Ka vdekur Montserrat Caballé, zëri i njohur i hitit ‘Barcelona’

Ka ndërruar jetë sopranoja e njohur spanjolle Montserrat Caballe.

Në moshën 85 vjeçare ajo ka ndërruar jetë sot në mëngjes. Montserrat ka rreth 50 vite në skenë dhe turne në mbarë botën.

Një prej këngëve të saj më të veçanta është “Barcelona” në bashkëpunim me Freddie Mercuryn.

https://www.youtube.com/watch?v=o8Eg-mWdDLc

Këngëtarja kishte kohë që vuante nga një sëmundje. Ajo konsiderohet si një prej divave më të mëdha të muzikës në botë.

Ka dy fëmijë nga martesa me tenorin spanjoll Bernabe Marti. / KultPlus.com

Profesori në Podujevë rrah brutalisht një nxënës

Sabit Kopalla, profesor në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, ka rrahur në mënyrë brutale një nxënës të shkollës së tij, raporton Llapi.info.

Sipas dëshmitarëve të cilët ekskluzivisht kanë dërguar videon në redaksinë e portalit Llapi.info kanë thënë se rrahja ka ndodhur në shkollën “Ibrahim Rugova” në të cilët gjenden disa paralele të ndara të gjimnazit.

Videon mund ta shihni KËTU.

Piktorja e cila ndihmoi të çlirohej trupi i gruas

Tamara de Lempicka, një piktore e njohur polake, është e veçantë në artin e saj të bukur.

Një pikturë e vitit 1923, “Les Deux Amies” tregon hyjninë e trupave të grave.

Tamara njihet për pikturat e saj ‘hijerënda’ dhe për Art Deco portretet e aristokratëve dhe njerëzve të pasur.

Fanse e kësaj piktoreje është Madonna, e cila ka blerë disa piktura të saj. Edhe Barbra Streisand dhe Jack Nicholson kanë piktura nga ajo.

Tamara ka lindur në vitin 1898 në Poloni, ndërsa më pas u shpërngul për në Rusi dhe vazhdoi për në Paris. Ajo ishte biseksuale, dashuronte burrat dhe gratë dhe njihej për stilin e veçantë të aferave të ndryshme brenda shoqërisë së lartë franceze.

Në vitin 1929 ajo realizoi pikturën “Autoportrait, Tamara në një bugati të gjelbër” që më pas doli në ballinën e revistës gjermane Die Dame.

Pikturat e saj kanë ndihmuar shumë në fuqizimin e seksualitetit të gruas, pasi një pjesë e punëve të saj e paraqesin gruan të zhveshur dhe të kënaqur me pamjen e saj dhe me pjesët e trupit, kjo në një kohë kur trupi mbështetej më shumë në fshehje sesa në zbulim.

Tamara vdiq në vitin 1980 në Meksikë. / KultPlus.com

Dalin pamjet e sherrit me të cilin po lidhet emri i Elvana Gjatës

Konflikti që kulmoi mbrëmjen e 4 tetorit me përplasjen me armë në një lokal në zonën e ish-Bllokut ka nisur rreth 6 ditë më parë në një tjetër lokal.

Pamjet e kamerave të sigurisë, tregojnë sherrin e ndodhur atë ditë, ku shihet qartësisht përplasja me grushte dhe sende të forta.

Megjithëse nuk duket qartë fytyrat e tyre, ajo që shihet qartësisht përplasja me grushte dhe karrige. Sherri ka zgjatur për pak sekonda dhe më pas, agresorët dalin nga kuadri i kamerës.

Konflikti siç dihet ka ndodhur për shkak të këngëtares Elvana Gjata, e cila ndodhej në lokale me partnerin e saj dhe persona të tjerë. / KultPlus.com

Nisin ofendimet dhe sharjet për Elvana Gjatën

Prej kur doli lajmi se Elvana Gjata në një mënyrë apo tjetrën është përfshirë në një vrasje në Tiranë, duket se kanë nisur akuzat dhe ofendimet ndaj këngëtares.

Edhepse shumë pak njerëz e kanë të qartë idenë çfare realisht ka ndodhur, këngëtarja menjëherë është shndërruar në një cak të ofendimeve e komenteve.

Në fotografinë e fundit të postuar me 27 shtator, disa ditë para se të ndodhte ngjarja në fjalë, Elvanës i janë rikthyer komentet.

“Ca tgjeti kshu ? Cfar ishte ky sherr ..e kjo.tragjedi qe ndodhi ne prezencen tende ? Me erdhi keq se jeni figur e njohur publike” është një prej komenteve.

“o qorre vrave bere hatan o sy shtrembur mos ta pafshim ma surratin oj lavira qe lidheni me kriminel per lek” ka qenë një tjetër koment më i rëndë në përmbajtje.

“Elvana na zhgenjeve!” ka shkruar Mane Eta Gerta në komentin e saj.

Elvana deri tash nuk është prononcuar në lidhje me rastin. Çka u shkrua është se Elvana ka qenë e pranishme në lokacionin ku ndodhi një vrasje në Tiranë para pak ditësh dhe se sherri ndodhi shkaku i saj. Ajo është marrë në pyetje edhe në Polici.

Nga sherri ka mbetur i vdekur një prej të njohurve të të dashurit të Elvanës.
Në këtë situatë, këngëtarja ka vendosur të bllokojë të gjitha komentet në fotografinë e fundit të postuar në Instagram, ku ndaj saj janë bërë komente fyese. / KultPlus.com

Muzeu i kristaleve në Mitrovicë me rreth 2 mijë eksponate, pak vizitorë

Muzeu i kristaleve dhe mineraleve që ndodhet në Stantërg të Mitrovicës ka rreth 2 mijë eksponate të cilat janë ndër më uniket në Evropë, shumë të çmueshme në botë, ndërsa kanë vlerë jashtëzakonisht të lartë trashëgimore muzeore.

Ky muze që konsiderohet si krenaria e Kosovës për bukuritë e kristaleve dhe mineraleve të llojeve të ndryshme, është themeluar në vitin 1964 dhe ka përjetuar situata të vështira të objekteve të vjetra nëpër periudha kohore, por që në vitin 2012 me fonde të Qeverisë së Republikës së Kosovës është ndërtuar objekti modern i këtij muzeu.

Drejtori i Muzeut të kristaleve dhe mineraleve, Rasim Veseli, ka bërë të ditur për KosovaPress se nga rreth 2 mijë eksponate të ekspozuara nga minerale të ndryshme, 95 për qind të tyre janë të minierës së Trepçës, ndërsa ka edhe nga Portugalia, Maroku, Brazili, Japonia dhe vende tjera të botës.

Sipas tij, Kosova duhet të krenohet me vlerën e trashëgimisë minerare që ka.

Ai ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë më shumë rreth marketingut për këtë trashëgimi minerare të Kosovës.

Veseli duke përmendur numrin prej 5 mijë vizitorëve në vit, u shpreh të mos jetë i kënaqur, sepse siç u shpreh ai, ky muze duhet të jetë akoma më shumë i vizituar.

“Vlera është muzeore dhe shumë e lartë. Eksponatet, kristalet dhe mineralet e Trepçës janë ndër më unike në Evropë, janë shumë të çmueshme në botë, do të thotë nuk flasim për vlerë financiare por trashëgimore muzeore. Kosova duhet me u krenu me vlerën e trashëgimisë minerare që ka. Unë mendoj se institucionet tona, në radhë të parë Ministria të cilës ne i përgjigjemi ajo e Zhvillimit Ekonomik, por edhe qeveria në përgjithësi, duhet të bëjë më shumë për të bërë marketing rreth kësaj trashëgimie minerare që ka Kosova… Unë kam filluar punën këtu para tre vitesh, dhe atëherë numri i vizitorëve ka qenë rreth 3mijë në vit. Aktualisht numri i vizitorëve ka shkuar duke u rritur, tani përafërsisht vinë deri në 5 mijë vizitorë në vit. Është numër jo i kënaqshëm sepse mendoj se ky muze duhet të jetë shumë më i vizituar, dhe synimet tona janë që numri i vizitorëve të rritet dhe për me mund me rrit ë numrin e vizitorëve duhet të krijohen kushte për një marketing më të mirë”, thotë ai.

Ai tha se janë gjithsej tetë të punësuar në muze dhe punohet pesë ditë në javë, duke mos u kufizuar as gjatë vikendeve në rastet e vizitave të paralajmëruara.

Në lidhje me kristalet që dalin nga miniera ilegalisht dhe në tregun e zi, Veseli potencoi se po punohet për gjetjen e mënyrave ligjore të nxjerrjes, grumbullimit dhe koleksionimit të shitjes ose shkëmbimit të mineraleve dhe kristaleve.

Sipas informacioneve të të parit të muzeut, numri i kristaleve dhe mineraleve që dalin nga miniera në tregun e zi është jashtëzakonisht i madh dhe bëhet fjalë për dhjetëra kristale që dalin brenda një dite nga miniera e Trepçës, duke përfunduar kështu në tregun e zi.

“Ideja është që secili kristal që del nga miniera e Trepçës ose nga vendburime tjera minerare në Kosovë, me pas një dokumentacion të caktuar ligjor me të cilin vërtetohet prejardhja… Informacionet tona janë se numri i kristaleve dhe mineraleve që dalin nga miniera në tregun e zi është jashtëzakonisht i madh. Mund të flitet për dhjetëra kristale që dalin brenda një dite nga miniera e Trepçës dhe përfundojnë në tregun e zi. Për pasojë ndodhë që llojin e eksponatit që ne e kemi këtu, të jetë më i varfër se sa eksponati që shitet në tregun e zi ose që mund ta gjejmë nëpër muzetë e vendeve tjera… Një çështje tjetër me të cilën ne po tentojmë vazhdimisht të merremi është edhe mënyra e prezantimit e kristaleve dhe mineraleve të Trepçës nëpër muzetë e huaja… Ka raste nëpër muzetë e caktuara ku mineralet tona prezantohen si minerale të Jugosllavisë ose edhe më keq si minerale të Serbisë. Ne kemi filluar të bëjmë një plan së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me organizmat tjerë shtetëror të cilat merren me këtë çështje që të ndikojnë nëpër këto muze që të emërtohet ashtu siç duhet, do të thotë si kristale të Trepçës që vinë nga shteti i Republikës së Kosovës”, u shpreh Veseli.

Në anën tjetër, inxhinieri i gjeologjisë Ibrahim Musa, njëherësh ciceron në këtë muze, ka folur për grupet e mineraleve të ekspozuara, disa prej të cilave tha se janë shumë të çmueshme dhe të shtrenjta.

“Kemi grupe të ndryshme të mineraleve, grupi i sulfureve, karbonateve, sulfateve, fosfateve etj…Minerali kryesor është galeniti që është mineral i plumbit, është ndër mineralet më të rëndësishme për shkak se përmban shumë argjend dhe bizmut, svaleriti është mineral i zinkut piriti dhe pirotinet janë minerale të hekurit. Këto janë katër mineralet kryesore… Kemi edhe minerale të çmuara siç janë vivianiti dhe lludoniti janë fosfate të hekurit por shumë të çmueshme do të thotë janë shumë të shtrenjta”, sqaroi Musa.

Policia merr në pyetje Elvana Gjatën për vrasjen te ish-Blloku në Tiranë

Këngëtarja e famshme, Elvana Gjata, pritet të merret në pyetje nga policia rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur një natë më parë në zonën e ish-Bllokut.

Policia ende nuk ka konfirmuar arsyen për të cilën do të marrë në pyetje Elvana Gjatën, por burime bëjnë me dije se ajo të pyetet si një person që ka dijeni për ngjarjen, raporton topchannel.

Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e kaluar në zonën e ish-Bllokut.

Personi që ka humbur jetën është Rigers Gaxha, i cili nga informacionet dyshohet se punonte si truprojë i shtetasit Ervis Martini, që ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje. I plagosur ka mbetur edhe Laert Hasa.

‘Jeta pas Enverit: Kinematografia Shqiptare e viteve 90’ nesër në Lumbardhi

Lumbardhi në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë – AQSHF nesër, me 6 tetor 2018 në orën 20:00, do të shfaqë programin e filmit Jeta pas Enverit: Kinematografia Shqiptare e viteve 90, me fokus te filmat e animuar.

Programi do të përbëhet nga një përmbledhje jashtëzakonisht interesante e filmave të shkurtë të animuar të prodhuar në Shqipëri gjatë viteve të 90-ta.

Ky është fillimi i bashkëpunimit në mes të Lumbardhit dhe AQSHF që do të vazhdoj vitin që po vjen ku do të shfaqet premiera e programit të plotë të filmit.

Në fillim do të bëhet nje hyrje nga kuratori dhe regjisori: Thomas Logoreci. / KultPlus.com

Sot hapet edicioni i tetë i REDO Konferencës

Sot hapet edicioni i tetë i REDO konferencës ndërkombëtare të dizajnit grafik në Kino Armata nga ora 17:00. Në hapje do të ketë kombinim të ligjerates, librarisë lëvizëse, bar-it të përkohëshëm, filmave, dhe muzikës. Hyrja do të jetë me biletë që vlenë për të gjitha aktivitete gjatë 3 ditëve.

Në Prishtinë tani jane vendosur gati 250 studentë të huaj që do të ndjekin konferencën, duke ndihmuar në rritjen e turistave që e vizitojnë Prishtinën. Këtë herë, vërehet edhe një interesim mjaft i madh nga studentët vendore për të ndjekur aktivitete e REDO-së.

Daniela e Linda Dostalkova nga Çekia dhe Benjamin Thorel e Antonia Carrara nga Franca, do të ligjerojne nga 17:00 – 19:30 mbi tema të fushave të tyre. Gjatë gjithë kohës do të ketë një librari me libra të ndryshëm mbi dizajnin – të udhehequr nga After 8 Books, dhe poashtu do të ketë edhe mundësi që të dëgjohen disa transmetime nga podcast të Ja Ja Ja Ne Ne Nee (Holandë). Ndersa, Kimberley Cosmilla & Marcel Mrejen do të hapin barin e tyre “Moonshine Monday”, një koncept të ri të bar-it shoqëror. Ndërsa në mbrëmje, duke filluar nga 21:00, Alushi do të lëshojë muzikë në Hamam Jazz Bar.

REDO në edicionin e shtatë mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fondacioni “Unë e Du Kosovën”, Culture for Change – Programi i Zyrës së BE në Prishtinë, që implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, Ambasada e Holandës në Prishtinë, Swiss Arts Council Pro Helvetia, Ambasada e Francës në Kosovë. Partnerët: Kino Armata, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Kosovo Architecture Foundation (KAF).

Konferenca REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Lulzim Tafa dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave

Hashim Thaçi sot e ka dekoruar me Medalje Presidenciale krijuesin Lulzim Tafa.

“Me Medaljen Presidenciale të Meritave e dekorova krijuesin letrar Lulzim Tafa për afirmimin e letërsisë shqipe në botë. Çmimi ndërkombëtar “Mihai Eminescu” është e arritura më e re e z. Tafa, të cilin e përgëzova me urimin që të korrë suksese të reja në fushën e letërsisë dhe atë akademike. HTH”

Tafa para pak javësh fitoi një çmim të lakmuar në Rumani, e më pas erdhën edhe reagime të ndryshme nga qarqet letrare nëpër Evropë.

Shtëpi të njohura botuese nga mbarë bota kanë përkthyer dhe botuar librat e tij, kurse shkrimtarë e kritikë letrarë nga vendi dhe bota e kanë vlerësuar krijimtarinë e tij artistike. Për poezinë e Lulëzim Tafës, kanë shkruar dhe i kanë botuar ato edhe revistat më të njohura ndërkombëtare të fushës së letërsisë. Është njëri ndër poetët më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe në botë.

Disa nga librat e botuar në gjuhë të huaja janë: “Traumausstellung” në gjuhën gjermane, “Terrible songs” në gjuhën angleze në New York, ”Under manen sover tiderna” në gjuhën suedeze, ”Expozitie de vise” në gjuhën rumune, “La theorie de l’explication des reves”, në gjuhën frënge, “Vraziji Posao” në gjuhën boshnjake, “La cronica di unasantaGuerra” në gjuhën italiane, “Zavjet ne pjesme” në gjuhën malazeze,”Teuta” botim i dytë ne gjuhën rumune,”Dali Ti Imas Bolka” në gjuhën maqedone,etj.

Është anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve. / KultPlus.com

Denis Mukwege dhe Nadia Murad, laureatët e Nobelit për Paqe

Dy personazhe këtë vit janë fitues të çmimit Nobel për Paqe.

Denis Mukwege dhe Nadia Murad janë dy fituesit e çmimit, me arsyetimin se kanë ndihmuar në uljen e përdorimit të dhunës seksuale gjatë konflikteve dhe luftës.

Mukwege është një fizikant i cili ka ndihmuar gjatë tërë jetës së tij në Kongo, dhe bashkë me stafin e tij ka mjekuar mijëra pacientë që kanë rënë viktimë e dhunë seksuale në këtë vend.

Nadia Murad është njëra prej 3000 vajzave Yasidi të cilat ranë viktima të dhunës seksuale. Ajo arriti të largohej prej forcave ISIS.

Prapë vjedhje në Xhaminë në lagjen Tophane

Për të dytën herë është vjedhur kasa e Xhamisë në lagjen Tophane të Prishtinës.

Persona të panjohur kanë hyrë brenda Xhamisë nga kanë marrë paratë e mbledhura në kasë dhe kanë ikur në drejtim të panjohur

Xhemati i lagjes kur kanë shkuar sot për ta falur namazin, kanë vërejtur se aty gjatë natës kishte hajna.

Rasti menjëherë është paraqitur te Policia e Kosovës e cila me njësitet e saja përkatëse ka dalë në vendin e ngjarjes.

Aktualisht nuk ka persona të dyshuar derisa vendit të ngjarjes i është përgjigjur edhe Forenzika e cila ka marr shenjat e gishtërinjve dhe gjurmët e mbetura. / KultPlus.com

‘Zanat’ dhe Kori ‘Siparantum’ dëshmuan veten para publikut të Prishtinës

Gili Hoxhaj

Prishtina International Vocal Festival mbrëmë shënoi natën e dytë koncertale në Amfiteatrin e Ri të Bibiotekës Universitare, prej ku u dëgjuan zëra të njohur nga Kosova.

Ansambli “Zanat” u ngjit për herë të dytë brenda këtij viti në skenën e sallës.

Që në pozicionimin e tyre në skenë rrëmbyen duartrokitjet e publikut për veshjet e tyre me elemente kombëtare, duke treguar qysh në fillim edhe për përmbajtjen e këngëve . Ansambli “Zanat” u themelua në fund të vitit 2017 dhe që atëherë po vazhdojnë të ngjallin këngët e vjetra shqipe, të pakënduara për një kohë të gjatë.

Me paraqitjen e tyre të parë në Beograd në Festivalin “Mirëdita, dobar dan” ato ishin rikthyer nga publiku përmes duartrokitjeve. Ndryshe nga herët tjera, ky koncert i ansamblit “Zanat” erdhi e u mbyll pa instrumente muzikore duke e lënë publikun të përqendruar vetëm në zërat e tyre.
“Mirë mrama” me kompozim të Lorenc Antonit hapi mbrëmjen. Dy shami të kuqe të ngjitura pranë mbajtëses së partiturave ishin elementet e dasmës, e cila dukej se po hapej me këtë këngë. Pas dy veprave të tjera, sopranot Adelina Thaçi- Meta dhe Elida Kryeziu vendosën mbi kokë shamitë e kuqe, duke filluar kështu vajtimin e natës së kanagjegjit së bashku me zërat e Arstina Kadiut e Albana Piperkut, zërat e tyre që kumbonin në këtë vajtim u përcollën me zërin e Diellza Sylejmanit, të përcjellë më pas nga ai i Adelina Thaçit duke e sjellë interpretimin e tekstit tek publiku.
Kjo këngë mbrëmë erdhi e aranzhuar nga Kushtrim Gashi, pasuar nga vepra tjetër po ashtu e këtij kompozitori “Po vijn’ krushqit”, e për tu larguar nga skena me këngën “Sa bukur” të aranazhuar nga kompozitori Memli Kelmendi. Gjithë kjo përmbledhje mes zërave të veçantë të këtij ansambli që nga përshëndetja e pritjes së mysafirëve në shtëpi e deri tek himnizimi i nuses, solli ceremoninë e dasmës përmes lidhjes interpretuese të këngëve.

Diellza Sylejamni- Veseli nga ansambli “Zanat” tregoi se disa nga veprat janë shkruar detajisht për këtë ansambël ndërsa përmes këtij konceti kanë pasqyruar ceremoninë e dasmës.
“Këto këngë janë të porositura veçmas për këtë festival nga organizatorët e festivalit të cilët na kanë bërë ftesën. Kompozitorët e rinj si Memli Kelmendi, Kushtrim Gashi e Hajrullah Syla i kanë përpunuar këto këngë të rëndësishme për traditën tonë. Koncerti ynë ka pasqyruar ceremoninë e dasmës që nga kënga e parë deri në përmbyllje me këngën “Sa bukur na ka dalë nusja”. Duket sikur jemi risi në komunitetin tonë dhe programi atraktiv po bën që publiku të na mirëpres dhe ne po ndihemi shumë mirë”, u shpreh mëzo-sopranoja Diellza Sylejmani- Veseli.

Kori “Siparantum” erdhi për të dominuar pjesën më të madhe të koncertit dirigjuar nga dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi. Kori Siparantum u themelua në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Kori u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë duke i kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës.

Me lëvizje në skenë e gjestikulacion të pasur ata përmbyllën programin e tyre mjaft të ngjeshur e atraktiv me vepra të kompozitorëve të huaj. Vepra e Edward Boatner e aranzhuar nga Jospine Poelitinitz erdhi me vokal të Erijon Palucaj e përcjellë nga Arita Bajraktari. Vepra e njohur “Bohemian Rhapsody” erdhi pothuajse në fund të programit, me solist Matej Karaqi e përcjellë në piano nga Agron Shujaku. Me duartrokitje, lëvizje poshtë skenës dhe lart, përkulje e vrapim, “Siparantum” dëshmoi veçantinë e vet e Memli Kelmendi duke U bërë pjesë e këtyre lëvizjeve në përfaqësim të veprave dëshmoi se nuk është nga ata dirigjentët klasikë që dirigjimin e udhëheqë vetëm përmes duarve.

Kelmendi tregoi se katër vepra janë përgatitur enkas për këtë edicion të festivalit ndërsa tha se që në fillim të krijimiT të korit kanë tentuar të sjellin diçka krejtësisht ndryshe, edhe skenikisht duke përfshirë në program vepra moderne dhe duke iu përshtatur atyre. Kelmendi i cili është edhe dirigjent permanent i korit “Siparantum” pohon se kjo nuk është aspak e lehtë dhe për këtë i falënderohet “Siparantum” që në formë vullnetare, me sakrificë të madhe mundohen t’i ruajnë vlerat shqiptare.
“Duke qenë se veprat në program janë vepra moderne, as unë s’mund të qëndroj indiferent, pra nuk mund të dirigjoj ndryshe sepse janë vepra të tilla dhe skenikisht mundohem t’i realizoi në atë mënyrë. Ne i jemi shumë mirënjohës Hajrullahut për ftesën dhe kjo është më e mira, kur dy dirigjentë bashkohen dhe e përkrahin punën e njëri-tjetrit”, u shpreh Kelmendi për KultPlus.

Salla e mbushur plot priti dhe përcolli me shumë duartrokitje të dy paraqitjet në skenë, duke dëshmuar interesimin për koncerte të tilla. Në mesin e atyre që kishin ardhur për ta ndjekur festivalin ishte dhe kontratenori Safet Berisha, i cili tha se të dy koncertet ishin të veçanta.
“Ansambli “Zanat” për mua janë një ansambël i veçantë me këngë të traditës tonë shqiptare dhe ishte mjaft aktrakitv. Po ashtu dhe performuesit e koncertit të dytë sonte dëshmuan punën e tyre të vazhdueshme dhe me të vërtetë na kanë befasuar për të mirë dhe kjo është si nismë e mirë që të ketë kore edhe në qytete të tjera jashtë Prishtinës”, u shpreh Berisha për KultPlus.

Mbrëmja e radhës pritet të mbahet me datë 6 tetor, ku në skenë do të paraqitet kori i femrave nga Shkupi me dirigjent Sasho Tatarchevski. Koncerti do të mbahet tek Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

‘Eja, mike, se po bie shi’

E shkruar nga Mithat Frashëri.

Eja, mike, se po bie shi.
Më duketë sikur qan qielli, sikur derdh lotë të hollë.
Edhe zëmra ime sot po qan. Jam vetëm, lotët e qiellit riedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtët brënda në zëmër.

E mban mënt, mike, kur ishim bashkë sa shum’ e donim shinë? E mban mënt gazin që ndjenim afrë dritares kur binin pikat e mbëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.
Ahere, kur bota mbytësh në lot, në ishim të gëzuarë; ahere, kur bota mbulohësh me ujë të ftohtë, ne kishim nxehtë në zëmrët.

Po tani, nga kjo odë gjysm’ e errët, shikoj pikat që po kullojnë, dhe po mbërdhi.

Çikat shqiptare nominohen në MTV EMA 2018

MTV EMA 2018 ka shpallur nominimet për ngjarjen e madhe muzikore që do të mbahet me 4 nëntor në Spanjë.

Edhe kësaj here, nuk ka se si të mungojë ndonjë artiste shqiptare në këto nominime. Dua Lipa, ylli nga Kosova që po shndërrohet në një sensazion muzikor në botë, është e nominuar në kategorinë Artistja më e mirë e Re, në kategorinë Best Pop dhe Best Look.

Bebe Rexha, shqiptarja tjetër, është nominuar në kategorinë Best Song – Kënga më e Mirë, për “Meant to Be”, shkruan KultPlus.

Jashtë nominimeve ka mbetur Rita Ora, çuditërisht, ani pse ka realizuar disa projekte muzikore.

Këngëtarja më e nominuar në këtë ndarje çmimesh të MTV për këtë edicion është Camila Cabello, e cila ka gjashtë nominime, pas saj edhe Ariana Grande dhe Post Malone me nga pesë. / KultPlus.com

‘The Gesualdo Six’ hapi mbrëmë edicionin e parë të Prishtina International Vocal Festival

Gili Hoxhaj

Prej mbrëmë, publikut të Prishtinës i është hapur një derë e re përmes së cilës mund të përjetohen veprat e njohura vokale prej zërave të njohur vendorë e të huaj. Të gjitha tashmë të përmbledhura në një festival të vetëm.

Për koret, ansamblet, solistët e dirigjentët shqiptarë tashmë është krijuar një strehë përmes së cilës zërat e veprat e tyre për disa net radhazi do të arrijnë publikun e Prishtinës. Kjo dhe si inkurajim për krijimin e aranzhimin e veprave vokale. Disa nga zërat më të mirë të muzikës vokale në Kosovë e jashtë saj do të mund të dëgjohen në dy lokacione të ndryshme në Prishtinë, në datat që Prishtina International Vocal Festival i ka rezervuar për publikun.

“The Gesualdo Six” ka marrë rrugën nga Londra për të hapur këtë festival. Grupi i cili drejtohet nga Owain Park, përbëhet prej këngëtarëve më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar, e që kanë performuar në shumë festivale të Mbretërisë së Bashkuar e jashtë saj, si në Gjermani, Holandë, Francë, Poloni, Jersey dhe Monako, kurse takimin me Kosovën e kanë cilësuar si krejt të papritur, ndërsa kanë përfunduar shumë të kënaqur me paraqitjen këtu, duke iu përgjigjur duartrokitjeve të publikut edhe me një vepër shtesë jashtë atyre të programit.
“Është kënaqësi dhe nder që jemi sonte këtu në hapjen e Prishtina International Vocal Festival dhe për të ndarë me ju vepra nga vendi ynë, nga kompozitorë nga vende të ndryshme si Londra, Estonia e Italia. Veprat janë 300 vjet të vjetra dhe posa janë kompozuar” u shpreh fillimisht Owain Park.

Përmes zërave të grupit “The Gesualdo Six” publiku mbrëmë arriti të dëgjojë vepra qindra vite më të hershme por me kompozime të freskëta. Pikërisht gërshetimi i veprave të vjetra me kompozime të reja është karakteristika kyçe e grupit. Me paraqitjen e mbrëmshme në Kosovë, ky grup vokal dëshmoi se nuk është nga ato grupet të cilët publiku mund t’i shoh vetëm përballë tyre. Zërat e tyre fillimisht dëgjohen nga dera hyrëse në ambientet e Kishës “Shën Ndou” në Prishtinë, prej nga fillon interpretimi i veprës “Auditivi vocem” të John Taverner, duke e hapur kështu programin e mbrëmjes koncertale. Më pranë nje pjesë të publikut që qëndronte në ulëset në mes, publiku dëgjoi vazhdimin e programit derisa u vendosën përballë tyre. Të katërt të veshur në të zeza, fletët e bardha të partiturave thyenin kontrastin. Përmes veçantive të tyre vokale, zërat e tyre ndesheshin herë pas here, duke u mbështetur në kërkesat e veprës e duke zbuluar veçantitë e tyre vokale ndërsa në përfundim të disa prej veprave zërat e tyre bashkoheshin, e hapësira deri në veprën tjetër plotësohej me duartrokitje të publikut.

Tenori Luan Durmishi tha për KultPlus se për të koncerti ishte impresionues dhe kjo nuk ishte befasuese.
“Kur një muzikant dëgjon formacione profesioniste gjithnjë është sikur dëgjon për herën e parë, programi ishte shumë i bukur në aspektin vokal pasi që kishin një teknikë të mrekullueshme dhe këndonin aq lehtë, bukur, natyrshëm dhe në origjinalitet dhe mund të them që kjo tek ne rrallë shumë dëgjohet. Me një program kaq voluminoz, me kërkesa kaq të larta artistike, ky formacion definitivisht la për t’u kuptuar që kanë një vlerë shumë të madhe në Britaninë e Madhe”, u shpreh Durmishi për KultPlus.

Tutje Durmishi tha se Kosovës i kanë munguar festivale të tilla që i kushtohen vetëm vokalit kur dihet që vokali është instrumenti më i lartë dhe që e thith publikun në çfarëdo forme.

Mesha për katër zëra e kompozitorit William Byrd ishte vepra kryesore të cilën e sollën grupi vokal britanez, duke sjellë mes tjerash edhe vepra të Tormis , Hildegard von Bingen, Cristóbal de Morales, Giovanni Pierluigi da Palestrina, Thomas Tallis, Eric Whitacre, John Tavener dhe Josquin des Prez.

Drejtori i Festivalit “Prishtina International Vocal”, Hajrullah Syla, tha për KultPlus se ideja e krijimit të këtij festivali ka qenë më e hershme pasi që Kosovës për një kohë të gjatë i ka munguar një festival që i përkushtohet muzikës vokale ndërsa thotë se edhe më tutje do të vazhdojnë ta përmbushin këtë zbrazëtirë duke sjellë përmes festivalit artistë të rangut botëror. Përmes koncertit të mbrëmshëm ai tha se grupi “The Gesualdo Six” pati mundësinë ta dëshmojë veten kurse publiku i Prishtinës u ndrit nga një grup që nuk dëgjohet shpesh këtu.
“Grupi që sonte performoi janë një grup shumë aktiv, me kapacitet e aftësi vokale, ndërsa e dëshmuan veten edhe në Prishtinë, kjo ishte një paraqitje mjaft e mirë dhe publiku i mirëpriti. Programi është përzgjedhur nga udhëheqësi i grupit dhe për mua ka qenë një risi pasi që nuk kemi pasur rastin të dëgjojmë diçka të tillë por mendoj që ishte një kombinim shumë i mirë”, u shpreh Syla për KultPlus mbrëmë pas koncertit.

Sonte festivali do të vazhdojë natën e dytë koncertale me ansamblin ‘Zanat’ nga Prishtina dhe korin ‘Siparantum’ nga Peja me dirigjent Memli Kelmendin. Koncerti do të mbahet në Amfitearin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Nesër në Kolegjin AAB promovohet ‘Kosova VI,VII dhe VIII’ nga Jusuf Buxhovi

Nesër në Prishtinë, në Kolegjin AAB, në orën 12:00 do të promovohet “KOSOVA” VI,VII dhe VIII nga autori Jusuf Buxhovi.

Sipas autorit, promovimi i tre librave të fundit , me të cilën mbyllet projekti autoriale i “Kosovës” në tetë libra – që paraqesin certifikatën historike të shtetit të Kosovës, por edhe të rolit të Dardanisë në kompleksitetin e antikitetit, jo rastësisht është zgjedhur në një ambient arsimor dhe kulturor, siç është Kolegji AAB në Prishtinë , ngaqë ndërlidh dijen me hulumtimet shkencore si qasje që i duhet vetëdijes kritike të gjeneratës së re, e cila duhet të marrë përsipër fatet e vendit në rrethanat e kthesave të rëndësishme, siç janë këto nëpër të cilat po kalohet.

Autori thekson se takimet me gjeneratën e re akademike do të vazhdohen edhe me studentët e Shkupit, të Tetovës dhe të Shqipërisë.

Pas takimit me Ahmetin, Florim Beqiri kthehet tek shtëpiza e tij e librit

Librashitësi Florim Beqiri e ka hapur kioskun e tij me libra.

Pasi mbrëmë ai u ankua se nëse nuk do t’i shiteshin librat do të duhej ta lëshonte shtëpizën e tij, sot ai është takuar me Shpend Ahmetin dhe duket se problem është zgjidhur.

Në anën tjetër, me orë të tëra qytetarët kanë pritur para shtëpizës, derisa ka pak minuta që Florimi ka dalë tek shtëpiza dhe po takohet me ata që po solidarizohen me të.

Florim Beqiri është një prej shumë librashitësve në Sheshin Nënë Tereza dhe në sheshet afër. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti takohet me librashitësin Florim Beqiri

Shitësi i librave në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, Florim Beqiri i cili mbrëmë u ka bërë thirrje qytetarëve që të blejnë librat nga ai për vetëm një euro, për ta paguar qiranë e kioskut, është takuar sot me kryetarin Shpend Ahmeti.

Ahmeti e kishte ftuar atë në takim për të diskutuar për pagesën e qirasë, dhe me këtë rast i pari i kryeqytetit ka thënë se askush askënd s’do ta largojë.

“Pas ftesës mbrëmë, Florimi dhe librashitësit e tjerë ishin sot në zyre. Edhe pse qiraja e ulët, pagesa e kësaj shume ishte tema kryesore. Me rëndësi askush nuk e largon askënd e ne do të gjejmë mënyra të vazhdojmë përkrahjen e librit”, ka shkruar Ahmeti.

Ky ishte publikimi i plotë i Beqirit:

Lajmërim Qytetar të nderuar ,ju të gjithë që e doni librin. Autoritetet na kanë detyruar të paguajmë 320 € në emër të qiras mujore për shfrytëzimin e shtëpizave të librit. Afati i fundit është nesër në të kundërtën më mirret shtëpiza e librit(vendi im i vetëm që gjenerojë të ardhura për familje) Unë kam ofruar një zbritje të librit me çmim vetëm 1 €uro. Kam nevojë të shes edhe 220 libra për të arritur shumën e kërkuar. Ju bëjë thirrje që nesër mundësisht të bleni nga një libër edhe nese nuk e keni planifikuar. -Ju lutem shpërndajeni!

Qytetarët presin para shtëpizës së librashitësit Florim Beqiri (FOTO)

Një postim i librashitësit, Florim Beqiri u bë hit nëpër rrjete sociale. Ai uli çmimin e librave në 1 euro, për ta paguar qiranë mujore që sipas tij është 320 euro.

Ai kërkoi nga të gjithë qytetarët që të shkojnë dhe t’ia blejnë librat, në mënyrë që autoritetet mos t;ia marrin shtëpizën.

“Qytetar të nderuar ,ju të gjithë që e doni librin. Autoritetet na kanë detyruar të paguajmë 320 € në emër të qiras mujore për shfrytëzimin e shtëpizave të librit. Afati i fundit është nesër në të kundërtën më mirret shtëpiza e librit(vendi im i vetëm që gjenerojë të ardhura për familje) Unë kam ofruar një zbritje të librit me çmim vetëm 1 €uro. Kam nevojë të shes edhe 220 libra për të arritur shumën e kërkuar. Ju bëjë thirrje që nesër mundësisht të bleni nga një libër edhe nese nuk e keni planifikuar”, ka shkruar Beqiri në facebook.

Për këtë kishte reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai e kishte thirrur në takim librashitësin, për të diskutuar rreth kësaj teme.

E sot në mëngjes një numër i madh i qytetarëve po presin para shtëpizës së Florim Beqirit të blejnë libra, raporton Insajderi.

Përkundër se ai ende nuk e ka hapur, qytetarët shprehen të interesuar për blerjen e librave.

Barack Obama: Nëna ime më mësoi si dashurohet një njeri

Barack Obama, njeriu i dashur për një pjesë të madhe të Amerikës, i cili në vitin 1990 u zgjodh president i Harvard Law Review, provoi edhe të shkruante një libër me kujtimet e tij.

I lindur në vitin 1961, Obama në librin ‘Dreams from My Father: A Story of Race and Inheritance’ reflekton sidomos për raportet e tij në familje, me prindërit e tij dhe se si edukimi dhe jetesa në familje e formoi atë si person.

Në disa pasazhe ai përmend nënën, një marrëdhënie interesante në jetën e tij.

Stanley Ann, nëna e Obamës, megjithatë nuk jetoi për ta parë suksesin e djalit të saj.

“A të kam treguar ndonjëherë se babai yt ishte vonë për takimin tonë të parë? Ai më kërkoi të takohesha me ta para librarisë. Mbërriva, ai nuk ishte aty, ishte ditë e mirë prandaj thash po e pres ulur diku në stol. Më kishte zënë gjumi, ndërsa ai erdhi një orë më vonë, me shokët e tij! Më pas e dëgjova duke i thënë shokëve “Ju thashë, kjo është një vajë e mirë, do të më priste”!”

Kështu shkruan Barack Obama për nënën e tij.
“Ka qenë një grua e bukur. Kur fliste për babain tim, fliste si një grua që e pati një jetë me dashuri. Kështu nisë dashuria, me impulse e fotografi që na lejojnë ta thyejmë vetminë tonë, dhe nëse jemi me fat edhe transformohemi në diçka më të mirë sesa tash. Dhe ajo më mësoi se mund të dashurosh kështu, kaq thjeshtë dhe bukur. Kur vdiq baba, e pashë nënën duke qarë dhe e kuptova se ajo e ka kuptuar atë njeri qysh kur u takuan, e kuptoi në çdo fazë, e bëri atë ta kuptonte edhe veten” thotë Obama.

Ai nisi të shkruante librin me kujtimet e tij në moshën 25 vjeçare, kur edhe e takoi Michelle Robinson – dashurinë
e jetës së tij. / KultPlus.com / Përktheu: A.S

Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj, pjesë e Festivalit në Ferizaj

Rexhep Mitrovica, aktori i njohur nga Franca me origjinë nga Kosova do të jetë pjesë e Edicionit të 48-të të Festivalit mbarëkombëtar të Teatrit që mbahen këtë muaj në qytetin e Ferizajt, i cili nis më 21 tetor 2018.

Së bashku me Mitrovicën në Ferizaj do të zbarkojë edhe aktori tjetër i njohur kosovarë që jeton në Francë Arben Bajraktaraj.

Të dy janë pjesë e shfaqjes “Le Pont” inskenuar në Francë sipas romanit “Ura me tri harqe’ të Ismail Kadaresë në regji të Simon Pitaqaj.

Fatmir Hyseni, drejtori i Teatrit “Adriana” të Ferizajt e cila edhe është organizatore e festivalit, ka thënë për Kallxo.com, ka konfirmuar se këtë vit shfaqja “Le Pont” vjen si shfaqje mysafire nga Franca.

“Shfaqja mysafire “Le Pont”, është e dramatizim i romanit të Kadaresë nga Simon Pitaqaj, dhe do të jetë në gjuhën Franceze. Në Kosovë paraqitet për here të pare aktori i mirënjohur Rexhep Mitrovica”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se festivali që nisë më 21 tetor të këtij viti do të mbledhë trupa teatrove nga mbarë hapësira shqiptare.

Përveç kësaj sipas tij, edicioni i 48-të i Festivali mbarë kombëtare të Teatrove në Ferizaj do të sjellë edhe aktivitete tjera për dhe rreth teatri, si një seminar me temë për teatrin apo teatrot tonë, performanca, tryeza e festivalit, mbrëmjet tjera artistike.

Festivali mbyllet më 28 tetor 2018 me ndarjen e çmimeve. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti: Florim mos i liro çmimet e librave, eja nesër në komunë

Pasi Florim Beqiri, një prej librashitësve në Prishtinë sot u ankua në rrjetin social Facebook se e kanë kërcënuar se do t`ia marrin vendin e librave nëse nuk e paguan qiranë, vetë i pari i Prishtinës i ka dalë në ndihmë.

Florimi ka kërkuar që nesër qytetarët të blejnë librat në lirim prej 1 euro, vetëm që ai ta paguajë këtë kompensim.

Në një koment poshtë tij në Facebook, kryetari Shpend Ahmeti ka një përgjigjje.

“Florim, te lutem eja ne komune neser dhe me informo me shume per ate se kush te ka kercenu se te merret shtepiza. Mos i liro çmimet e librave më pak se sa që vlejnë” ka qenë përgjigjja e Shpend Ahmetit ndaj problemit të Florimit.
Florimi është një prej atyre personazheve të cilat njihen në kryeqytet për dashurinë ndaj librit dhe mirësjelljen e tij ndaj çdo qytetari që është i interesuar të blejë apo vetëm të shikojë libra. / KultPlus.com

‘320 euro ose më mirret shtëpiza e librit, burimi im i të ardhurave për familjen’

Një prej librashitësve në qendër të kryeqytetit ka postuar në rrjetin social Facebook një hall të tijin sonte.

Florim Beqiri, një prej librashitësve në Sheshin Nëna Terezë, po kërkon nga libradashësit që të shkojnë e të blejnë libra tek kjo pjesë.

“Lajmërim
Qytetar të nderuar ,ju të gjithë që e doni librin.
Autoritetet na kanë detyruar të paguajmë
320 € në emër të qiras mujore për shfrytëzimin e shtëpizave të librit.
Afati i fundit është nesër në të kundërtën më mirret shtëpiza e librit(vendi im i vetëm që gjenerojë të ardhura për familje)
Unë kam ofruar një zbritje të librit me çmim vetëm 1 €uro.
Kam nevojë të shes edhe 220 libra për të arritur shumën e kërkuar.
Ju bëjë thirrje që nesër mundësisht të bleni nga një libër edhe nese nuk e keni planifikuar.
-Ju lutem shpërndajeni!”

Ky ka qenë lajmërimi i Florimit në rrjetin social Facebook.