaqet e dyta…Të shkruash është një akt besimi, e si çdo besim, kërkon besnikëri!

KultPlus: Shkruani në një dialekt tjetër, në një gjuhë që ndoshta është e humbur në letërsinë shqipe, atë bashkëkohoren. Na tregoni pak më shumë se si mishërohesh në këtë frekuencë gjuhësore?
Erenestina Gjergji Halili:
Gjuha e poezisë sime, është identiteti dhe liria ime artistike. Është gjuhë e trashëguar, e ruajtur deri vonë në kujtesë, e transliteruar, e folur në mjedisin familjar, e ardhur edhe përmes dokeve e utilitetit. Është e mbarsur me filozofinë e të jetuarit: të jesh gegë, jo vetëm flet gegë, por mendon gegë. Leksiku i pasur, fonemat që shërbejnë për të kumtuar një mendim të tërë edhe të vetëm, paskajorja e mrekullueshme, ritmi, kadenca, homonimitë që të çojnë ku ti dëshiron të shkosh. Jo vetëm kaq, të rrokësh qiejt e tu, kur ke model dhe motivim traditën e shkëlqyer, humanistët, eposin, françeskanët, letrat dhe kulturën e tyre, të ardhura si dëshmi e gegnishtes, janë një barrë e rëndë kur tenton t’i tregohet lexuesit. Megjithatë, është një andje e madhe, një kndellje shpirtërore, që identifikon unin tënd të vogël, në arkën e madhe të thesareve.

KultPlus: Keni pasur një humbje të madhe në jetë? A flet shpirti gjatë dhimbjes, e çka ti bëhet shpirtit që ka fjalë po nuk mundet ti shkruajë e përkthejë në letër?
Erenestina Gjergji Halili:
Gjithçka di për dhimbjen e gjeni në librin tim… Më lejoni ta mbaj për vete dhimbjen e nanës, sepse unë jam si të gjitha nanat e tjera, madje me fat, sepse rrekem nëpër rreshtat e mi, ndërkohë ka zemra nanash që plasin atje tej, ku ndoshta mungon buka për të tjerët e barkun e saj, mungon shtegu për t’ia dalë m’u mbajtë…Në respekt të këtyre nanave, unë nuk kam folur për veten edhe pse e kam mundësinë e të intervistuarës.
Ndërsa kam pranuar të rrëfehem për librin, duke e konsideruar atë një ngjarje letrare.

KultPlus: E dimë se jeni aktive edhe në dramë. Në një formë, jeni një hulumtuese e letërsisë nga pikëvështrime të ndryshme. Ku qëndron sipas teje letërsia shqipe në hartën e letërsisë evropiane?
Erenestina Gjergji Halili:
Ne kemi trashëgimi të vonë, por të mirë dramatike. Rruga e letërsisë dramatike shqipe dhe i referohem si letërsi kombëtare dramatike, është e ngjashme me udhën historike të vetë kombit tonë. Pa i hyrë analizave të thella akademike të gjinisë, mund të them se, drama moderne shqipe andej e këtej Drinit, ka formësuar tiparet e veta, parimet estetike të saj, ka njohur suksese të caktuara në skenat ndërkombëtare dhe është në udhën e përsosjes brenda vetes, si nga ana tekstore,ashtu edhe strukturore. Në hartën e botës, drama shqipe, sipas hulumtimit tonë, të cilin e gjeni në “ Bibliografia e dramës shqipe të botuar 1883-2017”, është botuar shqip në 20 (njëzet) vende. Ky është një numër domethënës, që dëshmon pasionin e shkrimtarëve dramaturgë.

KultPlus: Kemi një Kadare, por nuk e kemi një grua shkrimtare të përmasave të tilla. Është kjo shkaku i shtypjes së zërit të gruas ndër shqiptarë apo…. ?
Erenestina Gjergji Halili:
Nuk mund ta shoh krejtësisht kështu, por edhe nuk mund ta mohoj. Ne jemi shoqëri në zhvillim, në kërkim të vlerave të tjera të cilat i kanë bërë kombet e tjera më të përparuar. Një shoqëri e tillë, padyshim reflekton edhe gjykime e paragjykime të tilla ndaj autoreve femra. Personalisht, në studimin tim për dramën, i kam kushtuar vëmendje të posaçme krijimtarisë dramatike të autoreve femra, që prej tekstit të parë dramatik e deri më sot. Nga ana tjetër gjykoj se çdo individ, duhet ta shohë realitetin e artit të tij e realitetin jetësor, drejt në sy! Jam e bindur se letërsia jonë femërore ka emra dinjitozë!

KultPlus: Për fund, dy pyetje më klishe. Një këshillë jotja për shkrimtarët e rinj, dhe planet tua letrare e artistike për këtë vit të ardhshëm ?
Erenestina Gjergji Halili:
Po përmend një thënie nga Susan Sontag, e cila thotë se për të pasur qasje në letërsi, në botën e letërsisë, m’u desh të largohesha nga burgu i vanitetit kombëtar, nga filistinizmi i provincializmit të detyrueshëm, i shkollimit bosh, i fakteve joperfekte dhe i fatit të keq. Letërsia ishte liri, veçanërisht në një kohë, në të cilën vlerat e leximit të së brendshmes, janë të sfiduara kaq fuqishëm. Edhe sot, letërsia është dhe duhet të jetë liri…
Pra, nuk kam asnjë këshillë specifike, por një urim: Zoti i bekoftë!
Sa për planet… / KultPlus.com

I huej n’qytet
Nji malcor, i huej n’qytet
Prej s’neltit râ n’teposhtë
Veshun n’nji gozhup leshit,
duhan t’dredhun majé veshit,
me do pare rrânzë mesit
e nji kangë majé krahìt,
i huej malcori Gjetë, n’qytet …

Rrapullima majé rruget,
kulla t’nelta majé njerìt,
kërkush gjall’ s’p’e përshnet,
kush s’e sheh, as kush e dvetë,
i huej â end Gjeta n’qytet …

Ulë n’nji lulishtë âsht ndejt,
fjetë ka midis dimni n’gazep,
xetë po e mbâ gozhup i thurun,
malcori Gjetë n’t’madhin qytet…

Hesht si njerì qi fjalë s’qet,
hjedh si strajcë njat gozhup t’bâmë,
prej po rreh shteg me dalë,
hapngarkuem, maná t’randë,
i huej, malcori n’at dimën t’namtë…

Rron Qena: U zhgënjeva nga Akademia e Arteve dhe klanet institucionale

Si 12 vjeçar, Rroni do të niste për herë të parë të pikturonte. Babai i tij i ka thënë qëmoti se do të duhet të kalojnë shumë vite dhe shumë punë për tu shndërruar në një prej piktorëve më të mirë të botës. Agim Qena ka ndikuar shumë në formimin e Rronit, ai këtë e pranon pa pikë hezitimi. E kanë krahasuar me Piccaso e herë me Matisse, por Rroni thotë se këtë vit ka ardhur në frekuencën e tij personale, duke mos qenë as hija e ndonjë piktori tjetër. Rron Qena është ndër piktorët më të mirë shqiptarë, dhe këtë e dëshmon dora e tij në letrën e bardhë të pikturës. I inspiruar me femrat, me të bukurën, me mërzinë më pak, me ndotjen e ajrit, dukshëm edhe me natyrën, e sjellim sot një intervistë me Rronin, ku ai flet për vitin 2017-të dhe artin e tij si përthekim të gjendjes shpirtërore.

Arbër Selmani

KultPlus: Këtë vit vendose me ardhë me një ekspozitë e cila ndoshta ka qenë e pritshme nga ti për shkak se ke pauzuar një kohë dhe e ke sjellë një realitet të cilin ne shumica e dimë dhe i ekspozohemi, ndotjes së ajrit në kryeqytet. A mundesh pak me më tregu sidomos për këtë ciklin e fundit, se si erdhi ideja?
Rron Qena:
Tema e Prishtinës më ka përcjellë gjatë gjithë karrierës, sepse jemi duke u rritur në këtë qytet dhe e kemi si damar tonin, pra marrim frymë me qytetin tonë. Para një viti, ndoshta edhe më herët, isha i indinjuar me drunjtë që i patën prerë, dhe e bëra një pikturë ku qyteti është zhdukur, dhe në atë punim kur e mbulova qytetin doli një pamje e re me një lloj mjegulle. Pas kësaj ndodhi ndotja e ajrit në Prishtinë, iu dha një mjegull qytetit ku edhe atëherë nisa të punoj në një cikël të tillë, me qytetin në mjegull me stil të njëjtë. Në tjetrën anë edhe pse isha i lodhur nga Prishtina dhe duke mos pasur çka me bo, i dhashë shans vetes që edhe njëherë të merrem me atë se çka po përjetojmë, me mbrri me reflektu atë që po shohim.

KultPlus: Çka është inspirimi tjetër përpos Prishtinës?
Rron Qena:
Pa frymëzim nuk ka punë, ndoshta mundesh të punosh por nuk ka kreativitet. Zakonisht përpara më kanë frymëzuar gjërat, ngjyrat, se si i përdorim nëpër rroba, ëndrrat, gjumi, mendimet, natyra dhe krejt çka shohim. Aty mundesh me gjet diçka që me prezantu veten. Përpara kam dashur ta prezantoj një bukuri, çkado qoftë ajo, mënyra se si po e sheh, por tash nuk është puna se si po e sheh, pra jo vetëm syrin me ta kënaq por me mbërri me ta ngacmu edhe zemrën. Kjo po, është më e vështirë, sepse punimi duhet të ketë një lloj kuptimi, por si duket duke u rritur nuk po mjafton vetëm pamja. Tash po bëhet më vështirë por edhe më interesant.

KultPlus: E kemi folur njëherë bashkë se ka kohë që nuk ke marrë pjesë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me ndonjë ekspozitë. A ka ndonjë arsye prapa kësaj apo…?
Rron Qena:
Kam marrë pjesë në ekspozita kolektive në Galerinë Kombëtare të Kosovës, por mandej me një kohë mendoja që duhet me ekspozu gjithkah, që njerëzit me mbërri me pa punën time, dhe atëherë e kisha më lehtë nëpër ekspozita të vogla ku njerëzit vijnë e të njoftojnë, nëpër vende më alternative. Kjo pak ka mbetur si shprehi. E tjetra është që pas Akademisë së Arteve, kam qenë i zhgënjyer pak me klanet e institucioneve, do të thotë duhet të jesh pjesë e një klani që me mbërri me ekspozu. Nëse një drejtor është në Galerinë e Arteve, ai i merr ata të vetët, nëse tjetri vjen ai i merr të tjerët, kështu që më është dukur pak ‘helaq’ mundem të them dhe kam shikuar një rrugë më alternative.

KultPlus: A ndodhë kjo edhe sot, a mendon që sot janë të krijuara klanet, jo vetëm në artin pamor, por që ky problem është i madh e i pranishëm në të gjitha fushat e artit ku duhet të jesh gjithsesi shok i dikujt për të qenë pjesë e një organizimi?
Rron Qena:
Unë mendoj që tek ne gjithqysh janë në pyetje klanet. E sheh që nga politika, si të ndërrohet partia ndërrohen edhe drejtorët edhe gjithçka tjetër. Mundohen me i shfrytëzuar ato vite që i kanë dhe jo vetëm në art po gjithkah, si në teatër si gjithkund tjetër. Këtë e kam parë nga Akademia e Arteve, si studentë aty kanë qenë profesorët bashkë dhe nga Akademia e Arteve kanë mbërri ta kenë edhe Galerinë e Arteve.

KultPlus: Ti ke pasur ftesë të shkosh në Galerinë e Arteve?
Rron Qena:
Mua ndoshta më është dukur më lehtë të kem ekspozita më të vogla, por më duket që tash jam pak jashtë. S’po di, ndoshta ka ndërruar diçka kohëve të fundit dhe normal qejf kam që të ekspozoj në Galerinë Kombëtare por e di që duhet më shumë punë, sepse është e madhe. E nuk duhet punë vetëm nga unë por edhe nga institucioni, sepse duhet t’i mbledh punimet sepse kam edhe jashtë vendit shumë, kështu që ka punë.

KultPlus: Si e sheh Rroni momentalisht artin në Kosovë?
Rron Qena:
Arti tek ne në Kosovës, tash normal mundemi me thënë që jemi pak prapa me botën, por kohëve të fundit është goxha real, do të thotë ke artistë shumë të mirë që provojnë ta gjejnë veten nëpërmjet mediumeve të caktuara. Kështu që, mendoj që është mirë, por nevoja e madhe është që institucionet duhet t’i mbështesin më shumë, sepse në fund të gjithë përfitojnë nga arti, por artisti duhet t’i bëjë të gjitha vetë. Mendoj që, ka edhe të rinj që janë të interesuar edhe pse arti në ditë të sodit e ka ndërruar kahjen. Unë gjithmonë kam menduar që me art duhet ta fascinosh dikë, por tash e kuptoj që me art nganjëherë duhet edhe ta mërzisësh dikë.

KultPlus: A mendon që edhe punët tua i përshtaten këtij disponimi, sado që janë të bukura janë duke e shkaktuar edhe këtë emocionin tjetër, mërzinë ?
Rron Qena:
Punët e mia artistike munden me shkaktua mërzinë, por prapë e kanë një lloj shprese, unë prapë mendoj që duhet ta fascinosh syrin e dikujt gjithsesi me mjeshtërinë tënde.

KultPlus: A ka ndonjë rezidencë, a ka ndonjë udhëtim tash që po pret me shku, ose ekspozita paraqitje?
Rron Qena
: Njëherë për njëherë për ekspozitë nuk kam ndonjë plan. Planet i kam që të punoj, dhe të bëjë ndonjë kontakt si gjithmonë privatisht, dhe kontaktet dua t’i bëj në Berlin, sepse atje po mendoj të jetoj për një kohë.

KultPlus: Dhe për fund, si qëndron me shitjen e priturave, a mundet një artist i Kosovës të mbijetoj duke shitur duke mos pas një punë tjetër?
Rron Qena:
Unë qëndroj goxha mirë, mundem të mbijetoj me shitjen e pikturave, por është problem sepse duhet të jesh edhe piktor edhe menaxher dhe të gjitha t`i bësh vetë, e shumica e piktorëve ndoshta nuk i kanë krejt këto vlera. Mendoj që shoqëria jonë kanë mbërri në një nivel ku ka nevojë për art dhe njihet më mirë arti. Artistët duhet të dinë shumë që t’ua ‘marrin paret’ publikut, me një punë që të len përshtypje. Varet krejt nga artisti. Duhet të ketë art sa më shumë, se shoqëria ka nevojë për art. / KultPlus.com

Nata E Vitit Të Ri

Poezi e shkruar nga Xhevahir Spahiu.

O zemra ime, o vetmi,
të pimë sonte, gjithsesi.
Një mall, një dhembje dhemb atje
ku jemi dhe nuk jemi ne.
pas muresh kokë më kokë kurthojnë
harrimin e harrimit tonë.

Po qoftë në Dajt a Monparnas
një shishe vere të ndjek pas.
Sa vlen një gllenjkë e saj
nuk vlen
as fama, as froni që shkëlqen.
E tha s’e tha Omar Khajami,
stacioni i fundit: Varri i Bamit.

O zemra ime, o vetmi
të pimë sonte, gjithsesi. / KultPlus.com

Në sheshxhirim me yjet e Hollivudit, Marko Caka dhe emocionet e këtij viti (VideoSelfie)

Marko Caka, aktori me prejardhje shqiptare i cili është duke ngjitur majat e karrierës së tij në Hollivud, në këtë fundvit të 2017-së, përmes VideoSelfie për KultPlus ka folur rreth sukseseve më të mëdha që ka arritur në vitin që po lëmë pas.

Marko Caka nuk ka lënë pa përmendur edhe sheshxhirimet me emrat e mëdhenj të filmit në botë, ndër ta edhe Steven Spielberg, Rihanna e Roberto De Niro.

Krejt në fund, Marko Caka ka përshëndetur edhe lexuesit e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus. Për më shumë ju ftojmë ta shihni videon të realizuar ekskluzivisht për KultPlus. / KultPlus.com

Ilir Rexhepi, aktori i suksesshëm kosovar në skenën evropiane (VideoSelfie)

Ilir Rexhepi, aktori me prejardhje nga Kosova i cili karrierën e tij tashmë po e ndërton në Gjermani, nëpërmjet VideoSelfie për KultPlus tregon në pika të shkurtra për sukseset e tij në një treg të fuqishëm kinematografik si ai gjerman.

Rexhepi, së fundmi pjesë e serialit të njohur gjerman ‘Tatort’, është duke u ngjitur suksesshëm në skenën e kinematografisë evropiane. Ai ekskluzivisht për KultPlus, përveç punëve më të suksesshme për vitin 2017-të, ka treguar edhe pak nga ajo se çfarë e pret në vitin 2018-të.

Iliri përshëndetë lexuesit e KultPlus, nga një vend i këndshëm në Gjermani.

Ju ftojmë ta shihni videon. / KultPlus.com

Yllka Brada lë pas vetes një vit magjik në karrierën e saj (VideoSelfie)

Yllka Brada, kreacionet e së cilës këtë vit janë prezantuar edhe në revistën prestigjioze “Vogue”, në këtë fundvit ka ndarë një VideoSelfie për KultPlus në të cilën tregon sukseset që e kanë karakterizuar punën e saj gjatë këtij viti.

Ajo në një video të shkurtër përmend se ky vit ka qenë i mbushur me shumë projekte dhe punë. Brada tregon edhe për prezantimin e koleksionit të saj në London Fashion Week, dhe për projektet e saj edhe në teatër, ku ajo është paraqitur si kostumografe.

Për më shumë ju ftojmë ta ndiqni videon e kreatores të realizuar ekskluzivisht për KultPlus. Gjatë ditës sot do të kemi videoselfie të tjera por edhe intervista ekskluzive me njerëz nga fusha e artit dhe kulturës. / KultPlus.com

Adriana Matoshi sjellë në pak minuta punën e saj në vitin që po lëmë pas (VideoSelfie)

Adriana Matoshi, emër i njohur në kinematografinë kosovare, sjellë në VideoSelfie për KultPlus, vitin 2017-të, brenda pak minutave.

Adriana, një fytyrë e dashur për audiencën shqipfolëse, nga Parisi uron festat e fundvitit dhe flet pak për pjesëmarrjen e saj në filma të suksesshëm kosovarë.

Pak me shaka e me fjalë të dashura siç ajo di t’i thurë, sjellim videon e Adrianës në këtë fund të vitit 2017-të.

Gjatë ditës sot do të kemi videoselfie të tjera por edhe intervista ekskluzive me njerëz nga fusha e artit dhe kulturës. / KultPlus.com

Viti 2017-të për Teuta Krasniqin, viti i festivaleve të ndryshme (VideoSelfie)

Balerina Teuta Krasniqi njihet si një nga balerinat më të dalluara në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ajo këtë fundvit të 2017-ës, ka ndarë një VideoSelfie për lexuesit e KultPlus, në të cilën ka treguar për bashkëpunimin me Festivalin e Graz-it dhe me balerinët e vendeve të ndryshme të botës.

Nga salla e Teatrit Kombëtar, ajo sjellë në një video të shkurtër, me anë të se cilës ka treguar se në këtë vit kanë sjellë një numër rekord premierash. Teuta Krasniqi, nuk ka lenë pa e përmendur edhe 45 vjetorin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Për të kuptuar më shumë rreth kësaj, ju ftojmë ta ndiqni i videon e balerinës të realizuar ekskluzivisht për KultPlus. / KultPlus.com

“West Side Family” sjellë këngën e re (VIDEO)

“Beso” është kënga më e re e grupit West Side Family. Grupi shumë i dashur për publikun shqiptar ka zgjedhur fundvitin për t’i dhuruar fansave këtë këngë.

Ata rikthehen pas 8 viteve mungesë duke sjellë edhe zërin e regjistruar të Doktori Florit, i cili është ndarë nga jeta prej 3 vitesh.

Edhe pse larg fizikisht, në projektin më të ri të West Side Family është i pranishëm edhe Doktor Flori. Ai është në notat, tekstin dhe klipin e këngës. Ai qëndron i palëvizur në buzëqeshjen e tij të përhershme, në një fotografi që qëndron përjetësisht në mur. / KultPlus.com

Unë vij prej detesh t’largëta

Poezi e shkruar nga ANTONIA POZZI / Titulli origjinal: PORTI / Përktheu Beti Njuma

Unë vij prej detesh t’largëta
unë jam një anije e rrahur
nga tallazet
nga erërat
brejtur nga dielli
sfilitur
nga uraganet

unë vij prej detesh t’largëta
ngarkuar me gjëra t’panumërta
t’shpartalluara
me fruta t’çuditshme
t’kalbura
me mëndafshe t’kuqe gjak
t’shqyera
copë-copë
krahët që ndrijnë cungimit
direkët shkulur
velat e ulura
litarët këputur
të kalbura
dërrasat e kuvertës

unë jam një anije
një anije që bart
mbi vete gjurmët e tërë perëndimeve
vuajtshëm përshkuar
unë jam një anjije që kërkon
nëpër tërë lumenjtë
një vendankorim.

Rishtas ëndërron anija e plagosur
portin më t’afërt-
po ç’rëndësi ka
nëse mbi hullinë
e rrugëtimit të saj
përplaset
shkulmi i sfilitur?

Oh, zemra
di fort mirë ta gjejë
udhën e saj
nëpër dallgët mbarë!
Oh, zemra di fort mirë
të kthehet
në bregun e vet!

O ti breg i përjetshëm
ti, folezë
e mbrame e shpirtit tim shtegtar –
o ti, tokë
ti, atdhe
ti, rrënjë e thellë
e udhëtimit tim mbi ujëra
ti, paqe
e dhimbjes sime
endacake
oh, strehomë
ndër molet e tua
ti, port
dhe mbi ty rëntë
çdo ngarkesë frymësosur
në prehrin tënd ulja
e ngadaltë e spirancës
në zemrën tënde ëndërrimi
i një mbrëmjeje të vagët
kur nga plakja e tepërt
nga lodhja e tepërt
do fundoset
në ujërat e tua
të heshtura
e rënda anije
e shkallmuar.

20 shkurt, 1933

Memorialet e Luftës së Dytë Botërore dhe qytetet në kartolina (FOTO)

Monumenti i Varrezave të Dëshmorëve Partizan gjendet në Velani, pika më e lartë e Prishtinës. Në kartolinën që daton në vitet 1960, 1970 dhe 1980, shihet duke qëndruar vet ose me pamje tjera të qytetit të Prishtinës.

Në kartolinë ku qëndron vetëm, imazhi i tij jep mesazhe të përziera të madhështisë arkitekturore dhe frymës pastorale. Shikuesi tërhiqet menjëherë nga tetë gjysmë rrethe të mëdha betoni, të formuar si krahë të hapur që rrethojnë një formë si glob, e punuar nga trarët metalik. Brenda mureve të gjysmë rretheve ka medalione të bardha, që përfaqësojnë luftëtarë individual (163) ose viktima civile (58) të luftës. Monumenti qëndron në një kodër me barë, lartësia e të cilit është e qartë nga sfondi- një pamje urbane poshtë e largët , e rrethuar nga mali.

Por për shkak të pranisë së fëmijëve duke luajtur dhe njerëzve duke biseduar me njëri-tjetrin, kjo strukturë e rëndë nga betoni dhe metali kompenzohet nga pamjet e jetës së përditshme. Edhe këtu, si në Landovicë, memoriali tradhëton përdorimin e tij si strukturë rekreative, ndër të tjera.

Në shumë kartolina, memoriali i Velanisë nganjëherë shfaqet ekskluzivisht me pamje të tjera moderne të qendrës të qytetit të pasluftës: ndërtesa e Radio Prishtinës; Teatri Kombetar; banesat e reja në Dardani; Shtëpia e Mallrave Grmija në rrugën për këmbësorë; korza; kampusi i Universitetit; munumenti i Vllaznim Bashkimit; hoteli Bozhur [tani Hoteli Swiss Diamond], me murin e tij të ilustruar me ngjyra, dhe sloganin, “Nga Fjalët në Vepra” në dy gjuhë.

Në kartolinat tjera, memoriali i Velanisë shoqërohet nga dy shenjues të fortë të identiteteve të ndryshme të Prishtinës: vendet e trashëgimisë historike të Kishës Serbe të Graçanicës dhe turbes Osmane në Mazgit, të dyja jashtë qytetit.

Memoriali i Varrezave të Dëshmorëve në Velani, i projektuar nga Svetislav Ličina (Zagreb 1931), dhe i kompletuar në Nëntor 1961 mbi një park prej tre hektarësh, qëndron ende edhe sot, edhe pse me medalione të grabitura dhe në një gjendjë të neglizhuar. Nuk është kërcënuar kurrë me shkatërrim, ndoshta për shkak të avokimit të veteranëve të fundit të mbijetuar të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe në mot të mirë, fëmijët rregullisht luajnë në mesin e rrënojave të çfarë dikur ishte një punë madhështore e arkitekturës, siç bënin në kohët e mëparshme.

Një arsye tjetër për jetëgjatësinë e tij mund të jetë fakti se gjendet në tokë të shenjtë. Në afërsi të tij, një varrezë tjetër është themeluar pas vitit 1999, kjo dedikuar dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e fundit, si dhe varri i Ibrahim Rugovës, presidenti i parë i Kosvës së vetë-qeverisur, i cili vdiq në vitin 2006.

Ndjenjat e nxitura nga ky monument nuk ishin gjithmonë neglizhenca dhe mosinteresimi. Fotot arkivore të kremtimit të përvjetorit të tridhjetë nga pushtimi Nazist, në vitin 1974, tregon tërheqjen popullore, përtej grupit të veteranëve. Atëherë ishte një simbol i fortë i vllaznimit dhe bashkimit, siç lexohet në sfondin gjigand të ceremonisë, në serbisht, shqip dhe turqisht, pranë portretit të Titos. / KultPlus.com

Burimi: ORAL HISTORY / KOSOVO

Thesari i humbur i Turqisë gjendet në Librazhd

Nga Daniel Muçaku

Me sa duket nuk thonë kot që Shqipëria është një minierë e vogël ari, pasi kohët e fundit diçka e pabesueshme është zbuluar në vendin tonë. Xhyra Kasaba, është një fshat, ndoshta shumë i njohur, i cili ka 99 minare, por që mbi të gjitha fsheh thesare të panumërta.

Me fshatin e Xhyrës janë lidhur shumë gojëdhëna dhe histori të ndryshme aq kulturore, por edhe misterioze që askush deri më sot nuk ja ka gjetur kuptimin. Ai ndodhet në pjesën jugperëndimore të rrethit të Librazhdit, pranë rrugës kombëtare që lidh Shqipërinë me shtete të tjera me Greqinë, Maqedoninë, si dhe me qytetet e vendit tonë.

A e dini se guri i “Bletës” një shkëmb me lartësi 1409m ka nxitur zbulues nga e gjithë bota kryesisht turq, maqedonas, edhe grek, por edhe nga “Puglia Grotte” dhe “Dauno”.

A fsheh me të vërtetë ky shkëmb një pasuri të madhe?
Mendohet se pikërisht në këtë gur fshiheshin grabitjet që kaçakët (hajdutet) bënin karvanëve të ushtrisë turke dhe tregtarëve nga Roma.

Jo më larg së disa muaj një turist nga Turqia eksploronte bashkë me grupin e tij e shoqëruar më një hartë shumëvjeçare e cila tregonte me hollësi se ku fshihej thesari i turqve. Kushtet litologjike siç dukej ua kishte vështirësuar kërkimet.
Banorët e fshatit tregojnë se shumë kërkime janë bërë, aq shumë saqë detyruan që emigrantët të ktheshin kudo që ishin edhe të gërmonin për ta gjetur diçka përpara se ta gjenin te turistët e huaj.

Ja si shprehet një banor i fshatit Xhyrë A. M:“Nuk e mbaj mend sa veta kanë ardhur e kanë hapur gropa pafund me qëllimin se ka flori apo gjëra të tjera si këto. Në fakt vetë nga legjenda e gurit të bletës, mjalti i shumtë i bletëve simbolizon floririn, ndërsa bletët punëtore – hajdutët të cilët vidhnin floririn e ushtrisë Osmane. Mendoj se është vetëm një legjendë, por herë pas herë mendoj se mund të jetë edhe e vërtetë.

Jo më larg se disa muajsh një grup turistësh nga gjuha që flisnin mendoj se ishin turq, kishin një hartë të vjetër e cila në të kishte të vizatuar shkëmbinjtë edhe vetëm një shkëmb ishte më kryq, vetëm guri i “Bletës”.

Njerëzit janë të çuditshëm në këtë fshat saqë marrin kazma edhe lopata edhe gërmojnë pa lidhje, duke prishur në shumicën e rasteve edhe rrugën “Egnatia” e cila kalon mes për mes fshatit”.
Po kush është me të vërtetë legjenda e gurit të “Bletës” e cila ka bërë bujë në të gjithë Shqipërinë?
Sipas legjendës thuhet se: “Dikur një djalë i ri nga fshati shkon tek guri i “Bletës” për të marrë mjaltë. Aty kishte shumë bletë dhe mjalti ishte në sasi të madhe. I riu futet brenda në gur dhe fillon të mbushë enët me mjaltë. Guri i thotë djalit se duhet të marrësh mjaltë vetëm aq sa të takon. Por ai nuk e dëgjon duke vazhduar të marrë mjaltë pa u ndalur. Atëherë guri mbyllet duke e zënë brenda. Djali fillon e rënkon. Zëri i tij dëgjohet dhe njerëz nga fshati i shkojnë në ndihmë për ta nxjerrë nga guri. Ata përdorin mjete të ndryshme si pyka prej thane për të hapur gurin, por pa mundur ta nxjerrin dot.

Pykat e thanës ( katër copë) gjenden edhe sot e kësaj dite në mesin e gurit. Pikërisht në atë vend guri është i lagur për shkak të lotëve të njeriut brenda tij. Madje edhe sot thuhet se? sa herë që bie shi, po të qëndrosh afër gurit në heshtje dhe të dëgjosh me kujdes, do të ndiesh zërin e të riut që vjen nga brenda duke rënkuar”./ KultPlus.com

At Gjergj Fishta reciton pjesë nga ‘Lahuta e Malcis’ (VIDEO)

Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.

Fishta arrin të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcís”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904.

Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. / KultPlus.com

Sot është përvjetori i vdekjes së kolosit të kulturës shqiptare, At Gjergj Fishtës

Shkruan: Ndue Ukaj

Sot, është përvjetori i vdekjës së kolosit të kulturës shqiptare, At Gjergj Fishtës.

Përkundër mërzisë që na shkakton politika, jeta e përçudnuar shqiptare, davaritjet pa sens, amullia dhe mungesa e idealeve, ia vlen ta përkujtojmë Fishtën, dhe njëkohësisht, ta lexojmë veprën e tij të pasur e me vlerë.
Sepse, ajo është gurrë e pashterrshme frymëzimi; është pasuri kombëtar dhe një shkollë që edukon ndërgjegjen e njeriut. Mbi të gjitha, vepra e tij është një shkollë e fortë kundër batakçinjve të shumtë të jetës shqiptarem

Para dy vitesh, duke e analizuar tekstin e tij, “Koha e ardhshme e Shqipnisë”, ndër të tjera pata shkruar:
”Freskimi më i madh i mendjes është leximi i klasikëve të lashtë. Duke lexuar ata, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar, i përmirësuar, i lartësuar dhe i kalitur; të duket sikur sapo ke shuar etjen në një burim të kulluar malor” – shkruan Artur Shopenhauer.’’
Gjergj Fishta, i vlerësuar si Homeri Shqiptar, është shkrimtari kombëtar i shqiptarëve, i cili njihet me veprën epokale “Lahuta e Malcis”, që njëkohësisht është epi nacional i shqiptarëve. Veç kësaj kryevepre të kulturës shqiptare, ai njihet edhe për një sërë veprash me rëndësi në fushën e letërsisë. Ai u shqua edhe për kontribut dhe veprimtari të frytshme kombëtare.
Pa dyshim, Fishta dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në mendimin shqiptar. Ai, si themelues dhe drejtues i revistës më prestigjioze shqiptare, “Hylli Dritës”, me shumë analiza e tekste, të shkruara me dije e kulturë, u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e njëmend.
Tekstet e shkruara në atë kohë, me forcën e argumenteve, janë të freskëta dhe dobiprurëse edhe për kohën tonë dhe shqiptarin e shekullit XXI.
Gjergj Fishta, në tekstin ”Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.

Revista “Hylli Dritës”, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u shndërrua në një institucion që synonte t’i bante shqiptarët në kohën kur ishte ba Shqipnia. Revista, duke bashkuar elitën ma të shëndoshë të kohës, pa asnjë dallim, i kontribuoi mendimit politik, arsimor, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në një institucion emancipues, që i dha kulturë kombit shqiptar. Veç tjerash, kjo revistë i dha shpirt Shqipërisë, ndaj, me shumë të drejt Zef Pllumi, ai që e ringjalli “Hyllin e Dritës” e quajti “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”
Gjergj Fishta, duke shënuar këtë periudhë e duke qenë prijatar i saj, shkroi shumë tekste diturore, me të cilat iu dha domethënie e shtytje zhvillimeve të atbotëshme shqiptare.
Teksti në fjalë, është një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme. Një ABC politike e kulturore. Sidomos për m’i dhanë shpirt shtetit. Atë çka vërtet na mungon.
Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtetë, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore.
Shkurtimisht, të shkëputura nga teksti i përmendur më sipër, ato janë:
“Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.

Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.
Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.”

Përvoja universale ka treguar se, këto parime, të cilar i analizon në një tekst të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar.

Vepra e Fishtës është kundër kulturës së harresës, prandaj duhet ta bëjmë shujtë kulturore. Në tryezën tonë. Si bukën e përditshme.

Urimi për vitin 2018 nga NATO fillon me gjuhën shqipe (VIDEO)

Urimet për Vitin e Ri 2018, erdhën edhe nga vendet anëtare të NATO-së.

Në faqen zyrtare të NATO-së në Facebook, është publikuar një video me anë të cilës njerëz nga vende të ndryshme të botës, kanë uruar Vitin e Ri.

“Nga të gjithë ne në NATO, ju urojmë një vit të ri të lumtur dhe të qetë! #WeAreNATO”, thuhet nën video.

Urimi nis në gjuhën shqipe. / KultPlus.com

Lebibe Topalli-Shabani, me ekspozitë në Gjenevë

Më 18 janar 2018 artistja nga Ferizaj, Lebibe Topalli-Shabani hap në galerinë e njohur të Gjenevës “Cité du Temps” ekspozitën e saj personale të titulluar “The time” – “Le temps” (Koha). Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2018.

Ekspozita përbëhet nga tri tërësi: “The time”, “Don`t Stop My Time” & “Non-Stop”. Emërtimi “The time” i ekspozitës lidhet me një arsye të fortë, pasi që është koha ajo që kalon të gjitha dhe mbijeton përgjithmonë, shkruan albinfo.ch. Është koha ajo e cila ndjek besnikërinë e njeriut duke shkaktuar përherë paradokse. Dhe është zemra jonë sinonimi i tiktakut që mat kohën.

Është evidente se secila pikturë e kësaj ekspozite tregon akrepat e orës, të cilët krijojnë qarkun e tyre përcaktues. Në shumicën e këtyre krijimeve artistike shpërfaqet optimizmi përmes ngjyrave të ngrohta dhe të buta, përveç te kapitulli “Don`t stop my time”, pikturat e të cilit si laitmotiv kanë ndërgjegjësimin e njerëzve.

Lebibe Topalli Shabani është e lindur në Ferizaj në vitin 1981. Ajo ka mbaruar studimet për arte pamore në Universitetin e Tetovës ndërsa masterin në arte e ka bërë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht punon si mësimdhënëse në Shkollën e Mesme të Arteve “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih do të ndihmojë në pjesën organizative të ekspozitës si ofrimi i koktejit të verërave nga Kosova dhe i muzikës instrumentale në hapje.

Ekspozita hapet më 18 janar 2018 me fillim në orën 18.30, në galerinë “Cité du Temps” në Gjenevë. / KultPlus.com

“Kupa e Presidentit” 1996, me aktore e prezantuese lajmesh (FOTO)

Në shtator 1996 në terrenet e tenisit në Tiranë u pati mbajtur turneu prestigjioz i tenisit – “Kupa e Presidentit”.

Si zakonisht në turne merrnin pjesë tenistët më të mirë nga trojet shqiptare por edhe të huaj që punonin në Shqipëri.

Beni Islami, një tenist i njohur shqiptar dhe një legjendë në këtë sport, e kujton këtë kohë me një fotografi ku shohim disa fytyra të njohura, shkruan KultPlus.

“Pas fitores gjysmëfinale kundër kampionit të Shqipërisë Kadri Arapi me rezultat 6:0 dhe 6:1, në finale të këtij edicioni u takova me një ish profesionist të tenisit, amerikanin Robi Pulver. Pas një loje shumë të fortë fitova duke u shpallur kampion. Çka më pati bërë përshtypje ishte numri i madh i tifozëve nga Shqipëria që anonin për amerikanin. Në foto jam me disa tenistë dhe studentë kosovar që kishin ardhe për të më përkrahë në meqin final.
Good memories !” shkruan Islami.

Në këtë fotografi shohim aktoren Arta Dobroshi, familjarin e saj Genc Dobroshin, Anita Muçajn – prezantuese, profesoreshën Garentina Kraja dhe emra të tjerë si Ylber Shamolli, Zana Nixha e të tjerë.

Kjo ndoshta është një mënyrë e mirë që secili të kujtojë të kaluarën dhe të reflektojë mbi sukseset, në kohën kur po e përmbyllim vitin dhe po bëhemi gati për një vit të ri. / KultPlus.com

Dua Lipa, në mesin e 17 vajzave që pushtuan vitin 2017

Ylli nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa është përzgjedhur nga revista e njohur “Vogue” në mesin e 17 “vajzave që pushtuan vitin 2017”.

Me hitin “New Rules” Dua siguroi suksesin që e meritonte. Hiti i saj arriti më shumë se 800 milionë shikime në YouTube dhe i ndihmoi që të bëhej artistja e parë femër që siguron pozitën e parë në top-listën britanike që prej hitit “Hello” të Adele në vitin 2015.

Dua Lipa është bërë zë i një gjenerate. Pop-i i saj është target i audiencës së ditëve të sotme.

“Dua patjetër që është pop-princesha që Britania ishte duke e kërkuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar revista “Vogue” për Dua Lipën.

Dua Lipa me një postim në rrjetet sociale është ndier e nderuar që gjendet në mesin e grave të talentuara.

“Shumë e nderuar që jam në mesin e grave të talentuara dhe të pabesueshme”, ka shkruar Dua për këtë artikull të “Vogue”. / KultPlus.com

“Unë nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje…”

MIGJENI

Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.

Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, qe te mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?

E gjuha ne vend te dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohte, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun. Se dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).

Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku të rrish, ti qeshu.

Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu,qeshu,qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht. / KultPlus.com

Ty njeri…

Poezi e shkruar nga Aurela Kadriu.

Ty njeri,
që n’hallakamën e Prishtinës
t’pashë me cigare n’dorë e kokëulun
tue ecë mendueshëm n’qoshe t’rrugës.
Ty po t’shkruj me t’kallxu që s’je vet’.

Nuk e di për ty,
po du me t’kallxu që rruga prej bibliotekës
te stacioni i autobusit për n’shpi,
Nuk asht’ mjaftueshëm e gjatë për krejt hallet që m’i bluen mendja jem.

Me siguri ti kishe qeshë me mu,
Se hallet e tua dukshëm ma të mëdha se t’miat janë.
Po unë mendoj për çmenduninë e atyne
Që mendojnë me e zhvendosë kampusin;
Për ata që ditët i zbardhin me barkun thatë e qiellin e hapun;
Për vajzat n’fshatna t’thella që nuk i lajnë me shku n’shkollë;
Mendoj e qaj fort me dënesë për Dafinën gjashtëmuajshe që u varros sot;
Për dekorimet palidhje n’shesh;
Për vetmitarët e t’shoqnueshmit.
Për ata që normat e kësaj shoqnie nuk i lajnë rehat me u dashtë e me ekzistu në trupat e tyne.

Rruga jem asht’ fort e shkurtë, njeri,
Për krejt hallet që duhet me i blu mendja jem.

Rruga jem asht’ tmerrësisht e shkurtë.

E tash kam nisë me mendu mos me mendu ma kurrë.
Se unë po t’shkruj ty, njeri
E mu kurrë kush s’më shkroi poezi
Si unë ty, njeri.

Pr, dhjetor 2017.

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të shpalosur me rastin e 50-vjetorit të rithemelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, i shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, ka shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

Sipas tij, viti 2017 ishte tejet i begatshëm për Institutin Albanologjik, meqë nga punonjësit e tij shkencorë u botuan një sërë veprash.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, ka shkruar Olluri.

Qendra Kinematografike planifikon futjen në funksion të Rregullores për lehtësirat financiare

Qendra Kinematografike e Kosovës kësisoj dje ka prezantuar raportin e punës për vitin që po lëmë pas. Një prej institucioneve më aktive në vend, QKK ka marrë pjesë në vitin 2017 në një numër të madh festivalesh dhe prezantimesh, përfshirë Berlinalen, Kanin, Beldocs Market, Annecy, Balkan Film Market dhe TIFFCOM në Tokio.

Një mundësi tjetër e jashtëzakonshme për filmat e mbështetur nga QKK ishte edhe arritja e marrëveshjes me Gjirafavideo, ku tani e tutje qytetarët e Kosovës do të kenë qasje në shikimin e filmave online, që ky institucion financon, duke qenë në favor të interesit publik dhe në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në filmat e Kosovës.

Në GjirafaVideo mund t’i shihni ekskluzivisht 9 filma shqip, shumica prej të cilëve janë fitues të çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa pritet që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe me filma te tjerë vitin e ardhshëm. Filmat që tani më janë pjesë e kësaj platforme janë: ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, ‘Kolona’ nga Ujkan Hysaj, ‘Krom’ nga Bujar Alimani, ‘Ferdonija’ nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti, ‘Ne të tre’ nga Blerta Basholli, ‘Çlirimi’ nga Burim Haliti, ‘Cheers’ nga Norikë Sefa, ‘Përqafimi’ nga Lulzim Guhelli dhe ‘E kuqja’ nga Gazmend Nela. Deri më tani rreth 30,000 persona i kanë shikuar filmat në platformën online.

Gjithashtu, QKK i ka kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit sa më të madh të bashkëpunimeve ndërkombëtare. Me këtë rast janë hartuar drafte të bashkëprodhimit ndërkombëtarë me Bullgarinë, Kroacinë dhe Turqinë, marrëveshje këto të cilat pritet të nënshkruhen në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Në të njëjtën kohë është duke u punuar draft propozimi për anëtarësim në Eurimages. Drejtori i QKK-së, këtë vit ka qenë i pranishëm në dy Asambletë Gjenerale të European Film Promotion, ku QKK është anëtare, duke ruajtur komunikimin me të gjitha qendrat e filmit evropian dhe bashkëpunimin më të thellë me qendrat homologe rajonale.

Në 10 vjetorin e vdekjes së ikonës të kinematografisë kosovare, Faruk Begolli, QKK organizoi takimin përkujtimor për të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që vlerësojnë të arriturat e këtij aktori e regjisori të madh. Ky organizim është i pari i këtij lloji duke ndjerë nevojën që të mos harrohen njerëzit që kanë kontribuar dhe kanë rritur vendin tonë artistikisht. QKK planifikon që të vazhdoj me organizime të tilla, për të vlerësuar punën e artistëve dhe për t’u siguruar që veprat e tyre kinematografike nuk do të harrohen.

Për vitin 2018, QKK planifikon futjen në funksion të Rregullores për lehtësirat financiare, të cilat do të tërheqin investime të huaja në Kosovë, në fushën e industrisë së filmit, rregullore kjo që inkurajon dhe u hap rrugën investitorëve të huaj për të xhiruar në Kosovë. Poashtu do të lobohet për anëtarësimin e Kosovës në Euroimages si dhe në Creative Europe, këto dy platforma shumë fitimprurëse dhe të rëndësishme për vendin tonë dhe kinematografinë kosovare, me qëllimin e zhvillimit sa më të madh të industrisë tonë. QKK vitin e ardhshëm do të hartoj marrëveshjet e bashkëpunimit me Bullgarinë, Kroacinë dhe Turqinë, gjë që do të rrit bashkëprodhimin e Kosovës me këto shtete. Gjatë vitit 2018 shpresojmë që të hyj në funksion edhe Rregullorja e Ministrisë së Kulturës për sponzorizime, që do të jetë edhe një mundësi më shumë në gjetjen e fondeve alternative për filmbërësit kosovar. / KultPlus.com