‘Rrugët e Shkodrës n’Karnaval’, foto nga atmosfera magjike

Qyteti i Shkodrës po përjeton ditët e bukura festive të Karnavaleve që nisën të premten dhe përfundojnë të dielën me Paradën e Karvanit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte e pranishme në Shkodër me fotoreporterin Agim Dobi për të kapur momentet më interesante të Karnavaleve dhe për të përcjellë atmosferën e gëzueshme që ato sollën në qytet.

Qindra qytetarë, të mëdhenj dhe të vegjël, i janë bashkuar nismës së bashkisë së Shkodrës për ta shndërruar qytetin në një “ballo me maska” për tre ditë e tre netë rresht, ndërsa aktivitetet e planifikuara kanë angazhuar dhjetëra të rinj e të reja.

Prej disa ditësh fëmijë, të rinj e të rritur, nxënës e mësues, artistë, instrumentistë e akrobatë, artizanë e bejtexhinj, punonjës të hotelerisë e kulinarisë, fotografë e dizenjues po përfshihen në atmosferën e karnavaleve.

Nga e premtja deri sot ata garuan me krijimtarinë dhe imagjinatën e tyre, ndërsa një juri profesioniste do të vlerësojë me çmime më të mirët.

E shtuna nisi me Paradën e të rinjve, ndërsa vijoi me performanca artistike nga shkollat, ndërsa pasdite pati aktivitete në punëtori, krijim i maskave, Facepainting, Kllounata.

Atmosfera vijon me shfaqjen e dritave në fasada ndërsa deri pas mesnate grupe shëtitëse artistësh me veshje e maska veneciane vizitojnë baret e restorantet e qytetit.

Aktiviteti kryesor i së dielës do të jetë parade e Karvanit.

Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./atsh/KultPlus.com

Atmosfera e fundvitit në Sarandë, Rama: Ndër më të bukurat sipas Forbes, Traveler dhe European Best Destinations

Magjia e festave të Fundvitit ka përfshirë edhe qytetin bregdetar të Sarandës, duke e renditur tregun e Krishtlindjeve ndër më të mirët në Europë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimet e botuara në Forbes, Traveler dhe European Best Destinations, të cilat kanë përshkruar atmosferën festive në qytetin e  Sarandës, i cili është destinacioni i mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë sezonit veror, por jo vetëm.

“Saranda destinacion edhe në dimër. Atmosfera festive e Krishtlindjeve sarandiote, ndër më të bukurat sipas Forbes, Traveler dhe European Best Destinations”, shkruan Rama.

Në tregun e Krishtlindjes në Sarandë mbizotërojnë dekorime vezulluese, shesh patinazhi, karusel, kasolle druri dhe skena për muzikë dhe aktivitete të ndryshme kulturore në këto ditë festash.

Vitet e fundit Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, shkak për këtë janë bërë edhe investimet e rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika, që i kanë dhënë tjetër pamje qytetit bregdetar./Atsh/KultPlus.com