“Mbreti i golave”, 15 vite nga vdekja e ikonës së futbollit shqiptar, Panajot Pano

Sot janë bërë 15 vite që kur legjenda e futbollit shqiptar, Panajot Pano vdiq. Ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë shqiptar që ka luajtur ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Ikonë e futbollit shqiptar dhe në veçanti Partizanit, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij të shkëlqyer, Pano mbetet si një ndër futbollistët më të dashur për publikun shqiptar, etalon i spektaklit dhe “Mbret i Golave”.

Panajot Pano ka realizuar plot 136 gola në 210 ndeshje me fanellën e Partizanit, duke fituar gjithçka që mund të fitohej në futbollin shqiptar në ato vite , 4 kampionate dhe 5 Kupa, ndërsa me Kombëtaren kuqezi ka shënuar 4 gola në 24 prezenca.

Të panumërta nderimet për “Mbretin Shqiptar” të golit nga institucionet shqiptare dhe të huaja.

Panajot Pano është “Mjeshtër i Madh i Sportit”. FSHF në vitin 2008 e njohu me çmimin “Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, ndërsa UEFA dhe FIFA i kanë akorduar çmimin “Lojtari Shqiptar i Shekullit”.

Të tjera nderime ndërkohë janë dhe titulli “Nderi i Kombit”, si dhe “Simboli i Qytetit të Tiranës”.

Panajot Pano mbetet simbol i futbollit mjeshtëror dhe lojtarit të dashur nga të gjithë në vend, si një virtuoz i madh i futbollit që dhuroi emocione të paharrueshme ndër vite për tifozët shqiptarë. /KultPlus.com

Korça së shpejti bënë Shqipërinë me qendrën e parë turistike të skisë

Në Korçë së shpejti do nisë ndërtimi i qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri.

Këtë e bëri të ditur në një video mesazh të tij, kryeministri shqiptar, Edi Rama, transmeton klankosova.tv.

”Tani i ka ardhur radha qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri, një projekt që do ta fusë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonomikë të këtij qarku ku lidhjet e rilidhura rrugore me Kolonjën dhe Përmetin kanë sjellë një vlerë të shtuar në paketën e bukur turistike të kësaj zone”.

”Mirë e më mirë dhe më e mira është e gjitha përpara për Korçën dhe gjithë Shqipërinë.Korça bre Korça”.

”Këtë dimër si asnjë dimër, 160 e kusur bujtina, njëra më e bukur se tjetra, plot e përplot çdo fundjavë. Rreth mbi gjysmë milionë e turistë që kalojnë një natë në Parisin e vogël gjatë vitit”.

”Një dekadë më parë mezi kalonin 50 mijë në vit dhe nuk kishte këmbë të huaji, ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta dhe mezi mbanin veten”.

Letërsia evropiane në Tiranë, shkrimtarët zbulojnë mesazhet dhe emocionet që përcjellin librat

“Letërsia ka një fuqi magjike; ajo mund të flasë për gjëra pa folur drejtpërdrejt për to. Nëpërmjet tregimeve, mund të përshkruajmë ndjenja, situata, vështirësi ose probleme që nuk mund të përshkruhen lehtësisht me fjalë, por thjesht mund të ndihen. Letërsia ka kuptuar të gjithë spektrin e ekzistencës njerëzore”, thotë Christos Armando Gezos, një shkrimtar grek që vizitoi Shqipërinë për të marrë pjesë në Festivalin e Letërsisë Evropiane në Tiranë në dhjetor.

Me synimin për të kremtuar letërsinë evropiane, festivali mblodhi autorë nga vende të ndryshme për takime letrare ku u paraqitën tema, stile, realitete dhe histori të ndryshme. Këto aktivitete nxorën në pah zërat e letërsisë bashkëkohore, të cilat shpesh ndeshen me shqetësime shoqërore.

“Temat të cilat më shqetësojnë janë ato të përjetshmet – vdekja, kuptimi i jetës, lufta e qenieve njerëzore për të formuar të ardhmen në mënyrat që ata dëshirojnë, si dhe liria, liria shpirtërore. Fuqia e vullnetit të njeriut dhe qëndrimi ndaj jetës. Ajo që dua të përcjell, kur shkruaj, është se jeta është e bukur dhe e dhimbshme dhe kjo nuk është kontradiktë. Është e bukur sepse është e dhimbshme, dhe për shkak se është e dhimbshme mund të vlerësosh çastet e vogla të bukurisë. Në këtë kuptim, do të thosha se jam një shkrimtar optimist, temat që shkruaj janë paksa të errëta në shikim të parë, por në të vërtetë janë një kremtim i jetës”, shpjegon Gezos. Takimi i tij pasoi me diskutime të gjalla dhe pyetje gjatë ditës së hapjes së festivalit, i cili u organizua nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Italiane në Shqipëri.

Nga “Eposi i Gilgameshit”, tek “Iliada” dhe “Odisea”, veprat letrare kanë treguar jetën dhe mendimet e njerëzve nga e gjithë bota, në epoka, kultura dhe kombe të ndryshme. E trilluar apo e frymëzuar nga ngjarje të vërteta, letërsia – me kompleksitetin, dilemat dhe nënkuptimet e saj– ngre pyetje, jep përgjigje dhe nxit mendimin kritik. Ajo i udhëheq lexuesit në udhëtime psikologjike dhe historike, duke hedhur dritë mbi gjendjen njerëzore.

Të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen shoqëritë sot, disa autorë kanë mesazhe më të drejtpërdrejta ndaj përgjigjes se pse shkruajnë. Shkrimtarja irlandeze Katherine Prasifka shpjegon këtu motivimin: “Letërsia është shumë personale dhe të lejon ta vendosësh veten në vendin e një personi tjetër dhe të jetosh një përvojë që nuk e ke jetuar. Puna ime ka të bëjë me mediet sociale dhe mënyrën se si interneti e ka ndryshuar tërësisht mënyrën se si ndërveprojmë me veten dhe realitetin. Do të doja t’ua shpjegoja këtë njerëzve që nuk e kuptojnë”.

Letërsia është më shumë se estetikë dhe strukturë që tregon një histori. Ndonjëherë, historia nënkupton një qëndrim publik, një besim, një vlerë ose paralajmërime. Mbrojtja e të drejtave themelore është një temë kryesore për shkrimtarin italian Paolo Giordano.

“Sa herë që ka një festival të letërsisë evropiane, apo edhe “diçka” evropiane, unë përpiqem të jem i pranishëm, sepse nëse ka një gjë që na duhet sot, është të ndërtojmë një lidhje dhe ndjesi më të fortë për atë çfarë është dhe çfarë do të thotë Evropë. Unë mendoj se mund ta vlerësoni vërtet atë çka do të thotë Evropë dhe privilegjin që ende është të jesh pjesë e saj, nëse e shikon nga kufijtë. Por nëse e shikon nga brenda, ndonjëherë humbet ndjesia e rëndësisë që ka ende kjo ide e Evropës dhe ideve evropiane”, thekson Giordano, librat e të cilit kanë të bëjnë me mjedisin, të drejtat e njeriut, çështjet gjinore, etj.

Duke parë periudhën komuniste shqiptare, shkrimtarja polake Margo Rejmer, hasi si mesazh kryesor një përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes: si mund t’u mbijetojmë kushteve më të këqija të mundshme, cili është thelbi i natyrës njerëzore, çfarë na bën të dobët dhe çfarë na bën të fortë?

“Balta më e ëmbël se mjalta” është një libër për komunizmin shqiptar, por është edhe një libër për natyrën njerëzore, qëndrueshmërinë dhe hapësirat e lirisë brenda nesh. Si mundohemi të manovrojmë dhe të veprojmë me dashamirësi apo pa dashamirësi në rrethana shumë specifike, pasi kur e shikon nga larg, fakti që njerëzit ishin aq të izoluar në Shqipërinë komuniste dhe kishin qasje në informacione shumë të kufizuara është një lloj eksperimenti sociologjik”, analizon Rejmer, duke këshilluar se të gjithë ne duhet të mësojmë sërish dhe të rikrijojmë lidhjet tona me librat, pasi ata na lidhin me njerëz dhe perspektiva dhe na mësojnë ndjeshmërinë.

Për autorin kroat Miro Gavran, mesazhi kryesor i letërsisë është të jetë e vërtetë, thelbësore dhe të përpiqet të përmirësojë afërsinë mes njerëzve. “Mesazhi im është se nuk ka asgjë më të bukur se marrëdhëniet njerëzore. Mendoni për një njeri që jeton në një ishull. Ai është krejt i vetëm. Ai nuk mund të jetë as i mirë as i keq. Ne kemi nevojë për një qenie tjetër njerëzore për t’u bërë të plotë. Romanet, dramat dhe komeditë na japin mundësinë të shprehemi dhe të bëhemi qenie njerëzore të plota. Jeta është një aventurë vitale, duke shkruar një libër, ne arrijmë ta mësojmë një njeri si të bëhet vetvetja”, shpjegon Gavran.

Letërsia mund të jetë edhe një vend i sigurt ku shkojmë duke kërkuar strehë, si për të rivizituar kujtimet tona të ëmbla. Duke folur për procesin e saj krijues, shkrimtarja franceze Dominique Barbéris, shpjegon se ajo beson se disa tema imponohen gjatë këtij procesi në vend që të zgjidhen. “Unë nuk përpiqem të përcjell asgjë. Librat e mi sillen rreth problemeve të grave, dashurisë dhe ndonjëherë fëmijërisë, që për mua është si matrica e gjërave dhe gjithashtu një vend, një moment në kohë që është një vend i qetë ku kthehem vazhdimisht”. Nga ana tjetër, ajo përmend shqetësimin për një rënie alarmante të interesit për letërsinë. “Kam mundur ta vëzhgoj këtë në Francë. Po zëvendësohet me gjëra të tjera. Nuk e di cili filozof thotë se ne i festojmë shumë gjërat kur nisin të zhduken, shpresoj që kjo të mos jetë shenjë e kësaj. Por kjo nuk është arsye për të qenë pesimistë, ka gjithmonë njerëz për të cilët letërsia është qendrore, sepse është ndoshta vendi ku kthehen legjendat”, thotë ajo./atsh/ KultPlus.com

‘Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot’

Thënie nga Edgar Allan Poe

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Kori i Filharmonisë do të nis vitin artistik 2025 me koncert në Prizren

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, ka njoftuar se Kori i Filharmonisë vitin artistik 2025 do të nisë me një koncert në Prizren, shkruan KultPlus.

Me një program të pasur me vepra bashkëkohore, Kori do të paraqitet para publikut nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, me pjesëmarrjen e Ansamblit Harkor dhe Perkusioneve të Filharmonisë së Kosovës.

Në këtë mbrëmje do të interpretohen vepra nga Kushtrim Gashi, Vasil S. Tole, Hajrullah Syla, Rafet Rudi, si dhe nga dy kompozitorë amerikanë: Jake Runestad, fitues i çmimit Emmy, dhe Eric Whitacre, fitues i çmimit Grammy.

Koncerti do të mbahet në Autostrada Hangar, në Prizren, më 24 janar 2025, duke filluar nga ora 19:30.

Për të ndjekur koncertin, mjafton të rezervoni falas në këtë link: https://bit.ly/4aeiqFU/ KultPlus.com

Stërvitja në të ftohtë dhe ngrica përmirëson shëndetin

I ftohti dhe ngrica mund të nxisin shëndetin e trupit dhe të përmirësojnë performancën e rezistencës, të ashtuquajturat qëndrueshmëri, shkruan salute.eu.

Nga ekzaminimet e studiuesve doli se në të ftohtë ka një përmirësim në funksionalitetin e mitokondrive, domethënë një nga përshtatjet kryesore që janë në themel të fitnesit aerobik.

“Dëshmitë e fundit sugjerojnë rritjen e metabolizmit të lipideve në mjedise më të ftohta gjatë stërvitjes,” shkruajnë autorët e studimit, të udhëhequr nga fiziologu Dominique Gagnon i Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe Shëndetit./atsh/ KultPlus.com

Ann Beattie: Graviteti

Ann Beattie (1947), romanciere dhe tregimtare amerikane, e shpërblyer për të arriturat e saj nga American Academy and Institute of Arts and Letters dhe ka fituar po ashtu PEN/Malamud Award për të arriturat në tregim të shkurtër

GRAVITETI

Nga Anne Beattie

Xhaketa ime më e pëlqyer ishte blerë në L.L Bean. Nga Maine kishte përfunduar në Atlanta, ku një ish i dashuri im e kishte gjetur në një dyqan bamirësie dhe e kishte blerë për ditëlindjen time. Ishte një çikëz e ngushtë për të, por gjithsesi e mbante veshur kur më takoi. Ai më tha se sikur të mos i kisha bërë komplimente për xhaketën, thjesht do ta kishte mbajtur për vete. Në xhep gjeta një amil nitrati dhe një Hershey’s Kiss. Sheqerka ishte vendosur aty qëllimisht.

Gjatë këtyre tetë vjetëve që e mbaj, i kam humbur të gjitha kopsat, përveç asaj më të lartës – asaj që kurrë s’e mbërthej, ngase askush s’e mbërthen kopsën nën jakë. Katër kopsa kanë humbur, mirëpo mund ta kthej në kujtesë se si më ka humbur vetëm atë të parafundit: e pashë të lëkundej, por mendoja se do të mbante. Më vonë, kruspullosur në dysheme, thashë me vete: “Arsyeja më thotë se derisa nuk kam lëvizur nga kjo karrige banaku, atëherë duhet të jetë pikërisht këtu në dysheme”, duke shikuar e dehur drejt në dysheme përposh karrigës sime në Café Central.

Nikut, njeriu me të cilin jam duke ecur tash, me gjasë s’do t’i binte tamam xhaketa. Do të donte të mos më binte as mua, po ashtu. I urren xhaketat. Kur i thashë se po mendoja të blija një shall dimri, ai më sugjeroi se bishtalecat mund të shkonin për bukuri me xhaketën. Ndalej nëpër dritaret e dyqaneve, duke më ofruar të ma blinte ndonjë triko, ndonjë pallto. Asgjë fare.

“Po luaj mendsh”, më tha Niku, “dhe ti je e dëshpëruar, ngase ke humbur kopsat”. Vazhdojmë të ecim. Më nxjerr anash. “Kopsat fare lehtë mund të jenë zare”, tha ai.

“Ke luajtur ndonjëherë me zare?”.

“Të luaj me zare?”, pyeti ai. “A nuk është se thjesht i shikon?”.

“Nuk ma ha mendja. Mendoj se ekzsiton një lojë që mund të luhet me to”.

“Kisha kuti cigaresh plot me zare kur isha fëmijë. A s’është e mrekullueshme. Kisha zare, pulla, monedha dhe copa të prera të Playboyt”.

“Të gjitha njëherit?”.

“Si po mendon?”.

“A nuk janë pullat më të hershme se fotografitë e Playboyt”.

“Të së njëjtës kohë. Unë përdorja xhamin zmadhues për fotografitë në vend të pullave”.

Ana e majtë e xhaketës sime e mbulon anën e djathtë, krahët e mi janë të kryqëzuar puthitshëm përpara dhe kështu e mbaj atë të mbyllur. Niku e vëren këtë dhe thotë: “Nuk është edhe aq ftohtë”, duke e vënë njërin krah rreth supeve të mia.

Ka të drejtë. Të premten e fundit pasdite, doktori më tha se do të më duhej të shkoja të mërkurën në spital, pasnesër, që të bëja një test për të marrë vesh nëse ndonjë bllokadë në kanalin fallopian ma kishte shkaktuar dhimbjen në anën time të majtë dhe unë jam frikacake. Kurrë s’kam besuar asgjë nga The Bell Jar përveç idesë paranoike të Esther Greenwoodit se kur je e pavetëdijshme ndien dhimbjen dhe më vonë harron se e ke ndier atë.

Ai e tërhoqi krahun. Unë vazhdoj që me njërën dorë të mbahem ngjeshur në xhaketën time, ndërsa me dorën tjetër ia përthekoj kyçin e dorës, në këtë mënyrë ai do ta nxjerrë dorën nga xhepi.

“Ma jep dorën”, i them. Vazhdojmë të ecim kështu.

Kopsat e tjera ranë pa u dukur fare se ishin çliruar. Ranë dimrit të kaluar. Kjo bëri vaki atëherë kur rashë në dashuri me Nikun e gjërat e tjera dukeshin fare të parëndësishme. Atëherë shkova me mendjen se gjatë dimrit do të shikoja për kopsa të reja. Tash jemi në tetor, është ftohtë. Po ecim nëpër Fifth Avenue, veç pak blloqe tutje spitalit ku do të bëj testin. Kur ai ta kuptojë këtë, do të marrë një rrugë anësore.

“S’do të vdesësh”, thotë ai.

“E di”, them, “dhe do të ishte budallallëk të merakosesha për çkado që është më pak se vdekja, apo jo?”.

“Mos u kap me mua”, thotë ai dhe më kthen drejt Ninety-sixth Street.

Nuk ka yje kësaj mbrëmjeje, kësodore Niku po flet për yjet. Më pyet në i kam marrë ndonjëherë me mend mendimet e astronautit të parë duke e kthyer teleskopin e fuqishëm kah Saturni dhe duke parë jo vetëm planetin por edhe unazat – rrathët e tymtë. U ndal të ndizte një cigare.

Krizantemat e mbjella mes Park Avenue janë thjesht një turbullirë në terr. Mendja me vete te lulet e de Heemit: lëviz ngjitur njërës prej atyre pikturave dhe e sheh një kërmill të bërë lëmsh në dru dhe insekte të imëta që shtresëzojnë gjethet. Ndodh nganjëherë, kur sjell lule brenda nga kopshti – një kërmill që duket dhe ndihet si qelb, duke u kacavarur nëpër kërcell.  

Të premtën e fundit Niku tha, “S’do të vdesësh”. Doli nga shtrati dhe më largoi nga vazoja e luleve. Ishte dita kur kisha shkuar te doktori, pastaj shkuam të vizitonim Xhastinin për vikend. (Dhjetë vjet më parë, kur Niku nisi të jetonte me Barbarën, Xhastini ishte fqinji i parë në West Sixteenth Street.) Gjithçka ishte e lezetshme, ashtu siç është gjithmonë në shtëpinë e Xhastinit në fshat. Kishte një vazo floksesh dhe luleshqerrash në dhomën e gjumit dhe kur shkova t’u merrja erë luleve pashë kërmillin dhe thashë se dukej si qelb. Bile as që ndieja neveri – veç keqardhje kishte, aq kureshtje sa ta prekja me gisht.

“Xhastini nuk do ta dijë pse je duke u qaravitur. Xhastini nuk e meriton këtë”, pëshpëriste Niku.

Kur e prek, kërmilli nuk mblidhet. As kur është duke ecur.

Fakt: emri i saj është Barbara. Ajo është nga Boulder Dam. Është imëcake, e bukur dhe ka një ndikim mbi të sado që nuk janë martuar kurrë, ngase ajo kishte qenë aty e para. Ajo është nga Boulder Dam.

Vitin e kaluar i kaluam Krishtlindjet te Xhastini. Justini donte të mendonte për ne si një familje – Niku dhe Xhastini dhe unë. Familja e tij e vërtetë është një hallë, në Zelandën e Re. Kur ai ishte fëmijë, ajo i gatuante biskota të trasha që kurrë s’mund t’i përbinte. Idetë e Justinit janë më romantike se të miat. Ai mendon se Niku duhet ta harrojë Barbarën dhe duhet të vendoset bashkë me mua në banesën ngjitur me të tijën që është në shtitje. Xhastini, me pantofla termale dhe çorape me vija të ngritura deri mbi gjunj nën pizhamat e tij të bardha, duke përgatitur çajin e gjumit, më thotë: “Përmende një gjë më patetike se sa një bythec i ftohur”.

Barbara thirri dhe ne bëmë tonën që ta injorojmë. Unë dhe Xhastini po hamë portokaj të ftohtë pas darkës së Krishtlindjeve. Xhastini na i mbushi gotat me shampanjë. Niku foli me Barbarën në telefon. Xhastini i fiku qirinjtë dhe ne dy po rrinim në terr, Niku në telefon. Shikonim të hutuar mbi supet e tij në qoshkun tashmë të errët.

Duke ndenjur në kuzhinë atë natë vonë, Niku kishe thënë, ”Xhastin, thuaja të vërtetën. Tregoji se gjatë Krishtlindejve ti bie në dëshpërim dhe kjo është arsyeja pse dehesh. Tregoji se nuk është për shkak të një telefonate të shkurtër nga një grua që kurrë s’e ke dashur”.

Xhastini po ziente çaj prapë, për t’u bërë esëll. Dora e tij ishte mbi vlues, duke u ulur një inç më poshtë, gjysmë inçi më poshtë…

“Luaj bole pak me të”, më pëshpëriti. “Mos ji ajo që digjet”.

Një grua po ecën pas nesh, mban një kapele të kaltër me pupla që duken sikur të ishin shigjeta të ngulura në strehën e saj nga indianë të çmendur. Ajo buzëqeshi ëmbëlsisht. “Gjarpërinjtë po vijnë zvarr nga Ferri”, tha ajo.

Në një bar, në Lexington, Niku tha, “Ma thuaj pse më do kaq shumë”. Pa marrë frymë fare, ai tha, “Mos bëj analogji”.

Kur e lëshon veten – kur është i përhumbur – është i përhumbur pjesërisht në të. Është sikur se të ishte duke ecur thellë e më thellë një pylli dhe unë të kisha rrezikuar ta ndaloja t’u merrte erë ca luleve magjepsëse, ose ai të kishte gjetur ndonjë pellg dhe të kishte rënë në të si Narcisi. Nga ajo sa më kishte thënë në lidhje me Barbarën, e di se ajo është e mendjemprehtë dhe e këndshme.

Shtrirë mbi letrën e ftohtë të bardhë në tavolinën e ekzaminimit të doktorit, u mundova të përqendrohem jo në atë që po bënte ai, por te njëra vidhë që mbante njërën prej katër qosheve të dritës së rrafshët të bardhë të tavanit.  

Si fëmijë njëherë pata humbur në mal. Kisha një lule radhiqe me vete dhe e përdorja, pa shpresë, si një llambë dore, qendra e verdhë rrezja ime imagjinare. Prindërit e mi, të cilët do të kishin mundur të më shpëtonin, ishin të dehur në një ndejë në oborrin e pasëm teksa unë po merrja rrugën e gabuar, larg prej shtëpive që mund të shihja. Pata ecur ngadalë-ngadalë, e frikësuar.

Niku më bie në qafë për këtë. Ai mendon se unë jam e përhumbur në jetën time. “Në rregull”, them unë derisa ai më shtyn të eci më shpejt. “Gjithçka është simbolike”.

“Si mund të më hedhësh poshtë kur bën krahasime për gjithçka?”. “Nuk bëj”, them. “Mënyra se si flet më bën të lëshoj pe qëllimisht që të më mposhtësh. Je kritikuese si mësuese”. Ecja mori fund. Ka bërë atë që kam dashur: kemi kaluar bllokun e tridhjetë deri te apartamenti i saj, në vend se të marrim një taksi dhe nëse ajo është në ankth dhe është duke shikuar nga dritarja, ai do të ecë deri te dera e hyrjes me mua dhe ajo do të shohë të gjitha – madje edhe puthjen.

Ai habitet se si mua më ndodhin në të njëjtën kohë variacionet e asaj që i ndodh Barbarës. Ajo i kishte prerë flokët po atë ditë që i kisha rregulluar të miat. Kur shkova te dentisti dhe ai më tha se mishi i dhëmbëve po më tërhiqej ngadalë, shpresova se ajo do të ma kapërcente me dhëmbët e saj çatallë. Në vend të kësaj, kur ija ime nisi të më dhimbtte, ajo pati dhimbje më të mëdha. Tash po bëhet më mirë, është kthyer në apartament pas një operacioni në unazat kurrizore dhe ai po rri me të përsëri.

Vjeshtë, 1979. Gjatë ecjes pamë një çift duke u puthur, tre njerëz duke i shëtitur qentë, një çift duke u grindur dhe një taksist të parkuar para hyrjes së një dyqani, duke e ndërruar një farmerkë me një lëkurë të zezë. Vuri një kapelë lëkure, rrasi xhaketën në ulësen e prapme dhe ia shkeli, duke bërë një rrotullim në formë patkoi në Park Avenue, për në qendrën e qytetit. Një burrë më shikoi thua se më kishte gjetur në këmbë mbrapa një tezge të një kabine për puthje dhe një grua ia hodhi Nikut një asi shikimi që e bëri të qeshte para se ajo të largohej aq sa të mos dëgjonte.

“S’e honeps dot”, tha Niku.

Nuk e kishte fjalën për marrëzitë e New Yorkut.

E hap derën e jashtme me çelësin e tij, pas puthjes, dhe për një minutë qëndrojmë ngjitur për njëri-tjetrit në hapësirën mes dyerve të mbyllura. E kam quajur burg. Kofin. Dy astronautë, të lidhur në rrugën e tyre drejt hënës. Kam qëndruar aty dhe kam ndier, më shumë se njëherë, lehtësinë e një personi që nuk mbahet në vend nga graviteti, por jorëndesa ime ishte prej trishtimi dhe frike.

Barbara është lart, duke pritur, dhe Niku nuk e di çfarë të thotë. As unë. Më në fund, për të thyer heshtjen, më tërheq pas vetes. Më thotë se kur ia kërkova dorën më herët, e quajta atë “dora”.

Dora e tij e djathtë është e nderë, thonjtë në kockëm mes gjinjve të mi. Shikoj poshtë për një sekondë, mënyra se si një kirurg mund të ketë një moment dyshimi, o mbase një moment vetëbesimi, duke shikuar dorezën e tejdukshme të gomës, të ngjitur për lëkurës: dora e tij dhe jo dora e tij, gati të bëjë diçka të rëndësishme ose fare të parëndësishme.

Çdokush tjetër do të kish me thënë ‘dorën tënde’”, thotë Niku. “Kur ti e the në atë mënyrë, e bëri të tingëllonte thua se dora ime ishte e shtrupëzuar”. E përkëdhel xhaketën time. “Ke gjetur mbulojën tënde të sigurt. Lërmë t’i mbaj të gjitha palët së bashku. Jashtë, të paktën”.

Shtrupëzuar, ajo dorë do të ishte një simbol nga Magritte: një kështjellë mbi shkëmb, duke lundruar mbi oqean; një mollë e gjelbër pa trung.

Vetëm, do ta kisha njohur kudo.

/Marrë nga Ann Beattie, ‘The Burning House’, Vintage, 1982 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Filmi ‘Zana’ hap edicionin ‘Film Flaka 2025’

Shfaqja e filmave shqip, produksion i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka hapur të shtunën “Film Flaka 2025”, që do të pasohet me prezantimin e filmave tjerë të dielën dhe të hënën, më 19 e 20 janar 2025, në kuadër të kalendarit të paraparë nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Gjilanit, në vargun e aktiviteteve të gjithëmbarshme të manifestimit “Flaka e Janarit”.

Në filmin “Zana” me “vulë” regjisoriale të Antoneta Kastratit, paraqitet një kastë e shquar aktorësh, emra të dëshmuar të skenës sonë, si asaj kinematografike ashtu edhe teatrale/skenike.

Ngjarja në film pasqyron dramën tronditëse emocionale që e përcjell fatin e një gruaje në një skaj të Kosovës, e cila përpëlitet për të gjetur satisfaksion nga pesha e rënduar që i kanë shkaktuar plagët e thella të vargojve të jetës së pamëshirshme, ndërsa, njëkohësisht, ironikisht ndodhet edhe para një sprove tjetër të rezervuar nga fati i i saj i pamëshirshëm, sprovë që determinohet tradicionalisht nga normat konvencionale të jetës së gruas rurale.

Përballja me vështirësi të dyfishtë, e vë në sprovë të thellë krypersonazhin, Zanën, të cilën me delikatesë e ka trajtuar dhe zhvilluar aktorja Adriana Matoshi e mbështetur nga kasta përcjellëse profesionale e aktorëve të skenës kosovare.

Sipas përshkrimit, filmi “‘Zana” me producent Casey Cooper Jonson, ka shënuar suksese të ndryshme në rrugëtimin e tij, duke shëtitur nëpër festivale të ndryshme pas premierës në festivalin e madh të Torontos së Kanadasë, në shtator të vitit 2019.

Filmi: “Zana”, 2019, regjisore: Antoneta Kastrati, rolet: Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safçiu, Irena Cahani, Vedat Bajrami, Shengyl Ismaili etj.

Filmi është bashkëprodhim në mes Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-ve, i financuar nga Qendra Kinematografike Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri./ KultPlus.com

Treni imagjinar

Timo Flloko

Sa herë matem me kohën që rend,
në çdo rast ndihem i humbur.
S’i kam jetuar, i kam shpenzuar më kot,
mijëra ditë e net të ikura,
nga shkujdesja, në të shkuarën…

Shpesh
më bëhet në ëndërr se pres,
në një stacion të shkretë
një tren imagjinar,
për kthim në të shkuarën.

Sado që rend të mos humb një sekondë,
përherë mbërrij vonë,
tepër vonë, në stacion.
Por s’e humb shpresën, pres.
Një tren tjetër do të vijë,
treni i fundit me ndalesë,
që mbledh të vonuarit.

S’dua ta humb atë tren,
i vetëm të mbes,
si Mohikani i fundit,
në mes të askundit…

Ndoshta, më mirë të harrohesh, shkujdesur,
në pakohë,
nëpër vagonë vitesh,
pa e ditur
se në ç’stacion të largët
ndal treni që ke pritur…/ KultPlus.com

‘Të Ndjesh Pamjen’- Çelet në FAB ekspozita retrospektivë e Besim Tulës

“Të Ndjesh Pamjen” titullohet ekspozita personale e Besim Tulës që është hapur në galerinë FAB. “Vdekja e Nënës”, një pikturë e artistit në vitin 1990 është ajo që çeli ekspozitën me rastin e 75-vjetorit të lindjes së artistit.

Ekspozita e kuruar nga e bija e artistit Era Tula, sjell një përzgjedhje të veprave të Besim Tulës.

 “Ekspozitën e kam menduar të hapet me ‘Vdekjen e nënës’, që sipas kritikut Gëzim Qendro ishte një nga veprat e fundit të viteve ’80-të, që shënjoi kufirin ndarës midis epokës së realizimit socialist dhe periudhës paskomuniste, një vepër ku dallohej më shumë koha që po vinte se ajo që po lihej pas”. Ekspozita do të mbyllet më pas me veprën “Vrasësit me pagesë” (2020), e cila është dhe puna e fundit që babi ekspozoi”,- thotë Era Tula.

Ajo që është veçanërisht e fuqishme në këtë vepër, është vendimi i artistit për të vendosur veten në pozicionin e viktimës, për të krijuar kështu një lidhje të identifikueshme midis saj dhe publikut.

 “Ka qenë një autor që kam pasur gjithmonë kuriozitetin për ta parë në retrospektivë. Jam i lumtur që jemi mbledhur të gjithë bashkë, për ta kujtuar Besimin, por edhe për ta parë në shkëlqimin e tij maksimal. Është një autor që në këto 30 vite ka lënë gjurmë artistike dhe është një artist që identifikohet shumë lehtë nëpërmjet dy elementësh: shumë ngjyra dhe e dyta, gjurma bashkëkohore, që i vendoset çdo ngjarje të së përditshmes”,-tha studiuesi Ermir Hoxha.

Ekspozita paraqet 30 vitet e fundit të rrugëtimit artistik të Besim Tulës, duke i lejuar vizitorët të dëshmojnë evolucionin e artistit.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 janar,  për të reflektuar mbi kompleksitetin e natyrës njerëzore./euronews/ KultPlus.com

Rama: Diella ndihmësja zadrimore krijuar me Inteligjencë Artificiale, në e-albania për pak muaj

Në platformën e-Albania, tashmë është bërë një tjetër hap i rëndësishëm drejt inovacionit, që pritet të lehtësojë ndërveprimin e qytetarëve në kërkesat në këtë platformë elektronike.

Zbatimi i inteligjencës artificiale në e-Albania do të sjellë në shërbim të qytetarëve, asistenten virtuale me emrin Diella, një risi që do të jetë gati për përdorim brenda pak muajsh. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama duke sjellë edhe pamjet e para nga asistentja Diellë.

Kryeministri Rama shprehet se së shpejti, qytetarët do të kenë në dispozicion brenda pak muajsh, asistenten virtuale që quhet Diella, “një ndihmëse zadrimore që sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t”.

“Për disa muaj do të jetë gati jo vetëm t’ju asistojë gjatë ndërveprimit tuaj me platformën e-Albania po edhe t’i kryejë shërbimet për ju me një lutje të vetme”, u shpreh Kryeministri Rama.

Përdoruesit e platformës e-Albania do të kenë mundësi që t’i drejtojnë pyetje asistentes virtuale, e cila përmes zërit dhe inteligjencës artificiale do të mbledhë informacionet e nevojshme që do t’i vendosen në dispozicion çdo përdoruesi, sipas kërkesave të tyre. /atsh/ KultPlus.com

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet…

Ali Asllani
(Hakërrim)

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkelqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, poshtëë ky zot, ky palo zot!

Grand Cordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titilli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfer digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
ا’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mënçuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bëj” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vëndi qënka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku shokut krreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!/ KultPlus.com

Enigma e Edgar Allan Poe, shqyrtimi i jetës dhe veprave të një gjeniu letrar

Edgar Allan Poe, një nga figurat letrare më të famshme dhe misterioze të Amerikës, vazhdon të magjepsë lexuesit dhe të frymëzojë shkrimtarët më shumë se një shekull pas vdekjes së tij, shkruan KultPlus.

I lindur në 1809 në Boston, Poe pati një fëmijëri të trazuar të shënuar nga vdekjet e hershme të prindërve të tij dhe duke kaluar nëpër një sërë shtëpish kujdestare.

Me gjithë këto vështirësi, pasioni për letërsinë i zhvilloi në moshë të re dhe filloi të shkruante poezi dhe prozë që në adoleshencë.

Karriera e shkrimit Poe filloi në vitet 1820 me botimin e një libri me poezi, por vetëm në vitet 1830 ai filloi të fitonte njohje për tregimet dhe poezitë e tij të shkurtra. Veprat e tij, si “The Raven”, “The Tell-Tale Heart” dhe “The Fall of the House of Usher”, u karakterizuan nga temat e tyre të errëta, thellësia psikologjike dhe përdorimi i shkathët i gjuhës.

Shkrimi i Poe ishte gjithashtu i ndikuar shumë nga magjepsja e tij me makabren dhe të mbinatyrshmen, të cilat ai i përdorte shpesh për të eksploruar psikikën njerëzore dhe natyrën e realitetit.

Pavarësisht famës së tij në rritje si shkrimtar, Poe luftoi financiarisht gjatë gjithë jetës së tij. Ai punoi si redaktor reviste, kritik letrar dhe pedagog, por kurrë nuk fitoi të ardhura të qëndrueshme.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ai vazhdoi të shkruante dhe të botonte, dhe veprat e tij u lexuan dhe u admiruan gjerësisht nga shkrimtarë dhe kritikë të tjerë letrarë.

Jeta dhe vepra e Poe ishin të mbuluara me mister dhe shumë teori janë paraqitur për të shpjeguar sjelljen e tij të çuditshme dhe temat e çuditshme të shkrimit të tij.

Disa kanë sugjeruar se ai vuante nga sëmundje mendore, ndërsa të tjerë kanë sugjeruar se puna e tij ishte ndikuar shumë nga përvojat e tij personale dhe ndjenja e tij e izolimit dhe tjetërsimit.

Poe vdiq në rrethana misterioze në vitin 1849, në moshën 40-vjeçare. Shkaku i vdekjes së tij mbetet një mister dhe teoritë variojnë nga alkoolizmi, tuberkulozi dhe vetëvrasja. /KultPlus.com

Ura e Tamarës dhe hani i saj, simbole të trashëgimisë sonë kulturore

 Ura e Tamarës dhe hani pranë saj janë objekte të trashëgimisë sonë kulturore të cilat dëshmojnë për bukuritë dhe traditat shqiptare.

Ura e Tamarës e ndërtuar mbi lumin Cem të Vuklit, një kryevepër e shekullit XVIII, është ndërtuar nga vezirët Bushatllinj dhe mbetet një simbol i trashëgimisë sonë kulturore. Gurët e saj tregojnë histori shekujsh, duke lidhur komunitete e kultura.

Pranë saj ndodhet Hani i Tamarës, dikur një strehë për udhëtarët dhe tregtarët, sot një kujtesë e mikpritjes dhe historisë shqiptare.

Këto vepra janë shpallur, në vitin 1984, Monumente Kulture të Kategorisë I dhe tregojnë pasurinë tonë historike dhe arkitekturore.

Ura e Tamarës në Kelmend, lidh Shkodrën me viset e malësisë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër publikoi në rrjetet sociale pamjet e luginës, ku gjendet ura dhe hani, luginë e cila ka origjinë akullnajore dhe është në lartësinë 1100 metra mbi nivelin e detit.

Në të dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Kjo zonë shquhet për panoramën si dhe për reshjet e shumta të dëborës./atsh/ KultPlus.com

Pas 40 vjetësh, inaugurimi presidencial në SHBA bëhet brenda Kapitolit

Për herë të parë që prej 40 vjetësh inaugurimi i një presidenti amerikan do të bëhet brenda Kapitolit. Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta bëjë betimin të hënën në ambjentin e mbyllur për shkak të temperaturave tepër të ulëta. Çdo ceremoni inaugurimi presidencial në Uashington ka të veçantat e veta, por këtë vit siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti ai do të jetë vërtet ndryshe.

Orkestra e Marinsave ka interpretuar në çdo inaugurim që nga viti 1801. Por këtë herë, anëtarëve të saj nuk do t’u duhet të shqetësohen se mos instrumentat e tyre ngrijnë, sepse inaugurimi do të mbahet brenda Kapitolit të Shteteve të Bashkuara për shkak të temperaturave të acarta.

Janë tingujt e tyre që do të shoqërojnë këngën “America the Beautiful” dhe menjëherë pasi Donald Trump të bëjë betimin si president këngën “Hail to the Chief”, interpretuar të dyja nga Carrie Underwood.

“Edhe pse është hera ime e shtatë, çdo herë është e veçantë. Është pak surreale që jam pjesë e një cope historie dhe që ne jemi të pranishëm në këtë ngjarje madhore jo vetëm për Amerikën, por për gjithë botën. Pra, mund të duken të gjitha njësoj, por nuk janë kurrë të njëjta”, thotë rreshtesi Leslye Barrett i Orkestrës së Marinsave.

Dhe këtë herë do të jetë vërtet ndryshe. Hera e fundit që temperaturat e ftohta zhvendosën ceremoninë në ambiente të mbyllura ishte viti 1985, kur Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të dytë.

Përgatitjet për pjesëmarrjen e vizitorëve me bileta filluan më shumë se një muaj më parë, përfshirë ndërtimin e një platforme në Kapitol, ndërtimin e stendave të paradës dhe 48 kilometra barriera përgjatë trotuarëve, më shumë se në çdo inaugurim të mëparshëm.

Mijëra vetë mund të vijnë gjithsesi në Uashington për të ndjekur ceremoninë, mes tyre Zander Goss dhe Olivia Connelly.

“Nuk kam qenë kurrë më parë. Jam e re në Uashington dhe është moment i mirë”, thotë Olivia.

“Nëna ime ishte nëntë muajshe shtatzënë me mua në inaugurimin e Xhorxh Bushit, katër ditë para se unë të lindja, kështu që teknikisht është ndoshta inaugurimi im i dytë”, thotë Zander.

E hëna nderon traditën demokratike, pavarësisht polarizimit të zgjedhjeve.

“Është një shembull për amerikanët dhe për botën që kemi një tranzicion dhe një qeveri të re”, thotë Anita McBride, e cila ka punuar për katër administrata në Shtëpinë e Bardhë.

Pas betimit, presidenti zakonisht kalon me limuzinën e tij në një paradë dhe më pas del prej saj për të ecur në këmbë deri në Shtëpinë e Bardhë.

Por në këtë inaugurim, zoti Trump që sapo do të ketë bërë betimin do të shfaqet më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet 20,000 persona.

Historia do ta kujtojë këtë inaugurim të dytë të zotit Trump, me një pamje të ndryshme nga ai i pari. /VoA/ KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar Olluri. / KultPlus.com

‘Nëse pak e nga pak ti ndal të më duash, unë do të ndal të dua pak e nga pak’

Poezi nga Pablo Neruda

Ti e di se si është kjo:
nëse unë vështroj
në hënën e kristaltë, në degën e kuqe
të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time,
nëse unë prek
pranë zjarrit
hirin e imët
ose trupin e rrudhosur të drurit,
gjithçka më sjell tek ty,
sikur gjithçka që ekziston,
aromat, dritat, metalet,
të ishin anije të vogla
që lundrojnë
drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.

E pra tani,
nëse pak e nga pak ti ndal të më duash,
unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.

Nëse papritmas
ti më harron
ti do të ndalësh të më kërkosh
sepse unë do të të kisha harruar tashmë.

Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht,
erën e flamujve
që kalon përmes jetës time,
dhe ti vendos
të më lësh mua në bregun
e zemrës ku i kam rrënjët e mia,
mos harro
se atë ditë.
se atë orë,
unë do të ngre krahët e mi për fluturim
dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen
në kërkim të një toke të re.

Por
nëse çdo ditë dhe,
çdo orë,
ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt,
me buzëqeshjen që s’të shqitet,
nëse çdo ditë një lule
ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar,
ah dashuria ime, ah vetja ime,
tek unë është kthyer rishtaz zjarri,
tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar,
dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur,
dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu
shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë

Përktheu: Elida Buçpapaj / KultPlus.com

Është vonë të më mungosh

Ilirian Zhupa

Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.

Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.

O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.

Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.

Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.

Është vonë të më mungosh, e dashura ime! /KultPlus.com

‘Politika është gjëja më pak e rëndësishme dhe më pa vlerë në jetë, është shkuma e pistë në sipërfaqen e lumit’

Fragment nga ‘Valsi i lamtumirës’ së Milan Kunderës

Përktheu Saverina Pasho

– Ti nga jeta ke parë vetëm një aspekt dhe më të keqin, – tha doktor Shkreta. – Ti nuk ke ditur kurrë të jetosh. Gjithmonë ke menduar se detyra jote ishte, sikundër thuhet, të ishe njeri i kohës. Të ishe në qendër të realitetit. Po çfarë ishte për ty realiteti? Politika. Mirpo politika është gjëja më pak e rëndësishme dhe më pa vlerë në jetë. Politika është shkuma e pistë në sipërfaqen e lumit, ndërkohë që në fakt jeta e lumit zhvillohet shumë më thellë. Studimi i pjellorisë femërore zgjat qysh prej mijëra vjetësh. Është një histori e qëndrueshme dhe e sigurt. 

Dhe s’pyet fare nëse është më pushtet kjo apo ajo qeveri. Unë kur vë një dorezë plastike dhe kontrolloj organet femërore, jam shumë më afër qendrës së jetës nga ç’je ti, ti që për pak humbe jetën, ngaqë shqetësoheshe për të mirën e njerëzimit.

Arkimedi para rrathëve të tij, Mikelanxhelo para bllokut të gurtë, Pastëri para epruvetave, janë ata dhe vetëm ata që ndryshuan jetën e njerëzve dhe që bënë historinë e vërtetë, ndërsa politikanët… – Shkreta heshti një hop dhe bëri me dorë një gjest përbuzës.

– Ndërsa politikanët? – pyetj Jakubi dhe vazhdoi: – ja, ta them unë. Nëse shkenca dhe arti janë përnjëmend, arena e mirëfilltë dhe e vërtetë e historisë, politika, përkundrazi, është laboratori shkencor i mbyllur, ku me njeriun kryhen eksperimente të padëgjuara. Kaviet njerëzore rrokullisen poshtë kapanxhave, pastaj ngjiten sërish në skenë, të joshur nga duartrokitjet dhe të tmerruar nga trekëmbëshi, të spiunuar e të shtrënguar të spiunojnë. / KultPlus.com

‘Gjithçka është thënë tashmë, por meqenëse askush nuk po dëgjonte, ne duhet të fillojmë përsëri’

André Gide ishte një autor francez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi (në 1947).

Ai është autor i më shumë se pesëdhjetë librave. Gazeta “The New York Times” e kishte përshkruar atë si “njeriu më i madh bashkëkohor i Francës në letra”.

Për lexuesit tanë sjellim këtë koleksion me thëniet më të bukura të tij:

Të dish të lirosh veten nuk është asgjë; gjëja e mundimshme është të dish çfarë të bësh me lirinë e dikujt.

Njeriu nuk mund të zbulojë oqeane të reja, nëse nuk ka guximin të harrojë bregun.|

Besojuni atyre që kërkojnë të vërtetën. Dyshoni tek ata që e gjejnë.

Ji besnik ndaj asaj që ekziston brenda vetes.

Gjithçka është thënë tashmë, por meqenëse askush nuk po dëgjonte, ne duhet të fillojmë përsëri.

Ngjyra e së vërtetës është gri.

Vetëm ato gjëra janë të bukura të cilat janë të frymëzuara nga çmenduria dhe të shkruara nga arsyeja.

Hipokriti i vërtetë është ai që pushon së perceptuari mashtrimin e tij, ai që gënjen me sinqeritet.

Ju lutem mos më kuptoni shumë shpejt.

Të kesh zili për lumturinë e një njeriu tjetër është çmenduri; nuk do të dinit çfarë të bënit me të nëse do ta kishit.

Ai që dëshiron një trëndafil duhet ta respektojë gjembin e tij.

Vetëm budallenjtë nuk e kundërshtojnë vetveten.

Ka shumë gjëra që duken të pamundura për aq kohë që dikush nuk i provon ato.

Frika nga tallja lind frikacakun më të keq.

Guxo të jesh vetvetja.

Atëherë ju mendoni se dikush mund të mbajë një dashuri të pashpresë në zemrën e tij për aq kohë sa? … Dhe se jeta mund të marrë frymë mbi të çdo ditë, pa e shuar atë?

Ji besnik ndaj asaj që ekziston askund tjetër veç te vetja jote – dhe kështu bëhu i domosdoshëm.

Urtësia nuk vjen nga arsyeja por nga dashuria.

Eshtë më mirë të të urrejnë për atë që je sesa të të duan për atë që nuk je.

Si do të ishte një rrëfim i lumturisë? E tëra që mund të përshkruhet është se çfarë e përgatit atë, dhe pastaj çfarë e shkatërron atë.

Veprimet më vendimtare të jetës sonë – dua të them ato që ka më shumë të ngjarë të vendosin gjithë rrjedhën e së ardhmes sonë – janë, më shpesh , të pamenduara.

Ne duhet ta shijojmë këtë verë, lule më lule, sikur të ishte e fundit që do të shohim.

Të lexosh një shkrimtar është për mua jo thjesht të marr një ide se çfarë thotë ai, por të shkoj me të dhe të udhëtoj në shoqërinë e tij.

Çdo çast i jetës sonë është në thelb i pazëvendësueshëm: duhet ta dini këtë në mënyrë që të përqendroheni në jetë.

Unë nuk dëshiroja asgjë përtej buzëqeshjes së saj dhe të ecja me të kështu, dorë për dore, përgjatë një dielli të ngrohur, në shtegun e luleve.

Trishtimi nuk është pothuajse kurrë asgjë, por një formë e lodhjes.

Kapaciteti për të fituar falas nuk është asgjë; aftësia për të qenë i lirë është detyra.

Gjërat më të rëndësishme për të thënë janë ato që shpesh nuk i mendoja të nevojshme t’i thosha – sepse ishin shumë të dukshme.

Mirëpriteni gjithçka që ju vjen, por mos dëshironi për asgjë tjetër.

Arti fillon me rezistencën – në pikën ku rezistenca kapërcehet. Asnjë kryevepër njerëzore nuk është krijuar kurrë pa punë të madhe.

Arti është një bashkëpunim midis Zotit dhe artistit, dhe sa më pak që bën artisti, aq më mirë.

Në mënyrë që të jem plotësisht i lumtur, e vetmja gjë e nevojshme është të përmbahem nga krahasimi i këtij momenti me momentet e tjera në të kaluarën, të cilat shpesh nuk i shijoja plotësisht, sepse i krahasoja me momentet e tjera të së ardhmes.

Më shpesh njerëzit kërkojnë situata të jetës për të këmbëngulur në mendimet e tyre sesa për të arsimuar veten e tyre.

Rrugët më të rrahura janë sigurisht më të sigurtat, por mos shpresoni të fitoni shumë me to.

Kam ndërmend t’ju sjell forcë, gëzim, guxim, zgjuarsi, sfidë.

Novelisti nuk ka shumë dëshirë ta shohë luanin duke ngrënë bar. Ai e kupton që i njëjti Zot krijoi ujkun dhe qengjin, pastaj buzëqeshi, “duke parë që puna e tij ishte e mirë”.

Ata krijojnë dallime dhe rezerva të cilat unë nuk mund t’i zbatoj për vete, sepse ekzistoj vetëm si një i tërë; I vetmi pretendim im është të jem i natyrshëm dhe kënaqësinë që ndiej gjatë një veprimi, e marr si shenjë se duhet ta bëj.

Vetë gjërat që më ndanin dhe më dallonin nga njerëzit e tjerë ishin ato që kishin rëndësi; gjërat që askush tjetër nuk do të donte dhe nuk mund të thoshte, këto ishin gjërat që unë kisha për të thënë.

Krijimet më të bukura të burrave janë vazhdimisht të dhimbshme. Cili do të ishte përshkrimi i lumturisë?./KultPlus.com

‘Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…’

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla

Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.

Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.

Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).

Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.

Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun./ KultPlus.com

Çfarë nënkupton ndalimi i mundshëm i TikTok-ut për konkurrencën SHBA-Kinë

TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, po përballet me ndalesë në Shtetet e Bashkuara. Ajo çfarë do të ndodhë më pas do të ketë pasoja të mëdha për konkurrencën globale në fushën e teknologjisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe mund të përcaktojë raportet e presidentit në ardhje, Donald Trump, me Pekinin, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Platforma për video është aplikacioni i parë global i Kinës dhe ia ka kaluar me performancë rivalëve, që janë në pronësi të SHBA-së, sikurse Instagram, Facebook apo X. Çështja e pronësisë kineze ishte ajo që e vendosi TikTok-un në shënjestër të Kongresit amerikan, i cili në prill të vitit 2024 miratoi një ligj lidhur me shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, përfshirë përhapjen e dezinformatave dhe spiunazhit. Ligjin ka kërkuar nga ByteDance që ta shesë aplikacionin deri më 19 janar apo, në të kundërtën, do të përballet me ndalesë.

Përderisa kritikët e ndalesës thonë se të dhëna të ngjashme dhe shqetësime për privatësinë ekzistojnë edhe për platformat e mediave sociale të SHBA-së, çështja e pronësisë kineze i shton një dimension të ri.

Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës.

Më 2023, një gazetare britanike tha se të dhënat dhe vendndodhja e saj u gjurmuan nga punonjësit e TikTok-ut në Kinë dhe në SHBA. Dokumentet gjyqësore në SHBA të një ish-punonjësi të ByteDance po ashtu përshkruan se si Partia Komuniste e Kinës kishte qasje në të dhënat e kompanisë për të spiunuar protestuesit prodemokracisë në Hong Kong më 2018.

E gjithë kjo po ndodh mes tensioneve të rritura ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit si dhe në mes të shqetësimeve në rritje për spiunazh dhe hakim kinez në SHBA.

Trump ka lënë të kuptohet se është kundër ndalimit, pasi fillimisht e kishte mbështetur një lëvizje të tillë. Ai tha më 17 janar se vendimi i tij për TikTok-un “do të merret në të ardhmen jo shumë të largët”. Ai po ashtu zbuloi se kishte biseduar me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, dhe veç tjerash, kishte diskutuar edhe për TikTok-un.

Mandati paraprak i Trumpit si president, nga viti 2016 deri më 2020, ishte karakterizuar me një qëndrim të ashpër karshi Kinës dhe me shënjestrim të kompanive kineze në Kinë dhe jashtë vendit, duke nisur nga infrastruktura e telekomunikimit 5G e deri te firmat e kamerave mbikëqyrëse. Ky qëndrim i ashpër ishte në kontekstin e thellimit të garës teknologjike mes Pekinit dhe Uashingtonit.

TikTok është versioni ndërkombëtar i Douyin-it të ByteDance, i cili shërben për tregjet në Hong Kong dhe Kinë dhe i përmbahet aparatit të rreptë të censurës të Pekinit. Teksa është një biznes i suksesshëm, popullariteti dhe ndikimi i tij i kanë dhënë një shtysë globale Pekinit. Mosgatishmëria e ByteDance për ndryshimin e pronësisë tregon vlerën që i jep algoritmit që e ka krijuar dhe që TikTok-u të vazhdojë të jetë kompani kineze.

Se si do ta trajtojë Trumpi këtë ndalesë mund të jetë një sinjal i hershëm se si ai do t’i qaset raporteve me Kinën dhe për llojin e dinamikës që ai do të ketë me Xi-në./REL/ KultPlus.com

Lamtumirë David Lynch

Regjisori i mirënjohur i ”Blue Velvet”, ”Mulholland Drive” dhe serialit televiziv ”Twin Peaks” ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

Një duhanpirës i ”rëndomtë”, Lynch njoftoi verën e kaluar se vuante nga sëmundja polmonare e emfizemës dhe nuk do të mund të dilte më nga shtëpia për të drejtuar filma të rinj.

“Ka një boshllëk të madh në botë tani që ai nuk është më me ne”, njoftoi familja në Facebook.

Regjisori, skenaristi, producenti, muzikanti dhe artisti pamor, Lynch ka lindur në Missoula, Montana. I martuar katër herë, në vitet ’80 ai pati një lidhje romantike me Isabella Rossellini ndërsa ajo kishte luajtur në një nga filmat më të famshëm të Davidit, thrillerin psikologjik Blue Velvet në 1986.

I nominuar tre herë për Oskar (plus një Oskar Nderi në 2019), Lynch ishte i njohur për stilin e tij të veçantë kinematografik që ndërthurte surrealizmin, noirin dhe simbolizmin e ëndrrave.

Ai konsiderohej një nga mjeshtrit më me ndikim të kinemasë bashkëkohore Ai filloi karrieren si piktor dhe krijues i xhirimeve të animuara dhe të drejtpërdrejta, më pas u bë i njohur në vitin 1977 me Eraserhead, një vepër me humor të errët që u bë e zakonshme në qarkun e filmave të mesnatës.

Nominimi i tij i parë për Oscar erdhi me “The Elephant Man” të viteve 1980 (rrëfimi tragjik i jetës së Joseph Merrick), ndërsa “Mulholland Drive” i vitit 2001, një letër e helmuar për Hollivud që thur misterin dhe surrealizmin, fitoi çmimin për regjisorin më të mirë në Kanë.

Në vitet 1990 ai u kthye në qendër të vëmendjes me Twin Peaks, serialin revolucionar që ripërcaktoi zhanrin televiziv me narrativat e tij enigmatike dhe atmosferat shqetësuese.

Lynch më pas xhiroi Inland Empire në 2006 me Laura Dern, një nga aktoret e tij të preferuara.

Së fundmi, ai punoi në Twin Peaks: The Return, një rifillim prej 18 pjesësh i serialit origjinal, i cili u transmetua në 2017 në Showtime dhe luajti një tjetër nga aktorët e tij të kultit, Kyle MacLachlan.

Gushtin e kaluar, Lynch, i cili kishte praktikuar meditim transcendental për dekada, njoftoi sëmundjen e tij për gazetën britanike ”Sight and Sound”.

Emfizema e kishte mbyllur në shtëpinë e tij, duke mos mundur të bënte më shumë se disa hapa para se të humbiste frymën.

Tre vite më parë regjisori i kishte thënë lamtumirën cigareve.

“Pirja e duhanit është diçka që e doja shumë. Asgjë në botë nuk është aq e bukur, por ndërkohë po më vriste”, theksonte ai./ KultPlus.com

Më 1 shkurt mbahet Kuvendi Kombëtar Rinor

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste njoftoi sot mbajtjen në 1 shkurt të punimeve të Kuvendit Kombëtar Rinor të Partisë Socialiste.

Kryeministri ndau në rrjetet sociale momente nga punimet e Kuvendit Rinor të Durrësit.

“Durrësi Rinor 2030. Kuvendet Rinore në gjithë vendin do të kulmojnë në 1 shkurt me Kuvendin Kombëtar për Shqipërinë 2030”, shkruan Rama.

Gjatë punimeve të Kuvendit Rinor të Durrësit, kryetarja e bashkisë Durrës Emirjana Sako vlerësoi kontributin e të rinjve në PS.

“Falënderoj të gjithë djemtë dhe vajzat e Durrësit, Krujës e Shijakut që janë bashkuar me PS-në dhe që japin kontributin e tyre që kjo forcë të jetë një laborator idesh novatore të ardhura pikërisht nga të rinjtë. Vetëm nëpërmjet punës jam e sigurt që do të merrni atë që ju takon, meritën, besimin e njerëzve dhe vetëm puna juaj do të jetë rruga e cila do t’ju çojë në destinacionin tuaj”, tha Sako.

Sako theksoi se “PS ka vend për këdo që ka guxim, ide, dëshirë të punojë pa dëgjuar zhurmën e kotësisë, por duke pasur besim te vizioni i Edi Ramës dhe PS-së për ta parë Shqipërinë 2030 në majat e saj më të larta, ashtu siç i takon”.

Nga ana e tyre, të rinjtë vlerësuan se zgjedhjet e mençura sot janë për një të ardhme më të mirë nesër.

“Kjo qeveri ka marrë përgjegjësinë mbi supe, ka arritur të ngrihet mbi sfidat e saj dhe ka mundur që të marrë reforma kaq të rëndësishme për vendin tonë përfitimet e të cilave i hasim në përditshmëri. Duhet punuar tani për të ardhmen dhe e ardhmja është puna e të gjithë neve këtu që të marrim përgjegjësinë por edhe kënaqësinë që e kemi afruar Shqipërinë me BE-në”, u shpreh një nga të rinjtë./ KultPlus.com