Nis nata finale e Fest 63, kurorëzohet sonte fituesi

Pas një rrugëtimi 3-ditor të mbushur me emocion, energji dhe risi në artin shqiptar, sonte mbahet nata finale e Festivalit të Këngës, ku do të shpallet fituesi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025.

15 finalistët garojnë për çmimin e parë, ndërsa do të shpallen edhe çmime të tjera vlerësuese, si “Çmimi i Kritikës” dhe “Çmimi për Tekstin më të Mirë”.

Edhe kjo mbrëmje premton emocione, energji dhe surpriza të shumta, me të ftuar special dhe monologë me mesazhe frymëzuese mbi problematikat me të cilat përballet shoqëria sot.

Për herë të parë, diaspora shqiptare do të ketë mundësinë të votojë për këngën fituese. Shqiptarët që jetojnë jashtë mund të votojnë përmes faqes zyrtare të RTSH-së, festivali.rtsh.al, ndërsa qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë mund të votojnë përmes SMS-ve: në Shqipëri në numrin 56789 dhe në Kosovë në numrin 55789.

Votat e diasporës do të bashkohen me ato të publikut brenda vendit dhe në Kosovë, duke kontribuar në rezultatin final me 50 % dhe 50 % do të jetë vlerësimi i jurisë profesionale të Festivalit të Këngës.

Juria profesioniste e Festivalit përbëhet nga disa prej personaliteteve të njohura në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë. Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi dhe Ramona Tullumani.

15 finalistët në garë dhe kodet përkatëse të tyre:

Kodi 01 Jet – Gjallë

Kodi 02 Kejsi Jazxhi – Kur bota hesht

Kodi 03 Vesa Smolica – Lutem

Kodi 04 Stine – E kishim nis’

Kodi 05 Djemë e Detit – Larg

Kodi 06 Nita Latifi – Zemrës

Kodi 07 Gjergj Kaçinari – Larg jetës pa ty

Kodi 08 Orgesa Zaimi – I parë

Kodi 09 Ardit Çuni – Amane

Kodi 10 Algert Sala – Bosh

Kodi 11 Shkodra Elektronike – Zjerm

Kodi 12 Lorenc Hasrama – Frymë

Kodi 13 Elvana Gjata – Karnaval

Kodi 14 Mal – Antihero

Kodi 15 Alis – Mjegull/rtsh.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: 2024 është viti i pasaportës sonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti thotë se ky dokument i Kosovës renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave, transmeton Klankosova.tv.

“Viti 2024 është viti i pasaportës sonë.  Ajo renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave, është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit, dhe me të sot mund të udhëtojmë në 38 vende të botës më shumë sesa në vitin e kaluar”, ka shkruar Kurti.

I pari i qeverisë tutje shton se qytetarët e Kosovës tani lëvizin lirshëm dhe të padiskriminuar.

“Qytetarët tanë tashmë lëvizin lirshëm dhe të pa diskriminuar, pa pasur nevojë të presin para dyerve të ambasadave për të marrë vizë për udhëtime afatshkurtra në shumë shtete. Me liberalizim të vizave, me njohje të pasaportës sonë edhe nga shtete mosnjohëse, po e afrojmë Kosovën, me Evropën dhe përtej”.

Filharmonia përmbyll vitin me Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mbrëmë nën dirigjimin e mjeshtrit Dario Salvi, ka përmbyllur vitin me Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025, shkruan KultPlus.

Orkestra e institucionit më të lartë të muzikës në vend këtë fundvit solli një program ekskluziv, plot ekspresivitet dhe nostalgji.

“Koreografitë e pavdekshme të mjeshtrit botëror Mikhail Fokine, të shoqëruara nga muzika e Tchaikovsky-t, Saint-Saëns-it dhe Adam-it, erdhën në skenë falë balerinit dhe koreografit ikonik italian Toni Candeloro dhe Martina Arduino, prima balerinës së “Teatro alla Scala” – Milano”, thuhet në faqen e Filharmonisë.

Mbrëmja solli gjithashtu virtuozitetin e dy instrumentistëve të jashtëzakonshëm: violinistes franceze Anna Göckel, fituese e çmimit prestigjioz “Révélations Classiques de l’ADAMI,” dhe trumbetistit të parë të Filharmonisë së Sofjes, Peter Makedonski.

Epilogu i mbrëmjes ishte Marshi i Radetzky nga Strauss, nën dirigjimin e violinistes 8-vjeçare Hana Ajeti.

Filharmonia do të nisë aktivitetin me koncertin e parë më 17 janar 2025, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Soliste e koncertit do të jetë violinistja Abigeila Voshtina, ndërsa dirigjent italiani Jacopo Sipari di Pescasseroli. /KultPlus.com

Ministri Çeku ndjek nga afër rrëfimin e rrugëtimit artistik të Meli Qenës: Personalitetet si artistja Qena janë të rralla

Mbrëmë, në KultPlus Caffe Gallery artistja Meli Qena ka shpalosur rrugëtimin e saj profesional dhe artistik në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”, në një bashkëbisedim të këndshëm me ideatoren e projektit Vlora Merovci, në KultPlus Caffe Gallery.

Në këtë mbrëmje të veçantë artistike ka qenë i pranishëm e Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, i cili nga afër ka ndjekur rrugëtimin e saj artistik.

Përmes një shkrimi në Facebook, Ministri Çeku ka thënë se personalitetet si artistja dhe regjisorja Meli Qena, janë të rralla.

“Sonte, patëm mundësi të dëgjojmë nga vet ajo rrëfime për rrugëtimin e saj artistik, histori frymëzuese, dashurinë dhe përkushtimin për teatrin e sfidat ndaj të cilave nuk u dorëzua asnjëherë.

Energjia dhe angazhim i saj për punë janë shembull dhe frymëzim për secilin prej nesh.

Faleminderit aktores Vlora Merovci që na bëri bashkë në këtë aktivitet kaq të veçantë”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com.

Gërshetim i dhimbjes, jetës, poezisë e muzikës në koncertin ‘Side-by-side, Schumman & Strauss’ nga Besa Llugiqi dhe Misbah Kaçamaku

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së premtes, në sallën kryesore të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, u mbajt koncerti i sopranos së mirënjohur, Besa Llugiqi dhe pianistit, Misbah Kaçamaku. Me titullin “Side-by-Side, Schumann and Strauss”, ky koncert solli në skenë dy nga kompozitorët më të njohur të muzikës klasike, Robert Schumann dhe Richard Strauss, duke ofruar një udhëtim muzikor të pasur për publikun e pranishëm, shkruan KultPlus.

Koncerti filloi me një interpretim të veçantë të ciklit vokal “Frauenliebe und Leben” (Dashuria dhe Jeta e Gruas) nga Robert Schumann, një nga veprat më të njohura dhe më të dashura të këtij kompozitori. Besa Llugiqi, me zërin dhe elegancën që e karakterizon, solli një interpretim të thellë dhe emocional të çdo kënge. Secili nga ciklet, i mbushur me intensitetin dhe ndjenjën e dashurisë dhe brishtësisë femërore, u shoqërua nga performanca e sofistikuar e pianistit Misbah Kaçamaku.

Pas kësaj pjese, pianisti Misbah Kaçamaku i shpërndau tingujt e magjishëm të “Fantasie” nga Mozart, një nga krijimet më të njohura dhe më komplekse të kompozitorit austriak, në një performancë solo. Me mjeshtëri të rrallë, Kaçamaku udhëhoqi publikun në një përvojë të jashtëzakonshme muzikore, duke sjellë në jetë çdo nuancë të veprës së Mozart-it.

Ndërkaq, mbrëmja kulmoi me një interpretim të veprave më të njohura të kompozitorit gjerman Richard Strauss. Besa Llugiqi, e përsosur në çdo detaj, solli një bukuri të jashtëzakonshme në këngët “Morgen” Op. 27 nr. 4, “Ach, Liebe, ich muss nun” Op. 21 nr. 3, “Allerseelen” Op. 10 nr. 8, “Mein Herz ist stumm” Op. 19 nr. 6, “All mein Gedanken” Op. 21 nr. 1 dhe “Zueignung” Op. 10 nr. 1.

Pas një paraqitje të jashtëzakonshme, Besa Llugiqi foli për KultPlus, duke u shprehur e lumtur për këtë koncërt. Ajo më tej foli edhe për veprat që interpretoi, që sipas saj janë të bukur dhe të vështira në interpretim.

“Ky është një program mjaft impenjativ, është i vështirë stilistikisht. Janë dy botë të kundërta, Schumman dhe Strauss, por që e kanë një të përbashkët poezinë e bukur në to dhe muzikën e jashtëzakonshme. Cikli i parë, ‘Frauenliebe und leben’, tregon një ngjarje nëpërmjet tetë këngëve, dashurinë dhe jetën e gruas, që shtjellon se si një grua dashurohet, martohet, lind fëmijë dhe në fund i vdes i dashuri, përfundon tragjikisht, mirëpo ka një përmbajtje të jashtëzakonshme, ka shumë art të. Kurse pjesa e dytë përmban tregime të shkurta, por që secila flet për jetën, vdekjen, natyrën, për humbjen dhe për dashurinë. Në të dyja versionet është sfiduese për këngëtarin por është edhe kënaqësi t’i interpretosh sepse është një muzikë e mrekullueshme dhe e gërshetuar shumë mirë me poezinë që në fakt duhet dhënë ngjyrë fjalës duke e ngjyrosur me muzikë”, thekosi Llugiqi.

Pas koncertit foli edhe pianisti Misbah Kaçamaku i cili dha përshtypjet e tij rreth koncertit dhe përzgjedhjes së veprave.

“E veçanta në këtë repertor është se këto janë ‘lied’ (këngë gjermane). Sa e mbaj unë mend, kjo është mbrëmja e parë pas luftës që janë interpretuar vetëm ‘lied’. Pjesa e parë ka qenë një cikël e Schumman, i ashtuquajtur një serial që flet për jetën e një vajze, ndërkaq Strauss nuk e kemi përzgjedh si cikël, janë përzgjedhë disa pjësë”, u shpreh Kaçamaku për KultPlus.

Më tutje, ai foli edhe për bashkëpunimin me Besën, që sipas tij, pavarësisht angazhimeve të tjera, ata vazhdojnë të kenë konsistencë bashkëpunimi.

“Ne me Besën punojmë bashkë mbi tri vite dhe mund të them që jemi i vetmi duet në vend që ka konsistencë në bashkëpunim pavarësisht koncerteve, pavarësisht bashkëpunimeve, ne sërish punojmë”, shtoi ndër të tjerash pianisti Misbah Kaçamaku.

Në këtë natë, publiku pati mundësi që të ndjejë fuqinë e muzikës, që tejkalon çdo kufi dhe hap një dritare të re në botën e emocioneve dhe krijimtarisë artistike. Besa Llugiqi dhe Misbah Kaçamaku i dhanë publikut të pranishëm, një mundësi të rrallë për të shijuar muzikën e pastër dhe të ndjerë të Schumann dhe Strauss./KultPlus.com

Arkivi ‘Marubi’ në Shkodër kandidat për në UNESCO

Viti 2025 pritet të nisë me një lajm të rëndësishëm për historinë e Shkodrës dhe dokumentimin e saj. Drejtori i Muzeut të Fotografisë, Luçjan Bedeni u shpreh se arkivi i Marubëve është kandidat zyrtar për t’u pranuar në UNESCO.

“Jemi zyrtarisht kandidat për tu bërë pjesë e UNESCO. Besoj se Shkodrës do t’i mbesë një gjurmë e rëndësishme nga kjo. Ne do ta ridimensionojmë krejtësisht arkivin online dhe atë digjitalë të “Marubit”. Do t’i japim publikut një tjetër kënaqësi shumë të madhe për pasqyrimin e imazheve” u shpreh Bedeni.

Dhjetori shënoi po ashtu ekspozitën më të re në Muzeun “Marubi” e përbërë nga imazhe të fotografit me famë botërore nga SHBA, Gregory Crewdson.

Vepra e tij gërsheton në mënyrë mahnitëse një dimension autobiografik me portretin e një Amerike pa lavdi. Kjo ekspozitë bashkon vepra nga vitet 2012 deri në 2022

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri në datën 1 mars të vitit të ardhshëm në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Muzeu ‘Ismail Kadare’ në Gjirokastër, rreth 8 mijë vizitorë gjatë gjithë vitit

Muzeu i shkrimtarit të letrave shqipe Ismail Kadare ka qenë një prej aseteve më të frekuentuara turistike që prej fillimit të vitit 2024 e deri më tani.

Përgjegjësi i këtij muzeu Bruno Pjetri shprehet se interesi i turistëve ka qenë i lartë në krahasim me vitin e kaluar dhe vijon ende të jetë si nga turistë vendas, por kryesisht ata të huaj.

“Viti 2024 ka qenë i suksesshëm përsa i përket numrit të vizitorëve në muze, por edhe aktivitete që ne kemi zhvilluar në ambjentet e muzeut. Rreth 8 mijë vizitorë kanë ardhur gjatë këtij viti”, tha Pjetri.

Ai ndër të tjera theksoj se edhe gjatë ditëve të dhjetorit nuk kanë munguar vizitorët të cilët vijnë të shohin vendin ku është lindur e rritur shkrimtari.

Prej fillimit të vitit 2024 e deri tani muzeu Kadare ka mirëpritur rreth tetë mijë turistë vendas e të huaj, duke e kthyer këtë muze në një prej destinacioneve më të frekuentuarat në Gjirokastër./atsh/ KultPlus.com

Zanat balerina të ‘Behia’s dance’ sjellin ‘Magjinë e Kërcimit’ në prag të festave të fundvitit

Studio e Baletit “Behia’s dance” mbrëmë ka sjell magji përmes shfaqjes së baletit për fëmijë “Magjia e Kërcimit”, në teatrin “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Zanat balerina përmes kësaj shfaqjeje dhuruan një spektakël të paparë në prag të festave të fundvitit, duke hipnotizuar publikun në sallë përmes lëvizjeve të tyre fluide në harmoni me muzikën në sfond.

Koreografitë e realizuara nga Behie Murtezi dhe Driton Saqipi edhe njëherë e dëshmuan për vullnetin, pasionin dhe profesionalizimin e Studios “Behia’s dance”, e cila me të njejtin ritëm pritet të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm.

“Vërtetë një natë magjike na dhuruan mbrëmë balerinat tona. Falemnderit të gjithëve për bashkëpunimin! Gezuar festat,shëndet e shumë suksese”, është shprehur Behie Murtezi pas koncertit artistik. / KultPlus.com

Llampa ndriçuese ‘Leka’ e artistes Fitore Syla sjell ngrohtësi edhe në shtëpinë e Dua Lipës

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa së fundmi ka shpërndarë një instastory në të cilën shihet edhe produkti ndriçues artistik “Leka”, i krijuar nga artistja dhe dizajnerja Fitore Syla, shkruan KultPlus.

Artistja Syla këtë javë ka hapur një ekspozitë të veçantë në KultPlus Caffe Gallery me llampa ndriçimi ‘Leka’ (pocërrka), të cilat në të kaluarën kanë qenë pjesë e familjeve shqiptare.

Një prurje e tillë artistike ka ardhur si gërshetim i tradicionales me modernen, duke sjellë një format mjaft të veçantë të ekspozitës me një eco-design, plotë ngjyra dhe ngrohtësi.

Një llampë të tillë ndriçuese duket se po sjell art dhe ngrohtësi edhe në familjen e artistes Lipa./ KultPlus.com

Sonte finalja e Fest 63, kryeministri Rama përshëndet eventin muzikor

Sonte është nata e katërt dhe finale e Festivalit të Këngës në RTSH, kur do të zgjidhet fituesi i edicionit të 63-të, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2025.

Festivali është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama. Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social, Instagram, ai ndau një përmbledhje të momenteve më të bukura të tri netëve të kaluara në Fest 63.

Sonte në natën finale do të konkurrojnë 15 këngëtarë. Ata mbartin sfidën e një gare të fortë mes tyre për të marrë trofeun e fituesit të Fest 63.

Risi e këtij viti është se diaspora, për herë të parë, do të ketë zërin e vet në zgjedhjen e këngës fituese. Organizatorët kanë krijuar një faqe të dedikuar në të cilën të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të munden të votojnë për këngën që ata parapëlqejnë.

Votimi në adresën festivali.rtsh.al.  është i mundur vetëm për shqiptarët që ndodhen jashtë.

Në adresën më sipër nuk mund të votojnë qytetarët shqiptarë brenda vendit, ata në Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Votuesit nga Shqipëria dhe Kosova votojnë me mesazhe nga Shqipëria në numrin 56789 dhe nga Kosova në numrin 55789.Qytetarët kanë të drejtë që nga çdo numër të votojnë 5 herë vetëm kodin e artistit të preferuar.

Votat e shqiptarëve të diasporës do të mblidhen edhe me votat e qytetarëve shqiptarë brenda vendit në përllogaritjen e votave të përgjithshme për këngën fituese. Për të shpallur këngën fituese të Fest 63 do të llogaritet edhe votimi i jurisë profesionale të Festivalit të Këngës.

Këngëtarët dhe titujt e këngëve që konkurrojnë në finale:

Jet – Gjallë

Kejsi Jazxhi – Kur bota hesht

Vesa Smolica – Lutem

Stine – E kishim nis’

Djemë e Detit – Larg

Nita Latifi – Zemrës

Gjergj Kaçinari – Larg jetës pa ty

Orgesa Zaimi – I parë

Ardit Çuni – Amane

Algert Sala – Bosh

Shkodra Elektronike – Zjerm

Lorenc Hasrama – Frymë

Elvana Gjata – Karnaval

Mal – Antihero

Alis – Mjegull/atsh/ KultPlus.com

Festat e fundvitit, fluks i shtuar i udhëtarëve në Kakavijë

Ditët e fundit të vitit kanë sjellë një fluks të shtuar në pikat kufitare të vendit.

Në një artikull të publikuar nga RTSH, bëhet e ditur se, më datë 21 dhjetor 2024, Shërbimet e Policisë Kufitare (SPK) në Kakavijë kanë regjistruar një total prej 9667 shtetasish në hyrje-dalje. Nga këta, 7140 shtetas kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 2527 janë larguar.

Po ashtu, janë regjistruar gjithsej 2898 mjete, nga të cilat 2127 kanë hyrë dhe 711 kanë dalë nga Shqipëria. Ky fluks i lartë tregon një aktivitet të shtuar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, e cila mbetet një nga pikat më të ngarkuara të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë./ KultPlus.com

Shqipëria do mbyllë TikTok për një vit, reagon kompania kineze

Kompania kineze e rrjetit social, TikTok ka reaguar pasi qeveria e Shqipërisë njoftoi se do të mbyllë TikTok për një vit. Ajo thotë se do të kërkojë “sqarime urgjente nga qeveria shqiptare” lidhur me vendimin për mbylljen e platformës TikTok për një vit në Shqipëri”, shkruan  Associated Press. 

Sipas vendimit të bërë të ditur dje nga kryeministri Edi Rama prej janarit të 2025 platforma e TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë,  si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla.

Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me armë të ftotë të 14 vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, gjatë një konflikti me një tjetër nxënës po i kësaj shkolle, ndodhur më 18 nëntor 2024.

Në një reagim për Associated Press kompania e rrjetit social, TikTok tha se “nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.”/ KultPlus.com


Gonxhja: Kujtojmë lindjen e Odhise Paskalit, legjendë e artit shqiptar

Sot kujtohet lindja e skulptorit të madh dhe personalitetit të shquar të artit shqiptar, Odhise Paskali, shpallur me titullin “Nderi i Kombit”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja kujtoi sot se në 22 dhjetor 1903, lindi një legjendë e artit shqiptar, Odhise Paskali.

I lindur në Përmet, ai përfundoi studimet e tij në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Torino të Italisë, në vitin 1927.

Autor i mbi 600 veprave skulpturore që bartin historinë dhe shpirtin e kombit shqiptar, Gonxhja kujtoi po ashtu edhe kontributet në publicistikë, estetikë dhe kritikë arti, duke lënë një trashëgimi të pasur kulturore.

“Odhise Paskali mbetet një nga figurat më të rëndësishme të artit shqiptar, duke lartësuar identitetin tonë kombëtar në çdo vepër të tij. Ai u nda nga jeta më 13 shtator 1985, por emri dhe vepra e tij do të jetojnë përjetësisht”, u shpreh ministri./ KultPlus.com

Ikona e Teatrit të Kukullave, Meli Qena sjell rrugëtimin e saj artistik: Themelimi i ‘Dodonës’ është periudha më e ndritshme e jetës time

Vjollca Duraku

Aktorja e njohur Meli Qena ka qenë figura e radhës që ka shpalosur rrugëtimin e saj profesional dhe artistik në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”,  në një bashkëbisedim të këndshëm me plotë batuta me ideatoren e projektit Vlora Merovci, në KultPlus Caffe Gallery.

Një figurë ikonike sikurse Melihate Qena-Meli, e cila për 40-të vite me radhë ka qenë aktorja e vetme e teatrit të kukullave “Dodona” ka sjellë rrugëtimin e saj frymëzues, që përkundër sfidave të këtij institucioni ajo ndër vite ka vazhduar të sjellë art dhe të edukojë fëmijët në aspektin artistik.

Një rrëfim jo shumë i zakonshëm i saj për teatrin, fëmijët dhe kukullat ka zgjuar interesimin edhe të Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut, që së bashku me stafin e tij ishin prezent në këtë ngjarje, duke dëgjuar për së afërmi rrëfimin e saj të papërsëritshëm prej legjende.

Ky bashkëbisedim i mbështjellë me një dozë humori të lezetshëm që fluturonte në etapa të ndryshme kohore filloi me historinë e saj se si ka lindur dashuria për artin dhe dëshira për të studiuar në Beograd.

“Arti në familjet e mëdha zhvillohet në një formë inercioni. Ne kemi qenë nëntë fëmijë, dhe kah ka shkuar i madhi i kanë ngarendur edhe të tjerët pas. Në të kaluarën ne nuk e kemi pasur dikë që të na këshillojë, bile për hirë të së vërtetës nuk janë marrë shumë me ne, kështuqë fëmiu i madh në familje ka qenë udhërrëfyes në njëfarë forme. Po të kishte shkuar fëmiu i madh në një kahje tjetër edhe ne me siguri do ta ndiqnim atë, dhe ndoshta do të kishte qenë më mirë”, ka thënë aktorja Qena.

Fillimisht Meli tregon se në atë kohë fare lehtë ka arritur të regjistrohej në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Ruse në Prishtinë, ku më pas përmes një seleksionimi të mbi 100 studentëve, ajo ka arritur të hyjë në rrethin e ngushtë të të përzgjedhurve për të vazhduar studimet në Beograd.  

“Meqë atje ne ishim me gjuhë shqipe u desh që të vinte dikush të punonte me ne, dhe atëherë erdhi edhe Muharremi. Unë nuk pata biseduar me të fare. Kur më pa u befasua, po ti? Filloi të më pyeste nëse e kam pyetur ndokënd që kisha shkuar atje. Në këtë rast unë i thash kam bisedur me Xhevatin, ngase ai pakëz më i butë…”, ka thënë me shaka ajo.

Për ta sfiduar të motrën dhe për t’ia bërë me dije që arti është i vështirë ajo tregoi që aktori Muahrrem Qena e detyronte të realizonte ushtrime të vështira.

“Më jepte ushtrime të vështira. Edhe ashtu nuk mundesha të adaptohesha në Beograd në fillim. Viti i parë ka qenë shumë, shumë i vështirë për mua. Bile e mendoja edhe kthimin. Çdo natë qaja, i kam pasur disa biskota që mi pati dhënë nëna, e mbi ato qaja. Valigjen për një vit nuk e kam hapur, vetëm e merrja nga një rrobë”, ka treguar ajo, duke thënë që shoqata e studentëve “Përpjekja” u bë shkas që ajo të qëndronte atje.

“Ka pasur shumë studentë të moshave dhe niveleve të ndryshme nga Gjakova e Mitrovica. Aty kam takuar Ukshin Hotin e Zekirja Canën në studimet e tyre postdiplomike. Bile në atë shoqatë e kam vërejtur talentin për aktrim të Zekirja Canës, pas një interpretimi të një vepre të Migjenit. Aty ka pasur shumë mbrëmje. Posa i kryeja mësimet në akademi shkoja dhe rrija aty. Vitin e parë ashtu e kam shtyer, me zor”, ka treguar Meli. Vitet pasuese për të kanë qenë më të lehta për arsye të krijimit të rrethit të saj.

Diplomimi, puna e parë pas diplomimit

Pas diplomimit, Meli tregoi që ishte lajmëruar për punësim në Teatër pasi ky institucon i kishte dhënë bursë. Me tu kthyer në Kosovë drejtori Azem Shkreli i kishte thënë që institucioni nuk ka nevojë për pjesëtar të rinj ngase aty ishin punësuar disa studentë të shkollës së lartë pedagogjike, e cila i kishte nxjerrë dy gjenerata, derisa ajo ishte me studime në Beograd.

“Dola, mu soll Prishtina, nuk dija nga t’ia mbaja. Mbeta pa punë, nuk dija çka të ju them në shtëpi. Pasi mbërriva në mbrëmje në shtëpi ata nuk më pyetën fare për punën, ngase vërehesha në fytyrë”.

Pas një aplikimi në Normalen e Mitrovicës Meli u punësua si mësimdhënëse e gjuhës ruse. Me shumë nostalgji e kujton këtë kohë, përderisa me shaka tregon edhe për ndodhitë e saj me nxënësit e shkollës që ishin moshatarë të saj.

“Aty duhej me ju dhënë gjuhë ruse klasave serbe, sepse pak ka pasur prej shqiptarëve që mësonin këtë gjuhë. Unë për  t’i stimuluar shqiptarët që të mësojnë për Pushkinin, Çehovin e letërsinë pasi ata ishin gati moshatarë të mijë,  ju drejtohem si nuk po mësoni sado pak? Ata: mësuese mos i bërtisni këtij se i ka tre fëmijë në shtëpi. Thjesht nuk iu interesonte shumë rusishtja”.

Pas këtij viti, ajo u ftua për të punuar në Teatrin e Prizrenit që do të hapej atë vit, punë e cila nuk do të zgjaste shumë pasi vetëm pas një viti teatri u mbyll. Pas ardhjes në Prishtinë pranohet në Televizionin e Prishtinës si asistente, për tu vendosur përsëri në Beograd përmes një pune praktike në një televizion. Edhe aty spo kishte filluar zhvillimin në karrierë si asistente, regjisore, regjisore e pavarur edhe ai TV ishte mbyllur, ngjarje këto të cilat në njëfarë forme e kishin dëshpëruar aktoren e madhe të Teatrit të Kukullave.

Puna në Teatrin “Dodona”, 38-të vjetori i themelimit të teatrit

Aktorja e njohur, Meli Qena, pranimin në teatrin “Dodona” e ka quajtur periudhën më të ndritshme të jetës së saj, në të cilin për 38 vite me radhë e ka dhënë me shpirt e pasion gjithë kapacitetin e saj artistik ndaj fëmijëve dhe botës së tyre të bukur.

“E vetmja periudhë e ndritshme në jetën time ku e kam gjetur veten pas gjithë kësaj errësire është Teatri i Kukullave. Më besoni punën nuk e kam bërë as për falënderim, as për famë, as për asgjë. E kam bërë sepse më ka shkaktuar mua kënaqësi, sikurse mos ta kisha dashur shumë këtë punë, do të kisha punuar dy ose tre vjet dhe do e kisha lënë. Mirëpo, mua meqë dashurija nuk më lëshon kurrë, më lënë mua dashuritë, por unë nuk i lë. Shpresoj që nuk më lë edhe teatri”, ka thënë aktorja Qena, e cila konsiderohet ikonë e Teatrit të Kukullave.

Meli tregon që punën në Teatër e ka filluar pas ftesës së Ismail Imerit për pozitën e asistentit. Një prirje e saj spirituoze ka qenë arsyeja përfundimtare që ajo është punësuar në atë teatër për të mos u shkëputur më asnjëherë. 

“Ismail Imeri më ka ftuar sepse ka kërkuar ta ketë një asistent. Pasi u takuam më pyeti çka di ti për kukulla. I thashë asgjë s’di… Veç e di që i kam disa kukulla në kokë, e sa të më rrijnë në kokë, mirë do ishte t’i vendosja në skenë. Më tha po më pëlqen që je spirituoze sepse teatri i kukullave kërkon njerëz të tillë. Aty fillova. Jam shumë e lumtur që e punoj një punë që më pëlqen, sepse nuk kam pasur shumë fat në jetë, në lëmi të tjera, por së paku këtë e punoj me gjithë qejf. Dikush më tha si nuk po plakem. Unë nuk mund të plakem sepse me fëmijë po punoj, unë i dëgjoj ata, kënaqem, rrij në dritare dhe i shikoj kur të vijnë me radhë”, ka treguar aktorja me plotë dashuri e pasion.

Aktorja Qena ka thënë se Teatrin e vërtetë nuk e përbën ndërtesa por njerëzit, energjia dhe arti i tyre. 

“Unë nuk pajtohem që Teatri është ndërtesa. Nuk është as ndërtesa, as teatri, as familja, as shtëpija, as asgjë, janë njerëzit. Pra është një grup njerëzish që duan të punojnë. Në historinë e teatrit ka grupe teatrore që punojnë në rrugë, pa ndërtesë fare”.

Më tutje, Qena ka treguar që Teatri “Dodona” ka qenë i vetmi institucion i cili ka mbijetuar edhe në kohën e okupimit, pasi aty ka punuar sipas saj një njeri i madh si Faruk Begolli.

“Ai njeri ka ndenjur natë e ditë në atë teatër, i ka dashur studentët. Gjeneratat e ndryshme të studentëve nuk e kanë pasur vetëm teatër por edhe shtëpi, kuzhinë, jetë dhe gjithçka tjetër sepse në atë kohë nuk ke pasur nga të shkosh. Ajo ka qenë një oazë jo vetëm për studentët e aktrimit, por aty janë mbledhur edhe kompozitorët, edhe shkrimtarët e tërë njerëzit që në atë kohë nuk kanë pasur ku të shkojnë. Prandaj ndërtesa nuk është asgjë, janë njerëzit gjithmonë. ”, ka treguar ajo. 

Me shumë mall dhe dashuri për kolegun e saj ajo rrëfen me humor edhe një ngjarje që me aktorin Begolli e kishin përjetuar atë kohë.

“Për shfaqjen ‘Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët’ po i kërkoja dyshekët e shkurtabiqëve, pasi nuk i gjeja askund. Duke u sjellë në teatër, po i shoh studentët e Begollit në dyshekë të shkurtabiqave. Unë i them me nervozë Begollit: Këta studentët e tu po flenë në dyshekë të shkurtabiqave, a i mësoni këta njerëz diçka, a kanë pak etikë? Më tha hajt ore, a më mirë me flejtë shkurtabiqët e tu në ata dyshekë apo studentët e mij”.

Shfaqjet e ditëve të sotme, çka e karakterizon një shfaqje të mirë

Sipas Melit një shfaqje e mirë duhet të jetë didaktike dhe të ketë një porosi të caktuar për publikun. Ajo ka treguar që gjithë karrierën e saj është munduar që të përzgjedhë autorët më të mirë, të cilët në fund japin një mesazh të caktuar.

“Mua më thonë shpesh që jam demode, që nuk bën kështu të bëhen shfaqjet, shfaqjet tua janë didaktike, gjithmonë përpiqesh për fëmijët. Unë mendoj që duhet me qenë didaktike, mendoj që fëmija duhet të mësohet dhe shfaqja duhet të ketë një porosi. Prandaj i zgjedh tekstet më të mira me Kipling, Marshak, Rodari, Malik etj. Tash së fundmi e kam punuar edhe Çehovin. Kështu që, këta më thonë demode se nuk bën ashtu, duhesh me ndërru tërësisht qasjen. Unë ju them le ta ndërrojnë të tjerët, mua edhe pak më ka mbetur me këtë qasje, spo e ndërroj hiq”, ka thënë Meli.

Ajo thotë se shfaqjet e ditëve të sotme kanë më shumë shkëlqim se sa përmbajtje.

“Te regjisorët dhe shfaqjet e reja kam vërejtur se ka më shumë shkëlqim, më shumë mbulesë të jashtme se sa përmbajtje thelbësore. Në qoftëse në një shfaqje hyn dhe del e nuk ke kurrëfarë përshtypje që ke dalë nga shfaqja, apo nuk ke kurrëfarë mbrese mendoj që ajo shfaqje nuk mund të jetë e suksesshme. Kur është shfaqja e mirë duhet me të ardhë keq që ajo ka përfunduar, është sikurse një libër të mirë kur e lexon dhe thua ‘ah si përfundoi…’. Prandaj unë jam e mençur që i bëj shfaqjet e shkurtëra”.

Funksionimi i Teatri “Dodona” në ditët e sotme

Aktorja Melihate Qena ka thënë se teatri “Dodona” aktualisht është në një gjendje aspak të mirë funksionale, pasi nuk e ka të rregulluar mënyrën e financimit ashtu siç do të duhej. 

“Nuk jam aspak e kënaqur. S’ka si të funksionojë teatri “Dodona” pasi nuk kemi xhirollogari, s’kemi as nënkod. “Dodona” ka pasur peridha të ndryshme, pak më të mira, pak më të kqija. Ka vështirësi në aspektin e financimit. Për herë të parë Ministrisë ia kam kërkuar 20 mijë euro për t’i kthyer në skenë tri shfaqje, më ka dhënë 19.500 euro. Teatri duhet të ketë buxhet për projektet e veta, pasi unë nuk di të aplikoj për projekte edhe nëse do të mi jepnin 500 mijë euro. Me siguri është bërë me qëllim që të mos fitoj askush projekt”, ka thënë me shaka aktorja e njohur.

Ajo më tej ka shtuar se rëndësia dhe arsyeja se përse “Dodona” duhet të ketë një buxhet të veçantë ka të bëj me faktin se është i vetmi teatër i Kukullave në Kosovë.

“Mendoj që duhet me pasë buxhetin Teatri Dodona, sepse është i vetmi teatër për fëmijë. Unë i kam lutur ministrat që t’i shkollojnë dy studentë në akademinë e Pragës, Sofjes ose në Amerikë vetëm për Teatër të Kukullave, sepse nuk është teatër vetëm për fëmijë. Unë e kam parë Shekspirin me kukulla, në një shfaqje të punuar nga bullgarët në Butrint. Mbetesh e fascionuar se çka mund të bëj kukulla. Kukulla mund ta bëj atë që nuk mundet njeriu, pra sidomos kur ke ndonjë shfaqje politike, kur don me i qeshë politikanët. Me kukulla është shumë më lehtë sepse simbolizon diçka, edhe thojnë kukull se marrin shumë seriozisht”, ka thënë ajo.

Interpretimin para fëmijëve e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm, pasi si aktor t’i nuk je në dijeni se para çfarë personaliteti mund të luash.

“Shfaqjet e mija nuk janë shfaqje ‘petulla çasti’ që hahen në plazhin e Durrësit. Meqë i dua fëmijët, dhe i respektoj shumë, shumë, shumë sepse ju them gjithmonë aktorëve ju nuk e dini para kujt po luani. Fëmijë është ai. Ndoshta është një Aleksandër Moisi, Bekim Fehmi apo aktori më i madh i botës, por ju se dini. E kur të keni Petrovcin apo Begollin në sallë ju e dini. Prandaj ndaj fëmijëve kam jashtëzakonisht respekt të madh”.

Aktorja Qena me keqardhje ka treguar për konsumimin e shfaqjeve si pasojë e mos financimit, nga e cila gjë ka filluar të humbet edhe publiku.

“Më vjen kur tash kohëve të fundit kemi filluar ta humbim publikun sepse nuk po na financojnë. Që shtatë vjet e kemi dorëzuar fitimin e biletave dhe tash kur i kërkojmë paret tona thojnë s’ka. Kur prishet një kukull na duhet me vrapu me ble një ngjitës. Katastrofë është situata, skemi mjete të higjienës në këtë teatër që është teatër i kukullave, në të cilin vijnë fëmjë dy vjeç- tri vjeç. Mendoj që e kemi një periudhë jashtëzakonisht të vështirë tash. Gjendja është e keqe sepse kemi filluar ta humbim publikun edhe nga përsëritja e shfaqjeve të njëjta”.

Për të mbajtur gjallë traditën e saj unike mbi shfaqjet me kukulla, Meli ka paraqitur kërkesë që disa të rinjë të trajnohen që më pas të mund t’i shërbejnë një audience të mrekullueshme siq janë fëmijët.

“Pa u shkolluar për këtë teatër nuk ka mundësi që puna të trashëgohet. Ka shkolla në Bullgari, Pragë ose Amerikë nuk është shumë e shtrenjtë, edhe me qenë çka? Për katër vite aty mësohesh edhe me loz me kukull edhe me punu kukullën, dhe të gjitha teknikat tjera i mëson. Do të ishte shpëtim nëse dikush mendon për këtë teatër. Për të vazhduar ritmin do të duhej të shkolloheshin dy apo tre të rinj”.

Pengu jetësor i karrierës së Meli Qenës

Peng jetësor të karrierës së saj Meli e ka ritheksuar mos vazhdimësinë e kësaj tradite edhe te brezat më të rinjë.

“Kjo që nuk kam mundur t’i bindi këta njerëz që merren me drejtimin e shtetit që t’i shkollojnë katër vetë. Kjo do të ishte një mrekulli sepse Teatri i Kukullave është shumë, shumë, shumë interesant dhe atraktiv. Nuk është vetëm jeta ime, por edhe për fëmijë është shumë interesant. Kemi edhe qendra tregtare të ndryshme që kanë njëqind mijë shkëlqime. Te ne në “Dodonë” nuk i ke ato, mirëpo në “Dodonë” ka zemër. Te unë aktorët nuk flasin as me mikrofona. Unë kam dëshirë që ata të flasin me zërin e tyre, për t’iu ndëgju frymëmarrja e aktorit, zëri i aktorit sepse mendoj që jemi bërë gjysmë robota”.

Për Melin vendi më i preferuar nga të gjithë vazhdon të jetë Teatri i Kukullave, prej të cilit nuk është lodhur asnjëherë.

“Unë mundem me ndejt me ditë në teatër hiq nuk mërzitem, rrij në garderobë. Nuk ka kukull në atë teatër për të cilën nuk kam qep diçka, nuk kam thur diçka. Nuk njoh popull tjetër që ia keqpërdor tjetrit dashurinë që e ka për një lëmi. Hajt se ajo mundet. Edhe nëse mundet nuk e meriton kjo gjeneratë e fëmijëve për të parë lloj lloj lecke, e meriton me pas një teatër të denjë. Teatri duhet me pas edhe restaurantin e vet”.

Meli në këtë rrëfim të rrallë për rrugëtimin e saj artistik ka treguar se aktualisht po punon një novelë të Çehovit, të quajtur “Kashtanka”.

“Bëhet fjalë për një qenush të vogël që humb të zotin. E gjen një padron i cirkut dhe e merr në cirk. Në mbrëmjen kur duhet të loz para publikut qëllon edhe i zoti i qenit në teatër. Aty ai e sheh qenin e vet dhe aty përfundon shfaqja. Por, kryesorja është që ky e gjen qenin. Është jashtëzkonisht tekst i mirë i Çehovit, që përmes kukullave e tregon krejt jetën mbrapa skenës çka ndodh me aktorë”, ka thënë ajo duke treguar që është një projekt i cili do të shfaqet në qytete të ndryshme.

Për ta ndryshuar pak rrjedhën e bisedës serioze dhe për t’i dhënë sharm edhe më shumë mbrëmjes, aktorja Blerta Syla- Surroi ka interpretuar edhe poezitë e autorëve Skënder Rusi dhe Rajner Maria Rilke, të cilët e kanë frymëzuar Meli Qenën në rrugëtimin artistik.

Para se të prezantojë poezitë “Vetmia”, “Letra e një poeti të ri”, “Poezi për Korçën”, dhe “Dritarja” aktorja Syla- Surroi u shpreh: “Jam shumë e lumtur dhe e nderuar që sonte marr pjesë në këtë ngjarje të organizuar për Melin. Isha në moshën 15-të vjeçare kur kam pasur ftesë nga Meli, atëherë isha në shkollën e mesme, dhe sot gjendem para saj në një moshë pak më të rritur”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, aktori Armond Morina aktoren Qena e ka quajtur ekspert të rrallë, e cila e ka shkrirë jetën e saj në përgatitjen e një publiku të ardhshëm të Teatrit.

“Meli është i vetmi ekspert i cili është marrë me përgatitjen e publikut të ardhshëm të teatrit. Ne jemi popull fatbardh që kemi pasur një njeri të tillë entuziast, që sakrifion edhe veten për të ndërtuar një audiencë. Atë që ka bërë Meli secili artist në botë do ta adhuronte. Ne që jemi të rinj në këtë zanat e kemi ende gjallë. Kur e pyet një artist të viteve të 90-ta si ke rënë në kontakt me artin, ai thotë në teatrin “Dodona”, një teatër i vogël, por i cili në kohën e okupimit ka ekzistu me vetbuxhet përmes biletave. Atë kohë ka ndodhur një magji”, ka thënë Morina duke e shprehur nevojën për të trajnuar edhe disa të rinjë për këtë zanat sipas tij të jashtëzakonshëm.

“Mendoj që një qytet si Prishtina i cili ka arritur gati në gjysmë milion banorë kemi nevojë për një teatër të dinjitetshëm të fëmijëve. Së paku të realizohet dëshira e saj për të shkolluar një grup të rinjësh, tre-katër Meli të reja, e djem të rinj që dëshirojnë të merren me këtë rrugëtim shumë të rëndësishëm. Kjo formë arti ka mbetur te një njeri. Shtohet pyetja kur nuk është më ajo. Ajo dëshiron ta shndërrojë në traditë, por nuk ka mundësi pasi kjo gjë nuk bëhet pa kuadër”, ka thënë ai.

Kurse, aktorja Qëndresa Lokaj ka bërë thirrje publikisht që në repertorin e vitit 2025 në TKK të merret një iniciativë për t’i dhënë një mundësi Melit për të luajtur një shfaqje me kukulla për të rritur.

Melihate (Meli) Qena u lind më 15 dhjetor, 1949 në Mitrovicë. Ka studiuar për aktrim në Akademinë e Teatrit, Filmit dhe Televizionit në Beograd, Serbi. Në vitin 2015 u nderua me çmimin për “Veprimtari Jetësore” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Qena ka luajtur shumë role në teatër dhe film, ndër të cilat më të fundit janë rolet në filmat “Martesa”,  “Kësulat” dhe “A dream” [Një ëndërr]./ KultPlus.com

Në heshtjen e Bethovenit: “Bëj një jetë mjerane, vetëm arti më mban në jetë”

Nga Gian Antonio Stella

“Veshët më zhurmojnë vazhdimisht, ditë e natë. Mund të them se bëj vërtet një jetë vetmitare. Prej gati 2 vjetësh kam shmangur çdo lloj shoqërie, pasi nuk u them dot njerëzve se jam i shurdhër. Nëse do të ushtroja ndonjë profesion tjetër do të ishte më e lehtë. Por me profesionin tim kjo është një fjali e tmerrshme!”.

Ishte 29 qershori vitit 1801 dhe Ludwig van Beethoven ishte përtokë me moralin. “Për t’ju dhënë një ide për këtë shurdhim të çuditshëm, do t’ju them se në teatër detyrohem të ulem pikërisht pranë orkestrës për të kuptuar aktorët. Tonet e larta të instrumenteve dhe të këngëtarëve, nëse janë pak më larg, nuk i dëgjoj më”- i shkruante përmes një letre nga Vjena mjekut Franz Wegeler, miku i viteve të rinisë në Bon.

“Gjatë diskutimeve është për t’u habitur që ka njerëz që nuk e kanë vënë re kurrë shurdhërinë time. Duke pasur parasysh reputacionin tim si njeri mendjemadh, shumëkush më cilëson si të tillë dhe jo si një njeri që nuk dëgjon. Ndonjëherë mezi dëgjoj dikë që flet me zë të ulët. Unë i perceptoj tingujt, por jo fjalët; e megjithatë nuk duroj kur dikush bërtet. Se çfarë do të ndodhë tani, këtë e di vetëm Zoti”- shton më tej ai.

Për të tjerat nuk mund të ankohej. “Kompozimet më garantojnë shumë të ardhura, dhe mund të them se marr më shumë porosi sesa mund të arrij t’i kryej. Për më tepër, për çdo vepër mund të llogaris 6 apo 7 botues, ose edhe më shumë nëse dua. Ata nuk debatojnë më me mua. Unë caktoj një çmim dhe ata bëjnë pagesën.

Nëse shoh një mik në vështirësi, dhe gjendja e financave nuk më lejon që ta ndihmoj në moment, më mjafton të ulem në tryezë të kompozojmë diçka, dhe kështu jam gjendje ta ndihmoj. Jetoj i zhytur në muzikën time dhe sapo e përfundoj një pjesë, nis të kompozoj një tjetër. Me ritmin që kompozoj tani, nxjerr shpesh 3 ose 4 vepra në të njëjtën kohë. Por ai demoni xheloz, shëndeti im i keq, më ka penguar shumë në punët e mia”.

Dhimbje të forta barku, kapsllëk, diarre… Një sfilitje e vazhdueshme. Ndaj artisti iu nënshtrua trajtimeve që i sugjeruan mjekët, ilaçe, masazhe tek veshësh me çaj dhe vajra të ndryshme, banjot në lumin Danub…. Por që të gjitha më kot. Vit pas viti, shëndeti i tij po vinte duke u përkeqësuar.

“Testamenti i Heiligenstadt dhe fletoret e bisedave të Ludwig van Beethoven”, është përkthyer në italisht për “Einaudi” nga muzikologu Sandro Cappelletto, tashmë autor i një biografie të kompozitorit të madh. Ai rindërton hap pas hapi tragjedinë e madhe të jetës së kompozitorit.

Sepse siç shprehej dikur poeti i famshëm italian Giacomo Leopardi (vetë me aftësi të kufizuara) “aftësitë e mrekullueshme që fitojnë të shurdhërit, të verbërit, të lindur apo paaftësuar gjatë jetës, janë një tjetër provë e madhe se sa shumë janë aftësitë tona dhe ato të të gjallëve burojnë nga rrethanat dhe zakonet; dhe sa e zhvilluar, e modifikueshme, e urtë, e palodhshme, e përputhshme është natyra njerëzore” duke fituar “thellësinë e të menduarit, në mësimin e muzikës dhe praktikimin dhe kompozimin e saj”.

Dhunti të jashtëzakonshme do të thoshte edhe Papa Françesku, nga “arkivoli ku ishin mbyllur”, por me çmimin e vështirësive, poshtërimeve dhe dhimbjeve. “Syzet që mbante Beethoven për shkak të miopisë i vareshin vazhdimisht nga hunda” shkroi Gerhard vonBreuning, mjek dhe djali i një miku të fëmijërisë së Beethoven.

Xhepat e palltos i rëndonin gjithmonë, sepse përveç shamisë që varej shpesh në njërën anë, ai mbante në to një fletore të palosur për notat muzikore, dhe një fletore së bashku me një laps për të komunikuar me miqtë dhe të njohurit që takonte por edhe një bori akustike.

Duke mos e humbur shpresën ai i shkroi sërish mikut të tij Wegeler në lidhje me studimet e shkencëtarit bolonjez Luigi Galvani, i cili kishte studiuar organet e dëgjimit të zogjve dhe mundësinë e shërimit të shurdhim përmes tkurrjes së një muskuli të stimuluar nga rryma elektrike.

“Quhen ndryshe edhe mrekullitë e galvanizmit, ju si mendoni? Një mjek në Berlin më tha se kishte parë një djalë shurdhmemec të rifitonte dëgjimin. Po ashtu një burrë që kishte 7 vjet që nuk dëgjonte…” A ishte vërtet e mundur? Në fakt ishin ëndrra të ndaluara.

I tillë ishte fati i tij: i izoluar në heshtje. Një vetmi e prishur vetëm nga momentet e pushimit, si pas takimit me Giulietta Guicciardi, 17-vjeçares që i kishte dhënë disa mësime pianoje në vitin 1801 dhe i kishte kushtuar sonatën “Al chiaro di luna”.

“Tani jeta ime është bërë më e këndshme sepse unë takoj më shumë njerëz. Nuk e imagjinon dot ndjesinë e zbrazëtisë dhe trishtimit që më ka shoqëruar këto 2 vitet e fundit. Dëgjimi i dobët me përndiqte gjithandej si fantazme, ndaj u distancova nga njerëzit. Mund të ju jem dukur një mizantrop, dhe unë jam në fakt paksa i tillë, dhe këtë ndryshim e ka sjellë një vajzë e dashur, simpatike, që më do dhe që unë e dua. Këto janë të vetmet momente të lumtura në 2 vitet e fundit, dhe është hera e parë që ndjej se martesa mund ta bëjë të lumtur njeriun. Mjerisht ajo nuk i përket shtresës sime shoqërore…”.

Ajo ishte fisnike, ai jo. Pra ai ishte një i burgosur i shurdhimit, i paragjykimeve, i dyshimeve se mos ishte sëmurë edhe nga tuberkulozi… Derisa ndjeu një ide që i gumëzhinte në kokë, së cilës do t’i kthehej disa herë. Dhe e përshkroi atë në “Testamentin e Heiligenstadt” të vitit 1802 drejtuar dy vëllezërve Karl dhe Johan.

Ai u gjet vetëm pas vdekjes së tij, 25 pesë vjet më vonë. 892 fjalë të shkruara me sa duket me një frymë, me 48 presje, 21 pikëpresje dhe asnjë pikë. Aty një gjeni kaq i brishtë dhe i palumtur shprehej: “Është e pamundur që unë të kem lehtësim në shoqërinë e njerëzve. As bisedat e nivelit e lartë, as zbulimet e ndërsjella. Unë mund ta frekuentoj shoqërinë e tyre vetëm kur e kërkojnë nevojat më urgjente. Jam i detyruar të jetoj si një mërgimtar. Nëse i afrohem një shoqërie njerëzish përjetoj ankth të tmerrshëm, pasi kam frikë të ekspozohem ndaj rrezikut të zbulimit të gjendjes time.

Kështu ka qenë edhe gjatë këtyre 6 muajve të fundit që kalova në fshat, duke ndjekur këshillën për ta kursyer sa më shumë dëgjimin, që ma dha mjeku im i mençur, e cila e ka përmbushur prirjen time të tanishme natyrore. Edhe pse ndonjëherë i prekur nga dëshira për shoqëri jam shtyrë që ta frekuentoj atë, por çfarë poshtërimi nëse dikush afër meje dëgjonte tingullin e largët të një flauti, dhe unë nuk dëgjoja asgjë.

Apo nëse dikush dëgjonte një bari të këndonte, dhe unë sërish nuk dëgjoja asgjë. Këto episode më zhysnin në dëshpërim. Isha në prag të vetëvrasjes. Por ishte vetëm arti që më mbajti në jetë. M’u duk e pamundur të largohesha nga kjo botë, para se të kisha realizuar plotësisht atë që ndihesha i aftë të bëja. Kështu e zgjata këtë jetë të mjerë…”. / “Corriere della Sera”/ KultPlus.com

Dhjetori i festave në Lezhë: Aty ku Simboli i Betlehemit është ngritur për herë të parë pranë “Fshatit të festave”

Kryeministri Edi Rama ndau dje në mbrëmje pamje nga zbukurimet për festat e fundvitit në Lezhë.

Kreu i qeverisë u shpreh se, Simboli i Betlehemit është ngritur për herë të parë në Lezhë pranë “Fshatit të festave”.

Atmosfera festive ndihet kudo në qytetin e Lezhës.

Dritat shumëngjyrëshe, fishekzjarrët dhe muzika i shtojnë gëzimin fëmijëve të Lezhës që festojnë nën dritat e bredhit, simbolit të festave.

Përgjatë periudhës së festave, në sheshin qendror do të jetë i hapur edhe një panair nga bizneset me produktet bio të zonës./ KultPlus.com

Ngjarje kulturore në Paris, shkëlqejnë talentet shqiptare në kauzë për kancerin

Ambasada e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Action For Health dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, organizoi një ngjarje të jashtëzakonshme në Paris, që bashkoi kulturën dhe filantropinë.

Mbrëmja u hap me një performancë të bukur në piano nga artistja e re Liza Halimi, duke theksuar talentin dhe premtimin e rinisë së Kosovës.

Programi artistik gjithashtu vuri në pah talentin e jashtëzakonshëm të: pianistit Genc Tukiçi, sopranos Adelina Paloja dhe mezzo-sopranos Elikona Hysaj Shala.

Kjo mbrëmje iu kushtua një kauze fisnike: ndërgjegjësimi për kancerin te fëmijët. Së bashku, ne përcollëm një mesazh shprese dhe solidariteti përmes muzikës dhe artit./ KultPlus.com

Rohde falënderon Kosovën për solidarizimin me Gjermaninë pas sulmit në Magdeburg

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka falënderuar Kosovën për mesazhet solidarizuese pas ngjarjes së rëndë në Magdeburg.

Rohde ka përmendur edhe koncertin në Gjakovë duke thënë se ajo çka ka me të vërtetë rëndësi është paqja dhe dashuria e jo urrejtja e dhuna.

“Dua ta falënderoj Kosovën për të gjitha mesazhet solidarizuese në dy ditët e fundit. Pikëllimi i thellë pas ngjarjeve në Madgeburg, por edhe mirënjohje për momentet e rëndësishme dje në koncertin tonë të Krishtlindjeve në Gjakovë, duke na kujtuar atë që ka rëndësi: Dashuria dhe paqja, jo dhuna dhe urrejtja”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Biden nënshkruan ligjin për financimin e qeverisë, shmanget mbyllja e pjesshme e saj

Presidenti Joe Biden nënshkroi ligjin që shmangu mbylljen e pjesshme të qeverisë ndërsa afrohen festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Nënshkrimi nga presidenti u jep fund ditëve të pasigurisë në kryeqytetin e vendit pasi Kongresi miratoi një plan dypartiak për buxhetin pak pas skadimit të afatit, që nuk përfshinte kërkesën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të rritur tavanin e borxhit.

Legjislacioni siguron financimin e qeverisë në nivelet aktuale deri më 14 mars dhe parashikon 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë natyrore dhe 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët.

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Senati i SHBA miratoi projekt-ligjin mbi shpenzimet për të financuar qeverinë amerikane deri në mars.

Të dy dhomat e Kongresit, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët dhe Senati i kontrolluar nga demokratët, duhej ta miratonin projektligjin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë.

Votimi në Senat me 85 vota pro dhe 11 kundër, pasoi votimin në Dhomën e Përfaqësuesve, pas dy përpjekjeve të dështuara. Votimi në këtë dhomë ishte 366 në favor dhe 34 kundër. Të gjitha votat kundër u hodhën nga republikanët.

“Jemi entuziastë me këtë rezultat,” tha zoti Johnson pas votimit, duke shtuar se ai kishte folur me zotin Trump dhe presidenti i zgjedhur “ishte gjithashtu i kënaqur me rezultatin”.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve arritën një marrëveshje mes tyre për një propozim të ri më herët të premten. Përpjekja e fundit për të shmangur mbylljen e qeverisë erdhi pasi republikanët në Kongres dështuan të enjten të miratonin një projekt-ligj për shpenzimet të mbështetur nga zoti Trump që do të kishte rritur tavanin e borxhit, gjë që Presidenti i zgjedhur e kishte kërkuar në minutën e fundit.

Dhjetra republikanë votuan kundër projektligjit të së enjtes dhe vetëm dy demokratë e mbështetën atë. Plani i ri është i njëjti me atë që dështoi të enjten, përveç pjesës për pezullimin e tavanit të borxhit.

Problemet për zotin Johnson filluan këtë javë kur ai braktisi një marrëveshje financimi dypartiake që kishte arritur me demokratët pasi zoti Trump dhe miliarderi Elon Musk e kritikuan planin.

Edhe pse Dhoma e miratoi projektligjin, financimi i qeverisë teknikisht do të kishte skaduar në mesnatën e së premtes. Megjithatë, pjesa më e madhe e pasojave nga mbyllja e saj nuk do të hynte në fuqi deri të hënën.

Mbyllja më e gjatë në histori e qeverisë amerikane zgjati 34 ditë, nga dhjetori 2018 deri në janar 2019, kur presidenti i atëhershëm Trump refuzoi të nënshkruante çdo projekt-ligj që nuk përfshinte disa miliardë dollarë për një mur përgjatë kufirit të SHBA-së me Meksikën. Ajo përpjekje ndikoi tek ulja e mbështetjes për të. /VOA/ KultPlus.com

Odhise Paskali, skulptori që skaliti historinë e shqiptarëve në vepër pavdekësie

Odhise Paskali lindi në në fshatin Kozhan, Përmet më 22 Dhjetor 1903. “Artisti i Popullit”, Odhise Paskali mund të cilësohet pa mëdyshje si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Familja u vendos në Koblarë dhe Paskali i ri, mori mësimet e para nga i ati, që ishte prift dhe mësues në atë fshat. Shkollën fillore e përfundoi në Përmet, por edhe qyteti i Përmetit ishte i vogël për të.

Pas shumë vështirësive ekonomike dhe pengesave të tjera, me ndihmën e një miku arbëresh, në vitin 1916, u nis në Itali. Pasi kreu liceun, në vitin 1920, filloi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e Torinos dhe më pas, në vitin 1927, mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit me historianin e njohur A. Venturi. Gjatë viteve që ishte në Torino, krahas studimeve në universitet, Odhise Paskali gjendej çdo ditë në studion e artistit italian Rubino, ku mësoi mjeshtërinë e skulpturës, që e tërhiqte veças. U bë i njohur që me krijimet e para, kur ishte ende student. “I Urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare. U realizua në 1924 në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror. Më pas u mor nga Italianët si plaçkë lufte dhe ende gjendet atje.

Për këtë vepër me vlerë vet Odise Paskali tregonte:“Jam frymëzuar nga plaku, që pashë të vdiste nga uria, në ullishtat e Vlorës, në vitet kur shqiptarët iknin nga Pogradeci, Përmeti e qytetet e tjera dhe gjenin strehim në Vlorë, nga ku kishin shpresë të kalonin në Itali. Po punoja këtë portret, që është me madhësi reale, kur nga porta që ishte gjysmë e hapur mu afrua një vajzë 5-vjeçare. Ajo u afrua te puna që po punoja dhe më pyeti:

-Ç’ka ky plak që është kështu?

-Është i uritur, i thashë, nuk ka të hajë.

Nuk tha asnjë fjalë dhe doli. Pas pak u kthye me një copë bukë në dorë dhe tha:

-Jepja ta hajë, dhe doli.

Ngela i emocionuar me copën e bukës në dorë, por me kënaqësinë se ishte një ogur i mirë për rrugën e artit që kisha zgjedhur”

Odhise Paskali qysh herët shkroi artikuj, poezi dhe tregime; përktheu novela dhe ese për artin dhe artistët. Në vitin 1929, nxori numrin e parë të revistës “Studenti Shqiptar”, të cilën e drejtoi derisa u mbyll, pas shtatë numrash. Krahas krijimeve letrare, aty botoi foto nga punimet e tij në skulpturë, si dhe nga tablotë e kolegëve artistë si: Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Kristaq Sotiri, etj. Në vitin 1935, nga biblioteka e njohur Argys në Tiranë u botua një libër me tri novela të përkthyera nga Odhise Paskali. Për disa vite, artisti i ri u end midis letërsisë dhe artit, ende pa e përcaktuar drejtimin e ardhshëm të krijimtarisë së tij. Viti 1928 shënon kthesën dhe përkushtimin e plotë ndaj skulpturës. Bashkia e Korçës e porositi për një monument kushtuar luftëtarëve të lirisë. Skulptura “I urituri” e kish bërë të njohur si një talent që rrezatonte dritë për artin kombëtar, ndërsa pas realizimit të monumentit “Luftëtari Kombëtar” në qytetin e Korçës (1932), Odhise Paskali do të bëhet skulptori më i njohur në Shqipëri. Në të njëjtën ditë, u përurua edhe statuja tjetër e tij “Flamurtari” në qytetin e Vlorës. Më pas u ngritën edhe tri vepra të tjera në bronz po nga Paskali: “Mihal Grameno” (Korçë, 1932), “Çerçiz Topulli” (Gjirokastër, 1934) dhe “Skënderbeu” (Kukës, 1939). Me statujat e Odhise Paskalit, disa nga qendrat në qytetet kryesore shqiptare morën një pamje të re, duke fituar edhe një identitet të tyre. Pas vitit 1927, Odhise Paskali angazhohet plotësisht në jetën artistike shqiptare dhe për disa vite do të jetë në krye të shumë veprimtarive të rëndësishme kombëtare. Në vitin 1931, bashkë me akuarelistin Qenan Mesareja, themeloi shoqërinë “Miqtë e Artit”, ku u mblodhën artistë të të gjitha fushave që jetonin në Tiranë. Po atë vit, Odhise Paskali organizoi Ekspozitën e Parë Kombëtare të Artit në Shqipëri, që u hap në Tiranë, në maj të vitit 1931. Ekspozita ndikoi edhe për themelimin e Shkollës së Vizatimit. Odhise Paskali, që në fillim, ishte një ndër mësimdhënësit kryesorë, ndërsa më vonë u caktua drejtor i saj dhe luajti rol të rëndësishëm në konsolidimin e shkollës, si dhe në zbulimin dhe përgatitjen e artistëve të rinj. Pas vitit 1944, ndaj Odhise Paskalit në fillim u mbajt një qëndrim i rezervuar. Nuk u ftua të merrte pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Pasçlirimit, në prill të 1945-ës, meqenëse kishte realizuar më parë statujën e mbretit Zog, si dhe buste të figurave të tjera të mbretërisë. Por, duhet thënë se punimet kryesore te tij, vlerat e statujave në bronz, të ngritura në sheshet e qyteteve, e ruajtën të pacenueshme figurën e Odhise Paskalit dhe ndikuan që ai të rikthehet përsëri në art.Rifilloi krijimtarinë në skulpturë me bustet e heronjve “Misto Mame” (1948), “Vojo Kushi” (1949), që u vlerësuan midis punimeve më të bukura të atyre viteve. Më pas, realizoi disa monumente si “Partizani Çlirimtar” dhe “Ndihmë Shokut” (Përmet, 1964), “Partizani Fitimtar” (Mathausen, Austri, 1968), “Skënderbeu” (Bashkautor Janaq Paço, Andrea Mano, Tiranë, 1968), bustet “Dy Heroinat” (Gjirokastër, 1974) “Vëllezërit Frashëri (bashkautor Thoma Thomai, Tiranë, 1978), “Idriz Seferi”, (Prishtinë, 1980), etj. Në vitin 1965 realizoi variantin më të arrirë të bustit të Enver Hoxhës, që u riprodhua në qindra e mijëra kopje. Ajo u çmua si vepra që pasqyroi dhe i shëmbëllente më mirë figurës së udhëheqësit komunist të Shqipërisë. Për Odhise Paskalin u ngrit studioja e parë, më e madhe në Tiranë, për skulpturë dhe, gjatë gjithë kohës, ai ka qenë një nga artistët më të vlerësuar në Shqipëri. Studioja e tij u kthye në një shkollë për artistët e rinj, si dhe për studiuesit dhe historianët e artit, pasi Odhise Paskali ka qenë gjithashtu edhe një njohës i mirë dhe studiues i zhvillimeve artistike botërore. Punoi pak vite si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në pjesën më të madhe të kohës ka qenë në krijimtari të lirë. Gjithnjë i angazhuar në realizimin e statujave dhe monumenteve. Vazhdoi të shkruante artikuj dhe ese për artin. Duhet thënë se edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë Jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Odhise Paskali , modest, përsëriste shpesh:

“- Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr.

– Linda, jetova dhe do të vdes i varfë!”

Ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave, i pari për shumë vite nga fusha e arteve dhe ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit”. Krijimtaria e Odhise Paskalit, ndonëse përshkohet e gjitha nga e njëjta frymë romantike, nga studiuesit ndahet në dy periudha. Në periudhën e parë, para vitit 1945 (ku veç statujave që përmendëm më lart, bëjnë pjesë edhe disa buste dhe figurina në bronz) veçohet për vlera më të spikatura artistike. Statujat dallohen për siluetat e bukura, modelim harmonik sipas konceptimit skulpturor të antikitetit klasik. Në bustet e asaj periudhe gjen trajtim më të thelluar të psikologjisë së personazheve, më shumë interpretim artistik nga autori. Me ato vlera të çmuara, Odhise Paskali përcaktohet si themelues i skulpturës realiste shqiptare. Edhe për periudhën e dytë, pas vitit 1945, ai vlerësohet midis skulptorëve më të shquar të vendit. Në disa nga krijimet e kësaj faze, vërehet pasurim i shprehjes artistike, ndërkohë që në disa të tjera gjen edhe skema pompoze të realizmit socialist, skema që kushtuan edhe skulpturën e atyre viteve, sidomos ato monumentale, ku mund të përfshijmë edhe disa punime të Odhise Paskalit. Në krijimtarinë e pasur të këtij mjeshtri, monumenti “Luftëtari Kombëtar” i Korçës, është vlerësuar si një ndër statujat më të bukura të së gjithë skulpturës shqiptare. Në zhdërvjelltësinë e figurës së luftëtarit, ndihet më shumë jetë dhe madhështi, ndërsa ritmi që krijohet nga palat e gjera të gunës, flokët e hedhura dhe lëvizja e kokës, në kontrast me lartësinë e figurës, i japin më shumë jetë dhe dinamizëm. E realizuar në përputhje me përfytyrimin popullor për luftëtarët e lirisë, ky monument, si dhe sheshi ku është vendosur, është kthyer prej vitesh në një simbol të përpjekjeve për liri. Në vitin 1986, statujën e zhvendosën në një shesh tjetër të Korçës, për të ngritur në vendin e saj monumentin e Enver Hoxhës. Por, pas vitit 1990, “Luftëtari Kombëtar” u vendos po atje ku ishte, në krye të bulevardit, ku qëndron edhe sot.

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të vendit. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë. Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i OP me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave. Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali. Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet. Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 Shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme. Skulptori i Popullit Odise Paskali është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat:

“Monumenti i Pavarësisë, Vlora”

“Gjergj Kastrioti”, dhuruar më 1968-n qytetit arbëresh Hora e Arbëreshëve, Siçili

“I urituri”,

“KETI”,

“Malësori”,

“Luftëtari Kombëtar”, Korçë;

“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;

“Ushtari i panjohur”,

“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;

“Naum Veqilharxhi”, bust në bronc , në Korçë;

“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;

“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”

“Isa Boletini”

“Fan Noli”

“Onufri”

“Jeronim De Rada”

“Pashko Vasa”

“Zef Skiroi”

“Çerçiz Topulli”

“Naim Frashëri”

“Vojo Kushi”

“Migjeni”

“Enver Hoxha”

“Idriz Seferi”

“Ahmet Zogu”

e shumë vepra të tjera.

Për të gjithë ata që e kanë vlerësuar, vepra e tij mbetet një shkollë e vërtetë arti.

Këto mund te nxirrja përmbledhtas nga interneti dhe botimet për skulptorin e madh nga Admirine Peçi, Shaban Cakelli, Dashnor Kaloçi, Stilian Adhami etj. /Albert Vataj / KultPlus.com

“TikTok” mbyllet për një vit në Shqipëri, “The Guardian” jehonë vendimit të qeverisë

Qeveria e Shqipërisë bëri të ditur një ditë më parë se ka vendosur që të mbyllë për një vit platformën TikTok, si pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla.

Përmes një artikulli, “The Guardian”, raporton kërkesën e qeverisë shqiptare duke theksuar se ky vendim vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit në Tiranë muajin e kaluar, që ngjalli frikën mbi ndikimin e mediave sociale te fëmijët.

Rama ka fajësuar mediat sociale, dhe TikTok në veçanti, për nxitjen e dhunës mes të rinjve brenda dhe jashtë shkollës, vijon The Guardian.

 “Për një vit, do ta mbyllim për të gjithë. Nuk do të ketë TikTok në Shqipëri”, tha Rama.

Mbyllja e TikTok-ut pritet të shoqërohet nga vendosja e kamerave brenda dhe përreth shkollave, rregulla të reja mbi telefonat celularë gjatë orëve mësimore, me dyfishimin e oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, si dhe me koordinim më të fortë mes tyre dhe policisë së shtetit.

“Është shumë më i fortë, është shumë më ndikues, është shumë më tërheqës ai “rrugaçi” i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok do ta mbyllim për një vit”, tha sot kryeministri Rama.

Po ashtu, britanikja përmend edhe zërat kundër këtij vendimi.

Vendimi diktatorial për të mbyllur platformën e mediave sociale TikTok … është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë”, citon The Guardian deputeten Ina Zhupa./ KultPlus.com

Kurti mirëpret fillimin e Starlink në Kosovë: Një hap i madh për infrastrukturën digjitale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Starlink është funksional tani edhe në territorin e Kosovës.

Ai ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale.

“Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

22 dhjetori, dita e solsticit dimëror

22 dhjetori është dita e solsticit dimëror, që shënon hyrjen në stinën astronomike, stinë më të ftohtë të vitit.

Solstici ka ndodhur në orën 5:48 të mëngjesit. Kur flitet për solsticin dimëror nënkuptohet momenti kur dielli arrin distancën e tij maksimale këndore në lidhje me ekuatorin tokësor. Ky fenomen kushtëzon orarin e perëndimit. Solstici dimëror është në fakt dita më e shkurtër e vitit dhe nata më e gjatë e 2015-s.

Solstici dimëror dhe ai veror janë dy ditë në të cilat hemisfera veriore dhe ajo jugore marrin respektivisht minimumin dhe maksimumin e rrezatimit diellor. /KultPlus.com

Parashqevi Simaku përshëndet Fest 63: Puthje për të gjithë ju konkurrentë (VIDEO)

Në natën e tretë të Fest 63, në ‘Natën e Nostalgjisë’, është krijuar një emocion i veçantë, kur Festivali i Këngës është përshëndetur nga Parashqevi Simaku, e cila për vite me radhë ka shkruar historinë e këtij eventi mbarëkombëtar, duke fituar edhe dy çmime të para.

Vajza që bëri shumë artistë të ëndërronin për magjinë e skenës së Festivalit të Këngës ndër vite, ka përshëndetur nga Nju-Jorku, duke shprehur dëshirën e saj për të qenë edhe ajo në këtë skenë, ashtu si dekada më parë. Ajo u dërgoi “puthje” 30 konkurruesve në garë.  

Përshëndes Festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizion. Do të doja të isha aty. Herën e fundit që kam qenë aty këndova një këngë të bukur në vitin 1999, që quhet “Dëgjoma këngën”. Një puthje për të gjithë ju, konkurrentët e Festivalit të 63-të”, tha Simaku.

Ka qenë biznesmeni Elton Ilirjani, i cili e ka shoqëruar divën e muzikës shqiptare, siç e vlerësoi ai Parashqevi Simakun.

Simaku është një nga personalitetet e muzikës shqiptare, e cila ka gdhendur emrin e saj jo vetëm në muzikën e lehtë dhe atë qytetare shqiptare, por edhe në skenën e Festivalit të Muzikës, që organizohet prej 63 vitesh nga Radio dhe Televizioni Shqiptar.

Parashqevi Simaku ka fituar dy çmime të para në Festivalet e Muzikës: Në 1985 me këngën “Në moshën e rinisë”, kompozuar nga Vladimir Kotani me tekst të Arben Dukës, si dhe në vitin 1988 me këngën “E duam lumturinë”, me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të Agim Doçit.

Parashqevi Simaku lindi në vitin 1966 në qytetin e Kavajës dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që në moshë të vogël, ajo u spikat nga kompozitorët më të njohur të momentit në atë kohë në Shqipëri.

Parashqevia këndoi në shumë festivale dhe Koncerte të Pranverës. Pas vitit 1991 ajo u largua drejt SHBA-së, ku edhe ka krijuar jetën e saj. /rtsh.al/ KultPlus.com