Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor: Apelojmë për kujdes të shtuar në aktivitetet malore

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kenë kujdes gjatë ditëve në vazhdim në planifikimin e aktiviteteve malore.

Në një postim në Facebook, ShKShMK-ja thotë se kjo për shkak se ditët e fundit rajoni është nën ndikimin e stuhive të borës e të përcjellura me erëra të forta në viset malore.

“Duke u bazuar në gjendjen aktuale të shtresimeve të borës dhe ndryshimeve morfologjike që kanë ndodhur dhe po zhvillohen gjatë ditës së sotme dhe pritshmërisë për ditët në vazhdim apelojmë për kujdes të shtuar”.

“Faqet malore me orientime gjeografike veri, veri-lindje, veri-perëndim për momentin janë drejtime që janë ndikuar më shumë dhe nuk kanë arritur tranzicion të duhur për stabilizimin e shtresave të borës, por edhe drejtimet e tjera gjeografike mund të paraqesin probleme të ngjashme. Strehat e borës janë formuar në kreshtat tek të gjitha masivet malore me lartësi mbidetare, evitoni lëvizjen mbi dhe afër tyre”, thuhet në njoftim.

Tutje, ShKShMK-ja ka publikuar disa këshilla s’i të veproni:

  • Evitoni aktivitetet tuaja në faqe të pjerrëta malore mbi 30°~50°
  • Planifikoni itinerarin tuaj në terrene të paekspozuara ndaj rrezikut.
  • Lëvizni në itinerare pa kurthe të terrenit.
  • Gjatë skijimit kujdes nga gropat rreth drunjëve dhe shkëmbinjëve.
  • Mos praktikoni aktivitete të vetmuar
  • Posedoni veshmbathje adekuate.
  • Mos praktikoni aktivitete pa pajisje të sigurisë.
  • Posedoni të gjitha pajisjet e ortekut; transmetuesin, sondën, lopatën.
  • Lajmëroni itinerarin e aktivitetit tuaj tek një i afërm i juaj.
  • Posedoni pajisje orientimi
  • Karikoni telefonin tuaj, dhe ruajeni nga të ftohtit për përdorim në rast urgjence.

Për çdo urgjencë kontaktoni në numrat:

112;

080080008;

+38349840228, dhe email: [email protected].

Nis edicioni i 11-të i Çmimit Letrar Kadare

Konkursi mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji. Të gjithë të interesuarit do të mund t’i nisin sinposin dhe një ekstrakt prej jo më pak se 15 faqesh të  dorëshkrimit deri në javën e dytë të janarit 2025.

Çmimi Letrar Kadare ka nisur punën për edicionin e tij të ri, duke hyrë kështu në vitin e 11-të prej themelimit. Juria përbëhet nga fituesit e edicioneve të shkuara dhe do të kryesohet nga shkrimtarja Vera Bekteshi, e cila së bashku me anëtarët Loer Kume e Dionis Prifti do të përzgjedhin veprën më të mirë në prozë për 2025-n.

Pas përmbylljes së edicionit të 2024-s, fituar nga romani “Dy javë nën balonë” e shkrimtarit të ri Dionis Prifti dhe pas akordimit të një Çmimi Special Kadare për poetin Preç Zogaj dhe antologjinë e tij të 40 viteve“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, Çmimi Letrar Kadare vjen me disa ndryshime në dekadën e dytë të veprimtarisë.

Duke nisur nga ky edicion juria do të përbëhet nga fituesit e edicioneve të mëparshme të Çmimit Kadare dhe do të ketë në përbërje të saj dy anëtare dhe një kryetar, i cili do të zgjidhet automatikisht ai apo ajo me moshën më të madhe.

Anëtarët e jurisë së përbërë nga kryetarja Vera Bekteshi  dhe anëtarët Loer Kume e Dionis Prifti, si përfaqësues të tre brezave të ndryshëm të letërsisë moderne shqipeu mblodhën në takimin e parë më 23 dhjetor 2024 dhe nisën menjëherë punën për të vlerësuar veprat që do të vijnë në dorëshkrim në adresën e dedikuar të e-mailit:

[email protected]

Konkursi mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji. Të gjithë të interesuarit do të mund t’i nisin sinposin dhe një ekstrakt prej jo më pak se 15 faqesh të dorëshkrimit të tyre deri në javën e dytë të janarit 2025. Pas kësaj juria do të bëjë vlerësimin duke përzgjedhur pesë dorëshkrimet më të mira. Në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në Llogora, do të shpallet edhe fituesi për vitin 2025.

Prej vitit 2014, kur edhe u themelua Çmimi Letrar Kadare, nga Instituti Europian Pashko, dhjetë janë shkrimtarët e shpallur fitues me veprat e tyre në prozë nga e gjithë hapësira shqiptare.

I pari fitues u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime “Embriologji, Virgjil Muçi me  “Piramida e Shpirtrave”, autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”, Loer Kume me “AmigdalaMandala, Gani Mehmetaj po ashtu nga Kosova me romanin “Zogjtë e Qyqes”, shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”, poetja e re nga Maqedonia e Veriut e cila debutoi me romanin “Duhet të jetë dashuri” dhe së fundi prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë”.

Në ceremoninë e dhjetë vjetorit të këtij Çmimi, i cili që në ngjizje të tij mori bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, për të mbajtur emrin e tij nëse do t’i shërbente letërsisë shqipe, një çmim special iu akordua Preç Zogajt, i cili krahas veprimtarisë politike, gazetareske e publicistike ka spikatur me poezinë, me të cilën e nisi që në vitet ’80.

Në dhjetë vjet jetë, prej krijimit të tij, për ÇmiminLetrar Kadare kanë konkurruar më shumë se 400 vepra në prozë, të pabotuara më parë, duke e shndërruar kështu në një nxitje të rëndësishme krijimtarie për shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Vlera totale e këtij Çmimi vlerësohet të jetë 10 mijë euro ku krahas vlerës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UET PRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë. /Liberale.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Ansambli `Shota’ nuk ndaloi as nën aparteidin e regjimit të Serbisë

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” mbrëmë shënoi 60-vjetorin e themelimit si ansambël profesionist. Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit ktheu në kujtesë vitin 1984, kur ky ansambël së bashku me Nexhmije Pagarushën, përfaqësuan kulturën tonë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Sarajevë, si dhe vitet 1985 dhe 1986, kur triumfuan në festivalet ndërkombëtare në Sidmouth dhe Dijon.

“Edhe në periudhat më të vështira, si në vitet ‘90, kur Kosova jetonte nën Aparteidin e regjimit të Serbisë, “Shota” nuk ndaloi. Falë punës vullnetare të anëtarëve të saj, ata mbajtën gjallë artin dhe traditat tona, duke dhënë koncerte në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Zvicër, Turqi, Francë dhe në shumë vende të tjera. Më 15 shtator 1999, ata dhanë koncertin e parë pas luftës në Teatrin Kombëtar, një simbol i ringritjes dhe vazhdimësisë sonë kulturore e kombëtare. Sot, pas 60 vitesh si ansambël profesionist, ata numërojnë mbi 7,500 koncerte e prezantime dhe një sërë çmimesh ndërkombëtare, përfshirë triumfin e tyre të fundit në Spanjë në vitin 2024. Sot është e pamundur të mos ndalemi dhe të falënderojmë të gjithë ata që ishin aty në fillimet e këtij ansambli të madh”, citohet Kurti në komunikatën e Kryeministrisë.

Ndër anëtarët e parë të ansamblit janë Hylkie Sadiku, Marcel Tupeci, Ramadan Ramadani, Hazbie Kovaçi, YlfeteRaça, Shkëlzen Zhubi, Haki Shkreli, Bashkim Loshi e shumë të tjerë.  Falë tyre dhe përkushtimit të tyre, “Shota” mori formë si një forcë kulturore e cila na bën krenarë edhe sot e kësaj dite. Kryeministri shprehu të veçantë për Nahire Surroin dhe Sevime Gjinalin, të cilat kanë drejtuar ansamblin me përkushtim dhe pasion të pashoq, si  një shembull i fuqisë së artit dhe udhëheqjes në shërbim të kulturës sonë kombëtare.

Ndër vite, ansambli gjithashtu kishte bashkëpunim edhe me kompozitorët, artistët e studiuesit më të mëdhenj të kulturës sonë, si Rexho Mulliqi, Fahri Beqiri, Zeqiria Ballata, Severin Kajtazi, etj., dhe me etnomuzikologët si Lorenc Antoni, Rexhep Munishin e Bahtir Shehollin, koreografët Xhemali Berisha, Haki Mulliqi, Sylejmon Shala, Panajot Kanaqi, Gëzim Kaceli, Besim Jazegjiu e shumë të tjerë.

Në përmbyllje, kryeministri në fjalën e tij, duke iu drejtuar artistëve të Ansamblit “Shota”, tha se ata nuk e ruajnë vetëm trashëgiminë tonë, por e jetojnë atë që ta përjetojmë ne, teksa i falënderoi për përkushtimin dhe dashurinë e tyre për artin dhe kulturën, dhe iu uroi 60-vjetorin e themelimit bashkë me suksese të reja në vitet e dekadat që vijnë.

Papa Françesku hap Vitin e Shenjtë 2025 në prag të Krishtlindjeve

Papa Françesku do të hapë Vitin e Shenjtë të Kishës Katolike në Bazilikën e Shën Pjetrit sot në mbrëmje.

Në një ceremoni solemne në prag të Krishtlindjes, papa 88-vjeçar do të hapë Derën e Shenjtë, të murosur nga brenda dhe do të kalojë nëpër të.

Kisha Katolike feston normalisht një Vit të Shenjtë, i njohur gjithashtu si Viti i Jubileut, çdo 25 vjet.

Sipas besimit katolik, besimtarët mund të marrin faljen e mëkateve të tyre përmes lutjes dhe pendesës gjatë një viti të shenjtë.

Kjo përfshin gjithashtu një pelegrinazh në Romë dhe kalimin nëpër Dyert e Shenjta në Qytetin e Përjetshëm.

Më shumë se 30 milionë pelegrinë dhe vizitorë pritet të udhëtojnë në kryeqytetin italian gjatë ngjarjes katolike, me disa vlerësime deri në 45 milionë.

Françesku më pas do të kremtojë meshën tradicionale të Krishtlindjeve, duke nisur festat e Krishtlindjeve të Vatikanit.

Papa pritet të përdorë shërbimet për të folur me forcë kundër luftës dhe dhunës dhe për të kujtuar vuajtjet e njerëzve.

Së fundmi ai bëri thirrje për një armëpushim gjatë Krishtlindjeve përballë luftërave në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Në Betlehem, tradicionalisht vendlindja e Jezu Krishtit, festimet pritet të jenë mjaft të kufizuara këtë vit për shkak të luftës së Gazës.

Procesioni nga Jeruzalemi në Betlehem dhe mesha e mesnatës në Betlehem do të zhvillohen si zakonisht.

Megjithatë, dekorimet festive në qytetin e vogël në Bregun Perëndimor dhe ndezja e një peme të Krishtlindjes përpara Kishës së Lindjes së Krishtit duhet të shmangen./atsh/ KultPlus.com

Festat në dëborë/ Për Krishtlindje dhe Vitin e Ri rriten prenotimet në qytetin e Korçës

Korça edhe këtë fundvit është një prej destinacioneve më të preferuara për pushuesit. Rezervimet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri nisën prej nëntorit dhe tani strukturat akomoduese janë rezervuar thuajse plotësisht. 

Kryesisht janë vizitorët nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Vlora ata që i drejtohen juglindjes për të festuar Krishtlindjen dhe natën e ndërrimit të viteve por nuk mungojnë as pushuesit nga qytetet e tjera apo edhe të huajt.

Qendra e qytetit nga sheshi para katedrales deri tek pazari i vjetër dhe po ashtu bulevardet kryesore  e tyre mund të përshkohen legtësisht  në këmbë falë distancave të vogla për të shijuar dekorin e veçantë që përcjell më së miri ndjesinë festive.

Krahas atmosferës festive të qytetit ajo çfarë mbetet një alternativë për të bërë më argëtuese por edhe çlidhëse ditët e pushimit është vizita në fshatrat turistikë të Dardhës apo Voskopojës që renditen ndër destinacionet më të preferuara për turizmin e bardhë.

Në vigjilje të Krishtlindjes operatorët turistikë tregojnë se këtë vit kërkesat për të festuar në Korçë  kanë qenë të larta ndërsa ndajnë tregojnë se cilat janë disa nga gatimet e preferuara tradicionale për pushuesit.

Në qytetin e Korçës dhe fshatrat turistikë janë 83 hotele dhe 66 bujtina me kapacitet akomodues për gati 4000 persona  të cilat janë të rezervuara deri në ditët e para të janarit./topchanel/ KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e Maxi Jazz, vokalistit të bendit ‘Faithless’

Sot janë bërë dy vite nga vdekja e vokalistit të bendit elektronik “Faithless”, Maxi Jazz, i cili ka vdekur në moshën 65-vjeçare.

Maxi Jazz ishte vokalist i bendit nga viti 1995 deri 2011 dhe 2015, së bashku me anëtarët tjerë Rollo dhe Sister Bliss, të cilët krijuan disa hite si “Insomnia” dhe “We Come 1”, shkruan portali britanik Metro, përcjell Klankosova.

Bendi Faithless u rikthyen në vitin 2020 dhe publikuan albumin “All Blessed”./ KultPlus.com

Vizioni i regjisores iraniane Nasim Ahamdpour për “Anglinë” vjen nesër premierë në Teatrin e Shkupit

Era Berisha

Shfaqja “Anglia” e autorit Tim Crouch që konsiderohet si një shkrimtar i rëndësishëm i dekadave të fundit, vjen nesër premierë nën regjinë e iranianes Nasim Ahmadpour. “Anglia” shpërfaq një kategori të gjuhës dhe marrëdhënieve, qoftë mes njerëzve në përgjithësi, qoftë mes kulturave apo mes artit dhe publikut. Kjo është ajo se çka e ka ngacmuar regjisoren Ahmadpour për të sjellë këtë vepër pikërisht në Teatrin e Shkupit, shkruan KultPlus.

Veprat e Crouch kanë fituar shumë çmime dhe janë shfaqur në shumë teatro prestigjioze në mbarë botën. Dramat e tij shpesh janë përkthyer në persisht dhe janë interpretuar. Ai është një shkrimtar i njohur në Iran. Arsyeja e këtij popullariteti, përveç strukturës origjinale dhe novatore, është edhe fryma kritike dhe përmbajtja në veprat e tij. Kjo është anarkia që ai paraqet ndaj strukturave dhe mënyrave të të menduarit me stereotipe. Ftesa e Tim Crouch për të parë sërish fenomenet e ndryshme është diçka e bukur që ka gjetur vend brenda inspirimit të regjisores Ahmadpour.

Vetë autori Crouch i kishte thënë regjisores Ahmadpour se drama e tij “The Oak Tree” ishte shfaqur në Maqedoni, mirëpo akoma asnjë vepër e tij nuk është e përkthyer në Maqedoni. Mu për këtë arsye, regjisorja Ahmadpour ka zgjedhur të prezantoj një nga veprat e tij në Teatrin e Shkupit.

Në një intervistë për KultPlus, regjisorja Ahmadpour ka treguar se kur ajo është duke e sjellë një vepër, sikurse “Anglia”, përpiqet ta kuptojë tërësisht atë. Pra, ajo është përpjekur për të sjellë kuptimin e saj personal mbi veprën, por që nuk ka asnjë garanci që ajo i ka afruar plotësisht mendimet dhe idetë e autorit Crouch, edhe pse ajo zotëron të drejtën e autorit për veprën.

“Vepra e Crouch, veçanërisht ‘Anglia’, është takim dhe lidhje. Një lidhje që, natyrisht, është përherë e paplotë. Në çdo situatë, ne jemi të detyruar të përkthejmë veten. Dhe përkthimet nuk mund të na përfaqësojnë kurrë vërtetë. Kjo gjithashtu vlen edhe për veprat e artit. Vepra duhet të analizohet dhe të përkthehet për të komunikuar me audiencën. Gjithmonë është i përfshirë një ndërmjetës i cili supozohet të luajë një rol lehtësues, por ai vetë mund të krijojë keqkuptime. Kjo është e vërteta për të gjitha marrëdhëniet, qoftë ajo marrëdhënie midis kulturave apo marrëdhënie midis audiencës dhe veprës artistike ose edhe marrëdhënia midis krijuesit dhe veprës artistike”, thotë ajo.

Karakteristika më e rëndësishme e autorit Crouch për regjisoren Ahmadpour është mosfamiljariteti që ai krijon në marrëdhëniet mes publikut dhe veprës artistike. Ai sfidon konceptet e thjeshta dhe e shndërron audiencën nga një fenomen pasiv në një qenie aktive. Ky ndërveprim i publikut në veprat e tij bëhet herë duke aktivizuar fizikisht audiencën e herë duke aktivizuar imagjinatën e tij.

“Kur flas për audiencën, përfshij lexuesit e tij. Në veprën ‘Anglia’ ai punon me imagjinatën e publikut. Autori krijon një botë ku marrëdhëniet në dukje të drejtpërdrejta mund të shihen në mënyra të ndryshme në varësi të leximit. Ai krijon një rrjet komunikimi në dukje të thjeshtë me audiencën me një gjuhë të thjeshtë, por pas kësaj thjeshtësie të dukshme, formohet një botë e thellë dhe shumështresore nga përballja e shumë elementëve: përballja e artit dhe audiencës, përballja e Lindjes dhe Perëndimit, ballafaqimi i qytetarëve vendas dhe shtetasve emigrantë, ballafaqimi i gjuhës amtare dhe i gjuhës së dytë, ballafaqimi i botës së parë dhe botës së tretë”, tregon ajo.

Sipas saj, çështja kryesore është se audienca supozohet t’i qaset artit në një mënyrë inovative, jo të njohur, duke i kushtuar vëmendje detajeve të zakonshme të jetës së përditshme dhe përmes kësaj, shpjegohen koncepte të tjera. Pra, Crouch i shpreh këto koncepte duke e lidhur audiencën me elementë të zakonshëm e të përditshëm rreth tij.

Regjisorja Ahmadpour ka gjetur një rrugë drejt veprës së Crouch, dhe është lidhur ngushtë me veprën e tij, si entuziaste dhe si regjisore.

Ajo tutje na tregoi se Irani ka një traditë të gjatë të tregimit teatror. Ata kanë një sërë shfaqjesh tradicionale të bazuara në tregim. Një prej tyre është “Nagali”. Në këtë lloj shfaqjeje, “Naghal” tregon një histori dhe vazhdimisht krijon imazhe që publiku ta kuptojë historinë.

“Kemi një lloj tjetër drame që quhet “Pardekhani”, ku tregimtari tregon historinë përballë një ekrani të madh të pikturuar. Akti i parë i “Anglisë” më kujtoi atë. Dua të them se ne i referohemi përvojave tona për të kuptuar çdo vepër arti. Me ndihmën e leximit dhe kërkimit, ne përpiqemi ta përditësojmë atë përvojë. Kjo është ajo që bëra. Ndërsa, në aktin e dytë, një nga personazhet është një emigrant. Kjo është gjithashtu një përvojë e njohur për të gjithë ne. Emigranti kontakton një përkthyes. Çfarë është më e prekshme për një folës persisht sesa nevoja e përditshme për të përkthyer veten në gjuhë të tjera, të cilat janë të gjitha në shumicë, në krahasim me persishten?”, thotë regjisorja Ahmadpour.

Dramat e Tim Crouch, duke përfshirë “Anglinë”, kërkojnë një audiencë serioze teatrale. Një audiencë që prapa vetes ka një histori për të parë shfaqje. Meqenëse Tim Crouch e bazon marrëdhënien me punën e tij në “defamiliarizimin”, kjo përvojë dhe sfond mendor, me fjalë të tjera, vetëdija dhe ndërgjegjja e audiencës për botën e artit, dhe veçanërisht botën e teatrit, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kështu, regjisorja Ahamadpur beson se sfidohet audienca, pra nëpërmjet këtij lloj teatri në rolin e tij si spektator. Mbi këtë bazë, të paktën, ajo shpreson se do të jetë një përvojë e freskët e të qenit spektator.

Është interesante që regjisorja Ahmadpour po e sjell tekstin e “Anglisë” nga Irani në skenën në Maqedoni. Në këtë kombinim, ka një kontrast dhe kontradiktë të dukshme, e cila duket e pamundur por jo edhe aq. Dhe, pikërisht kjo qasje është një riprodhim objektiv i vetë tekstit të “Anglisë”.

“Gjatë gjithë provës po mendoja se si ne, grupi interpretues, duke përfshirë mua si regjisore në persisht, asistent regjisori (Agim Abdula) që ishte edhe përkthyes persisht-shqip, dhe aktorët e shfaqjes sonë, po simulojmë disi marrëdhëniet tek “Anglia”. Natyrisht, u përpoqa të kuptoj vlerën e kësaj situate të veçantë dhe ta përdor atë si një ide kyçe në ndërtimin e performancës”, tregon ajo.

Kjo shfaqje është pa dekorim apo zbukurim. Gjithçka do të varet nga aktorët dhe publiku. Do të formohet një shfaqje dhe publikut do t’i duhet të aktivizojë imagjinatën e tij dhe të krijojë skenën dhe detajet. Me fjalë të tjera, është e qëllimshme që të shmanget çdo përpunim që i detyron audiencës diçka. Vetë Tim Crouch thotë: “Ne nuk ju tregojmë asgjë në teatrin tonë, por në fund do t’i shihni gjërat.”

“Ky model thekson dallimin midis shikimit të thjeshtë dhe shikimit prej vërtetë. Ka një fjali në shfaqje me të njëjtin kuptim: “Ai më tregoi ndryshimin midis shikimit dhe shikimit”. Nuk do të kemi inskenim të veçantë dhe madje aktorët do të dalin në skenë me veshje si ato që veshin në jetën e tyre të përditshme. Dhe ata do të shmangin çdo lëvizje të panevojshme gjatë performancës”, tregon regjisorja Ahmadpour.

Sipas saj, ndërveprimi me audiencën mbulon një gamë të gjerë. Ajo beson se natyra e teatrit duhet të jetë zhytëse, por, me kalimin e viteve, zakoni i shikimit të teatrit e ka kthyer audiencën në një fenomen pasiv, i cili ka harruar se po përballet me teatrin si një fenomen i gjallë. Ashtu siç performanca ka marrë një natyrë stereotipike, edhe sjellja e audiencës është kthyer në një sjellje stereotipike. Ajo tutje shpjegon se pika më kritike është se vetë ndërveprimi i audiencës mund të bëhet një stereotip tjetër.

“Kjo bëhet nëse ideja e ndërveprimit nuk del nga thelbi dhe domosdoshmëria e performancës. Kjo domosdoshmëri e shfaqjes ndonjëherë kërkon që audienca të lëvizë. Në disa raste, kërkon pyetje dhe imagjinatë aktive. Performanca jonë është e tillë. Performanca jonë është formuar në bazë të mentalitetit dhe imagjinatës aktive të audiencës dhe a nuk është kjo një nga format më të forta të pjesëmarrjes? Në shfaqjet tona, publiku është një pjesë jetike e shfaqjes. Mendoj se është me vend të përmend se shfaqja “Anglia”, konkretisht akti i parë i saj, është shkruar për interpretim në galeri. Deri më tani kjo shfaqje është luajtur nëpër galeri. Bëra disa ndryshime për ta rikthyer në teatër. Sigurisht, ndërveprimi i audiencës gjithashtu ka ndryshuar. Fakti që publiku është në galerinë e lëvizshme, por i palëvizshëm në vetë teatrin, krijon një ndryshim thelbësor”, thotë tutje ajo.

Sfida më e vështirë për regjisoren Ahmadpour mbetet te fakti se ajo është iraniane dhe flet persisht, ndërsa aktorët flasin shqip. Regjia nga distanca ka pasur vështirësitë e veta, si për të, edhe për gjithë ekipin. Për më tepër, të kuptuarit e marrëdhënieve të një teksti nëpërmjet dallimeve të tyre kulturore dhe gjuhësore, nuk ka qenë aspak e lehtë. Megjithatë, ajo shprehet e lumtur që ata kanë arritur të mirëkuptohen dhe të bashkëpunojnë jashtëzakonisht mirë gjatë procesit të provave online.

Për regjisoren Ahmadpour, nuk ka diçka më emocionuese sesa krijimi i një përvoje të tillë të një shfaqjeje. Përvoja ka qenë vërtet e çuditshme për të dhe ajo mendon se duhet të gërmoj akoma më thellë në karakteristikat e saj. Pavarësisht vështirësive të punës dhe lidhjes joefikase të internetit në Iran, është zhvilluar një mënyrë e bukur ndërveprimi brenda ekipit. Për këtë arsye edhe është ndërruar emri i shfaqjes, nga “Anglia”, në “Leximi i ‘Anglisë’ në Maqedoni nga Irani”.

“Edhe vetëm leximi i këtyre llojeve të veprave ofron një përvojë të të qenit i pranishëm në shfaqje. Kjo thjeshtësi më tërheq mua. Dhe se për t’u lidhur me veprën, duhet të krijosh botën e performancës, pa pasur gjithçka. Kjo krijon një përvojë personale për audiencën që nuk kufizohet në këndvështrimin e një personi. Është sikur perandoria dhe tirania e prodhuesit të artit të shembet në lidhje me audiencën”, thotë ajo.

Prej shumë vitesh, regjisorja Ahmadpour ka qenë e interesuar për teatrin e dokumentarëve dhe ka lexuar shumë për të. Ajo beson se vepra e Crouch mund të konsiderohet në një farë mënyre një formë e teatrit dokumentar.

“Vepra e tij i afrohet në njëfarë mënyre teatrit dokumentar. Nga njëra anë, ky lloj shkrimi, i quajtur performanca e tekstit, është shumë interesante për mua. Këtë formë shkrimi dhe interpretimi e kam ndjekur prej shumë vitesh. Nga ana tjetër, natyra personale e punës së Crouch vjen nga interesimi im për praninë e botës së krijuesit në veprën e tij. Unë gjithashtu mendoj dhe lexoj për këtë dhe personalizimin e artit”, ka thënë ajo.

Regjisorja Ahmadpour ka pasur fatin që të udhëtoj në Maqedoni disa herë gjatë 10 viteve të fundit dhe ka parë shumë shfaqje teatrale. Aty e ka pikatur edhe aktorin Genci Mirzo. Ndërsa, ajo ka pasur edhe miq të besueshëm në Maqedoni me të cilët është konsultuar. Teatri Shqiptar, për të, ka qenë shumë mbështetës në këtë aspekt.

“I kërkova teatrit të më dërgonte një listë të aktorëve dhe fotot dhe veprat e tyre. Në listën e disa personave, ata që më ranë më shumë në sy ishin Genci Mirzo dhe Gentiana Ramadani dhe në fund nisëm të bënim prova me këta të dy. Genta dhe Genci në aktin e parë luajnë rolin e tregimtarit dhe rrëfimtarit. Të dy kanë të njëjtin rol. Në aktin e dytë, Genta duhet të luajë rolin e të njëjtit personazh, historinë e të cilit e dëgjuam në aktin e parë. Dhe Genci luan rolin e përkthyesit të tij. Ky është një përkufizim i drejtpërdrejtë i pranisë së tyre. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të punoja me të dy. Fleksibiliteti dhe ndjeshmëria e madhe e këtyre dy aktorëve është shumë mbresëlënëse”, ka thënë regjisorja Ahmadpour.

Përveç krizës që ka ekzistuar në Iran gjatë gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht pas vitit 2019, marrëdhëniet e ndërlikuara dhe të tensionuara të Iranit me SHBA-në, Izraelin dhe rajonin kanë ndryshuar jetën e shumë njerëzve, përfshirë edhe atë të regjisores Ahmadpour.

“Të gjithë e dimë se këto kushte të tensionuara dhe të paqëndrueshme janë të dëmshme psikologjikisht. Këto ditë, situata është kthyer në një pengesë të prekshme me anulimet e fluturimeve dhe kushtet e pasigurta në rajon. Vetëm mendoni, fluturimi im për në Maqedoni është anuluar 5 herë. Çmimet e fluturimeve të disponueshme janë shumë të larta, dhe nga ana tjetër, shqetësimi është se nëse largoheni nga Irani, mund të jetë shumë i ndërlikuar kthimi për arsye të ndryshme”, tregon ajo.

Këto kanë qenë arsyet pse ajo  ka vendosur që projektin ta drejtojë nga distanca. Por, kjo natyrshëm ndikoi në gjithçka.

“Mënyra e provave, forma e pjesëmarrjes sime në përgatitjen e projektit, niveli i perceptimit tim për mjedisin, madje edhe ideja e shfaqjes. U përpoqa të mendoj për një ide që mund të kontrollohej dhe përgatitej nga distanca. Mendoj se kam bërë të pamundurën për t’i përdorur këto kushte komplekse në avantazh të idesë dhe ta zbatoj atë si pjesë të strukturës. Sido që të jetë, këto kushte ishin një “njollë e ngushtë” përmes së cilës u krijua një estetikë origjinale. E kam fjalën për përdorimin krijues të asaj që supozohet të pengojë krijimtarinë time. Ky është përvetësimi i çdo elementi, edhe të padëshiruarit, edhe të dëshiruarit”, thotë regjisorja Ahmadpour.

Krejt në fund të intervistës, regjisorja Ahmadpour na tregoi se aktualisht është duke punuar në pjesën e tretë të një projekti të quajtur “Tavolinat”, që përbëhet nga katër shfaqje të veçanta. Ky projekt është i përcaktuar në fushën e teatrit dokumentar e që fokusohet në historinë e teatrit bashkëkohor iranian dhe kufizimet dhe problemet e shkaktuara nga kufizimet.

Pjesa e parë e këtij projekti, “Raporti mbi Ditën e Gjykimit” u interpretua në Festivalin Performa të Nju Jorkut në vitin 2023. Pjesa e dytë, “Ne erdhëm për të kërcyer”, u interpretua në Kunstenfestivaldesarts në Bruksel në vitin 2024 dhe do të epet në Trienalen e Milanos në muajin shkurt dhe po ashtu do të bëjë turne në Evropë në vitin 2025. Pjesa e tretë, projekti i vitit 2025, është në përgatitje e sipër.

Regjisorja Ahmapdur po ashtu është duke punuar për një skenar që do të prodhohet në Zvicër me regji nga Romed Wider. Skenari i saj i fundit “Black Rabbit, White Rabbit” është në post-produksion dhe është xhiruar në Taxhikistan.

Skenografia: Enes Deari

Kostumografia: Genta Mirzo

Video: Shahram Mokri

Këshilltarja e regjisores: Narges Hashempour./ KultPlus.com

Nasim Ahmadpour

Si e rrëfeu Lasgushi ngjarjen me Eqrem Çabejn

Të veshur të dy me pallto, kapele në kokë, dhe një bastun në dorë Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci duken kaq elegantë ndërsa shëtisin në një park në Graz. Fotografia është publikuar më herët, nga e bija Lasgushit, Maria.

Është e njohur miqësia që dy njerëzit e njohur të letrave kanë pasur me njëri-tjetrin. Ata kanë qenë të dy studentë në Graz. Janë dhjetëra letërkëmbime që kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin mbi magjinë e poezisë, apo Shqipërinë. Herë pas here, Maria rrëmon detaje interesante nga jeta e poetit. Ne kemi parë dhe një portret të gjuhëtarit të madh, vizatuar nga Lasgushi.

Kështu, ajo tregoi dhe një episod teksa dy personazhet e njohur të letrave shqipe ndodheshin në një lokal.

“Ishim me Eqrem Çabeun në Graz (Austri), ishim të dy studentë (vitet 1925-1926). Kishim gjetur për të ngrënë darkë një restorant të vogël, por shumë të mirë familjar. Në kuzhinë ishte gruaja, në banak ishte burri dhe vajza e tyre ishte kamarjere. Na pëlqente shumë ushqimi aty.

Një natë, po hanim si zakonisht dhe po bisedonim. Lokali ishte plot dhe të gjithë hanin dhe flisnin me njeri tjetrin dhe nuk ndiheshin. Ne, na kishte tërhequr aq shumë biseda sa nuk e kishim vënë re që po flisnim me zë të lartë. Po flisnim shqip. Dhe herë pas here aprovonim njeri-tjetrin duke thënë po po (ata që dinë gjermanisht do ta kuptojnë). E vumë re që klientët na shikonin si të habitur. Po ne, vazhdonim të flisnim me zë të lartë.

I zoti i lokalit (burri, që rrinte në banak), na u afrua dhe me zë të ulët dhe me shumë sjellje na tha që duhet ta ulnim zërin sepse po shqetësonim të tjerët që ishin duke ngrënë. Ne, nuk e konsideruam vërejtjen e tij dhe vazhduam duke folur me zë të lartë. Ata, klientët, dalëngadalë filluan të paguajë dhe e boshatisën lokalin duke na lënë vetëm. U turpëruam shumë dhe nuk shkelëm më kurrë në atë lokal”, tregonte Lasgushi.KultPlus.com

“Të falësh nuk do të thotë të harrosh”

Ismail Kadare ishte shkrimtari shqiptar më i njohur botërisht. Ai ka arritur të fitoi shumë nderime anekënd botës, madje u kandidua disa herë edhe për “Nobel”. Romancier, poet, eseist, përkthyes. Letërsia e Kadaresë vazhdon të lexohet me ëndje nga shumë lexues gjihtkund në botë.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij të vlefshme.

Më poshtë mund t’i lexoni dhjetë thënie të Kadaresë që kanë mbetur gjatë në mendjen e shumë lexuesve dhe adhuruesve të tij.

– Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

– Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

– Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

– Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

– Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

– Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

– Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

– Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave. /KultPlus.com

Kompozitorja dhe violinistja Kosturi, në katalogun e “Universal Edition”

Pak ditë më parë është publikuar nga shtëpia botuese e njohur vjeneze “Universal Edition” katalogu i kompozitorëve të botuar këtë vit nga kjo shtëpi botuese i quajtur “Katalogu i Dimrit” (Winter 2024) dhe veprat të cilat promovohen nëpërmjet tij.

Në katalog zbulohen dymbëdhjetë kompozitorë mes të cilëve përfshihet dhe violinistja shqiptare, krijuese dhe interpretuese, Ina Kosturi, e pranuar unanimisht nga Këshilli Artistik në prill 2024 dhe ka publikuar krijmtarinë me këtë shtëpi të famshme vjeneze.

Kosturi promovohet si kompozitore me veprat “Concerto” për violinë e orkestër, “7 Capriccio” për violinë solo, “Duo Capriccio” për violinë dhe violonçel, “Improvisation” për violinë solo.

Suksesit të botimit i bashkohet dhe përzgjedhja në këtë katalog me 11 emra të tjerë kompozitorësh nga mbarë bota të niveleve tejet të larta me vepra të interpretuara në institucionet e orkestrat prestigjioze. Kosturi është e vetmja shqiptare që publikon në Universal Edition, ndërsa zyrat e shtëpisë botuese dhe katalogu gjenden në Musicverein, Vjenë./atsh/KultPlus.com

Rama: “Arrëthyesi”, baleti magjik i Krishtlindjes vjen në skenën e TKOBAP

“Arrëthyesi”, baleti magjik i Krishtlindjes, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kryevepër e baletit botëror, teksa ftoi qytetarët të ndjekin këtë eksperiencë të paharrueshme në TKOBAP deri më 30 dhjetor.

“Falë solistëve dhe trupës së baletit që dhurojnë perfeksion në çdo hap, nën koreografinë e Edi Blloshmit, nxënësve të shkollës së baletit, korit femëror dhe korit të zërave të bardhë, orkestrës simfonike të TKOBAP-së, nën dirigjimin magjik të Sergio Alapont dhe kostumografisë vezulluese të Edlira Qyshkës, Përralla e preferuar e Krishtlindjes vjen në skenën e TKOBAP-së. Ju presim për këtë eksperiencë të paharrueshme deri më 30 dhjetor. Ora 19:00”, shkroi kryeministri Rama.

Baleti me muzikë të Çajkovskit është kthyer tashmë në simbol të periudhës festive të fundvitit, në të gjitha teatrot anembanë botës dhe prej vitesh kjo traditë ka përfshirë edhe Tiranën./atsh/KultPlus.com

50-të vjet më parë, Agim Vinca ishte i pari që mbrojti temën e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës

Profesori Agim Vinca, përmes rrjeteve sociale ka shënuar një datë të rëndësishme të jetëshkrimit të tij.

“Nuk bën të kalojë ky vit pa e shënuar një datë të rëndësishme të jetëshkrimit tim: 50-vjetorin e mbrojtjes së temës së magjistaturës (1974-2024). Më kishte dalë mendsh, por ma kujtoi këto ditë një ish-student imi i gjeneratave të hershme, i cili e kishte ruajtur shkrimin e botuar si lajm në gazetën “Flaka e vëllazërimit” të  Shkupit, e kishte fotokopjuar dhe ma dhuroi në një takim letrar në prani të publikut”, ka shkruar Vinca.

Tutje, ai është shprehur se punimi i tij “Mendimi kritik i Mitrush Kutelit” është tema e parë e magjistraturës e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, me të cilën unë mora gradën shkencore “Magjistër i shkencave filologjike”.

“Do thënë se studimet pasuniversitare në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe u hapën për herë të parë në vitin akademik 1970/71, gjë që u bë e mundur vetëm pas themelimit të Universitetit”, ka shtuar tutje profesori.

Poashtu, ai ka falënderuar ish-studentin e tij Sherif Paci për kujdesin. 

“Po atë ditë nga ish-drejtori i Institutit Albanologjik, dr. Hysen Matoshi, mora këtë mesazh: “Suksesi Juaj nuk ishte vetëm personal, por edhe i përgjithshëm, sepse ishte magjistratura e parë e mbrojtur në Fakultetin Filozofik”. Besoj se e vlen të shënohet ky “jubile”, qoftë edhe në këtë mënyrë”, është shprehur në fund ai./KultPlus.com

Pse arrëthyesit i shohim ngado gjatë Krishtlindjeve?

“Arrëthyesi” është ndoshta baleti më i njohur gjatë periudhës së fundvitit, por po ashtu personazhi i dashur është pjesë e qindra filmave dhe zbukurimeve të Krishtlindjeve.

Por pse arrëthyesit e vegjël janë shndërruar në një dekor të preferuar gjatë festave të fundvitit? Sipas folklorit gjerman, arrëthyesit dhuroheshin si hajmali për t’i sjellë fat familjes dhe për të mbrojtur shtëpinë. Thuhet se përfaqësojnë forcën, fuqinë, kujdeset për familjen dhe mban larg shpirtrat e ligj.

Origjina e tyre vjen nga traditat e lashta të gostive ku arrëthyes fisnikë ishin pjesë të tyre si argëtim gjatë ëmbëlsirës. Kjo sillte biseda të gëzueshme teksa të ftuarit shijonin pjatën e fundit të shoqëruar me arra e lajthi.

Shumë nga dizajnet e mëparshme të arrëthyesve ngjasonin me kafshët, shpendët dhe njerëzit. Forma klasike që njohim sot e cila ngjason me mbretër apo ushtarë nuk u duk deri nga vitet 1600-1700.

Arrëthyesit ishin të famshëm fillimisht në Gjermani dhe krijoheshin në malet Erzgebirge. Në vitin 1892 ata u bënë të njohur në mbarë botën falë debutimit të baletit “Arrëthyesi” që u kompozua nga Çajkovski dhe u vendos në skenën e teatrit të Shën Petërburgut. Ky është edhe momenti nga ne e njohim më së shumti versionin e Krishtlindjeve të arrëthyesit, i cili është kthyer në një simbol të festës./KultPlus.com

“E humbëm edhe këtë mbrëmje”

Poezi nga Pablo Neruda

E humbëm edhe këtë mbrëmje.
Askush nuk na pa të zënë për dore
kur muzgu i kaltër binte mbi botë.

Nga dritarja unë pash’
lodrimin e perëndimit mbi kodrat e largëta.

E pastaj, si një monedhë,
një copëz dielli u përndez në duart e mia.

Të kujtova ty me shpirtin e ndrydhur,
me atë trishtimin që ti ke njohur tek unë.

Ku ishe ti në atë kohë?
Me ç’njerëz?
Çfarë fjalësh u thoshe?
Oh, pse më ndodh kështu: dashuria shpërthen përnjëherësh,
kur jam i trishtuar dhe kur ti je larg?

Libri që marr të lexoj mbrëmjeve më ra nga duart
dhe te këmbët e mia, si një qen i plagosur, u rrotullua perëndia.

Gjithnjë, gjithnjë sapo vjen mbrëmja ti ikën,
deri ku muzgu bredh duke tretur statujat. /KultPlus.com

Data 24 dhjetor shënon mbrëmjen e Krishtlindjeve

Mbrëmja e Krishtlindjes më 24 dhjetor nis një sërë traditash festash. Disa janë praktika të lashta me një rrotullim modern, ndërsa të tjera datojnë qindra vjet më parë.

Nata e Krishtlindjeve është e mbushur me tradita fetare dhe jofetare. Traditat fetare përqendrohen rreth lindjes së Jezusit. 

Emërtime të ndryshme kanë traditat e tyre. Në prag të Krishtlindjes, katolikët romakë dhe anglikanët mbajnë meshën e mesnatës. Luteranët festojnë me shërbimet e qirinjve dhe këngët e Krishtlindjeve. Shumë kisha ungjillore mbajnë shërbesat e mbrëmjes ku familjet kremtojnë Kungimin e Shenjtë. 

Në mbarë botën natën e Krishtlindjeve festojnë me ushqime të ndryshme. Në Itali festojnë festën e shtatë peshqve. Rusët tradicionalisht shërbejnë një darkë me 12 pjata të Krishtlindjeve përpara se të hapin dhuratat. Ndërkohë, në Bullgari, vakti i Krishtlindjes përbëhet nga një numër tek i pjatat pa mish. 

Përveç ushqimit dhe shërbimeve fetare, festa është kur Santa Clause ngrihet në qiell me sajën e tij për të shpërndarë dhuratat e Krishtlindjeve në mbarë botën. Emra të tjerë për burrin me mjekërbardhë me një kostum të kuq përfshijnë Father Christmas, Kris Kringle dhe Saint Nicholas. 

Pavarësisht se si quhet ai, legjenda e Santa bazohet në një njeri të vërtetë të quajtur Shën Nikolla i Myra. 

Peshkopi i hershëm i krishterë ishte i njohur për dhënien e dhuratave të fshehta, si dhe për shumë mrekulli. Me kalimin e viteve, legjenda e Santa u rrit duke përfshirë Polin e Veriut, një sajë të drejtuar nga renë, një listë të keqe ose të këndshme dhe të qeshurën e tij gazmore, “ho, ho, ho”. /KultPlus.com

Shpirti im

Poezi nga Nazim Hikmet

Shpirti im
mbylli sytë
avash avash
siç fundosesh në ujë
zhytu në gjumë
lakuriq dhe veshur me të bardha
më e bukura ëndërr
do të të presë
shpirti im
mbylli sytë
avash avash
përhumbu, si në harkun e krahëve të mi
në gjumin tënd mos më harro
mbylli sytë dalëngadalë
sytë e tu të kaftë
ku digjet një flakë e gjelbër
shpirti im./ KultPlus.com

85-vjetori i kishës “Zemra e Krishtit”, që diktatura e transformoi në kinema “Rinia”

85 vjet më parë, më 24 dhjetor të vitit 1939 u përurua Kisha e Etërve Jezuitë në Tiranë.

Ndërtimi i këtij objekti kulti që i kushtohej zemrës së shenjtë të Krishtit, nisi që në vitin 1938, sipas projektit të arkitektit italian Giovanni Santi. Ndërsa mesha e parë në këtë kishë jezuite të ndërtuar sipas stilit katolik romak, u mbajt në vigjjilje të festës së Krishtlindjes të vitit pasardhës.

Në vitin 1976, pasi Shqipëria ishte shpallur i pari vend ateist në rruzullin tokësor dhe nisi fushatën e përndjekjes ndaj klerit, kjo ndërtesë u kthye në kino-teatrin me emrin “Rinia”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në këto rrethana u ndërhy në strukturën e fasadës së kishës, me qëllim që ndërtesa t’i përshtatej funksionit të ri.

Me rënien e regjimit diktatorial, kisha rihapi dyert për besimtarët në vitin 1991 dhe iu rikthye pamja e mëparshme.

Në vitin 1997, pikërisht në këtë kishë u mbajt një meshë përshpirtjeje për Nënë Terezën./atsh/KultPlus.com

Thënie nga veprat e Ernest Heminguej

Thënie nga Ernest Heminguej

“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.

“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.

“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.

“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.

“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”

“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.

“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.

“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për ikur kurrë nga ty”.

“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.

“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”. / KultPlus.com

‘Ndje më shumë, mendo më pak’

Poezi nga Charles Bukowski

Ndonjëherë s’ke kohë as ta vësh re.
Në pak sekonda ndodh gjithçka.
Gjërat ndryshojnë.
Mbetesh gjallë. Vdes.
Bota vazhdon, ecën.
Të brishtë jemi, si fije letër.
Jetojme në zgrip të përqindjeve, me kohë të kufizuar.
Dhe kjo është e mira dhe e keqja e kësaj,
i thonë “faktori kohë”.
Dhe nuk ke ç’bën.
Mund të shkosh e të rrish në majë të malit,
të rrish atje duke përsiatur dhjetëra vjet dhe të mos
ndryshosh gjë.
Mund të ndryshosh vetveten në një farë mënyre,
por dhe kjo mund të të dalë për keq.
Ndoshta shumë e vrasim mendjen.
Ndje më shumë, mendo më pak./KultPlus.com

87 vite më parë lindi e Mimika Luca

Mimika Luca (24 dhjetor 1937 – 21 shkurt 2023) lindi në Gjirokastër.

Ishte aktore e mirënjohur shqiptare. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si: Suzana, Luçia, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama Cuca e maleve, Sonja, Nica te filmi Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Laja te Kur hidheshin themelet, etj.

Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U martua me aktorin e shquar Ndrekë Luca. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.

Disa nga filmat në të cilët luajti janë:

Viktimat e Tivarit (1996),
Treni niset më shtatë pa pesë – (1988)
Botë e padukshme – (1987)
Përrallë nga e kaluara – (1987)…………Nëna e Marigosë
Rrethimi i vogël – (1986)………………Shega
Të shoh në sy (Film TV)(1985)…………..Nëna e Gjergjit
Shi në plazh – (1984) …………………Nëna e Alberit
Taulanti kërkon një motër – (1984)………Edukatorja
Nxënësit e klasës sime (1984)…………..Drejtoresha e shkollës
Zambakët e Bardhë – (1983)……………..Drita, sekretare partie
Në shtëpinë tonë – (1979)………………Nëna e Anës
Kur hidheshin themelet – (1978) (TV)…….Laja
Kryengritje në pallat – (1972)
Detyrë e posaçme – (1963)/KultPlus.com

Si kremtohet Krishtlindja në mbarë botën?

Krishtlindja është një nga festat më të njohura dhe madhështore që festohet në të gjithë botën.

Pavarësisht vendndodhjes gjeografike, çdo kulturë ka mënyrën e saj të veçantë për të festuar këtë festë të fundvitit dhe për ta bërë festën unike.

Por, ja si festohet Krishlindja në të gjithë botën:

Itali

Në Itali, në kisha, sheshet e qytetit apo në çdo shtëpi, ekziston ky zakon i shfaqjes së skenës së lindjes së Krishtit, një “presepe” gjatë Krishtlindjeve.

Babbo Natale apo ai i cili atje njihet si Babai i Krishtlindjes u shpërndan dhurata fëmijëve dhe të gjithë njerëzit urojnë njëri-tjetrin.

Poloni

Në Poloni, festimi fillon me darkën e Krishtlindjes. Është një gjë para darkës e cila ka formë të hollë letre dhe është katrore. Ajo është e bërë me miell dhe uji si dhe ka një imazh të Lindjes së Krishtit.

Njerëzit thyejnë një copë dhe e hanë atë.

Gjermani

Në Gjermani, tregjet festive të Krishtlindjes mund të shihen në sheshet kryesore në shumë qytete dhe pemët e Krishtlindjes ngrihen qysh më 24 dhjetor.

Angli

Anglia fillon përgatitjet për Krishtlindje që nga mesi i nëntorit. Njerëzit dekorojnë dhe mbledhin donacione nga vizitorët për bamirësi.

Islandë

Në Islandë, fëmijët mbajnë këpucë në dritare për ta mbushur me dhurata.

Indi, Britani dhe SHBA

India, Britania dhe SHBA ndjekin traditën e ngjashme të mbajtjes së çorape pranë shtratit në natën e 24 dhjetorit për Babadimrin.

Australi

Në Australi, njerëzit shkojnë në plazh për të bërë grill, gjithashtu bëjnë një lojë emocionuese të kriketit në oborrin e shtëpisë dhe këndojnë këngën “White Christmas”.

Greqi

Në Greqi, njerëzit dekorojnë edhe varkat, përveç pemëve të Krishtlindjeve, si një festë e praktikës detare.

Ajo që mbetet e zakonshme, pavarësisht nga vendet e ndryshme në të gjithë globin, është se njerëzit presin me padurim eksitimin e shpirtit të gëzueshëm./klankosova/KultPlus.com

“Mirror”: Shqipëria – parajsa evropiane tërësisht nën radarin e turistëve

Me një vijë bregdetare me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, Shipëria ofron një Rivierë mahnitëse me plazhe dhe limane të bukura,  që mund të rivalizojnë lehtësisht vendet fqinje që gjenden në brigjet e saj, shkruan Lucy Skoulding në të përditshmen britanike “Mirror”.

Adhuruesit e diellit në kërkim të një parajse ‘miqësore me buxhetin’ me më pak turma vizitorësh se Spanja apo Kroacia, tani po e kthejnë shikimin drejt xhevahireve të fshehura të Shqipërisë.

E vendosur midis deteve Adriatik dhe Jon, Shqipëria krenohet me një Rivierë që të lë pa frymë, të kompletuar me plazhe idilike dhe limane të izoluar.

Turistët aventurierë e kanë krahasuar këtë destinacion nën radar me vendpushimet më të shtrenjta dhe të populluara.

Ekspertja e udhëtimeve, Laura Hewson, e cila eksploroi Shqipërinë vjeshtën e kaluar, ndau përvojën e saj.

“Në atë kohë, se bashku me shoqen time, Farrell Modd po planifikonim të shkonim në Kroaci. Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri tha se duhej të shkonim atje. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.

Ajo shtoi se në Shqipëri, mund të përballonin një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim që kishin paguar për qëndrimet në hostele në Itali dhe Spanjë.

Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacionin e tyre – duke shtuar se ishte mahnitur nga videot ku shfaqeshin peizazhe magjepsëse nga vendi.

Farrell ishte e entuziazmuar kur zbuloi se vendi i vogël mesdhetar ofronte ujëra të pastra kristal dhe vendpushime të shumta për not – të gjitha me çmime miqësore me buxhetin për turistët.

Gjatë një vizite në qytetin turistik të Vlorës në nëntor 2023, dy turistet britanike vlerësuan motin e butë 19 gradë Celsius.

Brezi i plazhit me palma ishte praktikisht i zbrazët, duke i lejuar turistet të shijonin plotësisht vendin – qytetit nuk i mungonin komoditetet për pushuesit që kërkonin argëtim – me çmime të përballueshme.

Në Shqipëri, një vakt kushton 10 deri në 15 paund për person – ndërkohë që turistët me buxhet të kufizuar mund të shijojnë picat e sapobëra për më pak se 5 paund.

Në qytetin bregdetar, Vlorë, birrat kushtojnë vetëm 2 paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet rreth 4 paund.

Fluturimet nga Britania e Madhe janë gjithashtu të përballueshme, me fluturime direkte nga Londra në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të disponueshme për vetëm 28 paund./atsh/KultPlus.com

Darka e të marrëve në Lezhë, Aktorët rijetësojnë veprën e dramaturgut francez

Komedia “Darka e të marrëve” e dramaturgut francez Francis Verber është shfaqur për herë të parë në Lezhë.

Kjo vepër e realizuar nga aktorë jo profesionistë percolli mbresa tek publiku në skenën e Pallatit të Kulturës.

Shkrimtari Primo Shllaku, tha pas shfaqjes se suksesi i saj ishte rezultat i lojës së aktorëve dhe regjisurës mbresëlënëse të Alket Bushit.

Aktorët ndan mendimin se me dëshirë dhe pasion mund të ngjiten në skenë vepra të tilla.

Komedia “Darka e të marrëve” përcjell mesazhin për nevojën e rikthimit të njeriut tek personaliteti i tij, por duket se ajo prek aktualitetin, duke shfaqur mënyrën se si pushteti mbi të tjerët shpesh kthehet si hakmarrje për padrejtësitë që ata kanë përjetuar./oranews/ KultPlus.com

Mbrëmje magjike Krishtlindjeje në sheshin ‘Skënderbej’

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka bërë ftesë sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, të gjithë qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen festës që nis nesër në sheshin “Skënderbej” me rastin e Krishtlindjes.

Sheshi “Skënderbej” pritet të shndërrohet në një arenë festive të mbushur me muzikë, drita dhe atmosferë magjike.

Në këtë mbrëmje të paharrueshme, kryebashkiaku Erion Veliaj fton të gjithë të jenë pjesë e një feste që do të ndezë zemrat.

“Në mbrëmjen magjike të 24 Dhjetorit, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në zemrën e festës! Një koncert i veçantë Krishtlindjeje me këngë festive, drita magjike  dhe plot surpriza. Eja ta festojmë bashkë këtë mbrëmje magjike, ashtu siç i ka hije Tiranës”, shkruan Veliaj.

Pjesë e kësaj magjie janë grupi “Harlem Gospel Choir” dhe artistët e dashur shqiptarë Enxhi Nasufi, Sardi Strugaj, Semi Jaupaj, Tiri Gjoci, që do të sjellin këngë të mrekullueshme dhe atmosferë festive./atsh/ KultPlus.com