Taulanti dhe Jeta sjellin ‘Make Yourself Comfortable’ nga New York (VIDEO)

Taulant Mehmeti është një muzikant i njohur tanimë i cili ka kohë që karrierën e tij e zhvillon jashtë Kosovës.

Mehmeti, bashkë me Jetën si vokaliste, kanë realizuar së fundmi një Living Room Session ku e sjellin këngën “Make yourself comfortable” nga Sarah Vaughan.

https://www.youtube.com/watch?v=CRRD2J89jiw&feature=share

Mehmeti e shoqëron këngëtaren në kitarë në një performancë realizuar në Nju Jork, në shtator të këtij viti, por lansuar më vonë në Youtube, shkruan KultPlus.
Mehmeti ka performuar krahas Vic Juris, Dave Glasses, Luisito Quintero, Linda Briceno dhe Danny Mixon.

Po e sjellim këtu edhe videon në bashkëpunim me Jetën, që sjellë me të vërtetë një emocion të veçantë nga qetësia e Nju Jorkut. / KultPlus.com

‘Një gonxhe loti’…Poezi plot ndjenjë kushtuar Bubulina Lajçit

NJË GONXHE LOTI

Poezi kushtuar Bubulinë Lajçit, nga Shuki Gashi

(Bubulinë Lajçit)
M’ ndodhi edhe kjo o lum miku
dje nuk erdha n’ rugëtimin
e fundit për Bubën
Engjullin me syrrushi
etshëm për jetën
me ngjyra kopshti
drenushë haproi n’ pragun tjetër
N’ qepallë me dhimbje
vara një gonxhe loti
pelim m’shijoi nata mbrëmë
të erdha tek dera
Heu as nesër as kurrë
ma tha goja fjalën
që dhembë
e di që Çuni mbolli

vargje Malli për Ty
sirena Odiseu n’ pritjen
që oshtinë e nuk pëlcetë
e mua mu tha fyti
as me vetëvetën belbëzova
një fjalë
32 tradnafila
do t’qelin çdo ditë
gjurmëve kudo që ece
Syrrushi gjithmonë
ndjek yllin që kurrë nuk shuhet
as n’qiell as në tokë
rebele e bukur për shpirtërat
që dashurojnë njëmendë jetën
pa patkonjë dhe hire
Prehu n’paqe Bubulina
harrimi fle asnjë ditë prapa
perdeve që na ndajnë me Ty
unë të shohë gazele kodrave
t’Rugovës veshur me plisa bore…

Punët e Sharlota Salomon, piktores gjeniale që vdiq në Aushvic (FOTO)

Charlotte Salomon është harruar nga historia. Megjithatë, shkrimtarët e studiuesit e ndryshëm kanë provuar ta rikthejnë gjenialitetin e saj, që ai të mos harrohet.

Vajza e vetme dikur hebreje e regjistruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Berlinin nazist, lindi në Berlin dhe më pas vdiq në Aushvic, në kampin e përqendrimit. Charlotte, një piktore e rrallë, para se të vdiste në vitin 1943 i la veprat e saj të ruajtura në një kasafortë e cila do të hapej më pas për të treguar të vërtetën e punëve të saj.

Ajo ishte 23 vjeç kur bëri një pikturë përballë fytyrës së saj – pa emër, pa shtetësi, një fytyrë hebreje.

Sharlota në atë kohë, po jetonte si një refugjate nga nazizmi në Villenfrache dhe sapo kishte bërë një zbulim befasues; tetë anëtarët e familjes së saj, një nga një, përgjatë viteve, kishin kryer vetëvrasje.

Me këtë zbulesë traumatike në mendje, ajo arriti në çfarë ajo e quante “Pyetje: nëse të merrej me jetën e saj, apo të ndërmerrte diçka të çuditshme, dhe të çmendur”. Diçka “ të çuditshme dhe të çmendur” doli të jetë një vepër arti në më shumë se shtatëqind skena, pikturuar gjatë një viti, 1941-1942, pasuruar me dialogë, citime, referenca muzikore, organizuar në akte dhe skena, me titull “Jetë? apo Teatër?”, shkruan KultPlus.

E dashuruar pas artit dhe vetë jetës, Sharlota rritet, edukohet dhe dashurohet marrëzisht në Gjermaninë e fillimit të nazizmit. Përkeqësimi i ndjeshëm i gjendjes, e shtyn atë drejt arratisjes në Francë, ku në vetminë më të thellë, përjeton ethshëm kujtimin e dashurisë e të braktisjes dhe krijon një sërë veprash autobiografike (imazhe, fjalë dhe referenca muzikore), të cilat rrëfejnë gjithë historinë e jetës së saj.

Ekspresioniste, Sharlota dikur vazhdon të shkruajë mesazhe të ndryshme në pikturat e saj.

Që nga viti 1992, një shkollë fillore në Berlin mban emrin e saj, ndërsa në vitin 2006 një rrugë u emërua sipas saj. Me 21 prill të vitit 2012-të, një bllok në rrugë në tokë i kushtohet asaj, në shtëpinë e saj dikur në Wielandstraße 15. / KultPlus.com

Dua Lipa merr nominim në çmimet muzikore të BBC-së

Dua Lipa është nominuar kësisoj në një nga kategoritë e BBC Music Awards.

Albumi i saj është nominuar në mesin e albumeve më të mira britanike, krahas Ed Sheeran, Calvin Harris, Stormy, RagnBoneMan dhe The XX.

Çmimet do të ndahen në 8 dhjetor në BBC Radio 2, ku edhe do të prezantohet një program me muzikën më të re. Pos Dua Lipës, në program do të kontribuojnë edhe Stormzy, Foo Fighters, Nile Rodgers, Rag’n’Bone Man, Liam Gallagher, Sampha, George Ezra, Blossoms, Nick Grimshaë, Mistajam, shkruan KultPlus.

Janë vetëm katër kategori të këtyre çmimeve, tri prej të cilave kanë publikuar emrat ndërsa kategoria për BBC Music Introducing Artist of the Year do të publikohet më vonë.

Artist of the Year
Ed Sheeran
Harry Styles
Kendrick Lamar
Lorde
Rag’n’Bone Man
Stormzy

British Album of the Year
Calvin Harris – Funk Wav Bounces Vol. 1
Ed Sheeran – ÷
Dua Lipa – Dua Lipa
Rag’n’Bone Man – Human
Stormzy – Gang Signs & Prayer
The xx – I See You

Live Performance of the Year
Boy Better Know – Glastonbury
Depeche Mode – Glasgow Barrowlands, 6 Music Festival
Foo Fighters – Glastonbury
Katy Perry – Radio 1’s Big Weekend 2017
Chic feat. Nile Rodgers – Glastonbury
U2 – The Joshua Tree Tour 2017

Inva Mula nderohet me titullin “Anëtare nderi” në Kanada

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, ishte e ftuar speciale e ceremonisë festive tashmë të përvitshme me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Provincë.

Ceremonia e zhvilluar një nga sallat e Parlamentit të Ontarios/ Kanada, përcolli emocione të bukura për të gjithë shqiptarët që shijuan e duartrokitën perfomancën e sopranos.

Mbremja festive u moderua nga aktorja dhe këngëtarja kanadeze, Ana Golja që ka mbështetur komunitetin e shqiptarëve edhe më herët. Po kështu, të pranishëm në aktivitet ishin edhe dy artistë të tjerë të shquar shqiptaro-kanadezë Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo.

Veprimtaria u organizua nga grupi parlamentar liberal në bashkëpunim me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze(Toronto) dhe drejtuesen e grupit të trashëgimisë, Ruki Kondaj. Me këtë rast shoqata nderoi me titullin anëtar nderi disa persona, mes tyre edhe sopranon Inva Mula.

Vitin e kaluar, parlamenti i Ontarios e ktheu në ligj propozimin e nje grupi deputetësh për ta shpallur nëntorin “Albanian Heritage Month”(muaji i trashëgimisë kulturore).

Nisma erdhi nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze e Torontos me lobimin e zonjës Ruki Kondaj, sot presidente nderi e shoqatës dhe me mbështetjen e veçantë të deputetëve liberalë Laura Albanese dhe Shafiq Qaadri. / KultPlus.com

Inva Mula performon shqip në ‘Muajin e Trashëgimisë Shqiptare’ në Kanada (VIDEO)

Në një prej sallave të Parlamentit të Ontarios në Kanada, me datë 20 nëntor është mbajtur një ceremoni festive me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Provincë.

Vitin e kaluar, ky parlament e ktheu në ligj propozimin e një grupi deputetësh për ta shpallur nëntorin “Albanian Heritage Month”. Nisma erdhi nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze e Torontos me lobimin e zonjës Ruki Kondaj, sot presidente nderi e shoqatës dhe me mbështetjen e veçantë të deputetëve liberalë Laura Albanese dhe Shafiq Qaadri.

Me rastin e përvjetorit të parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, pikërisht në këtë sallë që shihet në pamjet filmike, u mbajt kjo ceremoni e bukur ku ishte e ftuar sopranoja Inva Mula, Nderi i Kombit, njeriu që pas hapjes së Shqipërisë në vitet 90 u dha Shqipërisë dhe shqiptarëve një vend në hartën e artit skenik botëror. Pamjet janë marrë nga Pasqyra Shqiptare TV në Facebook.

Veprimtaria u moderua nga aktorja dhe këngëtarja Ana Golja. Morën pjesë gjithashtu dy artistë të tjerë të shquar shqiptaro-kanadezë: Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo. Fjala iu dha disa deputetëve, ndër ta edhe Qaadri që do ta shikoni në video. Veprimtaria organizohej nga grupi parlamentar liberal në bashkëpunim me Shoqatën e Torontos dhe drejtuesen e grupit të trashëgimisë, znj. Ruki Kondaj. Ishin të ftuar veprimtarë në komunitet dhe sponsorë të shoqatës dhe Shtëpisë së Shqiptarit. Me këtë rast shoqata nderoi me titullin anëtar nderi disa persona, mes tyre edhe Inva Mula. / KultPlus.com

Festohet 12-të vjetori i përfshirjes së Iso-Polifonisë shqipe në UNESCO

Në kuadër të 12 vjetorit të përfshirjes së Iso – Polifonisë në listën e UNESCO-s dhe 105 vjetorit të Pavarësisë, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, Qarkun Vlorë dhe RTSH organizon nga data 24- 25 nëntor edicionin e XII-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso – Polifonisë në Vlorë.

Në të do të marrin pjesë grupe të cilat kanë traditë këndimin e iso – polifonisë si toske ashtu edhe labe.

Grupi i Korçës, Grupi i Mallakastrës, Grupi “Gjergj Araniti”, Grupi “Zëri i Bilbilit” Sarandë, Grupi i të Rinjve të Himarës, Grupi i Tërbaçit, Grupi i Gramshit, Grupi i Dropullit, Grupi i Kaninës “Ismail Qemali”, Grupi i Sevasterit, Grupi i Drashovicës, Ansambli Çipini, Shqiponjat e Tërbaçtit dhe Lidhja e Prizrenit janë në mesin e Ansambleve që do të marrin pjesë në këtë festival, shkruan KultPlus.

Pa më të voglin dyshim, data 25 nëntor 2005 është një ditë historike për mbarë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve por dhe për vetë Shqipërinë. Në këtë ditë “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, fakt që u kumtua në të gjitha mediet e botës nga Dr. Koichiro Matscura, Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris.

Për të dalë me këtë vendim, Juria Ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, shqyrtoi mbi 60 kandidatura të propozuara për t’u përfshirë në listën “Kryevepër e njerëzimit”, propozime të bëra në rrugë zyrtare nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës duke plotësuar dosjet dhe kriteret e shpallura për këtë qëllim. / KultPlus.com

Vëllezërit Foenkinos flasin për filmin dhe librin në Javën e Filmit Frankofon në kryeqytet

Arbër Selmani

David Foenkinos është një regjisor dhe një shkrimtar francez i cili momentalisht radhitet në mesin e dhjetë shkrimtarëve më të njohur në Francë.

Bashkë me vëllanë e tij, ai ka ardhur në Prishtinë për të prezantuar disa prej projekteve të tij artistike, në kuadër të Javës së Filmit Frankofon. Mbrëmë, në kryeqytet është dhënë filmi “Jalouse”, me regji nga Foenkinos dhe vëllanë e tij Stéphane Foenkinos.

Fotografia: Valbona Berisha / Facebook

Dyshja sot në mëngjes kanë mbajtur një debat për të folur rreth asaj se si një film mund të adaptohet nga një libër, apo raporti i kundërt, por edhe për të folur për karrierën e tyre, për librat e filmat që do të vijnë. Tre libra të Davidit janë kthyer në filma, ndërsa Stephane poashtu bashkëpunon edhe kur sheh një dorëshkrim të Davidit, për ta kthyer në libër.

“Sharlota”, një prej librave më të mirë të Davidit, është një roman në vargje që rrëfen historinë e artistes Sharlota Salomon, e lindur në prag të Luftës së Dytë Botërore në Berlin, në një familje hebraike dhe të traumatizuar nga disa tragjedi të brendshme. E dashuruar pas artit dhe vetë jetës, Sharlota rritet, edukohet dhe dashurohet marrëzisht në Gjermaninë e fillimit të nazizmit.

Romani nuk është kthyer në film, por pritet që diçka e tillë të ndodhë nga një regjisor i madh francez. Për Sharlotën, e cila ishte grua që historia e harroi, skenarin e filmit do ta shkruajë vetë Foenkinos.
“Libri im i preferuar është “Charlotte”, sepse kam shkruar për një gjeni, për një grua të fuqishme, dhe kam shkruar më pak për luftën. Dikush më pyeti në sallë nëse do të shkruaja një libër për luftën në Ballkan, por ajo i takon njerëzve këtu, gjeneratës që ka më shumë njohuri për luftën dhe zhvillimet” tregon mes tjerash Foenkinos.

David Foenkinos dhe Stéphane Foenkinos janë regjisorë edhe të filmit “Jalouse”, që mbrëmë u dha në Cineplexx në kryeqytet. Foenkinos ka shkruar edhe librin “Delikatesa”, i cili më pas u kthye në film në Francë, me protagoniste aktoren e njohur Audrey Tautou. Filmi është realizuar në vitin 2011-të, pas librit me të njëjtin titull, shkruan KultPlus.

“Adaptimi i një libri në një film nuk do të thotë copy-paste. Do të thotë modifikim, emocion tjetër, ndryshime, jo vetëm një paraqitje e personazheve. Dikush e do librin më shumë ose dikush mendon se në film ka më shumë dramë” tregon Stephane.
Delikatesa – libri, ose La Délicatesse – filmi, bazohet në fjalën e cila në gjuhën frënge ka dy kuptime. E para mbetet delikatesa – një sjellje e rafinuar dhe me kujdes të shtuar, apo delikatesa – një konflikt, të jesh në konflikt me dikë.

Derisa Foenkinos harxhon kohë për të gjetur emrat e personazheve të tij, një pjesë e mirë e të cilave si në libra ashtu edhe në filma janë gra, Stephane thotë se gjithçka ka nisur si një eksperiment i cili tani është kthyer në formulë suksesi mes dy vëllezërve.

Të dy librat e David Foenkinos në shqip janë përkthyer nga Edmond Tupja dhe gjenden në libraritë e ndryshme në kryeqytet.

Romani “Delikatesa” është fragjil në trajtimin e historisë. Natalia dhe Fransuai janë çifti i përkryer dhe janë përsosmërisht të lumtur. Por, kur Fransuai vdes papritur, pas shtatë vjetësh martese të bekuar, vejusha Natali ngre një kala rreth emocioneve te saj, ku askush nuk mund të hyjë më. Derisa kandidati më i paimagjinueshëm shfaqet. Romani ka fituar 10 çmime letrare, është përkthyer në 30 gjuhë të botës.

Java e Filmit Frankofon po vazhdon këtyre ditëve me organizime letrare në Prishtinë, por edhe me shfaqje filmash, ndërsa do të udhëtojë dhe në qytetet tjera të Kosovës. / KultPlus.com

Pse m`rujte

Poezi nga Sibel Halimi

M` rujte për pleqninë tane
Kur dora ka me tu dridhë
Unë zemrën aty me ta vnu
Me t`thanë rrno
Se kjo zemër hala rreh për ty

M`rujte për pleqninë tane
Që rrugëve të akullta
Me t`majtë fort për krahu
Mos me u rrëzu
Se thonë plaku kur bje njiherë
S`qohet ma

M`rujte për pleqninë tane
Kur nipa e mbesa të gumëzhijnë
Ti më ngrehë zvarrë
Tue më thanë, hajde se ment na dulën

M`rujte për pleqninë tane
Me ta kujtu rininë
E me m`gjyku kur unë najherë kam ikë
Prej përditshmërisë tue kërku nji troh ndryshim

M`rujte për pleqninë tane
Për me vallëzue lirinë e fmijëve tanë
E me i përcjellë n`jetën e tyne
M`rujte për pleqninë tande
Me m`thanë se pa mu
Ti s’je kjo qe je

M`rujte për pleqninë tane
Për me e luftu dekën
Me m`diftu tensionin e naltë
Dhe t`rrahunat e shpejta të pulsit

M`rujte për pleqninë tande
Me ma përsëritë se ky varg s’ka kuptim
Se kjo pjese ka probleme sintaksore dhe ka konfuzitet
M`rujte për pleqninë tane
Me e arkivu të tashmen
Bashkë me të rininë

M`rujte për pleqninë tane
Me mi fshi lotët
Kur unë sërish ka me ikë
E ti njësoj ki me m`thanë: qu loqke
Ecim pak e t`kalon

M`rujte për pleqninë tane
Me m`thanë se unë s`plakna kurrë
E bukur e re tanaherë jam
Rrudhat e ballit palë, veç stoli

M`rujte për pleqninë tane
Me ju gëzu lirisë tem
Me m`lanë mu kanë unë
E kësaj me ju gëzu si fëmijë
M`rujte për pleqninë tane
Siç t`rujta unë!
`2017

Rrugëtimi artistik i Halil Muhaxherit erdhi përmes ekspozitës “në shqetësime dhe heshtje”

Gili Hoxhaj

Galeria Kombëtare e Kosovës sonte solli ekspozitën retrospektivë ‘…në shqetësime dhe heshtje…’ të Halil Muhaxherit.

Kjo ekspozitë retrospektive erdhi për të përjetësuar veprat e të ndjerit dhe për të përçuar fuqinë e veprave unike, edhe pa prezencën e tij fizike. Kjo ekspozitë prezantoi për artdashësit veprimtarinë disa vjeçare të Halil Muhaxherit ndërsa erdhi e ndërthurur përmes pikturave ku dominonin peizazhet, natyrat e vdekura, skicat e portretet.

Në fillim të kësaj galerie, në pikturat e artistit dominonin frutat e shpërndarë që i kishte pikturuar mjeshtërisht. Në mes të galerisë kishin zënë vend pikturat e tij të krijuara gjatë periudhës 1998 dhe 1999 , të cilat e shpërfaqin shprehjen e tij dramatike përmes veprave ku ai kishte sjellë disa kompozicione me mbishkrime “Mos ma prek ti shkja Drenicën” dhe “Në Drenicë na u ndal Pranvera”.

“Kjo është një nga ekspozitat që edhe na mallëngjejnë por edhe hedhin dritë mbi historinë e artit bashkëkohor kosovar”, ishin fjalët me të cilat e hapi ekspozitën Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Arta Agani.
Kuratori dhe njëherësh ideatori i kësaj ekspozite – Esat Valla, në ceremoninë hyrëse u shpreh se ndihet i nderuar që sonte po prezanton punën e mikut të tij dhe piktorit Halil Muhaxheri.

“ Halil Muhaxheri nuk i takon atyre artistëve që synojnë ta trasojnë rrugën dhe pastaj të ecin të sigurt nëpër të. Ai vazhdimisht kërkonte, kthehej, ndryshonte, parapëlqente një veprim të caktuar për një periudhë, për të ndërtuar pak më vonë një botë tjetër. Shpesh thoshte se piktura nuk duhet t’i ngjasojë pikturës si veja vesë, e për këtë edhe ne pajoheshim me të. Ai vazhdoi me zgjidhjet dinamike tejet ekspresive dhe në hap me kohën, nga figurativizmi ekspresiv, tek enformeli e pejsazhiasociativ deri tek zgjedhjet avangarde. Është një rrugë që ka pikat e dallimit, ku shenjat, simbolet, kompozicioni dhe hapësira paraqesin një kronologji të veprimtarisë së Muhaxherit”, ishin disa nga fjalët e Esat Vallës në hapjen e kësaj ekspozite.

Në këtë ekspozitë në emër të familjes fjalën e mori Ylber Muhaxheri, i biri i piktorit Halil Muhaxheri i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe organizatorët për këtë ekspozitë.

“Së pari dua të ju falënderoj të gjithëve për prezencën tuaj e cila është shumë domethënëse për ne, së dyti dua të falënderoj stafin e Galerisë Kombëtare për organizimin e kësaj ekspozite dhe falënderimi më i rëndësishëm nga familja vjen për mikun e jetës së babit, axhën Esat” tha Muhaxheri.

Piktori Agron Mulliqi e përshkruan Halil Muhaxherin si profesor dhe koleg të përkushtuar duke thënë se ndihet i nderuar për bashkëpunimin me një njeri si ai. Piktori Mulliqi tha për KultPlus se Halil Muhaxheri është njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj në stilin dhe në artin modern kosovar dhe si veçanti të stilit të tij theksoi ngjyrat, figuracionin dhe harmoninë e kompozicioneve.



Akademiku Rexhep Ferri veprimtarinë e Muhaxherit e vlerësoi si shumë humane dhe njerëzore, derisa tha për KultPlus se ai me këto vlera gjithmonë e ka ushqyer personalitetin e tij krijues që shfaqet sonte edhe në këtë ekspozitë.

“Halili gjatë viteve të 70ta ishte një ndër ata krijuesit mes brezit të parë dhe të dytë, ishte një nga piktorët që premtonte shumë. Halil Muhaxheri krijimtarinë e vet e ka të bazuar në një shpirt shumë njerëzor dhe në fillimet e artit modern shqiptar është prezent edhe vepra e Halil Muhaxherit. Neve na kanë humbur disa vite në demonstrata dhe luftë, dhe tek Halili janë disa vite të humbura dhe kjo mund të jetë arsyeja që ai ndoshta nuk ka mundur ta realizoi krejtësisht vetveten aq sa ka qenë i prirur ta realizoi vetveten” , ka thënë Ferri për KultPlus.

Halil Muhaxheri lindi më 5 prill 1945 në Gjakovë, ku edhe vdiq më 6 tetor 2013. Ai i takon brezit të mesëm të krijuesve kosovarë të cilët kontribuuan në begatimin e këndvështrimeve të reja tematike e shprehimore.

Në vitin 1971, pas studimeve post-diplomatike Halili doli para publikut beogradas me ekspozitën personale në Galerinë e Arteve të Universitetit të Kollarcit, me dhjetëra vepra të ciklit “Jeta dinamike”. Ai imagjinoi dhe fantazoi me plot kreativitet imazhet e jetës dinamike të njeriut të shekullit XX. Atëherë Halili u prit shumë mire nga publiku beogradas dhe nga kritikët e Beogradit. / KultPlus.com

Restoranti në Beograd ofron “specialitete nga 52 vende që nuk e kanë njohur Kosovën”

Një restorant në Beograd duket ka gjetur mënyrën si të tërheq myshterinjtë, duke prekur “shijen” e tyre me “mëlmesa” politike, që gjithsesi duhej të lidheshin me Kosovën, transmeton Koha.net.

“Një mënyrë e përsosur për ta kaluar fundjavën është vizita në kafenenë ‘Korçagin’ dhe të kënaqeni në ofertën e saj fenomenale”, thekson reklama e publikuar në portalin beogradnocu (beogradi natën), dhe vazhdon ofertën:

“Kështu, gjatë vitit të ardhshëm çdo javë do të keni rastin e mrekullueshëm të kënaqeni me specialitetet nga 52 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën…”, transmeton Koha.net.

Shqiptari Marko Caka, në videoklipin e artistëve J Balvin dhe Anitta (VIDEO)

Këngëtari i famshëm kolumbian J Balvin, i cili ka sjellë hite të mëdha verore, ka lansuar kësisoj edhe hitin e tij më të ri.

“Down Town” titullohet kënga më e re, në bashkëpunim me këngëtaren e suksesshme braziliane Annita.

Në videoklip paraqitet edhe shqiptari Marko Caka. Aktori shihet në krah të dy këngëtareve në skenat e nxehta dhe në lojërat e fatit të kazinos, skena që ngjasojnë me historinë e Toni Montanës, ku mania për paranë shtyn të bësh gjithçka, shkruan KultPlus.

Video DOWN TOWN ya!! Now !!! @anitta

A post shared by J Balvin (@jbalvin) on

Sipas Cakës është privilegj i madh të jesh lider kryesor në videoklipin e dy këngëtarëve më të suksesshëm latin dhe me famë botërore, Anita dhe J Balvin. / KultPlus.com

Çiljeta rikthehet e fuqishme në Festivalin ‘Kënga Magjike’ (VIDEO)

Çiljeta ka kohë që ka pauzuar nga muzika. Këngëtarja e njohur dhe e dashur për publikun ka pritur këtë vit për të qenë pjesë e Festivalit Kënga Magjike.

“Hajmali” titullohet kënga e Çiljetës në këtë edicion, e cila u prezantua këtë të diele në televizionin Klan në Shqipëri, aty ku edhe prezantohen të gjitha këngët.

Çiljeta ka bashkuar forcat me Elgit Dodën, Olti Currin dhe Maringlen Bojan për këngën e saj konkurruese, shkruan KultPlus.

Është komentuar shumë skenografia në paraqitjen e këngëtares, që ngjason me këngëtaren ruse Polina Gagarina, kur ajo këndoi këngën “A Million Voices”.

Këngët pjesëmarrëse në Këngën Magjike 2017 po prezantohen në emisionin “E Diela Shqiptare”, ndërsa vetëm një numër i tyre do të mund ta prekë finalen dhe gjysmëfinalet e festivalit. / KultPlus.com

Kryeministri Ramush Haradinaj ngushëllon familjen Lajçi

Kryeministri aktual Ramush Haradinaj sot i ka shprehur ngushëllime artistit Çun Lajçi.

Lajçi dje ka humbur vajzën e tij Bubulinën, një aktore që po ngjitej shkallëve të aktrimit por vdiq shumë e re.

“Jam i prekur thellë nga humbja e një jete të re. Bubulina Çun Lajçi braktisi ëndërrat e jetës, prindërit dhe miqtë e saj.
Ishte fëmijë artistësh dhe vet aktore, nga e cila pritej shumë, por ajo e mbylli ciklin e jetës para kohe.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, në veçanti për mikun tim, Çun Lajçin.
Bëhuni të fortë dhe ruani kujtimet për të.
RH” – ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Bubulina Lajçi ka ndërruar jetë dje, ndërsa siç kanë lajmëruar disa medie në Kosovë, kjo ka ndodhur shkaku i mbidozës.

Vetë artisti i ka kushtuar një poezi vajzës së tij të ndjerë, me anë të rrjeteve sociale, ku edhe ka marrë mijëra ngushëllime nga qytetarët e Kosovës. / KultPlus.com

Në Muzeun Marubi vjen ekspozita ‘Baballarët Suedezë’

Me datë 23 nëntor, me fillim prej orës 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër vjen ekspozita “Baballarët suedezë”.

Baballarët Suedezë është një ekspozitë fotografish nga fotografi Johan Bavman, bazuar në portretet e baballarëve, të cilët kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi me bebet e tyre për të paktën gjashtë muaj.

Ekspozita synon të tregojë efektet e barazisë gjinore në prindërim si për individët edhe për shoqërinë. Ekspozita portretizon 25 baballarë në Suedi dhe do të shfaqet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, Shkodër më datë 24 Nëntor 2017, shkruan KultPlus.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër – Voltana Ademi, Ambasadori Suedez Johan Ndisi, forografi Johan Bävman, dhe anëtarët e Organizatës Gruaja tek Gruaja do të flasin në panelin me rastin e kësaj ekspozite. / KultPlus.com

Kur Tinka Kurtit i kërkohen 3 mijë lekë për të hyrë në Teatrin Kombëtar!

Shkruan Bledi Mane

Ka rreth dy vjet qyshkur e poshtëruan dhe ende nuk i kanë kërkuar falje publike.
Legjenda e skenes dhe kinematografisë shqiptare, aktorja dhe gruaja fisnike Tinka Kurti, një mbrëmje prilli të vitit 2015, la banesën e saj afër rrugës së Elbasanit e u nis me këmbe të shikonte shfaqjen e dramës “3 motrat” të Çehovit. Mes shume spektatorëve, aktorja e famshme teksa futej në salle, ndalohet nga punonjësit e Teatrit.

-Me urdhër të drejtorit Hervin Çuli, askush nuk lejohet të futet pa biletë. Duhet të paguash 3 mijë lekë të shohësh dramën!

Këto fjale i thane punonjësit e Teatrit, ikonës së Teatrit shqiptar. I kërkonin 3 mijë lekë Tinka Kurtit, gruas që na ka falur mijëra gezime, miliona emocione, miliarda krenari…
Dhe Tinka Kurti pagoi 3 mijë lekeshin, mori biletën, e flaku në tokë dhe u nis pa parë shfaqjen ashtu e drobitur nga turpi e nga mosha, drejt shtëpisë së saj.
Artistja e Popullit qysh atëherë nuk shkel më as si aktore e as si spektatore neëTeatrin Kombetar. Shkon vetëm në Teatrin Eksperimental ku drejtori dhe regjisori Kiço Londo e respekton në çdo premierë apo shfaqje.

As Teatri Kombëtar dhe as Ministria e Kulturës nuk i kanë kerkuar falje publike, por presin që të vdesë Tinka Kurti dhe t’ia shtrijnë trupin në hollin e Teatrit. Të vdekur natyrisht se të gjalle nuk kanë shans!

Shtëpia e Tupac Shakur del në shitje

Shtëpia e reperit të famshëm Tupac Shakur ka dalë në shitje ,një pronë 6 mijë metra katror në Los Anxhelos të SHBA.

Shakur kishte një pasuri prej 43 mld dollarësh dhe shtëpia e tij gjendet në zonën e kodrave të Woodland pranë kufirit Calabasas.

Agjensia e shitjes së shtëpive TMZ ka nxjerr në shitjen pronën e Tupac për 2 659 mld dollarësh dhe kjo nuk është një shumë e madhe për ata që duan të jetojnë në stilin e një legjende .

Tupac Shakur vdiq në vitin 1996 në moshën 25 vjeçare pas një atentati me armë në Las Vegas ku u qëllua katër herë. / KultPlus.com

Bleona dhe Bebe Rexha kritikohen për veshjen në American Music Awards

Bleona Qereti ka rënë sërish në sy të mediave të huaja sa i përket veshjes.

Këtë herë bëhet fjalë për paraqitjen e saj në American Music Awards.

Mediat britanike dhe ato amerikane e kanë futur Bleonën dhe Bebe Rexhën në listën e këngëtareve të veshura me keq në American Music Awards.

“Shumë shalë, disa të brendshme në ngjyrë argjendi dhe asgjë më shumë”, shkruan Daily Mail duke shigjetuar këngëtaren shqiptare. / KultPlus.com

Kelly Clarkson dhe Pink sjellin ‘Everybody Hurts’ në American Music Awards (VIDEO)

Kelly Clarkson dhe Pink e kanë përfunduar duke u përqafuar performancën e këngës “Everybody Hurts”, mbrëmë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve American Music Awards.

Dyja janë këngëtare të dëshmuara tanimë, të dyja me projekte së fundmi. Pink ka sjellë “What about us” ndërsa “Soft Love” ka ardhur nga Kelly Clarkson.

Ato janë edhe kolege të mira dhe flasin shpesh në intervista për njëra tjetrën, shkruan KultPlus.

“Everybody Hurts” është një ndër këngët klasike më të dëgjuara, kënduar nga R.E.M. / KultPlus.com

Formohet organizata e studentëve shqiptarë në Universitetin Harvard

Një personazh aspak i panjohur për publikun shqiptar, studenti shqiptar në SHBA, Deni Hoxha ka themeluar për herë të parë organizatën studentore shqiptare në Universitetin Harvard.

Me aspiratën për t’u bërë diplomat, Deni është jo vetëm një student me rezultate të shkëlqyera në Universitetin numër 1 në botë, Universitetin Harvard, por edhe po kontribuon në imazhin e Shqipërisë jashtë kufijve të saj.

I kontaktuar nga ATSH-ja, Deni tregon se “Albanian Students Association” është një organizatë studentore në universitetin Harvard.

Kjo e fundit është themeluar për të bërë bashkë shqiptarët që studiojnë në Harvard dhe për të lidhur studentët jo shqiptarë që janë të interesuar për Shqipërinë e Kosovën.

“Organizatën e kam themeluar unë , së bashku me shqiptarët e tjerë në Harvard. Organizata është krijuar për të lidhur shqiptarët që studiojnë në Harvard dhe për të lidhur studentët jo shqiptar që janë të interesuar për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”, tha ai për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Por jo vetëm kaq. Deni thotë se organizata do të organizojë evenimente ku do të flitet për problemet sociale, ekonomike dhe politike që hasin shqiptarët. Kjo e fundit do të realizohet nëpërmjet diskutimeve, debateve, forumeve dhe të ftuarve specialë. Me rëndësi të madhe sipas tij, është promovimi i kulturës shqiptare përmes disa evenimenteve të tjera si filma, muzikë, dhe ushqime shqiptare.

“Do të promovojmë kulturën që të ndryshojmë imazhin negativ që mund të kenë shqiptarët nëpër botë. Organizata është e pavarur dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë organizatë tjetër, por jemi të gatshëm për bashkëpunim”, përfundon Deni, që studion në Universitetin Harvard.

Deni Hoxha nuk është i panjohur për publikun shqiptar, por jo vetëm. Në muajin janar të këtij viti, si student në Amerikë ai ndau eksperiencën e tij të studimeve, përpara stafit të Departamentit të Shtetit në Washington, DC. Deni ishte një nga vetëm 4 studentë të përzgjedhur nga të gjitha Shtetet e Bashkuara, i cili foli rreth studimeve (arabisht) në Jordani gjatë verës, nëpërmjet programit NSLI-Y i financuar nga Departamenti i Shtetit.

Në muajin mars të 2017-ës, gazeta amerikane “Telegram.com” sjell historinë e Denit duke përshkruar jetën e tij, si një student shqiptar i cili që prej 2010-ës jeton në Amerikë së bashku me familjen e tij. Po kështu, gazeta foli edhe për dashurinë e tij për të mësuar gjuhët e huaja, si një fuqi e jashtëzakonshme. Deni si moto të tij mban thënien e Nelson Mandelës, ish presidentit të Afrikës së Jugut dhe i njohur ndryshe si luftëtari i lirisë.

Sipas gazetës prestigjoze “Telegram.com”, Deni Hoxha aspiron që një ditë të shërbejë si diplomat i huaj për Departamentin e Shtetit, dhe për këtë shërben edhe mundësia që gëzoi vitin e kaluar duke treguar fuqinë që mbart të mësuarit e gjuhëve të huaja.

Gjatë verës së 2016-ës , ai jetoi dhe studioi arabisht në Jordani, nëpërmjet Departamentit të Shtetit me një bursë që i përfshinte të gjitha dhe në dhjetor u zgjodh një nga 4 studentët që prezantuan eksperiencën jashtë shtetit përpara stafit të Departamentit të Shtetit Amerikan.

Deni gjithashtu është edhe drejtues i organizatës “Team Albanians” ku promovon vlerat dhe turizmin shqiptar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në botë. Që prej 2015-ës, në faqen zyrtare të “Team Albanias” në Twitter-in, shumica e ndjekësve janë shqiptarë nga Amerika, Anglia, Franca dhe disa nga Shqipëria. Në disa projekte ka bashkëpunuar edhe me Eliza Dushkun apo shqiptarë të tjerë me famë botërore.

Pas prezantimit të Departamentit të Shtetit, Deni u vlerësua për studimin në zyrat e American Councils, ku u takua me presidentin e American Councils Dan E. Davidson, që e përgëzoi Denin për suksesin dhe e falënderoi për punën si përfaqësues i programit NSLI-Y. / KultPlus.com

Poezi e dhimbshme e Çun Lajçit pas vdekjes së të bijës

Para pak minutave Policia e Kosovës ka informuar për një vdekje të dyshimtë në lagjen Dardania në Prishtinë.
Madje dyshohet se vajza ka vdekur nga mbidoza.

“Është gjetur një vajzë e vdekur në lagjen “Dardania” në Prishtinë dhe është cilësuar si vdekje e dyshimtë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Vajza e vdekur është pikërisht vajza e aktorit Çun Lajçi, Bubulina Lajçi, edhe kjo aktore.

Madje vetë Lajçi pak minuta më parë ka thurur disa vargje për vajzën e tij të vdekur, të cilat janë mjaft emocionuese:

Ky është postimi i tij i plotë:

A këputet peni moj e mira ime

S’po t’shkruaj ma
Si herave tjera për t’iu kthye
Pendimit
Se nenin e lidhun n’fyt
E paske zhgjidhë vetëm,
Pa m’pritë mua nga rrugë e largët
Shpresash paske ikë mbramë
N’udhëtimin tand t’fundit
Diku n’Ashkelon
N’kërkim t’fatit e t’vajit
Oooo
Mos ma vajtoni
Se sherua qenka përgjithmonë
Tue kërkua gurin e vet të varri.

Turqia ndalon të gjitha ngjarjet e komunitetit gay dhe lezbik në Ankara

Zyrtarët turq kanë ndaluar të gjitha ngjarjet nga grupet e komunitetit LGBTI në kryeqytetin e vendit, Ankara.

Ndalimi hyri në fuqi të shtunën për një periudhë “të pacaktuar” dhe do të zbatohet për të gjitha shfaqjet e filmave LGBTI, teatro, panele dhe ekspozita.

Zyra e guvernatorit të Ankarasë njoftoi të dielën se ndalimi u bë për të mbrojtur “sigurinë publike”.

Ai tha se ngjarjet të tilla mund të shkaktojnë armiqësi mes grupeve të ndryshme dhe të rrezikojnë “shëndetin dhe moralin”, si dhe të drejtat dhe liritë e të tjerëve.

LGBT rights activists shout slogans as they try to gather for a pride parade, which was banned by the governorship, in central Istanbul, Turkey, July 2, 2017. REUTERS/Huseyin Aldemir – RC1B0F29FB80

Sipas zyrës së guvernatorit disa grupe mund të provokohen nga ngjarjet e komunitetit LGBTI dhe mund të ndërmarrin veprime kundër pjesëmarrësve për shkak të “ndjeshmërive shoqërore”.

Megjithëse homoseksualiteti nuk është i ndaluar në Turqi dhe shoqatat e shumta LGBTI regjistrohen ligjërisht në shtet, aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se individët LGBTI përballen me diskriminim dhe stigmë. / KultPlus.com

Gjurmë Shqiptare: Nga Nishi tek Molla e Kuqe (VIDEO)

Një udhëtim i dhimbshëm mes të shkuarës e të tashmes, që risjell një prej masakrave më të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare.

Nga Nishi tek Molla e Kuqe! Ku ka qenë dikur kufiri shqiptar? Si u zbrazën këto territore? Çfarë ka mbetur ende pas edhe sot?

Një udhëtim i jashtëzakonshëm që nuk duhet humbur. Fshatrat me emra shqiptarë, ku sot nuk ka asnjë banor të tillë…një udhëtim nga Nishi në Mollë të Kuqe. Ndiqni të plotë videon e dokumentarit të Top Channel.

Rita Ora performon në koncertin humanitar BBC Children in Need (VIDEO)

Rita Ora ka performuar këtë javë në BBC Children in Need.

Nata glamuroze por edhe humanitare ka mbledhur rreth 50.1 milion dollarë.

Pos Rita Orës, në këtë koncert kanë performuar edhe Jason Derulo, CountryFile dhe The Vamps.
BBC Children in Need mbledhë vit për vit fonde për fëmijët me aftësi të vecanta dhe fëmijët tjerë në Angli.

Tess Daly, Graham Norton, Mel Giedroyc dhe Ade Adepitan ishin moderatorët e mbrëmjes, ndërsa shuma e vitit të kaluar ka qenë 46.6 milionë dollarë, shkruan KultPlus.

Nëpër vite, jetët e fëmijëve kanë ndryshuar për të mirë nga fondi në fjalë. Rita Ora në këtë natë ka sjellë këngën e saj më të re ‘Anywhere’. / KultPlus.com