Agroturizmet zgjerojnë ofertën turistike të Tiranës

Oferta e Tiranës në fushën e agroturizmit është e larmishme dhe sa vjen diversifikohet edhe më shumë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau historinë e Rizvanit, të riut 25 -vjeçar që me guxim, ide dhe dashuri për natyrën, ndërtoi kabinat e drurit, “Funky Cabin”, mes kodrave të liqenit të Çerkezit, pak minuta larg Tiranës.

“Pika agroturistike “Funky Cabin”, është kthyer në një tjetër histori suksesi”, tha Denaj.

“Sot, është e vështirë të gjesh një prej tyre të lirë, sepse turistë nga e gjithë bota shkojnë çdo ditë për të kaluar natën nën yjet e këtij oazi magjik, të ndërthurur me përvojën autentike të kulinarisë shqiptare me prodhime “Made in Albania””, theksoi Denaj.

Ajo tha se, përmes mekanizmave të reja të financimit qeveria synon të nxisë më tej investimet në agroturizëm.

“Me linjën e financimit të Kredisë së Butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, u shpreh Denaj.

Ndërsa Rizvani, tregoi se, ideja për ngritjen e kësaj sipërmarrjeje lindi gjatë kohës së pandemisë COVID në 2020-ën.

“Fillimisht unë ndërtova kabinën e parë prej druri në oborrin e shtëpisë time dhe me të ardhurat që sigurova nga kjo dhomë ndërtova edhe dy kabina të tjera dhe sot në zonën piktoreske të Çerkezit janë të ndërtuara 14 dhoma”, tha ai.

Sipas tij, ky investim i kthyer në një pikë agroturistike ofron akomodim, shërbim me mëngjes dhe darkë, shëtitje me varka në liqen, ecje dhe shëtitje me kuaj.

“Aktualisht kemi një kapacitet prej 30 personash, ndërsa kërkesa është dyfish më e lartë, ndaj po punojmë për të zgjeruar më tej këtë investim”, u shpreh Rizvani, ndërsa vuri në dukje se po punon për ngritjen e restorantit dhe zgjerimin e bashkëpunimit me fermerët e zonës për prodhimet bujqësore./atsh/ KultPlus.com

Kumbaro: Glamping Albania Adventure, model që bashkon përvojën e kampingut me komoditetin

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka vizituar Glamping Albania Adventure, një kamping buzë Vjosës që bashkon përvojën e kampingut me komoditetin.

“Glamping Albania Adventure është një lule e re që ka mbirë buzë Vjosës, model që bashkon përvojën e kampingut me komoditetin, një përvojë krejtësisht ekologjike, me energji 100% të pastër e në respekt të plotë me natyrën duke nxitur akoma më shumë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës së Përmetit përmes eksperiencave të sporteve ujore, ekoturizmit dhe agroturizmit si një xhevahir për promovimin e ekonomive lokale”, shkruan Kumbaro në rrjetet sociale.

“Është fantastike sesi mundet nga një aventurë sportive personale e viteve të shkuara për të bërë rafting, mbërrijmë sot në një strukturë si kjo, me një hapësirë si kjo, në buzë të Vjosës, në një hapësirë në të cilën kemi kapacitete akomoduese rreth 80 shtretër për të gjitha grupmoshat, për familjarë, për fëmijë, e cila do të shkojë paralel, me mbrojtjen e natyrës, me respektimin e peizazhin, me zhvillimin  enjë ekonomie ndihmëse siç është kopshtaria”, thekson Kumbaro.

Kumbaro shton se, kur flasim për zhvillim të qëndrueshëm nuk është e pamundur edhe në një zonë të mbrojtur.

“Ky është një koncept sesi ti mund të zhvillosh turizëm miqësor me mjedisin, me biodiversitetin dhe madje ta duash edhe më shumë natyrën”, thotë ministrja Kumbaro. /atsh/ KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Prizren

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbajë me Orkestrën Frymore të Filharmonisë, në Autostrada Hangar- Prizren.

Nën dirigjimin e Dario Salvit dhe me pjesëmarrjen e violoçelistit virtuoz Konstantin Manaev, orkestra do të sjellë Koncertin për violonçel dhe orkestër frymore nga kompozitori Friedrich Gulda.

Po ashtu, orkestra do të interpretojë edhe vepra nga: Peter Josef von Lindpaintner (Uvertura “Joko”), Adolphe Adam (Uvertura “Mbreti i Yvetot-it”) dhe Ralph Vaughan Williams (Suitë me këngë popullore angleze).

Koncerti mbahet më 15 prill, nga ora 19:30, në Autostrada Hangar në Prizren./ KultPlus.com

Spiropali mesazh viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Ju nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar sot në Ditën Përkujtimore të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

“Sot, në 14 prill, në Ditën Përkujtimore të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, mendimet tona shkojnë te 20 mijë gratë a vajzat, viktima të këtyre akteve çnjerëzore.

Por edhe te fëmijët, djemtë e burrat që e kanë vuajtur këtë dhunë po me kaq dhimbje, por në heshtje shurdhuese nga stigma e turpërimit dhe mospranimit shoqëror”, shprehet Spiropali në reagim.

“Pasojat e luftërave dhe konflikteve nuk janë vetëm politike, ushtarake, shtetërore apo etnike. Mizoritë e tyre lenë pasoja e trauma për popullsinë civile, fëmijë, gra dhe qytetarë të pafajshëm, sepse zgjojnë instinkte dhe inkurajojnë veprime barbare, mes tyre edhe dhunën seksuale”, thekson Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit jep edhe një mesazh për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se ato nuk janë vetëm.

“Kam sot një mesazh për viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë dhe zërat e guximshëm që janë bërë edhe zë i atyre që nuk munden: Ju nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm, sepse drita do ta mundë errësirën, e mira do ta mposhtë të keqen, e vërteta do të triumfojë mbi heshtjen, drejtësia do të sundojë mbi padrejtësitë, paqja do të largojë tmerret e luftës dhe liria do të fitojë mbi tiraninë”, shprehet Spiropali. /atsh/ KultPlus.com

Llosa gjiganti i fundit i letërsisë latino-amerikane

Vdekja e nobelistit peruan, Mario Vargas Llosa shënoi fundin e një epoke, atë të brezit të artë të letërsisë latino-amerikane, përfaqësuesi i fundit i madh i së cilës ai ishte.

I lindur në një familje peruane të shtresës së mesme, Mario Vargas Llosa ishte një nga protagonistët e mëdhenj të bumit letrar të Amerikës Latine të viteve 1960 dhe 1970, së bashku me kolumbianin Gabriel Garcia Marquez dhe argjentinasin Julio Cortazar.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se babai ynë Mario Vargas Llosa ndërroi jetë sot në Lima, i rrethuar nga familja dhe në paqe”, njoftoi djali i tij Alvaro në një mesazh në X, të firmosur edhe nga vëllai i tij Gonzalo dhe motra e tij Morgana.

Qeveria peruane ka shpallur 14 prillin ditë zie kombëtare dhe ka njoftuar se flamujt në ndërtesat publike do të jenë në gjysmështizë.

Familja nuk specifikoi shkakun e vdekjes së tij, por shëndeti i shkrimtarit ishte i brishtë që nga kthimi i tij në Lima në vitin 2024, pas largimit nga Madridi.

Prej disa muajsh ai jetonte i izoluar nga jeta publike.

“Vdekja e tij do të trishtojë familjen, miqtë dhe lexuesit e tij anembanë botës, por shpresojmë se ata do të gjejnë ngushëllim, si ne, në faktin se ai pati një jetë të gjatë, të larmishme dhe të frytshme”, shtuan fëmijët e tij.

Jashtë shtëpisë së shkrimtarit me pamje nga oqeani Paqësor në lagjen boheme të Barrancos, një grup i vogël njerëzish u mblodhën në heshtje në lajmin e vdekjes së tij, duke mbajtur kopje të veprave të tij.

“Ai ishte një referencë shumë e rëndësishme për mua, ai tha se letërsia i kishte shpëtuar jetën”, tha një Gustavo Ruiz dukshëm i prekur, një filozof që erdhi për t’i bërë nderimet e fundit shkrimtarit para shtëpisë së tij.

“Asnjë ceremoni publike nuk do të bëhet”, njoftoi familja e shkrimtarit, e cila bëri me dije se eshtrat e tij do të digjen.

Mjeshtër i mjeshtrave

Në një mesazh të publikuar në X, presidentja peruane Dina Boluarte shpreh keqardhje për vdekjen e shkrimtarit.

“Gjenia e tij intelektuale dhe vepra e madhe e tij do të mbeten një trashëgimi e qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, tha ajo.

Presidenti i Guatemalës Bernardo Arévalo e quajti shkrimtarin “një kronist i madh i Amerikës hispanike dhe një interpretues perceptues i rrugëve dhe fateve të saj”.

Ish-presidenti kolumbian Alvaro Uribe e quajti atë “mjeshtri i mjeshtrave”, ndërsa zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së Christopher Landau tha se “temat dhe interesat e tij ishin të përjetshme dhe universale”.

“Letërsia në gjuhën spanjolle i jep lamtumirën Mario Vargas Llosa-s, mjeshtër universal i fjalës”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në X.

Shkrimtari peruan Alfredo Bryce Echenique, autor i “Një botë për Julius” dhe mik i Mario Vargas Llosa, tha në radion RPP se vdekja e tij ishte “një zi për Perunë, sepse askush nuk na ka përfaqësuar aq shumë në botë sa ai, me punën e tij në përgjithësi, këmbënguljen, pastërtinë dhe pafundësinë e tij”.

I lindur në Arequipa më 28 mars 1936, Mario Vargas Llosa i kaloi muajt e tij të fundit i rrethuar nga familja e tij, larg ngjarjeve publike.

Që prej muajit tetor, ai ishte shfaqur në disa foto të publikuara nga djali i tij Alvaro në rrjetet sociale, duke e shfaqur atë në vende emblematike të kryeqytetit që e kishin frymëzuar të shkruante disa nga veprat e tij më domethënëse.

Shëndeti i Vargas Llosa u përkeqësua ndjeshëm nga viti 2023 e në vazhdim, pasi ai u shtrua në spital për Covid-19 ndërsa jetonte në Spanjë, shteti nga i cili kishte marrë shtetësinë në vitin 1993.

I admiruar për përshkrimin e realiteteve shoqërore, autori i kryeveprave si “Qyteti dhe qentë” dhe “Biseda në katedrale” u kritikua gjithashtu nga qarqet intelektuale të Amerikës së Jugut për pozicionet e tij konservatore.

I përkthyer në rreth 30 gjuhë, ky autor frankofil, i cili jetoi për disa vite në Paris, ishte shkrimtari i parë i huaj që hyri në koleksionin prestigjioz ”Pléiade” gjatë jetës së tij në vitin 2016.

Ai u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze në vitin 2021./ atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton viktimat e masakrës së lagjes së Kovaçëve

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka përkujtuar viktimat e masakrës së lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë.

Ajo shkruan se kujtesa për ta është detyrim moral dhe mbetet përkushtim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë reale, transmeton klankosova.tv.

Më 14 prill 1999, forcat paramilitare serbe masakruan mizorisht 31 banorë të lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. U masakruan në shtëpitë dhe rrugët e tyre, në lagjen e tyre, aty ku duhej të ndiheshin të sigurt. Këta burra, gra e fëmijë do të kujtohen përherë. Kujtesa për ta është detyrim moral dhe përkushtim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Krimet e tilla nuk harrohen, ndërkaq drejtësia për ta mbetet synim i vazhdueshëm i yni.

Vdes aktorja e njohur britanike Jean Marsh

Aktorja dhe bashkëkrijuesja e filmit “Upstairs, Downstairs” Jean Marsh ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

Ylli britanik fitues i çmimit Emmy gjithashtu bashkëkrijoi serialin dramatik historik “The House Of Eliott”.

“Jean ndërroi jetë në mënyrë paqësore në shtratin e saj, e përkujdesur nga një prej ndihmësve të saj të dashur”, deklaroi miku i saj, regjisori Michael Lindsay-Hogg në një deklaratë.

”Mund të thuash që ishim shumë të afërt për 60 vjet. Ajo ishte aq e mençur dhe gazmore sa askush që kam takuar ndonjëherë, dhe shumë e bukur dhe e sjellshme dhe një aktore dhe shkrimtare e talentuar”, shtoi ai.

Marsh ishte më e njohur për interpretimin e rolit të Rose në serialin televiziv dramatik britanik “Upstairs, Downstairs”, të cilin e krijoi bashkë me Eileen Atkins.

Për performancën e saj, ajo fitoi një Emmy në ceremoninë e çmimeve të vitit 1976 në kategorinë e aktores më të mirë kryesore në një miniserial./atsh/ KultPlus.com

Udhërrëfyesit kulturorë trajnohen për ture të specializuara për vizitorët e verbër

Bashkëpunimi mes EU4Culture, UNOPS dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit solli laboratorin dyditor: “Laborator për Guida Kulturore të Aksesueshme”, ku udhërrëfyes të turizmit kulturor dhe muzeve u trajnuan për të krijuar përvoja gjithëpërfshirëse për vizitorë të verbër dhe me shikim të kufizuar.

Trajnimi unik u udhëhoq nga një eksperte britanike e përshkrimit audio, e vlerësuar me çmime të shumta, Anne Hornsby. Ajo është themeluese e “Mind’s Eye” në vitin 1992 dhe lidere në sektorin e aksesibilitetit të teatrit, baletit, operës, filmit, galerive dhe muzeve.

Duke bashkuar ekspertizën ndërkombëtarisht të njohur të Anne në përshkrimin audio dhe aksesueshmërinë, me njohuritë e specializuara mbi trashëgiminë kulturore, pjesëmarrësit mësuan të krijojnë narrativa tërheqëse dhe të aksesueshme si për ture në site të hapura, ashtu edhe në mjedise të brendshme. Tashmë 10 udhërrëfyes kulturorë janë gati të ofrojnë ture të veçanta e të specializuara, të aftë për të punuar si në institucionet publike, ashtu edhe në sektorin privat, duke siguruar që trashëgimia e pasur kulturore e Tiranës të jetë vërtet e hapur për të gjithë.

Nën udhëheqjen e Anne Hornsby, pjesëmarrësit në trajnim punuan me video reale dhe ushtrime praktike për të mësuar si të përkthejnë imazhin në përshkrim të qartë, të saktë dhe plot imagjinatë, për t’i bërë imazhet të dëgjueshme e të prekshme./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kjo ditë nuk është vetëm një kujtim, por edhe një kërkim drejtësie

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka përkujtuar 14 prillin, Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, duke u shprehur se kjo ditë nuk është vetëm një kujtim, por edhe një kërkim drejtësie.

“14 prilli është një ditë që nuk është vetëm kujtim, por edhe kërkim drejtësie, ngritje e zërit për mijëra gra, burra e fëmijë, që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se qëndresa dhe guximi i tyre janë inspirim për secilin prej nesh. Vasfija, Shyretja e shumë gra të tjera, e tani Ramadan Nishori e shumë burra, asnjëherë nuk u dorëzuan përballë dhimbjes. Zgjodhën të bëhen zë për veten dhe për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. U bënë zëri i së vërtetës dhe i drejtësisë.

“Do të jemi me të gjithë të mbijetuarit sot e çdo ditë, në këtë rrugëtim. Plagët janë ende të hapura, por lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë”, ka shkruar Osmani.

Në videon e shpërndarë nga Osmani, Vasfije Krasniqi është shprehur se qëndron këtu para botës sepse historia ime është historia e shumë grave, burrave përfshirë edhe fëmijëve të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, në vitete 1998 dhe 1999./KultPlus.com

Libri më i ri i Bajram Kosumit “Revolucioni 1981” do të promovohet në Gjilan

Bajram Kosumi sapo është paraqitë me botimin e tij më të ri “Revolucioni 1981”, dhe promovimi i këtij libri do të mbahet në Gjilan, shkruan KultPlus.

Promovimi do të bëhet më 17 prill në ora 15:00 në Amfiteatrin B01 të Universitetit “Kadri Zeka” dhe do të moderohet nga Merxhan Avdyli.

Të pranishmit do të kenë mundësinë të diskutojnë me autorin për librin, sikurse edhe për krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij.

Ky libër përfshinë organizimin e demonstratave të vitit 1981, ku nëpërmjet autorit është  analizuar ndikimi i demonstratave në proceset politike e kulturore në Kosovë, në Jugosllavi, në Shqipëri dhe në rrënimin e komunizmit sovjetik./ KultPlus.com

Patrick Mons: Me “Pas Luftës” Robert Nuha përshkon historinë e vendit të tij në një sërë tablosh të matura

Me “Pas Luftës” Robert Nuha përshkon historinë e vendit të tij në një sërë tablosh të matura, të banuara dhe të fuqishme. Ai luan me një kujtesë të plagosur që nuk është aq e largët sa të mos përshkojë çdo gjest, çdo notë, çdo cep të hapësirës skenike.

Shkruan: Patrick Mons, regjisor dhe aktor

Kolektivi i kërcimtarëve/muzikantëve/rrëfimtarëve të krijuar kështu shpalos përrallën epike të një vendi që është i tyre. Një vend që, si ata që e jetojnë, që e vibrojnë para dhe për ne, tundet, përzë demonët sa më mirë, angazhon trupin dhe ngre kokën.

Ne ndiejmë në fijet e secilit se secili ka kujtesën e tij, secili poezinë e tij të veçantë, por edhe se dëshira e përbashkët për të rindërtuar atje një dhe të njëjtin vend është e pandarë! Kjo është forca e skenografisë së Robertit, një forcë e pazakontë që shfaqet gjatë gjithë shfaqjes.

Muzika (si tradicionale ashtu edhe moderne) dhe fjalët bashkohen bukur me kërcimtarët “në fluturim të plotë”. Ashtu si Pina Bausch, Robert Nuha i lartëson njerëzit duke i dashur thellësisht. Dhe le të kërcejë shpresa!/KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale: Zëri ynë do të vazhdojë të dëgjohet për drejtësi

Në 14 prill, Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas dy të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyhrete Tahiri-Sylejmani është shprehur se do të ngrejnë zërin kundër dhunës dhe kundër përjetimeve më të llahtarshme që regjimi serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës.

“Në këtë 14 prill si dhe në çdo ditë të vitit ne ngrejmë zërin tonë bashkë me Vasfijen dhe Shyhreten por edhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës. Ngrejmë zërin tonë kundër dhunës, kundër një përjetimeve më të llahtarshme që regjimi serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës, dhunimin seksual gjatë luftës por mbi të gjitha ngrejmë zërin tonë për drejtësi”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se drejtësia ka munguar për këto 26 vite për të gjithë të mbijetuarit e dhunës në Kosovë.

“Zëri ynë do të vazhdojë të dëgjohet edhe tash e tutje, zëri i të mbijetuarve dhe të vërtetës së Kosovës është dëgjuar nga OKB, nga Amerika Latine në Afrikë e në çdo kontinent tjetër sepse është zëri i të vërtetës. Është qëndrueshmëria e grave dhe burrave që nga sot kanë dal të flasin publikisht që e bën Kosovën një shembull të asaj se si duhet të luftohet për të vërtetën dhe drejtësinë”, ka shtuar tutje presidentja.

Ndërsa, Vasfije Krasniqi – Goodman është shprehur se kjo ditë për të ka qenë një ditë shumë e vështirë por nga sot do të shndërrohet në forcë.

“Unë jam krenare që zëri im i ka thyer heshtjet dhe tabutë në shoqërinë tonë dhe i lus të gjitha viktimat të flasin për atë që ju ka ndodhur”, u shpreh ajo.

Kurse, Shyhrete Tahiri-Sylejmani ka falënderuar presidentën që ka ngritur zërin dhe ka shtuar se kjo ditë është shumë e rëndësishme.

“Lus të gjithë të mbijetuarit të kenë guximin të dalin dhe të flasin sikur na”, shtoi ajo./KultPlus.com

‘Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë, si bima prej fare në pranverë’

Poezi nga Martin Camaj

Më falni diçka

Më falni diçkà që më kënaq
si puthja e nanës në ballë;
më gëzoni nji herë
si gëzohet gjethi i njomë në puhí,
më shikoni si hana nëpër rremba
e kam me u falë gjithçka:
mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
dhe në zgavrrat e synit të sáj
do të derdhi lòt.
Avitu, njerí!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
si bima prej fare në pranverë. / KultPlus.com

Majlinda Bregasi vjen me romanin “Shtëpia pa pasqyrë”, promovohet të mërkurën

Libri “Shtëpia pa pasqyrë” nga autorja Majlinda Bregasi do të promovohet më 16 prill, ditën e mërkurë, në orën 19:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nëna Terezë”). Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë: Majlinda Bregasi, autore e librit; Albulena Blakaj, redaktore letrare e librit dhe Latif Mustafa, studiues i filozofisë.


“Shtëpia pa pasqyrë” sjell histori njerëzish me fëmijëri të grabitur. Përmes tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hendekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre.
Një shtëpi ku mungojnë pasqyrat, ku reflektimi bëhet i pamundur, shndërrohet në metaforë universale që ngacmon lexuesin t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: A je ky njeriu që doje të ishe?

Ky roman prekës dhe befasues është një eksplorim i thellë i kujtesës kolektive të një populli të cilit historikisht i është kërcënuar ekzistenca. Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare./ KultPlus.com

Do të vij

Poezi e shkruar nga Drita Çomo

Do të jetë mëngjes dhe unë do të vij patjetër,
Pas avullit të xhamave ti më prit.
Do më ketë rënë pluhur mimozash në flokë,
Dhe pluhur dashurie në shpirt.

Do dalë dielli dhe do të jetë ngrohtë,
Avujt e ëndrrave do shkrijnë ngadalë.
Ne do të presim pranë tyre pa folur,
Gjersa të behen të qarta, të qarta si kristal.

Pastaj s’do ketë më as mëngjes, as botë,
Do jemi vetëm unë dhe ti.
Ti do më prekësh me gishta në flokë,
Në pluhur mimozash dhe dashurish. / KultPlus.com

Më 14 prill 1966, arkeologët shqiptarë zbuluan Amfiteatrin më të madh në ballkan, Amfiteatrin e Durrësit

Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar 19 shekuj më parë, ndërsa për ekzistencën e tij kishte prova edhe para zbulimit të tij. Njëra prej tyre ishte edhe një mbishkrim i gjetur në muret e kalasë së qytetit, në lidhje me luftimet e gladiatorëve në amfiteatër.

Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.

Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.

Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.

Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.

Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit. / KultPlus.com

Slow Mill dhe ditët e kulturës shqiptare në botë

Java e Dizajnit në Milano u mbyll me një sërë aktivitetesh që lidheshin edhe me kulturën shqiptare.

Krahas aktiviteteve të panairit ishin dhe ato të “Fuorisalone 2025”, në qendrën kulturore Slow Mill në Milano. Shqipëria u prezantua me ekspozita pikture, stand-up comedy, muzikë, filma dhe aktivitete kulinarie.

Shef Sokol Prenga prezantoi platformën ‘Albchef2025’, një mjet që synon të vlerësojë, promovojë dhe lidhë shefat dhe profesionistët e sektorit HORECA me origjinë shqiptare në mbarë botën. Shqiptarë e të huaj kanë shijuar bimë, vajra, verëra dhe produkte gastronomike shqiptare të jashtëzakonshme.

Projektet e sjella nga qendra kulturore Slow Mill, patën mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si pjesë të programit “CulturaAlb – Ditët shqiptare në botë”, për të zbuluar më të mirën e kulturës shqiptare./atsh/KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Ramadan, do të jem përkrahja më e madhe

Ramadan Nishori është viktimë e dhunës seksuale nga forcat serbe, i cili sapo ka folë publikisht për këtë akt që e ka mbajtë në vete për 26 vjet me radhë.

Vasfije Krasniqi është gruaja e parë që ka folë publikisht për dhunimet nga forcat serbe, dhe edhe me këtë rast i është drejtuar me një letër mbështetëse Ramadan Nishorit. KultPlus ju sjell të plotë letrën e saj.

I dashur Ramadan,

E kujtoj qartë ditën kur më thirre për herë të parë, në vitin 2018, për të ndarë dhimbjen tënde me mua. Atëherë e ndjeva peshën e fjalëve tua dhe ashtu si atëherë, edhe sot, më kujtohen lotët e tu, lotë që flisnin më shumë se çdo fjalë. Në çdo bisedë tonën, në çdo takim, unë e ndjeja thirrjen tënde për drejtësi, për mirëkuptim, për shërim. Dhe atëherë, ashtu si sot, ta thashë me gjithë zemër: do të jem pranë teje, çdo ditë të jetës sime.

Do të jem përkrahja jote më e madhe, jo sepse më ke zgjedhur, por sepse e meriton. Dhimbja dhe vuajtja jote nuk janë vetëm e kaluara jote, por një barrë që ti e ke kthyer në forcë dhe në zë për të gjithë ata që nuk mund të flasin ende.

Të jetosh në një shoqëri kaq patriarkale, ku burrat mësohen të heshtin, ku dhimbja maskohet me forcë dhe ku plagët nuk pranohen – dhe të marrësh guximin të dalësh para botës dhe të flasësh për dhunën seksuale që ke përjetuar – është një akt që frymëzon. Është një dritë në një rrugë të errët. Ti je shembull për gjithë ne, në këtë vend, në këtë kohë.

Përkulem me respekt para forcës tënde, para vullnetit tënd për të mos u dorëzuar, për të luftuar për të vërtetën tënde. Faleminderit edhe familjes tënde, që u bë krah dhe mbështetje, që të qëndroi afër kur rruga ishte më e vështirë.

Ky rrugëtim, Ramadan, nuk është i lehtë. Është i mbushur me pengesa, me mosbesim, me stigma. Por është i domosdoshëm. Jo vetëm për ty, por për të gjithë ne. Shpresoj me gjithë zemër që shoqëria jonë të të trajtojë me respektin dhe dinjitetin që e meriton, dhe që shteti të njohë dhe të vlerësojë aktin tënd të guximshëm – sepse ajo që ke bërë ti sot është më shumë se rrëfim, është histori që do të ndryshojë jetë.

Me respekt dhe përqafim të ngrohtë,

Vasfije Krasniqi Goodman./ KultPlus.com

93 vite nga lindja e aktorit Pirro Mani

Pirro Mani (Korçë, 14 prill 1903 – Berat, 1 qershor 1993) ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar.

Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.

Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.

Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.

Pirro Mani u nda nga jeta ne moshën 89 vjeçare me 1 Qershor 1993 në Berat, kupër shumë vite jetoi me familjen, fëmijët dhe gruan, aktoren Pavlina Mani./KultPlus.com

Nishori, burri i parë që bën publik rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Ramadan Nishori ka rrëfyer publikisht përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 22-vjeçar.

“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka thënë ai, në shënimin e Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës.

“Jam këtu që të mos mbetem rob i së kaluarës”, ka potencuar Nishori, raporton RTK.

Ai ka shpalosur rrëfimin e tij në organizimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke u bërë burri i parë që del në mënyrë publike me ngjarjen që ia kanë shkaktuar forcat serbe.

“Kur themi ‘zëri im është forca ime’ ne po e njohim dhe vlerësojmë guximin për të folur. Poashtu po i japim zë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është një hap veç i një të mbijetuari, por hap përpara për gjithë shoqërinë tonë drejt dhembshurisë, drejtësisë dhe daljes së të vërtetës në pah”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së.

Rushiti ka thënë se pas 26 vjetëve mund të përpjekjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale, tashmë pas 22 vjetëve është një rast i konfirmuar nga Gjykata Supreme, mbi 10 aktakuza të ngritura, ndërkaq fëmijët e të mbijetuarve marrin shërbime ndihmuese./ KultPlus.com

104 vite më parë lindi aktori Pandi Raidhi

Pandi Raidhi ishte aktor shqiptar i teatrit dhe kinemasë i shekullit të XX.

Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 në shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjeherë simpatinë e publikut korçar.

Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.

Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958. Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysëm shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.

Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtesinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën. Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte.

Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.

Disa nga projektet kinematografike në të cilat mori pjesë janë: Njerëz në rrymë, Familja ime, Përsëri pranverë, Rrethimi i vogël, Duaje emrin tënd, Kush vdes në këmbë, Nëntori i dytë, Shoqja nga fshati, Partizani i vogël, Agimet e stinës së madhe, Liri a vdekje, Ne vinim nga lufta, Flamur në dallgë, Përballimi, Monumenti, Tokë e përgjakur, Zonja nga qyteti, Beni ecën vetë, Rrugicat që kërkonin diell, Shpërthimi, Shtigje të luftës, Krevati i perandorit, Yjet e netëve të gjata, Kur zbardhi një ditë, Mëngjeze lufte, I teti në bronz, Horizonte të hapura, Vitet e para, Tana etj.

Vdiq në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999./KultPlus.com

Filmat e rinj të kinematografisë italiane në kinema “Millennium”

Fundjavën që lamë pas, në kinema “Millennium” nisi cikli i filmave të rinj të kinematografisë italiane, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

Cikli “Italian Screens” nisi me filmin “Gloria” të regjisores Margherita Vicario, një film që ngre lart forcën, vendosmërinë dhe kërkimin e vetvetes. Filmi i shfaqur në “Millennium” ka marrë tri kandidatura dhe ka fituar një çmim Nastro d’Argento.

Të pranishëm në çeljen e këtij cikli ishin kineastë dhe adhurues të kinematografisë italiane. Programi përfshinte edhe projeksionin e filmit të animuar për fëmijë, “La bicicletta di Bartali”, i regjisorit Enrico Paolantonio, i pranishëm gjatë shfaqjes së filmit.

Një film i bën jehonë heroizmit dhe vendosmërisë së Gino Bartalit, një nga çiklistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Bartali vjen në film si një njeri që bëri shumë më tepër sesa të pedalonte, ai shkroi historinë e çiklizmit.

Një tjetër film që u shfaq në “Millennium” ishte filmi autobiografik “Il tempo che ci vuole” nga regjisorja Francesca Comencini.

Instituti Italian i Kulturës shkroi online se ky cikël është një mundësi për të mos u humbur për adhuruesit e kinemasë, sporteve dhe historisë italiane./atsh/KultPlus.com

Letra e Simone de Beauvoir për të dashurin amerikan: Parisi më duket i trishtë pa ty

Nelsoni im,

Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?

Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua. 

Nga libri “Dashuri Trasantantike”.

Përkthyese: Alda Bardhyli / KultPlus.com