Manastiri i Ardenicës, trashëgimia e shenjtë e Myzeqesë

Manastiri i Ardenicës, i njohur për historinë dhe trashëgiminë e tij të pasur fetare dhe kulturore, ka qenë një qendër e rëndësishme për besimtarët, studiuesit, dhe të interesuarit për të njohur thellësisht pasurinë e Myzeqesë.

Manastiri i Ardenicës ‘’Lindja e Hyjlindjes’’ mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë.

Manastiri i Ardenicës vërtet i përket periudhës bizantine por formën e tij të sotme ai e ka marrë gjatë shekullit të XVIII.

Fshehur midis kodrave dhe natyrës së pjerrët të rajonit, ai ka qenë një oaz i qetësisë dhe besimit për të krishterët ortodoks të rajonit.

Nga momenti i themelimit të tij, manastiri ka pasur një rol kyç në zhvillimin e identitetit fetar dhe kulturor të popullatës shqiptare.

Mësues të njohur të kohës dhe shkrimtarë të njohur  kanë lënë gjurmë të thella në historinë e Manastirit të Ardenicës. Këtu, përkundër sfidave të kohës, u zhvilluan aktivitete shkollore dhe kulturore të rëndësishme. Manastiri u bë një qendër e studimeve të krishtera, por jo vetëm. Këtu u trashëguan dhe u ruajtën tekste të rëndësishme fetare dhe kulturore, duke kontribuar në ruajtjen e pasurisë shpirtërore të popullit shqiptar nëpërmjet periudhave të vështira.

Trashëgimia artistike e Manastirit të Ardenicës është një tjetër thesar i çmuar. Ikonat dhe afresket e tij shprehin thelbin e identitetit të kombit shqiptar, ndërsa arkitektura e tij ndryshon nga tiparet e zakonshme të kishave ortodokse të rajonit.

Kjo ndërthurje e elementeve artistike dhe arkitektonike ka krijuar një ndërtesë të shenjtë dhe të mrekullueshme, e cila përbën një pikë referimi, jo vetëm fetare, por edhe kulturore.

Një vizitë në Manastirin e Ardenicës është një përvojë e ngjashme me një udhëtim në kohë. Hap pas hapi, ndiheni të lidhur me historinë dhe traditën e një populli që ka ruajtur besimin e tij përkundër vështirësive të pafundme. Ky vend i shenjtë dhe i bekuar ofron qetësi për meditim, njohuri për historinë, dhe admirim për trashëgiminë  shpirtërore të Myzeqesë dhe tërë kombit shqiptar.

Në këtë mënyrë, Manastiri i Ardenicës vazhdon të qëndrojë si një simbol i fortë i identitetit fetar, historik dhe kulturor të Myzeqesë dhe gjithë Shqipërisë.

Përmes pasurisë së tij trashëgimore, ai thërret të gjithë ata që janë të interesuar të zbulojnë rrënjët dhe thellësinë e kësaj toke, ku historia dhe besimi lidhen për të formuar një peizazh të pashembullt shpirtëror./atsh/KultPlus.com

UNESCO rekomandon përfshirjen e Venecias në listën e trashëgimisë në rrezik

UNESCO rekomandon përfshirjen e Venedikut, qytetin italian të famshëm për kanalet dhe gondolat e tij, në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, shkruan trt.net.tr.

Sipas CNN, që Venecia të hyjë në listën e trashëgimisë botërore në rrezik, do të duhet miratimi i shteteve anëtare të mbledhur në një takim të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të planifikuar për 10 deri më 25 shtator në Riad të Arabisë Saudite.

Ekspertët shpresojnë se ky regjistrim do të nxisë angazhim më të fortë dhe mobilizim më të gjerë të aktorëve vendorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të trajtuar këtë problem të gjatë.

Megjithatë, sipas raportit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, këto masa deri më tani kanë qenë të pamjaftueshme për të luftuar përkeqësimin e situatës në Venecia dhe janë “të pamjaftueshme” veçanërisht për shkak të turizmit masiv që po pushton Serenissima dhe ndaj ndryshimeve klimatike.

Qendra e Trashëgimisë Botërore beson, ndër të tjera, se “ndërtesat” e larta, të cilat mund të “kanë një ndikim të rëndësishëm negativ vizual” në qytetin lagunor, duhet të ndërtohen larg qendrës së Venecias.

Venecia, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe jetën artistike evropiane, ka pritur shumë artistë.

Shkurtin e kaluar, për shkak të thatësirës së madhe, gondolat, taksitë e ujit dhe autoambulancat nuk mundën të lundronin në disa nga kanalet e famshme të saj, ndërsa pas përmbytjeve të nëntorit 2019, disa ndërtesa historike ishin në rrezik./atsh/KultPlus.com

Kompleksi ‘Adem Jashari’ dhe 17 asete të tjera vendosen në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur 18 asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ndër të cilat janë Kompleksi ‘Adem Jashari’, Biblioteka Kombëtare, Kulla e Isa Boletinit dhe Kulla e Sahatit, shkruan KultPlus.

Asetet të cilat tashmë bëjnë pjesë në mbrojtje të përhershme, si asete të trashëgimisë kulturore, janë nga nëntë vende të ndryshme të Kosovës:

Prishtinë:

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”
Biblioteka “Hivzi Sylejmani”
Kulla e Sahatit
Muzeu Kombëtar i Kosovës
Shtëpia e banimit e familjes së Hynilerëve
Xhamia e Çarshisë
Xhamia e Jashar Pashës

Prizren:

Kino Lumbardhi
Kërëk xhamia – Namazxhah
Kompleks banimi i familjes Hadro

Pejë:

Konaku i Tahir Beut
Konaku i Kasapollëve

Gjilan, Përlepnicë:

 Shtëpia e Muhamer Shabanit

Skënderaj, Prekaz:

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”

Vushtrri:

Hamami i Vjetër

Zveçan:

Kompleksi i Kullës së Isë Boletinit

Rahovec:

Kulla e Sahatit

Podujevë:

Lokaliteti Arkeologjik “Vendenis”
Konaku i Tahir Beut
Konaku i Kasapollëve./KultPlus.com

Fermerët meksikanë gjejnë një statujë të rrallë gruaje

Fermerët të cilët kanë gërmuar në toka agrumesh në bregdetin e Gjirit të Meksikës, kanë gjetur një statujë gjashtë metra me figurën e një femre që mund të përfaqësojë një grua elitare apo perëndeshë, ose një përzierje të të dyjave, thanë ekspertët.

Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë tha se është statuja e parë e këtij lloji që është gjetur në këtë rajon.

Statuja e gdhendur ka parukë të punuar dhe shenja statusi që mund të datojë rreth vitit 1450 deri në 1521, shkruan AP. 

Fermerët e gjetën atë në ditën e Vitit të Ri, njoftuan autoritetet. Zona ku u gjet nuk ishte e njohur si zonë arkeologjike dhe besohet se statuja prej guri mund të jetë lëvizur aty nga vendi origjinal ku ka qenë.

“Kjo mund të jetë një sundimtare, bazuar në pozicionin dhe veshjen e saj, më shumë se një perëndeshë”, ka thënë arkeologia e Institutit Maria Eugenia Maldonado Vite. /Koha/ KultPlus.com