Pavlina Mani, aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar

I  madh e i vogël kanë në kujtesë të paktën disa prej batutave të komedive ku ka interpretuar ylli i skenës dhe ekranit, aktorja Pavlina Mani. Në një galeri të gjatë shfaqjesh e filmash, Pavlina Mani ka veshur petkun e dhjetra roleve e karaktereve si e papërkulura, e brishta, gërnjarja apo lozonjare, duke i interpretuar të gjithë me mjeshtëri.

Ajo lindi më 13 nëntor të vitit 1948 në Lushnjë.

Roli i parë që realizoi ishte ai i Larisës në “Vajza pa prikë” e Ostrovskit, ndërsa karrierën e mbylli me rolin e nënës së Florit, në serialin “Njerëz dhe fate”.

Përveç se në teatër, Pavlina Mani ka interpretuar në 13 filma artistikë, ku spikati fillimisht me rolin e zonjëzës Lulushe, në filmin “Pas vdekjes”, me regji të Kujtim Çashkut.

Me rastin e datëlindjes, aktoren e uroi edhe ministri Blendi Gonxhe, i cili në një postim në rrjetet sociale shkroi: “Gëzuar Ditëlindjen Pavlina Mani! Aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar, me rolet e mirënjohura dhe të dashura për publikun, si Liria në komedinë “Pallati 176”, apo Drita në serialin “Njerëz dhe Fate”. I urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme artistes!”/atsh/KultPlus.com

Një rekord i ri për Shqipërinë Turistike, 10,4 milionë të huaj deri në tetor

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur që Shqipëria ka thyer rekordin e vitit 2023 për numrin e turistëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë.

Sipas Ramës, ky është një rekord i ri për Shqipërinë, teksa shtoi se përtej shifrave synohet modeli.

“Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik”, shkruan Rama në postimin e tij.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro më herët ka bërë publike shifrat e vizitorëve të huaj, ku përgjatë periudhës janar-tetor 2024, Shqipëria është vizituar nga 10,4 milionë vizitorë të huaj.

“Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik” është shprehur ministrja Kumbaro përmes një reagimi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, gjatë muajit tetor vendin e vizituan 761 mijë vizitorë të huaj, ose 9,3% më shumë se tetori i vitit 2023.

Pak ditë më parë, ishte Organizata Botërore e Turizmit që në Barometrin Global e renditi Shqipërinë të parën në Europë dhe të dytën në botë sa i takon normës së rritjes së vizitorëve ndërkombëtarë. Po ky barometër e klasifikoi Shqipërinë të parën përsa i përket rritjes së të ardhurave nga sektori i turizmit krahasuar me periudhën e para-pandemisë.

Në fund të muajit tetor, revista e njohur e udhëtimeve “Wanderlust” i akordoi Shqipërisë medaljen e argjendit si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët, përmes një votimi nga lexuesit britanikë./atsh/KultPlus.com

MASHTI: Nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit për edukimin seksual në shkolla, duke theksuar se nuk ekziston një kurrikulë e veçantë për këtë temë, as tekste shkollore që e trajtojnë atë siç është raportuar.

Në një njoftim për media, MASHTI sqaroi se edukimi seksual trajtohet si një çështje ndërkurrikulare në kurrikulën arsimore të Kosovës dhe përfshihet në lëndë të ndryshme mësimore nga perspektiva shkencore, shëndetësore dhe shoqëroro-kulturore, për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre.

MASHTI theksoi gjithashtu se, në vitin 2016, është formuar një grup punues që ka hartuar disa doracakë për mësimdhënës dhe broshura për prindër, të cilat janë miratuar nga MASHTI më 2020. Këto materiale janë opsionale dhe nuk janë pjesë e kurrikulës së detyrueshme për nxënësit. Për më tepër, MASHTI siguroi se do të vazhdojë rishikimin e këtyre dokumenteve dhe teksteve shkollore për të siguruar përmbajtje të përshtatshme dhe të saktë.

Miratohet rregullorja për të drejtën në rabat për prodhimet kinematografike, Çeku: Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se sot është miratuar rregullorja për të drejtën në rabat për prodhimet kinematografike dhe audio-vizuele.

Ministri Çeku ka thënë se Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse është prezente dhe e gatshme për të ngritur industrinë në nivele ende më të larta.

“Përmes rabatit synojmë të tërheqim investime të huaja në Kosovë, duke siguruar që 30% e shpenzimeve të pranuara t’i kthehen direkt investuesit të huaj, shpenzime që bëhen për shërbime dhe fuqi punëtore lokale. Kjo nuk është vetëm për filma e seriale, por edhe për videoklipe muzikore, reklama dhe së fundmi, për zhvilluesit e lojërave, një përfshirje që pasqyron kohën moderne dhe diversitetin e industrisë kreative”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Balada e dashurisë së vonë

Poezi e shkruar nga Dulce Maria Loynaz.

Dashuri që vjen aq vonë,
më sill të paktën prehje:
ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë
endacake vjen tek vetmia ime?
Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar,
nuk di kush vlen më shumë :
fjala që do të më thuash
apo ajo që unë s’e them dot…
Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna :
Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën
e largët… Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ;
jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin…
Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë
dje kur këndoja në fushën me grurë…
Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime
Të paktën sot, mos më bëj të qaj. /KultPlus.com

“Artet, letërsia dhe propaganda në diktaturë”, konferencë shkencore e ISKK

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit nisi sot konferencën shkencore “Artet, letërsia dhe propaganda në diktaturë”.

Konferenca e cila vijon edhe ditën e nesërme, synon të ofrojë një platformë për ekspertët për të diskutuar çështje të kulturës në komunizëm: artet, letërsia dhe përdorimi i tyre si instrumenta propagande. Konferenca përbëhet nga disa sesione, secila me një temë të ndryshme, duke përfshirë: vendosja e arteve dhe letërsisë nën kontrollin e regjimit komunist, organizimi strukturor i organeve të kontrollit mbi artet dhe kulturën, objekti, qëllimi dhe misioni i veprimtarisë së shoqatave kulturore, marrëdhëniet e artistëve dhe shkrimtarëve me regjimin, e drejta e shprehjes dhe censura, roli i arteve në krijimin e narrativave historike në shërbim të regjimit, kontributi i arteve dhe letërsisë në formimin e njeriut të ri.

“Kulti i individit në shekullin XX” ishte tema e ligjëratës nga drejtori i zyrës së KAS për Shqipërinë, dr. Thomas Kunze, i cili hapi konferencën shkencore. Kunze referoi edhe pjesë nga libri i tij dhe Thomas Vogel “Oh ti, i dashur udhëheqës! Kulti i individit në shekujt XX dhe XXI”, i cili shqyrton mënyrën se si kultet e individit lindin, zhvillohen dhe përshtaten në kultura të ndryshme.

Libri po ashtu analizon mënyrat se si udhëheqës të ndryshëm, që nga diktatorë si Hitleri, Stalini dhe Maoja, deri te figura moderne si Kim Jong-un, Fidel Castro apo Hugo Chavez, përdorën kultin e individit për të manipuluar opinionin publik dhe për të ruajtur pushtetin politik./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani riafirmon përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin.

Në këtë takim sipas njoftimit, presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe ka theksuar se  Kosova aktualisht  është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ndaj pranimi me të drejta të plota në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare Frankofonisë është jo vetëm një prioritet kyç, por edhe hap thelbësor për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përbashkëta të vendeve frankofone

Ndër të tjera, e para e vendit e ka njoftuar delegacionin edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se Kosova tashmë është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global.

Në këtë frymë, presidentja ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë.

‘Nuk ekziston gjë tjetër përveç dashurisë së Zotit’

Robert Louis Balfour Stevenson ishte shkrimtar, novelist, poet, skenarist skocez që ka shkruar mjaft vepra, që u bënë të njohura.

Po ashtu veprat e tij ishin shumë të lexuara në Mbretërinë e Bashkuar, Amerikë e Francë kurse shumë prej tyre u përkthyen në gjuhë të ndryshme.

Sot, KultPlus sjell disa nga thëniet e tij të famshme:

“Nuk kërkoj as pasuri, as shpresë, as dashuri, as ndonjë mik që të më kuptojë. Gjithë çfarë kërkoj është qielli sipër meje dhe një rrugë nën këmbët e mia.”

“Tundimi për të bërë atë që është e ndaluar, thjesht pse është e ndaluar, përbën një ndër tundimet më të mëdha që mund të ekzistojnë.”

“Frikën mbaje vetëm për vete, por guximin ndaje me të tjerët.”

“Nuk ka vende të huaja. I huaj është vetëm udhëtari.”

“Nuk ekziston gjë tjetër përveç dashurisë së Zotit: ecim mbi të, e thithim si frymë, jetojmë dhe vdesim brenda saj. /KultPlus.com

Ndërhyrje emergjente për restaurimin e Urës së Përroit të Bënjës

DRTK Gjirokastër ka filluar ndërhyrjen emergjente për restaurimin në shpatullën e majtë të Urës mbi Përroin e Bënjës (Monument Kulture Kategoria I), duke evituar shembjen pas gërryerjes nga prurjet e përroit.

Ura është e pozicionuar në të hyrë të fshatit Bënjë, në lagjen e poshtme të tij, ku përroi kalon nëpër një grykë të ngushtë e derdhet në lumin e Lengaricës. Ura ka një harmonizim të bukur me ambjentin rrethues.

Ura ngrihet mbi një hark të vetëm me hapësirë drite 6.4 m, ku qemeri i harkut përfshirë dhe arkivoltën ka trashësi 70 cm .

Arkivolta shkel me dhëmbë 7 cm mbi harkun e poshtëm dhe në ngritjen e urës është patur parasysh ngushtica minimale e përroit si dhe fortësinë e brigjeve duke e ndërtuar në pjesën më të ngushtë dhe duke u mbështetur në brigjet shkëmbore të qëndrueshëm.

Në pjesën qëndrore të arkivoltës janë inkastruar katër kollona të vogla prej shtufi që sigurojnë një lidhje të mirë të muraturës së urës. Kollona të tilla formë brezash vertikalë vërehen dhe të tjera në muret bregore të urës./ KultPlus.com

Gonxhja: Buxheti 2025 me 56 miliardë lekë, fondet më të larta për projektet e kulturës

Në prezantimin që i bëri projektbuxhetit të vitit 2025, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se për këtë projektbuxhet ministria është përpjekur të integrojë maksimalisht zhvillimin ekonomik me kulturën, duke barazpeshuar nevojat për një zhvillim të qëndrueshëm me presionin pozitiv që përbën nga ana e vet inovacioni në ekonominë moderne, si dhe urgjencën në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Gonxhja renditi si objektiva: rritjen ekonomike të qëndrueshme, përmirësimin e klimës së biznesit, ndërtimin e një modeli të ri të miradministrimit të kulturës e trashëgimisë, stimulimi i mëtejshëm i inovacionit, rritja e aksesit në arsimin e mesëm profesional, financimi i politikave për strehim social.

Për vitin 2025, tavani buxhetor i MEKI-t planifikohet të arrijë në 56 miliardë lekë ose 12,5% më shumë se në vitin 2024. Kjo rritje është e njëtrajtshme dhe përfshin pjesën më të madhe të programeve të ministrisë së re.

Fondet më të larta për investime janë alokuar për projektet e kulturës, art dhe trashëgimi (së bashku) dhe ato të arsimit të mesëm profesional, përkatësisht: 1,78 miliardë dhe 1,37 miliardë lekë secila.

Sa i përket artit e kulturës, objektivi kryesor është të zhvillojë e mbështesë aktivitete artistike në Shqipëri, forcimi i rolit të këtij sektori si një komponent kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Tavani buxhetor është 3 mld lekë, 4,2 % më i lartë krahasuar me vitin 2024. 50% e këtij tavani shkon për investime publike në art dhe kulturë me 1,5 mld lekë dhe 471,9 milionë lekë për thirrjet në kuadër të Programit të Ri Kombëtar të Granteve, i cili synon rritjen e mbështetjes financiare për artistët e organizatat.

Ministri Gonxhja tha se do të vazhdojë projekti i Javëve Kulturore Ndërkombëtare ku do të shtohet edhe Java Kulturore e UNESCO-s.

Ndër projektet në vazhdim, Gonxhja përmendi rikonstruksionin e Muzeut të Galerisë së Arteve të Bukura siç njihet ndryshe Galeria Kombëtare e Arteve e cila do të vazhdojë të financohet për tre vitet e ardhshme. Financimet do të vazhdojnë edhe për Qendrën Kombëtare të Fëmijëve e Teatrin e Kukullave, në qendrën e re pranë Gardës, për projektin më të madh të Kulturës që është godina e Teatrit Kombëtar, ndërsa nga projektet që rikthehen janë: Rijetëzimi për Artin e Kulturën, me një vlerë totale prej 596,2 mln lekë të përfshirë në 3 vitet e PBA-së, projekti për mbrojtjen nga zjarri në ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare, ku do të ketë një ndërhyrje të pjesëshme pasi aty do të ketë një riorganizim hapësirash.

Një tjetër projekt me rëndësi të madhe është ai i Bibliotekës Kombëtare të re, e cila do të ketë mbi 20 mijë m² hapësirë, pranë Gardës. Ministri theksoi se biblioteka aktuale nuk do të largohet por do t’I jepet një theks muzealizimi dhe ekspozimi, për ta hapur Pallatin e Kulturës për turistët që gjenden përditë në Sheshin Skënderbej./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nga sot fillon një etapë e re për industrinë e kinematografisë në vend.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar rregullorja për të drejtën në rabat, instrument që synon të tërheqë investime të huaja në Kosovë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Kompanitë e huaja filmike do të kenë mundësinë që të xhirojnë projektet e tyre filmike në territorin e Kosovës, për të cilin investim do të rimbursohen 30% të shpenzimeve të pranueshme që i kanë harxhuar në bizneset, shërbimet, e burimet njerëzore vendore. I njëjti instrument aplikohet edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.

Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse është e pranishme dhe e gatshme për të ngritur industrinë tonë në nivele ende më të larta. Me rabatin nuk synojmë vetëm mbështetje, por investim direkt në talentin kreativ vendor. E në të njëjtën kohë, është edhe ftesë për botën që të vijnë e të krijojmë së bashku në Kosovën tonë.

Urime gjithë komunitetit të kineastëve dhe ju priftë e mbara në bashkëpunimet që do të vijojnë./ KultPlus.com

Nis sot Panairi i Librit 2024: Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njoftoi rikthimin e Panairit të 27-të të Librit, njërës prej ngjarjeve madhore të librit në Shqipëri.

Panairi, i cili nis sot, ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, do të zhvillohet në hapësirat e Pallatit të Kongreseve. Motoja e panairit të këtij viti është “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.

Nën mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kjo festë e librit do të vijojë deri më 17 nëntor, për t’u dhënë mundësi lexuesve të njihen me plot botime të reja.

Edicioni i 27-të i panairit përveç titujve të rinj për lexuesit sjell edhe takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi mbi përkthimin, workshop-e, seminare, etj.

Pjesë e aktiviteteve të panairit do të jetë edhe “Sofaja e Librit”, që mirëpret shkrimtarë të ndryshëm.

Panairi do të finalizohet me ndarjen e çmimeve letrare./ KultPlus.com

Ardianë Pajaziti: Balerini i njohur shqiptar Eno Peçi, ylli i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”

Fotografia në ballinë: Ashley Taylor

Gazeta online për art dhe kulturë KultPlus është në përgatitje intensive për organizimin e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, e që këtë vit do ta sjell balerinin e njohur shqiptar Eno Peçin.

“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.

“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.

Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.

Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet në dhjetor të këtij viti,  përkatësisht më 7 dhjetor. Mbrëmja artistike do të mbahet në Teatrin “ODA”, ndërkaq për detajet e mëtutjeshme, KultPlus do të ju mbajë të informuar.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Fotografitë: Ronnie Boehm

Publikohen rezultatet preliminare të konkursit për dizajnimin e logos së Muzeut të Artit Bashkëkohor

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se janë publikuar rezultatet preliminare të konkursit për dizajnimin e logos së Muzeut të Artit Bashkëkohor.

Bashkëngjitur gjeni linkun me rezultatet: https://shorturl.at/r0p8h

Aplikantët e përzgjedhur duhet të paraqiten në adresën [email protected], më së largu deri më 20.11.2024 në ora 16:00./ KultPlus.com

Fahredin Spahija boton librin “Shpirti Dervish”, promovohet më 18 nëntor në Shkodër

Fotografi i njohur, Fahredin Spahija së fundi ka botuar librin e tij “Shpirti Dervish”, që fillimisht ishte hapur si ekspozitë personale e tij në KultPlus Caffe Gallery. Gjithsej 50 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që shpalosen nëpërmjet portreteve, shkruan KultPlus.

Libri “Shpirti Dervish” nisë me parathënien e poetit të mirënjohur, Fahredin Shehu dhe me botues Alphabet JH. Libri përmbanë, përveç parathënies, 50 fotografi nga cikli “Shpirti Dervish” me një shtyp tejet cilësor si dhe të dhënat biografike të autorit.

Libri do të promovohet më 18 nëntor, në Bibliotekën Publike “Marin Barleti”, në Shkodër ku njëkohësisht do vazhdoj ekspozimi i ekspozitës fotografike me të njëjtin titull./ KultPlus.com

Djersë e mund për gjashtë muaj rresht, skenografet Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi vulosën shkëlqimin e Festivalit të Këngës në RTK

Era Berisha

Festivali i Këngës në RTK, tashmë është një ngjarje historike për vendin tonë dhe kjo është e ditur. Fokusi patjetër që është i vendosur tek artistët dhe këngët artistike, mirëpo në anën tjetër, një vezullimë shtesë të paparë, e kanë prezantuar dy artiste. Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, janë skenografet e jashtëzakonshme që me punën e tyre tashmë kanë vulosur edhe edicionin e dytë në një perfeksion të rrallë. Duart e tyre kanë krijuar shumë dritë, shumë shkëlqim, dhe pikërisht kjo ka qenë pikënisja ideore e skenografisë, të cilën për gjashtë muaj rresht e kanë punuar deri në rezultatin final, shkruan KultPlus.

Magjia e skenografisë në edicionin e parë do të mbetet përherë përrallore, marr parasysh që kanë bërë një transformim nga mbetjet e hirit të zjarrit në një pamje që sallat në Kosovë nuk e kanë pasur më herët. Sivjet, skenografia ka ardhur krejtësisht ndryshe por aq edhe e bukur. Skena i përngjante një diamanti të pastër. Çdo sipërfaqe, përfshirë muret, tavani dhe dyshemeja, ka reflektuar një ndriçim që ka flakëruar skenën dukshëm. Madhështia e këtyre dy grave ka përthekuar secilin kënd, duke shpalosur një kaleidoskop unik ngjyrash.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, këtë vit kanë vendosur që lirinë e tyre ta shprehin plotësisht, andaj dhe nuk kanë vendosur një temë specifike për këtë edicion. Ato kanë shijuar lirinë e të qenurit artiste, dhe si të tilla kanë krijuar një skenë që nuk ka nevojë të shpjegohet në hollësi, pasi që flet vetë. Qëllimi i tyre ka qenë i vendosur në mospërsëritjen e edicionit të kaluar, dhe për këtë nevojitet shumë kreativitet e transformim rrënjësor, mirëpo duket se kjo për skenografet ka qenë diçka që shumë lehtë e kanë “nxjerr” nga mëngët e tyre.

Ato kanë bërë riciklimin e materialeve të vjetra, duke i shtuar disa materiale të reja, që në përfundim ka dalë diçka që e ka përjetuar kryeqyteti për tre netë radhazi. Skena ka një karakter të fortë, që transmeton një ndjenjë madhështie nëpërmjet elementeve të thjeshta të cilat janë zgjedhur me shumë kujdes nga skenografet. Fokusi i tyre ishte që skena të dukej monumentale dhe të shërbente si hapësirë ku çdo artist do të mund ta gjente veten dhe të shprehej lirshëm. Kjo qasje e tyre i ka dhënë skenës një simbolikë të hapur, ku çdo element përfaqësonte më shumë një ndjesi sesa një mesazh të drejtpërdrejtë.

Puna e këtyre dy grave është duartrokitur dhe komentuar shumë. Ndjesitë kur i dëgjon ato natyrisht që janë të mëdha dhe kjo i ka lumturuar pafundësisht dy skenografet. Prapaskenat e punës së tyre janë shpalosur në një intervistë për KultPlus.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi tashmë janë ndër figurat që me punën e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, duke marr për bazë edhe faktin që tashmë janë skenografet e dy edicioneve të Festivalit të Këngës në RTK, festival që synon të dërgojë fituesin edhe në festivalin Eurovizion. Ftesën për edicionin e dytë e kanë marr nga ish-drejtori i festivalit, Adi Krasta, dhe puna që ato e kanë realizuar, me të vërtetë nuk do të ketë asnjë krahasim.

“Me kënaqësi kam pranuar të jem pjesë e edicionit të dytë së bashku me skenografen Shqipe Kamberi, për të sjellë përsëri kontributin tonë në këtë projekt të rëndësishëm, për të avancuar më tej vizionin tonë në Festivalin e Këngës”, ka thënë Xhaferi.

Sipas saj, komentet e publikut i kanë pritur me shumë kënaqësi dhe mirënjohje. Ka qenë vërtetë emocionuese të dëgjonin mendimet rreth skenografisë dhe se si i vlerësonin detajet që ato i kanë krijuar me shumë kujdes. Reagimet e publikut kanë bërë që skenografet të ndihen të shpërblyera pas gjithë përkushtimit të dhënë mbi gjashtë muaj. Befasi për to ka qenë që edhe këtë vit, komentet ishin po aq në superlativ sa vitin e kaluar.

Krijimi i një skenografie të tillë natyrisht që do buxhet të konsiderueshëm, mirëpo këtë vit buxheti ka qenë më i vogël sesa vitin e kaluar dhe qysh në nisje ka pasur vështirësi të dukshme. Megjithatë, ato kanë vazhduar ti ripërdornin elementet bazë të skenografisë së edicionit të parë, dhe kjo ka qenë sfidë më vete për dy skenografet.

“Krijimi i çdo skenografie kërkon kreativitet, mund e përkushtim. Pas suksesit të vitit të kaluar, sivjet, presionin e kemi pasë jashtëzakonisht të madh, në mënyrë qe ta mbanim standardin e krijuar nga viti paraprak. Një gjë që na ka relaksu ka qenë që edhe sivjet realizimi i skenografisë u bë nga kompania shumë profesionale Archtime. Nga elementet e njëjta që i kemi përdorë vitin e kaluar është dashur të bëhet një krijim i ri me buxhet edhe më të ulët. Me Shqipen vendosëm që sivjet ta sfidonim veten me plexi pasqyrë dhe ta shfrytëzonim hapësirën cep me cep. Montimi i copëzave të plexi pasqyrave për ne ka qenë pjesa më e lodhshme në këtë edicion”, ka thënë Xhaferi.

Për Shqipen, pjesa më e bukur e skenografisë kanë qenë dy konstruksionet që ato i quajnë “kllapa”, që janë të veshura me copëza të pasqyrave.

“Në gjithë atë hapësirë me dimension 26 metër gjerësi dhe 9 metër lartësi, Rudina dhe unë, së bashku me 4 vullnetarë të Fakultetit të Arteve, i ngjitëm ato copëza të vogla të pasqyrës një nga një, duke u mundu me e kriju një vepër arti. Për mua kjo ka qenë pjesa më e vështirë por definitivisht më e bukura e procesit të punës.”

Për Rudinën, pjesa më e bukur e këtij procesi ka qenë transformimi i hapësirës nga një sallë e braktisur në një skenë që rrezaton energji dhe shkëlqim, për të krijuar një ambient tërësisht të ri për artistët dhe publikun.

“Momenti i magjisë së krijuar përmes skenografisë është me të vërtetë frymëzues. Nga ana tjetër, për mua gjithmonë pjesa më e vështirë mbetet fundi i festivalit, kur gjithçka që kemi krijuar me përkushtim për muaj të tërë, duhet të shkatërrohet. Ndjenja e largimit nga ajo hapësirë e rikrijuar është gjithmonë e vështirë, pasi që çdo element përmban një copëz të kujtimeve dhe përpjekjeve tona artistike.”

Rudina dhe Shqipja nuk e kishin menduar se edhe në këtë edicion, skenografia do të përflitej kaq shumë. Por, këto komente për to vazhdojnë të jenë një frymëzim që i shtynë ato përpara për të krijuar projekte të tjera. Ishin shumë të zëna në procesin e punës, saqë kishin harruar të shikonin përreth tyre. Puna e tyre e bukur ka marr një çlodhje kur publiku është ndarë i kënaqur me pjesëmarrjen e tyre.

“Në çdo detaj brenda skenës mundohemi që të sjellim një përvojë të plotë vizuale dhe emocionale, pa synimin që të bëjë zhurmë. Këtë qasje e kemi pasur gjithmonë, vetëm se ne këto dy projekte kemi pasë fatin të punojmë me buxhete më të mëdha se zakonisht. Prandaj, vlerësimet dhe komentet pozitive i kemi përqafuar me dashuri dhe ky reflektim për ne është një nxitje për të vazhduar të eksperimentojmë dhe të sjellim ide të reja në të ardhmen”, ka thënë Xhaferi.

Puna në dysh ndonjëherë di të jetë e komplikuar. Gërshetimi i ideve deri në një përfundim të baraspeshuar është i vështirë.

“Fillimisht të dyja i hedhim idetë në tavolinë dhe pavarësisht të kujt janë më të mira, ato i marrim për bazë duke i zhvilluar pastaj bashkërisht. Puna në ekip është shumë e rëndësishme të pranohet si e tillë, por jo gjithmonë është e lehtë. Unë që 24 vite pune në skenografi kam punuar me shumë profesionistë, por si me Rudinën me të cilën e kam një kimi bashkëpunimi, nuk më ka ndodh me askënd tjetër. Nuk jemi të njëjta dhe kjo me pëlqen, por që dimë të i ndërthurim idetë tona në një, dhe mu kjo është arsyeja e bashkëpunimit tonë të suksesshëm”, ka thënë Kamberi.

Në anën tjetër, për Rudinën, bashkëpunimi me Shqipen buron nga pasioni i tyre i përbashkët për secilin projekt. Ato e adhurojnë këtë profesion, çka edhe duket se e bën marrëdhënien e tyre të funksionojë në një harmoni ndërmjet ngjashmërive dhe dallimeve të tyre. Sfida e çdo projekti atyre i dhuron një energji të pashtershme, ndërsa perspektivat e tyre të ndryshme plotësojnë njëra tjetrën, duke dhënë mundësinë që ato të shohin çdo aspekt nga këndvështrime te reja. Kjo i ndihmon atyre që të sjellin ide të freskëta dhe të mbajnë një ekuilibër të qëndrueshëm në punën tonë.

Ndërsa, kur flasim për një artist/e tjetër që potencialisht do të i bashkëngjitej në krijimin e skenografisë së Kamberit dhe Xhaferit, është potencuar se ai person do të duhej të jepte gjithçka nga vetja, siç edhe e kanë bërë të dy artistet.

“Për Rudinën dhe mua puna fillon në momentin që e marrim një projekt në dore dhe mbaron kur të demolohet në fund skenografia. Kjo do të thotë që s’ka pushim, ka netë të tera pa gjumë, vikendet për ne nuk janë ditë pushimi. Jemi kërkuese të palodhshme, hulumtuese deri në skajshmëri si dhe mbi te gjitha, e shtyjmë njëra-tjetrën në momentet më të rënda të procesit”, thotë Kamberi.

Po ashtu, skenografja Xhaferi ka thënë se me Shqipen ka ndërtuar një bashkëpunim të shkëlqyer dhe e ndjen se ato kanë akoma shumë për të eksploruar së bashku në krijimin e skenografive.

“E konsideroj këtë marrëdhënie shumë të vlefshme, por në të ardhmen, kur të vijë momenti për një rifreskim, do ta mirëprisja më kënaqësi bashkëpunimin me një artist/e të re, që mund të sjellë një frymë të re në punën tonë.”

Ndërkohë, përderisa jemi duke iu afruar fundit të intervistës, me të dy artistet kemi biseduar rreth natyrës së angazhimeve të tyre në ditët e tanishme. Kuptuam se Shqipja në muajin shkurt të vitit të ardhshëm na vjen me një ekspozitë personale në Bruksel, teksa për momentin ajo ka dy projekte të hapura për negociata për të cilat akoma nuk mund të flas. Ajo vitin 2024 e konsideroi si një vit të përmbushur në aspektin profesional.

Gjithashtu, Rudina na tha se fokusi i saj kryesor do të mbetet puna në Fakultetin e Arteve, një punë të cilën ajo e bën me shumë pasion e përkushtim. I pëlqen puna me studentët dhe ajo i ndihmon ata që të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese. Plane të tjera konkrete për momentin nuk ka, mirëpo ajo është gjithmonë e gatshme për mundësi të reja që do i ofrohen në të ardhmen. Shpresat e saj për ide të freskëta, me një energji e pasion tjetër, janë të mëdha për vitin 2025./ KultPlus.com

Treyza shkencore “Vepra letrare e Marin Barletit” nesër në Institutin Albanologjik

Instituti Albanologjik-Prishtinë, gjegjësisht Dega e Letërsisë-IAP, organizon tryezën shkencore “Vepra e Marin Barletit”.

Kjo tryezë do të mbahet nesër duke filluar nga ora 12:00 deri në 14:00, në sallën shkencore të Institutit Albanologjik.

Për veprën e Marin Barletit do të flasin këta studiues:

Dr. Gëzim Aliu: “Barleti shkrimtar”,
Dr. Evalda Paci Manovi: “Marin Barleti në një optikë studimesh ndërdisiplinore”,
Dr. Anton Berishaj: “Historia e Barletit si artefakt letrar”,
Dr. Fadil Grajçevci: “Barleti, Bardhi, Naimi, Noli…”. / KultPlus.com

Sanja Iveković nesër me ekspozitën “Shtëpia e Grave” në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës po realizon ekspozitën vetanake dhe arkivin personal të artistes Sanja Iveković të titulluar “Shtëpia e Grave”.

Si pioniere e videos, performancës dhe artit konceptual në Jugosllavi gjatë viteve 1970, Iveković njihet për shqyrtimin feminist të marrëdhënieve gjinore përbrenda Jugosllavisë socialiste dhe tranzicionit post-socialist.

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë: njëra është përzgjedhje e veprave të artistes e kuruar nga Hana Halilaj ku përfshihen pesëdhjetë vjet të praktikës së saj, ndërkaq tjetra pjesë shpalos një ekspozitë arkivore e bazuar në hulumtimin e arkivit të Ivekovićit, e kuruar nga Ivana Bago.

Ekspozita do të hapet nesër me fillim nga ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Informacione rreth ekspozitës:

Pikëtakimet: Dokumente në Krijim e Sipër, 1968–1982, e ka pikënisje ekspozitën e parë të rëndësishme personale të Ivekovićit, të titulluar Dokumente 1949–76, e mbajtur në Zagreb në vitin 1976, ku artistja kishte synuar ta “dokumentonte” historinë e saj personale duke konstruktuar një histori kritike të së tashmes. Mbështetur në hulumtimin njëvjeçar të Ivana Bagos mbi praktikën e Ivekovićit, ekspozita shtrihet prej periudhës së studimeve të Ivekovićit në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb gjatë revoltave studentore të vitit 1968, e deri te kriza në rritje e socializmit jugosllav në fillim të viteve 1980. Ekspozita është strukturuar si ese pamore, ku rrëfimi kuratorial vendoset në të njëjtin plan me veprat e artistes (duke i përfshirë fragmentet dhe riprodhimet e tyre), dhe materialet arkivore të cilat shpalosin vizatime, skica, shënime, fotografi, letra, postera ekspozitash, libra dhe revista. Njëmbëdhjetë kapitujt të renditur kronologjikisht e zhvendosin fokusin nga vëmendja kuratoriale dhe tregtare, e dhënë ndaj një numri relativisht të vogël të veprave feministe të Ivekovićit, të krijuara në gjysmën e dytë të viteve 1970, për të shpërfaqur qasjen e saj eksperimentale dhe të larmishme në krijimin e artit, si dhe pozicionimin e saj kritik brenda strukturave ideologjike dhe institucionale të socializmit jugosllav dhe botës së artit gjithnjë e më globalizuese të viteve 1970. Në një kohë kur një numër në rritje i organizatave krijohen për të arkivuar dhe për të ruajtur trashëgimitë e artistëve të Evropës Lindore të brezit të Ivekovićit, Pikëtakimet ofron një mundësi për aktivizimin e “dokumenteve” rreth së kaluarës socialiste, duke vënë në pyetje të ardhmen e tyre si dhe marrëdhënien tonë me trashëgimitë që ato përmbajnë.

Ekspozita e dytë Përkohësitë e Shpresës, kuruar nga Hana Halilaj, prezanton një numër veprash të Ivekovićit që shqyrtojnë politikat gjinore dhe përfaqësimin e grave në mediat masive. Duke sjellë në pah mënyrat se si rolet sociale të grave janë kuadruar për konsumizëm, veprat e prezantuara tregojnë sesi ky ndryshim ka ndodhur prej së kaluarës socialiste deri në komunikimet masive të sotme. Për më tepër, ekspozita hulumton historitë e harruara të pjesëmarrjes aktive të grave në luftën antifashiste të Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavi dhe fshirjen e Frontit Antifashist të Grave nga kujtesa kolektive në të gjitha shtetet pas-jugosllave, përfshirë këtu edhe Kosovën. Si artiste aktiviste, Iveković mirret me pabarazitë gjinore dhe vazhdimësinë e dhunës në familje. Seria Shtëpia e Grave (1998 – vazhdon), paraqet pesë skulptura të fytyrave të grave që jetojnë në strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje, të cilat Iveković i prodhoi gjatë një punëtorie në Kosovë, në Pejë, viti 2004. Të vendosura mbi piedestale, çdo fytyrë tregon histori që dëshmon për rëndësinë e këtyre qështjeve dhe luftën e vazhdueshme të grave për të drejtat e tyre. Forca e trashëgimisë së Ivekovićit qëndron në navigimin e saj të kujdesshëm të realiteteve historike dhe politike të cilat ajo i ka përjetuar, duke ua theksuar njëkohësisht edhe rëndësinë e tyre universale.

Anipse ofrojnë qasje të ndryshme ndaj veprave të Ivekovićit, të dy ekspozitat ndërlidhen me dëshirën për ta prezantuar këtë punë si një trashëgimi fuqizuese, e cila mëton të përdoret si frymëzim në trajtimin e realiteteve të ndërlikuara të periudhës pas-jugosllave dhe përtej saj. Nën titullin e përbashkët, Shtëpia e Grave, kuruar nga dy historiane arti post-jugosllave dhe të brezave të ndryshëm, këto prezantime të artit të Ivekovićit e shndërrojnë Galerinë Kombëtare të Kosovës në një “shtëpi” të takimeve ndër brezore dhe fuqizuese.

Pikëtakimet: Dokumentet në Krijim e Sipër, 1968–1982, prezantohet në bashkëpunim me Muzeun e Artit Bashkëkohor, Zagreb, ku vepra ishte ekspozuar për herë të parë në vitin 2023./ KultPlus.com

Pilotët e FSK-së kanë nisur fluturimet stërvitore në Bazën Ajrore të Farkës në Shqipëri

Ministria e Mbrotjes së Shqipërisë ka pritur pilotët e FSK-së, të njëjtët do të bashkëpojnë për rritjen e nivelit të kapaciteteve njerëzore me Kosovën.

Nga postimi i Ministrisë së Mbrotjes bëhet e ditur se pilotët e FSK-së kanë- nisur fluturimet stërvitore në Bazën Ajrore të Farkës me helikopterët “Cougar”, pas përfundimit të fazës teorike.

“Bashkëpunimi për rritjen e nivelit të kapaciteteve njerëzore me Kosovën është në qendër të vëmendjes së Ministrisë së Mbrojtjes.

Përveç Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe Akademisë së Forcave të Armatosura, dyert ndaj forcave të FSK-së i kanë hapur edhe njësi të tjera të FA-së, pasi në fushën e sigurisë Kosova dhe Shqipëria kanë shumë dimensione bashkëpunimi.

Ditët e fundit, pilotët e FSK-së nisën fluturimet stërvitore në Bazën Ajrore të Farkës me helikopterët “Cougar”, pas përfundimit të fazës teorike.

Ata, bashkë me teknikët e FSK-së, po asistohen nga instruktorët e Forcës sonë Ajrore për ruajtjen e reflekseve të fluturimit, aq i domosdoshëm për ekuipazhet”, thuhet nga Forcat Ajrore të- Shqipërisë./ KultPlus.com

Sot shpaloset “Thellësia dhe Vëllimi”, ekspozita e radhës në Galerinë Qahili

Galeria Qahili organizon ekspozitën e radhës me artistët Fehim Husković dhe Valentina Stevanovska, dy artistë nga Maqedonia e Veriut, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre në grafikë dhe skulpturë.

Ekspozita me titull “Thellësia dhe Vëllimi” do të hapet sonte, duke filluar nga ora 19:30.

Fehim Husković artist i grafikës, përfundoi shkollën e mesme të artit në Shkup dhe studimet në Akademinë e Arteve të Bukura. Më pas, mori titujt Master dhe PhD në Pedagogji dhe Metodologji të Arteve të Bukura në Universitetin e Sofjes, Bullgari. Aktualisht është profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Shkup. Ai ka organizuar rreth 128 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në mbi 800 ekspozita grupore/kolektive dhe mbi 200 koloni e simpoziume ndërkombëtare. Ka fituar 35 çmime për vizatim, grafikë, pikturë dhe arritje pedagogjike, dhe veprat e tij janë pjesë e muzeve dhe koleksioneve private në mbarë botën.

Prof. Dr. Valentina Stevanovska, skultpore, diplomoi në Fakultetin e Arteve të Bukura për skulpturë në 2004 dhe përfundoi doktoraturën në Novi Pazar në 2017. Që nga viti 2010, ajo është profesore në Fakultetin e Arteve të Bukura në Shkup dhe anëtare e Shoqatës së Artistëve të Maqedonisë që nga viti 2004. Stevanovska ka organizuar mbi 19 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita grupore/kolektive. Gjithashtu, është autore e statujës së Lekës së Madh/Aleksandrit të Madh në Shkup./ KultPlus.com

Në shkollën “Mileniumi i Tretë” u mbajt “Ora e shkrimtarit” me Agron Gashin

Në praninë e nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës jopublike “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës, organizoi Orën e shkrimtarit me Agron Gashin, përcjell KultPlus.

Aktivitetin e moderoi shkrimtari dhe profesori universitar, Sali Bashota, i cili prezantoi krijimtarinë e Agron Gashit, duke vlerësuar kontributin e tij në fushën e studimeve letrare dhe të prozës.

Në fjalën e tij për procesin e shkrimit letrar, të cilën e kishte ndarë në tri pjesë: “Homeri im”, “Kulla me rrëfime” dhe “Pushka”, Agron Gashi,  në mes tjerash elaboroi kronologjikisht procesin e shkrimit si akt subjektiv, duke theksuar se: “Kryemuza ime ishin leximet. Duke qenë se leximi është akt subjektiv ngadalë krijoi te unë njëfarë motivimi të pashpjegueshëm dhe tejet sfidues, që të shkruaj ndonjë tekst poetik. Kjo ishte si të bëje provë me zjarrin”. Po ashtu, Gashi duke folur për  aktin e krijimit, qoftë emocion në vargje, qoftë rrëfim në prozë, ai në mes tjerash potencoi tendencën e studiuesit përballë krijuesit: “Studiuesi duhet të provojë të bëjë definime, të sistemojë, të vë rregulla. Shkrimtari duhet të provojë të thyejë definime,  të prishë rregulla. Prandaj shkrimtarët në çdo kohë janë të veçantë.”

Përveç tjerash, Agron Gashi, u ndal në procesin e shkrimit të romanit të tij, duke nënvizuar çështje të cilat e kanë shoqëruar gjithë procesin e shkrimit, provën e përvojën e tij autoriale : “Romani është gjini vështirë, është kultivim, i cili kërkon durim e zanat, gjuhë e stilshmëri. Sot, romani, po ashtu është kujtesë e dëshmi. Me romanin ‘Talianka’, kam provuar të gjitha, përvojën jetësore, kallëzimet e atij ‘Homerit’ tim, kallëzimtarit të fëmijërisë sime, dhe të të gjitha rrëfimet prej gjysmë shekulli që të mblidhen në një objekt, siç është  arma. Aty mësova më mirë se rrëfimet janë në ne dhe ne kemi nevojë për to. E ndjeja nevojën që të sjellë një roman me rrëfim modern e teknika postmoderne, por gjithnjë me frymë tipike shqiptare, një roman për luftën, për mbijetesën, për atdheun, për dashurinë. Kështu, kam provuar të  shkrij dijen teorike në praktikë, përkatësisht në krijimin e një vepre të mirëfilltë artistike, që mund të lexohet nga të gjithë.Romanin e kam strukturuar në frymën e tregimeve, të cilat funksionojnë si tërësi, por edhe si njësi të vetme rrëfimore.  E kisha më lehtë që ta ruaja linjën fabulative dhe të integroj edhe rrëfime të tjera. Aty kam provuar t’i rrëzoj mitet për historinë, për heroin, për  luftën e lirinë. Krejt bëmat  e mëdha dhe rrëfimet janë të lidhura për armën si simbol i mbrojtjes dhe femrën si simbol i dashurisë. Ajo që e vë lexuesin në mëdyshje është përkushtimi provokues, i dhënë përmes një oksimoroni të llojit të vet, si “fiksione të vërteta”. Po, sepse shumica që janë thënë aty, pothuaj të gjitha janë të vërteta, vetëm se thënë me gjuhën e letërsisë.”

Tutje, duke folur referencat letrare e kulturore, Gashi në mes tjerash tha: “ Por, që një pjesë e tyre janë rrëfyer fshehurazi. Atje prej nga vijë, edhe sot nuk guxojnë t’i thonë këto të vërteta. Dikush thotë se hapin plagë të reja. Ama unë ua kam veshur dy personazheve burra, e që përballë kanë dhjetëra personazhe femra.

 Pra, që në fillim jepen personazhet dhe vdekja e heroit të veprës, pastaj vazhdon monologu i ‘taliankës’, përmes së cilës shpërfaqet historia e një arme të tipit “corcano”, e cila bëhet temë, personazh, narrator, objekt që i përcjell ngjarjet dhe ato i vihen pas, duke filluar nga pushtimi i Italisë e deri në ditët e këtij fillimshekulli.

Të gjitha këto shtrihen herë në formë të rrëfimit klasik, herë në formë të tregimit në fusnotë, herë përmes formave dramatike. Sidoqoftë, linja rrëfimore historike nis me udhëtimin e ‘taliankës’ e dalë nga duart e Maestro Salvadores (armë e njohur në Luftën e Dytë Botërore, e cila ishte pjesë e luftimeve të forcave italiane nga Evropa deri në shkretëtirat e Abisinisë), një armë me nam, e cila luan rolin e një rekuizite, imazhi, objekti prej nga sillet dhe ndërtohen subjektet e tjera të rëndësishme. Kjo armë njihet edhe me nofkën ‘Vdekja e lehtë’, përmes së cilës nofkë implikohen edhe vrasjet e të famshmëve, si: Xhordano Bruno, Xhon Kenedi dhe Sadam Hyseini. Për të parin dhe të tretin paraqet modelin e vdekjes së vështirë dhe për të dytin modelin e ‘Vdekjes së lehtë’.

Një armë si kjo bëhet pjesë e udhëtimeve ushtarake në Shqipëri, pastaj edhe në Kosovë. Nga këtu fillon edhe historia e kësaj arme, duke qenë herë në rolin e sjellëses së fatkeqësisë (kujto vitet 1956-1990), e herë në rolin e mbrojtjes, më vonë për t’u transmodeluar në një objekt kulti e besimi për personazhin kryesor. Ajo që e bën që ky roman të mos quhet roman tipik erotik është historia e kësaj arme, përmes së cilës përvijohet kodi nacional, periudhat historike, si: aksioni i armëve i vitit 1956, 1968, vitet 1990 dhe lufta e fundit e deri te paslufta.

“Talianka”, edhe pse është një ndër librat e ndërtuar mbi shenja të jetës reale, mjeshtërisht komunikon me tekste të ndryshme të letërsisë e të kulturës së përbotshme. Aty përftojnë tekste nga Bibla e Kurani, herë si citate origjinale, e herë si perifrazime.  Prania e letërsisë së madhe vërehet edhe në vetë kapitujt, titujt e disa kapitujve të këtij libri, si: “E premtja e zezë”, “Dhjetë udhëzime dashnije”, e para biblike, e cila lidhet me realitetin historik dhe tragjik: pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe luftën e fundit në Kosovë; dhe, e dyta, përveç me ligjërimin autentik konoton edhe me “Dhjetë udhëzimet e Davidit”, pa përjashtuar strukturën rrëfimore të “Dekameronit” të Bokaçios, rrëfimet e lashta të Botës së Lindjes, me në qendër edhe tekste kuranore, si “Suren e njëqindtë” (ndeshja me kalin e çmendur) etj. Gjithashtu, aty bashkëjetojnë tekste të tipit të parabolave të Rumiut, me tekste nga “Kabalahh”, “Libri i të Vdekurve”, porse ajo që theksohet më shumë janë dy personazhet kryesorë: Mixha dhe Mocniku i tij, që me bëmat e tyre shpeshherë u ngjajnë aventurave në çift, si ato të Don Kishotit dhe Sanço Pançes së Miguel De Servantesi-t.”

Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim me autorin, kryesisht për temat e letërsisë së tij.

Projekti “Ora e shkrimtarit” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

13 nëntori, Dita Botërore e Mirësjelljes

13 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Mirësjelljes. Kjo është dita e cila në gjithë botën është e dedikuar për njohjen e asaj që vërtet do të thotë të jesh i sjellshëm. Kjo do të thotë t’i kushtoni vëmendje dhe kujdes të tjerëve.

Japonezët e promovuan këtë iniciativë: Dita Botërore e Mirësjelljes lindi në Japoni falë Japan Small Kindness Movement, e themeluar në vitin 1988 në Tokio.

A e dini me të vërtetë se çfarë është mirësjellja? Para së gjithash, është kortezi, edukim i mirë, sjellje të mira. Thuaj faleminderit, ju lutem, më fal. Por kjo nuk mjafton. Mirësjellja është gjithashtu një person i mirë: altruist, bujar dhe i dobishëm me të tjerët, pa interes. Ju duhet ta dini se mirësjellja është e mirë jo vetëm për ata që e marrin atë, domethënë për të gjithë ata që janë përreth jush, por mbi të gjitha për ata që e bëjnë këtë. Për më tepër, është gjithashtu e mirë për zemrën tuaj, duke ju bërë të ndiheni të qetë dhe të relaksuar!

Pra, ka kaq shumë arsye për të mësuar se si ta bëni atë me lehtësi dhe me një vëmendje ndaj tjetrit. Dhe jo vetëm në ditën që feston mirësjelljen, por çdo ditë të jetës suaj. / KultPlus.com

‘Musical Conversations’ organizon koncert artistik me solistët Antoinette Lohman & Jorn Boysen

Projekti “Musical Conversations” organizon koncertin “Hortulus Chelicus” me solistët Antoinette Lohman (violinë baroke) dhe Jorn Boysen (Harpsichord), shkruan KultPlus.

Ky koncert është vazhdimësi e masterclass-ëve të mbajtur me artistë të ndryshëm nga OJQ ESTA. “ESTA”- dega në Kosova është themeluar në vitin 2010 nga violinistet Sihana Badivuku, Mrika Hoxha dhe Erlinda Gashi.

“ESTA ka për qëllim zhvillimin e jetës kulturore e muzikore të Kosovës përmes ngritjes së nivelit të mesimdhënies dhe luajtjes  në instrument. Poashtu synon avansimin e metodologjisë e qasjes së mësimdhënies së intrumenteve harkore në bashkëpunim me mësuesit e niveleve të ndryshme të arsimit profesional muzikor.  Angazhimi për organizimin dhe avansimin e kulturës dhe krijimtarisë muzikore, zhvillimi i gjithanshëm i nivelit muzikor në shkollat profesionale të muzikës në Kosovë, gjë që ndikon direkt në zhvillimin e institucioneve me të larta kulturore në vend”.

Koncerti mbahet më 13 nëntor, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në ora 20:00./ KultPlus.com

Opera ‘Goca e Kaçanikut’ vjen në Festivalin “Ditët e Nëntorit”, Gjakova shëndrrohet në epiqendër të kulturës shqiptare

Gjakova do të bëhet epiqendra e kulturës shqiptare me edicionin e parë të festivalit “Ditët e Nëntorit”, një festë unike që mban gjallë trashëgiminë tonë përmes muzikës, paneleve dhe traditave tona tradicionale.

Nga data 19 deri më 30 nëntor 2024, Teatri “Hadi Shehu” do të mirëpresë artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe më tej, me një program që nuk duhet humbur:

-Opera e Kosovës “Goca e Kaçanikut” – 19.11.2024, ora 19:00
-Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë – 23.11.2024, ora 19:00
-Saz’Iso – 28.11.2024, ora 20:30
-Gala Koncert me Solistë dhe Ansamble Vokale e Instrumentale – 29.11.2024, ora 20:30

Veç përformancave të jashtëzakonshme, festivali ofron edhe ushqime dhe pije tradicionale që përcjellin shpirtin shqiptar.

Të gjitha të ardhurat e biletave do të përdoren për të promovuar turizmin kulturor të Gjakovës. Festivali organizohet nga Fondacioni për Gjakovën, i përkushtuar ndaj zhvillimit të kësaj komune të bukur si një destinacion turistik kulturor./ KultPlus.com