Më duhet të pranoj që, për ta kuptuar nga syri kritik poezinë e Agron Elezit, edhe pse në dukje mjaft e kapshme, mua si shkrimtar mu desh një kohë.
Ky poet, që fatkeqësisht në mënyrë të prerë dhe të domosdoshme ka qenë gjithmonë i censuruar përgjatë shekullit të XX-të, rrjedh nga fakti i gjendjes sonë të mjerë dhe të imponuar politike që vazhdimisht bënte dhe po bën trysni në ngufatjen e kulturës sonë në përgjithësi dhe zërit artistik të vërtetë shqiptar në nivel botëror në veçanti.
Poetët e paktë dhe të vërtetë shqiptar të shekullit të XX-të të Kosovës kanë mbetur nën hije, ashtu si ka mbetur nën hije edhe çështja e pazgjidhur dhe vazhdimisht e nëpërkëmbur shqiptare në Ballkan.
Gjersa poezia botërore e shekullit XX-të karakterizohet me një vetëdije të krizës shpirtërore që është ngushtë e lidhur dhe ndikuar nga rrjedhat e filozofisë, nga pasojat e revolucioneve industriale dhe rutina monotone e jetës, poezia shqiptare kosovare kryesisht karakterizohej me përsiatjet latente të vetëdijes së krizës ekzistenciale kombëtare duke kaluar më pastaj në përsiatje personale të prozës poetike moderne; që përmes vargut të lirë dhe teknikave të shekullit të XX merrnin kahjen, dhe përkonin në të njëjtën mjegullnajë me krizën e shpirtit modern të lartpërmendur.
Ndërkaq Agron Elezi, me një kulturë grandioze të gjerë, si njohës i thellë i filozofisë dhe artit botëror, aq më shumë si muzikant, dhe duke e kuptuar thellësisht mesazhin e krizës së shpirtit artistik modern si dhe rrugëtimin e shpirtit artistik njerëzor përgjatë epokave, për dallim prej poetëve tanë legjibil të gjysmës së fundit të shekullit të XX-të, ky i sintetizoi me mjeshtri, dhe mjaft guximshëm këta dy shpirtra të krizës në një të vetme, duke i dhënë kështu një madhështi dhe origjinalitet artit poetik.
Poezia “Dua…” e vitit 1989, e botuar më 23 maj 2022 në portalin e respektuar “KultPlus” nga dorëshkrimet e mbijetuara të tij, reflekton mrekullueshëm këtë ndjesi artistike. Aq më shumë, përdorimi mjaft përkatës i figurave stilistike në këtë dimension të dyfishtë, bën që edhe tani pas 33 viteve, në botimin e parë në mediat e teknologjisë së shekullit të XXI, kjo poezi të mbetet aktuale dhe t’i rezistoj kohës duke u mëshiruar me audicionin tonë tashmë shumë më të ngritur për nga niveli i absorbimit artistik.
Vëni re se me çfarë mjeshtërie dhe origjinaliteti këtu sintetizohet misteri i shpirtit universal artistik që kërkon shpëtim, me fatin e mjerimit shqiptar që mbeti i zhveshur dhe nëpërkëmbur përgjatë historisë që kërkon rilindje.
Pra, autori nuk kopjon modele të poezisë moderne nga shkrimtarët botëror që në mënyrë artistike paralajmërojnë për nevojën që kriza të kuptohet dhe të reflektohet, e që asesi nuk gjen zgjidhje, por përkundrazi krijon një model krejtësisht origjinal për një zgjidhje dhe shpëtim me përmasa të dyfishta, e që është specifike për një shqiptar me vetëdije të një artisti botëror.
Ai e fillon këtë krizë në vargjet e para, mandej e refuzon atë duke i fyer poetët modern si shizofrenë të krizave shpirtërore, mandej kalon në përqafimin e vlerave dionisiane jetësore që në mënyrë metaforike simbolizon një anë të mbinjeriut të Niçes.
Në fund, klimaksin e arrin duke udhëtuar në kohë prapa, që t’i vetëdijësoj paraardhësit e tij t’mos përçahen kurrë, por ta mbajnë perandorinë e lavdishme të tyre të bashkuar ashtu që t’i ndryshoj e sotmja e cenuar e vet poetit të censuruar.
Pra, shpëtimin poeti e arrin dhe orienton jo në vlerat humanitare të shprehura në mënyrë artistike qe asesi nuk po e shpëtojnë botën, por në forcën e gjakut të tij, bashkimin, vetëdijesimin dhe rilindjen e kombit të tij të lavdishëm.
Këtu po jua sjellim poezinë e tij të vitit 1998 “ Më trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë”, ku edhe këtu në mënyrë të dyfishtë, shprehet artistikisht kriza dhe tendenca e çlirimit nga zgjedha: sa nga barbarët serb, që vazhdimisht në programin e tyre ka qenë përndjekja e shqiptarëve nga trojet e tyre, aq edhe nga përdhunuesi i njeriut industrial grabitqar të shekullit të XX-të që po e cenon ekologjinë dhe mbijetesën e planetit tonë. Nga vargjet “Derrat na kanë vërshu për shumë mote – E s’po mundemi me i largue” që aludon në pushtuesit, vazhdon në vargjet e radhës “Na kanë thye dyert dhe dritaret e gazetave – Na kanë bo pis miellin dhe ujin e kullum” që tani aludon më shumë në njeriun e shprishur të komercializuar industrial që reklamon ushqim dhe pije industriale në njëmijë ngjyra dalldisëse për të tërhequr njerëzimin në konsumimin e tyre, që në fakt janë ndyrësira të sheqerosura dhe mjaft të dëmshme për njeriun.
Muharrem Elezi – Shkrimtar
M’trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë
Agron Elezi (Qershor 1998)
Derrat na kanë vërshu për shumë mote
E s’po mundemi me i largue
Na kanë thye dyert dhe dritaret e gazetave
Na kanë bo pis miellin dhe ujin e kullum
E s’po mundemi me i largue
Na përlyen fytyrën dhe bardhësinë e trurit
Na i kanë coptue ardhmëritë dhe kufomat tona
Na i humbën edhe hijet e gurëve shekullor të zotërave
E s’po mundemi me i largue
M’trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë
Se si të shpëtojmë ishullin tonë të virgjërisë
Se si ta shuajmë gjëmimin e borive apokaliptike
Se si ta largojmë kundërmimin e qelbësisë
Se si t ‘shpëtojmë kopshtin tonë dhe planetin e ardhmërisë./ KultPlus.com
Doli prej shtratit dhe u nis në kuzhinë. Secila përpjekje për të fjetur sikur e kthjellte edhe më shumë. Vendosi të bënte një kafe turke. Më shumë kishte nevojë për ritualin e kafes, se sa vetë kafenë. Në fakt, kafeja, pija e saj më e preferuar nga të gjitha, i bënte shumë keq. Gjithçka që i jepte energji i shkaktonte në të njëjtën kohë edhe ankth. Hodhi kafenë dhe sheqerin dhe e la ujin të vlonte. Nuk kishte gota të pastra, e mori njërën nga grumbulli i madh që ishte mbledhur dhe e lau. Kafja vloi. Kjo pjesa kur duhet të priste kafen derisa sa ftohej ishte arsyeja pse përtonte të bënte kafe turke. Doli në ballkon, do ta shoqëronte me një cigare dhe ndërkohë kafja do të ftohej më shpejt. Ajri i ftohtë ia dha ndjenjën se po merrte frymë më me lehtësi. Në ballkonin përballë dritat e vogla shumëngjyrëshe ndaleshin e ndizeshin nën shtresën e mjegullës, duke dhënë një efekt filmash. Ishte hera e parë që ajo nuk ishte e trishtuar për festat e fundvitit. Pasi i piu disa hurba kafeje, ndjenja e njohur në stomak ishte aty. Si një vibrim i diçkaje të padukshme që kishte përfunduar në stomakun e saj. Për pak momente ajo kishte menduar që ndjenja e ankthit kishte përfunduar bashkë me gjumin. Megjithatë ndihej e lumtur dhe ankthi nuk ishte i zakonshëm. Më shumë i ngjante një lloj euforie. Si kur mezi pret diçka të mirë të ndodhë. E përfundoi cigaren dhe hyri në dush. Në ujin pak më të nxehtë se sa ishte e shëndetshme ajo qëndroi për një kohë të gjatë.
E ndali ujin dhe me peshqir e thau trupin. Filloi të vishej. Zgjodhi një prej bluzave të zeza bashkë me një palë pantollona të së njëjtës ngjyrë. Kur bëhej gati pa pasur ide të saktë ku do të shkonte pshtjellohej, por sot i pëlqeu, iu duk se atë kuptim kishte liria. E mori edhe një cigare të cilën e thithi duke e gjerbur pjesën e mbetur të kafesë. U zhvesh prap dhe prej dollapi nxori një fustan të zi të gjatë me një prerje asimetrike, përfundi të cilit nuk veshi asgjë. Donte të ndiente të ftohtin tek i futej në trup direkt dhe lëkurën që i përshkohej prej mornicave. Mbi të veshi edhe pallton e gjatë e të zezë dhe i lidhi flokët. Përpos vathëve të thjeshtë, hallka ngjyrë ari, nuk vendosi asnjë zbukurim, por i pëlqeu vetja kur u pa në pasqyrë. Me gjithë atë kohë pa gjumë kishte pritur të shihte rrathë të zinj poshtë syve, por në fakt lëkurën kurrë nuk e kishte pasur më mirë. Rrathët e zinj që i kishte tashmë prej fëmijërisë, ishin zhdukur. Dukej më mirë se pas një gjumi të qetë. Filloi të mendonte që ishte për shkak të dritës.. Ndoshta më në fund ia kishte gjetur pozicionin e përshtatshëm pasqyrës të cilës ia ndërronte vendin kohë pas kohe. Në apartamentin ngjitur saj, dikush po dëgjonte një këngë të famshme me motive krishtlindjeje. Nuk i pengoi sikur i pengonte zakonisht. E mori çantën dhe doli prej banesës.
Qyteti i shëmtuar kishte marrë një lloj bukurie të trishtuar prej mjegullës. Asaj i kishte pëlqyer gjithmonë kjo lloj kohe edhe pse nuk bënte asgjë mirë. Mirëpo, kishte diçka madhështore, diçka që i kujtonte përrallat me mesazhe ogurzeza. Edhe njerëzit mbylleshin dhe i rrallonin daljet. Sidomos në mëngjes qyteti dukej si i braktisur. Vendosi të ndalej për të pirë edhe një kafe të njëri nga lokalet përballë qendrës së qytetit, në një vend ku mund të pinte cigare. E porositi një kafe. Vetëm në dy tavolinat e tjera kishte njerëz. Në njërën një burrë dhe një grua, ndërsa në tjetrën një burrë rreth të dyzetave. Çifti nuk dukej edhe aq interesant, ndërsa burri i vetmuar kishte një sharm të çuditshëm. Kamerieri, një djalë i dobët, ia solli kafenë dhe e uroi t’i bënte mirë. Nora e ndezi një cigare. Burri ia nguli sytë. Ajo tentoi të mos vështronte më nga ana e tij. Nuk u ndje e bezdisur prej gjestit të tij, por as e lajkatuar. Sikur nuk kishte kapacitet të përjetonte emocione të shkaktuara prej të tjerëve. Burri i dukej joshës, por ajo nuk ishte me të vërtetë aty. Lumturia, pagjumësia, a çkado që kishte ndodhur me të, e kishte tëhuajsuar. Ajo ndihej më gjallë se kurrë dhe kjo e largonte prej të gjallëve të zakonshëm. Pagoi dhe doli. Nuk e kuptoi pse u nis në drejtim të stacionit të autobusëve.
Në rrugën përballë banesave në një qoshk mes shkurreve që e rrethonin oborrin, asaj iu duk se i pa këmbët e zbathura të dikujt. Iu ngjeth mishi. Filloi të paramendojë raste të ndryshme krimesh që kishte dëgjuar. U afrua me frikë, duke qenë pothuajse e sigurt se ishte ndonjë i vdekur. Iu duk vajzë. Kur u afrua e pa një djalë lakuriq të shtrirë pa vetëdije. Lëkurën e kishte të bardhë me një nuancë në ngjyrë ari. Nuk ishte nuancë e zakonshme e njeriut, as edhe të vdekurit. Kur iu afrua edhe më shumë e pa se ishte shumë i bukur. Flokët i kishte në ngjyrë të ngjashme me lëkurën. Lëkura e tij kishtë një shkëlqim që e bënte jotokësor. Ajo u përkul më afër tij, duke dashur ta dëgjonte nëse ende merrte frymë dhe pa se shkëlqimi i lëkurës vende-vende merrte nuancë të gjelbër, që ngadalë shndërrohej në luspa të vogla që valëviteshin në ritmin e frymëmarrjes dhe zhdukeshin prapë. Sikur te peshqit ose zhapinët. Ajo e afroi dorën por nuk guxoi ta prekte. Ai mori frymë thellë dhe pshehrëtiu përgjumshëm. Do të thotë ishte gjallë. Ajo pa rreth e rrotull për t’i gjetur rrobat e tij, apo ndonjë dokument identifikimi. Asgjë. Nora e mori telefonin dhe instinktivisht shtypi numrin e taksisë. Tentoi ta zgjonte, por ai dukej në gjendje deliri. E zhveshi pallton dhe disi arriti ta ngrinte dhe t’ia veshte sa ta mbulonte sadopak. Gjatë gjithë kohës vështronte përreth sikur po bënte ndonjë krim. Taksia erdhi. Ajo e luti taksistin, që po e shihte djalin i habitur, t’i ndihmonte ta fuste në taksi. I tha se ishte i dashuri i saj, që ishte i varur nga alkooli. Taksisti prej aty deri në shtëpi nuk u ndal së treguari histori për vajza të mira që përfundojnë të dashuruara në djem të pavlerë. Megjithatë e ndihmoi, duke e bartur djalin në krahë deri sa arritën në banesën e saj. Ajo hyri brenda, djalin e la në shtrat dhe e mbuloi me një jorgan të hollë. E falenderoi taksistin dhe i la një bakshish. E hapi dritaren dhe e ndezi një cigare. Përballë saj, në shtrat djali po flinte. Disi ishte ndjerë pak më e lehtësuar që edhe taksisti e kishte parë, ndryshe do të mendonte që ishte çmendur. Por ai ishte i vertetë, edhe pse ajo nuk e kuptonte çka ishte ai. Ndonjë qenie e krijuar prej ndonjë mutacioni? Apo ndonjë lloj krijese mitologjike, gjysëm-njeri, gjysëm… zhapi? çka duhej të bënte me të? Në fillim mendoi të kontaktonte të fejuarin e një prej shoqeve të saj që ishte mjek, por nuk e bëri. Mendoi që kushdo që do ta shihte se si i shndërrohej kohë pas kohe lëkura, do të tentonte ta shndërronte në një projekt laboratori. Pyetje të tjera të shumta po i vinin në mendje, a hante ushqim si të gjithë njerëzit e tjerë? Sa gjatë do t’i duhej ta mbante në apartament? I dashuri i saj do të fillonte të dyshonte. Për disa ditë do të mund ta mbante larg apartamentit me arsyen se kishte nevojë për të qenë vetëm, por s’mund ta bënte gjatë. U afrua dhe u ul pranë tij në shtrat. Ishte aq i bukur sa nuk dukej i vërtetë. Vetëm duke e paramenduar veten tek puthej me të u skuq. U ngrit prapë në këmbë, ai ishte aq joshës, sa kur ishte afër tij i vinte ta prekte. Po t›ia kishte përshkruar dikush këtë krijesë, ajo do ta kishte menduar të frikshme dhe të neveritshme, një njeri me lekurën që herë-herë i ngjan asaj të zhapinit, mirëpo ajo vetëm frikë nuk ndiente. Doli prej dhomës së gjumit, e hapi laptopin dhe kërkoi ndonjë mit apo çkado që mund të gjente për njerëz me luspa. Asgjë që lexoi nuk iu duk e ngjashme me qenien e shtrirë në shtratin e saj. Disa legjenda që flisnin për një racë të ardhur nga qielli, që ngjanin si reptilë të stërmëdhenj, por ata përshkruheshin si shumë të shëmtuar dhe të neveritshëm. Ndoshta ishte një mutant, mendoi ajo./ KultPlus.com
“PA LIMIT” Ekspozitë Galeria e Fakultetit të Arteve të Kosovës 17. maj, 2022, Prishtinë
Ekspozitë artistike, instalacion konceptual, e kuruar nga Ismet Jonuzi, skulptor dhe pedagog në Fakultetin e Arteve të Kosovës, me pjesëmarrjen e Adem Rusinovcit – skulptor dhe pedagog, të Mehmet Behlulit, piktor dhe pedagog dhe të Driton Selmanit, piktor!
Paraqitja artistike nga pikëpëmja estetike ishte brenda logjikës së teatrit performativ – Ideja ishte sendërtuar mbi rekuizita reale që nxirrej në qendrën e mediumit skenik bota irreale në relacion me tematikën, e trajtuar nëpërmes figurës, si metafor dhe simbol i një teatri absurd.
Ekspozita kishte shtrirje filozofike brenda një gjeografie të caktuar, ndërsa ndriçimi filmik ishte zgjedhje adekuate për formatin.
Artistët duke përdorur imagjinatën e tyre riprodhonin përfytyrime – relikte kujtese mbi të kaluarën tonë të hidhur, që risemantoheshin figurshëm me disa objekte të caktuara, të cilat, për rrethana të reja, evokonin emocione në relacion me monedhat evropiane që ndërlidheshin me baterinë e ekzistencës sonë dhe me tabelën e fatumit shekullor që ka qenë dhe mbetet sinonim i fjalës ”kismet” – madje ky sllogan ngelet sinonim shekullor.
Armët, lulet e vyshkura, karriget e kalbura, bunari i mbuluar me gjethet e monedhës evropiane, kova e kuqe e kthyer mbrapsht, tabela e rrëzuar, janë rekuizita, me të cilat loznin bukur kreatorët e shfaqjes pamore – formë artistike e trasuar mes sikurit të dokumentarit si fenomen dhe sikurit të shprehjes si formë artistike!
Adem Rusinovci -Pedagog – Skulptor
Adem Rusinovci, kishte zgjedhur bunarin dhe monedhat evropiane që e lidhin trungun evropian me bunarin e një forme të re aplikative. Gjetja e Rusinovcit ishte qe atraksion estetiko-filozofik, e cila, në vetvete trumpetonte ngushtimin e universit të manovrimit të mendjes së njeriut.
Nëpërmes këtij modeli shprehës, Rusinovci piketonte në thelbin e problemit dhe në adresën e synimeve të njeriut bashkëkohor: Por cili është synimi i popujve me bunare të shterruara – kjo është pyetje më tepër retorike..!? Pra, konteksti ideor i kësaj drame artistike, e shprehur në frymën e formatit pamor – dikush e quan instalacion pamor, të tjerë i’a vënë një emër tjetër, ndërsa, për mendimin tim, kjo mënyrë e shfaqjes, ishte format i filmit pa zë – krijohej imazhi i celuloidit gjersa me qindra e mjëra monedha evropiane (1 euro) – punë dore, qëndronin në ajër, si formë e re e oxygenit të njeriut bashkëkohor, të cilat krijonin dinamika dhe tërheqnin zvarrë syrin e lakmisë gjersa fluturonin mbi kokat e publikut. Pra, ishte një formë artistike që dukej bukur qoftë nga aspekti estetik qoftë ideor. Në syzheun ideoestetik dhe në përcepcionin operativ, ecuria fabulare ishte në harmoni mes autorësh. Mjetet e tyre shprehëse qëndronin në relacion me temën. Lulet, armët, karriga, tabela orientuese, secila prej tyre, kundronte brenda pentagramit harkor-ideor, madje sintetizohej mirë dhe në kuptimin estetik. Monedha ka një shumësi dimensionale në zbërthimin e saj. Qëllimi i autorit është provokimi i intuitës publike. Monedhën fundja e zotëron universin e bunarit ndërsa kova e kuqe dhe dërrasa e bardhë, ngelen brend simbolik – ndaras prej të gjithave. Në vetevete, Rusinovci është krijues, mIshëron idetë e tij mirë dhe në vend të duhur i vendos, ndërsa detajet e bëjnë unike tërësinë e veprës. Bunari këtë rast ishte mirë i motivuar, fakti që përkonte dhe me diktaturën, me izolimin e mendimit, me etjet për dije, për shkencë, për art të mirëfilltë, për humanizmin, në të kundërtën e saj, kutia e bunarit, kishte perspektivën e një bunkeri – bunkerizim i mendimit të lirë, sikundër që, shtrihej dhe dimensioni i një varreze masive të luftës së fundit të ish Jugosllavisë, fakti që, janë gjetur një mori kufomash brenda tyre. Ka dhe dimensionin e pasurisë nëntokësore, për të cilën janë zhvilluar luftërat rajonale….!
Mehmet Behluli – Pedagog, Piktor!
Mehmet Behluli, kishte zgjedhur lulet dhe karriget e vjetra si mbetje të njollave të një epoke tjetër, aty këtu ndonjë copë a fletë libri, e kapur për karriges, që koincidonte ndjeshëm me fatumin e popujve të vyshkur. ndërsa, në kalendarin kronologjik këto rekuizita fragmentonin të ftohtin e egër, të cilat, kanë derivuar thatësi – tharje të bimëve familjare pa të cilat stagnon kuptimi për jetën. Lulet e vyshkura përqonin ndjesi për gruan, për vyshkjen e fetusit femëror – sikundër dhe për perspektivën e njeriut të ri, madje, ato ishin të lidhura ngushtë me bunarin e perspektivës evropiane, dhe me armët skulpturale të që kanë prodhuar tropikalizëm Afrikan në trendin ballkanik ndërsa si mjet shprese ngelej tabela orientuese me sllogani shekullor ”Kismet” të autorit Driton Selmani.
Në kuadër të kësaj platforme ideore-konceptuale fshehej magjia artistike dhe botëkuptimi ideo-filozofik. Behluli kishte përdorur arsyeshëm dhe argumentueshëm element të pikturës si dimension më vete, mbi të cilën pa u diktuar, kishte sendërtuar idenë e luleve dhe njollave të kuqe mbi pëlhurën – lëkurën tonë, madje, tendenca kapërcente kufinjtë e gjetjeve unike, duke i futur në proces pune disa gjëra me element tërësisht rutinor si: qesja e najllonit, si ndotës i ambientit në një rrethanë tjetër, ndërsa, këtu e përplotësonte mozaikun e kuptimit ideor!
Pra, Behluli, gërsheton arsyeshëm dhe bindshëm pikturën me zooparkun e luleve. Kambana e mesazhevë ishte sa humane po kaq dhe politike. Në karrige duhet dominoj arsyeja, ndjeshmëria e nderit. Paraqitja artistike ishte kuruar mençur dhe magjishëm, ngase, parafabrikohej kopshti familjar i familjeve të djegura, të vrara, të zhdukura, të dhunuara, në të cilat përvec vyshkjes, në ndonjëren nga vazot kishte dhe dromaca jete – ndonjëra mes luleve i kishte mbijetuar thatësisë, kjo qe gjë e mirë për optimistët, madje, në këtë format kërkimor artistik, Behluli ka gjetur tabelën e identifikimit të tij në paraqitjet artistike.
Ismet Jonuzi – Pedagog, Skulptor!
Nëpërmes armëve të luftës, sendërton themelet e shtëpive të shoqërive të dala nga lufta, dhe të atyre që duan të tregtojnë zemrat e njerëzve të frustruar, duke ua rikonfiguruar jetën mbi rrënojat e mjeteve të luftës.
Nga perspektiva vizuele, zemra e hekurt, e punuar me copa armësh, është shprehje adekuate e Jonuzit, në relacion me luhatjet e mëdha që kanë ndodhur në hartën e rajonit ballkanik sidomos. Por jo vetëm territori rajonal – armët nuk përkufizohen me territore e vende. Punimet e tij dukeshin bukur edhe si skulptura, si gjetje sidomos, për më tepër peshonin nuk kuptimin ideor, sikundër që, në aspektin fizik, rezultonin në format skenografie të një teatri filozofik.
Si motiv bazë, zemra e salduar nga tytat e armëve, godet në zemrat e njerëzve që ushqejnë mendjet e tyre me krisma kundrejt dinjitetit njerëzor, (shih njollat e kuqe në pikturën e Behlulit apo në kovën e Rusinovcit, ose drandofilin e kuq të autorit në fjalë). Pra, dimensioni skulpturor i Ismet Jonuzit, futet në rrafshin e retorikës politike dhe të mendësisë së tryezës së luftës, përmes së cilave, të fortit, ndërtojnë kauzat e tyre, duke ngritur deri në kulmin e marrëzisë muret e shtëpisë, si një parafabrikim i logjikës diktatoriale.
Pra, segmenti i këtij krijuesi ndërlidhet me diktaturën e popujve të egër, megjithëse, ambientin e kishte krijuar sikur çdo gjë është në funksion të jetës, marrë parasysh, tryezën, lulet e kuqe mbi tryezë, pastaj shtëpinë e fildishtë përbri dhe lapidarin e zemrës së njerëzve me zemër të çelikosur. Pra, fenonomenin hekur – apo kallashnikov, që bazën e prodhimit e ka në Rusi, artisti e formulon në një rrafsh artistik, me të cilin, përveç mesazheve të çarta ndaj forcës së tytës, përçon dhe idetë e tij estetike, me të cilat krijon universin artistik, duke i përdorur armët për të sendërtuar botëkuptimet e tij për artin. Pra, armën e paralizon me forcën e saldimit ne vepër arti. Dimensionet kërkimore të skulptorit Jonuzaj dekodojnë kode dhe limite në relacion me misionin dhe qëllimin e daltës së tij.
Driton Selmani – Piktor Ishte brenda këtij brendi artistik, nisur nga moduli i përshtatjes me akterët kryesor të kësaj ekspozite, duke i zbërthyer limitet e kohës së tij me limitet e njerëzimit, nëpërmes një tabele rrugore me ngjyra ta flamurit të Ukrainës, e cila e kishte dimensionin e orientimit të njeriut bashkëkohor. Pra, ekspozita tërthorazi prek dhe në dimensionin human. Tabela ishte nxjerrë dhunshëm ose është goditur me mjete të forta, që dëfton kaosin e organizimit urban, ndërkaq, mbështetja e saj në mur pa ndonjë bazament, tregon ekzistencën tonë pa një bazë qëndrueshmërie për synimet tona. Ndërsa, brenda saj, kishte sistemuar limitet e fundit të baterisë, orën, dhe slloganin ”KISMET” me të cilat paraskicon madje dhe mesazhe të caktuara në varësi të të limitit të baterisë – përkthyer në gjuhën artistike beteria ndërlidhej me zemrën moderne që funksionon me gjakun teknologjik. Performanca e tij ndërlidhej me reflektimin ”merre ose lëre”. Vrapo pas ”kismetit” tënd ose dorëzohu para kësaj logjike tabelare. Megjithëse, shpresa për një qetësi meditative ngelej brenda bunarit të dëshirës.
Si slogani ideoestetik, shpërfaq meteorët e mendimit mbi rezultatin dhe sanksionimin e mendjes së njeriut që truri i tij, shikimi, dëshirat, ambicjet, intuita ishin të kurdisura brenda kësaj logjike, pa e përjashtuar dhe ironinë që kishte brenda modulit botëkuptimor.
LIDHJET IDEORE
Bunari në hyrje të galerisë, monedhat si ambrellë dhe metafor që lidhej me tavanin qiellor, për të cilin ëndërron truri njerëzor. Pastaj, simbolika e parasë në relacion me kohën dhe me universin e qëllimit, unifikimi i Evropës brenda një monedhe si standard i pakapërcyer monetar në mes tokës dhe qiellit, ku do të parashtrohej në formë të kërkesës për ne siç është ajri nevojë jona për të qenë pjesë e Evropës së unifikuar. Pastaj dimensioni korruptiv që kontekstualizohej me thellësitë e bunarit dhe të mendjes së njeriut, dhe monedha si iluzion varshmërie, të cilën e krijuan evropianët, e cila ngelet peng tabelar – për të ardhmen e këtij rajoni specifikisht. Enigma vazhdon të qëndroj brenda bunarit, madje, enigma mbetet magnum shpirtëror me të cilin do të përballemi më tej, ndërsa, monedha evropiane do të derivoj një shumësi pyetjesh? Cila prej tyre e shuan etjen – monedha apo bunari? Kush është më afër qiellit bunari apo monedha!? Të gjitha këto detaje, janë pasazhe retorike me të cilët krijohet skeleti kritik mbi këtë ekspozitë konceptuale, formë kjo, me të cilën, artistët kanë krijuar botëkuptimin e tyre artistik, brenda logjikës së tendencës kërkimore në stil, zhanër, në gjetje hapësinore, gjithnjë, duke i kursyer maksimalisht ngjyrat dhe furçën e piktorëve klasik. Ekspozita në vetvete ka dhe dimensionin e ehos, fshehej edhe gjuha poetike në strumbulloin e saj, madje, fshehej dhe bukuria përrallore e kinemasë, dritë-hijet shpërfaqnin monedhaët e mendimit publik të publikut. (Autori merret me kritikë përveç dimensionit teatror)./ KultPlus.com
Finalja e madhe e “Conference League” në Tiranë ka sjellë me dhjetra tifozë në kryeqytet, duke e bërë kështu të nevojshme një strukturë të mirëorganizuar, që 25 maji të mos ketë incidente të asnjë lloji.
Një hartë, që ndihmon qytetarët për të lëvizur në kryeqytet gjatë ditës së mërkurë, është shpërndarë nga policia.
“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoordit, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, më datë 25 maj.
Harta, e përpiluar në shqip e anglisht tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete, në këtë datë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në zonën ngjyrë kafe në hartë është shënuar zona e dedikuar për këmbësorët. Në rrugët e vijëzuara me ngjyrë të kuqe nuk lejohet qarkullimi, përveç automjeteve të autorizuara dhe emergjencave, rrugët e vijëzuara me të verdhë janë të dedikuara për automjete që kanë bileta për të parë ndeshjen në stadium. Rrugët me portokalli janë të dedikuara për emergjencat, ndërsa rrugët e ngjyrosura me blu janë për ata që do të hyjnë në stadium.
Rret 35 ultras të Romës dhe dhjetëra tifozë mbërritën këtë mëngjes në portin e Durrësit, për të ndjekur nesër skuadrën e preferuar që luan kundër Feyenoord-it në finalen e Conference League. Para se të nisnin dhe shijonin qëndrimin e tyre në Tiranë, të gjithë tifozët kanë marrë disa këshilla për mënyrën sesi duhet të sillen. Ata janë paralajmëruar të zbatojnë rregullat më poshtë:
1. Shmangni ecjen vetëm ose në grupe të vogla.
2. Mos merrni me vete flamuj apo simbole të tjera. Do të ofrohen vetëm kur të mbërrini në stadium.
3. Vendtakimi ku do të grumbullohemi për të shkuar drejt stadiumit do të konfirmohet më vonë.
4. Respektoni qytetin që po na mirëpret”.
Këtë të mërkurë, më 25 maj, Tirana do të presë finalen e parë të Conference League, atë mes Romës dhe Feyenoord, që do të luhet duke filluar nga ora 21:00, një moment historik në futbollin shqiptar, pasi për herë parë në vendin tonë organizohet një event i tillë. Burimi: Euronews, Top Channel./ KultPlus.com
Trupi diplomatik në Kosovë ka shkuar për ta vizituar Manastirin e Deçanit pas thirrjes që disa prej tyre i bënë Qeverisë së Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës rreth këtij manastiri.
Diplomatët u pritën nga igumeni Sava Janjiq, derisa për këtë vizitë, përmes Twitter, njoftoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
“I lumtur që iu bashkova kolegëve nga trupi diplomatik i Kosovës në një vizitë te Manastiri i bukur dhe historik i Deçanit”, ka shkruar Hovenier.
Delighted to join colleagues from Kosovo’s diplomatic corps on a visit to the beautiful, historic Decani Monastery. pic.twitter.com/flgAEq2Saw
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 24, 2022
Më 20 maj, kur u bënë gjashtë vjet që nga marrja e vendimit të Kushtetueses, shtetet e QUINT’it me një deklaratë të përbashkët, për të katërtën herë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.
“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar”, thuhet në reagimin e tyre./ KultPlus.com
Në një ceremoni solemne në Kolegjin AAB sot nisi i vetmi festival i studentëve në vendin tonë, “Prishtina Arts and Architecture Festival”, ku të pranishëm ishin dashamirë të artit, studentë e fytyra eminente të fushës së kulturës në Kosovë.
Festivali PAAF 2022 këtë vit numëron edicionin e tij të tretë dhe do të zgjasë dy ditë. Hapjen e festivalit, e bëri rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, ndërsa Drejtori i Bordit të Festivalit PAAF2022, Shyqri Nimani u shpreh i lumtur që puna e studentëve po arrin të shpaloset përgjatë festivalit. Ndërsa, gjatë ceremonisë hapëse çmimi “Profesor Nderi” ju nda Shyqri Nimanit për kontributin shumëvjeçar dhënë në fushën e arsimit dhe ngritjen e cilësisë në këta sektorë si dhe kontributit të pareshtur në avancimin e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB. Dita e parë e festivalit PAAF 2022 vazhdoi me ekspozitën kolektive të studentëve të Fakultetit të Arteve, ku u prezantuan qindra punime të studentëve të cilat në vete përmbajnë mesazhe të ndryshme.Prishtina Arts and Architecture Festival do të vazhdojë të mbahet edhe nesër në hapësirat e Kolegjit AAB (24-25 maj 2022), dhe për shikuesit do të ofrojë edhe një varg aktivitetesh të tjera e punëtorish artistike./ KultPlus.com
Policia e Kosovës bëri të ditur se pas kontrolleve të kryera në hapësirën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, alarmi për mjete shpërthyese ka rezultuar të jetë i rremë.
Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se rreth orës 12:00 kanë pranuar informatën se dyshohet për shpërthime të mundshme në Rektoratin e UP-së.
“Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, thanë nga Policia e Kosovës./ KultPlus.com
Sjellim dhjetë thënie nga presidenti historik Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.
Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.
Kosova është një vend i vogël, por ka aq shumë pasuri që ia ka falur Zoti.
Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.
Kosova sot është më pranë Evropës se vendet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore.
Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70% të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.
Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.
Ne kemi euron monedhë, çka do të thotë shumë. Ajo nuk e ka stabilizuar vetëm situatën në Kosovë politikisht dhe ekonomikisht, por i ka lehtësuar edhe kontaktet e drejtpërdrejta që kemi me Europën.
Sa i përket shqetësimit që shpreh Serbia, ajo nuk ka të drejtë për të ndikuar në privatizimin apo të kërkojë ndonjë pronë, sepse Kosova është një ish-anëtare e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.
Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE dhe NATO; si dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA. / KultPlus.com
“Çdo gjë në jetën time nuk do të kishte asnjë kuptim, nëse nuk do të jetoja një jetë në shërbim të njerëzve të tjerë. Nuk e dija se çfarë do të thoshte një gjë e tillë, pasi karrierën time e nisa mjaft e re dhe shqetësohesha vetëm për veten time. Vetëm kur nisa tëudhëtoja dhe të shihja përtej shtëpisë sime, arrita t’i kuptoja përgjegjësitë e mia për të tjerët. Kur njoha të mbijetuar të luftës, të urisë dhe përdhunimit, mësova se si është jeta për shumicën e njerëzve në këtë botë dhe se sa me fat isha që kisha ushqim për të ngrënë, një çati mbi kokën time, një vend të sigurtë për tëjetuar dhe një familje të shëndetshme. Atëherë kuptova se sa e pakuptimtë kishte qenë jeta ime dhe u betova të mos jetoja mënë të njëjtën mënyrë.
Jemi të gjithë kaq me fat, ama nuk e kam kuptuar asnjëherë pse disa njerëz lindin me fatin që unë kisha të ndiqja rrugën qëndoqa në jetë. Ndërkohë në anën tjetër të botës mund tëekzistojë një femër tjetër njësoj si unë, me të njëjtat aftësi, dëshira, etikë pune dhe dashuri për familjen e saj, që mund tëbënte filma dhe të mbante fjalime edhe më të bukura se unë, por që jeton në një kamp dhe nuk ka zë për t’ia dalë mbanë. Ajo shqetësohet se çfarë do të hanë fëmijët e saj, se si do t’i mbajëata të sigurtë dhe si do t’ia dalin të kthehen sërish në shtëpi.
Nuk e di pse kjo është jeta ime, dhe ajo është jeta e saj. Nuk e kuptoj një gjë të tillë, por do të bëj atë që mamaja ime mëkërkoi. Do të bëj maksimumin në jetë, në mënyrë që t’u shërbej të tjerëve më së miri. Të mbaj sot një fjalim të tillë, do të thotëse kam bërë atë që ajo më ka kërkuar. Nëse ime më do të ishte gjallë, me siguri do të ishte tepër krenare për mua në këto momente”. – Angelina Jolie./ KultPlus.com
Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.
Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe.
Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.
Zoti Dajrexhi
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij
Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi M’u tret nëpër duar tani më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar të njohur asnjë s’kam takuar Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij
më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje
Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje që pastaj rrugëve të endem jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem Që pastaj në të të tretem
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij
E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht Është thjesht një vrap në arrati drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh
Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet e në ritmin e dajres tënde përdridhet, është thjesht një klloun që vërtitet një i pavlerë që nuk shqitet është thjesht një hije që përpiqet ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij
Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim
Larg gjetheve të ngrira Tek pemët strukur e harruar, Në plazhin me erë harbuar Larg nga laku i shtrënguar I të çmendurit trishtim
Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri me siluetën e detit pa kufij Zhytur në rërë si në cirk Futur thellë nën valë me nxitim Deri nesër, të sotmen po e le në harrim
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij./ KultPlus.com
Në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në prani të zëvendësambasadorit të SHBA-ve, z. Nicholas Giacobe dhe përfaqësuesve të shoqatës “Vatra”, Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, e dekoroi z. Jim Xhema me Urdhrin e Lirisë.
Ai ishte dekoruar më parë edhe me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova. Në të njëjtën ceremoni, Presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin dr. Ibrahim Rugova edhe z. Christopher Hyland.
Presidentja Osmani ka vlerësuar kontributin e të dekoruarve për afirmimin e çështjes së Kosovës ndër vite.
“Duke e rikthyer vëmendjen te miqtë e Kosovës e atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave./ KultPlus.com
,,Arsimi: Ta ndërtojmë të ardhmen së bashku – më të fortë, më të guximshëm, më të mirë”, është tema e sivjetme e Forumit Botëror të Arsimit 2022, i cili po mbahet në Londër, e ku po merr pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Në këtë Forum, po marrin pjesë ministra të arsimit nga vende të ndryshme, politikbërës dhe ekspertë, të cilët po diskutojnë për çështje dhe sfida të përbashkëta të arsimit.Me këtë rast, ministrja Nagavci shprehu kënaqësinë e saj që gjendet në këtë panel, që fokusohet në përmirësimin e arsimit dhe të të mësuarit, ndërsa tha se kjo kërkon që nxënësit të besojnë në veten e tyre, në suksesin e tyre në shkollë dhe është detyrë e sistemit arsimor t’i ndihmojë ata të krijojnë besimin në aftësitë e tyre.
Në këtë drejtim, Ministrja theksoi nevojën e ndërtimit të besimit mes institucioneve arsimore, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojnë në përmirësimin e performancës në arsim.Duke folur për vështirësitë aktuale me të cilat po ballafaqohet arsimi, ministrja Nagavci përmendi se Kosova ka një sistem të vlerësimit të performancës së mësuesve, por për momentin ai nuk është i lidhur me ndonjë skemë shpërblimi dhe zbatimi i plotë i tij mbetet sfidë.Po ashtu, Ministrja tha se mundësitë për zhvillim profesional të mësimdhënësve janë të kufizuara dhe planifikojmë ta rishikojmë shumë shpejt për ta bërë më funksional dhe efikas.Ajo theksoi se Qeveria po mbështetë mësimdhënësit dhe nxënësit në punën e tyre dhe ngritjen e performancës, ndërsa tha se duhet të punojmë në atë drejtim duke mësuar edhe nga përvojat e sistemeve të tjera arsimore dhe duke përshtatur praktikat e mira me kontekstin tonë.Forumi Botëror i Arsimit sivjet po shqyrton se si vendet kanë kërkuar të rivendosin pjesëmarrjen e të rinjve në arsim, duke përfshirë përdorimin efektiv të mësimit në distancë aty ku është e nevojshme; çfarë strategjishë plotësuese janë përdorur për të trajtuar humbjen e të nxënit; si vendet kanë adresuar nevojat e më të cenuarve dhe më të pafavorizuarve dhe masat për të mbështetur mirëqenien e komuniteteve shkollore./ KultPlus.com
Lajmin për alarmin e ka konfrimuar zëdhënësja e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 12:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situaten”.
Kitara Fender Mustang e Kurt Cobain e vitit 1969, të cilën artisti i ndjerë e kishte përdorur në videon e Nirvana-s te “Smells like teen spirit” është shitur për 4.5 milionë dollarë në ankand.
Kitara elektrike ka qenë e ekspozuar në Projektin e Muzikës Eksperience të Seattle, të riemërtuar tani Muzeu i Kulturës Pop, shkruan rtv21.
Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të zgjedhjeve parlamentare, Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot emeton emisionin e ri të pullës postare të titulluar: ”30-vjetori i Zgjedhjeve Parlamentare-Presidenciale”.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 në Republikën e Kosovës kishin rëndësi të veçantë historike, kombëtare e shtetërore.
Në Kosovë më 24 maj 1992, me simbolikë shtet-formuese, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës.
Me shumicë të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës.
Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të vitit 1992, e dëshmoi përpjekjen e popullit për një shtet demokratik, prandaj përmes imazhit të kësaj pulle postare, Filatelia e Postës së Kosovës e nderon këtë ngjarje historike të vendit tonë./ KultPlus.com
Një ditë para finales së madhe të Conference League, kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke postuar një foto nga eksodi i shqiptarëve i 32 viteve më parë, ku mijëra shqiptarë u nisën me anije drejt Italisë.
Në foton e ripostuar nga Twitteri i skuadrës së Romës e cila shkruan “Andiamo a Tirana (Le të shkojmë në Tiranë)”, Rama shkruan “Hajdeni, hajdeni”, pasi qindra tifozë priten të mbërrijnë nesër.
Ashtu si në 1990 në Bari u shpall gjendja e emergjencës, edhe Tirana ditën e nesërme do të “pushtohet” nga tifozët. Kryeqyteti nesër do të jetë në “dispozicion” të tyre pasi nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve dhe është shpallur ditë pushimi.
Roma dhe Feyenoord do të përballen të mërkurën në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane.
Anthony Albanese është kryeministri i ri i Australisë, dhe ajo që bëri më shumë bujë se sa zgjedhja e tij ishte mbiemri.
Mbiemri i tij në italisht rezulton të jetë “shqiptar” dhe britanikja The Guardian shkruan se ky term në Italinë jugore përdoret për të përshkruar një të ardhur nga Shqipëria. Për origjinën e Kryeministrit të ri të Australisë, Anthony Albanese, ka folur edhe gazetari i CNN-it, Andrew Kaczynski.
Në një postim në Twitter, Kaczynski ka shkruar se Albanese është shqiptar i Italisë, duke shtuar se edhe ai është arbëresh.
“Ai është shqiptar i Italisë. Mbiemri i tij është Albanese. Është arbëresh, siç jam unë”, ka shkruar Kaczynski.
He is an Albanian of Italy. His last name is Albanese. He is an Arbereshe like me. https://t.co/Z4vtHmQjLE
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka lansuar fushatën, përmes së cilës kërkon heqjen e taksave nga produktet menstruale.
Aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.
“Kujtojmë se ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm”, thuhet në thirrjen e RrGK-së.
Përmes kësaj fushate, RrGK synon të informojë qytetarët dhe institucionet për rëndësinë e zbatimit të politikave gjinore në vendosjen e taksave për produktet menstruale, si dhe rëndësinë e veçantë që merr kjo në rastin e Kosovës- duke ditur se vetëm 15.9% të grave në Kosovë janë të punësuara sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Fushata, ndër të tjerash, sjell në debatin publik faktin se menaxhimi i higjienës menstruale është çështje e të drejtave themelore të njeriut, e duke pasur këtë ndër mend, produktet menstruale nuk mund të vazhdojnë të tatohen si të ishin produkte luksi.
“Për të avokuar për këtë, RrGK me datën 28 maj-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, do të dërgojë te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar “Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale”. Dokument ky i cili fillimisht u nis nga organizata anëtare e RrGK-së, EcoKos Women (EKW), dhe paraqet qartë arsyet pse Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë apo të heqë krejtësisht taksat në produktet menstruale, e kështu të ndikojë në rritjen e mirëqenies së grave dhe të zbatojë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, ashtu siç edhe është zotuar. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë”, thuhet në njoftim.
“Ndër rekomandimet kryesore është që Qeveria e Kosovës të ndryshojë ligjin numër 05/L-037 për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi”, thuhet më tej në thirrjen e RrGK-së./ KultPlus.com
Në mbledhjen e fundit (maj 2022) që ka mbajtur Shoqata Ndërkombëtare “Miqtë e Nikos Kazantzakis” në Gjenevë, drejtuar nga kryetari themelues i saj, Jorgos Stasinakis, është vendosur që përgjegjës për Kosovë i shoqatës që ka për qëllim promovimin e shkrimtarit të madh grek, Nikos Kazantzakis, të jetë shkrimtari nga Kosova, Ag Apolloni.
Shoqata “Miqtë e Nikos Kazantzakis”, e cila ka degët e saj nëpër disa shtete, është themeluar me qëllim të promovimit, diskutimit, botimit dhe përkthimit të veprës së autorit grek nëpër vende të ndryshme të botës. Kazantzakis është njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit 20, autor i librave “Zorba”, “Tundimi i fundit”, “Letër El Grekos” etj.
Ag Apolloni, i cili ka shkruar dhe ka folur disa herë për rëndësinë e këtij shkrimtari në kuadër të letërsisë botërore, ka shprehur falënderimin e tij për këtë detyrë që i është besuar nga kjo shoqatë ndërkombëtare./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit, bashkë me ekipin e saj ka bërë homazhe te shtatorja e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.
“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike. Kjo ditë i kushtohet atij! Gëzuar, President!”, ka theksuar Presidentja në kujtim të kësaj dite.
Në Ditën e Presidentit, Presidentja Osmani pasdite do ta zhvillojë një vizitë në familjen e presidentit Ibrahim Rugova./KultPlus.com
Pas sukseseve të fundit si producente, kompozitore dhe këngëtare, me CD-projektin e saj për gratë kompozitore nga e gjithë bota të titulluar ‘’La Femme’’, Flaka Goranci së fundi ka udhëtuar për në Langenthal të Zvicrës, për të realizuar një ndër rolet më të mrekullueshme, atë të Carmen, në shfaqjen operistike me po të njëjtin titull të kompozitorit francez Bizet, shkruan KultPlus.
Është hera e dytë që ajo ftohet në Zvicër me po të njëjtin rol. Qysh herën e parë performanca e saj është vlerësuar mjaft lartë nga kritika zvicerane, duke njohur vështirësitë që ka ky rol, si vokale poashtu edhe në paraqitjen skenike.
“Carmen do ta ketë premierën më 22 qershor dhe gjithsejtë do të kemi 10 shfaqje. Gëzohem shumë që do të punoj me një ndër dirigjentët dhe regjisorët më me zë që ka ky vend. Meqenëse kësaj radhe ky produksion vjen me një koncept krejt të ri, kjo e bën akoma më interesant dhe me impenjativ këtë rol”, ka thënë Flaka Goranci për KultPlus.
Ajo më pas ka thënë se është kënaqësi e madhe që të këndoj në një vend si Zvicra. “Zvicra është një vend që e do punën dhe vlerëson talentin, dhe duke shikuar edhe anën tjetër të këtij shteti, që ka bërë kaq shumë për bashkatdhetarët tanë, ku ka pas një rol shumë të madh për krijimin e kushteve për integrimin e tyre, kjo paraqitje më jep edhe më shumë emocion”, ka thënë Goranci.
Kjo shfaqje operistike është duke u përgatitë me regjhisor Andrea Zogg dhe nën dirigjimin e Bruno Lauschner. Kurse shfaqja do të prezantohet në Gartenoper Langenthal./ KultPlus.com
Merre një grusht dhimbjeje Shto ca pika loti! E pak pluhur rrugësh të pasosura Pak aromë stinësh të harruara Në fund I shton erëza djegëse dashurie Dhe i hedh ca yje përsipër Dhe e lë të piqet Të piqet në zjarr të shpirtit Deri në agim… / KultPlus.com
Stefania, nânë, nânë, Stefania Fusha lulëzon, por ajo po thinjet Knoma nji ninullë, nânë Po du m’e ta ni fjalën amtare
Ajo m’përkundi; m’dha ritëm dhe me siguri edhe fuqinë e vullnetit; nuk mori, po dha Me siguri dinte edhe ma shumë se Solomoni Gjithmonë kâm me ecë kah ti nëpër rrugë t’prishta Ajo s’ka m’u çu, s’çohët, unë n’stuhi t’forta Ajo s’ka m’i marrë dy sheja t’fikut nga gjyshja, si t’ishin pluma M’njihte shumë mirë; nuk mashtrohej, si t’ishte shumë e lodhur; m’përkundte n’kohë Nina-nâna, nina-nâna…
Stefania, nânë, nânë, Stefania Fusha lulëzon, por ajo po thinjet Knoma nji ninullë, nânë Po du m’e ta ni fjalën amtare
Nuk jâm n’pelena por nânë por nanë, boll, sikur s’jâm rritë m’u rritë me pagu për gjana Nuk jâm fëmijë i vogël, ajo ende e humb durimin, eca, “t’godittë lavirja!” [mallkim ukrainas] Je krejt e re oh nânë në majë, nëse nuk e çmoj kujdestarinë në majën e lavdisë jam në qorrsokak Vrite majën atë majë, kisha këndu me dashurinë time Nina-nâna, nina-nâna…
Stefania, nânë, nânë, Stefania Fusha lulëzon, por ajo po thinjet Knoma nji ninullë, nânë Po du m’e ta ni fjalën amtare
Stefania, nânë, nânë, Stefania Fusha lulëzon, por ajo po thinjet Knoma nji ninullë, nânë Po du m’e ta ni fjalën amtare./ KultPlus.com
Edicioni i gjashtë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vend, Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” 2022, ka përmbyllur me suksese të shumta festivalin që për shtatë ditë ishte edhe epiqendra e kulturës në kryeqytet.
Në një ceremoni madhështore të ndarjes së çmimeve të organizuar në bashkëpunim më Kolegjin AAB, Art Image dhe ATV, kjo natë ishte e paharruar sidomos për garuesit e këtij edicioni që vinin nga: Spanja, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.Ndërsa para fillimit të ceremonisë, të pranishmit ndjekën dokumentarin në të cilin ishte duke punuar e ndjera Burbuqe Berisha mbi jetën dhe veprën e Besim Sahatçiut.
Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi u shpreh e lumtur që ky edicion përfundoi me sukses, duke theksuar se ishte një garë e ngushtë për jurinë. “Marrë parasysh faktin se shfaqjet ishin të gjitha të mira dhe pothuajse të të njejtit nivel, për jurinë nuk ka qenë e lehtë të vendoset për çmimet por dua të falënderojë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit që përfaqësuan shtetin e tyre dhe i uroj për çmimet e fituara”, u shpreh Alshiqi. Edicioni i sivjetmë ka shënuar gjithsej gjashtë shfaqje nga vendi, rajoni dhe bota, shfaqje këto të gjitha në programin garues.
. Këtë vit çmimin kryesor të PITF 2022, çmimin për aktorin më të mirë në rolin kryesor e gëzoi aktori dhe regjisori i shfaqjes “Muslimani”, Enver Petrovci.Ai falënderoi organizatorët e festivalit, duke cilësuar se janë të paktë njerëzit në Kosovë që i kushtojnë rëndësi dhe i japing vlerë kulturës.“Jam krenar me ju me të vërtetë shumë! Jeni ndër të paktit për mos me thënë të vetmit që kontribuoni në organizimin e një festivali kaq të kompletuar dhe që na bëni të ndjehemi si është më së miri sidomos neve artistëve, ju faleminderit të gjitha jurive për vlerësimin”, tha Petrovci.
Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2022)Çmimi “Best Play: Student Choice” – “Muslimani” – KosovaÇmimi “Best Play: Media Choice” – “Muslimani” – KosovaÇmimi “Best Supporting Actor” – Jelena Dukic “Iphigenia” – Mali i ZiÇmimi “Best Director” – Fatos Berisha “The M Word” – Maqedonia e VeriutÇmimi “Best Play” – “Iphigenia” – Mali i ZiÇmimi kryesor i PITF 2022 “Best Actor” – Enver Petrovci “Muslimani” – Kosova./ KultPlus.com