Sot, Dita Ndërkombëtare e Dritës

Dita Ndërkombëtare e Dritës festohet çdo vit më 16 maj, në përvjetorin e operacionit të parë të suksesshëm me lazer, në vitin 1960 nga fizikani dhe inxhinieri, Theodore Maiman.

Studimi i dritës ka çuar në burime alternative të energjisë, përparime mjekësore që shpëtojnë jetë përmes teknologjisë dhe trajtimeve diagnostikuese, internetin me shpejtësi të dritës dhe shumë zbulime të tjera që kanë revolucionarizuar shoqërinë dhe kanë formësuar të kuptuarit tonë për universin.

Në këtë ditë, UNESCO bën thirrje për të forcuar bashkëpunimin shkencor dhe për të shfrytëzuar potencialin e tij për të nxitur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Dita Ndërkombëtare e Dritës u festua për herë të parë më 16 maj 2015.

Tema zyrtare për vitin 2025 është “Drita, inovacioni, shoqëria”. Kjo temë nënvizon se si drita mund të shfrytëzohet për të përmirësuar kujdesin shëndetësor, për të zgjeruar arsimin, për të rritur energjinë e qëndrueshme dhe për të reduktuar pabarazitë globale, të gjitha në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. /KultPlus.com

Mbi 35 biznese në Panairin e Karrierës në UNI – Universum International College – Mundësi të shumta punësimi për studentët

UNI – Universum International College, i fuqizuar nga Arizona State University, për herë të tetë rradhazi organizoi Panairin e Karrierës.

Gjatë këtij panairi, më shumë se 25 kompani dhe organizata vendore patën mundësinë të prezantojnë ofertat e tyre të punësimit, programet e praktikës profesionale dhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me studentët e UNI-it. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me kërkesat reale të tregut të punës dhe të aplikojnë për pozita të hapura apo programe praktike që do t’i ndihmojnë në zhvillimin profesional.

Qëllimi i këtij panairi është fuqizimi i lidhjes së studentëve me tregun e punës, identifikimi i talenteve të reja dhe nxitja e bashkëpunimit mes universiteteve dhe industrisë, duke i dhënë një shtysë konkrete zhvillimit të karrierës së studentëve të UNI-it.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë studentët që janë në kërkim të hapave të parë në karrierën e tyre profesionale, duke u njohur më konkretisht me kompanitë, organizatat dhe sektorët ku ata mund të angazhohen.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./ KultPlus.com

Me çadër në dorë e me këngën e Shkodrës Elektronike, Rama pret liderët europianë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po pret ardhjen e liderëve europianë në Tiranë në një mot me shi.

Me një çadër në dorë, Rama qëndron në tapetin e kuq, ndërsa në sfond u dëgjua kënga “Zjerm” e Shkodrës Elektronike, e cila po e përfaqëson Shqipërinë në Eurovisionin e sivjetmë.

Deri më tani në Tiranë ka arritur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez./ KultPlus.com

Presidentja Osmani përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion po mbahet në Tiranë, Shqipëri, dhe që do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.

Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri Rama, gjersa përgjatë samitit, do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ndërsa së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.

Kjo tryezë e liderëve do të trajtojë sfidat e sigurisë në kontinent dhe mundësitë që lidhen me migrimin dhe lëvizshmërinë, me theks të veçantë në fuqizimin e të rinjve, si dhe në shfrytëzimin e potencialit të mërgatës si motor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë të bashkëkryesuar nga Presidentja Osmani do të marrin pjesë liderë nga mbarë Evropa, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Belgjikës, ndër të tjerë.

Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë që të diskutojnë çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj./ KultPlus.com

47 vjet nga vdekja e poetit Rexhep Elmazi

Shkrimtari shqiptar, Rexhep Elmazi, lindi më 3 janar të 1938 në Malishevë të Gjilanit, shkruan KultPlus.

I njohur për punën e tij si shkrimtar, Elmazi njihet edhe si një patriot i madh, pasi konsiderohej si personalitet i rrrezikshëm për regjimin pushtues.

Rexhep Elmazi është detyruar të punojë si përkthyes në Këshillin Popullor të Rrethit të Gjilanit. Në vitet ’60, i’u bashkua një grup ilegal të atyre viteve që i printe Adem Demaçi ku ka demaskuar politikën rankoviqiste shpërndarë parulla dhe afishe kundër regjimit serbo-jugosllav. Më 1964 zgjedhet udhëheqës i Komitetit për Gjilan në Lëvizjen për Bashkimin e Shqiptarëve, organizatë ilegale patriotike, në krye të së cilës ishte atdhetari Adem Demaçi.

Pasiqë zbulohet nga shërbimi i fshehtë serb UDB-ja dhe, poeti, Rexhep Elmazi arrestohet me 8 qershor të vitit 1964, ku dënohet me nëntë vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit, ai lirohet nga burgu i Pozharecit, më 8 nëntor të vitit 1968.

Gjatë punës si përkthyes në Entin e Sigurimit Social në Gjilan, vazhdoi krijimtarinë poetike dhe librin e parë me poezi “Frymëmarrje” që e botoi, më (1972), ai botoi edhe veprën e dytë “Fryma”, më (1994).

Një shkollë në Gjilan nderon figurën e Elmazit duke lënë emrin e tij.

Ka shkruar mjaft, por shkrimet e tij janë asgjësuar nga bastisjet e shumta që janë bërë në shtëpinë e tij. Rexhep Elmazin e konsiderohej si personalitet të rrezikshëm për regjimin pushtues, atij i inskenua rasti më 16 maj të vitit 1978, vritet mizorisht në rrethana që shërbimi sekret e kualifikoi me “maskim”. /KultPlus.com

26 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit

Sot janë bërë plot 26 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara, është zhdukur Ukshin Hoti.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur./ KultPlus.com

Eurovision 2025: Zbulohen edhe 10 finalistët nga gjysmëfinalja e dytë, gati për natën e madhe në Basel

Në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision 2025, e cila u mbajt më 15 maj në Bazel të Zvicrës, dhjetë shtete siguruan kualifikimin për në finalen e madhe.

Mes performancave energjike dhe emocioneve të mëdha, në finale kaluan Lituania, Izraeli, Armenia, Danimarka, Austria, Luksemburgu, Finlanda, Letonia, Malta dhe Greqia.

Këto shtete do t’i bashkohen finalistëve të gjysmëfinales së parë, e cila u zhvillua më 13 maj dhe ku u kualifikuan Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.

Finalja e madhe e Eurovision 2025 do të mbahet më 17 maj në qytetin e Bazelit, ku pjesëmarrësit do të konkurrojnë për trofeun, së bashku me pesë vendet e “Big 5” – Spanjën, Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë – si dhe Zvicrën, vendin mikpritës të këtij viti./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës mban koncert në qytetin e Gjakovës

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncert në Gjakovë. Para paraqitjes në Sofje, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi, koncerti është hapur me “Baresha” nga Rexho Mulliqi.

Koncerti ka vazhduar me arien “Un bel dì vedremo”, interpretuar nga sopranoja Besa Llugiqi, e cila gjatë mbrëmjes ka interpretuar gjithashtu edhe “Sempre libera” nga *La Traviata*. Në bis, ajo ka sjellë interpretimin e “Agimet shqiptare” nga Avni Mula.

Në pjesën e dytë, orkestra ka interpretuar Simfoninë nr. 2 të Kreshnik Aliçkajt dhe The Three-Cornered Hat – Suita nr. 2, nga Manuel de Falla.

Filharmonia do të paraqitet në Sofje më 17 maj 2025, nga ora 19:00 në sallën “Bulgaria Hall” në prezantimin e dytë ndërkombëtar për këtë vit./ KultPlus.com

‘Nëse dëshironi të punoni për paqen botërore, shkoni në shtëpi dhe duajeni familjen tuaj’

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 15 maj shpalli Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që ato të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

Qëllimi i shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Familjes është që të promovojë familjen dhe vlerat e familjes, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.

Familja konsiderohet si gjëja më e vlefshme për secilin njeri, një familje e shëndoshë është gjithçka për të cilën njerëzimi ka nevojë.

Më poshtë KultPlus ju sjell disa nga thëniet dedikuar familjes, që mendjet më të ndritura të kohës i kanë thënë.

-Respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi, janë themelet e harmonisë familjare.

-Të respektosh, të kuptosh dhe të thuash të vërtetën në shtëpinë tënde, kështu dominon harmonia dhe dashuria në familje.

-Familja është si muzika, disa nota janë të larta dhe disa të ulta. Por, gjithmonë ekziston melodia e lumturisë.

-Nëse dëshironi të punoni për paqen botërore, shkoni në shtëpi dhe doni familjen tuaj.

-Atje ku ka një nënë në shtëpi, gjërat shkojnë mirë.

-Shtëpia është tempulli i familjes.

-Në familje, grindjet bëhen nëse dritarja e dhomës së gjumit do të rri e hapur, dhe jo për të ardhmen e njerëzimit.

-Gjërat më të rëndësishme në jetë janë familja dhe dashuria.

-Në shtëpi, babai është rendi, nëna dashuria dhe fëmija gëzim.

-Sa e shkëlqyeshme është familja që nuk ka nevojë për gjëra të panevojshme, dhe nga të nevojshmet, asgjë nuk i mungon.

-Dy vëllezër zihen dhe dy të çmendur kënaqen.

-Nuk mund të mendoj asnjë nevojë tjetër në fëmijëri, aq të fortë sa mbrojtja prindërore.

-Shumica prej nesh bëhen prindër shumë kohë para se të ndolojmë të jemi fëmijë.

-Mund të mësoni shumë nga fëmijët tuaj. Sa durim keni, për shembull. Franklin P. Jones

-Është i mençur babai që e njeh fëmijën e tij.

-Të puthësh fëmijët e tu çdo natë kur të shkojnë në shtrat, edhe nëse janë në gjumë.

-Një grua gjithmonë e preferon fëmijën e saj nga burri i saj.

-Fuqia e dashurisë së nënës është e madhe, sepse nëna, madje edhe kur vuan nga fëmijët e saj, nuk i urren. / KultPlus.com

Përfundohet performanca, hapet votimi për dhjetë finalistët e fundit

Kanë përfunduar performancën shtetet pjesëmarrëse në natën e dytë gjysmëfinale të Festivalit Evropian të Këngës “Eurovision” që po mbahet në Bazel të Zvicrës.

Erika Vikman e Finlandës ishte e fundit që performoi të enjten.

Pas përfundimit u hap votimi, ndërsa dhjetë shtete do të sigurojnë kalimin në finale.

Shqipëria të martën ka siguruar finalen me Shkodrën Elektronike përmes këngës “Zjerm”. Finalja e madhe do të mbahet të shtunën.

Përse të dua?

Poezi nga Lasgush Poradeci

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë

Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj./KultPlus.com

14 fakte nga jeta e Madeleine Albright, gruaja me origjinë hebreje që bëri historinë

Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare amerikane e Shtetit.

Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 – “Zonja Sekretare”.

Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane.

Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas New York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale.

Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”,

Por si kaloi jeta e saj nga fëmijëria deri në shtigjet e politikës, mund ta mësoni më poshtë:

“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal

Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frengjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.

Familja e saj iku nga nazistët

Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist.

Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.

U shfaq në një film për refugjatë

Kur ishte në Angli, Albright u përzgjodh për t’u shfaqur në një film për fëmijët e refugjatëve të luftës. Si formë shpërblimi, ajo morri një arush prej pellushi.

Familja kthehej në Çekosllovaki herë pas here

Albright (e cila flet rrjedhshëm gjuhën çeke) do të kthehej në Çekosllovaki shumë herë si e rritur, duke përfshirë edhe tetorin e vitit 2003, kur ajo udhëtoi atje për të nisur autobiografinë e saj.

Megjithëse familja i ishte mirënjohëse që u kthye në vendin e lindjes, ajo nuk qëndroi atje shumë gjatë.

Familja e tyre nis një jetë të re në Denver

Pasi babai i saj mbërriti në SHBA, familja jetoi në Long Island duke pritur që t’i jepej azil politik. Pasi Josef siguroi punë si mësimdhënës në Universitetin e Denverit, familja u vendos në qytetin e tyre të ri dhe Albright filloi të studionte në Kolegjin Kent Denver, ku dhe themeloi Klubin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të shkollës.

Ishte tejet e sukseshme në Kolegj

Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin Wellesley, dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Në vitet para diplomimit, ajo u bë shtetase dhe u njoh me burrin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright, gjatë një pune praktike në Postën e Denverit. Në librin e saj, Albright kujton se ishte traditë që gratë në Wellesley të martoheshin në ditën e diplomimit. Përkundër kësaj, ajo priti tri ditë pas marrjes së diplomës për t’u martuar me Jozefin.

Nga një vend në tjetrin – një jetë në lëvizje

Albright u zhvendos disa herë për shkak të karrierës së Jozefit. Nga viti 1961, çifti jetoi në Rolla të Missourit dhe Çikago përpara se të jetonin në Long Island, ku edhe lindën binjakët e tyre, Alice dhe Anne.

Në vitin 1962 familja u zhvendos në Georgetown, ku Madeleine studioi marrëdhëniet ruse dhe ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Kur ata u kthyen në Long Island në vitin 1963, Albright vazhdoi studimet e saj në Universitetin e Kolumbias, ku dhe morri një certifikatë masteri, në vitin 1968 edhe një doktoraturë, e më pas lindi edhe vajza e saj e tretë.

Zhvendosja në Uashington i dha kahje karrierës së saj

Albright u përfshi më shumë në politikë kur familja e saj u rikthye në D.C në vitin 1968. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, ajo shërbeu si ndihmëse kryesore e senatorit Edmund S. Muskie, më pas ndihmëse e senatorit Zbigniew Brzezinski.

Ajo ndoqi hapat e të atit për shkollim akademik

Pasi martesa e saj 22-vjeçare përfundoi me divorc në vitin 1982, Albright u bashkua me Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown si profesoreshë e Shkencave Kërkimore në Çështjet Ndërkombëtare, ku ushtroi disa kurse universitare dhe pasdiplomike. Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoreshë e programit të Shërbimit të Gruas në Shërbimin e Jashtëm.

Si ambasadore e OKB-së bëri zgjedhje të vështira

Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse ishte shpesh një nga gratë e pakta në Dhomë (dhe shumë herë, e vetmja), Albright nuk e la veten në heshtje; ajo e kuptoi se nëse vetëm vëzhgonte, dëgjonte dhe nuk do të fliste, do të thoshte se zëri i Shteteve të Bashkuara nuk do të dëgjohej.

Roli i saj historik si Sekretare Shteti

Ndërsa Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997.

Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA-ve”.

Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.

E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior

Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.

Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.

Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje

Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.

Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.

Gjithnjë ka patur një sens humori

Albright ka thënë se ajo ishte shumë serioze si fëmijë, por duke u rritur ka zhvilluar sens të jashtëzakonshëm humori.

Kështu, si diplomate, ajo ka ditur të reagojë edhe në situata të tensionuara. Për t’u argëtuar, zonja Albright madje ka marrë pjesë në show-in televiziv – Gilmore Girls.

Veshja e saj me stil dhe karficat me mesazhe

Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu.

Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha/ KultPlus.com

Fillon gjysmëfinalja e dytë e Eurovision 2025

Sonte, më 15 maj, në qytetin e Basel-it në Zvicër, ka filluar gjysmëfinalja e dytë e Eurovision Song Contest 2025.

16 vende do të ngjiten në skenë në përpjekje për të siguruar një vend në finalen e madhe që zhvillohet të shtunën. Mbrëmja premton emocione, performanca spektakolare dhe një garë të ngushtë mes artistëve që përfaqësojnë kulturat e tyre përmes muzikës.

Spektakli mund të ndiqet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Eurovision-it në YouTube dhe në transmetuesit kombëtarë./KultPlus.com

HelloSafe: Shqipëria, destinacioni më i mirë për t’u vizituar në vitin 2025

Shqipëria është renditur si destinacioni më i mirë për t’u vizituar në vitin 2025, sipas një analize të platformës ndërkombëtare HelloSafe, e cila ka vlerësuar një sërë vendesh bazuar në sigurinë, përballueshmërinë ekonomike, klimën dhe angazhimin në mediat sociale.

Me një rezultat të përgjithshëm prej 75.8 pikësh, vendi ynë ka dalë në krye të listës duke u cilësuar si një perlë mesdhetare që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, si një alternativë e preferuar ndaj destinacioneve të njohura si Greqia dhe Kroacia.

Raporti vlerëson lart bregdetin shqiptar, veçanërisht plazhet e jugut që janë përshkruar si të bukura dhe të paprekura, ndërsa Ksamilin e quan një ndër destinacionet më tërheqëse, falë gërshetimit të gjireve, ishujve të vegjël, kepave të pyllëzuar dhe lagunave që ndriçojnë nën rrezet e arta të pasdites.

Gjiri i Dafinës në gadishullin e Karaburunit, një zonë e mbrojtur natyrore, përmendet gjithashtu si një perlë e rrallë që duhet vizituar.

Përtej bregdetit, Shqipëria ofron edhe një pasuri të jashtëzakonshme natyrore në rajonet e brendshme. Veçanërisht vlerësohet lugina e Thethit, e cilësuar si një nga eksperiencat më të veçanta për vitin 2025.

E vendosur në zemër të Alpeve shqiptare, kjo zonë përshkruhet si një peizazh magjepsës me kullota alpine, pyje pishe dhe liqene të kthjellëta, të rrethuara nga maja të thepisura që krijojnë një atmosferë të rrallë dhe të paharrueshme për vizitorët.

“Në një kohë kur udhëtarët po kërkojnë përvoja autentike, të paprekura nga turizmi masiv, një renditje e re ndërkombëtare e destinacioneve më të mira për vitin 2025 vë në pah vende që ofrojnë natyrë të egër, kulturë të gjallë dhe përballueshmëri ekonomike. Sipas raportit, Shqipëria renditet lart në listë për shkak të maleve të saj të egra dhe të ruajtura, veçanërisht në zemër të Alpeve Shqiptare, duke tërhequr udhëtarë që kërkojnë aventura të pastra dhe përvoja larg turmave”, thuhet në publikimin nga HelloSafe.

Ky vlerësim nga HelloSafe vjen si një tjetër konfirmim i rritjes së reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik, duke sjellë më shumë mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e pasurive natyrore dhe kulturore të vendit./atsh/KultPlus.com

Donjeta Sadiku prek finalen: Dua të stolisem me medaljen e artë

Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku ka vazhduar me performancën e shkëlqyer në Kupën Botërore që po mbahet në ‘Feliks Stamm’ të Polonisë.

Boksierja jonë është kualifikuar në finalen e madhe të këtij turneu duke mundur italianen Rebecca Nicoli në duelin gjysmëfinale.

Sadiku pas fitores ndaj italianes, është shprehur shumë e lumtur më suksesin e arritur. Ajo thotë se mezi e pret finalen dhe shpreson në medaljen e artë.

“Sot arrita fitoren e dytë në Poloni. Jam shumë e lumtur. E kam pasur përball një boksierë mjaft të mirë dhe jam shumë e lumtur që kam arritur deri këtu”, ka thënë Sadiku.

“Finalen e presë më padurim dhe më shumë entuziazëm. Shpresoj së do të stolisem më medalje të artë”, ka theksuar Donjeta Sadiku. 

“Askush nuk është më i urryer se ai që e flet të vërtetën”

Platoni ka qenë filozof i Greqisë Antike, njëherit është një ndër filozofët më me nam në gjithë historinë e njerëzimit.

Ai ka jetuar në vitet 427 p.e.s – 347 p.e.s dhe emri i tij i vërtetë ishte Aristokles.

Ishte student i Sokratit, autor i disa dialogjeve filozofike dhe themelues i Akademisë në Athinë në të cilën akademi studioi edhe Aristoteli.

Ai u mor me shumë  çështje filozofike ku ndër të tjera ishin politika, etika, metafizika, dhe epistemologjia.

Më poshtë po ju sjellim disa nga shprehjet e tij filozofike mbi jetën:

Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

Askush  nuk është më i urryer se ai që e flet të vërtetën.

Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.

Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.

Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.

Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita

Studimi më fisnik ndër të gjitha është studimi i njeriut dhe jetës që duhet të jetojë.

Tregohu i mirë, sepse kushdo që takon, po përballet me një betejë të vështirë.

Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

Nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve.

Kurrë mos e dekurajo dikë që bën përparime të vazhdueshme,sado të ngadalshme qofshin.

Fillimi është pjesa më e rëndësishme e çdo pune.

I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

Ekzistojnë 3 kategori njerëzish: Ata që janë të dashuruar me Dijen; të dashuruarit me nderin dhe të dashuruarit me përfitimin.

Sjellja njerëzore rrjedh si pasojë e 3 shkaqeve: Dëshira, Emocionet ose Dija.

Që një njeri të arrijë të zotërojë vetveten është nga fitoret më fisnike dhe më parësore.

Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

Opinioni është shkalla mes injorancës dhe dijes.

Një hero lind mes qindrave; një i mençur mund të gjendet mes mijrave, por një njeri i vetërealizuar mund të mos gjendet as mes qindra mijëra njerëzve.

Ata që janë të aftë të shohin përtej hijeve dhe gënjeshtrave të kulturave të tyre, nuk do kuptohen kurrë nga masat e jo më të besohen nga to.

Ajo që quajmë mësim është thjesht një proces rikujtimi.

Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

Një vendim i mirë është bazuar në njohuritë dhe jo në numrat.

Të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor; dhe megjithatë ne mashtrojmë veten, ndaj Perëndisë janë të shtrenjtë si fshatari i varfër, si princi.

Gjithë ari i cili është nën apo mbi tokë nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të Virtytit.

Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit? Vërtet, thashë unë, dituria është ushqim i shpirtit.

Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit.

Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit.

Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

Dinaku nuk është tjetër veçse imitatori më i ulët i zgjuarsisë.

Vdekja nuk është më e keqja që mund t’iu ndodhë burrave.

Teprimi në përgjithësi shkakton reaksion, dhe prodhon një ndryshim në drejtim të kundërt, qoftë ai në stinët, në individët apo në qeveritë.

Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që vuan atë.

Ai që vjedh pak, vjedh me të njëjtën dëshirë si që vjedh shumë, por me më pak fuqi.

Ndershmëria është për pjesën më të madhe më pak fitimprurëse se sa pandershmëria.

Do marr heshtjen tuaj si dhënie pëlqimi.

Nëse një njeri e neglizhon edukimin, ai ecën çalë në fund të jetës së tij.

Prindërit duhet t’u lënë trashëgim fëmijëve të tyre jo pasurinë, por frymën e nderimit./KultPlus.com

“Modaliteti në gjuhësi”, libri i ri i Vjosa Sadriu – Hamitit që flet për gjuhën dhe mendimin

Ditët e fundit ka dalë nga shtypi libri më i ri i studiueses dhe profesoreshës Vjosa Sadriu Hamiti, me titull “Modaliteti në gjuhësi”, botuar nga Botimet XHAD në Prishtinë.

Ky është libri i dytë i autores, pas botimit të parë në Gjermani më 2019, “Epistemische Modalität – die Äußerungsmöglichkeiten im Deutschen und ihre Äquivalente im Albanischen”, i cili trajtonte modalitetin epistemik në gjermanisht dhe shqip.

Libri i ri është rezultat i viteve të gjata pune kërkimore dhe studimore mbi temën e modalitetit në gjuhë, një fushë komplekse dhe pak e trajtuar në gjuhësinë shqipe. Autorja e përshkruan librin si një përpjekje për të bashkuar gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, duke e analizuar modalitetin jo vetëm nga aspekti gjuhësor dhe gramatikor, por edhe nga këndvështrimi filozofik, pragmatik dhe diskursiv.

“Modaliteti në gjuhësi” është libër që synon të bashkojë gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, duke shqyrtuar jo vetëm aspektet gramatikore dhe semantike të modalitetit, por edhe dimensionet e tij filozofike, pragmatike dhe diskursive”, ka shkruar autorja.

Libri vjen si një kontribut origjinal për studimet gjuhësore në gjuhën shqipe dhe për të gjithë ata që interesohen për mënyrën se si gjuha shpreh mendimin, qëndrimet dhe mundësitë e folësit./KultPlus.com

“E dua Kosovën gjer në dhimbje”

Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. 

Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com

Benjamin Schmid & Markus Schirmer sjellin gjenialitetin e Schubert-it në koncertin e tretë të Chopin Piano Fest

Vjollca Duraku

Festivali më i madh i muzikës klasike në vend, Chopin Piano Fest, mbrëmë ka mbajtur koncertin e tretë të edicionit të 15-të, me artistët e shquar austriakë Benjamin Schmid- Violinë dhe Markus Schirmer- Piano duke përçuar emocione jashtëzakonisht të thella te publiku, shkruan KultPlus.

Melodi të jashtëzakonshme, harmoni e paparë dhe ndjeshmëri të rralla njerëzore u përjetuan të mërkurën mbrëma përmes veprave të kompozitorit të shquar Franz Schubert, i cili përmes gjenialitetit të tij ka arritur të krijoj mes tij dhe publikut një lloj intimiteti personal të cilin nuk ka mundur ta shkëpusë as koha e kaluar prej gati 200 vitesh.

Ndërkaq, hakun e veprave në skenën tonë modeste ia dhanë artistët që kanë realizuar aktivitete koncertore në mbarë botën. Vepra e parë që u interpretua ishte: “Sonata no.3in g minor” që nisi me tinguj fare të lehtë të pianos, për t’i dhënë një tonalitet më të rëndë më pas violina. Një harmoni mes profesionistëve muzikorë mund të vërehej edhe nga një dëgjues amator i muzikës profesionale. Tinguj fisnikë të violinës së mjeshtrit Schmid rrënqethnin trupin për t’i zhveshur ndjenjat në një melankoli të thellë. 

Violinisti Benjamin Schmid aktualisht është një nga violinistët më të rëndësishëm të kohës sonë, i cili ka deri tani ka mbajtur rreth 3000 performanca live. Cilësohet si një nga violinistët më të rëndësishëm në librin Violinistët e mëdhenj të shekullit të 20-të. Për kontributin e tij në skenë është nderuar me Çmimin Mozart, Çmimin Beethoven dhe Çmimin e Audiencës.

Vepra e dytë interpretuese ishte: “D.408- Hungarian Melody in B minor D.817” që u dha nga pianisti Schirmer.  Vepra karakterizohej nga tinguj kryesisht të qetë që përmes notave muzikore shpaloste një histori të ndjeshme.

“Jam shumë i lumtur që jam sonte këtu para juve për të interpretuar pjesë të kompozitorit Schubert. Ky emër është njëri ndër emrat më të veçantë për ne. Kemi vendosur që të luajmë dy pjesë të vogla që të tregojmë shumëllojshmërinë dhe shumëdimensionalitetine kompozimeve të tij. Pjesa e parë është shumë e veçantë edhe pse për fat të keq nuk është shumë e ndëgjuar në skenë, por është njëra ndër pjesët më të pëlqyera të mijat” ka thënë pianisti Schirmer.

Pianisti Markus Schirmer është po ashtu një personalitet i vlerësuar i muzikës klasike. “Një piper në piano… muzikë që vjen direkt nga zemra, truri dhe majat e gishtërinjve” është një nga komentet që e identifikon saktë punën dhe artin e tij. Ai është profesor në Universitetin e Muzikësnë Graz të Austrisë dhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të muzikës ARSONORE.

Vepra e tretë e interpretuar ishte: “Rondo for Violin and Piano in B minor, D.895 op 70” dha një harmoni tingujsh të oborreve mbretërore. “Pjesën të cilën do ta luajmë tani nga komppozitori Franch Schubert është një kompozim që është realizuar dy vite para vdekjes së tij në vitin 1828, inspiruar nga një traditë e mrekullueshme. Shpresoj që ta shijoni” ka thënë violinisti Schmid.

Veprat tjera që u interpretuan ishin: “Grazer Galopp in C major, D. 925” dhe “Violin Sonata in A major, D.574 “Grand Duo”” që po ashtu dhuruan një kolazh tingujsh fantastik me të cilët kohë pas kohe përmes një frymëmarrjeje të thellë ushqehej artistikisht edhe vetë violinisti. Për artin e dhuruar ata u kthyen disa herë në skenë, duke u ‘detyruar’ të luanin edhe dy herë pas përfundimit të koncertit.

Pas koncertit, në një prononcim për KultPlus, violinistja e njohur shqiptare Sihana Badivuku e ka cilësuar violinistin Schmid si një muzicient shumëdimensional, përderisa koncertin në përgjithësi e ka përkufizuar si një përjetim të rrallë.

“Këtë violinist e përcjellë që nga një moshë më e re. Ai ka shumë çmime botërore me karrierën e tij të bujshme nëpër botë. Më vjen mirë ka ardhur edhe në Prishtinë përmes Chopin Piano Fest. Kam pasur rastin ta dëgjoj edhe më herët në Shkup me Filharmoninë e Maqedonisë, ku edhe atje ka qenë një përjetim shumë i rrallë. Është një ndër violinistët më multidimensional, për faktin se përpos klasicizmit dhe romantizmit që ai i zotëron si talent dhe dituri, ai është edhe një hulumtues i madh i shumë zhanreve në muzikë. Sonte të dy bashkë si ansambël treguan vërtetë një unitet dhe një përjetim të rrallë kamertal të kryeveprave të Schubert-it, dhe diçka shumë individuale nga ana e secilit artist. Është me të vërtetë një ansambël i rrallë që funksionon shumë bukur”, ka thënë violinistja e njohur Sihana Badivuku.

Ndërkaq, drejtoresha artistike e “Chopin…” Lejla Pula ka thënë se ndjehet e lumtur që në skenën vendore kanë arritur të sjellin një kategori të lartë muzicientëve të muzikës klasike.

“Jam shumë e lumtur që po shënojmë sivjet përsëri një bashkëpunim me artistët austriakë, të cilët kanë qenë prezentë në skenën e Chopin Piano Fest nga fillimi i edicionit të parë, në vitin 2010. Ka disa vite që kam tentuar t’i sjell në skenën tonë këta artistë, sepse është fjala vërtetë për një kategori shumë të lartë muzicientësh. Jam shumë e lumtur që e kanë pranuar ftesën. Sonte me të vërtetë kanë shfaqur një art jashtëzakonisht të lartë, një virtuozitet dhe një muzikalitet të mahnitshëm me muzikën e Franz Schubert. Jam shumë e lumtur që kjo duo na dhuroi art të jashtëzakonshëm. Ishte privilegj për ne që t’i kemi sonte në skenën e Chopin Piano Fest”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.

Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest do të mbahet pianistin Istvan Lajko më 16 maj, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Bota është një vend i bukur

Lawrence Ferlinghetti.
Përkthyer nga Fadil Bajraj.

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë lumturia
të mos jetë gjithmonë
bash burim kënaqësie
po s’të prishi punë ta shijosh ferrin
herë pas here
bash atëherë kur çdo gjë të shkon për qejfi
ngase bile as në parajsë
nuk këndojnë
gjithë kohën e lume

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë që do njerëz vdesin
vazhdimisht
apo ndoshta vdesin urie
për një farë kohe
që nuk është bash aq keq
nëse nuk jeni ju

Oh bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
nëse fort s’ta ndien për
disa tru trumcakësh
që gjenden në pozita të larta
apo për një a dy bomba
që eksplodojnë herë pas here
në fytyrat tuaja të përmbysura
apo padrejtësi të tjera të tilla
si shoqëria jonë e famshme
që është pre
e njerëzve të saj të shquar
dhe njerëzve të saj të zhdukjes
dhe e priftërinjve të saj
dhe e policëve të tjerë

dhe e segregacioneve të saj të ndryshme
dhe e hulumtimeve kongresiane
dhe e kapsllëqeve të tjera
që trupi ynë i trentë
mund t’i trashëgojë

Vërtet bota është vendi më i mirë
për shumë gjëra të tilla siç është
skena zbavitëse
skena e dashurisë
skena e trishtueshme
këndimi i këngëve të dëshpërimit dhe pasja e inspirimit
endja andej-këtej
shikimi në çdo gjë
marrja erë luleve
qirja e statujave
dhe bile të menduarit
dhe puthja e njerëzve
lindja e foshnjeve dhe veshja e pantollonave
heqja e kapelës
dhe vallëzimi
notimi në lumenj
shkuarja në pikniqe
në mes të verës
dhe në përgjithësi
‘të jetosh sipas qejfit’
Po
ama bash në atë çast
vjen varrtari
buzagaz./ KultPlus.com

Një vit nga vdekja e nobelistes Alice Munro

Autorja e mirënjohur kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2013, ka ndërruar jetë para një viti në moshën 92-vjeçare.

Ajo ishte një shkrimtare kanadeze që shkroi tregime të shkurtra për më shumë se 60 vjet. Shpesh shkruante për jetën në Kanada dhe sidomos për zonat rurale. Njerëzit e krahasonin me shkrimtarin rus Anton Çehov, sepse tregimet e saj kishin shumë ndjeshmëri dhe kuptim.

Suksesi i saj i parë erdhi në vitin 1968, kur libri i saj me tregime “Dance of the Happy Shades” fitoi çmimin më të madh letrar në Kanada – Çmimin e Guvernatorit të Përgjithshëm.

Alice Munro lindi në vitin 1931 në Wingham të Ontarios. Ishte vajza e një fermeri dhe një mësueseje. Shumë nga tregimet e saj ndodhin në zonën ku ajo u rrit, duke përshkruar jetën dhe kulturën e atij vendi.

Ajo botoi më shumë se 12 libra me tregime të shkurtra. Në vitet 1950 dhe 1960, disa prej tregimeve të saj u transmetuan në radion CBC dhe u botuan në revista kanadeze. Shumë prej tyre flasin për ndryshimet në jetë para dhe pas viteve 1960.

Në vitin 2009, Munro fitoi çmimin “Man Booker International” për gjithë punën e saj. Më pas, në vitin 2013, ajo fitoi edhe çmimin Nobel për Letërsi. Komiteti i Nobelit e quajti atë “mjeshtre të tregimit të shkurtër bashkëkohor”.

Vetë Munro ka thënë se gjithë jetën ka shkruar histori të frymëzuara nga përvojat e saj personale./KultPlus.com

94 vjet nga lindja e Pavlina Nikajt, pionieres së këngës së lehtë shqiptare

Pavlina Nikaj ishte një këngëtare shqiptare. Së bashku me Anita Take dhe Pjetër Gjergji, ajo konsiderohet pionierja e interpretimit të muzikës së lehtë në Shqipëri.

Pavlina Nikaj ka lindur në qytetin e Korçës, më 15 maj 1931. Për herë të parë ka kënduar në vitin 1945 në korin e sindikatave në Korçë, më vonë në Radio-Korça.

Në vitin 1950 u caktua këngëtare profesioniste pranë Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1957 kaloi këngëtare profesioniste në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku këndoi afro 20 vjet.

Me një zë altoje, të qartë, të purpurt, të fuqishëm dhe shumë emocional, filloi të interpretojë me shumë sukses këngë të lehta të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Po kështu, ajo ka në repertorin e saj shumë këngë korçare, patriotike, partizane etj.

Në fillimet e punës së saj ka punuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore dhe, më pas, me krijimin e Estradës së Tiranës, ajo u inkuadrua pranë këtij teatri. Shumë kompozitorë filluan të shkruajnë këngë të reja me destinacion zërin e saj.

Së bashku me Anita Taken, formuan duetin e papërsëritshëm “Nikaj-Take”. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, koncerte, festivale, spektakle, festa popullore etj. Me këngët dhe interpretimet e bëra, ajo ka merituar plotësisht simpatinë dhe duartrokitjet e publikut.

Në repertorin e saj shënohen këngë, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, si: “Udhët e lumturisë”, “S’të harroj”, “Kënga ime të kushtohet ty”, “Një lule”, “Kujtim i shtrenjtë”, “Ç’po dremit liqeni i kaltër”, “Midis gushës ke një pikë”, “Autobusi”, “Kujtimet e studentit”, “Shtëpia e pushimit”, “La Paloma”, “Me duar të arta”, “Gaz zemra ime”, “Trëndafil mos u zemëro” etj.

Ajo është e njohur dhe me një aktivitet të gjerë në lëvrimin e këngës popullore vlonjate. Dalja e saj e fundit në skenë është recitali i vitit 1986 në Teatrin e Estradës së Tiranës, me regjisor Kosta Kamberin. Pavlina Nikaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, i argjendtë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2005 u nderua me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës. /KultPlus.com

Nën temën “Dhe prapë dielli lind” nis festivali Polip

Nën temën “Dhe prapë dielli lind: Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër gjeografi, histori… përtej mureve” nis festivali Polip i organizuar nga Qendra Multimedia. Këtë vit, Qendra Multimedia ka bashkuar forcat me organizatën Molla e Kuqe, e cila po menaxhon me muzeun e hapur rishtazi në Prishtinë “Burgu i Idealit”.

Programi i Polip-it të sivjetëm hapet me shfaqjen siriane “Hija e gjatë e Alois Brunner”, e cila duke marr për shkas tregimin e një prej figurave më famëkeqe të regjimit nazist në Gjermani, shpjegon edhe raportin e artistëve aktualisht refugjatë, me vendin e tyre Sirinë.

Nesër (16 maj) nga ora 17:00, nën moderimin e Alban Beqirajt, në Burgun e Idealit do të zhvillohet biseda “E kaluara që ndjek të tashmen: Artikulimi kreativ i momenteve historike”, në të cilën do të flasin artistët sirianë të shfaqjes “Hija e gjatë e Alois Brunner”. Ndërsa nga ora 19:00 në Kino Armata në Prishtinë do të shfaqet filmi “Letra të hapura” i regjisores Katharine Dominice.

Programi vazhdon edhe më 17 maj, përsëri në Burgun e Idealit, ku nga ora 16:00 do të ndodh biseda “Sindromi i karakterit (jo)kryesor: Përfaqësimi i grave në letërsinë e Ballkanit”, me panelistë Ivana Trajanoska dhe Robert Alagjozovski nga Maqedonia e Veriut dhe Blerina Rogova Gaxha nga Kosova, moderuar nga Aulonë Kadriu. Nga ora 18:00 në qelitë e Burgut të Idealit, aktorët Semira Latifi, Adrian Morina e Shpëtim Selmani do të lexojnë rrëfime të ish të burgosurve politikë në Kosovë.

Polip-i i sivjetëm përmbyllet me shfaqjen “Bëje ose vdis”, një homazh për ish të burgosurit politikë nga Kosova, që prezantohet më 17 maj nga ora 20:00 në Burgun e Idealit në Prishtinë./ KultPlus.com

Tezgjahu ndër zanatet që i ka mbijetuar globalizimit, i shton vlera turizmit në Gjirokastër

Prodhimet e artizanatit janë një vlerë e shtuar e ofertës turistike të vendit.

Pazari i Vjetër i Gjirokastrës, nuk ofron vetëm rrugët e kalldrëmta e ndërtesat mesjetare. Kjo pikë turistike që përbën zemrën e qytetit të vjetër, ofron edhe bukurinë e prodhimeve artizanale, një pjesë e të cilave prodhohen si dikur.

Një nga zanatet e traditës që vazhdojnë të mbijetojnë është tezgjahu. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër sjell shembullin e një punishteje modeste të artizanes Manushaqe Toto nga Lazarati.

Nga duart e saj realizohen e mbahen gjallë gjithë traditat e këtij fshati: nga petaniku, përgatitja e nënprodukteve të qumështit në dybek, qëndisja e kostumeve popullore dhe sidomos tezgjahu, një punë që Manushaqja e dashuron dhe e realizon me pasion e fanatizëm.

Kjo artizane është ndër të paktat gra që punojnë në tezgjah në qark dhe e vetmja në fshatin Lazarat, në një kohë kur modernizmi ka kapur çdo gjë. Manushaqja e ka mësuar punën në tezgjah nga gjyshja dhe mamaja e saj por me parë kjo punë nuk bëhej në “tezgjah” por në “veq” një formë e improvizuar me disa shkopinj të lidhur në hardhitë e rrushit, ku kryhej gjithë procesi.

Në pamjet e publikuara nga DRTK Gjirokastër, Manushaqe Toto rrëfen procesin, i cili fillon nga qethja e bagëtive, larja e leshit, krehja, tjerrja në furkë e më pas puna vazhdon në tezgjah për realizimin e qilimave, çantave, rrugicave dhe plafeve (çulleve) etj./ KultPlus.com