Katër institucione bëhen bashkë për dokumentimin e rrëfimeve të të mbijetuarve në masakrat e luftës në Kosovë 

Ministri në detyrë i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Ceku ka njoftuar se ka filluar projekti “Kujtesa e masakrave në Kosovë”, e që për këtë projekt janë përfshirë katër institucione të Kosovës. 

Ky projekt do të përfshijë të mbijetuarit e masakrave të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe se këto dokumentime do të bëhen me audio-intervista. 

Më poshtë po e sjellim njoftimin e plotë mbi këtë projekt-dokumentim. 

Rrëfime që nuk guxojnë të humbin. Zëra që duhen dëgjuar, ruajtur dhe kujtuar përherë.

Ka nisur projekti tre vjeçar “Kujtesa e masakrave në Kosovë” që do të dokumentojë rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve nga dhjetë prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë, 1998–1999. Mbi 1000 intervista audio që do të bëhen pjesë e një arkive publike që ruan kujtesën dhe të vërtetën.

Projekti realizohet nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. 

Dokumentimi dhe ekspozimi i krimeve të regjimit serb ndaj shqiptarëve është obligim për të cilin po angazhohemi çdo ditë./ KultPlus.com 

Invalidët e luftës do të pajisen me proteza të avancuara

Nga zyra e Presidencës së Kosovës është bërë e ditur se Katari do të mbështesë invalidët e luftës së Kosovës, dhe mbështetja vjen pas anagazhimit të presidentes Osmani për mbështetjen e inavlidëve të luftës me pajisje të protezave të avancuara. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin për këtë iniciativë. 

Me iniciativë të Presidentes Osmani dhe me mbështetjen e shtetit të Katarit, invalidët e luftës do të pajisen me proteza ortopedike të avancuara

Falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, dhe me mbështetjen e Qatar Fund for Development në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe të Katarit, kanë filluar ekzaminimet mjekësore në Kosovë për invalidët e luftës, si pjesë e një projekti që do t’i pajisë ata me proteza ortopedike të avancuara dhe trajtim mjekësor të specializuar.

Ky projekt përfaqëson më shumë sesa ndihmë mjekësore—është një akt konkret falënderimi për ata që kanë sakrifikuar gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës. Ata nuk kanë humbur vetëm një pjesë të trupit, por kanë bërë sakrificën më të dhimbshme në ndjekje të idealit më të lartë: lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Kjo iniciativë është dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Presidentes për të qëndruar pranë atyre që kanë dhënë gjithçka për shtetin tonë, duke e shndërruar kujdesin ndaj tyre në një prioritet kombëtar dhe moral.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë ndaj Qatar Fund dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se kujdesi për invalidët e luftës është një detyrim moral, shtetëror dhe njerëzor.

Ky bashkëpunim po ashtu forcon marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit, duke dëshmuar se solidariteti ndërkombëtar, i mbështetur nga udhëheqja e Presidentes, mund të sjellë ndryshime të prekshme dhe dinjitoze në jetën e atyre që mbrojtën lirinë me sakrificën më të lartë./ KultPlus.com 

Kadare-një vit pas

Mehmet Kraja 

Para një viti, lajmi për ikjen në amshim të Ismajl Kadaresë na tronditi, na bëri të ndiheshim disi të braktisur, të përfshirë në një ndjenjë humbjeje dhe zbrazësie që nuk do ta plotësonim aq lehtë. Kjo ndodhte ngase për të gjithë ne Kadare kishte marrë atributet jo të një miti, siç mund të thonë disa, por të një argumenti që na i bën të ditura, na i kujton dhe na i rikujton të vërtetat e amshueshme për qenësi të mëdha identitare dhe tej identitare. Kadare ishte personifikim, ishte simbol, i tillë do të mbetet deri skajet më të ladrgëta të memories sonë kolektive. Është e pamundur të ndryshohet ky imazh, sado kohë që të kalojë: Kadare është ai guri i qemerit që mban traun e shtëpisë së përbashkët.

Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë kishte një kuptim më specifik, sepse ai ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë për Kosovës në më shumë se 50 vitet e shkuara. 

Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare. 

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbi-ideologjike dhe tej-ideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. 

Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotsueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me një gjuhë të qartë politike dhe kulturore, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës. Shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë pasur jehonë të madhe në opinion kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore. 

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor kanë bërë që Kadare të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor./ KultPlus.com 

Spiropali për Kadarenë: Hyji fluturoi lart, por na lidhi pashmangshmërisht më rrënjët tona europiane

Fjala e plotë e Kryetares Spiropali në  aktivitein e zhvilluar për Ismail Kadarenë, nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave

E dashur Helena,

I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Gjinushi,

Të nderuar akademikë, shkrimtarë, poetë, deputetë e të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar.

Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi – dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.

Dhe është pothuaj e pamundur të gjejmë fjalët e duhura për mjeshtrin e shqipes që krijoi një univers të tërë – njëherazi të njohur dhe të panjohur, të largët dhe të afërt, një simbiozë e rrallë mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes kujtesës dhe imagjinatës.

Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi:
“Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.”
Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia.

Në jetën e tij, si në krijimtarinë e tij, ai nuk kërkoi zbukurime , ishte perbuztar ndaj tyre!
I qetë në vetmi, i rezervuar në publik, por përherë i gjallë në fjalë, Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë. Në meritë e tij Homerike ai mbetej dashesi më i madh i kesaj toke!

Në veprën e tij, vdekja dhe përsosmëria nuk janë të ndara. Ja ç’shkruan për të dyja:

“E ndjeja atë lodhje morti që po më kaplonte prapë risjellja ndër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli. … Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur pa qenë i mbaruar.”

Vëzhgues i përbindshëm i jetës, i ndjesive më të vogla e më njerëzore: zgjimi me një filxhan kafe, një bisedë e mbetur përgjysmë, një zhgënjim miqësor, një kravatë e re apo një heshtje që zgjat më shumë se duhet. Në këto gjëra të përditshme, ai ndërtonte universin e tij të thellë, ku lexuesit ftoheshin për bashkëjetesë. Aty ishte antikiteti dhe e nesrmja, shqiptari dhe Bota, Shqiperia dhe Europa!

Sepse ai besonte – me të drejtë – se bota që ndërtonte me fjalë ishte ndoshta më e drejtë, më e besueshme, më e vërtetë, se ajo ku jetonim.

Kadareja ndërtoi dy të tilla: njërën personalen , ku sundonte si një zot shpesh i mëshirshëm, herë hakmarrës, por gjithmonë njerëzor; dhe tjetrën, që ia dhuroi njerëzimit – një botë me përmasa mitike, por me themele reale, ku Shqipëria dhe shqiptaria gjenin formën më të lartë të vetvetes.

Në këtë univers letrar, ai udhëtoi si një Dante modern, duke pasur pranë jo vetëm Beatriçen e tij – Helenën – por edhe kujtesën, mitin, identitetin, tragjedinë dhe ëndrrën

Edhe pse Kadare, i është rikthyer tokës si rrënja më e çmuar e identitetit shqiptar, ai i përket qiellit më të epërm të vlerave njerëzore universale.

I ndarë nga bota jonë, duke vendosur të Ikë për të pushuar vetëm një çast, Kadare shënjoi dhe një nga paradokset e shumta të jetës së tij, duke i dhënë jetë dhe një paradoksi të ri, duke i dhënë paqe edhe armiqve të tij. Atyre që nën uniformën gri e monotone të mediokritetit shfaqeshin si një turmë plot me zulmë e zhurmë kritikësh dhe turmë ziliqarësh e lakmitarësh.

Vetë Kadare ishte ai që me parimin e tij për moshpjegim, i bënte të shfaqeshin edhe më të vegjël, edhe më të parëndësishëm, edhe më të papërfillur.

Fitimtar, kur mund të kthente përgjigje, tani në heshtje u dha paqe, duke lënë pas indiferencën dhe moskuptimin të gjithë atyre që iu gërmushëm, gafurrën dhe e gërvishën me gërvima groteske nën gërmërin qesharak të marshit funebër të mediokërve.

Herët a vonë, ndodh revanshi i shkrimtarit, sidomos atëherë kur ai nuk ka trup për të mbajtur mbi emër, por është vetëm një emërmbiemër mbi letërsinë e tij të shkruar.

Vetëm atëherë kur ai është jashtë hijes dhe peshës së kohës, ai dëshmon më qartë peshën e pushtetit të së përjetshmes mbi të përkohshmen.

Ky Prijës perëndimor që Shqipëria e marrë peng prej Lindjes pati fatin t’i dhurojë Perëndimit, si ata fare pak shkrimtarë të kalibrit të tij, pati një jetë jo paralele me asnjë regjim; foshnjë dhe fëmijë nën mbretërinë komike të viteve 30-të dhe më pas të viteve të pushtimit; adoleshent dhe i ri i moçëm nën regjimin komunist dhe një i pamoshë në fëmijërinë e trazuar të demokracisë shqiptare.

Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendin nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.

Kadare ishte një udhëtar i madh që u nda nga Gjirokastra për të udhëtuar në kohë dhe në hapësirë; iu kthye antikitetit të Ilirisë dhe Greqisë së lashtë dhe mbërriti nga stepat sovjetike në brigjet e detit të Kinës në Lindje.

Ai hulumtoi universin njerëzor në qelizën e tij, që nga ADN-ja e banditit të rëndomtë tek pafajësia e dashurisë, nga shiu i dëshpëruar tek daullet e dasmave, nga krenia e individit si kështjellë tek kalatë e mendimit, nga të rrëzuarit në fatkeqësi, tek sjellësit e mynxyrave, nga skllavi tek padroni, nga i vdekuri i gjallë tek të gjallët që patën lindur të vdekur.

Një alkimist modern që në kohën e shpresës së vdekur, parashihte se shpresa lind edhe nga eshtrat e letërsisë së madhe.

Kadare nuk qe një ardhës dhe ikës i zakonshëm, një shëtitës, një kalimtar, ndër të shumtit e kësaj bote.

Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëvë. Atyre që bashkësive, komuniteteve, popujve, kombeve, racave, u sjellin fat kur janë në mjerim, u tregojnë zgjidhje kur janë në hall, në vështirësi, në moment kritik, u sjellin një udhërrëfyes kur nuk dinë nga t’ia mbajnë, kur zjarri po fiket dhe duhet ndezur, kur drita meket dhe duhet gjallëruar. Kadare ishte nga të parët që i dha zë Kosovës në Shqipëri dhe i tregoi Shqipërisë Kosovën si dy gjysma të trupit të një kombi të aksidentuar nga historia. Ishte vështrimi që tregonte adresën që duhej të merrnim edhe në orë fatale dhe ishte mendja që dëshmonte se çfarë duhej bërë që e ardhmja të fliste shqip e europianisht në këtë skaj të Ballkanit për dy republikat euroshqiptare.

Kadare ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë.

Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.

Mjerë kritizerët trukokallë që thonë se qe i tillë si shkrimtar, e i atillë si njeri, dhe broçkulla të tjera që Hyut veçse ia shtojnë lavdinë, dhe mediokrit i hedhin në honet e harresës.

Ta nderojmë, respektojmë, kujtojmë në pafundësi, është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për atë që erdhi na fali gjithçka, dhe iku pa na marrë asgjë.

Poet, prozator, polemist, sagist, eseist, epik, lirik, dramatik, tragjik, kushtuar talentin dhe jetën sa individit dhe njerëzimit, vepër me shtrirje kohore deri në antikitet dhe shtrirje gjeografike planetare, përkthyer në dhjetra gjuhë, pëlqyer nga miliona lexues, mposhtës i sfidave nga më të vështirat, përballues i rrethanave nga më dramatiket, volum pune kolosale, perfeksionist i pashërueshëm i formës dhe përmbajtjes, gdhendur jo çdo paragraf e çdo fjali, por deri çdo gërmë e çdo tingull, ekzaltues i vlerave njerëzore, kombëtare, intelektuale, europiane në periudhën nga më tragjiket e historisë sonë, në terrin e diktaturës, i binduri i patundur që e provoi dhe provon me punë titanike dhe talent gjenial se rruga për te Liria, e vetmja rrugë për progres dhe prosperitet, kalon nga arsyeja, bukuria, pasioni, ishte dhe mbetet Ai.

Hyji fluturoi lart, por na lidhi pashmangshmërisht më rrënjët tona europiane.

Sot e mot e përgjithmonë, i paharruar në zemrat tona, në mendjen tonë, në kujtesën tonë, më i ndrituri ynë. Fjalët më zor i gjejmë. Na duhesh, ngrehu dhe kthehu prej andej ku je, ku përkohësisht ke shku./ KultPlus.com 

Tri profesoresha dhe dy profesorë, përbërja e re e Këshillit Drejtues të UP-së

Është bërë e ditur nga Universiteti i Perishtinës se kanë përzgjedhë përbërjen e re të Këshillit Drejtues të UP-së, dhe kjo përbërje e re është nga tri profesoresha dhe dy profesorë, shkruan KultPlus.  

Anëtarët e UP-së në Këshillin Drejtues janë:  prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi.

Më poshtë sjellim të plotë njoftimin e UP-së. 

Në mbledhjen e Senatit është zgjedhur pesëshja e Këshillit Drejtues që do ta përfaqësojë Universitetin e Prishtinës në këtë organ shumë të rëndësishëm ekzekutiv e rregullues. Tri nga pesë të zgjedhurit janë gra. 

Anëtarët e UP-së në këtë këshill do të jenë prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi. 

Në zgjedhje u votua për 16 kandidatë që sipas Komisionit zgjedhor të përbërë nga prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Kreshnike Dedushi-Hoti dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, prof. Florian Miftari, i plotësonin kushtet për të qenë pjesë e Këshillit Drejtues. 

Në raundin e parë të zgjedhjeve, anëtare e Këshillit Drejtues u bë profesoresha Mimoza Ibrani, pasi mori më shumë se gjysmën e votave nga senatorët, gjithsejt 23, ndërsa raundi i dytë i votimit u zhvillua me 12 kandidatët më të votuar nga raundi i parë. 

Katër anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues nga personeli akademik i Universitetit të Prishtinës, u zgjodhën në raundin e tretë të votimeve, pasi në të dytin, asnjëri prej tyre nuk mori votat e mjaftueshme. Këtë herë votimi u bë për tetë më të votuarit nga raundi i dytë. Mandati i pesë të zgjedhurve do të zgjasë deri më 14 shtator 2028. 

Thirrja për aplikim në këto pesë pozita ishte shpallur më 2 qershor, kurse ankesat eventuale për proceset e përzgjedhjes dhe votimit do të shqyrtohen mes 1 e 2 korrikut 2025. 

Këshilli Drejtues, përveç pesë anëtarëve nga personeli akademik i UP-së, i ka edhe katër anëtarë që emërohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Inovacionit. / KultPlus.com

“Lutja para Seancës së Kuvendit”

Nga poezitë aktuale të Agron Elezit:

(Shkruar nga Muharrem Elezi – shkrimtar, nënkryetar i lidhjes se shkrimtarëve të Kosovës, dega në Gjilan)

Në traditën e poetëve të mëdhenj, nga Homeri te Dante, nga Naimi te Migjeni, poezia nuk ka qenë vetëm zbukurim i fjalës, por një akt profetik edhe i ndërgjegjes shoqërore. Kjo poezi e Agron Elezit, “Lutja para Seancës së Kuvendit”, qëndron në të njëjtën linjë të thirrjes së ndërgjegjes kolektive përballë krizave historike, politike dhe morale.

Në një aktualitet ku institucionet kosovare janë në bllokadë për shkak të egos së ngushtë të liderëve, poeti ngre zërin si zë i ndërgjegjes kombëtare, duke e kthyer lutjen e tij në një manifest politik shpirtëror. Ai e percepton poezinë si lutje, por lutja këtu është një akt publik, një gjest i madhërishëm poetik që i tejkalon muret e parlamentit dhe flet me gjuhën e zemrës ndaj një kombi që rrezikon të vetëshkatërrohet nga Brenda; jo më nga pushtuesi, por nga mosmarrëveshjet mes bijve të vet.

Poema ka një strukturë lutëse, por ritmike dhe e qëndrueshme, si një psalm i shekullit XXI. Ajo përbëhet nga një seri thirrjesh drejtuar Zotit, ku çdo varg është një element moral, institucional dhe filozofik:

Na jep busullën e së vërtetës
drejt yjeve të mrekullive të mbijetesës

Kjo është një gjuhë e cila kombinon metaforën biblike me shqipen e gjallë dhe të thellë gegë. Një zgjedhje stilistike që nuk është rastësore, por me vetëdije të qëllimshme, për ta rrënjosur poezinë në realitetin autentik shqiptar.

Thelbi i kësaj poezie është një klithmë, jo vetëm lutje. Një klithmë që ngrihet nga vetëdija e një populli që, edhe pasi ka dalë nga skllavëria shekullore, rrezikon të fundoset nga mosmarrëveshjet e brendshme, nga inati politik dhe nga etja për pushtet.

Pyetja që ngrihet nëntekstualisht është tronditëse:

“Si është e mundur që pas shekujve të dhimbjes, prap po përsëritet historia?”

Poeti, si një orakull modern, paralajmëron se mungesa e burrërisë për të falur, mungesa e dinjitetit për të respektuar, dhe verbëria e lakmisë për pushtet, po i kthen shqiptarët mbrapsht; nga ëndrra e shtetit në makthin e përçarjes.

Ky tekst nuk është vetëm një poezi, por një program etik, një vizion utopik i mundshëm për politikën shqiptare, ku “qeverisjet shërbejnë, e nuk sundojnë”. Kjo është një poetikë e drejtësisë dhe urtësisë, e cila synon të kujtojë se kombi pa drejtësi, pa mëshirë dhe pa përulësi, është një anije pa drejtim.

Lutja para Seancës së Kuvendit” është një poezi me potencial institucional, e cila mund të lexohet në fillim të çdo seance parlamentare jo si rit fetar, por si akt i vetëdijes kolektive. Ajo është dëshmi se poeti, me intuitën e tij, është më aktual se vetë politikanët. Poeti sheh më larg sepse e ndien më thellë. E pikërisht kjo është vlera e veprës: nuk jep zgjidhje teknike, por jep shpirt dhe busull morale – atë që politikës së sotme shqiptare i mungon më së shumti.

Në fund, kjo poezi është një akt shprese, por edhe një akt ndërgjegjjeje historike. Një pasqyrë e gjendjes sonë politike, por edhe një dritë e mundësisë që zëri i poetit të bëhet zëri i arsyes në Kuvendin e Kombit.

Ashtu qoftë!

Lutja Para Seancës së Kuvendit

O Zot!
Udhëheqna me ernat e arsyes
dhe velat e përgjegjësisë
me ligjet që nuk vrasin, por shërojnë
Udhëheqna drejt ishujve të paqes dhe dashurisë
me qeverisjet që shërbejnë, e nuk sundojnë

Shpëtona o Zot
Nga mjerimi i stuhive mendjemëdha
nga valët e liga të lakmisë dhe mashtrimit
Mos lejo djalli me na çmend e me na përça
me vorbullat joshëse të tradhëtisë dhe tundimit 

Na jep busullën e së vërtetës
drejt yjeve të mrekullive të mbijetesës:
Na jep urtësi me folë
e guxim me vepru
Zemër me shërby
e shpyrt m’u mëshiru
Thellësi me peshë t’votës
e lartësi prej shenjtori
Na jep burrni me falë, Zot
e dinjitet me respektu

Na i bo sytë largpamës si t’shqiponjës
mos me lanë mendjen e ultë n’maxhe t’bukës
Na i bo veshët të mprehtë si t’ujkut
me i dëgju edhe djallëzitë ma t’thella t’nëntokës

Plotësoje o Zot amanetin e rilindasve
fjalët e shenjta të dijetarëve shpyrt-bardhë
që n’këtë risk tonin dhe t’pasardhësve
të ndërtojmë një shtet dhe shoqëri të mbarë
Ashtu u boftë!/ KultPlus.com

Ju mund të keni aromën e parfumit të lansuar nga presidenti Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sapo ka lansuar parfumin e tij dhe atë mund ta gjeni me emrin “Victory 45-47”, përcjellë KultPlus. 

Ky parfum bëhet e ditur se është lansuar për të dy gjinitë dhe presidenti Trump ka thënë se përpos që mund ta merrni për vete, mund ta bleni edhe për më të dashurit e juaj. 

Ky parfum kushton 249 $ dhe është lansuar me një statujë të artë ikonike./ KultPlus.com 

Milan Kundera mbi të drejtat e kafshëve dhe çfarë do të thotë në të vërtetë mirësia e vërtetë njerëzore

Nga Albert Vataj 

Në një botë ku arroganca njerëzore e ka vendosur veten në majë të një piramide të shpikur, të vetëquajtur “krijesë mbizotëruese”, zëri i Milan Kunderës ngrihej si një denoncim i zëshëm, në mbrojtje të atyre që nuk kanë zë dhe që i përkasin të njëjtes të drejt në ligjësinë e ekzsitencës. Në vazhdën e një trashëgimie mendimi që përfshin Dostojevskin, që i lutej njeriut të mos e lartësonte veten mbi kafshët, dhe Uitmanin që na këshillonte t’i donim si pjesë të pandarë të jetës dhe dritës, Kundera nuk përsërit thjesht thirrjen morale të paraardhësve të tij shpirtëror, por shkon më tej: ai e çmonton mitin e supremacisë njerëzore që ka zënë rrënjë në thelb të qytetërimit tonë.

Në faqet përmbyllëse të romanit të tij të paharrueshëm Lehtësia e padurueshme e qenies, ai nuk i drejtohet vetëm çështjes së të drejtave të kafshëve si një çështje etike; ai e trajton atë si lakmuesin më të hollë të shpirtit njerëzor, si provën përfundimtare të asaj që ne jemi. Për Kunderën, mëshira ndaj kafshëve, atyre që janë pa mbrojtje dhe pa pushtet, është e vetmja mirësjellje që nuk mund të shtiret, nuk mund të imitohet, nuk mund të komandohet. Ajo lind vetëm nga thellësia e vërtetë e ndërgjegjes.

Në një kohë kur shkenca po i zbulon gjithnjë e më shumë misteret e inteligjencës dhe ndjeshmërisë jo-njerëzore, ky kumtim i Kunderës vjen si një lutje filozofike, një shpallje e dhimbshme dhe e ndershme për rrënimin moral të njeriut përballë të pambrojturve. Dhe ky rrënim, siç na kujton ai, është ai prej të cilit burojnë të gjitha të tjerat.

“Njeri, mos e lartëso veten mbi kafshët”, këshilloi Dostojevski në çështjen e tij të përzemërt për të drejtat e kafshëve .
Një çerek shekulli para, në anën tjetër të botës, Uitmanit udhëzoi në këshillën e tij rrezatuese për jetën që “të duam tokën, diellin dhe kafshët”
Një shekull pas Dostojevskit dhe Uitmanit, pak para agimit të një shkence të re që ndriçon mrekullitë e mendjeve jo-njerëzore, Milan Kundera (1 prill 1929–11 korrik 2023) i sfidoi këto dogma në një roman prekës, përveç romanit të tij klasik të vitit 1984, “Lehtësia e padurueshme e qenies”.
Në faqet e fundit të romanit, duke llogaritur kuptimin e fuqisë dhe butësisë, Kundera synon humorin e tij të djallëzuar në mendjemadhësinë e njerëzimit:
Vetë fillimi i Zanafillës na tregon se Zoti e krijoi njeriun për t’i dhënë atij sundimin mbi peshqit, shpendët dhe të gjitha krijesat. Natyrisht, Zanafilla u shkrua nga një njeri, jo nga një kalë. Nuk ka siguri që Zoti i dha njeriut sundimin mbi krijesat e tjera. Ajo që duket më e mundshme, në fakt, është se njeriu shpiku Zotin për të shenjtëruar sundimin që ai kishte uzurpuar për vete mbi lopën dhe kalin.
E drejta për të vrarë një dre ose një lopë është e vetmja gjë për të cilën mund të bihet dakord i gjithë njerëzimi, edhe gjatë luftërave më të përgjakshme. Arsyeja që ne e marrim këtë të drejtë si të mirëqenë është se qëndrojmë në krye të hierarkisë. Por lëreni një palë të tretë të hyjë në lojë – një vizitor nga një planet tjetër, për shembull, dikush të cilit Zoti i thotë: “Ti do të kesh sundim mbi krijesat e të gjithë yjeve të tjerë” – dhe marrja e Zanafillës si e mirëqenë menjëherë bëhet problematike. Ndoshta një burrë i ngjitur në karrocën e një marsiani ose i pjekur në hell nga banorët e Rrugës së Qumështit do të kujtojë koteletën e viçit që e priste në pjatën e tij të darkës dhe do t’i kërkojë falje (me vonesë) lopës.
Ne kurrë nuk mund të përcaktojmë me siguri se cila pjesë e marrëdhënieve tona me të tjerët është rezultat i emocioneve tona – dashurisë, antipatisë, bamirësisë ose keqdashjes – dhe cila pjesë është e paracaktuar nga loja e vazhdueshme e pushtetit midis individëve.
Mirësia e vërtetë njerëzore, me gjithë pastërtinë dhe lirinë e saj, mund të dalë në pah vetëm kur marrësi i saj nuk ka fuqi. Prova e vërtetë e vdekshme e njerëzimit, testi i tij themelor (i cili qëndron thellë i varrosur nga pamja), konsiston në qëndrimin e tij ndaj atyre që janë në mëshirën e tij: kafshëve. Dhe në këtë aspekt njerëzimi ka pësuar një rrënim themelor, një rrënim kaq themelor saqë të gjithë të tjerët burojnë prej tij,shkruan Kundera./ KultPlus.com

Kadare: Dëgjo… është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve

Dëgjo… është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve- dhjetë thënie të Ismail Kadaresë 

Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë.

Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

Njeriu në jetë ka nevojë për 1 filxhan shkencë, 1 shishe kujdes, dhe 1 oqean durim.

Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave./KultPlus.com 

Shotë Galica:  Jeta pa dije është si një luftë pa armë 

Më 10 nëntor 1895, u lind në Drenicë Shote Galica.

Galica qe gruaja që nuk e hoqi pushkën nga dora dhe u bë krahu i djathtë i bashkëshortit të saj, Azem Bejtës, ndërsa e vazhdoi luftën edhe pas vdekjes së tij. 

Emri i saj i vërtetë është Qerime Radisheva. E njohur për rezistencën me sukses ndaj autoriteteve ushtarake serbe nga fillimi i viteve ’20, deri kur u tërhoq në Shqipëri. Kundërshtoi me armë dhunën dhe shpërnguljet e shqiptarëve nga autoritetet serbe në Kosovë.

Vdiq në Fushë-Krujë më 1 korrik 1927.

Shote Galica mbahet mend për thënien “Jeta pa dije është si një luftë pa armë”. Ka mirënjohjen më të madhe si “Hero i Popullit”. / KultPlus.com

Përvjetori i parë pa praninë fizike të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare 

Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, ka vdekur në moshën 88-vjeçare një vit më parë. 

I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, Kadare do të kalonte  kufijtë e Shqipërisë së izoluar. Këtë do ta bënte në vitet ’70, kur veprat e tij të përkthyera nga Jusuf Vrioni do të bëheshin pjesë e letërsisë elitare në Francë e në botë. 

Falë prozës së Kadaresë të përkthyera në më shumë se 40 gjuhë të botës, letërsia shqipe arriti majat.

Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kadare u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë. 

Krahas çmimeve të tjera, më 2019 fitoi “Nobelin” amerikan, siç cilësohet çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”. Gjatë ndarjes së këtij çmimi Kadareja ishte vlerësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe i fjalës së lirë”.

Disa herë qe konsideruar si favorit për “Nobel”.

Në biografinë e tij të publikuar në faqen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës thuhet se fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. 

Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Evropiane.
Ndërkaq, “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër.

Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. 

Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajton temën e konfliktit me kinezët. 

Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.

Tutje thuhet se letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar./ KultPlus.com 

’Fëmija dhe zogu’

| Ndre Mjeda – Fëmija dhe zogu |

Fëmija
Çka ke, zog, që rri kaq idhun
N’at kafaz e nuk këndon?

Zogu
Jam ktu brendë si’i qen i lidhun
Prandaj zemra, më loton.

Fëmija
Fort i bukur, fort i dlirë
Ky kafaz dikur t’u duk.

Zogu
S’e kam dijtë për kaq t’vështirë,
Ktu ha helm ma shumë se bukë / KultPlus.com

Më 5 korrik fillon edicioni i pestë i Autostrada Biennale

Autostrada Biennale rikthehet edhe këtë vit në datat 5 korrik – 5 tetor 2025 duke shënuar edicionin e saj të pestë përcjell KultPlus.

Këtë vit, Autostrafa Biennale cjen me titullin ‘Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës’, e kuryar nga Erzen Shkololli.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë nga Autostrada Biennale:

Autostrada Biennale kthehet sivjet me edicionin e 5-të të titulluar Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës të kuruar nga Erzen Shkololli, duke shënuar dhjetë vjet nga themelimi i saj.

Me kohëzgjatjen nga 5 korriku deri më 5 tetor 2025, si dhe me vernisazhin profesional më 4 korrik, ekspozita rrëmon shtresat historike dhe arkitekturore të Prizrenit përmes veprave si të porositura së voni, ashtu edhe të ripërfytyruara, nga artistë prej brezave dhe vendndodhjeve të ndryshme.

Bienalja shpaloset në disa hapësira kyçe trashëgimore të Prizrenit, duke përfshirë Muzeun Arkeologjik dhe Sahatkullën, Shtëpinë e Shani Efendiut, Shtëpinë e Familjes Dorambari dhe Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, të cilat si tërësi kumbojnë përgjatë shtresave të historisë. Të ngulitura mirë në përbërjen urbane të qytetit dhe më tej duke u shtrirë në peizazhet përreth tyre, këto hapësira mundësojnë pikëtakime mes praktikave bashëkohore artistike dhe së kaluarës së ndërlikuar të Prizrenit.

Një nga hapësirat qendrore të këtij edicioni është Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, ish baza ushtarake. Në këtë park, Autostrada Biennale ka krijuar hapësirën e saj të përhershme — Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor. Si qendër që funksionon gjatë gjithë vitit për ekspozita, rezidenca, programe edukimi, prodhimi dhe dialogu, Hangari mishëron angazhimin e bienales për vazhdimësi dhe përkushtim afatgjatë.

Titulli i ekspozitës Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës pasqyron shndërrimin e vijueshëm dhe shumështresor të narrativave historike, politike dhe artistike. Prizreni, i formësuar përgjatë mijëvjeçarëve nga shkrirja e akullnajave dhe i shtresëzuar me shenja të Kohës së Bronzit, të kishave bizantine, të arkitekturës osmane, të infrastrukturës jugosllave dhe të vragave të luftës së Kosovës, shërben edhe si prapavijë, edhe si pjesëmarrës aktiv në shpalosjen e këtyre rrymave.

Artistët pjesëmarrës:

Blerta Hashani, David Fesl, Brilant Milazimi, Anita Muçolli, Doruntina Kastrati, Stephanie Rizaj, Edin Zenun, Robert Gabris, Armend Nimani, Elena Narbutaitė, Silva Agostini, Small But Dangers, Hassan Khan, Laurent Mareschal, Tao G. Vrhovec Sambolec, Nika Špan, Rivane Neuenschwander, Nathan Coley, Vadim Fishkin, Tamara Grcic, Ayşe Erkmen, Alije Vokshi, Lois Weinberger, Simon Shiroka.

“Duke qenë nga Kosova, përpiqem të sjell një të kuptuar të thellë si të rrënjësimit ashtu edhe të brishtësisë të praktikës artistike në Kosovë”, thekson Shkololli. “Shumë projekte në këtë edicion— ndonëse të përkohshmë—synojnë të lënë një mbresë afatgjatë edhe në përbërjen e qytetit, edhe në kujtesën tonë të përbashkët. Ky është një çast për të reflektuar mbi tensionet mes pranisë dhe zhdukjes, trashëgimisë dhe jetëshkurtësisë”.

“Edicioni i 5-të i Autostrada Biennale mishëron atë në të cilën kemi besuar që në fillim: se arti ka forcën të ndërtojë ura të padukshme që lidhin njerëzit, vendet dhe idetë përtej kufijve. Pas një dekade rrugëtimi, mbetemi të përkushtuar të krijojmë hapësira ku dialogu, imagjinata dhe lidhjet njerëzore mund të mbijnë, të rriten dhe të lënë gjurmë.” — Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, Drejtorët

Bashkëthemelues të Autostrada Biennale.

Krahas ekspozitës, Arktivi i Autostradës vazhdon të zgjerohet si vendgrumbullim për botimet e artistëve, materialet e bienales dhe përsiatjet kuratoriale në zhvillim e sipër, gjë që kontribuon tek reflektimi afatgjatë i rolit të artit bashkëkohor në formësimin e kujtesës kolektive në Kosovë dhe më tej.

Edicioni i 5-të i Autostrada Biennale është bërë i mundur falë mbështetjes dhe partneritetit bujar të: Allianz Foundation, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran, ITP Prizren dhe GIZ, Ambasada e SHBA në Prishtinë, British Council, Banka ProCredit, Mondriaan Foundation, Erste Foundation, Goethe Zentrum Prishtina, Istituto Italiano di Cultura në Tiranë, Ambasada e Italisë, Institut Français, Ambasada e Francës, Ambasada e Austrisë, Ministria Federale për Strehimin, Artet, Kulturën, Median dhe Sportin e Republikës së Austrisë, Ambasada e Holandës në Prishtinë, Ambasada e Gjermanisë, Sigma, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës në Shqipëri, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, CulturAlb, Kontakt, Dokufest, GAK, IBA, Kreativ Qeramika, Pezull, Pro Helvetia./KultPlus.com

Screenshot

Latif Mustafa: Më quaj Izmir një manifestim estetik dhe politik

Latif Mustafa

Libri me poezi “Më quaj Izmir” është libri i parë i autores Tinka Kurti. Libri përmban dyzet e pesë poezi, të rradhitura pa ndonjë strukturë të caktuar. Ky libër me poezi është manifestim estetik që ndërtohet mbi një reflektim dhe akumulim dijesh mbi njeriun, trupin, gjuhën dhe raportet e tij me botën, pushtetin dhe tjetrin. Tinka Kurti nuk flet vetëm për përvojën intime, por për strukturat ideologjike që formësojnë jetën dhe kuptimin mbi të, si patriarkati, kulturën e konsumit dhe bjerrjen ontologjike si realitet i kudogjendshëm njerëzor. E shprehur pa mistifikim dhe lojëra gjuhësore të panevojshme, poezia e saj refuzon të jetë mjegullim simbolik, siç e quan edhe ajo vetë në poezitë e saja. 

Poezia e saj, gjithashtu, nuk është thjesht shpërthim stihik emocional apo përpjekje për vetë-çlirim, por një akt politik dhe etik që sfidon idealet shoqërore të bukurisë, normat mbi trupin dhe gjuhën, dhe strukturat e kontrollit si patriarkati dhe kapitalizmi. Bukuria, si formë arketioper e njëmendësisë, shndërrohet në një akt qëndrese ndaj fashizmit estetik dhe moral, që në vete është përjashtues dhe monocentrik. Në kuprimin individual, ajo refuzon të flasë për mainstream-in kulturor dhe estezisin që ka imponuar pushtetshmi, dhe si e tillë ajo rikthen të përjashtuarin në qendër të ndërgjegjes kolektive. Pa ndjekur një trajektore tradicionale të vargut apo një sistem hierarkik konceptual, poezia e saj pasqyron fragmentimin e subjektit modern, që e legjitimin vetëreferenca dhe vetëautorsia. 

Mungesa,gjuhadhekërkimiikuptimit

Poezitë si “Zbrazëti” dhe “Fragment” artikulojnë mungesën si kusht themelor të qenies. Subjekti është i çarë, i përbërë prej copëzash të thyera dhe pasigurie. Kjo qasje heideggeriane përshkruan njeriun si qenie e hedhur në botë, gjithmonë e zhytur në paplotësi dhe mospërmbushje. Mungesa nuk është boshllëk, por trualli ku lind kuptimi, në vetminë e tjetrit, zbulohet vetëvetja. 

ZBRAZËTI
kur të mungon diçka
kënd e pyet
a ekziston një pjesë e vogël e imja sado e vogël
brenda teje

Në poezinë “Solamente una vez”, ndjenja dhe gjuha përplasen si dy sisteme të papërkthyeshme. Gjuha është gjithmonë vonesë, gjurmë e jo prani, një qasje thellësisht derridiane. Fjala vjen pas ndjenjës, kurrë me të. Po aq sa ndjenja është e vërtetë, po aq fjala duket si një përpjekje e përhershme për ta kapur atë, dhe për ta humbur.


sikur të dija më mirë spanjisht
do ta kërkoja më shpesh të më duash
kur e vulos këtë kërkesë në shqip
ndjej se po përdor të drejtat autoriale
të përkthyesve të zotë të letërsisë
por ndjenja ime diku – diku është latine
shpirti im nuk ka nevojë për qetësi
po për një calma 
mi alma
sikur të gjitha nënat që njoh artikulohen spanjisht 

(fragment nga “Solamente una vez”)

Trupi,BukuriadhePushtetiitjetrit

Në poezitë “Zoom In”, “Zhveshtorja” dhe “Bukuria është lufta kundër fashizmit”, trupi shfaqet si hapsirë e shtrirë ideologjike ku nguliten normat e pushtetit, reklamës dhe patriarkatit. Poezia nuk e romantizon trupin apo bukurinë, përkundrazi, i dekonstruon si forma të dominimit simbolik dhe kulturor. Kjo qasje është thellësisht foucaultiane: trupi është vendi ku projektohet kontrolli, por edhe ku mund të artikulohet qëndresa.


e zmadhova
foton e të dashurës tënde
nuk ia shoh ndonjë rrudhë
kur ndeshem me të
takoj shpejt
sytë e saj
flakëroj
mos ka mbetur tek ajo diçka nga ti
nga mbrëmë a parëmbrëmë
e diçka nga unë te ti
që është ngjit tek ajo
prej jetëve të shkuara  

(fragment nga “Zoom in”)

Përtej vëzhgimit të tjetrit, këto poezi ndërtojnë një projektim të subjektit mbi boshllëkun që lë mungesa e një tjetri të tretë, aty ku lind kuptimi. “Zhveshtorja” është një hapësirë vetëreflektimi, por edhe konsumimi, një pasqyrë ku njeriu zbulohet si objekt. Ndërsa në “Bukuria është lufta kundër fashizmit”, e bukura konceptohet si emancipim, mosnënshtrim dhe etikë. Kjo e bukur nuk është platonike, por adorniane, ajo sjell dhimbjen në vetëdije si formë qëndrese. E bukura është e konceptuar ardhje në qenie pa ndonjë përpjekje të subjektit për ta njohur atë. Është kantiane. Ajo thjesht del, çelet. Por jo vetëm kaq, bukuria bëhet universaliste dhe totalitare. Bukuria bëhet hegjemone dhe shtyp çdo gjë të shumtuar, private, unilaterale dhe monocentriste, siç mund të jetë fashizmi.

Poezitë e Tinka Kurtit nuk ofrojnë zgjidhje. Ato nuk japin ngushëllim, por ftojnë në ndërgjegjësim. Në këtë kuptim, poezia e saj është akt etik: ajo kujton, pyet, vë në dyshim. Dhe si e tillë, nuk është vetëm letërsi, është filozofi në formë poetike./ KultPlus.com

Netflix lançon eksperiencën e re të kërkimit fuqizuar nga inteligjenca artificiale

Pasi paralajmëroi integrimin e AI, Netflix zyrtarisht zbuloi funksionalitetin në evenimentin e teknologjisë ditën e Mërkure.

Eksperienca e re e kërkimit përdor ChatGPT-në e OpenAI për tu ofruar përdoruesve një kërkim në formën e një bashkëbisedimi.

Përdoruesit mund të vendosin preferencat e tyre duke përdorur shprehi të natyrshme siç “Dua diçka argëtuese,” dhe inteligjenca artificiale do tu paraqesë rezultatet e kërkimit.

Funksionaliteti po lançohet kësaj jave në iOS në fazë beta. Disa abonentë në Australi dhe Zelandën e Re kanë akses në të raportoi Bloomberg. Edhe konkurrentët e tjerë kanë filluar përdorimin e inteligjencës artificiale siç është Amazon.

Një krahasim më i afërt është mjeti i kërkimit i Tubi-t, i fuqizuar nga ChatGPT, i cili u përgjigjej pyetjeve në lidhje me përmbajtjen dhe sugjeronte filma bazuar në kërkesat specifike të përdoruesit./PCWorldAlbanian/KultPlus.com

‘Gruas time Janinës, me të cilën jetuam mes lumturisë e fatkeqësisë’

CZESŁAW MIŁOSZ – DUKE I DHËNË LAMTUMIRËN SIME SHOQEJE, JANINËS
Përktheu Romeo Çollaku

Vajtojcat ia kthenin motrën e tyre zjarrit.
Dhe zjarri, njëlloj si ai që soditnim së toku.
Ajo dhe unë, martuar kaq vite.
Bashkuar me besën për të keq e për të mirë, zjarri
Në oxhakë dimrit, kampeve, qyteteve që digjen,
Themelor, i kulluar, prej zanafillës së planetit Tokë,
Ia zhvishte lumin gri të flokëve,
I rrëmbente gojë e gushë, e gëlltiste, zjarri.
Ai që në gjuhën njerëzore shpreh dashurinë.
S’doja t’ia dija për gjuhë. As për fjalët e lutjes.
E kisha dashur, pa ditur cila qe në të vërtetë.
E kisha bërë të vuante, teksa gjurmoja vegime.
E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik.
Jetuam mes një lumturie e fatkeqësie të paanë,
Mes ndarjesh, arratish që s’kanë të rrëfyer. Dhe tanimë ky hi.
Dhe deti rreh bregun teksa çapitem shëtitores së shkretë.
Dhe deti rreh bregun. Dhe përvoja e gjithësishme.
Si mund të mbrohesh prej hiçit? Cila forcë
Mund ta ruajë atë që ish dikur, nëse kujtesa këputet?
Se pak gjëra më vijnë në mend. Kaq pak gjëra më vijnë në mend.
Vërtet, rijetimi i kujtesës do të ishte Gjyqi i Fundmë,
Që Mëshira jonë ndoshta e shtyn nga dita në ditë.
Zjarr, çlirim prej rëndesës. Molla s’rrëzohet përdhe,
Mali tundet nga vendi. Përtej perdes së zjarrit,
Një qengj që rri në livadhin e trajtave të pabjerrshme.
Shpirtrat në Purgator përzhiten. Herakliti i marrë
Sheh flakën tek përpin themelet e botës.
A besoj në ringjalljen e trupit? Jo prej këtij hiri.
Thërras, përgjërohem: shpërbëhuni, elementë!
Rilindni në tjetrën, që ardhtë, Mbretëri!
Përtej zjarrit tokësor ndërthuruni edhe një herë! / KultPlus.com

’Unë jam ende këtu’


“Unë jam ende këtu” është një poezi prekëse që çdokush duhet ta lexojë. I kushtohet viteve që shkojnë dhe moshimit të një individi. Edhe pse bukuria e jashtme nuk është më e njëjta, autorja shprehet se me kalimin e viteve, njeriu bëhet më i gatshëm për të dashuruar dhe për të falur. Mosha e thyer sipas autores, është e barabartë me një dëshirë akoma më të fortë për t’u kapur pas jetës, edhe pse për të tjerët mund të dukesh si një person që jeton kot në këtë botë. Duke kaluar nga vargu në varg, në poezi mund ta ndjesh dhimbjen e autores për moshimin, por njëkohësisht dhe dëshirën e saj të brendshme për të jetuar akoma më tepër.

“Unë jam ende këtu”

Pamja ime nuk ka asgjë të veçantë,
fytyra açik moshën e tregon,
trupi im është i drobitur,
dhe energjia nuk është njësoj.

Shumë shpesh kujtesa më tradhëton,
dhe i humbas gjërat gjatë gjithë kohës.
Një çast e di se çfarë kam në plan të bëj,
dhe çastin tjetër nga mendja më fshihet.

Përpiqem shumë ta shmang pasqyrën,
ka gjëra që nuk do të doja t’i shihja,
dhe kur më ndodh të hedh shkarazi një vështrim,
nuk arrij ta njoh më veten.

Gjërat që isha mësuar t’i bëja me lehtësi,
tani mund të më shkaktojnë dhimbje dhe lëndim,
dhe cilësia e gjërave që bëj
nuk mund të jetë kurrë e njëjta.

Gjithmonë e krahasoj veten time më të plakur
me kohët e mëparshme kur isha më e re,
ndonëse e di se shumë kohë po shpenzoj,
për atë që isha më parë veten po e mundoj.

Por gjëja që më dëshpëron vërtet,
kur mendoj atë që njerëzit shohin,
nën guaskën time zhelemele, të lodhur,
ndihem ende në moshë e pandryshuar.

Zemra ime ende mund të ndiejë pafund dashuri,
dhe ndonjëherë mund të dhembë ende.
Zemra ime mund të mbushet me aq shumë gëzim,
dhe pastaj papritmas mund të shkërmoqet.

Shpirti im mund të ndiejë ende simpati
dhe mall për faljen dhe paqen.
Dhe ka herë që drita e tij shkëlqen me guxim
dhe herë të tjera kur digjet për çlirim.

Është e vërtetë, ndoshta tani që jam e moshuar,
e kuptueshme është të ndihem e vetmuar,
por kjo vullnetin e mirë ma ka shtuar,
t’i fal e t’i lë të shkojnë konfliktet e kaluara.

Ndoshta për disa mund të dukem e shëmtuar dhe e vjetër,
një person që kot jeton në këtë botë,
por unë jam ende krejt e vetëdijshme për bukurinë e brendshme,
dhe vlera ime nuk mund të anashkalohet.

Pra, edhe pse jo aq e fortë, e bukur jo e jo, është e vërtetë,
unë jam ende këtu dhe dua aq shumë të jetoj.
Ngaqë e di se nuk ka njeri në këtë botë njësoj si unë,
dhe askush që ka më shumë për të dhënë. /bota.al/ KultPlus.com

Kanionet e Moglicës, një bukuri e rrallë në zemër të Maliqit

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të mrekullueshme nga Kanionet e Moglicës.

Kreu i qeverisë theksoi se këto kanione janë një bukuri e rrallë në zemër të Maliqit.

Në juglindje të Shqipërisë, në rrethin e Maliqit, gjendet një nga mrekullitë natyrore më të veçanta të këtij rajoni: Kanionet e Moglicës. Ky vend unik është një thesar i fshehur me pasuri natyrore dhe ekologjike të zonës së Maliqit dhe përbën një destinacion të preferuar për adhuruesit e natyrës.

Kanionet e Moglicës janë formuar nga rrjedha e lumit Moglicë, një degë e vogël, por e fuqishme që kalon nëpër male dhe shkëmbinj gëlqerorë, duke krijuar në këtë mënyrë formacione shkëmbore të thella dhe të vështira për t’u kaluar.

Kanioni ka gjatësi prej disa kilometrash dhe karakterizohet nga faqe shkëmbore të larta, shpeshherë vertikale, të cilat ofrojnë pamje spektakolare dhe përvoja unike për eksploruesit.

Zona e Kanioneve të Moglicës është e pasur me biodiversitet, duke strehuar shumë specie endemike të florës dhe faunës.

Nga ana gjeografike, Kanionet e Moglicës ndodhen në pjesën perëndimore të maleve të Moravës dhe janë pjesë e masivit malor të Maliqit. Ato lidhin zonën e fshatit Moglicë me fshatrat përreth, duke ofruar rrugë natyrore për kalimtarët dhe vizitorët.

Zona është e aksesueshme përmes rrugëve rurale që lidhin Maliqin me zonat malore, megjithëse terreni është shpesh i vështirë dhe kërkon kujdes gjatë eksplorimit.

Kanionet e Moglicës përfaqësojnë një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e turizmit natyror dhe aventurës në Shqipëri. Ato janë ideale për ecje në natyrë, eksplorim të formacioneve shkëmbore dhe fotografi natyrore. Për më tepër, klima dhe peizazhi i freskët malor e bëjnë këtë zonë një vend të preferuar për pushime të qeta larg zhurmës së qytetit.

Kanionet e Moglicës janë një perlë natyrore e Maliqit që pret të zbulohet dhe të ruhet për brezat e ardhshëm. Ato ofrojnë një kombinim të rrallë të bukurisë, biodiversitetit dhe sfidave për adhuruesit e natyrës, duke u bërë një nga destinacionet më të vlefshme natyrore në juglindje të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

114 vjet nga lindja e nobelistit Czesław Miłosz

Më 30 qershor 1911 lindi një prej figurave më të mëdha të letërsisë së shekullit XX – Czesław Miłosz, poet, eseist, përkthyes dhe mendimtar i thellë polak, laureat i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1980, transmeton KultPlus.

I lindur në Lituaninë e sotme, në një familje polake me rrënjë të forta kulturore, Miłosz u bë zëri i ndërgjegjes së Evropës Lindore, një dëshmitar i kohërave të errëta dhe një mbrojtës i dinjitetit njerëzor përballë totalitarizmave.

Miłosz u rrit në një mjedis të ndërlikuar historikisht dhe kulturorisht – ku përziheshin ndikimet polake, lituane, ruse dhe hebraike. Studimet i kreu në Universitetin e Vilniusit dhe më pas u përfshi në jetën letrare e politike të Polonisë ndërmjet dy luftërave botërore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ai shërbeu si diplomat i Polonisë komuniste në Paris, por në vitin 1951 kërkoi azil politik, duke denoncuar censurën dhe shtypjen në atdhe. Ky veprim guximtar e përjashtoi nga letërsia zyrtare për dekada, por e vendosi në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si një zë kritik ndaj regjimeve totalitare.

Vepra më e njohur eseistike e Miłosz-it, “Mendja e robëruar”, u botua në vitin 1953 dhe mbetet një analizë brilante e mënyrës sesi intelektualët dorëzohen ndaj ideologjive shtypëse. Ky libër, që u bë referencë për të kuptuar nënshtrimin e elitave në sistemet totalitare, është një shembull i rrallë i mendimit të lirë dhe i guximit intelektual.

Poeti Miłosz ishte një kronikan i shpirtit njerëzor, i përjetimeve personale dhe tragjedive kolektive. Poezia e tij, shpesh e përshkuar nga filozofia, etika dhe kujtesa historike, reflekton mbi luftën, humbjen, besimin dhe pavdekësinë. Ai kërkonte kuptim në një botë të trazuar, pa u dorëzuar kurrë para cinizmit.

Në vitin 1980, Komiteti i Nobelit e vlerësoi Miłosz-in me motivacionin:
“sepse me kthjelltësi të pamëshirshme flet për të kaluarën, ndërsa me ndjeshmëri të thellë kërkon vlerat që i japin kuptim jetës.”

Kjo ishte jo vetëm një njohje për krijimtarinë e tij të pasur, por edhe një akt i rëndësishëm simbolik për shkrimtarët që kishin ngritur zërin kundër shtypjes dhe mohimit të së vërtetës.

Miłosz jetoi për shumë vite në SHBA, ku ligjëroi në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley. Pas rënies së komunizmit, u rikthye në Poloni dhe u prit me nderime si një hero i fjalës së lirë. Ai vazhdoi të shkruante deri në fund të jetës, duke lënë pas një trashëgimi letrare dhe morale që i flet botës edhe sot.

Ai vdiq më 14 gusht 2004./KultPlus.com

Sekretet e vogla të shkrimtarëve të mëdhenj


Franc Kafka (1883-1924)

Autorit të Metamorfozës i pëlqente të praktikonte nudizmin, edhe pse kjo ndodhte në raste të rralla. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banje”.

Agatha Christie (1890-1976)

Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një çrregullim për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ia diktonte dikujt tjetër romanet e saj.

Oskar Uaild (1854-1900)

Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me zbukurimin e dhomës së tij me lule.

Xhorxh Bajroni (1788-1824)

Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillimshekullit të 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e vajzës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.

Xhejms Xhojs (1882-1941

Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të madhe ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.

Xhek London (1876-1916)

Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.

Leon Tolstoi (1828-1910)

Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.

Edgar Allan Poe (1809-1849)

Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.

J.R.R Tolkien (1892-1973)

Autori i “Zotit të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.

Uilliam Shekspir (1564-1616)

Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore.

EEA: Mbi 110 milionë evropianë të ekspozuar ndaj ndotjes akustike

Më shumë se 110 milionë njerëz në të gjithë Evropën janë të ekspozuar ndaj ndotjes së dëmshme akustike, duke çuar në rreth 66 mijë vdekje të parakohshme çdo vit, tha një raport i ri nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).

Sipas raportit, zhurma e transportit është një nga rreziqet kryesore për shëndetin mjedisor në Evropë, pas ndotjes së ajrit dhe problemeve që lidhen me temperaturën.

Ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës së transportit është i lidhur me 66 mijë vdekje të parakohshme çdo vit në Evropë si dhe me rreth 50 mijë raste të reja të sëmundjeve të zemrës dhe 22 mijë raste të diabetit të tipit 2.

Gati 16,9 milionë evropianë vuajnë nga bezdisja afatgjatë nga zhurma e transportit ndërsa rreth 4,6 milionë përballen me çrregullime të rënda të gjumit.

Studimi gjithashtu e lidhi ndotjen akustike me mijëra raste depresioni dhe demence.

Rreth 15 milionë fëmijë jetojnë në zona me nivele të larta zhurme, për të cilat raporti tha se paraqesin rreziqe më të mëdha shëndetësore sesa tymi i dorës së dytë.

Raporti thotë se ndotja akustike e transportit shkakton të paktën 95,6 miliardë euro humbje ekonomike vjetore në të gjithë Evropën, që arrijnë në 0,6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shkak të ndikimeve ekonomike që lidhen me shëndetin.

Hulumtuesit paralajmëruan se Bashkimi Evropian nuk ka gjasa të përmbushë objektivin e tij për të zvogëluar numrin e njerëzve të prekur kronikisht nga zhurma e transportit me 30 për qind deri në vitin 2030, nëse nuk merren masa të mëtejshme.

Studimi thekson se masat në nivel burimi të mbështetura nga rregulloret janë çelësi për zbatim të qëndrueshëm dhe efektiv ndërsa përmend hapa të tillë si ulja e kufijve të shpejtësisë urbane, promovimi i transportit publik dhe inkurajimi i ecjes dhe çiklizmit për të ulur zhurmën e trafikut rrugor./KultPlus.com

Familja Haxhiu i dhuron Bashkisë së Korçës monografinë e piktorit të njohur Fatmir Haxhiu

Një akt i çmuar kulturor është realizuar në qytetin e Korçës, ku familja Haxhiu i ka dhuruar Bashkisë së Korçës monografinë e artistit të shquar shqiptar, Fatmir Haxhiu. Kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, e ka cilësuar këtë dhuratë si një vlerë të shtuar për trashëgiminë kulturore dhe artistike të qytetit.

“Një dhuratë me vlerë për qytetin! Faleminderit familjes Haxhiu për këtë kontribut të vyer për kulturën e qytetit tonë”, shkruan Filo në një postim në rrjetet sociale.

Botimi i monografisë së artistit do t’i shtohet fondit të Galerisë së Arteve si dhe Bibliotekës “Thimi Mitko”, duke pasuruar më tej ofertën kulturore të qytetit dhe duke e bërë më të aksesueshme për publikun figurën dhe veprën e artistit.

Fatmir Haxhiu lindi në Gjirokastër, më 28 dhjetor 1927 dhe u nda nga jeta në Tiranë, më 10 mars 2001.

U njoh herët me emrat më në zë të artit shqiptar si Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmin, Odise Paskali e Foto Stamo. Tema e luftës dhe qëndresa heroike e popullit shqiptar në shekuj do të bëheshin motivi kryesor i tërë krijmtarisë së artistit.

Fatmir Haxhiu, ishte një nga figurat më përfaqësuese të artit shqiptar të shekullit XX. I shpallur “Piktor i Merituar” dhe më vonë “Mjeshtër i Madh i Punës”, Haxhiu është i njohur për kontributin e tij në pikturën realiste, duke sjellë në tablo jetën e përditshme, punën, natyrën dhe simbolikën kombëtare. Ai ka qenë pjesë e brezit të parë të piktorëve profesionistë pas Luftës së Dytë Botërore, me një krijimtari të gjerë dhe vepra të ekspozuara në galeritë më të rëndësishme të vendit.

Monografia e tij përbën një dokumentim të pasur të jetës dhe veprës së tij, duke përmbledhur analiza kritike, materiale arkivore dhe riprodhime të veprave më të njohura.

Ky gjest vjen si dëshmi e ruajtjes së kujtesës kulturore dhe e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe trashëgimtarëve të artistëve të mëdhenj shqiptarë./atsh/KultPlus.com

Lekbibaj në listën e aplikimit për “Fshatrat më të mirë turistikë në botë”

Lekbibaj në Tropojë është fshati i tretë që i bashkohet aplikimit të Shqipërisë në programin ‘Fshatrat më të mirë turistikë’ nga Organizata Botërore e Turizmit”, pas atij të Zogajt në Shkodër dhe Nepravishtës në Gjirokastër.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikuan pamje nga Lekbibaj, duke theksuar se është një fshat që përcjell rrënjët e traditave dhe mikpritjen.

“Lekbibaj, zemra e Nikaj-Mërturit sjell jehonën e Alpeve, përcjell forcën e qëndresës dhe rrënjët e traditave e mikpritjes së bjeshkëve në hartën globale të turizmit të qëndrueshëm si një nga 6 fshatrat që përfaqësojnë Shqipërinë në nismën globale “Fshatrat më të Mirë Turistikë në Botë” nga Organizata Botërore e Turizmit, u shpreh Kumbaro.

Ky aplikim është një pasqyrë e gjithë zonës së Nikaj-Mërturit, me pamje dhe frymëzim nga fshatrat e mrekullueshëm përreth.

Lekbibaj është kthyer vitet e fundit në destinacion të preferuar për këdo që adhuron  natyrën dhe Alpet e Shqipërisë.

Afërsia me Komanin dhe Fierzën e bëjnë edhe më të veçantë. Ai shtrihet përballë liqenit të Komanit, ndërsa në të majtë të fshatit gjarpëron lumi i Currajve, i cili në fund të fshatit derdhet në liqenin e Komanit.

Shqipëria ka aplikuar për programin ndërkombëtar “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, një nismë që vlerëson fshatrat që kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.

Gjashtë fshatrat përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale: nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtë tek ngjyrat e jetës së përditshme.

Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra, që garojnë për titullin “Fshatrat më të mirë turistikë”./ KultPlus.com

Durrësi antik ofron pasuri edhe për të apasionuarit e arkeologjisë nënujore

Durrësi ka pasuri nënujore, e cila përbën një vlerë të shtuar për qytetin e cila mund të inkurajojë akoma më shumë zhvillimin e turizmit arkeologjik.

Durrësi, që në antikitet ka qenë port i rëndësishëm i Adriatikut, si dhe një kantier i madh i ndërtimit të anijeve. Arkeologjia e tokës, në këtë qytet të lashtë, ndërthuret me arkeologjinë e nënujit, ku çdo amforë rrëfen e çdo valë mbart një kujtim të lashtë.

Në këtë mënyrë, bukuritë e Durrësit shtrihen jo vetëm në tokë, në Parkun Arkeologjik, por edhe nën ujë, ku fshihen artefakte të ndryshme që mund të shihen nga zhytësit.

Nga Dyrrahu antik janë gjetur ndër vite fragmente amforash, mbetje anijesh të mbytura, objekte tregtare dhe urbane. Ekspedita shqiptare të organizuara janë zhvilluar që në vitet 1970-1980.

Hidroarkeologjia është një disiplinë relativisht e re shkencore që lindi në fillim të shekullit XX, megjithëse interesi për objektet e mbytura në det ka ekzistuar që në kohët antike. Arkeologjia e nënujit për shumë zhytës të detit Mesdhe e të brigjeve të tij është më tepër se një pasion. Copat e statujave, kapitelet apo enët e ndryshme rrëfejnë për jetën e zhvilluar në këto brigje mijëra vjet më parë. /KultPlus.com