Rozana Radi shkruan për xhaxhain e ndjerë, Françesk Radin

Rozana Radi i ka dedikuar disa fjalë xhaxhait të saj të ndjerë, kantautorit Françesk Radi, i cili u nda nga jeta më 3 prill të këtij viti.

“Duartrokasin për ty salla e pallatit të koncerteve, e njëjta salla ku ty të ngulen thikën pas shpine disa herë”, shkruan Rozana Radi.

Ja statusi i saj i plotë:

“I shikon?

Duartrokasin për ty salla e pallatit të koncerteve, e njëjta salla ku ty të ngulen thikën pas shpine disa herë. Është e njëjta sallë ku publiku të duartrokiste e këndonte bashkë me ty. Mbrëmë dëgjuam muzikën tënde “Biçikletën” që ti e doje aq shumë, por nuk patëm fatin të të dëgjonim zërin. Jo se nuk e kemi zërin tënd, por sepse ti nuk do lejoje kurrë të këndoje në një cd në pallatin e koncerteve. / KultPlus.com

Nëntëmbëdhjetë të ekzekutuar në Padalishtë

Zonja Lirije Imeraj dëshmon në Tribunalin e Hagës si i vranë nëntëmbëdhjetë anëtarë të familjes Imeraj mes tyre burrin e saj dhe djalin e saj të vogël.

Afrimi ishte dy vjeç
kur ushtari ia këputi krahun me bajonetë
në atë moment fëmija filloi të qante dhe klithi
baba
ky njeri ma mori dorën
Ishte pranverë
duhej të shfaqej dhe të zhdukej nëntëdhjetë herë dielli
në dhé të huaj
për t’u kthyer njerëzit dhe për t’i varrosur
Tani të mbijetuarit kalojnë jetën e tyre
duke e pritur autobusin
për t’u kthyer në të kaluarën
ose për t´i mbartë në anën tjetër të jetës
Dhimbja është ende gjallë
mallkuar qoftë
gjëja më e keqe për ata që nuk munden të flenë
është se nuk mund të zgjohen

XHEVDET BAJRAJ / Lëngu i trëndafilave, Botimet KOHA, 2017

Brigitte Bardot, me libër rreth trajtimit të tmerrshëm ndaj kafshëve

Brigitte Bardot do të publikojë në janarin e 2018-tës një libër-testament që do të dëshmojë ngjarje nga jeta e saj.

Aktorja dhe ikona e modës franceze, që më vonë u shndërrua në një aktiviste për të drejtat e kafshëve, ka thënë se libri është një mënyrë për të treguar ekzistencën e saj.

“E shoh çdo ditë se si sillemi me kafshët dhe kam vendosur të flas më shumë në këtë drejtim. Libri do të tregojë se sa shumë irritohem dhe trishtohem nga ky aspekt” ka treguar Bardot për Culturebox.

Ajo është 83 vjeçare ndërsa jeton momentalisht në Saint-Tropez.

Së fundmi ajo ka qenë e zëshme kur e ka kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron, duke thënë se ai nuk ka mëshirë për kafshët dhe natyrën.

Libri do të titullohet “Larmes de Combat”. / KultPlus.com

Artisti që e pikturoi Shote Galicën (FOTO)

Me pushkën në dorë e vështrimin e humbur në fushën e betejës Shote Galica mbart imazhin e një gruaje të bukur dhe pse në luftë. Portreti i saj në pikturë realizuar nga Ismail Lulani është një nga tablotë më të bukura ku ajo shfaqet.

E realizuar në 1974, kjo është një nga pikturat që sot ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Lulani ishte artist që i pëlqente të merrej me karakteret. Kjo shihet dhe në tablonë ku tre ndërtues të hidrocentralit shfaqen pranë njëri tjetrit, realizuar më 1971-shin.

Ismail Lulani ishte një nga piktorët e shquar shqiptarë të shekullit XX-të, ai ishte një nga artistët që ndikuan fuqishëm në modernizimin e artit shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX. Piktori Ismail Lulani kreu studimet e mesme për mjekësi, por shumë shpejt do ti kushtohej plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë – pikturës. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, gjatë viteve 1964 – 1968.

Krijimtaria artistike e piktorit Ismail Lulanit është e shumë e gjerë dhe e larmishme (mbi 30 vjet krijimtari). Ai ishte portretist, peizazhist dhe realizues i tablove kompozicionale me temë historike e sociale. Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ishte peizazhi nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës (1969).

Mund të kujtojmë disa nga tablotë e tij në vite: “Skënderbeu në betejë”, (1968); “Ded Gjo Luli me trimat”, (1969, GKA,Tiranë); “Në hidrocentralin Mao Ce Dun” (GKA, Tiranë), “Peizazh malor”, (GKA, Tiranë) si dhe tabloja “Ndërtuesit e hidrocentralit” (1974, GKA, Tiranë). Tabloja “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, 1971, u realizua nga artisti për ekspozitën e 30 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në tablo janë pikturuar imazhet e tri punëtorëve , (portretet e tyre) janë paraqitur në plan të parë.

Në fondin e GKA, Tiranë ndodhen njëzetenëntë vepra të piktorit Ismail Lulani.

Vepra të Lulanit ndodhen dhe në fondin e GA, Shkodër dhe të mjaft koleksionistëve privatë në Shqipëri e jashtë saj. “MEZURAJ MUZE”, në Tiranë ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm me vepra të piktorit Ismail Lulani. / KultPlus.com

Redon Makashi, i zhgënjyer me veten dhe me Festivalin e TVSH-së

Redon Makashi, këngëtari i njohur shqiptar, së fundmi mori pjesë në festivalin e fundvitit të RTSH-së ku u vlerësua nga juria me çmimin e dytë.

I ftuar në emisionin “Ditë e Re” këngëtari ka sqaruar të vërtetat mbi atë që ndodhi në festivalin e RTSH-së.

Duke e konsideruar festivalin një koshere, ai u shpreh se është më shumë i zhgënjyer me veten dhe se e ka mbyllur kapitullin me konkurrencën, duke ua lënë atë artistëve të rinj.

“Jo i zhgënjyer, unë isha betuar që nuk do të do dal më në festival kaq. U zhgënjeva me veten time. Isha në një luftë me veten time, të futem apo të mos futem. Dhe çmimin e prisja, ishin vetëm 2 pikë diferencë. Kam dëshirë që ti lë rrugë të rinjve nëpër festival. E kam mbyll kapitullin me konkurrencën. Do të isha i kënaqur nëse do të isha i ftuar, të kisha një koncert timin, një album. Kapitullin me festivalin e kam mbyllur. Nuk kam çfarë të bëj më në festival sepse është një koshere. Pas sherri, zihesh me njerëzit dhe unë kam shumë miq e njerëz aty. Ndodhin keqkuptime dhe nuk dua të prish miqësi me shumë njerëz aty, për 2 elemente të caktuara që e bën këtë rrëmujë”, tha Makashi.

https://www.youtube.com/watch?v=fTn2LSlSHX0

Redoni tregoi pakënaqësinë e tij në festival, ku tha se ndarja e çmimeve fillon nga vendi i tretë ndërsa në Festivalin e RTSH-së filloi nga vendi i parë.

“Gjithmonë kur ka një event fillon nga vendi i tretë paraqitja e çmimeve. Kurse aty filloi nga vendi i parë dhe me vrap. Ishin 2 pikë diferencë”, u shpreh ai.

Makashi u përball dhe me një tjetër incident gjatë natës së parë të festivalit. Sapo ai nisi të këndojë muzika u ndalu papritur. Ai tha se kjo që ndodhi ishte vetëm një lapsus.

“Orkestra është për t’u përgëzuar. Ndodhi një lapsus tek kënga ime dhe njerëzit menduan se ishte diçka e bërë kastile”, tha këngëtari. / KultPlus.com

Kush është Eugent Bushpepa, përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision 2018? (VIDEO)

Këngëtari Eugent Bushpepa ka fituar të drejtë e përfaqësimit shqiptar në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë.

Kënga e tij “Mall” do të udhëtojë për në Portugali vitin tjetër, për të provuar hyrjen në finale të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Për ata që nuk e njohin Eugentin, ai ka kohë që këndon dhe është lehtë i identifikueshëm si një vokal i fuqishëm. Eugentin e njohim me anë të paraqitjeve në Top Fest në Shqipëri, në edicionin e nëntë me këngën “Udhëtari” dhe para dy vitesh me këngën “Pranë finishit”.

Bushpepa ka lindur në Rrëshen në vitin 1984. Ka jetuar për disa kohë në Itali ndërsa ishte televizioni Top Channel në Shqipëri vendi ku ai gjeti përkrahjen më të madhe, që nga viti 2006.

“Maska e madhështisë” mbetet ndër këngët më të mira të Eugentit, e realizuar në vitin 2007, ndërsa të njëjtin vit ai morri pjesë në TOP FEST në bashkëpunim me Sunrise, me këngën “Engjëll”.

Në Top Fest ai ka pasur paraqitje edhe në vitin 2011-të e 2013-të. Në vitin 2008 ai morri çmimin Zëri më i mirë në Top Fest, çmim të cilin më pas e morri prapë në vitin 2011-të.

https://www.youtube.com/watch?v=YqL1JvxwyTM

Ai ka qenë një prej zërave që ka shoqëruar grupin Deep Purple, kur këta të fundit mbajtën koncert në Shqipëri në vitin 2007 në kuadër të një turneu të veçantë. / KultPlus.com

Libri francez i 1553: Skënderbeu mes personaliteteve më të famshme, që nga Jezu Krishti e deri te Henri II i Francës

Në faqen n° 196, të librit me titull “La Seconde partie du Promptuaire des medalles des plus renommees personnes commençant à la nativité de notre Sauveur Jesus Christ & continuant iusques au Treschrestien Roy de France Henri. II. du nom, à present eureusement regnant.

– Pjesa e dytë e përmbledhjeve të medaljeve të njerëzve më të famshëm duke filluar që prej lindjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit dhe duke vazhduar deri te mbreti i krishterë i Francës, Henri II, që tashmë fatmirësisht mbretëron”, të autorit dhe botuesit francez, Guillaume Rouillé, gjejmë një medalje dhe shkrim të veçantë, dedikuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Nga Aurenc Bebja

“Skënderbeu (i quajtur kështu nga turqit, pasi u bë synet, sepse më parë quhej Gjergj Kastrioti) u dha peng nga babai i tij, mbret i Epirit dhe Shqipërisë, vende të njohura më parë si Maqedonia, Muratit, perandorit të shtatë të turqve, i cili pasi eksperimentoj aftësinë e tij gjatë përshleshjeve, e bën atë shefin e tij të ushtrisë kundër hungarezëve, të cilëve Skenderbeu u dorëzua, për fat të keq të turqve.

Për më tepër, detyroi Bashën, sekretarin e turqve, që t’u shkruajë drejtuesëve të Krujës, që ai është dërguar nga vetë Murati për të drejtuar qytetin e lartpërmendur.

Kështu e mori në drejtim vendin e tij…

Murati u nis për Epir me një fuqi të madhe, duke e mbajtur Krujën të rrethuar pa sukses për disa muaj, vdiq nga trishtimi. Marrë nga: Darsiani

Dalin për herë të parë fotografi të Amy Winehouse si 19 vjeçare (FOTO)

Ajo ishte vetëm 19 vjeçare dhe ende jo një yll i muzikës botërore.

Para se të debutonte me albumin e saj të parë, Amy Winehouse është fotografuar nga Charles Moriarty. Fotografi asokohe, në vitin 2003, nuk e ka pasur idenë se kë po e fotografonte, yllin e përmasave që më pas do të tejkalonin kufijtë.

Fotografi irlandez e fotografoi Amyn për albumin e saj të parë, FRANK, ndërsa vetëm dy vite më vonë ai do ta shikonte nga larg suksesin e legjendës Amy Winehouse.

Këto fotografi dalin për herë të parë, me Amy një vajzë të njomë dhe gati për famë, në librin e fotografit, BEFORE FRANK, ku ka rreth 50-të fotografi me Amy Winehouse.

Amy Winehouse do të bëhej një emër i njohur në muzikë. Hitet “Valerie”, “Back to Black” apo “Rehab” edhe sot janë pjesë e jetës së shumë njerëzve në mbarë botën, shkruan KultPlus.

“Ajo ka qenë një vajzë shumë e lezetshme, por edhe shumë naive. Ndoshta shumë njerëz nuk e kanë ditur këtë gjë, e të tjerët edhe me dashje, e kanë lënduar por edhe e kanë shfrytëzuar mirësinë e saj, çiltërsinë e saj” tregon fotografi derisa nuk e beson që Amy nuk ekziston më.

Amy Winehouse ka ndërruar jetë me 23 korrik të vitit 2011 në Angli. / KultPlus.com

“Tetori filloi me shi…” (VIDEO)

Asnjëherë nuk është mjaft kur flasim për Muharrem Qenën.

Një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, Qena me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.

Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike. Askush më mirë se Muharremi nuk do ta dinte se cili tekst do ti përshtatej një zëri njomak të Muharremit.

Shembull, për muajin tetor flet kënga “Ndarja”. Një tekst i tetorit me shi, të cilin sonte po e sjellim për ta kujtuar Muharremin dhe figurën e tij. / KultPlus.com

“Tetori filloi me shi,
me shi të ftohtë që rigon,
rigon dhe zemra ime
se ndahet prej teje
për nji motmot.
Tetori më ndan prej teje
prej teje ndahet dhe zemra
zemra që s’pushon së rrahuni
se do t’jet’ pranë teje
për nji motmot.”

Eugent Bushpepa shpërthen me performancën e këngës “Suus” (VIDEO)

Ai ndoshta nuk e ka pritur që këtë vit do të jetë fituesi i Festivalit të TVSH-së, por duket sikur e ka parashikuar një gjë të tillë kur e ka kënduar versionin e një kënge që ka fituar dikur.

Në dhjetor të vitit 2011-të, Rona Nishliu me këngën “Suus” e fitoi Festivalin e fundvitit në TVSH. Disa vite më pas, në dhjetor të 2017-tës, fitorja i ndodhi Eugent Bushpepës me këngën “Mall”.

Bushpepa, një zë i fuqishëm mashkullor në muzikën shqipe, para disa muajsh e ka performuar këngën “Suus” në një prej paraqitjeve të tij.

Dhe në një emision televiziv, ai ka mahnitur me interpretimin e këngës “Suus” që mund ta shikoni në videon e shpërndarë në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Manjola Nallbani reagon rreth Festivalit të TVSH-së

Këngëtarja Manjola Nallbani ka reaguar sot rreth pjesëmarrjes së saj në Festivalin e fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Nallbani, e cila kësaj radhe u kthye në festival me këngën “I njëjti qiell”, thotë se ka marrë dashuri dhe mbështetje në të dy netët e festivalit, por megjithatë ka një problem me këngën fituese.

Ajo thotë se Eugenti, fituesi i festivalit është këngëtar i mirë, por ka diçka më shumë në këtë punë.

Po e sjellim të plotë reagimin e këngëtares e cila solli një melodi të krijuar nga Rozana Radi dhe Elgit Doda.

Arsyeja kryesore pse po shkruaj pas festivalit eshte te falenderoj me gjithe shpirt publikun ,qe me dha aq dashuri dhe mbeshtetje, duke qene e vetmja kenge qe u kthye ne te 2 netet e konkurimit. Nje kenaqesi bashkepunimi me talentin Elgit Doda qe krijoi muziken dhe Rozana Radin per ato vargje aq te bukura qe i kendova e i ndjeva ne cdo germe! Talent si gjithmone Enada At’Nikolla ne realizimin e veshjes. Falenderoj me shpirt secilin nga ju miqte e mi per vleresimin, mbeshtetjen dhe urimet qe me keni bere kudo dhe pse pjesa me e madhe e mbeshtetesve te mi ,nuk jane moshe dhe kategori qe te kalojne diten duke bere like e komente ne rrjete sociale! Fundja ky eshte qellimi i gjithe karrieres sime, qe t’ju jap emocione te bukura permes zerit dhe shpirtit tim. Nuk kam asgje me fituesin, sepse Eugenti eshte kengetar shume i mire e kenga ishte e bukur po nje gje nuk kuptova: po kaq kengetare e kenge shume te mira ishin dhe te Elton Deda, Mariza Ikonomi, Redon Makashi e ndonje tjeter dhe sigurisht kenga ime “I njejti qiell” po per asnje nga keto nuk kisha degjuar qe do ishin fitues qe para 20 ditesh si per fituesin aktual, megjithese kenge fituese apo jo,kuptohet vetem ne momentin kur kengetari kendon live ne skene. Kete shqetesim e kam ndare me kedo qe kam folur e takuar shume dite para festivalit! Ndoshta rikthimi im ishte i nxituar derisa as kete vit, nuk pata asnje surprize kur u tha cmimi i pare, sic ndodhte dikur. Megjithate reagimi dhe dashuria juaj jane arsyeja e vetme qe me bene te mos pendohem deri ne fund qe iu riktheva festivalit! Sa per jurine, une akoma sot nuk di e sata u rendita ne kete festival! Kaq e kisha detyrim per veten time ta shkruaja! Ju uroj festat e qofshi te lumtur bashke me njerezit tuaj te dashur” ka shkruar Nallbani. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=jL9lsM9NVuk&feature=youtu.be

Numri i fundvitit i revistës ‘Jeta e Re’, me plot befasi

Me një vëllim prej 440 faqesh, posa ka dalë numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Ky numër fillon me Kasëm Trebeshinën, shkrimtarin tonë të mirënjohur, i cili vdiq më 11 dhjetor 2017 në Tiranë. Në shenjë kujtimi e nderimi, ky autor është prezentuar me prozën e gjatë “Kukudhi”.

Në rubrikën Ligjëratë, kemi një ligjëratë të shkrimtarit Salman Ruzhdie me titullin “Ndikimi”, mbajtur në Torino të Italisë.

Rubrika e prozës nis me shkrimtarin shumë të njohur meksikan, Carlos Fuentes-in. Ai vjen në këtë numër me tregimin “Vija e jetës”, kurse shkrimtari gjithashtu i njohur italian Italo Calvino me “Njëri prej treve është ende gjallë”, për të vazhduar me prozat e shkurtra të Khalil Gibran-it “Ti e ke ideologjinë tënde, unë e kam timen”, pastaj me “Arrestimi” të shkrimtarit amerikan Ambrose Bierce dhe “Jo unë” të Samuel Becket-it. Rubrika vazhdon me një numër tregimesh të autorëve tanë. Kështu, Agim Vinca është prezentuar me “Tregime të vërteta”, Xhavit Beqiri me “Dora prej qelqi”, Azem Qazimi me “Vende të padukshme, njerëz të padukshëm” dhe Kismete Hyseni me prozën “Mirja”.
Rubrika e poezisë nis me Këngën XI të “Serafina Topisë me titullin “Fialeve” të Jeronim de Radës, botim i parë i vitit 1839, zbuluar nga Gianni Belluscio dhe prezentuar për herë të parë në Seminarin XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Kjo rubrikë vazhdon me autorin Ko Un, poetin veriokorean më të lexuar e më të përkthyer në botë, prej kohësh kandidat për çmimin Nobel, pastaj vazhdon me poetin italian Giovani Giudici dhe me poetët e krijuesit zviceranë Gerhard Meister, Ariane von Graffnried, Marel Kureyshi dhe Guy Krneta, të cilët kohë më parë qëndruan në Kosovë në kuadër të organizimit kulturor Kosovë is Everywhere, i projektuar si një festival dhe turne kulturor.
Me nga një cikël poezish në këtë numër janë paraqitur një numër autorësh tanë, si: Milazim Krasniqi, Jonuz Fetahaj, Dije Demiri-Frangu, Azem Deliu dhe Rrahim M.Sadiku.

Ndërkaq, rubrika Intervista sjell Lorenco Bonol-in, filozofin dhe profesorin e Universitetit të Lozanës, të specializuar për çështjet e gjuhës nga aspekti semiotik dhe estetik.

Në rubrikën Dossier, në një hapësirë prej shtatëdhjetë faqesh, kemi fituesin e sivjetëm të Nobelit, Kazuo Ishigro-n. Rubrika fillon me fjalën që ky autor ka mbajtur me rastin e pranimit të Nobelit, për të vazhduar me intervistën me titullin “Kam dy figura hyjnore: Çehovin dhe Dostojevskin”, pastaj me një fragment të romanit “Mbetjet e ditës” dhe me vështrimin kritik po për këtë roman me titullin “Keqkuptimi i historisë: Bashkëfajësia e zhanreve në romanin “Mbetjet e ditës” të autorit Bo G. Ekelund. Rubrika përfundon edhe me një intervistë tjetër të gjatë të Ishiguro-s me titullin “Fantastika në jetën time”.

Në rubrikën e kritikës janë prezentuar një sërë autorësh tanë dhe të huaj. Rubrika nis me tekstin “Historia dhe poetika” të Gerard Genette dhe vazhon me “Historia, letërsia dhe filozofia, një punë inovative gjuhësore” të Lorenzo Bonol-it, “Unë tumir shumëfishmërinë” të Terry Aegleton-it, “Hymnet kombëtare – fryma e përbashkësisë” të Vehbi Miftarit, “Mbijetesa në kujtesën e lexuesit përtej librit” të Ermira Imerajt, “Skënderbeu me zemërimin e Akilit dhe dilemën hamletiane” të Arian Krasniqit dhe “Averroes: Komentet mbi “Poetikën” e Aristotelit” të Ilir Brecës.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Avdi Visoka, Arben Idrizi, Belfjore Qose, Alfred Beka, Rexhep Maloku, Ismail Ismaili, Naim Kryeziu, Mirela Shella, Rrahime Gashi, Rrona Jaka dhe Demë Topalli. / KultPlus.com

E di që po e lexon këtë poezi

Poezi e shkruar nga ADRIENNE RICH / Titulli origjinal: DEDIKIM / Përktheu Beti Njuma

E di që po e lexon këtë poezi
vonë, para se të lësh zyrën tënde
me të vetmen llampë të verdhë dhe një dritare që nxin
në plogështinë e një ndërtese të zhytur në qeti
kur ora e pikut ka kaluar me kohë. E di që po e lexon këtë poezi
në këmbë, në një librari larg oqeanit
në një ditë të hirtë fillim pranvere, flokë të lehtë dëbore degdisen
mes hapësirave të pamata të rrafshirave përreth.
E di që po e lexon këtë poezi
në një dhomë ku ka ngjarë shumë më tepër nga ç’mund të durosh
ku një lëmsh çarçafësh dergjen amullt mbi shtrat
dhe valixhja e hapur flet për arrati
por ende s’mund të largohesh. E di që po e lexon këtë poezi
ndërsa metroja ngadalëson shpejtësinë,
para se të rendësh nëpër shkallë drejt një dashurie të re
që jeta kurrë s’ta fali.
E di që po e lexon këtë poezi nën dritën
e televizorit, ku shfaqen pandalur imazhe pa zë,
ndërsa pret lajmet e fundit mbi intifadën.
E di që po e lexon këtë poezi në një sallë pritjeje
me sytë që ndeshin vështrime të huajsh që të panjohur do mbeten.

E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e neonit
me mërzitinë e të rinjve që ndihen të përjashtuar,
që në moshë shumë të re vetëpërjashtohen. E di
që po e lexon këtë poezi me shikim të turbullt:
xhamat e trashë të syzeve t’i zmadhojnë gërmat përtej çdo kuptimi
e ti prapëseprapë vazhdon të lexosh
ngase edhe alfabeti i çmuar është.
E di që po e lexon këtë poezi në kuzhinë
teksa ngroh qumështin, me një fëmijë që të qan mbi supe dhe një libër në dorë,
sepse jeta është e shkurtër dhe ti etje ke.
E di që po e lexon këtë poezi që nuk është në gjuhën tënde
domethënien e disa fjalëve nuk e di, ndërsa të tjerat të ngasin të vijosh leximin
dhe unë dua të di cilat janë.
E di që po e lexon këtë poezi në pritje që diç të dëgjosh,
e mëdyshur mes hidhësisë dhe shpresës,
që mandej t’u kthehesh detyrave që s’mund t’i refuzosh.
E di që po e lexon këtë poezi sepse nuk ke tjetër ç’të lexosh,
aty ku ke ngecur, lakuriq siç je.

Kravatat për Haradinajn e 3 mijë eurove, foto e ditës në “The Guardian”

Kravatat e varura në rrethojat e objektit të Qeverisë së Kosovës që u vendosën sot nga disa qytetarë si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Ramush Haradinajt për t’ia rritur veten rrogën, ka marrë vëmendjen nga mediat botërore.

Njëra prej tyre është edhe prestigjiozja “The Guardian” që ka vendosur për foto të ditës një foto të Armend Nimanit nga protesta me kravata për Haradinajn.

Një javë më parë Hardinaj vendosi që t’ia rriste vetes pagën nga 1500 euro në 2950 euro. / KultPlus.com

Në Universitetin e Prishtinës, ligjëratat po mbahen në terr

Për shkak të mungesës së furnizimit me energji elektrike, sot në kryeqytet disa ligjërata në Universitetin e Prishtinës janë mbajtur në terr.

Një fotografi e marrë në Facebook nga Lirim Berisha tregon ligjëratat me pak dritë por në terrin e Prishtinës, prapë duke tentuar të mësohet diçka në kushte mjerimi.

“Qe, qetu ne UP, tu i mbajt ligjeratat ne terr! Kryeminister qysh spo te teket me na fal naj gjenerator, njejt si qysh tu ka tek me ju fal 60 milion euro prodhueseve te ujit” ka shkruar Berisha në fotografi.

Disa lagje të Prishtinës ka disa javë që po përballen me terrin dhe me mungesën e energjisë elektrike, ndërsa nuk ka asnjë orar apo shpjegim pse po ndodhë një gjë e tillë. / KultPlus.com

Kravatat që iu dorëzuan Kryeministrit bëjnë bujë në mediat ndërkombëtare

Rreth 300 kravata janë vendosur në rrethojën e Qeverisë së Kosovës nga një grup i qytetarëve dhe organizatorëve të “Beyond the Walls”, si dhuratë për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ditë më parë ka rritur 100 për qind pagën e tij, e që tani e merr 2950 euro.

E gjithë kjo u bë pasi Haradinaj kishte arsyetuar këtë rritje duke thënë se tash si kryeministër i vendit ka nevojë për blerje të kravatave e këmishëve.

Për këtë aksion kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare. Në mediet prominente të Republikës së Irlandës dhe Francës kanë shkruar për kravatat që u janë dorëzuar kryeministrit Haradinaj.

Mediumi francez La Croix se “300 kravata i janë dorëzuar kryeministrit të Kosovës pas vendimit për të dyfishuar pagën e vet”.

Ndërkaq, mediumi irlandez Independent.ie, ka shkruar se qindra kravata i janë dorëzuar sot kryeministrit të Kosovës, para objektit të qeverisë në Prishtinë.

Ndryshe, në një emision televiziv Haradinaj kishte thënë se duhet të blejë këmisha dhe kravata dhe si ‘kryeministër nuk mund të dalë gjithqysh’. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa zbulon se në cilën gjuhë do të këndojë në Eurovizion

Këngëtari Eugent Bushpepa do të jetë përfaqësuesi për Shqipërinë në Festivalin Eurosong vitin tjetër në Lisbonë.

Madje, befasi e radhës do të jetë edhe këndimi në gjuhën shqipe në skenën prestigjioze në Portugali. Në një intervistë për Eurovision Albania, vetë Eugenti ka treguar se kënga do të mbetet në gjuhën shqipe.

Zakonisht, këngët në gjuhët e tyre kanë më shumë sukses në këtë festival evropian, sesa kur ato përkthehen në gjuhën angleze, shkruan KultPlus.

Kënga “Mall” kësisoj do të ripërpunohet për tu bërë tre minuta, aq sa e kërkon Eurovizioni, dhe do të këndohet në gjuhën shqipe.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA&t=10s

Herën e fundit kur Shqipëria shkoi shqip në këtë festival ishte viti 2013-të, kur në festival u paraqitën Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, edhe pse nuk arritën suksesin e dëshiruar.
Në gjuhë shqipe, në Eurovizion kanë kënduar edhe Luiz Ejlli, Frederik Ndoci, Olta Boka, Aurela Gaçe dhe Rona Nishliu.

Bushpepa para disa ditësh fitoi në Festivalin e Fundvitit në TVSH me këngën “Mall”, ndërsa gjatë gjithë kohës ishte i preferuari në rrjete sociale. / KultPlus.com

Çfarë ndodhi me kravatat që iu dedikuan Ramush Haradinajt (FOTO)

200 kollaret bashkë me këmishat, të cilat u varën gjatë ditës në rrethojat e ambientit të Qeverisë së Kosovës, janë hedhur në kosh të plehrave.

Kështu janë parë pastruesit e ambientit, të cilët ishin angazhuar që kravatat e dhuruara nga qytetarët për Kryeministrin Ramush Haradinaj, të largoheshin nga rrethojat e qeverisë ku dhe organizatorët i e këtij aksioni i vendosën ato.

Ky aksion erdhi pas arsyetimit të Kryeministrit Haradinaj, në lidhje me rritjen e pagës së tij.

Ai në prononcimin e tij tha se rritja e pagës i nevojitej pasi pozita që ai posedon e obligon atë për ndonjë kravatë dhe këmishë pasi nuk mund të paraqitet dosido, njofton Klan Kosova.

‘Vajza shqiptare’, një pikturë e Jan Frederik Pieter Portielje

Piktura “Vajzë shqiptare” (77.5 x 63.5 cm) e piktorit të shquar holandez Jan Frederik Pieter Portielje, realizuar në vitin 1870, ndoshta është nga më interesantet e galerisë së punëve të piktorit.

Pesha meditative e modeles dëshifrohet qartë në prarim i tendosur të gjendjes. Impresionuese mbeten gjithashtu ngjyrat e ndezura, karakteristike për punët e piktorit, në të njëjtën kohë evidentim i elementeve të veshjes së gruas shqiptare, gruas së stolisur, gruas që dëshmon saora pragun e një solemniteti, sepse e tillë është gjithçka që tipizon kuadrin.

Jan Frederik Pieter Portielje ka lindur në vitin 1829 dhe ka vdekur në vitin 1895. / KultPlus.com

Safo Marko, gruaja e Petro Markos dhe piktorja e mahnitshme shqiptare (FOTO)

Safo Marko, nuk njihet vetëm si bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko, por edhe si ilustratorja, apo piktorja, disa punë të së cilës ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Safo ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Ajo kreu shkollën e mesme në Instituttin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. Duke patur pasion pikturën Marko bashkëpunoi menjëherë pas çlirimit në disa organe të shtypit dhe të propagandës së viteve 1945-1960. Më tej rreth viteve ’70 ajo do të ishte piktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.

Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”. Në gjininë e Pllakatit ajo ka realizuar me dhjetra e dhjetra pllakate për festat popullore, për ngjarje të rëndësishme politike si festimet e ndryshme me karakter politik, social, kulturor & propagandistik si “1 Maji”, “28 – 29 Nëntori”, “8 Nëntori”, “1 Qershori”, “8 Marsi” etj.

Në këtë gjini Safo Marko kontriboi duke i botuar pllakatet e saj në shtypin e kohës të zmadhuara në sheshet e Kryeqytetit si dhe të realizuara në disa prej qyteteve kryesore. Ajo sëbashku me piktorët e tjerë grafistë të pas viteve 1960 si Pandi Mele, Ibrahim Shehu, Zef Shoshi, Besnik Dizdari, Vlash Prifti, Franc Ashiku ku realizuan pllakate të ndryshme në shërbim të propagandës partiake komuniste të kohës.

Në punimet e saj në pikturë Safo Marko ka lënë një koleksion me peizazhe kryesisht nga zona e bregdetit Jon, por edhe kompozime me figura femërore, ku ndjehet prirja e artistes për ti stilizuar figurat dhe për pasurimin e tablove me një kolorit me dritë. Safo Marko ishte pjesmarrëse duke filluar nga viti 1957 në ekspozitat kombëtare. Me punimet e saj ajo ishte pjesmarrëse në tri edicione të Bienales së Aleksandrisë në Egjypt.

Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko i cili u arrestua dhe dënua në vitin 1947, sigurisht ju mohuan shumë të drejta në fushën e artit. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 1975 kur ju arrestua i biri për agjitacion e propagandë. Piktorja Safo Marko deri në vitet e fundit të jetës mbeti bashkëpuntore e revistave për femijë si “Sirena e vogël”, “Mrekullia” etj. por gjithashtu ajo realizoi edhe kopertina dhe ilustrime për librat. Artistja vazhdoi të punoje deri vonë në moshë të thyer vepra në pikturë me motivet e bregdetit Jon. Safo Marko ndërroi jetë më 26 gusht 2012.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko të viteve 1959-1998 ku mund të kujtojmë: “Qymyrxhesha” (1959), ”Portreti i Petro Markos” (1960), “Shitësja e luleve”(1960), “Autoportreti” (1960), “Fidanët” (1973), “Vajzat e Himarës (1998). Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Safo Marko lindi në Selanik më 28 mars 1925.

Ajo ishte vajza e Shefqet dhe Shazije Çelos. I jati Shefqeti kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe punonte në administratën shtetërore si Kryetar Bashkie në disa qytete të Shqipërisë deri sa u nda nga jeta në vitin 1942. Safoja vazhdoi studimet e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit, pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. / KultPlus.com

Incidenti në festivalin e RTSH-së, Adi Krasta sqaron çfarë ndodhi

Nata e parë e Festivalit të RTSH shkoi për mrekulli, gjithçka ashtu siç ishte parashikuar, përveç një momenti pak të sikletshëm për një nga këngëtarët konkurrent.

Gjatë performancës së Redon Makashit, muzika ndali sapo ai kishte nisur të këndonte. Redoni, si një artist profesionit që është, e mori me shumë sportivitet dhe kërkoi nga publiku në sallë një duartokitje për orkestrën.

Menjëherë në skenë u ngjit dhe Adi, i cili duke iu referuar kërkesës së Redonit tha: po një duartrokitje për orkestrën edhe pse ajo s’ishte në terezi. U kuptua se gabimi ishte i orkestrës, por mbrëmjen e dytë të festivalit, Adi sqaroi se gabimi ka qenë në audion e jashtme të televizionit dhe jo i saj.

https://www.youtube.com/watch?v=OmnD74HdVn8

“Ka qenë një gabim në audion e jashtme të televizionit, jo i orkestrës. Orkestra e TVSH nuk mund të gabojë”, tha Adi.

Bebe Rexha me mesazh mbështetës për Monika Kryemadhin

Ditëve të fundit në politikën e Shqipërisë janë duke ndodhur disa zhvillime jo aq të mira. Ka shumë akuza e kundër akuza ndaj politikanëve mes veti, e sidomos rasti i kryetares së partisë LSI, Monika Kryemadhi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Për këtë rast, kryetarja e LSI-së ka mbështetje nga shumica e njerëzve. Po ashtu, Kryemadhin është duke e mbështetur edhe e afërmja e saj këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha.

“Ka miliona gra të shtypura në mbarë botën dhe po gratë e tilla janë ato që po bëjnë ndryshime. Kjo grua është e fortë. Ajo është nënë. Ajo është grua. Ajo është motër. Ajo është liderja e parë femër e një partie politike në Shqipëri. Ajo ka thyer tabutë dhe u ka dhënë guxim jo vetëm grave të Shqipërisë, por grave anembanë botës për të shkuar pas ëndrrave të mia. Duke u rritur më është thënë të flas vetëm kur duhet të flasë, tani unë flas kur kam për të thënë diçka. Faleminderit Monika Kryemadhi që je renegate”, ishte mesazhi mbështetës i Bebe Rexhës për Monika Kryemadhin.

Kësisoj fillon libri “Princi i vogël” nga Antoine de Saint-Exupéry

PRINCI I VOGËL
Prozë nga ANTOINE DE SAINT EXUPÉRY (1900-1944), përktheu PETRO ZHEJI

I

Kur isha gjashtë vjeç, pashë njëherë në një libër mbi Pyllin e Virgjër me titull: “Ngjarje të rrojtura” një figurë të jashtëzakonshme: një boa duke gëlltitur një bishë të egër. Ja një kopje e këtij vizatimi.

Në libër thuhej: “Boat e kullufitin prenë e tyre të gjithë njëherësh, pa e përtypur e mbllaçitur. Por pas kësaj nuk lëvizin dot dhe gjatë tërë gjashtë muajve sa vazhdon tretja flenë gjumë.”

Asokohe, mbaj mend, e vrisja goxha mendjen mbi ato sa ndodhnin e nuk ndodhnin në xhungël dhe bëra me një laps me ngjyrë vizatimin tim të parë. Vizatimin tim numër 1, që ishte ky:

Ua tregova kryeveprën time të mëdhenjve dhe i pyeta në kishin ndonjë çikë frikë kur e shikonin.

Po ata m’u përgjigjën: “E nga se duhet të kemi frikë, nga një kapelë?”

Po në atë vizatim nuk paraqitej aspak një kapelë, por një boa që kishte shkuar në bark një elefant dhe po e treste. Atëherë, që të mëdhenjtë të kuptonin për se qe fjala, thashë të vizatoja edhe të përbrendshmet e boas. Se të mëdhenjtë duan gjithmonë t’ua shpjegosh gjërat, se ndryshe nuk kuptojnë. Vizatimi im numër 2 ishte ky:

Po të mëdhenjtë më këshilluan të hiqja dorë nga vizatimi i boave, qofshin këto shkrehur e shtrirë a qofshin këto ngrehur e kutullaç dhe të merresha përkundrazi me gjeografinë, me historinë, me aritmetikën dhe me gramatikën. Dhe ja kështu ndodhi që unë braktisa që në moshën gjashtë vjeç një karrierë kaq të shkëlqyer, siç ishte ajo e piktorit. Më qe thyer zemra edhe nga dështimi i vizatimit numër 1 dhe nga ai i vizatimit numër 2 e kisha humbur krejt besimin në veten time. Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrijnë e t’u shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë e të gjitha.

M’u desh, pra, të zgjidhja ndonjë zanat tjetër dhe fillova të mësoja kështu të ngisja aeroplanin. Dhe fluturova me të nga pak kudo nëpër botë. Dhe gjeografia, ç’është e vërteta, m’u desh e jo pak… Mësova të dalloja, me një të parë, Kinën nga Arizona. Dhe kjo, kur s’di natën nga t’ia mbash nga shkaku i errësirës, është një gjë që të hyn shumë në punë.

Dhe kështu pata rast gjatë jetës sime pata të ndeshesha me plot njerëz solidë e hijerëndë. Dhe kam jetuar një kohë të gjatë mes të mëdhenjve, duke pasur mundësi t’i shoh e t’i njoh nga afër. Por kjo nuk më shtyu dot prapë ta ndërroja mendimin që kisha për ta, nuk m’u dukën, shkurt, më të mirë!

Kur takoja ndonjë që ishte, sipas mendimit tim, ca më i esëllt e i kthjellët, i tregoja vizatimin tim numër 1, të cilin vazhdoja ta ruajtur akoma. Dhe këtë e bëja vetëm si biçim eksperimenti, për të parë, me fjalë të tjera, në ky njeri ishte apo jo i zgjuar, apo në ishte edhe ai njëlloj si të tjerët. Por ai, pavarësisht kush qe, do të më përgjigjej: “Është një kapelë.” Po atëherë edhe unë s’i flisja më as për boa, as për pyje të virgjëra, e as për yje. I vija pas qejfit. Dhe i flisja kështu për brixh, për golf, e ia vërtisja bisedën rreth politikës e rreth kravatave. Dhe atij i vinte mirë që ishte njohur kështu me një njeri kaq, po kaq të arsyeshëm. / KultPlus.com

Monika Kryemadhi i shet çizmet e famshme për bamirësi

Të njëjtat çizme me të cilat Monika Kryemadhi deshi ta godiste Edi Ramën javën e kaluar, janë bërë arsye për një humanizëm të radhës.

Kryemadhi i ka shitur këto çizme dhjetë herë më shumë sesa çmimi i blerjes, dhe këtë gjë e ka bërë për bamirësi.
Nuk dihet kush i ka blerë, por kryetarja e LSI-së ka treguar tek Zonë e Lirë se të ardhurat do të shkojnë për fëmijët në Shtëpinë e Fëmijës 0-6 vjec në Sauk.

“Ato çizme kushtonin 120 mijë lek të vjetra. Nuk e meriton Rama ta godas me të shtrenjta” ka treguar mes tjerash Kryemadhi.

Po bëhet çdoherë e më e shpeshtë që personazhet e njohura për shqiptarët të mund të bëjnë bamirësi, madje edhe duke shitur diçka nga rrobat e tyre. / KultPlus.com