113 vite më parë ”Titanic”-u nisi udhëtimin e parë dhe të fundit

Më 10 prill 1912, ”Titanic”-u u nis nga Southampton, pak pas mesditës, duke nisur zyrtarisht udhëtimin e tij të parë, por tragjik.

Pas nisjes nga Southampton-i, rreth 1 846 njerëz ishin në bord që, përbënin shumicën e kapacitetit maksimal të anijes prej 3 547 personash.

Duke u nisur nga Southampton-i, ”Titanic”-u pati një vonesë të vogël, kur sasia masive e ujit që anija zhvendoste pothuajse shkaktoi një përplasje me anijen ”SS New York”.

Ajo u ankorua më vonë në Cherbourg, Francë, rreth orës 18:30 për të marrë më shumë pasagjerë.

Anijet ”SS Nomadic” dhe ”SS Traffic” transportuan grupin tjetër të pasagjerëve në anijen luksoze.

Dyqind e tetëdhjetë e një pasagjerë hipën në Francë, 151 ishin të klasit të parë, 28 ishin të klasit të dytë dhe 102 ishin të klasit të tretë.

Njëzet e katër pasagjerë zbritën nga ”Titanic”-u në Cherbourg pasi udhëtimi i tyre kishte përfunduar.

Shumë nga pasagjerët më të pasur dhe më të famshëm të anijes hipën në Cherbourg.

”Titanic Belfast” raportonte se ”vetëm 21 nga ata që hipën në Cherbourg ishin francezë, me pjesën tjetër nga SHBA, Anglia, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Greqia, Italia, Libani, Polonia, Rusia, Siria dhe Uruguaji.

“Në anije ndodheshin produkte luksoze franceze si shampanjë, verë dhe djathra, përfshirë  34 000 kilogramë mish, 15 000 shishe birrë, 10 000 shishe verë dhe 12 000 shishe ujë mineral”, shkruan ”Titanic Belfast”.

Anija u ankorua në Cherbourg për vetëm disa orë përpara se të nisej, rreth orës 20:10,  për në Queenstown, në Irlandë, në ndalimin e saj të fundit përpara se të nisej për në SHBA dhe të mos kthehej më kurrë./ atsh / KultPlus.com

Anija Art Explora, Rama: Durrësi me statusin “port arti” për 10 ditë

Kryeministri Edi Rama ka vizituar nga afër anijen “Art Explora” duke u njohur me gjithë gamën e aktiviteteve kulturore që do të ofrohen për dhjetë ditë në qytetin bregdetar të Durrësit, nga ekspozita, te shfaqjet artistike, festivalet dhe koncertet, duke synuar që ta sjellë artin më afër publikut shqiptar.

Kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, i shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emirana Sako, kreu i fondacionit francez “Art Explora”, Frédéric Jousset, ministri francez për Evropën Benjamin Haddad dhe organizatorë të tjerë të aktivitetit, ndërsa e ka cilësuar “anijen “Art Explora” një eksperiencë unike, që i jep Durrësit për dhjetë ditë me radhë statusin e një porti arti”.

Qyteti i Durrësit mirëpret kështu një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, teksa katamarani më i madh në botë i llojit të vet, pjesë e iniciativës ndërkombëtare Art Explora, ndalet në portin e qytetit për të sjellë një eksperiencë unike për publikun.

Për dhjetë ditë me radhë, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike të një niveli të lartë, të hapura për publikun.

Ky aktivitet i jashtëzakonshëm e kthen Durrësin në një pikë takimi midis artit klasik dhe bashkëkohor, duke promovuar qytetin si një qendër kulturore mesdhetare./atsh/KultPlus.com

“Këtu s’do jem do jem larguar, në tokë i tretur si të tjerët’

Poezia e famshme e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.

Këtu s’do jem do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë

Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do me kesh në dhome të gjallë
Dhe kur në xham të fryje erë
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do të zbres do t’vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshësh
Si një blerim pas një rëkeje./KultPlus.com

Fituese e çmimit “Top Teacher Award 2024”, Adea Badivuku shpalos sukseset në fushën e pedagogjisë dhe rrugëtimin si pianiste

Flonja Haxhaj

Pianistja kosovare, Adea Badivuku, po vazhdon përkushtimin e saj dhe punën drejt suksesit në fushën ndërkombëtare. Në një rrugëtim të frymëzuar nga pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës, Badivuku po shkëlqen jo vetëm si interpretuese, por edhe si pedagoge e dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Ajo së fundi, në një intervistë për KultPlus, ka rrëfyer për sukseset e saj të vitit 2024 dhe për planet që e presin gjatë këtij viti, arritje këto që e pozicionojnë atë si një emër të rëndësishëm në fushën e pedagogjisë muzikore ndërkombëtare.

Puna e saj e palodhshme si mentore ka marrë vlerësim edhe nga një prej emrave më prestigjioz në botën e pianos. Ajo është përzgjedhur si fituese e çmimit “Mësuesja e vitit për vitin 2024” nga Steinëay & Sons, një çmim që ndahet për një numër të kufizuar pedagogësh në SHBA për kontributin e tyre të spikatur.

“Ndjej një nder të veçantë që jam përzgjedhur për këtë çmim nga një institucion kaq i respektuar si Steinëay & Sons”, theksoi Badivuku.

Po ashtu, një sukses tjetër i Badivukut, i arritur së fundi është është edhe çertifikimi kombëtar si Mësuese Muzike në Piano nga Music Teachers National Association (MTNA) – një njohje e lartë që reflekton standardin maksimal të profesionalizmit në edukimin muzikor në SHBA.

Ajo në intervistën e saj shprehet e lumtur për këtë çertifikim dhe dyert që hap ky hap i rëndësishëm për të.

“Ky çertifikim është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tim si pedagoge dhe një konfirmim i përkushtimit tim ndaj mësimdhënies dhe zhvillimit të studentëve të mi,” thotë Badivuku.

Përveç angazhimit në mësimdhënie, Badivuku mbetet aktive edhe në sferën kërkimore dhe performuese. Në korrik, ajo do të përfaqësojë Kosovën në National Conference on Keyboard Pedagogy (NCKP) në Çikago, një nga konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e pedagogjisë pianistike.

“Prezantimi im do të trajtojë teknikat e zgjeruara në piano dhe lidhjen mes gjuhës trupore dhe interpretimit bashkëkohor. Synoj të ndaj qasje të reja që lidhin gjuhën trupore me shprehjen muzikore në repertorin kontemporan,” thotë Badivuku, duke shtuar më tutje se pret që ky prezantim të tërheqë vëmendje të veçantë.

 Po ashtu, suksese e Badivukut, nuk përfundojnë më kaq. Një tjetër hap të rëndësishëm ndërkombëtar, Badivuku është përzgjedhur të marrë pjesë në laboratorin ndërdisiplinor “Spatial Spheres: 3D-Audio Art Lab” në Gjermani, ku artistë dhe studiues nga mbarë bota eksplorojnë mundësitë e reja të artit të tingullit në hapësira tredimensionale.

Me një profil gjithnjë e më të dukshëm në botën muzikore, Adea Badivuku mbetet një shembull frymëzimi për të rinjtë kosovarë dhe një zë i rëndësishëm në fushën ndërkombëtare të muzikës dhe edukimit artistik.

Aktualisht, ajo është në përfundim të studimeve të doktoraturës në Piano Performance në Universitetin e Nevadës në Reno, dhe po përgatitet për mbrojtjen e disertacionit të saj.

 “Ky kapitull i rëndësishëm përmbyll një periudhë intensive studimi dhe më jep një shtysë të re për të vazhduar misionin tim si performuese dhe pedagoge e përkushtuar e muzikës pianistike,” përmbyll Badivuku për KultPlus./KultPlus.com

Ministri Çeku: Pallati i Rinisë dhe Sporteve po bëhet

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njotuar është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Bankën Evropiane për Investime  dhe Ndërmarrjen Lokale Publike “Pallati i Rinisë”- si partnere e MKRS, për mbështetjen teknike në vlerë prej 500 mijë euro për hartim të projektit të revitalizimit të plotë të “Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, përfshirë këtu edhe sallën e djegur, përcjell KultPlus.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e ministrit Çeku:

Pallati i Rinisë dhe Sporteve po bëhet 💙

Kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Investime (EIB Global) dhe Ndërmarrjen Lokale Publike “Pallati i Rinisë”- si partnere e MKRS, për mbështetjen teknike në vlerë prej 500 mijë euro për hartim të projektit të revitalizimit të plotë të “Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, përfshirë këtu edhe sallën e djegur.

Kjo marrëveshje hap rrugën drejt financimit të plotë për rinovimin, modernizimin dhe funksionalizim e këtij kompleksi ikonik– aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, duke e kthyer atë në një qendër bashkëkohore dhe multifunksionale, të gatshme për të mirëpritur Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030./KultPlus.com

Ministria e Kulturës akuzon Komunën e Prishtinës për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore

Në Ministrinë e Kulturës, sot është mbajtur konferencë për media ku është akuzuar Komuna e Prishtinës për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni njoftimin e Ministrisë së Kulturës:

Në Ministrinë e Kulturës, sot është mbajtur konferencë për media lidhur me ndërhyrjet e paligjshme të Komunës së Prishtinës, në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Në konferencë u paraqitën sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, kryeinspektori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, drejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Rreze Loxha-Vitaku, drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Edona Durguti, dhe U.D. i departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Bari Zenelaj.

Fjalimi i plotë i sekretarit Bislim Bislimi:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju faleminderit për pjesëmarrjen tuaj sot në këtë konferencë për shtyp të ftuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me qëllim të qartësimit të opinionit publik për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës, me ç’rast, në mënyrë të përsëritur kemi shkelje të Ligjit për Trashëgimi Kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës derisa vazhdojnë të ndërhyjnë në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore të cilat i nënshtrohen dispozitave ligjore, pa marrë leje nga institucioni kompetent sikurse e përcakton Ligji edhe përkundër paralajmërimeve tona.

Sot me mua në këtë konferencë është edhe kryeinspektori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore z. Imer Hakaj, Drejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, znj. Rreze Loxha Vitaku si dhe Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, znj. Edona Durguti, respektivisht institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore që kanë mandat të përcaktuar me ligj për të vepruar në emër të administratës shtetërore, sa herë që cenohet Ligji për Trashëgimi Kulturore.

MKRS disa herë përmes shkresave nga institucionet e trashëgimisë kulturore si Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesën për bashkëpunim në rastet e ndërhyrjeve nga Komuna nëpër asete dhe zona mbrojtëse të trashëgimisë kulturore. Nga ana tjetër, MKRS me shkresen e datës 18.12.2024 të Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS –së, u është drejtuar kryetarëve të komunave me një letër që kërkon nga ta, të përmbahen nga veprimet administrative që trajtojnë ndërhyrje nëpër asete apo zona mbrojtëse, pa leje të shkruar nga institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore. 

Komuna e Prishtinës, kohëve të fundit, siç duket me qëllim është duke e shmangur ligjin dhe atë në disa raste radhazi:

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në projektin e lidhjes së Lagjes Arbëria me Pllatonë e Pallatit të Rinisë;

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në Sheshin George Bush;

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij në projektin e rrugës “Agim Ramadani”,

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e punëve në Rrugën “Rexhep Luci”, që të gjitha këto ndërhyrje pa leje të shkruar derisa dihet se janë sipërfaqe të mbrojtura të trashëgimisë kulturore ku ndërhyrjet janë të kontrolluara dhe mund të lejohen vetëm me leje të shkruar nga institucioni kompetent.

MKRS konsideron se këto veprime derisa janë të përsëritura i vlerëson si të qëllimshme nga ana e Komunës së Prishtinës dhe me precendent të rrezikshëm për palët tjera në Republikën e Kosovës duke inkuarjuar paligjshmëri dhe rrezik të drejtpërdrejtë për vlerat e trashëgimisë kulturore si vlera të mbrojtura me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.

MKRS si institucion përgjegjës për rregullimin dhe menaxhimin publik të fushës së trashëgimisë kulturore, ka analizuar me kujdes edhe implikimin ligjor të veprimeve të tilla nga ana e Komunës. Këto veprime, përvec të kundërligjshme në kuptimin e dispozitave të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, janë të parashikuara edhe me Kodin Penal si vepra penale përkatësisht me nenin 354 dhe 355 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, përveç përpjekjeve të vazhdueshme e të dokumentushme të MKRS për të vendosur bashkëpunim ndërinstitucional në funksion të zbatimit të ligjit kur janë përmbushur kushtet, institucionet tona ka ndërmarrë masa administrative në drejtim të ushtrimit të mandatit ligjor, për të parandaluar veprime të palejuara. Konkretisht Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet e paautorizuara dhe të kundërligjshme sipas mandatit të tij të përcaktuar qartësisht me aktet normative në fuqi.

Nga ana tjetër, deri më tani, MKRS ka referuar dy shkresa të arsyetuara në organet e ndjekjes penale në Republikën e Kosovës për veprime të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës.

Në lidhje me projektin e lidhjes së Lagjes Arbëria me Pllatonë e Pallatit të Rinisë, më datë 27.12.2024, MKRS ka kallëzuar penalisht kryetarin e Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama në Prokurorinë Speciale të RKS. Kjo për faktin se përvec zhvillimit të projektit dhe kontraktimit të tij për ekzekutim në zonë mbrojtëse të asetit, e inkriminuar penalisht në kuptim të nenit 355 të Kodit Penal, i njëjti ka vepruar në drejtim të vënies nën detyrim kontraktual të një shume prej 6.5 milionë eurosh në një projekt të pa maturuar ligjërisht me cka direkt e rrezikon buxhetin publik gjithashtu edhe ka vepruar në drejtim të kryerjes së punëve në një pronë që tashmë Komuna i kishte ndarë MKRS –së për shfrytëzim afatgjatë, për realizimin e TOB.

E njëjta situatë tashmë ka ndodhur edhe në rastin e projektit të Sheshit George Bush, Rrugës “Agim Ramadani” dhe Rrugës “Rexhep Luci”.

Duke e vlerësuar përsëritjen e vazhdueshme të veprimeve të tilla nga Komuna e Prishtinës, MKRS më datë 02.04.2025, ka bërë kërkesën e radhës për fillimin e hetimeve në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës. Sikurse u tha më lartë, këto veprime në kuptimin e mbrojtjes ligjore të trashëgimisë kulturore, janë të inkriminueshme si vepra të vecanta penale sipas Kodit Penal. Megjithatë, MKRS vlerëson se derisa kemi një shumë financiare dhjetëra milionëshe të krijuara si detyrim kontraktual në projekte që janë në shkelje të ligjeve në fuqi nga Komuna, konsideron se kjo poashtu paraqet rrezik për shkaktimin e qëllimshëm të situatave kur këto shuma, do të konsideroheshin të përmbarueshme nga operatorët ekonomik duke i shkaktuar një dëm dhjetëra milionësh buxhetit të Komunës. I takon organeve të drejtësisë të ndriçojnë këto rrethana të lidhjes së këtyre kontratave nëse janë apo jo të qëllimshme derisa janë kaq shpesh të përsëritura dhe kaq të qarta.

Sqarojmë poashtu se Komuna e Prishtinës, i ka mjaft mirë të njohura procedurat e pajisjes me leje dhe pëlqime nga institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore sepse në të kaluarën kanë bashkëpunuar dhe janë pajisur me leje dhe pëlqime për projekte të ndryshme si: Rruga model, ndërtesa e ish Gërmisë, rruga për fëmijë afër Shkollës “Elena Gjika”, projekti për restaurimin e ndërtesës së Shkollës “Sami Frashëri” etj.

MKRS është e përkushtuar që në cdo rast, të sigurojë zbatimin e obligimeve të saj ligjore për të vepruar ndaj kujtëdo që cenon Ligjin e rrezikon vlerat e trashëgimisë kulturore, ndërsa veprimet e kryetarit të Komunës për të ushtruar një kallëzim penal të rremë ndaj inspektorit të trashëgimisë kulturore, i vlerëson si përpjekje për manipulim të opinionit dhe keqpërdorim të mjeteve e mekanizmave juridik në dispozicion sic duket të vetëdijshëm se vet ndodhen në shkelje të rëndë të të gjitha ligjeve që rregullojnë ndërhyrjet dhe zhvillimet në zona mbrojtëse të trashëgimisë kulturore.

Ne, na vjen keq që kryeqyteti ynë udhëhiqet nga shembuj kaq brutal të shkeljes së ligjit, rrezikimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe të fondeve publike.

Ne presim nga organet e ndjekjes penale që të veprojnë sa më shpejt që është e mundur në drejtim të marrjes në përgjegjësi të atyre që kanë prodhuar situatat e tilla në mënyrë që shembuj kaq të qartë të shkeljeve të interesit publik, të dekurajohen./KultPlus.com

Anulohet repriza e shfaqjes “Të Turpëruarit”

Është anuluar repriza e shfaqjes ‘Të turpëruarit’, e cila ka qenë e planifikuar të shfaqet nesër të Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës thuhet se ky vendim është marrë për shkak të arsyeve shëndetësore të njërit prej aktorëve.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e TKK-së:

Anulohet repriza e shfaqjes “Të Turpëruarit”

Ju njoftojmë se shfaqja “Të Turpëruarit”, e planifikuar për datën 11 prill 2025, anulohet për shkak të arsyeve shëndetësore të njërit prej aktorëve.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin./KultPlus.com

Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi përmes rrjeteve sociale rikthimin e Javëve Kulturore Ndërkombëtare majin e këtij viti.

“Pas një udhëtimi të paharrueshëm me edicionin e tretë, ku 21 shtete, 252 aktivitete dhe 364 artistë sollën energjinë, artin dhe shpirtin e tyre në Shqipëri, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 rikthehen për sezonin e katërt”, shkroi ministri Gonxhja.

Ministri nuk i ka zbuluar surprizat e këtij edicioni por ftoi artdashësit të ndjekin këto aktivitete të cilat do të jenë si një festë e kulturës, artit dhe traditave nga e gjithë bota, qe do të mbushë skenat tona me emocione dhe kreativitet.

“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri veprimtarish, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore.

Çdo javë i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve që përcjellin më së miri pasurinë e këtyre kulturave përmes filmave, melodive, arkitekturës, kostumeve, kulinarisë dhe trashëgimisë. JKN është një paradë kulturore që shtrihet prej majit e deri në nëntor./ KultPlus.com

“Gladius”, dokumentari që rrëfen gjyqin special dhe fillimin e terrorit komunist

“Gladius” titullohet dokumentari, premiera e të cilit u shfaq mbrëmë në Destil Creative Hub. Dokumentari është një rrëfim tronditës mbi gjyqin special të vitit 1945 dhe fillimin e terrorit komunist në Shqipëri.

Autorët e tij, Viron Roboçi dhe Besmira Pelushaj sollën një qasje të re mbi një nga ngjarjet më të errëta të pasluftës në Shqipëri. Për realizimin e këtij dokumentari autorët shfrytëzuan edhe fondin e arkivit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

“Gjyqi (jo) Special” siç është edhe nëntitulli i veprës, eksploron realitetin tronditës të një procesi të orkestruar politikisht, të njohur si “gjyqi special”, i cili u zhvillua në Tiranë menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Gladius” ngre një paralelizëm të fuqishëm mes ndeshjeve te gladiatorëve në Romën e lashtë dhe këtij gjyqi që shërbeu si një spektakël i dhunshëm me dënime të paracaktuara për 60 intelektualë të kohës, me qëllim eliminimin e tyre dhe intimidimin e pjesës tjetër të elitës politike, veprimtarëve dhe çdo individi me influencë.

“Gladius” ndërthur materialet arkivore, pamjet autentike dokumentare dhe inskenimet artistike, duke i dhënë zë procesit të shpejtë dhe të padrejtë që çoi në ekzekutimin e 17 personave dhe në ndëshkimin me 715 vite burg në total, për të akuzuarit e tjerë. Asnjë nga 17 të ekzekutuarit nuk ka ende sot një vend varri.

Dokumentari u realizua me mbështetjen e “Fondacioni Konrad Adenauer” (KAS Albania) në bashkëpunim me “United Rights Foundation”./atsh/ KultPlus.com

Sytë e tu

Poezi nga Oktavio Paz

Sytë e tu janë atdheu prej vetëtime dhe lotësh,
heshtje që flet,
stuhi pa erë, 
det pa dallgë,
zogj të burgosur, 
bisha të praruara të fjetura,
topaz të pafe si e vërteta,
vjeshtë në një hapësirë
pylli ku drita në të këndon,
sup i një peme dhe të gjitha gjethet e saj zogj janë, 
plazh që mëngjesi takon mbushur me sy,
shportë me fruta zjarri,
gënjështër që ushqen,
pasqyra të kësaj bote, 
dyer të atje përtej,
valëzim i qetë i detit në mesditë,
absolut që përpëlitet,
një vesë shi./ KultPlus.com

‘Maroma nji kafe, dalëngadalë ta pi, se më ka ardhë letra për me shku n’ushtri’ (VIDEO)

Qamili i Vogël – Muhaxhiri është këngëtar shqiptar i muzikës popullore qytetare.

Ai ka lindur në qytetin e Gjakovës në vitin 1923. Pas një frymëzimi nga muzika tiranse, ai së bashku me Ymer Rizën themeluan Shoqëri Kulturo-Artisike anembanë Kosovës, duke dhënë një kontribut të madh për këngën dhe muzikën shqipe.

Qamili i Vogël ishte këngëtari më emblematik i shek. XX në të gjitha hapsirat shqiptare e më gjërë. Me zërin e tij të ngrohtë lirik të pastër i përvetësoi të gjitha shtresat shoqërore.

Tahir Drenica, Mazllom Mezini, Bajrush Doda, Ismet Peja, Hashim Shala, Nexhmije Pagarusha, janë disa emra me të cilët ai kishte kënduar përgjatë rrugëtimit të tij artistik.

Zëri dhe kontributi i tij në sferën e muzikës shqiptare do të mbeten të paharruara.

Ai vdiq në vitin 1992.

KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën “Maroma nji kafe”:

Maroma nji kafe
Dalëngadalë ta pi
Se më ka ardhë letra
Për me shku n’ushtri

Ani shuj bre djale
Çka m’kallxove ti
Tash na vjen pranvera
Çka do t’baj pa ty

Ushtar unë po shkoj
E ty po t’la në shpi
Për mall po t’i la
Sahat e allti

Për mu kur t’merr malli
Ty mor djal i ri
Merr shkruma nji letër
Pashë dy sytë e mi

Vijnë shoqet e mija
ditë për ditë me lu
Une dal n’dritare
Për ty tuj mendu

Vitet po kalojne
Koha s’asht tuj shku
E mora nji leter
Ty për me ta shkru./ KultPlus.com

“12 burra të zemëruar”, premierë në skenën e Teatrit Kombëtar

Drama amerikane “12 burra të zemëruar” (12 angry men) e Reginald Rose, pati mbrëmë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar me regjinë e Albert Mingës. Publiku tregoi një interes të veçantë ndaj kësaj vepre, biletat e së cilës u shitën në kohë rekord.

Regjisori Albert Minga është shprehur për mediet se e ka sjellë këtë vepër për mesazhet që jep autori, të cilat “ngjisin” me mjedisin shqiptar.

Shfaqja eksploron diskutimet e një jurie të një gjyqi për vrasje, në të cilin një duzinë burrash vendosin fatin e një adoleshenti të akuzuar për vrasjen e babait të tij abuziv. Në fillim, ata janë pothuajse unanim në përfundimin se rinia është fajtore, e ndikuar nga prejardhja dhe edukimi i tyre. Por një burrë kundërshton, duke e shpallur atë “të pafajshëm” dhe duke mbjellë një farë dyshimi të arsyeshëm. Përfundimisht, ai bind anëtarët e tjerë të jurisë që të shikojnë përtej paragjykimeve të tyre personale dhe të mbështesin një vendim unanim “të pafajshëm”.

Në shfaqje interpretuan disa prej aktorëve më të vlerësuar të skenës shqiptare: Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Alfred Trebicka, Sokol Angjeli, Ligoraq Riza, Myzafer Zifla, Neritan Liçaj, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Florian Agalliu, Donald Shehu, Igli Zarka.

Shfaqja u vu në skenë për herë të parë në San Francisko në vitin 1955. Fillimisht ajo ishte një shfaqje televizive, që më tutje u transformua në film por edhe në shfaqje në Broadway./atsh/KultPlus.com

Rexhep Qosja shpallet fituesi i çmimit “Lumo Skëndo”

Akademiku Rexhep Qosja është shpallur fituesi i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024.

Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës. Juria e kryesuar nga Belina Budini, me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga dhe Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Nëpërmjet një videomesazhi, Rexhep Qosja falënderoi përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si edhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për çmimin “Lumo Skëndo”.

“Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime, është nderim i veçantë që më dhurohet në moshën në të cilën jam”, u shpreh akademik Qosja, i cili më pas ngriti lart figurën e Mit’hat Frashërit, i cili mbante Lumo Skëndon si emrin e penës.

Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama etj. /KultPlus.com

Tempulli antik në fshatin Shtyllas, trashëgimi kulturore rrethuar nga natyrë piktoreske

Tempulli antik i Shtyllasit, në Fier, është një monument i trashëgimisë kulturore, i kategorisë I, ndodhur pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau në rrjete sociale pamje të Tempullit që gjendet në një kodrinë, në një mjedis të rrethuar nga gjelbërimi.

“Tempulli antik i Shtyllasit, në Fier, një trashëgimi kulturore, rrethuar nga një natyrë piktoreske”, shkroi Balluku.

Gërmimi arkeologjik dhe zbulimet e kryera, disa vite më parë sjellin dëshmi autentike të një tempulli antik, rreth 2500-vjeçar, i cili ruan plotësisht bazamentin e tij, ku hamendësimet e para janë për përmasa rreth 1000 m2. Funksioni i tij ishte për shërbesat religjioze të zonës, si një prej Tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon.

Hamendësimet për kolonën që i ka dhënë emrin fshatit Shtyllas në Fier janë për një sipërfaqe rreth 1000 m2. Funksioni i tij ishte për shërbesat religjioze të qytetit antik të Apolonisë, si një prej tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon duke qenë edhe afër portit lumor të qytetit. / KultPlus.com

Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare

Më 10 prill 1921 lindi Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare dhe më pas i Teatrit të Operas dhe Baletit.

Krantja hodhi bazat e dirigjimit operistik në vend, duke u bërë drejtues i mjaft koncerteve, operave dhe baleteve të para, që Teatri i Operas e Baletit vuri në skenë.

Gjatë disa dekadave drejtoi një numër të madh premierash të kompozitorëve shqiptarë dhe të kompozitorëve botërorë në të gjitha gjinitë, që nga kënga deri tek opera e baleti, ndër të cilat: “Rusallka” (operën e parë të vënë në skenë në Shqipëri); “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Traviata” etj.

Kontributi i tij ka vijuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Tiranës dhe si pedagog i dirigjimit në Institutin e Lartë të Arteve.

Krantja njihet gjithashtu si kompozitor i mjaft veprave muzikore, vokale e simfonike dhe një publicist i palodhur, nga pena e të cilit kanë dalë një numër i madh artikujsh të ndryshëm të artit muzikor, emisione të ndryshme televizive e intervista.

Për karrierën e tij artistike është nderuar me çmime, urdhra e medalje të shumta, si: Urdhri i Punës të klasit të parë dhe të dytë; Urdhri “Naim Frashëri” i klasit të Parë, titulli “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, medalja e nderit nga Opera e Bakut, medalja “Anëtar Nderi i Përjetshëm” e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Artit dhe Letërsisë me seli në qytetin e Brindizit (Itali), medalja “A. Dvorzhak” nga Ministri i Kulturës i Republikës Çeke, si edhe mban titullin e lartë “Nder i Kombit”. / KultPlus.com

Kalaja e Rozafës, destinacion i turistëve në Shkodër

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shkodra, ku numri i turistëve që vizitojnë kalanë e Rozafës dhe bukuritë e tjera të qytetit verior është rritur ndjeshëm vitet e fundit, falë edhe investimeve të qeverisë.

Turistët në Shkodër ndalen në kala për një vizitë ndërsa ndodhen qoftë edhe tranzit drejt veriut të vendit. Kalaja e Shkodrës ka pozicion të atillë që nuk tërheq vetëm për vlerat e trashëgimisë historike, por edhe për peizazhet fantastike që mund të shihen prej saj me liqenin dhe luginën e Bunës.

Parku Arkeologjik Shkodër gjatë dy muajve të parë të vitit 2025 ka mirëpritur mbi 4,700 vizitorë, 27% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje.

Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Rozafati, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës.

Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.

Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të./ KultPlus.com

Bill Gates: Ky është i vetmi profesion që Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë

“Inteligjenca Artificiale nuk është këtu për të marrë vendet e punës të programuesve, por për t’i transformuar ato. Ata që e adoptojnë si një mjet shtesë do të gjejnë se ajo zgjeron mundësitë e tyre dhe hap dyer të reja. Megjithatë, kjo kërkon përshtatje: të mësojnë rreth AI-së, të kuptojnë kufizimet e saj dhe ta përdorin strategjikisht”.

Bill Gates, një nga vizionarët më të mëdhenj të inovacionit, beson se profesioni i programuesve është një nga ato që nuk do të ndikohen negativisht nga zhvillimi i kësaj teknologjie. AI ka ndryshuar mënyrën se si shkruhet dhe optimizohet kodi, duke sjellë mjete si GitHub Copilot që sugjerojnë linja kodesh dhe blloqe të plota, duke kursyer kohë në detyra rutinë.

Ky zhvillim ka rritur produktivitetin, duke mundësuar që programuesit të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve më komplekse dhe kreative, ndërsa AI merr përsipër krijimin e dokumentacionit dhe testimin automatik. Gjithashtu, inteligjenca artificiale i ndihmon ata me më pak përvojë teknike të shkruajnë kode funksionale, duke rritur konkurrencën në tregun e punës.

Megjithatë, programuesit ende mbeten të domosdoshëm për projektimin e sistemeve, kuptimin e kërkesave dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme. Siç thotë Gates, programimi kërkon kreativitet, gjykim dhe një kuptim të thellë të problemeve reale, aftësi që AI ende nuk i ka integruar plotësisht./ KultPlus.com

Sot në GKK hapet ekspozita personale e artistit Jetmir Idrizi, “Fuqia e dëshirës”

Sot do të bëhet hapja e ekspozitës personale të artistit Jetmir Idrizi të titulluar “Fuqia e dëshirës “, e kuruar nga Camille Cousin. 

Kjo ekspozitë përmes një serie fotografish na zhyt në skenat vibrante të kulturës queer të São Paulos dhe Rio de Janeiros. Më shumë se vetëm një dëshmi, puna e tij fotografike shpalos territore të emancipimit ku festa dhe vetë-pohimi bëhen akte të rezistencës. Nga klubet e natës tek karnavalet, nga shfaqjet drag tek skenat e ballos, ai ndjek një hartë vizuale të dëshirës në lëvizje, një gjeografi intime dhe kolektive të lirisë. 

Hapja e ekspozitës organizohet të enjten, me 10 prill, prej orës 19:00 deri në 21:00./ KultPlus.com

The Guardian: BE-ja do ndërtojë disa megafabrika të inteligjencës artificiale

Bashkimi Evropian ka njoftuar se tre deri në pesë megafabrika të reja të pajisura me superkompjuterë të mëdhenj do të hapen në Evropë si pjesë e një plani prej 20 miliardë eurosh për të zhvilluar një gjeneratë të re të modeleve të inteligjencës artificiale (AI), duke hapur derën për ndryshime në ligjin e tij që rregullon teknologjinë, raporton The Guardian.

Duke shpallur strategjinë për kthimin e Evropës në një “kontinent të inteligjencës artificiale”, nënkryetarja e Komisionit Evropian, Hena Virkunen, tha se qëllimi i planit është ta bëjë Evropën më konkurruese, më të sigurt dhe teknologjikisht sovrane.

BE-ja ka filluar tashmë zbatimin e një plani për të ndërtuar 13 fabrika të inteligjencës artificiale – lokacione me superkompjuterë dhe qendra të dhënash ku studiuesit zhvillojnë dhe testojnë modele të inteligjencës artificiale.

Megafabrikat e reja të inteligjencës artificiale, që do të ndërtohen si pjesë e planit 20 miliardë euro, do të ishin shumë më të mëdha, duke synuar ato që Komisioni Evropian i ka etiketuar si risi të rëndësishme në shëndetësi, bioteknologji, industri, robotikë dhe përparime shkencore.

Ndërsa fabrikat me performancë të lartë të AI kanë superkompjuterë të pajisur me deri në 25,000 procesorë të avancuar të AI, një megafabrikë do të kalonte 100,000 procesorë të AI, sipas dokumentit të strategjisë./ KultPlus.com

“Beatles” dhe historia e 10 prillit 1970, dita fatalje e ndarjes

Ata thyen miliona zemra kur u ndanë në fillim të viteve 1970, por, gjysmë shekulli më vonë, ”Beatles” nuk kanë humbur asnjë nga popullariteti i  tyre dhe ende mbizotërojnë skenën botërore të muzikës pop.

10 prill 1970, dita fatale e ndarjes.

Paul McCartney njoftoi se “Fab Four” nuk do të regjistronin më asgjë së bashku.

“Beatles’ konsiderohen aventura më përrallore e shekullit XX, askush nuk mund të parashikonte se një sukses i tillë i jashtëzakonshëm do të vazhdonte edhe në shekullin tjetër.

“50 vjet pas ndarjes së tyre, ‘Beatles’ mbeten artistikisht të patejkalueshëm dhe shtyjnë krijuesit të shtyjnë kufijtë”, nënvizon autori i librit “Beatles: All these years”.

10 prilli i vitit 1970 shënohet përgjithmonë me rreth të zi për ithtarët e grupit: atë ditë u shfaq një intervistë me Paul-in, ku ai tha se ”Beatles” do të ndalnin së punuari së bashku, pak para lëshimit të albumit të tij të parë solo.

Pa arritur aq larg sa të njoftojë qartë përfundimin e grupit, Paul, i pyetur në lidhje me rifillimin e bashkëpunimit të tij me John Lennon-in, u përgjigj thatë “jo”.

“McCartney prishet me ‘Beatles-at”, ishte titulli i ”New York Times”.

Prishja e lidhjeve të tyre të biznesit pak më vonë, në një gjykatë britanike, vulosi përfundimisht edhe ndarjen e tyre./ KultPlus.com

Joseph Pulitzer, emigranti xhepgrisur që i mësoi botës gazetarinë

Joseph Pulitzer ishte një gazetar, editor dhe politikan hungaroamerikan. Lindur në Makó, në Hungari, dhe emigruar në Shtetet e Bashkuara, Pulitzer u bë një reporter dhe editor i famshëm. Një shpërblim i tij, Pulitzer, më i rëndësishmi në fushën e gazetarisë, që u caktua për herë të parë në vitin 1917, sipas dëshirës së lënë nga gazetari.

Fillimet

Pulitzer emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1864, gjatë luftës së secessionit amerikan. Pas përfundimit të konfliktit u vendos në St. Louis, në Missouri, filloi të punojë për një gazetë në gjuhën gjermane, Westliche Post, më 1868. Në zgjedhjet parlamentare në Missouri, më 1869, Partia Republikane e paraqitën si kandidat të saj në një kolegj që demokratët e konsideronin të blinduar. Befas ai u zgjodh duke mundur kandidatin demokrat.

Vazhdoi një periudhë të shkurtër me republikanët për të kaluar tek Partia Demokratike, deputet i së ciës u bë më 1885. Më 1872, Pulitzer bleu The Post për 3.000 dollarë. Pastaj, në vitin 1878, bleu edhe St. Louis Dispatch për 2.700 dollarë, si dhe dy gazeta, të cilat e shndërruan The St. Louis Post-Dispatch, e cila mbetet ende sot e përditshmja kryesore e qytetit.

New York World

Në vitin 1883, Pulitzer bleu edhe The New York World (një gazetë që po qëndronte me humbje prej rreth 40.000 dollarë në vit) për 346.000 dollarë nga Jay Gould. Pulitzer e ktheu vëmendjen tek lajmet me interes njerëzor, skandalet dhe sensazionalizmi. Pulitzer ishte bërë një urë ndërmjet shoqërisë amerikane dhe emigrantëve që e popullonin Nju Jorkun në vitet e fundit të shekullit XIX. Në brendësi të gazetës së tij vendosi rubrika të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në gjithë shtypin botëror, përfshiu reklama tregtare.

Emigrantët e shohin gazetën e Pulitzerit si një pikëtakim ku ata grumbullohen në një vend që nuk ishte (ende) i tyre. Në vitin 1885, një vit më vonë, kur do të zgjidhej në Dhomën e Përfaqësuesve, punësoi Richard F. Outcaultin për të sjellë ilustrime bazuar në jetën e përditshme në rrethinat më të varfëra; kështu gazeta arriti në 600.000 kopje – kundrejt 15.000 sa ishte kur e bleu gazetën – duke e bërë The New York World të parën të përditshme të Shteteve të Bashkuara. Atë vit u bë protagonist i mbledhjes së fondeve për ndërtimin e bazamentit për Statujën e Lirisë, i cili u përurua më 26 tetor 1886. Falë kësaj iniciative u grumbulluan 100.000 dollarë.

Në vitin 1887, filloi të punojë në The New York World gazetarja Elizabeth Cochran, e cila do të bëhej e famshme me pseudonimin Nellie Bly, së cilës Pulitzer ia beson disa hetime të bëra më vonë të famshme si, si keqtrajtimet ndaj pacienteve femra në spitalin psikiatrik të qytetit me titull “Ten Days in a Mad-House” ( “Dhjetë Ditë në një shtëpi të çmendur “). Ky hetim pati jeohnë tejet të madhe në publik dhe i deturoi autoritetet të marrin masa të posaçme.

Udhëtimi rreth botës

Më 1888 Pulitzer kishte idenë e realizimit të asaj që shkrimtari francez Jules Verne kishte imagjinuar në një nga librat më të famshëm të tij, Udhëtim rrotull botës për 80 ditë. Pulitzer ia ngarkoi këtë mision gazetares Nellie Bly dhe ajo e sfidoi duke realizuar udhëtimin në më pak se 80 ditë. Më 14 nëntor 1889 ajo u nis nga Hoboken, në Nju Xhersi, për udhëtimin e saj prej 40 000 kilometrash. Më 25 janar 1890 Nellie arriti në New York, pas shtatëdhjetë ditësh, një rekord absolut (edhe pse u përmirësua pak muaj pas nga George Francis Train, i cili përfundoi udhëtimin në 60 ditë). Ditari i saj Around the World in Seventy-two Days (Rrotull botës në shtatëdhjetë e dy ditë) ishte një sukses i madh.

Sulmi

Po më 1890, botuesi i revistës “New York Sun”, e sulmoi Pulitzerin në gazetën e tij, duke e definuar “hebreu që ka braktisur fenë e tij” (babai i Pulitzerit ishte hebre, nëna katolike, ndërsa gruaja, Kate Davis, ungjillore). Ky veprim, që kishte për qëllim t’ia largonte Pulitzerit lexuesit e besimit të krishterë, e përkeqësoi shëndetin e gazetarit, tashmë jo në gjendje të mirë, dhe e detyroi atë të largohet nga drejtimi i gazetës, duke mbajtur, megjithatë, kontrollin financiar.

Në vitin 1895, William Randolph Hearst bleu The New York Jurnal, duke filluar një betejë gazetareske kundër The New York World të Pulitzerit. Kjo garë me Hearstin, sidomos para dhe pas Luftës Spanjollo-Amerikane, e lidhi emrin e Pulitzerit me gazetarinë e karakterizuar nga sensacionizmi apo spekulimet skandaloze. Më 1896, The New York World inauguroi një shtojcë me ngjyra, një inovacion absolut për atë kohë.

The New York World denoncoi një skandal që përfshinte një pagesë mashtruese prej 40 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara në kompaninë franceze të French Panama Canal Company në vitin 1909, dhe Pulitzer u hodh në gjyq nga Theodore Roosevelt dhe John Pierpont Morgan. Gjykata hodhi poshtë akuzat duke vendosur një fitore të rëndësishme për lirinë e shtypit. Më 1892, Pulitzer i propozoi presidentit të Universitetit të Kolumbias, Seth Low, të krijonte një shkollë të gazetarisë dhe ofroi veten si huadhënës i kursit.

Do të ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë. Universiteti fillimisht nuk pranoi propozimin dhe paratë, por në vitin 1902 presidenti i ri i Universitetit, Nicholas Murray Butler, pranoi kërkesën. Por projekti u realizua vetëm pas vdekjes së Pulitzerit, i cili nuk mund të admirojnë ëndrrën e tij të realizuar. Me vullnetin e tij, Pulitzer dhuroi 2 milionë dollarë në universitet, gjë që çoi në krijimin e Shkollës së Studimeve të Avancuara të Gazetarisë në vitin 1912; megjithatë, nuk ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë, pasi u parapri nga Universiteti i Misurit.

Çmimi i parë

Më 1917 u dha Çmimi i parë Pulitzer, në përputhje me dëshirat e Pulitzerit; shkolla e gazetarisë që ai donte mbetet më prestigjiozja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot. Joseph Pulitzer vdiq ndërsa ishte në bordin e jahtit të tij në portin e Charleston, Karolina e Jugut, në vitin 1911. Ai është varrosur në Varrezat e Woodlawn në Nju Jork (në rrethin e Bronksit)./ KultPlus.com

Romët rikthejnë zërin e tyre në zemër të Evropës

Java Rome 2025 në Strasburg dhe Bruksel: 8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, u shënua sivjet në një moment kyç për të ardhmen e komuniteteve rome, sinti dhe Traveler në Evropë.

Në zemër të Bashkimit Evropian, Brukseli dhe Strasburgu janë bërë sërish qendra të diskutimeve, rezistencës dhe propozimeve për një Evropë më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, në kuadër të Javës Rome 2025.

E organizuar nga organizatat e shoqërisë civile, institucionet evropiane dhe partnerë ndërkombëtarë, Java Rome këtë vit ka një fokus të posaçëm: rikthimin e vëmendjes politike ndaj çështjeve të romëve në një Evropë që po ndryshon. Në mungesë të eurodeputetëve me prejardhje rome në Parlamentin e ri Evropian, ky edicion bëhet një platformë jetike për të forcuar zërin politik, për të artikuluar sfidat dhe për të propozuar zgjidhje.

Përfaqësimi politik rom nuk është vetëm çështje numrash, por një nevojë urgjente për drejtësi dhe barazi. Gjatë javës, diskutimet në panelet e organizuara në ndërtesat e Parlamentit Evropian në Bruksel dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg, kanë theksuar rëndësinë e fuqizimit të lidershipit rom, veçanërisht të grave dhe të rinjve romë. Java Rome synon të ndërtojë ura për përfshirje aktive të komunitetit rom në jetën politike, duke thyer tabu.

Anticiganizmi: një plagë që kërkon drejtësi

Një nga temat më të ndjeshme që ka mbizotëruar në Javën Rome është anticiganizmi – forma e qëndrueshme e racizmit që godet romët në të gjithë Evropën. Në sesione të veçanta janë prezantuar studime, dokumentarë si “Jekhipe” dhe iniciativa për drejtësi tranzicionale, duke kërkuar njohjen e krimeve historike ndaj romëve, përfshirë Holokaustin, si dhe ndërtimin e një narrative të përbashkët përmes edukimit dhe historisë së mësuar në shkolla.

Gabriela Hrabanova, Drejtoreshë e ERGO Network, deklaron: “Java Rome nuk është vetëm një ngjarje simbolike – ajo është një mjet politik dhe shoqëror që na lejon të sjellim në qendër të debatit evropian realitetin e përditshëm të romëve, sintive dhe udhëtarëve. Në vitin 2025, kur Parlamenti Evropian nuk ka asnjë eurodeputet me prejardhje rome, rëndësia e kësaj jave është edhe më e madhe. Ne nuk mund të lejojmë që komunitetet tona të bëhen të padukshme në momentin kur diskutohet për të ardhmen e Evropës.”

Java Rome nuk është vetëm një ngjarje simbolike – ajo është një mjet politik dhe shoqëror që na lejon të sjellim në qendër të debatit evropian realitetin e përditshëm të romëve, thekson Gabriela Hrabanova, drejtoreshë e ERDO Network

Ajo shton: “Këtë vit, Java Rome po vendos një theks të fortë mbi nevojën për përfaqësim politik, edukim gjithëpërfshirës, drejtësi historike dhe përmirësim të kushteve socio-ekonomike. Ne duhet të punojmë më ngushtë me institucionet evropiane për të siguruar që politikat nuk mbeten në letër, por reflektojnë realisht nevojat dhe aspiratat e romëve. Si organizata që përfaqëson zërin e komuniteteve nga terreni, ERGO do të vazhdojë të jetë një urë ndërmjet qytetarëve romë dhe vendimmarrësve evropianë dhe së fundi me theks të veçntë ata të Ukrainës.”

“Kjo javë është një thirrje për veprim, për solidaritet, dhe për përgjegjësi. Është koha që Evropa të dëgjojë më shumë nga komunitetet që për dekada kanë qenë margjinalizuar. Dhe ne jemi këtu – të fortë, të organizuar dhe të vendosur – për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët me dinjitet dhe barazi.”

Është koha që Evropa të dëgjojë më shumë nga komunitetet që për dekada kanë qenë margjinalizuar, thotë drejtoresha e ERGO Network, Gabriela Hrabanova

Përfshirja arsimore, digjitale dhe rinore

Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, përjashtimi i komuniteteve rome nga teknologjia përbën një formë të re të margjinalizimit. Roma Week 2025 i kushton një vëmendje të veçantë arsimimit gjithëpërfshirës dhe përfshirjes digjitale. Përmes paneleve dhe demonstrimeve praktike, theksohet se pa qasje në internet, pa pajisje dhe aftësi digjitale, rinia rome mbetet jashtë tregut të punës dhe sistemit arsimor modern.

Solidaritet ndërmjet pakicave të margjinalizuara

Një nga dimensionet më të reja të kësaj jave është lidhja e saj me Javën e Antiracizmit të BE-së, duke theksuar nevojën për një qasje interseksionale ndaj racizmit. Romët, afro-evropianët, migrantët dhe komunitetet e tjera të racializuara përballen me forma të ndërlikuara diskriminimi. Java Rome përpiqet të krijojë aleanca mes këtyre komuniteteve për një front të përbashkët ndaj racizmit institucional dhe përjashtimit social.

Përfshirja reale nuk mund të ndodhë pa mjete të duhura financiare. Aktivitetet e kësaj jave kanë adresuar gjithashtu nevojën për përgjegjësi në përdorimin e fondeve evropiane për përfshirjen e romëve. Përmes iniciativave si Roma Civil Monitoring, kërkohet transparencë dhe vlerësim i ndikimit real të projekteve që synojnë integrimin.

Akvititeti i Javës Rome, “Roma Youthe Together 2025”

Mihai Oancea, President i TernYpe – European Roma Youth Network, deklaron: “Java Rome është një moment kyç për ne, të rinjtë romë, që të mos jemi thjesht të pranishëm, por të jemi bashkë-ndërtues të së ardhmes sonë evropiane. Në një Evropë që shpesh flet për diversitetin, por rrallë e përfaqëson atë realisht, ne jemi këtu për të kërkuar jo vetëm hapësirë, por vendimmarrje.” “Si rrjet i të rinjve romë në Evropë, TernYpe i ka qëndruar gjithmonë besnik bindjes që rinia është çelësi për ndryshim. Dhe sot, më shumë se kurrë, është koha që institucionet evropiane jo vetëm të dëgjojnë, por të bashkëpunojnë me ne, të ndërtojnë politika me ne, e jo për ne.” “Përballë mungesës së përfaqësimit politik dhe rritjes së ekstremizmit në Evropë, Java Rome nuk është një ngjarje për protokoll. Është një akt rezistence, një platformë për të thënë se të rinjtë romë nuk presin më – ata po ndërtojnë. Nga edukimi, te drejtësia, nga kultura, te teknologjia – ne jemi aty. Dhe është koha që edhe Europa të jetë me ne, jo pas nesh.”

Java Rome 2025 nuk është thjesht një kalendar ngjarjesh, por një reflektim i fuqishëm i një komuniteti që kërkon të mos harrohet, të dëgjohet dhe të bashkëvendosë. Në një Evropë që ndodhet përballë rritjes së ekstremizmit dhe polarizimit, kjo javë është kujtesë që romët kanë qenë gjithmonë pjesë e historisë dhe së ardhmes së kontinentit – jo vetëm në art dhe kulturë, por edhe në formësimin e një Evrope më të barabartë. /DW/ KultPlus.com

BBC përzgjedh edhe Shqipërinë ndër vendet kryesore turistike për 2025-n

Nga pushimet romantike në Mesdhe e deri te ecjet në alpe, të mbushura me ajër të pastër, ka shumë vende emocionuese në Evropë për t’u vizituar këtë vit, shkruan Stacey Leasca për BBC.

Ndërsa pjesa më e madhe e Evropës është plot me histori, kulturë, kuzhinë dhe peizazhe që të lënë pa frymë, disa pika janë veçanërisht të përgatitura për të mirëpritur vizitorët.

Kjo nuk është lista juaj tipike e pushimeve, pasi ju nuk do të gjeni Romën apo Londrën këtu.

Në vend të një liste me vende të përjetshme, ne kemi kuruar zgjedhje specifike për vitin 2025 që do t’i bëjnë pushimet e këtij viti veçanërisht të paharrueshme.

Shumë prej tyre janë destinacione të panjohura, të lira nga mbipopullimi që ka shkaktuar turizmi.

Këto janë zona në rritje në Evropë, ku mund të përjetoni vende ikonike kulturore, hotele spektakolare dhe aventura në natyrë. Nga kalimi i ditëve në brigjet e Mesdheut plot diell deri te ngjitja në majat më të larta alpine.

Shqipëria

Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga destinacionet më të nënvlerësuara të Evropës, por kjo po ndryshon me shpejtësi. Falë kërkesave të relaksuara për viza dhe rrugëve të zgjeruara të fluturimeve ndërkombëtare, vendi po rritet me shpejtësi në radarin e udhëtimit.

Në vitin 2024, Shqipëria mirëpriti një rekord prej 11,7 milionë vizitorësh ndërkombëtarë, një rritje e nxitur pjesërisht nga rritja globale e interesit për arratisjet më pak të njohura në Mesdhe – që do të thotë se tani është koha për të parë këtë vend të bukur përpara se të rezervoni.

“Shqipëria po bëhet shpejt e njohur për përzierjen e saj të historisë me bregdetin e paprishur dhe skenën në zhvillim të ushqimit dhe verës”, thotë këshilltarja e pavarur e udhëtimeve, Kimberly Denison.

”Qyteti i Gjirokastrës i regjistruar në listën e UNESCO-s, plazhet e pacenuara të rivierës shqiptare dhe vreshtat e Beratit krijojnë një arratisje mesdhetare që është ende nën radar, por që po merr vrull me shpejtësi”, shton ai.

Projektet e reja infrastrukturore po përmirësojnë rrugët. Shqipëria po investon gjithashtu në akomodime luksoze, duke përfshirë hotelin ”Green Coast” pranë zonës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Butrintit, i cili do të ofrojë luks të pashembullt.

“Shqipëria është gati të bëhet një lojtare e madhe në pushimet luksoze”, shton Denison.

Ndërsa zonat e nxehta si Ksamili po rriten në popullaritet, udhëtarët që shkojnë pak përtej turmave shpërblehen me ujëra të pastër bruz që rivalizojnë ishujt grekë.

Në brendësi, peizazhet dramatike të Bjeshkëve të Nemuna tërheqin alpinistët dhe kërkuesit e aventurave në veriun e thyer të vendit. Ka akomodime elegante bregdetare si ”La Brisa Boutique Hotel” në Dhërmi, ku ndodheni vetëm disa hapa nga rëra.

Ndërsa zhvillimet e mëdha si ”Marriott”-i i ri në Marinën e Vlorës (që pritet të hapet në vitin 2028) sinjalizojnë se ky i ri mesdhetar nuk do të qëndrojë i qetë për shumë kohë.

Vendet e tjera që shton BBC janë Pulia në Itali, Bregu Alentejo në Portugali, Andermatt-Sedrun-Disentis në Zvicër, Riviera Franceze, Sllovenia, Peloponezi në Greqi, Parisi dhe bregdeti perëndimor i Suedisë./ atsh/ KultPlus.com

‘Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm’

10 thënie për shiun

“Mos u zemëroni me shiun. Bie në tokë sepse nuk di të shkojë për lart”.

Vladimir Nabokov

“Ditët me shi duhet të kalohen në shtëpi, me një filxhan çaj dhe një libër të mirë”.

Bill Watterson

“Të qullesh deri në kockë kur je vetëm është ftohtësi. Të dalësh në shi me mikun e ngushtë është aventurë”.

Emily Wing

“Thuhet se shiu shkakton rrëmujë… në fakt kujdesen njerëzit për këtë”

Barbara Delinsky

“Natën ëndërroj sikur ne të dy jemi bimë të rritura bashkë, rrënjëngatërruar, dhe sikur ti e njeh tokën dhe shiun sikur gojën time, sepse jemi lindur nga toka dhe shiu”.

Pablo Neruda

“Të vështrosh shiun, do të thotë ti takosh apo të bëhesh pjesë e diçkaje. Të kesh dikë që do të qajë për ty”.

Haruki Murakami

“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm”

Fabrizio de Andrè

“Shiu seç ka një të fshehtë të vagëllimtë, diçka si dremitje magjepsëse dhe të ëmbël, një muzikë përvuajtëse zgjohet me të dhe bën të shpërgjumet vetë shpirti i peizazhit.”

Federico Garcia Lorca

“Shiu bie kur retë nuk mund të mbajn peshën, lotët bien kur zemra nuk mund të mbaj më dhimbjen”

“Njerëzit thonë se e duan shiun, por i hapin çadrat kur bie shi, njerëzit thonë se e duan diellin, por kërkojnë hije kur dielli del, njerëzit thonë se e duan erën, por kur era fyn, dritaret janë të mbyllura, prandaj edhe unë buzëqesh kur dëgjoj njerëzit të thonë se më duan”./ KultPlus.com