Vaji i bylbylit

‘Vaji i Bylbylit’- Ndre Mjeda

Po shkrihet bora,
Dimri po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murrlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou, mos rri shkret.

Gjith’ fushët e malet
Blerimi i mbëloi;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoi.

Ndër pyje e ograja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjithkend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue që veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,
Bylbyl flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Kurrkush ma hovin
Atje s’ta pret;
Me zeher hajen
Kurrkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim;
E gjith’ ku t’rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamie,
Ke me gjetë mel;
Për gjith’ prendverën
Njajo buk’ t’del.

E kur t’zit edi
Ndër prroje pi;
Te njato prroje
Që ti vetë di.

Tash pa frikë çerdhen
E mban n’ndo’j lis;
Nuk je si ‘i nieri
Që nuk ka fis.

E kur t’vij’ zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Ndahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, fluturo;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër drandofille,
Ndër zambakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?

II

Por vaj! Se ‘i dimën tjetër
Paske, o bylbyl i shkreti;
Pa da ty zemra t’treti
Mbas vajit që t’rrethon.

Me lulzim t’vet prendvera
Ty s’ta përtrin gazmendin:
Jo kurrë s’e njifke shendin,
Bylbyl, që po vajton.

A thue po kjan, se çerdhen
Ta ka shkatrrue skyfteri?
A thue po kjan, o i mjeri,
Se me rrnue gjallë s’ke mel?

Ndrrojn’ edhe stinët e motit,
E për çdo herë ndron era.
Mbas dimrit vjen prendvera,
Mbas borës blerimi del.

Veç ti me idhnime t’tuja
N’zemër gjithmonë po pihe,
E ditë e natë po shkrihe
Mbas vajit që t’mundon.

Kur â tuj ardhun drita
Ndihet tuj këndue shpendi,
E n’kangë i duket shendi,
Që zemrën ia gazmon.

Gjetiu ndër pem, ndër lule
Shkon e fluturon bylbyli;
N’at erë që jep zymbyli
Vjollca e zambaku nget.

Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm,
Ty t’paska ndry mizori,
E kurrnjiherë nuk t’nxori
Me t’lëshue ku zemra t’thrret.

Ti kurr, nji kangë s’ia këndove
Diellit kur nadje çohet;
Zemra me vaj t’coptohet
E me pajtue nuk don.

Ndoshta kujdesi i t’tujve
Gjith’ ket hidhnim ta qiti,
E shendin ta shutiti
E vshtira që i mundon.

T’burguem i bani gjindja
Veç përse donë me ndie
Njat za që lëshojnë me hije
Që t’knaq e që t’ban rob.

Çdo krajl i madh ndër shpija
Ty t’mba m’u thanë i veti;
Vetë bukuria, o i shkreti,
Kenka për ju nji kob.

Përse tu ndeja e t’mëdhajve
Nji shpend i vogël s’ndalet;
Shpendit i kande malet,
Çerdhen e t’parve do.

Me at zanin tand t’përmallshëm
Ndoshta ti ankon këto t’vështira;
Derisa t’kthejn’ e mira,
Bylbyl, papra gjimo.

III

Por njaj vaj që je tuj lëshue,
Bylbyl, zemrën ma copton;
Ditë e natë rri tuj prigjue,
Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?

Gjama jote a porsi ankimi
I nji fëmijës që vetun mbet;
Gjama jote a si shungllimi
I nji t’zezës që gja s’ pre.

Porsi dnesë me futë në krye
Nana e shkretë që mbet pa djelm;
Njashtu tine rri tuj shfrye
Njat idhnim që t’u ba helm.

Puna jote, o i mjeri, m’mbyti
E kurrkund nuk m’len pushim,
Shkoi nji muej, po shkon i dyti
T’zezat t’tua s’kanë mbarim.

Tash ndër arë lulzoi qershia
E me borë dimni po shkon:
Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia,
Gjama jote kurr s’mbaron.

Si t’burguemit n’ishull t’detit,
Ku tallazi i thekshëm vrret,
O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
Vaji zemrën ia pëlset;

E papra n’ankime t’veta
Vajton fisin që larg la;
E tu fëmija i shkon si zgjeta
Mendja e shkretë se mbet pa ta;

Njashtu ti rri tuj vajtue
N’njat kafaz që shungullon;
Fisin tand rri tuj mendue
T’zinë atdhe që s’e harron.

Për fat tand, për zogj që kishe
Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb;
Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe
Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.

Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.

Njat vaj tandin tuj kujtue
Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net;
Pveshtin hanën tuj gjimue,
Pvetshin hyjt për prind të vet.

Por aj kob që hana e diti
E njaj vaj që ylli pau,
T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti,
E kurr zemra nuk ju ndau.

Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.

Nëpër fush’ e nëpër shpija,
Me kujdes që s’nep afat,
Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija,
Kjamun t’kishte i ngriti fat…

IV

Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;
Fillo me gëzue.

Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
Fillo me gëzue.

Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.

Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
Fillo me gëzue.

Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi
Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
Por prap durimi ka me ja prue,
Fillo me gëzue.

Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
E rishtas jashtë dikur i nxori;
Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
Fillo me gëzue.

Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
E kangët e parshme nisin me këndue:
Fillo me gëzue.

Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin,
Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
Fillo me gëzue.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.

Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
Fillo me gëzue.

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
Fillo me gëzue.

Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male,
Afër shpisë seme hovin tand ndale;
Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue
Kam për t’u gëzue./KultPlus.com

“Prokurori”, sot premiera e filmit në kinematë e Tiranës

Marin Hoxha është një prej aktorëve që luan në filmin serial “Prokurori”, i cili prej sot do të shfaqet në kinematë e Tiranës.

Aktori ka rrëfyer për mediat se si u bë pjesë e filmit “Prokurori” pa u paragjykuar nëse kishte apo jo formim të mëparshëm si aktor. Për regjisorin e këtij filmi Fatmir Doga, Marin Hoxha tregon se mjaftonte forma organike me të cilën interpreton për të shkuar sa më thjeshtë pranë publikut.

“Nuk kemi pse shtiremi dhe të bëjmë gjëra komplekse, kur mund të aktrojmë thjesht dhe të jemi sa më realë. Fatmiri këtë gjë kërkoi. Për fat të mirë u pranova. Pas disa kohësh mora një përgjigje pozitive dhe jam te episodi i parë i Prokurorit”, thotë ai.

Në filmin “Prokurori”, përveç aktorëve të talentuar shqiptarë, Marin Hoxha ka pasur mundësinë të interpretojë edhe përkrah aktorit me famë botërore, Danny Glover.

Seriali “Prokurori” me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, përqendrohet te lufta e një prokurori të ndershëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit politik.

Për adhuruesit e kinemasë shqiptare dhe ndërkombëtare, biletat kanë dalë tashmë në shitje, në Shqipëri dhe Kosovë. Episodi i parë i serialit do të shfaqet premierë në Tiranë dhe më pas do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit dhe më gjerë./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kremton sot 52-vjetorin

Më 10 tetor 1972, u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Me dekretin nr. 4993 të Presidiumit të Kuvendit Popullor u themelua institucioni më i lartë kërkimor shkencor në vend, si rezultat i përpjekjeve të palodhura të profesor Aleks Budës, i cili u emërua dhe kryetari i parë i tij. Mbledhja e parë e Asamblesë së ASHSH u mbajt më 25 janar 1973. Midis themeluesve të tjerë që spikatnin krahas Budës ishin: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj.

Në fillesat e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespodentë. Akademia funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si edhe të shkencave natyrore dhe teknike.

Mes funksioneve kryesore të Akademisë bëjnë pjesë: kryerja e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike dhe mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë, bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore dhe organizimi i veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me shkencën.

Dekreti i themelimit të Akademisë së Shkencave ruhet në fondin e Akademisë së Shkencave në AQSH. Po ashtu, gjendet lista me anëtarët e seksioneve të ASH-së./atsh/KultPlus.com

Vdes në moshën 80-vjeçare dirigjenti kontrovers Leif Segerstam, autor i 370 simfonive

Dirigjenti finlandez Leif Segerstam, i cili drejtoi orkestra anembanë botës, shkroi më shumë se 370 simfoni dhe e quajti veten “Jezusi i muzikës”, ka vdekur në moshën 80-vjeçare.

Ai ishte i njohur për drejtimin e tij kapriçioz dhe energjik, dhe flokët dhe mjekra e gjatë të bardhë, që i dhanë atij një pamje të Babadimrit kur udhëzonte muzikantët.

Transmetuesi publik finlandez, YLE njoftoi vdekjen e tij, duke cituar djalin e tij Jan, i cili tha se babai i tij kishte vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër.

Leif Segerstam ka dirigjuar orkestra në mbarë botën, përfshirë atë të Çikagos, Filarmoninë e Los Anxhelesit, Simfoninë e Radios së Vjenës, atë të Torontos dhe Orkestrën Filarmonike Mbretërore të Liverpulit.

I lindur në një familje muzikantësh, ky fëmijë i mrekullueshëm mësoi të lexonte në moshën trevjeçare, të deshifronte fletët e muzikës në moshën pesëvjeçare dhe të kompozonte pjesën e tij të parë në moshën gjashtëvjeçare.

“Unë jam pothuajse si Jezusi i muzikës”, tha ai dikur duke shtuar se ”në botën e muzikës, kam të vërteta po aq të çmuara sa mësimet e Jezusit”./ora/KultPlus.com

211 vjet nga lindja e Giuseppe Verdit, gjeniut të shekullit XIX

Giuseppe Verdi ishte dhe mbeti i plazmuar si një prej dy majave që rrokaqiellin me famë dhe madhështi eterin operistik të shekullit XIX. Viti 2013 ishte një vit kujtese për atë që do të skaliste në memorien e brezave shtatoren më të lartë të kumtimit mjeshtëror të një shekulli.  200 vjet në të ikur e naltësuan në apogje këtë figurë emblematike.

Gjunjëzohemi sot, besimplotë para kujtesës për këtë gjeni tokësor të operas italiane dhe botërore. Përbashkohemi krejt tok në këtë mbamëndje. Se kjo magji ngas në vetëdijen tonë artistike nderim të njëzëshëm, për Giuseppe Verdin, ateistin romantik, patriotin garibaldin, ngadhnjyesin vagnerian.

Ngadhnjimtari i Apenineve

Giuseppe Verdi, italian kryekëput ishte ai. Qëndroi besnik deri në fund dhe mori meritimin e mirënjohjes të gjeneratave për krejtçfarë bëri dhe la trashëgim. Kjo botë perëndishë antike dhe rilindase, e cila vinte prej një mbamëndje të pashoqe, e ngjizur në havanin 2000-vjeçar të kohërave, s’kishte sesi të ndalte vërshimin e saj uturitës në historinë e Evropës plakë. Ky shpirt Apenin do të gufonte prej humusit të brezave. Do të rilindtte një vazhdues i lavdisë dhe memories artistike që ngasi dhe dalldisi shekuj dhe breza të tërë. Ngadhnjeu mes britmash dhe harrimit, mes paradoksit dhe groteskut. Erdhi si një gurë meteotiti që do të plotësonte atë pjesë mozaiku të mrekullisë italiane. Ai, Giuseppe Verdi, fshatari që i dha frymëmarrje metropolitane operas së një shekulli. Sizifi që nuk reshti së përpjekuri. Vegjelia e mjeshtrit, hekakeqe dhe rurale, e pamundur dhe nënshtruese e përndoqi gjatë. Hera-herësh i’a përfundi shtatin. Hendeqe të thella e barriera të larta i zunë rrugën në rëndien e tij të hovshme përgjatë Golgotës së ngjizjes së talentit, atij univers që do të shpërthente përdhunshëm si një shkreptimë eterne, për të mbetur atëherë e sot një dritim shndritës, në një prej ngulmeve artistike dhe estetike më të garrametshme të kohës. Për asnjë moment, përkundër asnjë rrethane dhe vështirësie, deri dhe në kushtet e mbijetesës, Giuseppe Verdi, nuk dredhoi. Ai u përball, u kacafyt me thonj e me dhëmbë dhe triumfoi. Fitoi vetveten dhe mëtoi përbotërisht talentin dhe vitalitetin e tij shpirtëror, duke e skalitur emrin dhe veprën në memorin e kohës, në mbamëndjen e gjenialiteteve që tokësoren e tyre e ngjitën në qiejt e lavdisë.

Emblematiku i skenave operistike

Pa emrin e Giuseppe Verdit, galeria e kryeveprave operistike botërore do të ishte e mangët. I zbrazët do të ishte qielli i bruztë i shekullit XIX pa Giuseppe Verdin dhe Richard wagnerin, emrat e të cilëve nuk na lidhin vetëm me operan, por me botkuptimin dhe filozofinë e përjetimeve dhe shijeve estetike të një shekulli. Bota Apenine pa Verdin nuk do të kishte kreshtë të krenarisë prejnga do të mësynte gjeneratave dhe botkuptimeve me një shëmbëllim të kësisojtë. Sot 200 vjet më parë lindi ai, ai dhe ato; “Rigoletto”, “Traviata”, “Trovatore”, “Nabuko”, “Makbeth”, “Aida”, “Don Carlo”, “Otello”. Pa këto kryevepra të memories operistike, pa këto kumte lirike do të mbyllnin dyert ata që sot mbahen sallat e shugurimit të shenjtorëve të artit. Saora do të shterronte forca e përceptimeve ndjesore, marrëdhënia e shënjtë e njeriut me muzikën dhe densitetin emocional që shpërthente nëpër këto salla, për tu kthyer më pas në energji dhe vitalitet vërshimi ndryshues dhe përqafës.

Viti 2013, viti “Viva Verdi”

Viti 2013 është viti verdian. Dyqindëvjetori i lindjes së Giuseppe Verdit u përkujtua dhe vazhdon të mbush sallat koncertore dhe operistike me shpirtin e kredhur në kryeveprat e tij. Në çdo cep të globit, ai do të rivijë në të tashmen e këtij brezi, mbamëndje dhe trashëgimi universale e njerëzimit. Në Italinë mëmë, “Viva Verdi” përciku me aktivitetet përkujtuese pëllëmbë për pëllëmbë Gadishullin Apenin. Nga Parma, vendlindja e kompozitorit më 12 janar, me një ballo me maska startoi ky vit festiv, për tu përmbyllur me Traviatën që do t’i besohet  Daniele Gatti, në La Scala më 7 dhjetor 2013.

Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori me njohur i operës italiane dhe asaj botërore. Ai mbetet i tillë jo vetëm në kufinjtë shpirtëror dhe kalendarik të shekullit të XIX. Kapërceu me sharmin dhe kumtin e tij shekuj dhe gjenerata. Shkroi me shpirt dhe pasion ata që do të jenë sot e në përjetësi pjesë të fondit të artë të historisë së operas.

Vegjelia e mjeshtrit të madh

Giuseppe Verdi u lind me 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqen qysh heret. Shkollimi i këtij vullneti ngashërues u vu përballë pamundësishë dhe vështirësishë. Paradoksale por jo e panjohur, kjo ngase ai kishte origjinë nga fshati. Në moshën 18-vjeçare dëshiron të regjistrohet në konservatorin e Milanos, por u refuzua për shkak se e kishte kaluar moshën e paraparë dhe se nuk zotëronte mirë pianon. Për këtë arsye Verdi u detyrua që muzikën ta mësoj privatisht dhe njëkohësisht të punojë që të sigurojë mbijetesën. Në saj të talentit të rrallë dhe zellit të madh, Verdi arriti të kompenzonte mësimet që do t’i bënte në konservator. Meqë punonte si instrumentist në qytetzën Buseto, arriti të krijonte operat e para që do të shfaqeshin në Milano. Veç punës për ngritjen profesionale, lexonte veprat e Hygos, Sherlit, Dymas, Shekspirit etj, kryevepra të letërsisë botërore që do të bëheshin mbështetje për krijimin e libreteve të operave të tij të njohura.

Kompozitori revolucionar dhe patriot

Veç origjinës që e torturoi, paradoksalisht rrugëtimin e tij promovues do ta tensiononte, por edhe do ta lartësonte pozita historike e Italisë. Verdi jetoj në kohën kur populli i tij po luftonte për çlirimin dhe bashkimin e atdheut. Ndaj kjo e bëri atë dëshmimtar dhe pjesëmarrës të zedhshëm në këto përpjekje dhe përleshje. Faza e parë e krijtarisë së Verdit frymëzohet nga këto ngjarje, ngjizej sakaq në flakadanin e kësaj “kacafytje”. Kësisoj kjo etapë mund të quhet si etapa revolucionare e Verdit. Asokohe ai arrin suksesin e vet të parë me operën “Nabuko”, e cila me përmbajtjen e saj alegorike aludonte lëvizjen revolucionare të Rilindjes. Nga kjo kryevepër operistike, emri i Verdit u be siombol i kësaj levizje që shprehej me “VIVA Vitori Emannuel”, mbreti i Italisë. Pra i brohorisnin mbretit të Italisë, në vend të atij të Austrisë, nën sundimin e të cilit osohere ishte Italia. Korali nga opera Nabuko këndohej si kënge patriotike nga masat italiane, duke e vendosur sakaq shpirtin verdian në vijën e parë të frontit patriotik.

Kapërthimi në kreshtën e lavdisë

Pas suksesit të parë të madh radhiten operat e tjera të Verdit, i cili u bë i njohur dhe i popullarizuar, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën. Mjeshtri dallon nga bashkatdhetaret e vet, kompozitorët, të cilët vite të tëra jetonin dhe krijonin larg atdheut. Ai tërë jetën e tij e kaloi në atdhe, Itali, lidhur ngusht me popullin si një patriot i vërtetë. Ai u përkushtua sakaq në njohje me historinë e vendit të tij mbi te gjitha muzikën popullore dhe artistike të traditës, prej së cilës hoqi disa mangësi eventuale që vëreheshin, veçanërisht në operat seri. Ai bëri sintezën e vetive pozitive të operës italiane, veçmas duke ruajtur traditën e bel kantos, jo për qellim në vetvete, por për shërbim të përmbajtjes.

Meloditë e operave të Verdit ishin të çliruara nga virtuoziteti dhe koloraturat e tepruara dhe të dominimit të muzikës mbi përmbajtjen. Këto dy komponent njësues ishin të mishëruara mesvedi, ndaj ai me vëmendje zgjodhi tekstet që do t’i kompozonte, dhe bashkëpunoi ngusht me libretistin Piave dhe me shkrimtarin dhe kompozitorin Arigo Boito. Thelloi njëkohësisht anën dramatike dhe psikologjike të karaktereve të protagonistëve të operave të tij. Muzika e Verdit mbështetej veçmas në burimoren e traditës. Kësisoj ai erdhi për të mbetur një faktor i rëndësishëm i afrisë me njerëzit e thjeshtë. Kujtojmë kushtet dhe rrethanoren e asokohëshme, kur opera ishte një art vetmitar i ngushëllimit të tragjikes së një brezi.

Verdi kompozitori patriot

Origjina e tij do ta mbante shpirtërisht dhe artistikisht të lidhur me Italinë dhe popullin italian, historinë dhe traditën e kombit. Edhe vetë Verdi është kompozitor nacional me vlera polinacionale. Qysh gjate jetës se tij ai u bë i njohur dhe i popullarizuar si një ndër fytyrat më të njohura të Italisë dhe të Evropës. Pleqërinë e thellë e priti të qetë dhe pa trazira. Vdiq në moshë të shtyrë më 1901. Ai kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Të gjitha operat nuk kanë përmbajtje të përhershme. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kane një përmbajtje serioze dhe disa sosh janë edhe tragjedi. Operat me të njohura të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: Nabuko, Rigoleto, Trubaduret, Traviata, ballo me maska, Aida, Othello Falstaf opere komike.

Në historinë e gjate të operës, Verdi zë vend të nderit, sepse arriti të bashkojë traditat me të bukura të operës Italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës Italiane, të absorbojë elementet pozitive që ishin shfaqur ne artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente te reformës se Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës.

Verdi dhe Wagneri polet e universit operistik

Ata ishin dhe mbetën më të mëdhenjt e një shekulli. Shkruesit me të zellshëm të historisë së operas evropiane dhe botërore. Ata jetuan si një binom paradoksal. Verdi dhe Wagneri, ishin udhëheqësit e shkollave të tyre përkatëse të muzikës. Dukshëm ata nuk e durojnë njëri-tjetrin në masë të madhe, edhe pse kurrë nuk u takuan. Komentet e Verdit mbi Wagner dhe muzikën e tij janë të pakta dhe aspak mirëdashëse “Ai gjithmonë zgjedh, të panevojshmen, rrugën e braktisjes, duke u përpjekur për të fluturuar ku një person racional do të ecte me rezultate më të mira, shkruan Verdi. Me të mësuar ndarjen nga jeta të Wagner, Verdi e derdhi brendinë: “Sad, i trishtuar, i trishtuar! Një emër që do të lërë një përshtypje të fuqishme në historinë e artit.” Prej komenteve të Wagner-së mbi Verdi, vetëm një është e mirënjohur. Pas dëgjimit të Requiem të Verdit, gjermanisht, pjellor dhe elokuent, në komentet e tij me disa kompozitorë të tjera deklaroi, “Ajo do të jetë e mirë për të mos thënë asgjë.”. I tillë ishte Wagner, sepse sintesë e këtij shpirti ishte dhe “Tristani dhe Izolta”, tragjik.

Verdi më shumë se një kujtesë

Sot kur njëzëshëm dhe vullnetlirë thërrasim dhe pranojmë atë, Giuseppe Verdi, si një korife i operas italiane dhe botërore, kujtesa do të ishte një prekje e përciptë e ngulmit që rreket të rrok të tashmën e një gjenerate. Ne i jemi më së shumti mirënjohës. Italia do t’i jetë borxhli, Giuseppe Verdit, atij që nuk i’a ktheu shpinën kurrë, atij që e ngriti me pasion dhe përkushtim vendlindjen e tij në pjedestalin e universit operistik. Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin, lirikun dhe romantikun ngadhnjimtar të shekullit XIX. /Albert Vataj /KultPlus.com

Valbona destinacion gjithëvjetor, turistët shijojnë ecjet në shtigje

Një mozaik natyror magjepsës të ofron në këto ditë vjeshte Lugina e Valbonës, një prej mrekullive të papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur vizituesit e shumtë në Parkun Kombëtar të Valbonës, të cilët shijojnë ecjet në shtigje duke e bërë turizmin e këtyre anëve gjithëvjetor, për të ftuar këdo të eksplorojë këtë destinacion turistik pjesë e Alpeve tona.

“Turistët nga Valbona shijojnë ecjet në shtigje duke e bërë turizmin e këtyre anëve gjithëvjetor”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Vjeshta me temperaturat e ngrohta që ka dhuruar këtë vit ka sjellë atmosferë magjike, ndërsa nuancat e ngjyrave të tokës kanë mbuluar gjithë luginën e Valbonës.

Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.

Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.

Ajo shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin Tropojës. La statusin e Parkut Nacional dhe përfshihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh.

Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra.

Vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit e Kosova, janë të pranishëm çdo ditë në pikën turistike gjithëvjetore të Valbonës, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron.

Udhëtimi nis përmes Drinit deri në Tropojë e më pas Valbona është vetëm 45 minuta larg. Lumi do të jetë shoqërues rruge deri në burimin e vet.

Kaltërsia e Valbonës, është si e asnjë lumi tjetër. Teksa udhëton, kaltërsia e lumit të magjeps, ndërkohë në të dy krahët ngrihen malet e larta që edhe në fillim të verës vazhdojnë ti kenë majat e mbuluara me dëborë./atsh/KultPlus.com

Themelohet Qendra për mësim nga distanca për studentë italianë nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Universum International College dhe Kosullatës së Moldavisë në Itali

Në një zhvillim të rëndësishëm për edukimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, UNI -Universum International College ka nënshkruar një marrëveshje me Konsullatën e Moldavisë në Itali për të krijuar një Qendër për Mësim nga Distanca për studentët italianë dhe studentë nga Moldavia.

Takimi u zhvillua në kampusin e UNI, ku morën pjesë përfaqësues nga Italia dhe drejtues të kolegjit.

Qendra do të ofrojë mundësi të reja për studentët, duke u mundësuar atyre të ndjekin kurse të larmishme përmes platformave të avancuara të mësimit online. Kjo iniciativë synon të forcojë lidhjet kulturore dhe akademike mes Moldavisë, Italisë dhe Kosovës, duke ofruar një hapësirë të sigurt dhe të qasshme për të rinjtë që dëshirojnë të zgjerojnë horizontet e tyre.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një konferencë për media, u prononcuan Z. Roberto Galanti, Honorary Consul of the Republic of Moldova in Italy, Z. Francesco Favia, President at International Academic Research Center – UNICART, si dhe Presidenti i UNI, Z. Alejtin Berisha,  të cilët shprehën optimizmin e tyre për këtë bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e edukimit në ndihmën për zhvillimin e karrierës dhe integrimin ndërkombëtar.

Me këtë marrëveshje, UNI – Universum International College riafirmon angazhimin e tij për ofrimin e arsimit cilësor dhe mbështetje për studentët nga e gjithë bota. / KultPlus.com

Letra e lamtumirës nga Che Guevara, drejtuar fëmijëve të tij

Të dashur Hildita, Aleidita, Camilo, Celia dhe Ernesto

Nëse e lexoni këtë letër një ditë, do të thotë se nuk jam më gjallë. Vështirë se do të më kujtoni dhe më i vogli mes jush, do të më ketë harruar plotësisht.

Babai juaj, ishte një njeri që veproi ashtu siç mendonte më mirë dhe ishte absolutisht besnik ndaj bindjeve të tij. Rrituni si revolucionarë të mirë. Studioni shumë për të zotëruar teknikën, që ju bën të zotëroni natyrën.

Mos harroni, se, është Revolucioni, që është i rëndësishëm dhe se, secili prej nesh, i kapur veçmas, nuk vlen asgjë. Mbi të gjitha, kini shpirtin e ndjeshëm ndaj çdo padrejtësie, kundrejt gjithkujt kudo në botë.

I juaji gjithmonë, fëmijët e mi. Shpresoj të shihemi përsëri.

Një puthje e madhe e fortë, nga babi.KultPlus.com

’Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë, atëhere ti s’ke kuptuar asgjë’

Poezi e shkruar nga Jacques Brel

Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës
E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg
Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy
E kengë që ti lehte mund t’i kendosh
atëhere …

Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen
Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh
Për të gjetur shpresën që të kap për dore
Për të gjetur dorën që ti ke braktisur
Atëhere …

Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh
Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot
Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë
E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri
Atëhere …

Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë
A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim
E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë
E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim
Atëhere…

Atëhere ti s’ke kuptuar asgjë …/ KultPlus.com

Me premierë të kompozitorit Dvorak, Altin Tafilaj sjellë harmoni tingujsh në koncertin ‘Viola d’amore’

Vjollca  Duraku

Me tingujt e bukur të këngës shqipe “Dashnor t’u bana” të interpretuar mjeshtërisht nga violisti Altin Tafilaj ka filluar koncerti “Viola d’amore”, i pesti me radhë, në festivalin ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, shkruan KultPlus.

Afërsia që solisti Tafilaj e ndiente me publikun bashkëkombës të tij e shtyu që të ndryshonte programin dhe të nderonte të gjithë pjesëmarrësit në Kishën “Shën Ndou” me këtë këngë të bukur shqipe, të sjellë në një mënyrë mjaftë të veçantë përmes instrumentit të Violës.

“Pasacaglia” e Hande- Halvorsen ishte vepra e radhës interpretuese e koncertit, e cila u dha në bashkëpunim me violinisten e njohur shqiptare Sihana Badivuku. Ritmi i ndryshueshëm i tingujve aq bukur të emetuar në sallën e ftohtë, e të mermertë, ngrohte nga brenda zemrat e publikut.

Pas pak, skenës iu bashkua edhe violinisti tjetër Rron Bakalli me veprën e A. Dvorak, “Terzetto” (Introduzione. Allegroma non troppo, Larghetto, Scherzo.Presto) e cila u soll si premierë në KamerFest dhe në Prishtinë. Ndryshimi drastik i tingujve të shpejtë në të ngadaltë ishte veçantia e kësaj vepre. Kurse interpretimi me gishtërinj, i kombinuar me radhë mes tre artistëve të skenës, ndryshonte ritmin dhe tërhiqte si magnet vëmendjen e audiencës.

Një valle e veçantë e tingujve që ndiqeshin nga njëri-tjetri u dha nga KamerFest String Orchestra dhe violinisti Altin Tafilaj me veprën e kompozitorit F. Schubert me Sonata “Arpeggione” a -minor, D.821 (Allegro moderato, Adagio, Allegretto). Orkestra harkore me 12-të instrumentistë  përmes këtij interpretimi shënoi edhe përmbylljen e koncertit “Viola d’amore”.

Krejt në fund të koncertit, violisti Altin Tafilaj, në një prononcim për KultPlus ka thënë interpretimi në këtë mbrëmje i ka dhënë emocion të veçantë.

“Ishte një emocion i veçantë sepse jam në atdheun tim, me publikun që flet shqip dhe që më kupton. Publiku është shumë artdashës. E ndjeva veten të mirëpritur edhe nga kolegët, orkestra dhe nga organizimi në përgjithësi. Ishte një ndjenjë shumë e mirë, shumë e veçantë”, ka thënë solisti Tafilaj.

Ndërsa, për violinisten Sihana Badivuku, interpretimi përkrah solistit Tafilaj dhe ish-studentit të saj Rron Bakalli ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme.

“Ishte kënaqësi posaçërisht për studentët që të bashkëpunojnë me një violist të këtij kalibri, një artist aq spontan që posedon energji të posaçme unike. Për ne ishte me të vërtetë një dhuratë që Altini pranoi të  vinte në këtë edicion të festivalit. Bashkëpunimi me Altin Tafilaj dhe ish-studentin tim Rronin që tashmë koncerton në skena të ndryshme si në Kosovë, ashtu edhe jashtë, ishte kënaqësi për mua që të performoj me ta veprën premierë “Terzetto’ nga A. Dvorak”, ka thënë violinistja Badivuku.

Ajo më tej falënderoi edhe orkestrën harkore për pjesëmarrje në këtë koncert, duke uruar në të ardhmen e afërt të krijohej një orkestër harkore permanente e kryeqytetit.

“Për një orkestër stabile nevojiten më shumë prova dhe shpresoj që këto lloj orkestrash në të ardhmen e afërt do të institucionalizohen dhe që të kemi një orkestër pemanente harkore të qytetit të Prishtinës ose të festivaleve. Është vullneti i studentëve që me prova minimale të arrijnë të dalin në koncert, dhe kjo është për t’u përshëndetur”, ka thënë violinistja Badivuku.

Ndërsa violistja, Entela Qarkagjija, ka falënderuar mediumin KultPlus për përkrahje të artistëve duke ndjekur nga afër çdo ngjarje kulturore.

“Është shumë kënaqësi të marrësh pjesë në festivalin KamerFest sepse është njëri prej festivaleve më të veçanta dhe një prej festivaleve të para në Kosovë, i cili ka vazhduar të mbajë në mënyrë të përsosur nivelin artistik dhe profesional të muzicientëve. Është shumë kënaqësi të bashkëpunosh me muzicient nga Evropa, dhe njëkohësisht të marrësh dije dhe inspirim nga ta dhe nga puna e tyre”, ka përfunduar anëtarja e orkestrës harkore “String Orchestra”, Entela Qarkagjija./ KultPlus.com

A ishin Istref Begolli dhe Melihate Ajeti çifti më i bukur i teatrit tonë?

“Melihati, ulur në këndin e saj të preferuar në dhomën që e quan “parajsë vetmie”, e grimuar, me turban në kokë (pamje thuaja e përhershme), me glamur zonjeje, rimerr fuqinë për të rrëfyer edhe për anën tjetër të jetës, për njerëzoren, për miqtë, për shokët e paktë, por të përzgjedhur, për emocionet…Rikthen motet e shkuara.

“Kolegu im i respektuar, Istref Begolli, pas shfaqjes “Ëndrra e qenit” të Mehmet Krajës, duke ma uruar rolin e shitëses së luleve, në foajeun e teatrit, me emocione të larta dhe me lot në sy, më përqafon e më thotë “Meli, a e di c`rol të madh ke bërë prej një roli të vogël! Je e shkëlqyeshme. Veç ti, me aktrim të lartë, po më jep të kuptoj se ende ekziston shpresa për nivelin e teatrit”! – ishin çaste ngazëllimi, por edhe dëshpërimi që po I përjetonte aktori. Meli, prandaj, me respekt kujton kolegun e saj shumëvjecar, Istrefin, dhe po me kaq mall dëshirën e tij të madhe që pati për ta luajtur Mbretin Lir, për të cilin rol po i fliste kur po rrinin thuaja përditë në lokalet e teatrit të pasluftës.

“E kam pasur shok të mirë, vdiq me zhig të rolit të Mbretit Lir. Shkoi..” – hetohet një notë sentimenti në zërin e aktores. Kritiku Vehap Shita me rastin e shuarjes së Istrefit, kujton:
“Dueti artistik, Istref Begolli – Melihate Ajeti ishte, ndoshta, çifti më i bukur që parakaloi deri më sot në skenën e teatrit tonë, çifti pa të cilin nuk mund të mendohej një shfaqje e bukur e kësaj skene!”.

Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit. / KultPlus.com

John Lennon, legjenda e muzikës akoma frymëzim i vazhdueshëm

Një nga pikat më të rëndësishme të historisë së muzikës festohet sot: përvjetori i lindjes së legjendës së muzikës rock, John Lennon. Ai do të kishte mbushur 84 vjet sot, por megjithëse ka kaluar më shumë se tre dekada nga vdekja e tij tragjike në vitin 1980, ndikimi dhe pasqyra e tij në botën e muzikës dhe në shoqërinë në përgjithësi ende janë të paimagjinueshme.

Lindur më 9 tetor 1940 në Liverpool, John Winston Lennon nisi karrierën muzikore si themeluesi i një nga bandat më ikonike të të gjitha kohërave, The Beatles. Bashkë me Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr, The Beatles shpërthyen në skenën muzikore në vitin 1960 dhe u bënë një fenomen globar. John Lennon ishte shpesh herë i njohur si zëdhënësi dhe shpërblyesi i grupit, por dhe si autor dhe këngëtari i shumë këngëve të tyre më të njohura.

Muzika e John Lennon ishte e ndryshme dhe e pasur. Këngët e tij kishin një pasqyrë të thellë të jetës dhe botëkuptimit të tij. Nga baladat e ëmbla të tilla si “Imagine” dhe “Woman” deri te këngët e rock ‘n’ roll të ngulitura si “Twist and Shout” dhe “Come Together”, Lennon shfaqte një shpërfaqje të gjithanshme të aftësive të tij muzikore.

Megjithëse ai ishte një talent i madh në muzikë, Lennon nuk e fshehu ndikimin e tij në lëvizjen e paqes dhe të drejtave civile. Këngët e tij, si “Give Peace a Chance,” ishin himne për paqen dhe ndryshimin shoqëror.

Përveç muzikës, John Lennon ishte i njohur edhe për angazhimin e tij në politikë dhe aktivizmin shoqëror. Ai dhe bashkëshortja e tij, Yoko Ono, bënë demonstrata dhe protesta kundër luftës në Vietnam dhe për të drejtat civile.

Pas një vetë imponimi për të dalë në pension për të rritur djalin e tij Sean, Lennon rishfaqet me albumin Double Fantasy, por u vrit më pak se një muaj pas lëshimit të albumit. Album i cili në vitin 1981 fitoi Grammy Award for Album of the Year.

Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që nga vdekja e tij, trashëgimia e John Lennon vazhdon të jetë e gjallë. Muzika e tij vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe të ndikojë në artistët e rinj.

Në këtë përvjetor të lindjes së tij, ndoshta është momenti i përsëritjes së disa prej këngëve të tij më të njohura dhe reflektimi mbi ndikimin e tij të pakrahasueshëm në muzikë dhe shoqëri. John Lennon do të mbetet një nga ikonat më të ndritura të muzikës dhe një frymëzim i vazhdueshëm për të gjithë ata që kërkojnë të ndryshojnë botën nëpërmjet artit dhe angazhimit shoqëror. / KultPlus.com

https://youtu.be/bNnFFKv_NyI?si=FGYoELt7KQE99161

Shtatë vepra botërore në albumin e sopranos Vita Guhelli, shpërfaqin origjinalitetin e ninullave në formën më sublime

Era Berisha

Gjëja e parë që krijon njeriu në këtë botë kur lind është lëshimi i zërit. Disa nga këta zëra janë më të veçantë se të tjerët, kanë një timbër të shndritshëm e të bukur që magjeps gjithkënd. Pra, në njëfarë forme është një bekim që i epet njeriut qysh në lindje, dhe sopranoja Vita Guhelli padyshim që është njëra ndër të bekuarit. Me një zë karakteristik, i cili arrin nota të ndryshme, ajo thellë në vete ka një aftësi të pamasë dhe unike. Shumë këndshëm nëpërmjet zërit, Guhelli thumbon atmosferën pa mëshirë, shkruan KultPlus.

Kur një soprano këndon, kordat vokale dridhen dhe skajet e kordave bashkohen, kësisoj lëshohet tingulli nga brendësia. Për të perfeksionuar këta tinguj, duhet shumë kohë, përkushtim, mund dhe një mori ushtrime. Sopranoja Guhelli tashmë ka kohë që ka gjelbëruar zërin e saj drejt maturimit, dhe krejt këtë e ka arritur me shumë pasion dhe dashuri të skajshme. Për fillet e saj dhe për publikimin e albumit të fundit të titulluar “Nana”, në një intervistë për KultPlus, sopranoja Guhelli ka treguar shumëçka.

Gjithçka kishte nisur kur ajo qe pesë vjeçe dhe interpretimin e saj të parë e pati bë me nënën e vetë, të cilës sot ia dedikon albumin më të fundit. Magjia që ajo kishte ndjerë në skenë ka qenë shumë e veçantë, e ka joshë që të bëhej pjesë e pandashme e saj. Si fëmijë, ajo ka pas rastin të këndojë në koncerte të ndryshme shkollore, mirëpo muzika për të tashmë kishte marr tjetër kuptim. Edhe shkollën e mesme e kishte vijuar, fillimisht për piano e pastaj edhe për këndim. Ajo e ka ditur se skena tashmë i kishte futur rrënjët diku brenda qosheve të zemrës së saj.

Këto përvoja të hershme të saj, padyshim që ndihmuan në formësimin e pasionit të saj për muzikën, më konkretisht për këndimin, dhe tash s’kishte më kthim prapa. Ndërsa, instrumenti i pianos, qe një dashuri tjetër që ajo e themeloi në ndërkohë, duke nisur kështu rruga e saj drejt edukimit muzikor profesional. Mirëpo, këndimi mbetet për të, reflektimi më i thellë i shpirtit dhe artit të saj. “Zëri është arti më sublim për të shprehur emocionet dhe ndjenjat.”

Së fundmi, sopranoja Guhelli ka publikuar albumin e saj më të ri, “Nana”, dhe të në njëjtën kohë edhe motra e saj, Vesa Guhelli ka hapur ekspozitën e saj me emrin dhe domethënien e njëjtë. Albumi “Nana” përmbledhë vepra të kompozitorëve shqiptarë, evropianë dhe botërorë si: Manuel de Falla, José María Cano, Massimo Audiello, Enver Shëngjergji, Fernando Obradors, José Ramón Gomis dhe Takahiro Obata.

Këto vepra në aspektin përmbajtësor dhe kompozicional pasqyrojnë siluetën e nënës përmes formës më sublime – Ninullës. Sopranoja Guhelli na ka treguar se objektivi kryesor i këtij projekti është pasqyrimi i një diversiteti kulturor etnik mbarë botërorë përmes veprave të karakterit të ninullave. Pra, ky album na vjen me ngjyrime të ndryshme kompozicionale me qëllimin e krahasimit dhe njohjes së këtij formati kompozicional i cili kryefjalë ka origjinalitetin e muzikës shqiptare dhe muzikën e kombeve të tjera kudo në botë.

Konsiderohet se si një urë lidhëse e diversitetit muzikor është gërshetuar kolona zanore e projektit “Nana” – vepra e një kompozitori shqiptar me veprat e kompozitorëve evropianë e botërorë, të periudhave të ndryshme stilistike muzikore dhe kulturore por të ngjashme në frymën përmbajtësore. Këta kompozitorë sjellin një identitet krijues të reflektuar në lajtmotive autentike por ndër vite me tendenca progresive dhe inovative interpretuese nga interpretues të shquar botërorë.

Duke e njohur dhe studiuar opusin e tyre krijues në përgjithësi, sopranoja Guhelli synim ka pasur që fryma kompozicionale të përkoj me atë interpretuese. Ajo mbetet e mahnitur dhe e befasuar me prezencën e vargut “Nina Nana” në veprat e kompozitorëve italianë dhe spanjollë.

Sipas saj, në aspektin përmbajtësor të vargjeve, ky rrjet ninullash tregon një unifikim dhe gjuhë universale në interpretimin më sublim – i nënës për fëmijën e saj. Po ashtu, projekti muzikor gërshetohet me artin vizual, gjegjësisht ekspozitës me fotografi i titulluar njashtu “Nana”, autore e të cilës është Vesa Guhelli, që i kushtohet fillimisht gruas që i solli dy artistet në jetë dhe sakrifikoi çdo gjë për to.

Bukurije Morina, nëna e tyre, me zërin e saj të bukur, i ka dhuruar atyre një botë të mbushur me nota, tinguj, melodi si dhe ëndrra të cilat tashmë veçse i kanë prekur. Ajo për to, mbetet shembulli më i mirë e gruas dhe nënës. Por ky projekt i cili gërsheton këto dy arte, po ashtu vjen si dedikim për të gjitha nënat kudo në botë.

Albumi “Nana” gjithsej ka shtatë vepra të kompozitorëve të ndryshëm evropian e botërorë. Çdo këngë sjell një diversitet të pasur muzikor duke kombinuar tingujt tradicionalë me elemente të muzikës moderne, për t’i ofruar publikut një përvojë unike dhe të ndjerë. “Do të veçoja këngën ‘Ninulla’ të kompozitorit Enver Shëngjergji, e cila është e vetmja vepër shqipe në këtë album. Kjo këngë, e shkruar 37 vite më parë, ka një rëndësi të veçantë për mua, si nga aspekti personal, ashtu edhe për emocionet që ajo sjell. Enver Shëngjergji, është dekoruar nga Republika e Shqipërisë për kontributin e tij të çmuar me titullin – Mjeshtër i Madh prandaj dhe për mua është një nder i veçantë të interpretoj kryeveprën e krijimtarisë së tij, e cila mbart vlera të mëdha kompozicionale dhe është një perlë e vërtetë ndër veprat e muzikës shqipe”, thotë sopranoja Guhelli.

Interpretimi i veprave klasike dhe studimi i tyre kërkon qartazi një punë të madhe. Është një proces që kërkon shumë për të arritur në perfeksion. Nevojitet një përkushtim serioz që përfshin studimin e gjuhës në të cilën është shkruar vepra, njohjen e diksionit, artikulimin e pastër, studimin e periudhës stilistike si dhe duhet një teknikë vokale të përsosur dhe një formë të mirë fizike. Sipas Guhellit, thelbësore është që interpretimi të përkojë me frymën kompozicionale dhe stilistike të veprës, për të krijuar një performancë të vërtetë dhe të ndjerë. Këto elemente bashkëpunojnë për të realizuar një interpretim të denjë.

Në këtë album janë të përfshira edhe disa vepra të cilat nuk i përkasin zhanrit të muzikës klasike por atij modern me ngjyrime të muzikës xhaz. Për sopranon Guhelli, këndimi me zërin natyral, i ofron asaj një emocion të veçantë dhe një ndjesi autenticiteti që e bën të ndjehet plotësisht në harmoni me disa këngë të caktuara, që kanë rëndësi personale për të.

“Para se të filloja studimet në drejtimin e solo këndimit – muzikës operistike, kam pasur mundësinë të eksperimentoj me zhanre të ndryshme, duke përfshirë muzikën moderne me nuanca xhaz, atë tradicionale italiane dhe spanjolle. Këtë përvojë e kam inkorporuar edhe në albumin tim, ku disa prej veprave, veçanërisht ninullat, kërkonin pikërisht këtë qasje të ndjerë dhe organike, duke krijuar një lidhje më të thellë me çdo tingull dhe mesazh që dua të përcjell”, thotë ajo.

Tutje, ajo ka treguar edhe momentin në të cilin e ka ndjerë se albumi “Nana” me tematikën e caktuar, ka qenë i domosdoshëm për artdashësit e muzikës klasike.

“Artisti e ndjen thellësisht kur një tematikë e caktuar mungon në peizazhin muzikor dhe zgjedh t’i japë asaj zë përmes krijimit të një albumi me frymë të njëjtë stilistike dhe përmbajtësore. Ky proces krijues vjen natyrshëm, si një përpjekje për të plotësuar boshllëqet artistike, duke sjellë në jetë një projekt që flet me koherencë të plotë përmes çdo tingulli dhe fjale. Një album i tillë nuk është thjesht një koleksion këngësh, por një udhëtim i përbashkët artistik dhe shpirtëror, që pasuron botën muzikore me diçka autentike dhe të ndjerë. Në këtë mënyrë, projekti nuk është vetëm një përmbledhje këngësh, por një koncept i lidhur ngushtë që përçon një mesazh të qartë dhe të unifikuar, duke pasuruar skenën muzikore me një kontribut unik dhe të menduar mirë.”

Për të përzgjedhur veprat e caktuara për një album, ekziston një proces që vazhdimisht duhet të burojë nga shija individuale e secilit, për të sjellë diçka autentike, të padëgjuar ndoshta më parë, apo edhe diçka eksperimentale. Por, për sopnraon Guhelli kjo ka qenë jo domosdoshmërisht e vështirë. Për të, i gjithë procesi ka ardhur nëpërmjet shijes artistike, mundësive teknike dhe atyre vokale. Çdo zgjedhje është bërë më shumë kujdes nga ana e saj. Janë marrë parasysh harmonitë mes potencialit të çdo artisti dhe mesazhi që është dëshiruar të përcjellët. Pra, procesi mbetet një udhëtim krijues, ku çdo këngë duhet të reflektojë jo vetëm stilin e saj personal, por edhe thellësinë emocionale që ajo kërkon të ndaj me publikun.

Si duket, tashmë publikimi i albumit “Nana” që përkoi me hapjen e ekspozitës me po të njëjtin titull nga motra e saj, Vesa, është pritur tejet mirë nga të pranishmit në promovimin e albumit në Shkollën e Muzikës “Amadeus”, duke lënë një përshtypje të thellë tek të gjithë ata që e kanë dëgjuar. Përzgjedhja e veprave dhe ideja që qëndron pas albumit, duket se kanë ngjallur emocion dhe admirim, duke e bërë këtë projekt një sukses të veçantë në sytë e publikut. “Jam shumë e lumtur që mund të sjell në vëmendje këngë të cilat reflektojnë kulturën dhe shpirtin shqiptar në një mënyrë të freskët dhe autentike”, thotë sopranoja Guhelli.

Krejt për fund, sopranoja Guhelli ka treguar se momentalisht është e përqendruar në zhvillimin e karrierës si solo këngëtare, me synimin për të sjellë në vëmendjen e publikut, vepra të mrekullueshme shqipe që janë publikuar dhe promovuar shumë pak.

“Besoj se këto këngë përfaqësojnë një trashëgimi të pasur kulturore dhe emocionale, dhe është misioni im t’i rikthej në skenë me energji dhe përkushtim. Kam plane për performanca të drejtpërdrejta dhe publikime të reja, duke i dhënë zë këtyre perlave të fshehura dhe duke krijuar një lidhje të veçantë me publikun përmes artit të pastër shqiptar”, thotë ajo.

Sopranoja Vita Guhelli ka një imazh të qartë të vizionit të saj artistik dhe ky padyshim që është promovimi dhe lartësimi i muzikës dhe vlerave tona kombëtare. / KultPlus.com

Promovimi i albumit dhe ekspozitës “Nana”

‘Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qan’ (VIDEO)

Fitnete Tuda, një emër i dashur për muzikën shqipe, ndër vite ka sjellë disa këngë që këndohen edhe sot dhe dëgjohën me ëndje, duke reflektuar gjithmonë për jetën, dashurinë, të kaluarën.

Një prej këngëve më të dashura padyshim mbetet “Shi bie në Tiranë”.

Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

Shi bie në Tiranë
nga malli ynë
edhe qielli qan
je i dehur nga pija
apo nga dashuria
ti ec…
por këmbët nuk të mbajnë
je i dehur nga pija
apo nga dashuria
ti ec…
por këmbët nuk të mbajnë

Shi bie në Tiranë
si nën ombrellë
ti strukesh nën një palmë
gjysma ime treti
rrugëve të këtij qyteti
shi bie në Tiranë
gjysma ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
shi bie në Tiranë

Sa shumë u endëm e s’ikëm
sa shumë u lagëm e s’ikëm
harruam ditët dhe vitet
a është kjo dashuri?

Shi bie në Tiranë
dhe shpirti ynë
fluturon mbi dajt
vetja ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
zemra ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë

Shi bie në Tiranë
nga malli ynë
edhe qielli qan
zemra ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
kënga ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë…/KultPlus.com

Ministri Çeku njofton Baletin Kombëtar: Nis hartimi i projektit për krijim të hapësirës së re për prova dhe shfaqje

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka nisur hartimi i projektit për krijimin e hapësirës së re për Baletin Kombëtar të Kosovës, në objektin e Pallatit të Rinisë.

Sipas Ministrit Çeku kjo hapësirë do t’i ofroj balerinëve të BKK kushte të dinjitetshme për ushtrime, për prezantimin të performancave dhe shfaqjeve të tyre.

Me këtë rast, ministri Çeku ka përgëzuar BKK për paraqitjen e mrekullueshme në Kore të Jugut, ku prezantuan baletin e parë shqiptar “Halili dhe Hajria”.

“Dje i njoftova balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës që ka nisur hartimi i projektit për krijimin e hapësirës së re në Pallatin e Rinisë, hapësirë kjo që do të ju ofroj kushte të dinjitetshme për ushtrime, po ashtu për prezantimin e performancave e shfaqjeve e tyre.

Gjithashtu i përgëzova për paraqitjen e mrekullueshme në Kore të Jugut, ku prezantuan baletin e parë shqiptar “Halili dhe Hajria””, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

“Che” Guevara, pishtari tragjik i magjepsur nga revolucioni

Nga Albert Vataj

“Urrejtja si element qendror i luftës tonë! Urrejtja që është i papajtueshme … urrejtja kaq e dhunshme sa që vë në lëvizje një qenie njerëzore përtej kufizimeve të saj natyrore, duke e bërë atë të dhunshme dhe një makinë vrasëse gjakftohtë … Ne refuzojnë çdo qasje paqësore. Dhuna është e pashmangshme. Për të krijuar socializmin duhet të rrjedhin lumenj gjaku! Armiku imperialist duhet të ndjehet si një kafshë që gjuhet kudo që ai shkon. Kështu ne do ta shkatërrojmë atë! Këto hiena duhen asgjësuar. Ne duhet të mbajmë urrejtjen tonë gjallë dhe të vazhdueshme!” 

— Nga fjalimi i Ernesto “Che” Guevarës në Konferencën Trekontinentale në Havana, Kubë, prill 1966.

(…) Unë e dija tashmë. …Unë do të jem me popullin, … duke ulëritur si një shpirtkapur, unë do të sulmoj barrikadat dhe llogoret, do të laj armën time me gjak dhe, i çmendur, me tërbim, do të pres fytin e çdo armiku që bie në duart e mia. … Ndjej flegrat e hundës të më zgjerohen nga nuhatja e aromës së barutit të djegur dhe gjakut të armikut të vdekur; ndjej trupin tim të përkulur, gati për të luftuar, dhe përgatis qenien time sikur të ishte një vend i shenjtë në mënyrë që në të edhe rënkimi shtazarak i proletariatit fitimtar të mund të rezonojë me vibracionet dhe shpresat e reja.— Ernesto Guevara, “Shënime udhëtimi” 1951-1952.

Ernesto (Che) Guevara, i njohur edhe si Komandante Che, (14 qershor[2] 1928 Rosario, Argjentina – 9 tetor 1967, La Hinguera, Bolivia) ishte revolucionar, shkrimtar dhe guerilas marksist argjentinas dhe hero i komunistëve të Amerikës Latine, si dhe një figurë e njohur e shekullit të 20-të. Nofkën “Che” e mori nga bashkëluftëtarët komunistë kubanë në Meksikë, sepse përdorte shpesh, si çdo argjentinas, fjalën “Che”, diçka e ngjashme si thirrja “Hej” e shqipes. Guevara mori pjesë në revolucionin komunist kuban në krah të Fidel Kastros në vitin 1959 për rrëzimin e regjimit të diktatorit të atëhershëm Batista dhe vendosjen e diktaturës komuniste të Fidel Kastros.

Çfarë ka arritur të bëjë me të vërtetë Che Guevara?

Kanë kaluar mbi pesë dekada nga dita që “Che” Guevara është larguar nga kjo botë nga të shtënat e automatikut të një ushtari bolivian. Por, përpara se të vazhdohet të festohet miti i tij, do të ishte mirë t’i hidhej një sy i mprehtë dhe me një lente zmadhuese një figure historike që ka hyrë shumë shpejt dhe shumë lehtësisht në mit. Sepse nga një këqyrje e vëmendshme ikona e Nëntëqindës del me brinjë të thyera dhe me ndonjë mister më pak. Ndoshta edhe me një më shumë…

Gjëja më romantike e Ernesto “Che” Guevara është se nuk e ka bërë një gjë tamam gjatë gjithë jetës së tij. Domethënë, një lloj pishtari tragjik, por i magjepsur nga revolucioni, nga lufta, nga gjaku. Gjithnjë e më shpesh e pranishme në kortezhet pacifiste dhe demokratike, stema e “Che”-së duhet të qëndronte më shumë komod në kontekste të tjera. Por, ai nuk mund ta protestojë më dhe kush e ka bërë nuk ia njeh mirë historinë. Këtu më poshtë kemi provuar që të notojmë kundër rrymës duke kujtuar disa “detaje” të një personazhi që, historikisht, kanë pak të bëjnë me mitin e tij dhe që në fakt, ndan me të shumtët që e kanë bërë simbol me një dozë të caktuar naiviteti. Vetëm se ai i “Che” Guevara ishte një naivitet jo i pafajshëm, që ka shkaktuar vdekje dhe katastrofa.

Gjëja e parë që ndoshta do t’i linte të ngurosur shumë prej të rinjve dhe ish-të rinjve akoma sot të magjepsur nga figura e Ernesto Guevara është se komunizimi i tij kishte dy shtylla në ditën e sotme jashtëzakonisht jokomode në dritën e hetimeve më të azhurnuara historike: kinezin Mao dhe sovjetikun Stalin. “Kush nuk i ka lexuar 14 vëllimet e shkruara nga Stalini – thoshte për shembull “Che” – absolutisht që nuk mund të konsiderohet komunist”. E kotë të thuash se, përveç kësaj, nuk e donte absolutisht paqen. Bile ai teorizoi dhe praktikoi me shumë seri përplasjen dhe luftën globale. Pak muaj përpara se të vdiste, ndërsa ishte ngecur në një fushatë gueriljeje që do ta çonte tek dështimi dhe tek vdekja, jo akoma i dorëzuar dëshmisë së fakteve, shkruante në ditarin e tij (prill 1967): “Duhet çuar lufta aty ku armiku e drejton: në shtëpinë e tij, në vendet e argëtimit të tij, duhet bërë totalisht”. Dhe pas pak do të shohim sesi “Che” tentoi, në mënyrë krejtësisht të pazotë, që të zbatojë në terren teoremat e tij. Por, prova e parë e një vizioni gjakatar dhe totalit të rrugës revolucionare, Guevara e dha në muajt e parë të 1959 në atë që ishte atdheu i tij i ri (ai ishte lindur në Argjentinë më 14 qershor 1928): Kuba. Me suksesin e revolucionit kastrist të 1 janarit 1959, lideri maximo kubanez, avokati i ri Fidel Castro, u gjet që t’ua besojë bashkëpunëtorëve të pakët dhe të besuar vendet me përgjegjësi më të madhe. Shumë besnikët e Castros – njeri shumë i vëmendshëm ndaj adhurimit dhe, për pasojë, shumë dyshues dhe pak i prirur ndaj kritikave – numëroheshin me gishtat e dorës: vëllai Raul, “Che”, Camillo Cienfuegos, Huber Matos. “Che”-së i takon roli kryesor në spastrimin e njerëzve të kompromentuar me regjimin e kaluar të diktatorit Fulgencio Batista (një-ish tetar i mbetur në pushtet për shumë vjet përpara se Castro ta përmbyste). Bëhet përgjegjësi i Departamentit Ushtarak de la Cabaña, kështjellë koloniale e lashtë në La Avana, e transformuar në burg dhe thertore. Një gjë e forcuar? Jo dhe aq nëqoftëse në vend të nofkës “Che”, i ngjitën në ato muaj nofkën “carnicerito” (domethënë “Kasap i vogël”). Në ato muaj Guevara ndjek direktivat e vëllezërve Castro me skrupull dhe me një nënshtrim të caktuar nëqoftëse është e vërtetë ajo çka tregohet nga një bashkëpunëtor i epokës: Dariel Alarcón Ramírez, i quajtur “Benigno”. Është “Benigno”, që do ta ndjekë Guevara edhe në aventurat e Kongos e të Bolivisë, ai që drejton pjesën më të madhe të ekzekutimeve të ish-policëve dhe të burokratëve të Batista (ekzekutime të konsideruara të nevojshme për të shmangur çdo rebelim kundërrevolucionar). Ndërsa Ramírez pushkaton, “Che” kontrollon punën: shumë e kujtojnë të ftohtë, të paafrueshëm, me puron në gojë, ndërsa nga një ledh shikon nga lart njerëzit të vdesin. Sa kanë vdekur, nuk do të mësohet kurrë: ndoshta jo mbi 20000 që është thënë, por as nuk mund t’i jepet të drejtë Fidel Castro që në mitingjet e para si diktator ndizte turmat me sloganin makabër dhe gënjeshtar: “Mjaft gjak!”.

Ish-djaloshi shëndetlig nga Rosario (azma do ta persekutojë deri në fundin e ditëve të tij), shfaq një dell revolucionari prej Robespierre latino-amerikan bashkuar me një disiplinë absolute dhe një përkushtim ndaj Leader Maxímo, nëse është e mundur, akoma më integrale. Prapa qindra ekzekutimeve (në rreth 4 apo 5 muaj) që bien nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Guevara ndodhet gjithmonë procedura e zakonshme: një proces farsë (shpesh gjykatësit qenë të njëjtit guerrilas të zbritur nga malet me Castro), pavarësisht pranisë së gazetarëve, që mund të zgjaste maksimumi disa orë. Por shpesh dënimi vinte pas pak minutash; pastaj dërgimi i urdhrave të ekzekutimeve në burgjet e ndryshme brenda natës; mëngjesin e nesërm rrethi mbyllej me një breshëri plumbash. Është gjithmonë “Benigno” ai që kujton sesi Guevara e priste me ankth, çdo mbrëmje rreth orës 18, ardhjen e vendimeve kapitale që duhet të kryheshin të nesërmen. Dhe nëqoftëse, kushedi se për çfarë arsyeje, pakoja me kartërat e tyre vonohej, “Comandante” nuk arrinte që të fshihte një mosdurim të caktuar. Herë të tjera represioni menaxhohej drejtpërsëdrejti prej tij, me maja dinakërie të papritura për kë është mësuar që të shikojë – dhe imagjinojë – revolucionarin e pastër e të çinteresuar të pavdekësuar nga fotografi Alberto Días Gutierrez Korda dhe i përhapur në të katër anët e globit falë italianit Giangiacomo Feltrinelli. Një prej viktimave të Guevara, Fausto Menocal, ka mundur të tregojë odisenë e tij në la Cabaña. Menocal ka shpëtuar pse anëtar i familjes së një ish-Presidenti kubanez, por kjo nuk ia kursyer vëmendjet e “carnicerito” Guevara: “Më është dashur të rezistoj rreth 40 orë, ditë e natë, pa ngrënë, pa pirë, përpara tij, në zyrën e tij, – ka rrëfyer Menocal. – Ishte një korridor i gjatë ku njerëzit e armatosur shkonin e vinin për të nënshkruar urdhra dhe marrë udhëzime. Talleshin me mua kur më shikonin. Ishte vetë Guevara ai që më bënte pyetjet. Një natë, pasi jam mbyllur në një qeli, erdhi për të më takuar që të më thoshte: ‘Dëgjo, Menocal, ne do të të pushkatojmë sonte’. Jam çuar drejt skuadrës së pushkatimit. Më kanë lidhur në një shtyllë, më kanë lidhur sytë, pastaj ka pasur një breshëri të shtënash”. Por, skuadra e pushkatimit kishte qëlluar në ajër. Përpara se Menocal të kuptonte se çfarë kishte ndodhur, një goditje e fortë në kokë me qytë pushke e bën që t’i bjerë të fikët. I liruar do të marrë menjëherë rrugën e mërgimit. Vite më pas, gjatë një prej pritjeve të tij jashtë vendit, duke mbrojtur veprën e revolucionit, Guevara do të thotë pa mëdyshje: “Kemi pushkatuar, pushkatojmë dhe do të vazhdojmë të pushkatojmë deri kur të jetë e nevojshme. Lufta jonë është një luftë e pakompromis”.

Më pas gjuetia ndaj njerëzve të Batista inicioi larjen e hesapeve në brendësi të lëvizjes castriste. Larje hesapesh që kundërvuri Castro dhe disa shumë besnikë me ata, që me naivitet, kishin protestuar se revolucioni ishte larguar me shpejtësi nga objektivat fillestarë të tij. Midis kritikëve nuk është Guevara, por është Huber Matos, i cili jep dorëheqjen në mënyrë polemike me një letër për Castro, letër që do të jetë fundi i tij. Castro urdhëron një Cienfuegos ngurrues që të shkojë e të arrestojë Matos. Cienfuegos tenton më kot që ta sjellë në vete Leader Maxímo, por ato këmbëngulje të tij shënojnë një prishje tjetër. Pak ditë më pas njoftohet vdekja e Cienfuegos në një incident ajror, të cilit nuk do t’i tregohen asnjëherë gjurmët. Ndërkaq Matos gjykohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Po Guevara? Me Raúl Castro është bashkëpunëtori që i qëndron më afër Fidel, pavarësisht gjithçkaje. Dhe kështu, ndërsa të barabartët me të në gradë në kohërat e gueriljes do të gjykohen apo do të vdesin në incidente të dyshimta, ai destinohet me detyra të reja, të cilat do ta çojnë që të koleksionojë katastrofa të tjera.

Një gazetë franceze – “Historia” – lidhur me periudhën e kaluar nga “Che” Guevara në drejtimin e sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë kubaneze e ka titulluar kështu: “Si ta shktërrosh vendin në 3 leksione”. Ose 3 etapa: që në karrierën e shkurtër dhe jo ekzaltuese të Guevara korrespondojnë me pjesëmarrjen e tij në nivelet drejtues të sektorit të industrisë në kuadrin e Institutit Kombëtar për Reformën Agrare (tetor 1959), me emërimin e tij në presidencën e Bankës Qendrore të Kubës (dhjetor 1959) e më pas detyrën e ministrit të Industrisë (janar 1961). Aventura e Guevara në nivelet drejtuese të ekonomisë së trazuar kubaneze do të zgjasë deri në pranverën e 1964, kur do të përfaqësojë Kubën në konferencën e parë të Organizimit për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OCDE). Pak muaj më vonë, Castro do ta destinojë me detyra të tjera, domethënë do ta dërgojë të bëjë guerrilasin. Nuk ishte rastësi. Në fakt, pesë vitet e “Che” ekonomistit nuk kanë regjistruar rezultate të shkëlqyera, përkundrazi. Edhe pse çdo zgjedhje e të riut revolucionar (Guevara në vitin 1959 ishte 31 vjeç) është e influencuar nga ideologjia, e rishikuar dhe e korrigjuar. Në fakt, pasi ka premtuar fundin e latifondit duke inkurajuar kështu shpresën e fshatarëve shumë të varfër kubanezë për të pasur pak tokë për vete, revolucioni castrist – paralajmëron Guevara – bëri një gjysëm xhiroje në favor të shtetit dhe në kurriz të fshatarëve. Në fakt, tokat e konfiskuara për më tepër u shtetëzuan pavarësisht një ligji – të hartuar nga krahu i djathtë i Guevara, Antonio Núñez Jiménez – i ishte dhënë krah shpresës duke përcaktuar se çdo copëzim privat nuk mund t’i kalonte 40 hektarët. Nga çdo anë të dëshirohet të shikohet, zgjedhja e Guevara ishte gjithsesi mjaft ambicioze: në fakt, pasi kuadrot administrativë qenë dhjetuar nga represioni çdo vendim haste vështirësi që të gjente dikë që ta vinte në zbatim. Kjo vlente si për bujqësinë, ashtu edhe për industrinë, fushë kjo e fundit ku Guevara e shtyu Kubën drejt planeve në kufij me megalomaninë. Me bashkëpunëtorët e tij përpunoi një teori të pafundme projektesh për të pajisur Kubën – resursi kryesor i së cilës ishte kallami i sheqerit – me një industri të veten: u projektuan kantierë detarë, ofiçina mekanike, impiante siderurgjike, fabrika kimike për të zbuluar më pas rregullisht se ishte e komplikuar të rekrutoje teknikë të specializuar edhe në Europën Lindore mike të kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik dhe në të njëjtën kohë të mos shikohej të vazhdonte deficiti tregtar. Deficit që për arkat kubaneze të vitit 1961 shkonte në 12.3 milionë pesos, të kaluara në 237 milionë në vitin 1962 dhe në 322.2 milionë në vitin 1963. Me ekonominë në gjendje kome, zgjedhja e Guevara për të favorizuar financimin publik të reformave bujqësore dhe industriale nuk i favorizoi llogaritë. Por, për të kuptuar se duhej ndalur dhe ndryshuar kursi u desh të pritej viti 1964, vit në të cilin u braktisën të paktën ëndrrat e parealizueshme industralizuese dhe u zgjodh për një politikë bujqësore të kishte si bosht shfrytëzimin e kallamit të sheqerit, duke llogaritur edhe mbështetjen e “vendeve mike” (të llojit të atyre që me një dorë të japin pak grurë dhe me tjetrën të vendosin disa raketa të drejtuar nga një fqinj i fuqishëm …). Me pak fjalë, pothuajse 5 muaj për t’u kthyer në pikën e nisjes, por me shumë borxhe më shumë. Që kjo zgjedhje, muaj më shumë muaj më pak, përkon me vendimin e Castro për t’i drejtuar tjetërkund energjitë dhe ëndrrat e parealizueshme të Guevara, nuk duhet të habisë aspak.

Duke mos pasur më kubanezë për të pushkatuar apo për t’i shkatërruar ekonomikisht, objektivi i ri për Komandantin Guevara qe ai i kthimit në bërjen e asaj që, supozohej, se dinte ta bënte më mirë: guerrilasin. Nga ana tjetër, nga një këndvështrim i caktuar, situata ishte e përshtatshme. Amerikanët duhej të pickoheshin kudo që ishte e mundur: Guevara e kishte bërë tashmë pjesën e tij duke i sulmuar në vitin 1964 dhe duke deklaruar – duke anashkaluar në të njëjtën kohë gabimet e veta – se Shtetet e Bashkuara kishin zbatuar një bllokadë ekonomike kundër Kubës që i merrte frymën ekonomisë revolucionare të ishullit. Por një luftëtar i vërtetë jeton në sulm, asnjëherë në mbrojtje: dhe ja që pakoja Guevara – të cilin Fidel Castro, shumë më inteligjent se ai, e shikon për atë që është: një ekstremist i palodhshëm dhe jo idealisti libertar që është imponuar në imagjinatë pas vdekjes së tij – që dërgohet në Congo. Pse në Congo, në Afrikë? Qoftë pse, siç do të thotë vetë Guevara me një çikë çmenduri të shkëlqyer, duhen “shkaktuar dy, tri, shumë Vietname”. Qoftë pse Shtetet e Bashkuara duhen luftuar edhe nëpërmjet qeverive që i mbështesin në Botën e Tretë. Për shembull, në Kongo në janar të vitit 1961 lideri progresist Patrice Lumumba është vrarë. Vdekja e tij i ka dhënë jetë një gueriljeje komuniste që Presidenti i ri, Mosé Tshombé, kërkon që ta mbysë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Duke folur në Kombet e Bashkuara në dhjetor të 1964, Guevara – që veç shumë gjërave të tjera që nuk ishte, nuk ishte as edhe diplomat – kishte deklaruar pa shumë perifrazime se “të gjithë njerëzit e lirë të botës duhet të përgatiten që të marrin hakun e krimit të Congo”. E thënë, e bërë: pak muaj më vonë Guevara zbarkon në Congo me një grup guerrilasish kubanezë, që në javët e mëpasme do të arrijnë në 300 njësi. Duhet ishin ajka e ajkës, profesionistët e luftës në gjendje që të çonin drejt fitores rebelët kongolezë, por përfundojnë për të ngecur në një seri pengesash dhe disfunksionesh që do ta transformojnë aventurën në një komedi tragjike. Duket e pabesueshme, por Guevara nuk dihet se ku ka përfunduar. Duke bërë një gabim që do t’i jetë fatal në vitin 1967, revolucionari argjentinas zbulon vetëm kur ka zbritur në Congo se idetë e tij dhe ato të njerëzve që do të donte të çliroheshin nuk përputhen. Duke filluar nga teknika e guerriljes: për kongolezët futja në një llogore mund të sjellë keq, plumbat e armikut mund të shmangen lehtësisht falë një pijeje magjike apo ndoshta duke iu lutur ndonjë hyjnie animiste. Por, sidomos disiplina është një ndryshore dytësore. Shtojmë praktikën e poligamisë, që ishte e vështirë të shpjegohej në spanjisht, se shpirtrat e ndryshme të gueriljes përplaseshin vazhdimisht mbi bazën jo të diskutimeve ideologjike, por prej rivaliteteve etnike dhe, e fundit, por jo e fundit, se njerëzit që kishin ndjekur “Che”-na nga Kuba qenë dhjetuar nga sifilizi dhe kuadri ishte bërë. Guevara nuk arrin të imponojë as edhe zgjedhje ushtarake me ndonjë kuptim: indikacionet e tij janë neglizhuar, refuzuar apo të bëra të kota nga akte jodisplinimi që, si në rastin e disa pritave, pëfundojnë për t’u bërë më shumë sulmuesve sesa trupave qeveritare. Të ardhur në prill (1965), Guevara dhe njerëzit e tij i heqin çadrat nëntorin e ardhshëm. Lumumba do t’i merrej haku nga dikush tjetër ose në një vend tjetër. Për shembull në Bolivi.

Me një stil mendimi të vështirë për t’u kuptuar sot, por shumë i përhapur në atë kohë në ambientet intelektuale dhe revolucionare (me fjalë ose jo), të mendosh në shkallë të gjerë më shumë se një nevojë ishte një vokacion në kuptimin e vërtetë të fjalës. Dhe kështu Guevara – i shtyrë dhe i frymëzuar nga Castro – arriti të teorizojë deri rebelimin e të gjithë Amerikës së Jugut. Shkëndija do të shkrepte në Bolivi, një vend shumë i varfër prej rreth 6 milionë banorësh të kontrollar nga një qeveri e zgjedhur demokratikisht dhe e drejtuar nga Gjenerali Barrientos, i lidhur me fije të dyfishta me Uashington. Bolivia kufizohet me Perunë, Kilin, Paraguajin, Brazilin dhe Argjentinën, vende ku situata ishte e trazuar në ato vite dhe ku qenë aktive lëvizje revolucionare. Me pak fjalë, duke e shpërthyer revolucionin në Bolivi mund të shpresohej që të eksportohej me shpejtësi në vende të tjera, duke shkaktuar një reaksion zinxhir që do të mund të minonte kontrollin shekullor amerikan në të gjithë nënkontinentin. Deri këtu teoria. Praktika, edhe në këtë rast, qe shumë e komplikuar dhe më pak lineare. Krahasuar me “Che” Guevara, mazzinianët e Tetëqindës qenë planifikues të rafinuar: duke vendosur se guerilja do të rebelonte botën fshatare, Guevara aventuroret në xhunglën boliviane me 16 kubanezë të tjera dhe nja 30 boliviane e peruanë. Gjithsej një bandë prej 50 personash që, duke u qëndruar fjalëve të Komandantit, ka përpara vetes një punë prej të paktën 10 vjetësh përpara se të përfundojë fazën rebeluese. Xhungla bën të sajën, së bashku me insektet dhe sëmundjet, për ta bërë gjithçka të komplikuar, edhe pse për ta parashikuar nuk duhej një diplomë në shkencat natyrore. Pastaj, do të mjaftonte të lexoheshin gazetat për të mësuar se një reformë agrare e kohëve të fundit i kishte përmirësuar pak kushtet e fshatarëve bolivianë, më pak të gatshëm për të “marrë flakë” për revolucionin dhe, në emër të tij, ndoshta të ndihmonin dhe të ushqenin guerrilasit. Për ta bërë akoma më shumë qesharake situatën ndihmoi një fakt jo dytësor: rajoni i zgjedhur nga “Che” për të ndezur flakë kontinentin ishte ndër më pak të banuarat e të gjithë Bolivisë që, duhet kujtuar kjo gjë, nuk është se ka të sajën një dendësi popullsi të stilit Hong Kong… Por ndoshta gjëja më e bujshme është se, shumë përpara se ranxhersat bolivianë që do ta ndjekin, “Che”-ja gjendet kundër Partisë Komuniste Boliviane. Fillimisht në favor të sipërmarrjes së menduar në Kubë, lideri komunist Mario Monje bën një “prapakthehu” të bujshme menjëherë pas takimit të tij të parë e të vetëm me Guevara! Që i duhet kështu ta bëjë revolucionin për llogari të fshatarëve që as e kanë mendjen fare atje, në një zonë ku është vështirë të ndeshen edhe dhi, le më pastaj njerëz, me një armatë bashibozukësh shëndetlig, pa ushqim dhe ilaçe, me ushtrinë boliviane që e ndjek këmba-këmbës dhe pa mbështetjen as dhe të komunistëve vendës. Duke pasur parasysh situatën, është pothuajse mrekulli që aventura boliviane e “Che”-së ka zgjatur komplesivisht 11 muaj e 11 ditë.

Midis gjërave që Guevara nuk i kishte marrë në konsideratë apo që i kishte nënvlerësuar ishte edhe çështja e marrëdhënieve ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, siç ishte parë tashmë në Congo, Bashkimi Sovjetik nuk kishte interes të madh në aventura të kësaj natyre. Lufta e Ftohtë luftohej në mënyrë tjetër dhe me qëllime të tjera. Dhe, për të vërtetën edhe të gueriljes, teknika e teorizuar nga Che Guevara në një libërth me suksese të madha edhe pse askush, në Europën studentore të 1968, nuk ka provuar që të vejë në praktikë, do të duhej të luftohej në mënyrë tjetër. Në mos tjetër, sepse ushtria boliviane kishte vënë në ndjekje të guerrilasve revolucionarë 5000 njerëz dhe kjo kur me “Che” kishin mbetur në këmbë më pak se 30 veta. Por, rruga që çoi në dështimin total të operacionit është e gjatë, sepse Guevara dhe njerëzit e tij të paktën e kuptuan se shpresa e vetme është ajo e lëvizjes vazhdimisht. Bëjnë me këmbë më shumë se 600 kilometra në pak muaj, të dhjetuar edhe nga ndonjë tradhti, të bojkotuar nga një radio që nuk ka ditur asnjëherë të transmetojë, të frustruar nga pamundësia e emetimit të komunikatave, të demoralizuar se sa të duhet të pijnë urinën e tyre për të mos vdekur nga etja menjëherë. Piperi sipër pilafit vjen më 8 tetor 1967: është pikërisht një fshatar ai që u zbulon ushtarëve se në çfarë zone ndodhet banda e Guevara. Vihen në lëvizje 300 rejnxhërsa dhe tashmë është çështje orësh. Pas të shtënave të para banda shpërndahet, Guevara është i plagosur dhe mbahet për krahësh nga një shok. Por bolivianët i kapin me zgjuarsi. I çojnë 2 kilometra larg, në La Higuera, ku është një shkollë e cila transformohet në burg. Guevara qëndron aty nga pasdite – nata e datës 8 deri mëngjesin e datës 9. Pastaj, në mesditë, hyn në dhomën ku mbahet i burgosuri një ushtar. Quhet Mario Téran dhe ka marrë urdhra të sakta nga Bogotà, frut i një mbledhjeje të zgjatur gjithë natën. Téran e shikon dhe pa i thënë asgjë e qëllon me gjakftohtësi 9 plumba automatiku. Një gazetë argjentinase ka gërmuar fotot që tregojnë “Che”-në pak përpara se të ekzekutohet dhe më pas kufomën e tij, jo akoma e vënë në dukje mbi një tavolinë siç e tregojnë fotot e famshme që kanë bërë të dalë paraleli qesharak me Krishtin e shfronësuar të Mantegna. Përpara se kufoma të varroset në një vend të fshehtë i priten duart sepse CIA – që nuk qëndron aspak me vendimin për të vrarë Guevara – bën një identifikim të sigurtë falë gjurmëve të gishtave. Duke mos mjaftuar dukshëm fotot e gjetura nga agjenti i CIA-s, Felix Rodriguez, që e kishte ndjekur të gjithë operacionin me rejnxhërsat bolivianë.

Njerëzve që sapo e kishin arrestuar, Guevara u kishte thënë: “Vlej më shumë i gjallë sesa i vdekur”. Në Bogotà mendonin saktësisht të kundërtën – pavarësisht rrezikut të përplasjes me Shtetet e Bashkuara – dhe pak kohë më pas e treguan, me fakte, se edhe bindja e fundit e tij kish rezultuar shumë larg realitetit.

Nofka “Che” i atribuohet Guevara nga shokët e tij të luftës kubanezë në Meksikë përpara revolucionit castrist dhe buron nga fakti që Guevara, si të gjithë argjentinasit, e shqiptonte shpesh fjalën “che”. Fjala buron nga gjuha Mapuche dhe do të thotë “njeri”, “person” dhe përdoret në spanjishten e folur në Argjentinë dhe Uruguaj, për t’i tërhequr vëmendjen një bashkëbiseduesi ose, më në përgjithësi, si një eksklamacion i ngjashëm me një “hej”.

 “Një qenie që nga historike bëhet mitike nuk mund të gjykohet mbi bazë kriteresh racionale, por vetëm për akte feje dhe shprese. Është rasti i Che-së. Sot figura e tij (…) është ‘një markë kapitaliste’ e shfrytëzuar nga sipërmarrës të çdo lloji në të pestë kontinentet dhe adhurohet, përmendet, admirohet nga një numër i madh të rinjsh që nuk kanë frymëzimin minimal revolucionar dhe ndoshta nuk e dinë as ta gjejnë Kubën apo Bolivinë në hartën gjeografike. Che-ja përfaqëson një personazh për të cilin historia bashkëkohore është jetime: heroin, ekzekutuesin vetmitar, idealist, revolucionarin bujar dhe të çinteresuar që kryen ndërmarrje superlative dhe, në fund, ka rënë, njëlloj si shenjtorët, nga forcat e së keqes. Nuk ka rëndësi që historianët seriozë të demonstrojnë në vepra të hollësishme që Che-ja në mish e kocka ishte shumë larg nga ky model virtytesh ushtarake dhe etike. Sigurisht, qe kurajoz, por edhe gjakatar, i aftë për të pushkatuar dhjetëra persona pa skrupullin më të vogël, mossukseset dhe gabimet e tij kanë qenë shumë më të shumta në numër se rezultatet e mira. Është e vërtetë: ishte koherent, i rreptë dhe i përkorë, i paaftë që të linte veten të lëshohej në paliaçatat dhe në dyfytyrësitë e politikanëve profesionistë. Por edhe e vërtetë që dhuna dhe ajo që Freud e quan ‘pulsoni i vdekjes’ i kanë drejtuar sjelljen sa dhe pasionin për aventurën dhe revolucionin”.

Mario Vargas Llosa

Jo dora e gjatë e Departamentit të Shtetit apo e CIA-s, por më thjesht ajo e Presidentit bolivian Barrientos do të fshihej pas vrasjes, më 9 tetor të 1967, së Ernesto “Che” Guevara në pyllin andean. Në këto konkluzione, aq shumë në kontrast me mitin që prej dekadash të tëra mbështjell figurën e “Che”-së dhe vetë figurën e tij arrihet në librin e Vincenzo Vasile, i dërguar i së përditshmes “Unità” dhe Mario J. Cereghino, të titulluar “Che Guevara top secret”, mbi bazën e një dokumentacioni dukshëm i pakundërshtueshëm si ajo e dhënë nga letrat e vetë CIA-s, të deklasifikuara gjatë Presidencës Clinton. Mund të rezultojë e besueshme teza e një CIA-je më shumë të interesuar për një “Che” të gjallë sesa të vdekur, i dobësuar nga dështimet në Congo dhe në vetë Bolivinë, për t’u përdorur ndoshta në funksion anticastrist apo atë të ngutur të një Barrientos në heqjen përfundimisht qafe nga skena të një guerrilasi jokomod për vetë sovjetikët dhe që në fakt, amerikanët mendonin që ta transportonin në Panama për marrje në pyetje të gjata, ndoshta, të një procesi me rezonancë botërore. Mbetet vetëm për t’u kuptuar – dhe nuk është një problem pak i rëndësishëm, as i sqaruar nga kërkimi i hollësishëm i Cereghino dheVasile – sesi një qeveri aq e lidhur me Shtetet e Bashkuara si ajo boliviane ka mundur të marrë në mënyrë të pavarur një vendim të një mase të tillë, duke anashkaluar në fakt një aleat dhe mbrojtës kaq të fuqishëm. Dhe misteri i fundit të Guevara dhe mbi skenarët, ndërkombëtare apo lokalë, që i shërbejnë si kornizë, në vend që të sqarohen, përfundojnë për t’u ngatërruar akoma më shumë.

Si për shumë personazhe të tjerë të rëndësishëm historikë, edhe për Ernesto “Che” Guevara nuk ka pasur paqe pas vdekjes. Ndërsa bëhej një mit i masave studentore dhe revolucionare deri sa të ngrihej, dekadë pas dekade, në rangun e një ikone të një Nëntëqinde të caktuar, Guevara mbetej për historianët një enigmë. Nëqoftëse në vendin e vdekjes është ngritur një lloj faltoreje e vogël ku disa bolivianë e nderojnë si San Ernesto de La Higuera, mbi mbeturinat e tij është ngritur një pikëpyetje e madhe. Qe Fidel Castro ai që me 15 tetor të 1967 e njoftoi botën se “Che”-ja kishte vdekur dhe ka qenë gjithmonë Leader Maxímo ai që ka dashur për shokun e tij të vjetër të luftës (edhe pse ka mjaft tregues se midis të dyve, prapa fasadës, në vitet e fundit gjërat nuk shkonin mirë) një mauzoleum në kuptimin e vërtetë të fjalës në Santa Clara. Mauzoleum, siç është e lehtë të imagjinohet, shumë i vizituar, por që do të mbante në vetvete një surprizë. Ose më mirë nuk do të përmbante atë që duhet të përmbante. Zbulimi ka ardhur kohë më parë, falë një hetimi të kryer nga gazeta meksikane “Letras Libres”. Sipas kërkimit të gazetarëve Maite Rico dhe Bertrand de la Grange, specialistët kubanezë që në korrik të 1997 thanë se më së fundi e kishin gjetur vendin se ku ishte varrosur Guevara pas vrasjes së tij, pranë fshatit Villagrande në Bolivi, kanë gënjyer për arsye politike dhe propagandistike. Duhet të ketë qenë Fidel Castro ai që ka shtyrë të njoftohet gjithsesi gjetja për të “rindezur ethen revolucionare në Kubë”. Kalimthi duhet nënvizuar se “gjetja” ka ndodhur në 30-vjetorin e vdekjes së guerrilasit argjentino-kubanez. Ashtu siç duhet kujtuar se nuk është bërë prova klasike e ADN-së për t’i identifikuar pa dyshime mbeturinat e “Che”-së. Që ndoshta, kanë vërejtur Rico dhe de la Grange, nuk janë më pasi kufoma, pas orgjisë së fotografive, u dogj pikërisht për të shmangur atë që 30 vjet më pas Castro ka dashur gjithsesi të vejë në skenë./ KultPlus.com

Jane Sugerman, profesoresha emeritus vjen me ligjëratën publike ‘Nga Prespa në Prishtinë: 40 vjet hulumtim për muzikën shqiptare’

Instituti Albanologjik, gjegjësisht Dega e Folklorit, në kuadër të programit të ligjëratave dhe takimeve shkencore “Leksione albanologjike”, do të mbajë ligjëratë publike me etnomuzikologen e njohur, profesoreshën emeritus, Jane Sugerman, me temën “Nga Prespa në Prishtinë: 40 vjet hulumtim për muzikën shqiptare”.

Në këtë ligjëratë, profesoresha Jane Sugarman do të flasë për hulumtimin e saj dyzetvjeçar për muzikën shqiptare, të cilin ajo e ka filluar në vitin 1980 në Prespë të Maqedonisë së Veriut. Teza e saj e doktoratës rreth riteve dhe këngëve të dasmës prespane i ka hapur shtigje të hulumtimeve të mëtutjeshme për muzikën shqiptare në diasporë, duke e zgjeruar më pas edhe në Kosovë me hulumtimet që i ka zhvilluar pas vitit 2002. Si njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe, profesoreshë Sugarman, përvojën e saj e ka orientuar në përcjellje të trendëve të muzikës shqiptare deri te muzika mediatike. Gjatë prezantimit do të reflektojë për dallimin midis hulumtimit për një komunitet të vogël rural dhe atij për një shoqëri komplekse, siç është shoqëria e sotme e Kosovës.

Jane Sugarman është etnomuzikologe dhe profesoreshë emeritus e muzikës në Qendrën e Studimeve Pasuniversitare të Universitetit Qytetar të Nju Jorkut (CUNY) në SHBA. Që nga viti 1980 ka bërë hulumtime për muzikën shqiptare, së pari në Maqedoninë e Veriut, pastaj në disa vende të diasporës, ndëra nga viti 2002 edhe në Kosovë. Në vitin 1997 e ka botuar librin “Engendering Song: Singing and Subjectivity at Prespa Albanian Weddings”, që i analizon ritet dhe këngët e dasmës së shqiptarëve nga rrethi i Prespës në jug të Maqedonisë së Veriut. Ka botuar edhe shumë artikuj për lidhjen e muzikës dhe vallëzimit me gjininë, kombin, diasporën, globalizmin, dhe konfliktet ndërkombëtare. Momentalisht është duke përfunduar një libër për muzikën mediatike të shqiptarëve të Kosovës nga viti 1948 deri në vitin 2008.

Profesoresha Jane Sugerman është anëtare e jashtme e redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike”, seria Folklor dhe Etnologji. Redaktimet dhe sugjerimet e saj akademike kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme që punimet e studiuesve tanë të jenë sa më të kompletuara dhe sa më të përmbushura shkencërisht. Profesoreshë Sugerman është bashkëpunëtore e kahershme e Institutit Albanologjik-Prishtinë dhe ka qenë një dashamirëse dhe ndihmëtare e pakursyer për studiuesit e institutit tonë.

Kjo ligjëratë do të mbahet më datë 16.10.2024 (e mërkurë), ora 11:00, në Institutin Albanologjik, salla rrethore, kati i epërm, duke shënuar kështu fillimin e programit “Leksione albanologjike”./ KultPlus.com

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Komuna e Preshevës i kërkon Kryeministrit Kurti rritjen e buxhetit në 4 milionë për Luginën e Preshevës në 2025-në

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka përgatitur një dokument për kryeministrin Albin Kurti në të cilin i ka propozuar rritjen e fondit për vitin 2025 në 4 milionë euro  për Luginën e Preshevës.

Në një postim në Facebook, Sinani e ka publikuar këtë dokument në të cilin falënderohet Kurti dhe Qeveria e Kosovës për mbështetjen ndaj Luginës së Preshevës.

“Në këtë dokument propozojmë rritjen e fondit për vitin 2025 në 4 milionë euro  në fusha prioritare si arsimi, kultura, sporti, bujqësia dhe ruajtja e trashëgimisë kombëtare, të cilat janë kyçe për zhvillimin dhe mirëqenien e shqiptarëve të Luginës”.

“Angazhimi i qeverisë së Republikës së  Kosovës mbetet një shtyllë e rëndësishme për të siguruar që qytetarët tanë të kenë mundësi të barabarta për zhvillim dhe prosperitet, duke ruajtur identitetin tonë kombëtar”, ka thënë Sinani.

Dokumenti përmban falënderime për ndihmën e ofruar deri më tani, ndër të cilat:

– Ndihma financiare gjatë pandemisë  dhe për përmbytjet në Preshevë;

– Rritja e buxhetit për Luginën në 3 milionë euro për vitin 2024;

– Financimi i bursave për studentët  dhe shpërndarja e librave në gjuhën shqipe;

– Angazhimi për ligjin e shtetësisë së Kosovës dhe mbështetja për licencimin e mjekëve.

Të hënën nis “SkupiFestival”

Të hënën nis “SkupiFestival” dhe deri më 19 tetor do të prezantohen gjashtë projekte teatrale.

Ky edicion i këtij festivali do të nis më shfaqjen  “1984” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, shfaqje kjo me autor Xhorxh Orvell e regji të Igor Mendijski, për të përfunduar ky edicion me paraqitjen e trupës bullgare, të cilët do të prezantojnë shfaqjen “Grimca elementare”, thuhet në njoftim.

Në këtë edicion shfaqjet do të vlerësohen nga juria në përbërje të:  Handan Salta, Keti Doncevska dhe Drita Kaba Karaga.

Presidentja Osmani në Dubrovnik: Riafirmova mbështetjen për ukrainasit

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik të Kroacisë.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se edhe një herë e ka shprehur përkrahjen e Kosovës për Ukrainën.

“Në Samitin e liderëve Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik për ta riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri!”, ka thënë Osmani.

Arian Mavriqi- Fotografi i botës së egër shqiptare hap ekspozitë në kalanë e Gjirokastrës

Fotografi i mirënjohur që fikson botën e kafshëve të egra, Arian Mavriqi, ka çelur ekspozitë në kalanë e Gjirokastrës.

Qindra vizitorë nga e gjithë bota të cilët kishin ardhur për të shijuar kalanë, nuk e fshehën kërshërinë për të njohur edhe gjallesat e parqeve tona kombëtare e natyrore të sjella mjeshtërisht nga fotografi nga Kosova.

E pranishme në inaugurimin e ekspozitës ka qenë edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila u shpreh se nuk kishte se si të mos pranonte ftesën për ta vizituar këtë ekspozitë me fotografi të botës së egër shqiptare.

Për Kumbaron, ekspozita e çelur në kalanë e Gjirokastrës nga një fotograf i Kosovës, është domethënia më e bukur e vlerave natyrore që bashkëndajmë. Ministrja e ka vlerësuar fotografin Mavriqi si një ambasador të bukurive të natyrës shqiptare, një zë i fortë i mbrojtjes së saj, por edhe një rrëfimtar i shkëlqyer si përmes fotografive ashtu edhe përmes fjalës.

Ministrja Kumbaro tha se, Kosova plotëson hartën tonë të përbashkët të atraksioneve./atsh/ KultPlus.com

Për gratë tona

Poezi nga Dritero Agolli

Sa pak këndojmë për gratë tona!
Për gratë
E bukura e të mira,
Që na përkëdhelin me duar të njoma
Kur kthehemi nga rrugë të vështira.

Gabohemi shumë,
Kur flasim e grijmë
Rreth gotës me birrë,
Rreth gotës me verë,
Se gratë tona e humbën freskinë
Se ishin të këndshme njëherë…

Jo, jo, s’humbet hijeshia e tyre,
Mjafton të qëndrojnë pak në pasqyrë
Dhe të duken prapë të njoma.
E si të mos këndojmë
Poetë,
Për ato që kanë ditur në jetë
Të lindin kreshnikë e peri,
Jo në maternitet e në shtëpi
Po edhe në korie e në arë,
Duke prerë dru
E duke hedhur farë?! / KultPlus.com

Mark Twein: Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa pranimin e vetes së tij

Mund ta njihni Mark Tweinin nga disa prej librave të tij popullorë, si Aventurat e Hakëlberri Finit apo Aventurat e Tom Sojerit. Ai ishte shkrimtar, por edhe humorist, satirist dhe lektor.

Tueini njihet mirë për shumë prej thënieve të tij shpesh herë të mbushura me humor. Ja disa prej këshillave që ai ka lënë.

1. Pranoje vetveten

“Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa pranimin e vetes së tij”

Nëse nuk e pranon veten tënde, apo sjelljen dhe veprimet e tu, atëherë me siguri do të vish vërdallë gjithë ditën me një ndjesi parehatie. Nëse, nga ana tjetër, e miraton veten tënde, atëherë do të kesh prirjen të jesh i relaksuar si dhe të fitosh lirinë e brendshme për të bërë më shumë prej atyre gjërave që i do me të vërtetë.

Tani, kjo gjë ka potencialin të shndërrohet në një pengesë të madhe sa i përket zhvillimit personal. Mund të kesh gjithë mjetet e nevojshëm për t’u rritur personalisht, por në një farë mënyre ndien një si rezistencë të brendshme. Nuk shkon dot atje kudo.

Ato që ndesh mund të jenë barrierat e suksesit. Ti ngre barriera në mendjen tënde, për gjëra që mund ose nuk mund t’i meritosh. Apo barriera që të tregojnë se cfarë je i aftë të bësh.

Ato mund të të thonë se në të vërtetë nuk je lloji i personit që mund të bësh atë gjë për të cilën po përpiqesh. Ose, edhe nëse bën ndonjë farë përparimi në drejtimin ku je nisur, mund të fillosh të sabotosh vetveten. Për ta mbajtur veten në një vend që është i njohur për ty.

Kështu që, ke nevojë t’i japësh miratimin vetvetes dhe të lejosh që të jesh personi që dëshiron të jesh. Mos kërko miratim nga të tjerët. Vetëm nga vetja jote. Për ta shembur atë barrierë të brendshme apo për të hequr dorë nga ajo tendencë sabotuese. Nuk është e lehtë kjo dhe mund të kërkojë kohë.

3. Limitet e tua mund t’i kesh vetëm në mendje

“Mosha është një çështje e mendjes mbi rëndësinë. Nëse nuk e vret mendjen, atëherë nuk ka rëndësi”

Shumë kufizime i kemi thjeshtë në mendjen tonë. Për shembull, mendojmë që njerëzit nuk do të miratojnë sepse jemi shumë të gjatë, shumë të moshuar apo shumë qerosë.

Por këto janë gjëra që kryesisht kanë rëndësi atëherë kur ti MENDON se kanë rëndësi. Sepse nis të shqetësohesh për atë që njerëzit mund të mendojnë. Dhe njerëzit shfrytëzojnë pikërisht këtë gjë dhe mund të reagojnë në mënyra negative. Ose ti mund të interpretosh cdo gjë që ata bëjnë si një reagim negativ, për arsye se ke kaq shumë frikë prej një reagimi negativ, apo sepse je kaq shumë i fokusuar brenda vetes.

Ndërkohë që, nëse ti nuk e vret shumë mendjen, edhe njerëzit do të kenë prirjen të mos e vrasin kaq shumë mendjen. Dhe nëse nuk e vret mendjen, nuk do të lejosh këtë pjesë të vetes tënde të shndërrohet në një pengesë në jetën tënde.

4. Çelu dhe argëtohu

“Humori është bekimi më i madh i njerëzimit”
“Asgjë nuk mund t’i rezistojë sulmit të të qeshurës”

Humori dhe e qeshura janë mjete të mrekullueshme. Ato mund ta shndërrojnë çdo situatë serioze në dicka për të qeshur. Ato mund ta përmirësojnë gjendjen shpirtërore pothuajse kudo.

Dhe një gjendje shpirtërore më e mirë është zakonisht një hapësirë më e mirë për të punuar, për arsye se tashmë trupi dhe mendja jote nuk janë të mbushur me emocione negativë.

Kur je më i çelur dhe i relaksuar, atëherë zgjidhja për një situatë është shpesh herë më e lehtë për t’u gjetur dhe zbatuar.

5. Largoje zemërimin

“Zemërimi është një acid që i bën më shumë dëm enës ku ndodhet se sa cdo gjëje mbi të cilën derdhet”

Në pjesën më të madhe të kohës, zemërimi është i pakuptimtë. Mund të bëjë që situatat të dalin jashtë kontrolli. Dhe nga një këndvështrim egoist, ai është shpesh herë më i dëmshëm për të zemëruarin se sa për personin me të cilin ky është i zemëruar.

Kështu që, edhe pse ndihesh i zemëruar me dikë për ditë të tëra, kupto që më shumë po dëmton veten tënde. Personi tjetër mund të mos jetë as i vetëdijshëm që ti je i zemëruar me të. Kështu që, ose fol me personin dhe zgjidhe konfliktin, ose hiq dorë nga zemërimi sa më shpejtë të jetë e mundur.

6. Çliroje veten nga pretendimet

“Mos hajde vërdallë duke thënë që bota të ka borxh të jetuarit. Bota nuk të ka borxh asgjë. Ajo ka qenë aty para se ti të lindje”

Kur je i vogël, nëna dhe babai mund të të japin shumë gjëra. Ndërkohë që rritesh, mund të ndihesh sikur bota e ka për detyrë të të japë atë që ti dëshiron, apo që të ka borxh diçka. Ky lloj mendimi mund të shkaktojë shumë zhgënjim dhe zemërim në jetën tënde.

Sepse bota mund të mos të ta japë atë që ti pret prej saj. Nga ana tjetër, mund të jetë në të njëjtën kohë diçka çliruese. Sepse mund të kuptosh që je ti që duhet t’i japësh formë jetës tënde, drejt asaj që dëshiron.

Nuk je më fëmijë, që pret prindërt apo botën t’i japë diçka. Tashmë je në vendin e shoferit. Dhe mund të shkosh, pak a shumë, ku të duash.

7. Nëse merr një udhë të ndryshme, përgatitu për reagimet

“Një njeri që ka një ide të re, është një i fiksuar, deri kur ideja rezulton e suksesshme”.

Mendoj se kjo gjë ka shumë lidhje me vetëpërmirësimin. Nëse fillon të ndryshosh, apo të bësh diçka të ndryshme nga ajo që bën zakonisht, njerëzit mund të kenë reagime të ndryshëm. Disa mund të jenë të lumtur për ty. Të tjerë bëhen indiferentë. Të tjerët mund të jenë të çuditur, dhe reagojnë në mënyra negative apo shkurajuese.

Shumë prej reagimeve me shumë gjasa nuk kanë të bëjnë me ty, por me personat që i shprehin këta mendime dhe për jetët e tyre. Mënyra si ata ndihen për veten shprehet në fjalët që përdorin dhe gjykimet që bëjnë.

Dhe nuk është problem. Mendoj se ka shumë gjasa që ata nuk do të reagojnë aq negativisht sa ti e imagjinon. Ose ndoshta, shumë shpejt ata do të kthehen të fokusohen tek sfidat e tyre.

Kështu që, ajo që njerëzit mund të thonë dhe mendojnë, si dhe lejimi i këtyre që të të sprapsë, mund të jenë thjeshtë fantazi dhe barriera që ti vetë i ndërton në mendjen tënde.

Mund të zbulosh se, kur më në fund e kapërcen atë pragun e brendshëm që vetë e ke krijuar, atëherë njerëzit që ke përreth nuk do të të qortojnë apo të rendin me “cfurk” në dorë pas teje. Me shumë gjasë, thjeshtë do të të pranojnë.

7. Ruaje fokusin të qëndrueshëm në atë që dëshiron

“Largoji mendimet prej telasheve të tua… përmes veshëve, përmes thembrave, apo çfarëdolloj gjëje tjetër që mundesh”.

Ajo mbi të cilën ti e fokuson mendjen përcakton se si do të shkojnë gjërat. Mund të fokusohesh në problemet e tua dhe të zhytesh në vuajtje dhe një mentalitet viktime.

Ose mund të fokusohesh në anën pozitive të një situate, në atë që mund të mësosh prej një situate, apo thjeshtë ta fokusosh mendjen në diçka krejt tjetër.

Mund të jetë normale të “zhytesh” në probleme dhe të notosh në një det negativiteti. Por kjo është një zgjedhje. Si dhe një zakon i të menduarit. Mundesh që ta kesh refleks të zhytesh në probleme, në vend që ta rifokusosh mendjen në diçka më të dobishme. Por mund të zhvillosh edhe zakonin e të mësuarit që të marrësh gjithnjë e më shumë kontrollin se ku e vendos fokusin.

8. Mos u fokuso aq shumë për ta bërë veten të ndihesh mirë

“Mënyra më e mirë për të ngritur humorin tënd është të përpiqesh të ngresh humorin e dikujt tjetër”.

Mund të jetë një këshillë jo shumë e besueshme. Por, një prej mënyrave më të mira që të ndihesh mirë me vetveten është të bësh dikë tjetër të ndihet mirë, apo ta ndihmosh në një farë mënyre.

Kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’i parë gjërat, për të krijuar një spirale pozitiviteti dhe shkëmbimi vlerash mes njerëzve.

Ti ndihmon dikë dhe të dy ndiheni mirë. Personi që ndihmove ndihet i prirur të të ndihmojë më vonë, përderisa njerëzit kanë prirjen të jenë reciprokë. E kështu të dy ndiheni më mirë dhe ndihmoni njëri-tjetrin.

Këto ndjenja pozitive janë ngjitëse tek të tjerët e kështu mund të përfundosh duke i bërë dhe ata të ndihen më mirë. E kështu ndihma që more mund të të frymëzojë të shkosh e të ndihmosh dikë tjetër. Kështu spiralja e pozitivitetit vazhdon.

9. Bëj atë që do të bësh

“Pas 20 vjetësh do të jesh më i zhgënjyer me gjërat që nuk ke bërë, se sa prej gjërave që ke bërë. Kështu që, “hiqe litarin”.

Lundro larg prej portit të sigurtë. Kap erën për velat e anijes tënde. Eksploro. Endërro. Zbulo”.

Këshillë e mrekullueshme. Dhe kësaj vërtetë që nuk ke shumë për t’i shtuar. Ndoshta duhet shkruajtur dhe mbajtur si kujtesë e përditshme… për atë që je në gjendje të bësh në jetën tënde./KultPlus.com