Diella Valla, një përzierje mes pikturës, feminizmit dhe modës

31 Dhjetor, 2019 - 12:06 pm

Arbër Selmani

Ajo është 17 vjeçare, por çmimet dhe përmbushja me suksese e kanë përcjellur vazhdimisht dhe nuk parashihet ta lënë të qetë. Fituese e vendit të parë në garat komunale ‘8 marsi’ në vitin 2016-të, fituese e garës FcStechContest në Universitetin FIDM në Los Angeles, këtë vit fituese e vendit të parë në nivel shtetëror në garën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik, Diella Valla është fëmijë i veçantë që krijon dhe ushqehet me art. Mbesa e piktorit Esat Valla, Diella Vallës i rrjedhë në familje e në gjak dëshira për të pikturuar, për të skicuar, për të sjellë në jetë mendimet e saja abstrakte.

Në shikim të parë, Diella duket e turpshme, por shpejt e zbulon veten dhe botën që brenda saj është zjarr arti. Diella është e ardhmja e ndritur e këtij vendi që, nëse me asgjë tjetër, do të duhej të krenohej me talente të tilla që inspirohen çdo ditë, dhe kanë thumbimin e tyre artistik si armë të fortë.

Me anë të kësaj interviste, Diellën po e afrojmë më afër me lexuesin e KultPlusit.

KultPlus: Fillimisht, kush është Diella Valla, na trego pak më shumë për veten për ata që po njoftohen me ty me anë të kësaj interviste?

Unë jam Diella Valla, një vajzë 17 vjeçare e cila jeton në Prishtinë. Vijoj Shkollën e Mesme të Shkencave Natyore “Sami Frashëri”, mirëpo anash shkencave kam një pasion të madh për pikturën e veçanërisht për dizajnin e modës.

KultPlus: Në familjen tënde arti rrjedhë prej kohësh. Na trego pak për influencën që kanë pasur familja jote dhe pjesa e saj që merret me art?

Në familjen time arti ka rrjedhur shumë moti, duke filluar nga gjyshi im Esat Valla i cili është piktor i njohur, babi im Klodian Valla poashtu me profesion piktor, dhe nëna Yllka e cila ka të përfunduar dizajnin grafik dhe masterin në pikturë. Mendoj se këto kanë qenë kanalet prej nga unë kam marrë hapat e parë dhe thellë në mua është instaluar dashuria për artin, modën, për të bukurën.

KultPlus: Si ka lindur piktura te Diella, kur ka nisur gjithcka ta marrë formën që e ke tani?

Njëkohësisht, është familja ime ajo e cila më ka ndjekur rreth zhvillimit të pasionit tim për pikturë, dhe në të njëjtën kohë edhe frymëzimi i madh i imi, dëshira e madhe dhe guximi e vullneti që ta sfidoj veten jashtë klisheve dhe kutisë së mendimit tim.

KultPlus: Cka pëlqen më shumë të pikturojë Diella dhe a ka talent edhe për ndonjë fushë tjetër artistike, që lidhet me pikturën e ngjyrat?

Piktura dhe dizajni janë pasioni im më i madh, mirëpo krahas me to mua më pëlqen shumë realizimi i punëve vullnetare dhe aktivizmi, ndjenja e veprime të cilat sipas meje duhet t’i kultivojmë të gjithë dhe na ndihmojnë në ndërtimin e një personaliteti. Kam filluar që të vizatoj qysh nga mosha 2 vjeçare me format e vogla artistike fëmijërore, mirëpo pasioni dhe dëshira e madhe për të shndërruar ato forma fëmijërore në anën shpirtërore timen vazhduan në vitet më tutje.

Gjithçka më pas morri formë dhe arrita deri te piktura dhe ilustrimet e deritanishme të modës, dhe pjesa më e madhe e imja dhe inspirimit tim shkon për të punuar në projekte artistike.

KultPlus: Je fituese e disa konkurseve kombëtare e ndërkombëtare. Sa të ndihmojnë këto çmime të vazhdosh në fushën ku je?

Është e vërtetë se jam fituese e shumë çmimeve sikurse në fushën e pikturës, ashtu edhe në atë të modës. Shtoja këtu edhe vendin e dytë në garën për fotografi dhe pikturë me temën ‘Prishtina ime’ – nga Qendra Yunus Emre, vendin e dytë në garat komunale ’17 shkurti’, vendin e parë në garën e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, kam bërë edhe punë praktike për skicim të veshjeve të kreatores së modës, Samira Ebrahimi.

Këto çmime dhe angazhime kanë arritur që të më shoqërojnë deri në rrugën e tanishme, dhe shpresoj që do të kemi edhe suksese të tjera në vazhdim, sepse këto mbesin shpërblime të cilat e kanë ngritur vlerën time, vlerën e artit që unë bëj, madje edhe e kanë përmirësuar stilin tim në secilën prej këtyre degëve të artit. Mësoj çdo ditë diçka të re dhe po rritem bashkë me pretendimet e mia. Kam marrë pjesë edhe në njërin prej aktiviteteve të KultPlusit – në punëtorinë e piktorëve të rinj, prej nga jam ndarë shumë e kënaqur.

KultPlus: Në plot piktura tuaja shohim gratë si motiv, na trego pak më shumë për këtë inspirim?

Femrat janë motivi i pothuajse çdo copës sime të artit. Duke qenë se jam feministe, piktura dhe dizajni i modës janë të vetmet rrugë për të shprehur identitetin tim femëror dhe për të mbrojtur të drejtat e femrave në çdo aspekt, qoftë në anën politike, ekonomike, kulturore e artistike përmes fuqizimit të tyre me anë të pikturës.

Madje cikli që unë e kam krijuar në ilustrimet e modës në të cilën dominojnë qafët e gjata ka një simbolikë që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të grave dhe ruajtjen e identitetit të tyre.

Pikësëpari është një prej synimeve të mia, të arrij fuqizimin dhe të drejtat e plota të grave, duke përdorur edhe artin tim si mjet aktivizmi.

KultPlus: A ke kthyer pikturat e tua në kreacione?

Pjesa më e madhe e pikturave të mia, qofshin peisazhe apo natyra të qeta, kam arritur që t’i shndërroj në stilin tim abstrakt apo edhe në pointilisem.

Një pjesë e madhe e kreacioneve të mia të modës sot janë të kthyera edhe si pjesë të pikturës, sepse në çdo figuracion të modës kam elemente pikturale të cilat më flejnë në shpirtin tim dhe që mendoj se janë të denja si pjesë e një kreacioni.   

KultPlus: Si është një ditë e zakonshme e Diellës?

Dita e zakonshme për mua fillon me shkollën të cilën e përfundoj paradite, kthehem në shtëpi, mësoj dhe arrij në pjesën e fundit të ditës e që është pjesa më e bukur për mua, ajo thjesht definohet me ‘Pikturim’ apo ‘Ilustrim Mode’.

Inspirimi im fillon gjithnjë me detaje të vogla, nga copëzat e revistave, nga ngjarjet e jetës së përditshme, nga sfilatat më të reja të modës të cilat më nxisin në çdo moment për të krijuar diçka të re dhe unike. Ky inspirim është shumë i shpeshtë saqë jo çdoherë kam kohë të lirë të implementoj secilën ide timen.

Për të gjitha pikturat, ilustrimet e modës dhe bashkëpunimet, mund të më ndjekni në faqen time në instagram @diellaillustrations, aty ku edhe jam e gatshme të shfaqi çdo gjë të re, në çdo moment.

KultPlus:  Diella, për fund, cili është mesazhi yt për moshatarët tu, a do të duhet të merreshin të gjithë me një copë art në përditshmërinë e tyre dhe në një moshë kaq delikate

Çdo moshatar i imi tashmë ka nje copëz talenti pothuajse të zbuluar.

Unë mendoj që të gjithë ata që kanë pasion në shpirtin e tyre dhe dëshirojnë që të ndajnë idetë e tyre me të tjerët, asnjëherë nuk është shumë vonë, për të nxitur idetë tuaja, për t’i shkarkuar në letër qoftë në formë pikture, ilustrimi, vizatimi, dizajni, poezie, eseje apo edhe romani. Secila shprehje artistike vlen.  Ato mendime që i keni bëhuni të gatshëm t’i ndani me të tjerët. / KultPlus.com

Të ngjajshme