Astronomët kanë publikuar një hartë gjigante të “Rrugës së Qumështit” me zbulimet që kanë ndryshuar “përgjithmonë” njohuritë e tyre lidhur me këtë galaktikë.
Harta me rreze infra të kuqe përmban më tepër se 1.5 miliardë objekte, ndër to edhe yje të sapolindur, dhe si e tillë është harta më e detajuar e krijuar ndonjëherë.
Duke përdorur teleskopin me rreze infra të kuqe (Vista) të Observatorit Evropian Jugor (ESO), shkencëtarët vëzhguan për më shumë se 13 vjet rajonet qendrore të “Rrugës së Qumështit”.
Dante Minniti, astrofizikan në Universitetin “Andres Bello” në Kili, i cili udhëhoqi projektin, tha: “Ne bëmë kaq shumë zbulime, kemi ndryshuar pamjen e galaktikës sonë përgjithmonë.”
Të dhënat e hartës mbulojnë një zonë të qiellit të barabartë me 8600 hëna të plota dhe përmbajnë rreth 10 herë më shumë objekte sesa një hartë e mëparshme e hartuar nga i njëjti ekip në vitin 2012.
Harta e madhe me rreze të kuqe infra përmban rreth 500 terabit të dhëna dhe si e tillë është projekti më i madh i kryer nga teleskopi i Observatorit ESO.
Rrezet infra të kuqe janë të padukshme për syrin e njeriut, por emetohen nga të gjitha objektet në bazë të temperaturës së tyre. Teleskopi mund të zbulojë dhe përkthejë këtë energji në një imazh pamor. Harta përbëhet nga 200,000 imazhe të marra nga teleskopi “Vista”, që ndodhet në Observatorin e ESO-s në Kili.
Kamera me rreze të kuqe infra e teleskopit “Vista” mund të depërtojë përmes pluhurit dhe gazit që janë të përhapura nëpër galaktikën tonë dhe është në gjendje të dallojë edhe rrezatimin nga vendet më të largëta të Rrugës së Qumështit.
Dr Oscar Gonzalez, shkencëtar i lartë i projektit në Qendrën e Teknologjisë së Astronomisë në Mbretërinë e Bashkuar (UK ATC) dhe bashkautor në punimin e ri të Astronomisë dhe Astrofizikës, u shpreh se përfundimi i hartës më të madhe të Rrugës së Qumështit është një arritje e jashtëzakonshme për komunitetit e astronomëve.
‘Të dhënat sigurojnë njohuri të paprecedentë mbi strukturën dhe përbërjen e Rrugës së Qumështit dhe do të vazhdojnë të hapin rrugë të reja për kërkimet e ardhshme, që do të përmirësojnë të kuptuarit tonë për universin për vitet në vijim,” tha ai. / KultPlus.com
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit gusht ishte 2.167.665. Sipas raportit të publikuar sot nga INSTAT-i, ky numër është rritur me 7.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Në total, gjatë muajit gusht 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin shqiptar, 3.106.126 shtetas shqiptar dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 9.1%, krahasuar me gushtin e 2023-shit.
Referuar INSTAT-it, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 77% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 9%.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99% të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj.
Ky tregues ka shënuar një rritje me 10.4%, krahasuar me gushtin e 2023-shit. Rritje të ndjeshme në muajin gusht kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 49.4%. / KultPlus.com
Në Javën Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, DRTK Shkodër zhvilloi një aktivitet së bashku me fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, Kukës. Fëmijët patën një përvojë të mrekullueshme duke eksperimentuar me motive të qilimave tradicionalë në sixhade dhe tezgjah.
Atelieja “Ora”, në Kukës mikpriti grupin e fëmijëve të cilët i inkurajoi për zhvillimin e aftësive të tyre kreative. Duke parë disa modele të sixhadeve shumëngjyrëshe si frymëzim, fëmijët i rikrijuan ato duke qenë të lirë me imagjinatën e tyre, ndërsa i vizatonin në letër.
Duke u udhëqur nga profesionistë të artitizanatit, fëmijët patën mundësi të praktikojnë teknika të punimeve të tyre nga letra në tezgjah.
Ky aktivitet thekson rëndësinë e ruajtjes së artizanatit dhe zhvillimin e Trashëgimisë Kulturore. Gjithashtu ndihmon në kuptimin e lidhjeve historike dhe rrugën që artizanët kanë ndjekur për të mbajtur gjallë traditat dhe teknikat e pasura të krijimit duke i pasqyruar ato në kontekstin e Trashëgimisë Kulturore./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në New York pati ka apsur një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan.
Bashkë diskutuan për mundësitë që do të rrisnin shkëmbimet dhe ndërveprimet tregtare, ekonomike, kulturore dhe të përvojave ndërmjet dy vendeve, ka njoftuar Zyra e kryeministrit përmes një komunikate.
“Në veçanti biseduan rreth Nismës së Kombit të Mençur (Smart Nation Initiative) të Singaporit, që synon transformimin e vendit përmes integrimit të teknologjisë digjitale në sektorë të ndryshëm dhe themelimit të Fondit Sovran në Kosovë që do të forcojë ndërmarrjet publike të vendit duke i shndërruar ato në korporata të fuqishme që i kontribuojnë ekonomisë, dhe për mënyrat se si mund të përfitojmë nga shkëmbimi i përvojave në jetësimin e këtyre dy projekteve të mëdha”.
“Kryeministri falënderoi Republikën e Singaporit për mbështetjen e dhënë që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 2016, dhe theksoi rolin e rëndësishëm që Singapori mund të luaj për Kosovën në zgjerimin e bashkëpunimit dhe raporteve me vendet e Azisë juglindore”, thuhet në njoftimin e ZKM-së. / KultPlus.com
Bertolt (Eugen Berthold Friedrich) Brecht-i është ndër më të njohurit dramaturgë dhe poetë gjermanë të shekullit XX. Ai lindi në Augsburg, qytet në juglindje të Bavarisë.
Nga fundi i Luftës së Parë Botërore regjistrohet në Universitetin e Munihut për Mjekësi dhe Shkenca Natyrore, por duke qenë më shumë i interesuar në çështjet letrare, ai nuk e merr seriozisht studimin e këtyre disiplinave. Poezitë e para nis t’i publikojë në gazetën vendase të Augsburgut kur ishte shumë i ri. Më pas do të angazhohet me shkrime (kritike) mbi teatrin. Siç e rrëfen vetë, ai kishte shkruar katër drama dhe një opera kur nisi të lexojë për herë të parë analiza politike dhe shkrime të Marksit.
Njohja me teorinë marksiste do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm te Brecht-i, çka do të reflektohet në të gjithë krijimtarinë poetike, letrare dhe intelektuale: në fakt prej këtu e gjithë vepra e Brecht-it mund te themi se do të jetë e drejtuar vetëm në shërbim të përparimit dhe emancipimit politik të klasës punëtore. Walter Benjamin-i thotë se ai ishte i pari që u drejtoi intelektualëve kërkesën për të mos e furnizuar aparatin e prodhimit pa e ndryshuar atë në drejtim të socializmit.[1] Intelektualët e interesuar në çlirimin e punëtorisë, ose inteligjenca progresive/revolucionare siç e quan Brecht-i, nuk duhet t’i shërbejnë aparatit prodhues të kohës, por duhet që brenda mundësive ta ndryshojnë në interes të klasës punëtore.
Edhe pse nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, Brecht-i gjithsesi dakordësohej me të gjitha qëllimet revolucionare të saj. I vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, një natë përpara ardhjes në pushtet të nazistëve, Brecht-i largohet nga Gjermania, një arrati që do të përfundojë vetëm me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Pasi marrin pushtetin, nazistët urdhërojnë djegien e të gjitha veprave të tij. Atij i hiqet edhe shtetësia gjermane me akuzën për “tradhti të lartë”. Gjatë kësaj kohe, ai shkruan pjesët më të rëndësishme mbi teatrin, si dhe poezi e novela. Pas mbarimit të luftës kthehet dhe vendoset në Berlinin Lindor ku angazhohet ne veçanti me teatrin epik. / KultPlus.com
Njerëzore, intensive, reale, melankolike. Ishte 7 mars 1908, dhe një nga aktoret më të mëdha të kinemasë italiane lindi në Romë: Anna Magnani.
Jeta e saj u bë menjëherë e vështirë: nëna e saj, një rrobaqepëse nga Ravenna, e braktisi atë që fëmijë, ndërkohë që ajo kurrë nuk e njohu babanë e saj biologjik.
Anna u rrit me gjyshen e saj, duke studiuar Artin Dramatik dhe gjithmonë duke sjellë me vete dhimbjen që e kishte shoqëruar nga një moshë shumë e hershme.
Një përvojë jetësore që e çoi shumë larg: në vitin 1926 ajo debutoi në skenë dhe u bë e famshme në vitin 1945.
Nga ai moment karriera e saj njohu vetëm rritje: së bashku me Aldo Fabrizi dhe Alberto Sordi, ajo u bë një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë romake të shekullit të njëzetë.
Ne të gjithë e kujtojmë Magnanin (ajo vdiq në Romën e saj më 26 shtator 1973) për talentin e saj të madh, por edhe për intensitetin dhe thellësinë që e bënte jo vetëm të ndryshme, por unike.
Siç kuptohet nga frazat e saj më të famshme:
“Mos më hiqni asnjë rudhë. I kam paguar shtrenjtë të gjitha.”
“Nuk e di nëse jam aktore, aktore e madhe apo një artiste e madhe. Unë nuk e di nëse jam e aftë të veproj. Unë kam kaq shumë figura brenda meje, kaq shumë gra, dy mijë gra. Unë vetëm duhet t’i takoj. Ato duhet të jenë të vërteta, kjo është e gjitha “.
“Pasionet e mëdha nuk ekzistojnë: ato janë fantazitë e gënjeshtarëve. Ka vetëm disa dashuri të vogla që mund të zgjasin pak ose një kohë të gjatë”.
“Fakti është se gratë si unë lidhen me njerëzit me një personalitet superior ndaj tyre: dhe unë kurrë nuk kam gjetur një njeri me një personalitet të aftë për të minimizuar timin. Gjithmonë kam gjetur burra, si t’i definoj ato? Përkëdhelës. Zot: edhe ne qajmë për këta Përkëdhelësit, por mos harro, ata janë që s’vlejnë as gjysëm lire”.
“Dashuria? Hiqni gjithçka prej meje, por dashurinë jo, mos e largoni prej meje: dashuria është shiu dhe era, është dielli dhe ylli. E pranoj, kam një karakter të tepruar dhe të pamatshëm. Unë nuk e di se si të frenoj, sa herë që dashuroj ajo më mbërthen deri në majë të flokëve. S’e merrni me mend, çfarë dhimbje të dilja e gjallë prej, çfarë tragjedie ishte t’i shpëtoje! Dhe një mëngjes zgjoheni në shtrat dhe nuk keni më pikë gjaku. Por pastaj fillon përsëri dhe është e mrekullueshme.” / KultPlus.com
Duke pasur zakonin t’u vardisesh femrave, është e vështirë ta kuptosh, kur ajo kohë ka kaluar e gratë të shikojnë si një baba apo ndoshta edhe si gjysh. Është e vështirë mbi të gjitha, sepse çdo burrë i pjekur ka brenda kokës së tij një kokë tjetër: koka e jashtme ka rrudha, flokë gri, dhëmbë të brejtur, sy të mavijosur; përkundrazi, koka e brendshme i ka mbetur si atëherë kur ishte i ri, me flokë të zinj e të dendur, me fytyrë të sheshtë e sy të gjallë. Dhe është koka e brendshme që shikon me dëshirë gratë, duke menduar se është i shikuar prej tyre. Përkundrazi, gratë shohin kokën e jashtme dhe thonë: “Po ç’do, vallë ky karafil? S’e kupton që mund ta kisha gjysh?
Ta lëmë me kaq! Atë vit, salloni ku jam berber që prej gati tridhjetë vjetëve, u zmadhua: qenë ndërruar pasqyrat dhe lavamanët, qenë lyer muret e raftet dhe, së fundi, pronari mendoi mirë të merrte edhe një manikyriste që quhej Jola. Përveç pronarit, në sallon ishim tre vetë: një djalosh rreth të njëzet e pesave, Amato, i zeshkët e serioz, që kishte qenë polic; Xhuzepja, pesë vjet më i madh se unë, i shkurtër, trupngjeshur e i shogët dhe unë. Siç ndodh gjithmonë, kur në një ambjent vetëm burrash hyn një grua, vura re shumë shpejt se që të tre e shikonim me ngulm Jolën. Pastaj, ajo ishte tamam siç thuhet, një tip i zakonshëm, prej kartoline të ilustruar: e kolme, e ndezur, me një fytyrë që binte në sy dhe flokë të zinj; si ajo ka miliona. Duhet theksuar në këtë pikë që unë, pa u mburrur, mund t’i them vetes burrë i pashëm. Jam i hajthëm, i gjatë aq sa duhet, me një fytyrë të zbehtë e nevrike; dhe gratë thonë se kam një shprehje interesante. Vërtet, sidomos kur shikoj tërthorazi, sytë e mi godasin ëmbël, plot ndjenjë, gati- gati skeptikë. Por gjënë më të mirë kam flokët: gështenjë të çelët, të hollë, të pastër, të dallgëzuar, të prerë alla Naxaret, pra të ngritur si një flakadan, me basetat e gjata që zbresin deri në gjysmë të faqes. Veç kësaj, jam elegant: jashtë sallonit, gjithmonë i veshur me korrektësi, me kravatë, çorapet e shamitë e ujdisura; në sallon me një këmishë gati më shumë prej kirurgu se sa prej parukieri, shumë të bardhë. Me këtë cilësi, nuk është për t’u çuditur që unë jam fatlum me gratë. Dhe, meqë ky fat nuk më ka zhgënjyer kurrë, kam marrë zakonin që, po më pëlqyen, t’i vështroj në njëfarë mënyre të ngulët e magjepsëse që vlen qindra komplimente. Kështu, kur, pasi t’i kem vështruar mirë e mirë, u afrohem, vë re që fruti tashmë është pjekur: nuk më mbetet veç të shtrij dorën e ta këput.
Ai që më frikësonte më shumë në sallon, përsa i përket Jolës, ishte Amato. Nuk ishte i bukur, nuk ishte interesant, por ishte i ri. Xhuzepen nuk e vija fare në hesap: më i vjetër se unë, siç e kam thënë tashmë, dhe tamam i shëmtuar, pa derman. Jola rrinte përherë e ulur në tryezën e saj të manikyrës, në një qoshe, e shushatur nga mërzia dhe palëvizshmëria, e përhumbur në leximin dhe rileximin e dy a tri gazetave të sallonit apo në rregullimin e thonjve, në pritje për t’ua ndrequr klientëve. Pothuajse kundër dëshirës sime, instinktivisht, zura ta gjuaja me vështrime. Vinte një klient dhe ulej në poltronë: unë merrja peshqirët, e shtrija me një goditje të vetme, në mënyrë elegante dhe , ndërkaq, gjeja mënyrën t’i lëshoja një vështrim të gjatë. Ose laja flokët, duke fërkuar me të dy duart kokën e sapunosur dhe, sërish një shikim tjetër. Ose akoma, ushtrohesha në majën e gërshërëve mbi një ngjyrim: në çdo katër goditje gërshëre, një vështrim. Nëse pastaj lëvizte përtacisht për të marrë një hekur në raft, e ndiqja me sy në pasqyrë. Duhet thënë që Jola nuk ishte aspak e zgjuar apo lozonjare: madje kishte një shprehje të fjetur, shtinjake, e ngathët, si një dac i fryrë nga gjumi. Por me sot e me nesër, para se ta kuptonte se e shikoja; pastaj pranoi të ishte e shikuar; më në fund filloi edhe ajo të m’i shkëmbente shikimet. Pa ligësi, sepse nuk e kishte, në një mënyrë të ngathët e të rëndë, por të padyshimtë.
Mendova atëherë, siç i thonë fjalës, se dardha ishte pjekur; dhe një të shtunë e ftova të shkonim në banjat e Ostias, të dielën pasdite. Pranoi menjëherë, por duke vërejtur se nuk duhej ta kritikoja për kostumin e banjos: ishte shëndoshur dhe, i vetmi që kishte, i rrinte i ngushtë. Madje, pa ndonjë hije nazeje tha: “Jam dhjamosur pak, për shkak të qëndrimit ulur në sallon, pa bërë lëvizje”. Fjalët e një vajze pa djallëzi; edhe për këtë më pëlqente. E lamë të takoheshim të nesërmen në stacionin e San Paolos. Para se të shkoja, bëra një tualet të kujdesshëm. U rrova dhe pudrosa faqet. U kreha me një krehër të dendur për të hequr çdo dyshim zbokthi. Spërkata pakëz kokën dhe shaminë me një parfum manushaqeje. Këmishën e kisha alla robespier me grykë të hapur, xhaketën sahariane dhe pantallonat të bardha. Jola qe shumë e saktë: në dy, mes turmës së ekskursionistëve, e pashë të vinte drejt meje, e veshur krejt në të bardha, pak e shëndoshë dhe e shkurtër, por e re dhe e lakmueshme. Duke më përshëndetur, tha: “Çfarë turme…do të na takojë ta bëjmë udhëtimin në këmbë”. Si kavalier që jam, i thashë se do t’i gjeja një vend: të ma linte mua. Ndërkaq treni hyn nën strehë, turma mbi platformë ka një lëvizje paniku sikur është sulmuar nga një repart kavalerie, të gjithë bërtasin e thërrasin njëri- tjetrin, unë sulem, i ngjitem një sporteli, ngrihem mbi turmë, jam duke u ngjitur. Një djalosh zeshkan më jep një të shtyrë dhe bën të më kalojë përpara. Ia kthej të shtyrën, më tërheq për mënge, i jap një bërryl në stomak, çlirohem dhe sulem në vagon. Por kam humbur kohë me këtë harbut dhe vagoni është plot tashmë, përveç një vendi. Vrapoj drejt vendit, vrapon edhe ai; thuajse në të njëjtin çast, e kapim; për ta zënë, unë kostumin e banjos, ai xhaketën. Atëherë përballemi. I them: “Kam ardhur unë i pari”.”Kush e tha?” “E them unë,” i përgjigjem dhe i hedh xhaketën në fytyrë. Në këtë çast mbërrin Jola dhe ulet pa mëdyshje, duke thënë: “Faleminderit Luixhi”. Djaloshi mbledh xhaketën, heziton, pastaj e kupton që nuk mund ta përzërë Jolën dhe largohet duke shqiptuar me zë të lartë: “Plak budalla”.
Treni u nis thuajse menjëherë dhe mua më goditi një rrymë ajri duke qëndruar në këmbë pranë Jolës. Por tashmë kisha humbur çdo entusiazëm dhe do të doja të zbrisja e të ikja. Ato dy fjalë “plak budalla” më kishin befasuar pikërisht në çastin që nuk e prisja. Mendoja se djaloshi kishte thënë “plak budalla” me dy ndijesi të ndryshme. Fyerja qëndronte tek “budalla”; e deri këtu asgjë e keqe: kish dashur të më ofendonte, të më quante të marrë. Por “plak” nuk e kishte thënë për të më sharë. “Plak” e kishte thënë si një të vërtetë. Siç do të kishte thënë, ta zëmë, nëse në vend të të pesëdhjetave të isha gjashtëmbëdhjetë: “Kalama i marrë”. Me një fjalë, për të, si për të gjithë, përfshirë edhe Jolën, isha një plak; dhe pak rëndësi kishte se atij i dukesha budalla dhe Jolës, përkundrazi, inteligjent. Ndoshta s’do të kishte qenë aspak e nevojshme që Jola të zinte vend. Tekefundit, djaloshi do të më lëshonte pe njëlloj, për respekt moshe. Këtë e vërtetova prej njërit që po rrinte përballë Jolës, i cili kishte parë skenën dhe tha: “Djalë i keq… së paku duhej të lëshonte pe për hir të moshës”.
Ndihesha krejtësisht i ngrirë dhe i përhumbur. Dhe tasheparë çoja dorën në fytyrë gati duke kërkuar, në mungesë të një pasqyre, të kuptoja me gishta sa plak isha. Jola, natyrisht nuk e vriste mendjen fare. Në gjysmë të rrugës më tha: “Më vjen keq që mbete në këmbë”. S’munda të bëja tjetër, veç t’i përgjigjesha: “Jam plak, po, por jo aq sa të mos mund të rri një gjysmë ore në këmbë”. Gati duke shpresuar se ajo do të më përgjigjej: “Luixhi… ju i vjetër… ç’thua?” Përkundrazi, ajo torollake nuk tha asgjë; dhe kështu u binda që kisha të drejtë.
Në Ostia u zhvesh ajo e para, duke dalë, pastaj nga kabina në kostumin që po i pëlciste në trup, e bardhë, e freskët e ngjeshur dhe e re për të të tërbuar. Hyra edhe unë në kabinë dhe, gjëja e parë, shkova të vështrohesha në pasqyrën e thyer që varej në mur. Isha tamam plak: si nuk e kisha vënë re këtë gjë? Pashë me një shikim sytë e veshur e të humbur mes rrudhash, flokët plot fije të bardha, lëkurën e faqeve të fishkur dhe dhëmbët e verdhë. Këmisha alla robespiere, aq rinore, më bëri të turpërohesha: zbulonte gjithë qafën me tërë ato rrudha të flegëruara në fyt. U zhvesha e, ndërsa po përkulesha të vishja mbathjet, barku më kërceu mbi stomak e pastaj ra sërish poshtë si një thes i fryrë. “Plak i marrë”, përsërita me zemërim. Mendoja se këto ishin të papriturat e jetës: para një ore besoja se isha i ri, se mund të bëja namin me Jolën; tani, falë atyre dy fjalëve, e shihja veten të plakur, që mund të bëja vetëm babain e saj. Dhe më vinte turp prej gjithë atyre shikimeve që kishte pasur prej meje në sallon e, pastaj, që e kisha ftuar: kushedi ç’mendonte për mua, kushedi si më shihte.
E mësova më vonë se çfarë mendonte. Ndërsa, të kapur pas litarit të shpëtimit, po e linim veten të mbuloheshim nga dallgët, sepse deti ishte i trazuar dhe në çdo dallgë që na mbulonte unë mbetesha pa frymë dhe mendoja: “Mbetem pa frymë, sepse jam i vjetër”, ajo krejt e lumtur më thirri: “A e di, Luixhi, se nuk të mendoja kaq sportiv”. “Pse?” e pyeta. “Si më mendoje?” “Bah!” u përgjigj ajo, “një njeriu në moshën tuaj nuk i pëlqen më deti… këtu vijnë të rinjtë”. Në këtë çast një dallgë e lartë plot shkumë u thye sipër nesh dhe unë rashë mbi Jolën e, për t’u mbajtur, e kapa për njërin krah: i fortë, i rrumbullakët, mish vërtet i ri, që hidhej. I bërtita me gojën plot ujë të kripur: “Mund të isha yt atë”. Dhe ajo duke qeshur mes shkumës që i zjente përreth: “Baba, jo…të themi: xhaxha”. Pra dolëm prej ujit, mirëpo nga turpi dhe sikleti nuk kisha më as forcë të flisja. Më dukej se në gojë kisha një kurthë me sustë të shkrehur, që, për ta hapur, donte një lloz. Jola ecte para meje duke tërhequr mbi kofshë e mbi gjoks kostumin, i cili, i lagur, ishte bërë krejt i pahijshëm. Pastaj u hodh në rërë dhe mishi i saj ishte kaq i tendosur, sa rëra nuk i ngjitej dhe binte poshtë në copa të qullura. Qëndrova pranë saj, memec, i mpirë, i pazoti të lëvizja a të flisja. Ndoshta Jola, megjithëse ishte më e pandjeshme se një rinoceront, e kuptoi gjendjen time të dobët, sepse papritur më pyeti nëse ndihesha pak mirë. I thashë: “Po mendoja për ju. Kë pëlqen në sallon? Amaton, Xhuzepen apo mua?” Ajo, e përpiktë, m’u përgjigj, pasi u mendua pak: “Ua, ju jeni simpatikë që të tre”. Ngula këmbë: “Por Amato është i ri”. “Po” u përgjigj ajo, “është i ri”. “Besoj se është dashuruar pas jush”, e mora fjalën pas një çasti. Ajo u përgjigj: “Vërtet? Nuk e kisha vënë re një gjë të tillë”. Pra ishte e hutuar, si e merakosur. Në fund tha: “Luixhi, më ka gjetur një hall: më është shqepur kostumi prapa… ma jep peshqirin të shkoj të vishem”. Të them të drejtën qeshë i kënaqur nga ajo shqepje. I dhashë peshqirin, ajo u kthye ijazi dhe vrapoi në kabinë. Gjysmë ore më vonë ishim në tren në një vagon të zbrazur. Unë kisha tërhequr jakën e këmishës alla robespiere mbi qafë dhe mendoja se tashmë për mua kishte mbaruar dhe isha një plak.
Atë ditë u betova se nuk do ta vështroja kurrë më Jolën e asnjë grua tjetër; dhe ashtu bëra. M’u duk se ajo ishte pak e çuditur dhe nganjëherë m’i ngulte sytë me një shprehje qortuese, por mbase ishte një përshtypje. Kaloi një muaj, gjatë të cilit kisha folur katër pesë herë me të me po ose me jo. Ndërkaq, ajo kishte zënë miqësi të veçantë me Xhuzepen, por që e trajtonte tamam si një baba, pa asnjë hije joshjeje, pa të keq dhe me seriozitet. Unë ndihesha më i vjetër se kurrë, qethja flokë, rruaja mjekra, merrja bakshishe e nuk bëzaja. Por një nga ato ditë, në të mbyllur, ndërsa po hiqja këmishën në kthinën e rrobave, pronari, një goxha burrë, njoftoi: “Sonte, nëse nuk jeni të zënë, do të darkojmë së bashku… qeras unë… Jola është fejuar me Xhuzepen”. Nxora kokën: Jola buzëqeshte në qoshen e saj, në tryezën e manikyrës; Xhuzepja buzëqeshte nga ana tjetër, duke pastruar një brisk. Befas ndjeva një lehtësim tepër të madh: Xhuzepja ishte më i vjetër se unë, Xhuzepja ishte i shëmtuar, e megjithatë Jola kishte pëlqyer Xhuzepen dhe jo Amaton. Vrapova me duar të shtrira tek Xhuzepja, duke thirrur: “Përgëzime, përgëzime të forta”, pastaj përqafova Jolën dhe e putha në të dyja faqet. Pra në sallon, më i lumturi nga të tre isha unë.
Të nesërmen ishte e diel dhe pasdite dola shëtitje. Vura re, duke bredhur, se po filloja sërish t’i vështroja gratë, si në të kaluarën, një për një, para e mbrapa. /ExLibris/ KultPlus.com
Tradita shqiptare e artit komik është padyshim një nga thesaret e kulturës sonë kombëtare. Rrugëtimi i kahershëm i kësaj marrëdhënie vlerash dhe përfaqësimi është gjithçkaja dëshiruese e shumë personaliteteve të shquara, ndër të cilët rrekemi të veçojmë Vasillaq Vangjelin.
Më shumë se një vlerësim për punën dhe kontributin që ai ka dhënë në pasurimin e kësaj tradite, kjo ndërmendje është shkas përshpirtje në përvjetorin e vdekjes. Vasillaq Vangjeli ishte dhe mbeti, për tu përjetësuar në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar një zë dhe një karakteristikë, një profil dhe një tipar, unik. Kjo është thelbësore në art, këtë e jetësoi ai në skenë.
Vasillaq Vangjeli njihet kryesisht si aktor komik. Ai i lindur në 19 shkurt 1948 dhe u shua më 26 shtator 2011, ende pa mbushur 64 vjeç pas një bashkëjetese dhe lufte të gjatë me diabeti. Për më shumë se 45 vjet në skenë, Vangjeli ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.
Në vitin e tretë të Mjekësisë, Vasillaq Vangjeli e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.
Për rreth 45 vjet në skenë, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm Vangjeli ka bërë për vete me qindra-mijëra spektatorë duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur për ta e sidomos në fushën e humorit e të skenës. Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Është një aktor me diapazon të gjerë, vokal, vesh absolute, humorist, recitues. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto janë disa nga cilësitë e Vasillaqit, i cili me mjeshtëri e finesë di ti verë në shërbim të asaj çfarë ai bën. Humorin nuk ta jep shkolla. Ajo vetëm të zhvillon, të drejton nëpërmjet dhuntive të lindura. E kështu ndodh edhe me Vasillaqin. Humori është i lindur që me lindjen e tij. Në rininë e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses. Por megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan. Urdhëri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e merituar të kësaj të fundit.
Estrada nuk e deshi në fillim, punonte pa dëshirë, pa vëmendje. Bënte mungesa në punë, role pa cilësi. Por është po ky artist që u lidh aq shumë me estradën, me humorin, instrumentet, paroditë sa nuk shpjegohet dot më. Më pas Estrada u bë vendi ku shpërfaqi me të gjitha energjitë krijuese talentin dhe vlerat etike, u bë vendi ku realizoi ëndrrën aktoreske. Vlerat i maten me rolet e interpretuara, e nuk janë pak. Të freskët e cilësor e plot shaka. I kalojnë të 100 role të krijuara në estradë, teatër, kinematografi, etj. Të gjithë i kujtojnë : dhëndrin Koçi tek “Zonja nga qyteti”, “Një gjel në qymez”, “Një mburravec që ka frikë nga pëllitja e lopës”, “Dordoleci”, “Donkishoti”, ose rolin e Lolos, një lolo tragjik-komik me nuanca tepër fine të interpretimit. Të shumtë janë rolet në Estradë si : tek komedia e Vodvil “Mirelo”, Xhixh, “Pa martuar 50-vjeçar” apo të kujtojmë skeçet e paroditë. Tani është i angazhuar me një rol në komedinë “HARVEY”. Komedi e bukur, rol i bukur. Regjia është e Hervin Çulit. Më pas ka regjinë e një varjetee, a një tjetër ftesë në Teatrin Kombëtar, e pastaj një tjetër ftesë…Vaso tani nuk punon më si aktor profesionist pranë ndonjë institucioni. Ai doli në asistencë si e gjithë trupa e Estradës së Tiranës. Shtëpinë e tij e ka kthyer në lokal ku argëton të tjerët, por argëtohet edhe vetë. I shkojnë vazhdimisht miq e shokë, kolegë. Edhe aty humorin nuk e lë, me barcaleta, ngjarje të vërteta e të sajuara. “pjesë e profesionit”- thotë. E kështu jeta e Vasillaqit do të vazhdojë dhe ai përsëri do të bëjë humorin e tij në vorbullën e ekonomisë së tregut. -Nga Albert Vataj / KultPlus.com
Kam uri për gojën tënde, zërin tënd, flokët e tu, dhe shkoj rrugëve i uritur e i heshtur, nuk më ngop buka, agimi me ngasje më çorodit, në kërkim të tingujve të ujshëm të hapave të tu nëpër ditë.
Kam uri për të qeshurën tënde që si lumë rrjedh, për duart e tua në ngjyrë të grurit të pjekur, Për të zbehtën e gurtë të thonjve të tu, Kam uri për lëkurën tënde si bajame e paprekur.
Dua të ha rrufenë e djegur në hijeshinë tënde, hundën kryeneçe të fytyrës tënde të bukur, dua të ha hijen fluturake të qerpikut tënd.
Shkoj e vij i uritur i muzgut nuhatës, ty duke të kërkuar, në kërkim të zemrës tënde ngrohtësi, si një pumë që endet në të Kitrates vetmi. /KultPlus.com
Përse ishte Shkodra e para, që u bë djepi i artit realist shqiptar? Përse Kolë Idromeno u bë artisti i parë realist shqiptar dhe përse do ishin të rinjtë shkodranë të parët ndër shqiptarët, që nisën të ëndërronin të bëheshin piktorë?
Rreth këtyre pyetjeve interesante u zhvillua takimi me studiuesen Eleni Laperi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Studiuesja në fushën e arteve pamore dhe autore e librit “Kolë Idromeo, themeluesi i artit realist shqiptar” u foli të pranishmëve mbi jetën e një artisti si Kolë Idromeno. Takimi “Kur të rinjtë shkodranë nisën të ëndërrojnë të bëhen piktorë”, u zhvillua në kuadër të aktiviteteve me rastin e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë, duke u mbështur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Muzeu “Marubi” shkroi në faqen e tij se, “kur nis të punosh për të njohur jetën e një artisti si Kolë Idromeno, kupton se sa e rëndësishme është të saktësosh faktet, të dish të ndash legjendën nga realiteti historik, të shpëtosh nga prirja për ta zbukuruar realitetin. Madje edhe legjendave të duhet t’u gjesh shkaqet historike, që i krijuan.”
Këto janë pika kyç që shënjojnë procesin e njohjes, të dokumentimit të zhvillimeve historike, gjeopolitike, ekonomike e kulturore, të cilat krijuan kushtet, që në Shkodër të hapej e para studio e fotografisë dhe e para atelie e artit realist shqiptar
Muzeu “Marubi” ashtu si edhe institucione të tjera kulturore në vend, ka organizuar disa aktivitete në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore./atsh/KultPlus.com
Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan në UNI – Universum International College, fuqizuar nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe nr. #1 për Inovacion, për të nëntin vit me radhë.TRANSFERONI studimet në Universum dhe merrni diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.
Të gjithë studentët të cilët diplomojnë nga UNI – Universum International College, do të pajisen me diplomë “Fuqizuar nga Arizona State University”.
Përmes këtij partneriteti, mund të përfitojnë edhe studentët nga institucionet tjera të cilët i TRANSFEROJNË studimet në Universum dhe të marrin diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.
Transfero të gjitha provimet nga universiteti paraprak përfito zbritje & shkëmbim semestral në njërin nga 221 Universitetet Partnere në 26 shtete të BE-së me BURSË të plotë.A dëshironi edhe ju t’i transferoni studimet në Universum, t’i ndjekni ligjeratat me orar fleksibil pa shkëputje nga puna dhe pastaj t’i vazhdoni ato jashtë vendit me bursë të plotë? Shiko programet e akredituara për studime në UNI-Universum International College duke klikuar KËTU.Në partneritet me Arizona State University,
UNI – Universum International Collegeofron:
Mundësi për diplomë të dyfishtë nga Arizona State University
Qasje në kurrikulen e Arizona State University
Studime me standarde amerikane
Studime në 26 shtete të BE-së dhe Turqi me bursë të PLOTË
Për më shumë informata ndiqni faqen në facebook, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Artisti bashkëkohor Sislej Xhafa do të prezantohet me një performancë në Preshevë, i cili në bashkëpunim me Shoqatën Beyond të Preshevës do të prezantojnë Teatrin e Pjesës së Padukshme të Hënës, ku edhe do të paraqitet “Spageti i Mesnatës në Pritje të Lules”, shkruan KultPlus.
Teatri i Pjesës së Padukshme të Hënës fton publikun në një seri performansash dhe punëtorive të përkushtuara për të eksploruar dhe zbuluar thellësitë e fshehura të Preshevës dhe Bujanocit, përmes një qasjeje unike dhe të ndërlikuar ndaj artit dhe kulturës.
Kjo performancë do të mbahet prej 14 deri më 18 tetor. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York është takuar me Presidentin e Gambisë, Adama Barrow.
Osmani është shprehur se kanë pasur një diskutim të frytshëm me Barrow.
“Diskutim i frytshëm me Presidentin e Gambisë, Adama Barrow, në New York. Mundësi e shkëlqyer për ta rikonfirmuar përkushtimin tonë ta përbashkët për forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve tona, si dhe për ta avancuar bashkëpunimin në dobi të qytetarëve tanë”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com
Në Prishtinë u zhvillua takimi i redaksive të fushës “komunikim dhe mjete të komunikimit” për hartimin e fjalësit të njësuar.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Mehmet Kraja. Ai vlerësoi punën e bërë nga dy redaksitë dhe paraqiti disa sugjerime për të përmbyllur me sukses fazën e parë të hartimit të kësaj vepre të madhe.
Akademik Kraja theksoi se “Enciklopedia” jonë do të jetë enciklopedi kombëtare për vlerat më të mira që kanë dhe kanë krijuar shqiptarët në historinë e tyre.
Përgjegjësi i redaksisë së Kosovës, Binak Kelmendi dhe përgjegjësi i redaksisë së Tiranës, Naim Zoto, si dhe prof. dr. Valbona Toska (nga redaksia e posaçme për trashëgiminë shqiptare në Maqedoninë e Veriut) informuan për punën e redaksive dhe problematikat e evidentuara. Anëtarët e këtyre redaksive dhanë mendime sidomos në lidhje me kriteret për përfshirje dhe proporcionet strukturore mes artikujve.
U konkludua që koha deri në fund të shtatorit duhet të shfrytëzohet që lista e përbashkët e artikujve të rishihet edhe një herë për të reflektuar vërejtjet e apo sugjerimet gjatë kësaj konsulte ballafaquese.
Ky projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbështetet dhe bashkëfinancohet nga qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës./atsh/KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Javës së Kulturës Kineze, çeli sot një ekspozitë me libra të autorëve kinezë më të spikatur, të përkthyer në shqip.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë kësaj jave në hollin kryesor të BKSH-së.
Ndërkohë dita e djeshme solli një mbrëmje të paharrueshme në Katedralen Ortodokse në Tiranë, në nder të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë.
Publiku pati kënaqësinë të dëgjonte melodi të veçanta nga trashëgimia mijëra vjeçare kineze, të interpretuara me mjeshtëri nga artistët kinezë. Ritmet tradicionale përfshinë shpirtin e muzikës kineze, të mbushur me filozofi dhe spiritualitet.
Ndërkohë Teatri Kombëtar i Operas e Baletit kishte përgatitur një surprizë për artistët kinezë. Ansambli Popullor interpretoi një valle shqiptare në formë përshëndetjeje për të pranishmit, duke i ftuar edhe ata të bëheshin pjesëmarrës e duke treguar se muzika është ura më e bukur që bashkon kulturat dhe njerëzit./atsh/KultPlus.com
Është një periudhë kur ne prindërit mbesim jetimë prej fëmijëve tanë.
Se fëmijët rriten pavarësisht nesh, si pemë zhurmuese e zogj të pakujdesshëm.
Rriten pa i marrë leje jetës.
Rriten me një tringëllimë të gëzueshme e, ndonjëherë, me arrogancën mburrëse.
Por nuk rriten çdo ditë, rriten papritur.
Një ditë ulen pranë teje dhe me një natyrshmëri të pabesueshme të thonë çfarëdolloj gjëje që të bën të mendosh se ajo krijesë e pelenave, tash është rritë!
Kur u rrit e ti nuk e vure re?
Ku mbeten festat fëminore, loja në rërë, ditëlindjet me palaço?
Fëmija rritet në një ritual të bindjes organike dhe mosbindjes civile.
Tash je aty, në derën e diskotekës duke pritur jo vetëm që të mos rritet, por që të shfaqet.
Aty janë shumë prindër në timonë, duke pritur që të dalin.
E aty janë fëmijët tanë, ndërmjet hamburgerëve dhe pijeve të gazuara.
Me uniformën e gjeneratës së tyre dhe çantat jokomode dhe të rënda në shpatulla.
Atje jemi ne, me flokët e thinjur.
Dhe ata janë fëmijët tanë, të cilët i duam pavarësisht nga goditjet e erërave, nga të korrat e pakta të paqes, të lajmeve të këqija dhe diktaturës së orëve.
Ata u rritën të ushtruar, duke vëzhguar e duke mësuar me gabimet dhe të vërtetat tona.
Para së gjithash me gabimet që shpresojmë të mos përsëriten.
Është një periudhë kur ne prindërit shkojmë duke mbetur jetimë prej fëmijëve tanë. Tash nuk do t’i kërkojmë më
në dyert e diskotekave e të kinemasë. Kaloi koha e pianos, futbolli, baleti, notimi.
Dolën nga ulëset e pasme dhe kaluan në timonin e vetë jetës së tyre.
Do duhej të kishim shkuar më shumë pranë shtratit të tyre, në mbrëmje, për të dëgjuar shpirtin e tyre duke frymëmarrë biseda e konfidenca mes çarçafëve të fëmijërisë, e të adoleshencës shtretër të mbuluar nga ato pjesë figurash, afishesh, agjendash shumëngjyrëshe dhe disqesh të zhurmshëm.
Por u rritën pa e shterrë me ta krejt dashurinë tonë.
Në fillim shkuan në fshat, në plazh, krishtlindje, pashkë, pishina e miq.
Po, kishte grindje në makinë për dritaren, e kërkesat për muzikën e kohës.
Pastaj erdhi koha kur të udhëtuarit me prindërit ishte një sforcim, një vuajtje, nuk mund t’i linin miqtë e tyre dhe të dashurit e tyre të parë.
Mbetëm ne prindërit të izoluar nga fëmijët.
Kishim vetminë që gjithmonë e kishim dëshiruar, dhe na erdhi momenti në të cilin vetëm shikonim nga larg, luteshim shumë, (në atë moment e kishim harruar) që të zgjidhnin mirë në kërkimin e lumturisë dhe të pushtonin botën në mënyrën më pak komplekse të mundshme.
Sekreti është të presësh.
Në ndonjë moment do të na japin nipër.
Nipi është ora e dashurisë pa kushte dhe loja e pa provuar në fëmijët tanë.
Prandaj, gjyshërit janë kaq të papërmbajtshëm e shpërndajnë kaq dashuri të pakontrollueshme.
Nipërit janë mundësia e fundit për të korrigjuar dashurinë tonë.
Kështu është. Mësojmë të jemi fëmijë, pasi jemi bërë prindër; e mësojmë të jemi prindër, pasi jemi bërë gjyshër.
Si përfundim, duket sikur mësojmë të jetojmë vetëm pasi jeta na ikën.
T’i shijojmë fëmijët tanë në secilën prej etapave të tyre, për aq kohë sa jemi gjallë. / KultPlus.com
Dita e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, TIFF vijoi me shfaqjen e një morie filmash të sesioneve të ndryshme. Një pjesë e tyre i përkisnin sesionit Live Action, fituesit e të cilit do të kualifikohen për konkurrim në Oscar dhe European Film Awards.
Në sesionin PerspecTIFF u shfaq në kinema Millennium filmi “Silence of Sirens”, me regji e skenar të Gazmend Nelës. Filmi prej 93 minutash, është bashkëprodhim i Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Ai rrëfen historinë e Avniut, një polic rrugor në një qytet të vogël të Kosovës. Së bashku me partnerin e tij Gëzimin, ai merr rryshfet nga shoferët që ndalojnë për shpejtësi. Një natë, duke vazhduar rutinën e tyre, ata ndalojnë një prokuror të huaj, që ngiste makinën në gjendje të dehur dhe që në bagazh kishte një çantë plot me para. Avniu dhe Gëzimi e gjejnë veten të përfshirë në një rast korrupsioni që u del nga kontrolli.
Filmi është duke marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ndërkohë në TIFF ishte i pranishëm edhe vetë regjisori Gazmend Nela.
Një tjetër aktivitet që erdhi për kineastët në kuadër të festivalit ishte masterclass-i i zhvilluar dje në mjediset e Qendrës së Artit Agimi, me temë ”Lidhja midis arsimit dhe industrisë së filmit”. Në panel ishin të ftuar Hazir Sh. Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve dhe Ismet Sijarina, shefi i Departamentit të Filmit dhe TV në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës./atsh/KultPlus.com
U çel mbrëmë në Tiranë, ekspozita vetjake e piktorit Bashkim Dervishi. Ekspozita me titull “Inkandeshente” është në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, FAB dhe do të qëndrojë aty deri më 5 tetor.
Kuratori i “Inkandeshentes”, Ardian Isufi shkruan se, Bashkim Dervishi i thur himn “Gruas”, magjisë së saj, brishtësisë dhe njëkohësisht forcës së saj pamore në situata të ndërmjetme, diku në përditshmëri dhe diku në kapërcyell të historisë së artit.
“Ai është Adami postmodern që e ndjek Evën në kopshtin e artit të tij, duke na servirur të zhveshura jo thjesht figurat femërore, por duke zhveshur historinë”, shkruan kuratori pro. asoc. dr Isufi.
Sipas tij, “Mona Lisa e Da Vincit” bëhet më e fortë dhe tunduese në “Nudon/Mona Lisa të Dervishit”, apo “Motra Tone e Idromenos” fiton fuqinë e brishtësisë femërore në nuditetin e fshehur në “Motrën Tone të Dervishit”.
Ambiguiteti i imazheve nga i njëjti imazh është një koncept dhe gjendje e qartë artistike i tij duke analizuar si ndikojnë në jetën tonë të përditshme imazhet e një kulture popullore (Pop Arti) që Andy Warhol e nënvizon: “Fillova të përsëris të njëjtin imazh sepse më pëlqen mënyra se si përsëritja ndryshon të njëjtin imazh”.
Vetë artisti Bashkim Dervishi është shprehur se, çdo penelatë e tij është si të pikturosh një dritë të brendshme, një inkandeshencë shpirtërore./atsh/KultPlus.com
Me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu bashkua liderëve të tjerë botëror në samitin e radhës për Ukrainën, i cili kësaj radhe u mbajt në New York.
“E nderuar me ftesën e Shtëpisë së Bardhë që t’i bashkohem liderëve të tjerë botëror në samitin e radhës për Ukrainën, i cili kësaj radhe u mbajt në New York, në kuadër të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com
Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Plotë të Armëve Bërthamore.
Arritja e çarmatimit bërthamor global është prioriteti më i lartë i Kombeve të Bashkuara për çarmatimin. Ishte objekt i rezolutës së parë të Asamblesë së Përgjithshme në 1946, e cila themeloi Komisionin e Energjisë Atomike (shpërbërë në 1952), me një mandat për të bërë propozime specifike për kontrollin e energjisë bërthamore dhe eliminimin e armëve atomike dhe të gjitha armëve të tjera të shkatërrimit në masë.
Kombet e Bashkuara kanë bërë përpjekjeve të mëdha diplomatike për çarmatimin bërthamor. Çdo Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së e ka promovuar në mënyrë aktive këtë qëllim.
Megjithatë, sot kanë mbetur rreth 12,512 armë bërthamore. Vendet që posedojnë armë të tilla kanë plane afatgjata të mirëfinancuara për të modernizuar arsenalin e tyre bërthamor. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës ende jeton në vende që ose kanë armë të tilla ose janë anëtarë të aleancave bërthamore.
Ndërsa numri i armëve bërthamore të vendosura ka rënë ndjeshëm që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, asnjë armë bërthamore nuk është shkatërruar fizikisht në përputhje me traktatin. Për më tepër, asnjë negociatë për çarmatimin bërthamor nuk është duke u zhvilluar aktualisht. / atsh / KultPlus.com
Muzeu Ikonografik i Onufrit është shndërruar në një prej atraksioneve turistike më të preferuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet e një dite të zakonshme shtatori në Berat, ku në Muzeun Ikonografik të Onufrit mblidhen turistë nga gjithë kombësitë.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.
Nën dyshemenë e absidës me 12 gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe pas Krishtit “Codex Aureus Anthimi” i shek IX.
Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodiket e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/KultPlus.com
Më 26 shtator të vitit 1991 është mbajtur referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.
Në këtë ditë, me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës, me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.
Referendumi për Pavarësinë e Kosovës u shënua në të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare si një akt sublim i vullnetit politik të popullit të Kosovës./KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot, në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës në Nju-Jork se “Shqipëria ka tashmë një ligj që garanton votën e diasporës”.
Rama u shpreh se ky është një fakt tashmë i vulosur në ligjin e Kuvendit të Shqipërisë, në fund pas shumë vitesh përpjekjesh.
“Por në rastin e ligjit të zgjedhjeve duhet një shumicë më e madhe sesa shumica që ne kemi pasur në dispozicion dhe falë edhe një presioni pozitiv më të organizuar dhe më të ndjeshëm në Tiranë të vetë përfaqësuesve të Diasporës, ne tani e kemi këtë ligj”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se “të gjithë shqiptarët që janë jashtë dhe që kanë dëshirë të marrin pjesë në procesin zgjedhor kanë të drejtën dhe mundësi të votojnë përmes një sistemi të thjeshtë”.
“Është një sistem si këtu në Amerikë, ku për të votuar duhet të regjistrohesh dhe pastaj, në momentin që regjistrohesh, në rastin e këtij sistemi që ne kemi, të vjen zarfi, ti aty brenda ke fletën e votimit, shënon në kutinë që dëshiron, shprehjen e vullnetin tënd, mbyll zarfin dhe e poston mbrapsht”, tha ai.
Kryeministri sqaroi se në sistemin tonë vota shkon aty ku ke vendbanimin e regjistruar në Shqipërisë, pra aty ku figuron në listën e zgjedhësve.
“Vota numërohet si pjesë e votave të atij qarku ku bën pjesë bashkia, nga ku buron emri yt si rezident në Shqipëri, pra në atë adresë ku je i regjistruar në Shqipëri dhe ku ke vendbanimin”, theksoi ai./atsh/ KultPlus.com