Historiani dhe arkeologu i mirënjohur francez, Pierre Cabanes, figurë absolute e shkencës së Albanologjisë, bibliotekën e tij të pasur me kryetituj shkencor, ia dhuron Shqipërisë. Puna për sjelljen e saj nga Franca në vendin tonë, ka nisur mes dy ambasadave reciproke.
“Është nje bibliotekë shumë e pasur. Do të ishte një ndihmë e madhe goxha e madhe për studiuesit. Literatura e specializuar është si ujët e pakët, janë gjëra të çmuara dhe të rralla që mezi gjenden.”
Kontributi i Cabanes në hulumtimin e historisë së Shqipërisë, është i pashoq. Kështu e quajnë kolegët e tij, madje edhe të guximshëm, pasi puna e tij hulumtuse, për Ilirinë e Jugut dhe Epirin nuk është e lehtë.
“Asnjëherë historia antike nuk duhet të përdoret për qëllimet e sotme. Në këtë pikë, profesori ishte kategorik. Nganjëherë guxonte dhe më shumë.”
Pierre Cabanes, ishte drejtuesi i parë i misionit kërkues franko-shqiptar në Apoloni dhe u nda nga jeta me 13 Qeshor të këtij viti./ TV KLan/ KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar që nxënësit kosovarë së shpejti do ta kenë si lëndë zgjedhore, Edukimin për Siguri.
“Do ta vendosim si lëndë zgjedhore Edukimin për Siguri për t’i njoftuar të rinjtë mbi atë se çka nevojitet për siguri. Është miratuar ligji për Agjencinë e Akreditimit”, ka thënë Nagavci mes tjerash në konferencë për media.
“Do ta veçoja edhe Udhëzimin për këshilltarët për karrierë në shkolla të mesme të larta dhe nëpër gjimnaze. Këshilltari për karrierë ka rëndësi tejet të madhe për ta ndërtuar vetëbesimin e nxënësve dhe për të krijuar mundësi suksesi për ta”.
Nagavci po ashtu foli edhe për testin e arritshmërisë mbarëvajtjen e së cilit e ka cilësuar më të mirë se sa në vitet e shkuara.
“Më lini të filloj me publikimin e rezultateve të maturës shtetërore ku kalueshmëria ka qenë 66.04%. Provimi i dytë do mbahet në afatin e gushtit”.
“Në krahasim me vitet e kaluara menaxhimi ka qenë më i mirë. Sigurisht që ka nevojë për punë të mëtutjeshme për ta ndaluar kopjimin”, ka vijuar ajo./ KultPlus.com
Piktori, dizajneri grafik, profesori dhe njëkohesisht ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Shyqri Nimani, u përkujtua sot nga ky institucion, udhëheqjen e të cilit dikur e bëri ai.
Dhjetë vite veprimtari të Nimanit në krye të Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke nisur që nga fjalimet, përkthimet e deri tek dizajnet e krijuara me plot zell, u përmblodhën në një kënd të mureve të kësaj Galerie.
Dy tavolinat e bardha u mbushën me fotografitë e profesorit të ndjerë, me artikuj të dedikuar për të dhe me katalogë në të cilat përmblidhet puna dhjetë vjeçare e tij.
Përgjatë jetës së tij 83 vjeçare, Nimani kishte arritur të zhvillojë një karrierë të fuqishme me profesione nga më te ndryshmet. Njihet si mjeshtër i arteve, muzikant, dizajner grafik, profesor, dekan, përkthyes, drejtor, themelues, e madje edhe njohës i mirë historisë e trashëgimisë kulturore.
Shyqri Nimanin as dhjetëra profesione nuk e lodhën dot, madje as mosha e shtyrë nuk e stopoi në kryerjen e punëve me profesionalizmin më të madh e përsosmërinë më të lartë.
Nuk janë mbushur akoma dy javë prej se Niamani nuk është fizikisht në mesin tonë, prapë mund të thuhet se ai është gjithkund dhe kudo. Janë puna dhe veprimtaria e tij, ato që flasin për të, edhe nëse goja e tij nuk nxjerr më fjalë. Janë ato krijime artistike në tokën e Kosovës që kanë mbetur si dëshmi për vlerat poseduese të tij.
Veprën dhe kontributin e Shyqri Nimanit e vlerësoi lartë edhe Drejtoresha e tanishme e Galerisë, Alisa Gojani Berisha e cila tha se ky kënd nuk është i vetmi që do të zhvillohet për Nimanin, për shkak se janë mirëmenduar edhe organizime më madhore karshi tij.
“Ky është vetëm një kënd i vogël. Ne synojmë që në një të ardhme të realizojmë një ngjarje më madhore me përfshirje të bisedave me familjarë, dokumentarë, ekspozita të gjera ose diçka edhe më ndryshe”, u shpreh Gojani Berisha për KultPlus.
Gojani Berisha tha se qëllimi kryesor i hapjes së këtij këndi është përkujtimi dhe respekti ndaj të ndjerit, Shyqri Nimanit, dhe se me anë të kësaj hapësire ekspozuese kanë dashur të shpalosin edhe një anë të kontributit të tij, të nxjerrë nga arkivat e galerisë.
“Ne kemi dashur të shpalosim këtë kënd si shenjë respekti për punën, kontributin dhe veprën e profesorit të ndjerë. Profesor Shyqriu ka qenë udhëheqës i këtij institucioni për një dekadë të plotë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, gjë që dokumentohet edhe me anë te arkivave të Galerisë”, shtoi ajo.
Kjo hapësirë ekspozuese dedikuar Shyqri Nimanit do të qëndrojë e hapur për një muaj, ku njerëzit do të kenë mundësi të shohin për nga afër dokumente të nxjerra nga arkiva me anë të cilave shpaloset një anë tjetër e tij.
“Materialet te cilat i kemi prezantuar si pjesë të arkivit i kemi të dublifikuara për njerëz që duan ti shfletojnë, sidomos për njerëzit që janë adhurues të arkivit”, përfundoi Gojani Berisha.
Kujtojmë që Nimani përpos që ka qenë Drejtor i GKK për dhjetë vite radhazi, ai njihet edhe si shkruesi i “Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”, dizajnues i logos së Teatrit Kombëtar e gjithashtu edhe themelues i Galerisë Kombëtare dhe koleksionimit të tij.
Këndi është hapur sot në ora 10:00 dhe do të qëndrojë i hapur për një muaj të plotë./ KultPlus.com
Galeria 17, më 5 korrik do të prezantojë ekspozitën “Back to the Gorges of Balkan”, ekspozitë që është kuruar nga Thibaut de Ruyter dhe me pjesëmarrje të artistëve Dren Maliqi, Driton Hajredini, Jakup Ferri dhe Merita Harxhi Koci, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë vjen në kuadër të temës Arkivimi i Tranzicionit, një prej katër temave që Galeria 17 trajton në kuadër të programit të vet.
Kuratori dhe kritiku i artit Thibaut de Ruyter është ftuar që të reflektojë mbi këtë temë dhe ai ka përzgjedh që ta vë në një kontekst një prej ekspozitave më të mëdha të artistëve të Ballkanit.
Në vitin 2003, kuratori i famshëm gjerman René Block organizoi një ekspozitë të madhe me jo më pak se 90 artistë nga ish-Jugosllavia, Shqipëria, Turqia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania. Titulli i ekspozitës “In den Schluchten des Balkan [In the Gorges of Balkan] –” u mor nga një roman i shkruar nga Karl May në vitin 1892 dhe theksoi me ironi faktin se Evropa Perëndimore më në fund po shikonte një territor dhe skenë arti mjaft të panjohur. Pikërisht njëzet vjet më vonë ne rindërtojmë, në Galerinë 17, pjesëmarrjen e katër nga shtatë artistëve nga Kosova dhe prezantojmë veprat artistike që ishin ekspozuar në Gjermani për vizitorët në Prishtinë. Do të jetë një shans unik për të zbuluar video ose instalacione të hershme nga artistë të njohur kosovarë, për të eksploruar arkivin e një ekspozite të rëndësishme, por gjithashtu, për të parë se çfarë ka ndryshuar (ose jo) në skenën e artit vendas gjatë dy dekadave të fundit.
George Washington ka qenë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – lider dhe strateg, i vetmi njeri i zgjedhur unanimisht nga Kolegji Elektoral duke shërbyer dy mandate si president.
Si president i parë, Washington e ka ditur se të gjitha metodat e tij, vendimet dhe lëvizjet do të krijojnë precedent për çdo gjë që do të pasonte, prandaj ai kishte qenë shumë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm me zgjedhjet e tij, transmeton Telegrafi.
Ai kishte krijuar autoritet duke qëndruar i sinqertë dhe duke mos abuzuar me fuqinë që kishte.
Washington madje kishte refuzuar të shërbente një mandat të tretë dhe kishte vendosur që vitet e fundit t’i jetonte si fermer i thjeshtë, duke vendosur prapë një shembull të mirë.
Ai kishte qenë një njeri me ndjenjë të thellë të detyrës, një hero ushtarak dhe një patriot.
Marrë parasysh atë dhe të bëmat e tij, më poshtë jua sjellim disa prej thënieve të tij që jua përmirësojnë integritetin personal.
– “Lumturia njerëzore dhe detyra morale janë të lidhura në mënyrë të pandashme”
– “Këmbëngulësia dhe shpirti kanë bërë mrekulli në të gjitha epokat”
– “Shoqërohuni me njerëz të kualiteti të mirë, nëse e vlerësoni reputacionin tuaj, pasi që më mirë është të jeni vetëm sesa me shoqëri të keqe”
– “Aq më i vështirë konflikti, aq më i madh është triumfi”
– “Meshkujt e vërtetë e urrejnë luftën, por asnjëherë nuk largohen nga ajo”
– “Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”
– “Më mirë është të mos arsyetoheni sesa ta jepni një arsyetim të keq”
– “Përgatitja për luftë është një prej formave më efikase për ta ruajtur paqen”. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama organizoi një pritje madhështore për ish presidentin e Amerikës Bill Clinton, vizitë që përfundoi gjatë ditës së sotme, shkruan KultPlus.
Kryeministri Rama përpos që ka ndarë një foto nga takimi përcjellës, ai ka ndarë më ndjekësit e tij edhe fjalët e Clinton për Shqipërinë.
““Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do doja të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania” – Bill Clinton ”, ka shkruar Rama./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi për përvjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, duke thënë se Deklarata është një nga vizionet “më të fuqishme të lirisë dhe barazisë të njohura në botë”.
Nëpërmjet një cicërime në Twitter, kryeministri Kurti ka shkruar se vlerat e përbashkëta përbëjnë themelin e aleancës së kombeve.
“Ashtu si ai vizion që është i përjetshëm, ashtu është edhe aleanca. Gëzuar 4 korrikun”, thuhet në mesazhin e tij./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Ditën e Pavarësisë, duke uruar që partneriteti mes dy vendeve të vazhdojë të jetë i palëkundur.
Osmani në një cicërimë në Twitter ka thënë se amerikanët dhe shqiptarët kanë vlera dhe ideale të përbashkëta.
“Gëzuar 4 korrikun për Bidenin, miqtë dhe aleatët tanë amerikanë! Sot, ne bashkohemi me ju për të festuar kombin tuaj të madh dhe idealet e vlerat për të cilat rreh zemra e çdo amerikani dhe çdo kosovari. Le të vazhdojë të forcohet partneriteti ynë i palëkundur!”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, ka shkruar se ka përfunduar tashmë, restaurimi i tri aseteve të Kishës Ortodokse Serbe, të mbrojtura me ligjet e Republikës së Kosovës.
Partneriteti ynë me Bashkimin Evropian dhe UNDP në Kosovë me rezultate të prekshme në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në kuadër të programit të përbashkët mes MKRS, BE dhe UNDP, së fundmi kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në tri kisha dhe manastire ortodokse, asete të Kishës Ortodokse Serbe që mbrohen me ligjet e Republikës së Kosovës. Manastiri i Qelisë (Burgut) dhe Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja, do të vazhdojnë t’u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj të angazhohem për të gjithë qytetarët tanë pa dallim e diskriminim. Harmonia ndërmjet komuniteteve etnike e fetare, si vlerë dalluese e shoqërisë sonë, është zotim dhe përkushtim i përhershëm i qeverisë sonë. Trashëgimia kulturore është ndër mjetet më efektive për afrim e bashkëpunim mes popujve. Prandaj, investimet tona në mbrojtjen dhe funksionalizimin e monumenteve do të jenë të vazhdueshme./ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Begaj shprehet krenar dhe mirënjohës për historinë që lidh Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar SHBA-në si partnerë strategjikë në ndërtimin e të ardhmes së demokracisë.
“Gëzuar 4 Korrikun SHBA!
Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë”- shkruan Begaj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 4 korrik 1776, 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Britania e Madhe, duke nënshkruar një dokument që u quajt “Deklarata e Pavarësisë”.
Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ishte produkt i mbledhjes së Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani./ KultPlus.com
Nxënësit e klasëve të nënta sot, më 4 korrik, do t’i nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Në këtë test pritet të hyjnë 23.632 nxënës në 176 qendra të testimit, respektivisht në 1.867 salla të testimit.
Në këtë pjesë të parë nxënësit do t’i nënshtrohen testit në lëndët: Gjuhë Amtare, Gjuhë Angleze, Histori dhe Gjeografi. Ndërkaq, më 11 korrik do të mbahet pjesa e dytë e testit në lëndët: Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi dhe Biologji.
Rezultatet e testit do të publikohen më 17.07.2023./ KultPlus.com
Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara është deklarata e miratuar nga mbledhja e Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani më 4 korrik 1776, e cila njoftoi se trembëdhjetë kolonitë amerikane, në atë kohë në luftë me Mbretërinë e Britanisë së Madhe, e konsiderojnë veten si trembëdhjetë shtete të pavarur, sovranë, që nuk janë më nën sundimin britanik. Ata formuan një shtet të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
John Adams ishte një udhëheqes në shtytjen për pavarësi, e cila u miratua më 2 korrik me asnjë votë kundër. Një komitet prej pesë vetësh kishte hartuar deklaratën formale, që do të ishte gati kur Kongresi të votonte për pavarësinë. Termi “Deklarata e Pavarësisë” nuk është përdorur në dokument.
John Adams bindi komisionin të zgjidhte Tomas Xheferson për të hartuar draftin origjinal të dokumentit, të cilin Kongresi do ta redaktonte për të prodhuar versionin përfundimtar. Deklarata ishte në fund të fundit një shpjegim formal pse Kongresi kishte votuar më 2 korrik të shpallë pavarësinë nga Britania e Madhe, më tepër se një vit pas shpërthimit të Luftës Revolucionare Amerikane. Ditën tjetër, më 3 korrik, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail: “Dita e dytë e korrikut 1776, do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës” Por ditëlindjen kombëtare, Dita e Pavarësisë, festohet më 4 korrik, data kur u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë.
Pas ratifikimit të tekstit më 4 korrik, Kongresi nxori Deklaratën e Pavarësisë në disa forma. Ajo u botua fillimisht si fletushkë që u shpërnda dhe u lexua gjerësisht për publikun. Kopja e përdorur për këtë fletushkë ka humbur, dhe mund të ketë qenë një kopje në duart e Tomas Xhefersonit. Drafti fillestar i Xhefersonit, të plotë me ndryshimet e bëra nga John Adams dhe Benjamin Franklin, dhe shënimet e Xhefersonit të ndryshimeve të bëra nga Kongresi, janë të ruajtura në Bibliotekën e Kongresit. Versioni më i njohur i Deklaratës, një kopje e nënshkruar që është konsideruar gjerësisht si dokument zyrtar, ndodhet në Arkivat Kombëtare në Uashington DC. Kjo kopje u urdhërua nga Kongresi më 19 korrik, dhe u nënshkrua kryesisht më 2 gusht.
Burimet dhe interpretimi i Deklaratës kanë qenë subjekt i shumë hetimeve shkencore. Deklarata justifikoi pavarësinë e Shteteve të Bashkuara duke renditur ankesat koloniale ndaj Mbretit George III, dhe duke pohuar disa të drejta natyrore dhe juridike, duke përfshirë edhe të drejtën e revolucionit. Abraham Linkolni e bëri Deklaratën epiqendrën e retorikës së tij (si p.sh. në fjalimin e Getisburgut 1863), dhe politikat e tij. Që atëherë, është bërë i mirënjohur pohimi për të drejtat e njeriut, në veçanti fjalia e dytë:
Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.
Kjo është quajtur “një nga fjalitë më të njohura në gjuhën angleze”, që përmbajnë “fjalët më të fuqishëm dhe rrjedhimore në historinë amerikane”. Pasazhi përfaqësonte një moral standard për të cilin duhej të perpiqeshin Shtetet e Bashkuara. Kjo pikëpamje u promovua sidomos nga Abraham Linkolni, i cili e konsideroi Deklaratën si themel të filozofisë së tij politike, duke argumentuar se Deklarata është një deklaratë e parimeve mbi të cilat duhet të interpretohet Kushtetuta Shtetet e Bashkuara.
Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara frymëzoi shumë dokumente të tjera të ngjashme në vende të tjera në shekujt e 18-ë dhe 19-të, duke u përhapur në Vendet e Ulëta, dhe pastaj në Karaibe, Amerikën Spanjolle, Ballkan, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore në dekadat deri në 1848. / KultPlus.com
Presidenti i 42-të i SHBAsë Bill Clinton nisi këtë të hënë vizitën 2-ditore në Tiranë, pas ftesës së Kryeministrit Edi Rama në kuadër të festës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I shoqëruar nga delegacioni i tij, ish-Presidenti Clinton u ul në tokën shqiptare në orën 15.10 minuta, ndërsa në Rinas kishte dalë për ta pritur vetë Kryeministri Edi Rama.
Në orën 19:00 Klinton do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare përpara godinës së Kryeministrisë, ku të pranishëm do të jenë dhe qytetarë të rastit.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-së Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.
Në orën 19:05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë Bill Clinton të marrë çmimin e akorduar.
Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-së Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.
Për të garantuar sigurinë e tij në vizitën 2-ditore në Tiranë, në terren janë angazhuar rreth 700 efektivë policie.
Gjithashtu në kuadër të planit të masave, prej orës 14:00 deri në 15:30 uniformat blu devijuan qarkullimin e automjeteve me sens lëvizje nga Rinasi në drejtim të ish-sheshit Shqiponja, si dhe në disa akse pranë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.
Të njëjtat masa kufizuese do të aplikohen edhe gjatë së martës, ditë kur ish-Presidenti largohet nga vendi ynë./ KultPlus.com
Për 8 ditë me rradhë tingujt, ngjyrat, zërat, kostumet e traditës, pushtuan kalanë e gurtë duke e kthyer Gjirokastrën në kryeqendrën e folklorit. 1200 artistë nga mbarë trojet shqipfolëse dhe diaspora u bënë pjesë e edicionit të 11-të të Festivalit Folklorik Kombëtar, një edicion që do të mbahet mend gjatë.
Por Festivali folklorik nuk ishte vetëm prezantimi i grupeve të folklorit në skenën e kalasë. Përgjatë 8 ditëve, qyteti ka gëluar nga një seri aktivitetesh të larmishme kulturore që nisnin prej orëve të para të ditës dhe përmbylleshin deri pas mesnate me koncertet madhështore organizuar në “Sheshin e Çerçizit” ku interpretuan disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare. I gjithë ky event tërhoqi vëmendjen e shumë turistëve të huaj, ndërsa kërkesat për akomodim i tejkaluan kapacitetet e hoteleve dhe bujtinave të qytetit.
Përgjatë 8 ditëve Gjirokastra ka qenë në një festë që e ktheu qytetin dhe Shqipërinë kryefjalën e artikujve kulturorë të mediave më të rëndësishme botërore./ Ina/ KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka publikuar sot rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës. Në 20 mijë maturantë të cilët i’u nënshtruan testit të maturës, 66.04% prej tyre kaluan, shkruan KultPlus.
Për dallim nga ky vit, vitin e kaluar rezultatet e kalueshmërisë kanë qenë më të larta, me rezultat 78.43%, që do të thotë se rreth 13% ka rënë kalueshmëria e testit të maturës për vetëm një vit.
Provimi i maturës është mbajtur më 24 qershor në 177 qendra të testimit, në tri gjuhë: shqip, boshnjake dhe turke.
Lajmin e bëri të ditur MASHTI, përmes një postimi në Facebook, përcjell KultPlus.
Lajmi i plotë:
MASHTI publikoi rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës – kalueshmëria 66.04 përqind
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar mbi 20 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin. Këtë vit, rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 66.04 përqind.
Rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla. Provimi i mbajtur më 24 qershor, është organizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke dhe është mbajtur në 177 qendra të testimit.
Në këtë proces kanë qenë të angazhuar rreth 1600 administrues të cilët kanë qenë të vendosur në çdo sallë të testimit dhe po ashtu edhe mbikëqyrës nga Universiteti i Prishtinës.
Gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit janë përjashtuar 33 nxënës.
Këshilli Shtetëror i Maturës (KShM) ka konstatuar se procesi i testimit ka shkuar në rregull dhe se vendosja në një sallë e nxënësve nga klasa të ndryshme ka pasur ndikim pozitiv në administrimin e testit.
MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e mbajtjes së Provimit Shtetëror të Maturës për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre./KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Kosovës ka krijuar një kënd për Shyqri Nimanin, i cili ishte edhe drejtori i parë i këtij institucioni dhe të njëjtin e udhëhoqi për dhjetë vjet, shkruan KultPlus.
GKK ka njoftuar se ky kënd mund të vizitohet prej nesër, ku edhe do të prezantohet puna e tij nga arkivi dhe koleksioni i GKK-së.
Më poshtë keni njoftimin e plotë të GKK-së.
Në nderim të veprës së akademik Shyqri Nimani i cili ushtroi detyrën si drejtor i parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës për 10 vite, ne e prezantojmë për publikun këndin me punën e tij nga arkivi dhe koleksioni i GKK-së.
Shyqri Nimani u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri. Nimani njihet si dizajneri i parë grafik, ai poashtu është një ndër themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Kosovë. Nimani diplomoi nga Akademia e Arteve Aplikative në Beograd, me 1967, në seksionin e librit. Ai i bëri studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njejtin univerzitet dhe vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976-78. Me 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës, detyrë që e ushtroi për 10 vite. Përgjatë këtyre viteve kontribuoi në krijimin e koleksionit, arkivës dhe indentitetin vizuel të GKK-së apo siç njihej në atë kohë si Galeria e Prishtinës.
Ju mirëpresim nga nesër në orarin e rregullt të punës:
Shtëpia Filmike “B2” është në kërkim të një aktoreje për filmin “Gruaja e Shtëpisë”, film që është me skenar dhe regji të Fatos Berishës e producent, Liridon Cahani, shkruan KultPlus.
Sipas njoftimit është bërë e ditur se për këtë rol mund të aplikojnë vajzat prej 18 deri 25 vjet.
Nëpërmjet një video të shkurtër të prezantimit, të gjithë ato që duan të aplikojnë mund ta dërgojnë videoregjistrimin në E-mailin [email protected] . Afati për aplikim është i hapur deri më 30 korrik./KultPlus.com
Për tri ditë radhazi, teatri ODA në Prishtinë do të mbushet me magjinë e operës “Lo Speziale” të Joseph Haydn, me regji nga Elikona Hysaj. Opera do të shfaqet prej datës 5 korrik, me fillim nga ora 20:30, shkruan KultPlus.
Lo Speziale është opera e dytë e Haydn-it, e shfaqur për herë të parë në shtator të vitit 1768 për hapjen e shtëpisë së re të operës në Eszterháza (Hungari).
Është një trinom dashurie në mes katër personazheve. Kasti i tri shfaqjeve të cilat do të jepen më 5, 6 dhe 7 korrik janë studentë të klasës së muzikës kamerale me Prof. Besa Llugiqi.
Katër personazhet e “Lo speziale” do të personifikohen nga: Harris Bajraktari – bariton në rolin e Sempronios, sopranot Elvira Mazhiqi, Urta Haziraj dhe Aurela Krasniqi në rolin e Griletës, Rizah Jahaj – tenor në rolin e Mengones dhe mexosopranot Dija Sadiku, Andra Rexhepi në rolin e Volpinos. Ndërkaq, Orkestra e Operës së Kosovës do të dirigjohet nga mjeshtri britanik Chris McCraken.
Kujtojmë që ky projekt është pjesë e kalendarit të aktiviteteve në kuadër të Universitetit Veror 2023.
Ndërkohë për rolin e regjisores në këtë shfaqje operistike ka reaguar Elikona Hysaj, e cila këtë detyrë e ka pritë me shumë dashuri. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin Hysaj mbi këtë shfaqje./ KultPlus.com
Festivali i ndërgjegjësimit mjedisor Green Fest, që organizohet në Mitrovicë, ka përfunduar me sukses edicionin e trembëdhjetë, duke lënë një kujtim të bukur në zemrat e pjesëmarrësve.
Green Fest arriti të sjellë bashkë në një platformë të paharrueshme artin, muzikën, filmat dokumentarë, aksionet mjedisore duke inkurajuar ndërgjegjësimin dhe nxitur veprime qe do conin drejt mbrojtjes së planetit tonë. Përmes temës së frymëzimit “Imagine”, festivali bëri të mundur që të shpalosej bukuria e natyrës, por edhe sfidat me të cilat ballafaqohemi, duke u ofruar të gjetura shkencore mbi gjendjen e mjedisit, si dhe duke promovuar botime që trajtonin plastikën dhe rolin e njeriut në mjedis.
Programi i sivjetmë i festivalit përfshiu një ekspozitë të kafshëve të egra, shfaqje të filmave mjedisor dhe tre koncerte të mahnitshme me zharne nga hip-hop, pop dhe rock. Me artistët tanë të shkëlqyeshëm, si P.I.N.T – MC Kresha, Lyrical Son, Lluni, Dj Driton, DJ Bannzz, Ataraxia, Vedat Ademi, Dren Abazi, Shrimps, Jericho, e Eugent Bushpepaj, audienca u mbush me energji pozitive duke bashkkënduar, e krijuar një atmosferë unike dhe të paharrueshme. Madje, në natën e fundit, as shiu i rrëmbyeshëm nuk mundi ta mposhtë energjinë dhe pasionin e audiencës për të festuar. ‘‘Kjo është një ngjarje e rëndësishme që ndodhë në këtë qytet, pas shumë lajmeve negative që shpërndahen anekënd botës’’ theksoi Eugent Bushpepaj, për të cilin festa u bë akoma më e veçantë, ngase kishte rastin të pranonte urimet për ditëlindjen e tij mu në sekondat e para të mesnatës.
Përveç kësaj, gjatë programit katër ditor të festivalit, aktivitete te pasura edukative e argëtues iu ofruan edhe fëmijëve. Derisa, për të rinjtë u mundësuan ekspozita mbi trashëgiminë kulturore, ngjitje malore, poezi mjedisore, e aktivitete tjera rekreative. Përmes temës ‘’Imagine’’ që ishte ne sinkronizim me SDG 13, që synon “Veprime për Klimën”, festivali i sivjetmë, çoi të pranishmit në një udhëtim të veçantë drejt pasurive natyrore të Kosovës, duke rikujtuar sfidat që dalin drejt ruajtjes së saj, si dhe duke na tërhequr vëmendjen me thënjen e modifikuar enkas për këtë temë se: ’’dita e mirë, më nuk shihet në mëngjes’’.
Duke u mbështetur në një sinergji shpreseje për një të ardhme më të gjelbër, Green Fest shënoi një tjetër sukses në rritjen e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit duke u bërë një pikëtakim për aktivistët, organizatat dhe donatorët që ndajnë një synim të përbashkët. / KultPlus.com
Tenori i suksesshëm i pop-operës italiane, Alessandro Safina, do të shkelë në tokën e Kosovës mbrëmjen e 21 korrikut, si performues në edicionin e tretë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, shkruan KultPlus.
Gjurmët e pashlyeshme në muzikën klasike të Safinës, krahas talentit që ka, vijnë edhe si rezultat i mjeshtërisë dhe stilit karakteristik të tij.
Energjinë, veçantinë dhe “qershinë mbi tortë” të tërë punës së tij, do ta paraqesë këtë muaj në festivalin e “RLIOF” të tenorit Ramë Lahaj. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival” në Facebook.
Në vijim KultPlus u’a sjell postimin e plotë:
Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se Alessandro Safina do të jetë pjesë e edicionit tretë të festivalit RLIOF. Safina, tenori i suksesshëm i pop-operës italiane, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën klasike. Me origjinë nga Siena, rrugëtimi muzikor i Safinës filloi me studimet për piano dhe muzikë përpara se ai të përmirësonte aftësitë e tij vokale në Konservatorin e Muzikës “Luigi Cherubini” në Firence.
Në vitin 1989, talenti i jashtëzakonshëm i Safinës e shtyu atë drejt fitores në Garën Ndërkombëtare të Operës me emrin Katia Ricciarelli. Ky sukses hapi rrugën për një karrierë brilante, nga debutimi i tij si Rodolfo në ‘La Bohème’ të Giacomo Puccinit së bashku me Katia Ricciarelli në vitin 1990. Performancat magjepsëse të Safinës lanë jehonë në ambiente të njohura si Barbican Hall në Londër dhe L’Olympia, Paris.
Përtej operës, Safina u fut në botën e muzikës pop. Albumi i tij ‘INSIEME A TE’, i publikuar nga Universal Music, arriti një vlerësim ndërkombëtar në 40 vende rreth botës. Veçanërisht, koncerti i tij elektrizues i drejtpërdrejtë në Teatrin Grek në Taormina u përjetësua në DVD-në “Live In Italy “Only You” që u shpërnda gjerësisht. Talenti i Safina-s zbukuroi skenat me famë në mbarë botën, duke përfshirë Radio City Hall të Nju Jorkut, ku ai u shfaq përkrah ikonave si Elton John, Cher dhe Jennifer Lopez.
Rrugëtimi artistik i Alessandro Safina vazhdon të rritet, duke bashkëpunuar me Andrea Bocellin në performancat magjepsëse dhe duke dhënë vlersimin e tij si gjyqtar në edicionin Ukrainas të X Factor. Zëri i tij mahnitës dhe shkathtësia në këtë zhanër e kanë konsoliduar atë si një figurë të nderuar në industrinë e muzikës./KultPlus.com
Më 4 korrik do të nisë edicioni i 11-të i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, ku përgjatë këtij edicioni do të përfshihen: 8 ligjërata, 2 punëtori, 2 studio të hapura, 1 turne dhe një 1 ekspozitë, shkruan KultPlus.
Hapja e këtij festivali do të bëhet në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në ora 18:00 ku edhe do të bëhet inaugurimi i ekspozitës “Cities Connection Project” me kurator Nicola Regusci dhe Xavier Bustos nga Barcelona.
Pas betimit dhe marrjes zyrtarisht të detyrës së kreut të shtetit, gjatë ceremonisë presidentët amerikanë mbajnë një fjalim. Ja cilat janë disa nga citatet e famshme të shkëputura nga fjalimet e tyre.
George Washington (1789–1797)
“Rregulli i sjelljes për SHBA, në lidhje me kombet e huaja, është, të zgjerojmë lidhjet tregtare, për të pasur me ta sa më pak lidhje politike që të jetë e mundur”.
John Adams (1797–1801)
“Asnjë person që ka mbajtur detyrën e presidentit nuk mund të përgëzojë dikë që e cilëson mik për besnikërinë e treguar”
Thomas Jefferson (1801–1809)
“Unë uroj të shikoj këtë pije (birrë) që të zëvendësojë wiskey-n, pije që deri tanika bërë që një në tre persona të jenë të varur dhe më shumë se kaq: ka shkatërruar familjet”.
James Madison (1809–1817)
“Asgjë më shumë nuk ndryshon se sa ndryshon mendja”. (e thënë pak momente përpara se të vdiste).
James Monroe (1817–1825)
“Zonjës time Monroe, nëse i shton të bijën për shoqërinë që i bën, pavarësisht se shkakton goxha rrëmujë, mund ta cilësosh kontribuuese të madhe në zbavitjen e saj”.
John Quincy Adams (1825–1829).
“Katër vitet më të këqia të jetës sime, ishin katër vitet e mia në presidencë”.
Andrew Jackson (1829–1837)
“Nëse një punë në qeveri nuk e bën dot një demokrat, atëherë atë punë nuk mund ta bëjë askush tjetër”.
Martin Van Buren (1837–1841)
“Dy ditët më të lumtura të jetës sime kanë qenë: e para kur mora detyrën e presidentit dhe e dyta kur e lashë atë detyrë”.
William Henry Harrison (1841)
“Disa njerëz si puna ime kanë budallallëkun e mjaftueshëm për t’u shkuar në mendje se mund të bëhen presidentë të Shteteve të Bashkuara”.
John Tyler (1841–1845)
“Unë kam gjithnjë mendimin që popullariteti mund të krahasohet me një vajzë lozonjare apo vajzë koketë – sa më shumë i vini rrotull, aq më shumë ajo ikën”.
James Knox Polk (1845–1849)
“Asnjë president që bën detyrën e tij me besnikëri dhe ndërgjegje nuk mund të ketë kurrë kohë të lirë”.
Zachary Taylor (1849–1850)
“Tregojini atij se si përfundon në ferr” (Në përgjigje të kërkesës së gjeneralit meksikan Santa Anna për t’u dorëzuar).
Millard Fillmore (1850–1853)
“Është turp kombëtar që presidentët tanë, pasi kanë mbajtur postin më të lartë të shtetit, duhet lënë në mëshirë të fatit dhe ndoshta të jenë të detyruar të hapin një dyqan ushqimesh si mjet jetese”.
Franklin Pierce (1853–1857)
“Nuk ka ndonjë gjë në të majtë…. Por ama janë të dehur” (në planet e tij pasi humbi një kandidim të dytë në 1856).
James Buchanan (1857–1861)
“I dashur zotëri, nëse ju jeni po aq i lumtur në momentin kur futeni në Shtëpinë e Bardhë po aq sa edhe edhe kur largoheni prej saj, realisht ju jeni një njeri i lumtur”.
Abraham Lincoln (1861–1865)
“S’di se kur unë do dëgjoj dikë të më argumentojë skllavërinë dhe unë do ndjeja një impuls të fortë për të njohur dhe kuptuar personalitetin e tij”.
Andrew Johnson (1865–1869)
“Nga të gjitha rreziqet që kombi ynë ndeshet akoma një gjë është e vërtetë: Ato nuk janë të njëjta me ato të cilat duhet të rezultojnë nga sukseset e arritjeve më të fundit të afrikanizimit të gjysmës së Jugut të vendit”.
Ulysses S. Grant (1869–1877)
“Puna nuk është turp për njerëzit; për fat të keq herë pas here ka njerëz që turpërojnë punën”.
Rutherford B. Hayes (1877–1881)
“Unë jam tejet i lodhur nga kjo jetë e varësisë së plotë, nga përgjegjësia dhe nga rraskapitja”.
James A. Garfield (1881)
“Zoti im! Në këtë vend ka gjithçka që një njeri i dëshiron t’i ketë. Apo jo?”.
Chester A. Arthur (1881–1885)
“Unë mund të jem president i SHBA, por jeta ime private nuk është çështje e dikujt”.
Grover Cleveland (1885–1889,1893–1897)
“Gratë e ndjeshme dhe të zgjuara nuk dëshirojnë të votojnë”.
Benjamin Harrison (1889–1893)
“Ne amerikanët nuk kemi autorizim nga Zoti për të mbajtur nën kontroll Botën”.
William Mckinley (1897–1901)
“Ne kemi nevojë për Hawai-n më shumë se sa California-n. Kjo është prova e pashmangshme”.
Theodore Roosevelt (1901–1909)
“Fitorja e luftës nuk vlen sa fitorja e paqes”.
William Howard Taft (1909–1913)
“Nuk e ke shfrytëzuar detyrën e presidentit, nëse nuk keni siguruar një tren me një vagon-restorant në të”.
Woodrow Wilson (1913–1921)
“Dobia e një universiteti është se nxjerr aristokratë të rinj, ndryshe nga baballarët e tyre që nuk e kishin këtë mundësi”.
Warren G. Harding (1921–1923)
“Unë jam një burrë me pak talent nga një qytet i vogël; nuk dukem shumë që unë jam president”.
Calvin Coolidge (1923–1929)
“Kur shumë njerëz janë të pazotë të gjejnë punë, ata përfundojnë të papunë ”.
Herbert Hoover (1929–1933)
“Unë jetova më shumë se bastardët” (duke iu referuar shumë njerëzve që e bënin fajtor për Depresionin e Madh).
Franklin Delano Roosevelt (1933–1945)
“Për të qenë i suksesshëm në të folurin publik duhet të kesh parasysh këto rregulla: Të jesh i sinqertë, të jesh konçiz dhe të jesh i përulur”.
Harry S. Truman (1945–1953)
“Unë e shkarkova MacArthur (gjenerali i trupave amerikane të dërguar në Kore) sepse ai nuk respektoi autoritetin e presidentit. Unë nuk e shkarkova atë sepse mendoja se ai ishte maskara. Ai në fakt ishte i tillë. Por është e rëndësishme të them se të qenit maskara nuk është kundër ligjit. Ah, nëse kjo do ishte e kundërligjshme, gjysma e drejtuesëve të ushtrisë do futeshin në burg”.
Dwight David Eisenhower (1953–1961)
“Nuk dua që kur urinoj të kujtoj këtë qelbësirë”.(duke iu referuar senatorit Joe McCarthy).
John Fitzgerald Kennedy (1961–1963)
“Harrojini armiqtë, por mos harroni kurrë emrat e tyre”!
Lyndon Baines Johnson (1963–1969)
“Nëqoftëse popullit ia mbledh mirë rripat, zemrat dhe mendjet e tyre do të të ndjekin”.
Richard Milhous Nixon (1969–1974)
“Kur presidenti bën dicka, kjo do të thotë që ajo nuk është e jashtëligjshme”.
Gerald R. Ford (1974–1977)
“Unë jam një Ford, jo një Lincoln”.
James Earl Carter (1977–1981)
“Unë jam i shqetësuar se si funksionon çdo kristian sepse ndonjë mund të shkojë në ferr”. (duke iu drejtuar Reverend Jerry Falwell)
Ronald Reagan (1981–1989)
“Është e vërtetë që puna e rëndë nuk ka vrarë dikë, por unë ju siguroj që puna e rëndë rrezikon jetën”.
George Herbert Walker Bush (1989–1993)
“Unë kam opinionet e mia. Ka raste që kam opinione të forta, por ama nuk jam në një mendje gjithnjë me to”.
William Jefferson Clinton (1993–2001)
“Lëvizjet e mia për të kryesuar qeverinë do të jenë shoqëruar përherë me ndjenjat aspak të papëlqyera të një fajtori i cili do të vendosë ekzekutimin e vetes së tij”.
George W. Bush (2001–2009)
“Çelsi i politikës së jashtme është të mbështetesh në besim”.
Barack Obama (2009-2016)
“Në 15 muajt e fundit ne kemi udhëtuar në çdo cep të SHBA. Kam qenë deri tani në 57 shtete. Unë mendoj si i majtë kur shkoj”.
Donald Trump (2016 e në vijim)
“Unë do ta bëj Amerikën përsëri të madhe”./ KultPlus.com
Në falënderim të mbështetjes së ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, një djalë nga Prishtina, që kishte lindur në vitin 1999, mban emrin e tij.
Disa fëmijë të Kosovës e kishin rrethuar presidentin amerikan, Bill Clinton, gjatë vizitës që ky u bëri në kampin e Bllacës, në vitin 1999.
Po këtë vit kishte lindur edhe Klintoni i Kosovës.
Klinton Popova nga Komuna e Prishtinës thotë se e mban me krenari këtë emër të cilin ia ka vënë babai i tij, në shenjë falënderimi për presidentin amerikan, Bill Clinton.
“Prindi ka pas dëshirë të më vendos këtë emër për shkak të personalitetit të Bill Clinton-it. Normalisht që ndjehem mirë dhe jam shumë i kënaqur që kam emrin Klinton” tregon Klinton Popova.
Clintoni thotë se asnjëherë nuk i ka sjellur problem emri i tij, përkundrazi ka marr vetëm lëvdata.
“As në shkollë më herët e as në punë tash nuk kam pasur ndonjë problem me emrin. Kudo që shkoj ose më lavdërojnë ose më thonë: Hallall i qoftë atij që ta ka vendos këtë emër”, tha më tej Klinton Popova.
Ani pse nuk e ka takuar asnjëherë ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, ai thotë se me dëshirë do ta bënte këtë po t’i jepet rasti./ KultPlus.com