Kur bora mbulonte Prishtinën në vitin 1981 (FOTO)

Ato që na bëjnë të ndjehemi nostlagjik për kohërat e mëhershme janë fotografitë, shkruan KultPlus.

Fotografitë janë dëshmi të periudhave të ndryshme kohore si dhe njëherit na ndihmojnë që të dallojmë ndryshimet e qyteteve.

Kjo vërehet edhe në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë. Fotografia e cila ishte pjesë e një artikulli të një gazete të vjetër për dimrin e acartë e tregon këtë.

Kjo fotografi e qytetit pa lum është realizuar në vitin 1981./ KultPlus.com

86 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe publicistit, Bedri Myftari

Shkrimtari dhe publicisti Bedri Myftari lindi më 21 dhjetor 1938 dhe vdiq më 08 nëntor 2013.

Bedri Myftari lindi në Filat të Çamërisë, më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 6-vjeçare, u dëbua nga vendlindja me gjithë familjen dhe u vendos në Shqipëri. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Fier, ndërsa të mesmen, Teknikumin Financiar, në Tiranë.

Në fillim të viteve ’60 punoi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit “Grupi i të rinjve kundër vijës së partisë, në art dhe në letërsi” dhe si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vite iu hoq e drejta e botimit. Pas lirimit nga burgu punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë. Pas rënies së diktaturës iu kthye shkrimeve dhe gazetarisë. Vdiq në Tiranë, më 8 nëntor 2013.

Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Fluturzat e borës”(tregime, 1967),  “Mbrëmjet e qytetit tim” (tregime, 1969), “Ti je Eva” (poezi, 1996), “Bardh e zi” (publicistikë, 2000), “Vajza e rojtarit të pyllit” (përralla, 2003), “Pas Kastadivës”(roman, 2007). / KultPlus.com

Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë në skenën e Festivalit të këngës dhe të ftuar specialë

U mbyll sot në mbrëmje, nata e dytë e Festivalit të 63-të të Këngës (Fest 63) në RTSH, në Pallatin e Kongreseve. 15 artistë të njohur, debutues besnikë të festivalit të Këngës e të rinj u ngjitën në skenën elektrizuese të Fest 63 duke ndjerë magjinë e vërtetë të “rrënjëve”, motoja e së cilës është edhe festivali i këtij viti.

Edhe gjatë kësaj nate, publiku shijoi krijimet e shumta muzikore, me tematika të ndryshme, por edhe performancat energjike duke ndezur kështu atmosferën jo vetëm në Pallatin e Kongreseve, por edhe të publikut që e ndoqi këtë mbrëmje përmes ekranit të RTSH.

Nata e dytë solli në skenën e Fest 63 këngëtarin e mirënjohur Aleksandër Gjoka dhe balerinën Klaudia Pepa, si të ftuar specialë. Sikurse edhe natën e parë, në këtë mbrëmje, emocionet e artistëve dhe surprizat e prapaskenës u përcollën përmes moderatorëve Andri Xhahu dhe Alesia Brunazi.

15 artistët që performuan në natën e dytë të Fest 63:

1.   Algert Sala
2.    Devis Xherahu
3.    Elvana Gjata
4.    Endrik Beba
5.    Epos
6.    Frensi Revania
7.    Gjergj Kaçinari
8.    Gresa Gjocera
9.    Klea Dina
10.   Laorjan Ejlli & Adelina Correj
11.   Mal
12.   Rea Nuhu
13.   Santino de Bartolo
14.   Stine
15.   Vesa Smolica

Juria

E veçanta në këtë mbrëmje ishte dhe prezantimi i jurisë së Festivalit, e cila përbëhej nga disa personalitete në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.

Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.

Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-t finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion./atsh/KultPlus.com

Këshilla e Steinbeck për djalin e dashuruar: Asgjë e mirë nuk ikën

Shkrimtari amerikan John Steinbeck mësoi se i biri, adoleshent, kishte rënë në dashuri me një shoqe klase. Letra e Steinbeck për të birin mbart disa leksione të mëdha mbi prindërimin dhe dashurinë dhe kjo letër me pak paragrafë është bërë një klasik në letërsi.

Letra,

Nju Jork,

10 nëntor 1958

I dashur Tom:

Ne morëm letrën tënde sot në mëngjes. Unë do të përgjigjen nga këndvështrimi im dhe natyrisht Elena nga i saji.

E para – nëse ti je në dashuri – kjo është një gjë e mirë – kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë çdokujt. Mos lejo askënd ta bëjë atë të vogël apo të parëndësishme për ty.

E dyta – Ka shumë lloje dashurie. Njëra është fodulle, dorështrënguar, makute, një gjë egoiste që përdor dashurinë për t’i dhënë rëndësi vetes. Kjo është ajo e llojit më të ulët. Tjetra është e tillë që shpërthen çdo gjë të mirë te ty – të qenit i këndshëm dhe me konsideratë dhe respektues – jo vetëm respekti shoqëror i sjelljeve të mira por respekti më i madh i cili njeh dhe pranon personin tjetër si unik dhe të paçmuar. Lloji i parë mund të të bëjë ty të sëmurë dhe të vogël dhe të dobët por e dyta mund të çlirojë fuqinë tënde, dhe kurajën dhe mirësinë e madje edhe mençurinë që ti nuk e dije se e kishe.

Ti thua se kjo është dashuri rinore. Nëse ndjehesh kështu kaq shumë – natyrisht ajo nuk është dashuri rinore.

Por unë nuk mendoj se ti po më pyet mua se si ndjehesh ti vetë. Ti e di më mirë se çdokush tjetër. Ajo që ti kërkohe nga unë është që të të ndihmoj mbi atë se çfarë duhet të bësh – dhe unë këtë mund të ta tregoj.

Para së gjithash shijoje atë dhe ji shumë i lumtur dhe falënderues për të.

Objekti i dashurisë është më i miri dhe më i bukuri. Përpiqu të jetosh në lartësinë e saj.

Nëse ti do dikë – nuk ka asnjë dëm që ta thuash këtë – ti vetëm duhet të mbash mend se disa njerëz janë shumë të turpshëm dhe në disa raste ta thuash këtë duhet të marrësh atë siklet parasysh.

Vajzat kanë një mënyrë për të ditur ndjenjat që ti ke, por zakonisht pëlqejnë ta dëgjojnë prej teje.

Në disa herë ndodh që ajo që ti ndjen nuk është e njëjtë nga ana tjetër për një arsye apo një tjetër – por kjo nujk e bën atë që ti ndjen më pak të çmuar dhe më pak të mirë.

E fundit, unë e di ndjenjën tënde sepse unë e kam atë dhe jam i lumtur që ti e ke atë.

Ne do të jemi të lumtur të takojmë Suzanën. Ajo është shumë e mikpritur. Por Elena do të bëjë organizimet për të gjithë këtë sepse është roli i saj dhe ajo është e lumtur që ta bëjë gjithashtu. Edhe ajo di shumë për dashurinë dhe ndoshta mund të të japë më shumë ndihmë nga unë.

Dhe mos u shqetëso se mund ta humbësh. Nëse është e mirë, ajo ndodh – gjëja kryesore është të mos nxitosh. Asgjë e mirë nuk ikën.

Dashuri,

Bá/ KultPlus.com

Dialog midis Ernesto Sabato dhe Jorge Borges

Fotografitë : Eduardo Forte/Juan José Pérez

Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.

Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.

Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…

Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.

Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…

Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.

Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.

Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.

Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.

Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.

Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht:

ELVI SIDHERI./ KultPlus.com

‘Kaq shumë kisha për të të thënë, por mbeta larg e larg mërguar’

Poezi nga Hermann Hesse

Kaq shumë kisha për të të thënë
Po mbeta larg e larg mërguar
Në këto ditë, e dashur Nënë,
Më mirë ti më ke kuptuar.

Për ty dhuratën kam menduar
Edhe punuar gjat’ e gjatë,
Porse më mbet këtu, në duar.
Ti mbylle sytë këtë natë.

Por ndjej se, duke e lexuar,
Më zbutet dhimbje e kësaj zije.
Mirësia jote e patreguar
Më lidh me ty me mija fije.
Edhe çdo natë e njëjta ëndërr

Në ëndërr ti më rri kaq larg
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, vallë s’di
Tek unë si të vish?
E njëjta ëndërr net për net!
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, përse nuk do
Këtu, tek unë, të vish?
Në fushat

Në qiell enden retë pafund,
Në fushat fryjnë e fryjnë thëllime,
Në fushat endet e endet gjithkund
Fëmia i humbur i nënës sime.
Në rrugë era fryn gjethet e thata,
Në pemë zogu klith me vajtim,
Atje, matanë malesh të larta,
Ndodhet, diku, atdheu im./ KultPlus.com

“New York Times”: Shqipëria mes destinacioneve mahnitëse evropiane për t’u vizituar në 2025

Eksperti i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar destinacionet e fshehta evropiane “mahnitëse” për të vizituar në vitin 2025 – përpara se ato të pushtohen nga turistët ndërkombëtarë, shkruan David Landsel në gazetën e përditshme amerikane “New York Times”.

“Amerikanët thyen rekordet e udhëtimeve në vitin 2024 – ku 1 dhjetori u shënua si dita më e ngarkuar ndonjëherë në aeroportet e vendit”, sipas TSA.

“Mbi 20,2 milionë turistë amerikanë vizituan Evropën në vitin 2023”, sipas Zyrës Kombëtare të Udhëtimeve dhe Turizmit në SHBA – miliona turistë më shumë krahasuar me periudhën para pandemisë – ku u regjistruan 17,3 milion vizitorë në 2019.

Nëse vizitoni Spanjën, Francën apo Italinë, merrni masa drastike – pasi për shembull, mund të tarifoheni për nje “selfie” në shatërvanin Trevi në Romë, apo të merrni parasysh pezullimin e Airbnbs në Barcelonë.

Ekzistojnë dy destinacione evropiane që gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder rekomandon dhe i vlerëson si vende magjepsëse dhe të paprekura nga turizmi masiv.

“Të gjitha indikacionet që kemi parë, për shembull, numri i turistëve që qarkullojnë në aeroporte dhe shifrat e fundit nga kompanitë e udhëtimeve tregojnë se ekziston “një oreks i pangopur” për udhëtime. Dhe viti 2025 do të jetë fantastik për të ofruar alternativa të shumta”, tha gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder për “Daily Express”.

Eksperti i udhëtimeve ka sugjeruar Shqipërinë dhe Bullgarinë si dy destinacionet kryesore evropiane për të vizituar në vitin 2025 – në një përpjekje për të nxitur turistët e huaj të zgjedhin vende që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv, dhe të cilat i vlerëson si ideale për pushime verore.

Shqipëria

Shqipëria është shtëpia e shumë resorteve bregdetare në detin Adriatik – dhe disa prej tyre janë krahasuar me Maldivet – falë ujërave të pastra kristal.

Ky vend mesdhetar konsiderohet si një nga destinacionet më të përballueshme për pushime në Evropë.

“Shqipëria është një nga vendet më buxhetore në Evropë. Unë e shoh Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm turistik”, tha Calder.

“Plazhe fantastike, njerëz miqësorë dhe çmime të përballueshme”, shtoi ai.

Shqipëria është shtëpia e vargmaleve të ndryshme malore, plazheve mahnitëse të konsideruara si “Maldivet e Evropës”, me një kryeqytet të gjallë dhe rrënoja të mrekullueshme në atraksionet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në vitin 2023, 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë për të kaluar pushimet. Numri i vizitorëve në Shqipëri pritet të rritet në vitet në vijim./atsh/KultPlus.com

Marrëveshje bashkëpunimi mes Institutit Albanologjik dhe atij Arkeologjik të Kosovës

Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për mbarëvajtjen e punëve dhe organizimeve të përbashkëta. Kjo marrëveshje mes institucioneve kërkimore dhe shkencore ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit profesional.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua në ambientet e Institutit Arkeologjik të Kosovës nga drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Naim Berisha dhe drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Milot Berisha. Të pranishëm ishin edhe sekretari shkencor, Adil Olluri dhe dy hulumtueset shkencore të fushës së arkeologjisë, Zana Hoxha, Elza Shipoli dhe arkeologu Luan Gashi.

Kjo marrëveshje është me rëndësi për punonjësit shkencorë të dy institucioneve, sidomos për punonjësit e sektorit të Arkeologjisë në IAP, sepse përfshinë organizimin e tryezave, konferencave dhe simpoziumeve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave, njohurive, shkëmbimin e botimeve e shumë aspekte të veçanta dhe të rëndësishme të punës që mund të kenë dy institucionet në kuadër të këtij bashkëpunimi./KultPlus.com

49 vite nga themelimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Më 20 dhjetor të vitit 1975 u themelua, në Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK).

ASHAK është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, që e ushtron veprimtarinë e saj në fushën e shkencës dhe të artit, që përfshin kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike. Akademia përbëhet nga tri organe kryesore nga Kuvendi, Kryesia dhe Kryetari. Ndër to organi më i lartë është Kuvendi i Akademisë dhe përbëhet nga të gjithë anëtarët e rregullt dhe korrespondentë të saj.

Akademia ka anëtarë të rregullt, anëtarë korrespondentë dhe anëtarë të jashtëm. Shkencëtarët që bartin titullin akademik janë anëtarë të përjetshëm.

Akademia e Shkencave e Kosovës në fillim kishte anëtarë të të gjitha komuniteteve që vepronin dhe jetonin në Kosovë, shqiptarë, serbë, boshnjakë etj. Në prill të vitit 1989 u ndërpre financimi i veprimtarisë së Akademisë me “arsyetim” se nuk i përmbushte standardet jugosllave dhe se me angazhimet e saj publike e rëndonte rendin kushtetues të ish-Jugosllavisë. Së pari ASHAK doli me Deklaratën Kushtetuese, pastaj doli në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Kosovë, sidomos të shqiptarëve në kuadër të ish-Jugosllavisë dhe përkrahu referendumin për pavarësi, intensifikoi bashkëpunimin me Akademinë e Shqipërisë, etj.

Në vitin 1992 Kuvendi i Serbisë, edhe pse nuk ishte themelues i kësaj Akademie, shpalli të mbyllur ASHAK-un. Anëtarët e kësaj Akademie nuk e përfillën vendimin e Serbisë dhe vazhduan punën në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme derisa në vitin 1994 policia serbe mbylli godinën e ASHAK-ut duke e përdorur atë për qëllime të tjera.

Gjatë viteve jashtë objektit, Akademia e vazhdoi punën e rregullt, duke publikuar revista e publikime të tjera shkencore e shoqërore. /KultPlus.com

Gonxhja-Çeku: Shqipëri e Kosovë, projekte të përbashkëta kulturore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u prit në një takim në Prishtinë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Hajrulla Çeku.

Gjatë takimit Gonxhja dhe Çeku diskutuan mbi mundësi konkrete për bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta kulturore, shkëmbime artistike dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore.

Ministri Gonxhja theksoi se “në fokus të bisedës ishte edhe sinergjia e mundshme e qendrave tona kombëtare të kinematografisë, si një hap drejt fuqizimit të industrisë filmike mbarëkombëtare, dhe binjakëzimi i Muzeut tonë Kombëtar “Marubi” me Galerinë e Arteve në Prishtinë, ku mund të ekspozojmë një pjesë të çmuar të arkivave”.

“Teatri ishte gjithashtu temë me shumë interes për programe e festivale rajonale”, tha Gonxhja.

Gonxhja ndodhet në Prishtinë në kuadër të seancës plenare të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Arta Jashari sjell magjinë e Krishtlindjeve me koncertin recital në Katedralen ‘Nënë Tereza’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në atmosferën e ngrohtë dhe solemne të katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, sopranoja Arta Jashari mbajti koncert recital. Ky koncert erdhi si një gërshetim i muzikës kishtare dhe klasike si një nismë që shënon fillimin e festive të fundvitit, shkruan KultPlus.

Shoqëruar nga pianisti Andi Duraku dhe trumpetisti Avni Krasniqi, Arta jashari filloi koncertin me një interpretim të veçantë të këngës tradicionale të Krishtlindjeve ‘Adeste Fideles’ të John Francis Wade, performancë kjo që dhuroi për publikun një ndjenjë të thellë spiritualiteti dhe bukurie.

Pas kësaj, programi u pasua me një koleksion të pasur veprash klasike që përcollën ndjesi të ndryshme artistike. “Laudamus” dhe “Alleluia” nga Wolfgang Amadeus Mozart, me ekspresivitetin e jashtëzakonshëm të interpretimit të Jasharit, sollën një dritë të re në audiencë, duke i dhënë shpirt një muzike kishtare, por edhe një freski moderne në interpretim.

Më pas, koncerti vijoi me veprat “Let the Bright Seraphim” të George Frideric Handel, një pasazh melodik dhe virtuoz që e solli audiencën më pranë fuqisë dhe elegancës së muzikës barok. Mbrëmja vazhdoi me veprat “Tis the Last Rose of Summer”, “Nuit d’étoiles” të Claude Debussy dhe “Cantique” nga Nadia Boulanger.

Ndërkaq, e gjithë kjo mbrëmje magjike u përmbyll me këngën ikonike të krishtlindjeve, “Have Yourself a Merry Little Christmas”.

Pas koncertit, sopranoja Arta Jashari tha për KultPlus se ndjehet e lumtur që të gjithë punën e saj e ka përmbyllur këtë vit me këtë koncert recital.

“Jam shumë e lumtur që pas gjithë asaj pune, çdo gjë është përmbyllur me sukses sonte. Unë jam e befasuar që kam pasur kaq shumë njerëz rreth vetes që kanë qenë të gatshëm deri në këtë masë të më ndihmojnë për ta arritur këtë koncert në këtë mënyrë tëv dinjitetshme”, u shpreh Jashari.

“Jam munduar të përzgjedhi vepra të të gjitha epokave, duke nisur nga barokut e deri te Christmas Carols, sepse mendova se me këtë të fundit ja japim edhe një ndjenjë të krishtlindjeve”, tha ndër të tjerash Arta Jashari duke folur për repertorin.

Ju kujtojmë se në këtë koncert, Arta Jashari së bashku me Andi Durakun dhe Avni Krasniqin, krijuan një magji muzikore që ka një ndikim të fortë në shpirtin e secilit që ishte i pranishëm./KultPlus.com

“Hiri yt, burim përjetësie”, mbrëmje letraro-artistike në kujtim të Lasgush Poradecit

Nën titullin “Hiri yt, burim përjetësie”, Bashkia Pogradec dhe Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, organizuan një aktivitet letraro-artistik në kujtim të jetës dhe veprës së poetit të dashurisë, Llazar Gusho (Lasgush Poradeci). Aktiviteti erdhi në prag të 125-vjetorit të lindjes së poetit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli dhe prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.

“I jemi mirënjohës për trashëgiminë letrare që ka lënë duke na shtuar arsyet e qenësishme për ta kujtuar gjithmonë nëpërmjet vargjeve të tij dhe si një poet që të shton krenarinë e të qenurit shqiptar”, u shpreh prefekti Jole.

Në veprën e këtij romantiku jetoi gjithmonë brenga atdhetare e mbrojtjes së kombit, dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj që u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike./atsh/KultPlus.com

Studentët e Arteve në Shkodër realizojnë koleksion unik kartolinash

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër ka realizuar kartolinat e fundvitit në një bashkëpunim të veçantë me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, departamenti i Arteve në Shkodër.

Studentët pjesëmarrës në këtë projekt kanë ndërthurur talentin dhe pasionin e tyre për të sjellë një koleksion unik. Në këtë projekt, artistët e rinj kanë eksploruar dhe interpretuar pasuritë kulturore përmes një lenteje festive, duke krijuar kartolina që reflektojnë bukurinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.

Këto krijime janë realizuar me një qasje të larmishme artistike: disa prej tyre janë konceptuar në formatin digjital, duke kombinuar elementë bashkëkohorë dhe tradicionalë, ndërsa të tjera janë punuar me dorë duke përdorur teknika të sofistikuara si akuareli dhe akriliku. Çdo kartolinë sjell një detaj të veçantë, një histori dhe një ndjesi të ngrohtë festive, duke ruajtur një lidhje të fortë me traditën dhe artin.

DRTK Shkodër thekson se, ky koleksion është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit mes institucioneve dhe artistëve të rinj, duke na kujtuar rëndësinë e promovimit të kulturës përmes krijimtarisë dhe inovacionit./KultPlus.com

“Tri gjëra kanë mbetur nga parajsa, ato janë yjet, lulet dhe fëmijët”

Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.

Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.

Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.

Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.

Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.

Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.

Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .

Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.

Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!

Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.

Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.

Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë.

– Dante Alighieri / KultPlus.com

Me zemër në qese najloni

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Kur e përzunë me forcë nga atdheu

me zemër në qese najloni

arriti në dhé të huaj

(nëse ka dhé të huaj ndokund)

Ia filloi ditës së re

me dëshirën e vjetër

ta prekë jetën me dorë

Kur e zë gjumi

i kujtohen ditët

e dhunës

që ranë si gjethe

të pemës së jetës

që kurrë më

nuk u vesh me to./ KultPlus.com

Haxhi Zeka, prijës ushtarak i shumë luftërave

Haxhi Zekë Byberi i njohur në histori Haxhi Zeka ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës në Lidhje, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.

Vite më pas u përpoq të përtërinte të njëjtën frymë lëvizjeje nëpërmjet Lidhjes së Pejës.

Ai lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës. Familja e tij u shpërngul në Pejë, ata ishin pronarë tokash dhe Haxhiu ishte tejet karizmatik.

Zeka ishte ndër organizatorët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.

Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani; Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.

Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë.

Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm tek sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vite mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me të madhe nga bashkëatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë. Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në Luftën Greko-Osmane.

Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 në Kuvendin e Pejës ku u mblodhën 450-500 vetë u themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj, dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.

Në prill-maj 1899 organizoi të parat komitete luftëtarësh të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë.

Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve. Në shkurt të 1901 në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare; duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.

Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën.

Kjo ndodhi më 21 shkurt 1902 në pazarin Pejë. Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë.

Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në krejt vilajetin e Kosovës. Dorërasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës do të performojë në Berlin të Gjermanisë

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka njoftuar se më 4 dhe 5 janar të vitit 2025, do të performojë në Berlin të Gjermanisë.

“Baleti Kombëtar i Kosovës, më 4 dhe 5 janar 2025, me ftesë nga festivali “Raven”, do të performojë në Berlin, Gjermani, me shfaqjen “Rebounds A. Basketballet” nën koreografinë e Friederike Lampert”, thuhet në njoftim.

Shfaqjet e BKK në Berlin do të mbahen në teatrin Theater HAU1 – Hebbel Theater./KultPlus.com

Durrësi bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se Durrësi është qyteti që bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në rrjete sociale, Çeku ka shkruar se sot është zyrtarizuar marrëveshja e bashkëpunimit mes dy shteteve tona për organizimin e sportit të lundrimit në këtë qytet. 

“Puna jonë e përbashkët është një nga hapat e këtij rrugëtimi, i cili do ta bëjë Kosovën vendin mirëpritës për sportistët e 26 shteteve nga 3 kontinentet e Mesdheut”, ka shkruar ministri Çeku./KultPlus.com

“Marubi” sjell ekspozitën e fotografit amerikan Gregory Crewdson

Muzeu Marubi dhe “Gallerie d’Italia”, muzeu i Intesa Sanpaolo-s çelin ekspozitën “Eveningside. Gregory Crewdson”, kuruar nga Jean-Charles Vergne.

Gregory Crewdson (1962, Brooklyn, SHBA) është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht dhe nga artistët me më shumë ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Karriera artistike e Gregory Crewdson shtrihet në më shume se tre dekada. Metodologjia e tij e punës, me ekipin e ndriçimit, e ngjashme me realizimin e filmave, kërkon të rrëfejë një histori përmes një imazhi të vetëm që bën bashkë gjuhën e fotografisë dhe të kinemasë, me referenca të fushës së filmit, televizionit dhe formave të tjera vizuale.

Ekspozita që vjen në “Marubi”, prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022. Ekspozita “Eveningside” fillimisht u prezantua në Torino të Italisë, më pas në Francë e Finlandë dhe tashmë mbërriti në Shkodër. Kjo ekspozitë nxit një dialog ndërkombëtar, që merr shkas nga publikimi i imazheve të jashtëzakonshme të Gregory Crewdson.

Projekti i ekspozitës është realizuar falë mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ KultPlus.com

Miratohet deklarata e përbashkët e seancës plenare mes dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë

Në fund të seancës së përbashkët mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës u miratua deklarata e përbashkët të dalë nga seanca mes dy kuvendeve.

Deklarata e përbashkët nis duke e vënë theksin se qëllimi i mbledhjes është koordinimi i axhendës kombëtare për realizmin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim për paqe dhe për siguri në rajon dhe më gjerë.


“Të dy Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që të dy vendet kanë dhe zhvillojnë ën rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshja mes dy Kuvendeve, nënshkruar në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë he i ka dhënë dhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit e komunikimit ndër njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në deklaratë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa lexoi deklaratën nënvizoi se mospajtimet kanë qenë të pranishme gjithmonë, por rëndësi ka uniteti dhe ecja përpara.

“Sa i përket kësaj seancë konsideroj që në çdo moment historik dhe të vështirë nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë mospajtimet kanë qenë të pranishëm dhe idetë e kundërta, mendimet e ndryshme etj. Mendime të ndryshme kishte dhe në Lidhjen e Prizrenit kur u mbajt ajo. Studiuesit edhe historianët na i kanë sjellë ato, të gjitha kontradiktat e mundshme dhe të gjitha mospajtimet. Mospajtime kishte dhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kishte nga ata që e kundërshtonin dhe i dimë të gjitha ato dhe pastaj edhe në të gjitha fazat e rëndësishme nëpër të cilat kaloi kombi ynë”, tha ai.

Më tej ai theksoi se “arsyeja pse qëndrojmë këtu dhe më të fuqishëm se kurrë është vetëm një arsye. Arsyeja është se nëpër çdo sfidë dhe kontradiktë nëpër të cilën kemi kaluar ka ngadhënjyer gjithmonë ai opsioni kryesor. Dhe opsioni kryesor është opsioni i unitetit dhe opsioni i progresit, i ecjes përpara. Dhe kjo është ajo që na ka sjellë këtu dhe na ka bërë fitimtarë në çdo udhëkryq nëpër të cilin kemi kaluar dhe kështu mendoj do të jetë gjithmonë me kombin shqiptar”./ KultPlus.com

‘Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura’

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

“Bashkëbisedim me mjeshtrat”, ekspozitë e Galerisë Kombëtare të Arteve në FAB

Galeria Kombëtare e Arteve çeli ditën e djeshme ekspozitën “Bashkëbisedim me mjeshtrat”, në galerinë e artit FAB.

Ekspozita, e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka si qëllim të thellojë lidhjen ndërmjet studentëve të arteve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i futur ata në thellësi të veprës së artit të traditës dhe bashkohësisë shqiptare.

Kuratore e ekspozitës është Merita Selimi dhe drejtuese e projektit, Anisa Skënderi.

Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndihma në zhvillimin e një dialogu të hapur mes studentëve dhe veprave të artit, ku ata do të kenë mundësinë të analizojnë, interpretojnë dhe reflektojnë mbi tematikën dhe teknikat e përdorura në krijimin e këtyre veprave. Ky proces do të përfshijë jo vetëm analizën vizuale të veprave të artit, por gjithashtu një përpjekje për të kuptuar mesazhin e thellë që ato përçojnë, dhe si kjo lidhje mund të aplikohet në krijimtarinë e studentëve.

Përmes praktikës së punës direkte me veprat e artit, studentët do të njihen me metodën e krijimit të telajos, gruntit dhe ngjyrave, si dhe me teknikat e vlerësimit dhe ruajtjes së veprave, një aspekt shumë i rëndësishëm në krijimin dhe konservimin e artit. Për më tepër, ata do të zhvillojnë një kuptim më të thellë mbi aspektet e mjeshtërisë dhe teknologjisë së përdorur nga autorët e veprave të përzgjedhura, duke zbuluar se si çdo artist përdor mjete dhe teknika të ndryshme për të shprehur idetë dhe emocionet e tij.

Studentët do të kenë mundësinë të vlerësojnë sesi veprat e artit lidhen me njëra-tjetrën, brenda një hapësire të caktuar, siç është galeria FAB, dhe si mund të krijohet një përvojë koherente për spektatorët, duke ruajtur lidhjen emocionale dhe konceptuale të ekspozitës.

Edhe pse Galeria Kombëtare e Arteve ka kaluar në një fazë rikonstruksioni të ambienteve të saj dhe ekspozimi i veprave nuk është i hapur për publikun si dikur, ky projekt synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi me institucione të tjera të kulturës dhe arsimit, duke krijuar një hapësirë për rinovimin e energjive kreative të studentëve të arteve dhe mbështetje për zhvillimin e tyre profesional.

Ekspozitë e Galerisë Kombëtare të Arteve. Fotot nga Agim Dobi/ KultPlus.com

Pasqyrë e marrëdhënieve me autoritarizmin

Mendime mbi librin me tregime “Shtegu i të verbërve” të shkrimtarit Ndue Ukaj botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”

Libri me tregime Shtegu i të Verbërve” nuk është thjesht një përmbledhje tregimesh interesante, por një dimension i thellë i letërsisë shqiptare bashkëkohore. Ndue Ukaj sjell një kombinim të shqetësimeve sociale, narracionit filozofik dhe simbolikës ekzistenciale, duke ofruar një perspektivë unike mbi individin që përballet me sfidat morale dhe strukturat shtypëse të pushtetit. Kjo vepër shpalos një botë ku humnerat e mjegullta të ndjenjave njerëzore, të shoqëruara nga dilemat ekzistenciale, e sfidojnë lexuesin të ndalet dhe të reflektojë mbi pozitën e tij në shoqëri.

Gjergj Anton Filipaj

Kur një vepër letrare arrin të reflektojë jo vetëm të kaluarën dhe të tashmen, por edhe të ardhmen, ajo shndërrohet në një pasqyrë ku analizohen marrëdhëniet midis individit dhe turmës, pushtetit, autoritarizmit dhe elementëve të tjerë që përbëjnë shtypjen shoqërore. Libri me tregime “Shtegu i të verbërve” i autorit Ndue Ukaj është një pasqyrë e tillë ku ilustrohet marrëdhëna e njeriut me autoritarizmin, pushtetin, gjithnjë duke e ruajtur distancën e mendimit të pavarur. Tema si mjegulla, dhuna, turmat dhe lidhja e individit me pushtetin trajtohen në mënyrë universale, duke bërë këtë libër një kontribut të çmuar në letërsinë moderne shqiptare.

Ndue Ukaj ka arritur të krijojë një mozaik të fuqishëm tregimesh, ku proza ndërthuret mjeshtërisht midis simbolikës dhe narrativës, duke e pasuruar atë me thellësi filozofike dhe emocionale. Përmes errësirës që mbizotëron në tregimet e tija, Ukaj rrëfen se shpresa mbetet gjithmonë një fije delikate që nuk këputet kurrë. “Shtegu i të verbërve” e fton lexuesin ta shqyrtoj kuptimin e verbërisë, jo vetëm si një paaftësi fizike, por si gjendje mendore dhe shpirtërore që flen në një krevat me frikën, manipulimin, dhe mungesën e guximit për të parë drejt të vërtetën.

Në tregimin “Shtegu i të verbërve” qe e mban titullin e librit, mjegulla përdoret si metaforë e paqartësisë dhe amullisë së një shoqërie të paralizuar nga frika dhe e pavërteta. Përmes përshkrimeve të një qyteti të murmë, ku banorët jetojnë të izoluar dhe të paaftë për të dalluar drejtimin e duhur, Ukaj e paraqet dilemën e natyrës njerëzore, atë të përballjes së individit me të vërtetën dhe përgjegjësinë e tij personale. Mjegulla te ky tregim nuk është vetëm një pengesë fizike, por simbol i ikjes nga përgjegjësia dhe veprimi. Turma, e portretizuar si një masë e verbër që ndjek një prijës pa ditur cakun e udhëtimit, nxjerr në pah sesi njeriu është i prirë të sakrifikojë individualitetin për një iluzion sigurie kolektive. Ky tension midis turmës dhe individit përbën shpirtin filozofik të librit.

Një nga aspektet më të fuqishme të tregimeve të Ukajt është trajtimi i marrëdhënies midis individit dhe pushtetit. Prijësi, që simbolizon një figurë tiranike dhe të vetëkënaqur, nga Ukaj është portretizuar si një qenie e konsumuar nga lavdia e vet. Autori e përshkruan me mjeshtëri rrugëtimin e liderit nga një njeri i zakonshëm, i ndjekur nga ambicia, në një figurë të konsumuar nga lavdia mashtruese. Në tregimet e Ukajt prijësi nuk është vetëm një tiran, por edhe një viktimë e strukturës që ka krijuar vetë. Ai është një shembull i fuqisë që humbet kuptimin kur e pren fijen që e mban lidhjen me humanizmin dhe arsyen. Ukaj po ashtu e ndërton një tension të vazhdueshëm midis ndjekësve dhe liderit, duke theksuar kotësinë e ndjekjes verbale dhe humbjen e identitetit individual brenda masës. Pyetja “Ku po shkojmë?” e shtuar disa herë në tregim, e nxjerr në pah një nga temat kyçe të veprës, atë që autori e shikon si paaftësi të pushtetit për të ndaluar forcën e rrjedhës që ka krijuar vetë.

Errësira, një element i përsëritur në tregimet e Ukajt, nuk është vetëm përshkrim i atmosferës, por po ashtu e përfaqëson mungesën e qartësisë, frikën dhe shtypjen që mbizotëron jo vetëm mbi individin, por mbi shoqërinë. Por Ukaj nuk e lë lexuesin të humbasë në errësirë. Përkundrazi, ai ofron momente dritë, duke treguar se edhe në kohët më të errëta, ekziston mundësia për zgjim, këndellje, dhe ndryshim.

Tregimi “Njeriu që fjeti me dritë të ndezur” është një portret i dhimbshëm i personit të thyer nga dhuna, që mbart plagët e përjetshme të një kohe represioni. Përmes jetës së Tanush Lekës, autori Ukaj lexuesin e dërgon  në një botë ku drita dhe errësira ndërthuren si simbole të shpresës dhe traumës. Errësira, dikur pjesë natyrale e jetës, bëhet për Tanushin një kujtesë e gjallë e dhunës dhe poshtërimit. Në këtë errësirë, ai përjeton izolimin dhe humbjen e kontrollit, duke u ndarë dhunshëm nga bota njerëzore. Vendimi për të fjetur me dritë të ndezur nuk është thjesht një përpjekje për të sfiduar terrin, por një përkujtim i vazhdueshëm i dritës si mburojë ndaj kujtimeve që e ndjekin Tanushin. Ky tregim i Ukajt e përshkruan rezistencën e heshtur të një individi që i përkushtohet artit për të përballuar një realitet të dhunshëm. Plot melankoli, fati i Tanushit e përçon zërin e një kohe plot dhunë që nuk shuhet kurrë nga kujtesa.

Tregimi “Mundimet e Martirëve të Karadakut” është një rrëfim i një kohe të humbur, ku burrat dhe gratë e Stubllës luftonin për të ruajtur identitetin e tyre në një botë që kërkonte t’i zhdukte ata. Nën hijen e Maleve të Sharrit, ata jetonin një jetë të dyfishtë: ditën si myslimanë, natën si katolikë, një ekzistencë e fshehtë laramane që i gërryente nga brenda. Kur dëgjuan për një ferman që u premtonte liri fetare, shpresa u kthye si një rreze drite në terrin e tyre të përhershëm. Me guxim të jashtëzakonshëm, ata i shpallën beut të Gjilanit vendosmërinë e tyre për të jetuar si shqiptarë katolikë. Por për këtë akt, ata përballuan tortura, internime dhe një udhëtim të pafund drejt fushave të Anadollit, ku u përpoqën t’i nënshtroheshin një jete të re. Megjithatë, ëndrra për t’u kthyer në atdhe mbeti e pashuar. Pas dy vitesh vuajtjeje, ata u kthyen në Stubëll, duke përqafuar lirinë dhe ringjallur shpresën në një vend të mbushur me dhimbje, por edhe me dritë të pafundme.

Përmes një gjuhe të fuqishme dhe të narrativit të ndërtuar me saktësi, Ukaj krijon një botë ku çdo detaj ka rëndësi dhe ku lexuesi nuk mund të qëndrojë indiferent.

Libri me 15 tregime “Shtegu i të verbërve” është një reflektim mbi marrëdhëniet njerëzore me pushtetin, frikën dhe përgjegjësinë. Ndue Ukaj ka krijuar një vepër që sfidon lexuesin të mendojë përtej të zakonshmes dhe të shqyrtojë pyetjet e mëdha të ekzistencës. Duke kombinuar elemente simbolike dhe narrative me thellësi filozofike, libri përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në letërsinë shqiptare dhe e sfidon lexuesin të njohë dhe të sfidojë verbërinë, si atë individuale, ashtu edhe atë kolektive. Proza poetike dhe përshkrimet e gjalla të Ndue Ukajt krijojnë një atmosferë të ngjeshur me emocion dhe tension, ku edhepse mbizotëron errësira, gjithmonë ekziston një mundësi për dritë dhe zgjim. “Shtegu i të verbërve” është një vepër që nuk lexohet thjesht për kënaqësi, por që përjetohet si udhëtim brenda vetes, dhe një reflektim mbi shoqërinë tonë. Është një libër që qëndron gjatë në mendje, duke ftuar lexuesin në një dialog të vazhdueshëm me veten dhe botën që e rrethon.

Tregimet e Ndue Ukajt janë një ftesë për të reflektuar mbi gjendjen njerëzore, për të analizuar strukturat që e rrethojnë individin, për të eksploruar dimensionet e fshehura të shpirtit. Këto tregime tregojnë se letërsia, përveçse një akt krijues, është edhe një formë rezistence,  hapësirë ku njeriu mund të kërkojë lirinë dhe të vërtetën.

Proza poetike dhe përshkrimet e gjalla te libri me tregime “Shtegu i të verbërve”  krijojnë një atmosferë të ngjeshur me emocion dhe tension, ku edhepse mbizotëron errësira, gjithmonë ekziston një mundësi për dritë dhe zgjim./ KultPlus.com