TETRIS dhe ‘The Adventures of Prince Achmed’ në Lumbardhi

Të shtunën në Lumbardhi do të performojnë TETRIS, ku njëkohësisht do të shfaqet filmi The Adventures of Prince Achmed (1926, Lotte Reiniger, 65 min). TETRIS, do të bëjnë soundtrack-in për filmin The Adventures of Prince Achmed.

TETRIS është një grup i Prishtinës, i cili prodhon tinguj bazuar në frazat hipnotike nga një numër tingujsh synth dhe deep bass. Line -up’i i tyre gjithnjë në ndryshim, është i prirur për manipulime analoge të kitarave të zhurmshme, piano klasike dhe beats monotone, duke i japur ngjyrë shfaqjeve te tyre të paparashikueshme dhe (shpesh) shpërthyese.

The Adventures of Prince Achmed është një film i animuar pa zë i vitit 1926 i drejtuar nga Lotte Reiniger i cili tregon aventurat magjike të princit Achmed. Është filmi më i vjetër i animuar që ka mbijetuar në botë. / KultPlus.com

Zbulohen datat dhe qyteti ku do të mbahet Eurovision Song Contest 2019

Është zbuluar sot qyteti izraelit në të cilin do të zhvillohet Eurovizioni i vitit 2019-të.

Midis tensionit dhe presionit politik, do të jetë Tel Avivi qyteti që do të mirëpresë vitin tjetër ngjarjen më të madhe muzikore në Evropë.

Shqipëria ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovizion, derisa ka hapur aplikimin për Festivalin e Këngës në RTSH.

Ka pasur këtë vit mjaft polemika rreth faktit nëse duhet Izraeli të jetë nikoqir i Eurovizionit, marrë parasysh sulmet ndaj civilëve në Palestinë.

Izraelit i takon të jetë nikoqir i Eurovision Song Contest 2019 pasi këtë vit e fitoi festivalin me këngëtaren Netta Barzilai.

Festivali do të mbahet në muajin maj 2019, me 14, 16 dhe 18 maj. Do të jetë hera e tretë që Izraeli e mirëpret organizimin e Eurovizionit, pas vitit 1979 dhe 1999.

Eurovizioni do të mbahet saktësisht në EXPO Tel Aviv – International Convention Centre. / KultPlus.com

‘Shko’ nga Adelina Ismaili, incizim i vitit 1999 (VIDEO)

Stili i këngëve të saj sot dallon shumë nga këngët të cilët ajo i këndonte vite më parë.

Në vitin 1999, një incizim e sjellë Adelina Ismailin duke kënduar këngën e njohur “Shko”. Në të njëjtin incizim janë edhe Sinan Vllasaliu, Sabri Fejzullahu dhe Shkumbin Kryeziu.

“Shko” është njëra ndër baladat më të mira të Adelinës në karrierën e saj muzikore e cila numëron mbi 25 vite.

Incizimin e kemi marrë prej faqes në Instagram – Showbizi Online dhe HiteRetro të cilët përkujdesen të sjellin videoklipe të ndryshme dhe incizime të para shumë viteve. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare, në mesin e tetë bibliotekave më të mahnitshme në Evropë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës gjithmonë merr vëmendjen për arkitekturën që e karakterizon dhe pamjen që i jep peisazhit në përgjithësi në Prishtinë.

Objekti me kupolat sipër është atraksion edhe për turistët që vijnë në Kosovë.

Calvert Journal së fundmi e ka radhitur këtë objekt si një prej tetë Bibliotekave më të mira dhe ‘të çuditshme’ në ‘Lindjen e Re’.


(Suhel Ahmeti: Flickr)


(Instagram: expatrimental)

Biblioteka është dizajnuar nga arkitekti Andrija Mutnjakoviq, me 99 kupola të bardha mbi. Disa thonë se Mutnjakovic ka sfiduar format bizantine dhe islame për Bibliotekë, ndërsa disa thonë se inspirim ishte tradita arkitekturore para-romake.

Calvert Journal shkruan se këto kupola janë në formën e plisit, kapelës tradicionale pjesë e veshjes kombëtare shqipe, përcjellë KultPlus.


(Instragram: radish__)

Në këtë listë janë radhitur edhe shtatë Biblioteka të tjera. Lenin Library në Rusi sot nuk e ka këtë emër, por quhet Leninka në kontekstin e përgjithshëm. Biblioteka Kombëtare e Bellorusisë në Minsk, ndërtesa 18-të katëshe, është poashtu pjesë e listës.


(Instagram: ergyssaliaj)

Në këtë listë janë edhe Biblioteka Universitare e Varshavës, Biblioteka Kombëtare e Estonisë, Biblioteka Alvar Alto në Finlandë, Biblioteka Kombëtare e Letonisë dhe Biblioteka Vernadsky në Ukrainë.

Secila prej Bibliotekave thuhet se ka numër të madh të vizitorëve dhe imazhi i tyre nga jashtë edhe sot fascinon ata që i vizitojnë dhe kalojnë afër tyre. / KultPlus.com

Llojet e unazave dhe historia pas unazës së martesës

Të gjithë jemi intriguar nga historia dhe simbolizmi pas bizhuterive. Unazat në veçanti ngarkohen me domethënie të posaçme.

Që nga unazat e Egjiptit të lashtë, ato janë njohur të jenë pjesët më intime që mbajmë. Gjatë gjithë historisë, unazat u përdorën si talismanë personalë, në transaksione biznesi, si simbole të statusit, dhe natyrisht për t’u zotuar për dashurinë ndaj një tjetri. Historia e unazës së martesës nuk ka një rrugë të qartë; ajo ndryshon me çdo fe dhe pikëpamjen që secili vend ka për martesën. Disa unaza shënonin në mënyrë strikte kontratën ligjore të martesës, ndërsa të tjera shkëmbeheshin në emër të dashurisë së vërtetë. Por ky ndryshim nuk është kronologjik si mund ta mendojmë, në vend të kësaj ai rrjedh e rrjedh, në kohë dhe vende të ndryshme.

EGJIPTI I LASHTE, GREQIA, ROMA

Pothuajse 5000 vjet më parë, Egjipti i lashtë ishte kultura e parë e njohur ku njerëzit shkëmbenin “unazat e dashurisë”, shpesh të bëra prej kallamësh të endura ose prej lëkure. Thuhet se egjiptianët e shihnin unazën, një rreth, si simbol të fuqishëm. Rrethi pa fund tregon jetën e përjetshme dhe dashurinë, dhe hapja e tij përfaqëson një portë drejt botës së panjohur. Unazat ishin shumë të rëndësishme në kulturën e tyre.

KOKAT E TE DASHURUARVE

Me kalimin e kohës, romakët filluan të personalizonin unazat e martesës, duke u zhvendosur nga besimi, në gdhendjet e vetë çifteve. Kjo u përcoll në Perandorinë Bizantine në mesjetë kur shumica e unazave u gdhendën me fytyrat ose figurën e plotë të çiftit të fejuar. Sapo Krishtërimi u bë feja zyrtare e Perandorisë, çifti shpesh përshkruhej me Jezusin ose një kryq në mes tyre, që bekonte martesën.

Unazat gjëzë

Unazat gjëzë ishin popullore në shekujt 15-17. Ndërkohë që ato me vargje u thjeshtuan me kalimin e kohës, unazat gjëzë u bënë më komplekse teksa teknikat e përpunuesve përparuan. Ato përbëhen nga 2-3 rrathë të ndërthurur, tejet simbolikë në kuptimin që secili rreth është i lirë e në të njëjtën kohë janë bashkë, për të simbolizuar bashkiin e dy njerëzve. Shumë prej këtyre unazave mbanin edhe gurë të çmuar shumë të bukur, si dhe ngjyra që i bënin ato të mrekullueshme. Disa prej simboleve më të zakonshëm në këto lloj unazash ishin duart e besimit, lulet mos-më-harro dhe zemrat e kuqe. Dizajnet e mëvonshëm patën edhe memento mori, ku spikaste një skelet dhe një bebe, që simbolizonte jetën dhe vdekjen, dhe dashurinë e përjetshme përtej kësaj jete.

GISHTI I UNAZES

Përgjatë gjithë historisë, ndërkohë që idetë e martesës ndryshuan bashkë me stilet e unazave, ndryshoi edhe gishti i unazës. Eshtë dokumentuar se unazat e martesës janë mbajtur në cilindo gisht, madje edhe të madhin. Sot mbahen më shpesh në gishtin e katërt të dorës së majtë, por disa vende dhe kultura e bëjnë ndryshe. Po si u bë i katërti, gishti i unazës? Kjo na shpie sërish tek egjiptianët. …

Thuhet se ata besonin që gishti i katërt kishte një venë apo nerv që lidhej direkt me zemrën. Dhe ndërkohë që nuk ka fare prova shkencore për ta mbështetur, ne u kthyem tek ajo traditë vetëm prej ndjenjës. Që mund të jetë pjesa e preferuar e historisë së unazës së martesës. / Përgatiti: Bota.al / KultPlus.com

Grupi rok nga Suedia këndon ‘Xhamadani vija vija’ në Rahovec (VIDEO)

“Vi për herë të dytë në Kosovë dhe më pëlqen shumë. Kam një surprizë të vogël për ju, kënga që vijon është për ju”. Këto kanë qenë fjalët e vokalistit të grupit suedez “Madmans’s Choice”, para se të ndiznin skenën kosovare me një version të rrallë të këngës fort të dashur për shqiptarët, “Xhamadani vija vija”.

Grupi suedez i rrokut ka kënduar shqip në festivalin e vjelejes së rrushit në Rahovec. “Hardh Fest” është festivali i vjeljes së rrushit që zhvillohet në Rahovec dhe është mbatur për tre ditë rrjesht më 7,8 dhe 9 shtator.

Skënderbeu serb? Polemika e Mitkos me historianin grek Paparigopulos

Është rikthyer këtë të hënë, për të zhvilluar sesionin e dytë Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ndërsa kjo konferencë do të vazhdojë deri më 26 Tetor, për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit që do të mbahet në muajin nëntor, studiuesi i njohur Dhori Qiriazi ka folur për një pamflet të gjatë në mbrojtje të origjinës shqiptare të Skënderbeut, polemikë e Mitkos me historianin grek Paparigópoulos, tekstin e së cilës e ka gjetur në dorëshkrimet e atdhetarit korçar.

Sesioni parë i konferencës, që ka nisur në maj është kurorëzuar me sukses përmes 14 ligjëratave madhore, të cilat u zhvilluan deri në fund të qershorit. Faqe të panjohura të historisë janë shpalosur gjatë referencave dhe debateve të konferencës. Një event i jashtëzakonshëm në sesionin e parë kanë qenë edhe kumtesat që u mbajtën nga profesoresha italiane Lucia Nadin dhe studiuesi shqiptar Aurel Plsari, në lidhje me zbulimin e një dorëshkrimi të mëhershëm të Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, i cili u pasqyrua gjerësisht dhe në media. Ky dorëshkrim ka hedhur dritë mbi origjinalitetin e padikutueshëm të veprës së Barletit.

Konferenca gjatë këtij harku kohor ka rezultuar me prurje shkencore mjaft interesante, duke shpallur njohjen për arkivat dhe dokumentacione interesante në Bibliotekat Botërore që flasin jo vetëm për figurën e Skënderbeut, por edhe për përpjekjet e vadueshme të shqiptarëve kundër pushtimeve turke dhe si mbrojtës të qytetërimit europian.

Sesioni i dytë i Konferencës Ndërkombëtare të Albanologjisë, ka nisur punimet dje me fjalën e profesor Dhori Qiriazit, i cili ka ardhur nga Greqia posaçërisht për këtë konferencë. Profesor Qiriazi, në kuadër të Konferencës Mbarëkombëtare të Skënderbeut rrëfeu zbulimin e tij mbi një shkrim të bërë nga Thimi Mitko.

“Ligjërata ime merr shkas nga një dokument që kam zbuluar në arkivin Shtetëror Shqiptar, këtu në Tiranë, para disa vitesh të Thimi Mitkos. Një dorëshkrim prej 15 faqesh që flet për një polemikë të Mitkos me historianin grek Konstandinos Paparigopulos. Ky i fundit konstaton apo korrigjon, që sipas tij, Skënderbeu nuk është aspak shqiptar, por me origjinë sllave. Mitko sapo lexoi këtë shkrim të Paparigopulosit shkruajti një letër të gjatë e ku i kundërvihet me dokumente dhe në mënyrë emocionale dhe thekson se Skënderbeu nuk është vetëm gjak shqiptari, por është frymëzim për popullin shqiptar. Po ashtu ashtu si Rilindësit e tjerë, Mitko ka kuptuar se për t’u bërë Shqipëria, që sipas tij ishte një vreshtë e lënë djerrë duhen bërë njerëzit shqiptarë dhe kjo bëhet përmes Skënderbeut dhe ringritjes së figurës së tij, duke u kthyer në një maja të ngjizjes së popullit shqiptar. Është diçka shumë e rëndësishme, e realizuar mirë dhe e menduar mirë”, thotë Qiriazi.

Dhori Qiriazi tha ndër të tjera se: “Për mua, Skënderbeu është një burim frymëzimi, është një hero, një mbi hero. Populli shqiptar ka një mallkim, “varr mosgjendur”, por Skënderbeu është një varrbekuar, varr kudogjendur. Siç thoshte Kadareja, Skënderbeu e ka varrin në Gjakun e Arbrit, e të Shqiptarit dhe unë do shtoja që Skënderbeu e ka varrin në frymën e lirë në dëshirën për liri, dhe frymëzon liri për ato persona që luftojnë për liri, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën”.

Ligjëratat e këtij sesioni do të përfundojnë në fund të muajit tetor, ku do të jenë sërish një cikël ligjëratash shkencore, ku do marrin pjesë rreth 14 personalitete të cilët janë përzgjedhur nga komiteti shkencor. Tomi Frashëri, Kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut tha se “finalizimi i kësaj konference madhore do të përmbyllet me një sesion kumtesash nga data 1-3 nëntor, e cila do t’i japë mundësi studiuesve të tjerë po aq të mirënjohur, të ligjërojnë mbi studimet e tyre rreth Skënderbeut.

Konferenca Albanologjike mbyllet në muaj nëntor, i cili është muaj i madh i pavarësisë, por dhe muaji përmbyllës i Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”. Sipas tij ky sesion do të ketë një numër të konsiderueshëm studiuesish që do parashtrojnë këndvështrimet e tyre për figurën e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Sot e kemi nisur me Profesor Dhori Qiriazin, që vjen nga Athina. Po ashtu gjatë këtij sesioni do të kemi dhe figura të njohura, këtu po përmend Profesor Aleksandër Meksin, apo Profesor Luan Malltezin. Parashikohet që ky sesion të zgjasë deri më 26 tetor. Ndërsa në datat 1-3 nëntor do të kemi seksion maratonë me ligjërata të shkurtra.”, tha Frashëri, duke shtuar më tej se do jenë rreth 40 studiues me këto kumtesa. “Kjo Konferencë po jep fryte të rëndësishme në jetën akademike dhe duket se do të jetë një rast shumë i mirë për tu mbledhur për trajtesa të reja dhe gjurmët që ka lënë në histori Heroi ynë Kombëtarë Skënderbeu”, shoti ai.

Sipas Frashërit ky aktivitet e vlerëson deh pasuron në optikën shkencore figurën e Skënderbeut e jo atë politike apo të një natyre tjetër. Frashëri u shpreh se qeveria i ak dhënë rëndësi kësaj Konference shkencore dhe kumtesave që referohen në të, dhe vitin e ardhshëm këto kumtesa do të mblidhen së bashku e do të botohen, duke bërë kështu një libër të ri historie për Skënderbeun”.

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha që lidhen me figurën e Heroit tonë Kombëtar, por edhe të Europës mbarë.

‘Mënyr’ e ‘falënderit’, gabimet e tmerrshme gjuhësore të Gjimnazit në Malishevë

Nuk është e rrallë të shohësh gabime drejtshkrimore nga institucione shkollore në Kosovë, dhe nga njoftimet apo komunikatat e tyre zyrtare.

Megjithatë, është e dhimbshme. Një njoftim i para pak ditëve nga Gjimnazi ‘Hamdi Berisha’ në Malishevë, lë shumë për të dëshiruar.

“Të dashur nxënës të nderuar prindër ju njoftojmë se,për shkak të punimeve që jan duke u bër në shkollën tonë në mënyr që të krijohet një ambient dhe hapsir më e mirë, mësimi nuk do të filloj deri më datën 17 shtator.
Falënderit për mirkuptim!”

Kështu shënon njoftimi në atë që quhet Profili Zyrtar i këtij institucioni arsimor në Malishevë. Gabimet nisin me shenjat e pikësimit e deri te ‘jan’, ‘bër’, ‘mënyr’ e ‘hapsir’, shtuar këtu edhe ngatërrimin e vetave të gjuhës shqipe.

Komentuesit kanë qenë të shpejtë duke reaguar mbi këtë postim në rrjetin social Facebook dhe duke përmirësuar gabimet e personit që e ka shkruar postimin. / KultPlus.com

‘Unë jam një nga një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë’

Ada Halilaj

Unë jam një nga një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë.

Jam bijë e gjakut malësor;fëmijë i dy prindërve me arsim 8-vjeçar,njerëz të një dinjiteti madhështor,të një thjeshtësie mallëngjyese,të një krenarie imponuese,punëtorë kooperativash,vjelës duhani,shitës kavanozash,shtëpijakë e në fund nëpunës shteti.Jam vajza e një nane bujarisht të dashtun por edhe e sertë në rregulla dhe dirigjente në kërkesa dhe i një babai fjalëpaktë,mendjehapun e besimdhanës.Jam vetë mësuese e vetë nxanëse e lirisë teme,të cilën deri vonë,e kam mbrojt si kafsha këlyshin e vet.Një grua e gjykume për prejardhjen ‘joqytetare’,për tatuazhet,për udhëtimet vetëm,për pavarësinë e mendimit të ftohtë,për refuzimin e religjionit të prindërve,bindjet politike të vetëformume,për tërheqjen nga spektakli i traditave,për njeriun që dashurova,për poezitë erotike,për shkrimet feministe,për zanin e të drejtës,për vetëvendosjen,për guximin,për besimin e palëvizshëm në vedi.

Jam një nga ato gratë për të cilat flitni në pauzat e kafeve,në mbledhjet familjare,në vesh të njeni-tjetrit.Një nga ato gratë që ndeshni me bërryl,tregoni me gisht,shihni me bisht të synit,ua harroni emnin apo s’keni njoft kurrë.

Gra si nana jeme,e treta e 9 fëmijëve,e lindun dhe e rritun nën brinjë të malit;e ushqyme me racion buke;e veshun me tesha të qepuna e të shqepuna;e mësume me hap sytë pa lind dielli,me kullot bagëtitë,me mbledh shërbelë,me ec gjysëm ore për shi e borë deri në bankat e shkollës,me andrru pak e me punu shumë.Pengu i saj ma i madh asht humbja e bursës së studimit në Shkodër për vendim të të atit e privimi nga një mundësi e dytë shkollimi për vendim të vjehrrisë.

Gra si kushrina jeme,e cila tentoi disa herë vetëvrasjen për shkak të dhunës sistematike të bashkëshortit dhe pikëllimit nga turpi i pafrenueshëm me kërku ndihmë nga familja.

Gra si Meli,e fejume me zor në moshën 12 vjeçare sepse trupi i saj, krahasu me shoqet,ishte ma joshës,ma trazues e kërkesat e dorës sa vinin e shtoheshin në shtëpi.
Gra si Ida,që pranon pasivisht bashkëjetesën me një burrë pijanec,të dhunshëm dhe të papunë sepse e zgjodhi vetë,me dashni e me ngulm,kundër gjithkujt e gjithçkaje,e i vëllai nuk e merr mbrapsht motrën e ndame me dy fëmijë të “huaj” në prehën.

Gra si Ola,babai i të cilës ka vite që nuk i flet me gojë,vetëm sepse lindi një fëmijë jashtë martese.
Gra si Ohrida,që duhet të fshihet nëpër kafene të errëta apo në lokale periferike me të dashtunin e saj,duhet t’i ruhet paditjes së kureshtarëve sepse vajzat e këtij vendi nuk mund ta jetojnë lirisht njohjen me një djalë.Ua fshehin prindërve nga frika.Ua rrëfejnë shoqeve nga ngazëllimi…sepse këtu,dashnia e pashpallun,e pazyrtarizume,e papërkrahun nga familjet përkatëse,shtrëngohet në turp,në marre,në koritje.

Gra si Xhulia,që mendon se virgjëria asht garanci për një martesë plot besim dhe krenari mashkullore…se kështu i kanë thanë,se kështu e kanë bind.
Gra si Lela,të brymosuna aq fort me frymën e nënshtrimit,sa besojnë plotësisht e verbnisht që urtësia dhe heshtja shiten mirë në tregun e opinionit të masës dhe se një grua e mençun nuk kundërshton,nuk e braktis vendin që i përket.
Gra si Artemisa,që detyrohet të organizojë dasmën në kohë rekord,me ngut dhe ankth sepse pret një bebe e familja nuk ia don barkun te goja në pragun e një shtëpie që s’asht ajo e të shoqit.

Gra si Pranvera që zgjohet e para e flen e fundit,që përgatit njëherazi mëngjesin e drekën nën dritën e vakët të kuzhinës, duke tregu kujdes maksimal që të tjerëve mos t’u cënohet gjumi,që punon mekanikisht 8 orë në një fabrikë këpucësh në anën e kundërt të qytetit,që kur kthehet e rraskapitun e me rrathët e syve të ramë,duhet t’ia fillojnë nga e para avazit të pafalshëm shtëpijak.Darka,pjatat në lavaman,detyrat e fëmijëve,rrobat e pahekurosuna në raft,mendimi se ça do gatuajnë të nesërmen,pa prit asnjë shenjë ndihme nga askush përveç duarve të saj.
Gra si Linda,e cila punon sa dyfishi i të vëllait në biznesin e familjes por paguhet sa gjysma e tij sepse djali,në ngushtësinë e mendimit patriarkal,asht shtylla e shtëpisë,trashëgimtari qëndror,andaj meriton ma shumë.
Gra si Inesi që dirigjon një organizatë të njohur,udhëton shumë,jeton vetëm,fiton mjaftueshëm para sa të mos ketë nevojën e askujt por që për tagrin publik karriera e saj asht fitu në këmbim të trupit të saj.
Gra si Luçiana,e cila prej 25 vitesh jeton me dy prindërit e bashkëshortit dhe nën ligjivënien e plotë të tynen përjashtohet nga vendimet familjare.Që nga emrat e fëmijëve e deri te blerjet ushqimore,Luçiana nuk ka zà me nxjerr.
Gra si Denisa,e cila pas lindjes së katër vajzave tenton kërkimin dëshpërues të djalit në një shtatzani të pestë dhe aborton me dashje sapo ekografia nuk ua përmbush pritshmëritë.
Gra si Jonida,dikur balerinë e një talenti premtues,e sot gruaja e një burri fanatik,xheloz e prepotent që e detyroi të hiqte dorë nga baleti,të vishte fundin nga gjuri e poshtë e të izolohej nga gjithkush në kullën e “artë”të vetmisë.
Gra si Ela,që nuk mundi të triumfonte karrierën si peshëngritëse sepse i ati nuk donte vajzë me profesion burrash.
Gra si Gonxhja,e cila mbasi ka pastru gjithë ditën stallën e lopëve,e këput gjumi duke parë telenovelën e preferume,të vetmen aventurë të lejueshme nga realiteti.
Gra si Kristina,e cila ka 3 javë që nuk takon prindërit,me urdhën të të shoqit,mbas një debati të cekët të këtij të fundit me burrin e motrës së saj.
Gra si Fatimja,e deklarume e vdekun nga familjarët pse u dashurua me një djalë të një feje tjetër.

Gra si Emanuela,që një pallat i tanë mezi pret ta fejojnë pas “turpit” të dështimit të fejesës së parë.
Gra si Nora,me shkollë,me profesion,me rrogë të mirë,me një burrë të pashëm që shihet me keqardhje dhe dyshim kur pyetjes se kur do bahet nanë,i përgjigjet:Jemi mirë kështu siç jemi!
Gra si Drita,e urtë,e butë,e sjellshme,punëtore,shembullore por “fatkeqësisht” e pabukur,e si e tillë e mëshirume kolektivisht.

Gra të palumtuna,të papërmbushuna,të paragjykume e të dhunume egërsisht.Gra me emën po pa identitet.Gra pamjaftueshmërisht të bukura,të mira,punëtore,nikoqire,pjellore…pamjaftueshmërisht të qeshuna,të dashtuna,të binduna…pamjaftueshmërisht bashkëshorte,nana,bija,nuse.
Gra të keqpagume,të keqtrajtume,të keqkuptume.

Për to,për nanen teme,për vedin…shkruej,luftoj,protestoj,qëndroj.
Festa mund të presin.Rruga drejt saj nuk shtrohet me lule!

Dua Lipa paralajmëron këngën e re dhe videoklipin këtë javë

Këngëtarja me renome botërore e origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të lansojë këngë të re me videoklip.

Lipa, përmes një postimi në Instagram, ka bërë të ditur se këngën e re me videoklip do ta lansojë më 6 shtator, transmeton Koha.net.

Ajo, po ashtu, është shprehur se ndjehet shumë e gëzuar me këtë këngë dhe se mezi pret që t’ia tregojë publikut.

“Elektricitet. 6 shtator. Kënga e re dhe videoklipi janë duke ardhur. Jam shumë e gëzuar për ju që ta shihni këtë”, ka shkruar Lipa në Instagram.

Kënga e re Lipa do ta bëjë në bashkëpunim me artistët Mark Ronson dhe Diplo.

Gjithashtu, siç mund të shohim nga fotografia, Dua Lipën e shohim për herë të parë me flokë të bardha.

Festivali ‘Etnofest’ hyn në ditën e tretë

Festivali i traditës “Etnofest”, festival i arteve dhe kulturës tradicionale që ka nisur edicionin e tij të tetë në fshatin Kukaj të Prishtinës dy ditë më parë me një program të ngjeshur etno artistik, do të sjellë mjaft aktivitete edhe gjatë ditës së sotme.

Sipas programit, në ditë e tretë të festivalit “Etnofest” në bashkëpunim edhe me institucione tjera të traditës si studion “Marubi”, Instituti Albanologjik, Muzeu i Kosovës, etj, do të sjellë ekspozita, etnoperformanca, debate etnologjike, orë letrare, shfaqje teatrale dhe muzikë deri në orët e vona.

Në orët e pasdites Instituti Albanologjik dhe “Etnofest”, kanë paralajmëruar një debat etnologjik ku studiuesit Bashkim Lajçi, Vlora Berisha e Ylberza Halili do të referojnë mbi tema interesante mbi traditën etno kulturore dje dhe sot.

Do të ketë edhe një orë letrare me krijues të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, shfaqja “Të harruarit” në regji të Shkurte Aliut dhe pas orës 21 pjesëmarrësit e ditës së tretë të “Etnofest” 8 do të argëtohen me muzikën e grupit “Gipsy Groove’. / KultPlus.com

Gruaja e Teodor Kekos, letër për burrin e ndjerë

Kjo është një nga letrat që bashkëshortja e Teodor Kekos i bën të ndjerit herë pas herë dhe që janë plani i një botimi, i cili do të vijë së shpejti…

Dori im i dashur,
Kam disa kohë pa të shkruar, e di, por
unë çdo mbrëmje bisedoj me ty. Pasi
mbyllet dita dhe bëhem gati për gjumë sigurisht që mendimi shkon te gjërat që kanë shkuar mirë ose jo, apo tek ato që priten të ndodhin. Gjithnjë pyes veten se si do kishte vepruar Dori po të ishte në vendin tim dhe sinqerisht shpesh e marr përgjigjen e duhur.
Do të doja që të mos kisha nevojë të shkruaja këtë letër në prag të ditëlindjes tënde të 60-të por të isha e okupuar bashkë me djemtë për përgatitjen e një feste surprizë për ty. Pastaj, do të doja që në ditëlindjen tënde të të thosha plot gjëra Dori, duke të parë në sy… Të tregoja për Teon e vogël që mban emrin tënd, për Martinin që tashmë është shoku im më i mirë, për Elion, dikur aq të përkëdhelur, që është bërë një baba i kujdesshëm, që i jep Teos dhe Kitit aq shumë dashuri e mua aq shumë mbështetje shpirtërore.
Çfarë të të them më o Dori në këtë përvjetor tëndin?… Kanë kaluar plot 16 vjet nga ikja tënde e, çdo ditë që shkon më mungon më shumë mua dhe fëmijëve, çdo festë jona është e trishtë pa ty, çdo ardhje në Tiranë është dhimbje sepse e bën edhe më evident faktin që ti nuk je më, çdo kafe në kafenenë tënde të preferuar është e pabukur. E vetmja gjë e bukur që mund të të them është fakti se të gjithë të kujtojnë: miqtë, të afërmit, lexuesit e tu të shumtë. E kjo, pavarësisht se më bën të mos ndihem krejtësisht vetëm por të të kem pranë në 100 mënyra, sërish nuk mjafton për të gjetur forca e festuar ditëlindjen tënde përveçse të të sjell një buqetë të madhe me lule, dy gota konjak për ne të dy, e për të ndezur nga një cigare duke biseduar…
Të të them një sekret… e di ku po e shkruaj këtë letër…. jam buzë liqenit në Pogradec, pikërisht në hotelin ku kaluam muajin e mjaltit. Natyrisht hoteli ka ndryshuar shumë por dhoma ime është pothuajse mbi liqen, njësoj si atëherë. Edhe Pogradeci ka ndryshuar por për mua do të mbetet përherë ai qyteti i vogël e i ëmbël ku u ngjiz Martini. Të gjithë qeshin kur u tregoj se djali i madh, tashmë 33 vjeç, është produkt i pastër i peshkut belushk dhe shumë gotave verë të prodhuar në Pogradec, shijuar nga ne në verën më të bukur të jetës sime, atë të vitit 1984.
Përpara se ta mbyll dua të të tregoj për Teon, i cili e ka ndryshuar e gëzuar jetën tonë. Mua më duket, siç çdo gjysheje, fëmija më i ëmbël në botë. Është një ndjesi që nuk e kisha provuar në jetë, dashuri sublime. Shpesh Kiti qesh me mua e më thotë: “Më duket se ke rënë në dashuri me këtë burrin e vogël”. Sa herë e shoh dhe e përkëdhel të kujtoj ty, më vjen mirë që mban emrin tënd por besomë aq keq që nuk u takuat kurrë, megjithëse jam e sigurtë që do jetë krenar për gjyshin e tij. Sa herë i tregoj përralla, gjithnjë në shqip sepse jam e vendosur t’i mësoj gjuhën tonë, në fund i them se sa bukur do të ishte sikur këto përralla të t’i tregonte gjyshi Dori dhe besomë më sheh me ato sytë e tij të mëdhenj blu dhe buzëqesh thua se më kupton.
Po iki përpara se të të trishtoj jetën tënde tashmë të paqtë me përditësinë time tokësore të mbushur me mungesën tënde.
Të dua shumë,
Xhuli
Pogradec më, 28 gusht 2018

Komuna në bashkëpunim me Asociacionin e Arkitektëve, për Sallën Koncertale

Komuna e Prishtinës bashkë me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës nënshkruan sot Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim të ndërsjellë në përgatitjen e konkursit ndërkombëtar për konceptet ideore që ndërlidhen me projektin e Sallës Koncertale në qendër të Prishtinës.

Përmes këtij Memorandumi, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka përgjegjësi që të ofrojë ekspertizë në fushë e arkitekturës për konkursin ndërkombëtar; do të ofrojë ekspertizë teknike në realizimin e projektit; të mbledhë materiale dhe të dhëna profesionale të nevojshme për aplikuesit; të përpilojë termat e referencës dhe detyrën projektuese për konkursin ndërkombëtar; të respektojë afatet kohore të parapara për përfundim të shërbimeve; si dhe të bashkëpunojë me Komunën gjatë gjithë implementimit të aktiviteteve.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës do të ofrojë mbështetje institucionale me qëllim të arritjes së synimeve të kësaj marrëveshjeje, si dhe do të ofrojë mbështetje financiare për Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës. / KultPlus.com

Tragjedi në Brazil, merr flakë Muzeu Kombëtar në Rio

Muzeu Nacional në Brazil të dielën mbrëma ka marrë flakë.

Institucioni ku ruhen 200 vite histori është shkatërruar nga flakët. Brenda tij ka pasur atefakte nga Greqia, koha romake, Egjipti dhe të parat fosile që janë gjetur në Brazil.

Nuk ka të lënduar por dëmi që i është shkaktuar trashëgimisë brenda Muzeut është humbje e madhe.
Bëhet fjalë për 200 vite edukim, 200 vite shkencë, kulturë, kujtesë.

Disa prej zjarrëfikësve nuk kanë pasur mjetet e nevojshme për të shuar zjarrin që nisi të dielën mbrëma. Ende nuk dihet shkaku i nisjes së zjarrit.

Presidenti i Brazilit ka shkruar se kjo është ditë tragjike për të gjithë brazilianët. Disa prej punëve brenda në Muze janë ruajtur por një pjesë e mirë duket se është shkatërruar.

Siç shkruajnë mediat e huaja, hidrantët afër Muzeut nuk kanë punuar dhe për këtë po kritikohen organet përgjegjëse, pasi është dashur sasi e nevojshme e ujit nga larg për ta shuar zjarrin brenda ndërtesës.

Brenda ndërtesës është ruajtur edhe skeleti 12 mijë vite i vjetër i gruas me emrin “Luiza”. / KultPlus.com

Të kam dashur

Teodor Keko

Të kam dashur, të kam dashur
zemra ime zog i brishtë
nëpër erëra të kërkon.
Fishkëllen motiv’n e hershëm
një përgjigje merr të trishtë
heshtje varri që heshton.

Të kam dashur, të kam dashur
m’u lodh zemra në kërkim
krahëkëputur ra mbi breg.
Peshkatari që e gjeti
vetë u mbyt në një trishtim
gjakspërkatur si një shegë.

Të kam dashur, të kam dashur
me aromë të ndoqi zemra
nëpër erëra e murlane.
Era fryu jug-veri,
nga të shkoj, klithi e shkreta
unë pa zemër jam kësaj ane

Të kam dashur, të kam dashur
i vetmuar zemrën pres
mal trishtimi në këtë glob
Era fryn, aroma bie
zemra ime nuk po vjen
oh, ka ngrirë në një pol.

Të kam dashur, të kam dashur
mirë, mos eja, nëse s’do
veç një diell ngri në skaj.
Të çlirohet zemra ime
lidhur akujsh nëpër lot,
zemra ime e pafaj…

1996

‘Me pasë fëmijë në moshën shkollore, sot i kisha refuzue disa gjana’

Rushit Rimanishta / Facebook

Urime viti i ri shkollor për të gjith nxënësat dhe mësuesat.
Me pasë fëmijë në moshën shkollore apo edhe me pas qenë vet nxanës, disa gjana kisha refuzue në mënyrë kategorike me i “mësue”:

– Kurr nuk e kisha harrgjue as një minut me mësue vjerrsha përmendsh. Nuk ka asnjë studim kredibil në botë që tregon se të mësuemit përmendësh zhvillon diçka të dobishme. Mësimi përmendësh vetëm merr energji edhe shkakton stres krejt pa nevojë.

– Kurr nuk e kisha mësue as një datë përmendësh. Në vend se me mësue ekzakt kur është zbulue penicillini, duhesh me ditë se si është zbulue dhe qyshë ndikon tek bakteriet dhe qyshë reagojnë bakteriet në të.
– Nuk kisha hargjue fort energji me i mësue përmendësh as kryeqytetet e vendeve të ndryshme në botë. Nese të nevoiten, hyn në google.
– Nuk ma kish nie për notë. Me rëndësi është me ditë. Notat nepër shkolla e zhvendosin fokusin në konkurrencë mes nxënësve se cili ka notë ma të madhe dhe jo në dijen faktike. Notat shpeshhere kan shkaktue deshprime e trauma tek shumë nxënës.

– Një shkollë e cila nuk zhvillon dhe lejon kreativitet dhe mendim kritik, në at shkollë, kisha ba çmos qe mos me i dërgue fëmijtë e mi. Në at shkollë ku nxënësi nuk guxon me kundërshtue mësuesin, nuk zhvillohet as kreativiteti e as të menduarit kritik.
…….
Lista kish me vazhdue kogja gjat por kto jan kryesoret.

Elvis Naçi kritikohet për gjuhën seksiste dhe urrejtjen ndaj grave (VIDEO)

Një video që po qarkullon në internet po tingëllon si seksiste dhe si një fjalim që nxitë urrejtje.

Faqja “Shqiptarët laikë” e ka shpërndarë një pjesë të fjalimit të personazhit Elvis Naçi, një nga hoxhallarët më aktivë dhe më të përfolur në Shqipëri.

Në një predikim ai shpërtheu me objektifikime seksuale dhe me retorikë seksiste të shfrenuar ndaj grave.

Ai në këtë video me tërë mlleh i paraqet gratë (“femrat”) si nxitëse të imoralitetit, kriminalitetit, shkatërrimit të familjes, shkatërrimit të vetëvetes si dhe të burimit të sëmundjeve.

Komentuesit në faqe kanë qenë të shpejtë duke e kritikuar e madje edhe duke e përkrahur këtë diskurs të Naçit, një emër i njohur në predikimin e tij fetar dhe fjalimet e tij të shumta të cilat i shpërndanë edhe në faqen e tij në Facebook. / KultPlus.com

Ka nisur Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Dea Open Air’

Në datat 2 deri më 8 shtator 2018, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR do të zhvillojë edicionin e tij të pestë. Festivali vijon traditën e të qenit vizitor në stolinë e rivierës shqiptare, Sarandë.

Shfaqjet Open Air do të organizohen në Kinema Limani dhe Kinema Bougainville. Në Kinema Limani është planifikuar të organizohet Ceremonia zyrtare e Hapjes së Edicionit V të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air Sarandë – 2018. Po aty do të ofrohen edhe dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër. Në Kinema Bougainville do të organizohet edhe këtë vit programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit si edhe Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit V të Dea Open Air Festival Sarandë – 2018.

Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetmë konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit. Ata vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale.

Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter ( producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (Skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/ Kamerën më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. / KultPlus.com

‘Ma zor mblidhen dy shqyptarë, sesa mblidhet nji thes me pleshta’

Gjergj Fishta

Kishin hyp nji rreze dilli,
Ai Shën Pjetri e ai Shën Mhilli,
E po flisnin për i hall t’vjetër,
Ai Shën Mhill me njat Shën Pjetër

Se Shqypnia u rrudh e vogël,
Për shqyptart, sa një gogël.
Lene t’shejt e mos ta zgjasim,
Zbresin n’tokë Shqypnin ta masin.

Morën tshejt nji lamsh t’mashit
Nisen matjen n’Preveze t’tashit.
Mirëpo lamshi u ka mej,
Sa arritën t’Shejtit n’Qafë-Pejë.

Edhe nejse, mos me u zgjat,
Si me mat Shqypnin e ngratë,
Peni i mashit asht mbaru…
Vrik, kalon dreqi i mallku!

I kanë pre kryet, lekurën i kanë rru,
E me atë lesh kanë ba nji dredhë t’Djallit.
Qysh se u mat me lesh t’Djallit,
Asnji punë s’na shkon për s’marit.

Sesa nisim nji pune t’re,
Të parët që e prishim, jemi ne!

Troç, dy fjalë, kombit mbarë,
Sy me sy me ja thanë deshta:
Ma zor mblidhen dy shqyptarë,
Sesa mblidhet nji thes me pleshta.

Shtatori e ka vetëm një emër, ‘La Casa de Papel’

Nuk duhet në asnjë mënyrë t`ju ikë nga vëmendja një serial i ri.

“La casa de papel”, në gjuhën spanjolle, po mërr famë nëpër botë me realizimin e tij perfekt dhe transmetimin në platformën Netflix.

Dy sezone të serialit tanimë janë kritikuar pozitivisht. Në prillin e 2019-tës pritet të dalë edhe sezoni i tretë.
Nuk po zbulojmë shumë. Një grup bashkohet për të marrë pengje brenda Bankës Mbretërore të Spanjës. Një profesor dirigjon gjithçka, por ndoshta nuk ka kontroll gjithë çka ai mendon.

https://www.youtube.com/watch?v=EBKdrzaVmVk

Tetë personazhe që nuk kanë asgjë për të humbur futen në këtë eksperiment, që përfundon të mos jetë i tillë.
Netflix ka zbuluar se seriali, në sezonin e tretë, do të jetë edhe më i zjarrtë në trajtim. Versioni në anglisht i serialit e ka titullin “Money Heist” ndërsa episodi i parë u lansua më 2 maj të vitit të kaluar.

https://www.youtube.com/watch?v=rLTD_AD91uE

Një dramë që nuk duhet ta humbisni. Shikoni dy sezonet e para të serialit dhe do të bindeni për suksesin e tij absolut, edhe pse në gjuhën spanjolle.

Për fund, po zbulojmë se pjesë e serialit dhe identitetit të tij është kënga “Bella Ciao” – kënga e njohur antifashiste italiane. / KultPlus.com

Grupi Elita 5 me koncert madhështor në Tiranë

Nga Tetova vjen një grup muzikor që nuk e humb shkëlqimin prej 30 vitesh. Ata janë Elita 5, pionerët e rokut shqiptar, këngët e të cilëve i njohin të gjithë. Djemtë e Elita 5 po përgatisin një koncert që do të mbahet në Amfiteatrin e Tiranës për të festuar 30-vjetorin e bashkimit të tyre si dhe të prezantojnë albumin e ri “Tornado”. Me solistin e grupit, Arif Zyberi, Besim Ibrahimin dhe Nexhat Mujovin bisedoi Jetona Koçibelli.

Askush nuk mund të mos ketë ngelur i prekur nga emocioni që shkakton Elita 5. Me muzikën e tyre të ndierë, me stilin “rock” dhe me magjinë e sharmin e tyre, kur vjen puna tek legjendarët ne i përulemi suksesit të tyre. Elitarët janë pesë, ashtu siç e filluan para 30 vitesh. Me Al Capone, Sajzezën, E urrej shiun, Udhëtari i natës, e deri tek më të fundit, Nuk jam unë diktator, Çmendem e së fundmi Tornado.

Koncerti vjen me 7 shtator në Amfiteatrin e Tiranës.

Artifi, Mevaipi, Besimi, Agroni, Valoni e Nexhati si producent erdhën në Tiranë për të filluar përgatitjen për koncertin e madh të 30-vjetorit të tyre, në Amfiteatrin e Liqenit, organizuar nga Bashkia Tiranë.

Pse në Shqipëri?

“Duhet ta pranojmë për gjithë shqiptarët që jemi jashtë kufijve të Shqipërisë, kryeqendra e shqiptarisë ka qenë Shqipëria dhe Tirana. Dhe jo rastësisht ky koncert do të zhvillohet në Tiranë”, thotë vokalisti.

Grupi është krijuar në 1988. Si ishit atëherë? Të njëjtë apo me ëndrra më të mëdha?

Ëndrrat e atëhershme janë bërë realitet. Vetëm mosha na ka ndryshuar.

Kush ju ka bërë që t’i shkruani kaq bukur baladat? Stili apo dashuria?

Muzikën e bën Virusi, tekstet i bën ekipi ynë. Kjo nuk do të thotë se nuk bëjmë tekste, pasi të gjitha baladat kanë qenë me sugjerimin tonë. Janë historitë tona.

Ka patur shumë momente të rëndësishme historike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni përgjatë këtyre dekadave, si kanë ndikuar ato në artin tuaj?

Po normale që ka ndikuar, sipas situatës që ka qenë, ashtu edhe kemi krijuar. Jeta e përditshme është ajo që të motivon të krijosh diçka, qoftë mllefi, qoftë dashuria…

E kujtoni besoj koncertin e madh kur erdhi grupi “Scorpions” në Tiranë?

Ka qenë një moment shumë i vështirë për ne, pasi ndërkohë që shfaqej koncerti, ne në Maqedoni kishim luftën dhe më kujtohet një rast që kur filloi koncerti, pjesa e Scorpions, u ula në publik dhe thirra shoqen time dhe i thashë dëgjojë Scorpions. Dhe ajo tha shumë bukur, por dëgjo ti çfarë po ndodh këtu, në Tetovë. Kishte krisma të mëdha. Ishte një eksperiencë shumë e madhe për ne, që do ta kujtoj gjatë gjithë jetës sime.

Përveç të tjerash keni krijuar edhe një imazh tepër të qëndrueshëm si një grup stoik që i ka rezistuar kohës. Çfarë ju ka mbajtur gjatë për kaq shumë kohësh?

Na ka mbajtur shoqëria, sepse jemi të një qyteti. ka qenë ajo në fillimet që kemi qenë edhe jemi njohur fqamiljarisht. Ndërsa në punë na ka mbajtur korrektësia ndaj punës dhe publikut.

Çfarë do të na këndoni?

Do të këndojmë këngë nga repertori i Elita 5, kemi bërë një përzgjedhje shumë reale duke u bazuar në Youtube, se cilat këngë janë më të kërkuara.
Shpresojmë që edhe publiku t’i këndojë këngët, për mua do ishte dështim koncerti nëse nuk këndojmë bashkë atë natë.
Uroj që atë natë mos e urrej shiun, të kemi një kohë të bukur. por besoj se nuk do të kemi shi. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

Viti i ri shkollor nis me 10 ditë vonesë në dy shkolla në kryeqytet

Dy shkolla fillore në kryeqytet, “Elena Gjika” dhe “Pavarësia”, nuk do të fillojnë vitin e ri shkollor të hënën për shkak të renovimeve të papërfunduara.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Jonuz Salihaj, drejtor i arsimit në Komunën e Prishtinës, i cili tha se këto dy shkolla do të fillojnë mësimin 10 ditë me vonesë.

“Për Elena Gjikën kemi pasur disa probleme, është dashur të bëjmë investim 200 mijë euro për shkak të renovimeve. Elena Gjika është objekt i mbrojtur, na kanë penguar 10 ditë duke na vonuar lejen për renovim, prandaj është bërë vonesa”.

“Sa i përket shkollës “Pavarësia” kemi pasur kërkesa të shumta të nxënësve për shkak se është rritur numri i paraleleve të reja, është dashur të shtojmë edhe tri klasa dhe një kabinet”, tha Salihaj.

Salihaj shtoi se ditët e humbura të mësimit do të zëvendësohen deri në fund të vitit shkollor.

Ndahet në Kalkutë çmimi ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’

Është ndarë për këtë vit Çmimi Ndërkombëtar Nënë Tereza.

Tradicionalisht, çmimi jepet në fusha të ndryshme. Në fushën e muzikës, për shfrytëzimin e saj në shpërndarjen e paqes nëpër botë, kompozitori nga Banglladeshi – Kaushnik Hossain Taposh dhe personaliteti Farzana Munni kanë marrë çmimin për sivjet.

Çmimin dyshja e morri në Kalkutë, aty ku e kaloi një pjesë të mirë të jetës bamirësja Nënë Tereza.

Dita u bë edhe më e veçantë me rastin e ditëlindjes së 108-të të bamirëses të cilën e njeh bota mbarë.
Dyshja kanë qenë pjesë e Kampanjës “Wind of Change – Music for Peace” e cila bëri për vete 55 artistë nga 33 shtete drejt promovimit të paqes me anë të muzikës.

Në këtë Kampanjë morrën pjesë edhe emrat si Ruslana nga Ukraina, këngëtarja Senan nga Turqia dhe Mekaal Hasan nga Pakistani. / KultPlus.com

Esenini, letër për nënën e munguar

Sergei Alexandrovich Yesenin

Gjallë je, nënoke?
Edhe unë gjallë jam!
Shëndet më paç, shëndet!
dritë e beftë krejt kjo mbrëmje e lum
Izben tënde, që me mall më pret

Thon se je ligur e je tretur
Nga meraku im, por nuk ankon
Se, pështjell me një shall të vjetër
fillikat rrugës shpesh kalon

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie
një vegim i zi të kall ty frikë
Sikur në sherr diku në pije
Vjen dikush e ma këput me thikë

Kot e dashur, vuan kaq, besom
Brenga t’i fanit këto ndër sy
S’jam aq pijanec i lig sa thonë
Si do vdes pa të të parë ty?

Unë jam po foshnje, si njëherë
Dhe një shpresë veç ushqej në gji
T’iki nga ky tym e kjo poterë
te shtëpiza jonë aty të vij

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim
Vetem ti, si tetë vjet më parë
Mos më zgjo aq herët në agim.