Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në hapjen e ekspozitës së skulptorit Luan Mulliqi, të titulluar “Hasjania”, e cila u organizua në Galerinë e Hamamit në Prizren, aktivitet ky i organizuar nga MKRS-ja pas hapjes së zyrave të saj në qytetin jugor të Republikës së Kosovës.
Ministri Gashi, siç njofton kumtesa, tha se në ditën më të rëndësishme të arsimit shqip, më 7 mars po hapin këtë ekspozitë.
“Ju do të thonit se çfarë lidhje ka 7 marsi me hasjanët, unë do të shtoja se mësuesi i shkrimtarëve të parë shqiptarë ishte Pal Hasi, nga i cili kishin mësuar Gjon Buzuku e Pjetër Budi, për të vazhduar më pas me Pjetër Bogdanin e Pjetër Mazrrekun, që gjithashtu janë nga Hasi i Skënderbeut. Andaj edhe unë u lumturova kur dëgjova për këtë ekspozitë dhe me kënaqësi e pranova që të jetë nën organizim të Ministrisë për Kulturë Sport dhe Rini”, u shpreh ministri.
Gashi foli edhe për artistin Luan Mulliqi, me ç’rast vlerësoi se prezenca e tij e nderon qytetin e Prizrenit. Ai tha se akademik Mulliqi ka realizuar ekspozita personale në vende të ndryshme të botës si dhe në hapësirën mbarëshqiptare, e tani këtë radhë vjen edhe në Prizren, në qytetin shpirtëror të shqiptarëve, edhe javë më parë MKRS-ja ka hapur zyrat e saj.
“E veçanta e kësaj ekspozite është shpalosja me përpikëri e veshjes së femrave hasjane, që pa dyshim është një ndër veshjet më unikale dhe të veçanta jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. Ndaj, pikërisht kjo veçanti dhe vlerë e trashëgimisë së veshjeve hasjane, e frymëzoi skulptorin Mulliqi, që të skulpturojë për disa vite 40 skulptura”, tha Gashi.
Skulpturat që u paraqitën në këtë ekspozitë janë të punuara nga mermeri, bronzi, druri, alumini, magoni e materiale të tjera, klasike e modern dhe përmes saj synohet të dëshmohet se trashëgimia jonë kulturore duhet të pasqyrohet sa më shumë brenda dhe jashtë vendit.
Ministri Gashi tha se nuk do të mungojë përkrahja jonë si institucione, sepse trashëgimia kulturore e jona është pasaporta që dëshmon për lashtësinë, vlerat artistike dhe njerëzore të shqiptarëve në Evropë dhe në botë.
Ndërsa akademik Mulliqi shprehu falënderimin e tij për mundësinë e dhënë që veprat e tij artistike të kenë mundësinë të shfaqen në qytetin që është vatër e kulturës shqiptare./KultPlus.com
Ka që thonë se gruaja është për të ndarë shtratin me burrin netëve të gjata të dimrit. Të tjerë, se është balerinë me nente zile, kurore në flokë që vallëzon mes pyllit të gjelbër; Dikush thotë, gruaja është bashkëshortja ime, mëkati që mbaj mbi shpinë; të tjerë thonë se është ajo që zë brumin..
Gruaja s’është asnjë nga këta Nuk është shtrat, as balerinë as bashkëshorte, as mëkat;
Gruaja është krahët e mi. këmbët e mia foshnjë, nëna, gruaja, motra ime është shoqja e jetës time…/ KultPlus.com
Këtu shihet si fëmijë, mirëpo kjo këngëtare kosovare tashmë po shënon suksese marramendëse në fushën e muzikës në nivel botërorë, shkruan KultPlus.
Kjo është Dua Lipa e cila shihet në këtë fotografi bashkë me
babain e saj Dukagjin Lipa.
Dua Lipa tash për tash është ylli shpërthyes, e cila qysh në
fillim të këtij viti ka marrë çmimet më prestigjioze, Grammy dhe atë të Brit Awards.
Dua Lipa është duke shënuar sukses edhe në kampanja të ndryshme, duke shënuar kështu suksese të mëdha edhe në këtë fushë, duke u shndërruar imazh i shumë kompanive të mëdha e prestigjioze./KultPlus.com
Pas suksesit të një viti më parë, Ermal Meta rikthehet me një tjetër koncert në Tiranë. Të gjithë adhuruesit e zërit të kantautorit të mirënjohur shqiptar kanë mundësi ta ndjekin sot në mbrëmje nga afër në Pallatin e Kongreseve, ku Ermal Meta do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, si vijim i turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.
Para koncertit të sotëm, kantautori u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin mbolli edhe një pemë.
“Jam shumë i lumtur që vëllai im, Ermali, është kthyer sërish në Tiranë për të lënë gjurmë, për të hedhur rrënjë këtu. Bëmë edhe një mbjellje për të hedhur ca rrënjë fizike. Jam shumë i lumtur që i gjithë koncerti është “sold out”, një nga më të mëdhatë në Pallatin e Kongreseve të turit të Ermalit me GnuQuartet, një grup fantastik nga Xhenova. Kanë bërë një tur në të gjithë Italinë dhe jam shumë i lumtur që me këmbënguljen e Ermalit, edhe Shqipëria u bë pjesë e këtij turi”, tha Veliaj.
Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s’e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një supershfaqje te Pallati i Kongreseve. Veliaj vlerësoi kantautorin dhe e cilësoi atë si shembullin më dinjitoz shqiptaro-italian.
“Jam entuziast për faktin se sapo mbaruam Samitin e Diasporës dhe kur flasim për ambasadorë të Shqipërisë dhe për njerëz që na bëjnë të ndihemi krenarë, Ermali është i pari që më vjen në mendje. Jam sot shumë i lumtur, që si ambasador i Shqipërisë në një Itali që gjithmonë e më shumë ka debate për të huajt, për ata që kanë ndoshta bindje të ndryshme, për ata që kanë opinione të ndryshme, unë besoj se Ermali është shembulli dhe produkti më dinjitoz shqiptaro-italian. Jam shumë i lumtur që je kthyer në shtëpi dhe mezi pres ta bësh rrugë dhe të vish më shpesh”, tha Veliaj.
Artisti Ermal Meta vlerësoi ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj.
“Kjo është shtëpia ime, është Shqipëria, edhe kthehem gjithmonë me shumë emocione. Faleminderit shumë! Qyteti më duket jashtë mase i bukur, më pëlqen ndjenja që gjej rreth e rrotull, e kjo është mbi të gjitha për punën e mrekullueshme që ka bërë Erioni në këtë qytet”, deklaroi Ermal Meta.
Në koncertin e sotëm para publikut shqiptar, do të bëhen bashkë një sërë instrumentesh muzikore si violë, violinë, violinçel dhe flaut. Ritmi dhe muzikaliteti i këtyre instrumentistëve, do ta bëjnë edhe më të gjallë muzikën e kantautorit shqiptar./java
Vokalisti i bendit të njohur është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij sot në Essex, raportojnë mediat britanike.
Keith Flint i grupit Prodigy ka ndërruar jetë në moshën 49-vjeçare. Policia ka konfirmuar vdekjen e tij në ora 8:10 sipas kohës lokale.
“Vdekja e tij nuk trajtohet si e dyshimtë”, tha një zyrtar policor, transmeton KosovaPress.
Flint ishte një nga ikonat më të mëdha të muzikës britanik në vitet e nëntëdhjeta. Ai iu bashkua Prodigy, i formuar nga Liam Howlett në vitin 1990, fillimisht si vallëzues dhe më vonë si këngëtar.
Gjatë debutimit të tyre në vitin 1992, të shtatë albumet e grupit arritën në vendin e parë në Britaninë e Madhe.
Flint performoi këngët më të mira të Prodigy, të njohura si Firestarter dhe Breathe, që të dyja u renditën në vendin e parë në vitin 1996, duke u bërë hitet e tyre më të mëdha në SHBA.
Me muzikë dhe tekst të Eriona Rushitit, orketsrim të Florent Boshnjakut e me kitarë nga Valon Gashi, këngëtari Mentor Haziri është prezantuar me këngën “Hana”, shkruan KultPlus.
Kjo këngë tashmë është prezantuar edhe me videoklip.
H A N A
Hana paska
mbet e vetme
E pikllume në
vetmi
Poshtë
dritares ti kalon
E heshtun, dhe
e mbushun me zbrazëti ….
Rrugën tande
shtroj unë me petale
Frymën ti me
ma ni
Bashkë me erën
fjalët ti dërgoj
E dashtun nata
asht poezi
Refreni
Ndal, e shiko
Dritat ndezun
Të shpirtit tim
Synin plot vesë
Si mëngjesi i lagun për ty …
Andrrën merre
edhe zgjoje
Mbushe zemrën ti me dashni
Jetën
zbukuroje
Asht e bukur
kur dhuron dashni ……
Strofa
Mbramja vjen e
zbret e amël
E buzeqëshun
ka me ik
Yjet flasin
vec për ty e dashtun, ke me dal nga kjo errësinë …
Këngëtarët Xhensila Myrtezaj dhe Pirro Çako sapo kanë lasnuar këngën e tyre të përbashkët “Sekreti im”, këngë e cila duket të jetë punuar deri në detajin më të vogël, shkruan KultPlus.
Kënga
që është lansuar edhe me vidoklip është xhiruar në qytetin e Venedikut, për ta
bërë këtë këngë edhe më të ndjeshme.
KultPlus ju sjellë këtë këngë nga dueti Myrtezah e Çako./KultPlus.com
Gjashtëmbëdhjetë vite më parë në Prishtinë është krijuar Teatri i pavarur ODA, e menduar si një nismë për t’i hapur rrugën Skenës së Pavarur Kulturore në vend.
Mbrëmë gjithë kjo punë u shënua përmes
premierës së shfaqjes “Graviteti”, shkruan KultPlus. Shfaqja e parë e realizuar
në teatrin ODA – “Monologët e Vaginës”, premiera e të cilës u dha me 1 mars të
vitit 2003 i’u hapi rrugë shfaqjeve të shumta të cilat erdhën në kuadër të
këtij teatri i cili përmes punës së tij vendosi shumë shpesh emrin e Kosovës në
hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtare.
Themeluesit e këtij teatri, aktori Lirak
Çelaj dhe regjisori Florent Mehmeti, atëherë besonin se në të ardhmen mundësitë
që Skena e Pavarur Kulturore të lulëzonte në Kosovë do të ishin shumë të mëdha.
Si themelues, ata mendonin se do t’u mbetej që të realizonin shfaqje të cilat
denjësisht do ta përfaqësonin Teatrin ODA në atë skenë, mirëpo 16 vite pas, ata
akoma luftojnë për t’iu bërë ballë shpenzimeve elementare.
Madje Mehmeti thotë për KultPlus se
ndihen edhe të vetmuar, pasi që Skena e Pavarur Kulturore akoma mbetet e
zbehtë.
“Ne ndihemi goxha të vetmuar në këtë
anën e teatrit të pavarur. Nëse dikush do të më kishte thënë në vitin 2003 që
do të jetë kështu skena, nuk do e kisha besuar. Nëse dikush do të më kishte
thënë që do jetë kështu e vështirë edhe pas 16 viteve, duke harxhuar shumë
energji për mbijetesë, ndoshta ish ulë shumë kjo kurajo dhe ky motivim. E them
me keqardhje që një pjesë e madhe e energjisë harxhohet në mbijetesë, e kisha
dashtë me e pa këtë energji të kanalizume në produktivitet për me kriju dhe me
prodhu më shumë në atë që edhe jemi të thirrur, për krijime artistike”, theksoi
ai.
Mirëpo me shumë kokëfortësi për të bërë
ballë ndaj sfidave dhe me shumë dashuri për punën që bën, ky teatër iu ka
rezistuar viteve. Rrethuar nga shumë artistë të rinj dhe nga miq të vjetër të
cilët hapat e parë i morrën në këtë teatër, dyert e Odës akoma mbesin të
hapura. Gjenerata të ndryshme të aktorëve akoma kalojnë kohë në këtë hapësirë
duke punuar dhe duke ndikuar në diversifikimin e kulturës në vend. Oda gjatë
këtyre viteve ka shërbyer si një pikë gravitacioni për të sjellë risi në skenën
teatrore, duke qenë e hapur për ide dhe eksperienca teatrore të cilat ndoshta
nuk do të kishin gjetur rehati në skenat që janë institucionale. Fuqinë e gravitacionit
e gjejmë edhe te shfaqja “Graviteti” shkruar nga Lirak Çelaj dhe me regji të
Florent Mehmetit e cila erdhi përmes lojës së aktorëve Daniela Markaj, Flamur
Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.
Tërësia e shfaqjes u krijua përmes
kronikave të shkurta të cilat u shfaqën brenda kornizave të varura në skenë,
duke krijuar kështu një mozaik të ngjarjeve dhe periudhave të ndryshme nëpër të
cilat kanë kaluar shqiptarët. Filloi nga Skënderbeu, të emigrantët e parë të
Shqipërisë, lufta në Kosovë, familja Jashari e deri te ata që kanë migruar, ata
që janë kthyer e ata që dëshirojnë të largohen nga vendlindja. “Fillimi i
shtjellimit të idesë për këtë shfaqje ka qenë me u marrë me lidhjen që ka
shqiptari me vendlindjen. Në këtë mënyrë, përmes shfaqjes u krijua edhe një
rrugëtim artistik që sillet rreth lidhjes gravitacionale me vendlindjen, prej
problemeve shumë të vogla e deri të lidhjet që janë edhe me të mëdha, sublime,
ku njerëzit edhe janë flijuar për këtë vend”, theksoi Mehmeti.
“Jemi duke jetuar në një kohë kur
atdhedashuria është duke u bërë pak bajat prej politikanëve të skenës politike
dhe po mendoj që arti ka ndoshta mision që me e ushqye këtë punë për ata që iu
pëlqen me pa tema të tilla por në një mënyrë më origjinale. Ne si Odë tregojmë
histori për të treguar një pozicion tonin karshi kësaj shoqërie ose fenomeneve
që ndodhin”, theksoi ai.
Aktorja Daniela Markaj e cila ishte
pjesë e kastës së aktorëve tha për KultPlus se sjellja e disa karaktereve ka
qenë mjaft sfiduese në fillim, mirëpo falë punës regjisoriale, karakteret kanë
krijuar një lidhshmëri dhe e kanë nxjerrë më të bukurën e kësaj shfaqjeje. “Me
Teatrin ODA për herë të parë kam punuar para dy viteve në kuadër të festivalit
Hapu. Vitin e kaluar pikërisht me 1 mars, për 15-të vjetorin e teatrit kam
luajtur në shfaqjen ‘Lufta e Tretë Botërore’ pas saj filluam projektin e ri e
që kishte si temë lidhjen e shqiptarëve me vendin e tyre, një proces shumë i
lezetshëm dhe me shumë diskutime, se qysh me i lidh skenat dhe pastaj edhe një
muaj prova. E bukura e këtij teatri si skenë e pavarur është që ODA iu jep
shumë mundësi aktorëve të rinj që me e prezantu veten dhe kjo është shumë e
rëndësishme për aktorët e rinj dhe për artistët. Kemi goxha shumë aktorë dhe
duhet me u kriju hapësirë dhe me iu jep mundësi dhe teatri ODA e bën këtë”,
theksoi ajo.
Kjo shfaqje i solli ndërmend regjisores
Zana Krasniqi- Hoxha se sa shumë artistë gjatë këtyre viteve ka zbuluar teatri
“ODA”. Kjo mbrëmje për të ishte një rizbulim i faktit që ky teatër mbanë akoma
gjallë frymën e pavarur artistike. “Shfaqja sonte ishte një tragjikomedi, do të
thoja, për faktin se trajton një pjesë të dhimbshme të historisë sonë, por
meqenëse është 20 vjetori i çlirimit të Kosovës mua më duket që është bërë me
qëllim një trajtim i tillë, pikërisht për historinë e këtij 20 vjeçari dhe ka
copëza te historisë sonë që të prekin emocionalisht por nganjëherë të bëjnë për
të qeshur me disa situata me të cilat ne identifikohemi shumë lehtë “, tha ajo.
Shfaqja “Graviteti” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Zëri i tij është emocion i madh, sidomos kur interpreton në skenën e Shqipërisë dhe këndon këngën shqip.
Tenori Saimir Pirgu la magjinë e tij në skenën e Pallatit të Kongreseve, në mbrëmjen gala të Samitit të Diasporës. Zëri i tij ka kumbuar në skenat e Europës, Amerikës dhe Azisë, por në shtëpi ndjesia është komplet ndryshe.
“Ishte kënaqësi e veçantë në radhë të parë edhe fakti që përveç publikut shqiptar kishte edhe shumë nga diaspora që tashmë më ndjekin kudo ku janë. Por, sidoqoftë në territorin tënd. Në shtëpinë tënde. Në shtëpinë edhe të diasporës në Tiranë apo edhe në Shqipëri është gjithmonë një kënaqësi dhe publiku gjithmonë ka një përqëndrim tjetër”, thotë Pirgu.
Saimir, sigurisht që çfarë ndodh në Shqipëri ka një ndikim shumë të madh tek shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve. A keni ju një perceptim, një mesazh rreth gjendjes aktuale të tanishme?
Keq më vjen, por ky perceptim i mediave të huaja të sinkronizuara sikur në Shqipëri është Mesjetë. U bënë 20 vjet që e teprojnë. Është përgjegjësi e politikës shqiptare. Dhe flas të të gjitha krahëve politike që këto gjëra të mos përsëriten. Sepse imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rikuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë.
Unë di që tani jeni duke udhëtuar për në Tokio, si është axhenda?
Shfaqja që do të jepet në Tokio, është e regjisorit Nikola Zhoel dhe do të interpretoj operan Verter, kështu që jam në rolin kryesor. Për herë të parë e kam kënduar edhe në Shqipëri operan Verter, kështu që është tjetër emocion të rikthehem prapë.
Unë kam një pyetje në sensin e zbërthimit të shpirtit apo prekjes së telave, kush është opera ideale në këtë rast?
Mund të veçoj që Duca di Mantova, Verter apo dhe Boheme mbeten gjithmonë, jo sepse janë të famshëm, por janë edhe role që të japin si kënaqësinë interpretative, por edhe kthimin mbrapa kur pëlqehen nga publiku, kështu që kanë një sodisfaksion tepër të madh./tch
Ka mjaftuar një status i koreografit Robert Nuha në lidhje me tri shfaqjet e fundit të Baletit Kombëtar të Kosovës, dhe i njëjti të nxitë reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, shkruan KultPlus.
Reagimi i Nuhës nëpërmjet rrjetit social Facebook kishte në fokus shfaqjet e BKK-së, të cilat së fundi janë drejtuar nga tre balerinë të këtij institucioni, të cilët së fundi i kanë përveshur mëngët për tu shndërruar në koreografë.
Teuta
Krasniqi, Sinan Kajtazi dhe Kreshnik Musolli janë koreografët që janë vënë nën
gozhdën e koreografit Robert Nuha, i cili ka vënë në mëdyshje këta tre balerinë
për profesionalizmin e tyre, pasi që, sipas tij, të njëjtit i kanë dhënë të
drejtë vetës që të hyjnë nën petkun e koreografit, por që të njëjtit nuk janë të
kualifikuar për këtë profesion.
Dhe
pikërisht ky reagim ka bërë që të ndajë komunitetin artistik në dy grupe. Reagimi i Nuhës ka vënë në pah se Kosova
tashmë ka rreth dhjetë koreografë të diplomuar, të cilët janë shkolluar në
Fakultetin e Arteve të Shqipërisë, por të cilët nuk janë angazhuar në Baletin Kombëtar
të Kosovës.
Por jo vetëm Robert Nuha ka mëdyshje
Një
mëdyshje të tillë ka edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar
të Kosovës, i cili të diplomuarit për koreografë në Shqipëri po i merr me
rezervë, pasi që, Sinan Kajtazi, përpos që Fakultetin e Arteve në Shqipëri po e
vlerëson si një institucion që ka mbetur nga koha e komunizmit, ai poashtu është
shprehur se mënyra se si i kanë marë diplomat këta koreografë, është e dyshimtë.
Këtë deklaratë, Sinan Kajtazi e ka dhënë në një nga mediet e Kosovës, dhe kjo deklaratë ka nxitë edhe një reagim më të madh të komunitetit artistik në Shqipëri, duke përfshirë tashmë një numër të madh të artistëve.
Ema
Andrea është artistja që ka reaguar ndaj deklaratës së Sinan Kajtazit, e cila në
të njëjtën kohë ka kërkuar nga dy ministrat e Kosovës në Qeverinë Rama, Besa
Shahini në atë të Arsimit dhe Gent Cakajt në atë të Jashtme, që të reagojnë
ndaj kësaj deklarate të Sinan Kajtazit, duke pas parasysh se kjo deklaratë nuk është
tashmë një deklaratë private, por institucionale, pasi që Sinan Kajtazi së
fundi është duke ushtruar postin e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Ne
kuadrin e marreveshjes(ve)per bashkepunime kulturore e projekte te perbashketa
et etj midis Shqiperise e Kosoves,me poshte nje Drejtues enti shteteror,
deklaron se dyshon mbi menyren si merren diplomat ne “Nje Universitet te
nje vendi fqinj krijuar ne komunizem etj etj”qe eshte Universiteti i
Arteve ne Tirane. Nuk kam nder mend te replikoj mbi konceptin e ketij drejtuesi
per artin,e as kam nder mend ti tregoj qe nga auditoret e atij Universiteti ka
nisur levizja studentore per rrezimin e diktatures,skam nder mend te flas per
artistet qe kane dale nga dyert e ketij Universiteti,e integritetin e kolegeve
mentore pasi nuk ndaj te njejtin nivel me padijen e Zotnise.
Zonja
Besa Shahini, zv Ministria e Kultures dhe Ministri i Jashtem jo vetem si
mbajtes te merituar te posteve drejtuese ne Shqiperi por edhe si njohes me te
mire te mentalitetit te bashkevendasit Tuaj,jam sigurte qe ju do te reagoni
ndaj kesaj deklarate te papergjegjshme te shprehur si ‘mendim personal”
kundrejt UA,i vetmi institucion edukimi artistik ne nivelin Universitar ne
Shqiperi.Per te justifikuar vendimet personale,askush nuk ka te drejte te fyeje
dedikimin,profesionalizmin e integritetin e kolegeve te Universitetit te Arteve
ne Tirane! Gjergj Prevazi Kozeta Bakiu Genci Fuga Rovena Lule tag koleget kush
eshte dakort!”, është reagimi i Ema Andreas.
Reagimit
të saj tashmë i janë përgjigjur disa nga artistët e Shqipërisë, të cilët kanë kërkuar
që për këtë deklaratë të Kajtazit, një shpjegim duhet të japë edhe Ministria e
Kulturës në Kosovë, pasi që, Sinan Kajtazi është vartës nga ky institucion.
Shfaqjet që kanë nisë këtë zjarr të reagimeve janë: “Pa mure” me koreografi të Teauta Krasniqit, “O. Taka” me koreografi e muzikë të Sinan Kajtazit, dhe së fundi shfaqja “Andërr” e Kreshnik Musollit./KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Muzeve Berat në bashkëpunim me ChwB Shqipëri , organizoi në pedonalen e qytetit të Beratit “Lojën Mos u Nxeh”. Aktiviteti u zhvillua në formë konkursi me pjesëmarrjen e katër shkollave 9 vjeçare, ”22 Tetori”, ”1 Maji” , ”Thimi Tani” dhe shkolla e mesme artistike “Ajet Xhindole”.
Nxënësit përveç sfidës së lojës me njëri – tjetrin , arritën të bëjnë një interpretim të historikut, i vendosur në pikat kyçe në lojë. Këto pika të japin informacion për trashëgiminë kulturore të qytetit duke filluar, me muzeun Etnografik dhe koleksionin e tij, objektet e kultit, trashëgiminë jo materiale, informacion për piktorin Onufri dhe Muzeun Ikonografik Onufri, rendësin e librave liturgjik (Kodikët).
“Loja Mos u Nxeh” në përmasa më të mëdha do të qëndrojë e hapur çdo ditë në ambientin e Muzeut Etnogafik , duke ftuar të provojnë sfidën të gjithë vizitorët./A.T.SH/ KultPlus.com
Në vitin 2014, në papafingon e një shtëpie në Tuluzë të Francës ishte zbuluar një pikturë e mbuluar nga pluhuri dhe e dëmtuar nga lagështira, që dukej sikur e kishte një vlerë.
Piktura u mor nga një ekspert, Marc labarbe, i cili e pastroi atë, i dërgoi një foto një njohësi të artit dhe më pas…thjesht priti, transmeton TCH.
Pesë vite më vonë, piktura qëndron e varur në një galeri të Londrës. Bëhej fjalë për një pikturë të humbur të Caravaggios, që më në fund kishte dalë në dritë. Bëhet fjalë për ‘Judith dhe Holofernes’, që besohet se është realizuar në vitin 1607.
Lajmi i zbulimit u dha në një konferencë për shtyp të enjten dhe piktura do të dalë në një ankand më 27 qershor, në Tuluzë, ku pritet të kapë një vlerë prej jo më pak se 150 milionë eurosh.
Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një pikturë të dhunshme, por Caravaggio është i famshëm për domethënien e kamufluar nën ngjyra. Sipas tyre, piktura ka një histori të komplikuar. Ajo është krijuar pasi Caravaggio u largua nga Roma, i akuzuar për vrasje, dhe reflekton ndryshimin e dallueshëm në stilin e artistit gjatë kohës që ai ishte në azil, në Napoli.
Caravaggio u bë atje më i errët, më i zymtë dhe më ekstrem. Janë 4 dokumente që provojnë ekzistencën e pikturës, dy letra të vitit 1607 drejtuar Dukës së Mantovës, ku përshkruhet puna; një testament i vitit 1617 i një tregtari arti; si dhe një inventar i një prone në Antwerp, në vitin 1619.
Pas këtij viti nuk dihet më asgjë për pikturën, deri në momentin e rishfaqjes së saj në Tuluzë./ KultPlus.com
Një ditë para se të vendosej busti i Skënderbeut, IKMT ka
ndërhyrë dhe ka prishur bazamentin. Kjo për shkak se Bashkia e Lezhës nuk
kishte marrë leje përkatëse te Instituti i Monumenteve në Ministrinë e
Kulturës.
Paulin Zefi, përgjegjës në Memorialin e Bashkisë së Lezhës ka
reaguar me këtë ndërhyrje. Më poshtë po sjellim reagimin e plotë.
GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU” po pret për t’u vendosur mbi piedestalin e stilizuar dhe për të hijeshuar qendrën urbane të “Kryeqytetit të vet diplomatik”, Lissus-in e lashtë dhe të mrekullueshëm. Fatkeqësisht nuk do të vendoset me “2-Mars” me rastin e 575 vjetorit të “Bashkimit të parë politik, ushtarak, ekonomik dhe shpirtëror të popullit tonë”, por së shpejti do ta vendosim gjallë a vdekur. Të paudhët dhe antikombëtarët e realizuan “vetëm përkohësisht” atë çfarë dëshironin, por ne do ta çojmë misionin tonë deri në fund./KultPlus.com
Karriera e saj ka një pikënisje që lidhet me emrin e Shemsedin Kirajtan, drejtor i teatrit amator në Prizren, për të cilin thotë se do t’i jetë mirënjohëse gjatë tërë jetës. Leze Qena mes të qeshurave tregon se nuk e kishte marrë seriozisht punën e aktrimit, sepse kishte besuar fort se nuk mund të jesh aktore nëse nuk ke një imazh si të Sofia Loren.
“Ai ka qenë drejtues i
jetës time. Ai më pat thënë që duhet të shkoja në teatër në Prishtinë, por unë
i thoja që mos të tallej me mua, sepse për të shkuar në teatër mendoja se duhet
të ishe e gjatë dhe e bukur si Sofia Loren. Por ai insistonte se teatri kishte
nevojë për mua. Unë nuk e dija që teatri kishte aktore me pamje të ndryshme”,
fillon rrëfimin e saj Leze Qena.
Pjesë nga rrëfimi i KultËoman, ku ishte pjesë edhe aktorja e mirënjohur Leze Qena. KultËoman është projekt i KultPlus dhe i mbështetur nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut./KultPlus.com
Aktorja e mirënjohur Leze Qena sot ka mbushur 84 vjet shkruan KultPlus. Leze Qena është një ndër aktoret e pakta që në këtë moshë është aktive në jetën kulturore, duke marrë pjesë edhe më në seriale të ndryshme televizive.
Leze Qena qysh në moshë të re ka nisë me
aktrim duke qenë kështu një ndër aktoret e para të Teatrit të Kosovës, e për të
vazhduar kështu edhe me shumë role të ndryshme.
Lezja edhe sot është personazh i dashur për ata që e duan artin e kulturën. E lindur në Prizren, ka luajtur në “Shkolla e fshatit”, “Familja moderne”, “Macja”, “I ikuri” e projekte të tjera. Lezes duhet ti jemi mirënjohjes dhe ti përulemi për këto vite hare, teatër hyjnor dhe emocione të cilat na i dha neve dhe ne i pranuam pa pyetur më shumë. /KultPlus.com
Regjisori meksikan Alejandro Gonzalez Inarritu (55) – i cili më 2015 me “Birdman” pos “Oscarit” për filmin më të mirë mori edhe atë për skenarin dhe regjinë më të mirë e më 2016 me “The Revenant” mori “Oscar” për regjinë më të mirë – do të kryesojë jurinë e edicionit të 72-të të Festivalit të Filmit në Cannes, që mbahet prej 14 deri më 25 maj.
Përzgjedhja e një regjisori meksikan në pozitën e kryetarit të jurisë së Festivalit do ta “nderojë krejt kinematografinë meksikane” përderisa do të nxjerrë në plan të parë regjisorin e cili nëpërmjet realitetit virtual ua ka mundësuar shikuesve që të njihen me ferrin nëpër të cilin kalojnë emigrantët. Këtë e bëri me filmin “Flash and Sand” me të cilin më 2018 mori “Oscar” në kategorinë për arritje të veçanta, përcjell sot Koha Ditore.
Vitin e kaluar jurinë e Festivalit të Cannes e ka kryesuar Cate Blanchett, e cila ka luajtur në filmin e Inarritus, “Babel” të vitit 2006. Asokohe regjisori meksikan mori “Palmën e Artë” për regjisorin më të mirë. Vitin e kaluar “Palmën e Artë” e ka marrë regjisori japonez Hirokazuu Koreedi për filmin “Shoplifters”.
“Prej fillimit të karrierës, Festivali i Filmit në Cannes për mua ka qenë i një rëndësie të veçantë. Jam shpërblyer dhe më vjen mirë që do të rikthehem edhe sivjet. Pakrahasueshëm jam krenar që do ta kryesoj jurinë. Kinemaja rrjedh nëpër venat e planetit tonë e ky festival është sikurse zemra e tij”, u ka thënë Iñarritu gazetarëve./ KultPlus.com
Aurela Gaçe nuk njihet vetëm si një nga këngëtaret më të mira të skenës shqiptare. Ajo është padyshim e adhuruar nga publiku për vokalin dhe repertorin e mrekullueshëm, por edhe për sinqeritetin që ka përballë tyre.
Shpesh, Aurela zgjedh të flasë për fenomene të caktuar të përditshmërisë
që na prekin të gjithëve, duke shprehur opinionin e saj pa dorashka. Edhe
mbrëmjen që lamë pas, këngëtarja ka shkruar diçka që ja ka dedikuar të gjithë
atyre personave që kanë maninë të tregojnë veshjet e shtrenjta ose firmë.
“Mundohem të mos i gjykoj njerëzit dhe gjej nga një justifikim për veprimet e tyre, por këta që nxjerrin akoma në pah firmat e rrobave, më duket se nuk dinë të gëzojnë plotësisht paranë që me ‘mund’ kanë mbledhur. Të mburresh akoma me emrin që ke veshur më duket kaq varfëri. Shpirtërore, sigurisht. Nejse… Do thoni ju, po mirë, ka mundësi dhe pse jo? Po, po dakort, vetëm se fakti që e tregon më bën të qesh. Mendoja se kishte rënë pak fluksi i pordhacëve bosh të këtij fshatit tonë madhështor, ku paradën e bëjnë pikërisht ata që dje mbase edhe buka u mungonte. (Kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot tregojnë). Ka shumë të pasur që kurrë nuk u mësuam se çfarë veshin, çfarë hanë, ndoshta ngaqë ata janë bërë të pasur falë pasioneve, në kundërshtim nga këta tanët që pasion kanë lekun. (Ta gëzojnë vetëm të mos harrojnë fasulet… T’i ziejnë e ta derdhin ujin e parë, se përndryshe do ju grisen brekët nga p….)”,-e mbyll fjalën Aurela./revista who
Kosovarja Dua Lipa e cila është shndërruar në një yll të madh botëror, nuk e kishte këtë shtytje nga mësuesit e muzikës në Kosovë, shkruan KultPlus.
E vlerësuar
së fundi me Grammy dhe Brit Awards, Dua Lipa përpjekjet për muzikë i kishte nisë
si e vogël në Kosovë.
New York
Magazine kishte shkruar një shkrim më herët për këtë përballje të Dua Lipës, ku
mësuesit në Kosovë i kishin thënë se nuk ka zë, dhe po sipas këtij shkrimi, një
mësuese kishte shkuar aq larg sa atëherë i kishte thënë se ajo nuk mund të
arrij notat e larta dhe këndimi nuk është për të.
Dua Lipa sot konsiderohet si një ndër yjet më shpërthyese në botë dhe karriera e saj pos në muzikë, tashmë është edhe në film dhe në kampanja të ndryshme. /KultPlus.com
“Sfida Momo” është rikthyer sërish në “YouTube” dhe “Instagram”, dhe të gjithë prindërit kanë treguar shqetësimin e tyre për fëmijët, të cilët janë çdo ditë të ekspozuar me botën e internetit.
Kjo sfidë nisi fillimisht verën e 2018-s, ku një personazh i frymëzuar nga një film horror u kërkonte fëmijëve të bënin gjëra të rrezikshme dhe dërgonte mesazhe shqetësuese. Videot e Momo-s nxitën vdekjen e dy fëmijëve vitin e kaluar, ndërsa vazhdojnë të qarkullojnë në “YouTube” dhe “Instagram”. Këto dy të fundit ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për bllokimin e videove.
Personazhi i quajtur Momo shfaqet në mes të videove për fëmijë dhe u tregon si të lëndojnë veten apo të kryejnë vetëvrasje.
Kukulla i inkurajon ata që të shtojnë një kontakt në mesazhet WhatsApp, pastaj i ngacmojnë ato me imazhe të dhunshme dhe i vendosin sfida të rrezikshme. Ai i inkurajon ata që të dëmtojnë veten dhe postimi i fundit u thotë atyre të vrasin veten.
Adrola Dushi ka bërë një deklaratë lidhur me lojën vdekjeprurëse, ndërsa i bën thirrje prindërve që të kenë në kontroll atë që shohin fëmijët para celularit apo kompjuterit. Ajo këshillon që të shmangin “YouTube” nga jeta e fëmijëve.
“Jam e shokuar nga çfarë po ndodh në botën e internetit. Si nënë e një djali, si hallë, si një vajzë e rritur me shumë dashuri, lus të gjithë prindërit të kenë nën kontroll programet që shohin fëmijët në YouTube, nëse do të ishte e mundur ta shmangnin fare këtë aplikacion nga jeta e fëmijëve. Të gjithë bashkë mundemi, fëmijët duhet t’i mësojmë të duan. Bota sot ka nevojë për ne, t’i tregojmë ç’mund të bëjë dashuria. Ju lutem të ripostoni dhe të bëni thirrje për bojkot… Sot jam zgjuar nga gjumi si një nënë e shqetësuar, e ardhmja e fëmijëve është përgjegjësia jonë”, shkruan në postimin e saj Adrola.
“Kjo është e frikshme dhe shumë shqetësuese”, shkruan Emina në instastory, në të cilën ka shpërndarë një postim “Facebook-u” që tregon se ka karaktere të tjera që bëjnë të njëjtën gjë si “Momo”, personazhe si Micky Mouse, Spiderman apo Elsa.
Të gjithë ju prindër që po lexoni këtë artikull, kini kujdes. Fëmijët tuaj mund të bien pre e kësaj sfide, prandaj duhet të kontrolloni të gjitha videot që të vegjëlit tuaj shikojnë.
“Unë kurrë nuk kam gjetur askënd që nuk donte të më ndihmonte”, thoshte Steve Jobs 22 vjet më parë.
“Nëse u kërkoja ndihmë … i telefonova Bill Hewlettit kur isha dymbëdhjetë vjeç: Përshëndetje, unë Unë jam Steve Jobs, jam dymbëdhjetë vjeç, jam nxënës në shkollë të mesme, dua të ndërtoj një numërues frekuencash, dhe unë doja të dija nëse keni ndonjë pjesë rezervë që mund të ma jepni”. Ai qeshi, dhe më dha pjesë këmbimi, dhe më ofroi një punë atë verë në Hewlett-Packard … dhe unë fluturoja”.
“Unë kurrë nuk kam parë a dëgjuar, asnjë person, që më ka thënë jo apo më ka mbyllur telefonin, kur e kam marrë. Thjesht kërkoja. Dhe kur njerëzit më kërkojnë, përpiqem t’u përgjigjem, që të shlyej atë borxh mirënjohjeje. Shumica e njerëzve kurrë nuk e ngrenë telefonin dhe të telefonojnë dhe të kërkojnë. Shumica e njerëzve kurrë nuk KERKOJNE, dhe kjo është ajo që ndan ndonjëherë njerëzit që bëjnë gjëra nga njerëzit që vetëm ëndërrojnë për to”. / Bota.al
Për gjashtë vite me radhë e punësuar me honorarë, Sihana Jakupi ishte kornistja e katërt në orkestrën e Opera dhe Balet. Në dhjetor të vitit 2018 u shpall konkurs ku gjithsej konkurruan katër persona, përfshirë këtu edhe Sihanën.
Komisioni i Opera dhe Balet vendosi që në karrigen e Sihanës ta ulë Millovan Stamenkovskin. Sihana duke druajtur se i është bërë padrejtësi, akuzon komisionin dhe drejtorin e Operës se është ndikuar politikisht.
“Në fund, pas audicionit pranohet dikush që asnjë ditë nuk e kemi parë në atë orkestër. Është padrejtësi e madhe për dikë i cili ka kontribuar 6 vite aty me honorare pa pagesë dhe në fund të pranohet dikush i panjohur. Unë kam dërguar ankesë deri tek Opera dhe Baleti, para dy javëve dhe ende nuk kam përgjigje se përse unë nuk u pranova. Kjo duhet të jetë diçka shumë partiake, sipas informatave drejtori ka thënë që konkursi është mbyllur dhe se është vendosur nga lart “– tha Sihana Jakupi, korniste e diplomuar.
Televizioni Alsat tentoi të vë kontakt me drejtorin e Operës dhe Baletit, Vaso Ristov por i njëjti nuk gjeti kohë që të përgjigjet për rastin e Sihanës. Kjo e fundit ka kërkuar edhe shpjegim për punësimin parashutist të Stamenkovskit në vend të saj, ndërsa nga drejtoria e Operës i është thënë se është vepruar në bazë të ligjit. Megjithatë, Sihana insiston se është bërë padrejtësi në zgjedhjen e punëtorit e jo në procedurë dhe për këtë gjë kërkon përgjegjësi.
Është çudi që ky vend u mbajt i mbyllur prej vitit 2012 kur është dashur vendi të hapet, deri në këtë kohë është çudi e madhe unë nuk mund ta pranoj atë fakt – u shpreh Sihana Jakupi, korniste e diplomuar.
Sihana ka kërkuar sqarim edhe nga Ministra e Kulturës por as nga atje nuk ka marr përgjigje. Përgjigje nga Ministria e Kulturës për këtë punësim nuk mori as Televizioni Alsat. Opera dhe Baleti numëron 213 persona të punësuar në orkestër, kor, solo dhe drejtori por në këtë listë figuron vetëm një emër shqiptarë, i cili luan në violinë.B
Artistja kroate Hana Miletić sonte erdhi në Prishtinë për të shpalosur punën e saj në LambdaLambdaLambda.
Ekspozita e saj e titulluar “Materiale” përfshinte një punë të automatizuar dhe praktikën që ajo ndjek duke punuar me dorë. Punimet e Miletiqit ngjallin tradita dhe praktika të ndryshme të që duan të shpalosin më shumë ndjenjën e kujdesit, që përfshin prodhimin e punuar me dorë në punën e deleguar të automatizimit. Punimet e saj përbehen nga imazhet e reparacioneve të gjetura në hapësirën publike, të cilat në të njëjtën kohë janë shenja të mungesës së mirëmbajtjes.
Artisja ka përkthyer këto shenja dhe gjeste në mes të tekstileve të punuar me dorë dhe në mënyrë të automatizuar. Në këtë mënyrë ajo ndërton instalacione duke gërshetuar temat që shpesh nuk vijnë si të lidhura me njëra tjetrën, shkruan KultPlus.
Hana Miletić tha se është tejet e lumtur që po shpalos punën e saj në Prishtinë, ndërsa thotë meqë vjen nga Kroacia, ajo gjen shumë lidhje kulturore me Kosovën dhe ky mjedis i duket mjaft familjar.
“Megjithatë
ka edhe gjëra të reja dhe jam e lumtur që kam qëndruar këto ditë këtu ku mund të
shoh edhe gjëra të reja”, tha artistja Miletić.
Ajo thotë se
në këtë ekspozitë veçmas ka përdorur një formë të tekstili që e përdor në një
ambient shumë privat siç është shtëpia. Për KultPlus, ajo tutje tha se puna e
saj bazohet në imazhe e hapësirave të riparueshme, dhe tha se punimet e saj janë më shumë një qëndrim
për gjërat që duhet të mirëmbahen dhe ndaj të cilave duhet kushtohet më shumë
kujdes.
“Unë kryesisht punoj punë që përfshijnë tekstil që i prodhoj vetë dhe ndonjëherë në mënyrë të automatizuar, ndonjëherë intervenoj në këtë prodhim duke i tërhequr me dorë. Këtu po shfaq për herë të parë edhe disa punë që përmbajnë pigmente natyrale si qepa, avokado”, tha ajo për KultPlus.
Hana Miletić
e lindur në Zagreb në vitin 1982, tani vepron në Bruksel. Ajo studioi Fotografi
në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura Antwerp dhe Akademinë Gerrit
Rietveld, Amsterdam; ka studiuar Historinë e Artit dhe Arkeologjinë në
Universitetin e Lirë të Brukselit; dhe Studimet Gjinore në Universitetin e
Utrehtit. Në vitin 2018 WIELS Qendra e Artit Bashkëkohor në Bruksel paraqiti
ekspozitën e saj të parë personale. Kohët e fundit ka marrë pjesë në ekspozita
grupore në muzeun e artit bashkëkohor S.M.A.K, Ghent (2018-19); Metro Pictures,
Nju Jork (2019); TextielMuseum, Tilburg (2018-19); Bienalja e 13-të e Sharjahut
(2017) dhe Palais de Tokyo, Paris (2016). Ajo ishte banore e Jan van Eyck
Academie në Maastricht në vitet 2014-15. Në vitin 2015, ajo u nderua me çmimin
BOZAR në kuadër të Çmimit të Artë të Belgjikës./ KultPlus.com
Ky libër është një vepër autobiografik me ese narrative që nuk i referohen mesjetës së largët, por që tregojnë se sapo kemi hyrë në një mesjetë të re. Duke parë Qeverinë si kishë mesjetare, mediet dhe rrjetet sociali si inkuzicion, ekstremistët fetar si templearët e dikurshme, intelektualin si pelegrin që kërkon të shlodhet në një vend të shenjtë, maskën si fytyrë të padenjë, skizmën si pasojë të shpërdorimit të lirisë, alegorinë si kuptim të fshehur të jetës sonë, përmes kësaj vepre, Ag Apolloni interpreton aktualitetin e jetës sonë.
Libri përbëhet nga 10 ese që përmbajnë tituj në gjuhën
latine e që janë: Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona,
Schisma, Templarius, Inquisitio dhe Memento. Më shumë për këta tituj bisedoi studiuesi
i letërsisë Sherif Luzha, i cili tha se
në këtë libër nuk kemi të bëjmë me një mesjetë si epokë, por me mesjetën të cilën autori e ka
rikonceptualizuar dhe e ka përdorur si metaforë në rrëfimin e jetës së tij.
Autori në këtë libër nuk e ka mendjen që të rrëfejë për mëkatet por për ankthet,
u shpreh ai.
“Libri mesjeta ime, herë nëpërmes fusnotave e herë brenda tekstit është
i mbushur me shpjegime dhe kjo ndikon që libri të ruajë identitetin eseistik
dhe në të njëjtën kohë mundëson që lexuesi ta ketë më të lehtë ti përqaset
artikulimit estetik”, u shpreh ai. Sipas tij, përveç titujve që janë në gjuhën latine
autori brenda teksti ka përdorur edhe
shprehje frazeologjike në gjuhën latine të cilat përveç që afrojnë këtë libër
me referenca të tjera biblike, filozofike dhe mesjetare, shërbejnë edhe si
elemente për ta ravizuar parabolën e jetës personale.
Sherif Luzha
Këtë libër historiani Ylber Hysaj e quajti manifest të jetës
së shkrimtarit dhe të 35 viteve ku autori përmes konceptit biblik mundohet që
ta kuptojë gjysmën e jetës të ndarë në 12 kapituj të cilët ju ngjajnë 12 muajve
kalendarik.
“Këta muaj mbajnë emra latinë dhe ju ngjajnë shenjave të
zodiakut, ku në secili nga këto shenja, Agu mundohet që të sheh të kaluarën dhe të
tashmen duke u futur në një mallkim të ciklizmit, duke u thirrur në atë që i pëlqen,
në diskursin e Ozit, i cili zbulon se në fakt, pas shekullit XX nuk vjen
shekulli XXI, por shekulli XI, me të gjitha misteret dhe ekstremizmit që ai
sjellë me vete”, tha ai. Sipas tij, Ag Apolloni pasi që ka ulëritur si ujku që
ka hedhur shtatë shumë herët, tani vjen me një mesjetë si i pjekur, inteligjent,
i urtë, provokues dhe me frikë që mos i ka kaluar gjysma e jetës dhe në këtë
formë i ka kaluar edhe gjysma e trurit. Pra, sipas tij e gjitha vjen si një vet
reflektim ku autori i rrëfehet vetes dhe njëkohësisht edhe lexuesit.
Ylber Hysaj
Autori i librit Ag Apolloni u shpreh se në këtë libër është
marrë me pjesën e trashëgimisë gjenetike dhe ka ardhur në një përfundim se asnjë
njeri nuk është vetvetja derisa është trashëgimi e brezave që ju prinë.
“Kjo na bënë që të veprojmë shpesh çuditshëm dhe kundër
vullnetit tonë. Ne mundohemi të tregohemi të kulturuar dhe të shprehim atë
dijen që marrim në fakultete, në shkolla në vende të caktuara, dhe përnjëherë e shohim që dikush na qet prej
kontrolli dhe na del babëgjyshi. Ai bëhet kështu më i fortë se gjithë kultura që
kemi marrë ndër vite”, tha ai.
Tutje, autori Apolloni tha se libri nis me një problem që atë
e ka shqetësuar që në fillimet e tij e që ishte: “A duhet ti besoj frymëzimit
apo duhet që këtë frymëzim ta gjejë vetëm nëpër librat”. Duke mos qenë i sigurt
se cila është rruga e duhur, ai vet i ka
zgjedhur që të dyja. Ai po ashtu theksoi se në këtë libër është marrë edhe me
një koncept i cili në shqip do quhej “frymë e lokacionit”
“Sot me shumicën e njerëzve kur rri e shoh që dëshpërimi i
tyre imponohet pikërisht nga kjo, mungesa e frymës së vendit. Nuk e shohin që
ka frymë ky vend. Kosova është një vend i pafrymë, i vdekur, i shkretë dhe unë
jam munduar që ta interpretoj këtë koncept a duhet të ikim apo duhet të rrimë. Sa është vendi i rëndësishëm
për njeriun? E kam parë që atdheu im është rruga, rrugëtimi dhe jo vendi ,derisa
e kemi shkatërruar këtë frymë lokale, e cila në vendet tjera i reziston me
sukses koncepteve univerzale”, tha ai. Si një vend i cili duhet marrë si
shembull, ai u shpreh se është Parisi, ku fryma lokale vërehet.
“Ne kemi këtu institucione kulturore të shumta më shumë sesa
që duhet. Kemi universitete më shumë sesa që duhet, por nuk kemi një vend që
mund ta quajmë mbrojtës te kësaj fryme vendore. Universiteti sigurisht që ka
dështuar për këtë punë. Institucionet, p.sh. këtu po shoh disa punonjës të
institucionit albanologjik, këtij institucioni i mungon vetëm minarja dhe nuk është
institucion shkencor. Prandaj ne nuk kemi çerdhe kulturore dhe kjo është dështuese
shumë. Këtë dëshpërim unë e kam
artikuluar, para 14 viteve, në një doktrinë që nuk e kam botuar asnjëherë. Mirëpo,
pasi që e lexova atë doktrinë e vërejta që atë libër më shumë se mendja e
kishte krijuar gjendja dhe nuk e botova, por ky libër e sjellë në një formë një
hije të asaj doktrine”, u shpreh ai.
Autori i librit “Mesjeta ime” është fitues i disa çmimeve, duke përfshirë edhe çmimin romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”) për librin “Ulurima e ujkut” si dhe drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”./ KultPlus.com