Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), anëtare e së cilës është Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka dorëzuar letrën e nënshkruar nga mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani në Këshillin Ekonomik dhe Social të BE-së (KEES/EESC), me kërkesën për përfshirjen e Kosovës në Iniciativën për Anëtarë nga Vendet Kandidate të Zgjerimit (ECMI), si dhe vazhdimin e kësaj iniciative edhe pas fazës pilot.
Në fillim të këtij viti, Këshilli Ekonomik dhe Social i Bashkimit Evropian, si institucion përgjegjës i BE-së për përfshirjen e partnerëve social nga sektori i punëdhënësve, punëmarrësve dhe organizatave të shoqërisë civile, pati lansuar këtë pilot projekt të përfshirjes të përfaqësuesëve të këtyre sektorëve nga vendet e zgjerimit të cilat ende nuk janë shtete anëtare të BE-së, duke lënë jashtë kësaj nisme vetëm Kosovën.
KCSF nëpërmjet një komunikate njofton se ka përcjellur me vëmendje zhvillimet në kuadër të kësaj nisme dhe në prill të këtij viti kishte nisur reagimin në kuadër të BCSDN-së, pasi që Këshilli Ekonomik dhe Social, vendosi që të përdorë kornizën e vendeve me status të vendit kandidat si kriter bazë për kualifikueshmërinë e përfshirjes në këtë nismë. Kjo kornizë bëri që Kosova të mbetet vendi i vetëm me perspektivë të anëtarësimit në BE që nuk përfshihet në këtë nismë.
“Duke e konsideruar këtë vendim të Këshillit Ekonomik dhe Social si të gabuar dhe në kundërshtim me vet vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së, KCSF bashkë me përfaqësues tjerë të shoqërisë civile dhe sindikatave nga Kosova më 24 maj 2024 ka pasur takim me udhëheqës të KEES/EESC ku është shprehur shqetësimi për mos-përfshirje të Kosovës dhe është kërkuar korrigjimi i këtij vendimi. Për më tepër, e njëjta kërkesë është përsëritur edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për shoqërinë civile që u zhvillua në Bruksel nga Këshilli Ekonomik dhe Social i BE-së, më 24 tetor 2024. KCSF vlerëson se përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë. /KosovaPress/ KultPlus.com
FILE PHOTO: European Union flags flutter outside the EU Commission headquarters in Brussels, Belgium May 5, 2021. REUTERS/Yves Herman/File Photo
Nesër në Kosovë do të vijë Ministri i Punëve të Jashtme dhe Luksemburgut, Xavier Bettel.
Bettel do të takohet me presidenten Osmani, në ora 15:20. Kështu ka njoftuar Presidenca.
“Në orën 15:20, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Zëvendëskryeministrin, njëherit edhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Luksemburgut, Xavier Bettel.”
Bettel do të pritet në takim edhe nga homologia e tij, Donika Gërvalla.
Takimi do të nis në ora 12:40 dhe më pas do të mbahet konferencë për media./ KultPlus.com
Gjirokastra mirëpret në çdo stinë të vitit turistë nga vendi dhe shtete të ndryshme të botës. Edhe në këto ditë vjeshte qyteti i gurtë dhe rrethinat vazhdojnë të jenë pika të preferuara në guidat turistike.
Kalaja e gurtë, Pazari karakteristik, muzeumet, Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, bukuritë natyrore dhe vlerat e traditës në zonat e Lunxhërisë, Cepos, etj, tërheqin një numër të lartë vizitorësh.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha në një intervistë për ATSH-në se “përgjatë gjithë muajit tetor kapacitetet akomoduese kanë qenë të ezauruara, ndërsa ka një interes të lartë nga turistët edhe për periudhën në vazhdim”.
“Bashkia vazhdon organizimin e një programi të larmishëm me aktivitete kulturore dhe artistike, çelje panairesh, koncerte, promovimin e vlerave të traditës të cilat mes të tjerash ndikojnë edhe për rritjen e kohë qëndrimit të turistëve”, theksoi Golemi.
Gjirokastra me vlerat historike, ndërtimore, trashëgiminë kulturore, resurset e pasura si dhe mikpritjen e banorëve gjithmonë e më tepër është një vlerë e spikatur në hartën kombëtare dhe ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor.
Mbi 400 mijë turistë vizituan Gjirokastrën
Kryebashkiaku Golemi sezonin turistik të këtij viti në Gjirokastër e cilëson ndër më të suksesshmit e viteve të fundit.
Prej fillimit të 2024 vizitueshmëria në qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat kanë qenë mjaft e preferuar në itineraret e turistëve vendas dhe të huaj.
“Kemi pasur një vit të mbarë turistik, ndërsa po regjistrohen mbi 400 mijë turistë, të cilët kanë vizituar qytetin dhe zonat rurale të bashkisë Gjirokastër. Ajo çka është e veçantë për Gjirokastrën është se rreth 70 % e turistëve janë vizitorë të huaj nga vende të ndryshme të botës”, nënvizoi Golemi.
Sipas tij, pjesa më e madhe e tyre udhëtojnë me grupe të organizuara, por konstatohet edhe një rritje e numrit të turistëve që preferojnë të udhëtojnë në mënyrë individuale, me familjen ose në grupe të vogla.
“Natyrshëm numri më i lartë i turistëve është regjistruar gjatë periudhës së verës dhe kryesisht në muajt korrik dhe gusht, por falë zhvillimit të turizmit gjithëvjetor kemi pasur fluks të turistëve edhe gjatë stinës së pranverës si dhe tani në periudhën e vjeshtës”, theksoi Golemi.
Rritje e kapaciteteve akomoduese për turistët
Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm ka ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale jo vetëm në bizneset me profil turistik, por në tërësi në aktivitetin ekonomik të rajonit jugor”.
“Një fakt i tillë ka sjellë çeljen e vendeve të reja të punës si dhe rritjen e të ardhurave ekonomike për familjet gjirokastrite”, tha ai.
Golemi bëri të ditur se “tashmë në qytet dhe rrethinat numërohen rreth 250 hotele dhe bujtina karakteristike, të cilat ofrojnë kushte cilësore për akomodimin e vizitorëve”.
“Një rritje të numrit të bizneseve të reja kemi pasur edhe në sektorin e shërbimeve, lokale, bare, restorante ndërsa kemi një rikthim të interesit të fermerëve për zhvillimin e agroturizmit. Në këtë kuadër janë çelur bujtina tradicionale në zonat rurale kryesisht me profil familjar ndërsa është rikthyer vëmendja edhe për prodhimin bujqësor vendas në vreshtari dhe frutikulturë”, nënvizoi Golemi.
Kryetari i bashkisë tha se “zhvillimi i turizmit po jep ndikim mjaft pozitiv në ekonominë lokale në tërësi si për sa i përket vendeve të reja të punës dhe të ardhurave ekonomike të përfituara nga banorët”.
Gjatë këtij viti Gjirokastra ka qenë një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë. Ajo po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve./atsh/ KultPlus.com
Tirana mikpriti këtë javë një grup të rinjsh nga rajoni, në vijim të aktiviteteve të rrjetit B40, me qëllim rritjen e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik në Ballkan. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e çeli bashkëbisedimin duke theksuar se vitin tjetër kryeqyteti shqiptar do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Është vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi një forum të të rinjve nga i gjithë Ballkani. Ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, ndaj ky forum bashkon çuna dhe goca, që janë e ardhmja”, tha Veliaj. Si udhëheqëse e rrjetit B40, Veliaj shtoi se Tirana do të shërbejë si spirancë përbashkuese për miqtë e rajonit, që të tregojmë vlerat kulturore të Ballkanit.
“Ne duhet të bëjmë diçka për 100 vitet e ardhshme dhe jo për 100 vitet e kaluara. Titulli Kryeqyteti Mesdhetar u Kulturës është një mundësi e jashtëzakonshme për ta përdorur Tiranën si një spirancë për të gjithë miqtë, vëllezërit e motrat tanë në Ballkan, e për t’u siguruara që viti i kulturës të mos jetë vetëm i Tiranës, por i të gjithë anëtarëve tanë të B40, për të treguar vlerat kulturore”, tha ai.
Veliaj tha se një nga objektivat e bashkisë së Tiranës vitet e fundit ka qenë orientimi i të rinjve drejt punëve të së ardhmes. Për ta përmbushur këtë qëllim, ai përmendi projektet e suksesshme që janë zbatuar te Piramida, si mundësi fantastike për fëmijët dhe të rinjtë.
“Çdo muaj, në Tiranë, 2000 fëmijë marrin kurse falas. Ne e konsiderojmë një të drejtë digjitale. Siç është çdo e drejtë e njeriut për arsim, për shëndetësi, ne e konsiderojmë se të përgatitesh për punët e të ardhmes duhet të jetë një e drejtë themelore e njeriut. Ndaj, kurset e fëmijëve i sponsorizojmë 100%, duke vjelë qiratë që marrim te Piramida”, nënvizoi ai.
Transformimi i Tiranës për 10 vite, sipas kryebashkiakut Veliaj, duhet të shërbejë si shembull motivimi për qytetet e rajonit. Ai shtoi se falë këtyre investimeve ekonomia e qytetit është transformuar./ KultPlus.com
Robert Menasse, autori i njohur austriak dhe fituesi i Çmimit Europian të Librit ka vizituar Shtëpinë e Europës, ku është takuar me lexues dhe personalitete të ndryshme për të diskutuar mbi romanin e tij “Zgjerimi”, tashmë edhe në gjuhën shqipe.
Menasse lexoi fragmente nga libri, i cili eksploron lidhjet midis Evropës dhe Shqipërisë duke drejtuar edhe një bisedë mbi vlerat evropiane, procesin e zgjerimit dhe rolin e letërsisë në formësimin e së ardhmes sonë të përbashkët.
“Shkrimtari austriak Robert Menasse, në këtë diskutim ka folur për Shqipërinë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe prirjet aktuale brenda BE-së”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të delegacionit të BE në Tiranë.
Menasse thekson se Evropa ka nevojë për Shqipërinë, duke e parë Ballkanin Perëndimor si pjesë të pandashme të saj. Ai argumenton se paqja në këtë rajon është një qëllim i rëndësishëm për projektin e BE-së, ku duhet të krijohet një treg i përbashkët dhe një sistem ligjor i njëjtë. Për titullin e librit, Menasse shpjegon se “Zgjerimi” i referohet vendeve që duan të hyjnë në BE, ndërsa ai sheh Shqipërinë si një vend me potencial dhe optimizëm, përkundër skepticizmit që shprehin disa shtete anëtare./ KultPlus.com
Tre veçori të reja mund të vijnë në Google Messages.
Së pari, aplikacioni i Google për mesazhe po bën ndryshime në veçorinë që ju tregon nëse mesazhi juaj është dërguar ose lexuar.
Ndryshimi i dytë i mundshëm, i cili është lënë të kuptohet nga versioni më i fundit beta i aplikacionit Messages, ju lejon të zgjidhni rezolucionin e imazhit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kjo do t’ju lejojë të vendosni nëse dëshironi të dërgoni një imazh në cilësi HD ose standarde.
Edhe pse do ta ulë cilësinë e imazhit, veçoria do t’ju lejojë ta dërgoni atë më shpejt duke përdorur më pak të dhëna.
Së fundi, Google po përpiqet t’jua bëjë më të lehtë ta kuptoni se kur është dërguar secili prej mesazheve tuaja./ KultPlus.com
Guy Mattison Davenport (1927 – 2005), shkrimtar, përkthyes, ilustrator, piktor, intelektual dhe mësimdhënës amerikan.
GJETHE TË BRONZTA DHE TË KUQE
Nga Guy Davenport
Ai fle në shtratin portativ të hekurtë dhe të ardhurat e tij të vetme janë rroga që shteti ia jep për përdorimin e portretit të tij në pullat tona postare. Ata thonë se ai mund të qëndrojë me orë duke e nderuar bustin e Nietzsches. Ia ka ëndja të bëjë muhabet me miqtë e tij në telefon. Dekorata e vetëm që mban është Kryqi i Hekurtë i tij. Ky dhe një shirit dore i Partisë janë shenjat e vetme që e zbukurojnë thjeshtësinë e mërzitshme të uniformës së tij. Kompozitori i tij i preferuar është Anton Bruchkneri, dallga e fortë dhe progresioni harmonik i simfonive të të cilit ia kujton atij Gjermaninë e moçme, pyjet dhe bjeshkët, kafenetë me gazeta, lojëra shahu, kuvendime metafizike dhe revista shkencore, Gjermaninë e vjeshtave të lezetshme dhe mjegullat ku fshtarave të vogla rrugët e ngushta janë të kufizuara me pemë, gjethet e bronzta dhe të kuqe të të cilave shkëlqejnë me një lloj lavdie në diellin e pasditës.
Një pasdite i kishte vizituar që të dyja, vejushën e Wagnerit dhe motrën e Nietzsches. Zakonisht rrugës e ndalnin fshatarët të etur që ta adhurojnë. E dinë se ai ka një dobësi për biskotat dhe i dhurojnë pjatanca të tëra. Ai bën shaka se do ta humbë formën, ai që është aq i hajthëm dhe i pakët. Sidoqoftë, ai pranon dhe e mbllaçit një biskotë dhe gratë e moshuara i vënë duart në fytyrat e tyre. Ai është i dhënë sidomos pas fëmijëve. Sytë e tij ndrijnë kur e sheh një vajzë të vogël bionde me sy të kaltër.
Me të venë e Wagnerit diskuton për Unazën, me motrën e Nietzsches çështjen politike të hebrenjve. Kërkon të shohë tryezën e shkrimit të filozofit, makinën e tij primitive të shkrimit, shpatën e tij të duelit nga ditët studentore, pelerinën e tij italiane. Ia tregojnë tasin e çajit të filozofit dhe ai me një nderim të bashkëlindur ua shpjegon se ai nuk pi çaj as kafe, as nuk tymos, as nuk pi alkool, përveç ndonjë bokalli birre në shoqëri të anëtarëve të Partisë.
Jeta e tij është e përkorë. Ka që thonë se e ka mike të zemrës një aktore të bukur, e qeshura gazmore dhe manierat e lezetshme të së cilës ia heqin mendjen nga punët e shtetit pas një dite të revizionimit të batalioneve bavareze të punës, takimit me diplomatë, gjeneralë dhe arkitektë, të inspektimit të armatimeve, komuniteteve model dhe barrakave.
Ai i di të gjitha. Studimi i tij i bolshevizmit, financave shtetërore, mbrojtjes, pastërtisë racore, fatit, shpirtit gjerman, muzikës, planifikimit të qytetit, historisë ushtarake dhe nutricitetit ka qenë i thellë.
Ai flet vetëm gjermanisht. Të gjithë neve na duket mahnitëse që e vetmja fjalë e huaj që ai di është fjala angleze gentelman. E respekton mësimin te të tjerët. Që nga koha e Frederikut të Madh nuk kemi pasur një lider të tillë intelektual. E adhuron Musolinin për dhuntinë e tij të gjuhëve, talentin e tij letrar, gjeninë e tij organizative, prirjen e tij klasike për parada triumfale dhe dinjitetin e moçëm romak.
Sensi i tij i humorit është i lezetshëm. Njëherë, duke ngarë mercedesin e tij, me një kapele aviatori që t’ia mbante flokët të shtruara, mbi shpejtësinë e lejuar vetëm për pak milje, ishte tërhequr për krahu nga një polic me motoçikletë.
– Ndiqmë, i kishte thënë polici, për në gjykatë në qytetin më të afërt, ku do ta hash një dru të mirë.
– Ndiqmë, e kishte udhëzuar ai shoferin e tij tetar.
Polici, siç po e shihni, nuk e njihte kush ishte me atë mercedes, për shkak të kapuçit të aviatorit, por roja në gjykatë e pa se kush ishte duke hyrë në ndërtesë dhe e përshëndeti, gjykatësi po ashtu e përshëndeti dhe të gjithë mbetën të shtangur.
– Jam arrestuar për tejkalim të shpejtësisë, i tha ai gjykatësit, i cili e hapi gojën si peshk, pa mundur të nxirrte një fjalë. Kur i erdhi zëri, gjykatësi pëshpëriti një fjalë që tingëlloi si gabim.
– Jo aspak, tha ai. Ne e kishim tejkaluar shpejtësinë dhe pos kësaj unë nuk po ia vija syrin matësit të shpejtësisë; s’do t’ia hedh fajin shoferit tim tetar, por do ta marr përgjejgësinë vetë, si qytetar i rregullt. Gjermanët janë respektues të ligjeve, apo jo?
– Po!, britën të gjithë.
– Sieg!, thirri ai.
– Heil!, ia priti ai.
Kësodore e pagoi gjobën. Gjatë kthimit për te makina u ndalua nga një vajzë e vogël me flokë të verdha dhe sy të kaltër, e cila ia dha atij një biskotë nga një pjatë filxhani. Ai e hëngër atë, e ngriti lart vajzën dhe e puthi. Nëna e saj dhe gjithë njerëzit e qytetit po e shikonin në ekstazë. Ai i valëviti duart teksa po largohej drejt Berlinit dhe përgjegjësive të tij të pashpirta të zyrës.
Ai është njohës i arteve të bukura dhe goxha shpesh e ka lënë pa mend profesorin e estetikës. Është i dhënë pas pikturave të gaztorëve vajtues, një subjekt në të cilin, pohon ai, do të shkëlqente Rembrandti po të ishte sot në mesin tonë. Koleksionon natyra të vdekura të bokallëve të birrës dhe rrushit me musht në kalaveshë, pjesë kuvendimi që paraqesin një tablo familjare. Nuk e tërheqin shkarravinat cinike të tjetëranësve aq në modë gjatë depresionit të pasluftës. E njeh vizatimin kur e sheh, ngjyrat dhe proporcionet. Është një karakteristikë sharmante e shijes së tij vieneze se ai ka një dobësi për operat e lehta dhe filmat me tema romantike.
Fjalimet e tij janë elektrizuese. Zotërimi i hollësive i mban inxhinierët dhe taktikantët maje gishtave. Dorëpunuesit dhe bankierët dalin nga konferencat e tij duke dihatur nga njohjet e tij të thella të vetë profesioneve të tyre.
Gjatë vakteve të ngrënies është briliant. Ia ka ëndja të argëtojë mysafirët e tij me histori dhe filozofi, të cilat ai mund t’ia bëjë të thjeshta dhe magjepsëse edhe mendjes më të pagdhendur. Madje ai mund të flasë për peizazhet malore si poet, për aktorët dhe drejtuesit e orkestrave, dizajnin e qilimave, përbërësit e salcës së sallatës.
Ai është vegjetarian, nuk e honeps dot mizorinë e therjes. Planifikon që pas pensionimit të kthehet te piktura, t’ia lërë ca skena të mira muzeut të Shtetit në pronësi. Është ironike, nuk është, se shpirti i tij është thelbësisht bohemian, artistik dhe ëndërrimtar. Ai thotë se do të mund të kishte qenë i lumtur duke çuar një jetë të thjeshtë në ndonjë çardak, duke i takuar shokët e tij artistë në kafene, duke klloçitur pafundësisht në misteret e dritës dhe hijes. Po prapëseprapë kjo mendje ishte ajo që fati e kishte zgjedhur të shihte të vërtetën e historisë nga perspektiva më e pastër dhe ai nuk i bëri bisht Detyrës kur Ajo erdhi me kushtrim dhe flamur në momentin kur Gjermania zuri vendin kryesor në mesin e kombeve. Gjermania mbi të gjitha.
Druajtja e tij u ka hyrë në zemër shumicës. Njëherë, kur ai ishte një politikan në ngritje, i ra në sy një zonje në shoqëri, e cila e ftoi në një mbrëmje në vilën e saj. Ai shkoi atje në rroba formale, me gjasë si një befasi për përgojuesit e tij. I mbajti duart të lidhura me modesti për krahëve të vet, duke refuzuar kështu likerët dhe nikotinën që ia orfonin në mënyrë periodike shërbëtorët në livre, që lëviznin në mesin e ahengtarëve. Përveç ndonjë llomotitje të padomethënie me socialitë të ndryshëm, ai nuk tha asgjë gjatë gjithë mbrëmjes derisa mori fund ndeja, kur ai zuri një pozicion pranë derës dhe mbajti një ligjëratë të bukur kundër hebrenjve, komunizmit, ateizmit, rrenës në shtyp dhe imoralitetit flagrant në spektakël dhe arte. Toni i kotësisë, i cili e kishte mbizotëruar gjithë kremtën papritur, mund të jeni të sigurt për këtë, ishte tretur. Shprehjet mendimtare morën nën zotërim fytyrat që ca momente më parë kishin qenë të shpërqendruara dhe budallepsura. Qe një performancë e mahnitshme.
Ka goxha shumë rezyme të skeptikëve që shkonin në grupet studimore të Liderit për t’u zbavitur që pastaj konvertoheshin dhe bëheshin njerëz të rinj.
Ai nuk është kurrë humbës. Kur hipi në podium për t’i thurur eulogji Hindenburgut në funeralin madhështor, ai e hapi dosjen e tij për të zbuluar se disa shkrues të pakujdesshëm kishin futur në të jo fjalët e tij të përzgjedhura me merak, por atë që dukej të ishte një raport financiar nga Gauletieri i Weimarit. Ai foli ex tempore dhe askush prej mijëra të tjerëve para tij nuk qenë më të mençur.
Ai mund të përshëndesë me dorën lart me orë të tëra kur e qet armatën në revistë.
Ai është në shëndet të përsosur dhe kurrë nuk vizitohet te mjeku, përveç për të folur për shëndetin e popullit. Ai dhe doktori zakonisht ia fusin një të qeshure të mirë. Populli gjerman është aq i shëndetshëm, atëherë kujt i duhet doktori?
Ai është njeri i tolerancës shembullore. Kur një deputet njëherë e pyeti nëse arti francez duhej vihej në të njëjtin nivel me atë të idealeve Nacional Socialiste, përgjigjja qe kjo:
– Qoftë larg meje të diktoj shijen e një populli aq mendjemprehtë dhe të kulturuar!
Ai mendon se Opera e Parisit është ndërtesa më e bukur në botë. E pëlqen dizajnin e avancuar të avulloreve tejoqeanike dhe aeroplanëve. Ia ka ëndja të ketë në tavolinën e tij në Kancelari një vazo me krizantema që përhapin dritë të artë përmes dritareve.
Mendjet tona rezonojnë me opinionet e tij. Spanja nën Frankon do ta shpëtojë perëndimin katolik siç kishte bërë në kohën e Filipit. Mund ta dalloni qëndrueshmërinë e bujkut rus nga mjekra e tij. Psikanaliza është fëlliqësi hebreje që po mundohet të shitet si shkencë. Italianët janë romantikë dhe ngrehalucë. Shpirti gjerman është shprehur nga Wagneri më së miri. Përgjegjësia dhe vigjilenca e karakterizojnë gjermanin, marifetllëqet dhe hipokrizia hebreun, ngathtësia dhe të qenët të pashije intelligentsian ruse, plogështia dhe të qenët të pamend amerikanin, mendjemadhësia dhe sipërfaqësia anglezin, injoranca dhe kotësia polakun.
Dr. Goebbels varet pas secilës fjalë të tij. Goeringu e do si vëllain e vet. Stafi i tij i besueshëm i gëzohen pranisë së tij.
Nuk është e vërtetë se mustaqja e tij katrore është kopjuar nga Chaplini, ose se mitingjet partiake rrjedhin nga këngët dhe duartrokitjet e lojërave të futbollit amerikan. Hobit e Liderit janë fundjavët në bjeshkë, regjistrimet fonografe, automobilizmi, filmat në shtëpi dhe dizajnimi i ndërtesave neoklasike. Derisa i dëgjon me tërë vëmendjen ministrat e tij në konferencë, duart e tij vizatojnë harqe triumfuese në bllokun e tij. Ka vesh për vargun masiv të Gëtes. Është i dhënë pas qenve.
Spengleri na e kujton se është një veçori gjermane të jetë i vetëdijshëm për momentin historik teksa është duke ndodhur. Kaq thjesht. A ka pasur ndonjëherë fjalë më të vërteta? Këtë tetor ka një eksitim elektrik në ajër, një ëmbëlsi kudo përreth. Ne jemi, si gjithmonë, një popull i përkorë studiuesish, me njoki, birrë dhe pudingë të mirë të mëdhenj të gjakosur, ansamblet e harqeve, të cilat madje edhe në fshatrat më të mjera mund të japin mbrëmje të paharrueshme të Brahmsit dhe Beethovenit, shkollat dhe universitetet tona të pakrahasueshme, rininë tonë kaq të fuqishme, të shëndetshme dhe të bukur. Dhe gjithçka është qëllim, qëllim, një qëllim, mbase më i madhi që është ndërmarrë ndonjëherë prej se ekziston bota.
Dhe diku në këtë vjeshtë të shkëlqyeshme, përgjatë rrugëve që flakërijnë nga gjethnajat e bronzta dhe të kuqe përmes të cilave i bart era, gjendet Lideri, i vozitur nga shoferi i tij krenar tetar. Ai e do Gjermaninë dhe e di se Gjermania e do atë. Ndalet të llafosë me fëmijët, bujqit, gjyshet e dashura, shërbëtoret flakë të skuqura të cilat i nxit të lindin fëmijë truplidhur për atdheun.
Me gjasë ka reshtur së shikuari Frau Frau Elsbeth Förster-Nietzschen, pasioni i së cilës për të gjitha gjërat teutonike është pothuajse po aq i ethshem sa ai i tij. U ulën përposh pemës vjeshtore në ajrin e pastër, me një pjatë me biskota dhe një shishe ujë mineral. Motra e shquar e çon shaminë te njëri sy, duke e kujtuar Fritzin. Lideri qëndron rehatshëm, me këmbët e lidhura kryq, një pozë që ia lejon vetvetes vetëm në shoqëri të të barabartëve dhe miqve. Rëndom ai është i druajtur me gratë (një shkrimtar dinak ka thënë se ideja transhendente e Gjermanisë është gruaja e tij), por me motrën e Nietzsches ai e ka të lehtë.
Ata ndihen se shpirti i tij është me ta dhe ua citon të dyve aforizmin më të fuqishëm që Frau Förster-Nietzsche e ka kompiluar në Der Wille zur Macht. E njohin veprën me zemër. Nga dëshmitarë të privilegjuar është thënë se zërat e tyre bëjnë një lloj muzike. Mendje të fisme, fjalë të fisme, zemra të fisme! Por ky idil për një poet, kjo copëz kuvendimi me temë historike për një piktor, nuk mbetet tërësisht në nivelin e sublimës. Si të gjithë njerëzit e tjerë të qytetruar, ata këmbejnë ca batuta dhe e qeshura sharmante e liderit është si ato frazat e hareshme të këngëve rustike dhe valleve folklorike gjermane që Beethoveni në harenë e tij s’do të mund t’i hiqte madje as nga kompozimet e tij më serioze.
A do të mund, duke ua kumtuar thelbin e karakterit të liderit fëmijëve dhe studentëve, të arrijmë ta ruajmë me tamam për ta magjinë e kësaj pasdite vjeshte, seriozitetin e lartë të muhabetit përposh pemëve aq lirikisht të bukur, dhe lozonjaritetin njëmend njerëzor të liderit teksa mashtrohet nga motra e Nietzsches për t’ia dhënë edhe një biskotë tjetër?
/Marrë nga Guy Davenport, “The Jules Verne Steam Ballon”, The Johns Hopkins University Press, 1993 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Në këtë ditë 223 vjet më parë u lind kompozitori italian Vincenzo Bellini, i njohur për operat e tij Bel Canto. Gëzuar ditëlindjen, Bellini!
Vincenzo Salvatore Carmelo Francesco Bellini i cili – u lind më 3 nëntor 1801 dhe vdiq më 23 shtator 1835 – ishte një kompozitor italian i operës – i famshëm për meloditë e tij të gjata, të këndshme dhe mjediset muzikore ndjellëse.
Si një figurë qendrore e epokës Bel Canto, ai u admirua jo vetëm nga publiku, por edhe nga shumë kompozitorë që u ndikuan nga veprat e tij.
I lindur në një familje muzikore në Siçili, ai u dallua herët për talentin e tij dhe fitoi një bursë për të studiuar në Kolegjin e Vërtetë të Muzikës, në Napoli.
Atje ai përvetësoi elementë të stilit të Shkollës Napolitane dhe u frymëzua nga shfaqjet e operave të Donizetti dhe Rossini, ndër të tjera, në idioma më moderne.
Ai shkroi operën e tij të parë, “Adelson e Salvini” (1825), për konservatorin, dhe “Bianca e Fernando” (1826) për Teatro di San Carlo për studentët premtues.
Bellini më pas shkoi në Milano për të kompozuar për “La Scala”, ku suksesi i “Il Pirata” (1827) nisi karrierën e tij të shkurtër, por shumë domethënëse.
Ai shkroi shumë opera të njohura, duke u ngjitur në majat triumfale me “I Capuleti e i Montecchi” (1830, La Fenice), “La sonnambula” (1831, Teatro Carcano) dhe “Norma” (1831, La Scala).
Ai udhëtoi jashtë vendit dhe shkroi “I puritani” pas një vizite në Londër.
Premiera e tij e suksesshme (1835, Théâtre-Italien) mbuloi një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare.
Bellini vdiq në moshën 33 vjeçare në Puteaux të Francës.
Verdi vlerësoi meloditë e shtrira të Bellini si të pakrahasueshme, ndërsa Wagner, i cili rrallëherë komplimentonte, ishte i mahnitur nga integrimi shprehës i muzikës dhe tekstit të Bellini.
Liszt dhe Chopin ishin gjithashtu admirues të tij. Shumë prej operave të tij, duke përfshirë “Pirata”, “Capuleti”, “Sonnambula”, “Norma” dhe “Puritani” janë shfaqur rregullisht në shtëpitë kryesore të operës në të gjithë botën. /atsh/KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se si ministri kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për konsolidimin e pozicionit të diasporës shqiptare, me fokus të veçantë tek arsimi dhe edukimi.
Nagavci ka thënë se që nga marrja e mandatit, kanë ofruar mbështetje në shumë forma, duke nisur nga:
Hartimi i teksteve të gjuhës për mësimin e shqipes në Diasporë, krijimi i platformave për bashkëpunimin e hulumtuesve shqiptarë gjithandej, nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri etj., kemi hartuar dhe vënë në përdorim tekstet e Niveleve I dhe II për Diasporën, ndërkohë që Niveli III është në përpunim e sipër, me mësues, përfaqësues të shoqatave, bizneseve e institucioneve, në takime të përzemërta ndamë përvojat e diskutuam për planet tona për të ardhmen, për gjuhën dhe kulturën shqipe, për identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Nagavci .
Ajo ka theksuar se gjuha amtare është ndër tiparet më të theksuara të prejardhjes së përbashkët dhe kulturës kolektive të një populli.
“Le ta mbrojmë Gjuhën Shqipe me çdo formë, çdo ditë nga pak, dhe çdo vit më shumë.” Të gjithë bashkë për jetësimin e identitetit shqiptar ndërmjet gjuhës dhe kulturës”, seminari i organizuar nga Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali ishte aktiviteti që na bashkoi me mësuesit e shkollave shqipe”, ka shkruar Nagavci.
Në “Ditën e letërsisë dibrane”, një grup shkrimtarësh dhe artdashësish i janë bashkuar aktivitetit të organizuar nga Lidhja e Intelektualëve Dibranë.
“Dita e Letërsisë Dibrane”, aktiviteti i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, pas organizimit në disa qytete, përmbylli turin e saj me aktivitetin e mbajtur sot në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli”, Peshkopi, mes të ftuarish, intelektualëve, autorë, botues e libradashës.
Në praninë e zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, kryetarit të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, kryetarit të Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, Shpëtim Cami, për promovimin e letërsisë dhe autorëve dibranë, së bashku me autorë e dhuruesit për fondin e pasur që i shtuan Bibliotekës së Peshkopisë me këtë rast.
Aktiviteti është përmbyllur me një bashkëbisedim mes shkrimtarëve, që ndanë emocionet e tyre me të pranishmit, mbi letërsinë, kulturën dhe artin e kësaj zone. /atsh/ KultPlus.com
“Nuk mund të dimë asgjë për jetën, e jetojmë atë vetëm një herë (Kundera)” Ballsor Hoxha
Në simopiuzmin e fundit të Filozofemës, rofesori, Kandidat për PhD në universitet të Zagrabeit Nehat Sadiku, prezantoi, ndër të tjera edhe nevojën e njeriut për të kornizuar lirinë, në të vërtetë ajo duke ardhë prej Teknologjisë si mënyrë e të menduarit. Në të vërtetë në elaborimin e tij Sadiku tha se kjo vjen si pasojë prej kohës së tërheqjes (rezignimit) së njeriut nga bota dhe funksioni i saj (Sadiku, Foucault), e që kjo e dyta vjen si pasojë e tërheqjes (rezignimit) të zotit (Sadiku, Nietzsche).
Në këtë teknologjia, si mënyrë (totale) e të menduarit ka metastazuar në të vetmen gjendje të njeriut në mendim (nëse ka një mendim njeriu?), kështu duke u bërë e qartë, si që ka qenë gjithherë, shkenca që është instrument i teknologjisë, këtij lloji të (rezignimit të njeriut) menduarit. Dhe jo në të kundërtën e kësaj, pra jo teknologjia në shërbim të shkencës!
Duke e vazhduar diskursin e “epistemës” të cilën Sadiku e vë në veprim, e mishëron, për të mos zgjatur citimin e tërë fjalës së tij, që përndryshe ishte tejet e ditur dhe e frymëzuar, do të kalojmë në një kompleks përshtypjeje, inspirimi dhe mendimi, që ngjallë prezantimi i Sadikut në këtë sipozium:
Nëse e vëzhgojmë (megjithëse jo e duhura mënyrë, sipas epistmës së Sadikut në veprim) kronologjikisht dhe në krahasim, historinë njerëzore, njerëzimi me zbulimin e Kohës (racionalizimit, të menduarit etj, Sadiku), do të shohim se Koha, po ashtu është një kornizim krejtësisht i gjykueshëm (sipas prezantimit të Sadikut) por që ka vetëdijesuar njeriun për Temporalitetin. Kjo duke e shumëfishuar afrinë e njeriut ndaj Kohës, dhe me këtë ekstatiken e kësaj afërsie. Në të vërtetë, njeriu ka vënë në dinamikë, veten me kohën, ndaj Kohës, dhe kjo duke u – humanizuar – aq sa vë në funksion njeriun ndaj Kohës, me këtë, thënë shkurt, vë në dukje, në horizont, “jehonën e çekanit të vdekjes”, të kësaj kornize, dhe të gjitha kornizave që mund t’i njohim, sot, që prishet, e zbulon/ e-bën-të-pavërejtshme (inconspicuousness) vetë vdekjen, vetë qenien.
Në të vërtetë, u tha e tërë kjo, për të farkëtuar një thirrje për mendim (megjithëse sipas Heidegger nuk dimë të mendojmë, ende, nuk jemi mësuar), të cilën e prezantoi Sadiku, dhe më pas vazhdn përshtypja nga po kjo:
Intensiteti i kësaj afërie dhe ndjeshmërie të Kohës, e shumëfishon intensitetin ekstatik të qenies, dhe me këtë e shumëfishon ndjeshmërinë e ekstatikes së të qeniesuarit.
Kjo, duke e “prishur çekanin në punëtorinë e vdekjes” (mund të merret si burim i kësaj thënie qoftë edhe Blanchot lidhur me ambiguitetin e të menduarit të njeriut me burim në të qenit i vetëdijshëm për vdekjen – qeniesimin duke qenë vetë vdekja – incessant and interminable), dhe duke e bërë të dukshme po të njëjtën “punëtori”. “the encompassing” that we are (sipas Japspers), horizontin e pafundësisë së as-një-gjë-së. Me këtë intensifikimin e lirisë, deri në kërkim të përmbushjes së subjektives së tij, në reflektimin e tij në atë që e njeh, deri këtu, njeriu – vetë teknologjia (nga më lartë!).
Për ta mishëruar këtë që u tha, njeriu në hapin e kalimit prej një mileniumi në tjetrin, në shekullin e radhës, në epokën e radhës, po e ndien shumë më thellë, e më – unconcealed -, zbulesën, e qenies, dhe qeniesimit. Në këtë, e tëra është një ankth, total, dhe gjigant, i rënies së njeriut (sipas Heidegger) në atë që po funksionon, në atë që e neutralizon vetë zhurmën e “çekanit të punëtorisë së vdekjes”.
Në këtë, duke potencuar se Sadiku në prezantimin e tij, në një mënyrë nuk e veçon aq sa duhet, apo nuk e thekson mirë sa duhet, se jemi në një trans, në një komë, kolektive globale, me totalizimin e mënyrës së të funksionuarit teknologjik.
Jemi duke e neutralizuar universin, për të shuar “jehonën e çekanit të vdekjes në punëtorinë e saj”!
Duhet thënë se në prezantimin e Sadikut ka një humane rrënjësisht të pastër dhe të qartë, kur ai përfundon se ne nuk jemi kundër, ne jemi duke e dasein-uar, dasein, të pakrahasueshëm, të pa një hermeneutikë që ndërhyn, apo mund të ndërhyjë brenda këtyre, kësaj, qenies vetë.
Mirëpo, për të tërën, këtë mënyrë jete të re, mund të ihet edhe një _ fusnotë – që ndoshta nuk përfshinë edhe intepretimin e saj (intepretimin e Sigmund Freud), por vetëm lojën Fort Da, të vëzhguar nga po i njëjti. Është vrasja/fundimi i ankthit të – kalimit nëpër mileniume – për të kornizuar hapin, e pakarahasueshëm të Dasein, e në mënyrë që të vazhdohet tutje në këtë unievrs teknologjie.
Të ftuar në episodin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin kanë qenë Taulant Stërmasi, Luiza Gega dhe Relaksa Dauti për të diskutuar rreth atletikës në Shqipëri.
Taulant Stërmasi është presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe i pyetur se cilat janë vështirësitë që ai has për të motivuar kampionët shqiptar për të ecur gjithmonë para, ai u përgjigj: “Në fakt, sfidat janë shumë komplekse kur flasim për sportistë, kur flasim për sportistë elitarë, kur flasim për sportistë që kanë disa objektiva që janë vërtetë shumë të vështira për t’u konceptuar në ditët e sotme. Se ne duhet të jemi shumë koherentë me atë që shoqëria po kalon sot. Të arrish të kesh objektiva, të kesh stërvitje, të cilat parimisht të flasësh në Shqipëri për sport të duket sikur njerëzit dalin të vrapojnë për qejf. Ndërkohë kjo është një punë dhe ta edukosh këtë punë tek brezi i ri, apo qoftë tek grupi që stërvitet tek unë, fillimet janë pak të vështira t’i shpjegosh që ti duhet të arrish disa objektiva. Nuk është qejf. Sporti është një punë. Është një profesion.”
Për t’u ndalur tek Luiza Gega. Trup i vogël, shpejtësi e madhe për kalimin e pengesave që ndonjëherë të duket e pamundur se ajo mund t’i kalojë. Si ja del që t’i bëjë ballë këtyre sfidave?
“Unë kam filluar jo me pengesa fillimisht. 2016 ka qenë viti kur unë kalova për ta provuar si disiplinë, sepse trajneri mendonte që unë mund të jepja më shumë. Se fiziku im jep shumë më tepër kryesisht në metra të lartë, që do të thotë jam rezistente. Kam një kapacitet të mirë aerobik, që më vjen natyrshëm dhe pa shumë stërvitje kap rezultate shumë të mira në metra lart, e quajmë 3 mijë metra, 5 mijë, 10 mijë”, u shpreh Gega./ Top Channel/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama, në takimin me shqiptarët në Selanik, njoftoi se është përgatitur një kërkesë për qeverinë greke, që të rishikojë vendimin për të ndaluar hyrjen e gazetarit të Top Channel, Marin Mema, në Greqi.
Duke theksuar se Marin Mema nuk ka bërë asgjë tjetër veçse punën si gazetar, ai e cilëson vendimin e 12 viteve më parë një masë ekstreme dhe antidemokratike.
“Kemi një kërkesë që do ta dorëzojmë që nesër për rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi. Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, s’ka bërë asgjë më shumë apo më pak se sa punën si gazetar, i apasionuar pas gjurmës së shqiptarëve. Nëse qëndrimi i tij është i ndryshëm nga kushdo që ka marrë vendimin absurd për ta ndaluar të hyjë në një vend në BE, ku s’mund të jetë kurrë një shkak për t’i hequr një gazetari lirinë europiane të lëvizjes. Kjo është një masë ekstreme, antidemokratike, antidemokrate”, u shpreh kryeministri.
Në vitin 2012, gazetari Marin Mema u shpall i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye pengohet që të hyjë në territorin grek.
Vendimi dhe ndalimi i gazetarit erdhi pas disa temave të realizuara prej tij në rubrikën “Shqipëria Tjetër” kushtuar çështjes kombëtare shqiptare, tema që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Por edhe emisioni kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek./ Top Channel/ Kultplus.com
(Nga përmbledhja me gjashtë drama “Qiell” – Naser Shatrolli, botoi Artini)
Ballsor Hoxha
Në dramën “Frigoriferi” të Shatrollit ka dy personazhe në një skenë në tërësinë e dramës. Po ashtu edhe në përgjithësi, të tri dramat në shyqrtim, dhe shumë nga të tjera të Shatrollit gjejmë një, e më së shumti dy personazhe. Shatrolli është minimalist i obsesionuar me intenstitetin, dramën dhe frymëmarrjen që jehon në këtë minimale. Ajo, minimalja në këto drama të Shatrollit është kryesisht psikologjike. Me personazhe që nuk arrijnë të dalin nga bota e tyre e traumës që i ka shituar në të prëhershmen e jetës së tyre.
Kryesisht janë dy karakteristika të dramës së Shatrollit që e bëjnë atë të veçantë dhe unik në kontekstin kosovar të dramës: tema dhe temat e dramave të tij, tejet unike dhe tejet të thella në kondensimin e komplekseve të traumës sonë kolektive, dhe (siç u cek më lartë) minimalistika e dramës së tij, që e intensifikon, frymëmarrjen e bartësve të këtyre temave.
Ndërtimi i dramës së Shatrollit nisë nga emrat e personazheve, si në dramën Frigoriferi, ku janë dy persona të njohur e të panjohur ndaj njëri tjetrit të gjendur spontanisht bashkë, e që janë Liria dhe Atdheu, dhe atë në kohë të luftës në Kosovë. Pastaj personazhja Karameli, në dramën me po të njëjtin emër, dhe Shkumësi personi i cili ka kaluar në këtë gjë, pra vetë personazhi i cili bartë traumën e tij personale të kaluar në deluzion total ndaj tërë kontekstit të tij.
Në këtë ndërtim pastaj vjen zbërthimi i tyre, shtjellimi dhe zhvillimi i tyre në skenë, duke e rrotulluar tërë këtë kondensim të – urrejtjes, të zemërimit, të traumës dhe të përkuljes së njeriut të drejtë ndaj dhembjes ardhur prej jashtë kontekstit të tij/saj – kondensimi duke u rrotulluar si një rubikon, por pa zgjidhje.
Më tutje në këtë ndërtim, sa më shumë që hyjmë brenda tij, shfaqet njëlloj loje unike e Shatrollit, ku personazhet shndërrohen, sikur persona me personalitete të shumfishta (si në dramën Shkumësi, P.sh.), dhe në këtë minimalizëm të intensifikimit të frymëmarrjes së dramës dhe personazheve, përmes vetëm dy personazheve merr pjesë i tërë konteksti.
Në këtë ndërtim të dramës së Shatrollit, sikur në dramën Shkumësi, hetuesi/psikologu/përkrahësi shnëdrrohet në vetë antagonistin e personazhit tjetër që vuan traumën e tij, që është një kondensim i urrejtjes përbrenda traumës në të cilën ai është i mishëruar. Ndërsa personazhi Shkumësi është duke u rrëfyer para këtij hetuesi dhe psikologu (thënë kushtimisht) vetë ky i fundit kalon në veprim të dhunshëm ndaj Shkumësit duke e marrë rolin e vetë antagonistit të tij.
Dhe në fund, të renditjes së këtij ndërtimi të dramës së Shatrollit, kemi njëlloj zbërthimi të këtij kondensimi të përfshirjes së traumës kolektive të një konteksti në një Shkumës të vetëm, kështu në dramën gjegjëse duke u luajtur vetë ky kondensim, si që u tha më lartë, si një rubikon i pa zgjidhje.
Duke i lexuar në radhë dramat Frigoriferi, Karameli, dhe Shkumësi, në të gjitha, para se të shohim se jemi përballë këtij rubikoni, në frymëmarrjen e dramës dhe personazheve të goditura nga fatkeqësia e patejkalueshme, përnjëherë gjendemi në një zhvendosje tejet mirë të luajtur në tekst, dhe aq më shumë të metaforizuar, si që është rrëfimi i personazhes Liria, në dramën Frigoriferi, ku ajo rrëfen të qenit e dhunuar personalisht përmes projektimit të zhvendosur në një plakë të vjetër, të dhunuar në mënyrën më banale dhe më brutale të mundshme.
Pastaj në dramën Karameli, që ka një temë tejet tejet të rëndë, si që është jeta e një ish-“shijuesi” të jetës jugsollave, me tërë dhunën e kryer ndaj shqiptarëve, që jeton me vajzën e tij Meli, adoleshente, gjë që është një jetë krejtësisht e çorientuar, e dezintegruar dhe e degjeneruar deri në pakthim. Mirëpo, prapë, si në lojën e dramave të tjera të Shatrollit, zhvendoset dhe projektohet e tërë dhembja e të qenit tradhtar në një kujtim të një shisheje vene (dhuruar nga vetë Titoja kryetari i ish Jugosllavisë) ndërsa çdo gjë ka shkuar në pakthim.
Pastaj në dramën, një prej më të realizuarave të Shatrollit, që është Shkumësi, zhvendosja është e projektuar në një obsesion të personazhit kryesor për të mbajtur panumër shkumësa në xhepat e tij, dhe për të mbishkruar në çdo gjë, jo ndonjë mençuri apo përvojë, por vetëm për të shkarkuar dramat që luhen në traumën e tij fiziisht dhe psikologjikisht.
E në të tri (dhe shumë të tjera të Shatrollit) drama, është e kondensuar urrejtja, si kyç dhe rubikon i pa zgjidhje, që duhet rrotulluar në të gjitha perspektivat e mundshme për të ruajtur së paku një njerëzi brenda traumës kolektive të panumër plagëve. Sigurisht duke kujtuar, në të gjitha këto drama, atë që ka mbetur jashtë kufijve të traumës edhe personale edhe kolektive.
Për fund, si metaforë, në dramën Shkumësi, shtjellohet një metaforë e një të riu hebre i lindur me frikën e pabartshme, por që në të vërtetë e din për secilën luftë e dhunë e cila ka ndodhur në historinë e botës. Në të vërtetë kjo ndodhë derisa po ky person brenda kësaj metafore gjendet brenda një muzeu, gjë që do të thotë është një muze që ecën brenda një muzeu përkujtues të Holokaustit ndaj hebreve. E në të vërtetë po ai rubikon që u cek disa herë këtu, i pa zgjidhje, i urrejtjes, në dramat e Shatrollit, është vetë obsesioni artistik i tij për ta parë atë ashtu si që është, dhe si është e mundshme të trajtohet, aq më shumë kjo lloj loje, dhe ky muze, është metafora artistike e Shatrollit, përpjekje për të krijuar një muze, të të gjitha perspektivave të traumës kolektive të kontekstit tonë, për të ruajtur dhe trajtuar, por pa e emëruar asnjërën nga këto trauma, dhe pa e pas marrë rolin e zgjidhjes së saj. Sikur ajo ka një zgjidhje, së paku, në këtë perspektivë aq të shkurtë kohore! E me kaq pak përpjekje nga të tjerët për të ndihumar të njëjtit. / KultPlus.com
Shqipëria po kthehet në destinacionin e preferuar evropian për pushime, duke tërhequr turistët falë bregdetit të saj të mahnitshëm, klimës së këndshme dhe çmimeve buxhetore.
Revista globale “SOS International” ndan këshillat e saj më të mira për atë që duhet të keni parasysh përpara udhëtimit tuaj në Shqipëri.
Shqipëria është konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës”, një perlë e paprekur.
Gjithnjë e më shumë turistë nordikë kanë vizituar vendin ballkanik, i cili ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi.
Në “SOS International”, Shqipëria po lëviz në statistika. Vendet e preferuara janë Spanja, Greqia dhe Turqia, por Shqipëria – një destinacion i ri turistik po ofron standarte evropiane të shërbimeve – ku vizitorët nordikë mund të marrin ndihmë kur lëndohen ose sëmuren gjatë udhëtimit të tyre.
“Në vitin 2023, Aeroporti i Tiranës priti 7,26 milionë pasagjerë, një rritje prej 40% nga viti i kaluar, duke e bërë atë një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.
Rritja e vazhdueshme e turizmit dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve të aeroportit kontribuan në këtë performancë rekord.
Me Shqipërinë e njohur tashmë si një nga destinacionet e reja turistike të Evropës, një numër në rritje vizitorësh po vërshojnë në vend – për të përjetuar plazhet piktoreske, vargmalet e thyer malore dhe vendet historike.
Tirana, kryeqyteti, po fiton gjithashtu popullaritet – falë jetës së saj të gjallë të natës, festivaleve kulturore dhe atraksioneve historike.
Trashëgimia e pasur kulturore e vendit, peizazhet piktoreske dhe mundësitë në rritje të biznesit ka të ngjarë të tërheqin edhe më shumë vizitorë në vitet në vijim, duke forcuar më tej rolin e Tiranës si një portë kyçe në Evropën Juglindore”, sipas “Travel and Tour World”. /atsh/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua sot me shqiptarët e Selanikut.
Në fjalën e tij, Rama tha se vogëlushëve shqiptarë të Greqisë do të iu mundësohet mësimi i gjuhës amtare me tetë mësuese nga 50 që janë gjithsej, njofton Klankosova.tv.
“Pas takimit në Athinë, do te na ndihmojnë të iu qëndrojmë më pranë fëmijëve tuaj për mësimin e gjuhës shqipe. Janë këtu në Selanik, tetë nga 50 mësuesit e parë të rinj të gjuhës shqipe, me të cilët Ministria jonë e Arsimit do të lidhë kontratë pune për t’iu shërbyer dhe mësuar gjuhën tonë amtare vogëlushëve shqiptarë në Greqi. Dhe siç mund ta merrni me mend, janë tetë gra”, tha Rama.
Kurt Vonnegut (1922 – 2007), shkrimtar amerikan, ka botuar katërmbëdhjetë romane, dhjetë përmbledhje me tregime, pesë drama dhe vepra jo-fiksion gjatë një pierudhe prej pesëdhjetë e më shumë vjetësh. Një numër veprash i janë botuar pas vdekjes. Romani i tij më i njohur është ‘Thertorja e pestë’.
SI TË SHKRUASH ME STIL
nga Kurt Vonnegut
Reporterët e gazetave dhe shkrimtarët teknikë janë të trajnuar të mos zbulojnë pothuajse asgjë rreth vetvetes në shkrimet e tyre. Kjo i bën ata anormalë në botën e shkrimtarëve, derisa pothuajse të gjithë batakçinjtë e tjerë bojë-njollosës në këtë botë ua bëjnë të njohura lexuesve bukur fort gjëra rreth vetvetes. Ne i quajmë këto zbulime, aksidentale ose të qëllimshme, elemente të stilit.
Këto zbulime na tregojnë ne lexuesve çfarë lloj personi është ai me të cilin po e harxhojmë kohën. A tingëllon ai shkrimtar injorant apo i informuar, budalla apo i ndritur, i pandershëm apo i ndershëm, pa humor apo gaztor? E kështë me radhë.
Pse duhet ta ekzaminoni stilin e shkrimit tuaj me idenë e përmirësimit? Bëjeni këtë si shenjë respekti për lexuesit tuaj, çkado që të jeni duke shkruar. Nëse i shkarravisni mendimet tuaja në çfarëdo mënyre, lexuesit tuaj me siguri do të ndihen se ju nuk merakoseni fare për ta. Do t’ju damkosin si egomaniakë ose kokëçorbë, ose, më keq, nuk do t’ju lexojnë më.
Zbulimi më për dreq që mund të bëni rreth vetes është se nuk e dini çka është interesant e çka nuk është. A nuk është se ju vetë pëlqeni ose nuk pëlqeni shkrimtarët kryesisht për atë që ata zgjedhin të shfaqin, ose për atë që ju bëjnë ju të mendoni? A e adhuroni ndonjëherë një shkrimtar kokëbosh për mjeshtërinë e tij/saj të gjuhës? Jo.
Kësodore, stili juaj tërheqës duhet të fillojë me idenë në kokën tuaj.
Gjejeni një temë për të cilën e vrisni mendjen
Gjejeni një temë për të cilën e vrisni mendjen dhe për të cilën ju e ndieni në zemrën tuaj se duhet ta vrasin mendjen edhe të tjerët. Kjo vramendje e çiltër dhe lojërat tuaja me gjuhën, do të jetë elementi më bindës dje joshës në stilin tuaj.
Nuk po ju shtyj të shkruani roman, meqë ta fjala – megjithëse s’do të më vinte keq nëse e shkruani një sish, me kusht që ta vrisni mendjen çiltërsisht rreth ndonjë gjëje. Një peticion kryetarit të komunës rreth një pellgu përballë shtëpisë suaj, ose një letër dashurie fqinjes suaj do të ishte në rregull.
Mos u hallakat, megjithëse
Unë nuk do të hallakatem në lidhje me këtë.
Përmbajuni të thjeshtës
Sa i përket përdorimit të gjuhës: Mbajeni në mend se dy mjeshtër të gjuhës, William Shakespeare dhe James Joyce kanë shkruar fjali që janë pothuajse fëmijërore kur temat e tyre ishin më të thellat. «To be or not to be?», pyet Hamleti i Shakespearet. Fjala më e gjatë është e gjatë tri shkronja. Joyce, kur ishte në pupa, mund të përbashkonte një fjali të gërshetuar dhe vezulluese si gjerdani i Kleopatrës, por fjalia ime e preferuar nga tregimi i tij i shkurtër ‘Eveline’, është kjo: «She was tired». Në atë pikë në tregim asnjë fjalë tjetër s’do të mund ta copëtonte zemrën e lexuesit siç e bëjnë ato tri fjalë. Thjeshtësia e gjuhës jo vetëm që është e respektueshme, por mbase edhe e shenjtë. Bibla hapet me një fjali që do t’i kishte hije shkathtësisë së një të riu katërmbëdhjetëvjeçar: «Në fillim Zoti e krijoi qiellin dhe tokën».
Kini guximin të shkurtoni
Mund të jetë se ju, po ashtu, jeni të zotët të sajoni gjerdane për Kleopatrën, si i thonë fjalës. Por elokuenca juaj duhet të jetë shërbëtore e idesë në mendjen tuaj. Rregulli juaj mund të jetë ky: Nëse një fjali, s’ka rëndësi sa e shkëlqyeshme është, nuk hedh dritë mbi temën tuaj në një mënyrë të re, flakeni tutje.
Tingëlloni vetja juaj
Stili i shkrimit që është më i natyrshmi për ju ka pasur jehonë në fjalimet që i keni dëgjuar kur ishit fëmijë. Anglishtja ishte gjuhë e tretë për romancierin Joseph Conrad dhe ajo që duket më pikantja në anglishten e përdorur prej tij është pa dyshim e ngyrosur nga gjuha e tij e parë, që ishte polonishtja. Njëmend fatlum është shkrimtari që është rritur në Irlandë, se anglishtja e folur atje është aq mahnitëse dhe muzikale. Unë vetë jam rritur në Indianapolis, ku e folura e përditshme tingëllon si një sharrë që pret llamarinën e galvinizuara dhe përdoret një fjalor ornamental si çelës anglez.
Në disa vende shumë të thella të Appalachias fëmijtë rirten ende duke dëgjuar këngë dhe lokucione të periudhës elizabetiane. Po, dhe shumë amerikanë rriten duke e dëgjuar një gjuhë përveç anglishtes, ose një dialekt të anglishtes që shumica e amerikanëve nuk mund ta kuptojnë.
Të gjitha llojet e fluturave janë të bukura. S’ka rëndësi cila është gjuha juaj e parë, ju duhet ta ruani atë gjithë jetën. Nëse ndodh të mos jetë anglishtja standarde dhe nëse e manifeston veten kur jeni duke shkruar në anglishten standarde, rezultati është zakonisht i kënaqshëm, si një vajzë shumë e bukur me njërin sy të gjelbër dhe tjetrin të kaltër.
Unë vetë e shoh se i besoj shkrimit tim më së shumti, po edhe të tjerët duket se i besojnë më së shumti, po ashtu, kur tingëlloj si një person nga Indianapolisi, çka edhe jam. Çfarë alternativash kam? Ajo që rekomandohet më me vrull nga mësuesit s’ka dyshim se është kërkuar prej jush, pra: të shkruani si angezët e edukuar të një shekulli më parë a më shumë.
Thuajeni atë që mendoni ta thoni
Mësues të tillë ma patën nxjerrë shpirtin, por jo më. Tash e kuptoj se të gjitha ato ese të vjetra dhe tregime me të cilat duhej ta krahasoja punën time nuk ishin të mrekullueshme për datshmërinë a për huajën e tyre, por ngase thoshin saktësisht atë që autorët e tyre mendonin të thoshin. Mësuesit e mi donin që unë të shkruaja me kujdes, duke përzgjedhur gjithmonë fjalët më efektive dhe duke i lidhur fjalët me njëra-tjetrën pa i lënë vend ambiguitetit, në mënyrë të thuktë, si pjesët e makinës. Mësuesit nuk donin të më kthenin në anglez, pas së gjithash. Ata shpresonin të bëhesha i kuptueshëm – paskëtaj i kuptuar.
Kësodore ëndrrat e mia nisën të bënin me fjalë atë që Pablo Picasso bënte me bojërat, ose atë që çdo idol i jazzit bënte me muzikën e tij. Nëse unë do t’i shkelja të gjitha rregullat e pikësimit, sikur fjalët të nënkuptonin atë që doja të nënkuptonin dhe t’i bëja varg ashtu shkel e shko, thjesht nuk do të kuptohesha. Edhe ju, po ashtu, më mirë është të shmangni stilin e Picassos, ose stilin e shkrimit jazz, nëse keni diçka të vlefshme për të thënë dhe dëshironi që unë të jem i kuptuar.
Lexuesit tonë duan që faqet tona të duken bukur shumë si faqet që i kanë parë më herët. Kjo ndodh ngase ata vetë kanë një punë të rëndë për të bërë dhe iu duhet e gjithë ndihma që mund ta marrin prej nesh.
Mëshirojini lexueit
Ata duhet të indentifikojnë mijëra shenja të vockla në letër dhe t’ua gjejnë kuptimin menjëherë. Ata duhet të lexojnë, një zanat aq i zorshëm sa shumica e njerëzve nuk e zotërojnë përnjëmend edhe pasi që ta kenë studiuar gjatë gjithë shkollës fillore dhe të mesme – dymbëdhjetë vjet të gjata.
Pra ky diskutim duhet më në fund ta pranojë se opsionet tona stilistike si shkrimtarë janë as të numërta as të magjepsëse, meqë lexuesit tonë janë të destinuar të jenë artistë të papërsosur. Audienca jonë na e kërkon të jemi mësues simpatikë dhe të durueshëm, edhe duke dashur të thjeshtëzojmë dhe qartësojmë – kurse ne më parë do të donim të fluturonim lart mbi turmën, duke kënduar si bilbila.
Ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është se ne amerikanët qeverisemi nga një kushtetutë unike, e cila na e mundëson neve të shkruajmë çfarë të na e ketë ëndja, pa frikën e ndëshkimit. Pra aspekti më kuptimplotë i stileve tona, që është ajo që ne zgjedhim të shkruajmë, është krejtësisht i pakufizuar.
Për këshilla shumë më të hollësishme
Për një diskutim të stilit letrar në një kuptim më të ngushtë, në një kuptim më teknik, sjell në vëmendjen tuaj librin ‘The Elements of Style’, nga William Strunk, Jr; dhe E.B. White (Macmilla, 1979). E.B. White është, natyrisht, njëri prej stilistëve letrarë më të adhurueshëm që ky vend e ka lindur deri më sot. Duhet ta kuptoni po ashtu se askush s’do të merakoset sa mirë a sa keq e ka shprehur veten z.White, sikur ai të mos kishte gjëra përsosshmërisht magjepsëse për të thënë. /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, u është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptaro amerikan, ku ndër të tjera ajo vlerëson lidhjet e fuqishme të shqiptarëve me SHBA. Në letër ajo thekson ndihmën amerikane edhe për Pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen që do të vazhdojë ta japë, në qoftë se ajo do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.
“Amerikanët shqiptarë kanë bërë kontribute të çmuara për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke treguar një angazhim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe përpjekjes për liri. Janë qindra mijëra amerikanë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndresa e komunitetit shqiptar amerikan vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, nis letrën e saj Kamala Harris.
Ajo vlerëson kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro amerikanëve, të cilët thotë se tashmë shqiptarët prej punëtorëve, bizneseve të vogla, kanë arritur në profesione të ndryshme, në mjekësi, në drejtësi, e kudo në shërbime publike.
“Amerikanët shqiptarë kanë kontribuar në mënyrë të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe angazhimin e thellë ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla deri te profesionistët në mjekësi, ligj dhe shërbimin publik, amerikanët shqiptarë kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin.
Që prej më shumë se një shekulli, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot, amerikanët shqiptarë e kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë.
Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i qëndrueshëm i NATO-s, dhe jam mirënjohës për Shqipërinë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas invazionit të egër të Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Harris.
“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur Pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.
I kuptoj sfidat unike në vendin tonë, që shumë prej komunitetit shqiptaro amerikan përballen dhe unë angazhohem për politika që e fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi me mundësi dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta” ka theksuar Kamala Harris.
“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni në këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, zëvendëspresidentja amerikane, e cila po pret votën e shtetasve amerikanë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të martën, me 5 nëntor.
Për të pestin vit radhazi në Kolonjë mbahet kolonia e piktorëve.
Mbi 50 piktorë nga trojet shqipfolëse për tre ditë do të pikturojnë atraksionet turistike dhe pamjet më të veçanta që kjo krahinë fal. Sipas tyre, vjeshta e Kolonjës në telajo rri përherë mirë, shkruan euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
“Hera e parë në Kolonjë, vij nga Gjakova. Me pëlqen shume ky vend, kam vendosur pikturoj luginen. Vjeshta në Kolonjë ka ngjyra mahnitëse”, thotë piktori Besim Dedaj.
“Është hera e disatë që vij në Kolonjë, për mua është vend i njohur. Peizazhi në vjeshtë është mrekulli me vete. Unë vij nga Durrësi, shkurt është mrekulli. Është përfitim i dyanshëm, vende të tilla, me bukuri të tilla kanë nevojë për masivitet turizmi dhe është vlerë e dyanshme”, shprehet Arben Kristani
Në perfundim të këtij aktiviteti, piktorët do të kryejnë dy punime, teksa një prej tyre do i ngelet fondit të galerisë së artit në Kolonjë, një iniciativë kjo e krijuar nga Bashkia Kolonjë.
Muzeu Kombëtar i Ikonografisë “Onufri” në Berat ka regjistruar një numër të lartë vizitorësh gjatë periudhës janar-shtator, me 90,355 turistë vendas dhe të huaj.
Sipas Qendrës Muzeore Berat, vizitorët kanë arritur tre rekorde historike këtë vit, dhe shifra më e lartë ka kulmuar në muajin shtator prej 21,252 vizitorësh.
“Vazhdon rritja e qëndrueshme e vizitorëve vendas e të huaj në Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri me plot 90355 turistë nga fillimi i këtij viti.
Në harkun e një viti janë 3️ rekorde historike në numra vizitorësh brenda një muaji, që kulmuan këtë shtator me 21252 vizitorë!”- bën me dije Qendra Muzeore Berat.
Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI.
Katedralja përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit./ KultPlus.com
Bilbil Vlora një nga interpretuesit më të njohur të muzikës qytetare me saze, është kujtuar përmes aktivitetit “Rikthim, Polifonia labe” në Qendrën për Hapje dhe dialog.
Nëntori i festave kombëtare erdhi në kujtim të mjeshtrit dhe themeluesit të traditës muzikore me saze në Vlorë, ku një shekull më parë regjistroi në kompaninë diskografike “Columbia”, këngën e Selami Musait.
“Mjeshtri Bilbil Vlora ishte talent i përmasave botërore. Kontributi i tij lidhet me fytyrën identitare që duhet të kishte qyteti shqiptar që po dilte nga periudha e pas shpalljes së pavarësisë. Kur qytetet shqiptare filluan që të formësoheshin si qytetet, lindi nevoja që të kishin një muzikë popullore. Bilbil Vlora e kishte të vështirë për pjesën e Labërisë, sepse qytetet e Labërisë ishin më pak të zhvilluara se qytetet e tjera. Ky bëri të njëjtën gjë. Të gjithë muzikën e bukur e mori dhe i shndërroi në një lëndë të parë muzikore, për Vlorën”, tha Vasil Tole, etnomuzikolog, për mediat.
Aktiviteti u shoqërua me performancë muzikore dhe valle, ndërsa mjeshtrin Bilbil Vlora e kanë konsideruar si muzikantin e pavarësisë.
“Vepra mban brenda shpirtin e historisë, kujtesën e një populli he vazhdimësinë e një trashëgimie të çmuar. Kënga e Selam Musait që në vite është bërë simbol i krenarisë dhe qëndresës shqiptare vjen sot me një formë të re, e gjallë dhe plot shpirt”, u shpreh kompozitori Klodian Qafoku.
Gjetja dhe konservimi prej stërnipit i disa disqeve origjinale gramafoni të regjistruara nga Bilbil Vlora erdhi në kuadër të studimit të artefakteve kulturore në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë.
“E gjithë kjo fillon kur isha fëmijë dhe dëgjoja për stërgjyshin. Bëhesha shumë kurioz se çfarë ka bërë ky emër. Shkova në Korçë dhe dëgjoj për herë të parë zërin e tij dhe e kuptova madhështinë e tij. Të dëgjoje zërin e tij ishte diçka e papërshkruar”./ KultPlus.com