OBSH: Vaksinat kundër COVID-it shpëtuan 1.4 milion jetë në Evropë

Të paktën 1.4 milion jetë janë shpëtuar në Evropë falë vaksinave kundër COVID-19, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke ripërsëritur se virusi ende nuk është zhdukur.

Në rajonin evropian të OBSH-së – ku përfshihen 53 shtete, edhe ato në Azinë Qendrore – janë regjistruar 277.7 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 2.2 milionë vdekje, sipas të dhënave më të fundit, që datojnë që nga dhjetori i vitit 2023.

“Sot, 1.4 milion njerëz në rajonin tonë – shumica të moshuar – po e shijojnë jetën me më të dashurit e tyre për shkak se u vaksinuan kundër COVID-19”, tha drejtori për Evropë në OBSH, Hans Kluge.

“Vetëm doza e parë vlerësohet se ka shpëtuar 700.000 jetë”.

Kluge tha se është qenësore që njerëzit të mbrohen gjatë dimrit, veçmas ata që janë më të cenueshëm.

“Teksa ne mësohemi të jetojmë me COVID-19 dhe me viruset e tjera që prekin organet e frymëmarrjes, është absolutisht thelbësore që popullata, që është më e cenueshme që t’i rri gati vaksinimit kundër COVID-it dhe të vaksinohet edhe kundër gripit sezonal”.

Ai insistoi që Evropë duhet të vazhdojë të investojë në sistemet e kujdesit shëndetësor.

Kluge tha se duhen po ashtu më shumë fonde për të adresuar çështjen e mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimeve me ilaçe esenciale.

Sëmundja e koronavirusit fillimisht u shfaq në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe më pas virusi u përhap në mbarë botën. Në botë janë regjistruar mbi 701 milionë raste me COVID dhe afër 7 milionë viktima./rel/KultPlus.com

Adele e përlotur njofton për anulimin e turneut, gjysma e stafit të infektuar me Covid 19

Një Adele e përlotur të enjten shtyu një seri koncertesh në Las Vegas që do të fillonin të premten, kjo pasi gjysma e stafit të saj ishin sëmurë me COVID-19 dhe pandemia ka shkaktuar vonesa në organizimin e turneut.

Super ylli britanik ishte planifikuar të fillonte një qëndrim tre mujor në hotelin “Caesars Palace”, në ato që do të ishin paraqitjet e saj të para live që nga viti 2017, shkruan Reuters.

“Ne kemi provuar absolutisht çdo gjë që mundemi për të nisur në kohë. Dhe që ajo të jetë mjaft e mirë për ju. Por ne jemi shkatërruar absolutisht nga vonesat e organizimit dhe COVID-19. Gjysma e ekipit tim janë të infektuar me COVID. Ata janë ende. Dhe ka qenë e pamundur të përfundosh përgatitjet për shfaqjen”, tha Adele e përlotur në një video të publikuar në Instagram.

Duke thënë se ndjente keqardhje plot tetë herë në një mesazh 92 sekondash, veçanërisht për njerëzit që kishin udhëtuar në Las Vegas për shfaqjen, Adele tha se vonesat e penguan atë të përsoste shfaqjen sipas standardeve të saj dhe ajo premtoi se do të riplanifikonte mbajtjen e turneut.

“Unë do të përfundoj shfaqjen time dhe do ta çoj atje ku duhet të jetë”, tha ajo.

Koncertet do të organizoheshin për të promovuar albumin e saj të fundit “30”, i cili u rendit i pari në top listat e 30 shteteve të ndryshme në nëntor. Ndërkohë: Celine Dion, Katy Perry, Carrie Underwood, Usher, Barry Manilow dhe Shania Twain janë ndër këngëtarët kryesorë që kanë planifikuar kohët e fundit data të shumta koncertesh në Las Vegas./KultPlus.com

Kreu i “BioNTech” shpjegon pse nevojitet doza e tretë e vaksinës kundër COVID

“Rreth shtatë muaj pas dozës së dytë të vaksinës Covid, ne mund të marrim koronavirusin”, kështu ka deklaruar Ugur Sahin, kreu i kompanisë gjermane të BioNTech, për gazetën “Bild”.

Ai shpjegon se doza përforcuese e vaksinës vjen për të mbushur boshllëkun dhe madje është efektive kundër mutacionit “Delta”.

Deklaratat e kreut të kompanisë gjermane të BioNTech vijnë në kohën kur gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer, me të cilin po bashkëpunon për përgatitjen e një vaksine kundër Covid-19, njoftoi se ai ka gati pilulën kundër koronavirusit.

“Nga muaji i shtatë, i tetë apo i nëntë pas dy dozave të para të vaksinës Covid, nivelet e antitrupave fillojnë të bien, duke e lënë trupin të prekshëm ndaj sëmundjes”, tha Sahin.

Duke komentuar gjetjet e provave klinike, drejtori i BioNTech tha se kur dikush është i infektuar me Covid dhe është plotësisht i vaksinuar, nuk do të sëmuret rëndë.

“Përveç kësaj, ne kemi të dhëna studimore që tregojnë se një dozë përforcuese rikthen mbrojtjen e vaksinës (gjashtë muaj pas dozës së dytë). Kjo vlen edhe për mutacionin e virusit Delta. Për këtë arsye të moshuarit duhet të marrin urgjentisht dozën përforcuese, gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit”, tha Sahin. / KultPlus.com

Publikohet studimi, ilaçi kundër Covid përgjysmon shtrimet në spital dhe vdekjet

Një kompani farmaceutike ka deklaruar se ka prodhuar një pilulë kundër Covid, e cila përgjysmon shtrimet në spital dhe numrin e pacientëve që ndërrojnë jetë.

Rezultatet e kërkimeve janë shpallur sot dhe nëse miratohet, ilaçi i bërë nga firma amerikane Merck dhe Ridgeback Biotherapeutics do të ishte ilaçi i parë oral që është efektiv kundër Covid-19.

Sipas The Guardian, nëse ky medikament do të lejohet të përdoret do të ketë një përparim në luftën kundër Covid, transmeton KultPlus.

Kompania në një deklaratë ka bërë me dije se do të aplikonte për autorizim të përdorimit emergjent të ilaçit në SHBA brenda dy javëve të ardhshme dhe do të kërkonte miratimin në disa vende të tjera.

Gjatë kërkimeve ilaçi është përdorur tek qindra pacientë të rritur dhe ka pasur rezultate. / KultPlus.com

Monedha e re e dy eurove, në nderim të punëtorëve shëndetësor

Italia ka stampuar një monedhë 2-euroshe të enjten për të nderuar punëtorët shëndetësorë gjatë pandemisë Covid-19.

Italia është vendi i parë i Perëndimit që është goditur nga koronavirusi dhe punëtorët shëndetësorë e kanë mbajtur barrën e sëmundjes, duke punuar pa u lodhur qëkur virusi nisi përhapjen e madhe në shkurtin e kaluar.

Për ta shprehur mirënjohjen, në dizajnin e monedhës shihen dy punëtorë shëndetësorë me maska: një grua dhe një burrë, ku mbi ta është e gravuar fjala italiane “grazie”, që do të thotë faleminderit.

“Këtë vit u goditëm nga kjo tragjedi e Covid-19, kështu që Ministria e Ekonomisë mendoi që ta krijojë një monedhë përkujtimore, për t’i falënderuar të gjithë punëtorët shëndetësorë, të cilët kanë punuar dhe po punojnë fort për shëndetin tonë dhe për ne”, ka thënë dizajnerja e monedhës Claudia Momoni në Romë.

Tre milionë monedha të tilla do t’i shpërndahen publikut në maj apo qershor. Disa mijëra kopje të monedhës origjinale do të jenë në dispozicion për t’u blerë për koleksionim.

Italia ka regjistruar 83,681 vdekje nga COVID-19, shifra e dytë më e lartë në Evropë dhe e gjashta në botë. Vendi ka raportuar gjithashtu 2.41 milionë raste deri më tani. /Koha/ KultPlus.com

Autobusët në Londër kthehen në autoambulanca për pacientët me COVID

Stafi i Shërbimit Nacional të Shëndetësisë (NHS) në Britani po përgatitet të transportojë pacientët me COVID me dy autobusë të Londrës të shndërruar në autoambulanca të improvizuar, në një shenjë tjetër të ngarkesës së madhe që i ka shkaktuar pandemia sistemit shëndetësor në kryeqendër të Anglisë, raporton The Guardian.

Shumica e uleseve në autobusët janë larguar në mënyrë që të mund të transportohen katër pacientë, në tentim për të zbutur paksa presionin e madh në shërbimte e ambulancës në Londër dhe në spitale.

Go-Ahead, kompania që i ka në pronë autobusët, ia ka huazuar ata NHS-së në Londër për të ndihmuar transferimin be pacientëve me COVID.

Po ashtu i ka ofruar edhe katër shoferë. / KultPlus.com

Masat antiCovid e detyrojnë të marrë dy gjyshe si shoqëruese të nuses

Kur Megan Kennedy dhe Thomas Cahoon shpallën fejesën, nisën menjëherë të planifikonin ditën e martesës e cila sipas tyre duhet të ishte e madhe dhe e paharrueshme.

Ata dërguan ftesat, prenotuan autobusë të kuq për të marrë të ftuarit në vendin ku do të mbahej ceremonia dhe Megan zgjodhi shoqërueset e saj për në altar që do të ishin dhjetë.

Por koronavirusi bëri që ata të shmangnin të gjitha planifikimet dhe në fund ftuan vetëm 15 persona.

Kështu që Megan hodhi poshtë planet e saj origjinale dhe në vend të tyre zgjodhi 2 gjyshe që t’i kishte si shoqëruese.

Kur i pyeti për herë të parë, Gillian Holloway, 80 vjeç dhe Mary Kennedy, 90 thanë se ideja ishte “pak budallaqe”. Ato u shprehën se ishin shumë të moshuara për të bërë rolin e shoqërueses së nuses.

Por më pas ato pranuan. Gjyshet nuk kishin veshur fustane të ngjashëm, por kishin buqeta dhe ecën së bashku në korridorin e kishës për të shoqëruar Megan. /express/ KultPlus.com

Festë në kohë pandemie, çfarë të bëni patjetër në këtë periudhë

Viti 2020 ka qenë viti që lirisht mund të konsiderohet si ndër vitet më të vështira në gjithë botën. Mirëpo, festat e fundvitit prapë se prapë përçojnë emocione të mëdha tek secili, shkruan KultPlus.

Një fundvit tejet ndryshe prej atyre që secili prej nesh është mësuar t’a përjetojë.

Në këtë periudhë të vitit, shumë prej nesh kërkojnë t’i mbyllin me sukses edhe këto javë të fundit dhe të pushojnë. Meqenëse nuk kemi shumë kohë para ditës së madhe të Krishtlindjeve, ka disa gjëra të thjeshta për t’u bërë.

 Cilat janë ato gjëra do të thoni ju?

Dilni në qytet për të shijuar dritat e festave

Dritat e festave janë gjëja më e bukur e kësaj periudhe, kështu që shkoni t’i shijoni. Do t’ju ndihmojë për t’u çlodhur në këtë prag festash.

Bëni ëmbëlsira Krishtlindjesh dhe babagjyshë të Vitit të Ri

Kjo është një nga gjërat më të ëmbla që ju vijnë çdo vit për Krishtlindje. Gatuajini ato me fëmijët.

Dekoroni shtëpinë

A mund të ketë Krishtlindje pa dekorin e duhur? Nuk besoni se është e realizueshme apo jo? Filloni ta mbushni pemën me çdo lloj zbukurimesh.

Dëgjoni këngë Krishtlindjesh sidomos gjatë kësaj periudhe

Sa më shumë afrohen ditët, aq më shumë muzikë Krishtlindjesh duhet të dëgjoni. Asgjë më shumë se ky motiv nuk ju ndihmon të ndiheni më mirë.

Ndihmoni komunitetin

Kjo duhet bërë çdo ditë të vitit, por gjatë kësaj periudhe është edhe më domethënëse.

Ndizni zjarr në oxhak

Ngrohtësia që vjen nga zjarri dhe sidomos nëse je ulur pranë tij është aq e pazëvendësueshme; asgjë nuk të bën të ndihesh më mirë.

Kaloni kohë me njerëzit që doni

Ndonjëherë, mes të gjitha çmendurive që bëjmë në përditshmëri, ne harrojmë të kalojmë kohë me njerëzit që duam. Tani është koha më e mirë dhe e pazëvendësueshme. / KultPlus.com

E para në radhë, gruaja në Britani përgatitet për vaksinimin

“Jam pak e frikësuar, por kryesisht absolutisht e kënaqur dhe e entuziazmuar që vaksina është këtu dhe unë po e marr”.

Kështu është shprehur një nga njerëzit e parë në botë që do të vaksinohet kundër koronavirusit, ndërsa Britania po i afrohet momentit të rëndësishëm.

Katie Stewart, 37 vjeç, është një anesteziste konsulente në spitalin e përgjithshëm Borders në periferi të Melrose në Skoci.

Puna e saj për trajtimin e pacientëve me Covid në kujdesin intensiv, e bën atë një nga 800,000 personat që do të marrin dozat e para të vaksinës së Pfizer, e disponueshme në Britani.

“Shpresoj se ky është fillimi i fundit të pandemisë”, tha Steëart.

Javën e kaluar rregullatori i ilaçeve në Britani, Agjencia Rregullative e Barnave dhe Shëndetit (MHRA), u bë e para në botën perëndimore që miratoi vaksinën.

Mbretëria e Bashkuar ka blerë 40 milion doza, të mjaftueshme për 20 milion njerëz, por shumica pritet të mbërrijnë vitin e ardhshëm.

Dozat e para janë të destinuara për personelin e shtëpive së kujdesit dhe të moshuarit, njerëzit e moshës 80 vjeç e lart dhe punonjësit e shëndetësisë që janë në vijën e parë të luftës./ KultPlus.com

Vjosa Osmani infektohet me koronavirus

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është infektuar me COVID-19.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tregon se pas disa dyshimeve ajo ka bërë testin dhe ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Osmani ka treguar se do të punojë nga shtëpia në dy javët e ardhshme, po ashtu takimet do t’i mbajë përmes platformave elektronike.

Postimi i plotë i Osmanit:

Të nderuar qytetarë!

Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.

Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.

Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.

Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve! / KultPlus.com

Kosova do të përfitojë falas 360,000 vaksina kundër koronavirusit

Kosova do të përfitojë 360,000 vaksina falas nga Aleanca Botërore e Vaksinimit, e njohur si COVAX.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se pjesën tjetër të vaksinave, Kosova do ta blejë me mjete të veta financiare, kur ato të jenë në treg dhe të lejuara për përdorim te njerëzit.

“Kosova, prej disa muajsh, ka qenë në bisedime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe partnerët ndërkombëtarë. Aleanca Botërore e Vaksinimit e ka futur Kosovën në mesin e shteteve përfituese falas të 20% të sasisë së vaksinave, apo 360,000 doza të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë javë, kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech kanë konfirmuar se vaksina e tyre kundër koronavirusit “ofron mbrojtje 90%”.

Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës së tyre në fund të këtij muaji.

Pfizer ka thënë se beson se do të sigurojë 50 milionë doza të vaksinës deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard të tjera deri në fund të vitit 2021.

Në zhvillim e sipër janë edhe dhjetëra vaksina të tjera kundër koronavirusit.

Kosova ka konfirmuar në total 26,888 raste me koronavirus. Aktualisht i ka 9,418 raste aktive./ KultPlus.com

Mund të vazhdojë izolimi, institucionet diskutojnë sot për kufizime të reja Anti-Covid

Masat që janë marrë gjatë vikendit nga institucionet e vendit, nuk do të jenë të vetmet për të luftuar COVID 19. Sot gjatë ditës është paralajmëruar se mund të ketë vendim për masa të reja, pasi që numri i të infektuarve ka shkuar duke u rritur.

Institucionet e vendit, të premten kanë dalë me masa të reja kufizuese të përhapjes së COVID 19.

Në javët kur Kosova po përballet me qindra të infektuar në ditë, e është rritur edhe numri i personave që kanë ndërruar jetë, institucionet kanë zgjedhur që gjatë vikendit të bëjnë një test të masave, ku është ndaluar veprimtaria e disa subjekteve afariste, bizneseve, qendrave tregtare dhe rekreative, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme)  në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ky vendim u zbatua prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00, derisa, për dy ditë në vend kanë funksionuar vetëm, Furraat e bukës, barnatoret, marketet e vogla, pompave të derivateve. Institucionet shëndetësore  publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale. Për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19 (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal në sektorët e shëndetësisë, sigurisë dhe administratës shtetërore). Operatorët ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e furnizimit.

Këto masa që kanë hyrë në fuqi vetëm gjatë vikendit, pritet që sot të zëvendësohen me masa të reja.

Një gjë e tillë do të ndodhë në takimin virtual që pritet të mbahet në ora 11:00 në mes të Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt dhe AKK-së.

Se do të ketë masa të reja e ka konfirmuar dje vetë Zemaj përmes një shkrimi në Facebook ku ka njoftuar se është takuar me kreun e Odës Ekonomike, Berat Rukiqin, kreun e Odës Amerikane, Arian Zekën,  Petrit Kllokoqi kryetar i Shoqatës së Gastronomëve si dhe Hysen Sogojeva kryetarin e Odës Hoteliere të Kosovës.

“Secili nga ne ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, andaj është qenësore që të gjithë se bashku, nga aty ku veprojmë t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për Mbrojtje nga Përhapja e Covid19 Janë të arsyeshme shqetësimet e secilës kategori të shoqërisë sonë, por të gjithë së bashku duhet të mendojmë për shëndetin publik. Rekomandimet e marra gjatë takimit të sotëm, do t’i diskutoj me kryeministrin z.Hoti në mënyrë që masat e marra nga Qeveria të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë ne”, ka thënë Zemaj.

Vetëm gjatë së dielës nga 1 mijë e 794 mostra të marra, 730 persona kanë rezultuar pozitiv. Në kryeqytet pozitiv kanë rezultuar 312 raste, ndërsa, për një ditë, kanë ndërruar jetë 11 persona.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.794 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 730 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Kamenicë 2 raste (76 dhe 70 vjeç), Prishtinë 2 raste (78 dhe 71 vjeç), Vushtrri 2 raste (82 dhe 77 vjeç), Gjilan 1 rast (58 vjeç), Pejë 1 rast (62 vjeç), Prizren 1 rast (58 vjeç), Rahovec 1 rast (66 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (71 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 24.155 raste nga 106.770 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 755 raste të vdekjes”, thuhet në raportin e fundit të Institutit. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Ministri i Arsimit tregon se si do të bëhet testimi i mësimdhënësve për COVID-19

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari kanë vizituar Gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime.

Me këtë rast Likaj tha se këto vizita po realizohen pa paralajmërim, por që u shpreh i kënaqur me organizimin që po bëjnë shkollat për fillimin e vitit të ri shkollor. Ndonëse thotë se janë në pritje të rekomandimeve të institucioneve për fillimin ose jo të mësimit me 14 shtator.

Ministri ka bërë të ditur se 1,500 mësimdhënës do të testohen për koronavirus, ose 6.5% e tyre dhe përzgjedhja do të bëhet në mënyrë rastësore.

“Këto vizita realizohen pa paralajmërim që të shohim gatishmërinë për fillimin e vitit të ri shkollor sipas udhëzimeve të MASH-it. Thënë të drejtën jemi të kënaqur me përgatitjet që janë bërë. Ne jemi të përgatitur, presim rekomandimin për fillimin e vitit të ri shkollor nga institucionet përgjegjësi”, ka thënë ai.

Shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor

Fillimi i vitit të ri shkollor 2020-2021 është shtyrë për 14 shtator

Kjo për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19 në vend.

Lajmi për shtyrjen e këtij afati për fillimin e vitit të ri shkollor u bë i ditur pas takimit të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, bashkë me SBASHK-un, IKSHPK-në dhe përfaqësues të MSH-së.

Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ka thënë se në këtë takim është vendosur që mësimi të fillojë më 14 shtator 2020 për të vazhduar pastaj sipas master planit në tri faza.

“Jemi pajtuar që të vazhdojmë takimet që nga e hënë për të diskutuar çështjet tjera teknike, në mënyrë që të gjithë të jemi më të përgatitur. Po ashtu, mendojmë se deri me 14 shtator, është periudhë e mjaftueshme për t’u përgatitur shkollat. Gjatë kësaj kohe do të shikohet të bëhet një lloj regjistri i mësimdhënësve se kush është i infektuar, kush i zëvendëson, pastaj a do të paguhen mësimdhënësit e sëmurë e çështje tjera”, tha ai. / KultPlus.com

Masat kundër Covid-19 po sjellin dëme të mëdha për sektorin e gastronomisë

Mbyllja e lokaleve të gastronomisë nga ora 21:00 deri në 05:00, ka shkaktuar telashe të mëdha në funksionimin e bizneseve në Prizren.

Ata thonë se në kohën kur mund të tonin, ata po duhet t’i mbyllin lokalet derisa paralajmërojnë se nëse vazhdon një situatë e tillë, do të detyrohen që t’i mbyllin lokalet e tyre.

Ibrahim Sallauka i cili është pronar i restorantit “Koha”, thotë se përkundër që masat e ndërmarra nga qeveria mund të jenë të mira për shëndetin e qytetarëve, bizneset e tij janë dëmtuar shumë.

Sallauka thotë se për shkak të ndalimit të punës së gastronomisë nga ora 21:00 janë detyruar t’i largojnë disa punëtorët nga puna dhe rrezikojnë që t’u ulen pagat punëtorëve që aktualisht janë në punë.

“Këto masat për shkak të shëndetit për njerëzit janë të mira, por për neve bizneset jemi shumë të dëmtuar në këtë rast sepse punën më të madhe e kemi prej orës 20:00, 20:30, deri në 24:00 në këtë kohë të sezone as por sivjet e shoh që nuk do kemi…Nuk po mund t’i përballojmë këto dhe në këto rrethana jemi deshtë edhe disa punëtor t’i largojmë për shkak se nuk po mund t’i përballojmë këto kushte, edhe punë nuk po kemi…Kemi dy tri pika, kemi larguar punëtorë edhe tash po duhet ka gjashtë orë të punojmë dhe tu themi punëtorëve se do u zbresim pagat, ne kemi një marrëveshje nga pranvera me punëtorë është shumë e vështirë“, u shpreh Sallauka.

Sallauka shprehet i zhgënjyer me përkrahjen nga institucionet e vendit me qëllim të rimëkëmbjes së tyre.

“Qe 20 vite paguaj tatim dhe tash na ra puna q]ë qeveria të na ndihmoj diçka por jemi pak të zhgënjyer pa marr parasysh se cila qeveri jemi të zhgënjyer se edhe ne nuk po mundemi me përballua…Hiq më shumë se edhe dy muaj me vazhdua dhe nuk do ketë mundësi më me punuar, shumë vështirësi kemi me pas për ta vazhduar biznesin”, theksoi ai.

Edhe Bilgin Gjigolli pronar i picerisë “Vintage”, në Prizren, ankohet se masat e reja biznesin e tij janë duke e dërguar drejt falimentimit.

Gjigolli po e pret që dora e shtetit ta ndihmojë sadopak për ta tejkaluar këtë krizë që po e kalon si biznes.

Gjigolli: Shumë na kanë dëmtuar

“Na kanë dëmtuar shumë se normalisht ne punojmë prej 21:00 deri në 24:00 të natës, ne normalisht fitimin e kemi qaty, se jena një vend turistik këtu ne duhet me prit një verë ose dy muaj tre muaj për të bërë ndonjë qarkullim apo fitim…Shumë na kanë dëmtuar edhe janar shkurt ne nuk kemi pas punë ka qenë katastrofë, plus këta tre- katër muajt e pandemisë momentalisht ende është duke vazhduar, prej 21:00 me e mbyll dyqanet pse me mbyll në ora 21:00…Jemi duke e pritur një ndihmë prej atyre, ata jo aty në qeveri mu përla njëri me tjetrin ai vjen thotë jo kështu, ky tjetri thotë jo njerëzit janë duke pritur, punëtorët janë duke u frikësuar se nesër pas nesër po ecin nëpër shpija…Nëse vazhdon dhe nuk vjen mërgimtarët bile 40 për qind sigurisht kanë me shkua shumica në falimentim” deklaroi ai.

Onar Koçbashli anëtar i Odës Hoteleriko-Turistike të Kosovës, thotë se masat për mosqarkullim të bizneseve të gastronomisë nga ora 21:00 deri në 05:00, i ka vendosur në pozitë të rëndë këto biznese.

Ai pret nga qeveria që të përkrahen maksimalisht këto biznese.

Koçbashkli: Janë duke vuajtur edhe punëtorët

“Sa do që ka efekt pozitiv sepse pikë së pari jeta e njerëzve është më e vlefshme sesa shumë gjëra të tjera, nga ana tjetër trend negativ në gastronomi. Është më të vërtetë e rëndë pozita e në përgjithësi nuk po them vetëm në Prizren. Dita ditës kjo po ndikon në aspektin negativ edhe në aspektin e dytë sepse janë duke vuajtur edhe punëtorët të cilët janë duke punuar nëpër këto qendra”, theksoi ai.

Pas shtimit të rasteve me COVID19 në javët e fundit, Qeveria e Kosovës mori masat që në komunat më të infektuara me COVID-19, të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në 05:00.

Gjatë kësaj kohe po ashtu u ndalua edhe funksionimi i gastronomisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Express / KultPlus.com

Vendet me udhëheqëse femra, 4 herë më pak viktima nga Covid-19

Vendet që kanë në krye të qeverisë një femër kanë regjistruar 4,3 herë më pak viktima nga Covid-19 sesa vendet që drejtohen nga meshkujt. Në këtë përfundim ka dalë një studim i Trinity College në Dublin të Irlandës.

Studimi analizoi pandeminë e koronavirusit në 35 shtete, 10 prej të cilëve drejtoheshin nga femra. Shembuj pozitivë të menaxhimit të krizës janë Gjermania, Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda, 4 shtete që drejtohen nga femra.

Në shtetet që drejtohen nga meshkuj kishte 21 viktima për 1 milion banorë, ndërsa në shtete që drejtohen nga femra kishte 4,8 viktima për 1 milion banorë. 

Gjithashtu, këto shtete kishin arritur ta ulnin më përpara kurbën e epidemisë.

Studimi thekson se udhëheqëset femra i dhanë më shumë prioritet shëndetit publik dhe jo ekonomisë.

Covid-19 i merr jetën përkthyesit dhe autorit të njohur shqiptar, Ilir Hashrova

Përkthyesi dhe publicisti i njohur shqiptar Ilir Hashrova ka ndërruar jetë për shkak të virusit të ri COVID-19. Lajmin e kanë dhënë familjarët e tij.

“Mbreme ne New York, ndahet nga jeta ILIR ALI HASHORVA, prej semundjes Covid-19, nje Intelektual antikonformist, patriot, shkrimtar, nje person fisnik qe gezonte respektin ne gjithe rrethin shoqeror e me gjere. Duke lene pas te shoqen, Linden dhe dy femijet Dritanin dhe Enin,si edhe motren e tij Dr. Hysnije Shtylla” – shkruan në profilin e tij në FB, kunati i të ndjerit, Mehmet Shtylla.

Familja Hashorva kishte emigruar në New York të SHBA-ve në fillim të viteve 2000.

Iliri rridhte nga një familje Gjirokastrite – intelektuale dhe patriote. Xhaxhai i Ilirit, Veliu, do të mbahet mend si një nga pasrilindasit e fillimit të shek. XX në qytetin e Gjirokastrës. Në vitet 1920-24 Veliu botoi në Gjirokastër gazetën “Drita”, e cila njihet si një nga gazetat e para të shtypit të shkruar shqiptar.

Në vitin 1920 Veliu mori pjesë në Luftën e Vlorës. Deri sa u largua për në Turqi, ai ishte një figurë e rëndësishme në ngjarjet historike dhe politike të viteve ’20 në vend.

Babai i Ilirit, Aliu ka qenë një figurë e spikatur e arsimit shqiptar nga vitet 30 deri në ato 50 të shekullit të kaluar. Ai ka drejtuar Normalen e Elbasanit dhe Tekniken e Tiranës, dhe pas 1944-ës ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku u akuzua për formimin e “grupit social-demokrat”. Profesor Aliu e mbylli jetën duke punuar si punëtor krahu.

Iliri ka lindur më 1 Tetor 1941 në Tiranë. Pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë ai punoi në Pashaliman, në Tropojë dhe më pas në Institutin e Hidrometeorologjisë në Tiranë si Shef i Laboratorit të këtij instituti.

Vitet e fundit ai është marrë me publicistikë, ka botuar artikuj dhe përkthime në mediet e Tiranës. /KultPlus.com

Mjeku shqiptar nga Frankfurti: Pas dy vitesh do të qeshim me frikën tonë nga COVID-19

Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt, nënvizon se me përvojën tonë kundër epidemive, përkushtimin e mjekëve, zbatimin e praktikave të suksesshme të vendeve të tjera dhe zbatimin rigoroz të masave kundër pandemisë, do të kontrollojmë plotësisht përhapjen e CovidEPA/ZOLTAN BALOGH HUNGARY OUT

Mjeku shqiptar nga Frankfurti i Gjermanisë, Erion Dasho, tregon se Covid-19 nuk është hata, por sëmundje, pas dy vitesh do të qeshim me frikën tonë sot, transmeton albinfo.ch.

Mjeku Erion Dasho është drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt, nënvizon se me përvojën tonë kundër epidemive, përkushtimin e mjekëve, zbatimin e praktikave të suksesshme të vendeve të tjera dhe zbatimin rigoroz të masave kundër pandemisë, do të kontrollojmë plotësisht përhapjen e Covid-19.

„Covid-19 nuk është një hata sic e kanë bërë shumë prej personave duke ngjallur panik, por thjesht një sëmundje“.

Mjeku shqiptar ka theksuar se ne nuk duhet të mendojmë se nuk do të mund ta kotrollojmë koronavirusin, kur nuk e ka kontrolluar Italia apo Spanja, dy vende të fuqishme.

Ai ka treguar se duhet të mësojmë të mos bëjmë gabimet e Spanjës dhe Italisë, por të bëjmë atë që bëjnë mirë Suedia dhe Gjermania si për shembull të lëmë të moshuarit të dalin me fasha orare 6 me 8, pasi kjo masë nuk do ndonjë shkencë për t’u zbatuar.

Postimi i plotë i Erion Dashos:

Një shembull për ne

Ne shqiptarët, me sa duket duam të mbetemi unikë dhe as COVID nuk po na ndryshon dot. Kur jap në facebook shembuj të vendeve të suksesshme që kanë kontrolluar COVID marr shpesh komente mosbesuese. Kur dhashë dje shembullin se ata pak mjekë dhe infermierë që kishte Shqipëria në 1950-ën arritën të kontrollonin malarjen, përsëri nuk mjaftoi të bindte shumë nga miqtë se 3,000 mjekë dhe 12,000 infermierë sot mund të kontrollojnë COVID-in.

Logjika më e çuditshme e këtyre ditëve ka qënë: Kur dështoi Italia dhe Spanja, si do ta kontrollojmë ne? Po mirë, Gjermania dhe Suedia po e kontrollojnë me masa minimale… – Pse Suedia dhe Gjermania jemi ne?! Na është mbushur mendja se “nuk duhet të bëhemi si Italia dhe Spanja, por as nuk jemi si Gjermania dhe Suedia”. Në se nuk jemi as Shqipëria e 1950, as Suedia e 2020, çfarë jemi??!! Duke qënë se shpikësit ka kohë që kanë ikur nga vendi ynë, shpikje nuk bëjmë dot më. Gjëja më me mend që mund të bëjmë sot është të marrim shembujt e botës, apo shembujt tanë kur kontrolluam malarjen, sifilizin, kolerën, fruthin, gripin e derrit, etj. dhe t’i zbatojmë.

Nga Europa të mësojmë të mos bëjmë gabimet e Spanjës dhe Italisë, por të bëjmë atë që bëjnë mirë Suedia dhe Gjermania. P.sh. të lëmë të moshuarit të dalin me fasha orare 6 me 8. Kjo masë nuk do ndonjë shkencë për t’u zbatuar…  MASA INTELIGJENTE për sot është “Të mësojmë nga bota dhe ta trajtojmë COVID si një sëmundje dhe jo si një hata”. Pas 2 vjetësh COVID do të jetë një “ftohje” dhe ne do të qeshim me frikën tonë sot…

Zyra e BE-së: Të ketë qasjes në arsim për çdo fëmijë gjatë krizës me Covid-19

Me rastin e Ditës së Diversitetit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë e kanë theksuar rëndësinë e garantimit të qasjes në arsim për të gjithë fëmijët edhe gjatë krizës aktuale me Ciovid-19.

“Arsimi përfshirës është diçka që Bashkimi Evropian i kushton vëmendje të madhe. Kjo është arsyeja pse me kënaqësi e financojmë projektin ‘INCLUDE’ i cili do të japë përgjigje me kohë drejt sigurimit të arsimit përfshirës në rrethanat aktuale. Në planin afatgjatë, sistemi arsimor në Kosovë do të përfitojë nga aktivitetet e ndërtimit të kapacitetit dhe përkrahja e synuar që jepet gjatë projektit”, ka thënë Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Të gjitha përpjekjet e mundshme duhet të bëhen nga autoritetet për të siguruar vazhdimin e mësimnxënies së sigurt dhe të barabartë nga shtëpia për të gjithë, posaçërisht për ata nxënës që kanë nevojë për më shumë përkrahje ose janë më të vështirë për t’u arritur. Gjithashtu duhet të gjenden mënyra inovative për t’i adresuar sfidat e situatës aktuale me pandeminë. Në këtë kontekst, projektet e bashkëpunimit mund të luajnë rol të rëndësishëm në ofrimin e zgjidhjeve për sfidat aktuale

“E drejta për arsim është e drejtë thelbësore dhe qasja e vazhdueshme në arsim gjatë krizës aktuale është jetike. Kjo është posaçërisht e vërtetë për fëmijët nga grupet e pafavorizuara, ku mund të nevojiten përpjekje të posaçme për të siguruar se ata kanë qasje në mjetet dhe materialet e barabarta me bashkëmoshatarët e tyre”, theksoi Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.

Projekti i përbashkët BE/KE ‘INCLUDE’ e përkrahë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në përmirësimin e qasjes në arsim cilësor për të gjithë fëmijët me fokus të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijëve nga grupet e pafavorizuara si p.sh. fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë. Aktivitetet e projektit janë duke u përshtatur sipas nevojave të gjendjes aktuale

Projekti nisi në janar 2020 me fondet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe implementohet nga Këshilli i Evropës. Projekti do të zgjasë katër vjet.

Covid-19, Kosova ndan 500 mijë euro për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën

Qeveria në detyrë sot ka mbajtur mbledhjen e 26-të në formën elektronike. Sipas njoftimit të Qeverisë, thuhet se janë ndarë 500 mijë euro për Luginën e Preshevës.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mbështetjen financiare për Komunën e Preshevës, Komunën e Bujanovcit dhe Komunën e Medvegjës në vlerën prej 500,000.00 € (pesëqind mijë euro) që do të përdoren për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia”, thuhet në njoftim.

Në këtë mbedhje të qeverisë janë shkakuar edhe bordet e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës” Sh. A, në Ndërmarrjen Publike Qendrore Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh. A. dhe në Ndërmarrjen Publike Qendrore Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh. A. Prizren.

Lindin në Indi binjakët Korona dhe Covid

Mirësevini në këtë botë Korona dhe Covid. Këto janë emrat e dy binjakëve të lindur në qytetin Raipur të Indisë.

Binjakët, një djalë dhe një vajzë lindën gjatë 3 javëve karantinë që është vendosur dhe në Indi.

Prindërit e tyre thanë se i quajtën ashtu me qëllim që të kujtojnë këtë kohë të vështirë, shkruan media lokale, transmeton ora news.

Në një intervistë për median lokal, nëna tha se kishin pasur shumë vështirësi dhe donin ta kujtonin këtë kohë.

“Virusi është i rrezikshëm por i bëri njerëzit të fokusohen në higjienë dhe në zakonet e mira të jetës, prandaj vendosëm ti quanim ashtu” thotë e ëma.

Më pas stafi mjekësor nisi t’i quante binjakët Korona dhe Covid-19. / KultPlus.com