Të falem ty, o gjuhë-shkëmb, me rrënjët thellë në shkëmbenj, që çave qiellinkur t’ u vrënj dhe shembe bisha e shtërpënj, po mbete prapë: shkrep e shtëng: të falem, gjuhë shkrepëtim, që shkrep në qiej e vrungullon, me bujë pyjesh bubullon, me gjëmë detesh uturon, dhe je, siç ishe: vetëtim; të falem ty, o gjuhë – hoj, ty, zëth i nënës – qetësi, ty, këngë e foshnjës – kaltësi, ty afsh’ i zemrës – dashuri gjithmon e ëmbël mjaltë zgjoi. Të falem ty o gjuhë e fisit tim, siç nuk i falem asnjë perëndi – se tempull i përjetshëm më je ti, dhe ti mburoje nëpër mot të zi ti, dritë e krirtë nëpër errësi, ti, perëndi, që nuk ke perëndim./ KultPlus.com
U deshën vetëm shtatë minuta që mijëra bileta të shiteshin për shfaqjet live të majit të Eurovision Song Contest në Bazel Zvicër.
Kërkesa ishte e madhe kur shitjet filluan në orën 10:00 raportoi transmetuesi zviceran SRF, i cili është pjesë e ekipit që organizon ekstravagancën muzikore më të mirë të këtij viti.
Vetëm ata që ishin regjistruar paraprakisht mund të blinin deri në katër bileta për konkursin, i famshëm në të gjithë Evropën dhe më gjerë për performancat e tij të çuditshme dhe këngët tërheqëse tre minutëshe.
Biletat ishin në dispozicion edhe për disa prova. Ata u shitën brenda 20 minutave. Gjithsej, sot u shitën 42 mijë bileta.
Shitjet e mëtejshme janë planifikuar, megjithëse ende nuk është përcaktuar saktësisht se sa bileta të tjera do të vihen në dispozicion. /atsh/ KultPlus.com
Të enjten më 30 janar 2025, do të promovohet romani “Lugina e lumit Issa”, i autorit polak Czesław Miłosz. Eventi mbahet në librarinë Dukagjini prej orës 18:00.
“Lugina e Lumit Issa” i autorit Czeslaw Milosz, pjesë e kolanës “Effugium” – Evropa Kreative”, është një nga romanet më të dalluara për fëmijërinë dhe adoleshencën e autorit. Libri u shkrua nga Miłosz në mërgim dhe u botua për herë të parë në Paris në vitin 1955. Romani “Lugina e Lumit Issa” është një udhëtim i Miłoszit në fëmijërinë e tij si dhe një krijim imagjinar i një vendi mitik të kufizuar nga lumi Issa, brigjet e të cilit u referohen brigjeve të lumit Niewiaż në jetën reale, ku Miłoszi e ka kaluar fëmijërinë e tij.
Czesław Miłosz ka qenë poet, prozator dhe përkthyes polak, i lindur më 30 qershor 1911, në një fshat kufitar të Lituanisë. Miłosz ishte një figurë e shquar në letërsinë e shekullit të 20-të dhe laureat i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1980. Ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vazhdoi të shkruante deri në vdekjen e tij, në vitin 2004.
Ky roman është përkthyer nga Romeo Çollaku. Në promovimin që do të moderohet nga Liridona Bytyçi për Czesław Miłoszin do të flasim me profesorin e filozofisë Blerim Latifi.
Në Gjilan është mbyllur festivali i dramës “Talia e Flakës 2025”, i cili ka zgjatur shtatë ditë rresht, nga 22 deri më 28 janar 2025. Në mbrëmjen e fundit është dhënë shfaqja “Jam unë ajo” nga produksioni “Bon”, që mban firmën autoriale të dy dramaturgeve, Vamira Thaqi e Dituri Neziraj.
Ndonëse e paraparë për një numër të caktuar të publikut për shkak të hapësirës së kufizuar në skenën e vogël, interesimi ka qenë mjaft i madh. Kjo mbase ka ardhur si rrjedhojë nga vet paralajmërimi se shfaqja është e predestinuar për audiencën +18, ndaj pikërisht kjo duket të ketë “ngacmuar’ kërshërinë e artdashësve gjilanas e më gjërë. Fabula e shfaqjes nga teksti i bashkë autoreve, fillon me brengën e dy grave lehona të cilat janë të merakosura për dukjen e jashtme pas lindjeve të foshnjeve, ndaj qëndrojnë para pasqyrës sikur për të mbajtur “nën vëzhgim strikt” procesin e zgjërimit të përmasave trupore, pas lindjes.
Ndonëse fillimisht nuk duket e tillë, brenga e dy grave mikesha kuptohet gjatë rrjedhës së shfaqjes. Sipas përshkrimit të shkurtër narrativ të përmbajtjes së shfaqjes, Dija dhe Vesa janë të ndara nga realitete të ndryshme por të lidhura nga e njëjta barrë depresioni pas lindjeve. Përmes tyre zbërthehet një histori që nuk është thjeshtë personale, por një klithmë kolektive. Në errësirën e brendshme ku përzihen ndjenja faji dhe paaftësie, ato ballafaqohen me një botë që u refuzon të drejtën për të qenë të thyeshme.
“Tendenca për të mbajtur publikun sa më pranë me shfaqjes, arrihet përmes dialogjeve të personazheve herë-herë të tensionuara e herë të tjera të relaksuara. Pikërisht afërsia e raportit të këtyre të fundit, që krijojnë me publikun e ulur në një hapësirë të ngushtë skenike, vjen si gjetje adekuate për të mbajtur kurreshtar atë, krahas formave të reja teatrale të domosdoshme, të cilat tashmë kudo janë pjesë të skenës në teatrin bashkëkohorë për ta bërë publikun pjesë të pashmangshme të lojës, dramës, shfaqjes, krahas aktorëve në skenë, e në kètë mënyrë për ta mbajtur gjallë vëmendjen e ndërvarur nga relacioni i ndërsjellë, e për t’u lidhur sa më emocionalisht. Afërsia dhe relacioni me publikun që arrijnë ta krijojnë dy aktoret, Tringa Hasani e Semira Latifi, duke i shërbyer fillimisht me çaj tradicional, e në raste të më pastajme me ndërvarje komunikimi simbolik përmes grimasave e mimikës, vë në pah pikërisht një gjë të tillë, pra domosdonë e relacionit mes aktorëve dhe publikut. Loja e aktoreve është mjaft e sigurtë, për t’u konstatuar si e përligjur përvoja që tashmë ato kanë krijuar dhe përballjen me “barrën” intepretuese që fillimisht vjen si rrjedhojë nga vet magjia e skenës, e më pas edhe nga vështrimet “shpotitëse” e “kurioze”, deri në “kërshëri” të pafund të publikut, i cili di shpesh të gjejë “qime në ve”, duke pa deri edhe “shkarje” eventuale që fshihen në detaje të padukshme, apo fare pak të dukshme!”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.
Shfaqja eksploron një plagë sociale që fshihet pas buzëqeshjeve të rreme dhe pritshmërive të pashpirta, në një sistem ku “nënat janë heroina të heshtura”, duke mëtuar të sfidojnë tema që në mendësinë patriarkale janë tabu edhe te ne, sikurse kudo në botë, ku më shumë e ku më pak!
Shfaqja “Jam unë ajo”, me tekst nga Valmira Thaqi e Dituri Neziraj, me regji nga Erson Zymberaj, si dhe me pjesëmarrje të aktoreve Tringa Hasani e Semira Latifi, me skenografi të Bekim Korçës, kostumografi nga Njomëza Luci, korreografi të Gjergj Prevazit, muzikë të kompozitorit Tomor Kuçi dhe dizajnues të ndriçimit nga Burim Baftiu ka përmbyllur edicionin e këtij viti të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2025”. Ndërsa, për shtatë ditë me radhë festivali është përcjellur nga një numër mbase më i vogël shikuesish se herave të mëparshme, por ky fakt assesi nuk e ka zbehur imazhin e mirë dhe namin që mbartë “Flaka e Janarit”, gjegjësisht “Talia e Flakës”, pasi është dëshmuar një përkushtim i madh i trupave teatrale pjesëmarrëse, të cilat kanë kanë sjellur në festival shfaqje cilësore dhe mjaft të kushtueshme! E pikërisht konkurrenca e fortë që e ka përcjellur rrjedhën e festivalit do të jetë s’provë për jurinë profesionale vlerësuese që përbëhet nga dy regjisorë e një aktore.
“Vendimi është parapa të publikohet në Gala Mbrëmje, më 31 janar, kur pritet të shpallen edhe rezultatet e të gjitha shtyllave përkatëse, të cilat e përbëjnë tërësinë e manifestimit, si: “Peneli i Flakës”; “Talia e Flakës”; “Pena e Flakës” dhe “Fest Flaka” etj” thuhet në njoftim.
Të premten me 31 janar në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shfaqet dokumentari “Teatri Ilegal” nga regjisori, Sovran Nrecaj.
Vitet e ‘90-ta janë qartazi një periudhë kritike për Kosovën. Autonomia e saj ishte suprimuar në vitin 1989, si rrjedhojë shqiptarët e Kosovës e gjetën veten të përjashtuar nga hapësira dhe jeta publike e vendit të tyre. Në një përpjekje për të rezistuar, duke imituar normalitetin në një kohë tejet jo normale, arsimi, shëndetësia dhe kultura tanimë u akomoduan nëpër hapësira private duke krijuar kështu një sistem të jetesës publike tërësisht paralele. Ashtu si shumë institucione të tjera edhe dyert e teatrit të Ferizajt, të cilat ishin hapur disa dekada më herët, u mbyllën për artistët, punëtorët dhe publikun shqiptar të Kosovës. Por teatri vazhdoi të bëhej.
Mbyllja e dyerve të ndërtesës së teatrit u përcoll me hapjen e zemrave e dyerve të njerëzve të Ferizajt.
Ky rrëfim i aktorëve Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi e Arben Marevci është rrëfim i rezistencës, besimit, shpresës dhe reflektimit mbi rolin e të bërit art me çdo kusht.
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup si dhe ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, paraqiti një ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi strehimin e hebrenjve nga familjet shqiptare.
Ekspozita u ofroi të pranishmëve mundësinë të njiheshin me masat e ndërmarra prej institucioneve shtetërore shqiptare, për mbarëvajtjen e qendrimit të hebrenjve në Shqipëri.
Në mesin e materialeve arkivore, DPA-ja kishte përzgjedhur:
Korrespondenca e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare me legatat shqiptare në Londër dhe në Paris mbi mundësinë e instalimit të izraelitëve në Shqipëri;
Urdhëresa e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar prefekturave mbi ardhjen dhe qëndrimin e izraelitëve në Shqipëri;
Korrespondenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme me Prefekturën Krujë mbi transferimin e hebrenjve nga një lokalitet në tjetrin etj.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, parlamentarë të shumtë, ambasadori Denion Meidani dhe përfaqësues të tjerë të trupave diplomatike.
Duke patur si synim promovimin e historisë unike të qëndrimit të hebrenjve në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, DPA-ja nënshkroi vite më parë një marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin e Përkujtimit të Martirëve dhe të Heronjve të Holokaustit, “Yad Vashem”./atsh/KultPlus.com
Poezi nga Emily Dickinson Shqipëroi: Natasha Lushaj
Pas dhimbjes së madhe, vjen e kotësisë ndjenja nervat ruajnë etiketën, si varret; zemra e palëvizshme pyet: kush, unë vuaja? Kur? Dje, pardje apo shekuj më parë? Këmbët, mekanikisht, vijnë vërdallë si të ishin prej druri prej dheu, prej ajri, ose s’di ç’tjetër por sigurisht të rritura veçmas prej teje, një kënaqësi kuarci, gur i fortë. Është çasti i plumbtë, i vetmi i kujtueshëm, nëse i mbijeton; përreth mban mend njerëz si prej bore. Të ther i ftohti, pastaj shtangesh habie, pastaj e lë të ndodhë. /KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi pamjet e Tirana Training Center, qendra e trajnimit që do të formojë brezin e ri të kineastëve shqiptarë.
Kjo qendër trajnimi do të mund të trajnojë deri në 400 studentë njëkohësisht duke bërë të mundur lidhjen e industrisë sonë me gjigantët e industrisë kinematografike botërore si HBO, Netflix, Warner Bros, Paramount, Disney dhe shumë të tjerë. Këto bashkëpunime do të arrihen nëpërmjet Catalyst Story Institute.
Një ditë më parë drejtori ekzekutiv i Catalyst, Philip Gilpin u shpreh se të trajnuarit do të mësojnë shprehi pune, do të mësojnë të punojnë në grup duke qenë se televizioni dhe kinemaja nuk janë arte individuale dhe se e gjithë kjo qendër trajnimi do të jetë si një shtëpi për ta.
Aktualisht, sipas Gilpin, 40 profesionistë të mirënjohur nga e gjithë bota kanë rënë dakord të vijnë në Tirana Training Center. Trajnimet do të mbulojnë fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, shkrimi i skenarëve dhe më shumë.
“Shqipëria, gati të bëhet një pikë kyçe në hartën globale të kinematografisë”, u shpreh ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com
Çehovin duhet lexuar patjetër, madje shumë shpesh. Një prej shkrimtarëve më të mirë të Rusisë, i cili gjatë gjithë jetës ishte edhe mjek, ka tregime të shkurtra të cilat nuk duhet humbur, për ta njohur mirë Rusinë e vjetër dhe shpirtin rus.
Një shkrimtar që e bëri Rusinë më të njohur në botën letrare, Çehovi përfundoi Universitetin e Moskës ndërsa më pas udhëtoi edhe për në Azi. Shkrimtari ndërroi jetë në Gjermani, në vitin 1904, verën e këtij viti.
Këto janë katër arsye pse duhet lexuar Çehovi, e ndoshta edhe për ta nisur këtë vit duke lexuar dicka nga ai.
1. Shkaku i librave të tij, rusët nisën të lexonin letërsinë e vërtetë. Shembull, tregimin “Kashtanka” e mësojnë edhe sot fëmijët në shkollat fillore në Rusi. Tregimi bën fjalë për një qenush që, i humbur, përfundon në shtëpinë e një palaçoje. Bashkë me palaçon, në cirk qenushi fillon lojën por gjatë performancës e sheh në publik pronarin e tij.
2. Shkrimi i tij e inspiron Stanisllavskin dhe sistemin e tij të aktrimit. Three sisters, The Cherry Orchard, Uncle Vanya dhe The Seagull janë katër drama që u kthyen në shfaqje, të gjitha të luajtura nga Olga Knipper – aktorja që më pas u bë gruaja e shkrimtarit të madh.
3. Çehovi e rrezikoi edhe jetën e vet për shkrimin. Kur ishte diagnostifikuar me tuberkuloz, ai udhëtoi nga Siberia e deri në ishullin Sakhalin. Ishulli ishte vend i largët ku dërgoheshin të burgosurit, por Çehov shkoi dhe e dokumentoi jetën e banorëve të ishullit. Kësisoj, jeta e banorëve erdhi më pas e njohur për të gjithë Rusinë, dhe botën.
4. Në tregimin “Darling”, një grua ruse tregon instinktin e saj të fortë prej nëne dhe gruaje. Njëjtë si ajo, Çehov në plot shkrime e tregime sjellë shpirtin e vërtetë të Rusisë, të “njerëzve të vegjël”, njerëzve të rëndomtë. Çehov asnjëherë nuk ka provuar të tregojë idenë pas ekzistencës, por të dokumentojë problemet e rusëve. Në personazhet e tij gjithmonë ka thjeshtësi të dashurisë dhe aftësisë për të dashuruar. /KultPlus.com
Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu as me vëmendje por as me shpërqëndrim, gjurmë të lehta, rigim i hollë, ujë që është ajri vetë dhe ajër që është vetë koha dita është akoma e gjallë nata ende s’ka lindur trajta të mjegulluara në kthesën pas qoshes trajtat e kohës në lakimin e heshtjes, dëgjomë, ashtu siç dëgjohet shiu pa më dëgjuar vër-vesh në atë që them me sytë të hapur për së brëndëshmi, në gjumë me të pesta shqisat zgjuar, po bie shi, gjurmë të lehta, mërmërimë bashkëtingëlloresh, ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë: që jemi dhe që janë, ditët dhe vitet, ky moment kohë e papeshë dhimbje që rëndon, më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu, asfalti i lagur shkëlqen, avulli ngrihet dhe ikën larg, nata shpaloset dhe hedh vështrimin tek unë, ti je ti dhe trupi yt prej avulli, ti dhe fytyra jote e natës ti dhe flokët e tua rrufe të ngeshme ti kapërcen udhën dhe futesh në ballin tim, gjurmë uji përballë syve të mi, degjomë, siç dëgjohet shiu, asfalti është i lagur dhe ti kapërcen rrugën në mjegull, përhumbur në natën, në këtë natën që flen në shtratin tënd, është dallga që fryhet në frymën tënde gishtërinjtë e tu prej uji më njomin ballin, gishtërinjtë e tu prej zjarri më djegin sytë gishterinjte e tu prej ajri hapin qepallat e kohës një ujvarë pamjesh dhe ringjalljesh dëgjomë, siç dëgjohet shiu vitet ikin tutje momentet vijnë tëhú i dëgjon gjurmët në dhomën tjetër? nuk janë këtu, as atje: ti i dëgjon prej një tjetër kohë e cila ndodh tashti dëgjoi gjurmët e kohës krijueses së vëndeve të papesha, të pandodhëshme dëgjoje shiun si vrapon mbi taracë nata ështe tani e errët natë varri, shkrepëtimat flenë në foletë mes gjetheve, një kopësht i paqetë bredh në mëshirë të fatit hija jote mbulon këtë faqe libri./KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi sot të dënuarin politik dhe ish-kryetarin e “Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, Kurt Kola (6 maj 1937-29 janar 2022).
Kola lindi më 6 maj 1937 në fshatin Macukull të Burrelit. Për shkak se i ati, Bilal Kurti, ishte përfaqësues i lartë i partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe kishte bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë, u internua së bashku me familjen. Fillimisht ata u dërguan në Peshkopi dhe më pas u zhvendosën në Berat, ku deri në prill të vitit 1949, jetuan në kazermat e djegura prej luftës.
Kur mbushi moshën 16-vjeçare, Kurt Kola u arrestua dhe u dënua në burgun e Gjirokastrës dhe ky do të ishte fillimi i një kalvari dënimesh, i cili do të përfundonte më 10 janar 1990, me rënien e regjimit komunist.
U zgjodh kryetar i Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, në mars të vitit 1993, dy vite më vonë u përzgjodh kryetar i “Lidhjes së Djathtë” dhe si kryetar i Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë (1998-2002).
Kurt Kola shkroi dhe botoi disa libra me poezi dhe romane mbi jetën si i përndjekur politik dhe historinë e familjes së tij, ku mund të përmendim “Ëndrra Burgu” dhe “Në Shqipërinë burg”./atsh/KultPlus.com
Çehov Anton (1860-1904), shkrimtar i madh rus, një nga përfaqësuesit më të shquar të realizmit rus.
Çehovi ishte mjek dhe kishte frikë nga përgjegjësitë e rënda të profesionit të tij. Në një recetë kishte bërë një gabim. Nuk kishte vënë një presje në shifrën që tregonte gramët. I hyri frikë e madhe nga pasojat dhe menjëherë shkoi tek i sëmuri.
Për fat, receta nuk ishte dërguar ende te farmacisti. Frika i hyri edhe kur në familjen e një të afërmi të tij, ku të gjithë pjesëtaret ishin të sëmurë me tifo, rastisi që të vdiste nëna dhe një vajzë e vogël.
Çehovi u dërrmua shpirtërisht saqë hoqi nga porta e shtëpisë mbishkrimin: “Mjek kirurg”. Qysh atëherë, ai e braktisi profesionin e mjekut. / KultPlus.com
Melodisë kombëtare U vodh kanga nga zemra e kombit, shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit, këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit, qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit, i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.
Kangë a vaj? Çëje? Thuejma, zemër kombi! Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen… Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen? Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen, që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?
Oh -jo! Kangajote asht shprehje e dhimbsun e njëjetese që dergjet e dergjet dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…/KultPlus.com
Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e nismës për vendosjen e statujës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin që mban po të njëjtin emër në lagjen 19 të kryeqytetit francez, Paris.
Ky projekt, falë bashkëpunimit të frytshëm me kryetaren e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka për qëllim forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet dy vendeve dhe promovimin e vlerave historike të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Statuja do të jetë një riprodhim i veprës ikonike të skulptorit të njohur shqiptar, Odhise Paskali, e cila u përurua për herë të parë në janar të vitit 1968, për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Bashkia Tiranë nëpërmjet ekipit të Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit është duke punuar për ta sjellë këtë kryevepër në formën më të përsosur, duke ruajtur autenticitetin dhe fuqinë artistike që ajo përfaqëson.
Ky projekt është pjesë e një strategjie afatgjatë për të promovuar artin dhe historinë shqiptare në botë. Në vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka realizuar projekte të ngjashme, si vendosja e statujës së Skënderbeut në Budapest, Hungari, ku ajo qëndron përballë statujës së heroit hungarez, Janosh Huniadi.
Ceremonia e përurimit të statujës pritet të zhvillohet së shpejti, me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura nga Shqipëria dhe Franca, si dhe përfaqësuesve të diasporës shqiptare në Evropë./atsh/KultPlus.com
Në kuadër të Javës së Kulturës Zvicerane, e cila do të zgjasë për 9 ditë, mbrëmë në Liceun Artistik të Tiranës, u zhvillua koncerti “Music for Broken People” (Muzikë për njerëz të thyer).
Performanca muzikore “Muzikë për njerëz të thyer” ishte një vepër e përbërë nga disa pjesë muzikore. Çdo pjesë, nëpërmjet performancës së orkestrës, rrëfen rrugëtimin e errët të diktaturës komuniste në Shqipëri nga viti 1945 deri në vitin 1990.
“Muzikë për njerëz të thyer” përfaqëson katër pjesë muzikore nëpërmjet të cilave kompozitori ka dashur të paraqesë në mënyrë kronologjike një tablo muzikale të gjendjeve emocionale, të kalvarit të vuajtjeve përgjatë periudhës komuniste në Shqipëri, që përmbyllet me besimin drejt lirisë.
Pjesa e parë titullohej Oppressis I dhe II (Të shtypurit). Sfondi i errët muzikal i kësaj pjese, përcolli hipokrizinë dhe egërsinë që sistemi totalitar përçoi në popull.
Pjesa e dytë “Deplorare Silenti” (Të vajtosh në heshtje): Kjo pjesë trajton gjendjen emocionale të njerëzve të shtypur nga ky regjim dhe zëri lirik i sopranos përfaqësonte zërin e tyre.
Pjesa e tretë titullohej “Dura Vita” (Jetë e vështirë) dhe trajtoi jetën e vështirë në Shqipëri që erdhi si pasojë e udhëheqjes politike e cila u reflektua te mbijetesa e popullit në varfërinë gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin.
Në fund u interpretua pjesa e katërt “IV Relevium” (paqe, çlirim, liri). Kjo pjesë vjen me një sfond të qetë dhe linear, sa melankolik aq dhe shpresëdhënës, ku nevoja për liri dhe besim është e pranishme.
Ky aktivitet mbështetet nga Swiss Cultural Fund, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership CBTL./atsh/KultPlus.com
Kur në 29 janar të vitit 1860 lindi në qytetin provincial Taganrog, Anton Pavlloviç Çehovi, Rusia kishte njohur lavdinë e penave të mrekullueshme si ajo e Pushkinit, Lermontovit, Gogolit,Turgenievit, Gonçarovit, Tjutçevit, Dostojevskit e Tolstoit dhe po zgjohej e ndërgjegjësohej nga orientimi filozofik i mendimtarëve të mëdhenj si Bjelinski, Herceni, Nekrasovi, Dobrolubovi e Çernishevskij, vepra e të cilëve bëri që ajo kohë të njihet anë e mbanë rruzullit si “Shekulli i artë”. Pavarësisht kësaj dhe fatit të keq; që tuberkulozi ia dorëzoi vdekjes në moshën 44 vjeçare, asgjë nuk i pengoi, si lexuesit e panumërt, ashtu dhe kritikët e mirëfilltë që ta quanin atë një ndër novelistët, pse jo edhe dramaturgët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Dhe ndofta më mirë se kushdo e ka përcaktuar talentin e tij, miku i tij Maksim Gorki, kur thoshte se: “Çehovi poshtërsitë dhe prapësitë i paraqiti me gjuhën fisnike të poetit dhe me buzagazin e hollë të humoristit”. Për këtë shkrimtar, që duke mos trashëguar asgjë nga ashpërsia e të atit, gjë që më vonë e detyroi të pohonte se “Në vogëli unë nuk kam pasur fëmijëri”, dhe që mbeti simbol i të shkruarit thjeshtë, me edukatë të spikatur, humanizëm dhe pa asnjë banalitet, njeriu vihet në vështirësi po t`i kërkohet se ku duhet ta rendisë atë, krahas Gi de Mopasanit, Prosper Merimesë e Stefan Cvajgut. Pas vdekjes së të atit, që merrej me një farë tregtie, i detyruar nga ngushtica ekonomike, qëndroi në vendlindje gjersa mbaroi gjimnazin, sistemoi disi atë çka ai u kishte lënë dhe më pas iu bashkua familjes që kishte shkuar në Moskë. Këtu, në vitin 1879 fillon studimet në fakultetin e Mjekësisë, por edhe nis e shkruan me organet humoristike. Emrin e tij të butë e zbuti akoma më shumë, duke nënshkruar: Antosha Çehonte. Studimet për mjek i vlerësonte seriozisht, duke u kushtuar shumë më tepër rëndësi se talentit të tij letrar. Në dy – tre vjet pas përfundimit të Universitetit, ai boton dy librat e parë: “Tregime laragane” dhe “Shkrime të pafajshme”, të cilat lajmëruan se ai ishte mjeshtër i tregimit të shkurtër. Në vitin 1884 boton “Tregimet e Melpomenës”. Qysh në këto krijime bie në sy, butësia, ngrohtësia dhe ëmbëlsia e këtij shkrimtari, çka me të drejtë identifikohet me shpirtin e vetë atij. Ajo që i dallon ato, është respekti për njeriun, lirinë dhe dinjitetin e tij. I joshur nga pritja mjaft entuziaste e publikut, ai vijon të shkruaj pa reshtur. Ngjarjet të cilat i përshkruan Çehovi marrin spunto nga të vërtetat jetësore. Ato, në vetvete duket se nuk kanë ndonjë peshë të madhe, janë fare zakonshme, por tepër njerëzore dhe të mbrujtura ose më mirë të qëndisura nga një dorë mjeshtri të lindur, nga një magjistar i fjalës së bukur, i cili sikurse thotë vetë: “Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit”. Këtu, duhet të sqarojmë diçka: Vetëm një vit para se të lindte Çehovi, Ivan Aleksandroviç Gonçarovi (1812 – 1891), që nuk ka lënë asnjë krijimtari të shkurtër, kishte botuar romanin e bujshëm “Obllomovi”, një vepër madhështore, ku ai kishte derdhur gjithë artin superior, paçka se të shkruarit e zgjaste pa fund. Pra, ashtu sikurse edhe vetë Tolstoi (1828 – 1910) me, fjala vjen “Lufta dhe paqja”, “Ana Karenina” apo “Ringjallja” etj. tregoi se talenti i gjeniut nuk kushtëzohet nga zhanri që zgjedh.
Po le të vazhdojmë me jetën e Çehovit. Në moshën 24 vjeçare e emërojnë mjek bashkie në një qytezën e Voznjesenskut, pranë Moskës. Këtu punon me mjaft përkushtim për t`iu gjendur njerëzve në nevojë, dhe i njohu mirë ata dhe shqetësimet e tyre, gjë që pasqyrohet edhe në tregimet që shkroi. Që këtu, sapo mbushi 30 vjeç, ndërmori një udhëtim drejt Sahalinit, ku kolera po merrte shumë jetë njerëzish. Por, pikërisht në këtë kohë, ai sëmuret nga tuberkulozi. Ai, më mirë se kushdo e dinte se si do përfundonte, pasi aso kohe kjo sëmundje ishte e pashërueshme. Heq dorë nga profesioni i mjekut dhe mendja i tij i përkushtohet vetëm letërsisë. Kuptohet, se pas kësaj, gjendja e tij shpirtërore trazohet dhe kjo reflektohet në ato që shkruan; kuptohet dëshpërimi dhe ajo që quhet “psherëtima çehoviane”, pavarësisht se ai nuk hoqi asnjëherë dorë nga e qeshura e sinqertë dhe humori fin. Tipike mbetet novela “Pavioni nr. 6”, të cilin e shkroi nën përshtypjet e vizitës në Sahalin dhe ku me një zemëratë të pazakontë stigmatizon ligësitë dhe arbitraritetet, si shtysa drejt padrejtësisë shoqërore.
Por njeriut e keqja mund t`i vijë edhe nga vetja
Kjo duket te “Murgu i zi”, ku ndjenja e madhështisë, e nxitur nga psikika e turbulluar, e fut Kovrinin në ëndërrime haluçinante, derisa mendon se është i zgjedhur i Zotit, dhe nga njeri pa vese, u hap telashe edhe të tjerëve. Tani, Çehovi që shkruan aq këndshëm për çaste dashurie e flirtesh, qoftë dhe për disa oficerë artilerie që hutohen para dritares së një kompartimenti treni që ka ndaluar në një stacion, nga hiret e një vajze që bën sikur nuk i vë re (“Bukuroshet”), arrin në përfundimin se shoqërisë nuk i duhen më profetët, por ata që veprojnë konkretisht. Dhe a nuk e ka shprehur mjaft mirë këtë Xhon Belushi ynë, kur thotë: “Nëse jeta bëhet e fortë, atëherë të fortët duhet të përballen me të”. Veç novelave të paharruara si “Vdekja e nëpunësit’, “E bija e Albionit”, “Në det”, “Kameleoni”, “I trashi dhe i holli”, “Nënoficeri Prishibejev”, “Armiqtë”, “Zonja me kone”, “E fejuara” etj. ai shkroi dhe gjashtë drama si “Kopshti i qershive”, “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja” e “Pulëbardha”…, nga të cilat, dy të fundit, të inskenuara nga i madhi Kostandin Sergejeviç Stanislavski në teatrin Artistik të Moskës, i dhanë një kënaqësi të veçantë. (Edhe Teatri ynë Popullor ka vënë në skenë drama të Çehovit). Ai, gjithmonë lë të kuptohet se shpëtimin e shoqërisë duhet ta kërkojmë te ideja e punës së lirë. E parë kështu, edhe pse ishte mik me të, ai nuk ka asgjë të përbashkët me këndvështrimin e Gorkit, pra zor se besonte te revolucioni, e ca më shumë asqë e predikoi ndonjëherë atë. Ai ishte i butë, ndaj shpresonte në evolucion dhe se jeta pas 20 a 50 vjetësh do të qe më e mirë, por gjithmonë duke pastruar dhe duke e bërë më të mirë shpirtin. Këtë e kanë theksuar edhe autorët që kanë shkruar ma aq dashuri kujtimet e tyre për të, si e shoqja Ollga Kniper, e dashura Lidia Avillova, i vëllai Mihali dhe miku i tij M. Gorki, për mospranimin e të cilit si anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 1902, ai dorëzoi në mënyrë demonstrative titujt e nderit. E megjithatë, ky njeri që kishte si devizë; “Njeriu duhet të ketë gjithçka të bukur: edhe fytyrën, edhe shpirtin, edhe mendimet, edhe sjelljen, edhe veshjen” dhe që ishte i tillë edhe vetë, paradoksalisht, kur mbylli sytë më 2 korrik të vitit 1904 në Badenvajler të Gjermanisë, ku kishte shkuar për kurim, trupin e tij të mbyllur në arkivol e sollën në një vagon ku shkruhej “Për midhjet”. Dhe për atë që në vogëli nuk kishte pasur fëmijëri, trillet e jetës bënë që të mos kish as pleqëri. Por ashtu sikurse për Gogolin që vdiq po në moshën e tij dhe ju bë një varrim madhështor, “njësoj ditët do të kalojnë, kurse ndikimi i veprës së tyre në botë do të mbetet i madh dhe kurdoherë në rritje”.
Dhe a nuk e ka shprehur mjaft mirë këtë Xhon Belushi ynë, kur thotë: “Nëse jeta bëhet e fortë, atëherë të fortët duhet të përballen me të”. Veç novelave të paharruara si “Vdekja e nëpunësit’, “E bija e Albionit”, “Në det”, “Kameleoni”, “I trashi dhe i holli”, “Nënoficeri Prishibejev”, “Armiqtë”, “Zonja me kone”, “E fejuara” etj. ai shkroi dhe gjashtë drama si “Kopshti i qershive”, “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja” e “Pulëbardha”…, nga të cilat, dy të fundit, të inskenuara nga i madhi Kostandin Sergejeviç Stanislavski në teatrin Artistik të Moskës, i dhanë një kënaqësi të veçantë. /KultPlus.com
“Mësoje atë që duhet të merret seriozisht dhe qesh me pjesën tjetër”.
“Nëse e urreni një person, ju urreni diçka tek ai që është pjesë edhe e juaja. Ajo që nuk është pjesë e jonë nuk na shqetëson”.
“Ne jemi Hënë dhe Diell, të dashur miq; ne jem Tokë dhe Det. Nuk është qëllimi ynë të bëhemi tjetër kush; qëllimi ynë është ta njohim njëri – tjetrin. Të mësojm ta shohim “tjetrën” dhe ta nderojmë për atë që është”.
“Dashuria nuk është për të na bërë të lumtur. Unë besoj se ajo ekziston për ta treguar se sa shumë mund të durojmë”.
Më 29 janar 1888, vdiq piktori britanik Edward Lear.
Edward Lear ishte artist, ilustrues, autor, poet, piktor i punësuar për të udhëtuar e vizatuar zogj e kafshë, peisazhe, njerëz e veshje, shtëpi, kështjella në rajonin e Mesdheut; si fushë veprimi Lear zgjodhi Shqipërinë e Greqinë, dhe të gjitha i përfshiu në librat e tij. Lear ishte i njohur si autor me pseudonimin më të gjatë; Prizzikalo Kattefello Ablegorabalus Ableborinto (askush nuk mund të thotë se nga u nis Edward për krijimin e shprehjeve të tilla që tingëllojnë paksa ballkanikë. Edward Lear lindi në një fshat afër Londrës më 12 maj 1812, i 20-i mes 21 vëllezërve e motrave. Endërra e ti ishte ilustrumi i një libri me poezi nga “poeti laureat i Anglisë dhe Irlandës”, Alfred Tennyson.
Gjatë viteve të fundit të jetës, Lear u vendos në një fshat afër Sanremos, Itali, ku edhe vdiq më 1888. Në pllakën e varrit të tij janë gdhendur disa vargje rreth malit Tomor, që Alfred Tennyson i shkroi kur lexoi librin e Learit Mbi udhëtimet në Greqi e Shqipëri.
Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte koha kur Europa zbuloi Shqipërinë. Ishte pikërisht atëherë që udhëtarët e huaj filluan të depërtojnë në këndin më të largët e më të panjohur të Europës, që historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon) e përshkruante si “një vend në fushëpamje të Italisë por më pak i njohur se thellësitë e Amerikës.” Udhëtarët e parë europianë udhëtuan në drejtim të veriut, nga Greqia për në vendin ku sundonte Ali Pashë Tepelena.
Ndër ta ishin diplomati Fransua Pukëvil (François Pouqueville) në vitin 1806, arkeologu Uilliam Martin Lik (William Martin Leake), poeti i famshëm anglez, Lord Bajron dhe bashkudhëtari i tij Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse) në vitin 1809, dhe mjeku Henri Holland (Sir Henry Holland) më 1812-1813. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre shkuan përtej tokave të Ali Pashës, që sot shtrihen në pjesën veriperëndimore të Greqisë dhe në Shqipërinë jugore.
Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ndoshta ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri, ndonëse kjo ndodhi në mënyrë disi të rastësishme. Në shtator të vitit 1848, kur po shkonte në Greqi dhe mbërriti në Selanik, ku e kishte lënë të takohej me shokun e tij të udhëtimeve Çarlz Çërç (Charles Church), atje shpërtheu një epidemi kolere. E vetmja mënyrë për të dalë nga Selaniku dhe për të shmangur një karantinë të gjatë, ishte që të shkonte drejt veriut, drejt një territori të panjohur, përmes viseve të pashkelura shqiptare. Dhe Liri guximtar pikërisht këtë bëri. Ditari i udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, nga Manastiri për në Ohër, Tiranë dhe Shkodër, dhe pastaj prej atje në drejtim të jugut në Himarë, Çamëri dhe Greqi, është një prej librave më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë për këtë vend në gjuhën angleze. R.E.
Durazzo 1848 (Edward Lear 1812 – 1888)
Edward Lear nuk është se ka ndonjë emër legjendë në historinë e pikturës, në botën e artit britanik dhe atë botëror. Por është një artist i mirë i peizazhit dhe i përshkrimeve të udhëtimit. Ai shquhet për delikatesën shprehëse dhe saktësinë e komunikimit përmes pikturave, të cilat na përcjellin me një vërtetësi dhe ngrohtësi jetën dhe peisazhin e Shqipërisë së shekullit XIX. Edward Lear në rrugën e tij për në Lindje qëndroi shumë në Ballkan dhe jo vetëm kaq, por na ka lënë mrekulli përshkrimi dhe një pasqyrë të episodeve nga veprimtarua jetësore e shqiptarëve nga të gjithë trevat.
Kujtojmë se në atë shekull referencat e studiuesve tanë shkruajnë për një lulëzim të Shqipërisë dhe sesi shumë nga qytetet po bënin tregti fitimprurëse në të katër anëtar e Evropës dhe pak më gjerë. Megjithatë niveli në masë social-ekonomik i popullsisë është katastrofal. Sëmundjet, mungesa e kulturës, padija, mungesa e higjienës janë gati proverbiale. Tregon sesi trajtohen gratë si kafshë barre në Himarë, padijen e thellë ngado ku shkon, pisllëkun dhe mënyrën gati primitive të jetesës.
Scutari 1848 (Edward Lear 1812 – 1888)
100 piktura për Shqipërinë
Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851) Lear-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Edwardi krijoi vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100 peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Edward Lear in Greece (Edward Lear në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Edwardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin Edward Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria (Edward Lear në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri dhe Iliria). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe.
Berat 1848 (Edward Lear 1812 – 1888)
Shqipëria, sa e ngatërruar për të huajin”!…
Fragment nga “Ditarët e një peizazhisti në Greqi dhe Shqipëri” të Edward Lear, 1848
Për turistin e pamësuar Shqipëria është një rebus nga më të ngatërruarit. Çfarëdo që ai ka mësuar për emërtimet e vjetra Epir, Molosët, Tesprotët etj. kalaqafet dhe ngatërrohet nga emrat e njësive administrative turke dhe pashallëqet; për më tepër, si kërcu përmbi samar, turistin e shkretë e hutojnë edhe më keq një takëm emrash autoktonë si Çamëria, Dibra etj. Dhe sapo ai nis të kuptojë potpurinë laramane që banon këto provinca – grekë, sllavë, shqiptarë, bullgarë ose vllahë, përsëri pëson një trullosje nga një listë tjetër nënndarjesh, lebër, mirditorë, himarjotë dhe toskë. Raca, fe dhe emërtime kombëtare duken të përcaktuara kaq keq ose kaq të korkolepsura, sa në fund turisti do të dorëzohej i dëshpëruar nga ky studim shashtisës, nëse nuk do i vinin në ndihmë shumë libra të shkëlqyer që janë botuar lidhur me këtë temë.
Udhëtimi nëpër Çamëri vazhdon….!
Zbritja e një qafe mali në Sul, mendimet e mia pushtoheshin nga peizazhi mahnitës, këto mendime lidhnin luftërat e njerëzve të cilët në mënyrë heroike luftuan për pavarsinë e tyre.
Grykat e frikëshme të Sulit nuk mund të përshkruhen më mirë se në fjalët e Kolonel Martin Leake: “Një përroskë e thellë, formuar nga bashkimi i dy maleve të mëdha të Sulit dhe Zikuratit, një nga grykat më të errta e më të thella në mbarë rajonin,dy anët e maleve të mbuluara me lisa e me pisha, rruga mund të kalohej vetëm në këmbë…!
Mbaja veten me shpresë, derisa unë ia dola dhe shpëtova nga lugina e lumit Akeron, normal që do ja dal të paktën ti kaloje edhe keto shpate të thepisura Suliote. Këtu afër, në një majë, Ali Pasha ndërtoi një kështjellë,shpresoj që të kalojë natën aty brenda mureve të saj. Pak kështjella mund të konkurojnë në kujtesën time,për nga egërsia e kësaj kështjelle të Suli-Kastros,vetëm shkretëtirat e Sinait, mund të krahasohen me këtë pamje piktoreske e të çuditshme. Do më pëlqente të qëndroja më gjatë e ti studioja më nga afër këto shtëpi hijerënda të Çamërisë (Tzamouria).
Më pas shoqëruesi im mori drejt Pargës, ku gjetëm një shtëpi shumë të mirë,e mund të rehatoheshim disi nga vapa përvëluese e mesit të zhegut. Pasdite,afër mbrëmjes kam bërë vizatime të shumta nga të dyja anët e kepit të Pargës, edhe pse çdo pikë këndvështrimi ishte e bukur. Binte në sy një peizazh shqiptarë,kishte më shumë një karakter kalabrez të bregdetit. Por, në dritën e mbrëmjes ku dukeshin lezetshëm ndërtesat e vjetra,ku nën këmbët e shkëmbinjve valët murmurisnin,dukej sikur degët e ullinjve pëshpërisnin mbi kokën time. Në dritën e gjithë kësaj, unë ndjeva në ankth, si do mund të largohem nga Parga. Pamja qe më shfaqej para syve, me turbullonte,në isha duke parë ëndër, apo në realitet, dhe unë uroja me gjithë zemër,për të pasur një shans të dytë për ta parë sërisht Pargën e bukur. Kështjella e Pargës ka pasur një rëndësi tepër të rëndësishme për Korfuzin,dhe krahasohej nga venecianet si “Syte dhe veshet e Korfuzit”
Paramythia, së shpejti filluam të zbresim në fushat e gjelbërta e të gjera të këtij qyteti të lashtë, vihej re në veri të qytetit kështjella e gurte e mbështetur pas maleve dhe shpateve me forma të magjishme,poshtë kësaj kështjelle janë të shpërndara vendbanimet e grupuara piktoreske të përzier a me selvi dhe të gjitha llojet e pemëve, viheshin re ndërtimet e kishave dhe xhamive me gurë të punuar bukur. Para se të largohej nga qyteti, Edward Lear pikturoi një vajzë shqiptare nga Paramithia të cilën e portretizoi bukur me penelin e tij, po ashtu në kujtimet e tij ai nuk harroi të përshkruante bukurinë dhe hijeshinë e vajzës nga Çamëria….! /albertvataj/ KultPlus.com
Ura e Mesit, një perlë e arkitekturës osmane, e ndërtuar në shekullin XVIII mbi lumin Kir, shkëlqen sërish pas restaurimit të fundit, duke theksuar mjeshtërinë e dikurshme dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Ura e Mesit tashmë e restauruar.
“Ura e Mesit, një perlë e arkitekturës osmane, mbi lumin Kir, që tanimë pas një restaurimi të thellë me financim të qeverisë, shkëlqen si një ndër destinacionet e veçanta për vizitorët e turistët gjithnjë e më të shumtë të Shkodrës”, shprehet Rama.
Ky monument që lidh të shkuarën me të tashmen, mbetet një destinacion i veçantë për të gjithë vizitorët, duke tërhequr turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën.
Artitektura e urës mbi lumin Kir, si dhe legjenda e ndërtimit të saj janë shumë intriguese sot e kësaj dite.
Ekziston një legjendë për Urën e Mesit, sipas të cilës, një tregtar turk hapi disa gropa për të shuar gëlqeren.
Për gati 20 vjet, fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët e filloi ndërtimin e urës.
Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vjet në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gurë dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur.
Ura e Mesit gjendet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir. Ajo u ndërtua në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati dhe dikur shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Ura e Mesit ka gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe ka 13 harqe jo simetrike./atsh/KultPlus.com
Sot, shënohen 165 vite nga lindja e Anton Çehovit, shkrimtar dhe dramaturg i njohur rus i cili konsiderohet edhe si njëri prej shkrimtarëve më të mirë që ka njohur bota.
Anton Pavlloviç Çehovi lindi më 29 janar 1860 e vdiq me 15 korrik 1904.
Ishte fizikan, dramaturg dhe autor rus i cili konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj i tregimeve të shkurtra. Karriera e tij si dramaturg përfshin katër klasike dhe tregimet e tij të shkurtra më të mirat janë mbajtur në vlerësim të lartë nga shkrimtarët dhe kritikët. Çehovi kreu praktikën për doktor medicinal jashtë karrierës së tijː “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, ka thënë ai, “dhe letërsia është e dashura ime”.Bashkë me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër.
Çehovi hoqi dorë nga teatri pas çastit të marrjes së shkatërrimit të veprës “The Seagull” në vitin 1896, por vepra u gjallërua për të bërë bujë në vitin 1898 nga Teatri i Moskës “Constantin Stanislavski,” e cila më pas prodhoi edhe veprën tjetër të Çehovit “Uncle Vanya” dhe dha premierë dy dramat e tij të fundit “Three Sisters” dhe “The Cherry Orchard”. Këto katër vepra paraqesin një sfidë për aktorët ashtu edhe për audiencën, sepse në vend të veprimeve konvencionale Çehovi ofron një “teatër të humorit” dhe “një përmbytje të jetës në tekst”.
Çehovi e pati tregimin e tij të parë vetëm për përfitime financiare, por me rritjen e ambicies artistike, ai bëri inovacione formale të cilat kanë ndikuar në evolucionin e tregimeve të shkurtra moderne. Ai nuk kërkoi falje për vështirësitë që paraqiste për lexuesit, duke insistuar se roli i një artisti ishte të bënte pyetje, jo të jepte përgjigje! / KultPlus.com
1. Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash!
2. Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë!
3. Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt!
4. Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi!
5. Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet!
6. Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë!
7. Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë!
8. Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe!
9. Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye!
10. Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim!
11. Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë!
12. Filozofia, vetëm filozofia, kjo motër e fesë i ka hequr besëtytnisë armët nga duart e gjakosura prej kohësh dhe tani që ka dalë helmi, mendja e njeriut habitet me mynxyrat ku e kishte shpënë fanatizmi!
13. Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak!
14. Gjykojeni një njeri më shumë nga pyetjet se sa nga përgjigjet e tij!
15. Zoti na e dha ne dhuratën e jetës; na takon ne t’ia japim vetes dhuratën e të jetuarit mirë!
16. Vlerësimi është një gjë e mrekullueshme: Kjo e bën atë që është e shkëlqyer tek të tjerët të na përkasë edhe neve!
17. Çdokush që ka fuqinë për të të bërë ty të besosh në absurditete, e ka fuqinë të të bëjë që ti të kryesh padrejtësi!
18. Në përgjithësi, arti i qeverisjes përbëhet nga marrja e sa më shumë parave që të jetë e mundur nga një klasë e qytetarëve për t’ia dhënë një tjetre!
19. Unë kurrë nuk kam bërë lutje për Zotin, përveç njërës shumë të shkurtër: “O Zot, bëji armiqtë e mi qesharakë.” Dhe Zoti ma dëgjoi!
20. Është e ndaluar për të vrarë; prandaj të gjithë vrasësit ndëshkohen, përveç nëse ata vrasin në numër të madh dhe nën tingujt e borive!
21. Jeta është e mbjellë dendur me gjemba, dhe unë nuk di asnjë mjet tjetër përveçse të kaloj shpejt nëpër to. Sa më gjatë të ndalemi në fatkeqësitë tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar!
22. Zoti është një komedian, duke luajtur ndaj një audience që ka shumë të frikësuar për të qeshur!
23. Nga të gjitha fetë, e krishtera sigurisht duhet të frymëzojë tolerancën më të madhe, por deri tani të krishterët kanë qenë më intolerantët e të gjithë njerëzve!
24. Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë!
25. Të gjitha arsyetimet e burrave nuk janë me vlerë sa një ndjenjë e grave!
26. Çfarë është toleranca? Është pasojë e njerëzimit. Ne jemi të formuar të gjithë nga dobësia dhe gabimi; le të falim të gjithë ne reciprokisht marrëzinë e njëri-tjetrit – ky është ligji i parë i natyrës!
27. Unë i urrej femrat, sepse ato gjithmonë i dinë gjërat se ku janë!
28. Burri i cili vendos të befasojë papritur gruan e tij shumë shpesh e ka befasuar veten!
29. Është e rrezikshme të kesh të drejtë në çështjet në të cilat autoritetet e kohës janë gabim!
30. Arti i qeverisjes është për të bërë dy të tretat e një kombi të paguajnë gjithçka që ata mund të paguajnë, për të mirën e një të tretës tjetër!
31. Nuk është e mjaftueshme të shohim dhe të njohim bukurinë e një vepre. Ne duhet ta ndjejmë dhe të prekemi prej saj!
32. Për të patur sukses në botë nuk është e mjaftueshme të jesh budalla, duhet gjithashtu të jesh i sjellshëm!
33. Është më mirë të rrezikosh shpëtimin e një njeriu fajtor sesa të dënosh një njeri të pafajshëm!
34. Tiranët gjithmonë kanë disa hije të lehtë virtyti; ata i mbështesin ligjet para se t’i shkatërrojnë ato!
35. Supersticioni është për fenë çka Astrologjia është për astronominë, vajzë e çmendur e një nëne të mençur. Këto bija shumë kohë kanë dominuar tokën!
36. Dyshimi nuk është një gjendje e këndshme, por siguria është absurde!
37. Rastësia është një fjalë e zbrazur nga kuptimi, asgjë nuk mund të ekzistojë pa një shkak!
38. Asnjëherë mos debato në tryezën e darkës, sepse ai që nuk është i uritur gjithmonë gjen argumentin më të mirë!
39. Origjinaliteti nuk është asgjë veçse imitim i mençur. Shkrimtarët më origjinalë kanë huazuar nga njëri-tjetri!
40. Për të gjallët e kemi borxh respektin, por për të vdekurit e kemi borxh vetëm të vërtetën!
41. Ne kurrë nuk jetojmë, ne jemi gjithmonë në pritje të jetesës!
42. Divorci është ndoshta i së të njëjtës datë si martesa. Unë besoj, megjithatë, se martesa është disa javë më e vjetër!
43. Është një njeri i vështirë ai që është vetëm i drejtë, dhe i trishtuar ai që është vetëm i mençur!
44. Historia është vetëm regjistri i krimeve dhe fatkeqësive!
45. Historia duhet të shkruhet si filozofi!
46. Unë di shumë libra të cilat i kanë mërzitur lexuesit e tyre, por unë nuk di asnjë libër që ka bërë vërtet ndonjë të keqe!
47. Ka të vërteta të cilat nuk janë për të gjithë njerëzit, as për të gjitha kohërat!
48. Të besosh në Zotin është e pamundur, të mos besosh në Atë është absurde!
49. Unë kam jetuar tetëdhjetë vjet të jetës dhe nuk di asgjë për këtë, veçse të dorëzohem dhe të them se fluturat kanë lindur për t’u ngrënë nga merimangat dhe njeriu për t’u gllabëruar nga trishtimi!
50. Është e rrezikshme të kesh të drejtë, atëherë kur qeveria e ka gabim!/ KultPlus.com
Mona Lisa do të ekspozohet në një dhomë të re të Muzeut të Luvrit, me akses të pavarur nga pjesa tjetër e Muzeut: këtë e bëri të ditur presidenti francez, Emmanuel Macron përballë kryeveprës së Leonardo Da Vinçit.
Dhoma e re do të jetë e aksesueshme në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e muzeut dhe do të ketë “leje më vete” me një pjesëmarrje ndryshe dhe më paqësore dhe një ekspozitë që do të përshtatet me atë që meriton Mona Lisa”, shpjegoi Macron.
Rinovimi i fundit i madh i Luvrit daton në vitet 1980, kur u inaugurua piramida e famshme e xhamit. Sot, muzeu nuk i plotëson më standardet ndërkombëtare. Gjysma e buxhetit të Luvrit financohet nga shteti francez, duke përfshirë pagat e 2 200 punonjësve të tij.
Gjysma tjetër vjen nga fondet private, duke përfshirë të ardhurat nga shitjet e biletave, restorantet, shitjet me pakicë dhe të ardhurat e rezervimit të ngjarjeve speciale, si dhe nga sponsorët dhe partnerët e tjerë, duke përfshirë financimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe për përdorimin e markës Louvre Abu Dhabi.
Vitin e kaluar, Luvri priti 8.7 milionë vizitorë, më shumë se tre të katërtat e të cilëve ishin të huaj, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Italia fqinje, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Spanja. /atsh/ KultPlus.com