Prezantohen para publikut punët e tre finalistëve të çmimit ‘Artistët e së nesërmes 2017’ (FOTO)

Gili Hoxhaj

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ka bërë mbrëmë hapjen e ekspozitës së finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes 2017”, e cila erdhi e kuruar nga Vala Osmani dhe Albert Heta, shkruan KultPlus.

Veprat e finalistëve Meriton Maloku, Enesa Xheladini dhe Jetullah Sylejmani, mbrëmë zunë vend në Klubin e Boksit në kryeqytet. Brenda mureve të vjetra të kësaj hapësire, veprat e tyre shprehnin një frymë bashkëkohore të artit.

Përgjatë korridorit jo dhe aq të gjatë në hyrje të kësaj ndërtese, vërehej një derë që hapej e mbyllej duke zbuluar kështu disa nga veprat e finalistit të parë, Meriton Malokut. Një mini-dhomë brenda mbante shumë dhoma të tjera, që vinin përmes pikturave të tij dhe pasqyronin vizionin e ndërthurjes së tematikave më aktuale të përditshmërisë. Këto piktura nuk ngjajnë në një madhësi strikte me njëra-tjetrën dhe pse në esencë përmbajnë të njëjtin koncept. Ai këtë punë e ka ndarë në dy pjesë, në dhoma dhe portrete.

“Koncepti është pak më i gjatë por teknikisht puna ndahet në dy pjesë, janë punë brenda dhe ajo jashtë. Jashtë kësaj dhome, e kam dizajnuar dhe punuar këtë dhomë këtu në hapësirë për t’iu përshtatur pjesës së jashtme. Është njëfarë zvogëlimi i dhomës dhe ndahet në dy pjesë: janë dhomat dhe janë portretet. Dhomat janë përsëritje të dhomave, dhomë në një dhomë. Në secilën janë një portret, një personazh që shfaqet por realisht nuk ka dritare në to. Ka lojë, përzgjedhje vizuale me balancu atë ndjenjën, ka absurditet. Mandej është përballja me portretin jashtë që shihet prej këtu e që rrin subtil dhe kush don e sheh, kush nuk don s’e sheh”, tha Maloku për KultPlus.

Në hapësirën më të madhe të Klubit të Boksit, sytë e të pranishmëve parakalonin para dy pikturave me një madhësi më të madhe, e që ishin ekspozim i punës së Jetullah Sylejmanit. Veprën e tij artisti e ka titulluar “Socekpresionizm” dhe ishte kolazh me pjesë të pikturave soc-realiste, përmes të cilave ai hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuale.

“Në mesin e problemeve që mundohem t’i trajtoj unë është edhe problemi i socrealizmit, që ka qenë një art zyrtar i shteteve komuniste dhe i cili nuk u ka dhënë hapësirë artistëve që të punojnë jashtë këtij drejtimi, do të thotë nuk kanë pasur mundësi të punojnë në të gjitha drejtimet e artit të shekullit njëzet, siç është shembull ekspresionizmi, kubizmi etj. Kështu unë marr disa segmente, pjesë e copëza të veprave dhe mundohem të krijoj një vepër të frymës bashkëkohore, siç është ekspresionizmi”, tha Jetullah Sylejmani për KultPlus.

Në një mënyrë tejet të veçantë shfaqet edhe puna e arkitektes Enesa Xheladini. Vepra e saj e titulluar ‘…vijë, pikë, çarje!’, vjen e shtrirë përmes vizatimeve në fletore, ndërsa ajo që e ka intriguar në këto vepra është përkthimi i një imazhi minimal dy dimensional në një ndjenjë të caktuar.

“Konceptet e mia janë multidimensionale prandaj edhe po i quaj koncepte dhe jo vizatime sepse mund të përkthehen në forma të ndryshme: për shembull mund të përkthehet në skulptura me përmasa monumentale, apo në dizajn të bizhuterive apo dizajn të produksionit, shembull ndriçimet etj. Mund të përdoren sepse këto janë vetëm koncepte. Si të vizatohet muzika, frymëmarrja, ndjenja të cilat përjetohen nuk shihen, kjo ka qenë si sfidë si të përkthehen në vizatime diçka që është e brendshme, veç ndjenjë”, tregoi Enesa Xheladini për KultPlus.

Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur deri më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi, në Klubin e Boksit në kryeqytet./ KultPlus.com

Laika, qenushja që shkoi në gjithësi para 60-të vitesh (VIDEO)

Laika, qeni tre vjeçar, është kafsha e parë që e ka vizituar gjithësinë me datë 3 nëntor 1957.

Para se të arrinte famën botërore, qeni të cilin po e sjellim sot ishte një tjetër kafshë e zakonshme në rrugët e Moskës.

Qenushja ka ndërruar jetë gjatë fluturimit të Sputnik 2, pasi bateritë që e mbanin në jetë u harxhuan, shkruan KultPlus.

Në prill të vitit 2008, u zbulua edhe një monument kushtuar Laikas. Laika megjithatë e ndihmoi dhe e lehtësoi rrugën që më pas edhe njeriu të shkonte në orbitë. Atë e trajnoi biologu 90-të vjeçar, Adilya Kotovskaya.

Laika ishte gjysmë husky, në racën Mongrel, ndërsa ishte një sukses i madh i sovietëve. Laika para se ti hynte misionit ishte trajnuar për të mbijetuar në hapësira të vogla dhe duke ngrënë ushqime të destinuara për udhëtimin e saj. / KultPlus.com

Rita Ora, e ftuar speciale në X Factor në Angli

Këngëtarja shqiptare Rita Ora, të dielën do të jetë e ftuar në spektaklin e njohur X Factor UK 2017, në Angli.

Ora do të performojë disa prej këngëve të saj. Së fundmi, Rita ka sjellë projektin “Anywhere” dhe këngën “Your Song”, të dyja suksese absolute në industrinë e muzikës, shkruan KultPlus.

Momentalisht po mbahet edicioni i 14-të i X Factor në Angli, ndërsa në juri vazhdojnë të jenë Simon Cowell, Sharon Osbourne, Louis Walsh dhe Nicole Scherzinger.

Kjo është java e tretë e këtij sezoni, ndërsa spektakli shfaqet çdo të shtune dhe të diele. / KultPlus.com

Këngët e nostalgjisë nga Iliriana Loxha (VIDEO)

Iliriana Loxha ka kohë që nuk është aktive në botën e muzikës.

Ajo nuk mund të jetojë pa artin, por kësaj radhe larg muzikës. Megjithatë dikur, Iliriana ishte një këngëtare e njohur dhe kishte paraqitje të shumta në kasetat e produksioneve muzikore vendore.

“Kazabllanka” është një këngë e Ilirianës e kënduar në një prej edicioneve të Produksionit “Labia”.

“Nënat shqiptare” është një tjetër këngë e Ilirianës. Ajo ka zgjedhur të jetë aktualisht një kostumografe e njohur, e cila madje ka pasur paraqitjet e saj në këtë profesion edhe në Karnavalin e Korçës.

https://www.youtube.com/watch?v=mCIVHHBu-8c

Ajo mes tjerash ka krijuar kostumet edhe për shfaqjen “Ferma e Kafshëve” në Shqipëri, ndërsa ka punuar edhe në spektaklin “Portokalli”. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=iYMxYaaCAuE

Marrin pasaporta shqiptare zëvendësministrat kosovarë në Qeverinë Rama

Tre muaj pasi u caktuan zëvendësministrat e qeverisë Rama, tre shqiptarët të Kosovës kanë marrë zyrtarisht shtetësinë shqiptare këtë të premte.

Presidenti Ilir Meta dekretoi shtetësinë shqiptare për Besa Shahini, Hajrulla Çekun dhe Valbona Shujaku.

Valbona Shujaku është Zëvendës Kryeministre e Kulturës. Ajo ka qenë Drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Hajrulla Çeku është Zëvendës Kryeministër i Mjedisit dhe Turizmit. Ai dikur ishte drejtor i organizatës “Ec Ma Ndryshe” në Kosovë.

Besa Shahini do të jetë Zëvendës Kryeministre për Arsimin. Ajo është analiste dhe dijetare e çështjeve të Integrimit Evropian dhe politikave të arsimit. / KultPlus.com

Ilire Zajmi dhe Sibel Halimi, pjesë e antologjisë në Konferencën e Grave Frankofone

Të dyja shkrimtaret nga Kosova tanimë janë përkthyer në frëngjisht, në mesin e 42 teksteve të tjera në një antologji të autoreve femra nga Evropa.

Poezitë e Sibel Halimit dhe tregimi i Ilire Zajmit kanë gjetur vendin e tyre, përkthyer në gjuhën e Balzakut e Volterit, në antologjinë që u promovua në Rumani.

“Bëhet fjalë për 21 poema dhe 21 tregime që janë përfshirë në antologjinë e cila u paraqit në Konferencën e Grave Frankofone, me datë 1 e 2 nëntor në Rumani. Unë dhe Sibeli e përfaqësojmë Kosovën në këtë antologji” tregon shkrimtarja Ilire Zajmi.

Për të, është hera e parë që përfshihet me një tregim në një vëllim të tillë, që ka për tematikë rrëfimet e grave.
Sibel Halimi vjen në këtë antologji me përkthimin në frëngjisht të poezive “Copë”, “Tjetra e vërtetë” dhe “Hera”, shkruan KultPlus.

Manjola Brahaj dhe Belfjore Qosje janë autoret nga Shqipëria që janë përfshirë në këtë antologji.

Kjo antologji është e para në serinë e disa të tjerave që do të publikohen e botohen nga CEREFREA Francophonie and Human Rights. / KultPlus.com

Gratë shqiptare dhe serbe tregojnë copëza të jetës në dokumentarin ‘Kismet’ (VIDEO)

Është një tregim për gratë nga Shqipëria e Serbia, i realizuar nga gra shqiptare e serbe të cilat besojnë se parakusht për progres e për paqe është bashkëpunimi i të rinjve dhe barazia gjinore.

Këto janë dy elemente kryesore të dokumentarit “Kismet”, shkruan KultPlus.

“Kismet” është një tregim për gratë e reja nga Shqipëria dhe Serbia i realizuar prej grave të reja nga Shqipëria dhe Serbia. Ky dokumentar i shkurtër zhytet në jetët e tetë grave të reja nga mjedise dhe përvoja të ndryshme por që të gjitha jetojnë akoma në sisteme mbizotëruese patriarkale. Filmi luan midis zonave urbane dhe rurale të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërmjet tradicionales dhe digjitales, ndërmjet presioneve dhe inovacioneve, tregimeve të vjetra dhe shanseve të reja, duke pyetur – sa të ngjashëm jemi ne në dallimet tona?

Pse një serb do të dëshironte të mësonte gjuhen shqipe? Pse një shqiptar do të martohej me një serb? Kush është “armik” dhe kush është “mik”? A mund të forcohen urat ndërmjet dy vendeve nga gratë e reja duke luajtur futboll bashkë apo nga disa bashkëpunime entuziaste në Wikipedia?

Cilat janë zgjidhjet për sfidat e njejta? A duhet që gratë e reja ta pranojnë “kismetin” e tyre të supozuar apo “ato mund jenë luftaraket e forta” duke inkurajuar dialogun në rajonin e trazuar?

Dokumentari është prodhuar në kuadër të projektit “Gratë e Shqipërisë dhe Serbisë: Ne mundemi!”, implementuar nga OJF Bashkë-Bashkë, Qendra për Ekuilibrin Social, Qendra Rinore Brus nga Serbia, New Vision nga Shqipëria, brenda platformës së “Humans of Albania and Serbia” (www.youthhumans.net), mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Serbi në partneritet me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Ministrinë Serbe të Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe në Shqipëri, Shërbimin Kombëtar për Rininë në Shqipëri dhe Këshillin Kombëtar Rinor të Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të projektit “Rritja e bashkëpunimit rajonal ndërmjet aktorëve të rinj Serbë dhe Shqiptarë”.

Projekti mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës.

Dokumentari është transmetuar paraprakisht edhe në Serbi dhe në Kosovë. / KultPlus.com

“Disa njerëz në jetën tonë vijnë si bekime. Disa të tjerë si mësime”

“Paqja fillon me një buzëqeshje.”

“Skamja më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenurit i padashur për të tjerët.”

“Uria për dashuri është shumë e vërshtirë të hiqet se sa uria për bukë.”

“Puna pa dashuri është skllavëri.”

“Nëse lutemi ne do të besojmë; Nëse besojmë ne do të duam; Nëse duam ne do të shërbejmë.”

“Dashuria e fort nuk mat. Ajo vetëm jep.”

“Njëra ndër sëmundjet më të mëdha është të jesh askush tek çdokush.”

“Disa njerëz në jetën tonë vijn si bekime. Disa të tjerë si mësime.”

“Mos mendoni se dashuria, për të qenë e vërtetë duhet të jetë e veçantë. Ajo që kemi nevojë është të dashurojmë pa u lodhur.”

“E kam zbuluar një paradoks se nëse unë dashuroj deri në dhimbje, atëherë më nuk mbetet dhimbje por vetëm dashuri.”

Radhë e gjatë për bileta për Baletin e Zagrebit (VIDEO)

Në Zagreb, dje ka ndodhur diçka që mediet lokale e kanë quajtur sensacion dhe ngjarje e paparë më herët.

Një radhë njerëzish ka pritur për të blerë bileta për Balet. Jashtë Teatrit Kombëtar të Kroacisë, qytetarët duket se janë shumë të interesuar ta shohin performancën e Orasar Ballet.

Rendi i njerëzve ishte aq i gjatë saqë u shitën biletat për të gjitha nëntë reprizat e këtij baleti.

Balleti Orasar (The Nutcracker) është shndërruar në një prej pikave të baletit më të shikuarat dhe pëlqyerat në botë. Muzika e Tchaikovskyt është përzier gjithmonë bukur me performancën e baletit rus, derisa ai është shpërndarë më pas në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Libretoja është adaptuar nga tregimi i E.T.A Hoffman dhe nga tregimi i Alexandre Dumas.

Tomislav Petranovic – një balerin kroat, thotë se është i lumtur që ka një interesim të madh të qytetarëve të Zagrebit për ta parë baletin. / KultPlus.com

“Martesa”, drama e marrëdhënies së fuqishme shkon në Estoni (FOTO)

Filmi “Martesa” me regji nga Blerta Zeqiri, do të shfaqet në Tallin me datë 28 nëntor.

Salla numër 3 e Apollo Cinema Solaris në Tallin të Estonisë nga ora 18:00 mirëpret filmin nga Kosova, me Alban Ukajn, Adriana Matoshin dhe Genc Salihun në rolet kryesore.

Derisa kanë dalë edhe fotografitë e para të filmit, një kritikë në webfaqen e festivalit PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival e quan filmin të fuqishëm dhe një tregim kosovar që lidhet me jetën e komunitetit LGBT- gej, lezbik, transgjinor e biseksual, shkruan KultPlus.

“Filmi ‘Martesa’ është filmi debutues i metrazhit të gjatë i regjisores Blerta Zeqiri. Bekimi dhe Anita gjenden në një ngjarje të dhimbshme ku janë gjetur mbetje nga varrezat masive. Prindërit e Anitës janë të zhdukur, dhe çifti është gati për martesë. Çifti, i kthyer në Prishtinë, e takon Nolin, muzikantin që jeton në Francë. Ai ka qenë shoku i ngushtë i Bekimit, ndërsa ata nuk e kanë parë njëri-tjetrin për dy vite” shkruhet mes tjerash në kritikën e Vassilis Economou.

“Pos meritave dramatike dhe veçantisë së temës së trajtimit, filmi na sjellë një dimension social dhe një perspektivë të kinemasë që ka nevojë për më shumë eksplorim” vazhdon kritika.

“Martesa” është pjesë e këtij festivali, në kategorinë e filmave konkurrues të metrazhit të gjatë. Producent i filmit është Kreshnik Keka Berisha. Një pjesë e mirë e ekipit do të jetë e pranishme në premierën botërore të filmit. / KultPlus.com

Arban Abrashi premton ndërtimin e Muzeut Memorial

Një prej dy kandidatëve për të parin e Prishtinës, Arban Abrashi, ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook se me ardhjen e tij si kryetar do të iniciohet ndërtimi i Muzeut Memorial.

Muzeu do të fokusohej në periudhën 1989-1999.

“Përjetësimi i kujtesës kolektive të periudhës 1989-1999 me anë të Muzeut memorial të cilin do ta ndërtojmë e i cili do të mbledhë, regjistrojë e prezantojë ngjarjet e kësaj periudhe me anë të fotografive, relikteve, videoxhirimeve etj. Kështu do t’i kontribuojmë historisë por edhe turizmit në Prishtinë” ka shkruar Abrashi në postimin e tij në Facebook.

Kjo duket të jetë edhe njëra prej pikave të programit për Prishtinën, nga Abrashi dhe ekipi i tij punues, shkruan KultPlus.

Në anën tjetër, një ide për një Muze të tillë shumë vite më parë e pati dhënë një organizatë joqeveritare në Kosovë.

Raba Gjoshi, një aktiviste për të drejtat e njeriut, ka qenë ndër të parat që e ka dhënë këtë ide, më pas e përkrahur edhe nga YIHR – Nisma për të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Dhe kjo ide është prezantuar në vitin 2012-të, pikërisht kur në Komunën e Prishtinës ishte kryetar Isa Mustafa, nga e njëjta parti me Arban Abrashin.

Komente të ndryshme në rrjetet sociale kanë ardhur edhe nga ideatorët dhe ata që dëshirojnë t`ia kujtojnë Abrashit se ideja është e kamotshme për qeverisjet e mëtutjeshme nuk kanë bërë asgjë konkrete për ndërtimin e një Muzeu të tillë. / KultPlus.com

U bëfsha

Poezi e shkruar nga Medina Pasoma.

U bëfsha pluhur nën këmbët e tua
Kënga që këndon çdo mëngjes
Vargu kryesor, në fakt titulli i poezisë
Teli në kitarën tënde
Djegia dhe shërimi yt shpirtëror
Uragani dhe vullkani i zemrës
Lule e pranverës për plagët e stinëve
U bëfsha mendimi yt natën vonë
Qëndrimi, puna, ecja jote ditën
Suksesi dhe dështimi yt
U bëfsha ndaç valë, ndaç det për ty
Zog i pafundësisë për qenien tënde
Ikja nga lodhështitë e botës
Mal që me tërë fuqinë aty ti ngrit zërin
U bëfsha ndaç rruga, ndaç bashkëudhëtari
Rruga më e gjatë për ecjet e tua
Ose qëllimi jetësor ose misteri i vdekjes
Ndaç emri, ndaç kuptimi i dashurisë
Vetëm një gjë u bëfsha ndaç, e përjetshmja…

“Si mund madje vetëm ta mendosh dominimin mbi personin që e dashuron?”

“Dominimi është një lloj urrejtje, inati, armiqësi. Si mund madje vetëm ta mendosh dominimin mbi personin që e dashuron? Ju do të donit ta shihnit plotësisht të lirë dhe të pavarur personin që e dashuroni; ju do t’i jepni atij më shumë individualitet.
Kjo është arsyeja që dashurinë unë e quaj si paradoksin më të madh: Ata janë aq të bashkuar sa që gati janë një, por prap edhe ne atë bashkimin e vetë ata janë individë. Individualitetet e tyre nuk zhduken, përkundrazi ato vetëm zgjerohen.”
– Osho

Kjo është Kleofina Pnishi, kosovarja në garën për Miss Franca 2018 (FOTO)

Janë zbuluar kësisoj të gjitha vajzat konkurrente për spektaklin e bukurisë Miss Franca.

Më të bukurat e Francës, 30-të vajza nga qytete të ndryshme të Francës, tanimë janë në garë për promovimin e tyre dhe kësisoj për të marrë votën e publikut, shkruan KultPlus.

Në mesin e kandidateve është edhe shqiptarja Kleofina Pnishi – Miss Provence. Ajo madje është një ndër katër favoritet për ta fituar garën, bashkë me Miss Afrikën e Jugut, Miss Bordeaux dhe Miss Cote d`Azur.

Pnishi është 23 vjeçare, 1.70 e gjatë ndërsa ka fituar me 29 korrik të këtij viti titullin e më të bukurës në Miss Provence.

“Ka qenë ëndërr e imja ta përfaqësoj Provence në këtë konkurs bukurie. Ta fitoj titullin e më të bukurës në Francë do të mi hapte dyert për më tutje” tregon Pnishi për CNEWSMatin.

Ajo ka një interes për gazetarinë pasi edhe e ka studiuar këtë fushë. Rreth 50 mijë persona e përcjellin atë në rrjetin social Instagram ndërsa është edhe e pëlqyer në Facebook, në mesin e vajzave tjera që konkurrojnë.

Pnishi ka luajtur edhe disa role në projekte filmike, përfshirë Plus belle la vie, Le mystère du Lac dhe Meurtres au Mont Ventoux.

Spektakli do të mbahet me 16 dhjetor në podiumin e Châteauroux. / KultPlus.com

Kosova e Franca forcojnë bashkëpunimin në kulturë, rini, trashëgimi e sport

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në një takim njohës ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Ministri e ambasadori kanë biseduar për çështje të interesit të përbashkët, raportet ndërmjet dy vendeve dhe nevojën që bashkëpunimet të thellohen, duke përmendur fushat specifike që mbulon ministria dhe një komunikim më aktiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Francës, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe profesionistëve të fushave të caktuara.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin Chabert për vizitën, e përmes tij popullin dhe Republikën e Francës për kontributin dhe ndihmën që ka dhënë shteti francez për shtetndërtimin e Kosovës, e në veçanti në përkrahjen e projekteve dhe bashkëpunimit me ministrinë.

Ndërsa ambasadori Chabert e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe i uroi për detyrën dhe përgjegjësinë që ka marrë për ta udhëhequr ministrinë.

Ai e rinkonfirmoi qëndrimin e shtetit francez se do të vazhdojë bashkëpunimin shtetin e Kosovës, sidomos me MKRS-në dhe se ka vullnet e mundësi që ky bashkëpunim mes dy vendeve të zgjerohet edhe më tej.

Ambasadori Chabert u pajtua që Franca të jetë pjesë e disa aktivitete kulturore në kuadër të shënimit të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës vitin që vjen. / KultPlus.com

“Shqipëria më inspiron të bëj vepra bamirësie, është vendi i Nënë Terezës”

Fituesja e Miss Globe, Dimple Patel, ka ardhur në Shqipëri.

Bukuroshja nga India, e cila mban deri të premtën kurorën e miss-it, përveç bukurisë ka edhe një dëshirë të madhe për të bërë vepra bamirësie.

Sipas saj, Shqipëria është një vend i cili e inspiron të bëjë bamirësi pasi në Indi ajo ka bërë shumë të tilla. India, sipas saj, është vend i bukur por ku shumë njerëz janë në nevojë për ndihmë.

Shqipëria është vendi ku lindi Nënë Tereza e ndërsa India vendi ku ajo jetoi, ndaj edhe Dimple ndihet e lidhur shpirtërisht me Shqipërinë.

Ditën e premte në Tiranë zhvillohet “Miss Globe 2017”, ku Dimple do i dorëzojë kurorën vajzës që do të shpallet fituesja e këtij edicioni. / KultPlus.com

Dua Lipa flet për Rita Orën, ja çka thotë për prejardhjen e tyre shqiptare

Dua Lipa dhe Rita Ora kanë të njëjtën histori.

Të dyja janë rritur në Londër, po zhvillojnë karrierë ndërkombëtare në muzikë dhe kanë prejardhje nga Kosova.

Ato shpeshherë kanë marrë pjesë në koncerte dhe ngjarje të njëjta, mirëpo asnjëherë nuk janë parë së bashku, të paktën as për një foto.

Së fundmi, Dua Lipa ka vendosur të flasë rreth asaj se çka mendon për Ritën.

Në një intervistë për ES Magazine, Dua është pyetur se a ka shoqëri më Ritën.

Siç shkruan revista, Dua është përgjigjur me edukatë se “Prindërit tanë njihen, dhe unë e njoh pak a shumë motrën e saj, por unë e njoh atë vetëm përmes muzikës”. / KultPlus.com

“Çfarë është atdheu për ju?” – Përgjigjet e disa nxënësve shqiptarë

Doni të dini çfarë është atdheu për fëmijët tanë? Një mësues në një shkollë të Beratit pyeti nxënësit dhe përgjigjet e tyre i postoi në Facebook.

Ky është mësuesi Namir Lapardhaja, i cili njëherësh është dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Beratit.

Kushtojini dy minuta kohë t’i lexoni dhe do shikoni se mes tyre ka sa optimizëm, krenari por dhe pesimizëm dhe dëshirë për të ikur drejt një vendi tjetër.

Pergjigjet nxënësve të mësuesit Namir Lapardhaja

“Çfare eshte atdheu per ju?” – pyeta sot nxenesit e mi. – pyeta sot nxenesit e mi.

Silvana: Atdheu eshte djepi i lindjes, shtepia e arritjes dhe varri i te vdekurit.

Ersjona: N.q.s do te kisha pasur fatin te lindja dhe te jetoja ne nje vend tjeter brenda apo jashte kufijve evropiane, atehere mund te thoja se atdheu eshte gjithçka, por, meqe kam pasur fatin e keq te lindja ne Shqiperi, atehere po them se atdheu per mua eshte nje cope toke ku jam detyruar te jetoj dhe te punoj fort per t’u larguar sa me shpejt prej tij.

Thanas: Atdheu eshte shtepia jone, identiteti yne. Ai na jep emrin shqiptar. Pavaresisht te mirave dhe te keqiave, atdheun ta duam dhe te kontribuojme sado pak me punen tone. Çdo gje e mire eshte kontribut ndaj vendit ku jetojme.

Pa emer: Atdheu per mua eshte t’i hipesh kamjoneve per ne Angli ose maleve per ne Greqi. (P:S – Me pak fjale, vertet eshte atdheu vendi ku kemi lindur, por nuk eshte vendi ku do jetoja)

Renato: Atdheu eshte per mua vendi i cili fatkeqesisht na e ka dhuruar Zoti por jemi te detyruar dhe me nje fare menyre kemi nje deshire te brendshme per te kur luan kombetarja (Nuk jam ironik!)

Ilva: Per mua atdheu eshte vendi ne te cilin veshtiresi te ndryshme na detyrojne te jetojme.

Megi: Atdheu eshte toka ku ne kemi lindur, ku flasim te njejten gjuhe dhe vendi ku nuk duam te jetojme.

Anxhelina: Atdheu im per mua eshte vendi qe nuk dua te nderroj me asnje tjeter. Pasi nuk ke per te gjetur asnje si vendi yt.

Pa emer: Vendi me i mallkuar per ne.

Pa emer: Atdheu eshte vendi ku ne lindim, jetojme dhe vdesim.

Pa emer: Atdheu eshte origjina jone.

Andrea: Atdheu eshte gjeja me e shtrenjte qe une kam.

Vasil: Atdheu yne eshte vendi ku askush nuk do te donte te jetonte. Thjesht mjerim.

Olgert: Atdheu eshte nje cope toke ku te gjithe perreth flasin gjuhen qe flet ti.

Komenteve poshtë postimit të tij mësuesi u përgjigj

“Ka pasur shume reagime sot per kete postim. Ne gjykimin tim te gjitha pergjigjet e nxenesve nga fillimi ne fund kane qene, mbi te gjitha, inteligjente dhe te zgjuara. Pavaresisht se çdokush i ka lexuar dhe ka marre prej tyre vetem ate pjese qe i ka interesuar. Qellimi ka qene per te treguar se pikerisht kjo moshe, edhe pse ndonjehere nuk e kuptojme aftesine e tyre perceptuese, eshte e afte ta lexoje drejt realitetin e atdheut. Pyetja ka qene shume spontane, po ashtu edhe pergjigjet. Gjithçka eshte bere ne harkun e pak minutave dhe, pasi jam entuziazmuar nga pergjigjet e tyre, vendosa t’i publikoja. Personalisht nuk hyj te ata mesues qe i detyroj nxenesit te mendojne ne nje menyre ose ne nje tjeter. Perkundrazi, mendimi i tyre eshte shume i vlefshem dhe i vyer, aq më teper kur kemi te bejme me nxenes te tillw inteligjente. Sot nuk u kam thene se cka eshte atdheu per mua. Kam marre pwrgjigjet e tyre dhe kaq.
Neser po… Ndofta do t’u zbuloje nje pjese nga atdheu…im

Dedikuar çdo gruaje që këndimin e pati në zemër, por nuk u dëgjua kurrë…

Poezi e shkruar nga Gylymser Hoxhaj.

Një loke që s’këndoi
Sa kam dashtë mos me hesht për ty,
Kur edhe vetës ia ulje shikimin se këtu ishte tepër vonë më i nxan lindjet e diellit.

Në kullën tande, guri ka mbet më i ftohtë se uji i kroit që s’ma shun etjen e mallit që të dëgjoj kangën tande.
Një dërrasë e kalbur mi përfytyron hapat e lehtë të vallëzimit tënd, kur në oborr binte terri.
Me ato dërrasa ndërtoje urën e fëmijërisë time.

Në atë kullë janë ringjallur rrënjët tua, e kanë marrë udhë meloditë e huaja.
Nga ti rridhte kënga e parë në djepin e fëmijëve.
Zëri yt i mbyllur në dhomën e ftohtë, i qetësonte dhe degët në erë
Por ti kurrë nuk e vallëzove melodinë e shpirtit tënd,
as nuk këndove kurrë, pas ninullave me gjysmë zëri.

Sa shpesh e kam nis vallen e lutjeve për ty, e sa vështirë e kam shu zjarrin e mallkimeve që t’i përshpërisnin.
Aty,
mbi kokën tande varun rrinte pushka,
e nën jastakun tand prehej urtësia e një gruaje që dinte të këndoj,
por që në kullë zëri i saj s’dëgjohej as kur rënkonte nga dhimbja.

Mbi atë gur nise tregimin e andrrës tande, kur fëmijët luteshin vetëm për një këngë.
Pa zërin tënd s’na flihej,
E ty të buzëqeshte fytyra, derisa në bërryl të dorës të mposhte frika.

Kur këndoje,
Ti mendoje se më bukur nuk bëhet në këtë vend,
më bukur nuk u bë më kurrë pa ty.

(Dedikuar çdo gruaje që këndimin e pati në zemër, por nuk u dëgjua kurrë për shkak se zëri dhe kënga e tyre ishte turp për kohën dhe shoqërinë në të cilën jetonin. Shumë prej tyre kanë ikur nga kjo botë pa e çuar as edhe një këngë deri në fund dhe disa ende jetojnë të strukura nën hijen e paragjykimit.)

Në Belgjikë, ligjëratë nga Alketa Xhafa Mripa dhe fustane të tjera kundër dhunës seksuale

Me datë 14 nëntor, në Belgjikë artistja Alketa Xhafa Mripa është ftuar të flasë në javën e artit “Një javë të luftojmë dhunimin”.

Java në fjalë organizohet nga 13-16 nëntor nga Grr-Rape Project dhe VLERA – organizatë e studentëve shqiptarë në Bruksel.

Përpos ligjëratës, gratë dhe burrat që dëshirojnë të dhurojnë fustane e që jetojnë në Bruksel, janë të lirë të ofrojnë fustane në mënyrë që të krijohet një instalacion gati i njëjtë me “Thinking of You” në Stadiumin e qytetit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gjithçka do të ndodhë në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikte të ndryshme. Arti mund të shërbejë si përgjigje ndaj dhunës seksuale në kohë lufte, dhe kjo Javë synon të flasë pikërisht mbi këtë, mbi dhunimin si një metodë e cila përdoret në luftë por edhe dëmtohet prej stigmës shoqërore që i është vënë mbi.

Xhafa është artiste e disa mediumeve artistike, përfshirë instalacionin, performancën, fotografinë, vizatimet dhe videon. Puna e saj është ekspozuar në Firence, Lisbonë, Berlin, Londër e Prishtinë. / KultPlus.com

Fotografi të veçanta nga aksioni i pajtimit të gjaqeve

Poshtë gjeni disa foto të rralla nga aksioni i pajtimit të gjaqeve në Kosovë, në fillim të viteve 90’ta.

Në fotografi shihen prijës fetarë, kreu i këtij aksioni, Anton Çetta, shkrimtari i njohur Ramiz Kelmendi, Akademik Mark Krasniqi, dhe pleqnari nga Drenica Mujë Loshi.

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se Kryetar u zgjodh dr.Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun. / KultPlus.com

Çfarë duan gratë?

Poezi e shkruar nga KIM ADDONIZIO.

Si grua dua një fustan të kuq.
E dua të ëndërruar dhe me çmim të lirë,
e dua ngjitur për trupit, dua ta vesh
derisa dikush të ma shqyejë.
E dua pa krahë, kurriz zbuluar, askush
mos të bjerë në hall çfarë fshihet poshtë.
Dua të lëshohem në rrugën zhurmëmadhe
ku shkëlqejnë drynat e qepenave,
të kaloj çiftin Uong që afron një shoqërues
të traditës në filxhanin e kafes,
të kaloj para biznesit të vëllezërve Guerra
që shkarkojnë derrat në kamionçina
duke rrëshqitur feçkat e lëmuara mbi shpatulla.
Dua të ec sikur jam e vetmja grua në planet
dhe mund të kem zgjedhjen time.
E dua marrëzisht fustanin e kuq.
E dua atë të vërtetoj sa frikë më keni,
t`u tregoj se sa pak më interesoni ju
apo çdo gjë tjetër, përjashtuar atë që dua.
Kur ta gjej
do ta heq këtë veshje nga varësja e vet
sikur po zgjedh një trup të më mbajë brenda botes,
përmes britmave të lindjes
dhe orgazmave të dashurisë gjithashtu,
do ta bëj një me trupin si kockat, si lëkurën,
do të jetë ai fustani i mallkuar
brenda të cilit ata më varrosin mua.

Shqipëroi Sinan Kërpaçi (Janar 2014)

Edhe Dustin Hoffman akuzohet për ngacmim seksual

Ka nisur në Hollivud një valë e skandaleve ku aktorët e njohur dalin të jenë ngacmues seksualë.

I radhës është Dustin Hoffman. Ai po akuzohet se ka ngacmuar seksualisht Anna Graham Hunter, shkrimtare.
Anna Graham Hunter thotë se gjatë xhirimit të filmit Death of a Salesman në vitin 1985, aktori i njohur e ka ngacmuar por edhe ka hyrë në një bisedë erotike dhe të pahijshme me të.

“Më ka prekur në vendet intime, ka flirtuar me mua, ka folur për marrëdhënie seksuale edhe kur kemi qenë bashkë në tryezë. Kam qenë pa fjalë, kam përfunduar duke qarë” tregon shkrimtarja për Hollywood Reporter.

Hoffman ka kërkuar falje nëse e ka lënduar shkrimtaren dhe aktoren me fjalë, vite më parë, duke thënë se gjestet e tij në atë kohë nuk reflektojnë mbi personalitetin e tij, shkruan KultPlus.

“Ai ishte një grabitqar, ndërsa unë isha preja e tij, një fëmijë për të” ka shtuar aktorja dhe shkrimtarja, dukshëm e indinjuar pasi e ka mbajtur për shumë kohë të fshehtë ngjarjen.

Javëve të fundit, Kevin Spacey, James Toback dhe Harvey Weinstein kanë qenë pjesë e skandaleve me ngacmime seksuale. / KultPlus.com