Kryevepra e Donizetti-t “Lucia di Lammermoor” mblodhi qindra artdashës edhe në natën e saj të dytë.
Orkestra e TKOBAP-së, nën dirigjimin e maestro Vakhtang Gabidzashvili, kori i drejtuar nga maestro Dritan Lumshi dhe solistët e mirënjohur të skenës sonë, si Ramona Tullumani, Artur Vera, Raffaele Abete, Solen Alla, Matias Xheli, Erlind Zeraliu dhe Marina Kurti, dhuruan një performancë unike për publikun.
Vepra e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, është një dramë që ndërthur dashurinë e ndaluar, tradhtinë dhe çmendurinë dhe u rikthye në TKOB pas 16 vitesh.
Produksioni i ri i veprës operistike pati në rolin kryesor sopranon e mirënjohur në skenat ndërkombëtare, Jessicca Pratt, ndërkohë që 16 vjet më parë roli i Lucia-s interpretohej nga Marjana Leka dhe Oriana Kurteshi.
“Lucia di Lammermoor” është një nga veprat më të rëndësishme që vihen në skenën e TKOB këtë fundviti. Vepra erdhi me regji nga Ada Gurra dhe nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe drejtuesit të korit, Dritan Lumshit.
Opera e Donizetti-t rrëfen fatin e një vajze që lufton për dashurinë, e që nuk pranon të bëjë kompromis./atsh/ KultPlus.com
Interpretuar në dy akte, nën meloditë e muzikës së Pyotr Ilyich Tchaikosvky, baleti “Arrëthyesi” erdhi i bazuar mbi historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjve” nga E.T.A. Hoffmann, mbrëmë brenda sallës AMC. Baleti Kombëtar i Kosovës, Orkestra e Operës së Kosovës dhe Kori i fëmijëve “Okarina” arritën të krijojnë një natë magjike ku u shpalos këndshëm një nga kryeveprat më të dashura të repertorit klasik botëror. Ky balet tashmë është jetësuar për të dytën herë për artdashësit e shumtë dhe duket qartazi që do vazhdojë si traditë vjetore, shkruan KultPlus.
Para se mbrëmja të gjente pikënisjen e vetë, të pranishmit dalëngadalë po zinin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës. Skena gjigante nën kujdesin e Ceren Incedursun, ishte e përshtatur për të rrëfyer historinë e baletit “Arrëthyesi”, një kryevepër e njohur dhe e dashur në mbarë botën për aftësinë e tij për të transportuar audiencën në një botë magjepsjeje, gëzimi dhe nostalgjie. Tërheqja e tij e qëndrueshme buron nga një përzierje e përsosur e muzikës, tregimit dhe kërcimit, secila duke kontribuar në hijeshinë e saj të përjetshme.
Historia e baletit – një udhëtim nga pafajësia e fëmijërisë në sferat fantastike të imagjinatës – rezonoi universalisht. Ka ftuar audiencën të ëndërrojë duke rijetuar frikën dhe mrekullinë e zbulimit të një bote ku lodrat marrin jetë, lulet e borës kërcejnë në harmoni dhe ëmbëlsirat performojnë në festë. Kjo temë mahnitëse, e kombinuar me mjedisin e festave, e bëri “Arrëthyesin” një traditë bazë për familjet në mbarë botën. Vizualisht, “Arrëthyesi” është një festë për sytë. Skenat dhe kostumet luksoze shndërrohen në sfera magjike brenda Mbretërisë së Embëlsirave.
Ishte një pamje e bukur që të krijonte ndjesi të paparashikueshme. Skena qe e veshur me perde në ngjyrë të kuqe, teksa ekrani prapa gjatë aktit të parë shfaqte rënien e borës në mënyrë brilante. Një bredh i vitit të ri me disa dhurata poshtë tij, ishte epiqendra kryesore mbi të cilën rrethoheshin plotë balerinë e bashkë me ta edhe një tregim. Balerinat e vogla në anën tjetër, i dhanë hijeshi skenës teksa këmbët e tyre të vogla kur lëviznin, portretizonin mu atë ndjenjën e ngrohtë të shikuesve të ulur prapa tyre.
Orkestra e Operës së Kosovës në krye kishte dirigjentin Renato Balsadonna dhe asistent dirigjentët, Lirjona Sylejmani dhe Edon Ramdani, të cilët shkëlqyen ta drejtonin orkestrën deri në perfeksion. Instrumentistët në anën tjetër dhanë gjithçka nga vetja. Orkestra nuk qe vetëm një sfond i baletit – por vetë shpirti i tregimit, duke frymëzuar emocione dhe atmosferë në çdo moment. Ata krijuan një vend të çudirave dëgjimore ku çdo instrument u bë një personazh më vete. Telat shkëlqyen si ngrica e parë në një mëngjes dimri, meloditë e tyre i ngrenë lëvizjet e balerinëve në lartësitë qiellore. Së bashku, orkestra dhe balerinët u sinkronizuan në mënyrë perfekte, si dy copëza të një frymëmarrjeje të vetme.
Instrumentistët pikturuan të padukshmen – valëvitjen e borës, vezullimin e dritës së yjeve, shushurimën e ëmbëlsirave të pirueteve në Mbretërinë e Ëmbëlsirave, ndërsa balerinët u dhanë formë të qëndrueshme atyre vizioneve. Çdo notë e shtyu historinë tutje, duke vendosur tonin për skenat e trilleve, rrezikut dhe triumfit. Muzika ka fuqinë të transformojë gjithçka, duke ndezur një magji që zgjat vazhdimisht, dhe këtë e ka krijuar mbrëmë Orkestra e Operës së Kosovës. Muzika ka rezonuar përtej veshit, deri në zemër.
Me muzikën brilante nga Tchaikovsky dhe koreografinë klasike nga Ilir Kerni (sipas Marius Petipa, Lev Ivanov), u përçua një elegancë e festave, një vepër që na transportoi në një botë magjike ëndrrash që mori jetë nga çasti në çast. Ky balet qe një simbol i festimeve dimërore dhe një moment i përkryer për të përjetuar artin në gjithë madhështinë e tij. Gjithashtu, ato që erdhën si një simfoni ngjyrash, teksture dhe imagjinate, ishin kostumet e krijuara nga Elva Bella. Kostumet shkëlqenin nën reflektorët e shumtë të vendosur lartë, (kryesisht në ngjyrë të kaltër). Fustanet portretizuan pafajësi, teksa tregonin për shpirtin e ri të vajzave të reja brenda një aventure. Shumë tuta, shumë kurora, shumë bizhuteri e pëlhura vezulluese që shkëlqyen si vesa e mëngjesit, arritën ta përthekojnë këtë mbrëmje në një histori të bukur elegante dhe magjepsëse.
Po ashtu, si qershi mbi tortë kanë ardhur fëmijët e korit “Okarina”, që i dhanë baletit një dimension hyjnor. Zërat e tyre të pastër e engjëllorë u gërshetuan pa probleme në partiturë. Harmonia e tyre erdhi si një reshje e butë bore – një prani delikate por transformuese që përforcoi magjinë në skenë. Kur zërat e tyre bashkoheshin, duket se i bënin jehonë pafajësisë dhe mrekullisë. Çdo notë dukej se barte shpresat dhe ëndrrat e të rinjve, duke lëvizur nëpër hapësirë dhe duke u vendosur butësisht në zemrat e audiencës.
Por, ylli kryesor, mbrëmë qe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. Lëvizjet e tyre u shpalosën si një përzierje magjepsëse e bukurisë dhe atletizmit, çdo hap një manifestim vizual i muzikës së Tchaikosvky. Balerinët rrëshqitnin shpesh, kërcenin dhe rrotulloheshin si pa peshë, trupat e tyre gjurmonin magjinë e historisë në ajër. Çdo lëvizje kishte kuptim, duke treguar një përrallë ëndrrash, betejash dhe mrekullish. Krahët e tyre valëviteshin si era nëpër degë të akullta, ndërsa piruetet e tyre të sinkronizuara krijuan një stuhi lëvizjesh, duke e kthyer skenën në një vend të çudirave dimërore.
Pastaj, lëvizjet bëheshin të guximshme dhe dramatike. Kërcimet e larta e shpërthyese përçonin guxim dhe vendosmëri, ndërsa nuk munguan as hapat e mprehtë e të tokëzuar. Balerinët pasqyronin përplasjen e forcave, duke ndërthurur tensionin me tekat lozonjare. Çdo variant shfaqte një shije unike kërcimi. Puna delikate në majë të këmbëve dhe hapat e ndërlikuara u interpretuan magjishëm. Ata thuajse fluturonin me fuqi të personazheve të tyre, qofshin ato princërore apo të tjerë. Pati shumë kthesa që treguan forcë e përsosje. Trupa e BKK-së rrëfeu një simfoni të rrjedhshmërisë, teksa lëvizte sikurse një valë që imitonte shpalosjen e butë të luleve. Çdo lëvizje tregonte një kanavacë mrekullie, duke përzier mjeshtërinë teknike me magjinë e tregimit. Balerinët e shndërruan skenën në një ëndërr të gjallë, ku çdo kërcim sfidoi gravitetin dhe çdo kthesë e çoi audiencën më thellë në botën magjepsëse.
Dua të veçoj katër solistët brenda këtij baleti: Mërgime Morina, Fatmir Smani, Jeta Musolli dhe Fisnik Smani. Hijeshia e tyre përfaqësoi një variacion unik në Mbretërinë e Ëmbëlsirave. Ata erdhën si xhevahire në një kurorë, secili duke ofruar një shije të veçantë dhe verbuese të artit. Solot e tyre nuk ishin thjesht kërcime, por histori të treguara përmes lëvizjes ku secila u shpalos me sharmin dhe karakterin e vet. Trupat e tyre të portretizuara si mëndafshi, qenë të mbushur me pakufi të shumtë lëvizjesh. Ritmet e tyre pasqyruan lëvizje të mprehta, të sakta, sikurse tingëllimat e një zileje. Hapat e shpejtë valëviteshin sa majtas e djathtas, për të treguar një ëndërr ngrohtësie. Ata sfidonin çdo gjë që dilte para tyre. Audienca pati rastin të hyjë brenda një shpërthimi energjik që tregonte për një atletikë të pastër, këmbë të fuqishme që tronditën vendin. Ata lanë publikun pa frymë, por edhe u bënë çelësi kryesor që ata të frymonin. Mishëruan elegancën dhe rafinimin. Krahët e tyre gdhendën harqe precize, piruetet vinin si fjolla dëbore. Ekuilibri i tyre dëshmoi magjinë e “Arrëthyesi-t”, duke na dërguar në një vorbull qiellore. Performancat e tyre ishin po aq të ëmbla dhe të larmishme sa edhe ëmbëlsirat që përfaqësonin, duke magjepsur audiencën me mjeshtërinë e tyre lirike dhe duke lënë një ndjenjë të vazhdueshme mrekullie.
Krejt në fund, ishin duartrokitjet e vazhdueshme për secilin protagonist që frymoi në skenë. Ovacion në këmbë kanë përjetuar të gjithë solistët, instrumentistët, dirigjentët dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, por vetëm atëherë kur të gjithë njëkohësisht dolën në skenë. Dukej se duartrokitjet e tyre të vakëta nuk i përshtateshin aspak hijeshisë që “Arrëthyesi” ka paraqitur mbrëmë.
Baleti “Nutcracker” është një udhëtim verbues në një botë ku magjia dhe muzika ndërthuren, duke zgjuar shqisat dhe duke ndezur imagjinatën. Fillon në një prag të ftohtë të Krishtlindjeve, ku një festë madhështore shpaloset në ngrohtësinë e një shtëpie madhështore, e mbushur me të qeshura, të ftuar vals dhe shkëlqimin e një peme të shkëlqyer. Mes gëzimit, Klara e re merr një dhuratë kurioze nga kumbari i saj misterioz Drosselmeyer – një Arrëthyes prej druri që duket se mbart një magji të fshehtë. Ndërsa mesnata godet, Klara e gjen veten në një botë të transformuar ku pema e Krishtlindjes rritet në lartësi të larta dhe Arrëthyesi i saj lind, duke udhëhequr një ushtri ushtarësh lodrash kundër mbretit të frikshëm të miut. Beteja e tyre është e ashpër, por fantastike, me përplasje vezulluese me shpata dhe kërcime lozonjare. Kur fitohet fitorja, Arrëthyesi zbulohet si një princ i pashëm dhe së bashku ai dhe Klara nisin një udhëtim të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet flokëve të dëborës që rrotullohen, ata rrëshqasin në Tokën e Ëmbëlsirave, një mbretëri vezulluese e sunduar nga Zana mbretërore e Kumbullës së Sheqerit. Këtu ata priten me një festë kërcimesh, secila më magjepsëse se e kaluara: ritmet e mprehta të kafesë arabe, kërcimet e zjarrta të kallamishteve ruse, lulet delikate që bëjnë vals në harmoni të përsosur. Çdo lëvizje, çdo notë e partiturës në rritje të Çajkovskit përshkruan një tapiceri të gjallë mrekullie dhe kënaqësie. Kreshendot e baletit me vallëzimin eterik të Zanës së Kumbullës së Sheqerit, lëvizjet e saj delikate dhe të sakta, si modele të gdhendjes së ngricave në xhamin e dritares. Kur ëndrra zbehet dhe Klara zgjohet pranë pemës, kujtimi i kësaj nate magjike mbetet – një kujtim i bukurisë së pakufishme që shtrihet vetëm përtej velit të realitetit.
“Arrëthyesi” do të mbetet një traditë vjetore, ashtu siç ndodh në të gjitha trupat e baletit anembanë botës, dhe mezi po presim atë të vitit 2025.
Krejt në fund, në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me shfaqjen.
“Ky ishte bashkëpunimi jonë i parë si institucion i Operës së Kosovës me Baletin Kombëtar, ku kaluam shumë mirë me premierën dhe sonte besoj njëjtë edhe me reprizën. Arrëthyesi, është vepër që hyn në kategorinë e repertorit të vështirë, ku kërkon trupë profesionale të përgatitur shumë mirë si nga ana e balerinëve, ashtu edhe nga ana e instrumentistëve dhe gjithashtu koreografit e dirigjentit me shumë eksperiencë. Andaj, për orkestrën ishte një sfidë e një provimi të dhënë për këto vepra monumentale të vështira, që kërkojnë pjekuri e pervojë edhe për balerinët, instrumentistët e orkestrat me shumë traditë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Sinan Kajtazi, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës për KultPlus ka thënë se publiku vazhdon të jetë i etur për vepra të tilla.
“Vitin që shkoi, kur për herë të parë realizuam “Arrëthyesin”, pamë se sa i etur është publiku ynë për vepra të tilla, pra për vepra madhështore të repertorit botëror. Ishte krejtësisht e natyrshme që ta konsideronim mbajtjen në repertor të kësaj shfaqjeje çdo dhjetor, dhe këtë vit ashtu vepruam. Si produksion, “Arrëthyesi” këtë vit ishte në një nivel shumë më të lartë se vitin e kaluar, pavarësisht vështirësive teknike që kemi, si mungesa e një teatri të mirëfilltë. Shpresoj që vitin e ardhshëm të arrijmë një nivel edhe më të lartë. Realizimi i një shfaqjeje të tillë, një kryevepër e repertorit botëror si “Arrëthyesi”, na bën një me trupat botërore, të cilat e kanë këtë shfaqje si pjesë të pandashme të fundvitit. Dua ta falënderoj institucionin e Operës së Kosovës për bashkëpunimin në realizimin e shfaqjes këtë vit, si dhe falënderoj të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë dhënë kontribut të çmuar për të sjellë magjinë e “Arrëthyesi-t” për dy net radhazi”, ka thënë ai.
Një nga solistët e baletit Arrëthyesi, Fatmir Smani, për KultPlus potencoi se pati privilegjin për të qenë pjesë e këtij Baleti.
“The Nutcracker një shfaqje festive botërore ku çdo trupë e ka privilegjin ta ketë në repertuarin e tyre në fundvit. Për neve si BKK është viti i dytë me radhë që e kemi në repertuarin tonë. Në këtë shfaqje jam paraqitur në rolin e Princit, një rol mjaft sfidues nga ana teknike e lëvizjeve ku me kënaqësinë më të madhe e kam performuar dhe e kam shijuar pa fund. E gjithë trupa e baletit ka dhënë maksimumin e vetë që të realizohet ky projekt edhe pse pa teatër në një sallë të improvizuar, dhe jemi shumë krenarë për faktin që publiku ka shfaqur një interesim të jashtëzakonshëm dhe kjo na bën edhe më të përmbushur në aspektin artistik, poashtu na jep forcë që t’vazhdojmë përpara duke shpresuar që vitet e ardhshme mos ta gjejë Arrëthyesin pa teatër”, thotë Smani.
Po ashtu, Elikona Hysaj Shala, drejtoresha e korit të fëmijëve “Okarina” për pjesëmarrjen e fëmijëve të këtij kori në këtë projekt gjigand është shprehur tejet e lumtur.
“Përshtypjet e mia sigurisht që nuk kanë të mbaruar për të mirë. Çdo herë në secilën mbrëmje që e shënojmë, bëhet çdo herë më e bukur se tjetra. Kjo vjen falë një emocioni të veçantë nga ky organizim. Përfshirja e Korit Okarina po ndodh për të dytën herë brenda këtij projekti të madh. Kjo shfaqje ka aq shumë elemente brenda, dhe ku kaq bukur e ka shkruar kompozitori Çajkovski, ku ka futur edhe pjesën korale të fëmijëve, jo rastësisht, në aktin e parë. Në gjithë aktin e parë mbizotërojnë fëmijët në skenë dhe baleti kulmon me koralen e korit të fëmijëve në partiturë. Mbrëmë ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Për fëmijët ka qenë një emocion i rrallë dhe një ndjenjë përgjegjësie edhe më e madhe përballë një orkestre dhe trupë e baletit, profesionale. Për në është një kënaqësi e madhe dhe mbi të gjitha një kujtim që nuk do të shlyhet asnjëherë”, thotë Hysaj-Shala.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet e atmosferës festive nga qendra e qytetit të Gramshit, ku dritat shumëngjyrëshe dhe pema e Krishtlindjes janë “kartolina” mikpritëse festive në prag të festave të fundvitit.
Në videon e postuar nga Rama mbrëmjen e sotme në Facebook, shfaqen pamje nga Gramshi, ku një grup fëmijësh kanë dhënë një koncert të veçantë, ndërsa festës i janë bashkuar edhe shumë qytetarë.
Dhjetori është muaji i festave dhe si të gjitha qytetet, edhe Gramshi është përfshirë nga atmosfera e gëzueshme e këtyre ditëve. Përveç pemës së madhe të vendosur në qendër të qytetit, vezullimi i dritave shumëngjyrëshe dhe zbukurimet e ndryshme kanë krijuar tashmë atmosferë festive në këtë qytet./atsh/ KultPlus.com
Në Shkodër u zhvillua në javën e parë të dhjetorit Kupa e Kombit në Paragliding, një nga garat më të rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë.
Në këtë garë që zhvilloi edicionin e saj të parë në Shkodër morën pjesë pilotë nga rajoni dhe më gjerë.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga kjo garë në Shkodër, e cila synohet të kthehet në një traditë.
“Disa nga momentet e Kupës së Kombit në Paragliding, një nga garat më të rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë, që solli pilotë nga rajoni dhe më gjerë në edicionin e saj të parë”, shkruan Rama.
Paragliding është fluturimi me parashutë i cilësuar si sport ekstrem. Në vendin tonë vitet e fundit po organizohen një sërë garash me parashutë, ku të rinj të pasionuar pas këtij sporti fluturojnë në vende të ndryshme të vendit.
Hector Hugh Munro (18 dhjetor 1870 – 14 nëntor 1916), i njohur me pseudonimin Saki e ndonjëherë edhe H.H. Munro, ishte shkrimtar britanik. Mjeshtër i tregimit të shkurtër, shpresh i krahasuar me O. Henryn dhe Dorothy Parkerin; i ndikuar nga Oscar Wilde, Lewis Carroll dhe Rudyard Kipling, vetë Saki nga ana tjetër kishte pasur ndikim të madh tek autorë si A. A. Milne, Noël Coward dhe P. G. Wodehouse
DRAMA E REGINALDIT
Nga Saki
Reginaldi i mbylli sytë me mërzinë e stisur të atij që ka qerpikë paksa të bukur dhe mendon se s’ka asnjë dobi ta pranosh atë fakt.
“Në një prej këtyre ditëve”, tha ai, “do të shkruaj një dramë njëmend të madhe. Askush s’do ta kapë domethënien e saj, por çdonjëri do të kthehet në shtëpinë e vet me një ndjesi të vagullt të pakënaqësisë ndaj jetës dhe mjedisit të vet. Pastaj do t’i veshin muret me letër të re dhe do të harrojnë gjithçka”.
“Po si i bëhet me ata që kanë mure me dërrasa lisi nëpër të gjithë shtëpinë?”, pyeti Tjetri.
“Ata gjithmonë mund të shtrojnë qilima të rinj shkallësh”, vazhdoi Reginaldi, “dhe, sidoqoftë, nuk jam përgjejgjës për audiencën që të ketë fund të lumtur. Shfaqja mund të jetë mjaftueshëm e tendosur në energjitë e veta. Mund ta marr një peshkop që të thotë se ishte e pamoralshme dhe e bukur – asnjë dramaturg s’e ka menduar këtë më parë, secili do ta dënojë peshkopin dhe do të qëndrojnë aty thjesht për shkak të nervozës. Pas së gjithash, lypset një mund i madh i guximit moral për t’u larguar në një mënyrë demonstrative në mes të aktit të dytë, kur dihet se karroca jote nuk do të vijë deri në orën dymbëdhjetë. Dhe do të fillojë me ujqit duke u arrakatur në një vend të shkretë – ti s’do t’i shohësh ata, natyrisht; por do të mund t’i dëgjosh duke ulërirë dhe dukeu kruspullosur, mund ta rregulloj të kem një gjoja aromë ujku përreth dritave të paraskenës. Do të tingëllojë për bukuri në programe, “Ujqit në aktin e parë, nga Jamrach”. Dhe e moshuara Lady Whortleberry, e cila kurrënjëherë nuk i humb premierat, do të piskatë. Prej se i ka vdekur i shoqi i parë ajo është gjithmonë nervoze. Ai ka vdekur krejt papritur duke ndjekur një lojë krikteti në fshat; dy inç e gjysmë shi kishin rënë gjatë shtatë vrapimeve dhe supozohet se e kishte mbytur eksitimi. Sidoqoftë, atë të shkretën e kishte shokuar bukur fort; kishte qenë burri i parë që e kishte humbur, kështu pra, dhe tash ajo përherë piskat nëse ndodh ndonjë gjë tronditëse menjëherë pas darkës. Dhe pasi që audienca ta dëgjojë piskamën e Whortleberryt, mund të fillohet”.
“Po ploti?”.
“Ploti”, tha Reginaldi, “do të jetë një nga ato tragjeditë e vockla të përditshme që i shohim të bëjnë vaki kudo përreth nesh. Në syrin e mendjes sime është rasti i Mudge-Jervisesit, që në një mënyrë jo-pretenduese e ka goxha një intensitet prej Enoch Ardeni* përposh vetes. Ata janë të martuar pak a shumë prej tetëmbëdhjetë muajsh dhe rrethanat kanë bërë që të mos shihen edhe aq shpesh. Me burrin ishte gjithmonë një kuartet ose diçka që duhej të luhej dhe riluhej në pjesë të ndryshme të vendit dhe ajo shkoi me të që të rronte keq me aq seriozitet thua se bëhej fjalë për ndonjë sport. Ai ishte me të, ma ha mendja. Ajo i përkiste Shoqërisë së Shpirtrave të Dashur të Mjerë dhe ata mbajtën rekordin e pothuajse reformimit të një rrobalarësje. Askush kurrë s’e ka reforumuar përnjëmend një rrobalarëse dhe kjo është arsyeja pse gara ishte aq e ngushtë. Mund të shpëtosh punëtoren e pastrimit te të pesëdhjetat me një çaj dhe magnetizmin perosnal, por me rrobalarësen është ndryshe; pagesat janë tepër të larta. Kjo grua pastruese e veçantë, e cila vjen nga Bermondsey, ose nga ndonjë vend i tillë, ishte njëmend një sprovë bukur shpesëdhënëse dhe ata kishin shkuar me mendjen se në fund ajo mund të vihej pa rrezik në dritare si një gjedhe e punës së suksesshme. Kështu e kanë parakaluar atë ‘Në shtëpinë’ e Agatha Camelfordit; ishte një fat i keq i paparë që disa çokollata likeri ishin shkrirë për shkak të mungesës së ftohjes – çokollata të vërteta likeri, me shumë pak çokollatë. Natyrisht alkooli i moçëm ishte derdhur sheshit dhe kishte prekur gjithë grumbullin. Ishte si të gjeje një stallë bukinash në shkretëtirë, siç ishte shprehur ajo paskëtaj duke mbajtur anë. Kur likerërat filluan të kenë efekt, ajo nisi t’iu jepte atyre imitime të kafshëve të oborrit të fermës, ashtu siç i njihnin në Bermondsey. Ajo nisi me një ari vallëzues dhe ti e di se Agatha nuk i tumir vallëzimet, përveçse në Buckingham Palace, nën mbikëqyrjen e duhur. Pastaj u ul tek pianoja dhe ua dha një majmun organoje; vij në përfundimin se u përcaktua për realizmin më shumë se sa për një trajtesë maeterlinckiane të temës. Në fund u lëshua mbi piano dhe tha se ishte një papagall në kafaz dhe besoj se ajo ishte një fjalë e përsosur për një performancë improvizuese, askush nuk kishte dëgjuar diçka të tillë, përveç baroneshës Boobelstein, e cila kishte ndjekur seanca të Reichsratjit austriak. Agatha po mundohet të kurohet në Buxton”.
“Po tragjedia?”.
“Oh, Mudge-Jervisesi. Epo, ata po jetonin goxha të lumtur dhe jeta e tyre martesore ishte një shkëmbim i vazhdueshëm i kartolinave fotografike; pastaj një ditë u takuan në një vend asnjënës ku kuartetet dhe rrobalarëset ishin me bollek dhe zbuluan se kishin mospërputhje të plotë rreth çështjeve financiare. Kishin menduar se më së miri ishte t’i ndanin, ajo do të merrte nën përkujdesje kotelet persiane për nëntë muaj gjatë vitit – ai do t’i merrte gjatë dimrit, kur ajo të jetë jashtë vendit. Ja pra ku e ke materialin për një tragjedi të nxjerrë drejtpërdrejt nga jeta – dhe pjesa mund të quhet ‘Çmimi që ia paguan perandorisë’. Natyrisht duhet t’i përkushtohesh studimit të përpjekjeve të tendencës trashëgimtare kundër mjedisit dhe gjithë gjërave të tjera të këtij lloji. Babai i gruas mund të ketë qenë i dërguar i ndonjë gjykate gjermane të vogël; kjo është arsyeja pse ajo ka pasionin t’i vizitojë të skamurit, pavarësisht edukimit më të kujdesshëm. C’est le premier pa qui compte, siç tha qyqja kur i gëlltiti prindërit birësues. Kjo, mendoj, është goxha me mend”.
‘Po ujqit?”.
“Oh, ujqit mund të jenë një lloj nënrrjedhe bishtnuese në prapaskenë që kurrë nuk mund të shpjegohet në mënyrë të kënaqshme. Pas së gjithash, jeta gëlon me gjëra që nuk kanë shpjegime tokësore. Dhe kurdo që personazhet nuk mund të mendojnë për asgjë briliante për të thënë rreth martesës apo Zyrës së Luftës, mund të hapin një dritare dhe të dëgjojnë ulërimën e ujqve. Por kjo mund të jetë bukur e rrallë”.
Shënim:
Enoch Arden – poemë narrative e Alfred Tennysonit.
/Marrë nga ‘The Best of Saki’, Penguin books, 1994/ Gazeta Express/ KultPlus.com
“Tmerri i vërtetë i ekzistencës nuk është frika nga vdekja, por frika e jetës. Është frika e zgjimit çdo ditë për të përballuar të njëjtat beteja, të njëjtat zhgënjime, të njëjtat dhimbje. Është frika se asgjë nuk do të ndodhë kurrë, siç është mungesa e ndryshimit, kur ndjen se je i bllokuar në një cikël vuajtjesh që nuk mund t’i shpëtosh dhe në atë frikë, ka dëshpërim, një dëshirë për të ndryshuar diçka, çdo gjë, për të thyer monotoninë, për t’i dhënë kuptim përsëritjes së pafund.”
Albert Camus botoi romanin e tij të fundit, “Rënia” (frëngjisht: La Chute), në vitin 1956, disa vite para vdekjes. Vepra e fundit u shoqërua nga polemika të shumta: ndërsa reputacioni dhe popullariteti i tij si shkrimtar u rrit deri në atë pikë sa u nderua me çmimin Nobel për letërsinë. Nga ana tjetër, kolegë dhe miqtë e tij si Jean-Paul Sartre dënuan pasivitetin dhe pacifizmin e tij për Algjerinë (kolonia franceze ku u rrit Camus) e cila po kalonte një luftë të përgjakshme pavarësie. Miku i tij Romain Gary do të tregonte më vonë se Camus kaloi një periudhë depresioni dhe mendimesh për vetëvrasje.
Ky informacion bëri që kritikët letrarë të kuptonin shpejt se Rënia ishte shkruar si rezultat i gjendjes mendore të Camus; shumica e njerëzve mendonin se libri nuk ishte vetëm i ndërlikuar dhe i vështirë për t’u kuptuar, por edhe shumë i zymtë për një ndër figurat kryesore të ekzistencializmit francez. Megjithatë, romani mund të jetë me siguri një nga shkrimet më të trishtuara të Camus, por kjo nuk do të thotë se mesazhi i tij është ai i humbjes dhe mungesës së shpresës. Ndonjëherë romanet e errëta, të tilla si Udhëtimi i Céline në fund të natës, në fakt, mbyllen me përfundimin se pavarësisht nga aspektet zhgënjyese të njerëzimit, ia vlen të krijosh art që t’iu kujtosh njerëzve se ne duhet të këmbëngulim. Rënia i reziston mesazhit të mungesës së shpresës dhe në vend të kësaj autori argumenton me anë të kundërshembullit për shpresën.
Komploti i Rënies është shumë i drejtpërdrejtë. Thjesht tregon historinë e një avokati francez të quajtur Jean-Baptiste Clamence, i cili i kalon ditët duke qëndruar në një lokal të Amsterdamit dhe duke i treguar historinë e jetës së tij një francezi tjetër. Rënia, siç kanë vërejtur shumë, ndihet shumë më tepër se një monolog i menduar për skenën sesa një roman. Megjithatë, etiketimi i tij si roman ka efektin që lexuesi të vijë për një rrëfim të organizuar (pak a shumë si në çdo roman tjetër të Camus-it) dhe në vend të kësaj gjen një burrë që zhurmon pothuajse pandërprerë për ditë të tëra. Ai rrëfen se jetoi i lumtur si avokat në Paris duke bërë vepra të mira për bashkëqytetarët e tij, derisa kuptoi se në të vërtetë i bënte ato vepra më tepër për t’u admiruar nga të tjerët dhe jo për t’i ndihmuar ata. Si e zbuloi ai këtë?
Gjithçka nisi një natë kur, ndërsa ishte i vetëm duke vëzhguar ujërat e Senës, pa një grua që hidhej nga një urë për të kryer vetëvrasje dhe ai vendosi të mos ndërhynte. Ndërsa u bë më i zhgënjyer me veten dhe jetën, ai kuptoi se kishte abuzuar me gratë me të cilat ishte në lidhje dhe ishte sjellë deri atëherë sikur nuk donte askënd përveç vetes.
Veprime më të tmerrshme nga Clamence pasojnë rrëfimin e tij. Për shembull, teksa hante karavidhe në një restorant të bukur, ai u bëri thirrje punonjësve të dëbonin një të pastrehë të uritur, i cili i lutej për para. Dhe kur shpërtheu lufta, ai u arratis në Afrikë, ku u dërgua në një kamp përqendrimi në Libi. Aty piu pikat e fundit të ujit që ishin në dispozicion, edhe pse pa një shok të burgosur të vdiste nga etja. Përfundimisht, ai shkatërron statusin e tij si një avokat i besueshëm dhe tërhiqet në Amsterdam, ku takon njerëz si bashkëkombësi i tij francez, tek të cilët shpreson të konvertohet në filozofinë e tij. Sipas Clamence, nuk ekziston Gjykimi i Fundit përtej jetës, sepse njerëzit e gjykojnë dhe e dënojnë njëri-tjetrin në Tokë. Ashtu si në romanet e tjera të Camus, protagonisti pretendon se kuptimi i jetës nuk është i paracaktuar nga figura hyjnore, por përkundrazi i brumosur nga vetja. Megjithatë, shumica e njerëzve refuzojnë të ndihen përgjegjës për zgjedhjet e tyre dhe përsëriten në të gjitha llojet e shpjegimeve për ta larguar këtë përgjegjës nga vetja, duke ia faturuar të tjerëve.
Nuk është për t’u habitur që monologu i Clamence i ka bërë lexuesit të mos ndihen rehat. Ashtu si Bardamu i Céline në Udhëtimin drejt fundit të natës, Clamence është një njeri i papëlqyeshëm dhe egoist, i cili nuk ka frikë të ekspozojë anën e tmerrshme të njerëzimit. Megjithatë, ashtu si në rastin e Bardamut, duhet t’i rezistojmë tundimit për të kuptuar nihilizmin e protagonistit-narrator si filozofia e jetës që njerëzit duhet të ndjekin. Ata gjithashtu duhet të ndihmojnë në pyetjen e nocionit të dashurisë për veten: deri në çfarë mase është e shëndetshme të duash veten? Klamences e pëlqente veten aq shumë sa nuk ndjeu asnjë dhembshuri për njerëzit përreth tij. Qëndrimi i tij i keqardhur ndaj të shkuarës e bën atë një figurë më simpatike, edhe nëse rezultati i këtij qëndrimi ka qenë tërheqja dhe veçimi nga shoqëria. Në fund, edhe nëse Klamence ka një nivel delirant të të kuptuarit të aftësive të tij profetike, jeta e tij shërben si një kujtesë për pikëpyetjet që shoqërojnë jetën tonë.
Rënia është një kritikë e borgjezisë evropiane perëndimore dhe luftës dhe pabarazisë që e shoqëron atë. Zhgënjimi i Clamence ndaj njerëzimit, si dhe përfshirja e tij e vazhdueshme me të huajt për t’i zgjuar ata, flet për nevojën e vazhdueshme të shkrimtarit për t’u përfshirë, edhe nëse zgjidhja e vuajtjes njerëzore nuk është më e qartë për të, ashtu siç është për personazhet e tij.
Studentët e Fakultetit të Letërsisë Shqipe organizojnë takim me shkrimtarin Primo Shllaku, në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, shkruan KultPlus.
Në këtë takim letrar do të diskutohet me shkrimtarin e njohur mbi veprat dhe veprimtarinë e tij.
“Të gjithë studentët dhe të interesuarit janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë, ku do të kenë mundësinë të dëgjojnë nga vetë shkrimtari dhe të diskutojnë mbi veprat e tij. Mos e humbisni këtë rast të shkëlqyer për t’u frymëzuar me një nga zërat më të njohur të letërsisë sonë!”, thuhet në komunikatë.
Takimi letrar mbahet më 19 dhjetor, në orën 13:00./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo takua me sekretarin e Marinës së ShBA-së, Carlos Del Toro.
Me këtë rast, Osmani e falënderoj atë për pritjen e ngrohtë dhe bisedën e gjatë që e patën mbrëmë.
Shefja e shtetit, dha disa detaje nga ky takim. ku tregoj se për çfarë kanë biseduar.
Sipas Vjosa Osmani, tema kryesore ishte forcimi i marrëdhënieve dhe mbështetjen e vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë dhe sigurisë.
”Kosova dhe SHBA ndajnë lidhje të forta të ndërtuara mbi respektin reciprok dhe vlerat e përbashkëta. Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë (WPS) dhe thellimin e bashkëpunimit tonë për një të ardhme më paqësore dhe të sigurt.”, shkroi Osmani në X.
U bënë 10 vote që ai është larguar, për të lënë pas një emër që e skaliti hirshëm dhe një vepër që peshon në traditën e shqipshkrimit. Ikën për të mbetur një kujtesë që thotë shumë. La Shkodrën, pasi ajo e kishte lënë atë zemërlënduar.
E brakti përgjithmonë këtë qytet, i cili sipas tij “…të fut ne mendime të thella dhe të trishton. Të trishton sepse nuk jeton si nje qënie e gjallë, por si një arkiv që ngërthen në vetvete 2500 vjet histori. Dremit në këtë lëmsh të gjatë kohërash dhe mbrohet me këtë lëmsh të gjatë kohërash. Djepi i kulturës, djepi i kësaj dhe asaj… Mund të ketë qene po tani i ka mbetur fëmija në djep! E fikëm, e morëm në qafe kete qytet, duke e mbrojtur me histori.”
“Shkodra duhet të vështrojë përpara, pa e harruar kurrsesi të kaluarën e saj dhe pa e kthyer kurrsesi në mit atë.” këshëlloi ai në një shkrim të publikuar në “Koha Jonë”, 22 vite më parë, tamam sikur të shkruante sot. Megjithatë ai iku pa pritur përmbushjen e porpsis së tij.
Skënder Drini, është një nga largimet e atyre që marrin në udhën pa kthim, shumë më pak se ç’lënë. Është gjithnjë një ikje e pakohë, një lamtumirë që lë zemra të krisura e dhimbje të tendosura. E tillë ishte ikje e tij, e shkrimtarit dhe intelektualit, njeriut të përkorë e shpirtit të lënduar, qytetarit të mirë e ngadhënjimtarit të paepur.
Iku si gjithë të tjerët, por ajo që la pas ishte ajo që do ta mbajë përgjithnjë këtu mes nesh, vepra. Një vepër që u shkrua në dy kohë dhe mbeti vlerë e përgjithmonshme.
KRONIKA E 10 VITEVE ME PARE
Në agun e 16 dhjetorit 2014, pas një kome disaditore ka ndalur zemra e shkrimtarit Skënder Drini. Shërbim i reanimator i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nuk ka mundur ta mbajë në jetë zemrën e 79-vjeçarit, që u shua duke u këputur bashkë me gjethet e mbrame të fundvjeshtës.
Prej mëse dy javësh, i sëmbuar nga lëndimet agresive të shëndetit, ai ishte ndarë nga Shkodra për t’u lënë dorzanë mjekëve të Kardiologjisë në QSUT, të cilët e diagnostikojnë me një sëmundje koronare. Për ironi të fatit, pas tre ditëve të ardhjes në Tiranë ai goditet nga një atak cerebral duke rënë në koma, prej nga nuk do të dilte më.
Voskopoja ku ai u lind më 1935-ën, Shkodra ku ai jetoi me bashkëshorten dhe solli në jetë pothuaj pjesën më të madhe të kolanës së tij krijuese, mishëruan në këtë gjenezë kumtesh të zëshme ngadhnjimtarin në një të tashme harrimi.
Ndërsa ai merr rrugën e përjetësisë, më ndërmendet kur e takova sfundiherë para do vitesh në një kafe mëngjesore në Shëngjin, bashkë me mikun tim, Tonin Çobani. Nuk më shqitet ai portret, ai zë që sipas kolegut Xhahid Bushati, ngjan si një serenatë e harruar korçare, por edhe si një jare shkodrane ende e pamësuar deri në fund…
Ai ishte tekstshkrues i veçantë dhe një prej zërave më origjinalë të letërsisë sonë. Skënder Drini aktin e tij krijues e ka të kurorëzuar në caqet e dy epokave, duke mbetur gjithherë i njëjti në mëtim e ngjizje. Në periudhën e socrealizmit, krijimtaria e tij ka kulminacionet e veta, siç janë romanet “Vraje tradhtinë”, “Shqipja e kreshtave tona”, “Shembja e idhujve”, “Midis dy kohëve”, “Bajram Curri”, “Rruga e njeriut”, “Kirurgët”, “Njerëzit dhe deti” etj., vëllimet me tregime: “Tregimet e së shtunës”, “Tregimet e veriut”, “Kompania e katërt” (tregime për fëmijë, disa prej të cilave janë përdorur si librete filmash) etj. Pas viteve ’90, viteve të transformimeve të hovshme, Skënder Drini ka sjellë në jetë romanet “Eklipsi i hënës”, “Ishulli i qetë”, “Nata është grua”, “Korbi”, “Parajsa e gjenive”, “Planeti i lodhur” etj., disa vëllime me tregime ndër të cilët spikat “Klas”, libri mjaft interesant me aforizma “Përballje” dhe dy vëllime me shkrime publicistike.
Kjo krijesë e paepur e vullnetlirë diti dhe mundi të ishte vetvetja në kapërcyell të kohërave dhe të ndryshesave që e goditën thekshëm tabanin e vlerave të njimenta të letrave shqipe, duke e lënduar edhe ëndrrën dëshiruese të këtij shkrimtari sqimatar. Vepra e Skënder Drinit ngërthen në vetvete larmi tematikash e motivesh, në qendër të të cilave ai sendërton njeriun e bashkëkohjes dhe individin e dimensioneve historike, jetësimi i të cilave domosdo duhet të kalonte përmes një kalvari të gjatë përpjekjesh dhe sprovash.
Botimet e tij zanafillore, edhe pse për jetën dhe botën e fëmijëve, zgjuan interes dhe kumtuan se në skenën e letërsisë shqiptare po gufonte një zë i veçantë, një syth mëtimesh dhe andjesh të epërme krijuese. Më pas, kjo pemë harliset në ciklin e saj vegjetativ, vijnë botimet e tjera, vëllimet me tregimet e veçanërisht romanet. Krejtkëto kapërcyen pritshmërinë duke ardhur si befasi krijuese.
Lexuesit e vëmendshëm dhe kritika panë në këto vepra një stil e ngjyrim emocional të veçantë. Qëmtuan se si ndërthureshin harmonikisht tek ai shkrimtari, historiani, filozofi, analisti e politologu, një shkrimtar potent që sillte me art e kulturë realitete të ndryshme historike e bashkëkohëse, të mbështjella me një tis filozofik e frazë ekspresive që të bënte për vete.
Duke qëmtuar në tjetër dimension të korpusit të këtij personazhi, mëtojmë se Skënder Drini përgjatë viteve 1992-1997 ka shërbyer si diplomat në Turqi, sekretar i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Në rrafshin kultural gjejmë tek ky ngulmëtar dijetues, poliglotin. Gjuhët që ai zotëronte ishin italishtja, frëngjishtja, turqishtja, anglishtja, serbo-kroatishtja dhe rusishtja. Shkrimtari Skender Drini është laurat i Çmimit të Republikës.
Në konkursin mbarëkombëtar të shpallur para disa vitesh nga gazeta “Drita”, Skënder Drini me tregimin “Korbi”, i cili më vonë jetësohet në roman me të njëjtin titull, fitoi çmimin e parë. Për vitin 2013, ai u votua në faqen e shoqatës së spektakleve “Buna1” në internet, si shkrimtari më i mirë i vitit. Për shumë kritikë, Skënder Drini ishte një gur themeli në prozën shqiptare bashkëkohëse. Moikom Zeqo e ka renditur veprën e Skëndër Drinit krahas Petro Markos, Jakov Xoxës, Dritëro Agollit apo edhe Ismail Kadaresë. Sipas tij, Skënder Drini u ka dhënë shumë interesave atdhetare të shqiptarëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës edhe më tej. Zeqo në një të përditshme ka cituar ndër të tjera se “Ajo që më ka habitur te ky njeri, është se ky kishte një status me ekonomi të mjeruar”.
Duke patur një pension të vogël vetë, dhe gruaja duke mos patur pension fare, ai nuk ishte ankuar asnjëherë. Por megjithatë shumë njerëz e kanë dashur dhe e kanë ndihmuar që të botojë librat. Librat nuk botoheshin pa para dhe miqtë e shokët, duke e njohur nga afër dhe duke ia njohur vlerat e tij artistike, e kanë ndihmuar që t’i botonte. Libri i fundit me tregime i Skënder Drinit është botuar nga “Zenit” dhe titullohet “Klas”, libër i cili mbyll kolanën e këtij dishepulli të letërsisë shqipe, këtij veprimtari të paepur dhe iluminist.
Dhe vjen një ditë që hapat e lehtë të këtij burri që duket se gufon prej legjendash, ndalen. Zënë të shtangen si në një shkrepje, e mbramja shëtije nëpër Shkodër. Nuk bën më përpara, barra e rëndë e halleve dhe heka e përditshme, e një burri me një grua të sëmurë prej shumë vitesh, puna dhe shërbesa e palodhur e të cilit, më shumë se asnjë zemër, thyejnë atë të Karolinës, dashurisë së tij të madhe, dhimbjes së tij të trishtë. Ka humbur edhe Shkodra, qyteti që u rrit dhe jetoi me të, qyteti i cili iu bë prehër, e varr./oranews/ KultPlus.com
Në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës në Slloveni, Kori i Filharmonisë së Kosovës është prezantuar me një koncert në sallën “Marjan Kozina”, në Ljublanë, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert të mbajtur përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, u interpretuan vepra nga kompozitorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, si Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole dhe Hajrullah Syla.
Përpara publikut u prezantuan gjithashtu edhe vepra nga kompozitorë ndërkombëtarë, si Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Laura Jēkabsone dhe Jake Runestad.
“Performancat e mrekullueshme nga solistët dhe Kori i Filharmonisë u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku.
Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30″, thuhet në njoftimin e MKRS./ KultPlus.com
Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, “Hyjnesha në Fron” është mbyllur. Në natën finale të këtij edicioni janë ndarë 10 çmime për dy kategori kryesore: filma të shkurtër dhe filma të gjatë.
Çmimet për filmat e shkurtër:
Filmi më i mirë i shkurtër: Rreth
Skenari më i mirë: Siasar
Regjia më e mirë: The Lady with the Blue Tag
Aktorja më e mirë: Adriana Matoshi
Çmimi special “Hyjnesha në Fron”: The Steak
Çmimet për filmat e gjatë:
Filmi më i mirë i gjatë: Këtu Vallezohet me Hijet
Skenari më i mirë: The Stranger’s Case
Regjia më e mirë: The Stranger’s Case
Aktori/Aktorja më i mirë: Jason Beghe
Çmimi special “Hyjnesha në Fron”: The Last Days of Sulukule/ KultPlus.com
Revista spanjolle “ABC Color” e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve më të mira për t’u vizituar në 2025.
Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, turistët po kërkojnë vazhdimisht destinacione të reja që ofrojnë përvoja autentike dhe vendpushime më pak të populluara.
Gjatë vitit 2025, disa vende janë vendosur nën radarin e turistëve që duan të eksplorojnë përtej qyteteve dhe shtigjeve konvencionale.
Cilat janë destinacionet turistike në zhvillim për vitin 2025? Shqipëria është një nga vendet që po fiton popullaritet dhe vazhdon të ruajë hijeshinë e saj.
Shqipëria: Sekreti i Evropës – i ruajtur më së miri
E vendosur në Evropën Juglindore, Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të ri tradicional turistik.
Me historinë e saj të pasur që shtrihet nga kohërat e lashta deri në epokën komuniste, Shqipëria ofron një përvojë unike kulturore.
Qytete si Berati dhe Gjirokastra, të dyja vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të magjepsin me arkitekturën e tyre të lashtë osmane dhe peizazhet malore.
Përgjatë Rivierës Shqiptare, vizitorët mund të shijojnë disa nga plazhet më të pacenuara të Mesdheut, si plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut, pa turma turistësh që zakonisht i gjeni në vendet fqinje.
Destinacionet e vitit 2025 që po fitojnë popullaritet në mesin e turistëve ndërkombëtarë janë:
Shqipëria Gjeorgjia Ishulli Sal, Kepi Verde Butani Kolumbia/ atsh/ KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave u zhvillua mbledhja e Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë, me pjesëmarrjen e anëtarëve të komisionit dhe grupit të punës për strategjinë e kërkimit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.
Mbledhja u kryesua nga prof. dr. Anila Omari, kryetare e Komisionit të përhershëm të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.
Diskutimet u përqendruan në projektin e strategjisë së kërkimit shkencor, e cila do të finalizohet në ditët në vijim, si dhe në planifikimin e aktiviteteve për vitin 2025. Akademia e Shkencave bëri me dije se u diskutua nevoja e përditësimit të disa çështjeve të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pa prekur parimet themelore.
Ndër propozimet e miratuara ishin: Organizimi i një tryeze pune për drejtshkrimin, ku do të trajtohen çështje si përdorimi i shkronjës së madhe, shkrimi i emrave të përveçëm të huaj dhe fjalët e përbëra me vizë ose zanore lidhëse. Si edhe përfshirja e një grupi pune të specializuar për këto çështje, duke bashkëpunuar me gjuhëtarë nga Kosova. Gjithashtu, u diskutua për mundësinë e organizimit të një veprimtarie ndërdisiplinore kushtuar Peter Priftit./atsh/KultPlus.com
Në Gjirokastër dhjetëra kostume traditcionale janë duke u restauruar prej mjeshtrave lokalë e njëherazi po frymëzojnë krijimin e kostumeve të reja sipas modeleve origjinale. Gjirokastra me shtatë zona etnografike kishte të zhdukur pothuajse deri tek ekzemplarët e fundit më shumë se dhjetë kostume të zonave të ndryshme.
Lizeta Hatika që po risjell në jetë elementë të veshjes të disa zonave prej vitesh realizon qëndisjen e tyre për porosi që vijnë nga grupet folklorike, emigrantët dhe qytetarë që i kanë rikthyer ato si pjesë e ritualeve të festave dhe dasmave.
“Pjesa më e madhe e porosive vijnë nga emigrantë jashtë Shqipërisë të cilët bëjnë porosi për evente të ndryshme familjare. Vitin e kaluar dhe sivjet janë bërë shumë porosi për fejesat dhe dasmat që ata bëjnë në vendet ku jetojnë.
Sipas saj ngjyrat dhe motivet origjinale të këtyre veshjeve shekullore duhen kuruar nga ekspertë të etnografisë për të mos patur deformime ndërsa së fundi ka edhe përpjekje për risjelljen e materiale origjinale.
“Duhen përpjekje akoma më të mëdha dhe duhet të mblidhen komisione apo grupe etnografësh të cilët janë të njohur në këtë fushë për të vënë në vend çdo gjë që ne kemi si pjesë e trashëgimisë kulturore. Rëndom po shohim që po deformohen shumë kostume.
Ka përpjekje për të krijuar materiale autentike siç kanë qenë dikur. Janë disa artizanë që e kanë marrë shumë seriozisht dhe kanë filluar të punojnë ato materiale ashtu siç kanë qenë fijet dhe materialet e linit dhe shajakut.”
Vitet e fundit kostumeve të grupeve folklorike i janë rikthyer elementë të rrezikuar të traditës që nga kalcat e burrave, bohçatë e grave, përparëset, shamitë, këmishat dhe opingat e qëndisura. Ekspertët pranojnë se me vitet shumë materiale po ndryshojnë për shkak të humbjes së prodhuesve të shajakut e përpunuesve të leshit por besohet se humbja e pandalshme e elementëve të trashëgimisë që vihej re gati një dekade më parë tashmë është ndërprerë./tema/KultPlus.com
STEM për të GJITHË – Projekti STEFORA ka realizuar një sërë aktivitetesh për forcimin e Programeve STEM në Kosovë dhe Shqipëri, veçanërisht duke rritur gjithëpërfshirjen dhe duke inkurajuar regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve për grupet e nënpërfaqësuara, si gratë dhe pakicat në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, dhe Matematikë (STEM). Ky projekt mbështetet nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Europian dhe zbatohet në partneritet nga gjashtë institucione të arsimit të lartë në Kosovë, Shqipëri, Suedi dhe Irlandë.
Shtyllë kryesore e këtij projekti ishte zhvillimi i tre moduleve arsimore me fokus në Qytetari Digjitale, Parimet e Dizjanimit Universal, dhe Përvetësimi i Qasjes Kritike ndaj Normave Shoqërore.
Moduli për Qytetarinë Digjitale fokusohet në:
Kryqëzimin e kompetencave të Qytetarisë Dixhitale me Institucionet a Arsimit të Lartë
Ndërthurja e kompetencave të Qytetarisë Dixhitale me përfshirën e grave në fushat STEM
Politikat dhe praktikat më të mira për të mbështetur zhvillimin e kompetencave të Qytetarisë Dixhitale
Moduli i dytë është i fokusuar në Zbatimin e Parimeve Universale i cili veç të tjerash nxjerr në pah dizajnin gjithëpërfshirës që synon të krijojë hapësira, produkte dhe përvoja që janë gjithëpërfshirëse dhe që iu përgjigjen nevojave të grave. Duke sfiduar normat tradicionale dhe duke promovuar diversitetin, parimet e dizajnit që përfshijnë gratë jo vetëm që promovojnë barazinë, por gjithashtu rrisin përvojën e përgjithshme të përdoruesit.
Diskutim në fokus grupe, UET, Tiranë, 2023
Së fundi, moduli i tretë përqendrohet në adaptimin e qasjes kritike ndaj normave ekzistuese. Ky modul ofron udhëzime se si të integrohet qasja kritike ndaj normave ekzistuese në STEM dhe të pajisë stafin akademik me njohuri dhe aftësi për të sfiduar normat kulturore, paragjykimet dhe stereotipet gjinore në fusha të tilla.
Bazuar në këto materiale, konzorciumi STEFORA ka realizuar një sërë trajnimesh gjatë të cilave më shumë se 70 pjestarë të stafit akademik dhe administrativ nga universitetet partnere në Kosovë dhe Shqipëri janë trajnuar mbi qytetarinë digjitale, parimet universale dhe adaptimin e një qasjeje kritike ndaj normave ekzistuese. Materialet e tilla janë të qasshme falas përmes faqes së internetit STEFORA nën STEM Observatory.
Trajnim në Pedagogji Gjithpërfshirëse, IBC M, Mitrovicë, 2023
Për më shumë, konzorciumi i STEFORES është bërë partner i EU STEM Coalition i cili punon me akademikët, industrinë, dhe organizata në shtetet e ndryshme të Europës për avancimin e programeve STEM. Kjo ndihmon në zhvillimin e programeve STEM në Kosovë dhe Shqipëri në
përputhshmëri me standardet që aplikohen në Europë duke rritur kështu kualitetin e edukimit dhe reputacionin e programeve STEM në Kosovë dhe Shqipëri.
Vërejtje: Ky dokument është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e konsorciumit STEFORA dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Fëmijët e vendlindjes sime varg kah përrenjtë rrjedhin
Ti krua ëndërron detin dhe rrjedh me etjen time
Abdylatif Arnauti, me origjinë nga një fshat i Vushtrrisë, është pa dyshim emri më i dëgjuar në mesin e “arnautëve” të Sirisë. Poet dhe publicist i njohur, Abdylatifi ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të madhe për njohjen dhe prezantimin e letërsisë shqipe jo vetëm në Siri, por edhe në vendet e tjera arabe.
Krahas botimit të letërsisë shqipe në botën arabe, ai ka shfaqur interesim edhe për botimin e poezive të veta në gjuhën shqipe. Fryt i këtij interesimi është përmbledhja Përtej maleve, deteve, e botuar në Prishtinë në vitin 1981, si dhe vëllimi Zjarri i mallit, i botuar në Tiranë më 1985.
Malli për dheun e të parëve është lajtmotiv i poezisë së Abdylatifit. Ai e mban atë me vete kudo, si një shenjë në trup a plagë në shpirt, ashtu siç e mban edhe mbiemrin “Arnauti” si një lloj pasaporte për origjinën dhe identitetin e vet.
Poezia e Abdylatif Arnautit, sikurse edhe ajo e poetëve të tjerë të diasporës shqiptare, është një “medalje me dy faqe”: në njërën anë mesazh malli e dashurie për dheun e të parëve, kurse në anën tjetër dëshmi tragjike e “gjakut tonë të shprishur”, siç do të thoshin vëllezërit arbëreshë, të shpërndarë në të katër anët e botës.
Vjersha Krua i fshatit tim poetizon një motiv të njohur të lirikës shqipe – dhe veçanërisht të asaj të krijuar në mërgim – atë të kroit të vendlindjes. Tema e kroit, e shndërruar në poezinë shqipe në një topos, gjen tek ai një trajtim të veçantë e origjinal, aspak idilik. Vjersha hapet me një apelativ: “o, krua”, për të vijuar me një përcaktim inventiv të objektit të këngëtimit, kroit të vendlindjes, të cilin poeti e quan “fëmijëria e tim eti” dhe “pleqëria ime”, me ç’rast fjala fëmijëri i atribuohet njeriut të moshuar, babait, që mbase nuk rron më, kurse fjala pleqëri pasardhësit të tij. Pason një varg tek, në të cilin poeti, duke kuvenduar me kroin si me një qenie të gjallë, që ka zemër, përsërit tri herë fjalën ujë: Zemra jote ujë ujë ujë. Uji, siç dihet, në poezi është simbol i jetës; i rrjedhës së saj të përhershme. Murmurimat, vetëtimat, dëborat dhe ngricat mund t’i sjellin atij (kroit) trishtim të përkohshëm, por nuk arrijnë dot kurrsesi t’ia ngrijnë zemrën dhe t’ia ndalin rrjedhën. Poeti përdor fjalën “gulim”, një variant lokal i fjalës onomatopeike gurgullimë. Në vargjet pasuese rishfaqet edhe një herë imazhi i kroit të vendlindjes që rrjedh kah deti, ndërkohë që fëmijët e saj rrjedhin kah përrenjtë dhe sajohet një kontrast i fuqishëm, që përftohet nëpërmjet pranëvënies së fjalëve: fëmijëri-pleqëri, ujë-etje, përrua-det etj. I këtij fahu është edhe përfundimi mbresëlënës i vjershës: “Ti krua/ ëndërron detin/ dhe rrjedh me etjen time”.
Tri vargje nga vjersha monumentale e Lasgushit, Kroj i fshatit tonë, të vëna si moto në krye të vjershës, luajnë rolin e paratekstit (sipas Zhënetit), që prodhon efekte të caktuara, ndër të tjera, edhe atë të ndërlidhjes së poetit “arnaut” me origjinë nga Kosova, që jeton e krijon në Damask të Sirisë, me traditën e poezisë shqipe.
(Marrë nga libri i profesor Agim Vincës “Këngë e hapur: Antologji e komentuar”, Prishtinë 2005)/ KultPlus.com
Libri “Muzikantët” i Primo Shllakut është një përmbledhje tregimesh që rrëfejnë për të kaluarën dhe aktualitetin shqiptar, me një gjuhë të pastër dhe me një stil të pasur. Pjesa më e madhe e librit është novela “Muzikantët”, nga e ka marrë edhe titullin vepra, ndërsa tregimet e tjera janë: “Loja”, “Unaza”, “Pema në mes të sheshit” dhe “Të nesërmen e barbarëve”.
Ag Apolloni
Të gjitha tregimit e këtij libri janë sa aventura në kujtesën emocionale të autorit, aq edhe përvoja kulturore të tij në kontakt me letërsitë e tjera. Pra, këto tregime përveç që sjellin një përvojë nga realiteti, nga e kaluara dhe aktualiteti, ato sjellin edhe shoqërime të teksteve me drejtime e rryma letrare dhe filozofike europiane, nga të cilat impresionizmi si drejtim letrar modernist dhe ekzistencializmi si rrymë filozofike, alternohen gjithandej nëpër libër. Derisa stili impresionist korrespondon me temën që zgjon nostalgji, qasja ekzistencialiste përfshin gjithë diskursin narrativ me qëllim të thellimit të vertikales semantike.
Të gjitha tregimet e këtij libri janë shkruar si dromca kujtese, herë të autorit, herë të personazheve, prandaj edhe shkalla e motivimit të natyrës fragmentare të tyre është e lartë. Mbledhja e dromcave të kujtesës ka krijuar atë që Derrida e quante diskurs brikolar, kur i referohej përzierjes së motiveve, fragmenteve dhe stileve. Primo Shllaku ka vënë në praktikë shumë koncepte të teorive letrare aktuale për ta provuar funksionalitetin e tyre. Në këtë mënyrë, ky libër me tregime është gjithashtu një libër me proza eksperimentale, pasi kështu dëshmohet bindja e autorit për eksperimentin si mundësia më e mirë për të sjellë risi.
Primo Shllaku, i njohur kryesisht si poet, edhe në prozë ka integruar mjaft elemente poetike, madje, përveç mbushjes me figura, shpesh diskursi i tij kalon nga gjuha metonimike në gjuhë metaforike, duke e prishur qëllimisht ligjin e Jakobsonit. Gjuha e prozës së tij është një punë me limë, një gdhendje dhe latim prej mjeshtri.
Libri “Muzikantët” i Primo Shllakut është një përmbledhje që përmban brenda një univers narrativ tejet interesant e të paparë në prozën shqipe. Sado që për nga tema, koha dhe hapësira, tregimet kryesisht mjaftohen me hapësirën shqiptare, për nga poetikat që u përmbahen ato mund të shihen në relacion me shumë shkrimtarë modernë dhe bashkëkohorë (Joyce, Mann, Hesse, Camus, Sartre, Buzzati, McCarthy etj.) prej të cilëve Primo Shllaku ka mësuar të shkruajë për “jetën e vogël” (la vie mineure) dhe janë pikërisht këto minirrëfime ato që e rigjallërojnë letërsinë shqipe të lodhur nga metarrëfimet. Ndryshe nga rrëfimet e njohura të letërsisë socrealiste në Shqipëri, të mbushura me ngjarje “madhore”, këto janë kryesisht tregime të mosngjarjeve dhe të ngjarjeve “të vogla”. Pesë partiturat
Tregimi i parë, Muzikantët, në dukje është prozë imazhiste, por që imponohet njëkohësisht si pikturë dhe muzikë. Rrëfimi nga pesë perspektiva narrative dhe nga po aq zëra narrativë, e kthen atë në një lojë vizuale dhe auditive që kënaq syrin dhe veshin e lexuesit. Me gjuhë kinematografike, do të mund të thuhej se ky tregim është një lojë e shkathtë për nga mënyra e këndeve dhe planeve të xhirimit, si dhe për nga mënyra e montimit.
Tregimi “Loja”, proza më dramatike dhe më frojdiste e librit, ka për temë dashurinë, përfshirë edhe atë edipiane. Nëpërmjet lojës, protagonisi rastësisht zbulon fytyrën e vërtetë të së dashurës së tij dhe, pastaj, refuzon maskën e dashurisë të cilën ajo mundohet kot ta mbajë prapë. Për Ninin, protagonistin e tregimit, loja e ka zbuluar të vërtetën, prandaj ai s’pranon ta falë Lelën. Po ta falte, aty do të fillonte loja ku ata do të bënin sikur duhen, sikur dashurohen. Pra, te ky tregim loja e zbulon dashurinë, por dashuria refuzon të jetë lojë. Ashtu si Mario te novela “Mario dhe magjistari” e Thomas Mann-it, , edhe Nini te tregimi i Primo Shllakut, nuk e pranon lojën me ndjenjat më të thella humane. Nini nuk vret, por largohet i zhgënjyer dhe ky zhgënjim na e kujton ikjen e Fridemanit, të një tregimi tjetër të Mann-it, pas refuzimit që i bëhet nga femra të cilën e dashuron. Kështu, “Loja” e Primo Shllakut është një lojë e bukur intertekstuale.
Tregimi “Unaza” trajton krizën e një çifti, nga perspektiva e burrit. Ndryshe nga rrëfimet e autorëve të shekullit XIX që krijuan skemën e dashurisë tragjike nëpërmjet trekëndëshit të ashtuquajtur romantik, ku një pretendent i rritur prish rehatinë e çiftit, në tregimin “Unaza” këtë krizë duket sikur e ka sjellë fëmija i çiftit. Duket se burri ka humbur privilegjin e të qenit lodër argëtuese për gruan e tij, rol ky të cilin e ka zënë fëmija. Në jetën e tij më nuk ndodh asgjë interesante, prandaj ai mendon ta “varrosë” unazën, si simbol të lidhjes tashmë të harxhuar. Ankthi që e shoqëron gjatë “varrimit” dhe pastaj gjatë kërkimit të unazës, tregon se burri ka një ëndërr, që është dëshirë dhe frikë, njëkohësisht.
“Pema në mes të sheshit” është tregimi tjetër që tregon fundin e një peme, shkuljen e një peme nga shtrëngata. Pema ka zënë rrugën dhe personat që mblidhen rreth saj kanë mendime dhe kërkesa të ndryshme për të. Dikush shqetësohet, sepse ajo ka përfaqësuar rrënjët e qytetit, një tjetër bluan kujtimet që e lidhin me atë pemë, një i tretë mendon si ta marrë dhe të bëjë skulptura prej trungut të saj, një person me karrocë që kur kishte qenë i ri kishte rënë nga pema, gëzohet kur e sheh pemën të rrëzuar. Kështu, rreth pemës së rrëzuar mblidhen njerëz të ndryshëm: kryetari, famullitari, historiani, skulptori, inxhinieri dhe qytetarë të tjerë, të cilët e përcjellin pemën në funeralin e saj. Të nesërmen, pasi e kanë prerë dhe larguar çdo shenjë të pemës, kryetari kalon aty ku ka qenë pema dhe sheh vetëm gropën që i duket si plagë: “funerali kishte marrë fund, por gropa kishte mbetë e hapun”. Tregimi i fundit, “Të nesërmen e barbarëve”, ka si impuls autorial kaosin e vitit 1997 në Shqipëri, që më së shumti mund t’u ketë leverdisur pronarëve të dyqaneve të arkivoleve, çfarë është edhe personazhi kryesor i këtij tregimi. Tregimi herë te kujton horizonte të shkreta si në filmat “western”, herë pamje apokaliptike si te “Rruga” e Cormac McCarthy-it. Në fund, pas shkretimit që i është bërë vendit, vjen një femër, e cila me brekët e saj të bardha, duket sikur simbolizon lirinë e abuzuar dhe paqen e lakmuar.
Shpirti dhe maska
“Muzikantët” është një libër i përbërë nga tregime që karakterizohen prej diskurseve që oscilojnë nga stili realist deri tek ai surrealist dhe, në këtë mënyrë, tekstet e tilla fitojnë statusin e surfiksionit. Primo Shllaku luan me perspektiva narrative dhe me zëra narrativë, duke u nisur nga temat e zakonshme për t’u katapultuar në një simbolizëm transcendental. Tregimet e tij krijojnë efekte të forta nga detajet, të cilat fokusohen nga autori për t’u kthyer në sugjestion semiotik. Duke qenë dakord me Truman Capoten se një tregim mund të fundoset edhe nga një ritëm i gabuar në fjali, ose nga një gabim në paragraf apo pikësim, Shllaku na i ofron tregimet si partitura muzikore ku me dorë mjeshtri është fiksuar melodia e gjuhës. Primo Shllaku, i njohur për lirikat e tij të thella, me këtë libër vjen si autor i tregimeve dhe mendimeve të thella. Personazhet e tij, këto maska të ideve që vijnë si rezultat i një meditacioni filozofik autorial, pohojnë mendimin e filozofit Nietzsche se çdo shpirt i thellë ka nevojë për një maskë./KultPlus.com
Kori i Filharmonisë së Kosovës ka dhënë koncertin e parë në Lubjanë, përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë.
Nën drejtimin e Baki Jasharit, koncerti u hap me veprën Music in the Circle nga Mendi Mengjiqi. Violonçelisti Antonio Gashi iu bashkua Korit në interpretimin e O Magnum Mysterium nga Hajrullah Syla, ndërsa programi vijoi me O Salutaris Hostia nga kompozitori slloven Ambrož Čopi, ku soliste ishte Arta Jashari. Seksteti vokal i përbërë nga Selvije Marteti, Shkurte Hykaj, Ilvije Dragusha, Dea Xhemajli, Albana Piperku dhe Diellza Sylejmani dha një interpretim të shkëlqyer të veprës Kuulin äänen nga Laura Jēkabsone.
Në pjesën e dytë të koncertit, u interpretua vepra Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndër nga Baki Jashari, me tekst të Din Mehmetit, ku baritoni Shaban Behramaj u paraqit në rolin e recituesit. Më pas, programi vazhdoi me veprën Ç’u mbush mali nga Vasil Tole, me shoqërimin e pianistit Lekë Salihu.
Pjesa e fundit e koncertit përfshiu interpretimin e veprës In A nga Rafet Rudi, me soliste Kaltrina Miftarin dhe Shkurte Hykajn, pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu, si dhe perkusionistët Patris Berisha dhe Meriton Zajmi. Programi vazhdoi me veprën Cloudburst nga Eric Whitacre dhe u mbyll me Nyon Nyon nga Jake Runestad. Epilogu i koncertit ishte vepra Janinës ç’i panë sytë, me solistët Luan Durmishin dhe Sokol Latifin.
Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30./express/KultPlus.com
Përgjatë fundjavës grupi muzikor italian “Aperitivo Italiane” solli në skenën artistike në Gjirokastër muzikën italiane Jazz. Tre pjesëtarët e grupit interpretuan pjesë të ndryshme muzikore ndërsa koncerti u ndoq me interes nga artdashësit.
“Ishte një publik i mrekullueshëm këtë mbrëmje, artdashës të interesuar, të cilët ndoqën plot interes koncertin duke na duartrokitur në momente të veçanta. Ia kaluam me të vërtetë mirë, u argëtuam dhe shpresoj të rikthehemi”, thotë artisti Alesandro Vuono.
“Për ne ishte me të vërtetë diçka e bukur të vinim në vendin tuaj sepse me popullin shqiptar kemi marrëdhënie të veçanta. Ne jemi nga Jugu i Italisë, kështu që gjithmonë kemi patur një raport të afërt me Shqipërinë. Ishte diçka emocionuese të ndjeje dhe shikojë publikun, i cili nën zë na shoqëronte duke kënduar gjatë interpretimit tonë”, shprehet Francesco Clemente./tvklan/KultPlus.com
Nën siglën “Shtëpia jonë e re” çeli dyert sot për të gjithë vogëlushët dhe jo vetëm, Teatri Kombëtar i Kukullave, në zemër të sheshit “Skënderbej”. Pas shume vitesh mungesë, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti, por edhe të amortizimit të mëparshëm, teatri vjen me infrastrukturë tërësisht të rilindur, në përputhje me standardet bashkëkohore të shfaqjeve audio-vizuale, me një skenë dhe auditor multifunksional, me teknologji moderne dhe imazh të kuruar në detaje.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Teatrit të ri të Kukullave në kryeqytet, ku theksoi se “do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet që të krijojmë sa më shumë hapësira, mundësi dhe të hapim sa më shumë dyer për aktivitete sa më të larmishme për fëmijët e kryeqytetit dhe fëmijët në të gjithë Shqipërinë”.
Në fjalën e tij Rama tha se “më vjen shumë mirë që pas një periudhe relativisht të gjatë mbylljeje për shkak të punës që u desh bërë që të shpëtohej kjo godinë, tanimë dyert e saj u hapën dhe aktiviteti i Teatrit do të rifillojë”.
“Jemi këtu së bashku me miqtë tanë, partnerët tanë të BE-së të cilat kanë qenë krah për krah me ne qysh nga mëngjesi i parë pas tërmetit katastrofik që shkaktoi aq shumë dëme dhe mori jetë njerëzish për fat të keq dhe ndër godinat e dëmtuara ishin një sërë godinash të trashëgimisë kulturore”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “për këtë arsye një program i veçantë u ndërtua në bashkëpunim me ta dhe janë 27 objekte me një vlerë të posaçme për historinë tonë, kujtesën tonë, që falë këtij programi janë kthyer në sytë dhe duart e qytetarëve dhe komuniteteve shumë më bukur sesa ç’ishin më parë”.
Vërtet tërmeti, vijoi Rama, hapi një brimë të madhe në tavanin e kësaj godinë, por gjendja e saj prej kohësh ishte për të ardhur keq.
“Në ndërkohë kishim nisur projektin për një tjetër godinë e teatrit të fëmijëve që tanimë ka filluar të marrë formë diku në anën tjetër të bulevardit të Tiranës ku është edhe hyrja në parkun e qytetit dhe që së shpejti do të çelë dyert me hapësira dhe me një program shumë të gjerë dhe shumë të larmishëm për fëmijët e të gjitha moshave”, theksoi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se “kjo godinë ka një histori, arsye të rëndësishme për t’u mbajtur, mirëmbajtur dhe për gjithë këtë investim që u bë, një investim që është shumë më shumë seç duket në sy të parë sepse siç u pa nga ato pak minuta të dokumentarit është një investim në pjesën e padukshme që është edhe pjesa më komplekse e një teatri. Gjithçka që gjendet në funksion të skenës edhe në funksion të kushteve të domosdoshme”.
“Ky teatër nuk kishte ngrohje dhe ftohje qendrore me parë sot e ka, e kështu me radhë. Përtej këtyre besoj që ky teatër ka një rëndësi të posaçme edhe për faktin që në përgjithësi, qytetet, sot, vendet, zhvillimi sot i infrastrukturës dhe i qyteteve vihet në funksion të të gjithëve, por gjithmonë pjesa më problematike është pjesa e fëmijëve”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ata që janë më pak të përfshirë në zhvillim dhe në rezultatet e zhvillimit janë fëmijët. Bëhen ndërtime të bukura, hotele, resorte, zyra, por ajo që u mbetet fëmijëve është shumë pak. Për këtë arsye është gjithmonë e më shumë se një godinë më shumë se një vepër kur diçka më shumë shtohet në funksion të fëmijëve dhe më vjen shumë mirë që tanimë së paku kjo derë u hap. Po punojmë përditë që së shpejti të hapim edhe derën tjetër të teatrit të madh të fëmijëve”./atsh/KultPlus.com
Jam i varfër, po i lire, ndaj më pëlqen varfëria; kush do të rrojë më mirë, s’urdhëron dot veten e tia. Mbreti, sikur të më thotë: «Hajde në pallat me mua, të gëzosh dhe ti në botë^, do t’i them: «Zot, nukë dua; për të ngrën’ e për të pirë nukë mund të shes lirinë; i varferi rron më mirë s’ai që do madhërinë. S’më duhet ergjëndi mua, dua lirine dhe ndere, dua te bej si te dua, jo si te duan te tjere. Kush mund e ben si do vete, ben si thote Perendia, nuke ka ne kete jete gje m’e vyer se liria. /KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi se, sot është ditëlindja e poetit, përkthyesit, shkrimtarit dhe studiuesit Primo Shllaku.
Primo Shllaku lindi më 16 dhjetor të vitit 1947. Me punën dhe pasionin e tij, ai ka dhënë e jep, një kontribut të çmuar në kulturën shqiptare. QKLL i uroi poetit jetë të gjatë e plot krijmtari e suksese.
I pyetur në këtë ditë të shënuar, Primo Shllaku nuk preferoi të jepte një përgjigje mbi jetën por krijimtarinë.
“Kam botuar për herë të parë në 1994, pra para 30 vjetësh dhe për mua ai ka qenë fillim real i jetës sime si krijues. Pra unë jam 77 vjeç kalendarik por 30-vjeçar si krijues” u shpreh Primo Shllaku.
Autori rrëfeu se dikur mendonte se po të kishte mundësi të kthehej pas, do riparonte shumë gjëra, por tani e kupton se pasuria më e madhe e tij është eksperienca që ka pasur në kohë të vështira dhe sot u shpreh i bindur se ajo kohë e vështirë është po aq e nevojshme sa po të ishte një kohë ekskluzive e lumturisë.
Primo Shllaku lindi në Shkodër. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi shqipe. Punoi si mësues në zonën e Shllakut -Shkodër, prej aty në shkollën pyjore e më pas në atë industriale. Bir i regjisorit, Artistit të Popullit, Lec Shllaku, nip i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku, vëllai i aktorit të Teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku. Ndër veprat më të rëndësishme të tij janë vëllimet poetike “Lule nate” dhe “Hana e njelmët e ditës”, “Muzikantët”, “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, “Nji Uliks që s’mbërriti kurrë në Itakë”, dhe libri me drama, “Aktorë pa kujtesë”./atsh/KultPlus.com
Në qytetin e Shkodrës u mbyll mbrëmë nata e 5-të dhe e fundit e Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit.
“Një mbrëmje plot gaz, hare dhe këngë, që solli të qeshura të sinqerta dhe emocione të paharrueshme”, shkruhet në faqen online të Teatrit “Migjeni” që falënderoi të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj feste magjike.
Festivali Mbarëkombëtar i Humorit u organizua në sallën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës prej datës 11 deri më 15 dhjetor.
Shkodra ka hapur dyert për herë të parë për këtë ngjarje të veçantë, që u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga publiku. Aktorë të njohur nga e gjithë Shqipëria u bënë pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje artistike, e cila përveç shfaqjeve solli edhe workshop-e me aktorë e autorë të mirënjohur. Festivali Mbarëkombëtar i Humorit riktheu edhe një herë në vëmendje rolin e Shkodrës si qendër arti dhe djep i kulturës kombëtare./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të sekretarit amerikan të marinës, z. Carlos del Toro, në Rohde Island të SHBA-ve, në prag të Simpoziumit të 11-të ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
“Me ftesë të sekretarit amerikan të marinës, z. Carlos del Toro, jemi në Rohde Island të SHBA-ve, në prag të Simpoziumit të 11-të ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Momente si këto janë një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit për avancimin e paqes dhe stabilitetit në nivel global”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com