Njëra ndër letrat më të bukura të dashurisë – Remarku i shkruan të dashurës

Mendoni se letra e vetme e bukur e dashurisë është ajo e Tatjanës drejtuar Onjeginit? Duhet të lexoni edhe letrën e shkrimtarit Erich Maria Remarque drejtuar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, dhe me siguri do ta rimendoni edhe një herë se cila është më e bukura.

Ndjenjat e pastra dhe fjalët e bukura të Remark të emocionojnë, të depërtojnë në shpirt dhe të rrënqethin.

Për më tepër, ju ftojmë ta lexoni letrën e tij:

“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që të kam thënë gjithmonë : shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.

Ti më quan “Rezonancë që merr frymë” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? Ti arrin dhe ke atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë e di, mund ta arrij atë në mënyrë të plotë.

Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë këtë kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur në formë vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër dhe dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu, në kilometra, dhe që ti ta dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.

Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtet me një emocion të thellë : A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai përjetë? Nuk e di, ti je motra apo nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime. Ti ndjen tek unë dhe nerving më të hollë. Ti lexon çdo gjë në shikimin tim. Me gjakun tënd hyn në brendësinë time.

Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh në deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që, me krahët e tua prej engjëlli, gjoksin tim shëron. Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu?

Nganjëherë më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndiej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund ta prishë atë. Në ato çaste ndiej të vij dikush drejt meje me hapa të lehtë dhe ajo je ti. Atëherë unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar. E, atëherë, ndiej që së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë  që lufta e dhunshme m’i mori dhe, ato vite je ti që vjen e m’i shumëzon me dy. E kështu ti bëhesh në të njëjtën kohë aventura dhe gruaja ime.

Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonanca që unë ndiej e thith si ajër, por i tillë jam edhe unë. E di? Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd.

Herë të tjera më duket vetja si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhurë mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra, të cilat ty të mungojnë.

O drita ime e dashur! E di? Nganjëherë unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. Në atë moment tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën më të rëndë gjendjen.

Por megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty. Pastaj ndiej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm.

Më pas, unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem aty tek vendi im në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin. Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndiej që dora s’po më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do. Kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forcë e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.

Më duaj, puma” (e quante ai me përkëdheli Marlene Dietrich)! / KultPlus.com

Osmani uron Australinë për Ditën Kombëtare: Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë me ju

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar guvernatoren e Përgjithshme të Australisë, Sam Mostyn dhe kryeministrin Anthony Albanese, për Ditën e Australisë.

Në një postim në X, Osmani tha se Kosova e vlerëson miqësinë që ka me këtë shtet dhe se pret që të forcojë lidhjet mes dy vendeve.

“Urimet më të përzemërta për guvernatoren e Përgjithshme Sam Mostyn, kryeministrin Anthony Albanese dhe miqtë tanë australianë me rastin e Ditës së Australisë! Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj me Australinë, të ndërtuar mbi vlerat tona të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe respektit. Ne mezi presim të forcojmë më tej lidhjet e qëndrueshme midis vendeve tona. Paqja, prosperiteti dhe suksesi le të vazhdojnë të lulëzojnë në të gjithë vendin tuaj të bukur”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com

Në kuadër të “Flakës së Janarit 2025” mbahet tryeza për enigmatikë dhe shpallen fituesit e garës për fjalëkryq dhe anagram

Manifestimi Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2025”, ka vazhduar tutje me aktivitete në fushën e enigmatikës, ku është mbajtur tryeza për enigmatikë, që për temë ka trajtuar: “Ndihmesë për terminologjinë e gjëzakuptimit- enigmatologjisë”, si dhe janë bërë të ditur fituesit e garës për enigmatikë në përpilim të fjalëkryqit dhe anagramit.

Fillimisht, Shemsedin Kryeziu, në emër të Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, ka thënë se tani më janë bërë të rregullta organizimet e garave në enigmatikë apo të tryezave të ndryshme dhe edhe këtë vit po organizohen aktiviteteve në këtë fushë, ndihmuar nga Komuna e Gjilanit dhe si pjesë e Manifestimit “Flaka e Janarit 2025”.

Përndryshe, kjo Shoqatë dhe Redaksia e Revistës së Enigmatëve, “Horizonti”, kësaj here organizoi garat në një variant më ndryshe duke e bërë konkurruese garat në përpilimin e fjalëkryqit dhe të anagramit, sipas kritereve të përcaktuara nga organizatori.

Shoqata paraprakisht shpalli konkurs me korrespondencë për zgjidhje e gjëzave (fjalëkryq dhe ndërrimor-anagramë), ku garuesit kishin për detyrë përpilimin e fjalëkryqit me dimensione 10/12 me një fjalë obligative – Ndre Mjeda dhe një ndërrimori nga fjalët: “Enigmatika për flakën e janarit” (27 shkronja).

Punimet i dërguan 16 garues, prej tyre 16 fjalëkryqe dhe dhjetë (10) ndërrimorë. Në propozicionet e garave kërkohej zbatimi i rregullave të gjuhës shqipe, drejtshkrimi, gramatika dhe ato enigmatologjike. Prej 16 garuesve, tre prej tyre u lanë jashtë konkurrence për shkaqe etike dhe përkatësia kategorisë së juniorëve.

Juria e Shoqatës në përbërje: Zijadin V.Hasani, kryetar, Xhelel Selmani dhe Shemsedin Kryeziu, anëtarë, në vlerësimin e punime të arritura u bazuan në kriteret e njohura të vlerësimit siç janë: gjatësia mesatare e fjalëve, numri i katrorëve të zinj, numri i togjeve – bashkëtingëlloreve dhe zanoreve, sonoriteti (tingullima) i fjalëve, përdorimi i germave „të vështira“ (zh, rr, th nj, dh..), bardhësia e diagramit, fjalët e panjohura, germat e izoluara dhe përshtypja e përgjithshme, pas vlerësimit të tërësishëm të punimeve u bë kjo renditje:
Juria bëri këtë renditje:

Çmimet për Fjalëkryq: Mensur Mamuti, 287 pikë (vendi i parë), Skender Tullumi, 264 pikë (vendi i dytë) dhe Rexhep Hasani, 230 pikë, (vendi i tretë)

Renditja në sajim të ndërrimorit (anagramës) – Çmimet: Azem Çerkini, vendi i parë, Mensur Mamuti, vendi i dytë dhe Sadri Husmani, vendi i tretë.

Përndryshe, në tryezë foli Zijadin Hasani i cili tha se enigmatologjia në përgjithësi, por edhe ajo shqiptare është lëmi relativisht e re dhe ende nuk kemi shkrime as hulumtime të njohura për nivelin e zhvillimit të saj, e mos të flasim për terminologjinë shqiptare të gjëzave në përgjithësi.

“Shkëndijat e hershme të emërtimit të gjëzave në shqip i gjemë në libra, revista e gazeta të periudhave të ndryshme, të dhëna të vlefshme për emërtimin e gjëzave në gjuhën tonë jep një libër me gjëza “Lodra dhe zbavitje”, i autorit Sotir Qirjaku, i botuar më 1958 në Tiranë, pastaj “lojëra zbavitëse”,, Arian Çika – 1983, Tiranë, “Fjalori i Enigmatikës 3”, Zijadin Hasani, 1994 – Gjilan, pastaj “Enigmatika – figurat kombëtare (monografi):, Mensur Mahmuti, 2020 – Tetovë, “222 ditë me fjalëkryqet e Xh. Ruhanit”, Xhevat Ruhani, 2023 Prishtinë…”, ka thënë ndër tjerash Zijadin Hasani.

Ai tha poashtu se edhe Revista Horizonti (1981 – 2025), ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshëm me terminologjinë enigmatike shqiptare, pastaj ndihmëse dhanë edhe revista tjera për enigmatikë botuar në Kosovës, por edhe në Maqedoninë e Veriut.

Hasani ka sqaruar më pas disa terma që nevojiten për të gjithë ata që merren me enigmatikë ose u intereson enigmatika.

Mensur Mamuti nga Tetova pati disa propozime në lidhje me terminologjinë ose shqipërimin e llojeve të gjëzave apo edhe termave tjerë në fushën e enigmatikës.

Ai u ndal te fjalët që përdorën në fjalëkryqet, për dy-shkronjat që janë pasuri e jona e shtoi se duhet pasur kujdes fjalët që përdorën nëpër fjalëkryqe, por kërkoi kujdes edhe në përpilimin e enigmave tjera si në rebuse…

Islam Zuzaku kërkoi t’i kushtojmë rëndësi kategorive gramatikore, e Xhelal Abrashi u ndal në krahasimin e gjëzëtarisë që botohet në Shqipëri dhe Kosovës, domosdoshmërinë që të respektohen rregullat në përpilimin e enigmave.

Xhelil Rrahmani tregoi që merr pjesë nëpër gara dhe përmendi se ka rastisë të fjalë që nuk i ka kuptuar andaj kërkoi kujdes gjatë përpilimeve, derisa Rasim Vllasaliu o fokusua te botimi i Horizontit qysh në fillet e saja, por edhe sot, e Nevzad Isufi tha se enigmatika duhet të përkrahet sepse kjo fushë duhet të vazhdojë se ka vlerës e saj.

Në tryezë kontribuuan edhe Ekrem Krasniqi, Skender Sadiku, Muhamet Halili, e të tjerë./ KultPlus.com

Kur fillova nga pak të vdisja

Poezi nga Ndoc Gjetja

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës. / KultPlus.com

Paul McCartney: Inteligjenca artificiale mund të shkatërrojë artistët

Muzikanti britanik, Paul McCartney ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale (IA) mund t’i “shkatërrojë” artistët nëse miratohet një ndryshim i propozuar i ligjit për të drejtën e autorit.

Propozimet mund të heqin nxitjen për shkrimtarët dhe artistët dhe të rezultojnë në një “humbje të krijimtarisë”, tha ai për BBC.

Përdorimi i materialit me të drejtë autori për të ndihmuar në trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale është subjekt i një konsultimi të sapo nisur me qeverinë britanike.

Mungesa e qartësisë rreth asaj nëse është e drejtë që materiali i të drejtës së autorit të përdoret për të trajnuar modelet që po fuqizojnë valët e reja të mjeteve të IA-së ka ndezur debat në mbarë botën, me çështje ligjore të nisura nga kompanitë dhe individët në industrinë krijuese mbi atë që ata argumentojnë se është përdorimi i palicensuar i materialit të tyre.

Në të kundërt, disa organizata botuese dhe media kanë nënshkruar marrëveshje licensimi me kompanitë e IA-së për t’i lejuar ato të përdorin materialin e tyre për të trajnuar modelet e tyre.

Qeveria britanike tha se do të përdorë konsultimin, i cili do të zgjasë deri më 25 shkurt, për të eksploruar pikat kryesore të diskutimit, duke përfshirë mënyrën se si të përmirësohet besimi midis sektorëve krijues dhe IA-së dhe se si krijuesit mund të licensojnë dhe të shpërblehen për përdorimin e materialit të tyre.

“Ne jemi populli, ju jeni qeveria. Ju duhet të na mbroni. Kjo është puna juaj”, tha McCartney duke i bërë thirrje qeverisë që të rimendojë planet e saj.

“Kështu që ju e dini, nëse po miratoni një projektligj, sigurohuni që të mbroni mendimtarët krijues, artistët krijues, ose nuk do t’i keni më”, tha ai.

Në nëntor 2023, shokët e mbijetuar të grupit McCartney dhe Ringo Starr krijuan këngën “Now And Then” duke përdorur teknologjinë artificiale për të ndarë vokalin e John Lennon nga një demo e regjistruar në 1977. /KultPlus.com

Një statujë 2 000-vjeçare gjendet e braktisur në një qese plehrash

Një statujë mermeri e një gruaje, që besohet të jetë më shumë se 2 000-vjeçare, u gjet e braktisur në një qese plehrash pranë qytetit grek të Selanikut, sipas AP.

Një banor zbuloi statujën pa kokë, 80 centimetra të gjatë, pranë një koshi plehrash në Neoi Epivates, jashtë qytetit të dytë më të madh të Greqisë.

Ai ia dorëzoi atë autoriteteve lokale, të cilët kontaktuan arkeologët për të vlerësuar rëndësinë e saj.

Policia tha se ekspertët, pas një vlerësimi fillestar, përcaktuan se pjesa i përket epokës helenistike, një periudhë afërsisht midis 320 dhe 30 p.e.s. që u shënua nga një lulëzim i artit dhe kulturës, pas pushtimeve të Aleksandrit të Madh.

Statuja u dërgua për ekzaminim të mëtejshëm nga arkeologët.

Ajo përfundimisht do t’i dorëzohet autoritetit lokal të antikiteteve për ruajtje dhe studim.

Policia hapi një hetim për të përcaktuar se kush e hodhi statujën dhe ndaloi për pak kohë një burrë për t’u marrë në pyetje, i cili më vonë u lirua pa akuza.

Zbulimet arkeologjike aksidentale janë relativisht të zakonshme në Greqi, një vend i njohur për trashëgiminë e tij të lashtë dhe shpesh bëhen gjatë ndërtimit të ndërtesave ose punëve publike.

Në dhjetor, punëtorët që instalonin tubacionet e gazit natyror pranë Athinës zbuluan një statujë të Hermesit të epokës romake të varrosur drejt në një gropë të veshur me tulla pranë Akropolit.

Selaniku javë më parë zbuloi një grumbull antikash të gjetura gjatë ndërtimit prej dekadash të sistemit të tij të metrosë, i cili u hap zyrtarisht në nëntor.

Gjetjet kryesore, duke përfshirë një rrugë romake të shtruar me mermer dhe dhjetëra mijëra artefakte që përfshijnë periudhat greke, bizantine dhe osmane, shfaqen tani në stacionet e metrosë./ KultPlus.com

Gjeografia shpirtërore në veprën e Besnik Mustafajt

(Theksime nga fjala e lexuar në Takimin me shkrimtarin Besnik Mustafaj organizuar nga shoqata “Tropoja” në Tiranë)

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Gjeografia shpirtërore shqiptare nuk është kartografi, por identitet historik. Është një pikturë e madhe me një tablo identitare, të cilën koha dhe rrethanat shoqërore dhe politike nga lashtësia e deri te koha jonë e kanë kthyer në mozaik. Kjo ka ndodhë në antikitet, ka ndodhë në mesjetë, ka ndodhë gjatë Perandorisë Osmane dhe veçmas pas shembjes së saj. Kështu, mozaiku i kujtesës sonë historike nga viti 1913, është kthyer në një kartografi politike, ku Shqipëria Londineze, si shtet shfaqet e përgjysmuar, ndërsa Kosova, Maqedonia dhe Çamëri, të cilat, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te pavarësia kanë qenë qendra e saj kulturore dhe politike, me mbetjen të pushtuar në Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, kthehen në pakica fetare, që i priste asimilimi ose shpërngulja për në Turqi, siç ndodhi me një pjesë të mirë të tyre.

Nga këndvështrimi i sotëm shtrohet pyetja se çfarë përgjigje i dhanë shqiptarët e ndarë kartografisë së re politike nga vitet 1913-1914, gjatë luftës së parë botërore, gjatë luftës së dytë botërore dhe pas luftës së dytë botërore, nga viti 1945-1991 në rrethanat kur midis dy luftërave botërore (1916-1918) dhe gjatë luftës së dytë botërore (1941-1944) pati intermexo kohore të bashkimeve të përsëritshme, të cilave u dha fund fitorja e komunizmit në Shqipëri dhe në Jugosllavinë e Titos?

Nëse anashkalohen rrethanat midis dy luftërave botërore, të cilat me ndryshimet e mëdha të gjendjeve ishin të pamjaftueshme për çfarëdo konsolidimi politik, shoqëror dhe kulturor, megjithatë ato që solli fundi i luftës së dytë botërore, pra komunizmi në Shqipëri, mund të thuhet se ishte ideologjia, ajo që gjeografinë shpirtërore, me metodën e realizmit socialist në krijimtari veçmas në letërsi e zhveshi nga çfarëdo fryme kombëtare. Heroi i ri pozitiv ishte në funksion të krijimit të njeriut të ri socialist, me kujtesë të fshirë, një monstum! Kjo e qëlloi më së shumti letërsinë e traditës dhe gjithë ato vlera që krijoi mendësia e Rilindjes kombëtare. Kështu, krijimtaria u vu fund e krye në shërbim të doktrinave ideologjike.

Në Kosovë, hiq periudhën kur shovinizmi serb nga viti 1945-1966, shfrytëzoi parullën e vëllazërim-bashkimit, për të vazhduar planet e njohura nga platforma e Çubrilloviqit për asimilimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, nga viti 1966 kur bie pushteti policor i Rankoviqit, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 dhe ato të vitit 1974 kur fitohet statusi i njësisë federative, për ndryshim nga Shqipëria komuniste, ku shkrimtarët që nuk i përmbaheshin metodës socrealiste internoheshin në kampe pune edhe vareshin (i fundit u var në Kukës poeti Havzi Nela në vitin 1988), pra krijimtaria artistike, veçmas letërsia, në saje të asaj se Jugosllavia në vitin 1949 përjashtoi metodën e socrealizmit në art dhe krijimtari, i kthehet identiteti kulturor dhe historik shqiptar. Në veprat letrare të shkrimtarëve të brezit të mesëm dhe atij të ri zuri vend të theksuar tematizimi i historisë nga antikiteti, mesjeta dhe koha jonë gjithnjë e parë si tërësi dhe me vazhdimësi së cilë planet hegjemoniste serbe ia mohonin. Duke u ndërlidhur me veprat e Martin Camajt “Nji fyll ndër male” dhe “Kanga e vërrinit” si dhe romanin antologjik për të rijnë të Rexhep Hoxhës “Lugjet e verdha”, që paraqesin hyrje poetike në histori në përputhje me gjeografinë shpirtërore , shfaqen vepra të rëndësishme që dëshmojnë formacionet shoqërore dhe politike në thellësitë e saj me principata e deri te mbretëritë. Të tilla janë “Trilogjia ilire” te Ymer Shkrelit, “Trungu ilir” i Sabri Hamitit, “Akrostiku i Skënderbeut” i Beqir Musliut, drama e Tekin Dërvishit “Zhvarrosja e Pjetër Bogdanit”, romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”, “Udhëzimet për kapërcimet e dertit” të Mehmet Krajës si dhe vepra të tjera që plotësonin gjeografinë shpirtërore shqiptare.

Metoda socrealiste në Shqipëri me letërsi të shumtën me vepra të propagandës politike, pa ndonjë vlerë letrare, në njërën anë dhe në tjetrën anë, veprat e shkrimtarëve të Kosovës që rikthejnë identitetin tonë historik dhe shpirtëror në letërsi, paraqesin një absurd historik, ku raportet politike dhe shtetërore që krijoi Konferenca e Londrës me ndarjen shqiptare, që i konfirmoi edhe Konferenca e Parisit e viti 1919 dhe ajo e vitit 1945, të qendrës (Kosovës – periferi) dhe të shtetit të përgjysmuar shqiptar – qendër, kulturalisht “periferinë” – Kosovën ta kthejë në qendër shpirtërore shqiptare, ndërsa shtetin shqiptar komunist, ta kthejë në pjesë të kartografisë ideologjike të kartës politike të botës komuniste që shtrihej nga Moska deri në Pekin, Kubë dhe Afrikë!

Ky absurditet historik, megjithatë, së paku politikisht, mori fund në vitin 1991 me ndryshimet politike në Shqipëri dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, kur bie edhe qendra kryesore prej nga artit dhe kulturës për afër një shekulli iu caktuan recetat socrealiste, që rrënuan vlerat shpirtërore dhe ato kulturore të popujve që u pushtuan nga sistemi komunist.

Me këto ndryshime, arti dhe kultura në Shqipëri hoqi tiraninë e metodës së socrealizmit, por kjo nuk mjaftoi që saora që kartografinë ideologjike ta kthejë në gjeografi shpirtërore në përputhje me identitetin historik.

Megjithatë, viteve të fundit, disa nga shkrimtarët e brezit të rinj kanë filluar t’i qasen me përkushtim kësaj. Ndër ta dallohet Besnik Musftaj me dy nga veprat e tij: ”Fati i marrë” dhe “Një roman i papërfunduar”.

Si shkrimtar që vjen nga Tropoja, të cilën kufiri i vitit 1913, me ndarjen nga Gjakova dhe Kosova, ia prenë damarët ekzistencial, por edhe i krijon shkëputje nga një identitet i përbashkët kulturo së cilës i ka takuar, përpiqet që ta pasqyrojë fatkeqësinë që sjell ndarja e kufirit, përafërsisht me kundrimin që kishte vepra e H. Salihut në vitete e shtatëdhjeta. Në këto vepra Mustafaj, sjell kujtesën e shkëputur historike, duke e ndërlidhur me realitetin e ri jetësor, me ç’rast konceptit të Shqipërisë politike, i kthehet ai i dimensionit etnik historik. Në këtë veprim Mustafaj ndërlidhet me omonimet, patronimet, toponimet, mitet dhe gjithë ato vlera të treaditës që shkojnë edhe deri te simbolet e kozmogomisë, që ruhen në atë që Mis Durham e quan “Shqipëri e Epërme”.

Në këtë mënyrë, mund të thuhet se veprat e Mustafajt letërsisë sonë ia hapin rrugën që të rikuperojë, po qe se kjo është e mundur, plagët e thella që botës shqiptare ia shkaktuan konferenca londineze dhe dy të Parisit, e mbi të gjitha koncepti ideologjik i metodës së socrealizmit, që Shqipërinë e ktheu në një Gullak politik, ndërsa kulturalisht, me doktrinën e shtetit ateist, e barazoi me Kmerët e kuq!/ KultPlus.com

Aktori Besir Zeçiri i cili luan në filmin e nominuar për Oscar: Është e rëndësishme të njihni rrënjët tuaja shqiptare

Filmi danez “The Girl with the Needle”, një dramë e fuqishme e regjisorit Magnus von Horn, është nominuar për çmimet Oscars 2025 si hyrja zyrtare e Danimarkës në kategorinë e Filmit më të mirë ndërkombëtar. Nga rolet kryesore në këtë film të veçantë e interpreton aktori shqiptar Besir Zeçiri, i cili sjell një performancë mbresëlënëse që ka tërhequr vëmendjen e kritikëve ndërkombëtarë.

Ai ekskluzivisht për KultPlus ka treguar se fillimisht nuk e kishte pranuar këtë rol, sepse kishte menduar që nuk do pranohej, mirëpo që nga fillimi e kishte ditur se ky film ishte i veçantë.

“Asnjëherë nuk mund ta dini nëse filmi për të cilin po punoni është një sukses i menjëhershëm, por në fillim e dija se kjo ishte diçka e veçantë e sidomos nga takimi me regjisorin dhe tani mikun tonë Magnus von Horn dhe pastaj edhe me leximin e skenarit. Kur jam në xhirime më duket si luftë. Unë thjesht punoj shumë dhe fokusohem në vizionin e regjisorit. Unë nuk gjykoj asgjë dhe nuk mendoj se “kjo do të jetë kjo apo ajo”. Ju jeni vetëm në të”, ka thënë ai.

Sipas tij, fillimisht i kishte thënë ftesës jo, nga frika se nuk do e pranohej në atë rol pasi që ishte shqiptar.

“Mendova se disa nga regjisorët danezë nuk do të më lejonin të luaja kurrë në një film të tillë, sepse në sytë e tyre jam shqiptar. Sot luaj gjithçka, por ka qenë një rrugë e gjatë. Mendoj se është e rëndësishme të lejosh punën tënde të flasë. Dhe unë besoj se industria daneze e filmit po zhvillohet në një mënyrë të mahnitshme. Shumë gjëra të mira po ndodhin”, thotë ai për KultPlus.

Aktori Besir Zeçiri filloi të merrej me teatër përpara se të aplikonte për Shkollën Daneze të Arteve Skenike. Ai ka bërë edhe disa seriale televizive. 

“Njerëzit i shohin Oscarët tani, por për mua ka qenë një rrugë e gjatë dhe një sakrificë e madhe. Unë dhashë gjithçka. Dhe e ndërtova karrierën time hap pas hapi. Unë kam punuar në këtë biznes që nga viti 2009, kështu që kërkon kohë. Sigurisht që ky është një hap i madh, por kurrë nuk do të ndihem se e kam arritur. Është e rëndësishme ta shijoni dhe ta pranoni atë. Por tashmë po vendos synime të reja. Unë kam një ëndërr të madhe të punoj me shqiptarë. Kam biseduar me disa, por nuk arrita kurrë në xhirime”, shpalos Zeçiri.

Babai i tij erdhi në Danimarkë në vitin 1969 si punëtor dhe aktori Zeqiri ka lindur atje, por ai ndjehet krenar me rrënjët e tij shqiptare.

“Jam shumë krenar që jam shqiptar dhe dua të vizitoj xhaxhain dhe kushërinjtë e mi të mrekullueshëm në Kamenjanë të Tetovës. Ata kanë një rol të madh në suksesin tim, veçanërisht kushëriri im Gazmend Imeri, i cili më mësoi për jetën. Unë i përziej shumë kulturat. Gruaja ime është daneze dhe djali im quhet Alban. Është e rëndësishme të njihni rrënjët tuaja. Dhe t’i mbroni. Ne kemi një kulturë të fortë, por gjithashtu mendoj se duhet të kujtojmë se çfarë është kjo për ne. Për mua besa dhe mikpritja do të thotë gjithçka”, thotë ai.

Ai ndjehet i lumtur për shqiptarët. Ai thotë se Dua Lipa është një frymëzim i madh por edhe Aleksandër Moisiu, i cili ka bërë teatër në Danimarkë shumë kohë më parë.

“Suksesi im i dedikohet familjes sime. Të gjitha të këqijat dhe të gjitha gjërat e mira që kam përjetuar më bënë një aktor të mirë. Sidomos e keqja. Nëse ia kaloni, mund ta përdorni në krijimtarinë tuaj. Ndoshta tingëllon si egoiste por suksesin ia dedikoj edhe vetes sepse askush nuk më ka ndihmuar dhe sidomos familja. Jo sepse janë njerëz të këqij, por nuk e kuptuan kurrë se çfarë po bëja. Ata e kuptojnë punën si punë normale. Por, unë jam ende shumë mirënjohës ndaj tyre sepse puna e palodhur që ata bënë më dha një etikë pune fantastike”, thotë Zeçiri për KultPlus.

Rreth filmit

Ngjarja zhvillohet në Kopenhagën e vitit 1919, ku një punëtore e re, e papunë dhe shtatzënë, përballet me një të ardhme të pasigurt. Ajo takon Dagmarin, një grua që drejton një agjenci të fshehtë për birësime. Një lidhje e fortë krijohet mes tyre, por gjithçka shkatërrohet kur protagonistja zbulon një të vërtetë tronditëse për aktivitetet e Dagmarit. Ky udhëtim emocional është përshkuar nga një skenar i fuqishëm dhe performanca bindëse e aktorit kryesor, Besir Zeçiri.

*Roli kryesor në “The Girl with the Needle” (2024) është kulmi i suksesit të tij deri më tani. Ky film, i cili pati premierën në Festivalin e Kanës, ka marrë vlerësime të larta dhe është përzgjedhur si kandidatura zyrtare e Danimarkës për Oscars.

Zeçiri ka shkëlqyer edhe në projekte të tjera, si “Way Home” (2024) dhe “Outlaw” (2021), me të cilin fitoi çmimin prestigjioz Robert, dhënë nga Akademia Daneze e Filmit. Në vitin 2025, ai është përzgjedhur si një nga aktorët më premtues në programin prestigjioz European Film Promotion – Shooting Stars./ KultPlus.com

Poemë për babanë e për vete

Poemë nga Dritëro Agolli

Kënga e parë

Im atë tokën shumë e donte
Siç donte nënë e grua
Për tokën lodhej dhe rënkonte
Dhe djersën derdhte krua

Kur plis me plis hidhte hapin
I kishte hapi hije
Dhe zogjtë e malit udhë i hapnin
Me fjalë hirësie

Kur grushtin mbushte plot me farë,
Mahnitej kush e shihte,
Dhe era ndalte frymën në arë,
Që qejfin mos ja prishte

Në këmbë si në katër kleçka
Në gur ngrinte hardhucka
Përgjonte lart në shelg rebecka
Me thonjtë me majucka.

Me sqep lejleku bënte harqe
Rreth rruzullit të diellit
Dhe dukej sikur ndillte paqe
nën kaltërsinë e qiellit

Po ati im mbi plisa ecte
Me shpirt të madhërishëm
Dhe tokës shpirt me shpirt i jepte
Nga shpirti i çuditshëm

Kur pranë mollës ulej qetë
Të hante bukë e gjizë
Nuk fëshfërinin gjethe e fletë
Nuk pipëtinte drizë

Me token rrinte ditë e natë
Në vapë, erë e mjegull
Ndaj nga pasardhësit im atë
Kërkonte djersë e rregull

Nuk kish syze dijetari
Dhe rafte me defterë,
Po udhë i hapte shkencëtari
Me nam të madh e vlerë

Ky shkencëtar që njihte dhenë
Në fusha pas më mori;
”mësoje biro abecenë
në brazdat qe le plori

Mësoje biro abecenë
E gjithë abeceve
Atje ku plisat shpinën ngrenë
Pas plugut e pas qeve….”

Pa dalë mirë nga pelena
Më dha në dorë hostenë
Dhe shfryu si era në bedena;
”Tani permbyse dhenë »

Përmbys dhenë, dheu s’ankohet
Kur plori ia kruan shpinën,
Po qesh, lot valle dhe gëzohet
Dhe gazi çmend luginën.

Dhe të harbuar marrin vrapin
Kercejtë radhë-radhë
Dhe sythat sytë e vegjël hapin
Për ditëzën e bardhë”…

Një ditë i lodhur, i menduar,
I thashë me ngadale:
“Për se kaq shpejt m’i ke mësuar
Kaq punë e brengë e halle?”

Ai nga buzët llullën hoqi
E foli dy-tri fjalë:
“Që mos ta haje qeni shkopin
Pëllumbi im, o djalë!”

Pastaj u ngrit të përkëdhelte
Balashin dhe Kazilin,
Që nxirrnin gjuhën si lepjet
Dhe shelgjet i lëpinin.

Ata i bindeshin tim eti,
Siç binden dy fëmijë,
Me ta e lidhte fort një jetë
Me qindra mijëra fije…

Dhe nuk ia prishnin qejfin kurrë
në vapë, erë e mjegull,
lëronin, mbillnin, mbanin grurë;
Im atë donte rregull…

Pastaj babai në plis mbështetur
Këndonte fill i vetëm,
Sikur përpiqej për ta gjetur
në këngë të vërtetën:

“Që nga maja e malit
Ta shtira dylbinë,
Pas dritës së llambës
Ta pashë stolinë.

Me gjysmën e ballit
Të derdhej shamia,
M’u në dorën time
Seç me ngriu dylbia.

Me erën e malit
Desha të të vinja,
Sarhosh seç më bëre,
Mbeta nëpër brinja.

Qetë m’i zu zekthi,
Kali malet mori,
Maje grurit mbata,
Ç’të bëj unë i gjori!…

Që nga maje e malit
Ta shtira dylbinë,
Them të vij pas teje,
Them ta shes shtëpinë…”

Kënga e dytë

1.
O brezi im u vrenjte heret
Në rrugën e mjerimit;
Ti pe të parën ditë të errët,
Të parën të pushimit

Ti s’e mësove Shtatë Prillin
Në libër e gazete,
Ti Shtatë Prillin me qefinin
E pe, e ndjeve vete!

2.
Babai me botën zemërohej
Dhe bëhej pikë e vrer,
Dhe arave ngaherë ankohej,
Dhe thoshte: “Duam nder!”

Ka qenë i ri, ka qenë i zgjuar,
Me supe të mëdhenj
Dhe mund të ngrinte me dy duar
Dy dema, dy shkëmbinj.

Këto dy duar unë i pashë
Tek hiqnin me rrëmbim një dërrasë
Një tra, një hu, një gur…

Atje babai e mbante fshehur
Një pushkë me fishekë,
Që trashëgim i pati mbetur
Nga gjyshi im i shkretë.

E nxorri pushkën dhe e ngriti
Me sy të përlotur:
“O plaku im, të ndritte shpirti,
Na le një gjë të çmuar!”

Pastaj i vrenjtur si oxhaku
M’u kthye ballëlartë:
“Eh, ky dyfek qe na la plaku,
Kërkon një dorë të artë!

Tani me mua eja djalë,
Të dalim në fushim,
T’ia fshijmë tytën rrath-rrathë,
Se ndryshku na e grin

E grin i shkreti si veremi
Dhe pushka mbetet shterpë,
Fishekë pak në vezme kemi,
Se pula s’pjell fishekë

Ndaj pushkën, biro, ta gatitim,
T’ia njohim degë e rrënjë
Nga tyta plumbin kur ta nisim,
Të shkojë drejt në shenjë.

Babait një dite i thashë prapë
Te kumbulla me fletë:
-Kjo pushkë e shkretë ç’do më japë,
Ç’do bëj me të në jetë?

I ngriti sytë lart në pllajë
Dhe na tha të njëjtat fjalë:
-Që qeni shkopin mos ta hajë,
Pëllumbi im o djalë!

Ka qenër plot kjo zuskë botë,
Kjo botë e turbullt shumë,
Në zheg na vijnë e në të ftohtë
Dhe kurrë s’kanë gjumë…”

Pastaj pas kumbullës mbështetur
Këndoi ngadale i vetëm,
Sikur mundohej për ta gjetur
në kënge të vërtetën

”Lumi vjen i turbullt,
malet borë kanë,
Dale, pusht i Shagut,
Të ta shoh fustanë!

Po therret tellalli:
E kujt është kjo pallë!
Devolliu i vogël
Tri pëllëmbë djalë!

Devolliu i vogël,
Takijen mënjanë,
Në hendek me baltë
Hodhi kajmekamne.

Dale pusht i Shagut,
Të ta shoh fustane!…”

Kënga e tretë

S’e thurr poemën aq të gjatë,
Me vargje si litarë,
Se kushedi e gris im atë
Dhe dredh me të cigare.

Nga kjo poemë e nisa rrugën
E vargjeve rinore,
Në rrokje e rima treta jugën
Dhe erën me dëborë…

Do bëj poema më të mira.
Po ti në mend do vish,
O moj e para më e vështira,
E thurur mes lajthish

Dhe do më thuash buzëplasur:
-S’më vure shumë fletë! –
Ahere ati im i dashur
Në varre do të jetë!

S’do futesh fare në botimet
E vargjeve të zgjedhur
Do mbetesh vetëm në kujtimet
E kaltër e pazverdhur.

Po mund të ndodhë ndonjeherë,
Qeflinjtë e poezisë
Ty të të vënë në defterë
Si fakt të historisë:

“Dhe fshati ynë nxjerr poetë,
Siç nxori trima shumë.
Vrapojnë vargjet me reketë
Dhe piqen në një lumë.

Po ti, poemë, moj naive,
E thurur arë më arë,
Do sjellësh erën e lajthive,
Si dashurinë e parë

Dhe thellë rreshtave të tua
Ku zemra ime mbeti,
Do dal e do më zgjojë mua
Çibuku i tim eti…

(1956)/ KultPlus.com

Panairi i Madridit, Rama: Stenda “Albania All Senses”, stacioni më tërheqës për vizitorët

Nën sloganin “Albania, all senses”, Shqipëria është kthyer në stacionin më tërheqës për vizitorët në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” 2025 që hapi dyert të mërkurën në Madrid.

Panairi i Madridit është një takim global për politikëbërësit, sipërmarrësit dhe profesionistët e turizmit me fokus tregjet hyrëse dhe dalëse të Amerikës Latine.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot edhe mbresat e vizitorëve të stendës së Shqipërisë, teksa premtojnë se do të jetë destinacioni i radhës për ta.

Madje, të rinj që studiojnë në Madrid po e shikojnë edhe si një destinacion punësimi, gjatë sezonit veror.

“Shqipëria ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm me stendën “Albania All Senses”, e cila sipas vetë organizatorëve u kthye në stacionin më tërheqës për vizitorët, çka premton shumë për një tjetër vit fantastik turistik”, theksoi Rama.

“Nuk kam qenë në Shqipëri, por e kam në plan. Jam një shkrimtare udhëtimesh dhe Youtuber. Shqipëria ka qenë në listën time, sepse duket e mrekullueshme. Dua të zbuloj plazhet, gjithashtu më pëlqen vera. Pra unë dhe bashkëshorti im kemi në plan të vizitojmë Shqipërinë, pasi na pëlqen të zbulojmë thesare të fshehura”, shprehet një vizitore.

Gjithashtu, thotë ajo, kostoja duket e përballueshme, ndaj kjo është edhe një arsye më tepër, përse do të donim të shkonim.

Një tjetër kureshtare e stendës “Albania all senses” tregon se ka parë shumë reklama në rrjetet sociale dhe beson se Shqipëria është vend shumë interesant, me plazhe shumë të bukur.

“E vërteta është se do të doja të dija më shumë, pasi udhëtoj vazhdimisht dhe dua ta vizitoj për të njohur një vend tjetër të ndryshëm nga i yni”, thotë një tjetër visitor.

Po ashtu, një tjetër vizitor thotë se do të dijë më shumë për Shqipërinë, dhe aktivitetet që mund të bëjë në vendin tonë.

“Familjes sime i pëlqen rafting ose biçikletat elektronike, apo udhëtimet në natyrë. Në stendë më treguan se është vendi i duhur për këto aktivitete”, shton ai.

Një vizitor tjetër thekson nuk e ka vizituar asnjëherë Shqipërinë, por shpreh interes për të ardhur në vendin tonë pasi është kureshtar për kulturën, apo malet.

“E di që Shqipëria ka terren malor. Po ashtu dua të shoh gjiret e plazhet dhe të njoh ushqimin tuaj. Në kemi shumë restorante shqiptare në Kinë”, thekson ai.

Ndërsa një studente e re e sheh Shqipërinë jo vetëm si destinacion turistik, por edhe si destinacion të mirë për punësim gjatë sezonit veror.

“Nuk kam qenë ndonjëherë. Po kërkoj një punë për sezonin veror dhe një nga destinacionet e mundshme është Shqipëria”, thotë ajo.

“Nuk kam qenë në Shqipëri, por do të vijë një moment që do të shkoj për ta njohur. Më pëlqen, më tërhoqi vëmendjen. Kam interes ta vizitoj”, shprehen të tjerë vizitorë të “Albania All Senses”.

Shqipëria mbylli një vit të sukseshëm të turizmit dhe pritet që sipas prenotimeve që janë bërë, por edhe promovimeve të shumta në mediet ndërkombëtare, duke e cilësuar Shqipërinë si destinacion turistik, viti 2025 do të ketë një rritje të ndjeshme të turistëve.

Madje operatorët turistikë thonë se mund të ketë një rritje me 35% në krahasim me vitin e shkuar dhe të arrihet në shifrën e mbi 13 milionë turistëve të huaj që do të vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij viti./ KultPlus.com

CIA tani mbështet teorinë se Covid-19 rrodhi nga laboratori

CIA tani beson se virusi përgjegjës për pandeminë e koronavirusit ka shumë të ngjarë të ketë origjinën nga një laborator, sipas një vlerësimi të publikuar të shtunën që drejton gishtin nga Kina edhe pse pranon se agjencia e spiunazhit ka “pak besim” në përfundimin e saj.

Zbulimi nuk është rezultat i ndonjë inteligjence të re dhe raporti u përfundua me urdhër të administratës Biden dhe ish-drejtorit të CIA-s, William Burns, shkruan The Guardian, transmeton Express.

Ai u deklasifikua dhe u bë publik të shtunën me urdhër të të zgjedhurit të presidentit Donald Trump për drejtimin e agjencinë, John Ratcliffe, i cili u betua si drejtor të enjten.

Ky vlerësim sugjeron që agjencia beson se tërësia e provave e bën origjinën laboratorike më të mundshme sesa origjinën natyrore. Por aty gjithashtu thuhet se provat janë të mangëta, jo bindëse ose kontradiktore.

Raportet e mëparshme mbi origjinën e Covid-19 kanë qenë të ndara nëse koronavirusi doli nga një laborator kinez, ndoshta gabimisht, apo nëse ai u shfaq natyrshëm. Vlerësimi i ri nuk ka gjasa të zgjidhë debatin. Në fakt, zyrtarët e inteligjencës thonë se mund të mos zgjidhet kurrë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga autoritetet kineze.

CIA “vazhdon të vlerësojë se skenarët e lidhur me kërkimin dhe origjinën natyrore të pandemisë Covid-19 mbeten të besueshme”, shkroi agjencia në një deklaratë në lidhje me vlerësimin e saj të ri.

Në vend të provave të reja, përfundimi u bazua në analizat e reja të inteligjencës rreth përhapjes së virusit, vetive të tij shkencore dhe punës dhe kushteve të laboratorëve të virologjisë në Kinë.

Ligjvënësit kanë ushtruar presion mbi agjencitë e spiunazhit të Amerikës për më shumë informacion rreth origjinës së virusit, i cili çoi në bllokime, trazira ekonomike dhe miliona vdekje. Është një pyetje me implikime të rëndësishme të brendshme dhe gjeopolitike ndërsa bota vazhdon të përballet me atë që la pas pandemia.

Senatori republikan Tom Cotton i Arkansas, kryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencën, tha të shtunën se ishte “i kënaqur që CIA arriti në përfundimin në ditët e fundit të administratës së Bidenit se teoria e rrjedhjes së laboratorit është shpjegimi më i besueshëm” dhe ai lavdëroi Ratcliffe që deklasifikoi dokumentin./ KultPlus.com

Luleve që valvit era

Poezi nga Jeronim De Rada

Fryu era e maleve
dhe rrëzoi hijen e lisit:
gjaku im mbetet lumit t’Vodhit!
Ushtarë, m’hapni shtatoren
që të shoh edhe një herë
Shkodrën dhe time motër
te dritarja përkundruall.
Më atje nuk do të zgjohem
luleve që valvit era,
posi valë që s’kanë mbarim.
Do të mblidhen shokët mbrëmjes
brenda vatrash në atdhe:
Unë i le si ëndërzë!/ KultPlus.com

Kur Kendrick Lamar “ngjalli” Kobe Bryantin në videoklipin e tij (VIDEO)

Reperi i famshëm amerikan Kendrick Lamar e pati publikuar këngën “The Heart Part 5” më 11 maj 2023. Videoklipi i këngës është i veçantë, pasi në të ai e ka përdorur metodën “deep fake”, duke e vendosur fytyrën e basketbollistit të ndjerë Kobe Bryant në të tijën, teksa i këndon vargjet e këngës.

Përpos Bryantit, ai i ka vendosur edhe fytyrat e ish-futbollistit amerikan, O.J. Simpson, i njohur po aq për akuzat se kishte vrarë bashkëshorten e tij, por që ishte shpallur i pafajshëm në një gjykim tejet kontradiktor.

Pastaj, me “deep fake” në fytyrën e tij janë vënë edhe Kanye West, Jussie Smollett, Nipsey Hussle.

Prej fytyrave të përdorura në këtë klip, Hussle dhe Bryant tashmë nuk janë gjallë./ KultPlus.com

10 fakte të lashta për Ramsesin e Madh

Nga arritjet ushtarake deri te jeta e tij personale, zbuloni 10 fakte për Ramsesin e Madh, një nga faraonët më të famshëm të Egjiptit.

Ramses II sundoi Egjiptin me stil, fuqi dhe një talent të jashtëzakonshëm. Ai ishte sundimtari i tretë i Dinastisë së Nëntëmbëdhjetë dhe mbretëroi për plot 66 vite, duke fituar pseudonimin “Ramsesi i Madh” dhe duke u bërë faraoni më i njohur në historinë e Egjiptit.

1. Luftëtari që udhëhiqte nga fronti

Ramsesi nuk ishte tipi që fshihej pas mureve të pallatit. Ai luftonte në vijat e para të frontit nëpër beteja, duke udhëhequr ushtrinë e tij në Betejën e madhe të Kadeshit kundër Hititëve. Mijëra qerre u përleshën në këtë betejë historike. Edhe pse beteja përfundoi pa një fitues të qartë, Ramsesi siguroi që versioni i tij i historisë të mbizotëronte, duke skalitur heroizmat e tij si luftëtar në muret e tempujve.

2. Diplomati i parë

Pas Kadeshit, Ramsesi dhe Hititët zgjodhën paqen. Marrëveshja e tyre, e firmosur nga Ramsesi II dhe mbreti Ḫattušili III në vitin 1269 p.e.s., u gdhend në pllaka balte. Ajo është traktati më i hershëm i paqes i njohur në botë. Origjinali ruhet në Muzeun Arkeologjik të Stambollit, ndërsa Kombet e Bashkuara zotërojnë një kopje prej bakri me shkëlqim.

3. Arkitekti i madhështisë

Ramsesi nuk ndërtoi thjesht tempuj; ai krijoi kryevepra. Ramseseum-i, një tempull i madh mortor i ndërtuar në bregun perëndimor të lumit Nil, është kryevepra e tij. Ai e filloi ndërtimin e këtij tempulli për veten që para vdekjes.

Tempulli iu kushtua mbretit të ndjerë dhe perëndisë egjiptiane të luftës, Amonit. Një statujë 17 metra e gjatë e Ramsesit II qëndronte dikur në krye të tempullit, por sot kanë mbetur vetëm fragmente.

Abu Simbel është një tjetër shembull mahnitës i ambicies së tij. Tempulli i lashtë është gdhendur në faqen e një mali dhe është ndërtuar në mënyrë të tillë që rrezet e diellit të ndriçojnë dhomat e brendshme në ditë të caktuara. Në hyrje të tempullit ndodhen skulptura të mëdha të Ramsesit II, bashkë me imazhe të gruas së tij, Nefertari, dhe fëmijëve. Brenda tempullit ndodhen skulptura që lartësojnë udhëheqjen e tij heroike në Betejën e Kadeshit. 

4. Njeri i familjes (në ekstrem)

Me rreth 100 fëmijë, Ramsesi siguroi dominimin e gjakut të tij. Djemtë dhe vajzat e tij ndihmuan në forcimin e aleancave dhe administrimin e perandorisë së gjerë. Të organizoje mbledhje familjare me kaq shumë njerëz duhet të ishte një sfidë e vërtetë.

5. Faraoni me mbretërimin më të gjatë

Pak sundimtarë në histori mund të krahasoheshin me sundimin 66-vjeçar të Ramsesit. Ai u mbijetoi dallgëve, zgjeroi ndikimin e Egjiptit dhe siguroi reputacionin e tij si një perëndi e gjallë. Në kohën e vdekjes së tij, populli e shihte si të përjetshëm.

6. Një varr me histori të trazuar

Varri i Ramsesit nuk u shpëtoi grabitësve të varreve, por mumia e tij mbijetoi dhe u zbulua më vonë në një strehë sekrete. Sot, eshtrat e tij prehen në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian në Kajro, një kujtesë fizike e sundimit të tij.

7. Mjeshtër i propagandës

Ramsesi ishte një mjeshtër i PR-it të lashtë. Përshkrimet e tij e portretizonin si një luftëtar të pamposhtur, shkatërrues të armiqve dhe të preferuar të perëndive. Me pak fjalë, ai e dinte si të kontrollonte narrativën e tij.

8. Nefertari: mbretëresha dhe e barabarta e tij

Ramsesi nuk glorifikoi vetëm veten; ai nderoi në një mënyrë të veçantë mbretëreshën e tij, Nefertari. Tempulli i saj në Abu Simbel e portretizon si të barabartë me faraonin. Një mbishkrim e quan atë “ajo për të cilën shkëlqen dielli”, një shfaqje e rrallë publike e dashurisë në kohët e lashta.

9. Jetë më e gjatë se trashëgimtarët

Jetëgjatësia e Ramsesit nuk ishte pa sfida. Shumë nga fëmijët dhe gratë e tij vdiqën para tij. Mosha e tij e thyer e la Egjiptin në një gjendje të qëndrueshme, megjithëse gjetja e një pasardhësi pas një mbretërimi kaq të gjatë ishte e vështirë.

10. Një emër që jeton ende

Ramsesi mbeti një simbol madhështie edhe shumë kohë pas vdekjes. Trashëgimia e tij pati ndikim mbi faraonët pasardhës dhe vazhdon të mahnitë historianët modernë. Edhe në kulturën popullore, emri i tij evokon imazhe fuqie dhe lavdie.

Gjatë një periudhe prej rreth 3,000 vitesh, Egjipti u sundua nga rreth 170 faraonë. Jo të gjithë magjepsin egjiptologët si Ramsesi i Madh. Ai nuk ishte vetëm një sundimtar; ishte ambasadori i fundit i markës së Egjiptit. / bota.al/ KultPlus.com

Holandë, vidhet thesari më i çmuar rumun gjatë një ekspozite

Disa nga thesaret më të çmuara kombëtare të Rumanisë u vodhën mëngjesin e sotëm në Holandë, duke shkaktuar tronditje dhe zemërim si në Rumaninë, ashtu edhe në komunitetin ndërkombëtar të artit dhe kulturës.

Këto thesare përfshinin një koleksion të çmuar prej ari dhe argjendi dakas, të krijuar ndërmjet viteve 2000 p.e.s. dhe 300 p.e.s.

Ndër objektet më të famshme ishte Përkrenarja e Artë e Coțofeneștit, një artefakt i rrallë dhe me vlerë të jashtëzakonshme historike e kulturore, që paraqet mjeshtërinë e artizanëve të lashtë dhe simbolikën e epokës dakase.

Këto objekte ishin dërguar në Muzeun në Assen për një ekspozitë të përkohshme, e cila synonte të ndriçonte trashëgiminë e pasur të popullit rumun dhe të tërhiqte vizitorë nga e gjithë bota.

Ekspozita, e cila përmbante mbi 600 objekte të çmuara të marra nga 15 muze të ndryshëm rumunë, përfaqësonte një nga përpjekjet më të mëdha për të promovuar kulturën rumune jashtë vendit. Këto objekte përfshinin artefakte të pasura me detaje artistike, të cilat rrëfejnë historinë e lashtë të rajonit dhe vlerat e tij kulturore, raportojnë mediat rumune.

Megjithatë, natën e kaluar, një grup hajdutësh arriti të depërtojë në ndërtesën e muzeut duke thyer masat e sigurisë dhe duke vjedhur një pjesë të madhe të objekteve të vlefshme. Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e thesareve kombëtare gjatë ekspozitave ndërkombëtare dhe ka ndezur diskutime për përgjegjësinë e muzeve pritës në ruajtjen e tyre.

Në dritën e këtij incidenti, shumë muze në Evropën Qendrore dhe Lindore po shfaqin hezitim për të dërguar objektet e tyre më të çmuara në ekspozita jashtë vendit, veçanërisht në Evropën Perëndimore, ku shpesh raportohen raste të rritura të aktivitetit të bandave kriminale.

Mungesa e sigurisë së mjaftueshme në disa muze të vendeve pritëse konsiderohet një rrezik i madh, që jo vetëm dëmton pronësinë kulturore të vendeve të origjinës, por edhe historinë dhe trashëgiminë globale.

Ngjarja ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare dhe ka nxitur thirrje për rishikim të rregullave dhe standardeve të sigurisë për ekspozitat që përfshijnë objekte me vlera të mëdha historike dhe kulturore./ abcnews/ KultPlus.com

 Gilbert: Mendime rreth të shkruarit

Elizabeth Gilbert (1969), shkrimtare dhe gazetare amerikane. E njohur për memoirin ‘Eat, Pray, Love’, 2006, nga i cili më 2010 ishte bërë filmi homonim.

MENDIME RRETH TË SHKRUARIT

Nga Elizabeth Gilbert

Nganjëherë njerëzit më kërkojnë ndihmë ose sugjerime rreth asaj se si të shkruajnë, ose si të gjejnë një botues. Duke e pasur parasysh se e gjithë kjo është njëmend kalimtare dhe personale, do të përpiqem të shpjegoj këtu çdo gjë që mendoj rreth shkrimit. Shpresoj të jetë e dobishme. Është e gjitha që di.

Unë besoj se – nëse jeni seriozë rreth një jete të përkushtuar ndaj shkrimit, ose pra ndaj çfarëdo forme kreative të shprehjes – atëherë duhet ta merrni këtë punë si një thirrje të shenjtë. Unë u bëra shkrimtare në mënyrën se si njerëzit e tjerë bëhen murgj, ose murgesha. Iu zotova shkrimit, si shumë e re. U bëra nuse e shkrimit. Isha shërbëtorja më e devotshme e shkrimit. E ndërtova tërë jetën time përreth shkrimit. S’dija si ta bëj ndryshe këtë. S’njihja ndokënd që ishte bërë shkrimtar ndonjëherë. Nuk kisha, siç thuhet, të njofshëm. Nuk kisha ndonjë çelës. Thjesht ia fillova.

I ndoqa disa orë shkrimi sa isha në NYU, por, përveç punës së shkëlqyeshme të bërë nga Helen Schulman, kuptova se nuk doja njëmend të bëhesha praktikuese e kësaj pune në klasë. Nuk isha e bindur se një punëtori me plot 13 shkrimtarë të rinj që po mundoheshin të gjenin zërin e tyre ishte vendi më i mirë për mua ta gjeja zërin tim. Kësodore nisa të shkruaja vetë. Ua tregoja punën time miqve të mi dhe familjarëve në mendimin e të cilëve kisha besim. Shkruaja pothuajse gjithë kohës, gjithmonë ua tregoja. Pasi që u diplomova në NYU, ndava mendjen të mos ndiqja ndonjë MFA në shkrim kreativ. Në vend të kësaj, krijova programin tim të post-diplomimit të shkrimit, i cili kërkonte vite të tëra udhëtimesh përreth vendit dhe botës, duke gjetu rpunë nëpër bare, restorante dhe ferma, duke dëgjuar se si flisnin njerëzit, duke grumbulluar përvoja dhe duke shkruar në mënyrë konstante. Jeta ime me gjasë dukej e çrregullt për ata që e vërenin (jo që ndokush ishte duke e vërejtur aq nga afër), por udhëtimet e mia ishin një përpjekje e njëmendtë me qëllimin që të mësoja sa më shumë që të mundja nga jeta, shprehimisht ashtu që të mund të shkruaja rreth saj.

Diku rreth moshës 19 vjeçe kisha nisur t’i dërgoja tregimet e mia të shkurta për botim. Synimi im ishte të botoja diçka (çkado, kudo) para se të vdisja. Ajo që përfitova ishte një pirg masiv i shënimeve refuzuese përgjatë viteve. Nuk di si ta shpjegoj saktësisht pse kisha besimin t’i dërgoja tregimet e mia në moshën 19 vjeçare, ta zëmë, te The New Yorker, apo pse nuk u shkatërrova kur refuzohesha vazhdimisht. Në njëfarë mënyre e merrja me mend se do të refuzohesha. Por po ashtu mendoja: “Hej – dikish duhet t’i shkruaj gjithë këto tregime: pse jo unë?”. Nuk më pëlqente të refuzohsha, por pritjet e mia ishin të ulëta dhe durimi im ishte i lartë. (Edhe njëherë – synim ishte të botohesha para se të vdisja. Dhe isha e re dhe e shëndetshme). Kurrë s’ka qenë e lehtë për mua ta kuptoj pse njerëzit punojnë aq fort për të krijuar diçka të bukur, por pastaj refuzojnë ta ndajnë atë me dikë tjetër, nga frika se do të kritikohen. A nuk është kjo poenta e krijimit – t’i komunikosh diçka botës? Pra, NXIRRE JASHTË. Dërgojeni punën tuaj te botuesit dhe agjentët sa më shumë që të mundeni, tregojuani fqinjve tuaj, ngjiteni në ndalesat e autobusëve – thjesht mos u ulni mbi punën tuaj që ta ngulfatni. Të paktën përpiquni. Dhe kur të gjithfuqishmit t’jua kthejnë dorëshkrimin tuaj (dhe do ta bëjnë), merrni frymë thellë dhe provojeni prapë. Shpesh i dëgjoj njerëzit të thonë, “Nuk jam mjaftueshëm i mirë që të bëtohem”. Kjo është bukur e mundshme. E gjasshme, madje. Krejt çka po them është: lëreni dikë tjetër të vendosë për këtë. revista, botuesit, agjentët – të gjithë këta punësojnë njerëz, që marrin 22.000 dollarë në vit, puna e të cilëve është të lexojnë pirgjet e dorëshkrimeve dhe t’ju shkruajnë letra në të cilat do t’ju thonë se ende nuk jeni mjaftueshëm të mirë: LËRENI ATA TA BËJNË KËTË. mos e para-refuzoni veten tuaj. Kjo është puna e tyre, jo e juaja. Puna juaj është vetëm të shkruani nga zemra dhe lëreni fatin të kujdeset për kusurin.

Sa i përket disiplinës – është e rëndësishme, por disi e mbivlerësuar. Virtyti më i rëndësishëm për shkrimtarin, besoj, është vetë-falja. Ngase shkrimi jua gjithmonë do t’ju zhgënjej. Dembelia juaj do t’ju zhgënjej përherë. Do të zotoheni: “Do të shkruaj nga një orë për çdo ditë”, po pastaj s’do ta bëni këtë. do të mendoni: “Ta shpif, jam një dështim i vërtetë. Kam marrë fund”. Të vazhdoni të shkruani pas këtij zhgënjimi zemërthyes nuk kërkon vetëm disiplinë, por edhe vetë-falje (e cila vjen nga një dashuri e njerëzishme, inkurajuese dhe mëmësore). Një Gjë tjetër që duhet të kuptohet është se të gjithë shkrimtarët mendojnë për veten se ta shpifin. Kur isha duke e shkruar “Eat, Pray, Love”, kisha një mantra të fuqishme të kësaj KJO TA SHPIF që më sillej nëpër mend ashtu siç i ndodh çdokujt kur është duke shkruar. Por pata një moment kushtrimi të së vërtetës gjatë procesit të librit. Një ditë, kur ish anë agoni rreth krejtësisht i keq tingëllonte shkrimi im, e kuptova: “Në të vërtetë ky nuk është problemi im”. Poenta që e kapa ishte kjo – kurrë s’i kam universit  premtuar se do të shkruaj në mënyrë briliante; thjesht i kam premtuar universit se do të shkruaj. Kështu që e ula kokën dhe u djersita mirë, siç isha zotuar.

Kam një mik që është filmbërës italian dhe ka ndjeshmëri të madhe artistike. Pasi që kishte hequr me vite ta shihte filmin e tij të realizuar, ia dërgoi një letër të ankthshme heroit të tij, filmbërësit briliant gjerman (dhe mbase gjysmë të çmendur) Werner Herzog. Miku im u ankua se sa e vështirë ishte këtyre ditëve të ishe një filmbërës i pavarur, sa e vështirë është të gjesh fonde qeveritare, se si audienca është prishur nga Hollywoodi dhe se si bota e ka humbur shijen, etj., etj. Herzogu ia ktheu një letër personale mikut tim që thelbësisht thoshte kështu: “Mos u anko. Nuk është faji i botës që ti dëshiroje të bëheshe artist. Nuk është puna e botës të kënaqet me filmat që i bën ti dhe sigurisht nuk është detyra e botës të paguajë për ëndrrat e tua. Askush s’dëshiron t’ia dijë. Vidhe ndonjë kamerë, nëse të duhet, por boll më me ankime dhe përvishju punës”. I apërsëris vetes këto fjalë saherë që filloj të ndihem e pakënaqur, e autorizuar, komptetitive apo e pavlerësuar sa e meritoj për shkrimin tim: “Nuk është faji i botës që deshe të bëheshe artiste… tash përvishju punës”. Prore, në mbarim të ditës, gjëja e rëndësishme e vetme dhe përherë është kjo: Ktheju punës. Ky është shtegu për guximtarët dhe besimtarët. Mund të gjeni edhe arsye të tjera të punës, përveç dëshirës së suksesit dhe njohjes. Mund të vijë prej ndonjë vendi tjetër. Kjo është diçka që duhet të merret parasysh. Nëse gjirhmonë keni dashur të shkruani, tash jeni Në njëfarë moshe, kurrë s’ia keni dalë mbanë dhe tash mendoni se është vonë… ju lutem mendojeni prapë. E kam parë Julia Glassin ta fitojë National Book Award për romanin e saj të parë, “The Three Junes”, të cilin kishte nisur ta shkruante në të ’30tat e saj të vona. E kam dëgjuar kur e lexoi fjalimin e saj mallëngjyes të falenderimit, në të cilin na tregonte se si nuk flinte dot natën, e trazuar nga puna me librin e saj, duke e pyetur veten, “Kush po ta merr mendja se je ti, duke u munduar të shkruash roman në moshën tënde?”. Por ajo e shkroi atë. Dhe duke e ngritur lart National Book Awardin e saj, ajo tha, “Ky çmim është për të gjithë ata që ia dalin më në fund”. Shkrimi nuk është si vallëzimi a modelimi; nuk është diçka ku – nëse s’e arrini në moshën 19 vjeçe – jeni të mbaruar. kurrë nuk është vonë. Shkrimi juaj vetëm sa do të bëhet më i mirë sa më shumë që të jeni në moshë dhe më të mençur. Nëse shkruani diçka të bukur dhe të rëndësishme, dhe disi një person i duhur e zbulon atë, atëherë do të gjeni hapësirë nëpër raftet e librave kudo në botë – në çfarëdo moshe. Të paktën përpiquni.

Ka male me libra për atë se Si të botohesh. Shpesh njerëzve u duken kundërthënëse informacionet në ato libra. Ndjesia ime është – NATYRISHT, informacioni është kundërthënës. Ngase, sinqerisht, askush nuk di asgjë. askush nuk mund t’ju thotë si të jeni të suksesshëm në shkrim (edhe nëse e shkruajnë në libër me titullin “Si të jesh i suksesshëm në shkrim”), ngase nuk ka një Mënyrë të tillë; por ka, megjithatë, disa mënyra.

Çdonjëri që e njoh unë, që ia ka dalë mbanë të bëhet shkrimtar, e ka bërë ndryshe nga të tjerët – nganjëherë radikalisht ndryshe. Provoji të gjitha mënyrat. Të jesh shkrimtar i botuar është disi si të përpiqesh të gjesh apartament të lirë në New York City: është e pamundshme. megjithatë… për çdo ditë të lume, dikush ia del mbanë ta gjejë një apartament të lirë në New York City. S’mund t’jua them si ta bëni këtë. Bile nuk jam aq e sigurt as si ia kam dalë unë vetë. Mund t’ju them vetëm se – përmes shembullit tim – se mund të arrihet. Njëherë e kam gjetur një apartament të lirë në Manhattan. Po ashtu u bëra edhe shkrimtare.

Në fund, e dua këtë punë. Gjithherë e kam dashur këtë punë. Sugjerimi im është të filloni me dashurinë, pastaj të punoni shumë fort dhe të përpiqeni të mso e mbani mendjen te rezultatet. Flakeni dëshirën, pastaj futjuni punës. Përpiquni, po ashtu, të mos e humbi mendjen për fare pas procesit. Marrëzia është një shteg goxha tundues për atistët, por nuk na duhen më shumë sish në botë për momentin, prandaj rezistojini thirrjes suaj të marrëzisë. Na duhet më shumë krijim, jo më shumë shkatërrim. Na duhen artistët tanë më shumë se kurrë më parë dhe na duhen të jenë stabil, të patundur, të nderuar dhe të zotë – ata janë ushtarët tonë, shpresa jonë. Nëse vendosni të shkruani, atëherë duhet ta bëni, siç ka thënë Balzaku, “si një minator i zënë nga tavani i rënë”. Bëhuni kalorës, një forcë e ngulmit dhe besimit. S’di një mënyrë tjetër pos kësaj. Siç i ka thënë poeti i madhe Jack Gilbert njëherë një shkrimtareje të re, kur i kishte kërkuar këshilla rreth poezive të veta: “A ke guxim ta çosh përpara këtë punë? Thesaret që janë të fshehura brenda jush po shpresojnë të thoni PO”. /Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim’

Nga Albert Vataj

Citimi i Friedrich Nietzsche, “Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim”, përmbledh kuptimin e tij të thellë të rëndësisë së artit në përvojën njerëzore. Nietzsche, një nga filozofët më me ndikim të shekullit të 19-të, besonte se arti, dhe muzika në veçanti, luanin një rol jetik në mirëqenien shpirtërore dhe emocionale të individëve dhe shoqërisë. Kjo deklaratë, e bërë në veprën e tij të vitit 1889, “Muzgu i idhujve”, thekson se sa integrale është muzika për thelbin e jetës njerëzore dhe se si ajo ofron një formë shprehjeje që kapërcen gjuhën dhe arsyen.

Marrëdhënia e Nietzsche-s me muzikën ishte thellësisht personale. Ai ishte një pianist dhe kompozitor i shkëlqyer në jetën e tij të hershme dhe shpesh merrte frymëzim nga muzika për të zhvilluar idetë e tij filozofike. Admirimi i tij për kompozitorë si Richard Wagner është i dukshëm në shkrimet e tij të hershme, megjithëse pikëpamjet e tij mbi Wagner-in evoluan dhe u bënë më kritike me kalimin e kohës. Muzika, për Nietzsche-n, nuk ishte thjesht një formë argëtimi, por një forcë e thellë ekzistenciale. Ai e shihte muzikën si një mënyrë për t’u përballur me kaosin dhe vuajtjet e ekzistencës, duke ofruar një lloj shpëtimi shpirtëror dhe një mënyrë për të afirmuar jetën në të gjitha kompleksitetet e saj.

Në kontekstin më të gjerë të filozofisë së Nietzsche-s, pohimi i tij për muzikën lidhet me idetë e tij mbi “vullnetin për pushtet” dhe rëndësinë e përqafimit të jetës me të gjitha betejat e saj. Nietzsche mbrojti refuzimin e nihilizmit – besimin se jeta nuk ka kuptim të qenësishëm – në favor të krijimit të kuptimit personal përmes artit, dashurisë dhe forcës individuale. Muzika, në këtë kuadër, bëhet një mjet me të cilin individët mund të shprehin fuqinë e tyre të brendshme dhe të kapërcejnë pengesat e jetës.

Filozofia e Nietzsche-s ka pasur një ndikim të qëndrueshëm në fusha të ndryshme, nga ekzistencializmi në psikologji, letërsi dhe madje edhe në muzikën moderne. Pohimi i tij për muzikën pasqyron një kuptim më të gjerë kulturor të arteve si jo thjesht një formë argëtimi, por si thelbësore për përvojën njerëzore. Muzika ofron thellësinë dhe kuptimin që e bëjnë jetën të vlefshme, duke na lidhur me të pandërgjegjshmen tonë dhe me dimensionet më të larta të ekzistencës./ KultPlus.com

‘Trëndafilin kur ta dhashë’, rikthehet në TKOB

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, do të ngjisë këtë të shtunë në skenë premierën “Trëndafilin kur ta dhashë”.

E luajtur vetëm një herë në kohën e pandemisë dhe pa publik, kjo shfaqje që sjell më të mirën e muzikës së trevave shqiptare përzgjidhet për të çelur sezonin e Ansamblit dhe për t’i dhënë mundësinë e duartrokitjeve të spektatorit. 

Buqetës së valleve kësaj here i shtohet dhe “Kcimi i Tropojës”, që tashmë është pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.

Ndërkohë Ansambli Popullor, po punon për të tjera premiera që vënë në fokus folkun dhe traditën e trevave shqiptare./ Tv Klan/ KultPlus.com

John Davidson: Vilanelë

Një portret i fuqishëm i një familjeje të skamur nga Glasgou në fund të shekullit XIX, të kapur pas shpresës

VILANELË

Nga John Davidson

Ajo e mbështet kokën në dorë e saj

Brigjeve të Clajdit të potershëm;

Dy fëmijët tanë të vegjël janë në shtrat.

Lotët e keqardhjes janë derdhur;

Ajo s’e ka askënd afër vetes;

Ajo e mbështet kokën në dorë e saj

Duhej të isha duke punuar; ndërsa

Po ëndërroj nusen time të shkretë,

Dhe dy fëmijët tanë të vegjël në shtrat.

Do të ishte mirë po të ishim të vdekur ne të katër?

Varri të paktën është i gjerë.

Ajo e mbështet kokën në dorë e saj.

Ajo ia ngul sytë prushit të kuq;

Ajo i flak tutje lotët,

Dhe i puth fëmijët tanë në shtrat.

“Zot jepna bukën tonë të përditshme;

Asgjë më tepër nuk po kërkojmë”.

Ajo e mbështet kokën në dorë e saj;

Dy fëmijët tanë të vegjël janë në shtrat.

On her hand she leans her head/ By the banks of the busy Clyde;/ Our two little boys are in bed.// The pitiful tears are shed;/ She has nobody by her side;/ On her hand she leans her head.// I should be working; instead/ I dream of my sorrowful bride,/ And our two little boys in bed.// Were it well if we four were dead?/ The grave at least is wide./ On her hand she leans her head.//She stares at the embers red;/ She dashes the tears aside,/ And kisses our boys in bed.// “God give us our daily bread;/ Nothing we ask beside.”/ On her hand she leans her head;/ Our two little boys are in bed.

***

Nga Carol Rumens

Kjo vilanelë, e marrë nga përmbledhja In a Music Hall and Other Poems (1891), nga poeti dhe dramaturgu skocez John Davidson, është një portret familjar në formën e një monologu të cilit i jep zë kryefamiljari. Duke shprehur dëshpërimin dhe depresionin e shkaktuar nga varfëria, personazhi mund të sjellë folësin fiksional dhe vetë Davidsonin më afër se sa që duket fillimisht. Davidsoni, i martuar dhe me dy fëmijë, i nënvlerësuar si poet, në përgjithësi mezi arrin të sigurojë jetesën.

Vilanela pasqyron formalizmin e tij trillues. Fillon me prezantimin e një sfide metrike. “On her hand she leans her head”, fare lehtë mund të dëgjohet si një tetrametër trokaik (“On her hand she leans her head”).

Por do të mund të përshtatej më mirë me ritmin e përgjithshëm të poezisë si një varg prej tri batutash, duke e vendosur theksin hapës në “hand” në vend të “On” (“On her hand she leans her head”). Prapëseprapë, refreni i parë duket se këmbëngul në ngadalësimin e ritmit kurdo që rishfaqet dhe “On her hand she leans her head” evokon rëndesën e gjestit.

Refreni i dytë, “Our two little boys are in bed”, krijon njp kontrast interesant me të parin. Falë ritmit të gjallë, sugjeron pulsin e përshpejtuar të fëmijëve dhe vetëdijen më pak të ngarkuar. Prapë, për dallim nga i pari, i pëson disa ndryshime. Në vargun e tretë, për shembull, ndryshohet në një nënfjali të thjeshtë, “And our two little boys in bed”. Formulimi bisedimor e emaftizon alarmin e të atit. Fëmijët nuk janë nuk lihen anash nga një sintaks më rastësore: në vend të kësaj, ekzistenca e tyre e brishtë sillet në plan të parë.

Në vargun e dytë të poezisë (“By the banks of the busy Clyde”) Davidson duket se me vetëdije dëshiron të nënvlerësojë egërsinë e kompetivitetit mes tregtisë dhe industrisë ujore. Vargu po ashtu mund të na thotë se gruaja është jashtë shtëpisë, duke lypur, ose është në kërkim të ushqimit që do të mund të sillte. Fëmijët janë në shtëpi dhe folësi, një baba i papunë i cili “should be working”, po kujdeset për ta. Derisa ai “dreams of” të tijën “sorrowful bride”, mund ta kujtojë një gjest që tashmë është familjar për të, ngase siç na thotë antiteza “sorrowful bride”, hallet iu kanë rënë në qafë qëherët këtij çifti të martuarish.

Megjithatë, mbase vargu i dytë është thjesht duke na e bërë me dije se ku jeton familja dhe ambienti përreth është brendia e ngushtë e akomodimit të tyre. Davidson përqendrohet tek emoccionet e personazheve të tij dhe përshkrimi i kontekstit është i minimizuar. Ai është posaçërisht i shkathët në evokimin e luhatjes mes dëshpërimit statik dhe veprimit, diçka zemërimi dhe frika e së cilës mund të emfazojnë. Poezia mund të akuzohet për një portretizim sentimental të varfërisë, por më shumë mund të lexohet si një portretizim i ndjenjave – emocioneve të çiltëra – të një familjeje të varfër. Është një portret i përgjithshëm, por krejt i vërtetë.

Vargu i katërt nis me një pyetje të dëshpëruar: “Were it well if we four were dead?”. Dëshira për të vdekur si një familje është diçka që e dëgjojmë shpesh sot, e shprehur nga njerëz që i humbin shpresat në një gjendje të skajshme të urisë dhe bombardimeve. Është përherë shokuese. Komenti shtesë i folësit të poezisë, “The grave at least is wide”, tregon se familja po e vuan hapësirën e mangët, me gjasë me vetëm një shtrat për katër veta. Në mënyrë domethënëse, varg refren që përmbyll këtë stancë sjell në mendje gjestin e palumtur të gruas: po ashtu mund të sugjerojë se ajo i bashkëndan mendimet e burrit të saj, ose se pikëllimi i saj ka kontribuuar në to.

Kjo trajektore e lidhur me pikëllimin përmbyset në vargun e pesrë kur “she dashes her tears aside, / And kisses our boys in bed”. Momenti i vendosmërisë së pathyeshme pasqyrohet nga “embers red” ende duke u djegur në vatër. Ka shpresë, po ashtu, në lutjen që shqipton gruaja herën e parë dhe të mbrame që flet. “God, give us our daily bread”, jehon Lutja e Zotit, ndërsa vargu “Nothing we ask beside” përdor fjalët e saj. I bashkohet një kërkese modeste për minimumin absolut të mbijetesës.  

Forma e vilanelës këmbëngul në një shfaqje të fundit të çiftëzuar të dy refreneve, kësodore gjesti i kokës në duar dhe prania e fëmijëve të vegjël në shtrat vazhdon të jetë imazhi mbizotërues i poezisë, secili duke u përforcuar nga afërsia. Ndryshe nga lumi, vilanela pashmangshmërisht i reziston një lëvizjeje të fuqishme përpara. Aq më mirë për qëllimet e Davidsonit për të vënë në lëvizje dhe motivuar lexuesit. Ai i mbështet ata që heqin mundimet e mjerimit duke përshkruar një burrë dhe një grua të rëndomtë, që s’kanë shpëtim nga vuajtja, por që e ruajnë fuqishëm zotësinë e tyre të ripërtëritjes dhe dashurisë. /The Guardian/ KultPlus.com

‘Australian Open’ – Madison Keys befason Aryna Sabalenka duke fituar titullin

Madison Keys e Shteteve të Bashkuara rrëzoi nga froni Aryna Sabalenka të Bjellorusisë për t’u bërë fituesja më e vjetër për herë të parë e titullit për femra në Open Australian.

Numri një i botës Sabalenka, 26 vjeç, po përpiqej të bëhej gruaja e parë që nga Martina Hingis në fund të viteve 1990 që fitoi tre tituj radhazi në Melbourne Park.

Por 29-vjeçarja Keys, e cila dukej e destinuar të mos arrinte kurrë titullin e Grand Slam-it që ishte në kartat kur ajo u bë profesioniste në moshën vetëm 14-vjeçare, e pasoi tronditjen e saj të farës së dytë Iga Świątek në gjysmëfinale me një fitojnë për 6-3, 2-6, 7-5. /atsh/ KultPlus.com

Pogradeci turizëm gjithëvjetor, Xhakolli: Shtojmë ofertën me trashëgimi kulturore e destinacione malore

 Pogradeci, i cilësuar si një atraksion i përhershëm turistik, me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, kulinarinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se çdo vit Pogradeci ka njohur rritje të numrit të vizitorëve, duke u kthyer në një ndër qytetet më të preferuara për t’u vizituar në 12 muajt e vitit.

Ai informoi se bazuar në statistikat e referuara nga strukturat akomoduese gjatë vitit 2024 numri i turistëve të cilët vizituan Pogradecin dhe zonat përreth është 135 904, nga të cilët 24 736 janë turistë të huaj dhe 111 168 turistë vendas.

“Nëse krahasojmë totalin me vitin 2023, ku Pogradeci u vizitua nga 124 502 turistë, cilësojmë faktin se ka një rritje rreth 10% të numrit të turistëve në vitin 2024”, tha Xhakolli.

Xhakolli u shpreh se sezoni turistik në qytetin e Pogradecit për vitin 2024 ka qenë tepër produktiv.

“Bashkia e Pogradecit, duke iu referuar edhe Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, e ka orientuar fokusin në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit katërstinor. Gjatë vitit 2024 janë organizuar shumë evente dhe aktivitete të cilat lidhen me turizmin kulturor dhe artistik, ku turistët vendas dhe të huaj kanë treguar interesit të lartë”, vuri në dukje ai.

Nga ana tjetër, theksoi Xhakolli, bashkëpunimi me tur-operatorët ka evidentuar një eksperiencë pozitive në lidhje me turizmin malor, kryesisht turistët e huaj kanë preferuar guidat malore, në të cilën bëjnë pjesë atraksionet turistike si Guri i Kamjes, Varret Monumentale të Selcës, Bazilika Paleokristiane dhe Mozaikët në Lin, liqenet e Lukovës etj.

Kryebashkiaku Xhakolli thekson se “një nga indikatorët kryesorë që ka ndikuar në zgjedhjen e Pogradecit si destinacion turistik veçanërisht nga turistët e huaj është dhe zbulimi i palafiteve 7600-vjeçare në Lin, të cilat janë një vlerë e shtuar për paketën promocionale që ofron bashkia Pogradec”.

Sa i përket strukturave akomoduese, hoteleve apo bujtinave, Xhakolli tha se “industria e turizmit është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin ekonomik në qytetin e Pogradecit”.

“Nisur nga fakti se statistikat e turistëve janë në rritje është vënë re dhe investimin në ndërtimin e strukturave të reja akomoduese. Gjatë vitit 2023 në bashkinë Pogradec kanë qenë 37 struktura akomoduese dhe aktualisht janë 40 struktura të regjistruara dhe funksionale. Gjithashtu në zonat përreth Pogradecit numri i bujtinave është në rritje”, tha Xhakolli.

Sa i përket synimeve për vitin 2025 lidhur me turizmin, Xhakolli tha se “këtë vit kemi si qëllim rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve dhe netqëndrimeve si dhe diversifikimin e ofertës turistike. Një tjetër prioritet është zhvillimi i turizmit malor dhe agroturizmit, me rritjen e bujtinave dhe njësive akomoduese në zonat rurale”.

Sipas tij, një ndër projektet kryesore gjatë këtij viti është edhe rivitalizimi i kalasë së Pogradecit.

“Ndërkohë, do të pajisen me sinjalistikë informuese të gjitha atraksionet natyrore dhe kulturore. Do të ngrihet qendra e re e informacionit turistik si dhe markimi i shtigjeve turistike në zonat malore”, tha Xhakolli.

Me një paketë të plotë turistike, që nga liqeni i magjishëm, tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë, Pogradeci tashmë është një tjetër destinacion shumë i kërkuar.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të ftojnë t’i vizitosh./atsh/ KultPlus.com

Një intervistë me Hasan Bej Prishtinën mbi qarkullimin e thashethemeve për të në shtypin turk

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Janar 2025

“La Turquie” ka botuar, të enjten e 12 majit 1910, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Hasan Bej Prishtinën mbi qarkullimin e thashethemeve për të asokohe në shtypin turk, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë me Hasan Beun

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Thashetheme të ndryshme qarkullojnë prej disa ditësh për Hasan Beun, deputet i Prishtinës. Herë lajmërohej se familja e tij kishte ikur në Shkup, herë lajmërohej se vëllezërit e tij ishin arrestuar. Në prani të këtyre thashethemeve dhe të tjerave, e pamë me vend t’i drejtohemi atij dhe ta pyesim se çfarë mendon për këto thashetheme.

Hasan Beu priti një nga bashkëpunëtorët tanë në zyrën e parë të Dhomës dhe e pranoi me dëshirë intervistën.

Fillimisht bashkëpunëtori ynë e pyeti nëse mund ta mohonte lajmin e Neïri-Hakikat-it të Manastirit dhe sipas të cilës disa deputetë shqiptarë ishin përfshirë në lëvizjen e Shqipërisë së Epërme.

— Po t’ia vlente të mohohej, tha Hasan Beu, ne do ta kishim bërë tashmë. Por nëse, në këtë vend thashethemesh, do të fillonim të mohonim gjithçka që ia atribuojmë një njeriu, do të kishim harxhuar të gjithë kohën duke botuar mohime në gazeta.

Por koha jonë është e çmuar. Përveç kësaj, do të ishte shumë e ulët për të mohuar publikime të tilla keqdashëse. Nuk e kuptoj çfarë kënaqësie gjejnë duke botuar të tilla shpifje. Sot një gazetë thotë se vëllezërit e mi janë arrestuar dhe një pjesë e familjes sime ka ikur në Malësi. A ja vlen të publikosh lajme qesharake si ky.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— A keni lajme të reja mbi Shqipërinë ?

— Është e vërtetë që nuk marr letra. Por sipas udhëtarëve që mbërrijnë, situata nuk është e mirë. Ekziston frika se kryengritja do të përhapet.

— Ju keni marrë leje për të shkuar në Shqipëri. A do ta përdorni atë ?

— Unë kam marrë leje për të shkuar atje për një çështje private. Por disa gazeta e interpretuan ndryshe këtë leje. Kanë shkruar se jam gati të shkoj në teatrin e kryengritjes. Megjithatë, mora parasysh gjendjen psikologjike të vendit dhe megjithëse kisha punë urgjente, e shtyva udhëtimin për disa ditë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me shefat e misioneve diplomatike të organizatave ndërkombëtare në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur gjatë ditës së premte, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë të cilët janë të angazhuar në fushën e drejtësisë

Sipas një njoftimi nga ana e Presidencës, në këtë takim u diskutua rreth përgatitjeve për procesin e themelimit të Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale.

“Nisma për themelimin i këtij Komisioni buron nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e të pranishmëve ndaj këtij procesi, si dhe njoftoi se gjatë javëve në vijim do të vazhdojnë takimet edhe me përfaqësues të tjerë nga organizatat përfaqësuese të viktimave, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, me qëllim të finalizimit të fillimit sa më të shpejtë të punës së këtij komisioni”, thuhet tutje në këtë njoftim.