Ballkani Perëndimor dhe ndikimi i paparashikueshëm i Trumpit

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk është i huaj për Ballkanin Perëndimor, e as rajoni nuk është i panjohur për të. Historitë e tyre janë të ndërthurura dhe kanë krijuar tashmë terren për një marrëdhënie të paparashikueshme përpara.

Trump, republikan, i cili ka shërbyer si president edhe nga viti 2017 deri më 2021, ka fituar zgjedhjet e 5 nëntorit kundër kandidates demokrate, Kamala Harris.

“Sinqerisht, kjo ishte lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave. Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë në këtë vend, e ndoshta edhe më gjerë”, ka thënë Trump natën e zgjedhjeve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë uruar atë për fitoren.

Kurti ka thënë se “SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere e rëndësishme e Kosovës” dhe se “ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”.

Për “fitoren e jashtëzakoshme” e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka shprehur besimin se zëri i Serbisë “tani do të dëgjohet më mirë”.

“Me [njerëzit e Trumpit] kemi ruajtur marrëdhënie miqësore edhe kur e kanë humbur mandatin dhe kjo tani është një situatë më e përshtatshme për ne”, ka thënë Vuçiq.

Entuziast për fitoren e Trumpit është shprehur edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili në një postim në X ka shkruar se “ditë më të mira” do të vijnë si për Amerikën, ashtu edhe për Malin e Zi.

Ndërsa, presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili favorizon shkëputjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës, ka thënë se fitorja e Trumpit “është edhe fitorja jonë”.

Administrata e mëparshme “ishte e padrejtë me ne”; nën udhëheqjen e Trumpit, presim që ajo të jetë më objektive, ka thënë Dodik – i sanksionuar nga SHBA-ja për rrezikimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Reagimet e tilla për Vesko Garçeviqin, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, ishin të pritshme. Për më tepër, thotë ai, ekziston prej kohësh një qasje proaktive e disa liderëve ballkanikë për të forcuar pozitat e tyre dhe për të luajtur rol në formësimin e politikës amerikane ndaj Ballkanit.

“Dy shtete të rajonit, Serbia dhe Shqipëria, i kanë ofruar hapësirat e tyre për investime nga rrethi i ngushtë i Trumpit, duke shpresuar se një gjë e tillë do t’u ndihmojë të merren me administratën Trump në të ardhmen”.

“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ajo beson se kjo administratë do t’i ndihmojë ta adresojë çështjen e Kosovës. Shqipëria, ndërkaq, përpiqet ta pozicionojë veten si një nga shtyllat – së bashku me Serbinë – e qasjes së ardhshme amerikane ndaj Ballkanit”, thotë Garçeviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, i cili ka shërbyer edhe si këshilltar në administratën e tij, planifikon të ndërtojë hotele luksoze në Shqipëri dhe Serbi.

Edhe djali i madh i Trumpit, Donald Jr., ka darkuar këtë vjeshtë me biznesmenë në Beograd, për të diskutuar mundësitë për investime.

Për Garçeviqin, janë të njohura tendencat e Trumpit për të prioritetizuar interesat amerikane përmes marrëdhënieve dypalëshe.

“Trump nuk do ta harmonizojë qasjen e Amerikës me Bashkimin Evropian, nëse beson se qasja individuale, qasja dypalëshe i sjell përfitime më të mira. Ai do t’i shtyjë gjërat përpara, pavarësisht se çka mendon BE-ja”, thotë ai.

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë për Exposenë se administrata e parë e Trumpit ka qenë proserbe dhe se zyrtarët serbë janë ndier të respektuar prej tij.

Ndonëse thekson se presidenti i zgjedhur është i paparashikueshëm, ai pret që kjo marrëdhënie të vazhdojë.

Thotë se investimet në Shqipëri për të do të jenë të rëndësishme, ndërsa forcat populiste në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi do të përshtaten me kërkesat e tij, për t’i maksimizuar përfitimet e tyre.

“Humbësit, si gjithmonë, janë klientët e Amerikës: boshnjakët dhe kosovarët. Por, për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm Trumpi. Ne kemi 30 vjet që i detyrojmë boshnjakët dhe kosovarët të bëjnë lëshime ndaj kundërshtarëve të tyre – qysh nga Marrëveshja e Dejtonit”, thotë Kanin.

Kanin shton se boshnjakët janë tani të humbur dhe pa mbrojtës, duke supozuar se Trump do të vazhdojë të mbetet, siç thotë, proserb.

Ai vë në dukje se kroatët e Bosnjës mund t’i rinovojnë përpjekjet për një entitet të tretë dhe boshnjakët të dobësohen prej kësaj. Për Kosovën thotë se, prej kohësh, nuk po i shkonte mirë në aspektin ndërkombëtar.

“Albin Kurti mund t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë, por jashtë vendit është shumë jopopullor. Tani ai do të përballet me Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të jenë edhe më të prira për ta ndihmuar Vuçiqin me politikat e tij ndaj Kosovës”, thotë Kanin.

Gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.

Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre – por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Kanin thotë se gjasat për t’u rikthyer si ide i ka më shumë kjo e fundit.

“Shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet në të njëjtën mënyrë si përpara, sepse aktorët kanë ndryshuar – së paku njëri prej tyre. Marrëveshja është folur në kuadër të një pajtimi mes [ish-presidentit të Kosovës, Hashim] Thaçi, dhe Vuçiqit, të cilët i kanë besuar njëri-tjetrit. Problemi tani është se mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk ka bashkëpunim. Ndaj, besoj se marrëveshja mes tyre nuk ka gjasa”, thotë Kanin.

Por, ndryshe nga ai mendon Garçeviq. Sipas tij, ideja e shkëmbimit të territoreve mund të rishfaqet shpejt në agjendën e SHBA-së.

“Mendoj se SHBA-ja nuk do të dojë një krizë tjetër në Ballkan. Ajo do të përpiqet ta mbyllë edhe krizën në Ukrainë, për t’u përqendruar te Kina dhe kriza e saj potenciale me Tajvanin. Nëse i marrim parasysh të gjitha ato që Trump i ka thënë gjatë fushatës presidenciale, mendoj se Kina do ta marrë pjesën më të madhe të kohës, kur bëhet fjalë për agjendën e politikës së jashtme”, thotë Garçeviq.

Të dy bashkëbiseduesit e REL-it thonë se sfidat për Kosovën do të jenë më të theksuara sidomos nëse Richard Grenell merr pozitën e sekretarit amerikan të Shtetit apo ndonjë pozitë tjetër të lartë në administratën e re Trump – gjë që tashmë është përfolur.

Në vitin 2020, kryeministri i Kosovës, Kurti, e ka akuzuar Grenellin, i cili atëkohë ka qenë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi, për “përfshirje të drejtpërdrejtë” në rrëzimin e Qeverisë së tij.

Përballë sfidave të brendshme, luftës në Ukrainë, konflikteve në Lindjen e Mesme e të tjera, ka edhe analistë që argumentojnë se administrata e re e Trumpit mund t’i injorojë zhvillimet në Ballkan dhe kështu t’i mundësojë Rusisë ta zgjerojë ndikimin e saj.

Një prej tyre është Cody McClain Brown, profesor në Universitetin e Zagrebit.

“Nëse Rusia përpiqet të ndikojë më shumë në Serbi dhe në Mal të Zi, situata në Bosnje dhe Hercegovinë mund të bëhet më e paqëndrueshme. Kur bëhet fjalë për Kosovën, qëndrimi i Trumpit do të vazhdojë të rrijë pezull. Ai mund ta mbështesë Serbinë për ta rimarrë Kosovën, por është vështirë të dihet, pasi nuk shpreh opinione të fuqishme për këtë çështje”, thotë Brown.

Bashkimi Evropian, ku mëtojnë anëtarësimin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, po shtrëngohet gjithashtu për kthimin e Trumpit. Zyrtarët e tij e kanë uruar atë, por në të kaluarën kanë shprehur jo rrallë shqetësime për politikën e tij të jashtme.

Analistët thonë se në muajt e parë të vitit të ardhshëm e andej, do të bëhet e qartë nëse taktikat e Trumpit do të çojnë në zhvillime pozitive në Ballkanin Perëndimor, do t’i shtojnë armiqësitë apo do ta lënë atë, thjesht, në një gjendje amullie. /REL/ KultPlus.com

‘Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja’

Thënie nga Kafka:

Nuk i lexoj reklamat, sepse po t’i lexoja do të shpenzoja gjithë kohën time duke dëshiruar të zotëroj gjëra.

Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh.

Në luftën midis vetes dhe botës, përkrahe botën.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Duke besuar në mënyrë pasionante në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Ajo që ende nuk ekziston është thjesht diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm”.

Zoti t’i jep arrat, mirëpo ai nuk i thyen ato për ty.

Kam frikë nga nata. Kam frikë nga jo-nata.

Je i lirë, prandaj dhe je i humbur.

Librat që na duhen janë ato që na vijnë si fatkeqësi, që na bëjnë të vuajmë si vdekja e një personi që e duam më shumë se veten, që na bëjnë të ndihemi sikur jemi në prag të vetëvrasjes, ose të humbur në një pyll ku nuk frymon asnjë njeri.

Mos e ndrysho, mos e ujit, mos u mundo ta bësh logjik. Mos e ndrysho shpirtin tënd sipas kërkesave të të tjerëve. Përkundrazi, ndiqi fiksimet e tua më të forta, në mënyrë të pamëshirshme.

Ka një pafundësi shpresash në këtë univers… por ato nuk janë për ne.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e Mira është e parehatshme.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Nuk është e nevojshme të largohesh nga shtëpia jote. Rri në tryezë dhe dëgjo. Madje mos dëgjo, vetëm prit. Madje as mos prit, vetëm rri qetësisht dhe vetmitar. Bota do të paraqitet tek ti pa masë, nuk ka rrugë tjetër, vetëm do të bjerë në gjunjë para teje.

Parimi im kryesor është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë. / KultPlus.com

Jo shumë larg nga Vlora, turistët zbulojnë manastirin e “mrekullive”

Jo shumë larg nga Vlora ndodhet një prej objekteve më të rëndësishme të kultit, Manastiri i Zvërnecit. Ky territor dikur ishte një zonë e pabanuar. Ata që e populluan këtë vend, sipas historianëve, erdhën nga ishulli i Sazanit.

Manastiri dhe kisha janë të vendosura në një prej zonave më piktoreske të qytetit të Vlorës.

Për arkitekturën, vlerësohet si një nga objektet e rralla në vendin tonë.

E pikërisht për bukurinë e zonës, por edhe të vetë objektit është një prej destinacioneve më të zgjedhura turistike.

Këtu gjen turistë në çdo stinë të vitit. Nuk preferohet vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe më tej. Manastiri, por edhe kisha e Shën Mërisë zgjidhen edhe në stinën e vjeshtës. Turistët janë nga shtete të ndryshme të Europës, por edhe nga kontinente të largëta.

Interesimi i lartë nga turistët theksohet edhe nga Jani Tereziu i cili prej 25 vitesh menaxhon këtë vend të shenjtë.

Vizitorët nuk vijnë këtu vetëm për të bërë foto të bukura, por edhe për të mësuar më shumë për historinë e këtij objekti.

Interes nuk ka vetëm për pjesën e jashtme të manastirit.

Brenda ndërtesës ka objekte mjaft interesante që tërheqin vëmendjen e vizitorëve. Ato janë ruajtur për të shërbyer edhe si provë e historisë së këtij objekti. Banorët e kësaj zone dinë dhe flasin për mrekulli që kanë ndodhur në këtë manastir.

Në kohën e mbretërisë, por edhe gjatë periudhës së diktaturës ku vend u kthye në zonë strehimi për të përndjekurit politikë. Një prej objekteve aty pranë ka qenë spital psikiatrik ndërsa një tjetër shërbente si vend takimi mes të përndjekurve politikë të kohës dhe familjarëve të tyre.

Në vendin tonë ka një sërë objektesh kulti me mjaft rëndësi./Klan News/ KultPlus.com

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” shfaqet në format të digjitalizuar

Shfaqet për herë të parë në formë të digjitalizuar filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se ky film, realizim i regjisorit Dhimitër Anagnosti në vitin 1979, mbi skenarin e romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ekranizohet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur me këtë rast, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Një gjeneral (Bujar Lako) dhe një prift italian (Guljelm Radoja) arrijnë në Shqipëri për të tërhequr eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë luftës. Gjenerali me priftin, të porositur nga Beti (Rajmonda Bulku), kërkojnë edhe eshtrat e bashkëshortit të saj të vdekur, një koloneli të njohur, dhe zbulojnë se ai ka përdhunuar një vajzë të re dhe është vrarë nga e ëma e saj, plaka Nicë (Roza Anagnosti).

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” do të shfaqet të hënën, më 11 nëntor, ora 18:00, në “Auditorium”-in pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja synon që përmes kinematografisë, duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të filmave, t’i njohë të rinjtë me të shkuarën e vendit./ KultPlus.com

Zgjerimi i lëvizjes së rezistencës kombëtare dhe lufta e Drenicës

(Fillimi i rezistencës kombëtare shqiptare kundër ripushtimit sllavo-komunist nisi me lidhjën e parë të grupeve të shkëputura të rezistencës nën drejtimin e “Shtabit Suprem” në dhjetor të vitit 1944 për të vazhduar me përhapjen e saj në pjesët tjera për t’u përqendruar në Drenicë, nën drejtimin e Shaban Polluzës, ku edhe do të shënohet epilogu i saj tragjik në luftën kundër partizanëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë).

Nga Jusuf Buxhovi

Në fillim të dhjetorit, pasi që të ketë arritur dekreti për qërimin e hesapeve me ata që nuk ishin komunistë dhe nuk i takonin lëvizjes partizane, të cilët njëherësh cilësoheshin si antikomunistë dhe reaksionarë (të tillë ishin rreth nëntëdhjetë për qind të Shqiptarëve), pikërisht ditën e dytë të këtij muaji, më 2 dhjetor, shënohen luftimet e para të forcave të rezistencës shqiptare me njësitë partizane serbe në Ferizaj dhe pastaj edhe në Gjilan më 23 dhjetor. Në Ferizaj ato u drejtuan nga Hysen Tërpeza. Ndërsa në Gjilan nga kleriku patriot, Mulla Idriz (Hajrullahu), anëtar i “Shtabit Suprem” që tashme vepronte në kuadër të Komitetit të Rezistencës Kombëtare. Ky komitet, kishte punuar me të madhe që grupet e shkapërderdhura të rezistencës të ndëridheshin dhe të vepronin bashkërisht kundër ripushtimit të Kosovës nga serbët, që bëhej nën maskën e bashkëpunimit partizan midis komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë, aradhet e të cilave kishin ndikuar që me mashtrime për gjoja “zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare”.

Burimet jugosllave, për luftimet e Ferizajt deri në Gjilan, që zgjaten gjatë gjithë dhjetorit, përmendin pjesëmarrjen e mbi katër mijë si thuhej “ballistëve shqiptarë”. Kjo shifër, përafërsisht mund t’i përgjigjej realitetit madje të ishte edhe më e madhe. Por, jashtë pretendimit se kryengritja e Shqiptarëve, apo si quhej “kundërrevolucioni”, kishte një komandë ushtarake shumë profesionale prej nga drejtohej si dhe shtabe “të fuqishme” jashtë vendit (përmendej herë Xhafer Deva dhe Vjena e herë aludohej në ndonjë qendër perëndimore), prej nga ajo mbështetej edhe me armë.

Madje, edhe informatat se në Kosovë gjendej “i fshehur” Divizioni SS “Skënderbeg” me shtabin operativ të “Ballit” edhe më tutje të ndërlidhur me Gjermanët në Vjenë, nuk kishte të bënte me realitetin. Ngaqë ky divizion, përmasat e përmendura (gjashtë mijë veta), nuk i kishte arritur asnjëherë. Ndërkohë që në prag të tërheqjes së korparmatës “E” gjermane drejt veriut, një pjesë e tyre ishin demobilizuar, ndërsa vetëm njësitë elite ishin tërhequr bashkë me forcat gjermane. E njëjta vlente edhe për një pjesë të mirë të forcave balliste, të cilat kishin qenë në shërbim të shtetit shqiptar dhe assesi në shërbim të Gjermanëve, siç i anatemonte propaganda partizane, pas luftimeve të para me partizanët, që pa ndonjë shpresë se do të mund të mbështeteshin nga aleatët, shumë prej tyre do të tërhiqen në drejtim të Jugut, për në Greqi dhe gjetiu, kështu që njësi të organizuara të këtyre formacioneve nuk kishte në Kosovë.
Në të vërtetë, në këto luftime, që do t’u paraprijnë atyre që, ku më pak e ku më shumë, do të shfaqen thuajse në të gjitha pjesët e Kosovës, bëhej fjalë për nacionalistë shqiptarë nga radhët e forcave mbrojtëse të Lidhjes II të Prizrenit, të Ballit Kombëtar, Legalitetit si dhe “dezertorëve” të shumtë, që ishin shkëputur nga njësitë e Vermahtit në tërheqje e sipër, që nuk mund të rrinin duarkryq kundruall terrorit serb. Në këto luftime, po ashtu do të përfshihen edhe “dezertorë” partizanë, nga aradhet partizane shqiptare (nga Shqipëria dhe Kosova), të cilët ishin larguar prej tyre pasi që të kenë parë se në Kosovë kishte filluar një luftë ndryshe, pra ajo për rikthimin e saj nën Jugosllavi, siç do t’i bashkohen edhe njësitë e shumta të mobilizuarve dhunshëm, të cilat nuk pranonin të shkonin në Vojvodinë dhe frontin e Sremit ( ato të Shaban Polluzhës nga Drenica dhe të tjera). Kështu që, mozaiku i rezistencës kombëtare, fuqinë kryesore e përthithte edhe nga vullnetarët e shumtë, që i bashkoheshin luftës në përputhje me shtrirjen e saj që përhapej me thirrjen patriotike për mbrojtjen e atdheut nga “pushtimi i shkijeve”, së cilës i përgjigjeshin pjesa më e madhe e popullatës, edhe pse e pa përgatitur për luftë dhe pa armatim të nevojshëm. Kështu kishte ndodhur në luftën e Ferizajt, atë të Gjilanit, në Karadak dhe në gjithë vendin, për të kulmuar me luftën e Drenicës, ku edhe do të marrë epilogun tragjik.

Shpërthimi i rezistencës kombëtare në Ferizajt dhe në Gjilanit (nga fillimi i nëntorit) kundër partizanëve jugosllavë si dhe formësimi i tij në rezistencë të hapur kombëtare me shtrije në gjithë Kosovën dhe në Maqedoni, ku njësitë e ballit nën drejtimin e Xhemë Gostivarit kishin marrë përmasa të mëdha, nuk ishte i rastit. Atij do t’i paraprijnë kundërvëniet energjike depërtimit të forcave partizane në anën e Anamoravës, të Podujevës dhe të Karadakut, që do t’u bëhen nga forcat mbrojtëse të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që ndonëse të shkapërderdhura, do të përpiqen që t’ua ndalin toruan njësive partizane, të cilat në këto pjesë, sapo futeshin, fillonin me zbatimin e urdhrave për “pastrime”, në shënjestër të të cilave ishin intelektualët dhe forcat tjera patriotike. Aradhet partizane jugosllave, po ashtu, nëpër katunde, konfiskonin dhunshëm edhe pasurinë private dhe pronat, pa ngurruar që të provokonin në forma të ndryshme popullatën, në mënyrë që me rastin e çfarëdo reagimi të pasojë dhuna e ashpër revolucionare e përcjellë me burgosje dhe pushkatime të atypëratyshme.

Në këtë rrethana, patriotët dhe ushtarakët nacionalistë, do të bashkohen në disa pjesë, të shumtën rreth personaliteteve me ndikim që vepronin nga Zona IV mbrojtëse e Kosovës: ing. Adem Gllavica, i njohur edhe si Adem Selimi), Qazim Sefa Llugaxhia, prof. Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Hysen Tërpeza, Mulla Idriz Gjilani, Abdyl Henci e të tjerë në pjesën e Kosovës Lindore nga Presheva, Gjilani e deri në Ferizajt, të cilët do të vihen në ballë të rezistencës.

Shumë prej këtyre personaliteteve ishin prefektë komunash gjatë kohës së Qeverisë Shqiptare (1943-1944), të cilët, në kapërcyllin dramatik midis largimit të ushtrisë gjermane dhe të futjes së aradheve partizane (atyre shqiptare dhe jugosllave që erdhën pas tyre), ishin të përkushtuar ta ruanin vendin, duke u vënë në krye të njësiteve vendore vullnetare jashtë ndonjë lidhjeje rajonale. Hysen Tërpeza, njëri ndër prefektët vendorë në Pozharan, e sqaron më së miri këtë gjendje kur thotë se “ne nuk kishim ndonjë shtab të veçantë, në kuptimin konkret të fjalës. Mirëpo, secili kryetar i komunës komandonte njerëzit e komunës së tij. Kështu pra, Pozharani e kishte udhëheqësin e vet, Parteshi të vetin, Bresalci të vetin dhe kështu me radhë.”

Më tutje, ai thotë se “ne ishim vullnetarë, të prirë nga vullneti dhe atdhe-dashuria dhe shkonim nga beteja në betejë për ta mbrojtur Shqipërinë Etnike”, e kësaj i duhej edhe një organizim i përbashkët ushtarak , i cili do të pasojë.

Sipas, Tërpezës, beteja e parë e tillë kishte qenë ajo për mbrojtjen e Preshevës, prej nga kishte filluar marshimi i forcave partizane drejt Kosovës bashkë me zullumin ndaj Shqiptarëve, të cilit duhej bërë ballë, por që kjo kërkonte një lidhje të përbashkët, gjë që nënkuptonte një organizim të gjerë në mënyrë që patriotizmi vendor të mbështetej edhe mbi një qëllim të caktuar politik veç-mas kur dihej se pas humbjes së gjermanëve pritej prishja e kufijve. Në ato rrethana, bëhet e ditur për një takim midis H. Tërpezës, prof. Ibrahim Kelmendit, Mulla Idrizit, Adem Gllavicës, Qazim Llugaxhiut, Adem Stanqiqit, Fazli Seferit dhe shumë të tjerëve në Tërpezë ku kishin qenë edhe disa misionarë anglezë, të shoqëruar nga Shefqet Shkupi. Aty ishte biseduar që rezistenca kundër fuqive pushtuese partizane të drejtohej nga një Shtab Suprem i Kosovës.

Pas mbajtjes së Kongresit, pas një vendimi që ishte marrë më 27 nëntor 1944 në katundin Petkoviq të Gjilanit, forcat patriotike nga radhët e rezistencës kombëtare tashmë në përbërje të “Shtabit Suprem të Kosovës”, gjithnjë në përpjekjet që të pengohej ripushtimi nga aradhet partizane, të cilat krahas terrorit që ushtronin ndaj popullatës së pambrojtur me pretekst se “po luftonin reaksionin” , zëvendësonin edhe administratën e deriatëhershme shqiptare me atë komuniste të nacionalçlirimtares (hiqeshin flamujt kombëtarë që zëvendësoheshin me ata partiakë dhe jugosllavë), pra në këto rrethana, më 1 dhjetor sulmuan qytetin e Ferizajt, një nyje e rëndësishme që lidhte Prishtinën, Prizrenin e Gjilanin me Shkupin. Aty u zhvillua një përleshje e ashpër midis nacionalistëve dhe partizanëve jugosllavë (rreth 3 mijë të ardhur nga Shkupi e rrethe të tjera nga radhët e Batalionit III dhe IV të Kosovës), e cila zgjati tri ditë.

Në fushë të betejës ranë rreth shtatëdhjetë nacionalistë dhe mbi 400 partizanë, midis të cilëve edhe kapiteni i OZN-nas Bozho Prlja, i njohur për krimet në Ferizaj ndaj nacionalistëve si dhe Milosh Muiq, komandant i batalionit III.

Luftëtarët nacionalistë që u vranë vinin nga katundet Goden (katund i Karadakut të Shkupit) dhe aato përreth: Davidoc, Jazerc, Petrovë, Reçak, Shtimje dhe Dramjak. Forcat nacionaliste, pas tri ditësh u tërhoqën nga Ferizaj ngaqë nuk ishin në gjendje të përballonin rrethimin e madh të partizanëve që u vihej nga të gjitha anët.

Lufta e Ferizajt me të shpejtë u bart edhe në pjesët e tjera. Në fillim të dhjetorit, shpërtheu një kryengritja e forcave nacionaliste e drejtuar nga Rushdi Janjeva, i cili sulmoi qendrën dhe për një kohë ia doli t’i ndjekë forcat partizane, të cilat u kthyen, vetëm pasi që u erdhën përforcime të mëdha nga Shkupi.

Një tjetër luftë midis nacionalistëve dhe partizanëve serbë dhe maqedonas, që depërtonin nga dy drejtimet ishte zhvilluar në pjesën e Gollakut më 2 janar të vitit 1945. Mulla Idizi i Gjilanit, një klerik patriot, i cili nuk ishte pajtuar me ripushtimin sllavo-komunist të Kosovës dhe kishte qenë përkrahës i organizimit të Komitetit Kombëtar, kishte mbledhur rreth veti forca të konsiderueshme nacionalistësh, të cilët synonin që ta çlironin Gjilanin nga partizanët serbë dhe maqedonë, të cilët, kishin filluar të terrorizonin popullatën shqiptare.

Në luftën e Gollakut, e cila zgjati tri ditë, forcat nacionaliste shkatërruan pjesën më të madhe të forcave partizane, të cilat u tërhoqën në Gjilan, të ndjekura nga nacionalistët shqiptarë, të cilët ngulmonin të futeshin në Gjilan, ku prej ditësh mbaheshin shumë të burgosur shqiptarë. Forcat e Mulla Idrizit nuk ia dolën ta marrin Gjilanin, edhe përkundër luftës heroike, ngaqë partizanëve të rrethuar u erdhën në ndihmë tri aradhe nga Shkupi dhe një nga Leskoci i Serbisë, të cilat ia dolën që të largojnë forcat nacionaliste. Me këtë rast, partizanët serbë dhe maqedonas ushtruan një hakmarrje të përgjakshme ndaj qytetarëve të Gjilanit, me ç’rast masakruan gjithë të burgosurit shqiptarë dhe qytetarë të tjerë, ndër të cilët edhe 72 gra e vajza.

Pasi që të jetë shtypur me gjak rezistenca e fillimit të dhjetorit në Ferizaj dhe Gjilan dhe ajo e zgjerimit të saj në drejtim të Qyqavicës dhe Vushtrrisë, ku po ashtu do të ketë kundërvënie ndaj forcave partizane jugosllave, po edhe hakmarrje të egër ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit dhe të parave të janarit, kur edhe më tutje do të vazhdojë mobilizimi i dhunshëm i të rinjve të Kosovës dhe dërgimi i tyre në drejtim të Veriut dhe të Adriatikut – prej nga edhe do të fillojnë të vijnë lajmet rreth fatit të zi të tyre në Tivar me helmimin e tyre në Shibenik – forcat e rezistencës shqiptare tashmë të bindura se të ashtuquajturat marrëveshje me partizanët rreth vendosjes së pushtetit popullor “në përputhje me vullnetin e popullit” nuk paraqesin tjetër pos një kurth për ripushtimin e Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar nga ata shqiptarë dhe në marrëveshje të ngushtë me ta, do të mundohen ta shfrytëzojnë kartën e mobilizimit kundër mobilizimit me çka ajo thelloi edhe më tutje hendekun midis nacionalistëve shqiptarë dhe pushtuesve sllavo-komunistë.

Shaban Polluzha, i cili fillimisht kishte marrë pjesë në mobilizimin e Shqiptarëve si dhe në krijimin e dy njësive që do të nisen për në Veri, do të fillojë të bëjë një mobilizim të ri pa njohurinë e Shtabit Operativ, jashtë atij që udhëhiqej nga Brigada VII e Kosovës, e cila ishte përgjegjëse për këtë veprim-tari. Pas disa “sqarimeve”, megjithatë, Shaban Polluzha do të pranojë që njësitë që kishte mobilizuar në pjesën e Drenicës (rreth katër mijë luftëtarë) t’i nënshtroheshin përgatitjes që bënte Brigada VII dhe të niseshin në Veri.
Eshaloni i parë prej dymijë e pesëqind vetash, pa Shaban Polluzhën, do të niset nga Vushtrria në drejtim të Podujevës më 20 janar. I përcjellë nga Divizioni 46 serb, do të arrijë në Kurshumli prej nga do të drejtohet për në Srem. Më 22 janar, eshaloni i dytë i të mobilizuarve, i përcjellë nga Divizioni i 46 serb dhe Brigada VII e Kosovës, me rreth dy mijë veta, në krye të të cilit ishte Shaban Polluzha, do të niset në drejtim të Podujevës. Nga Vushtrria, duke kaluar nëpër katundet Banjë, Gllavnik dhe Dumnicë e Poshtme, Eshaloni do të fillojë të shkapërderdhet pak nga pak.

Të mobilizuarit do të largohen nëpër katundet përreth me arsyetimin se nuk dëshironin të shkonin në Veri ndërkohë që Kosova mbushej me brigada partizane serbe, të cilat ushtronin terror ndaj Shqiptarëve.Të nesërmen, eshaloni i të mobilizuarve që udhëhiqte Shaban Polluzha arriti në Podujevë, por aty u ndal. Qëndrimi i tyre ishte i prerë: do të mbetemi në Kosovë dhe do të luftojmë në të po qe se është nevoja ta mbrojmë. Që të binden për të vazhduar më tutje rrugën për në Srem, në bisedime me Shaban Polluzhën do të futet personalisht Fadil Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, i shoqëruar nga Ismet Shaqiri.

Bisedimet nuk do të kenë sukses, meqë detyra e Fadil Hoxhës ishte që të bindte Shqiptarët të merrnin rrugën e Veriut, ndërsa qëllimi i Shaban Polluzhës ishte që me këtë refuzim të krijonin rrethana për krijimin e një fronti mbrojtës të Kosovës nga çetnikët serbë dhe bandat që depërtonin nga Veriu, gjë që nuk varej nga Fadil Hoxha.

Gjatë kohës sa zhvilloheshin bisedimet, Brigada e 46 serbe filloi për-gatitjet ushtarake te Lluzhani për bllokimin e kthimit të njësive shqiptare, të cilat do të bëhen pa dijeninë e Fadil Hoxhës, i cili nuk ishte i interesuar për një konflikt të Shqiptarëve me njësitë partizane jugosllave, ngaqë e dinte se çfarë epilogu tragjik do të kishte për Kosovën.

Konflikti dukej i pashmangshëm, çastin që disa njësi, do të thyejnë urdhrin e nisjes kah Veriu dhe do të shpërndahen pa u penguar nga forcat serbe që kishin vënë “barikadimin” te Lluzhani, në grupe të vogla për të kaluar Llapin dhe pastaj Sitnicën, por që do të sulmohen pas shpinës dhe pastaj, në mbrojtje e sipër nga sulmet e batalionit serb, do të fillojnë të rigrupohen kah katundet Ne-volan, Resnik, Kulë dhe Shalicë.

Kjo do të mjaftojë që të nesërmen Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës, nën direktivën e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Jugosllavisë dhe të Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë të japin dritën e gjelbër për luftë të armatosur, si thuhej, “kundër kundërrevolucionit dhe të reaksionit të brendshëm, i cili kishte shpërthyer në Kosovë”.

Kthimi i njësive të Shaban Polluzhës në Drenicë, pasi që ai pa rrethimin e vënë nga Divizioni 46-të dhe Brigada VI kosovare si dhe “shpallja e kundërrevolucionit” në Drenicë nga ana e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës hapi faqen tragjike të luftës së Drenicës midis forcave të Rezistencës Kombëtare kundër ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar edhe nga ata shqiptarë nga radhët e njësive partizane të UNÇ të Shqipërisë si dhe të UNÇ të Kosovës.
Sipas shënimeve jugosllave dhe atyre të brigadave partizane shqiptare, Shaban Polluzha në Drenicë rreth vetes kishte gjashtë mijë luftëtarë, të shumtën vullnetarë, që komandoheshin nga një numër ushtarakësh, të armatosur me armë të lehta dhe pa rezerva të duhura ushtarake për ndonjë luftë më të gjatë.
Të rrethuar nga të gjitha anët nga njësitë partizane ata ishin të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit dhe të shkëputur nga çfarëdo ndihmë që mund t’i vinte nga jashtë. Fjala pra ishte për një luftë të pabarabartë dhe me anatemën e “kundërrevolucionit”. Në këto rrethana, më një shkurt 1944 Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës dha urdhrin për mësymje të përgjith-shme kundër forcave të Rezistencës Kombëtare në Drenicë, të drejtuara nga Shaban Polluza, Mehmet Gradica dhe Adem Voca.

Në sulmin e përgjithshëm kundër luftëtarëve të Drenicës u mobilizuan tre divizione jugosllave (46, 52 dhe 24), një brigadë e motorizuar si dhe Brigadat III, IV dhe V kosovare. Nga Mali i Zi arriti Brigada I e Bokës dhe Brigada malaziase e Kotorrit.

Nga një urdhëresë e Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të datës pesë shkurt 1944 shihet se luftimet kanë qenë të ashpra në një front të gjerë nga veriu i Mitrovicës e deri në shpatet jugore të Kopaonikut, ku thuhet se në këtë pjesë forcat e Adem Vocës janë shkatërruar, por ato të Shaban Polluzhës, me një fuqi prej pesë mijë ushtarësh, “po japin një rezistencë të fortë, sado që rrethi i tyre po shtrëngohet”.
Nga kjo urdhëresë mësohet se kryengritja ka filluar të përhapet edhe në disa pjesë jashtë rrethimit, në Tunik dhe Rakosh në drejtim të Gjakovës dhe të Istogut.

Sipas njoftimeve jugosllave luftimet e ashpra u zhvilluan nga 7-12 shkurti, me ç’rast njësitë partizane patën humbje të mëdha dhe u desh të përforcohen edhe me Divizionin 24 dhe Brigadën I Malaziase të Bokës dhe atë të Kotorit, në mënyrë që ato më të ashprat, pra pasi që njësitë partizane të kalojnë në ofensivë të plotë, të zhvillohen nga 12-22 shkurt.
Nga një njoftim i Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të nënshkruar nga Fadil Hoxha më 12 shkurt thuhet se “forcat e armikut në Drenicë ende nuk janë asgjësuar. Armiku po reziston shumë. Brigadat tona po kalojnë njëkohësisht në sulm, kështu që armiku vetëm në një sektor po mundet të rezistojë.”

Pra, F. Hoxha kërkon: “ nga të gjitha anët të bashkohet rrethimi dhe të kalohet në një sulm të përgjithshëm, deri sa të eliminohet armiku”.
Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se me “sulmin e përgjithshëm deri sa të eliminohet armiku” do të ngarkohen Brigada I dhe IV e komanduar nga kolonel Petar Brajeviq, i cili mori përsipër operacionet e fundit kundër Shaban Polluzhës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Gollupovë. Gjatë këtyre luftimeve forcat e mëdha partizane, pasi që kishin thyer krahun kryesor të forcave të Rezistencës Kombëtare në shumë pjesë dhe shumë prej tyre ishin shkëputur nga veprimet e mëtutjeshme luftarake, ose shkatërruar fare, kishin rrethuar Shaban Polluzhën.

Shaban Polluzha me luftëtarët që kishte pranë ishte munduar dy herë të shpërthente rrethimin, por i plagosur rëndë kishte vdekur në Çikatovë. Në atë betejë ishin vrarë edhe kapiten Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari dhe djali i Shaban Polluzhës, Miftari.

I njëjti skenar lufte, do të përdoret edhe me të mobilizuarit që Adem Voca prej ditësh po i tubonte në trekëndëshin: Vushtrri-Mitrovicë-Shalë. Për ndryshim nga Shaban Polluzha, i cili kishte kërkuar të bënte bisedime me Shtabin Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, që komandohej nga Fadil Hoxha, Voca kishte hyrë në bisedime me funksionarët e lartë partiakë Ali Shukrinë dhe Spasoje Gjakoviqin. Ky i fundit, asokohe udhëhiqte shërbimin informativ ushtarak OZNA, përgjegjës për pastrimin e Kosovës “nga reaksioni dhe kundërrevolucionarët”, me bazë në Shkup, prej nga përgatiste të gjitha kurthet ndaj Shqiptarëve.

Në bisedime Voca do të kërkojë, pos të tjerash, të ndajë pushtetin në Mitrovicë, në përputhje me forcën që kishte (rreth katër mijë vullnetarë), dhe po ashtu të mobilizuarit të mos shkonin në veri, po të mbeteshin në Kosovë për t’u mbrojtur nga çetnikë të Zhika Markoviqit, që operonin lirshëm në pjesën e Shalës dhe të Llapit. Pasi që në bisedime Gjakoviqi do t’i refuzojë që të gjitha kërkesat e Vocës dhe në ndërkohë Brigada e 26-të serbe, do të ketë filluar sul-met kundër njësive të Shaban Polluzhës të cilat po tërhiqeshin në drejtim të Qyqavicës, po atë pasdite, Brigada e 25-të serbe, e stacionuar në afërsi të Mitrovicës, do të fillojë operacionet luftarake kundër forcave të Adem Vocës, të cilat do të tërhiqen në drejtim të Staritërgut dhe atje të nesërmen, më 26 janar, do të zhvillojnë një përleshe të ashpër me partizanët serbë, të cilëve do t’u vijë në ndihmë edhe Divizioni 46-të.

Të nesërmen, pasi që forcat e Adem Vocës të jenë rrethuar në hapësirën e xeherores Trepça, kundër tyre do të përdoren topat dhe artileria. Me këtë rast atyre do t’u shkaktohen humbje të mëdha. Por, një pjesë e tyre do t’ia dalin të tërhiqen në drejtim të katundit Pantinë, prej nga vinte Adem Voca. Aty, në shtëpinë e tij, bashkë me vëllezërit dhe shtatë djemtë, i barrikaduar, nuk do të pranojë të do-rëzohet. Më 11 shkurt Adem Voca me ata që kishte në shtëpi do të likuidohen.

Fitorja ndaj “kundërrevolucionit” në Drenicë, siç u vlerësua nga koloneli Sava Derleviq, komandant i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, i cili tashmë gjendej në krye të Drejtorisë Ushtarake, e cila, në rrethanat e vendosjes së administratës ushtarake në Kosovë nga 8 shkurti 1945 kishte komanduar operacionet përfundimtare luftarake të zhvilluara në Drenicë dhe me të tjerat që do të ndër-merren gjatë atij dimri dhe pranvere për spastrimin e Kosovës nga forcat nacionaliste dhe ato patriotike që nuk pajtoheshin as me ripushtimin e Kosovës e as me diktaturën komuniste, kishte vazhduar thuajse me të njëjtin intensitet, tash me pretekste “të rikthimit të paqes dhe të vendosjes së pushtetit popullor”.

Përmasat e vërteta të hakmarrjes çetnike-partizane do të mundohen të mbahen të fshehura, por disa prej tyre do të marrin dhenë. Në një promemorie që Ymer Berisha, nacionalist i njohur, që kishte marrë pjesë në Rezistencën Kombëtare, ia kishte dërguar gjeneralit Hodson, e njofton se “gjatë atyre 28 luftimesh, u vranë e u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, asnjë nuk u zu rob, u plaç-kitën dhe u dogjën mbi 150 shtëpi; gjashtë mijë banorëve të Drenicës, Vushtrisë dhe Mitrovicës iu grabit tërë ushqimi dhe pasuria e tundshme. Nga ushtria partizane, 6 mijë ushtarë u plagosën, 2.550 u vranë e 850 u zunë robë”.

Nga shënime të ngjashme merret vesh se gjatë fushatës ushtarake “për spastrimin nga reaksioni shqiptar”, në Mitrovicë e rrethe, u pushkatuan pa gjyqe rreth 2 mijë shqiptarë të pafajshëm. Në Vushtrri u asgjësuan rreth 400 të tjerë.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1942”, faqe 340-347)./ KultPlus.com

60 vjet të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, jubile i identitetit tonë kulturor-letrar

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Në paraditën e dhjetë nëntorit të vitit 1964, në Parkut e Qytetit në Gjakovës, para nxënësve të shkollave të mesme të qytetit dhe qytetarëve të shumtë, një grup i shkrimtarëve të rinj nga klubi i sapoformuar letrar “Gjon Nikollë Kazazi”,nën drejtimin e poetit të njohur Din Mehmeti dhe në praninë e poetit Enver Gjerqeku, hapën Mitingun e parë të Poezisë.
Ishte ky fillimi i një manifestimi letrar i komunikimit me dashamirët e letërsisë në një formë të hapur. Si i tillë, me kyçjen në bashkëorganizim të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Bashkësisë së Kulturës, mori mbikëqyrjen institucionale-shtetërore.

Kjo u pasqyrua kur mitingu kaloi nën patronatin e Fadil Hoxhës, asokohe anëtar i Kryesisë së RSFJ-së dhe të KQ të LKJ-së, i pranishëm në mbrëmjet qendrore të mitingut me kreun më të lartë politik dhe kulturor të Kosovës. Tretmani i tillë i Mitingut, bëri që pas tri vitesh të kthehet në një manifestim që tubonte poetë dhe shkrimtarë të njohur nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë. Pak më vonë, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve të njohur botëror, edhe fitues të çmimit Nobel, Mitingu mori edhe karakter ndërkombëtar. Me kalimin e kohës, krahas aktiviteve në hapësirat e pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, ato u shtrinë edhe me orët letrare nëpër shkollat fillore të qytetit dhe përreth si dhe me orën letare në Junik.

Festa e poezisë, siç quhej Mitingu i Gjakovës, vazhdoi edhe pas rrënimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, kur Serbia filloi të qëllojë të gjitha shtyllat e identietit tonë institucional dhe kulturor.

Edhe asokohe, Mitingu i Poezisë ruajti karakterin e tij kulturor. Kësaj i ndihmoi fakti se dr. Ibrahim Rugova ishte Kryertar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe njëherësh president i Kosovës. Kështu, nën përkujdesjen e vazhdueshme të dr. Rugovës manifestim u mbajt edhe në rrethanat e pushtimit dhe të represionit më të egër serb. Madje, nga viti 1991, Mitingu i Poezisë në Gjakovë, fiton edhe karakrerin kombëtar, meqë për herë të parë morën pjesë shkrimtarë nga Shqipëria (Besnik Mustafaj dhe Xhevahir Spahiu), rrugë kjo që do të vazhdojë me përfshirjen në rrezën e Mitingut edhe të Tropojës dhe pjesëve të tjera të Malësisë së Gjakovës.

Mitingu vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës, por më kohë u vërejt një tërheqje e institucioneve qendrore nga organizimi dhe financimi i veprimtarisë së manifestimit. Kjo ndikoi, që Mitingu, viteve të fundit të zbehet deri në atë masë, saqë edhe mbajtja e mitingut jubilar, të gjashtëdhjetit me radhë, të gjendet buzë dështimit. Por, kjo nuk ndodhi, në saje të angazhimit të vendosur të Kryetarit të Komunsë së Gjakovës, Adrian Gjinit, i cili bëri që jubileu të shënohet me dinjitet, në mënyrë që të vazhdohet tradita e një manifestimi kulturor-identitar të vetmit në hapësirën shqiptare./ KultPlus.com

“Buka në rrem” që tërheq turistë të huaj në Tropojë

Gështenja të pjekura, shoqëruar me një gotë verë pranë oxhakut, janë ritual në shtëpitë e banorëve të Tropojës – qytet në verilindje të Shqipërisë.

Tropoja ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan prej rreth 2.800 hektarësh.

Të moçmit i kanë quajtur “buka në rrem”, “drunj të bekuar” apo “pemë e bukës për të varfrit”, pasi kanë qenë ndër ushqimet kryesore në sofrat e tyre, por u kanë siguruar edhe të ardhura përmes shitjes.

Ato i plotësojnë edhe kërkesat për eksport, por, prej më shumë se dy vjetësh, prodhimi i tyre ka rënë për 50-60 për qind.

Insekti aziatik përgjysmon prodhimin e gështenjës

Përgjysmimi i prodhimit të gështenjës ishte edhe arsyeja përse Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, nisi një projekt si pjesë të iniciativës globale “Një vend, një produkt prioritar” dhe Shqipëria përzgjodhi gështenjën.

Agim Pepkolaj, drejtues projekti nga Zyra e FAO-s në Shqipëri, thotë se grera aziatike ka dëmtuar rëndë masivin me gështenja, duke rrezikuar të dëmtojë edhe turizmin dhe ekonominë lokale.

“Është një projekt që ka nisur prej dy vjetësh në Tropojë. Projekti ka parashikuar disa aktivitete, ku ndër më kryesoret mund të përmendim zbatimin e një programi të kontrollit biologjik për të luftuar grerën aziatike dhe menaxhimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve”, thotë Pepkolaj për Radion Evropa e Lirë.

“Aktualisht, projekti ka realizuar një laborator në Tropojë për rritjen e një insekti të dobishëm, pasi kjo është forma e vetme për ta trajtuar këtë problematikë, për ta luftuar insektin aziatik që po dëmton gështenjat”, sipas tij.

Pepkolaj shton se insekti aziatik mund ta dëmtojë deri në 80 për qind prodhimin e gështenjës, ndërsa zgjidhja e plotë e kësaj situate mund të kërkojë deri në tetë vjet kohë.

Rëndësia e gështenjës për zonën e Tropojës

Si banor i kësaj zone, por edhe si ekspert i zhvillimit rural, Pepkolaj e njeh mirë rëndësinë e këtij druri frutor për banorët e Tropojës.

Gështenja ka qenë ndër breza një ushqim i rëndësishëm, ndërsa përmes shitjes dhe eksportit banorët kanë siguruar të ardhura për familjet e tyre.

“Nëse dëmtohet ky produkt, dëmtohet ekonomia e banorëve të këtyre fshatrave, kështu që zgjidhja e problematikës është prioritet”, thotë Pepkolaj.

Gështenja konsumohet e pjekur apo e zier. Ajo përdoret, gjithashtu, për të bërë bukë të veçanta me miellin e saj në raste festash apo për mikpritjen e miqve.

“Banorët e kësaj zone janë ushqyer me të. Aktualisht, prej saj bëhen edhe salca për të shoqëruar ushqime të tjera, ëmbëlsira, supë me gështenja, por mund të bëhen edhe kremra, torta dhe gjalpë gështenje”, shpjegon Pepkolaj.

Për ta shtuar më tej këtë vlerë, ai thotë se FAO-ja parashikon të bëjë një investim në Tropojë për përpunimin e gështenjës në produkte të reja – çfarë do t’i rriste ekonomitë e vogla familjare.

Afrim Gjergji nga Tropoja thotë se gështenja është produkti kryesor në sofrën e shtëpisë së tij, të kthyer në bujtinë.

“Gështenjat e Tropojës janë të njohura për cilësinë e tyre. Kushdo që vjen ta vizitojë bujtinën, do t’i provojë gështenjat, të pjekura apo të ziera apo edhe në forma të tjera”, thotë Gjergji për Radion Evropa e Lirë.

“Kohëve të fundit ka mungesë, për shkak të një insekti. Shpresoj që të zgjidhet shumë shpejt, sepse masivi i gështenjave është unik. Ulja e prodhimit e ka ndikuar ekonominë tonë”, thotë ai.

Çdo vit, në fund të tetorit, në Tropojë organizohet “Dita e gështenjës” – një festë për promovimin e këtij fryti, e që shërben edhe për të diskutu atse si mund të ndihmohet në prodhimin dhe përpunimin e tij.

Tropoja është e njohur edhe për mjaltin e gështenjës.

“Shtegu i gështenjave” synohet të kthehet në destinacion

Një ndër aktivitetet e tjera të projektit të FAO-s është promovimi i “Shtegut të gështenjave”, i cili synon ta kthejë zonën e Nikaj Mërturit në Tropojë dhe vetë Tropojën në një nga destinacionet kryesore turistike të Malësisë së Gjakovës.

Masivi i rrallë i gështenjave shihet si një mundësi e mirë për të tërhequr edhe turistë, që do të ndihmonin në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave të thella, të cilat, pas viteve ’90, thuajse janë braktisur.

Për shkak të mungesës së një perspektive, banorët kanë lëvizur drejt zonave urbane të zhvilluara, por edhe kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

“Bukuritë e këtyre zonave, masivi me gështenja 500-600-vjeçare janë një pasuri nga e cila duhet të përfitojnë banorët vendas, por duhet ta zbulojnë dhe shijojnë edhe turistët”, thotë Pepkolaj.

Komunikimi me qytetarët ka treguar se, fatkeqësisht, kjo nuk njihet si zonë, edhe pse ka një larmi resursesh dhe atraksionesh, thotë ai, duke shtuar se pjesë e projektit të FAO-s është edhe promovimi i atij që quhet “Shtegu i gështenjave”.

“Është një udhëkalim prej 4-5 ditësh mes maleve për të pasionuarit pas hajkingut. Gjatë rrugës mund të qëndrosh në bujtina, stane, mund të vizitosh kulla, liqene, lumenj, shpella, e natyrisht të shijosh mikpritjen dhe ushqimet tradicionale”, thotë specialisti i FAO-s.

Se “Shtegu i gështenjave” nuk njihet apo vlerësohet nga vendasit e thotë edhe Gjergji, banor i fshatit Palç të Tropojës.

Ai thotë se vizitorët kryesorë të tij janë turistët e huaj.

“Prej tetë vjetësh e kam hapur bujtinën dhe vizitorët janë kryesisht turistë të huaj. Vijnë nga Anglia, Zelanda e Re, Zvicra, Italia”, tregon Gjergji.

Ai është ndër të paktët banorë që nuk u larguan nga fshati Palç, pasi rreth 95% e braktisën atë.

Thotë se, së voni, në fshatin e tij janë kthyer gjashtë familje dhe se e njëjta gjë po ndodh edhe në fshatra të tjera pranë.

Nxitjen për ta kthyer shtëpinë në bujtinë thotë se e ka marrë nga Ndoc Mula, alpinist – një prej adhuruesve të natyrës së egër të veriut të Shqipërisë dhe promovimit të saj – i cili humbi jetën në malin e Munellës tre vjet më parë.

“Ka qenë miku im Ndoc Mula, i cili më shtyu ta hap bujtinën në shtëpinë time të vjetër karakteristike prej guri. Kam vizituar çdo fshat të zonës Nikaj Mërtur bashkë me të. Dhe, në çdo bisedë, fliste për potencialin e madh që ka zona për të zhvilluar turizëm”, kujton Gjergji.

Çfarë ofron “Shtegu i gështenjave”?

Pepkolaj thotë se “Shtegu i gështenjave” ofron një shumëllojshmëri destinacionesh dhe burimesh të rralla natyrore dhe një mundësi për të vizituar një nga perlat e Alpeve Shqiptare.

“Nis nga lugina e Komanit, lumi i Shalës… Është një ndër atraksionet më të bukura. Pjesë e turit janë fshatrat: Salcë, Lekbibaj, Curraj, Velisht, Briskë, Palç e deri në Markaj. Është e gjitha me masive gështenjash mbi 500-600-vjeçare. Pjesë e turit janë edhe vizitat në ferma dhe stane, kalimi përmes shtigjesh që ofrojnë peizazhe fantastike”, shpjegon Pepkolaj.

Sipas tij, kjo është edhe zona me përqendrimin më të madh të bletërritësve në veri të Shqipërisë.

Sa i përket ushqimit, sigurisht që është tradicional, thotë ai.

Vendet që vizitohen përmes këtij shtegu, variojnë nga 200 deri në 1.200 metra mbi nivelin e detit.

Pjesë e këtij shtegu është edhe fshati Palç, ku Gjergji e ka kthyer shtëpinë në bujtinë, e gjithashtu e ka zgjeruar edhe stanin e tij për të mirëpritur turistë.

“Gjatë qëndrimit në bujtinë dhe në stan, turistët vizitojnë fermën ku mbaj kafshë të ndryshme, si: lopë, pula, dele, derra. Ushqimi që iu ofrohet turistëve, është tradicional, si: flija, maza, djathërat e mishi i ndryshëm, sikurse edhe produktet bujqësore që i marr nga një sipërfaqe prej tre dynymësh që e mbjell dhe e punoj bashkë me anëtarët e familjes sime”, tregon Gjergji.

Në stanin e tij në bjeshkë thotë se çdo 14 korrik pret banorë të zonës, në një takim brezash, në përkujtim të Betejës së Palçit kundër osmanëve më 1910.

Edhe ky takim shërben për të folur për investimet në turizëm, për të ringjallur kullat e shtëpitë prej guri e për të shijuar natyrën magjepsëse.

Gjergji thotë se turistët e huaj e adhurojnë bjeshkën.

“Ata që zgjedhin ta vizitojnë stanin në bjeshkë, mrekullohen me natyrën. Bëjnë ngjitje në mal, adhurojnë jetën e egër të maleve. Zona është e pasur me kafshë të egra. Nëse ngjitesh në mal, do të shohësh dhi të egra, kaproj, derra të egër… Fatmirësisht, nuk ka gjueti të paligjshme, ne i ruajmë kafshët, bimët, gjithçka që na ka falur natyra”, thotë Gjergji.

E, natyra u ka falur edhe ujëvara, lumenj me vaska natyrore dhe shpella të rralla, ku, siç thotë, bora nuk shkrihet kurrë.

Edhe Gjergji, edhe Pepkolaj thonë se një infrastrukturë më e mirë, mund të ndihmojë më shumë.

Banorët e zonës, kërkesë kryesore kanë infrastrukturën rrugore, thotë Pepkolaj, duke shtuar se destinacionet janë fantastike, por se qasja në rrugë automobilistike është e vështirë.

Ai tregon se disa zona janë edhe të rrezikshme, ndaj sinjalistika është e domosdoshme.

Problem është, po ashtu, mungesa e energjisë elektrike, të cilin disa prej banorëve e kanë zgjidhur me panele diellore. /REL/ KultPlus.com

‘Mbretnesha kohë dje boll mirë na tregoj, tha nesër për neve shumë ftoft ka me kan’ (VIDEO)

Grupi Troja’ është një ndër grupet më të njohura shqiptare, i cili është krijuar në vitin 1990.

Ky grup ka funksionuar ndër vite dhe me te tekstet e tyre shpesh kanë qenë kritikë ndaj pushtetarëve.

Sot, KultPlus ju sjell këngën ‘Mbretëresha Kohë’ e cila vazhdon të jetë aktuale dhe të përshatet gjendjen në çdo kohë:


Mbretnesha kohë dje boll mirë na tregoj,
tha nesër për neve shumë ftoftë ka me kan,
nëse t’bardhën prej të zezës na sot nuk dina me nda,
tha neser as shiu nuk munet me na lag..

Mbretnesha kohë dje boll mirë na tregoj,
tha nesër për neve ndryshe ka me kan,
nëse nyjen para syve na sot nuk dojna me zgidh
tha nesër kjo nyje n’fyt ka me na u lidh..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht../KultPlus.com

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO)

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.

Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com

Las Vegasi mbulohet nga bora, qytetarët thonë se nuk kanë parë një stuhi si kjo për të paktën 30 vjet

Disa banorë të Las Vegas panë deri në 17 centimetra borë së fundmi.

“Kur u zgjuam thashë se jemi në një glob bore”, tha Erica Chavez, banore e Las Vegas.

Bëhet e ditur se stuhia i shtyu njerëzit të pastronin raftet e dyqaneve dhe bëri që shumë banorë të mbeten pa energji elektrike për orë të tëra.

Las Vegasi parashikohet të shohë një tjetër stuhi bore, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Qyteti tha se ata nuk kanë parë një stuhi si kjo për të paktën 30 vjet.

Problemi më i madh ka qenë trajtimi dhe pastrimi i rrugëve.

“Rrugët janë të vështira sepse reshjet e borës janë shumë të mëdha. Ne duhet të kalojmë nëpër disa faza se si e pastrojmë vetë borën”, tha menaxheri i qytetit të Las Vegas, Tim Montgomery.

Siç raportohet, qyteti ka kontaktuar me një agjenci të jashtme për të ndihmuar në pastrimin e rrugëve.

Ata rekomandojnë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi pasi shumica e bizneseve janë të mbyllura dhe më shumë borë parashikohet të bjerë./ KultPlus.com

Pse e dua Shqipërinë

Ideolog, poliglot e mbi të gjitha, një atdhetar i shquar i mendimit të thellë, Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) ishte poet i patriotizmit dhe i luftës për liri. Por, më shumë, ai shkëlqente në përkthimet e shumë prej poetëve të mëdhenj.

Sejfulla Malëshova zotëronte 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli, teksa shkruante me shumë merak dhe kritikonte cilindo që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe.

Pse e dua Shqipërinë

S’kam çiflik e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarp e për një gur,

Për një gardh e për një mur,

Për kasollen mbi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

Për një lopë e për një gomar,

Për një Balo, një manar.

Unë e dua Shqipërinë

Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë,

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisa gjetheshumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë,

Për një zok që fluturon,

Për bilbilin që këndon

Në ato ferra, në ato hije

Këngë malli e dashurie,

Këngë shpirti të helmuar.

Unë e dua Shqipërinë

Si poet i dhemshuruar.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Korça e Vraninë,

Ku del bujku që me natë

Me parmendë dhe me shatë,

Mbjell e korr me djell, me hënë

Dhe s’ka bukë për të ngrënë,

Ku nallbani dhe samarxhiu

Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,

Kërrusen dite e kërrusen natë,

që të hanë bukë thatë,

Ku hamalli nëpër skela

Ngarkon hekur dhe varela,

Këmbë zbathur,***** çjerrë

Punon vetëm për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Shkupi e Janinë,

Ku një popull derëzi

Heq e vuan robëri

Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë

Si shqiptar e bir shqiptar. / KultPlus.com

Saranda destinacion i veçantë turistik për publikun zvicerian 

Në Panairin Ndërkombëtar të Zvicrës, Bashkia Sarandë përfaqësoi potencialin turistik dhe kulturor të qytetit.

Ministrja e Bujqëisë dhe Zhvilimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale pamje nga ky panair, teksa vlerësoi  promovimin e Sarandës si një destinacion i veçantë turistik për publikun zvicerian.

“Ky panair prestigjioz bashkon ekspertë të fushës dhe ofron një mundësi të veçantë për vendosjen e kontakteve të reja dhe promovimin e Sarandës si një destinacion i veçantë turistik për publikun zvicerian”, tha Denaj.

Saranda ndodhet në jug të Shqipërisë, buzë detit Jon dhe është lehtësisht e aksesueshme përmes rrugëve dhe transportit publik.

Gjurmët më të vjetra të zbuluara në zonën përreth qytetit, datojnë në periudhën antike, me prani të qytetërimeve të hershme dhe gjurmë të pasura historike.

Qyteti i bukur i Sarandës ka një klimë mesdhetare. Bregdeti i Sarandës, me ujërat e tij të kristalta dhe plazhet e mrekullueshme, tërheq turistë nga e gjithë bota. Vlerat e pasura të trashëgimisë kulturore, arkeologjike dhe natyrore të qytetit së bashku me pamjet piktoreske të detit Jon, përbëjnë një bazë të fuqishme për zhvillimin e turizmit./atsh/ KultPlus.com

“Përherësi” në COD/ Çelet ekspozita e piktorit Naxhi Bakalli, Rama: Shfaqje e bukur linjash e ngjyrash

“Përherësi” është ekspozita e piktorit Naxhi Bakalli, që u çel në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri.

Ekspozita nis me tablonë “Kur yjet mbushin qiellin” e vitit 1969, që u cilësua e papranueshme nga kritika e kohës dhe la në hije artistin e vazhdon me krijimet bashkohore, që përshkruajnë jetën e ti, duke çliruar atij kufijtë e imagjinatës, por njëkohësisht duke ruajtur motive popullore.

Naxhi Bakalli – Veprat e mia janë shumë të sinqerta, e thonë fjalën e verë, e kanë kompleksin e vet, po nuk kanë harruar kujt i takojnë, i takojnë vendin që e dua shumë

Jetona Koçibelli– Motivet popullore e kanë ndjekur si hije fillin e dritës së krijimtarisë së tij, ku kostumet shfaqen përmes një ekspresiviteti vizatimor qartësisht të influencuar nga lidhja  e fshehtë me librat e ndaluar të rinisë, dhe më pas vjen faza e lirisë ku figura njerëzore kthehet në motivin e të gjitha motiveve

Kryeministri Edi Rama e përshkroi krijimtarinë e Bakallit shfaqje të bukur linjash dhe ngjyrash.

Edi Rama – Unë e mbaj mend profesorin si një personazh hijerëndë, i heshtur, mbrapa kornizës së xhamit të derës së atelies së tij në Liceun Artistik, ku për shkak të gjatësisë, unë shikoja përtej xhamave të dyerve dhe gjithmonë ai ishte aty, i ulur te ajo tavolina e mësuesit ku edhe vizatonte. Kur e shoh, gjithmonë më kujtohet ajo kohë dhe ajo korniza e xhamit dhe gjithmonë më duket sikur kthehem në kohë dhe bëhem shumë i vogël përpara tij.

E bukura personifikon të gjithë pikturat dhe vizatimet e Naxhi Bakallit në gjysmë shekull krijimtari. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e Kryeministrisë deri më 31 dhjetor./ Top Channel/ KultPlus.com

Beyonce thyen rekordin historik me nominimet për Grammy 2025

Beyonce e ka kaluar edhe bashkëshortin e saj reperin Jay-Z, si më e nominuara në historinë e Grammyt, me 11 vetëm për ceremoninë e vitit 2025.

Artistja 43-vjeçare ka dominuar në listën e nominimeve të Grammy 2025, duke u nominuar po ashtu edhe për çmimin kryesor, e që është albumi i vitit.

Beyonce gjithashtu është nominuar për regjistrimin më të mirë të vitit dhe për këngën e vitit me projektin “Texas Hold Em”. Regjistrimi i vitit është një çmim që përfshin se si kënga është performuar, regjistruar dhe kompozuar.

Ajo dominon kësaj here me 11 nominime, duke e çuar totalin e saj në 99 sosh, më shumë se çdo artist tjetër.
Para të premtes, ajo ishte e barabartë me Jay-Z, i cili ka qenë 88 herë i nominuar, dhe ka fituar 24 çmime deri më tani.

Artistet femra kanë dominuar kategorinë albumi i vitit, nderi më i madh në ceremoninë Grammy.

Taylor Swift e ka fituar këtë kategori katër herë rresht, dhe është e nominuar edhe këtë vit me albumin e saj “The Tortured Poets Department”.

Kujtojmë se këtë vit nuk është nominuar asnjë artiste shqiptare në këtë ceremoni prestigjioze të ndarjes së çmimeve.

Liu Xiaobo: Për jetën dhe dinjitetin e të jetuarit

Liu Xiaobo (1955-2017), shkrimtar, kritik letrar, aktivist politik kinez. Nga viti 2009 deri në vdekjen e tij ka qenë i burgosur (pasi që kishte qenë tashmë edhe tri herë të tjera i dënuar) për shkak të kërkesës për futjen e masave demokratike në Kinë. Njëri prej hartuesve të ‘Karta 08’, për të cilën edhe është dënaur në fakt. Më 2010 i është ndarë çmimi Nobel për paqe.

PËR JETËN DHE DINJITETIN E TË JETUARIT

Nga Liu Xiaobo

Gjendja ekzistenciale e kinezëve

Nën regjimin despotik të partisë së vetme, jeta dhe veprimi politik kanë për qëllim të vetëm pushtetin, ndërsa ekzistenca e shtetit ose kombit janë vetëm pretekst legal për ushtrimin e tij dhe nuk kanë kurrfarë vlere tjetër. Në një regjim despotik njerëzit jetojnë për të jetuar dhe nuk kërkojnë tjetërgjë.

Në të kaluarën jetonim me iluzionin e marrëzisë komuniste, sot jetojmë të korruptuar nga premetimi i një jete të begatshme, por në të vërtetë, si dje si sot, jetojmë në shkretëtirë.

Kinezët, si qenie njerëzore, jetojnë pa kurrfarë dinjiteti, bile jeta e tyre me tamam është bërë instrument i «i rendit të terrorit», ndërsa në vete nuk ka më asnjë vlerë.

Mao Zedong na bënte thirrje «Jini vidhat e makinës së revolucionit» dhe kinezët, qoftë kur i bashkoheshin revolucionit, në epokën e Maos, qoftë kur i kundërviheshin, në epokën e Dengut, kanë zgjedhur të «kryejnë punën e vidhës së makinës së despotizmit».

Jetojnë në mënyrë oportunistike, duke u lëshuar në monotoninë e një mbijetese të përbërë prej marifetesh.

Jetojnë në mënyrë hipokrike, duke iu blatuar strategjisë cinike të dyfishësisë së personalitetit.

Jetojnë si indeferentë dhe apatikë, të mësuar në mënyrë egoistike të jenë vetëm spektatorë.

Jetojnë të nënshtruar, të kënaqur me bukën e marrë në mëshirë.

Jetojnë në mënyrë të kotë dhe sipërfaqësore, duke ndjekur gëzime të vockla.

Jetojnë duke mundur të derdhin veç lot poshtërimi, ashtu që turpi moral dhe ajo pak ndërgjegje që iu ka mbetur vdesin në heshtje.

Jetojnë duke mundur veç të bien në gjunjë dhe të ulin kokën, ngase dobësia morale nuk beson se ka ende ndërgjegje dhe drejtësi.

Jetojnë ngase nuk mund të bëjnë tjetërgjë, dhe ideja se nuk kanë zgjidhje tjetër morale është njëë formë e oportunizmit që e gëlltit ndërgjegjen.

Jetojnë si dinakë e veshtullakë, duke e shitur së pari ndërgjegjën e tyre, pastaj heronjtë që ende e kanë një ndërgjegje dhe në fund edhe ndjenjën e turpit që e kanë marrë përsipër barrën e një krimi. Një njeri dhe një popull pa turp mund të jetojnëë të lumtur.

Mbrojtja e doktrinës së të jetuarit pa qëllime e atrofizon natyrën shpirtërore dhe intelektive të individit, ndërsa e rrit tejmse atë kafshërore dhe materiale, duke e shndërruar faktikisht njeriun në kafshë. Besimi dhe shenjtëria kanë humbur vlerën dhe jemi tkurrur në skllevër të mishit. Duke e ngulfatur dhembshurinë dhe ndjenjën e drejtësisë, jemi shndërruar në homo œconomicus të ftohtë dhe kalkulues. Madje edhe të qenit psikologjikosht të shëndoshë është bërë luks.

Kur nevojat materiale dhe dinjteti shpirtëror hyjnë në konflikt, nëse për të jetuar jemi të gatshëm të përgjunjemi në shenjë nënshtrimi, do të jetojmë një jetë më të lehtë, më të rehatshme, më pak rënduese dhe të dhimbshme, por do të jemi si kufoma që ecin. Ndërsa, nëse nuk e përkulim kurrizin për ta mbrojtur dinjitetin tonë, jeta do të jetë më e zorshme, por edhe më e ndershme dhe e pastër; e nëse do të na duhet të durojmë mujshitë dhe rreziqet, do të jetojmë në një mënyrë edhe nmë të fisme.

Kinesët shpesh pyeten: a mos paska njeriu nevojë për dinjitet dhe ndërgjegje? Idealet, ndërgjegjja, dhembshuria, ndjenja e drejtësisë dhe ajo e fajit sigurisht se nuk janë të rëndësishme sa buka, aq më pak se sa paraja që e harxhojmë. Bëhet fjalë thjesht për fjalë boshe që i shkaktojnë dëme kombit dhe individit! Gjëja e vetme që vlen sa buka është të jetuarit në iluzionin e sigurisë dhe në terrin e plotë të paturpësisë.

S’ka dyshim, një drejtësi që nuk ka mbështetje të fortë është e dobët, por një forcë pa mbështetjen e drejtësisë është shumë e dëmshme. Tash, mes drejtësisë së dobët dhe forcës shumë të dëmshme, shumica e zgjedh të dytën, e keqja përherë do ta luajë rolin e ujkut dhe soji njerëzor atë të qengjit.

Megjithatë, te soji njerëzor gjejmë shembullin e mrekullueshëm të Jezusit, që e mposhti duarbosh Çezarin e armatosur, një lloj i drejtësisë së promovuar nga dashuria. Pastaj i kemi sukseset e kundërshtimit pa armë të Gandit dhe të Martin Luther Kingut, dëshmi historike të fitores së drejtësisë mbi forcën.

Pra Jezusi është prototipi i njeriut që vdes nga besnikëria ndaj kauzës së vet: përballë joshjeve të pushtetit, parasë dhe bukurisë, Jezusi thotë «JO»; përballë kërcënimit se do të kryqëzohet, Jezusi prapë thotë «JO»!

Gjëja e rëndësishme është se, kur Jezusi thotë «JO», nuk ndien urrjetje apo dëshirë hakmarrjeje, por, përkundrazi, është dëng me tolerancë dhe dashuri të pafundme; nuk nxit në zëvendësimin e një forme të dhunës me një tjetër, por e mbështet luftën pasive jo të dhunshme dhe, ndërkohë që e bart kryqin mbi supe, thotë qetësisht «JO».

Sado që bota të bëhet gjithnjë e më materialiste dhe pragmatike, derisa të ekzistojë prania mrekullibërëse e Jezusit bota do të ketë bukuri, mrekulli dhe entuziazëm.

/Marrë nga Liu Xiaobo, ‘Monologhi del giorno del giudizio’, Mondadori, 2011/Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Rumen Radev, flasin për fushën e mbrojtjes dhe të arsimit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me  presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

Presidentja Osmani me këtë rast ka thënë se Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

“Me presidentin Rumen Radev, diskutuam për bashkëpunimin në politikën e jashtme, në fushën e mbrojtjes, arsimit, si dhe për mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”, ka shkruar presidentja Osmani në facebook./ KultPlus.com

’24 orë nga jeta e një gruaje’

Fragment nga Stefan Cvajg

Çdo gjë kuptohet nga duart, nga mënyra me të cilën presin, me të cilën kapin, me të cilën ndahen. Njëqind karaktere mund të zbulosh nga mënyra se si i kapin duart paratë, si i zhubrosin dhe i shtrëngojnë me lëvizje nervoze. Karakteri i njeriut zbulohet në kumar nga vetë dora e tij. Sepse të gjithë ose pothuajse të gjithë kumarxhinjtë kanë mësuar se si të mos tradhtohen nga fytyra. Ata ruajnë maskën e ftohtë në fytyrë që i tregon të paprekshëm… Por pikërisht ngaqë tërë vëmendja përqendrohet te fytyra, ata harrojnë duart, që zbulojnë pa turp të fshehtën e madhe…

***

-Ngrihuni shpejt! Këtë çast…

Mirëpo atëherë ndodhi diçka e papritur. U kthye rrëmbimthi, po fytyra që më shikonte nuk ishte më e përvuajtur dhe e turpshme, ishte fytyra e një budallai, e një të çmenduri, me sy të flakëruar e buzë që i dridheshin nga inati.

-Lermëni rehat! – thirri. –Sa herë që vini ju, humbas. Kështu bëtë dje, kështu po bëni dhe sot. Shkoni!

Mbeta një çast si e ngurosur. Përballë marrëzisë së tij shpërtheu dhe inati im.

-Unë ju kam sjellë tersin? – e sulmova. – Gënjeshtar, hajdut, m’u betuat…

Po s’munda të vazhdoja, sepse ai i çmendur brofi në këmbë dhe më shtyu, pa çarë kokën për zhurmën që nisi të bëhej rreth nesh.

-Lermëni rehat! – thirri si i xhindosur. – Unë s’jam nën mbrojtjen tuaj… Na… na…, merrini paratë që ju kam borxh, – dhe më hodhi disa kartëmonedha qindëshe. – E tani lermëni të qetë!

***

Kanë kaluar njëzet e katër vjet që atëherë, e megjithatë, tek më kujtohet ai çast kur rrija atje e fshikulluar nga ironia e tij, më ngrin gjaku në rremba. Dhe e ndjej përsëri me lebeti se çfarë lënde e dobët, e ngratë dhe e mjerë duhet të jetë ajo që ne, me fjalë tepër të mëdha, e quajmë botë të brendshme, shpirt, ndjenjë, ajo që ne e quajmë dhimbje, sepse të gjitha këto, qoftë dhe në kulm, nuk janë në gjendje ta dërrmojnë krejt trupin e munduar – pse rrojmë prapëseprapë në të tilla çaste, me gjakun që na rreh në deje si çekan, në vend që të vdesim, të këputemi e të biem si ajo pema kur e godet rrufeja. Po ashtu është si ju thashë: dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga dëshira cipëplasur për të jetuar që, siç duket, ka hedhur në mishin tonë rrënjë më të thella nga të gjitha pasionet e vdekshme të shpirtit. / KultPlus.com

Mesazhi fshehur në shishe gjendet pas 132 vitesh në farin skocez (FOTO)

Inxhinierët kanë gjetur një mesazh 132-vjeçar të fshehur thellë në muret e një fari të vjetër në jug të Skocisë.

I shkruar në lëkurë me bojë, letra daton 4 shtator 1892 dhe tregon emrat e tre inxhinerëve që instaluan një tip të ri drite në kullën 30m të lartë.

Shishja 20cm e gjatë u gjet nga Ross Russell, i bordit të mekanikëve të farit, gjatë një inspektimi të strukturës.

Ata e zbuluan atë pas çmontimit të paneleve të një rafti, por pritën deri në ardhjen e kujdestarit të farit Barry Miller, para se ta hapnin.

Shishja kishte një fund të pazakontë të harkuar dhe kjo e bënte të mos qëndronte dot në këmbë, shkruan rrjeti BBC.

Ajo ishte mbyllur me një tapë që koha e gjatë ishte zgjeruar dhe ngjitur me xhamin.

Pasi e nxorrën tapën burrat morën dhe shënimin e lënë brenda.

77 vjeçari Miller, tha për rrjetin BBC Scotland se “duart po i dridheshin nga emocionet” teksa hapte shënimin.

“Ishte shumë emocionuese të lexoja nga kolegët tanë të së shkuarës, ishte sikur të ishe aty me ta. Grupi i tyre kishte qenë aty, siç po punonim dhe ne”, thote ai.

“Ata e kishin fshehur në një vend të tillë që të mos gjendej për shume kohë.”

Russell gjeti shishen e vjetër bashkë me kolegët Morgan Dennison e Neil Armstrong, teksa inpektonin farin 209-vjeçar për të kontrolluar mekanizmin e rrotullimit të lenteve të ndriçimit.

Letra shkruante:

“Pika e sinjalizimit Corsewall, 4 shtator 1892.

“Ky ndriçues është ngritur nga inxhinierët James Wells Engineer, John Westwood Millwright, James Brodie Engineer, David Scott Labourer, nga maji deri në shtator 1892.

Kujdestarët e pikës janë John Wilson Principal, John B Henderson ndërsa makineria është prodhuar nga  James Dove &Co Engineers Greenside Edinburgh.”

Inxhinierët thanë se kishin në plan ta zëvendësonin letrën me një mesazh të tyrin, teksa aktualisht ajo po mbahet në selinë qendrore të kompanisë Northern Lighthouse në Edinburgh.

Ndërkohë një nga pasardhësit e një prej punonjësve është njoftuar për zbulimin.

Euan Murray, i rritur 16km larg farit në Stranraer, është stërnipi i Murray, i cili punonte asokohe me John Wilson e Corsewall.

Pas njoftimit 32-vjeçari kishte thënë: “Është e mrekullueshme të mendosh sesi ata kanë punuar asokohe për gjëra që vljenë edhe sot”.

“Anijet i përdorin edhe sot këto sisteme navigimi. Është bukur të shikosh farin nga anijet që nisen ose mbërrijnë nga pjesë të ndryshme të botës”, shtoi ai./BBC/ KultPlus.com

Tirana, epiqendra e re për aktorët e Ballkanit

Një javë e mbushur me emocion dhe kreativitet pritet të zbulohet në kryeqytetin shqiptar, ku ngjarja “OneMinuteMonologue-Balkan Focus” do të nisë nga e diela, më 10 nëntor pikërisht ne qytetin e Tiranes i cili së fundmi po kthehet në një epiqendër për botën e filmit.

Organizuar nga Agjencia e Industrisë Kreative të Bashkisë së Tiranës, FILMMAKERS EUROPE dhe kompania e mirënjohur me fame botërore Spotlight do të mbledhë 37 aktorë ndërkombëtarë dhe 6 drejtorë kastingu të famshëm, duke ofruar një mundësi unike për të njohur dhe zhvilluar talente  nga Ballkani.

Ky edicion i parë do t’i dedikohet një trajnimi intensiv të cilin do ta drejtojnë emra të njohur në industrinë e filmit të cilet sot bashkëpunojnë me platforma të rëndësishme si Netflix, HBO, WarnerBross, sic jane Ellen Sofie Michelsen, Lana Veenker, Marina Wijn, Maurilio Mangano, Sofia Dimopoulou dhe Timka Grin. Pjesëmarrësit do të përfitojnë nga një trajnim tre-ditor, i cili do t’i ndihmojë ata të përmirësojnë aftësitë e tyre në teknikat e self-taping, audicioneve dhe strategjive për të rritur vizibilitetin në arenën ndërkombëtare.

Kjo ngjarje nuk është vetëm një mundësi për aktorët që të zhvillojnë karrierat e tyre, por gjithashtu një shans për të treguar potencialin e artit filmik në rajon.

Me angazhimin e organizatorëve për të tërhequr vëmendjen e profesionistëve të industrisë, “OneMinuteMonologue-Balkan Focus” synon të tregojë se Ballkani është plot me talente të jashtëzakonshme që meritojnë të njihen dhe t’i jepet një platformë për t’u shfaqur.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të eksplorojnë kulturën vibrante të Tiranës gjithashtu.

Tirana është gati për të treguar se sa shumë ka për të ofruar./atsh/ KultPlus.com

Arthur Waugh: Tepër tolerancë

Arthur Evelyn St. John Waugh (1903 – 1966), shkrimtar anglez. Veprat e tij më të njohura, ‘Decline and Fall’ (1928); ‘A Handful of Dust’ (1934); romani ‘Brideshead Revisited’ (1945)’, trilogjia e Luftës së Dytë Botërore ‘Sword of Honour’ (1952–1961)

TEPËR TOLERANCË

Nga Evelyn Waugh

Një fytyrë e përzemërt rrumbullake, më shumë e skuqur se sa e nxirë nga dielli tropikal; me sy të rrumbullakët të gjelbër bukur të hutuar; flokë të kuqërremta të prera shkurt; një gojë të madhe të buzëqeshur; mustaqe të holla të kuqërremta; një kostum doku të pastër të bardhë dhe kapele dielli – një agjent tregtar tipik anglez duke qëndruar në mes të anijeve në një port të vockël që të zë frymën në Detin e Kuq.

Ne ishim evropianët e vetëm në hotel. Lundra të cilën po e presnim që të dy ishte me dy ditë vonesë. E kaluam gjithë kohën bashkë.

Shkuam rreth e çark pazarit të vendit dhe luajtëm lojëra të pafundme me zare pokeri në tavolinat e kafeneve.

Në këso rrethanash një njohje e rastësishme fare lehtë lëshohet në një ton konfidencial. Natyrisht, fillimisht mjaftueshëm sa për të folur për tema të përgjithshme – kushtet lokale dhe problemet racore.

“Nuk ma kap rradakja nga lindin gjithë këto telashe. Ata janë përnjëmend njerëz fort mirë kur i njeh”. Oficerë britanikë, tregtarë, arabë, nativë, kolonë indianë – që të gjithë ishin për mikun tim të ri njerëz fort të mirë.

S’kishte si të vente më mirë një gjë kaq e çuditshme. Sigurisht, raca të ndryshme kanë ide të ndryshme – disa nuk lahen, disa kanë ide të habitshme rreth ndershmërisë, disa të tjerë e humbin kontrollin kur e teprojnë me pijen.

“Gjithsesi”, tha ai, ”ky është problemi i tyre. Veç sikur ata t’i linin të tjerët të qetë në punët e tyre, atëherë s’do të kishte asnjë problem. Sa u përket religjioneve, epo, te to edhe mund të gjesh goxha do gjëra të mira – hindu, muhamedan, pagan: misionarët kanë bërë goxha të mira, po ashtu – metodisët, katolikët, kisha e Anglisë, që të gjithë janë njerëz fort të mirë”.

Njerëzit nga anët më të humbura të botës priren të kenë pikëpamje të palëkundshme rreth çdo gjëje. Pasi ca muajsh të kaluar në mesin e tyre ishte një lehtësim i vërtetë të hasje në mendje aq tolerante dhe të hapura.

Në mbrëmjen e parë e lashë shoqëruesin tim me një ndjesi respekti të ngrohtë. Këtu të paktën, në një kontinent të populluar pothuajse ekskluzivisht me fanatikë të sojit e sorollopit, shkova me mendjen se kisha takuar një njeri të mirë. Të nesërmen u shtruam në tema edhe më intime dhe unë nisa të mësoja diçka nga jeta e tij. Tashmë ishte më afër të të pesëdhjetave se sa të të dyzetave, megjithëse unë do t’i kisha dhënë më pak.

Kishte qenë biri i vetëm, i lindur në një qytet provincial anglez, në një shtëpi ku parimet e rrepta të mirësjelljes viktoriane kishin pushtetin mbi gjithë anëtarët e saj.

Kur e kishin lindur prindërit e tij kishin qenë bukur në moshë dhe të gjitha kujtimet e tij vinin pas tërheqjes së babait të tij nga një post qeverisës me përgjegjësi në Indi.

Nuk ishte fare në natyrën e tij të pranonte ekzistencën e parehatisë apo mospajtimit, por ishte e qartë, nga secila referencë në lidhje me të, se shtëpia e tij nuk kishte qenë e pëlqyeshme për të.

Rregulla të përpikta të moralit dhe sjelljes, kritikat e pamëshirshme ndaj fqinjve, barriere klasore e pakapërcyeshme e ngritur ndaj të gjithë atyre që konsideroheshin shoqërisht inferiorë, mosaprovim armiqësor i superiorëve – s’do mend këto ishin kodet e prindërve të mikut tim dhe ai ishte rritur me një vendosmëri të rrënjosur thellë që ta modelonte jetën e vet në parime të kundërta me ato.

Në mbrëmjee takimit tonë të parë u zura në befasi kur zbulova natyrën e punës së tij. Puna e tij ishte t’u shiste makina qepëse me porosi indianëve që mbanin dyqane poshtë e lart bregut të Afrikës lindore.

S’do mend se kjo nuk ishte puna për të cilën mosha dhe edukimi i tij duhej ta kishin përgatitur. Më vonë e mora vesh shpjegimin.

Kishte hyrë në tregti pasi që e kishte braktisur shkollën publike, ia kishte dalë bukur mirë dhe përfundimisht, pak para shpërthimit të luftës, ksihte dalë me vete me një kapital që i kishte takuar pas vdekjes së babait.

“Kam pasur fat të keq atje”, tha ai. “Kurrë s’jam ndier fajtor për atë që kishte ndodhur. Shikoni, e kam marrë një tip në ortakëri me mua. Ka qenë shitës bashkë me mua në dyqan dhe përherë e kam dashur, sado që nuk shkonte bash mirë me kolegët e tjerë.

“Ai u largua nga puna pikërisht në kohën kur më ranë në dorë një grusht para. Kurrë nuk e kam marrë vesh çfarë halli kishte, po sidoqoftë nuk ishte puna ime. Mobilizimi u duk pakashumë me fat në atë kohë, ngase ortaku im nuk ishte i aftë për shërbim ushtarak, kështu që gjithë kohës sa unë isha në ushtri ai ishte në gjendje të kujdesej për gjërat në shtëpi.

“Biznesi dukej se po shikonte shumë mirë, po ashtu. Dolëm në zyra të reja, morëm një staf më të madh dhe gjatë gjith kohës së luftës po nxirrnim dividendë bukur të mirë. Po më sa duket ishte një prosperitet i përkohshëm.

“Kam frikë se kur u ktheva pas armpushimit nuk iu kushtova ndonjë vëmendje të madhe punëve të mia. Isha i lumtur që isha kthyer në shtëpi dhe doja ta merrja krejt shtruar. E lashë ortakun tim të mbarështonte gjithçka dhe shkoj me mendjen se pak a shumë i lashë gjërat të rrëshqisnin kështu për nja dy vjet.

“Sidoqoftë, nuk e dija se sa keq ishin gjërat derisa ai papritur më tha se duhej të likuidonim biznesin.

“Prej atëherë kam qenë me fat në gjetjen e punëve, por nuk është aspak e njëjta gjë të jesh zot i vetvetes”.

Shikoi përreth molit, duke i rrotulluar syzet me dembeli në dorën e tij. Pastaj, si një mendim i mëvonshëm, ai bëri një shtesë ndriçuese në historinë e tij.

“Për një gjë jam shumë i lumtur”, tha ai, “ortaku im nuk ra në fund të pusit si unë. Pothuajse menjëherë pasi që e mbyllëm ne, ai e hapi biznesin e vet gati se të njëjtë, në një shkallë më të gjerë. Tash është një njeri i pasur”.

Atë ditë vonë më befasoi duke e përmendur rastësisht djalin e tij.

“Djalë?”.

“Po. Kam një djalë njëzeteshtatëvjeçarë në shtëpi. Djalosh për koke. Do të doja të mund ta takoja më shpesh. Por ai ka bërë shokët e vet tash dhe mund të them se është i lumtur me veten. Është i dhënë pas teatrit.

“Nuk është diçka për të cilën unë di shumë. Të gjith shokët e tij janë të teatrit, ë, shumë të dhënë pas tij.

“Jam i lumtur që çuni ka dalë me vete. Gjithmonë jam ruajtur që kurrë të mos përpiqem të ndikoj në interesimet e tij, në çfarëdo që nuk e tërheq atë.

“Keqardhja e vetme është se s’ka shumë para në atë punë. Ai shkon vazhdimisht me shpresën se do të gjejë një punë në skenë ose në film, por është zor nëse s’i njeh njerëzit e duhur, thotë ai, dhe kjo kushton shumë.

“I dërgoj para aq sa mundem, por i duhet të vishet mirë, siç e dini, të shëtisë shumë dhe të argëtohet, e kjo kërkon goxha para. Sidoqoftë, pres që t’i dalë për mbarë në fund. Ai është djalosh fort i mbarë”.

Por ai e përmendi gruan e tij vetëm disa ditë më vonë, në bordin e anijës, kur tashmë ishim ankoruar në portin ku duhej të zbarkonte të nesërmen.

I kishim zbrazur goxha do gota duke i uruar njëri-tjetrit fat të mbarë në udhëtimet respektive. Perspektiva e një ndarjeje të menjëhershme i bëri konfidencat e të dyve më të lehta se sa ato mes dy shoqëruesve të përhershëm.

“Gruaja ime më ka lënë”, tha ai thjesht. “Pati qenë një befasi e madhe. Edhe sot e kësaj dite s’e di pse. I kam dhënë zemër gjithmonë të bëjë çfarë të dojë.

“Shikoni, më kanë zënë sytë një mori idesh viktoriane të martesës, ku gruaja supozohet të mos ketë asnjë interes përveç mbajtjes së shtëpisë dhe babai i familjes darkon në shtëpi çdo mbrëmje. Unë nuk jam i kësaj mendjeje.

“Gjithmonë kam dashur që gruaja ime të ketë miq dhe t’i thërrasë ata në shtëpi kurdo që të dojë, të dalë kurdo që të dojë, e edhe unë kam bërë të njëjtën gjë. Mendoja se ishim idealisht të lumtur.

“Asaj i pëlqente vallëzimi, por mua jo, kështu që kur doli një shok që dukej se asaj i pëlqente të kalonte kohë me të, unë mbeta i kënaqur. E pata takuar atë njëherë a dy dhe kisha dëgjuar se ai vraponte goxha fort pas grave, por kjo s’ishte puna ime.

“Babai im bënte një ndarje të prerë mes miqve të tij, midis atyre që i takonte në shtëpi dhe atyre që i takonte në klub. Ai nuk do të sillte kurrë në shtëpi dikë karakterin moral të të cilit nuk e tumirte. Ma ha mendja se kjo është e gjitha një gjepurë e moçme.

“Gjithsesi, që t’i biem shkurt, pasi që ajo kishte nisur të dilte me atë tipin për ca kohë, papritur kishte rënë në dashuri dhe kështu u largua me të. Edhe ai tipi më ka pëlqyer. Një djalë fort për së mbari. Ma ha mendja se ajo ka plotësisht të drejtë të bëjë çfarëdo që preferon. Prapëseprapë, u zura në befasi. Dhe prej asaj kohe jam vetëm”.

Në atë çast dy pasagjerë njohjes me të cilët i kisha bërë bisht për merak kaluan para tavolinës sonë. Ai i thirri t’i bashkëngjiteshin, kështu që i urova “natën e mirë” dhe ia mbatha.

Nuk e pashë të nesërmen që të flisja me të, por e pashë për shkurtazi te shtylla e molit, duke mbikëqyrur shkarkimin e arkave të mostrave të makinave të qepjes.

Me sa pashë, e përfundoi punën e vet dhe ia shkeli drejt qytetit – një figurë e vogël tragjike e hareshme, të cilit ia kishte marrë pasurinë ortaku i tij, në kurriz të të cilit hante biri i tij, i shkatërruar nga gruaja e tij, një figurë e shastisur e papërmbajtshme, duke ecur me hapa të mëdhenj përposh kapelës së tij pluskuese, duke rrahur gëzimplotë rugën e tij brenda një kontinenti të tërë njerëzish fort për së mbari të pamëshirshëm dhe grabtiqarë.

/Marrë nga ‘The Complete Stories of Evelyn Waugh’, Little Brown, 1998/ Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

Artistë eminentë performojnë në koncertin autorial në nder të 75-vjetorit të kompozitorit Rafet Rudi, shënohet përmbyllja e edicionit të XXlll-të të ReMusica-s

Ejona Veselaj

Mbrëmjen e 8 tetorit është mbajtur koncerti i dyfishtë i natës përmbyllëse të edicionit të XXIII të festivalit ReMusica, ku me interpretime të shumta e me një koncert autorial, u shënua edhe 75-vjetori i lindjes së themeluesit të këtij festivali, kompozitorit të njohur Rafet Rudi.

“Meloditë e Zemrës” me mezzo-sopranen Flaka Goranci dhe kitaristen Tringa Sadiku, hapën koncertin duke u përcjellë me duartrokitje të shumta. Koncerti nuk kishte se si të fillonte më mirë se sa me tingujt e qetë të kitarës nga Tringa Sadiku, kombinuar me zërin fantastik të sopranos Flaka Goranci. Që të dyja bënë një udhëtim të mrekullueshëm në këngët popullore, duke nxjerrë në pah pjesë të paharruara të Manuel de Falla dhe Heitor Villa-Lobos. Në programin e tyre kishin përfshirë këngë nga Carlo Domeniconi, Manuel de Falla, Antonin Dvorak e Violeta Parra.

Flaka Goranci është mezzo-soprano e dalluar që shquhet për interpretimin e shumë roleve operistike. Teatri i Vjenës, Opera e Magdeburgut, Festivali i Operës Langenthal në Zvicër, Teatri i Operës Ostrava, Salla e Koncerteve në Berlin, Salla e koncerteve në Vjenë, janë vetëm disa nga institucionet ku ajo merr pjesë. Flaka bashkëpunon me dirigjentë të njohur si N. Harnoncourt, U.Windfuhr, L.Suganandarajah, E.Delamboye, D.Spaë, R. Rudi,C.V. Kerssenbrock etj. Poashtu ka performuar nën regjinë e U.E. Laufenberg, S.Lawless etj.

Në një intervistë për KultPlus, Goranci u shpreh se përgatitjet për këtë koncert kanë shkuar shumë mirë dhe se provat kanë zgjatur shumë.

“Përgatitjet kanë shku shumë mirë, ne jemi përgatitur edhe në Graz të Austrisë bashkë me Tringën ku kemi pas dy prova të gjata dhe pastaj këto ditë kemi ardhur në Prishtinë ku kemi bërë prova çdo ditë. Është dashur të përgatitemi shumë pasi shumicen e programit e kemi luajtur për here të pare sonte dhe e kemi sjell premierë një program të posaçëm për këtë festival”.

Ndërsa, kitaristja Tringa Sadiku u shpreh se përgatitjet për këtë festival kanë qenë shumë natyrale dhe se ka qenë një kënaqësi për të që të bashkëpunojë me mezzo-sopranon Flaka Goranci.

Mbrëmja ka vazhduar me pjesën e dytë të koncertit që iu kushtua shënimit të 75-vjetorit të profesorit Rafet Rudi. Në skenë u ngjitën Zana Abazi me flaut dhe Andi Duraku në piano, duke sjellë “Impresione” para publikut që ishin mbledhur në Atelien e Pallatit të Rinisë në këtë mbrëmje të veçantë.

Pas një pauze të shkurtër, radha ishte për dy gra të mrekullueshme, Lirika Pula në piano dhe Sihana Badivuku me violinë, sollën “Fantasia in Si”.

Mbrëmja vazhdoi nën magjinë që sollën kitaristët Petrit Çeku, Diar Aliu dhe Tringa Sadiku, të cilët për pak minuta bënë që e gjithë vëmendja të kthehej tek ata, duke interpretuar “Three albanian songs” apo “Tri këngë shqiptare”.

E pas përgatitjeve të skenës që zgjatën pak minuta, dritat e skenës ranë mbi Korin e Filharmonisë së Kosovës, të cilët nën drejtimin mjeshtëror të dirigjentit Marcio da Silva, dhe nën shoqërimin e tingujve të kitares nga mjeshtri Petrit Çeku, sollën interpretimin e veprës “Deti i varrëve të hapura”, që është vepër e vet kompozitorit Rafet Rudi.

Soliste në interpretimin e kësaj vepre ishte Elona Sadiku, e cila për KultPlus u shpreh se për të ishte nder e kënaqësi që t’i besohej pjesa solistike e veprës.

“Nuk ishte aspak e vështirë të punoj me profesionist të tillë siç është edhe dirigjenti Marcio da Silva, për mua ka qenë kënaqësi të më besohet pjesa solistike e veprës nga vet kompozitori Rafet Rudi, për të cilin edhe jemi mbledhur sot”, u shpreh Sadiku për KultPlus.

Tutje, Sadiku u shpreh se përgatitjet nuk kanë zgjatur sepse i kanë pasur vetëm dy vepra të cilat Filharmonia e Kosovës i ka kënduar edhe herë të tjera pasi janë pjesë e pashkëputur e reportuarit të tyre.

Kurse, në mbyllje të këtij koncerti, është interpretuar vepra “In A”, nga sopranot e njohura Adelina Paloja dhe Kaltrina Miftari. Në piano ishte Andi Duraku dhe Lekë Salihu, kurse në perkusione Patris Berisha, Meriton Zajmi dhe Kenan Bytyqi.

Në një bisedë të shkurtër, Adelina Paloja u shpreh për KultPlus se ndjehet shumë e emocionuar dhe se ka pranuar ftesën me shumë kënaqësi në këtë koncert autorial të Rudit, për dy arsye shumë të veçanta.

“Kam pranuar ftesën me shumë kënaqësi për dy arsye të veçanta. E para sepse gjithmonë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës dhe e dyta sepse profesori Rafet Rudi ka qenë mbështetje e imja qysh në fillet e mia të para, që nga mosha 6 vjeçare kur veçse kam filluar të merrem me këndim dhe piano”, u shpreh Paloja për KultPlus.

Ajo tha se është shumë e lumtur që të festojmë jetën e tij si një personalitet shumë i rëndësishëm i komunitetit të tyre dhe jetik për rrjedhën e muzikës klasike.

E për fund, natyrisht që një prononcim i shkurtër nuk mund të mungonte nga protagonisti i mbrëmjes, kompozitori dhe profesori Rafet Rudi. Ai tha se është i lumtur me revolucionin që ka pësuar ReMusica.

“Unë edicionin e shiqoj vetëm nga anash pasi nuk jam i përfshirë në organizimin e tij më. Më duket interesat sepse ka ndërru fizionomia e festivalit, Donika si presidente e festivalit dhe Viktori si producent kanë bërë një lloj revolucioni. Një ndryshim të fizionomisë që ka qenë mjaft frytdhënës dhe mbaroi me sukses”, u shpreh Rudi për KultPlus./KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me kryeministrin e Luksemburgut: Theksova nevojën e mbështetjes për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani sot është takuar me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden.

Pas këtij takimi Presidentja Osmani ka thënë se Kosova dhe Luksemburgu ndajnë përkushtimin e përbashkët për t`i forcuar marrëdhëniet dhe për t`i hapur kapitujt e rinj të bashkëpunimit.

“Në takim me kryeministrin Luc Frieden, theksova nevojën e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në BE, bazuar në merita”, thuhet në shkrimin e Presidentes Osmani në Facebook/ KultPlus.com

Dollia shqiptare në UNESCO? Këtë mision e ka marrë pedagogu Sherif Bundo

Kushedi se sa dolli janë ngritur për të, e sa ka ngritur vetë ai për miq të dashur.

Është rritur me ceremonialin e dollisë në familjen e tij në Bënjë të Këlcyrës, në juglindje të Shqipërisë.

Profesori i Financave në Shqipëri dhe në Francë, Sherif Bundo, i ka mbledhur të gjitha copëzat e kujtimeve, përjetimeve e rrëfimeve në një libër.

Shumicën e botimeve të tij ia ka kushtuar ekonomisë dhe financës, por thotë se mes financës dhe dollisë ka lidhje dhe nuk bëhet fjalë për çmimin.

Dolli që nga fëmijëria

Një pedagog financash që shkruan për dollinë, mund edhe t’i habisë lexuesit, por profesor Bundo thotë se vlerat shpirtërore nuk mund t’i lidhësh me ndonjë profesion të veçantë.

Ato janë lidhje e brendshme e kujtdo, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Shtysën për t’i kushtuar dollisë disa vite studimi në terren dhe më pas një libër, thotë se e ka marrë që në fëmijëri.

“Unë jam nga Bënja e Dëshnicës, që sot bën pjesë në Bashkinë e Këlcyrës. Jam rritur në një zonë ku mikpritja ishte e shenjtë, por kulmi i saj arrihej kur ngriheshin dollitë me raki, këndoheshin këngët polifonike dhe burra e gra ngriheshin në valle”, kujton Bundo.

“Qëkur isha fëmijë, më bënte përshtypje ky ceremonial. Gjithnjë e pyesja veten: ku i kanë mësuar këto rite kaq të bukura, të zgjuara, kush i ka artikuluar…”, thotë ai.

Një nxitje të madhe thotë se e ka marrë edhe gjatë kohës kur ushtronte funksione të larta shtetërore, punë që e lidhte më shumë me zona të ndryshme, me ritet e zakonet e tyre.

“Pasi kreva studimet e larta, punova dhjetë vjet në Skrapar. Pritja atje është një ngjarje e rrallë, me një ceremonial të veçantë. Si i huaj konsiderohesha gjithnjë mik, pas të zotit të shtëpisë më kërkohej të bëja dolli. Aty kuptova dollinë si institucion, rolin e mikut, impenjimet në ceremonial të palës pritëse dhe përjetova emocionet e veçanta të dollisë, të cilat të rrëqethin, të bëjnë të ndihesh krenar për këtë rit të bukur”, thotë Bundo.

Ai kujton se më vonë, sidomos kur ishte kryetar i Komitetit Kombëtar të Turizmit, ishte lidhur edhe më shumë me, siç thotë, “këtë vlerë shpirtërore të vendit tonë”.

“Dollia e ngre mikun në piedestal”

Bundo e cilëson dollinë si një skenë ku promovohen arritjet dhe vlerat njerëzore. Është një lloj i veçantë ligjërimi, sipas tij.

“Dollibashi është lideri që dirigjon, drejton sofrën, tryezën, odën dhe ka një qëllim: t’i bëjë të lumtur pjesëmarrësit, t’i bëjë ata sa më të kënaqur”, thotë ai.

Për të, dollia e ngre në piedestal mikun, të ftuarin, vizitorin.

“Aty e ka pushtetin dhe magjinë fjala, e jo sasia e alkoolit që konsumohet”, thotë Bundo, i cili është duke bërë përpjekje që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore, e madje edhe të mbrohet nga Agjencia për Kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO.

Ai thotë se dollitë vijnë nga lashtësia – në dasma, fejesa, pritje, përcjellje e gosti.

Nuk është e thjeshtë të ngresh dolli. Duhet ta njohësh mirë mikun, t’ia dish vlerat dhe t’u përmbahesh disa rregullave – disa herë edhe të ashpra, thotë Bundo.

Sipas tij, dollia haset edhe në veri, edhe në jug, por si kod shpirtëror, me rregulla shpesh të ashpra gjendet në jug, veçanërisht në zonat: Skrapar, Përmet, Dangëlli, Frashër, Dëshnicë, Kolonjë, Gramsh, Mokër, Mallakastër, Lunxhëri, Berat, Himarë etj.

Është një rit me kode, siç janë ligjet me nene, thotë ai.

“Që të kompozohet një dolli, duhet të futen në rol disa persona – mbi të gjithë një person që është ‘dollibashi’ – ai që ngre disa shëndete me gotën me raki, që rendit vlerat e atyre njerëzve që ai u çon shëndet dhe e meritojnë të veçohen”, tregon Bundo, që mban titullin profesor dhe gradën doktor shkencash.

Ai thekson se dollia është nevojë, pasi gjithsekush e ndien se duhet t’i thuhen në publik vlerat, meritat dhe arritjet që ka.

“Si thuhen ato? Nga dollibashi. Ai gjen apo kërkon një partner, që quhet pritësi i dollisë. Ata dialogojnë bashkë. Dollibashi ia shpjegon pritësit cilësitë e virtytet e atij për të cilin ngrihet dollia. Më pas, të gjithë pjesëmarrësit ftohen nga pritësi ta ngrenë shëndetin për atë për të cilin u thanë fjalët e mira”, shpjegon profesor Bundo.

Ai shton se dollia ka edhe aktorë të tjerë si pritësin e dollisë – i cili në disa zona apo krahina quhet edhe sekretar i dollisë – dhe po kështu edhe “saku” – personin që është i ngarkuar për të mbajtur drejtësi në tryezë a sofër, që i mbush gotat e rakisë e që kujdeset që të gjithë të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Saku, sipas tij, është syri i kujdesshëm i sofrës, që përfaqëson atë që është mikpritësi.

Siç ka rregulla, dollia ka edhe detyrime.

“Ka rregulla se kush bëhet dollibash, si zgjidhet, apo si e fiton këtë protagonizëm. Kur i sheh kështu veçmas, të duken të ashpra, por kur e kupton se këto rregulla janë bërë që të ruhet harmonia në tryezë, e kupton se dollia është margaritar”, thotë profesori.

“Kur dollibashi ngre një shëndet, bën komente për atë për të cilin e ngre shëndetin, por janë komente që të rrëqethin, të bëjnë me krahë, të bëjnë të thuash me vete se sa bukur i tha ato fjalë. Kjo e bën dollinë të veçantë”, thotë autori i librit “Dollia”.

Dollia – “autoktone shqiptare”

Bundo thotë se e ka studiuar me vite këtë vlerë shpirtërore dhe këmbëngul me bindje se ajo është vetëm shqiptare.

“Rakia, vera, mikpritja nuk janë vetëm shqiptare, ndërsa dollia po. Ka autenticitet të plotë shqiptar. Nuk ka dolli as në vende të tjera të rajonit, as të Mesdheut. Ajo ka evoluar nga monolog që ngjason me rapsoditë, në dolli që ngrihen mes dy personave dhe të tjerët heshtin… Ka evoluar përgjatë shekujve, por është autentike dhe ka disa diferenca të vogla sipas zonave”, thotë Bundo.

Ai është ndër nismëtarët e një grupi të madh intelektualësh, personalitetesh të njohura, por edhe bashkive dhe shoqatave që kërkojnë që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Njëlloj si polifonia.

“Dosja është dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Vendimi nuk është marrë ende, por është në rrugë procedurale. Unë kam besim të plotë se do të shpallet… Më pas i takon Ministrisë ta dërgojë dosjen në UNESCO, sepse i plotëson të gjitha kriteret. Kjo do të kërkojë kohë, por kam bindjen se edhe në UNESCO do të miratohet si pasuri botërore shpirtërore”, shprehet Bundo.

Ai thotë se në terren e vëren rrezikun që dollia të zhduket si vlerë shpirtërore, ndaj duhet mbrojtur sa më shpejt.

“Të rinjtë janë të dhënë pas modernizmave. Pasuria kulturore është e rrezikuar nga globalizmi apo harresa. Kjo edhe ngase nuk ka ligje apo institucione që ta mbrojnë”, thotë ai.

Ajo që i bën përshtypje thotë se është fakti se dollia – derisa te vendasit rrezikon të humbë apo të zhduket – vlerësohet shumë nga turistët e huaj.

“Turistët e huaj nuk vijnë këtu për gjëra moderne, por vijnë pikërisht për traditën, të veçantën, të bukurën. Kam parë se si dollia po përdoret si atraksion në jug të vendit, në Berat, Skrapar, Përmet, Mokër, Kolonjë, Leskovik etj. Kam parë me sytë e mi se si të huajt kanë kuriozitet dhe emocionohen nga ky ceremonial”, thotë pedagogu.

Libri për dollinë dhe ribotimi i tij

Libri Dollia, si kumt i trashëgimisë kulturore, u botua tre vjet më parë, por pak më vonë Bundo solli një botim të ri të tij, që e cilëson kthim kritik te libri i parë.

“Monografia e dollisë ka qenë dhe është e veçantë për mua. E para për faktin se ishte jashtë fushës sime dhe, së dyti, më është dashur të mbledh karakteristika, detaje nga tradita dhe mikpritja në mënyrën e jetesës nga zona të ndryshme, por edhe jashtë vendit në troje ku flitet shqip. Kam punuar më shumë se 4-5 vjet për variantin e parë me 210 faqe”, tregon Bundo.

Ai thotë se pas botimit, ka kuptuar se nuk ka rrokur gjithçka, duke lënë jashtë vëmendjes zona e rite të çmuara. Kështu që, ai ka grumbulluar sërish elemente të veçanta në këto zona dhe ka ripunuar librin me gati 340 faqe.

Këtij botimi i ka paraprirë një manual në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe frëngjisht.

Manuali ka sjellë disa rregulla apo hapa që duhen bërë nga dikush që do të ngrejë dolli.

“Përkthimin në disa gjuhë e diktuan kërkesat e bujtinave dhe agjencive turistike e hoteleve që presin ekspedita të huaja, që kanë kuriozitet të kuptojnë thelbin e mikpritjes, nga buron, si bëhet”, thotë Bundo.

“Kërkonin shpjegime se si mund të përkthehen termat që përdoren: të paça, të desha, të kam gjetur, ta pifsha dollinë, ti që më deshe mua, të dashtë e mira etj. Me ndihmën e disa profesorëve të këtyre gjuhëve, e realizuam këtë manual, që do t’u shërbejë të gjitha subjekteve që presin e përcjellin turistë të huaj”, thotë Bundo.

Libri i tij thotë se është blerë nga shumë turistë të huaj, në mënyrë të veçantë në sezonin e kaluar turistik.

Kur e pyet se cila është lidhja mes financës dhe rakisë, profesori kthen në vëmendje një shprehje të urtë popullore: “Paraja e hedh ujin përpjetë”, ndërsa dollia, thotë ai, është kompozim që ngre në lartësi vlerat më të larta, siç është mikpritja.

“Edhe rakia, edhe dollia ndihmojnë të bëjmë një bilanc të vlerave të kënaqësisë që ua dhurojmë miqve”, përfundon Bundo. /REL/ KultPlus.com

Dy shtëpitë-muze të Kadaresë dhe Agollit të aksesueshme për vizitorët

Dy shtëpitë-muze të dy kolosëve të letrave shqipe, ajo e shkrimtarit Ismail Kadare dhe ajo e Dritëro Agollit, bashkëkohës të cilët për një kohë të gjatë jetuan në të njëjtin pallat tek “Rruga e Dibrës” në Tiranë, tashmë do të funksionojë si një guidë e vetme për të gjithë vizitorët.

Drejtoresha Anisa Ymeri tregon se muzeu do t’i propozohet vizitorit si një itinerar i vetëm.

“Ky do të jetë një muze i përbashkët. Sigurisht që secili nga këto dy figura të rëndësishme të historisë së mendimit, jo vetëm të letërsisë shqipe, ekziston më vetë. Por duke qenë se ata kanë jetuar në të njëjtin pallat, ajo që do t’i propozohet vizitorit është një itinerar i vetëm”, tha Ymeri.

Objektet, sendet personale, librat, copëza kujtimesh e një pjesëz jete gjenden brenda shtëpive-muze të aksesueshme për çdo vizitor.

“Kjo është një histori komunizmi me jetën e banorëve jo të zakonshëm të saj brenda dhe këtu ka vërtet shumë për të treguar. Sidomos kur brenda këtyre ambienteve gjenden objektet, sendet personale, bibliotekë e shkrimtarëve dhe kjo e bën më interesante. Edhe për të rinjtë apo studentë e bën një pikë referimi për të mësuar më shumë jo vetëm si pjesë e mësimeve shkollore, por edhe për kuriozitet”, thekson Ymeri.

Drejtoresha e muzeut rrëfen se synimi është që dy shtëpitë-muze të funksionojnë si një hapësirë mendimi, me takime dhe biseda rreth jetës dhe veprimtarisë së dy shkrimtarëve.

“Synimi im kryesor është që ky muze që është një, por janë edhe dy, të jetë një hapësirë mendimi, ndaj do të synohet shumë, leksione të hapura, ekspozita të përkohshme për të prekur aspekte të jetës profesionale dhe personale të shkrimtarëve”, tha Ymeri.

Që pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit Kadare në shtëpinë e tij ka pasur një interes të lartë vizitorësh, turistësh, por edhe lexuesish besnikë, ndërsa ky do të jetë panairi i parë që shoqërohet me mungesën fizike të shkrimtarit Ismail Kadare./rtsh/ KultPlus.com