Kreatorja shqiptare e modës Krenare Rugova, ka ndarë me ndjekësit e saj lajmin se tashmë jo vetëm do të sjellë risi në fushën e krijimtarisë së veshjeve, por do të ndaj edhe sekretet e punës së suksesshme me kreatorët e rinj.
Duke filluar nga vjeshta e vitit 2024-2025 ajo do të japë mësim në lëndën “Zhvillimi i Avancuar i Koleksionit në Institutin Herberger për Dizajn dhe Arte” në Arizona State University.
“Jam e lumtur të njoftoj se duke filluar nga semestri vjeshtë ‘24/‘25, do të jap mësim në lëndën ‘Zhvillimi i Avancuar i Koleksionit në Institutin Herberger për Dizajn dhe Arte’ të Arizona State University US”, ka shkruar Rugova në postimin e ndarë në instagramin e saj.
Sonte, prej orës 19:00 do të shfaqet filmi dokumentar për Bekim Fehmiun në Beograd, përkatësisht në Festivalin Beldocs, festival që i dedikohet dokumentarëve, shkruan KultPlus.
Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.
Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali./ KultPlus.com
Në Teatrin Oda në Prishtinë, do të jepet premiera e shfaqjes më të re të Qendrës Multimedia, “Të bardhët”, e autorit amerikan Steven Leigh Morris, në regji të Besim Ugzmajli. Në shfaqje luajnë Shpetim Selmani, Verona Koxha e Bujar Ahmeti. ‘Të bardhët” është një satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist e që shfaqet të premten, në ora 20:00, shkruan KultPlus.
Në një teatër gjysmë-profesional në Tulsa, Oklahoma, drejtori artistik i kahmotshëm i teatrit, Luis, është duke aktruar dhe bërë regjinë e “Mbretit Lir” të Shekspirit – një dramë që pak a shumë i ngjan “Cinderellas”, për një mbret që vendos të pensionohet dhe ua dhuron pronat dy prej tri të bijave të tij që ia plotësojnë dëshirat, sipas qejfit të tij.
Teksa të gjithë provojnë skena nga drama, ngriten dy çështje qendrore. E para, për shkak se për rolet e motrave dinake të Kordelias, Luis ka zgjedhur aktore me ngjyrë, ndërkohë që Kordelia e mirë është e bardhë, Luis kujtohet se shfaqja që do të mbetet si shenjë e punës së tij, shumë lehtë mund të interpretohet si racistë. A mund ta zëvendësojë Priscillën me një aktore me ngjyrë, pa rrezikuar që teatri i tij të konsiderohet si “i këndellur” në mes të një Shteti të Kuq. Dhe, si ballafaqohet Priscilla me mundësinë që të zëvendësohet nga një aktore tjetër për arsye plotësisht racore?
Edhe pse çështjet racore e gjinore që trajton kjo shfaqje janë të vendosura në një kontekst tjetër, atë amerikan, ato prap se prap reflektojnë edhe dinamikat shoqërore e politikat gjinore te ne. Kjo shfaqje vjen në një kohë kur, në një ambient konzervator e tradicionalist si ky i yni, diverziteti dhe konceptet e reja gjinore e seksuale janë duke u kuptuar e mbjell me frikë, e ku racizmi, i nxitur nga masmedia e rrjetet sociale, ka gjetur akoma më shumë teren për t’u forcuar e marr hov. ‘Drama amerikane e Oklahomës së largët, publikut te ne, në Kosovë, në Evropë, veç të tjerash, ia shtron edhe një pyetje sfiduese: në konkursin e radhës për drejtor të një teatri publik konkurron edhe një rom që ka shkollim superior dhe ka portofolion më impresive se sa dy kandidatët tjerë ‘evropian të bardhë’. Çfarë shancash ka kandidati romi në këtë garë?
Drejtor artistik i produksionit është Mentor Berisha, kostumografe: Njomza Luci, kompozitor: Memli Kelmendi, kurse dramën e ka përkthyer: Qerim Ondozi./ KultPlus.com
Edi Rama riktheu në kujtesë artistin që qëndron pas kryeministrit, me një ekspozitë të artit bashkëkohor, një shkulm befasues ngjyrash e formash, që përfshin punime në qeramike, murale e deri edhe qëndisma të realizuara mbi konceptin origjinal të tij.
Kreu i ekzekutivit i rikthehet bashkëpunimit me galerinë prestigjioze “Marian Goodman”, këtë herë në degën e saj në Paris. Jo më larg se në muajin shtator, Rama pati rrëfyer në podcastin e tij “Flasim” sesi kishte bashkëpunuar në 2016-tën me “Marian Goodman” në New York.
Një përfaqësues i galerisë së famshme të artiti kontemporan e kishte kontaktuar, dhe ai kishte menduar fillimisht se mund të bëhej fjalë për një shaka. Por tani, ekspozon sërish për të, këtë radhë në kryeqendrën e rëndësishme të kulturës botërore, duke dëshmuar edhe këtë herë se po me aq lehtësi sa ç’mban në dorë penën e politikanit, mban dhe lapsin e artistit.
Marsin e vitit të kaluar, kryeministri Rama e nisi vizitën e punës në Athinë, Greqi me çeljen e një ekspozite me vepra artistike të realizuara prej tij, në Zappeion Megaron, e cila u mirëprit dhe vlerësua nga të pranishmit e nga personalitete të larta të politikës greke.
Në këtë mënyrë, shefi i ekzekutivit shton listën e ekspozitave të tij mbresëlënëse, si vazhdë e pjesëmarrjes në 2017-tën në ekspozitën kryesore Viva Arte Viva të Bienales së 57-të të Venecias, në 2018 ekspozoi në Kunsthalle në Rostock të Gjermanisë, ndërsa punimet e tij janë prezantuar gjithashtu në Art Basel dhe Artissima./top channel/ KultPlus.com
Të bukura janë poezitë e botës, gjithë mister si sy dashurie. Por kur lexon poeti i Kosovës loti rrjedh e përndriten hijet.
Të çuditshme janë poezitë e botës, si ashensorë të çojnë nëpër yje. Por kur lexon poeti i Kosovës ferri tronditet, portat Skee* thyhen.
Paradokse janë poezitë e botës, kollona ajri tempujsh t’vërtetë. Por kur lexon poeti i Kosovës, ujvara Agimesh derdhen mbi jetë.
Alvito, 28…
———————————————————
*) Portat Skee janë portat monunentale të qytetit mitik të Trojës homerike, ndanë tyre u bënë betejat më të rëndësishme…
***
Poezia u shkruajt në Takimin Ndërkombëtar të Poezisë në Alvito në Itali, kur po lexonte Agim Vinca dhe është e përfshirë në librin: Visar Zhiti – “Si shkohet në Kosovë”, Botimet Toena, Tiranë 2000 dhe ribotimi me shtesa “Si është Kosova”, Botimet Buzuku,Prishtinë 2014.
Shoqata e Botuesve të Kosovës tashmë ka bërë të ditur se janë gati për edicionin e radhës së Panairit të Librit në Prishtinë, dhe se në këtë vit do të prezantohen rreth 100 shtëpi botuese me rreth 2 mijë botues, shkruan KultPlus.
Poashtu është bërë e ditur se në këtë vit do të shënohet 100 vjetori i lindjes së At Zef Pllumit dhe 100 vjetori i vdekjes së Franz Kafkës, sikurse që do të bëhet botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosës.
Ndërkohë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës lidhur me këtë ngjarje.
PANAIRI I 24-T I LIBRIT “PRISHTINA 2024”
Kemi filluar tashmë numërimin mbrapsht deri në ditën kur të gjithë pasionantët e librit takohen në kryengjarjen e fushës së librit: Më 5 qershor, çel dyert Panairi i 24-t i Librit “Prishtina 2024”!!!
Me moton “Përgjigjja është libri” vjen edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.
Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor në orën 19:00.
Hyrja për vizitorë: pa pagesë!
Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.
Përvjetorët që shënohen në Panairin e 24-t të librit janë:
– 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit
– 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas
Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:
– I ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots
– Botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.
Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë./ KultPlus.com
Kolegji AAB, sot ka organizuar një ceremoni të veçantë me rastin e ditës së lindjes të poetit dhe studiuesit Agim Vinca, duke e nderuar me titullin “Profesor Nderi”.
Ceremonia u mbajt në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, ku u vlerësua kontributi dhe roli i rëndësishëm që Vinca ka dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë. Prorektorja e Kolegjit AAB ndërsa moderoi këtë ngjarje, e cilësoi Vincën si emer të dijes dhe frymëzimit, duke shtuar se kontributet e tij në arsim dhe letërsi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në qarqet akademike por edhe përtej.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij të rastit përshëndeti të pranishmit dhe tha se institucioni jep vlerësime të rezervuara për individë me merita të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi personalitetet e shquara që kanë marrë titullin “Profesor Nderi” deri tani.
“Profesor Vinca, duke ju dhënë titullin “Profesor Honoris Causa”, ne ju njohim jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm letrar, por edhe kontributin e madh në arsim si dhe angazhimin e palëkundur në kërkimin e së vërtetës, të bukurës dhe të drejtësisë. Ju, duke pranuar këtë titull, na nderoni edhe ne si kolegë e si institucion, ku gjithashtu keni dhënë kontributin tuaj si profesor, por edhe si anëtar bordi”, u shpreh rektori Olluri.
Poeti i mirënjohur Lulzim Tafa, solli disa nga kujtimet më të bukura që ka me Vincën si një mik i tij, por edhe figurë e dalluar në fushën e poezisë. Ai citoi disa vargje dhe tha se zëri i tij ishte i lartë dhe i fuqishëm edhe kur ka qenë vështirë të flitej. Kurse figurën e tij Tafa e cilësoi si shumëdimensionale me veçori të dallueshme.
Profesori Bedri Zyberaj, pati një përmbledhje për profilin e Agim Vincës si pedagog dhe studiues i letërsisë. Ai kujtoi kohët kur Vinca u zgjodh si “profesor ordinar”, deri tek veprimtaria e tij e bujshme që nderohet edhe në ditët e sotme.
Vinca, përshëndeti të gjithë që ishin prezent në Teatrin Kamertal dhe kujtoi themelimin e Kolegjit AAB, deri tani si një gjigant në fushën e arsimit.
“Lidhjet e mia me AAB-në janë të hershme dhe mund të them se jam edhe bashkëthemelues i institucionit, që sot është shndërruar në një gjigant falë punës dhe përkushtimit nga stafi dhe udhëheqësit”, tha ai.
Gjithashtu, ai ndau edhe përvojën si profesor në Kolegjin AAB, ku shtoi se për studentët çdoherë këmbëngulte të kishin tri elemente: dije, kulturë dhe ethos, sepse sipas tij janë më të rëndësishmet për formimin e karakterit të njeriut.
Në fund të ceremonisë rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe poeti Lulzim Tafa, i ndanë titullin “Profesor Nderi” Vincës me motivacion: “Për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë, si dhe për meritat e jashtëzakonshme për artin dhe letërsinë ndërkombëtare”.
Në këtë ngjarje pati edhe recitime të poezive të autorit nga artistët Fitnete Tuda, Arta Lahu dhe Alban Zogaj, të shoqëruar nga kitaristi Riad Ramadan,i si dhe këngë të vjetra shqipe nga Ermal Demiri./ KultPlus.com
Në ditën e tretë të Prishtina International Theater Festival – PITF 2024, do luhet shfaqja “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrimi Koliqit, ndërsa paraprakisht u mbajt konferenca për media ku mori pjesë edhe aktorja Ilire Vinca.
Regjisori Kushtrim Koliqi, foli për shfaqjen e cila trajton një temë shumë të ndjeshme për shoqërinë kosovare, atë të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
“Me këtë shfaqje kemi marrë pjesë në festivale të shumta dhe ajo trajton temën me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës. Shfaqja flet për personat që na mungojnë dhe nuk duam të besojmë që na mungojnë”, u shpreh Koliqi.
Ai foli edhe për programin e PITF 2024, ku tha se ishte një nga arsyet kryesore dhe bindëse për të marrë pjesë në festival.
Ndërsa aktorja Ilire Vinca, në lidhje me temën e shfaqjes tha se paraqet “dhimbjen njerëzore që duhet ta përtypim çdo ditë dhe t’iu japim zë”.
“Të gjithë ne si ekip e kemi kuptuar rëndësinë dhe dëshirën tonë se si duam ta trajtojmë këtë temë. Ka qenë një rrugëtim fantastik sa i përket artit tonë, gjithashtu një rrugëtim i dhimbshëm sepse kemi përtypur bashkë dhimbjen tonë”, tha Vinca.
Shfaqja “Babai dhe Babai” jepet sonte në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është nderuar me çmimin “Karneval Der Kulturen 2024- Berlin”, në Karnevalin e Berlinit që është mbajtë së fundi, shkruan KultPlus.
Për këtë sukses ka njoftuar drejtori i këtij ansambli, Ylber Asllanaj i cili ka shpjeguar se ky çmim i është dhënë në kategorinë e Valles dhe Muzikës. Ansambli “Shota” ka perfomruar me koreografinë “Festa e Bashkimit” nga mjeshtri Fehmi Shaqiri, me muzikë të Ylber Asllanaj, përpunim i motiveve të këngës “Xhamadani vija-vija”. / KultPlus.com
Janë bërë të gjitha përgatitjet për shënimin e ditëve të kulturës kroate në Kosovë, e që krejt aktiviteti është mbërthyer nën sloganin “Ktheje ka Zagrebi”, e që po organizohet nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.
Krejt ky organizim do të nisë më 27 maj dhe do të zgjasë deri më 31 maj.
Tashmë është bërë publike programi i këtij eventi kulturor që synon të jetë tradicional, duke përfshirë mbrëmje letrare, shfaqje të filmave, mbrëmje muzikore…
KultPlus ju sjell të plotë programin e këtij eventi kulturor që do të shtrihet në disa lokacione duke përfshirë: Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Qendrën Kulturore “KultPlus Caffe Gallery”, Kino Armata, Kolegji AAB…/ KultPlus.com
Dy shfaqje mysafire kanë shënuar mbrëmjen e dytë të PITF 2024, të cilat kanë dhënë një emocion për audiencën e këtij festivali që po mbahet në AAB, përkatësisht në Teatrin: Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Feral womxn” nga Gjermania me regjisore dhe aktore Jemima Rose Dean
fliste për fuqinë e gruas, në veçanti në shoqëritë kapitaliste mbërtheu publikun deri në momentet e fundit, për të parë se si trajtohej me mjeshtri nga aktorja Dean.
Publiku mirëpriti ngrohtë aktoren dhe duartrokiti atë për energjinë e sjell në skenë gjatë një ore shfaqje.
Kurse shfaqja “Bretkosa” me regji të Burbuqe Berishës mahnit publikun në natën e dytë të PITF 2024.
Aktorët Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Lum Veseli, kanë mahnitur publikun me performancën e tyre në Prishtina International Theater Festival, me shfaqjen “Bretkosa”, me regji të Burbuqe Berishës.
Shfaqja “Bretkosa” ka si temë kryesore vetminë, një njeri të vetmuar në një hapësirë të madhe urbane siç është Prishtina, i cili në disa versione të ndryshme ka ndryshime të tipit të karakterit.
Kurse sonte, në kuadër të këtij festivali do të shfaqet shfaqja “Babai dhe babai” me regji të Kushtrim Koliqit, shfaqje që është në konkurrencë zyrtare në këtë festival./ KultPlus.com
Filmi i ri nga Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës . Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.
Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.
“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.
Në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Samir Karahoda përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë. Filmin e montoi me mjeshtëri Enis Saraçi.
Filmi është produksion i ‘SK Pictures’ me producentë Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda.
“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.
Filmi në Cannes do të prezantohet më 24 maj, në ora 11:00 dhe është në garë për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”. / KultPlus.com
(Pas pritjes entuziaste që ka patur botimi në Francë dhe në Gjermani, romani “Një Sagë e vogël” i Besnik Mustafaj ka ngjallur edhe vëmendjen e kritikës letrare italiane. Po sjellim artikullin që kritiku i njohur Alessandro Gnocchi i kushton. “Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin “House of Meetings” (Shtëpia e takimeve), por me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndër mend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin. “Arqipelagu Gulag” është shumë i gjerë përkundrejt “Sagës së vogël” familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria.” Kështu shprehet Alessandro Gnocchi.)
“Një sagë e vogël” (shqip Toena 2017; italisht Castelvecchi 2018) e Besnik Mustafaj, shkrimtar dhe ish – ministër shqiptar është një roman që të mbetet gjatë në mendje.
Burgjet janë ato të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Fati i të burgosurve duket si i lidhur me fundin e tyre pas hekurave apo në kryqëzimin e jetëve të tyre me të dënuarit e tjerë. Ka edhe diça arkaike, ritual e popullore në të. Diçka që zbardh historinë edhe pse e rikrijon atë. Ndyshe nuk do të ishte një sagë. Kapitulli i gjatë qendror është edhe ai më i rëndësishmi i librit ashtu si edhe një moment i vërtetë shokues për lexuesin. I dënuari fiton mundësinë për të kaluar një natë me të shoqen në mjediset e brendëshme të burgut. Në mënyrë që të mos rrezikonte mohimin e kësaj mundësie aq shumë të pritur, ai i nënshtrohet çdo lloj detyrimi. Për javë të tëra ëndërron vetëm puthjet dhe përqafimet e së shoqes. Ai, përherë një karakter i mbyllur dhe introvert, kësaj radhe do i tregojë asaj që ka ndryshuar dhe më në fund do i thotë se sa shumë e dashuron. Por kur më në fund afron nata e shumëpritur, të dënuarit i vjen dyshimi se dikush kërkon ta kapë gafil të shoqen dhe do ta fusë në një qeli. Fatkeqësisht këtë dyshim të tij nuk mund t’ia shprehë gruas. Në këtë mënyrë nata e dashurisë kthehet në një natë dhimbjeje. Ai nuk mund të flasë. Ajo nuk mund të kuptojë. Ai nuk e lë veten të lirë. Ajo ndihet e refuzuar. Më në fund vjen agimi si një shpëtim për të dy.
Kjo pjesë e librit vendoset si një element krahasimi për këdo që do të kuptojë se si totalitarizmi futet thellë në mendjet e njerëzve, për t’i ndryshuar ata me qëllimin për t’i shkatërruar përfundimisht. Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin “House of Meetings” (Shtëpia e takimeve), por me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndër mend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin. “Arqipelagu Gulag” është shumë i gjerë përkundrejt “Sagës së vogël” familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria.
Gjatë leximit të këtij libri kuptohet se sa e panjohur është për ne, italianët, historia e Shqipërisë. Sigurisht që kanë mbaruar kohët kur fqinjët tanë vinin të kërkonin fatin e tyre në Itali. Sot Shqipëria është një vend që paraqet shumë risi, kryesisht në fushën turistike. Kujtesa e fashizmit është ende e gjallë për shqiptarët: është një prej kapitujve të sagës së tyre të burgimit./ KultPlus.com
Sapo është publikuar sllogani i edicionit të tetë të Javës së Krenarisë që do të mbahet në Prishtinë, dhe sivjet komuniteti i LGBTIQ+ ka përzgjedhë si sllogan ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ e që sipas organizatorëve ky sllogan është ‘kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi’, shkruan KultPlus.
Më poshtë është njoftimi i plotë i këtij eventi që do të nisë më 3 qershor dhe do të zgjasë deri më 8 qershor.
Edicioni i tetë i Javës së Krenarisë në Kosovë është këtu!
Për neve, ta organizojmë Javën e Krenarisë në Kosovë nuk nënkupton vetëm festë: Java e Krenarisë, qysh prej edicionit historik të parë, i vë në hartë të gjithë ata individë që avokojnë çdo ditë për barazi, për gjithëpërfshirje, për të frymuar e për të qenë vetja në një vend ku të marrësh frymë nuk është e lehtë për asnjë.
Java e Krenarisë në Kosovë është një manifestim i vetes sonë, i kulturës sonë, i personalitetit tonë. Java e Krenarisë në Kosovë është një tjetër shpërfaqje e identiteve të cilat për vite e vite janë shtypur e kanë mbetur në hije, duke mos qenë asnjëherë në habitatin e tyre. Java e Krenarisë në Kosovë, edhe në këtë edicion të tetë nuk harron të jetë pasaporta kryesore e individëve LGBTIQ+ në Kosovë.
Kësaj here, po i fokusojmë sytë e veshët tanë sidomos në faktin që, përkundër përceptimit të përgjithshëm, ne kemi qenë gjithmonë këtu, njëjtë siç do të vazhdojmë të jemi. Akronimet për ne nuk janë shkronja, janë njerëz që bartin me vete mendje, përmbajtje, intelekt, aktivizëm, dëshira e ëndrra.
Sllogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar.
Shihemi në Javën e Krenarisë, e cila edhe këtë vit është plotësuar e ndërtuar me një program që synon t`i tregojë të gjithëve: kemi qenë dhe do t`jemi këtu. Përkundër gjithçkaje./ KultPlus.com
Sapo kanë përfunduar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Vidra” me skenar të Stefan Boskovic e regji të Srdjan Vuletic, shkruan KultPlus.
Xhirimet e këtij filmi janë realizuar në Mal të Zi dhe për realizimin e këtij filmi janë përfshirë disa shtete në kooproduksion si: Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Italia dhe Kosova.
Për këtë projekt filmik që premierën do ta ketë në fillim të vitit 2025 ka njoftuar Fatmir Spahiu, i cili në këtë projekt ka edhe rolin e bashkëproducentit nga Kosova, në kuadër të Shtëpisë Filmike “Buka”.
Më poshtë është njoftimi i plotë i Fatmir Spahiut.
Te dashtun miq,
Jemi te lumtur me ju njoftu se keto dite kane perfunduar xhirimet i filmit “Vidra” skenar i shkrimtarit malazez Stefan Bošković dhe me regji te regjisorit boshnjak Srdjan Vuletić.
“Buka” ndjehet basheprodhuese krenare per kete projekt fantastik.
Poashtu falemnderojme nga zemra bashkepunetoret tone nga Kosova,
Aurita Agushin, Edona Reshitaj, Pellumb Ballata, Nok Selmani dhe stafi tjeter teknik dhe kreativ.
Vidra eshte prodhuar nga;
“Artikualacija film” nga Mali i zi
Ivan Djurović (producent i deleguar)
“Redibis film” nga Italia, Daniele Segre, coproducent,
“Izazov 365” nga Kroacia,
Katarina Prpić, coproducent,
“Realstage” nga Bosnja e Hercegovina
Ishak Jaliman, coproducent,
“Buka” nga Kosova,
Fatmir Spahiu, coproducent.
Filmi eshte mbeshtetur financiarisht nga;
Qendra e filmit te Malit te zi,
Ministria e Kultures se Italise,
Qendra auriovizuele e Kroacise,
Ministria e kultures dhe sporitit e Kantonit te Sarajeves,
Fondi i filmit ne Sarajeve
Qendra Kinematografike e Kosoves
Ne fazen e zhvillimit filmi kishte fituar cmimin e euroimages ne CineLink, si Best Pitch Award at When East Meets West.
Poashtu projekti ishte zgjedhur ne Cinéfondation programme Cannes L’Atelier.
Shfaqja e pare publike e keti filmi pritet te jete ne pranveren e vitit 2025 / KultPlus.com
Alba dhe Eda, dy lezbiket që kurorëzuan martesën e tyre, kanë folur këtë të martë për emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania.
Ato thanë se morën shumë kritika dhe komente ndërsa shtuan se dasma doli jashtë pritshmërive pasi donin diçka shumë të vogël.
Mes tjerash Alba shtoi se prindërit e saj nuk ishin të pranishëm sepse vetë ajo nuk i kishte ftuar.
“Kishte njerëz që u mërzitën që nuk i ftova në dasmë. Ishin njerëzit tanë. Ne kishim menduar të bënim diçka shumë të thjesht por na doli jashtë pritshmërie. Donim të kishim dhe njerëzit tanë, por nuk kishin. Nuk i ftova unë duke ditur qëndrimin e tyre”-tha Alba./ KultPlus.com
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të mbahet një bisedë mes Edi Hilës dhe Shkëlzen Maliqit, të martën, më 28 maj, në orën 18:00.
Biseda do të fokusohet në punën artistike të artistit Edi Hila, si dhe ekspozitën e tij “A4 Print”, të kuruar nga Shkëlzen Maliqi, e cila është aktualisht e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Biografia e Edi Hila:
Lindur në Shkodër në vitin 1944, Edi Hila jeton dhe punon në Tiranë. Në vitin 1967 Hila u diplomua në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë. Nga viti 1968 deri në vitin 1974 ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar dhe si ligjërues i jashtëm i Vizatimit në Institutin e Larte te Arteve. Në vitin 1973 ai ndoqi një trajnim profesional për skenografi televizive në degën e RAI-t në Firence. Në këtë periudhë ai pikturoi “Mbjelljen e Pemëve”, vepër që u kritikua më vonë në Plenumin e Katërt të Komitettit Qendror të PPSH-së. Ai u kritikua edhe për skenografinë e Festivalit të 11-të të Radio Televizionit Shqiptar. Më 1974 atë e larguan nga Radio Televizioni Shqiptar dhe u dërgua për riedukim si punëtor në Pularinë e Tiranës në Laprakë ku punoi nga viti 1977 deri në 1978. Më pas, në periudhën e parë të rehabilitimit pas dënimit, Hila u transferua në ndërmarrjen e Dekorit të Qytetit te Tiranës.
Në vitin 1980, pas rehabilitimit të plotë, filloi punën si redaktor arti tek “Horizonti”, revistë për pionierë e botuar nga Komitetit Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Në vitin 1988 Hila fillon mësimdhënien si profesor i jashtëm në Atelienë e Pikturës në Akademinë e Tiranës dhe në vitin 1991 emërohet profesor në Atelienë e Pikturës në Fakultetin e Arteve Pamore në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku edhe zgjidhet Dekan në vitin 1993. Nga viti 1996 deri në pensionimin e tij ka qenë profesor i Pikturës në Akademinë e Arteve të Tiranës, sot Universiteti i Arteve.
Hila është fitues i çmimit “Onufri” në vitin 1993 dhe 1998. Në vitin 2017 ekspozon në “Dokumenta 14“, Athinë dhe Kassel. Në viti 2018 hap ekspozitën e parë retrospektive në Muzeun e Artit Modern në Varshavë, Poloni, ekspozitë e cila u hap edhe në Galerinë Kombëtare, Tiranë. Ai ishte i ftuar në programin “Berlin Artist” të DAAD-së, në vitin 2019. Në vitin 2020 ekspozon në “Secession“ në Vienë./ KultPlus.com
Tenori Ramë Lahaj sapo ka zbuluar datat e edicionit të katërt të RLIOF, dhe sipas këtij njoftimi, pritet të realizohen pesë mbrëmje të paharrueshme me yje të operës, shkruan KultPlus.
Më poshtë e keni njoftimin e plotë të Ramë Lahaj.
Të dashur miq të operas dhe festivalit RLIOF,
Me kënaqësi të madhe ju njoftojmë që edicioni i 4-të i festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ do të mbahet nga data 21 Korrik deri më 2 Gusht.
Edicioni i sivjetmë i RLIOF sjell:
5 mbrëmje të paharrueshme muzikore me yjet e operas
Ekspozitë të veçantë
Masterklasë frymëzuese për artistët e rinj
Tani që na ndajnë fiks dy muaj nga festa e madhe e artit operistik, ju ftojmë t’i ruani datat në kalendar për t’iu bashkuar edhe njëherë rrugëtimit tonë magjik me emra të mirënjohur të botës operistike.
Detajet dhe lajmet e reja, do t’i shpalosim vazhdimisht në rrjetet tona sociale dhe webfaqen zyrtare të festivalit www.rliof.com./ KultPlus.com
Në kuadër të Prishtina International Theater Festival – PITF 2024 do të mbahet orë letrare me shkrimtarin dhe studiuesin Agim Vinca, orë letrare që do të mbahet në 77 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Agim Vinca, shkruan KultPlus.
Ora letrare do të mbahet më 22 maj, në ora 14:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB (Kati i 4-të). / KultPlus.com
(Rexhep Qosja: “Të fshehtat e treguara”, Toena, Tiranë,2020.)
ARS- COMBINATORIA SI VEÇORIA KRYESORE E ROMANIT “TË FSHEHTAT E TREGUARA”
Postmodernizmi në art, e konkretisht në letërsi, arrin që të bëjë një kthesë të madhe jo vetëm në strukturën, formën, temat, idetë e elementet e shumta që e përbëjnë një vepër letrare, por duke sjellë në mendje problematikën mbi definimin e artit. Kjo çështje dhe dilemë teorike, ekziston që në zanafillë të mendimit teorik mbi letërsinë dhe artin në përgjithësi. Për postmodernizmin, letërsia nuk është as imitim, as krijim por kombinim. Pra, një vepër letrare postmoderne është një kombinim kodesh e diskursesh. Bëhet fjalë për teknikën e montazhit, të cilën e shohim tek të gjitha veprat letrare postmoderne. Rexhep Qosja, filizi i parë i postmodernizmit në letërsinë shqipe dhe figura qendrore e tij, këtë metodë e ka sjellë si risi fillimisht në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, e për të vazhduar në gjithë krijimtarinë e tij. Romani i tij i fundit “Të fshehtat e treguara” vjen si kulminacion i pjekurisë postmoderne të autorit. Edhe tek ky roman, zhanri tradhton konventat e veta tradicionale. Vetë autori e ka cilësuar “roman omnibus me dokumente reale dhe të imagjinuara”. Është ky nëntitulli i romanit i cili tregon edhe për shkrirjen dhe eliminimin e modaliteteve zhanrore. Edhe gjatë leximit të veprës vërejmë diskurse të ndryshme zhanrore letrare dhe joletrare brenda zhanrit të romanit.
Që në fillim, që në titull të romanit, vërejmë një diskurs poetik. Autori zgjedh këtë titull figurativ me një figurë jo shumë të zakonshme, siç është oksimoroni.Shumë pjesëza të romanit si p.sh. “Kush është kush sot dhe kush ishte kush dje” kanë karakteristikat e prozës poetike, në të cilat teksti prozaik pasurohet me forma e figuracion poetik. Poezia “Fol shkurt, sa më shkurt”, e cila merr edhe formën e një poezie voko-vizuale, si një trekëndësh i përmbysur, flet shumë edhe për gjithë idenë e veprës. Vargu i fundit i kësaj poezie është i përbërë nga një fonemë e vetme, -sh, e cila shëndrrohet në një onomatope për heshtjen e zbrazëtirën. Në po funksion të ironisë, janë edhe poezitë e tjera të zhanrit mikst të cilat i shohim tek ky roman. Një e tillë është ajo e ndërtuar me vetëm dy fjalë të vetme: “Komercializmi, atdhetarizmi” të cilat përsëriten gjatë të gjithë vargjeve, e çka ia shton dozën ironike është fakti që vargu i parë dhe i fundit përkon me fjalën “komercializëm”. Atdhetarizmi tashmë s’është asgjë tjetër veçse komercializëm, prandaj edhe romani nuk ka një hero në qendër të narrativave, por një antihero tipik siç është Bardh Dynjaja, i cili përfaqëson gjithë antiherojt e epokës sonë.
Ky roman ndjek dy linja kryesore: e para është ajo që na tregon për përditshmërinë monotone të Bardhit në punën e tij në arkiv, kurse e dyta tregon për ndodhi brenda familjes së tij. Të dyja këto linja vendosen në funksion të një qëllimi të vetëm e që është pasqyrimi i jetës mediokre dhe ordinere të Bardhit në jetën e tij publike dhe private. Kjo e fundit, pasqyrohet falë inkuadrimit të zhanrit dramatik. Janë gjithsej 35 pjesë të tilla, të cilat na pasqyrojnë Bardhin si kryefamiljar me bashkëshorten e tij Havanë, dhe fëmijët Liku dhe Anila si edhe disa personazhe të rastit. Dialogu i parë nis me momentin kur te Havaja vërehen simptomat e para të sëmundjes dhe vazhdon në mënyrë të tillë kronologjike deri me çastet e fundit të jetës. Pra, mund të themi që janë këto sekuenca dramatike të cilat ndjekin një rend kronologjik përgjatë romanit, sepse tek pjesët tjera vërejmë një fragmentaritet të tërësishëm. Në qendër të tyre vendosen Bardhi dhe Havaja dhe personazhe të tjerë. Janë dialogë të shkurtë, mbi çështje të zakonshme e nganjëherë edhe absurde. Në fakt, këto pjesë dramatike tregojnë edhe për monotoninë e jetës familjare të Bardhit.
Në anën tjetër, për të treguar për rutinën profesionale të Bardhit, Qosja zgjedh të përdorë disa lloj të diskurseve, të gjitha për të treguar se si individi ndrydhet,tëhuajsohet e humb brenda një sistemi të vështirë e absurd, se si moderniteti e degradon deri në skaj secilin. Në këtë mënyrë, në roman falë teknikës së montazhit shohim të inkuadruar dosje policore, marrje në pyetje e jetëshkrime tejet banale të Bardhit për persona mediokër. Gjithashtu, Bardhi si përkthyes në arkiv detyrohet të përkthejë dokumente të ndryshme nga gjuhë të ndryshme dhe nga eprori atij i kërkohet që këtë punë ta kryejë shpejt, gjithnjë për ngut, çka tregon edhe për tragjedinë e kohës sonë në fushën e përkthimeve, të cilat shihen si një makineri prodhimi sasior pa i kushtuar rëndësi cilësisë. E madje atij i duhet të përkthejë edhe gjëra të rëndësisë dytësore dhe tretësore. Kjo gjë na lë ne si lexues para një dileme të madhe, se si mund të ishte fati i një individi përballë një sistemi të tillë, që Qosja figurativisht e quan oktapod. E në fakt duket sikur i tillë është, një oktapod tentakulat e të cilit nuk kursejnë asgjë e askënd. Atëherë si mund t’i shpëtojë individi degradimit të vet personal e profesional?
Për të treguar sa paradoksale është epoka jonë, Qosja zgjedh ta vendosë herë pas here, fjalimet e Dalanit të cilat natyrisht ai nuk i shkruante vetë, por i porosiste me urdhër si çdo gjë tjetër dhe pastaj dilte e i lexonte para turmës sikur të ishin mendime e bindje të artikuluara nga vetë ai.
Një tjetër ironi e autorit, e vërejmë falë diskursit epistolar, me disa letra që në fillim i shfaq si letra anonime për persona të ndryshëm e më vonë duke ju vendosur edhe emra të rremë dërguesish, kur në fakt ato janë letra admirimi e lavdi që këta persona i dërgojnë vetvetes.
INTERTEKSTUALITETI SI VETËDIJE POSTMODERNE
Intertekstualiteti, ka ekzistuar edhe përpara postmodernizmit dhe rruga për të pohuar të kundërtën mund të na çojë në përfundime absurde. Sipas Linda Hutcheon, njëra ndër teoricienet më të rëndësishme të postmodernizmit, intertekstualiteti tek autorët postmodernë, përndryshe nga ata paraardhëse, është produkt i vetëdijes së tyre. “Umberto Eco, derisa po shkruante romanin Emri i trendafilit, pohon: “Kam zbuluar atë që shkrimtarët gjithmonë e kanë ditur (dhe për të cilën gjithmonë na kanë folur): librat gjithmonë flasin për libra të tjerë dhe cdo tregim rrëfen tregimin tashmë të rrëfyer. Tregimet që ritregohen në romanin Emri i trëndafilit i përkasin edhe letërsisë (nga Conan Doyle, Borges, Mann,Eliot etj.), edhe historisë (kronikat mesjetare, dëshmitë religjioze). Ky është diskursi i dyfishuar parodik i intertekstualitetit postmodernist”.(Hutcheon,2013,f. 182)
Pra, për postmodernët të cilët i qëndronin besnikë parullës “çdo tekst është intertekst”, thyhen të gjitha barrierat e origjinalitetit. Për ta, është e pamundur që të shkruhet një vepër origjinale, sepse ajo është produkt i gjithë asaj që autori ka lexuar më parë. Pra,intertekstualiteti me të gjitha format e tij, tek veprat postmoderne del i modeluar në mënyrë të qëllimshme dhe të hapur duke mos ia lënë lexuesit detyrën që të aludojë për ndërlidhjet e ndryshme të tekstit që po lexon me ndonjë tekst tjetër të lexuar më parë. Këtë rrugë e ndjek, edhe Qosja, sepse ai vendos brenda romanit pasazhe, citate e fragmente të ndryshme nga vepra të shumta letrare, të cilat qëndrojnë në harmoni perfekte me romanin e tij. Ai lexuesit të tij, i jep informacionet mbi titullin e veprës, autorin e madje në disa raste edhe përkthyesin.
Përveçse me veprat e autorëve të tjerë, Qosja në këtë roman, krijon ura intertekstuale edhe me personazhe të veprave të veta të mëparshme si p.sh. me Xhezairin e Gjikës nga romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe fragmentin e ëndrrës që sheh Xhezairi i Gjikës:
“ U zgjova i fikësuar mos do të përsëritet prapë!ëndrra!
Dhe, mos sundimtari do ta shpjegojë jo si ishte po si do të dëshirojë vetë, për nevojat e veta, ëndrrën time .Siç kishte shpjeguar vetë, siçkishte dashur udbashi ëndrrën e Xhezairit të Gjikës në vitin 1972!
Djersë të ftohta ma bëjnë trupin!
Edhe ëndrra mund të paralajmërojë të keqen.
Mallkimin. “ (Qosja,2020,f.140)
NARRATORI-PERSONAZHET-LEXUESI
Relacioni narratori-personazhet-lexuesi, tek romani “Te fshehtat e treguara”është njëri nga relacionet i cili gjithashtu thyen ato konceptet e zakonshme dhe vjen i rimodeluar në një mënyrë unike, të pazakontë për letërsinë shqipe dhe tërësisht në frymën e avangardës postmoderne.
Kush është narratori i kësaj vepre dhe si e shfaq ai veten? Narrator është vetë autori i cili e shfaq veten si i tillë. Në pjesën e parë “Pse po e shkruaj këtë roman?” i cili mund të themi që ka funksionin e një parateksti, Qosja e shfaq veten autoriale duke treguar për motivimin dhe impulsin që e ka nxitur për të shkruar këtë roman dhe zërin e brendshëm i cili i thoshte:
“Fillo të shkruash! Trego për të fshehtat!.
Të fshehtat e rëndësishme dhe të parendësishme, pikëlluese e argëtuese, të përhershme e kalimtare, vendore e botërore. Të fshehtat që, si të gjitha të ndodhurat e të bërat duhet të jenë të treguara. Të fshehtat me të cilat kjo Botë jeton hanedan.” (Qosja,2020)
Pra, motimi i autorit qenka të treguarit. Dhe në fakt gjatë romanit ne do shohim që ironia e parodia qosiane në këtë roman nuk kursen askënd, prej individëve deri te institucionet qeveritare, arsimore, kulturore e akademia.
Erudicioni i autorit shihet edhe në konceptet e tij mbi narrativën prozaike, duke i shpalosur konceptet e tij se si duhet të jetë pozicioni i narratorit : “Të mos ju flas për veten: unë jam rrëfimtari, e rrëfimtari duhet të jetë më i padukshëm në roman, ai duhet t’ia japë fjalën protagonistit, shpesh edhe protagonistes e personazheve, që t’ua bëjë frymëmarrjen të lehtë lexuesve, t’u sjellë ofshamët dhe , pse jo, edhe atyre asnjanësve që nuk u sjell as gëzim as hidhërim.” (Qosja,2020,f.13). Vetëm ky fragment nga romani na bënë të kuptojmë shumë mbi marrëdhënien autori narrator- personazhet narratorë e lexuesi, ky i fundit si njëra nga hallkat e rëndësishme të një vepre letrare. Lexuesi në teoritë poststrukturaliste e postmoderne, shihet jo vetëm si receptuesi i një vepre, por edhe si krijuesi i saj. Këtë gjë e zbaton edhe vetë Qosja, i cili lexuesin e bënë pjesë të veprës që në fillim të veprës, e njeh atë me castin që e kishte frymëzuar për shkrimin e veprës, i tregon si mendon ta ndërtojë narracionin, madje e lë të zgjedhë edhe titullin duke dhënë diku nga mesi i romanit disa tituj potencialë për romanin në fjalë e në fund “diskuton” me të edhe mbi fatin që do kishte romani mbas botimit. Një model i tillë është tërësisht atipik për letërsinë shqipe.
Në fund të romanit në “Postskriptumin për Bardhin”, autori tregon edhe për marrëdhënien e tij me protagonistin dhe sa shumë kishte ndryshuar edhe ai që nga fillimi i veprës e deri në fund të saj:
“Nuk është sot ai që ka qenë dje!
Nuk është sot ai që ka qenë deri sot!
……
Ke ndryshuar shumë, i thashë një ditë, kur e takova papritur duke shkuar në Arkiv ai e duke shkuar në Askundje unë.” (Qosja, 2020,f.484)
Romani “Të fshehtat e treguara” është një roman poliedrik i cili përbën gjithë erudicionin postmodern të autorit. Është një roman i cili tenton që të përfshijë gjithcka, nga indvidi tek shoqëria e sistemi, nga mikro në makro. Individi është i lidhur gjithmonë ngushtë me shoqërinë në të cilën jeton, dhe njëherë e më tepër vërtetohet që njeriu nuk mund të qëndrojë pasiv ndaj zhvillimeve e shtrembërimeve të epokës në të cilën jeton. Ai jeton, rritet e në fund degradohet së bashku me të.
REFERENCA:
Qosja,R (2020).Të fshehtat e treguara.Toena
Hutcheon,L.(2013).Poetika e postmodernizmit.OM
Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof.dr.Sali Bashota, studimet master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Në ditën e dytë të Prishtina International Theater Festival, është mbajtur masterclass me studentët e Fakultetit të Gazetarisë dhe Produksionit të Kolegjit AAB, nga regjisorja e njohur malazeze Ana Vukotić njëherazi drejtoreshë e festivalit “FIAT” në këtë shtet.
Ajo së pari ndau përshtypjet për organizimin e PITF 2024, ku është pjesë e jurisë kryesore, duke thënë se është tejet e impresionuar dhe se çdo gjë ishte e menduar mirë deri në detaje, mbi të gjitha veçoi jurinë e studentëve.
“Jam shumë e kënaqur pasi mbrëmë teatri ishte plot njerëz të rinj, organizimi ishte perfekt dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Ajo që ishte më e bukura e festivalit ishte juria e studentëve, sepse mendimi juaj është shumë i rëndësishëm për ta planifikuar të ardhmen e teatrit”, u shpreh Vukotić.
Tutje Vukotić zgjeroi temën në mënyrën si funksionojnë teatrot dhe festivalet në Mal të Zi, përzgjedhjen e shfaqjeve, teksteve etj.
Në panel me Vukotić ishin edhe drejtori i festivalit Zijad Mehic, drejtoresha artistike Doruntina Alshiqi dhe koordinatorja Valentina Cenaj./ KultPlus.com
21 Maji festohet praktikisht në gjithë botën që nga nëntori 2001, muaj në të cilin është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Deklaratës Universale të UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor si “Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Kulturor”, ditë në të cilën festohet dhe reflektohet mbi vlerat e këtij diversiteti dhe “të jetuarit së bashku”.
Përmes kësaj dite UNESCO dhe vendet anëtare të saj, vazhdojnë të promovojnë rritjen e ndërgjegjësimit për marrëdhëniet mes kulturës dhe zhvillimit ekonomik të një vendi si dhe rolin e teknologjive të komunikimit në këto marrëdhënie.
Deklarata e mësipërme, shihet si instrumenti ligjor i parë, që e sheh diversitetin kulturor si “Trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit” dhe e konsideron ruajtjen e saj si një aksion konkret dhe etikë të pandashme nga respekti për dinjitetin njerëzor.
Ndërsa bota e djeshme e kishte vënë theksin në ndryshimet e saj, zhvillimet e sotme janë drejt unifikimit dhe të shkuarit drejt një drejtimi.
Për të theksuar karakterin fondamental të identitetit tonë kolektiv dhe individual, kultura është mjeti i pashoq për ta përcjellë në mënyrën e duhur këtë mesazh.
Aktivitetet që zhvillohen në këtë ditë synojnë të promovojë lidhjen mes Konventës së Diversitetit Kulturor dhe trashëgimisë shpirtërore të minoriteteve, duke risjellë edhe një herë atë që shprehet se trashëgimia shpirtërore, e transmetuar nga një brez në tjetrin, rikrijohet vazhdimisht nga komunitetet dhe grupet si përgjigje e gjenisë së tyre krijuese ndaj mjedisit rrethues, ndërveprimit të tyre me natyrën dhe historinë, dhe u jep kuptim vazhdimësisë dhe identitetit, duke promovuar kështu respektin për diversitetin kulturor dhe kreativitetin njerëzor.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër e sheh 21 Majin si një mundësi të shkëlqyer për të festuar dhe për të promovuar dialogun mes kulturave, por edhe për të vizituar parqet arkeologjike Rozafa-Lezha, duke inkurajuar njohjen e trashëgimisë kulturore. Hyrja do të jetë falas./ATSH/ KultPlus.com
Julian Lumi, me origjinë shqiptare, është një nxënës brilant i shkollës së mesme shkencore “Amedeo di Savoia”.
Julian doli i pari në kategorinë e klasifikimit Pisto C2 dhe për këtë arsye është kualifikuar në finalet kombëtare të lojërave matematikore që do të zhvillohen më 25 maj në Bocconi di Milan. /Albinfo.ch/ KultPlus.com