‘Kur të kam pranë, dhe kur s`të kam pranë’ (VIDEO)

Grupin ‘Votra’ nuk e harrojmë lehtë.

Sidomos kënga “Kur të kam pranë” ishte e veçantë dhe një hit në kohën kur u lansua. ‘Votra’ me anëtarët Armend Fejzullahu, Lulzim Mulolli, Amir Mehmeti dhe Neil Thom.

“Kur të kam pranë” në vitin 2005 ishte edhe pjesëmarrëse në Top Fest në Shqipëri.
Grupi nu ka shumë këngë por ato të realizuarat i kanë mishëruar dhe sjellë para publikut në një formë unike dhe me një karizëm që djemtë e grupit e kanë përçuar gjithmonë, shkruan KultPlus.

Sot, derisa po e kujtojmë këngën e njohur, vokalisti Armend Fejzullahu duket se do të nisë një projekt të ri muzikor.

Ka vite që nuk ka sjellë diçka të re por Armendi po punon me kompozitorin Florent Boshnjaku për një nismë të re muzikore. Vetë kompozitori ka postuar një fotografi me këngëtarin duke paralajmëruar diçka të re. / KultPlus.com

NouveauBeats, këtë vit në ‘Hardh Fest 2018’

Organizatorët e Hardh Fest-it thonë se festivali po vjen unik dhe promovues si gjithmonë.

Një nga emrat e shumtë ndërkombëtarë dhe vendor që këtë vit do të performojnë “Me pamje kah vneshta” në Hardh Fest është superylli i muzikës Progressive House nga Amsterdami, Nouveabeats.

“I njohur ndërkombëtarisht, Nouveabeats, ka performuar në skena të mëdha të muzikës si në Belgjikë, Francë, Spanjë, Angli, Greqi, Suedi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me yje të njohur si Afrojack, Arty, Bassjackers, Bingo Players, Carnage, Chuckie, Don Diablo, Dubvision, DVBBS, Firebeatz, Hardwell, Helena, Laidback Luke, Nicky Romero,James & Ryan Marciano etj”, thuhet në njoftimin për media të këtij festivali.

Në skenën e madhe n’Konak të “Hardh Fest 2018” do të jetë një nga emrat kryesor të edicionit të XVII të këtij brendi që tashmë është një nga festat më të mëdha dhe më origjinale në vend.

Në ditët në vazhdim “Hardh Fest” thotë se do të publikojë edhe emrat e artistëve të tjerë ndërkombëtarë dhe vendorë dhe lista është e gjatë e me emra të cilët kanë lënë gjurmë në industrinë e muzikës dhe krejt këtë magji do të mund ta përjetoni të gjithë, pasi që të gjitha koncertet janë gratis, pa pagesë për hyrje.

Këtë vit, datat 7, 8 dhe 9 shtator janë të rezervuara për Hardh Fest 2018.

Hardh Fest 2018, organizohet nën patronatin e kryetarit të komunës, Smajl Latifi si dhe partneri i festivalit, Stone Castle. / KultPlus.com

‘Çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet’

Disa mendime nga Ernest Koliqi për shqiptarët që merren përditë me politikë! Mendime aktuale…

Fjalë e foli…

Shqiptarve, përgjithësisht, u pelqen politika. Jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehâne ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze. Mbush e derdh… Vizató e shlyej situata… Naltësó e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente… Fundi? Sejcili shkon në shtëpí të vet pa ndërrue mendim, i bindun se ai vetëm ká në xhep të vertetën. Deri sa këto bisedime, rëndom të thata e të shtërpëta, janë nji mjet me kalue kohën dhe me hjekë mërzí, hajdedeh!; porsé mjerisht ndodhë shpesh qi aty me pohime të kota e shum lehtësisht cenohen vlera të çmueshme dhe mbillet fara e dyshimit qi pengon nisma të dobishme. Fjalë e foli… Dikush hjedh në pije a n’inad e sipër nji mendim të përcipët, nji gjikim të shtrêmbët, nji trillim pá themel: fjala ecë, shtohet e lacarohet dhe hyn në grumbullin e legjendave, qi ndër né zêvendesojnë historín, d.m.th. vargun e ngjarjeve të dokumentueme. Kur nji legjendë krijohet, s’ká dokument qi e përgënjeshtron. Fjalë e foli…

Dhe kështu ecim, politikisht, në nji tymnajë thânethashash pa krye dhe pa bisht, ku çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet, qi s’ka kurrnji lidhje me botën reale. E kënaqet sepse në kët Shqipní, sendërgjue prej fantazís s’ethun, ai e njehë veten të parë, âsht vetë Alí e vetë Kadí, mposhtë me mend ata qi i bâjnë hije dhe zgjâhet tue andrrue (në kllapí madhështore) nderime e shpërblime qi nuk barasohen kurrsesí me vleftën e tij morale e intelektuale.

(Ernest Koliqi, Shêjzat, 1972, nr. 5-8, f. 147).

Mall për diçka të vdekun

Lazër Jozef Radi

Nji puthje t’braktisun e bana kopësht
e shëtita n’qiellin e dy syve t’humbun.
Asnji fytyrë s’m’u shfaq nga çilja e gonxhes,
asnji emën s’përmendën zogjtë n’fluturim.

Bari i butë kërkonte nji kambë ta shkelte,
kantilena e mbramjes si shi i ambël u derdhte.
Krejt lodrat e hanës n’qiell i qendisa
me penelin e lodhun të trishtimeve të mia.

Akrepat e ndryshkun t’nji ore të ndalun
i mësova me hecë mbrapsht si gaforre,
veç me m’kthye te ajo mbramj’e humbun,
te ajo mbramja, ku gjethet rrzoheshin të dehuna
nën tinguj të largtë kambanash t’plagueme…

Nji puthje t’braktisun e bana pyll
dhe humba shtigjesh me gjetë emnin tand…

Unë çikës teme s’ia pres krahët!

Autore: Shqipe Palloshi-Zumberi

Unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me lind si qenie e lirë, e plotëpushtetshme për mendimet, vendimet e veta, për trupin e për shpirtin e vet. Ka me e ditë që Zoti e ka kriju si qenie të lirë, edhe nuk guxon me pranu kurgjë ma pak se kjo, nuk guxon me ba kompromis me lirinë e saj.

Çika jeme ka me e ditë që lumturinë e saj mundet me e kriju veç ajo vet. Nuk ka me prit ndonji princ me kalë të bardhë me ardh me e shpëtu nga mjerimi finansiar, dëshpërimi emocional a shoqëror. Kur të jetë e gatshme me u martu, ka me e bë këtë me plot vetëdije e vetëdëshirë, veç atëherë kur beson se është e gatshme t’bahet bashkëshorte e nanë e mirë, e përkushtuar. Veç atëherë kur t’mendon se ka mbjellë mjaftueshëm fara në vete për me lulëzu pastaj për t’zgjedhurin e saj, e fëmijët e tyre.

Por unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me ditë me qëndru e fortë për besimet e idealet e veta. Nuk ka me u kompleksu pse është ndryshe prej turmës, edhe atëherë kur turma ka me e mbajtë në gojë për moskonformizmin e saj. Edhe atëherë kur mundet me pas frikë për t’ardhmen e saj, ajo ka me qëndru e fortë për atë çka beson.

Ajo ka me msu se Zoti është i bukur dhe e do të bukurën, dhe ka me e ditë që prej gjërave që e lartësojnë njeriun si qenie është shija për të bukurën. Për rrjedhojë, ajo ka me u kujdes për bukurinë e trupit, pa ra pre e standardeve e shthurrëse që i serviren gjithkund. Mbi të gjitha, ajo ka me e ditë se bukuria e vërtetë është bukuria e shpirtit e mendjes, dhe ka me u përpjek me e zbukuru mendjen me dije e shpirtin me mirësi, për me e prek esencën e t’qenit njeri.

Çikës teme nuk kam me ia pre flatrat qysh ua kanë pre nanat ndër gjenerata çikave t’veta. Se çika jeme nuk ka me qenë prona jeme, e nuk guxon me u bë as prona e dikujt tjetër. Përveç krijesë e Zotit dhe zonjë e vetes! Nuk guxon me e pa veten si diçka ma pak se kjo. Çika jeme ka me msu se duhet me u kujdes për zemrat e njerëzve, me i gëzu njerëzit, me falë prej zemrës, kohës e jetës së vet për me i lumturu ata. Ka me msu se s’ka punë ma t’fisme se me e gzu nji zemër, se me e lumturu nji shpirt. Ama, ajo kurrë nuk ka me iu nënshtru tekave boshe, tendencioze e injorante të dikujt për ta nënshtru qenien e saj veç pse është çikë, grue a nuse. Ajo ka me ditë ma mirë se kaq!

Çikës teme unë s’kam me i thanë mos me lujt me vetura se ato janë për djem. Ajo ka me lujt me anije kozmike, me stetoskop, me letra e lapsa, me aeroplana. Se ajo ka me msu me besu në fuqinë e mendjes së saj, dhe ka me u ushqy me dashuri e dëshirë për me e eksploru universin e me i zbulu t’fshehtat e tij. Ajo s’ka me ra pre e tendencës së shoqërisë për me e bë me besu se aftësitë e saj intelektuale janë inferiore ndaj atyre të një burri.
Ajo ka me qenë e etur për dije, ka me qenë ambicioze për me e ndërtu veten me mundin e shkathtësitë e veta, për me u bë e zonja e vetes e për me i shtu mirësi njerëzimit me arritjet e veta. Ajo ka me e kuptu që Zoti e ka kriju si mrekulli. E ka bë ndihmëse në procesin e krijimit të jetës së re. Edhe në momentin që vendos të bahet nanë, ajo ka me dhënë çdo gjë prej vetes për me u kujdes për mirëqenien fizike, shpirtërore, mendore të krijesave që ka sjellë në jetë. Kur t’bahet nanë, ajo ka me e ditë se fëmija rritet pa gjithçka, por jo edhe pa dashuri e vëmendje. Kur të bahet bashkëshorte, ka me e ditë se elementi thelbësor për me e lumturu t’zgjedhurin e saj, është vëmendja e pandame e saj ndaj çdo aspekti të qenies së tij. Ka me ditë me fliju prej vetes për lumturinë e të dashurit, por asnjëherë prej dinjitetit e vetrespektit të saj. Ajo ka me e ditë se familja është mënyra si ruhet shenjtëria e njerëzimit dhe me urtësi e dashuri ka me kriju nji fole t’ngrohtë ku kanë me gjetë prehje t’dashurit e zemrës së saj.

Ajo ka me e ditë se vlerë i ka dhënë Zoti, dhe se vlera e saj nuk ulet as rritet në raport me njerëzit. Ka me fol n’emër të së drejtës e nuk ka me hesht për padrejtësitë. Çika jeme ka me e ditë sa e fortë është, sepse është çikë. Ajo ka me besu se mundet me e ndryshu botën, edhe ka me ia mësy kësaj.

Çika jeme është prototip i çikave të s’ardhmes. Çikat tona janë mrekulli, e mrekullitë s’mundesh me i shtrëngu në grusht, as me ua shujt dritën.

Këngët shqiptare më të klikuara në YouTube

Youtube vazhdon të mbetet një prej platformave matëse të suksesit të projekteve muzikore. Të blera apo të merituara, kjo vazhdon të jetë diskutim i gjatë e pa përgjigje, por që janë referencë, këtë s’mund ta mohojë askush.

E me këto shifra marramendëse, projektet e artistëve shqiptarë po i konkurrojnë ata të artistëve ndërkombëtarë. Edhe ky një debat i gjatë dhe zor i përputhshëm me realitetin, transmeton emisioni Express në KTV.

“Bon Bon”, “Të ka lali shpirt”, “Bow Down”, “E kam pas”, “Show Biz” janë pesë këngët të cilat audienca shqiptare i ka dëgjuar më së shumti nga të gjitha projektet që janë publikuar deri më tani në YouTube. Është për t’u çuditur me disa prej emrave që janë pjesë e kësaj liste, por që kjo është renditja.

Këtyre projekteve u prin sensacioni i vitit 2016, “Bonbon” i këngëtares kosovare tashmë me famë ndërkombëtare, Era Istrefi, këngë kjo e lansuar dy vjet më parë e që më vonë ia hapi asaj rrugët për tregun e huaj të muzikës.

Gjithsej 600 milionë klikime ka ky projekt në Youtube. “Bonbon”, për muaj të tërë u dëgjua jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Madje, kjo këngë ishte e para shqip që u bë pjesë e top-listës së MTV-së.

Përveç tjerash, kjo këngë Era Istrefit ia solli kontratën më një prej kompanive më të mëdha muzikore, Ultra Music.

Era më pas solli edhe disa këngë të tjera, por që suksesin e kësaj me klikime, është larg për ta prekur.

2. Pas “Bon bon-it”, nëse bazohemi te klikimet në YouTube, kënga “Të ka lali shpirt” e Silva Gunbardhit në bashkëpunim me Mandin e Dafin, vazhdon të mbetet një nga projektet më të kilikuara shqip.

Kjo këngë numëron hiç më pak se 400 milionë klikime.

“Të ka lali shpirt” u publikua në janar të 2013-s dhe qysh pas publikimit, ajo u dëgjua kudo, madje për një kohë të gjatë.

3. Një bashkëpunim i cili erdhi befasi për publikun atë kohë, ishte ai mes reperit Noizy dhe Encës. Qysh në kohën kur u paralajmërua, ky projekt i gëzoi dëgjuesit e të dy këngëtarëve.

“Bow Down” që bashkoi këtë dyshe rezultoi mjaft i suksesshëm, duke mbetur kështu një nga projektet më të dëgjuara shqiptare dhe i cili deri më tani numëron mbi 108 milionë klikime.

Por, pavarësisht suksesit, ky mbetet projekti i fundit që Noizy me Encën e sollën, kjo pasi dihet se Enca nuk i përket më labelit OTR.

4. Një bashkëpunim i cili është i katërti në këtë listë është edhe ai mes Sabina Danës dhe Dafi Dertit. Kjo këngë u pat publikuar në nëntor të 2012-s, derisa dëgjueshmëri pati edhe verën e 2013-s dhe më tej.

Ky bashkëpunim, në YouTube numëron hiç më pak se 103 milionë, dhe kështu e bën atë në mesin e emrave më të klikuar te projektet shqiptare në YouTube.

Sabiani, Marseli dhe Shkendije Mujaj lansuan tre vjet më parë këngën me titull “Show Biz”. Me gjithë tekstin e dobët dhe kualitetin e ulët të muzikës, ky projekt është shikuar hiç më pak se 78 milionë herë në youtube.

E ky numër kaq i madh i klikimeve dëshmon edhe një herë tjetër shijen e përgjithshme të publikut në muzikë. / KultPlus.com

213 libra të rinj arti në Galerinë e Arteve në Tiranë

Këto poshtë janë disa imazhe të disa prej 213 librave të artit që i janë dhuruar Bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve.

Kjo është një iniciativë e Koleksionit të Artit Kontakt në Vjenë, të cilët ishin gjithashtu partnerët tanë në realizimin e ekspozitës “Edi Hila: Piktori i Transformimit”.

Falenderojmë të gjithë donatorët që mundësuan pasurimin e Bibliotekës:
Museum der Moderne Salzburg, Salcburg
Belvedere Museum Vienna, Vjenë
Kontakt Art Collection, Vjenë
Maria Lassnig Stiftung Foundation, Vjenë
Museum moderner Kunst Stiftung Ludëig Wien
mumok, Vjenë
The Association of Visual Artists Vienna Secession, Vjenë
Verlag der Buchhandlung Walther König, Vjenë
Thyssen-Bornemisza Art Contemporary (TBA21) Foundation, Vjenë. / KultPlus.com

‘Policia që mbron vrasësit e grave arreston tetë aktiviste që kërkojnë drejtësi’

Policia që mbron vrasësit e grave arreston tetë aktiviste që kërkojnë drejtësi

LËVIZJA VETËVENDOSJE-

Tetë aktiviste dhe aktivistë janë arrestuar gjatë aksionit simboik të organizuar kundër dhunës ndaj grave. Aktivistet e Lëvizjes kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë së Kosovës pikërisht për shkak se kjo polici pranon çdo ditë raportime për dhunë dhe nuk bën asgjë, qëndron duarkryq e impotente përballë dhunës. Kjo polici i ka duart me gjakun e grave. Jo vetëm se shteti i Kosovës ka hequr dorë dhe i ka braktisur gratë në pozitë të pabarabartë, por edhe policia e Kosovës nuk duron që të kërkohet drejtësi për to. Prandaj sot u arrestuan: Saranda Bogujevci, Rinë Zhitia, Arta Berisha, Elona Kurti, Diellëz Arifi, Patrik Domi, Çlirim Gërbeshi, Atdhe Arifi.

Pra, kushdo që dhunon gratë lirohet. Kushdo që i mbron arrestohet. Ky është mësazhi që policia e dha sot. Për këtë foli deputetja Saranda Bogujevci vetëm pak para se policia ta arrestonte pikërisht për shkak të fjalës së saj.

Aktivistja Aulonë Bytyqi foli për dështimin e institucioneve të Kosovës që të parandalojnë dhunën ndaj grave dhe së pavarësisht se këto institucionet stërmbushin hapësirat mediatike me sllogane për raportime të rasteve ato janë krejtësisht indiferente ndaj këtyre krimeve.

“Policia e Kosovës po na bind çdo ditë e më shumë se sloganet me thirrje për raportim të dhunës ndaj grave nuk mjaftojnë e shumë shpesh nuk kanë kujt t’i drejtohen. Neglizhenca e institucioneve për trajtim me prioritet të këtyre rasteve ka dështuar fatalisht. Askush prej policisë nuk ka dhënë përgjëgjësi për rastin e Valbonës e cila u vra me të bijën Kiarën 9 vjecare javën e kaluar. Tash e dimë se askush nuk do të japë përgjëgjësi sepse Inspektorati Policor i Kosovës dje ka lëshuar një deklaratë ku thotë se nuk ka gjetur elemente veprimi ose mosveprimi kundërligjshëm nga ana e policisë. Edhe pse, e ndjera kishte kërkuar ndihmë dhe Policia nuk e kishte marrë të paktën në mbrojtje. Prapë askush, asnjë përgjegjësi. Prandaj, sloganet e sotshme janë “Policia i ka duart me gjak”, tha Aulonë Bytyqi.

Gratë në Kosovë janë të braktisura krejtësisht nga shteti. Ato janë të diskriminuara në shkollim, në punësim, strehim, pronë apo përkujdesje mjekësore. Ato nuk janë të barabarta në asnjë dimension të jetës shoqërore e as private. Por sot urgjente është siguria e grave. Nuk janë të sigurta në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që shteti ka hequr dorë dhe e trajton dhunën, sulmet e vrasjet e tyre si diçka private.

Madje si mund të presim që institucionet e vendit të kryejnë punën e duhur ku, dje, një oficer dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij e hiç më larg se sot shohim titullin “Babai me dy djemtë rrahin nënën me dy vajzat”.
Ndërkaq për shumicën e dhunës ne nuk dëgjojmë fare. Kjo dhunë është e përditshme. Ne nuk na çuditë kjo. Në Kosovë jo vetëm se shteti dështon t’i parandalojë këto vrasje duke bërë ambient më të barabartë për gruan e burrin, por as nuk po ndërmerr asgjë për të vënë drejtësi, pasi krimet kryhen. Policia e Kosovës i ka duart me gjak.

Ne nuk na bindin komunikatat e IPK-së e as thirrjet e presidentit për t’u marrë masa. Sepse në fund e shohim se askush nuk jep llogari. Dhe nëse askush nuk jep llogari është sepse jeta e gruas në Kosovë është zhvlerësuar shumë më parpara sesa ajo të vritej. Ky shtet u ka shumë borxhe grave të Kosovës. Asnjë thirrje nuk guxon të përfundojë si thirrje e humbur. Thirrjet e grave janë e vërteta madhore e Kosovës. Fytyra pa maskë e këtij vendi. Thirrjet e humbura të grave janë arsye për skuqje, për turp për sektorin e drejtësisë në Kosovë.

El Pais: Tension në skenën ku del Ermonela Jaho dhe Placido Domingo

Tenori i njohur Placido Domingo dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho kanë magjepsur publikun e Festivalit Castell de Peralada (Girona) me operën me intensitet të fuqishëm emocional, ‘Thais’ nga Jules Massenet, shkruan gazeta spanjolle “El Pais”.

Në shtjellimin e kësaj vepre operistike, artistët e njohur kanë magjepsur publikun me zërat e tyre të fuqishëm, nën dirigjimin e korit të Teatrit Real të Madridit. Në këtë vepër operistike murgu të ri, Athanael-it, në rolin e të cilit performon maestro Placido Domingo përpiqet të shpëtojë nga mëkatet dhe jeta e shthurur kurtizanen Thais, të interpretuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho.

Pas përpjekjeve për të kthyer Thais-in në rrugën e drejtë të Zotit e krishtërimit, murgu rrëmbehet plotësisht nga ndjenjat më të forta për të, duke kapërcyer çdo vlerë, normë e besim të predikuar me këmbëngulje më parë. “Thais” është një ngjarje që të bën të reektosh thellë mbi vlerat e shoqërisë, ku ndërthuren emocionet e forta shpërthyese, por edhe natyra medituese e karaktereve që e bëjnë këtë një vepër paksa ndryshe nga operat e Puçini-t apo Verdi-t. Prandaj Jaho e Domingo kanë krijuar me këto role një duet fantastik ku buron prej të dyve pasioni dhe energjia e madhe muzikore.

Opera “Thais” ku ata do të jenë protagonistë është një vepër me tri akte e kompozuar nga kompozitori romantik francez Jules Massenet-i dhe e shkruar nga dramaturgu Louis Galleti, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Anatole France-it. Shkrimtari francez është vlerësuar, gjithashtu, me çmimin Nobel në letërsi për novelën “Thais”, në vitin 1921. “Thais” u vu për herë të parë në skenë në Operën “Garnier” të Parisit, në 16 mars të vitit 1894.
Në këtë vepër operistike murgu të ri, Athanael-it, në rolin e të cilit performon maestro Placido Domingo përpiqet të shpëtojë nga mëkatet dhe jeta e shthurur kurtizanen Thais, të interpretuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Pas përpjekjeve për të kthyer Thais-in në rrugën e drejtë të Zotit e krishtërimit, murgu rrëmbehet plotësisht nga ndjenjat më të forta për të, duke kapërcyer çdo vlerë, normë e besim të predikuar me këmbëngulje më parë.

Ndërsa Thais dergjej në shtratin e vdekjes, Athanael-i shkoi ta kërkonte për t’i thënë se asgjë në jetë nuk është aq e fuqishme dhe e vërtetë sa jeta dhe dashuria midis dy qenieve njerëzore. Vdekja e Thais e burgosi Athanael-in në një dëshpërim pa kthim, pasi jeta pa Thais për të nuk kishte më kuptim. Një histori e tillë e interpretuar nga dy ikona botërore të muzikës klasike sipas mediave spanjolle “e bën të mezipritur këtë shfaqje operistike”
Ermonela Jaho tashmë njihet për role të mëdha dhe të rëndësishme, sikurse është edhe roli i kësaj shfaqjeje, ku Jaho u prezantua në rolin e Thais.

Ajo deri më sot është prezantuar në teatrot më prestigjioze të botës, duke u shpërblyer shumë herë edhe me çmime të rëndësishme. Njëkohësisht Domingo është një zë i rrallë që ka tuar zemrat e spektatorëve në të gjithë botën. “Thais” u vu për herë të parë në skenë në Operën “Garnier” të Parisit, në 16 Mars të vitit 1894.

Fjalimi i Saranda Bogujevcit para se të arrestohej nga Policia e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave qendrore të Policisë së Kosovës në Prishtinë. LVV po e akuzon policinë se ka dështuar të ofrojë mbrojtje për gratë ndaj të cilave po ushtrohet dhunë në familje. Aktivistët e LVV-së kanë hedhur ngjyrë të kuqe në muret e objektit të policisë.

Deputetja Saranda Bogujevci tha me këtë rast se shteti ka dështuar të ofrojë mbrojtje për gruan dhe vajzën e saj që u vranë para një jave në Gjakovë.

“Prapa nesh mund të shihen edhe Njësia Speciale. Ku janë policia kur gratë po lajmëërojnë rastet dhe nuk intervevojnë. Policia nuk merr asnjë masë ndaj rasteve të dhunës ndaj grave, derisa dalin sot të na ndalojnë neve që po protesojnë. Gjithmonë mbrohen se nuk kanë kërkuar mbrojtje. Në momentin kur një grua lajmëron rastin se është kërcënuar me jetë, policia do të duhej të ndërmmerte masat e duhura konform ligjit”, ka thënë Bogujevci.

Ndërsa njëra prej aktivisteve të LVV-së tha se askush nga policia nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjen e Valbonës dhe vajzën e saj para një jave në Gjakovë.

“Edhe pse e ndjera kishte kërkuar ndihmë nga policia, kjo e fundit nuk kishte arritur të ofrojë mbrojtje për të. Policia e Kosovës i ka duart e lyera me gjak. Gjatë ditës së djeshme një oficer police ka ushtruar dhunë ndaj familjes së tij. Neve nuk na bindin më komunikatat e Inspketortait të Policisë dhe zotimet e Presidentit se do të merren masa për hetimin e plotë të rastitnë Gjakovë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com

Verë spanjolle dhe ‘Red Bull’ në darkën e Edita Tahirit

265 euro ka kushtuar një darkë e ish-zëvendëskryeministres, Edita Tahiri. Përveç ushqimeve, në faturën e darkës figurojnë verë spanjolle dhe ‘Red Bull’.

Në këtë darkë janë konsumuar edhe dy vera “Rioja Crianza’, e cila kushton 30 euro për copë. Veç sallatave të ndryshme si: shope, greke e të përzier, biftekut të viçit, kafe e desert, në faturën e kësaj darke ka edhe ‘Red Bull’.

Por, në këtë faturë janë edhe tri lloje uji që janë konsumuar: ‘Rugove’, ‘San Pelegrino’ dhe ‘Panna’.

Në faturë ka edhe produkte si ‘kuzhina 12’, që kushton 12 euro, por nuk dihet se cili produkt është emëruar me këtë emër.

Gjithë fatura e datës 31 maj 2012, e lëshuar në orën 22:39 i ka kushtuar arkës së shtetit 265 euro.

Gjithsesi, restoranti “Rron” në Prishtinë ka faturuar 265 euro këtë drekë zyrtare, e cila është në emër të Edita Tahirit, po që nuk ka detaje se për kënd është shtruar ose kush kanë qenë mysafirët e ish-zëvendëskryeministres.

allxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Këto janë aktoret më të paguara në botë

Kanë dalë statistikat për aktoret femra më të paguara të momentit në botë.

Aktorja Scarlet Johansson del të jetë aktorja më e paguar në botë. Ajo ka lënë pas Angelina Jolie dhe Jennifer Aniston.

Forbes raporton se Scarlet ka fituar rreth 40.5 milion dollarë këtë vit nga rolet e saj filmike. Ajo ka qenë pjesë e AVENGERS ndërsa do të jetë pjesë edhe e filmit të ri BLACK WIDOW.

Listën e aktoreve më të paguara e vazhdojnë Jennifer Lawrence, Reese Witherspoon, Cate Blanchet, Gal Gadot, Mila Kunis e Julia Roberts. / KultPlus.com

Rrëfimi i Mehmet Krajës erdhi mbrëmë në kryeqytet

Alberina Haxhijaj

Letërsia dhe Qyteti, iniciativë kjo e cila ka si qëllim të rikthejë në jetën publike personazhe të njohur të letrave shqipe, ka filluar mbrëmë rrugëtimin e saj edhe në Prishtinë. Miku i parë i letrave të cilën ata sollën në Prishtinë, ishte shkrimtari i njohur Mehmet Kraja.

Kraja në kafenenë Sonder në Prishtinë ka biseduar së bashku me të pranishmit si dhe me dy gazetaret Beti Njuma dhe Alda Bardhyli rreth shkrimeve të tij por edhe më gjerë.

Kjo nismë u mirëprit edhe nga shkrimtari i cili theksoi se bashkime të tilla në mes të miqve ku në qendër do të jetë letërsia duhet të ndodhin më shpesh. Shkrimtari Mehmet Kraja solli fillimisht kujtime nga ardhja e tij nga Ulqini në Prishtinë si student për të studiuar letërsinë.

“Në Prishtinë kam ardhur ndoshta para 50 viteve dhe sigurisht që kam ardhur si student nga Ulqini dhe pastaj kam gjetur një rrugë jetësore të cilën e kanë ndjekur shumica e njerëzve në këtë anë, me shumë peripeci por edhe me një idealizëm do thosha”, u shpreh ai.

Mehmet Kraja në Prishtinë filloi të punonte edhe si gazetar në Rilindje, pastaj në Universitet ndërsa është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Prishtina më ka dhënë çdo gjë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës, vetëm se Prishtinën gjithmonë kam dashur që ta shoh më mirë se që është. Kjo ndoshta më bën që të kem edhe një mendim kritik dhe ndonjëherë të jem edhe i pakënaqur. Pra, jo sepse nuk më ka dhënë mjaft por sepse dëshiroj që ta shoh më mirë”, tregoi Kraja.

Sipas tij shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund që të jenë edhe më mirë.
“Ne mundemi dhe duhet ta bëjmë më mirë. Pak gjëra na duhen mendoj unë, ndoshta pak më shumë idealizëm dhe pak më shumë korrektësi ndaj vetes dhe ndaj idealeve tona”, theksoi ai.
Mehmet Kraja krijimtarinë e tij e ka filluar në vitin 1974 me tregime, ndërsa në vitin 1978 publikohet romani i tij i parë i botuar nga Rilindja. Ai ka botuar 11 romane, 5 vëllime me tregime, 5 vëllime me drama si dhe vëllime të shumta publicistike. Proza mbetet mishërimi më i mirë i Krajës.

Tutje ai diskutoi edhe për fëmijërinë e tij në Krajë, një zonë pranë Shkodrës, e që ka lënë shenja edhe në krijimtarinë e tij.
“Shkodra ishte kështu ëndrra jonë, refuzimi jonë, historia jonë dhe çdo gjë sepse mbyllja e kufirit nënkuptonte një këputje të një nervi jetësor, ajo zonë nuk kishte se si të jetonte pa Shkodrën. Pikërisht ajo zonë u bë objekt i shumë tragjedive dhe i historive të dhimbshme. Kishte tragjiken brenda, absurditetin, një izolim të jashtëzakonshme e të pashembullt, në njërën anë malet, tjetrën liqenin dhe asgjë tjetër por kështu funksiononte”, u shpreh dora që shkroi “Moti i Madh”.

Sipas Krajës rritja në një qytet të tillë ku qyteti tjetër ishte ëndërr por në të njëjtën kohë edhe refuzim dhe rritja me këtë ngarkesë në kujtesë ka reflektuar edhe në librat e tij.
Në shkrimet e tij po ashtu kanë ndikuar edhe problematika të ndryshme të cilat ai i ka sqaruar, kujtojmë këtu kohën kur Shqipëria ishte atdheu i munguar për të gjithë derisa u përballën me anën reale të saj.
“Në mendjen e kosovarëve atëherë ishte projektuar një Shqipëri reale dhe sikur të shkoje dhe të shikoje gjëra që nuk të pëlqenin nuk mund ti thoje pasi që të quanin tradhtar. Kjo ndodhi deri në vitin 1990. Këtu zhgënjimi ishte i dyanshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë u zhgënjyen me ata të Kosovës por edhe shqiptarët e Kosovës u zhgënjyen me ata të Shqipërisë”, tregoi shkrimtari.

Ai këtë e ka diskutuar edhe në “Vitet e humbura”.

Mehmet Kraja diskutoi edhe për gjeneratën e parë të letërsisë në Kosovë duke kujtuar edhe miqtë e tij si Azem Shkreli e Ali Podrimja.
“Nga kjo perspektivë shohim një komunitet kulturor i cili funksiononte më mirë sesa ai sot por edhe ai kishte probleme, as aty nuk ishte çdo gjë ideale”.

Leximi i letërsisë së Shqipërisë ka qenë çdo herë intensiv edhe gjatë atyre periudhave ku të mbajturit e kontakteve me shkrimtarët në Shqipëri ishte i vështirë, theksojmë këtu vitet pas ’81.
“Letërsia shqipe e them me bindje të plotë se nuk është me e dobët se ajo e Ballkanit, por nuk mund ta them me bindje më të thellë se ajo është ndër më të mirat. Koha ka ndryshuar dhe nuk është ajo kohë kur shkrimtarët afishohen si më të dijshmit e botës, nuk lexohet letërsia por lexohet diçka tjetër. Letërsia ka kohën e vet të keqe por kjo nuk ndodhë vetëm me letërsinë shqipe”, u shpreh Kraja.

Sipas tij në çdo letërsi mediokritekët përbëjnë shumicën dhe kjo është gjë normale por kjo s’do të thotë se e gjithë letërsia është mediokër. Sipas tij çdo letërsi ka shkrimtarë të mirë, shkrimtarë përfaqësues dhe pjesën tjetër të shkrimtarëve të cilët nuk janë përfaqësues.
“Në përgjithësi lexoj letërsi të mirë, të përkthyer por edhe tonën dhe duke qenë shkrimtar bëj një krahasim dhe shoh. Nga ato libra që sot marrin çmime të mira unë gjej shkrimtarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri që nuk janë më keq se ata. Për shembull unë kam lexuar disa libra nga Orhan Pamuk dhe brenda letërsisë shqipe mund të gjej disa shkrimtarë të të njëjtit nivel. Është diçka tjetër që prurjet nga jashtë bëjnë çdo herë më shumë zhurmë”, u shpreh ai.

Sipas tij leximi i letërsisë nuk është problem letrar por një problem kulturor dhe i rrethanave shpesh herë edhe politike.
“Letërsia shqipe është një dhe e tërë. Ne duhet të merremi vesh dhe ta kalojmë një herë e përgjithmonë këtë problem. Ka dy përvoja letrare”, theksoi ai.

Tutje ai diskutoi edhe për rolin që duhet të ketë Akademia e Shkencave duke mos e arsyetuar këtu heshtjen e tyre ndaj temave të ndryshme, sipas tij këto Akademi duhet të mbajë përgjegjësi për ato që kanë bërë dhe për ato që nuk kanë bërë, aty ku nuk është reaguar. Mirëpo ai nuk arsyetoi as ndërhyrjet e shtetit në këto institucione si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Sipas tij pamundësia që librat nga Kosova të gjenden në Shqipëri nuk është problem letrar por kulturor. Mehmet Kraja diskutoi tutje edhe për shkrimet e tij të fundit që po përhapen në rrjetet e ndryshme sociale.
Letërsia dhe Qyteti ka për qëllim që të vazhdojë këtë iniciativë duke sjellë edhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë shqipe në Kosovë për të diskutuar më shumë për letërsinë, qytetin, kulturën dhe peripecitë e letërsisë shqiptare ndër vite. / KultPlus.com

Pa emër

Poezi nga Jamarbër Marko – Madu.

U rrëzuan të gjitha mrekullitë në greminë
Askush nuk i vuri re
Vetëm i panjohuri
Ulur tek stoli i tij
Duke pritur të ardhmen

Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe
Ku tymi mbulon gjithçka
Lë pa prekur majën e mprehtë
Atje ku jeton njeriu i vërtetë

Jamarbër Marko, i lindur në Tiranë më 19 mars 1951, e kalon gjithë jetën në shtëpinë e prindërve, Petro dhe Safo Marko, që ndodhej anë Bulevardit “Stalin”.

Shqipëria, shumë pak shtretër për turizëm

Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Evropë për numrin e shtretërve turistikë, ndërkohë vendi fqinjë, Mali i Zi, numëron trefishin e Shqipërisë.

Edhe pse vitet e fundit Shqipëria është konfirmuar si një destinacion turistik në ngjitje të majave të turizmit evropian, duke tërhequr miliona vizitorë të huaj, trend i cili pritet të vazhdojë me të njëjtin ritëm për dekadën në vijim, kjo nuk vihet re në strukturat akomoduese, si një nder aspektet kryesore në pritjen e turistëve, shkruan Koha Ditore.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i shtretërve në Shqipëri është mbi 42 mijë, shumë i vogël krahasuar me ambicien e turizmit. Krahasuar me vendet e tjera të Evropës, kjo shifër duket edhe më e vogël. Në krye të listës, me kapacitetin më të madh në kontinentin e vjetër, ndodhet Franca me mbi 5.1 milionë shtretër, ndjekur nga Italia me 4.9 milionë.

Fqinji jugor I Shqipërisë, Greqia, renditet e gjashta me 1.2 milionë shtretër, ndërsa Kroacia e teta me gati 1 milion shtretër. / KultPlus.com

Rona Nishliu këndon ‘A Natural Woman’ nga Aretha Franklin (VIDEO)

Këngëtarja Rona Nishliu sot ka postuar një video ku performon një këngë të njohur botërisht.

Duke kujtuar ikonën Aretha Franklin e cila ndërroi jetë sot, Rona ka postuar një video ku këndon ‘(You Make Me Feel Like) A Natural Woman’, këngën e ikonës e incizuar në origjinal në vitin 1967.

‘Faleminderit që je arsyeja pse shumë gra kanë dëshiruar dhe ende duan të këndojnë’ ka shkruar sot Rona duke e kujtuar këngëtaren të cilën bota e deshi shumë për më shumë se pesë dekada karrierë.

“Natural Woman” is for you Aretha! #tribute #arethafranklin

A post shared by Rona Nishliu (@rona1shliu) on

Revista letrare irlandeze ‘The Galway Review’ e përkujton poetin Ragip Sylaj

Revista letrare irlandeze “The Galway Review” po e përkujton shkrimtarin Ragip Sylaj i cili ndërroi jetë para pak ditësh.

I botuar disa herë edhe në këtë revistë, Sylaj po përkujtohet kësisoj me poezitë dhe krijimet e tij artistike.

“Shumë autorë të tjerë do të identifikohen me Ragipin” ka shkruar The Galway Review.

Revista e ka bashkangjitur kësisoj edhe versionin anglisht të poezisë “Vdekja e poetit”, ndërsa shkruan edhe për biografinë e Ragipit, i cili nisi të shkruante në fundin e viteve 70-të dhe punoi edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë.

Ai ka botuar shtatë pëmbledhje me poezi, pesë libra me tregime të shkurtra dhe dy libra me ese e me kritikë letrare.

Death of the poet

What about the poet criss-crossing the country
seeking a sponsor for his new book,
absorbing himself like a cigarette
inside emptiness and outside solitude?

One day he will seek a sponsor for longing,
a sponsor for his passion and renewal,
and will find only a sponsor for suffering,
for the art kills the poet himself.

Don’t become sponsors of the crazy poet,
of the poet drunk on the human grief.
Let him realise that in crisis situations
he gets prepared for a cruel decease.

The sainted oak tree watered with tears,
rooted in the dream and branched in hope,
his magic is the magic of Dodona.[1]
Is it futurity or only memory?

After the poet’s death the book is published.
It finally overcomes its humiliation,
not reconciling with its epoch,
awaiting its revival and solidification.

© Ragip Sylaj

Hashim Thaçit i dhurohet verë e lirë dhe vendore

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka dërguar një pako me verë të prodhimit vendor, dedikuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky aksion sipas FIQ mbahet pas raportimeve të mediave se presidenti aktual ka shpenzuar mijëra euro në verëra të shtrenjta në kohën sa ka qenë kryeministër i Kosovës.

Pakoja me verë u la para ndërtesës ku gjendet Presidenca pasi që përfaqësues të FIQ nuk u lejuan të hyjnë brenda nga Policia e Kosovës, raporton KP.

Dajana Berisha drejtoreshë e FIQ ka thënë se ky është një akt simbolik për t’i sensibilizuar njerëzit që është plotësisht gabim që të shpenzohet paraja publike për pije të shtrenjta.

“Unë kisha pasur dëshirë me i bërë të qartë presidentit që njerëzit nuk janë budallenj e di, një faturë e tillë, një mijë euro për verë dhe ushqime detare, duhet gjithqysh me pasur një justifikim një argumentim prej kabinetit të Presidentit për çka është organizuar ajo drekë. Drekat zyrtare me mjetet financiare të buxhetit të shtetit duhet me pasur arsyetimin pse janë shpenzuar ato mjete. Megjithatë, me gjithë justifikim e mundshëm janë një shumë e jashtëzakonshme, duke e pasur parasysh situatën e mjerueshme që është nëpër komunat e Kosovës”, ka thënë Berisha.

Për këtë shpenzim të lartë ajo ka marrë shembull gjendjen e rëndë të krijuar sot në komunën e Suharekës pas reshjeve të shiut.

Ndryshe mediat kanë raportuar për shpenzime të larta të zyrës së kryeministrit në kohën kur këtë pozitë e ka mbajtur presidenti aktual Hashim Thaçi.

Kur Aretha Franklin e bëri Barack Obamën të përlotet (VIDEO)

Legjenda e muzikës soul, Aretha Franklin, sot ka ndërruar jetë.

Emri të cilin e njeh bota për zërin e fuqishëm dhe për karizmën e saj, në vitin 2015-të e bëri të qajë edhe asokohe presidentin amerikan, Barack Obama.

https://www.youtube.com/watch?v=XHsnZT7Z2yQ

Aretha po e këndonte këngën “A natural woman” në Kennedy Center Honors 2015 kur Obama u përlot gjatë performancës.
Performanca sot numëron rreth 12 milion klikime në Youtube dhe mbetet ndër performancat e fundit dhe më fantastike të Franklin.

Vetë Obama pati thënë më parë se nëse do të shkonte në një ishull dhe larg njerëzve, do ta merrte me vete Aretha Franklin – për magjinë e zërit të saj dhe për dashurinë që ajo ka si person.

Më vonë në vitin 2016-të, Obama prapë e ftoi Franklin në Shtëpinë e Bardhë për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Muzikës Jazz. / KultPlus.com

Rrahen mes vete dy shitës të biletave të ‘Sunny Hill Festival’

Dy shitës të biletave të kompanisë e cila ka qenë e kontraktuar për shitjen e biletave të festivalit “Sunny Hill” janë rrahur mbrëmjen e kaluar te Lagjja “Arbëria” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar rastin, por që nuk ka dashur që flas për arsyet e kësaj rrahje.

“Mund të ju them se gjashtë persona janë përfshirë në një rrahje në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Të njëjtit janë dërguar në stacionin policor. Policia është duke u marrë me rastin”, tha Ahmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe njërin nga tre organizatorët e Festivalit Sunny Hill, Alban Katratin i cili ka konfirmuar rrahjen e dy shitësve.

“Mund të ju konfirmoj se dy shitës janë rrahur mes vete. Dy shitësit i kanë takuar dy agjencive të ndryshme, njëri nga kontraktori të cilin e ka kontraktuar Sunny Hill dhe tjetri nga nënkontraktori i cili po ashtu ka qenë nga festivali. Të dy agjencitë kanë shitur bileta të festivalit, ndërsa rrahja ka ndodhur pasi që dy palët nuk janë barazuar mes vete, ku në këtë rast nënkontraktori ka rrahur kontraktorin për shkak se nuk janë barazuar për numrin e saktë të parave të fituara nga biletat”, tha Kastrati.

Ai shtoi edhe se asnjëri nga ta nuk janë staf i Sunny Hill Festival janë vetëm kontraktor dhe nënkotraktorë të festivalit.

Ka vdekur Aretha Franklin

Ka vdekur sot Aretha Franklin.

Në moshën 76 vjeçare, një prej këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave ka ndërruar jetë. Vitin e kaluar ajo morri pushim nga muzika për shkak të shëndetit të dobësuar.

Paraqitja e saj e fundit ishte në nëntorin e vitit të kaluar për Fondacionin Elton John.

Franklin ka fituar 18 çmime Grammy dhe rreth 100 milionë disqe të shitura e bëjnë atë një prej emrave më të mëdhenj të muzikës. / KultPlus.com

Ekspozita e Yll Xhaferit, pallat i ndërtimeve dhe i pritjes njerëzore

Arbër Selmani
Foto: EUICC

DREAM PALACE – është i pari ilustrim që të pret në hyrje të ekspozitës. Një pallat i ëndrrave, apo një pallat ku veç ëndrra nuk ka. Megjithatë nëntë ilustrime brenda ekspozitës të ftojnë drejt rrugëtimit nëpër një ëndërr me tulla ndërtimi, me burra e gra që marrin rreze dielli të mërzitshme dhe me hapësira gjelbrimi të cilat proporcionalisht janë më të vogla në hartat e qytetit të Prishtinës në krahasim me betonin e ndërtimet me leje a pa leje.

Yll Xhaferi është artisti që mbrëmë hapi në Prishtinë ekspozitën “Scrolling”.

“Scrolling – sikur scrolling kur kalojmë nëpër faqe të ndryshme interneti por edhe scrolling – kur vetëm shikojmë imazhe që na shfaqen para nesh, herë me përmbajtje herë jo” tregon Xhaferi për KultPlus. Ekspozita është hapur në Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian, një hapësirë e cila po i kthehet në një mënyrë ekspozitave me pikënisje punimet e Xhaferit, pas një pushimi të shkurtër.

Secili ilustrim duket si një poezi e përkthyer: gjethe të gjelbërta në tokë – herë të shkelura prej njeriut e herë jo: një burrë po e bartë me vete mbi po këtë tokë të gjelbër një ndërtesë me tulla – një simbolikë se si qytetin e rëndë e të pahije e bartim ndoshta të gjithë ne mbi supe: një familje po merr pushim prej punëve të përditshmërisë për të kërkuar qetësinë ku pamja janë tri tulla të tjera të kuqe. Jo larg saj, në hapësirën e ekspozitës gjethet janë bashkuar për të formuar një si flutur, apo insekt të madh që i rri mbi qytetit.

Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian e mirëpriti artistin Yll Xhaferi duke treguar se një ekspozitë e tillë po vjen si fillim i realizimit të më shumë projekteve artistike në këtë hapësirë në kryeqytet.

“Jemi të nderuar me ekspozitën e Yll Xhaferit sonte në EUICC, një artist i cili është i njohur me ekspozita dhe pjesëmarrjet e tij nëpër organizime të ndryshme artistike por edhe si fitues i disa çmimeve artistike. Kjo ekspozitë shënon edhe fillimin e një serie të re të ekspozitave që do ti kemi në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Kosovë, si hapësirë për artistët e rinj dhe artistët që premtojnë” ka thënë në hapje Vjosa Berisha.
Xhaferi, në anën tjetër, e ka quajtur ekspozitën si një lundrim në disa peisazhe, në disa fragmente të qytetit, duke e lidhur çdo pamje edhe me ndikimin që ajo ka në përceptimin dhe në gjendjen mendore.

“Ky është një prezantim modest, me ilustrime, të cilat unë mendoj se janë medium pak i lënë anash në Kosovë. Është hera e parë që po i ekspozoj këto ilustrime, që vijnë në formën e kartolinave. Kjo pjesa e arkitekturës në ekspozitë, e ndërtimeve, për mua ka shumë rëndësi sepse mendoj që luan rol të madh në përceptimin estetik. Është një simbolikë e asaj që gjatë gjithë kohës diçka është duke u ndërtuar, dhe ne duket se tërë kohën jemi duke pritur diçka” tregon për KultPlus Xhaferi.

Xhaferi është artist vizuel nga Prishtina. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar studimet për master në drejtimin e Arteve Pamore. Xhaferi është fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare në vitin 2012 dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme të artit vizuel në qytet p.sh. Prishtina Mon Amour në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Livrit – (si pjesë e SURF, kuruar nga Erzen Shkololli, Bienale Meditterana, Milano dhe Tirana dhe ekspozita e tij personale e titulluar Toy Story në galerinë e artit Motrat.

Ekspozita ‘Scrolling’ do të qëndrojë e hapur për një muaj në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë. / KultPlus.com

‘Le ta mirëpresim Ritvanin, jemi të gjithë nga pak si ai!’

Nga Arli Minga

Nuk kam dashur në fakt, të ndaj mendimin tim për ngjarjen e rëndë të fshatit Resulaj të Selenicës, por kur shoh se papritur kemi një reaksionin të shtrirë në mendjet dhe zemrën e cdokujt, i cili rreket të japë zgjidhjen e vet, ku cdokush po rreket të ngrejë një kauzë, është e pandershme që të mos ta ndaj mendimin tim me të gjithë.

Kam guximin të pyes këdo që i qenka “prishur” gjaku nga plumbat e kobshëm të Ritvanit të mjerë, me cilin moral po i ngrini të ashtuquajturat “kauza”? Me c’moral po bëni moral? Asnjë nga ne nuk e ka moralin për të kërkuar të bëjë drejtësinë, kur ne nuk kemi tentuar të jemi të drejtë dhe guxoj sërish të besoj, se disa ditë pas lebetisë së Resulajt, gjithcka do të tretet në harresën e gjithëkohshme që na ka karakterizuar.

Sigurisht, nuk dua e as nuk po kërkoj të marr rolin e një antikonformisti të neveritshëm, por thjesht dua të ngre zërin për t’i parë gjërat pak më ftohtë, me një sens të mprehtë realizmi, dhe jo më kot e bëj sot, atëherë gjaku ynë nuk po “zien” nga masakra e Resulajt.

Do të ishte e dhimbshme, do të ishte c’njerëzore, do të ishte e pafre në qoftë se ndonjërit prej nesh nuk do t’i ndizej një zjarr për të bërë drejtësi për ato jetë të marra në atë mënyrë, me atë lebeti që panë në castin e fundit ata fëmijë të pafajshëm, ata prindër që kishin thurur ëndrra për fëmijët, e ata gjyshër që nuk i “ngrysën” ditët e fundit në qetësinë që fati do duhej të kishte rezervuar. Por a është e drejtë mënyra se si ne të gjithë kërkuam drejtësi?! Unë mendoj që jo.

Pse jo? Sepse nuk është e drejtë të bësh drejtësi duke patur alibi një ngjarje të tillë. Pak apo shumë, ne jemi të gjithë fajtorë për masakrën e Resulajt, për jetët e humbura, por edhe për Ritvan ditëziun, apo shumë e shumë “ritvanë” të tjerë që kanë qenë e kanë ikur, që janë e do të vijnë, apo vet ne “ritvanët” modernë, që kurrë nuk mendojmë për shkaqet, por “turremi” të mbledhim copëzat e pasojës.

Ju ftoj të reflektojmë pakëz mbi veprimet tona të përditshme. Detajet në të cilat djalli është fshehur gjithmonë, aty ku syri nuk depërton lehtë, pasi injorimin ndaj realitetit ne e kemi sindromë të avancuar, e medoemos syri nuk mund të kapë ato detaje.

Kur ka qenë hera e fundit që si prindër u kemi thënë fëmijëve se kush është më i dobët ka nevojë për një dorë të ngrihet? Dyshoj të ketë patur një herë të fundit, sepse në të vertetë nuk ka patur asnjë herë të parë. Madje prindërit bëhen aq diskriminues nga “adhurimi” që kanë për fëmijën e tyre, sa u thonë fëmijëve që më të dobëtit t’i injorojnë, t’i diskriminojnë, t’i mënjanojnë, t’i fyejnë, sepse ata (të dobtit) nuk i përgjigjen nivelit të hamendësuar që prindërit vizatojnë në kokë për fëmijët e tyre.

Kur ka qenë hera e fundit kur ne vet kemi ndihmuar dikë me cfarë kemi patur mundësi, dikë të panjohur, të dobët, në nevojë? Logjika do të qëndronte e njëjtë në mungesë të herës së parë. Sepse ne nuk kemi kohë, oh sa të zënë jemi me hallet tona, të dehur mes të mirash, në ekstazë për të arritur “qiej” të tjerë, pa menduar aspak se atje poshtë ka një botë që lëngon.

Kur ka qenë hera e fundit që mësuesit e këtij vendi fatkeq të kenë menduar të ndihmojnë një fëmijë, një nxënës problematik, me zemrën plot, pa obligimin që ushtron detyra në ndërgjegjen e tyre profesionale, por me ndërgjegjen e pastër kristal të njerëzores? Logjika qëndron prapë e njëjtë, sepse hera e parë nuk ka ndodhur.

Kur ka qenë hera e fundit që vëmendja ndaj fshatit ka qenë e mirëfilltë? Asnjëherë! Instutucionet arsimore, por dhe të cilitdo lloji në fshatra janë “ku thërret qameti”. Po duke mos garantuar një edukim të shëndetshëm për brezat, nuk mund të presësh nga brezat një rezultat më të mirë se fara që ke mbjellë.

E pra, i dashur populli im, ne nuk mund të “klithnim” për vdekje kur shumë pak përpara, ishin humbur 8 jetë. Ne nuk mund të dënonim pa kurrfarë mase një viktimë, që shkaktoi viktima. I dashur populli im, ne jemi vrasës të heshur përditë, ne vrasim pa kallashnikov përditë, ne nuk japim jetë shumë shpesh duke përjashtuar shumimin. Ne e kemi thellë në instikt eleminimin e më të dobtit, por mos harroni: sic ne evolojmë mënyrat tona në shfarosjen e më të dobtëve, ashtu evolon dhe i dobti mënyrat e veta për të na bërë ballë. Në rastin tonë mori kallashnikovin dhe vrau 8 prej nesh.

Moralin njerëzor e kemi përtokë. Atë institucional e kami fare pa moral. Për të reflektuar nuk bëhet fjalë. Atëherë, le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë mish i huaj, ata janë thjesht produkt i keq i shoqërisë sonë që i ka luftuar vlerat deri në rrënjë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”! Fundja i kemi në shtëpi, në shkollë, në punë, kudo ku ne injorojmë sensin njerëzor që aq shumë kemi dashur ta mbrojmë ndër mijëvjecar, që aq shume e kemi adhuruar në rreshtat e letërsisë, që aq shume e propagandojmë e që me aq qetësi e vrasim ngadalë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë aspak më të ndryshëm nga ne, jemi të gjithë nga pak si Ritvani, edhe unë…

Yll Xhaferi, nesër me ekspozitë në Prishtinë

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë organizon ekspozitën e artistit pamor Yll Xhaferi të titulluar “Scrolling” që do të mbahet më 15 gusht në ora 19.00.
 
Artisti Xhaferi do të krijoj harta personale imagjinare, përmes një koleksioni të punimeve artistike (Ilustrime) si reflektim ndaj ndikimit të jetës urbane në identitetin personal apo subjektiv dhe interaksionin e tyre me të përbashkëtën (Kolektiven). Ekspozita do të portretizojë një udhëtim në historinë narrative të qytetit të ndërthurur me memorien e tij kolektive dhe psikologjike, përballë një individi të konfuzuar dhe kompleks dhe përpjekjet e tij për monumentalizuar këto memorie.


 
Yll Xhaferi është artist vizuel nga Prishtina. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar studimet për master në drejtimin e Arteve Pamore. Xhaferi është fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare në vitin 2012 dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme të artit vizuel në qytet p.sh. Prishtina Mon Amour në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Livrit – (si pjesë e SURF, kuruar nga Erzen Shkololli, Bienale Meditterana, Milano dhe Tirana dhe ekspozita e tij personale e titulluar Toy Story në galerinë e artit Motrat.

Ekspozita do të shoqërohet nga një koktej i vogël në EUICC Prishtina. / KultPlus.com