Adea Badivuku rrëfen sukseset dhe angazhimin e madh këtë vit: Realizova ëndrrën time

Vullneti dhe dëshira për të mos u dorëzuar asnjëherë kanë ndikuar që puna e jashtëzakonshme e pianistes shqiptare, Adea Badivuku, të vlerësohet maksimalisht dhe pjesëmarrja e saj të jetë në nivel global e mbarëkombëtar, shkruan KultPlus.

Së fundmi, pianistja nga Kosova pati një performancë të veçantë në njërën ndër skenat më prestigjioze në botë “Carnegie Hall”.

Rreth këtij suksesi, Badivuku ka thënë për KultPlus se ky vit ka qenë i mbushur me plotë angazhime sikurse në aspektin profesional po edhe atë performoues.

“Tani jam angazhuar edhe në anën hulumtuese në fushën e pianos, meqenëse tashmë jam duke punuar si asistent-profesor në Universitet të Nevadas, e në të njëjtën kohë edhe duke doktoruar”, ka thënë ajo.

Pianistja shqiptare është shprehur tutje se ka pasur rastin të paraqitet në koncerte e salla madhështore në shtetet më të mëdha në Amerikë.

“Si pjesëmarrëse e vazhdueshme e garave dhe fituese e çmimeve të shumta, mund të them se çmimi i parë këtë herë në New York dhe performimi në sallën prestigjioze në Carnegie Hall ishte një përjetim përrallor. Një ëndërr e bërë realitet dhe përmbyllje fantastike e arritjeve të mia në vitin 2021”, u shpreh ajo mes tjerash, duke treguar me emocione të arriturat e saj të jashtëzakonshme.

Artistët dhe sidomos pianistet nuk marrin vlerësimin e duhur nëpër botë dhe vështirësitë e tilla i tregon edhe Badivuku për KultPlus.

May be an image of 1 person, standing and indoor

“Të jesh pianiste dhe artiste nuk është aspak e lehtë, pasi kërkon punë të vazhdueshme, sakrificë dhe përkushtim të madh ndaj instrumentit”, pohoi Badivuku.

Edhe pse arritja deri te majat e suksesit është rrugë e gjatë dhe sfiduese, ajo tregon se vullneti dhe dëshira për të vazhduar edukimin e sidomos dashuria ndaj profesionit ishin shtytjet më të mëdha që ajo të arrij ku është tani.

“Unë ndihem e privilegjuar dhe shumë krenare të jem pianistja e parë nga Kosova në nivel të lartë akademik “PhD” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ajo.

Sa i përket ëndrrave të rë rinjve, 26 vjeçare thotë se nuk duhet të dorëzoheni asnjëherë në gjetjen e rrugëve të ndritshme, sepse suksesi është rezultat i punës së fortë dhe nxënies nga dështimet. /KultPlus.com

Sukses i madh i Adea Badivukut, pas çmimit në New York performon në skenën ‘Carnegie Hall’

Pianistja shqiptare, Adea Badivuku, ka performuar në skenën prestigjioze Carnegie Hall, pas triumfit me çmimin e parë në muzikën klasike në New York këtë vit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Badivuku ka thënë se muzika është kudo në botë, por Carnegie Hall rrit muzikën.

“Të kem shansin që të performoj në këtë skenë prestigjioze është një ëndërr e bërë realitet”, ka shkruar ajo.

Tutje, Badivuku ka falënderuar të gjithë mbështetësit e saj që e kanë bërë të mundur rrugëtimin deri tani dhe të gjithëve për mesazhet e mira.

Gjatë këtë viti, pianisja shqiptare ka fituar çmimin e parë në garën ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards” në New York. /KultPlus.com

May be an image of 1 person, standing and brick wall

Albumi Ade Duo, Adea Badivuku dhe Deniz Caglarcan sjellin duetin ‘Can’t Help Falling in Love’

Pianistja kosovare, Adea Badivuku së fundi ka publikuar një cover të këngës së Elvis Presley ‘Can’t Help Falling in Love’, në bashkëpunim me violistin Deniz Caglarcan, shkruan KultPlus.

Njoftimin e ka dhënë vetë pianistja përmes një postimi në Facebook.

“Pas një pune të gjatë, jam shumë e lumtur të ndaj me gjithë ju Single-in tonë “Can’t Help Falling in Love”. Falenderim i veqantë i takon Komunës së Vushtrrisë, Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” Vushtrri dhe gjithë ekipës që kontribuan në realizimin e këtij projekti. Shpresoj të iu pelqej! “-ka shkruar Badivuku./KultPlus.com

Adea Badivuku triumfon në garën e New York, çmimi i parë i siguron performancën në “Carnegie Hall”

Adea Badivuku, pianistja shqiptare sapo ka fituar çmimin e parë në garën ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards” në New York, shkruan KultPlus.

Çmimi i parë në këtë garë i ka dhuruar asaj mundësinë për të performuar në një nga sallat më prestigjioze në botë për artistët “CARNEGIE HALL”.

Badivuku është shprehur se ajo e konsideron këtë mundësi si një privilegj të vërtetë për të si pianiste. Ndërkaq, ajo shpreson se do të përfaqësoj Kosovën më së miri pikërisht në sallën e famshme të New Yorkut.

Adea Badivuku është studente e nivelit të dokoratures në ‘University of Nevada’ në Amerikë. / KultPlus.com

Pianistja kosovare Adea Badivuku, ligjëruese në Universitetin Qendror të Michigan-it

Medina Pasoma

Muzika klasike ishte një përditshmëri në familjen e saj andaj ajo vendosi që lidhjen me muzikën klasike ta forcojë duke u lidhur ngushtë me pianon. Gishtërinjtë e saj krijuan melodi që nga shkolla e mesme e deri te studimet pasuniversitare, ndërkaq Adea Badivuku pritet t’i sjell tinguj publikut duke lansuar albumit e saj të parë, shkruan KultPlus.

Ishte e vogël në moshë por jo edhe për art, atëherë kur i lindi dëshira për piano. Nga një pasion për ushqim të shpirtit, dikur ajo vendosi që muzikën ta ketë edhe drejtim studimi, kur u bë nxënëse në bankat e shkollës së mesme të muzikës ‘Prenk Jakova’, e pastaj studente e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe me gradimet tjera akademike në Universitetin Qendror të Michigan-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty edhe ku punon si asistente e diplomuar.

Gjithë këtë rrugëtim artistik dhe detajet e publikimit të albumit të saj të parë ‘ADE Duo’ e cila është në bashkëpunim me artistin Deniz Caglarcan, Adea vendosi ta ndaj me KultPlus.

‘Qysh në moshë të vogel, kur isha 5 vjeçe lindi interesimi im për të luajtur në piano, e me përkrahjen e vazhdueshme të prindërve dhe të familjes ëndrra u bë realitet’’, nis rrëfimin e saj Adea Badivuku.

Nga ky moment pianoja u bë pjesë e pandashme e jetës së saj, duke nisur me performanca kur ishte 7 vjeçare dhe për ta kthyer këtë në një udhëtim të bukur përplotë 18 vite.

‘’Piano dhe muzika klasike tashmë janë pjesë e rutinës ditore dhe burim i pashtershëm i kënaqësisë për mua’’, shprehet Badivuku.

Në anën tjetër ‘’ADE Duo’’ është albumi i parë i Adeas i përbërë nga gjithsej 10 këngë, teksa është një gërshetim mes tingujve të dala nga pianoja dhe viola.

‘’Albumi përmban cover të këngëve të njohura të muzikës pop, jazz dhe klasike të transkriptuar nga ne për piano dhe violë’’, thotë Adea.

Përderisa kjo përmbledhje veprash është bashkëpunim i Badivukut me violistin, kompozitorin dhe dirigjentin nga Turqia, Deniz Caglarcan, ata vendosën që edhe emërtimi të rrjedh nga ta. ‘’ADE’’ është gërshetim i dy shkronjave të para të këtyre artistëve, teksa ‘’Duo’’ nënkupton bashkëpunimin e tyre në çift.

Ideja për albumin i cili pritet të lansohet në fillim të vitit të ri kishte lindur gjatë kohës kur e gjithë bota ishte në një izolim total dhe kishte rastin të vlerësonte domosdoshmërinë e artit në jetërat tona. Kështu, edhe këta dy artistë muzikën e panë si rrugëdalje.

‘’Ideja për të realizuar albumin ka lindur gjatë kohës së pandemisë duke përshkuar mesazhin se edhe atëherë kur gjërat nuk shkojnë si deshirojmë, muzika është shpresë për ne’’, vlerëson Badivuku.

Një bashkëpunim i cili zgjati 4 muaj kishte synimin e krijimit të muzikës së bukur dhe ndarjes së saj me të tjerët, në mënyrë që thellësia e artit të depërtoj te gjithsecili. 10 këngët e albumit ‘’ADE Duo’’ do të lansohen së shpejti dhe dëgjuesit do të kenë rastin t’iu qasen në platforma të ndryshme. / KultPlus.com