MTI urdhëron largimin e lodrës “Slime” nga tregu i Kosovës

Misitria e Tregtisë dhe Industrisë ka urdhëruar largimin nga tregu i Kosovës të mbi 5 mijë lodrave për fëmijë, pasi që ka konstatuar se janë të rrezikshme për fëmijët. Në lodrat “Slime me Mbishkrimin Burrel-O-Slime”, sipas MTI-së është gjetur se është tejkaluar elementit kimik Bori i cili gjatë përdorimit nga fëmijët mund të shkaktoj dëmtim të përhershëm të sistemit të riprodhimit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për sekuestrimin e lodrave për fëmijë që mbajnë mbishkrimin “Barrel-O-Slime”, që është një lloj plasteline.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se sekuestrohen 5 mijë e 184 copë të kësaj lodre, të cilat janë importuar nga operatori ekonomik “Luca shpk” me seli në Skenderaj.

Sipas vendimit operatori ekonomik obligohet që brenda afatit prej 3 ditësh të bëjë tërheqjen e plotë nga tergu i brenshëm të të gjitha produkteve për fëmijë.

As ankesa e parashtruar kundër këtij vendimi sipas MTI-së nuk e ndalon ekzekutimin e tij.
“Me qëllim të verifikimit të komponentëve të sigurisë, inspektorati i Tregut me 10/04/2018 në procesverbalin e inspektimit, operatorit ekonomik “Luca” i ka ndaluar vendosjen në treg të produkteve lodra për fëmijë “Slime me Mbishkrimin Burrel-O-Slime në sasi 5184 copa”, thuhet në vendim, raporton Insajderi.

Këngët e çikave me defa, jehuan në Kalanë e Prizrenit

Alberina Haxhijaj- Prizren
Fotografitë Photo: Somer Spat
Mbrëmë në Kalanë e Prizrenit në kuadër të DokuFest, erdhi një përmbledhje e këngëve të cilat janë kënduar nga gratë, për të shënuar ceremoni të ndryshme, shkruan KultPlus.

Performanca e grupit i cili përbëhej nga Merita Rama, Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti, Valentina Haziri si dhe Gentiana Krasniqi, bëri që dhjetëra mysafirë të festivalit të ngjiten në Kala.

Të rehatuar në skenën e improvizuar në Kala, mysafirët shijuan perëndimin e diellit por edhe u kthyen prapa në kohë dhe udhëtuan nëpër troje të ndryshme të Kosovës përmes këngëve që solli grupi.
Këngët e tilla si: Kënga e Rugovës, Kaj oj nane bashkë me mue, Lëshoni udhë e lëshoni sokak, Këqyrni shoqe, Luli Belholla, O’dola n’bahqe e të tjera, bënë që të pranishmit të reflektonin për trashëgimin shpirtërore të cilën e ka Kosova.

/Kaj o nanë oj ti bashkë me muee, kaj o nanë oj ti bashkë me mue, s’ka kush vendin oj nanë me ta shtrue, s;ka kush vendin oj nanë me ta shtrue, Kajn o lule more lotë gurë gurë, kaj oj lule more lot gurë gurë ee/ qysh po e len more babën për një burrë/ qysh po e len more babën për një burrë ee/
Merita Rama e cila ishte njëra nga çikat që performoi, u shpreh për KultPlus se janë të lumtura që akoma po arrijnë që ta ruajnë zakonet dhe këngët që i kanë mësuar nga nënat dhe gjyshet e tyre.
“Grupi jonë është privat dhe shërben si vend takime për neve që tani jemi bërë edhe mikesha. Të gjithë janë të interesuar për të dëgjuar këngët e tilla, sidomos ndërkombëtaret dhe të huajt që po vizitojnë Prizrenin. Pra këngët që i kënduam i kemi trashëguar nga nënat tona, gjyshet por ka edhe këngë të krahinave të tjera të cilat i kemi mbledhur ndër vite”, tregoi ajo.

Grupi solli këngë të ndryshme të cilat përshkruajnë disa pjesë të jetës nëpër të cilat kalojnë gratë në shoqëri, të tilla si këngët për kangjegj, dasma, e të tjera.
Performanca po ashtu përfshiu edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifikë për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.
/ioo uooo a ti n’at shpat e unë n’këtë shpat eooo/ iooo iooo o fol njëherë o gojë dukat eoo/ iooo ueeo ueoo o lule e kuqe fletë bojë pembe oo/

Kjo performancë është organizuar nga DokuFest së bashku me CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës. /KultPlus.com

Dua Lipa do të vjen me aeroplanin privat të këtij politikani kosovar

Burime të emisionit Express Summer në KTV kanë bërë të ditur se këngëtarja e famshme Dua Lipa do të vijë në Kosovë për koncertin e saj me aeroplan privat.

Sipas burimeve, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli sërish ka ofruar aeroplanin e tij privat që të sjellë Duan në Kosovë dhe gjithë ekipin e saj që këtë herë vijnë në numër të madh.
Këngëtarja pritet të mbërrijë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sot rreth orës 16:00./KultPlus.com

Aktori Alban Ukaj, nikoqir i ceremonisë së hapjes së Festivalit të Filmit në Sarajevë

Aktori kosovar Alban Ukaj do të jetë nikoqir i ceremonisë së hapjes së edicionit të 24-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Ky festival do të hapet më 10 gusht, me një numër të madh të mysafirëve, ku hapja do të bëhet në Teatrin Kombëtar të Sarajevës.

Festivali i Filmit në Sarajevë, si një festival që zbulon gjeneratat e reja që do të udhëheqin kinemanë rajonale në të ardhmen, ka vendosë që në ceremoninë hapëse të këtij edicioni, rolin e nikoqirit t’ia besoj aktorit kosovar Alban Ukaj, i cili ka shumë vite që është paraqitur në shumë role, si në teatër, ashtu edhe në film./KultPlus.com

Dua Lipa: Mezi po pres (VIDEO)

Dua Lipa tashmë është nisur për Prishtinë, e cila do të jetë e pranishme në kuadër të Sunny Hill Festival dhe atij fondacion, shkruan KultPlus.


Dua Lipa tashmë ka njoftuar se është rrugës për Prishtinë, duke shkruar se ajo mezi që po pret të jetë pjesë e këtij festivali./KultPlus.com

Serenata korçare, himni nostalgjik i dashurisë

“Të shkruash për serenatën korçare është njësoj sikur të duash të tregosh një ëndërr që e ke parë në një natë maji, kur protomajaja ka çelur te pragu i portës dhe hëna ka dalë si një perëndeshë mbi fronin e blertë të malit të Moravës dhe përzien rrezet e saj të arta me lulet erëkëndshme, kurse zëri i bilbilave me jonet e veta e shpie shpirtin në lëndina përrallore…”. Këtë pasazh veçon në librin e tij të titulluar “Serenata, himni i dashurisë korçare” shkrimtari Vangjush Ziko, duke i sjellë Korçës në kujtesë atë që e bën të quhet qyteti i serenatave. “Është e pafalshme që ta lëmë serenatën në harresë, edhe pse kjo gjini muzikore e spikatur vetëm në Korçë tashmë e ka mbyllur ciklin e saj”, thotë Ziko. Malli i mërgimit në Kanada, por edhe mosha afro 75-vjeçare, nuk e kanë lënë të qetë për të kërkuar rrënjët e serenatës korçare, brezat e këngëtarëve të saj, personazhet që edhe sot e kësaj dite Korça i mban për emblematikë etj. Qysh i ri, pas përfundimit të studimeve për letërsi në Moskë, Vangjush Ziko ka qenë aktiv në jetën kulturore të qytetit të tij të lindjes dhe pjesë të veprimtarisë artistike ka qenë edhe serenata. Jo më kot, ai na rikthen me nostalgji “jetën” e serenatës në Korçë.

Origjinaliteti i serenatës korçare

Origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe ka të bëjë me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore korçare. “Për hir të së vërtetës duhet pranuar se mjaft nga serenatat e krijuara e të kënduara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX kanë qenë imitime të serenatave të huaja, jo vetëm të Qefalonisë në Greqi, por edhe të serenatave italiane dhe spanjolle”, përmend në librin e tij Vangjush Ziko. Sipas tij, këtë e dëshmojnë edhe tekstet e disa serenatave të përkthyera nga këngë greke prej Spiridon Ilos dhe Loni Llogorit. Kurse në këngën “Zyhra”, të kënduar nga këngëtari bohem Petro Dula ndihen motivet e këngëve orientale. “Nuk është aspak i çuditshëm apo i dënueshëm ndikimi i serenatës italiane apo qefaloniane në serenatën korçare. Qefalonia është porta nga hyri serenata në Gadishullin Ballkanik. Është meritë e të rinjve korçarë që e përqafuan të parët këtë risi të muzikës së lehtë europiane në vendin tonë”, na thotë Vangjush Ziko. Atij i kanë rënë në dorë tri fletore me tekste serenatash të shkruara prej serenatistit Sotiraq Mite. Në to, autori ka dëshmuar se mjaft prej serenatave janë origjinale në tekst e muzikë, e për disa të tjera pohon me sinqeritet se janë të përkthyera nga tekste të serenatave greke, italiane apo spanjolle. “Këto dëshmi flasin jo vetëm për raportet e serenatës korçare me serenatën mesdhetare, por edhe për sinqeritetin profesional dhe karakterin korrekt të një prej kantautorëve më të përkushtuar, më prodhimtarë dhe më popullorë, i quajtur princ i serenatës korçare, Sotiraq Mite”, thekson Ziko. Do të duhej patjetër njëfarë kohe, që kjo përvojë e re e mbartur të “alkimizohej” me shijen dhe me traditën muzikore vendase. Kështu, me krijimin e shoqërive kulturore zyrtare si klubi “Rilindja”, nën drejtimin e profesor Spiro Kondës, shoqëria “Djelmuria korçare”, shoqëria e Arteve të Bukura, e korit “Lyra” etj., filluan të krijohen e kompozohen shqip edhe këngë dashurie përveç këngëve patriotike. Serenata korçare nisi të marrë tipare origjinale. Kjo krijimtari mori hov veçanërisht në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe në vazhdim kur po njiheshin edhe autorët e këtyre serenatave. Në vitet që pasuan, bëhet fjalë kryesisht për krijime të mirëfillta dhe me plot gojën mund të thuhet se bëhet fjalë tashmë për serenatën origjinale korçare. Origjinalitetin e saj, serenata korçare, në ndryshim nga kënga lirike, e ka edhe te vendi i interpretimit. Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjellë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës, e cila ka një emër të përveçëm. Apoteoza e serenatës është lëvizja e lehtë e perdes së dritares, që zëvendëson duartrokitjet dhe drithërimat e sallës. Serenata është shumë më modeste edhe për instrumentet muzikore. Asaj i mjafton një mandolinë apo kitarë. Në fillimet e saj i mjaftonte vetëm fyelli… Pas çastit të ekzekutimit të saj të parë, “premierës” nën dritare, serenata fiton “qytetarinë” e saj për t’u kënduar në rrugë, gosti, në dasma e kudo.

Serenata në shtatë breza

Sipas Vangjush Zikos, serenata korçare, gjatë ekzistencës së saj afro 150-vjeçare, numëron shtatë breza serenatistësh. Grupi i parë u përket viteve 1860-1880, ku merrnin pjesë Gaqo Marko, Spiro Ramizi, Nisi Piasto, Vani Mitko, Thoma Lako, L. Osmanlli etj. Një grup tjetër i njohur në kohën e vet përpara vitit 1913 ishte ai i Nodhi Lakos, këngëtar dhe instrumentist, Sotir Dakos, Petraq Pilkatit, Taqi Fundos. Ndërsa kantautori më i njohur i viteve ‘50 të shekullit të kaluar mbetet Sotiraq Mite. Grupe të tjera të reja të shekullit të kaluar janë “Trëndafili i kuq” me kantautor Sotiraq Qano, Naskë Kondili, Gjergji Peleshi, Naskë Bicolli, Nesti Miska, Aristidh Themeli etj. Vijojnë grupe të tjera serenatistësh, si ai i kantautorit Ilia Vinjau, grupi me Ridvan Shëllirën, grupi i kantautorit më në zë aktualisht në Korçë i Mihallaq Andreas, ai i Tomi Kondakçiut, i Nonda Kajnos, i Maksi Kullës, kantautorët e tjerë si Vaskë Gaqi, Ilia Peleshi, Vaskë Nico. Ata që kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë serenatën korçare janë të panumërt në këtë qytet. Në Korçë janë të zakonshme familjet që kanë pasur nga dy apo tre breza serenatistësh. Një nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli. Ata këndonin familjarisht me burra dhe gra, zakonisht në oborr apo në shkallët e gurta të shtëpisë së tyre në qendër të qytetit te lulishtja e “Themistokli Gërmenjit”, që njihet edhe si një nga qendrat burimore më të hershme të serenatës korçare. Të moshuarit tregojnë edhe sot për atë traditë të bukur që kishin në rininë e tyre të largët për t’u mbledhur e për të kënduar tok në “pare” ose siç u quajtën më vonë edhe shoqëri. Ata mblidheshin për të kënduar dhe për t’u argëtuar duke ia shtruar me të gjithë të mirat, me sebep dhe pa sebep. Këndonin në dasma dhe fejesa, për të kremtuar ditët e emrit. Këndonin në kodrat e qytetit, te kafeneja e Shetros, tek lokal “Panda” dhe, mbi të gjitha, atje ku e kishte lezetin e saj serenata: nën dritaret dhe ballkonet e vajzave të dashuruara apo bukurosheve korçare të adhuruara. Kjo traditë e bukur e miqësisë dhe gëzimit kolektiv, e sebepeve dhe piknikëve mbeti një traditë e serenatistëve të të gjitha brezave në vite.

Magjia e këngës korcare

Këngët kushtuar Korçës, Vangjush Ziko i quan me plot gojën serenata të vërteta dhe të merituara për këtë qytet që jo më kot, atëherë kur kishte lulëzuar serenata u quajt edhe “Paris i Vogël”. Me Korçën janë dashuruar dhe i kanë kënduar edhe të huajt që e kanë njohur këtë qytet, pasi kanë zbuluar bukurinë dhe magjinë e serenatës. “Serenatistët e vjetër tregojnë me krenari dhe buzëqeshje se nuk mbahet mend asnjë rast,asnjë incident në sokakët e Korçës të atyre viteve të largëta, që të kenë dalë pleq me dolloma ose plaka me shami në kokë dhe t’i kenë sikterisur apo mallkuar djemtë e serenatave kur u këndonin bijave apo mbesave të tyre. Vetëm në një rast, kur një bukuri e rrallë korçare dëgjoi se i këndonin poshtë dritares serenatë me pllaka gramafoni, doli dhe hodhi kovën me ujë mbi kokën e atij që kishte kurdisur veglën muzikore”, na rrëfen dëshmitë e qytetarisë Vangjush Ziko. Dashuria korçare kalonte sokakëve të qytetit me kitarën e hedhur në sup, duke ronitur xixëllimat e telave të saj të argjendta mbi kalldrëm. Grupi i serenatistëve, i veshur si për ditë të kremte, si dhëndurë me shamiçkën e bardhë në xhepin e vogël të xhaketës këndonte serenatën më të re. Dashuria korçare këndonte himnin e vet të pavdekshëm; Serenatën! Ridvan Shëllira, një serenatist i vjetër korçar, tregon një histori nga netët e panumërta kur këndonin me kitarë. “I kënduam një bukurosheje nga mëhalla e lumit e na dëgjoi pa e hapur dritaren. Pa e lëvizur perden fare. Ne ishim të sigurt se ajo na dëgjonte, sikur ia ndjenim në sokak frymëmarrjen e saj të shqetësuar. Puna ishte pse nuk na dha ndonjë shenjë, se serenata nuk impononte njeri. Por jo të gjitha vajzat që u këndonim përgjëroheshin për ne. Kur po largoheshim nga bukuroshja që nuk na përfilli, u hap një portë përkarshi. Del një i moshuar dhe na ftoi brenda se na kishte dëgjuar, por dëshironte akoma të këndonim. E kush nuk i ka ndier me shpirt serenatat! Kemi kënduar serenata edhe në vdekje, sepse serenata edhe pikëllimin e vdekjes e vë poshtë”. Për magjinë e serenatës tregojnë edhe një ndodhi tjetër. Familja e vjetër tregtare e Kaçadanëve në Korçë kishte përjetuar shumë fatkeqësi radhazi. Dera e kësaj shtëpie qëndronte vazhdimisht e mbyllur, i kishte pllakosur zija. Pareja e serenatistëve shkoi një mbrëmje dhe trokiti në portën e tyre. E hapi plaku i shtëpisë, por kur pa grupin e djemve me kitara dhe mandolinë u mbylli derën me nervozizëm. Ndërkohë, një nga djemtë kishte arritur të vinte këmbën dhe e kishte penguar derën të mbyllej plotësisht. Të rinjtë këmbëngulën të hyjnë brenda, duke i thënë plakut se kishin ardhur t’i jepnin asaj shtëpie çaste të gëzuara dhe ta prishnin atë zi që i rëndonte jo vetëm familjes, por edhe mëhallës dhe tërë qytetit. Plaku i lejoi më në fund të hynin dhe serenatat që u kënduan me gjithë shpirt e sfiduan vdekjen e zinë që kishte pllakosur shtëpinë e Kaçadanëve, e cila kishte djem e vajza të tjera për të martuar. Serenata ka lidhur me martesë edhe djem e vajza, pasi prindërit nuk pranonin në fillim dashurinë e tyre për shkaqe sociale, sepse ajo nuk ishte vetëm këngë e qejfeve, e mallit përvëlues dashuror, por edhe emancipimit dhe gëzimit të jetës.

Femrat serenatiste

Emancipimi që solli serenata në jetën e qytetit përfshiu edhe femrat korçare, të cilat nuk qëndruan vetëm duke i dëgjuar këngët e dashurisë pas perdes së dritares, por i krijuan dhe kënduan edhe vetë ato. “Serenata është një qelq ku brenda saj rreh një zemër e kristaltë”, ka thënë e para serenatiste korçare, Spanja Pipa. Spanja, që ishte me fat, sepse vinte nga një familje që e dashuronte muzikën, ishte nga të parat vajza që u ngjit në skenë dhe këndoi serenata para publikut korçar. Repertori i serenatave të saj nuk është i madh, por as i vogël. Ka të regjistruar në diskun e saj dhjetë këngët më të dashura për të, këngë që i kushtohen mallit të dashurisë. “Serenatat i këndojnë hapur dhe sinqerisht dashurisë. Shumë dhimbje që këndojnë serenatat janë dhimbje të asaj kohe kur dashuria duhej të mbahej e fshehtë”, thotë Spanja Pipa. Ajo kujton bashkëpunimet me Aleko Skalin e Pirro Manin kur flisnin për serenatën korçare dhe shpreheshin se gurët e rrugëve të Korçës ruajnë shumë kujtime, por edhe shumë të puthura. Vajzat korçare i kanë kënduar serenatat në mjediset e shtëpisë apo edhe në dasma për qejfet e tyre. Gjithashtu i kanë krijuar brenda mureve të shtëpisë dhe po atje i kanë kënduar dhe dashje pa dashje janë bërë pronë e grupeve të serenatistëve të qytetit. Vasilika Bimbli, sot në moshë të thyer, ka krijuar para më shumë se gjysmë shekulli serenatën e titulluar “Sikur ta dinte zemra jote”. Një tjetër pinjolle e kësaj familjeje, Jorgjeta Lalazi, këndon edhe sot në skenën korçare me zërin e saj të ëmbël e pasionant serenatat. “Korçarët e brezit tim nuk e harrojnë këngëtaren e talentuar Pavlina Nika, e cila është e para që ka kënduar përveç serenatave korçare, edhe serenatat spanjolle në skenë”, shkruan Vangjush Ziko. Këngëtare të tjera të serenatës dhe që vazhdojnë ta interpretojnë akoma janë edhe Eli Fara, Lazarela Deti, Mimoza Paraveli, Ermira Kola. Nuk mund të lihet pa përmendur Ermira Babaliu, aktualisht në emigrim në SHBA. Ajo jo vetëm e ka kënduar me shumë pasion serenatën, por është pikërisht kjo këngëtare, që cila në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, kur “bilbilat” e serenatës u detyruan të heshtnin, të këndonin nëpër rrugë, që i mbajti të freskëta serenatat me koncertet e saj.

Bilbilat e serenatës heshtin…

Kantautorët dhe serenatistët e brezit të viteve ‘60-‘70, veçanërisht ata të brezit të gjashtë, tregojnë peripeci sa qesharake edhe të trishtuara. Serenata që kishte qenë për dekada me radhë një stoli e mbrëmjeve korçare, një sonatë hënore, shpallej e ndaluar, se prishte gjumin e qytetarëve, të vajzave që nuk duheshin “shqetësuar” sepse shumë prej tyre punonin në turnet e natës. Serenatat nëpër rrugë dhe oborre ishin bërë të padëshiruara për pushtetin e ri. Bilbilat e serenatës dalëngadalë heshtën, nuk u dëgjuan nëpër rrugët e Korçës këngët e tyre. Serenatat këndoheshin vetëm në mjedise të mbyllura. Serenatistët e atyre viteve kujtojnë se ata që guxonin të dilnin me kitarë rrugës, i merrnin dhe i mbyllnin për një natë në polici. Për peripecitë e tij si këngëtar i serenatave ka treguar edhe kantautori Mihallaq Andrea. Atij nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta dhe punoi në një gurore. Veten e ka në personazh të një romani, dhe shprehet se në atë kohë ecte si një xhanaze dhe qante. Po çfarë kishte bërë? Vetëm kishte kënduar. Serenatistin Tomi Kondakçi e arrestuan dhe e burgosën duke ia ndërprerë për tetë vjet pasionin e tij për serenatën, por pa mundur t’ia shuajnë këtë pasion. E vërteta ishte se serenatat i pëlqenin shumë udhëheqës dhe militantë të partisë, sidomos korçarë, por ato i këndonin në rrethe të ngushta. Ky qëndrim i egër e përshpejtoi venitjen e parakohshme të serenatës në Korçë. Tani, në një periudhë që Vangjush Ziko e quan “Post-serenata”, kjo gjini muzikore nuk mund të krijohet më si dikur, me gjithë dëshirën e mirë dhe nostalgjinë që kemi për të. Ajo e mbylli ciklin e vet dhe atë mision historik të emancipimit shpirtëror, intim e shoqëror që pati në vitet e kaluara. Megjithatë, kantautorët e serenatës korçare bëjnë përpjekjet e tyre për rinovimin e saj, duke qenë në kërkim të atij kufiri që do ta mbante formalisht serenatën brenda kërkesave të gjinisë së saj. Por, shkëputja e serenatës nga sfondi i saj tipik, nga “skena” e rrugës po e shpie drejt gjinisë tjetër, këngës lirike që ngjitet në skenë dhe jo nën dritaren apo ballkonin e vajzës. Serenatës tani i mungon ritmi i trokitjeve të një zemre, që rreh e lumtur pas perdes së dritares, duke e ndier veten një perëndeshë, së cilës i kanë rënë në gjunjë dhe i betohen për adhurim të përjetshëm.

Ky ishte Tarzani, filmi që kishte zgjuar imagjinatën e shumë personave

Hero imagjinar, i lindur nga pena e shkrimtarit amerikan Edgar Lee Burroughs (1875-1950).

Për herë të parë u shfaq në vitin 1912 në numrin e tetorit të revistës All Story, por u bë i famshëm nga kinemaja dhe notari olimpik Johnny Weissmuller, i cili e mishëroi në ekranin e madh botëror. Sipas Burroughs, Tarzani ishte djali i lordit britanik dhe lejdit Greedock, të cilët ishin kapur nga piratët në një udhëtim në Afrikën Perëndimore.

Prindërit e tij vdiqën kur ishte fëmijë dhe edukimi i tij u mor përsipër nga Mangani, një race gorille. Ata i dhanë emrin Tarzan, i cili në gjuhën e tyre do të thotë njeri i bardhë.

Emri i tij i vërtetë ishte John Clayton, kur ishte i ri, u njoh me Jane Porter dhe familjen e saj, të cilët kishin një aventurë të ngjashme me atë të prindërve të tij.

Zemra e tij u ça për amerikanen e re dhe kur ajo u kthye në atdheun e saj, Tarzani la xhunglën për të kërkuar dashurinë e tij të parë dhe të vetme. Ata u martuan dhe jetuan për një kohë në Angli, ku lindi djali i tyre Korak.

Tarzani, i zhgënjyer nga hipokrizia e botës së civilizuar, kërkoi kuptimin e jetës, duke u kthyer me familjen e tij në xhungël. Burroughs, i dha heroit të tij aftësi të pazakonta për një njeri normal. Tarzani mund të ngjitej dhe të qëndronte në pemë, si majmun. Me ndjesi të mëdha, mund të nuhaste ushqimin nga një milje larg dhe të dëgjonte zërin më të vogël nga dy milje. Forca, shpejtësia, reflekset dhe aftësitë e tij në not tejkalonin ato të njeriut mesatar. Përballonte me sukses gorillat, rinocerontët, krokodilat, dinosaurët dhe kafshë të tjera të mëdha, ndërsa përthyente me sukses hekura dhe ngrinte ngarkesa të rënda me një dorë. E njihte shumë mirë gjuhën e trupit dhe marrja vesh me kafshët ishte lodër për të. Mund t’i shëronte vetë plagët e veta, të cilat njerëzit e tjerë do t’i dërgonin në botën tjetër. Burroughs krijoi një hero pothuajse të përsosur.

Tarzani nga pamja ishte atletik, i gjatë, i bukur, i nxirë nga dielli,dhe me sy gri. Emocionalisht ishte i guximshëm, i qëndrueshëm dhe besnik ndaj partneres së tij. U dallua për inteligjencën dhe moralin e tij, ndërsa në të gjitha rrethanat ishte mbrojtës i të dobëtve. Filozofia e tij njëdimensionale: kthimi në natyrë. Vishte një rrobë të thjeshtë nga lëkura e një kafshe të ngordhur, që mbulonte vetëm organet gjenitale të tij, dhe ishte i armatosur me një thikë. I mjaftonte një degë peme për të fjetur, teksa hante mish të gjallë nga kafshët që i vriste vetë. Megjithëse ishte në gjendje të jetonte në një shoqëri të civilizuar, preferonte të “hiqte shtresën e lëmuar të civilizimit”, siç shkruante Burroughs.

Tarzani, gjatë gjithë këtyre viteve, është një nga heronjtë më të njohur letrar. Përveç dhjetra tregimeve shkruar nga Burroughs dhe pas vdekjes së tij, të tjerë autorë, me lejen e Fondacionit Burroughs, e transferuan në kinematografi, teatër, televizion, libra komik, dhe në video lojëra. Pranimi kritik nuk përputhet me suksesin e tij të madh. Kritikët nuk ia falën Tarzanin që vinte nga fusha e “literaturës së lirë” Përveç kësaj, shkrimtari i tij u akuzua për riprodhimin e stereotipeve seksiste dhe raciste për gratë dhe zezakët në librat e tij të parë. Vetëm kur Burroughs u zhvendos në Hollivud, u bë më liberal dhe në librat e fundit të Tarzanit u tall me seksizmin dhe racizmin.
Në kinema, Tarzani bëri paraqitjen e tij më 27 janar, 1918, kur regjisori Scott Sidney transferoi në ekranin e madh librin e parë të Burroughs “Tarzani Of The Apes”, me protagonist Elmo Lincoln. Deri më sot janë xhiruar 87 filma të tjerë hero Tarzanin, që u lavdua dhe pothuajse u identifikua me të notari olimpik amerikan Johnny Weissmuller në vitet 30-të.

Shimpazeja mashkull Chita, i cili shoqëron Tarzanin në aventurat e tij, nuk referohet në asnjë libër të Burroughs. Tregimet e Tarzanit u ndaluan në Gjermaninë naziste si tregues i artit degjenerues. Qyteti i Kalifornisë, ku u vendos Burroughs, u emërua në nder të Tarzanit. Edhe pse kopjet e para të librave të tij kanë mbaruar, emri Tarzan është një markë tregtare. Tarzan ka qenë veçanërisht popullor në Izrael dhe në vendet arabe, në botime pirate të shkruar nga shkrimtarët vendës në vitet 1950 dhe 1960. Në Izrael gjuante arabët në vendet arabe izraelitët. Ngjarje Nga Historia Botërore./KultPlus.com

Kur Dua Lipa këndonte në Sallën e Kuqe, atëherë kur ishte e vogël (VIDEO)

Dua Lipa, ylli i muzikës ndërkombëtare talentin për muzikë e ka shfaqë qysh e vogël, shkruan KultPlus.

Ajo shihet si e vogël duke kënduar në Sallën e Kuqe, e cila bashkë me një vajzë tjetër këndon një këngë që i dedikohet mësueses.

Për më shumë mund ta shihyni videon./KultPlus.com

Dua Lipa sot vjen në Kosovë, në këtë kohë do tu drejtohet medieve

Këngëtarja kosovare e cila do të prezantohet me një koncert të madh në kuadër të Sunny Hill Festival, sot do të jetë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Këngëtarja Dua Lipa e cila po konsiderohet si një ndër këngëtaret më të suksesshme në Angli e më gjerë, përpos koncertit të saj, do të shpërndajë edhe mjetet e siguruara nga Fonadacioni i saj, mjete këto që do të dedikohen kryesisht për fëmiëjt.

Kurse rreth këtyre zhvillimeve, Dua Lipa do ti bëj të ditura të gjitha aktivitetet nëpërmjet një konference për medie, që do të mbahet në mbrëmje./KultPlus.com

Flaka Haliti me ekspozitë në Tiranë

Artistja kosovare Flaka Haliti do të prezantohet me ekspozotë personale në Tiranë, shkruan KultPlus.
Flaka Haliti e cila është duke e zhvilluar karrierën e saj artistike në shtete të ndryshme evropiane, kësaj radhe punën e saj do ta prezantojë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Bëhet e ditur se kjo ekspozitë do të hapet me 9 nëntor dhe do të rri e hapur për publikun vetëm dy ditë.

“Këtu- apo atje, është më atje”, titullohet kjo ekspozitë që do të sjellë Flaka Halitin në Tiranë./KultPlus.com

Sonte në Prizren vijnë ‘Çikat me Defa’, Merita Rama zbulon detaje nga performanca (VIDEO)

Alberina Haxhijaj- Prizren

Sonte në Prizren në kuadër të DokuFesti, në Kalanë e Qytetit, mysafirët e festivalit do të reflektojnë hyjneshat brenda tyre përmes performancës së Këngëve të Çikave, shkruan KultPlus.

Grupi i cili përbëhet nga dhjetë çika do të interpretojë këngë popullore të çikave me Def, të cilat këndohen për të shënuar ceremoni të ndryshme shoqërore. Performanca do të përfshijë edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifikë për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.

Performanca do të mbahet duke filluar nga ora 20:00 dhe tashmë nëpër rrugët e kalldrëmta të qyteti po flitet për ‘Këngët me Defa’ që do jehojnë në Kala. Prandaj, KultPlus ka biseduar me anëtaren e grupit Merita Rama për të mësuar më shumë për grupin i cili përbëhet edhe nga Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti, Valentina Haziri si dhe Gentiana Krasniqi.

Merita Rama është rritur duke dëgjuar nënën dhe gratë e tjera në familjen e saj duke kënduar e rënë defit. Madje këtij instrumenti ajo filloi që t’i binte edhe vet kur ishte fare e vogël.
“Ngjitet kana me pika të kuqe/ sonte je o bajrak nër nuse/ sonte je o bajrak nër nuseee”, e ka kënduar edhe nëna ime tregon ajo gjersa kujton veten të vogël duke vrapuar në shtëpi në kërkim të defit, e pasi që e gjente, ulej pranë shoqeve të saj dhe përsëriste fjalët që i kishte mbajtur mend nga nëna e saj Hatixhja.

“Nëna Hatixhe i ka ra shumë mirë defit nëpër dasma dhe festa të tjera në familje, unë jam rritur tu e degju dhe jam munduar që ta imitoj atë. Kur merrja komente të tilla si ‘Po i bie bukur si nëna jote’ gëzohesha shumë dhe vazhdoja gjithë ditën duke bërë muzikë nëpër shtëpi”, tregon Merita.
Ajo shprehet se dashurinë për muzikën e ka trashëguar edhe nga babi i saj, i cili ishte i njohur në fshatin e tyre në Koliq në regjionin e Gollakut.

“Babi i ka rënë fyellit në atë kohë dhe së bashku me burrat e tjerë të katundit janë bërë së bashku nëpër oda e kanë kënduar. Si fëmijë i mbajë mend kur afrohesha afër dhe i dëgjoja duke kënduar”, kujton me mallëngjim ajo.

Kështu nga tetë fëmijë sa kishte familja Rama disa prej tyre u morën me muzikë duke përfshirë këtu Meritën por edhe vëllezërit e saj të njohur për publikun si “Vëllezërit Rama”.

Merita ka kohë që është pjesë e Ansamblit “Shota” por njëkohësisht është edhe pedagoge në A.K.V. “Dëshmorët e Kombit”. Mirëpo, ajo gjithmonë ka dashur që së bashku me mikeshat e saj të krijonte edhe një grup ku përmes këngëve do reflektonin për gratë duke sjellë kështu historitë e tyre.
“Vendosëm që të bëjmë diçka tonën pra kjo është private, jashtë aktiviteteve me të cilat merremi në përditshmëri. Ne e njohim njëra-tjetrën që shumë kohë kështu që vendosëm të bashkohemi dhe të këndojmë. Tani marrim pjesë nëpër dasma, kanagjegje, e të tilla. Këtë vit morëm ftesë edhe nga DokuFesti që të i’u bashkohemi dhe jemi shumë të lumtura”, shprehet ajo.

Grupi tani ka mbledhur disa këngë të njohura si këngën“Kaj Lulie, niju të ura” të cilën do e sjellin edhe sonte.
/Kaj lulije e niju te ura ijeooo/ kaj lulije e niju te ura/ oooo tkan mashtrue dimijat me lula/ ooo tkan mashtrue dimiat me lula oooo/

“Për shumë vite, këto këngë ishin një nga mënyrat e pakta për femrat kosovare që të shprehnin veten. Ato na tregojnë histori të sinqerta dhe zëra shumë shpesh të padëgjuar dhe për ne janë një festë e forcës dhe krijimtarisë së femrave të Kosovës”, thekson ajo për KujltPlus.
Kjo performancë është organizaur nga DokuFest së bashku me CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës.

Disa nga këngët të cilat do sjellin para publikut, sonte në Kalanë e Prizrenit duke filluar nga ora 20:00 janë : Kënga e Rugovës, Kaj oj nane bashkë me mue, Lëshoni udhë e lëshoni sokak, , Kqyrni shoqe, Luli Belholla, O’dola n’bahqe e të tjera./ KultPlus.com

Action Bronson nesër në Prishtinë

Reperi shqiptaro-amerikan ACTION BRONSON nesër arrinë në Prishtinë për t’iu bashkuar kështu emrave më të mëdhenjë të muzikës botërore të momentit DUA LIPA dhe MARTIN GARRIX në SUNNY HILL FESTIVAL i cili do të mbahet me 10/11 dhe 12 GUSHT në Prishtinë.

Konferenca për media do të mbahet nesër me datë 7 Gusht në orën 18:30 në EMERALD HOTEL.

Arian Asllani, i njohur me emrin skenik Action Bronson është reper shqiptaro-amerikan nga Queensi i New Yorkut, i cili ka bërë bujë me muzikën e tij dhe jo vetëm. Ai gjithashtu është autor i The Untitled Action Bronson Show, dhe Fuck That’s Delicious.

“Blue Chips 7000” është një prej albumeve të tij më të suksesshme, i cili u rendit edhe në top 25 e listës botërore të ‘Billboard’. Gjithashtu ai është nominuar në revistën ‘XXL’ për ‘Mixtape-in’ më të mirë të vitit. Revista në fjalë është një nga magazinat më të mëdha muzikore në Amerikë, ndërsa e ka zgjedhur këngën “Blue Chips” të Bronson të hyjë në nominimin për pese ‘mixtape-t’ më të mirë.

“Corriere della Sera”: Plazhet e Shqipërisë, destinacioni i ri i turizmit europian

Ujëra të kaltër, rërë e imët dhe plazhe shkëmbore. Vend mesdhetar, kështjellat me pamje nga deti dhe panorama që të lënë pa frymë. Janë plazhet më të bukura të Shqipërisë, një destinacion i ri për turizmin europian, shkruan Francesca Masotti në një artikull të publikuar në rubrikën “Dove”, në gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Vende ideale për një pushim në diell, det dhe qetësi. Nga plazhet e gjata ranore të bregut të Adriatikut deri në gjiret e gurëve të fshehur përgjatë bregdetit Jon.

Qoshe të vërteta parajse dy hapa larg Italisë. Është Kepi i Rodonit, një orë larg nga kryeqyteti, Tirana. Plazhi i Drimadhës, i ndarë në dysh nga një formacion shkëmbor.

Dhe përsëri: Ksamili, i quajtur “perla e Jonit”. Arritja e tyre nuk është gjithmonë e lehtë. Ndonjëherë është një aventurë. Shumë prej tyre janë pothuajse të padukshme.

Më poshtë kemi një galeri me plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë nga veriu në jug, për t’u mbajtur mend dhe për të organizuar pushimet e verës gjatë këtij viti./atsh

Dirigjenti austriak akuzohet për keqpërdorime seksuale, mes tyre edhe artistja shqiptare Lamaj

Pesë artiste për herë të parë flasin hapur për dhunimet që u janë bërë nga drejtuesit e tyre. Konkretisht ato flasin për “sulme dhe keqpërdorime seksuale” nga dirigjenti dhe regjizori Gustav Kuhn, i cili njëherësh është edhe drejtuesi i festivalit Erl në Tirol, përcjell albinfo.ch.

Deri më parë këto raste ishin paraqitur në Austri, por në formë anonime, shkruan nachrichten.at.
“Disa prej nesh ishim të detyruara ose na kërkoheshte një puthje në buzë ose gjoks, si dhe prekje ndër bluzë dhe mes këmbëve. Shpesh duheshte të heshtim dhe gjithmonë e më tepër nëpërkëmbej respekti dhe dinjiteti ynë,” shkruan mes tjerash në letrën e pesë artisteve, ku njëra sosh është violinistja shqiptare Ninela Lamaj. Katër të tjera janë violinistja nga Bellorusia, Aliona Dargel, sopranoja gjermane Bettine Kampp, si dhe mezosopranet zvicerane Julia Oesch dhe Sopran Mona Somm. “Kjo na shkaktonte vuajtje të madhe shpirtërore, pasi kush nuk ndjekte rregullat do të dënohej me represion dhe përjashtim përkundër kontratës.”

Pesë artistet të cilat kanë akuzuar rëndë dirigjentin dhe drejtuesin e festivalit Gustav Kuhn, kishin qenë pjesë e festivalit muzkor në Erl nga 1998 deri 2017. Letrën e tyre publike ata e nënshkruan me firmë te presidenti i festivalit Hans Peter Haselsteiner.

Avokati i Kuhn ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa akoma nuk ka dalë me deklaratë publikeve vetë dirigjenti austriak.Femrat nga lëvizja #MeToo kanë nxitur debat kombëtar për keqtrajtimin seksual në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në gjithë botën. Ky është ndryshimi social më i shpejtë gjatë dekadave, i nisur me aktin e kurajës nga ana e qindra grave dhe të disa burrave, që kanë treguar historitë e tyre të dhunimit seksual.

Kur Hillary Clinton ishte takuar më Nënën Terezë

Nëna Terezë është një ndër figurat më të rëndësishme shqiptare dhe misioni i saj për të ndihmuar të varfërit nëpër botë, ka bërë që ta vlersojë bota, sikurse edhe deri me vlerësimin me cmimin Nobel për Paqe, shkruan KultPlus.

Dhe si rrjedhojë, përgjatë misionit të saj ajo është takuar me shumë personalitete.
KultPlus ju sjell kësaj radhe takimin me Hillary Clinton, takim ky që është realizuar në Washington DC, në vitin 1994./KultPlus.com

Atletet me flamurin kombëtar janë lansuar nga ky brend botëror (FOTO)

“Sa e mrekullueshme është që të keni afër jush atdheun dhe të sjellni dashurinë tuaj në botë”, është mesazhi i këtij brendi të njohur botëror, me rastin e lansimit të atleteve me flamurin kombëtar shqiptar, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për brendin “Love the World”, të cilët kanë lansuar këtë seri të atleteve.
Me lansimin e kësaj serie tashmë të gjithë adhuruesit e atleteve kanë mundësi që të kenë edhe një palë sosh me flamurin kombëtar shqiptar. Brendi poashtu ka njoftuar se me rastin e loansimit ka edhe zbritje./KultPlus.com

“Lidhe rripin Kiki, Drake do të të mirëkuptojë”, paralajmërimi që u kthye në “viral”

Të gjithë e keni dëgjuar këngën e Drake, In my feelings dhe “sfidën” e kërcimit me këtë melodi.
Shpesh herë ajo është kritikuar për shkak se njerëzit zbresin nga makina dhe kërcejnë nën ritmet e muzikës, gjë që sjell edhe rrezik për jetën.

Por edhe në Shqipëri është bërë virale kjo melodi, madje shumë të rinj sfidojnë njëri – tjetrin.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj zgjodhi pikërisht këtë muzikë për tu thënë qytetarëve të vendosin rripin e sigurimit, shkrun gazeta express.
https://www.youtube.com/watch?v=nfJJr9s5pPc
“Buckle up, Kiki! Drake Will understand! Te besh #KikiChallenge me kercim jashte makines qe ecen, duket shume gallate, gjersa ndodh hataja!
Na duhesh te kercesh me gjate, ndaj vendose rripin e rri ne makine shoku!”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

O shokë, ç’u prish dynjaja

Poezi nga Çajupi

“O shokë, ç’u prish dynjaja
si për burra dhe për gra,
tani shitetë sevdaja,
mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,
ti që bleve dashurinë
dhe nuk e le si në pari,
të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,
ndëgjoni dhe ju të ra:
duani atë që di,
jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë
barabar me perëndinë,
se rri me lule në dorë
edhe këndon dashurinë…”

Pse shqiptarët çajit të zi i thonë çaj rusi

Çaji i zi apo sikurse njihet në Kosovë si çaji rusi, është një ndër pijet që përdoret më së shumti në Kosovë, shkruan KultPlus.

Po duke e ditur se ky lloj i çajit ka emërtimin çaj i zi, është e habitshme se si në Kosovë pothujase të gjitha familjet i referohen si çaj rusi.

Shumë herë është shtruar pyetja se pse i thonë çaj rusi, por jo që është shkruar shumë për këtë emërtim.

Çaji i zi në ish Jugosllavi, ka ardhë si produkt nga Rusia, dhe për këtë arsye, në atë kohë i janë referuar si çaj i rusit dhe jo si çaj i zi.

Edhe mënyra se si servohet ky lloj çaji në Kosovë dallon nga vendet e tjera, pasi që në Kosovë edhe më tutje servimi i këtij çaji vazhdon në stilin turk, kurse vendet evropiane e servojnë në mënyrë tjetër. Ndërkohë, Anglia njihet si një ndër vendet që konsumohet më së shumti çaji i zi. /KultPlus.com

Emri Merita, një ndër emrat më të famshëm të viteve të 70-ta, i është dedikuar edhe këngë (VIDEO)

Ata që kanë lindur në vitet e 70-ta e dinë më së miri se sa i shpeshtë ishte emri Merita, që konsiderohet të jetë emri më i popullarizuar për ato vite, shkruan KultPlus.

Pothuajse cdo lagje, klasë, shkollë kishte nga vajzë të pagëzuar me emrin Meritë, e shumë shpesh ka ndodhë që të jenë edhe më shumë.

Në vitet e 70-ta, ishte një lëvizje më e theksuar në pagëzimin e fëmijëve me emra shqip, duke përfshirë edhe emrin Merita, por edhe emra të tjerë, po pa përjashtuar edhe emrat e qyteteve të Shqipërisë.
Ndërkohë, për emrin Merita po në vitet e 70-ta ishte krijuar edhe në këngë, kënge kjo e cila ishte sjellë nga AVI “Ilirët” e titulluar po me emrin “Merita”./KultPlus.com

Xherdan Shaqiri ndërkombtarizon pasulin (FOTO)

Suksesi i shqiptarëve nëpër botë po lë gjurmë në të katër anët e botës, shkruan KultPlus.
Dhe përpos suksesit personal dhe përfaqësimit të vendit prej nga edhe vijnë, ata në të njëjtën kohë po bëjnë edhe promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare.

Trajneri i Liverpool, Jurgenn Klopp duket se njeh mirë traditat shqiptare, pasi që një fotografi të Xherdan Shaqirit duke marë ushqim, Klopp e ka shpërndarë në rrjetet sociale duke shkruar se Xherdan Shaqiri është në kërkim të ushqimit të tij të preferuar, pasulit.

Ky postim është pëlqyer tashmë nga shumë ndjekës, duke e komentuar dhe duke e ndarë me të tjerët./KultPlus.com

National Geographic zgjedh Shqipërinë si finaliste për çmimet e 2018: Peizazhe interesante

Edicioni rus i revistës prestigjioze të udhëtimit “National Geographic” ka shpallur konkursin për çmimin “Traveler” 2018. Ndër finalistet për kategoritë e ndryshme të listuara, renditet edhe Shqipëria, e cila kryeson ndër destinacionet që duhen vizituar në fillim të vitit.

“Shqipëria shumë rrallë na del përpara, saqë shumë njerëz harrojnë për ekzistencën e këtij shteti në Ballkan. Por në Shqipëri ka shumë peizazhe interesante. Për shembull, ia vlen të vizitosh Beratin me kishat dhe xhamit e tij të lashta, kështjellën e Rozafës pranë Shkodrës, manastirin në Ardenicë dhe liqenet në Parkun Kombëtar të Lurës”, shkruan National Geographic.

Bashkë me Shqipërinë, finalistet në këtë kategori përfshijnë edhe Bahrainin, Islandën, Japoninë dhe Katarin.

Ndërkohë në kategorinë për pushimet më të mira në plazh përfshihen Mali i Zi, Spanja, Vietnami, Sri Lanka dhe Republika Domenikane. Në kategorinë pushime me familjen finalistet janë: Emiratet e Bashkuara Arabe, Kroacia, Greqia, Turqia dhe Tailanda.

Vitin e kaluar, “National Geographic” listoi vendin tonë mes 21 destinacioneve më të mira që duhen ndjekur në vitin 2018. (scan)

Edhe në kohën e Enver Hoxhës kishte sfilatë mode, gratë e Tiranës në vitin 1956 (VIDEO)

Këto konsiderohen të jenë pamjet më të rralla nga koha e komunizmit, ku gratë shqiptare shihen duke bërë sfilatë mode, shkruan KultPlus.

Në këtë video të publikuar nga “Shqipëria e harruar”, shihen gratë dhe fëmijët të cilët sfilojnë me rrobe te prodhuara në vend./KultPlus.com

“M’jep pak farë kosi” apo “O goce, m’fal 1 minutë!”, 19 shprehjet shqiptare që nuk i përdorim më!

Nga Roland Qafoku

Kuptimi që kishin dikur dhe përse nuk janë më pjesë e fjalorit…

Nëse një të riu sot, do ta uronim me fjalët “t’u bëftë gjak e dhjamë”, do kuptojë se po i urojmë më të keqen e mundshme.

Kjo frazë e dalë nga zhargoni i vjetër, sot e përkthejmë fjalë për fjalë: t’u bëftë kolesterol.

Nëse një të riu do t’i thoshim se, x person të merr gjak në vetull, natyrisht ose do ta marrë atë për kanibal ose ne pëlqejmë kanibalët.

Dikur, kjo fjalë kishte kuptimin e zotësisë, trimërisë dhe që arrinte gjithçka.

Por sot, kjo fjalë është zhdukur nga fjalori dhe ke shumë pak shanse ta dëgjosh.

Pas rrëzimit të komunizmit, janë me dhjetëra e qindra fraza që nuk përdoren më.

Ato kanë mbetur fosile të atij regjimi që shoqëria jonë u mësua t’i përdorë në komunikim.

Por në rrethanat e sotme, nuk kanë vlerë.

Ja shprehjet më tipike, të cilat nga viti 1990 e deri më sot, ose janë rralluar në përdorim, ose nuk përdoren fare…

T’u bëftë gjak e dhjamë!
Kishte kuptimin që, ushqimin që po haje, të shërbente për t’u shëndoshur.

Dhe kjo frazë përdorej kur uroje dikë që hante.

Nëse sot, kjo frazë do përdorej, do kishte kuptimin se do të bëhej kolesterol.

Një problem që sot është kaq shqetësues për masën e shoqërisë.

Ndryshe ishte dikur.

Popullsia që në përgjithësi ishte e dobët, kishte nevojë ndoshta edhe për kolesterol.

2. Të merr gjak në vetull!
Përdorej për dikë që ishte i zoti dhe bënte gjithçka.

Sot, nëse dikujt do t’i drejtoheshim me këto fjalë, do na merrte për kanibal.

Në fakt, nëse e mendon si veprim fjalë për fjalë, është shprehje e tmerrshme, por në atë kohë, përdorej shpesh, por madje edhe në letërsi dhe këngë.

3. Si veshka në mes të dhjamit
Përdorej për njerëzit që jetonin shumë mirë.

Dikush që jetonte mes të mirave dhe për ta treguar këtë, artikulohej veshka, që në këtë rast është e rrethuar me dhjamë.

Në ditët e sotme, vetë fjala dhjam, ka kuptim negativ.

4. Përsërisim këngët në tre interpretime të reja
Deri në fillim të viteve 80-të, festivali i RTSH-së kishte një strukturë tjetër nga e sotmja. Një këngë këndohej dy herë, nga këngëtarë të ndryshëm.

Kështu, pas interpretimit të tre këngëve të para, spikeri dhe drejtuesi i festivalit, thoshte: Përsërisim këngët, në tre interpretime të reja.

Një nga interpretimet ishte kënga, “Shoqet ilegale”, kënduar nga Vaçe Zela dhe Myfarete Laze. Ishte edhe një lloj konkursi, sepse dilnin në pah diferencat.

Por më pas, kjo traditë u ndryshua dhe kënga këndohej vetëm nga një këngëtar.

5. Banja e të dielës
Deri në vitin 1990, çdo shqiptar lahej vetëm një herë në javë.

Kjo ishte e diela.

Sot është turp ta dëgjosh, por në atë kohë ishte rregull i pashkruar.

Ironia është se, kontrolli i pastërtisë bëhej nëpër shkolla çdo ditë të hënë dhe, në përgjithësi, shkolla dilte e larë.

Por sikur, ai kontroll të bëhej të shtunën, shkolla dilte blozë.

Ishte kthyer në një normalitet, që sot na lë pa fjalë …

Ishte banja e së dielës.

6. Më jep pak farë kosi
Sot nuk e beson kush që dikur ishte më se normale që të shkoje te fqinja dhe të kërkoje një filxhan me kos, për ta përdorur si farë për të zënë qumështin për kos.

Fëmijët dhe të rinjtë e sotëm, do na quanin anormal me këtë frazë që nuk e kuptojnë fare.

Por, në atë kohë, ishte më se e zakonshme.

Një zakon dhe e folur që nuk ka më vend, edhe për shkak të raporteve të reja sociale, por edhe për shkak të produktit të kosit që është i gatshëm …

7. Më dërgoi mamaja për mullirin e kafesë
Deri në vitin 1990, ishte më se e nevojshme të kishe në shtëpi kafe dhe ta piqje, por nuk ishte e domosdoshme që të kishe mullirin që e bluante atë.

Mund të shkoje te fqinja dhe ta kërkoje dhe kjo ishte e zakonshme.

Prindërit urdhëronin fëmijët dhe ata i binin ziles: Më dërgoi mamaja për mullirin e kafesë dhe ishte e sigurt që do ta jepnin.

A ju kujtohet filmi, “Udhëtim në pranverë”, në të cilin djaloshi protagonist ngacmonte fqinjën, duke kërkuar mullirin e kafesë? Ishte më se normale kjo kërkesë.

8. Nuk kam çupë për të martuar
Ishte një shprehje që përdorej nga babai i një vajze, të cilit dikush i kishte propozuar për t’u martuar me të.

Për t’u treguar kategorik, babai i vajzës në vend të fjalës jo, thoshte nuk kam vajzë për të martuar.

Kjo lidhej edhe me moshën e vogël të vajzës, por mënyra kategorike ishte, kur ai thoshte nuk kam vajzë për të martuar.

9. E kam ndërgjegjen e pastër
Një nga cilësitë e njerëzve gjatë komunizmit, ishte ndërgjegjja që në fakt u shkatërrua.

Por, teorikisht, komunizmi e quante që komunisti e kishte ndërgjegjen të pastër.

Pra, ishte i çiltër dhe i sinqertë.

Një shprehje që degjeneroi deri në kuptimin e kundërt.

Aq sa, nëse dikush mund ta thotë këtë, mund ta marrë me kuptimin e kundërt.

10. Kjo sjellje nuk i ka hije
Kur dikush sillej me edukatë, shprehja më tipike ishte që sillej mirë.

Por e kundërta?

Përdorej fjala, kjo sjellje nuk i ka hije.

Shprehte befasi dhe një lloj ironie.

Edhe për faktin se, për personin që e përdorte, kishte një opinion të mirë dhe do ishte zhgënjim një sjellje ndryshe nga ajo që mendohej.

11. Këtë djalë e poqi ushtria
Gjatë komunizmit, ushtria zgjaste tre vjet dhe më pas dy vjet, ndërkohë që në marinë, ishte gjithmonë tre vjet.

Për të rinjtë ishte një provë zjarri, por edhe dalja e parë dhe përballja e parë me një realitet komplet tjetër.

Imagjino një 18 apo 19-vjeçar, që e dërgonin në kufi, marinë, reparte ushtarake dhe i thoshin se mbronte atdheun në skalionin e parë.

Kishte vështirësi që nisnin nga stërvitja, rregulli e deri tek ushqimi i pamjaftueshëm.

Ushtria ishte një lloj urë kalimi e adoleshencës dhe kur një i ri mbaronte ushtrinë, ai merrte një lloj pjekurie që më shumë lidhej me moshën.

Por ama, lagjja dhe mjedisi përreth, thoshte e paska pjekur ushtria, sepse kur ishte këtu, ishte çapkën i madh.

12. Është aq i urtë, sa do e martojë lagjja
Djalin e sjellshëm dhe të tërhequr, nuk para e preferonin gjatë komunizmit.

Duhej ai djali i lëvizur, çapkën, i hedhur, mundësisht me muskuj dhe boksier.

Por ai i urti ishte jashtë mode.

Aq sa doli shprehja se do ta martonte lagjja.

D.m.th. do mblidhej këshilli i lagjes dhe do t’i caktonte një nuse.

13. O goce, më fal një minutë!
Brezi i viteve 70-80, kishte një karakteristikë.

Lidhja dhe dashuritë lindin nga një mënyrë që sot, pothuajse, nuk ekziston.

Një djalë në fillim e pëlqente fizikisht një vajzë dhe më pas, djali hidhej në aksion.

E niste me daljen përpara të vajzës në rrugë, teksa ajo ecte dhe i drejtohej: O goce, më fal një minutë!

Më pas, biseda vijonte sipas rastit.

Vajza mund të refuzonte që në fillim, por edhe mund të vijonte bisedën, nëse e pëlqente djalin si tip.

Nëse do bëhej një studim, shumica e lidhjeve në këtë periudhë që përfundonin me martesë, nisnin me shprehjen:

“O goce më fal një minutë!”

Aq sa sot, i quajmë brezi i “o goce më fal një minutë!”

14. Kemi fizkulturë mëngjesi
Mësimi gjatë komunizmit, nuk niste menjëherë.

Përpara bëhej një fizkulturë mëngjesi, përpara shkollës, dhe më pas mësimi.

Një mësues fizkulture dilte përpara shkollës së rreshtuar dhe drejtonte disa ushtrime që duhet t’i bënin të gjithë.

Kjo sillte, sipas autoriteteve të kohës, kalitje që në fakt vetëm kalitje nuk ishte, por një djersë që nuk hiqej për tërë ditën.

15. Nxënësi filan e ka në patronazh nxënësin filan
Një nga shprehjet dhe verimet e kohës së komunizmit, ishte patronazhi në shkollë.

Një nxënës i mirë me mësime, nuk duhej të mbetej këtu.

Ai kishte detyrë të ndihmonte nxënësit e dobët dhe për këtë, mësuesja kujdestare, caktonte nxënësin konkret që duhet ta ndihmonte.

Kështu, nxënësi i mirë i shkonte në shtëpi atij të dobët, i kontrollonte detyrat dhe i shpjegonte mësimet.

16. Për ideal të partisë
Një nga shprehjet që përdorej më shumë gjatë komunizmit, ishte “për ideal të partisë”.

Ky ishte një lloj betimi.

Nëse dikush gjendej në një situatë mosbesimi, dalja nga kjo situatë ishte shprehja për ideal të partisë.

Por edhe kjo shprehje, erdhi dhe degjeneroi.

Idealistët u pakësuan dhe shprehja u shua.

17. Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap nuse atij!
Babai ishte ai që vendoste për vajzën.

Por kur ai nuk e kishte me sy të mirë kandidatin, ai kishte në majë të gjuhës shprehjen:

Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap atij nuse.

18. Të shpëlaftë mortja!
Me fjalë të tjera, ishte si t’i uroje vdekjen dikujt.

Por dukej sikur nuk dilte vetëm kaq.

Por të shpëlaftë mortja, ishte të ikje në vend.

19. Me biografi të mirë/të keqe; me njollë në biografi
Statusi social më i preferuar gjatë komunizmit, ishte biografia e mirë.

Kjo do të ishte që ti vetë, familja dhe i gjithë fisi, të kishte besnikëri ndaj Partisë Komuniste.

Por nëse sikur vetëm një pjesëtar i familjes, një kushëri i largët të kishte një cen, ai quhej me biografi të keqe.

Po përse vlente biografia?

Për gjithçka, deri te martesa.

Sa e sa dashuri janë ndërprerë dhe nuk kanë përfunduar në martesë, vetëm për shkak të biografisë. Ajo quhej njollë në biografi, e cila mund të ishte kur një xhaxha, dajë apo kushëri, të kishte thënë një fjalë të keqe për partinë.