Prej 24 deri më 28 Nëntor, EBC vjen me zbritjen më të madhe vjetore

EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.

Në muajin Nëntor të këtij viti, EBC për “Black Friday” do të ofrojë zbritjen vjetore -30% në të gjithë artikujt nga data 24 Nëntor deri më 28 Nëntor.

Tetë dyqanet e EBC ndodhen në këto lokacione:

1. Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej

2. Rr. Nëna Terezë

3. Rr.Garibaldi, përballë hotel Grand

4. ETC Fushë Kosovë

5. Royall Mall, Rruga B

6. Galeria Mall, Prizren

7. Albi Mall, Veterrnik kati 0

8. Albi Mall, Veterrnik kati 1

Platforma për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë EBC SHOP : www.ebc.shop./ KultPlus.com

‘Pse sytë e nënës janë mbuluar me lot, ti pse vallë na ke harruar o Zot’ (VIDEO)

Në vitin 1998 veç sa kishte filluar lufta në Kosovë, periudhë kjo e vështirë për shqiptarët që po përgatiteshin për më të keqen, për regjimin e kobshëm serb.

Në Shqipëri, një këngëtare nga Kosova do të këndonte po këtë vit për krismat, për luftën, për vajzat e reja me vellot e zisë, për mizoritë.

Alberije Hadërgjonaj, në vitin 1998 triumfoi në Festivalin e Këngës në TVSH me këngën ‘Mirësia dhe e vërteta’, himn i luftës në Kosovë. Albërija sikur po i bënte thirrje Zotit të zgjohej nga gjumi, dhe botës po i kërkonte të intervenonte që kosovarët të mos vdisnin të gjithë.

Pse sytë e nënës janë mbuluar me lotë
Ti pse vallë na ke harruar o zot
Pse toka ime e bekuar nuk çel
Pse dielli rri kaq i menduar kur del.

Në vend të këngëve veç krisma dëgjojmë
Vajza të reja me vello zije shikojmë
Fëmijtë e vegjël rrinë të menduar si pleq
Po kush vallë na ka ngatërruar kaq keq.

Zotin nga gjumi unë dua ta zgjoj
Zemër lënduar për ju sot këndoj
Dua t’i lutem me përgjërim
Të na çlirojë, të na çliroj nga ky mallkim.

Të sjellim dritën e mirësisë
Të ndezim zjarrin e dashurisë
Si trëndafil të çeli jeta
Nga mirësia dhe e vërteta.

Alberija u bë e para këngëtare nga Kosova që e fitoi festivalin, në edicionin e tij të 37-të.

Teksti i këngës flet shumë për gjendjen e asokohshme shpirtërore dhe fizike të shqiptarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Dokumentari ‘Run for Sharr’ do të prezantohet sonte

Në ambientet e Kino Armatës në Prishtinë, në mbrëmjen e sotme do të prezantohet dokumentari “Run for Sharr”, që vjen në bashkëpunim me Fondacionit Utalaya dhe WWF Adria, shkruan KultPlus.

Në këtë dokumentar do të prezantohen xhirimet katër ditore, të cilat janë realizuar në gusht të këtij viti, ku edhe është mbajtur maratona 4-ditore,  me qëllim të promovimit të rëndësisë së Parkut Kombëtar Sharri në Kosovë.

“E shoqëruar nga alpinistë të tjerë, Uta Ibrahimi, alpiniste dhe vrapuese e njohur ka kapur bukurinë e malit dhe ka nxjerrë në pah pasojat e sjelljes së papërgjegjshme ndaj burimeve natyrore”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Në kuadër të prezantimit të dokumentarit, do të jetë edhe një panel diskutimi, ku edhe do të prezantohet rëndësia e Maleve të Sharrit.

Kjo ngjarje do të mbahet prej orës 19:00./ KultPlus.com

‘Nesër kam provim, por nuk e vras mendjen fare, e ardhmja ime nuk varet nga një copë letër’

Më 18 tetor të vitit 1931, vdiq Thomas Alva Edison, njëri nga personat më me ndikim në historinë e teknologjisë në tërë botën, shkruan KultPlus.

I njohur për etikën e tij të punës së madhe, këmbëngulësisë dhe zgjuarsisë, Thomas Edison është njëri prej shpikësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Nga llamba në fotografinë, gjatë jetës së tij Edison mbajti mbi 1000 licensa në Shtetet e Bashkuara në emrin e tij, pa përmendur edhe tjerat rreth botës.

Kontributet e tij të mëdha në energji elektrike, filma, incizim të zërit madje edhe makina x-rreze ndryshuan botën në të cilën jetojmë sot. Së bashku me shumë arritje të tij, mentaliteti dhe etika e punës e Edison gjithashtu e shtyn atë drejt suksesit.

Ka shumë që mund të mësoni nga ky gjeni kreativ.

Shikoni këto 10 thënie të cilat do ju motivojnë dhe inspirojnë.

‘’Shanset humbasin nga shumë njerëz për shkak se ajo është e veshur me pantallona dhe duket si punë’’.

‘’Fati i mirë shpesh ndodh kur mundësia takohet me përgatitjen’’.

‘’Për të shpikur, ju keni nevojë për imagjinatë të mirë dhe për gjëra të vjetra’’.

‘’Gjeniu është 1 përqind inspirim dhe 99 përqind djersë’’.

‘’Dobësia jonë më e madhe qëndron në dorëzimin. Mënyra më e sigurt për të pasur sukses është që gjithmonë të provoni edhe njëherë tjetër’’.

‘’Unë nuk kam dështuar. Vetëm kam zbuluar 10,000 mënyra të cilat nuk kanë pasur

‘’Nëse do të bënim të gjitha gjërat për të cilat jemi të aftë, do të befasonim veten’’.

‘’Unë kam më shumë respekt për një njeri i cili ka një ide dhe arrin sukses me të se sa për një njeri i cili ka me mijëra ide dhe nuk bën asgjë’’.

‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’./ KultPlus.com

Ballsor Hoxha, pjesë e “FICTION FEST”-edicioni i katërt

Shkrimtari Ballsor Hoxha do të jetë pjesë e programit të edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”

Ballsor Hoxha është autori dy përmbledhjeve me tregime dhe dy përmbledhjeve me poezi. Njëra prej përmbledhjeve të tij me tregime është përkthyer dhe botuar në Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu, së voni, ka botuar edhe një studim mbi disa vepra të Ismail Kadaresë.

Është një ndër studiuesit më të njohur shqiptar të letërsisë dhe fenomeneve bashkëkohore.

Është autor i njohur në vendet shqiptare me karrierën e tij të shumanshme.

Ka punuar në shkrimin e skenarëve me disa nga regjisorët më të njohur shqiptarë.

Ndër të tjera është edhe kritik dhe studiues i filmit kosovar dhe ndërkombëtar.

Me edukim është profesor i gjuhës, letërsisë dhe kulturës angleze dhe amerikane.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës./ KultPlus.com

Vdes artistja e njohur Hueyda El Sayed

Është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare balerina e njohur, Hueyda El Sayed. Balerina, vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, sëmundje e cila, ia mbylli përgjithmonë sytë këtë mëngjes në një spital në Lukskemburg. Hueyda El Sayed ka lindur në Tiranë, ndërsa prejardhja e saj ka qenë nga Sudani.

Veçse balerinë, 46-vjeçarja njihej si këngëtare e piktore. Po kush ishte Hueyda El Sayed:

Hueyda El Sayed ishte këngëtare e njohur. Ajo ka lindur në Tiranë, ndërsa prejardhja e saj është nga Sudani . El Sayed ishte zotëruese e mirë e katër gjuhëve si anglisht, frëngjisht, italisht dhe shqip. Ajo u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Më pas, ajo pati sukses të shkëlqyeshëm në marrjen e një Diplomë Master në Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejta të Njeriut dhe Politikave Evropiane në Universitetin rome “Tre” në Itali. Gjatë karrierës së saj profesionale ka pasur privilegjin për të punuar në fusha e disiplina të ndryshme, si televizion, balet, këngë dhe pikturë. Ne kemi përmbledhur shkurtimisht disa nga momentet më të rëndësishme të karrierës së 46-vjeçares, duke nisur nga shfaqja e parë televizive në emisionin “Dymbëdhjetë Vallëzime pa një të Shtunë”

Ajo ka qenë një prezantues lajmeve në Ora News dhe u pjesëmarrëse në televizionet e tjera si:

– Një këngë për ty – Televizioni Top Channel;

– 7 nga shënimet e mia dhe Kioska – Radio Televizioni Ora News;

– Në restorant (një reality show) – Televizionit Arbëria.

Në vitin 2000 ajo botoi romanin e saj të parë “Ngjyra e lëkurës sime”, ndërsa në vitin 2006 doli libri i dytë, një roman. Ajo ka punuar si modele dhe ka vepruar në një numër të reklamave televizive në Francë, Kamerun, Belgjika, dhe Portugal./ KultPlus.com

Ministrja Xhaçka: 45 të vdekurit në aksidentin e Bullgarisë janë shqiptarë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se 45 viktimat nga aksidenti tragjik në Bullgari janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, raporton Express.

Përmes një postimi në Tëitter, ajo u ka shprehur ngushëllime familjeve të vikttimave.

”Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Flag of Albania është pranë Flag of Macedonia në këtë moment të vështirë! “, ka shkruar Xhaçka.

Aksidenti tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën e Strumës në Bullgari.

Në mesin e viktimave ka edhe fëmijë, derisa shtatë të mbijetuar janë duke u trajtuar në spitalin e Sofjes, si pasojë e djegieve.

https://twitter.com/xhacka_olta/status/1463035577633226752?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1463035577633226752%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fministrja-xhacka-45-te-vdekurit-ne-aksidentin-ne-bullgari-jane-shqiptare%2F

Përplaset dhe merr flakë autobusi në Bullgari, të paktën 46 të vdekur

Të paktën 46 persona kanë vdekur e 7 janë plagosur nga një aksident tragjik në Strumës në Bullgari.

Sipas raportimeve, autobusi ishte i mbushur më së shumti me shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe pjesa dërmuese shqiptarë . Besohet se autobusi është përplasur e më pas është përfshirë nga flakët, e pikërisht kjo është bërë shkaku i ngjarjes tragjike.

“Denoncimi për një aksident të rëndë trafiku është bërë pak pas orës 2 të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave fillestare nga autostrada e Strumës, rreth 31 km është aksidentuar një autobus i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 45 persona. Në vendngjarje kanë shkuar me kohë ekipet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca. Si rezultat i veprimeve të tyre të shpejta, shtatë persona janë transportuar në spital për mjekim. Po kryhet një inspektim. Qarkullimi është ndërprerë në të dy drejtimet. Një organizim i përkohshëm për lëvizje përmes p.v. Dolna Dikanya dhe p.v. Daskalovo”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tashmë po udhëtojnë për në Bullgari, konfirmoi agjencia shtetërore maqedonase e lajmeve MIA.

Mediat maqedonase, shkruajnë se në mesin e viktimave janë edhe 12 prej të mitur, dy prej të cilëve binjakë. Kjo është konfirmuar nga drejtori i Policisë Kombëtare të Bullgarisë, Staniir Stanev.

Raportohet se autobusi maqedonas ka hyrë në Bullgari mbrëmë në orën 21:00 nga vendkalimi kufitar “Kapitan Andreevo”. Ai ka udhëtuar përmes autostradës “Trakia”, e më pas përmes autostradës “Struma” deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut në drejtim të pikës kufitare Gjueshevë, nga ku është dashur të largohet nga Bullgaria.

Dy gra dhe dy burra mbijetuan dhe u dërguan në spitalin Pirogov në Sofje.

Deri më tani hetuesit dyshojnë se dy janë shkaqet që kanë dërguar në këtë aksident tragjik. E para ka të bëjë për një defekt teknik të mjetit dhe e dyta me përgjumjen e shoferit. Rasti po hetohet nga Shërbimi Hetimor Kombëtar për shkak të numrit të madh të viktimave. Është konstatuar identiteti i të gjithë pasagjerëve që kanë kaluar kontrollin kufitar me hyrjen në Bullgari, e në këtë mënyrë është e lehtë identifikimi i viktimave.

Në 21 vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, Besian Mustafa kujton se si ia kumtoi polici i UNMIKU-t lajmin e kobshëm

Xhemail Mustafa, gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, u vra mizorisht në Prishtinë, në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan.

Në 21 vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, Besian Mustafa, djali i shkrimtarit kosovar, kujton momentet e 23 nëntorit, kur edhe e kuptoi se babain e tij e kishin vrarë.

 KultPlus ju sjell të plotë rrëfimin e Besian Musafës.

E enjte, 23 nëntor, 2000.

Ditë e rëndomtë mësimi në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë. Arsimtari(ja?) sqaronte diçka… nuk di, s’kisha mendjen aty. Si 16 vjeçar, i sapombijetuar nga lufta një vit e gjysmë më parë, s’ishte çudi që mendja të kishte planet e saj, këmbët e saj.

Qetë, si me drojë, hapet dera e klasës dhe brenda hyjnë motra Beriana dhe drejtori i shkollës.

“Bes” më drejtohet ajo “merre çantën dhe jaknen edhe hajde”. Mendjen mjegull nga mendimet e mëparshme dalë nga klasa pa pyetur asgjë. Në korridor më priste gruaja e dajës Xhevahirja.

Rrugës në veturën e Xhevës, nga Sami Frashëri tek parkingu i lagjes “Santea” nuk folëm shumë. “Babin e kanë plagosë” tha Beri dhe asnjë fjalë. S’dilja dot nga mjegulla… kush e paska plagosë babin? Pse babin? Ai s’i ka ba keq kurrkujt kurgjo… a janë të sigurt që babin e kanë plagosë? Në kaosin e pasluftës njerëzit plagoseshin çdo ditë, ndoshta s’e kanë plagosë babin?

“A je ti djali i zotëri Mustafës?” më pyet në anglisht një polic i UNMIK-ut. “Po” i them unë. “Më vjen keq por babi yt nuk mbijetoi” ma pret ai sikurse të fliste për rezultatin e ndonjë loje futbolli apo çmimin e ndonjë fruti në treg. Mendjen vazhdon të ma mbështjellë e njëjta mjegull e mëngjesit. S’dal dot nga ajo.

Kthehem brenda në butikun “Charlie” ngjitur hyrjes se banesës sonë – s’na kishin lënë të ngjitemi lartë në banesë, babin e kishin “plagosë” mbi shkallët e katit të parë të hyrjes – dhe u tregoj çka më kishte thënë polici. Ulem diku, nuk dëgjoj asgjë. I shihja të gjithë duke qarë e nxjerrë shpirtin plot mërzi. Por s’i dëgjoja. Mendjen e kisha plot mjegull.

Sot 21 vjet më vonë. S’dal dot nga kjo mjegull./ KultPlus.com

Gjuha Shqype

GJERGJ FISHTA

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,

Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gjuha shqipe është e lidhur me ekzistencën kombëtare shqiptare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjuha shqipe është e lidhur ngushtë me ekzistencën kombëtare shqiptare.

Në 113-vjetorin e Kongresit të Alfabetit, Osmani tha se duhet kujtuar me respekt veprën e 50 delegatëve nga 26 qytete të ndryshme që në Manastir u bënë bashkë rreth vlerës identitare të gjuhës shqipe.

Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit.

“Sot me krenari shënojmë 113-vjetorin e Kongresit të Manastirit ose Kongresit të Alfabetit. Gjuha shqipe është e lidhur ngushtë me ekzistencën kombëtare tonën, ndaj sot e kujtojmë me respekt veprën e 50 delegatëve nga 26 qytete të ndryshme, shoqata e klube, të cilët më 1908 në Manastir u bënë bashkë rreth vlerës sonë identitare- gjuhës shqipe”, shkroi ndër tjerash ajo.

Tutje, ajo bëri thirrje që të ruhet gjuha shqipe duke cituar edhe poetin shqiptar, Mit’hat Frashëri i cili kishte thënë se “themelin e diturisë dhe të atdhedashurisë e përbën gjuha shqipe”./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/photo?fbid=441639237320621&set=a.274428680708345

Ndahet nga jeta profesori dhe studiuesi i shquar Aleks Luarasi

Profesori dhe studiuesi i shquar Aleks Luarasi është ndarë nga jeta. Lajmi bëhet i ditur në një postim në Facebook nga Akademia e Shkencave. Prof. dr. Aleks Luarasi u lind në fshatin Luaras të Kolonjës më 22 mars 1941. Arsimin parauniversitar e kreu në Korçë, studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të UT (1963).

Nga viti 1972 – 2002 ka punuar për 30 vjet në Fakultetin e Drejtësisë të UT si pedagog i lëndëve Filozofia e së drejtës dhe Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe ka qenë përgjegjës departamenti dhe Zv/Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.

Ai është autor i monografive “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut” (1998); “Studime për të drejtën zakonore shqiptare – Marrëdhëniet familjare” (2001); autor i teksteve universitare “Akte juridike për historinë e shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri (2014), “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri” (2018), si dhe i një vargu artikujsh dhe referatesh.

Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i K.M. (1991) dhe anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës (1992 – 1998). Ai është themelues i Shtëpisë Botuese “Luarasi University Press” (1998) dhe i Universistetit “Luarasi” (2003).

Në vitin 2018 u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin “Pionier i Arsimit”, për kontributin e tij në formimin dhe konsolidimin e sistemit modern universitar në vendin tonë.

https://www.facebook.com/akademiaeshkencave/posts/265449768940070

Rrezikon tre vite burg, nobelisti Orhan Pamuk akuzohet për fyerje ndaj Turqisë

Shkrimtari fitues i çmimit Nobel në Letërsi, Orhan Pamuk, po hetohet nga shteti turk për “fyerje” të themeluesit të Turqisë moderne dhe tallje me flamurin turk në romanin e tij të ri “Netët e Murtajës”.


Pamuk, i cili i mohon akuzat, e botoi librin në Turqi në muajin mars. I vendosur në një ishull imagjinar osman gjatë një shpërthimi të murtajës bubonike në fillim të viteve 1900, ankesa e parë kundër librit u tha në prill, kur një avokat akuzoi shkrimtarin për nxitje të “urrejtjes dhe armiqësisë”, duke fyer Mustafa Qemal Ataturkun dhe duke u tallur me flamurin e Turqisë.

Një gjykatë e Stambollit vendosi të mos e çojë kërkesën përpara për shkak të mungesës së provave, por avokati që ngriti çështjen, Tarcan Uluk, apeloi vendimin dhe hetimi tani është rihapur.

“Në librin “Netët e Murtajës”, për të cilin punova për pesë vjet, nuk ka asnjë mungesë respekti për themeluesit heroikë të shteteve kombëtare të themeluara nga hiri i perandorive apo për Ataturkun. Përkundrazi, romani është shkruar me respekt dhe admirim për këta liderë heroikë”, tha ai.

Ligji 5816, sipas të cilit Pamuk tani po hetohet, synon të mbrojë “kujtimin e Ataturkut” nga fyerja e çdo qytetari turk. Nëse shpallet fajtor, Pamuk do të përballet me tre vjet burg. Në një deklaratë për agjencinë turke Bianet, Pamuk mohoi akuzat e fundit.

Ai u mbështet nga organizatat e fjalës së lirë në mbarë botën, të cilat u kërkuan autoriteteve të mos e ndjekin penalisht.

“Orhan Pamuk është thesari kombëtar i Turqisë, një pasuri letrare, fjalët e të cilit jehojnë në të gjithë globin dhe duhet të festohen si të tilla, megjithatë ai e gjen veten edhe një herë në shënjestër të shkrimeve të tij. Autoritetet turke kanë përdorur në mënyrë të përsëritur ligjet penale të shpifjes për t’u mbyllur gojën atyre që guxojnë të flasin dhe ky rast nuk bën përjashtim”, tha Burhan Sönmez, presidenti i shoqatës mbarëbotërore të shkrimtarëve PEN International.

Sipas PEN America, të paktën 25 shkrimtarë u burgosën vitin e kaluar nga qeveria turke, numri i tretë më i lartë në botë. Shoqata Turke e Botuesve u bëri thirrje gjithashtu prokurorëve të heqin dorë nga hetimi.

Pamuk është ndjekur penalisht më parë për “fyerje” pasi kishte përmendur në një intervistë vrasjet e armenëve dhe kurdëve në vitin 1915. Këto akuza u hoqën në vitin 2006, në të njëjtin vit kur Pamuk fitoi çmimin Nobel në Letërsi, i vlerësuar si një autor që “në kërkimin e shpirtit melankolik të qytetit të tij të lindjes ka zbuluar simbole të reja për përplasjen dhe ndërthurjen e kulturave”.

Jam Rom

Kujtim Paçaku

Po, jam Rom
Unë, ky që qëndron tash para jush
Jam nga stërnipat e Gangut
E bijtë e Lumbardhit
Kurrë nuk isha mjaft i bardhë
Për të bardhët
As tamam i zi për të zinjtë
Erdha vetëm t’u fal ca vargje
E të marr ndonjë duartrokitje në këmbim
Kaq më mjafton të ndihem i lumtur./ KultPlus.com

Chaplin: Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë

Përveçse me role që e kanë skalitur në kinematografi, siç është ai i endacakut, Charlie Chaplin ka lënë edhe shumë aforizma brilantë, shkruan KultPlus.

KultPlus jua sjell 11 thëniet me mesazh shumë të qartë :

Jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me Njeriun.

Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë pak.

Një prej ironive të jetës është që të bësh gjënë e gabuar, në momentin e duhur.

Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet.

Një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm.

Karakteri i vërtetë i një burri shfaqet kur ai është i dehur.

Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të!

Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë.

E qeshura është zbutësi i dhimbjes.

Dëshpërimi është një narkotik. Ai e vë mendjen në gjumë dhe e shpie drejt indiferencës.

Jeta do të ishte e mrekullueshme, nëse njerëzit do të mund të të linin rehat./KultPlus.com

Ka vdekur Xhangyle Ilijazi, gruaja që dha shumë kontribut për marrëdhëniet shqiptaro-hebreje

Ka vdekur Xhangyle Ilijazi, gruaja e cila njihet për kontributin e saj të madh në fusha të ndryshme, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se Ilijazi ka vdekur në moshën 68 vjeçare, e cila së fundi po vuante nga një sëmundje.

Xhangyle Ilijazi njihet si gruaja e cila theu shumë tabu, duke u shndërruar në inspirim për shumë vajza dhe gra të tjera.

Profesoreshë e anglishtes, Xhangyle Ilijazi ka dhënë një kontribut shumë të madh për promovimin e marrëdhënieve shqiptaro-hebreje, duke specifikuar familjet shqiptare të cilat shpëtuan hebrenjtë, përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

Xhangyle Ilijazi në intervistat e mëhershme që i ka dhënë për medie të ndryshme kishte treguar se kishte luajtur futboll për klubin e famshëm Chelsea të Londrës, për tu shndërruar kështu si vajza e parë shqiptare që kishte luajtur futboll.

Si profesoreshë dhe aktiviste, Xhangyle Ilijazi dha një kontribut të madh për Gjilanin, ndërkohë, familjarët e saj kanë njoftuar se për varrimin e të ndjerës do të bëhet e ditur më vonë./ KultPlus.com

Vjen në shqip romani “Të lirë” nga Lea Ypi

Romani “Të lirë” i autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi është botuar në gjuhën shqipe. Vepra autobiografike rrëfen tranzicionin e jetës së një vajze të vogël të paralelizuar me tranzicionin politik të një shoqërie dhe shteti që kalon prej një fortifikate komuniste në një vend të hapur liberal (Shqipëria). Në libër shpërfaqet jeta e autores nga fillimi i viteve 1980 e deri në vitin 1997, në vendin më të izoluar e më të varfër në Europë. Ky roman është botuar nga prestigjiozja e librave “Penguin Books” në Londër dhe deri më tani është pritur mjaft mirë nga kritika e shtypit elitar britanik.

Nga: Tim Judah

Në pjesën e pasme të Galerisë Kombëtare të Tiranës gjenden disa statuja të vjetra që përkujtojnë portretin e ish-kreut të shtetit sovjetik Lenin-it me krahë të thyer, dy statuja të tjera të ushëheqësit komunist Stalin dhe një e fundit e diktatorit shqiptar Enver Hoxha me hundë të thyer. Statuja të tilla ishin më se të zakonshme në Tiranën e përgjumur të kohës, në vitet ’90, kur autorja Lea Ypi jetonte në Shqipëri. Ndonëse ish-udhëheqësi Hoxha kishte vdekur në vitin 1985, hija e diktatorit paranojak ende sundonte mbi jetët e popullit shqiptar.

Në një fragment të librit të saj “Të lirë”, Ypi kujton mësuesen e edukatës morale, Norën, të cilën njëherë e pyeti: “A i donte Stalini fëmijët po aq sa xhaxhi Enveri?”. Me një buzëqeshje të ngrohtë, mësuesja i kthen një përgjigje të shpejtë e pa hezitim: “Ti e di përgjigjen”.

Përgjigja e mësueses nuk ishte vetëm një veçse një tregues i qartë i izolimit të madh ideologjik të Shqipërisë, vend në të cilin regjimi komunist u rrëzua më vonë se kudo në Evropë.  Ndonëse Muri i Berlinit kishte rënë një vit më parë, mësuesja e Ypit, Nora vijonte të shpjegonte e pashqetësuar konceptet bazë të shoqërisë socialiste dhe siguronte nxënësit e saj se nuk kishte asnjë arsye pse të shqetësoheshin për ngjarjet e ndodhura në Europë. Pas shkolle, 11-vjeçarja Ypi shkoi të përqafonte statujën e Stalinit në qytetin e saj, të Durrësit. Kur Lea ngriti sytë për të parë fytyrën e statujës kuptoi se demostruesit, që ishin mbledhur përreth shtatores duke bërë thirrje për liri dhe demokraci, i kishin hequr kokën. Ypi kujton se në ato momente ajo mbuloi gojën për të mbytur një britmë teksa vriste mendjen se çfarë donin këta demonstrues. “Ne kishim shumë liri,” pandehte ajo.

Asnjë vend tjetër europian, që nuk ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, nuk ka ndryshuar aq shumë në tre dekadat e fundit sa Shqipëria, me përjashtim të Jugosllavisë dhe pjesëve përbërëse të saj. Shqipëria komuniste u bë fillimisht aleate e më pas u shkëput me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe me vonë me Kinën. Por në kohën kur komunizmi u shemb, vendi ishte në skamje të plotë, njerëzit ishin të uritur dhe të trembur. Kolapsi i regjimit solli lirinë, por bashkë me të erdhi kaosi që kulmoi në vitin 1997, kohë kjo kur vendi iu afrua pragut të kalimit në një luftë civile. Në mars të po këtij viti, Ypi shkroi në librin e saj se i gjithë vendi po ‘kryente vetëvrasje’ dhe se situata ishte shumë më keq se viti 1990.

“Të paktën atëherë kishte shpresë në demokraci. Tani nuk ka asgjë, vetëm një mallkim”, vijon Ypi.

Ishin këto ngjarje të vitit të trazuar 1997, që shënjuan jetën e autores dhe akademikes shqiptare Ypi. Nëse vendi nuk do të kishte regresuar deri në pikën e shkatërrimit të ekonomisë, bankave e bizneseve, Ypi ndoshta nuk do të kishte kishte migruar jashtë vendit dhe sot me gjasa nuk do të ishte profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics. Fillimisht Ypi donte të shkruante një libër filozofik për “idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste”, por vendosi se kjo nuk ishte historia që donte të tregonte.

Megjithatë, për shumë lexues, edhe një libër me në qendër një adoleshente shqiptar që emigroi në vitet 1990 nuk tingëllon si ndonjë kryevepër, por thjesht si një tjetër histori e trishtë shqiptare. Nëse do të bëhej fjalë për ndonjë roman tjetër, ndër shumë libra që janë botuar për këto vite të vështira në historinë shqiptare, ndoshta termi “i zakontë” do të ishte shumë me vend. Por ky nuk është rasti i veprës “Të lirë” nga Lea Ypi. Ky roman trajton një histori të dhimbshme në mënyrë aq tërheqëse sa nuk është për t’u habitur fakti që ndonëse ka pak muaj që është botuar vëllimi është përkthyer tashmë në gjashtë gjuhë. Mos u befasoni nëse libri do të pasohet edhe nga një film.

Një roman autobigrafik shpërthyes, që fare mirë mund të titullohej “Si i mbijetuam komunizmit dhe madje qeshëm”, nëse autorja kroate Slavenka Drakulic nuk do e kishte shkruar tashmë një libër me këtë titull. Me shumë mjeshtëri Ypi kalon mes realitetit komik dhe vdekjeprurës të vendit ku u rrit. Autorja përshkruan se kur ishte fëmijë, ajo dëgjonte të rriturit të diskutonin për një vend që i referoheshin vetëm me shkronjën e parë të emrit. Më vonë, ajo e kupton se ata po flasin me kode dhe se shkronja “S”, për shembull, do të thotë Spaç, burgu më famëkeq i ish-diktaturës komuniste. Nëse thuhej se “studenti” kishte studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare kjo do të thoshte se ai ishte akuzuar për tradhti.

Por ajo çfarë erdhi më pas, nuk ishte në asnjë formë më e lehtë për t’u përballuar. Me rënien e komunizmit erdhi kaosi, një katrahurë jo vetëm politike. Të dy prindërit e Ypit provuan të futen në politikë dhe dështua. Lea kujton një incident të paharrueshëm kur një delegacion i grave franceze vjen për të vizituar nënën e saj dhe ajo i përshëndet me një fustan nate. Ngjarja ndodhi në vitin 1992, atëherë kur rrobat ‘perëndimore’ filluan të vijnë në tregun shqiptar dhe gratë e kishin të vështirë të dallonin se cilat ishin rroba nate dhe cilat jo. Kjo është edhe periudha kur Ypi vë në dukje se fjalorit iu shtua “shoqëria civile”, “pak a shumë si zëvendësim i “Partisë”.

Koleksioni i librave për Shqipërinë dhe shqiptarët në anglisht është i vogël, gjë që është disi e pabesueshme sidomos kur kujtojmë se shtrirja e popullsisë është e ndarë midis republikës së Shqipërisë dhe katër prej shteteve ish-jugosllave. Për këtë arsye, me siguri mund të thuhet se shqiptarët luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e stabilitetit dhe fatit të Europës Juglindore. Diaspora e vendit numëron më shumë se 1.5 milionë banorë dhe përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë emigrante në disa vende.

Për sa u përket librave të botuar për Shqipërinë mund të thuhet se pasqyrimi i ngjarjeve në to është shumë mbrapa asaj që po ndodh realisht në këtë vend. Një devijim i këtyre botimeve është vepra “Mud Sweeter than Honey” i autores polake Margo Rejmer, e cila tregon, historitë e shqiptarëve gjatë komunizmit dhe veçanërisht ato të të burgosurve të regjimit. Koleksioni i tregimeve të Rejmen, njësoj so libri i Ypit, ka në fokus zhgënjimin pas rënies së komunizmit. Në një nga historitë e rrëfyera një peshkar tregon se nëse dikush përpiqej të arratisej nga vendi, rojet kufitare nuk kishin mëshirë. Ai risjell në mendje një fëmjë që u përpoq të notonte jashtë vendit dhe u copëtua nga helikat e varkave shqiptare, teksa rojet shijonin ‘shfaqjen’.

Autorja Rejmer thotë se qëllimi i saj ishte të sigurohej që viktimat e atij regjimi të kishin një zë dhe të dëgjoheshin. Qëllimi i Ypit është i ndryshëm. Në librin e saj ajo e konsideron veten si socialiste, edhe pse gjyshi i saj kaloi 15 vjet në një burg komunist, sepse babai i tij kishte bashkëpunuar me italianët. Ypi tregon se gjithë sistemi i ka lënë një ndjesi faji të ngujuar në të, a thua se dëgjimi dhe bindja sipas ideve të sistemit komunist, e bënte atë përgjegjëse për gjithë të kqëijat që ky sistem solli.

Lea kujton një moment (ndër shumë) kur babai i saj, i cili ishte drejtor i përgjithshëm i portit të Durrësit, u detyrua të pushonte nga puna qindra romë të dëshpëruar në emër të “reformave strukturore”. Prindërit e saj e refuzuan socializmin, shkruan ajo, sepse ai sistem u mohonte atyre gjithë identitetin e tyre. Megjithkëtë Ypi, shkruan se, ajo tashmë e barazon liberalizmin me premtimet e thyera, me shkatërrimin e solidaritetit, të drejtën për të trashëguar privilegjin, shpërfilljen ndaj padrejtësisë. Në pamje të parë këto mund të duken akuza të ashpra, por Ypi thotë se meqenëse ajo ka parë një ndryshim të sistemit një herë, “nuk është aq e vështirë të besosh se ai mund të ndryshojë përsëri“. Lapsi.al

Ngritet padi kundër aktorit Alec Baldwin

Në padinë kundër aktorit, Alec Baldwin është thënë se në skriptën e filmit nuk ka pasur kërkesë për të shtëna me armë zjarri.

Si pasojë e një incidenti me armë, Baldwin e ka lënë të vdekur kinematografen, Halyna Hutchins.

Autoritetet janë ende duke hetuar incidentin e 21 tetorit, që ka ndodhur teksa është punuar në filmin Rust.

Zyrtarja për skriptë, Mamie Mitchell, e cila e ka telefonuar policinë, pas të shtënave në skenën e filmit në Nju Meksiko – ka dorëzuar padi për këtë rast.

Avokati i saj ka akuzuar aktorin se ka shtënë me armë, pa e kontrolluar paraprakisht atë.

Baldwin dhe producentët e filmit, që janë përmendur po ashtu në padi, nuk kanë komentuar ende këtë gjë.

Aktori hollivudian ka ndarë kohë më parë komentet e koleges së tij, e cila ka hedhur poshtë sugjerimet e pjesës tjetër të ekipit kinse rrethanet e xhirimeve kanë qenë të pasigurta.

Ende nuk ka ndonjë padi penale nga autoritetet kundër pjesëtarëve të ekipit.

Punëtorja që ka qenë përgjegjëse për armët në film, ka thënë se nuk e di si është përfshirë municioni në xhirime të filmit./REL

Ka vdekur shkrimtari Fadil Kraja

Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Ai është vlerësuar me disa çmime, si “Kalorësi i Skënderbeut”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Krenaria e Qytetit”.

Homazhet për Fadil Krajën do të zhvillohen në hollin e teatrit Migjeni në Shkodër të premten në orën 09:00 – 12:00./ klan.al

“International Chopin Society” në Vjenë, përmbylli programin vjetor me koncertin e pianistes Lule Elezi

Pianistja kosovare Lule Elezi është prezantuar me një koncert solistik në Vjenë të Austrisë, e cila në të njëjtën kohë bëri edhe promovimin e albumit të saj me veprat e gjenive Shopen e Betoven, shkruan KultPlus.

Para një audience të përzgjedhur dhe të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare “Chopin” në Vjenë,  Elezi është prezantuar me koncertin e saj në  “Palais Hanse” , e cila ka interpretuar veprat e Chopin, Rauf Dhomit dhe Ludwig van Beethoven, shkruan KultPlus.

Lule Elezi e cila është profesoreshë e pianos në Universitetin e Prishtinës, e cila  ka edhe shumë koncerte solistike nëpër botë, duke përfshirë edhe ato në SHBA, Japoni, Kinë, Saint Petersburg, Austri, Gjermani, Suedi, Francë, Luksembourg, Bullgari etj.

Ky koncert është organizuar edhe me mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Austri, të cilët edhe organizuan një pritje për mysafirët, me rastin e prezantimit të koncertit të Lule Elezit./ KultPlus.com

Buxhovi me “Kosova”, “Dardania”, “Maqedonia” dhe “Mona” do të prezantohet në Panairin e Librit në Tiranë

Në Panairin Librit në Tiranë, në shtandin e botuesit “Faik Konica” do të jenë edhe veprat historiografike të shkrimtarit, historianit dhe publicistit Jusuf Buxhovi, si:  “Kosova” I-VIII, “Kosova – histori e shkjurtër”, “Dardania”, “Maqedonia” si dhe romanët e kohëve të fundit “Dosja B”, “Dushkaja” dhe “Mona”./ KultPlus.com

Piktura e artistes Frida Kahlo shitet me çmim rekord në New York

Një pikturë e artistes meksikane, Frida Kahlo, është shtiur për një çmim rekord prej 34.9 milionë dollarësh në shtëpinë e ankandeve “Sotheby” në Nju Jork.

Ky është çmimi më i lartë që është paguar në një ankand për një vepër arti nga Amerika Latine, shkruan BBC.

Rekordi i mëparshëm ishte vendosur nga artisti Diego Rivera, vepra e të cilit ishte shitur për 9.76 milionë dollarë në vitin 2018.

Piktura “Diego y Yo” e artistes meksikane ishte një ndër autoportretet e fundit të saj. Në pikturë paraqitet piktorja me lot dhe bashkëshorti i pikturuar në ballin e saj.

Sipas gazetës amerikane, “The New York Times”, piktura u ble nga Eduardo F. Cosantini, i cili ka hapur një muze në Argjentinë.

Për herë të fundit, kjo pikturë ishte vënë në një ankan në vitin 1990, kur ishte shitur për “vetëm” 1.4 milion dollarë.

Kahlo vlerësohet gjerësisht si njëra ndër piktoret më të mëdha të shekullit XX. Ajo bëri famë me autoportretet e saj, ku pasqyrohen dhimbja e izolimi.

Frida Kahlo ka jetuar nga viti 1907 deri në vitin 1954. Ka vdekur në moshën 47-vjeçare në Mexico City. Ajo me krenari e ka promovuar kulturën indogjene meksikane përmes artit./KultPlus.com

Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera

Indro Montanelli

Di që shumë prej jush janë të interesuar ndaj gazetarisë dhe mjeteve të komunikimit. Unë këtë pasion fillova ta kultivoja që nga gjimnazi, nuk kam dashur të bëj asgjë tjetër veç të jem gazetar, me dëshpërimin e madh të babait tim. Ai, si drejtor i mirë i një liceu, e konsideronte me shumë përçmim si një profesion rastësor.

Por, gazetaria ka qenë prirja e madhe e jetës time. Ju pranoj që edhe pse e kam dashur dhe vazhdoj ta dua këtë profesion, nuk mund tja këshilloj asnjë të riu ta ndërmarrë këtë profesion sot, sepse besoj që gazetaria tashmë është në fund.

Duhet të shndërrohet tërësisht, në një kuptim që unë nuk di ta parashikoj. Jam i kapur mbas kujtimeve dhe vij nga një shkollë e caktuar, dhe në këtë moshë e kam shumë të vështirë të mendoj diçka ndryshe. Shpresoj për ju që të ketë vend për një transformim tërësor, që të marr në konsideratë ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në kohë – ndër të cilat shumë për faj dhe shtrembërime të gazetarëve – nga hyrja e teknologjive të reja, ku e tëra është një përmbysje traditash.

Gazetaria klasike, nga e cila nuk shqitem dot, është e pamundur të përshtatet.

Kur fillova, 60 vjet të shkuar, kishim si prekje teknologjike, makinën për të shkruar “Olivetti Lettera 22”, mbi të cilën vazhdoj të shkruaj. Nuk e prodhojnë më, ndaj arrita të blej pesë copë pranë shitësve të objekteve të vjetra, që i kam zhvendosur në pika të ndryshme. Përtej kësaj nuk mund të shkoj. Unë faksin nuk di ta përdor, një person i afërt e bën për mua, përndryshe nuk do dija as të vendosja një fletë.

Ne gazetarët duhet të bëjmë llogaritë me një armik të pashpirt. Dhe në vend që ta luftojmë atë, jemi vënë në shërbim të tij: ky është televizioni. Kam të njëjtat ide si Popperi, televizioni është fatkeqësia më e madhe që mund të na ndodhte, sepse është përdorur pikërisht për të qenë e tillë. Gazetat janë shndërruar në megafonë të televizioneve, ndaj hasim 8-9 kolona mbi Pipo Baudon ose Alba Parietin. Televizioni mund të ishte një instrument i madh për kulturën, por nuk është. Kjo është puna e tij. Çka është puna jonë , është që jemi bërë megafonë, duke i kopjuar edhe zakonet dhe duke i njohur epërsinë.

Italia, përveç se ka përzier përherë seriozen me kotësinë, ka trajtuar përherë kotësinë si të vetmen gjë serioze. Dhe, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm përshtatemi duke e çuar në ekstrem këtë perversitet në zakonet tona. Por, ka më keq. Televizioni mëson dhe i hap rrugën protagonizmit, që duke u bashkuar me gazetarinë, ka efekte katastrofike. Televizioni nxit interesin më të shëmtuar të gazetarëve të këqij, kërkimin me çdo çmim të bujës. Nëse dikush nga ju do të dojë të bëjë këtë profesion, shpëtojini joshjes nga buja! Kujtoni që ajo është rruga e shkurtër e gomerëve. Lejon të arrish përpara, por keq. Publiku është një kafshë e çuditshme, ngjan si një që kupton pak, por ka kujtesë, dhe nëse ju luani me besimin e tij, jeni i humbur. Këtë besim duhet ta fitoni seriozisht dhe me lodhje, ditë pas dite. Kjo nuk na shpëton nga gabimi, por na imponon detyrimin të denoncojmë veten tonë, kur kuptojmë gabimin, dhe ti kërkojmë falje lexuesit.

Në rast se doni të bëni këtë profesion, kujtohuni mirë. Është një profesion që kërkon shumë modesti, shumë, dhe protagonizmi është pengesë me këtë ligj themelor.

Sot unë shikoj drejtorët e rinj. Janë shumë të mirë, kuptohet, janë rreth 40 dhe 50 vjeç, mund të ishin fëmijët e mi. Por, nuk janë në drejtim, i kam në sy, janë në zyra marketingu, sepse gjëja thelbësore e një gazete është e ashtuquajtura audiencë. Dhe, audienca sjell reklamë, sepse një gazetë nuk duhet vetëm të jetojë, por duhet edhe të prodhojë lekë, sidomos po të dojë të jetë e pavarur. Një gazetë që duhet t’i kërkojë dikujt lekë detyrimisht është shërbëtori i tij. Unë e humba gazetën La Voce, sepse nuk arrita ta çoj në bilanc aktiv.

Është audienca në format e saj më të ndyra që na detyron të banalizojmë edhe gazetën, që për të arritur të printohet duhet ta përshkruajë këtë rrugë. Por, kjo rrugë ama nuk na çon gjëkundi. Ne kemi një gazetari gjithnjë e më të keqe, sepse është përherë në kërkim të audiencës, gjithnjë e më shumë në kërkim të reklamës, duke kënaqur kështu përherë shijet më të këqija të publikut, në vend që ti korrigjojë. Të kuptohemi, publiku është gjithmonë pronari ynë, nuk mund të përplasemi kokë më kokë, por duhet edukuar. Pa ja a u treguar ama, sepse s’ka asgjë më të keqe se sjelljet prej të mençuri. Nuk di nëse gazetaria është e aftë të përmbushë një evoluim në këtë kuptim, por unë nuk shikoj shenja. Në rast se do të kisha 40 vjet më pak, do mundohesha sërish të bëja një gazetë. Tani dikush mund të mrekullohet, por do të ndiqja rrugën e hapur nga armiku im i hershëm Ferrara me Il Foglio. Ajo gazetë është ajo që do të doja të bëja unë me La Voce, që nuk pata fuqinë dhe mundësinë ta bëja. Një gazetë që përputhte menjëherë mjetet e saj me kostot, me pak faqe, që mund t’ia dilte pa shumë reklamë, me gazetarë-(ah)-të paguar pak.

Po ne jemi përherë të paguar pak, sepse ky zanat nuk bëhet për lekë. Përkundrazi, në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni. Gazetaria nuk të çon në pasurim, mund të të çojë në mirëqenie, për hir të së vërtetës. Unë nuk ankohem, kam aq sa më mjafton, bile edhe më shumë për të jetuar mirë. Por, një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera. Një gazetar që skllavëron zanatin – duke i kërkuar ndjesë Prokurorit – unë do ta pushkatoja.

Siç e shikoni nuk po ju sjell lajme të mira, ama, në këtë pikë duhet t’ju them dhe diçka tjetër. Ndoshta kam bërë një zanat të gabuar, por nuk pendohem. Besoj se gazetaria në Itali ka luajtur një mision, ajo hoqi kulturën italiane nga kalatë e saj, nga bandat mafioze. Kërkoj falje t’ua kthej kështu mikpritjen tuaj, por duhet t’ju them se gazetaria këtë detyrë e ka kryer prej dekadash, duke çuar kulturën në mes të publikut. Kultura italiane kishte një nevojë të madhe, sepse nuk di t’i flasë publikut. Ka gjuhën e saj, të papërkthyer në gjuhën e zakonshme. Ndoshta ju e dini që unë nuk kam shumë për t’u mburrur me vitin 1968 dhe me atë që bëra aty, sepse mbaj ende në trup shenjat dhe gjurmët, por arsyet e largëta të atyre djemve që më hodhën sipër një tufë me plumba, ndoshta unë po të kisha moshën e tyre do t‘i ndaja me ta. Me siguri do të isha larguar sepse mënyra si donin t’i bënin gjërat ishte e gabuar, por diçka ishte ama. Në rebelim në një farë mënyre fisnike të të kuptuarit kulturën, diçka të drejtë, ka.

Kush nga ju do të dojë të bëjë këtë zanat të kujtohet të zgjedhë pronarin e tij, lexuesin. Të vihet në shërbim të tij dhe të flas gjuhën e tij, jo atë të akademisë. Të çojë kulturën e akademisë drejt kuptimit. Kini parasysh që kjo ka qenë një nga tradhtitë më të rënda në Itali dhe janë kryer goxha të tilla. Doni prova? Merrni një shkrim të çfarëdoshëm të Italisë së 700’ës dhe krahasoheni me faqet e enciklopedisë franceze. Faqet e Volterit , të D’Alembertit, janë të qarta dhe të kthjellëta, kuptohet gjithçka. Në të tjerat nuk kuptohet asgjë: gjuhë e veshur, jo reale, gjuhë princërish. Gjuha e kulturës në shërbim të Zotit, që pastaj u shndrua në parti. Domethënë u keqësua më tepër, sepse ishte më mirë ti shërbeje një Duke ose Kardinali se sa një partie. Ishte më pak e padenjë edhe pse ishte e padenjë edhe ajo.

Kujtohuni që kultura në Itali nuk u përhap kurrë, ajo pak që ishte u bë prej gazetarisë. Nëse ju doni të bëni këtë punë, ky është angazhimi që ju keni për të përmbushur. Për ta bërë, nuk ka vuajtje që mund t’ju kthej mendjen, dhe kjo punë është shumë e bukur. Nuk të çon askund por është e bukur. Gazetaria bëhet për gazetari, dhe për asgjë tjetër. Ky është teksti i leksionit të fundit të gazetarisë i mbajtur nga Indro Montanelli (1909-2001), në Universitetin e Torinos, në 12 Maj, 1997. Shqipëroi: Brizida GjikondiKultPlus.com

‘Një njeri që nuk ka shkuar kurrë në shkollë mund të vjedhë një vagon, nëse ai është shkolluar, ai mund të vjedhë gjithë hekurudhën’

Theodore Roosevelt ishte presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Roosevelt ka fituar edhe çmimin ”Nobel” për paqe.

Gjurmët e këtij presidenti, vazhdojnë të jetojnë akoma me historinë e madhe të Amerikës.

Në vijim, KultPlus ju sjellë disa nga thëniet më të njohura të tij.

Bëni atë që mundeni, me atë që keni, atje ku jeni.

Eshtë e vështirë të dështosh, por është më keq që të mos jesh përpjekur kurrë të kesh sukses.

Besoni se mundeni dhe jeni në gjysmë të rrugës për atje.

Kur të arrini në fund të litarit tuaj, lidhni një nyjë dhe mbajuni fort.

Njerëzve nuk u intereson sa dini derisa të dinë se sa përkujdeseni.

Asgjë në botë nuk ia vlen të kesh apo ia vlen të bësh nëse nuk do të thotë përpjekje, dhimbje, vështirësi … Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur zili një qenie njerëzore që bëri një jetë të lehtë. Unë kam zili shumë njerëz që bënë jetë të vështira dhe i udhëhoqën mirë.

I vetmi njeri që nuk bën kurrë gabime është njeriu që nuk bën kurrë asgjë.

Të edukosh një person në mendje por jo në moral do të thotë të edukosh një kërcënim për shoqërinë.

Të dish se çfarë është e drejtë nuk do të thotë shumë nëse nuk bën atë që është e drejtë.

Mbani sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë.

Në çdo moment të vendimi, më e mira që mund të bësh është gjëja e duhur. Gjëja më e keqe që mund të bësh është asgjëja.

Guximi nuk është forcë për të vazhduar më tej; por të vazhduarit më tej kur nuk keni më forcë.

Fol butë dhe mbaj një shkop të madh me vete; do shkosh larg. / KultPlus.com