‘Wine & Stories’, mbi 5 mijë vizitorë në sheshin e Beratit

Fundjava që kaloi mblodhi në Berat mbi 5 mijë vizitorë dhe turistë u mblodhën për tri netë në sheshin kryesor të qytetit për të festuar për verën.

“Wine & Stories of Berat” mblodhi 41 kantina, 34 nga Shqipëria e Kosova dhe 7 nga Italia, të cilat morën në fund edhe çmime për verërat më të mira.

Somelierët Darrel Joseph, Mauro Porcu dhe Paul Breus dhanë 7 çmime bronz, 53 silver dhe disa çmime gold.

Në këtë festë morën pjesë personalitete të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik. Ky është një ndër aktivitetet më të mëdha të  kalendarit të festave, që organizohen në Berat.

Të surprizuar nga suksesi i festivalit janë edhe kantinat e qytetit.

Një prej sipërmarrësve të kantinave, tha se “festivali këtë vit shkoi përtej pritshmërive tona dhe shumë më mirë se viti i kaluar. Pjesëmarrja e njerëzve ka qenë masive nga Shqipëria dhe nga bota”.

“Mendoj që vendndodhja këtë vit, në sheshin e ri, kryesor të qytetit, krijoi hapësirë më të madhe dhe sigurisht pati më shumë pjesëmarrës. Verëdashësit kanë konsumuar më shumë se 3 ose 4 gota vere, duke provuar nga të gjitha llojet e verërave që ne kemi. Ata preferuan më shumë varietetet autoktone të zonës së Beratit. Ajo që na pëlqeu ishte fakti që klientët, sidomos turistët e huaj kërkonin informacion gjatë panairit për verën që pinin”, tha ai.

Këngëtarët Alban Skënderaj, Ronela Hajati, McKresha, Lyrical Son, Eugent Bushpepa performuan në tri netët e festës në sheshin kryesor të qytetit, tek bulevardi “Republika”.

Pjesë e festës ishte edhe turi i degustimit, vizitës në vreshta, shtypjes së rrushit, muzikës tradicionale, ushqimit fantastik dhe pamjeve perfekte./abc news/ KultPlus.com

Gjërat personale të intelektuales Musine Kokalarit do të ruhen në muze

Për 41 vite me radhë ka ruajtur me kujdesin dhe fanatizmin më të madh rrobat dhe sendet personale të shkrimtares disidente Musine Kokalari, e tashmë ato I dorëzoi pranë muzeut që pasardhësit i kanë ngritur për nder të saj.

Bibika Kokalari tregon disa prej çasteve nga takimet e pakta që mundi të kishte me intelektualen gjirokastrite, e cila u burgos dhe u internua për rreth 40 vite nga regjimi komunist, dersa ndërroi jetë e vetme në Rreshen.

Musine Kokalari nuk pranoi kurrë t’i bashkohej rradhëve të komunistëve, madje në gjyqin famëkeq kundër saj ajo mohoi kategorikisht të ishte mbështetëse e regjimit dhe idealeve të Enver Hoxhës, gjë e cila solli dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve të saj. Bibika thotë se jo pak herë i është kërkuar që sendet që mbante prej vitesh t’i dorëzonte  pranë muzeut etnografik në Gjirokastër,por siç thotë ajo kjo nuk mund të ndodhte kurrë, pasi ky muze ndodhet në banesën e ish diktatorit Enver Hoxha.

Musine Kokalari kaloi 16 vjet burg dhe 22 të tjerë internim. Në 10 shkurt të vitit 2017 dosja e saj u hap e para për të hedhur dritë mbi ata që e survejuan dhe dënuan gjatë regjimit komunist./abcnews.al/ KultPlus.com

Obelisk në qytetin e Pukës kushtuar 6 martirëve të ekzekutuar 98 vite më parë

Në sheshin kryesor të qytetit të Pukës është organizuar ceremonia e vendosjes së obeliskut kushtuar martirëve të lirisë, Ndrekë Markiçi, Ndue Dashi, Dedosh Jaku, Çun Gjergji, Hilë Caka dhe dom Gjon Gazulli, të cilët 98 vite më parë u ekzekutuan pa gjyq.

Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj u shpreh në rrjetet sociale se, obelisku “Martirët e Lirisë 1926-1927” është një vlerë e shtuar për kujtesën kolektive, si dhe një akt drejtësie për këta burra, të cilët u dënuan me varje në litar vetëm pse u ngritën kundër shtypjes. Dodaj e konsideroi një kauzë të shenjtë që shoqëria njerëzore e ka domosdoshmëri të çdokohshme, sa herë pushtetet dhe qeveritë marrin karakter autoritarist dhe tiranik.

Realizimi i këtij obelisku përkujtimor vjen si bashkëpunim midis bashkisë së Pukës e Fushë – Arrësit dhe të afërmve të këtyre martirëve.

Me vendim të Këshillit Bashkiak të Pukës, njërës prej rrugëve kryesore të qytetit iu vu emri “Ndoc Mark Deda”, i njohur si atdhetar i flaktë në luftë kundër pushtuesit.

Pas ceremonisë në Pallatin e Kulturës të Pukës u zhvillua edhe një sesion shkencor, ku studiues e historianë evidentuan kontributin e qëndresën heroike të 6 martirëve të rënë për liri, të cilët me vendim të këshillave bashkiakë Pukë e Fushë-Arrës u vlerësuan me titullin Qytetar Nderi pas vdekjes./atsh/KultPlus.com

Dramaturgu britanik leksione në Tiranë: Të rinjve iu duhen trajnime, të talentuarve t’ju jepet prioritet

Një takim dramaturgësh, kritikësh e drejtuesish teatri nga Ballkani, Europa dhe SHBA, ka nxjerrë në pah problemet me të cilat përballet kjo gjini kudo. Takimi solli në Tiranë  një dramaturg të njohur Britanik që sugjeron politika të tjera kulturore     

Dramaturgu i njohur Britanik, Mark Ravenhill, ka mbajtur me dramaturgë të rinj shqiptarë punëtorinë mbi shkrimin teatror “Post, post communist baby“. I njohur në Britaninë e madhe për temat e mprehta që trajton në veprat e tij teatrore të përkthyera në disa vende, Shqipëria për të, kishte shijen e veprave të Kadaresë e Lea Ypit. Këshilla e tij për dramaturgët e rinj, është në fakt një politikë kulturore.

“Secili shkrimtar dhe secila kulturë duhet të  gjejë mënyrën e vet për të bërë teatër.  Unë u kërkova të reflektonin përvojat e tyre, disa i kishin shumë të dhimbshme përvojat me diktaturën. Njoha të rinj që duan të shkruajnë, por ju duhen trajnime. Mendoj se sistemi arsimor dhe universiteti duhet t’i ofrojnë. Edhe për të mbajtur njerëzit e talentuar këtu, edhe për të zhvilluar ekonominë,  do të ishte me rëndësi”, tha Ravenhill.https://www.youtube.com/embed/sFs-3HxhR4c?feature=oembed

Ai ishte pjesë e Vitrinës teatrore, me 120 dramaturgë, kritikë dhe drejtues teatrosh nga Ballkani, Europa dhe SHBA-ja, që erdhën  në Tiranë dhe mbajtën një sërë diskutimesh mbi temat dhe mënyrat si teatrot sot operojnë me të drejtat e njeriut, afrimin e publikut dhe sidomos shtresave të margjinalizuara.  Vitrina erdhi si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar, atij eksperimental, Mam dhe  Qendra Multimedia në Prishtinë  duke nxjerrë në pah edhe problemet e teatrit shqip.

“Dallojnë problemet që kemi këtu dhe ne Kosovë. Atje nuk kemi haspërira për shfaqje, këty nuk ka buxhet për shfaqje”, tha dramaturgu Jeton Neziraj.

Aktiviteti që u mbajt gjatë kësaj jave ndihmon njëherësh teatrin shqip të zgjerojë hartën e bashkëpunimeve./ (Balkanweb)/ KultPlus.com

Veliaj: Mos e humbisni atmosferën në zemër të Tiranës, e hapur deri në datë 10 nëntor

Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë argëtimi për të gjitha moshat. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se kjo hapësirë do të qëndrojë e hapur deri në datë 10 nëntor.

Ai thotë se çdo ditë për të pranishmit do të ketë ushqime të shijshme, pije dhe muzikë live për t’u argëtuar me miqtë.

“Deri më 10 nëntor, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në vendin ideal për t’u argëtuar me miqtë! Ushqime të shijshme, pije dhe muzikë live çdo ditë! Mos e humbisni atmosferën e paharrueshme në zemër të Tiranës”, shkruan Veliaj./ BalkanWeb/ KultPlus.com

Presidentja Osmani në takimin me Battel diskutoi për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Battel.

Përmes nëj postimi në Facebook, presidentja thotë se ata diskutuan për prioritet e përbashkëta dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, transmeton Klankosova.tv.

“Sot, pata kënaqësinë ta mirëpres Zv.Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Bettel, për t`i diskutuar prioritetet tona të përbashkëta dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar e para e vendit.

Kitaristët Tringa Sadiku & Diar Aliu vijnë me koncert në Muzeun e Mitrovicës

Dy kitaristët e talentuar Tringa Sadiku dhe Diar Aliu të cilët e zhvillojnë karrierën e tyre jashtë Kosovës, për herë të parë do të performojnë së bashku në vendlindjen e tyre, në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

Ky koncert i cili do të mbahet në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës paraqet një mundësi unike për të shijuar nga afër artin e tyre.

Tringa Sadiku filloi të mësojë kitarën në moshën shtatë vjeçare në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë për të vazhduar në Akademinë e Arteve në Prishtinë në klasën e prof Xhevdet Sahatxhijës dhe Drilon Çoçajt. Gjatë gjithë studimeve, Sadikut iu ofruan disa bursa për të ndjekur masterclass me kitaristë të njohur, si dhe për të performuar në festivale si Akademia Gitary Festiwal- Poloni, Berlin Guitar Festival-Gjermani, Soliste me sezonin e Filarmonisë së Kosovës, Chopin Piano Fest-Kosovo, Dam Festival. – Kosovë, Dokufest, Manifesta Bienal, Festivali ReMusica- Kosovë, Akademia Verore e Muzikës Evropiane ESMA- Kosovë etj. Sadiku aktualisht po studion në Universität für Kunst und Darstellende Arts në Graz, Austri në klasën e prof Lukasz Kuropaczewski dhe Paolo Pegoraro.

Diar Aliu është kitarist i shquar klasik e mësimet e para i mori në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Aktualisht studion në “Universitetin e muzikës dhe arteve skenike” në Graz nën drejtimin e profesor Łukasz Kuropaczewski. Gjatë karrierës së tij dhjetëvjeçare, ai ka fituar çmime prestigjioze, ndër to çmimet e para në “Palaio Faliro Athens Guitar Festival” (Greqi), “Festivali ndërkombëtar i kitarës në Pejë” (Kosovë), “Festivali i Kitarës në Shqipëri”, konkursi “Kitara ndërkombëtare në Mal të Zi”, “Festivali i Kitarës në Pleven” (Bullgari) “Festivali i kitarës në Ankara” (Turqi) dhe “Forum Gitarre Wien” (Austri). Fitoi çmimin special për interpretimin më të mirë në “Bremen Guitar Competition” (Gjermani) Së fundmi, ai performoi solo recitale në “11th Postojna Guitar Festival” në Slloveni dhe “28th Forum Gitarre Wien” në “Wiener Konzerthaus” në Vjenë.

Koncerti mbahet më 9 Nëntor 2024, në ora 19:00, në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës./ KultPlus.com

Ekspozita për Pavarësinë! 30 punime në pikturë, ekspozohen në Vlorë për 10 ditë

30 punime në pikturë, skulpturë, karikature dhe qeramike do të qëndrojnë të hapura në Vlorë në kuadër të aktiviteteve për festat e nëntorit.

Mjeshtri vlonjat dhe shqiptar i karikaturës iniciator i ekspozitës Arben Meksi tha se Vlora është një qytet që i ka te gjitha kushtet për pasqyrimin e të tilla punimeve.

Piktori Ardian Devolli thekson se mes kësaj ekspozite vijnë vepra te reja duke e bere edhe me interesant çdo punim te pasqyruar në galerinë e arteve ne Vlore

Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për rreth 10 ditë në galerinë e arteve në Vlorë./ alsatm/ KultPlus.com

Klubi i karatesë ‘Policia e Kosovës’ fiton medalje të bronztë në turneun memorial “Adem Jashari”

Klubi i karatesë “Policia e Kosovës” i themeluar dhe i regjistruar edhe në Federatën e Karatesë së  Kosovës ka marrë pjesë në turneun memorial “Adem Jashari” të organizuar nga Federata  e Karatesë  së Kosovës.

‘Policia e Kosovës’ në këtë turne ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë Senior -Kata, transmeton Klankosova.tv.

“Së fundi në kuadër të PK-së është themeluar Shoqata Sportive e Policisë së Kosovës dhe deri më tani janë hapur 8 klube në disiplina të ndryshme ndër to edhe Klubi i Karatesë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Ditën e Kulturës Bullgare, e ftuar shkrimtarja e mirënjohur Zdravka Etimova

Zdravka Evtimova, shkrimtarja bashkëkohore bullgare, fituese e çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, e përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës, vjen në Shqipëri në një takim me shkrimtarë dhe njerëz të artit në ditën e kulturës bullgare.

Shkrimtarja ka vlerësuar qytetarët shqiptarë për modestinë, shpirtin luftarak dhe dashurinë ndaj gjuhës.

“Mendoj se ne si dy vende kemi shumë ngjashmëri me njëri-tjetrin, na bashkon shpirti luftarak, dashuria ndaj gjuhës. Gjuha shqipe është unike, është një ndër gjuhët më të vjetra dhe është detyrë e institucioneve që ta ruajnë dhe mbrojnë”, u shpreh shkrimtarja.

Shkrimtarja dhe përkthyesja Milena Selimi premtoi për lexuesin shqiptar se shumë shpejt autoren bullgare do ta kemi të përkthyer edhe në shqip.

“Tashmë jemi në një proces të shumë librave që i përkasin autorëve shqiptarë të cilët shumë shpejt do të përkthehen në gjuhën bullgare. Mendoj se është moment që ta ftojmë njëri-tjetrin dhe të mësojmë po ashtu nga njëri tjetri”, tha Selimi.

Zdravka Evtimova e quan veten një shkrimtare treni pasi shumica e historive të saj janë shkruar në tren, gjatë udhëtimit të saj midis Pernikut (qytetit ku banon) dhe Sofjes (qytetit ku punon)./atsh/KultPlus.com

Opera e Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës sjellin koncertin e radhës me 6 nëntor

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Opera e Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës do të sjellin koncertin e radhës të mërkuren, me datë 6 nëntor.

Në njoftim thuhet se programi përfshin vepra nga periudha barok deri tek ajo më romantike.

“Nën drejtimin e Frédéric Laroque, koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit dhe me pjesëmarrjen e fagotistit të njohur Laurent Lefèvre, në program do të interpretohen vepra nga Vivaldi, Mozart, Rossini dhe Bizet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Koncerdi do të fillojë në ora 19:30 dhe do të mbahet në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë

Rezervoni ulëset tuaja duke klikuar në këtë link: https://shorturl.at/Wpii2 /KultPlus.com

“Ma ndërprenë kontratën pas gjashtë shfaqjeve”, tenori Klodjan Kacani me letër të hapur për Abigeila VoshtinaIa

Klodjan Kaçani

Të dashur miq, po shkruaj këtë letër të hapur që personazhe si drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Znj. Abigeila Voshtina, që mendojnë se me pushtetin institucional besoj dhe politik mund t’i mbyllin gojën kujtdo, e kanë gabim.

Mendoj që asnjëherë nuk është vonë për të reaguar publikisht, sidomos kur guxohet të abuzohet me dikë që arritjet në jetë i ka veç falë punës së tij e jo partisë apo nepotizmit, siç ndodh në vendin tonë jo rrallë herë.

Po çfarë ndodh nëse dikush nuk e ka mundësinë, fatin, të lërë vendin e tij që të mos jetë i nënshtruar nga drejtorë abuzues me postin?

Për fat të keq, nuk ndodh asgjë; thjesht duhet të heshtin, sepse Shqipëria ka vetëm një Teatër Opere, dhe nëse kërkon të drejtën tënde, dinjitetin, si Njeri dhe Artist në atë sistem abuzues, thjesht e sheh veten në mes të rrugës pa kurrfarë alternative, mbështetje ligjore, sepse sindikata ekziston vetëm si emër.

Normalisht, fenomeni i të qenit i abuzuar/mashtruar do të më prekte dhe mua personalisht, sepse është normale, je në Shqipëri, aty ku mund të bëhesh Drejtor pa e ditur se çfarë do drejtosh, ku lëkura bëhet më e trashë se sholla e këpucës, sepse mungon ndershmëria me veten.

Abigeila Voshtina erdhi si drejtor artistik në rrethana, mendoj, dyshuese në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, violiniste, që nuk guxoj të jap mendim, por mund të jap mendim shumë mirë për atë çfarë ajo kishte marrë përsipër të drejtonte pa kurrfarë eksperience dhe me një mungesë të theksuar njohurie në kufijtë e absurdit për botën e operës dhe vokalit!

Kaosi dihet, pasi janë shkruar peticione (që nuk u morën asnjëherë në konsideratë, pasi nuk është e lehtë kur politika ulet këmbëkryq në institucion shtetëror) dhe është folur mediatikisht për fenomenin Voshtina.

Një ditë shkurti të 2024 më vjen një ftesë për bashkëpunim nga drejtori artistik i T.K.O.B., ndodhesha në Teatrin Regio di Torino, duke qenë ‘cover’ i rolit kryesor në operën “Un Ballo in Maschera” që drejtohej nga M° Riccardo Muti, dirigjenti më i madh i kohës sonë, ku kam patur fatin të drejtohem prej tij që prej vitit 2022 në “Requiem Verdi” dhe “Norma”.

Duke u bazuar në karrierën time, drejtori artistik i T.K.O.B. më shpreh dëshirën për të qenë pjesë e teatrit si solist dhe për t’i ardhur në ndihmë teatrit.

Normalisht refuzoj, pasi cili artist shqiptar apo i huaj lë karrierën e tij dhe e pranon si ofertë?

Absurde të mendohet!

Teatri i operës ka qenë si një shtëpi për mua dhe është e paçmueshme të këndosh në vendin tënd , gjithashtu jam në dijeni të vështirësive të buxhetit që ka teatri për të blerë artistë, e në këtë rast Tenor.

Për të dhënë ndihmën time dhe duke qenë empatik ndaj situatës ekonomike, u ofrova si alternativë Drejtorëve që do të merrja përsipër të këndoja role të solistit të parë në disa produksione në vit (shumë të kushtueshme) kundrejt pagesës mujore si solist dhe duke qenë i lirë për karrierën time dhe angazhimet e mia personale kur nuk kisha impenjime në teatër.

Ndoshta kjo që sugjerova, nuk është mënyra më e mirë, por unë ketë mundësi pata dhe këtë ofrova.

Kjo për disa arsye:

1- duke qenë i vetëdijshëm për mundësitë e vogla të Teatrit

2- duke dashur të japë kontributin tim në Teatër.

3- duke mos i vënë shkelmin axhendës dhe karrierës sime në skenat ndërkombëtare.

Të kënaqur që u ra dakord në mundësinë e vetme që mund të ofroja si ndihmë, mora pjesë në audicionin publik sipas procedurës që teatri kishte shpallur për vendin vakant Tenor.

Ende pa bërë 2 javë që kisha firmosur kontratën si solist, mora përsipër të debutoja në kohë shumë të shkurtër 2 shfaqje në operën “La Boheme” që teatri kishte vendosur në kalendar.

Nuk kaloi 1 muaj dhe mora përsëri përsipër të këndoja 4 shfaqje në operën e rradhës “Madama Butterfly”, duke i kursyer teatrit një shumë sa minimalisht 20% e buxhetit, sa une do isha paguar privatisht.

Sipas dakordësisë që unë do të isha i lirë pas shfaqjeve, vazhdova angazhimet e mia personale jashtë Shqipërisë duke njoftuar drejtorin artistik, i cili ma konfirmon me telefonate, pasi ndodhej jashtë për impenjimet e tij private gjithashu.

Si falënderim për mundin jo pak të vogël që mora përsipër, me të mbaruar kontrata 3 “muajt e provës” më vjen një email ku më thuhet që kontrata nuk mund të rinovohet me arsyen se e kanë të vështirë të më justifikojnë kur unë jam larg teatrit, sepse shkel rregullat e kodit të punës me mosprezencën time çdo ditë në teatër për firmosur, që vetë më thanë se jam i lirë të largohem pa problem!

Çuditërisht, ligjin e kodit të punës drejtoresha me karrierë ne T.K

O.B. rreth 11-vjeçare e zbuloi pasi përfundoi “hallet” e saja…

Shumë veprim inteligjent për të përfituar një Tenor që tu bëjë 2 produksione ose 6 shfaqje me 3 muaj kontratë solisti ,urime!

Znj. Voshtina për takim sqarues te kësaj pabesie nuk kishte asnjëherë kohë pas mbarimit të produksioneve, pasi ishte shumë e zënë !

Më vjen veç një email, e cila e çuditur nuk paska qenë asnjëherë në dijeni të paktit që unë me Drejtorin Artistik ramë dakord dhe morëm konfirmimin në telefon nga vetë ajo për paktin!

Pra, sipas saj, do të lija karrierën dhe do të kthehesha në teatër si punonjës që firmos prezencën ditore, qesharake!

Znj Voshtina tashmë që pushtetin e drejtorllëkut të përgjithshëm e ke në dorë, mund ta shfrytëzosh edhe ti sado pak dhe më në fund t’i biesh violinës diku në sajë të shkëmbimit të favoresh (qokash), siç akuzohesh prej kohësh, qoftë në rrugë ligjore apo koridore, e kështu të kënaqësh egon.

Sa mirë që kodi i punës eshte thjeshtë letër bakalli për drejtorë, që mund ta ushtrojnë karrierën lirshëm.

Ne intervisten qe patët dhënë gjat kohës që unë ju kisha marr përsipër operën Madama Butterfly gazetarja, Znj. Egla Xhemali ju bën një pyetje në lidhje me mosprezencën e vazhdueshme te Drejtorit Artistik, përgjigja juaj në ketë rast ishte se Drejtori Artisik e do teatrin dhe nuk është e nevojshme të jetë çdo moment sepse fiziciteti nuk ka lidhje me produktin, gjithashtu se ju keni kursyer shumë në ketë rast!

Megjithatë, mua në e-mail me citoni që ju në fakt zbatoni vetëm ligjin (ndoshta sepse unë nuk mund të ofroja diçka në këmbim, si p.sh. koncerte jashtë shtetit..e perkthyer ndryshe në perfitim financiar, ndoshta)

Puritania Abigeil.

( Linku ku Znj. Voshtina shprehet qartë për dy standartet që ajo mbanë.

https://youtu.be/86wdlKn37zg?si=fCZEVK_GgBJifwmW )

Ju premtoj, miq, që do të rikthehem në T.K.O.B. vetëm kur ky njeri abuzues nuk do të jetë më në krye të institucionit më të lartë kulturor, ku Shqipëria prezantohet në botë!

Dhe me një pjesë të shkëputur nga autori F. Schiller, ju përshëndes nga Teatri Giuseppe Verdi i Tirestes ku do të interpretojë rrolin e Alfredos në operën La Traviata që hap sezonin artistik 2024/25.

“Arti është bijë e lirisë dhe nuk duron të marrë urdhrin nga nevoja e materies, por nga domosdoshmëria e shpirtrave.”

(P.S. Denoncimin si institucion në gjykatë po ta kursej dhe kësaj radhe, njësoj si në 2015 me konkursin e punësimit, ku më je lutur për takim pas letrës që do të shkonte në gjykatë për shkeljet që kishe bërë kundrejt meje dhe artistëve të tjerë të rinj. Gjithsesi, të ftoj të më denoncosh për shpifje nëse mundesh, dhe e shohim sa gjëra të bukura do të dalin në dritë.🙂)/ KultPlus.com

Nënkoloneli amerikan Fildman: Muzeu i Forcave të Armatosura, profesional

Muzeu i Forcave të Armatosura mirëpret çdo ditë qindra vizitorë.

Nënkoloneli Jorett Fildman nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey-it ka ndarë përshtypjet e tij të jashtëzakonshme rreth vizitës në këtë muze.

Ai thekson se Muzeu i FA ishte shumë profesional, dhe shumë mirë i ruajtur.

“Më pëlqeu se si e tregonte historinë e Forcave të Armatosura shqiptare që në fillimet e saj, nga koha e ilirëve e deri në kohët moderne”, tha ai.

“Më ndihmoi të informohesha për ushtrinë tuaj dhe për kulturën tuaj gjithashtu”, u shpreh Fildman.

I vendosur vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës, në një hapësirë të dedikuar për ruajtjen dhe promovimin e koleksioneve dhe historisë së ushtrisë shqiptare, Muzeu i Forcave të Armatosura është tashmë një destinacion turistik për vizitorët vendas e të huaj.

Ai konsiderohet po ashtu dhe një pikë referimi për të gjithë koleksionistët e apasionuar pas armatimeve, mjeteve dhe pajisjeve ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se, në fokus tashmë është shtimi i mëtejshëm i koleksioneve dhe organizimi i aktiviteteve të dedikuara për çdo moshë./atsh/KultPlus.com

101 vite më parë u zbulua Tutankhamoni

Gërmimi që 101 vjet më parë çoi në zbulimin e varrit të Tutankhamonit ishte edhe ”gërmimi” i parë mediatik.

Ka kaluar një shekull që kur më 4 nëntor 1922, arkeologu britanik Howard Carter zbuloi, në Luginën e Mbretërve të Luksorit, varrin e fëmijës së faraonit, i bërë i përjetshëm nga maska ​​e tij e shkëlqyer prej ari dhe lazuli si edhe fshehtësia e tij e madhe.

Një thesar me 6 000 gjetje të çmuara.

”Gërmimi” i parë mediatik nuk ishte një zgjedhje largpamëse për t’i dhënë të drejtat një gazete të huaj, në një kohë kur në Egjipt kishte dëshirë për pavarësi nga fuqitë koloniale evropiane.

Gazeta ”Medical”, në vitin 2002, bëri një analizë të jetëgjatësisë mesatare të atyre që punonin në varrin e Tutankhamonit: ata jetuan më gjatë.

Edhe Muzeu Britanik ka publikuar një foto të mbretëreshës Elizabeth II duke parë maskën e Tutankhamonit, të realizuar për ekspozitën e madhe në vitin 1972.

Ekziston edhe një nga vitet 1960 nga Jacqueline Kennedy që shikon të njëjtën maskë.

Sundimtari fëmijë, i cili nuk i ka takuar kurrë të fuqishmit, i ”takon” sot.

Paradoksalisht emri i tij është bërë ikonik, shumë më tepër se sa ishte gjatë mbretërimit të tij./ atsh / KultPlus.com

“Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, tryezë shkencore ndërkombëtare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane dhe të Albanologjisë, pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut organizon tryezën shkencore ndërkombëtare: “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”.

Kjo veprimtari shkencore do të mbahet sot e nesër (4-5 nëntor 2024), ku do të referojnë mbi 25 studiues nga vendi dhe bota.

Veprimtaria u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi.

Tryeza shkencore merr shkas nga arritjet e fundit në fushën e gjuhësisë indoeuropiane, të mbështetura në metoda të kombinuara ndërdisiplinore. Fjala është në radhë të parë për artikullin e revistës amerikane “Science”, me autor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorë i cili, duke u mbështetur në të dhënat e gjuhësisë historike-krahasuese, arriti në përfundimin që përcakton një origjinë 8100 vjeçare të gjuhës së përbashkët indoeuropiane, e cila mbas 1000 vjetësh filloi të degëzohet e të shpërndahet. Studimi përfshin edhe gjuhën shqipe, me tre variante të saj, variantin standard, gegërishten dhe arbërishten, ku analizat krahasuese dhe statistikore nxirrnin një shkëputje të hershme 6000 vjet më parë të gjuhës shqipe.

Në konferencë do të referojë autori kryesor i studimit, duke u përqendruar në të dhënat e shqipes. Pritet të konfirmohet ndarja e hershme 6000 vjeçare e shqipes, origjina e përbashkët 8100 vjecare dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit ballkanik.

Kryetari i ASHSH, akad. Gjinushi pasi falenderoi pjesëmarrësit në tryezën shkencore, tha se kjo tryezë është një hap i mëtejshëm përparues në vazhdën e arritjeve të Kuvendit të Dytë të Studimeve Albanologjike, që u organizua në Tiranë tre vjet më parë.

“Studimi që kanë realizuar profesor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorët e nderuar në revistën “Science”, duke i njohur shqipes si origjinë të përbashkët e pikënisje të identifikimit të saj, një hershmëri relative prej 6-8 mijë vjetësh zgjoi vëmendjen jo vetëm ndër dijetarët albanologë, duke nxitur interesin te ne që ta ftonim e organizonim këtë dëgjesë me profesorin e këtë diskutim shkencor së bashku me ju që jeni këtu të pranishëm e që na nderoni aq shumë”, tha akad. Skënder Gjinushi.

Sipas Gjinushit, popujt janë të ndjeshëm ndaj origjinës së tyre e të gjuhës së tyre. Interesin e rrit fakti se, çfarë po konfirmohet me studimet e reja jo vetëm që nuk shkon kundër arritjeve të indoeuropeistikës, por vjen në përforcim, saktësim e pasurim të tyre./atsh/KultPlus.com

“Shtëpia e Grave”, Sanja Iveković sjell në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspozitën vetanake dhe arkivin personal të saj

Galeria Kombëtare e Kosovës prezanton “Shtëpia e Grave”, ekspozitën vetanake dhe arkivin personal të artistes Sanja Iveković. Si pioniere e videos, performancës dhe artit konceptual në Jugosllavi gjatë viteve 1970, Iveković njihet për shqyrtimin feminist të marrëdhënieve gjinore përbrenda Jugosllavisë socialiste dhe tranzicionit post-socialist.

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë: njëra është përzgjedhje e veprave të artistes e kuruar nga Hana Halilaj ku përfshihen pesëdhjetë vjet të praktikës së saj, ndërkaq tjetra pjesë shpalos një ekspozitë arkivore e bazuar në hulumtimin e arkivit të Ivekovićit, e kuruar nga Ivana Bago.

Pikëtakimet: Dokumente në Krijim e Sipër, 1968–1982, e ka pikënisje ekspozitën e parë të rëndësishme personale të Ivekovićit, të titulluar Dokumente 1949–76, e mbajtur në Zagreb në vitin 1976, ku artistja kishte synuar ta “dokumentonte” historinë e saj personale duke konstruktuar një histori kritike të së tashmes.

Mbështetur në hulumtimin njëvjeçar të Ivana Bagos mbi praktikën e Ivekovićit, ekspozita shtrihet prej periudhës së studimeve të Ivekovićit në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb gjatë revoltave studentore të vitit 1968, e deri te kriza në rritje e socializmit jugosllav në fillim të viteve 1980.

Ekspozita është strukturuar si ese pamore, ku rrëfimi kuratorial vendoset në të njëjtin plan me veprat e artistes (duke i përfshirë fragmentet dhe riprodhimet e tyre), dhe materialet arkivore të cilat shpalosin vizatime, skica, shënime, fotografi, letra, postera ekspozitash, libra dhe revista. Njëmbëdhjetë kapitujt të renditur kronologjikisht e zhvendosin fokusin nga vëmendja kuratoriale dhe tregtare, e dhënë ndaj një numri relativisht të vogël të veprave feministe të Ivekovićit, të krijuara në gjysmën e dytë të viteve 1970, për të shpërfaqur qasjen e saj eksperimentale dhe të larmishme në krijimin e artit, si dhe pozicionimin e saj kritik brenda strukturave ideologjike dhe institucionale të socializmit jugosllav dhe botës së artit gjithnjë e më globalizuese të viteve 1970. Në një kohë kur një numër në rritje i organizatave krijohen për të arkivuar dhe për të ruajtur trashëgimitë e artistëve të Evropës Lindore të brezit të Ivekovićit.

Pikëtakimet ofron një mundësi për aktivizimin e “dokumenteve” rreth së kaluarës socialiste, duke vënë në pyetje të ardhmen e tyre si dhe marrëdhënien tonë me trashëgimitë që ato përmbajnë.

Ekspozita e dytë Përkohësitë e Shpresës, kuruar nga Hana Halilaj, prezanton një numër veprash të Ivekovićit që shqyrtojnë politikat gjinore dhe përfaqësimin e grave në mediat masive. Duke sjellë në pah mënyrat se si rolet sociale të grave janë kuadruar për konsumizëm, veprat e prezantuara tregojnë sesi ky ndryshim ka ndodhur prej së kaluarës socialiste deri në komunikimet masive të sotme. Për më tepër, ekspozita hulumton historitë e harruara të pjesëmarrjes aktive të grave në luftën antifashiste të Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavi dhe fshirjen e Frontit Antifashist të Grave nga kujtesa kolektive në të gjitha shtetet pas-jugosllave, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Si artiste aktiviste, Iveković mirret me pabarazitë gjinore dhe vazhdimësinë e dhunës në familje. Seria Shtëpia e Grave (1998 – vazhdon), paraqet pesë skulptura të fytyrave të grave që jetojnë në strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje, të cilat Iveković i prodhoi gjatë një punëtorie në Kosovë, në Pejë,
viti 2004.

Të vendosura mbi piedestale, çdo fytyrë tregon histori që dëshmon për rëndësinë e këtyre qështjeve dhe luftën e vazhdueshme të grave për të drejtat e tyre. Forca e trashëgimisë së Ivekovićit qëndron në navigimin e saj të kujdesshëm të realiteteve historike dhe politike të cilat ajo i ka përjetuar, duke ua theksuar njëkohësisht edhe rëndësinë e tyre universale.

Anipse ofrojnë qasje të ndryshme ndaj veprave të Ivekovićit, të dy ekspozitat ndërlidhen me dëshirën për ta prezantuar këtë punë si një trashëgimi fuqizuese, e cila mëton të përdoret si frymëzim në trajtimin e realiteteve të ndërlikuara të periudhës pas-jugosllave dhe përtej saj.

Nën titullin e përbashkët, Shtëpia e Grave, kuruar nga dy historiane arti post-jugosllave dhe të brezave të
ndryshëm, Ivana Bago dhe Hana Halilaj, këto prezantime të artit të Ivekovićit e shndërrojnë Galerinë Kombëtare të Kosovës në një “shtëpi” të takimeve ndër brezore dhe fuqizuese.

Pikëtakimet: Dokumentet në Krijim e Sipër, 1968–1982, prezantohet në bashkëpunim me Muzeun e Artit
Bashkëkohor, Zagreb, ku vepra ishte ekspozuar për herë të parë në vitin 2023./KultPlus.com

Sonte, “Monologjet e …” në KultPlus Caffe Gallery

Më 4 nëntor, në KultPlus Caffe Gallery, do të shfaqet performanca ‘Monologjet e vrara’, përcjell KultPlus.

Kjo performancë vjen nën interpretinin e Anisa Ismailit, Rajmonda Ahmetajt dhe Qendresa Lokit.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Qendresa Lokit:

Të dashtun!

Performanca ” Monologjet e vrara ” , shfaqet më datë: 04 nëntor 2024, e hënë, në ora 18:00, në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery.

Me interpretimin e Anisa Ismaili , Rajmonda Ahmetaj dhe Qendresa Loki.

Kjo performancë do të zbuloj monologje që ndriçojnë histori të thella të grave që dhunoheshin e keqtrajtoheshin nga familja, individë dhe grupacione. E që zëri i tyre asnjëherë nuk arriti në vesh të duhur, duke ua vënë jetën në humnerë.

Për shkak të numrit të kufizuar, prezenca juaj duhet të konfirmohet.

Ky projekt u mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Regji : Xhemajl Avdyli
Skenari : Qendresa Loki
( Monologjet e bazuara në ngjarje të vërteta )

Hyrja- Falas

Ju mirëpresim!./KultPlus.com

Java Kulturore Spanjolle, të rejat e arkitekturës bashkëkohore që vijnë nga Spanja

Në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB) është çelur fotoekspozita “Arkitektura dhe Inxhinieria Emblematike në Spanjën Bashkëkohore, në vështrimin e Ricardo Santonja”.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle, duke na ftuar të bëhemi pjesë e një udhëtimi vizual përmes arkitekturës spanjolle të realizuar në fund shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të. Arkitektura spanjolle po avancon duke ofruar propozime të reja arkitektonike. Ricardo Santonja sjell një koleksion mahnitës që tregon përparimin dhe inovacionin në dizajnin arkitektonik, me vepra nga arkitektë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Ekspozita është një mundësi për të eksploruar bukurinë dhe kreativitetin e arkitekturës bashkëkohore përmes Santonja-s, një artist vizual dhe profesor në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës në Madrid.

Gjithashtu ai realizoi edhe një workshop, “Teknikat Fotografike për Komunikimin Arkitektonik,” duke iu ofruar mundësinë, të apasionuarve të fotografisë dhe arkitekturës, për të mësuar nga një nga profesionistët më të njohur të fushës.

Dr. Ricardo Santonja zhvilloi një workshop praktik bazuar në vizatimin me dritë përmes dhomës së errët./atsh/KultPlus.com

Konkursi i poezisë “KultStrofa” vazhdon të jetë i hapur, aplikimi mbyllet më 14 nëntor



KultPlus ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka thënë se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.

Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rinj. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa”.

*Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Thirrja mbetet e hapur deri më 14 nëntor 2024 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e shtatë./ KultPlus.com

Vdes gjiganti i muzikës amerikane, Quincy Jones

Quincy Jones, muzikant dhe producent që ka punuar me Michael Jackson, Frank Sinatra dhe shumë të tjerë, ka vdekur në moshën 91-vjeçare.

Publicisti i Jones, Arnold Robinson, tha se ai “vdiq i qetë” të dielën në mbrëmje në shtëpinë e tij në Bel Air.

“Sonte, me zemra të plota, por të thyera, ne duhet të ndajmë lajmin për vdekjen e babait dhe vëllait tonë Quincy Jones. Dhe megjithëse kjo është një humbje e pabesueshme për familjen tonë, ne festojmë jetën e mrekullueshme që ai jetoi dhe e dimë se nuk do të ketë kurrë një tjetër si ai”, tha familja në një deklaratë.

Jones ishte më i njohur si producenti i albumit Thriller të Michael Jackson./tv21/KultPlus.com

Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare (FOTO)

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, shkruan KultPlus.

Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa.

Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. / KultPlus.com

Koncert i Forcave të Armatosura në qytetin e Peshkopisë

Një shfaqje unike me muzikë të përzgjedhur ka gjallëruar qytetin e Peshkopisë, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese.

Shfaqja erdhi në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit, e organizuar nga Big Band, Orkerstra Simfonike e Forcave të Armatosura si dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke ofruar një përvojë të re për publikun.

Ky aktivitet kombinonte tingujt e muzikës tradicionale të Big Band-it me ritmet moderne të DJ-ve, duke sjellë një set të veçantë të këngëve patriotike të remiksuara. Aktiviteti erdhi si një bashkim kulturash duke nderuar historinë dhe traditat e vendit në një mënyrë inovative.

Koncerti u pëlqye nga të pranishmit. Peshkopia ishte një ndër ndalesat e turneut që do të përfshijë 6 qytete. Më herët Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura u mirëprit edhe në Elbasan e Tiranë.

Sot Muzeu i Forcave të Armatosura do të organizojë një veprimtari të veçantë, në sheshin para bashkisë në Berat, në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit. Një pjesë e ekspozitës me arte-fakte nga Lufta e Dytë Botërore do të zhvendoset për të sjellë më afër publikun dhe për të ndihmuar në përkujtimin e ngjarjeve historike. Aktiviteti do të shoqërohet nga interpretimi i Big Band./atsh/KultPlus.com

Profesori Anton Çetta, njëri nga veprimtarët më të shquar shqiptar

Sot shënohet 29-vjetori i vdekjes së veprimtarit e profesorit, Anton Çetta, shkruan KultPlus.

Ai mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punë e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.

Por veprimtaria e tij më e madhe është në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve. Kjo lëvizje u zhvillua në fillim të viteve të 90-ta dhe arriti për një kohë të shkurtër të pajtojë hasmëritë mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare.

Kjo lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë, u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës. / KultPlus.com

“Culture Trip”: Befasohuni nga plazhet e klasit botëror të Rivierës Shqiptare

Shqipëria është një nga vendet më interesante në Evropë dhe një nga më miqësoret – me një popullsi prej vetëm 2,8 milionë banorësh, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në revistën globale të udhëtimeve “Culture Trip”.

Është gjithashtu një destinacion kryesor për turizmin kulinar, me ushqime të përballueshme dhe pjata të shijshme vendase.

Befasohuni nga plazhet e klasit botëror të Rivierës Shqiptare, ose perjetoni aventuren tuaj te paharrueshme duke marrë me qira një makinë dhe duke lëvizur në male. Ja çfarë duhet të dini përpara se të vizitoni Shqipërinë.

Shqiptarët janë shumë miqësorë

Gjatë udhëtimit tuaj në “Tokën e Shqiponjave”, kudo që të shkoni, nga kryeqyteti në Rivierë, nga malet në qytetet historike, do të jeni të mirëpritur nga vendasit.

Shqipëria është një nga vendet më miqësore që do të vizitoni ndonjëherë.

Pra, mos nguroni të kërkoni udhëzime ose informacione të tjera – gjithmonë do të jetë dikush që do t’ju ndihmojë të gjeni atë që kërkoni, qoftë akomodimi, një vend për të ngrënë apo këshilla transporti.

Ecni në Malin e Gamtit me pamje nga liqeni i Bovillës – Turi ditor nga Tirana

Të apasionuarit pas natyrës do të kënaqen në këtë turne ditor nga Tirana në Bovillë, i përshtatur për ata që kërkojnë aventura mes bukurive natyrore të Shqipërisë.

Filloni turin në liqenin piktoresk të Bovillës, ku do të nisni me një shëtitje piktoreske në Malin Gamtit.

Shtegu ofron pamje spektakolare pa qenë tepër i mundimshëm, duke e bërë atë të aksesueshëm për të gjitha nivelet e fitnesit.

Ky turne premton një ndërthurje të përsosur të vizitave dhe aktiviteteve në natyrë në vendin e pacënuar të Shqipërisë.

Plazhet përgjatë Rivierës janë të mrekullueshme

Ka një arsye të mirë pse shumica e turistëve që vizitojnë Shqipërinë vijnë në plazhet e saj: Riviera Shqiptare ka disa nga zonat më të bukura të bregdetit në Evropë.

Këto brigje me guralecë dhe me rërë ofrojnë ujërat e kristalta të mahnitshme – që rivalizojnë plazhet e Italisë, Greqisë apo Kroacisë.

Plazhet më të mira të Rivierës janë Dhërmiu me ujëra të pastra bruz, muzikë live dhe bare plazhi; dhe Ksamili, i cili gjithashtu ka ujëra te kristalta dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Shqipëria nuk ofron vetëm plazhe fantastike

Megjithëse Riviera Shqiptare dhe plazhet e saj mahnitëse janë një arsye e fortë për të vizituar vendin, Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar.

Malet, duke përfshirë Alpet Shqiptare dhe vargmalet e Sharrit dhe Pindit, shtrihen përgjatë gjatësisë së vendit.

Vendet arkeologjike përfshijnë tuma parahistorike, si dhe tempuj dhe kalatë e lashta greke dhe romake, si dhe banja mesjetare.

Vendi është gjithashtu i pasur me liqene dhe lumenj, pyje dhe qytete të lashta që do t’ju lënë pa frymë.

Organizoni udhëtimin tuaj në Shqipëri për të eksploruar mrekullitë e shumta natyrore dhe historike të vendit.

Rafting në kanionet e Osumit 

Përjetoni bukurinë natyrore të Shqipërisë me një turne emocionues; rafting nëpër kanionin mahnitës të Osumit.

Duke u nisur nga Berati, vozisni nëpër ujërat e pastra kristal, duke kaluar pranë ujëvarat e mrekullueshme dhe formacionet shkëmbore unike në mes të rajonit piktoresk të Skraparit.

Gjatë gjithë turneut, përfitoni nga ekspertiza dhe guida profesionale e udhërrëfyesit tuaj lokal, i cili do të sigurojë njohuri për zonën.

Përqafoni aventurën në një nga mjediset natyrore që të lënë pa frymë në Shqipëri.

Shqipëria është shumë e përballueshme

Krahasuar me vendet fqinje, turizmi në Shqipëri është shumë i përballueshëm.

Ju mund të kaloni një javë fenomenale duke udhëtuar nëpër vend pa shpenzuar shumë.

Tirana, kryeqyteti, është qyteti më i shtrenjtë, por gjithsesi nuk do të shpenzoni shumë në krahasim me destinacionet e tjera të Evropës Lindore.

Ushqimi shqiptar është i shijshëm

Pjatat më të mira janë të shijshme dhe të përballueshme.

Sigurohuni që të provoni sa më shumë që të mundeni ndërsa jeni këtu.

Shijoni përvojën tuaj të kuzhinës shqiptare duke përfshirë, fërgesën, tavën e kosit, byrekun, bakllavanë dhe trileçen.

Gjuha shqipe është unike në Evropë

Shumë gjuhë evropiane e kanë origjinën nga familjet greke, latine apo sllave, por jo gjuha shqipe.

Gjuhëtarët nuk janë të sigurt se nga është saktësisht shqipja dhe megjithëse disa fjalë janë të ngjashme me ato në italisht, anglisht dhe gjuhë të tjera, ajo është unike.

Shqiptarët janë shumë krenarë për gjuhën e tyre, ndaj përpiquni të mësoni disa fjalë – ata do ta vlerësojnë vërtet atë.

Shqipëria është tolerante ndaj shumë feve

Shqipëria është një komb tolerant kur bëhet fjalë për fenë. Të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë ndihen të gjithë të sigurt dhe të mirëpritur këtu.

Në çdo qytet do të shihni një kishë ortodokse dhe një kishë katolike brenda pak metrash nga një xhami.

Gjirokastra, “Qyteti i Gurtë” dhe Syri i Kaltër, Monumenti i Natyrës

Zbuloni thesaret e Gjirokastrës me një turne privat nga Saranda.

Udhërrëfyesi juaj do të ofrojë njohuri historike dhe kulturore ndërsa vizitoni monumente të tilla si Shtëpia e Skëndulajve dhe Kalaja mbresëlënëse e Gjirokastrës.

Përjetoni bukurinë natyrore të Shqipërisë në burimin e famshëm të Syrit të Kaltër, ku ujërat blu të kristalta krijojnë një oaz natyror mahnitës./atsh/KultPlus.com